Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Të ndryshme

Lakshman-Lepain, Refo Çapari
Letër e hapur drejtuar popullit shqiptar (15 gusht 1993)
Tregime rreth 'Abdu'l-Bahá-it
Tregime rreth fondeve Bahá'í
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Të ndryshme : Tregime rreth fondeve Bahá'í
TREGIME
RRETH
FONDEVE
BAHÁ'Í
GLORIA FAIZI
Tregime
rreth fondeve Bahá'í
ritreguar nga
Gloria Faizi
Original Title:
Stories about Bahá'í Funds, by Gloria Faizi

published by Bahá'í Publishing Trust, New Delhi, India

Text: Albanian

Përkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të botimeve bahá'í

(c) Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá'í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 2001 - 158 E.B.
Për Lexuesit
Miqtë e mi të dashur,

Shumë prej jush ndërsa do të lexojnë këto faqe, do të njohin ngjarjen që ju ma dërguat edhe pse ajo nuk paraqitet me fjalët tuaja. Unë i jam mirënjohese secilit prej jush. Pa ndihmën tuaj ky libër nuk do të ishte shkruar kurrë.

Emrat e të gjithë miqve që dërguan ngjarje jepen në fund të librit. Nëse më keni shkruar dhe emri juaj nuk është në listë, nuk e kam marrë letrën tuaj.

Emrat e njerëzve të përmendur në ngjarje janë ndryshuar, me përjashtim të disave, tregimet e të cilëve kanë dalë në shtyp më parë ose janë Bahá'í të mirënjohur nga shumë njerëz. Ata, që janë emra të vërtetë, janë shtypur me germa të zeza.

Emrat e vendeve janë origjinalë; në disa raste, megjithatë, ata janë hequr për mbrojtjen e Bahá'í-ve që jetojnë atje.

Nëse keni ngjarje të tjera interesante për Fondet Bahá'í, ju lutem të m'i dërgoni mua. Ato do të mblidhen e mund të dalin në një libër tjetër.

Unë shpresoj se do ta pëlqeni këtë libër.
Gloria Faizi

Shënim: Në këtë botim, emrat origjinalë janë shkruar në kllapa katrore sipas transkriptimit të zgjedhur nga Shoghi Effendi, pasi është dhënë transkriptimi shqip. Kjo është bërë për secilin term vetëm një herë, kur ai ndeshet për herë të parë në këtë libër, ndërsa kur këta terma përsëriten është dhënë vetëm transkriptimi shqip. Përsa i përket vetë termit "(uqúqu'lláh", në gjuhën shqipe transkriptimi më i përafërt për shkrimin e leximin e tij është "Hukukullah", ndërsa për termin "(uqúq" transkriptimi është "Hukuk".

Përmbajtja
Shtëpitë e Adhurimit 1
Fondi Ndërkombëtar 30
Hukukullah [((uqúqu'lláh] 45
Fondi Kombëtar 54
Ngjarja e Trëndafilave 62
Qendrat Bahá'í 68
Disa tregime të tjera 80
Kontribuesit 104

Ne duhet të jemi si çezma ose burimi që e zbraz vazhdimisht veten nga çdo gjë që ka dhe që vazhdimisht rimbushet nga një burim i padukshëm. Të japësh vazhdimisht për të mirën e njerëzve, pa pasur frikë nga varfëria dhe duke u mbështetur në bujarinë e pashtershme të Burimit të çdo begatie e të çdo të mire - ky është sekreti i jetës së vërtetë.1

- Shoghi Effendi
Shtëpitë e Adhurimit
S

htëpitë e mrekullueshme të adhurimit që Bahá'í-t i ngritën anembanë botës i mbledhin së bashku pasuesit e feve të ndryshme për t'u lutur në unitet dhe për t'i bërë homazhe të Vetmit Krijues të të gjithë njerëzimit. Në atmosferën e qetë dhe paqësore të këtyre Tempujve lexohen fragmente nga Shkrimet e Shenjta të botës dhe dëgjuesi njihet me udhëzimet që Perëndia i ka dërguar nëpër vite. Mbeturinat e paragjykimit kundër këyre apo atyre Besimeve hiqen nga zemrat e të sinqertëve dhe një lidhje mirëkuptimi i bashkon ata me pjesën tjetër të racës njerëzore.

Shumë prej atyre që i kanë ndier bekimet që vijnë prej Shtëpive të Adhurimit ende nuk janë në dijeni për dashurinë dhe sakrificën me të cilat Bahá'í-t i ngritën këto ndërtesa të çmuara për t'i ofruar ato si dhurata për njerëzit e tjerë.

Ngjarja që pason është një prej qindra shembujve të vetësakrifikimit të tyre.

Në kohën kur Shtëpia e Adhurimit apo Mashrikul-Adhkar [Mashriku'l-Adhkár]* po ndërtohej në Wilmette të Shteteve të Bashkuara, nuk kishte shumë Bahá'í në Amerikë edhe pse pjesa tjetër e Bahá'í-ve nga bota ndihmuan duke dhuruar, fondet nuk ishin të mjaftueshme. Një herë, në një periudhë kritike, kur puna në Tempull ishte gati të ndërpritej për shkak të fondeve, Asambleja Shpirtërore Kombëtare Amerikane u bëri thirrje Bahá'í-ve të komunitetit të tyre për të kontribuar duke sakrifikuar. Përgjigja e miqve ishte e menjëhershme sa që kriza u kalua dhe vazhdoi ndërtimi i Tempullit. Në mes të atyre që dhanë të gjitha ato që kishin ishte dhe një grua. Një shpirt i pastër me një zemër të gjerë, por pa pasuri tokësore. Ajo kishte kërsyer për mjaft kohë dhe kishte arritur të vinte mënjanë një sasi parash për varrimin e vet.

Kur erdhi apeli për të bërë dhurata për Fondin e Tempullit dhe ajo e kuptoi urgjencën e situatës, vendosi të jepte gjysmën e parave që kishte kursyer për Shtëpinë e Adhurmit. Pas një farë kohe, kur fondet përsëri po mbaroheshin për ndërtimin e Tempullit, ajo dha gjysmën tjetër duke thënë se do të varrosej në varrezat falas të rezervuara për të varfërit dhe nuk kishte nevojë për një gur që të tregonte varrin e saj.

Por historia nuk mbaron këtu. Kur Ruajtësi i Kauzës bëri thirrje për pionierë dhe u kërkoi besimtarëve ta çonin Mesazhin shërues të Bahá'u'lláh-ut te njerëzit që nuk e kishin dëgjuar Besimin Bahá'í, kjo zonjë e dashur, që ishte pothuajse 90 vjeçare, një e gjymtuar në karro me rrota, shkoi si pioniere në Libi me një çift të rinjsh që po shkonin të vendoseshin në Tripoli. Ajo tha se dëshironte t'ja varrosnin eshtrat e saj atje për hir të Kauzës së Perëndisë.

Ajo vdiq në Libi jo shumë kohë pas arritjes së saj, duke fituar admirimin e të gjithë botës Bahá'í për veprën e saj heroike. Një grup miqsh të dashur Bahá'í nga kombësi të ndryshme i bënë asaj një varrim dinjitoz dhe bënë lutje në varrin e saj. Ruajtësi i Kauzës e bëri atë martire dhe ndërtoi një monument të mrekullueshëm mbi vendprehjen e saj. Ai tha se njerëzit që do të dëgjojnë historinë e saj, në të ardhmen do të dhurojnë nga burimet e tyre dhe do të ndihmojnë për të pionerizuar njerëz që ata kurrë nuk i kanë njohur.

Emri i saj ishte Ella Bailey.
* * *

Mashrikul-Adhkar-i në Wilmette është mjaft i veçantë edhe sepse ishte 'Abdu'l-Bahá ai që vendosi gurin e tij të parë. Ai gur lidhet gjithashtu me një ngjarje:

Nettie Tobin ishte një Bahá'í Amerikane që e siguronte jetesën si rrobaqepëse. Të ardhurat e saj zor se ishin të mjaftueshme për ta ushqyer familjen e për të paguar për vendin që kishte me qera në njërën prej lagjeve të varfëra të Çikagos. Megjithatë ajo dhuronte rregullisht nga pak monedha për Fondin. Kur Bahá'í-t filluan të mblidhnin para për Mashrikul-Adhkar-in që do të ndërtohej pranë Çikagos, Nettie u trishtua shumë se ajo nuk mund të dhuronte aq sa dëshironte. Ajo u lut seriozisht që të kishte mundësi të bënte disa kontribute të vlefshme për këtë Tempull të parë Bahá'í që do të ndërtohej në kontintentin Amerikan.

Një natë, në ëndërr, ajo dëgjoi një zë që e urdhëroi atë të gjente një gur për Tempullin. Gjetja e gurit të duhur u bë misioni personal për Netjen dhe ajo filloi të kërkonte për të. Një prej vendeve ku ajo shkonte ishte një shesh ndërtimi jo larg prej vendbanimit të saj. Atje ajo pa një grumbull gurësh dhe i kërkoi përgjegjësit të punimeve nëse mund të kërkonte ndërmjet tyre dhe mund të zgjidhte njërin për ta marrë. "Ti mund të marrësh sa të duash", ju përgjegj ai "Ata nuk na duhen."

Nettie u ngjeth kur gjeti gurin që ajo donte në atë grumbull. Tani ajo duhej ta çonte atë në vendin e tempullit, që ishte shumë larg. Ajo shkoi në shtëpi dhe mori një karrocë të vjetër fëmijësh që (e) kishte, pastaj i kërkoi një Bahá'í të moshuar që jetonte aty pranë që ta ndihmonte. Së bashku ata e ngritën gurin me karrocë dhe e çuan atë tek autobusi publik.

Në njëfarë mënyre Nettie arriti ta bindë kontrollorin e biletave ta lejonte atë ta merrte karrocën mbi autobuz. Ajo nuk shqetësohej se çfarë mund të mendonin për të pasagjerët e tjerë dhe për gurin që ajo e kishte marrë në karrocën e fëmijëve.

Nettie dhe miku i saj duhej të ndërronin dy apo më shumë autobusë përpara se të shkonin në Wilmette, ku ishte blerë toka për Shtëpinë e Adhurimit. Ata e shtynë karrocën drejt vendit të zgjedhur, por ajo ishte e vjetër dhe u nda më dysh para se të arrinin atje. Nuk ishin shumë larg nga destinacioni kur ndodhi kjo dhe Nettie nuk u dorëzua. Ajo i kërkoi një djali me karrocë dore që t'i ndihmonte. Guri u vendos në karrocë dhe që të tre e shtynë gjersa më në fund arritën në tokën e Tempullit. Ata donin ta çonin gurin në qendër të kantierit por karroca goditi diçka, u përmbys dhe e hodhi gurin përtokë.

Mbeti atje i shtrirë, në anë të tokës së Tempullit, për pothuajse dy vjet. Pastaj, një ditë, Bahá'í-t u mblodhën në kantier për ceremoninë e inagurimit të Tempullit në praninë e 'Abdu'l-Bahá-it. Mjeshtri qetësisht eci pranë gurit të Nettiet tregoi atë me gisht dhe tha se ky do të ishte guri i themelit të Mashrikul-Adhkar-it. Disa Bahá'í që e dinin historinë e atij guri u mahnitën sepse askush nuk i kishte treguar gjë 'Abdu'l-Bahá-it për këtë. Me ndihmën e disa miqve, Mjeshtri e vendosi personalisht gurin në tokën e Tempullit.

Lutja e Nettiet mori përgjigje. Asgjë më e vlefshme se sa ky gur nuk mund të ishte dhënë për shtëpinë e Adhurimit.

* * *

Është devocioni, sinqeriteti dhe entuziasmi i vërtetë që me kalimin e kohës mund të sigurojë përfundimin e Tempullit tonë të shumëdashur.2

- Shoghi Effendi
* * *

Përmes Atlantikut, në Angli, një e re Bahá'í, Norah Crossley dëgjoi për Tempullin që po ndërtohej në Amerikë. Ajo, gjithashtu, nuk kishte para për të kontribuar, por dëshironte me zjarr të kontribuonte për ndërtimin e asaj shtëpie të Adhurimit; kështu që ajo dhuroi pronën e saj më të çmuar - flokët e saj të gjatë të mrekullueshëm. Ajo i preu ata dhe i dërgoi për tempullin me një letër për Dr. Esslemont në të cilën ajo shkroi: "Ju mund të mendoni se kjo është një dhuratë mjaft e çuditshme, por unë jam shumë e varfër dhe nuk mund të jap para, kështu që preva flokët e mi... Kjo ka qenë një sakrificë unë e pranoj, sepse ishte e vetmja bukuri që kisha, por kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që Mjeshtri më ka dhënë mua... Unë do ta jap edhe jetën time po të jetë nevoja..."

Kjo letër ju dërgua 'Abdu'l-Bahá-it, i Cili i shkroi asaj:

"O bija ime e shumëdashur e Mbretërisë! Letra që ti i ke shkruar Dr. Esslemontit u dërgua prej tij në Tokën e Dëshirës [Toka e Shenjtë]. Unë e lexova atë me vëmendjen më të madhe. Nga një anë u preka thellësisht, sepse ti i ke prerë ata flokë të mrekullueshëm me gërshërët e shkëputjes nga kjo botë dhe me vetësakrifikim në shtegun e Mbretërisë së Perëndisë. Ndërsa nga ana tjetër, u kënaqa shumë, sepse kjo bijë e shumëdashur kishte fituar një shpirt kaq të madh vetësakrifice sa të ofronte një pjesë të çmuar të trupit të saj në rrugën e Kauzës së Perëndisë. Nëse ti do të kishe kërkuar opinionin tim, unë në asnjë mënyrë nuk do të pranoja që ti të prisje qoftë edhe një fije të ballukeve të tua të bukura; përkundrazi, unë vetë do të kontribuoja në emrin tënd për Mashrikul-Adhkar-in. Megjithatë kjo vepër e jotja është një dëshmi që flet e shpirtit tënd fisnik të vetësakrificës. Ti me të vërtetë sakrifikove nga jeta jote, prandaj dhe të mëdha do të jenë rezultatet shpirtërore që do të fitosh. Të jesh e sigurt se nga dita në ditë do të përparosh dhe do të bëhesh më e madhe në qëndrueshmëri dhe palëkundshmëri. Bujaritë e Bahá'u'lláh do të të rrethojnë ty dhe lajmet e gëzuara nga lart do të vijnë pambarim. Edhe pse floku yt u sakrifikua, ti je plotësuar shpirtërisht duke sakrifikuar një pjesë të vdekshme të trupit tënd që ti e ke shtruar në shtegun e Perëndisë, por ti do të gjesh Dhuratën Hyjnore, ti do ta shohësh Bukurinë Qiellore, do ta fitosh lavdinë e pavdekshme dhe do ta arrish jetën e përjetshme."3

* * *

'Abdu'l-Bahá-i i inkurajonte Bahá'í-t anembanë botës të dërgonin dhurime për ndërtimin e Shtëpisë së Adhurimit në Wilmette. Në atë kohë komuniteti Bahá'í në Faraona, Indi, përbëhej prej pak familjeve që nuk ishin të pasura. Kur ata e morën mesazhin e 'Abdu'l-Bahá-it, vendosën të bashkonin të gjitha dhurimet që do të mblidheshin në çdo Festë e Nëntëmbëdhetë Ditëve.

Edhe pse sasia e dhuruar nuk ishte shumë, Asambleja Shpirtërore Lokale e kuptoi sakrificën me të cilën miqtë i kishin mbledhur paratë për Tempullin. Një herë u vendos të pyetet çdo person që bëri kontribut se si ai ose ajo kishte arritur t'i kursente ato para. Kjo, ne e dimë, nuk është në përputhje me principet Bahá'í, pasi askush nuk duhet të informohet për ato që dhurohen për Fondet Bahá'í, as duhet pyetur ndokush se nga vjen dhurim.

Në ditët e hershme të Besimit, megjithatë, shumë Bahá'í, që vinin nga prejardhje të ndryshme, nuk ishin njohur mirë me procedurat Bahá'í dhe nganjëherë vepronin në një mëyrë që na duket e çuditshme sot. Bahá'í-t e Poonës për më tepër, ishin të lidhur si një familje. Ata e dinin se shumica prej tyre ishin mjaft të varfër dhe nuk e merrnin për keq ta pyesnin njëri-tjetrin për çështje parash. Sidoqoftë ngjarja e tyre ia vlen të tregohet. Në festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, kur secili dhuroi diçka për atë tempull të mrekullueshëm që po ndërtohej larg në Wilmette, secili u tregoi atyre se si kishte qenë i aftë t'i jepte dhurimet e tij. Tre prej ngjarjeve ishin jashtëzakonisht prekëse. Një kontribut erdhi nga një i moshuar që dhuroi dhjetë anas.* "Çdo mëngjes", shpjegonte ai, "unë pi një gotë çaj dhe ha një copë bukë. Kjo më kushton mua dhjetë anas. Nesër, unë do ta kaloj pa mëngjes."

Dhurimi i dytë ishte gjashtë anas. Ai vinte nga një grua që tha, "Ju të gjithë e dini se sa i sëmurë është burri im. Ngaqë ne nuk mund të blejmë një shishe plot me ilaçe që doktori ia ka dhënë me recetë, unë blej dy hape për të çdo ditë. Këto kushtojnë gjashtë anas. Këtë mbrëmje ndërsa po përgatitesha për të ardhur në Festën e Nëntëmbëdhjetëditëve burri më tha: "Dua që të japësh për Fondin e Tempullit gjashtë anasët e vëna mënjanë për të blerë hapjet e mia." Ai nuk dëgjoi asnjë fjalë dhe më siguroi se nuk do ta merrte ilaçin edhe sikur ta blija atë."

Dhurimi i tretë ishte e një sasie të konsiderueshme - dhjetë rubi. Gjithkush u habit, veçanërisht sepse ai vinte nga më i varfri në mes tyre. "Si mundesh ti të japësh kaq shumë?" pyetën ata.

"Mirë," tha burri me ndrojtje, "çdo dimër, kur nata bëhet e ftohtë, unë blej disa thasë nga bakalli dhe i qep ata së bashku për të bërë një mbulesë. Vitin e shkuar unë vuajta kaq shumë nga i ftohti sa vendosa të ruaja çdo ana që këtë vit të blija një batanije. Tani që arrita t'i kursej dhjetë rubitë nuk kam nevojë për batanije, unë e kuptoj se ndërtimi i Tempullit është më i rëndësishëm. Unë mund ta shtyj me thasët e vjetër edhe një dimër."

* * *

Kur 'Abdu'l-Bahá-i ishte në Amerikë, nuk pranonte dhurata nga besimtarët. Disa prej tyre dëshironin t'i dhuronin Atij nga fondet kështu që Ai të mund të udhëtonte me rehati, por Ai kundërshtoi të marrë ndonjë gjë. "Ofrojuani atë të varfërve në vendin tim", tha Ai; "do të ishte sikur unë personalisht t'ua jepja atyre".4

Megjithëkëtë, gjatë pak ditëve të fundit të qëndrimit të 'Abdu'l-Bahá-it në Shtetet e Bashkuara, Bahá'í-t e Nju-Jorkut i sollën Atij dhurata për anëtarët e familjes së Tij. Disa prej tyre u betuan se nuk do të largoheshin nga prania e Tij gjersa Ai t'i pranonte dhuratat e tyre. Në reagim ndaj lutjeve të tyre këmbëngulëse, Mjeshtri u foli me këto fjalë:

"Unë jam shumë mirënjohës për shërbimet tuaja. Në të vërtetë ju më keni shërbyer, më ofruat mikpritjen, më bëtë shërbimet tuaja ditë e natë dhe këmbëngulët në përhapjen e aromave hyjnore. Unë kurrë nuk do t'i harroj shërbimet tuaja të përkushtuara, sepse ju nuk kishit tjetër motiv përveç arritjes së kënaqësisë së mirë të Perëndisë dhe nuk dëshiruat pozitë tjetër përveç hyrjes në Mbretërinë e Tij. Tani ju keni sjellë disa dhurata për familjen time.

"Këto dhurata janë shumë të çmuara, por më të vlefshme se këto janë dhuratat e dashurisë së Perëndisë të cilat mund të ruhen përbrenda shtëpisë së thesarit të zemrave. Dhuratat e para janë të përkohshme por të dytat janë të përjetshme. Këto dhurata ruhen në kuti dhe në rafte dhe më në fund do të shkatërrohen, por të tjerat do të mbeten përjetësisht në të gjitha botërat e Perëndisë, të ruajtura përbrenda zemrës. Pra unë po marr me vete dashurinë tuaj për ta [Familjen e Shenjtë] që është dhurata më e madhe se të gjitha...

"Tani, unë i pranoj këto dhurata, por ua besoj ato ju që t'i shisni dhe t'i dërgoni të ardhurat në Çikago për ndërtimin e Mashrikul-Adhkar-it". 5

* * *

Në Iran, Asambleja Shpirtërore Kombëtare shtypi fotografitë e Tempullit që do të ndërtohej në Wilmette dhe fëmijët Bahá'í dhanë qindarkat e tyre për ti blerë në ndihmë të ndërtimit.

Të shumta gjithashtu ishin sakrificat nga të rriturit për mbledhjen e parave për atë ndërtesë. 'Abdu'l-Bahá-i tregon ngjarjen e një të veje në Iran, burri i së cilës ishte martirizuar për Besimin. Ajo kishte mbetur me dy fëmijë të vegjël, që i rriste dhe i ushqente duke thurrur çorape. Kur dëgjoi për nevojën për fonde që të kompletohej ndërtimi i Mashrikul-Adhkar-it në Wilmette, ajo vendosi që paratë që do të merrte nga çdo palë tjetër çorapesh që do të thurrte të shkonin për Tempullin.

Kishte gjithashtu të tjerë që shitën madje edhe veshjet e tyre për të dërguar dhurime për Tempullin në Amerikë, duke e ditur fare mirë se ata vetë nuk do të ishin në gjendje të adhuronin nën kubenë e tij.

* * *

Kur Bahá'í-t në Iran mblidhnin dhurime për Shtëpinë e Adhurimit në Amerikë ishte edhe një grua shumë e varfër që nuk dihej se cila ishte. Kjo grua fitonte vetëm pak monedha në ditë duke pjekur e duke shitur bukë të zezë. Por asaj i kishte mbetur qejfi se askush nuk i kishte kërkuar asaj para për Tempullin.

Ajo nuk kishte para për të dhënë, por hoqi vëthët e saj të vjetër, i shiti ato dhe dha pjesën e saj duke thënë, "Zoti i mirë, nëpërmjet bujarisë së Tij, na jep secilit prej nesh diçka që ta dhurojmë."

* * *

Një Bahá'í që jetonte në Tokën e Shenjtë u zotua të jepte dy funtë* për ndërtimin e Mashrikul-Adhkar-it në Amerikë. Më pas ai kontaktoi një mik përgjegës për këtë dhe me trishtim ndjeu se nuk kishte dhënë mjaft. Ai e ndryshoi zotimin nga dy në pesë funtë. Përpara se të errej ai vendosi se duhej të jepte më shumë. E kërkoi mikun e tij edhe një herë dhe i kërkoi të shtonte edhe katër funtë në emër të tij. Ky Bahá'í punonte në hekurudha dhe kishte rrezik ta humbiste punën. Sepse punonjësit e hekurudhave po shkarkoheshin çdo ditë, megjithëkëtë ai kishte dëgjuar një zë të brendshëm dhe dha nëntë funtë për Mashrikul-Adhkar-in.

Ditën tjetër e kërkoi punëdhënësi. Punëtori shkoi të dëgjonte se ishte pushuar. Por për habinë e tij iu tha se rroga i ishte rritur me dy funt në javë.

* * *

...Miqtë e Perëndisë duhet të ngrihen në çdo pjesë të botës për të mbledhur kontribute dhe me zemër dhe shpirt të përpiqen për t'i mbledhur këto fonde për t'i dërguar në Perëndim që të bëhet e njohur dhe evidente anembanë universit se Bahá'í-t e Lindjes dhe të Perëndimit janë si pjestarë të së njëjtës shtëpi dhe fëmijë të të njëjtit Zot! Turku dhe Persiani, Francezi dhe Amerikani, Hinduja dhe Afrikani - të gjithë janë një ushtri dhe një grupim - dhe pa ndonjë dallim ata ngrihen për ta ndihmuar dhe mbështetur njëri-tjetrin.6

- 'Abdu'l-Bahá
* * *

Ishte një Bahá'í në Çikago që e siguronte jetesën e saj duke dhënë mësime pianoje. Kjo zonjë, gjithashtu, dëshironte të ndihmonte në ndërtimin e Shtëpisë së Adhurimit, por ajo ishte kaq e varfër sa kurrë s'kishte para për të dhënë. Ajo jetonte në një dhomë dhe rrallë kishte ushqim të përshtatshëm, megjithatë asgjë nuk i mbetej nga të ardhurat e pakta në fund të muajit. Më në fund ajo vendosi të shkonte në këmbë në të gjitha vendet ku jepte mësime pianoje në vend që të shkonte me autobus dhe i dha ato pak cent që kurseu për Fondin. Kaloi një kohë e gjatë dhe Shtëpia e Adhurimit pothuajse u përfundua, përpara se kjo zonjë e dashur, e cila jetonte 25 km larg Wilmette, mundi të paguante për një transportim urban që ta çonte atë ta shikonte Tempullin për të cilin ajo kishte ndihmuar të ndërtohej.

* * *

Një herë, kur u bë një apel urgjent për besimtarët në Amerikë që të paguanin për tokën e Tempullit në Çikago përpara një date të caktuar, një Bahá'í i pasur ofroi një sasi të madhe parash, duke e tejkaluar sasinë e kërkuar që mund të mos mblidhej në kohë për të respektuar afatin e fundit, megjithatë, Bahá'í-t e tjerë reaguan me zemërgjerësi dhe kërkesa imediate e Fondit u plotësua. Personi që dha shumën e madhe të parave pastaj kërkoi që paratë të përdoreshin për blerjen e tokës shtesë të Tempullit.

* * *

Në një rast tjetër kur fondet kërkoheshin me urgjencë për ndërtimin e shtëpisë së Adhurimit në Wilmette, Ruajtësi u dërgoi Bahá'í-ve Amerikanë një dhuratë të mrekullueshme për Tempullin. Ai ishte një qilim që erdhi nga Mauzoleumi i Bahá'u'lláh-ut në Bahxhi [Bahjí].

Komuniteti Amerikan Bahá'í nuk mund ta duronte shitjen e kësaj dhurate të çmuar. Ata u ngritën në unitet dhe kontribuan burime të rëndësishme për ngritjen e Tempullit.

Ky qilim i çmuar është vendosur në një arkë arkive dhe varet në Hollin e Themelit të Shtëpisë së Adhurimit.

* * *

Llogari interesante për kontributet e Mashrikul-Adhkar-it janë regjistruar në disa prej regjistrave të vjetër të shtypura prej Bahá'í-ve të Amerikës. Ja disa prej tyre:

Madam J., e Uashingtonit, D.C., dhuroi një kujtim të shtrenjë për Mashrikul-Adhkar-in, një orë me një vlerë të madhe për shkak të ndërtimit dhe punimit të saj unik. Ajo ishte dhënë në kujtim të burrit të saj, kolonel L., në familjen e të cilit ajo kishte qenë përmbi 100 vjet.

· · ·

Tri ditë përpara se C. të ndërronte jetë, ajo kërkoi që t'i dërgohej Tempullit një kontribut në emër të saj, meqë koha po shkurtohej dhe ajo kërkonte që dhurata të shkonte atje përpara se ajo të vdiste. Në mëngjesin e ditës së tretë ajo ishte shumë e lumtur duke thënë, "Ma merr mendja se tani i kanë paratë." Ajo u çlirua dhe u preh dhe atë natë shpirti e la trupin e saj.

· · ·

Një çek prej një mijë dollarësh u mor i adresuar për "Tempullin Bahá'í të Paqes" së bashku me një letër që shkruante, "në Europë, Báballarët e vëllezërit janë ndarë nga gratë dhe fëmijët e tyre të vegjël dhe të shumtë janë ata që e kanë lënë shtëpinë në skamje të madhe. Të shumëdashurit tanë këtu nuk po vuajnë gjymtime, vuajtje të mëdha dhe vdekje. Unë e dërgoj këtë si dhuratë falenderimi, edhe pse më duket me të vërtetë e vogël për të shprehur atë që unë ndjej."

· · ·

Një zonjë shkruante: "Ka rreth njëzet mënyra me të cilat unë mund ta shpenzoj një dollar të caktuar këto ditë pa qenë e bindur se kjo është teprim. Por, siç tha burri im muajin e shkruar, "Kur ne e privojmë vetveten, kjo është një gjë e vogël edhe nëse kjo do të thotë mungesë serioze e rehatit personal, nëse ne e privojmë Mashrikul-Adhkar-in, e gjithë raca do të privohet prej mësimeve të mrekullueshme që do të mësohen.'"

· · ·

Zonja L. thotë: "Kur unë isha në Orient, dëgjova një histori të shkurtër: Ishte një zonjë e vjetër shumë e dashur. E gjithë prona e saj ishte konfiskuar përveç një copë të vogël toke. Ajo e shiti atë dhe i dhuroi paratë për Mashrikul-Adhkar-in. 'Po kush do të kujdeset tani për të?', pyeta. 'Oh, miqtë e Perëndisë do të kujdesen për të' ishte përgjigjja. 'Nuk është e vështirë të kujdesesh për një zonjë të vogël.'"

· · ·

Kur 'Abdu'l-Bahá-i ishte në Amerikë, një mike i tha Atij, "Mjeshtri im, dëshiroj të bëj një dhuratë të madhe dhe dua të ndihmoj në mënyrë materiale," 'Abdu'l-Bahá-i i tha , "Përse nuk e ndërtoni ju Mashrikul-Adhkar-in?" Përkthyesi tha: "A do të lejosh t'ia them unë këtë asaj?" 'Abdu'l-Bahá-i tha, "Jo, ajo duhet ta kuptojë këtë me zemër."7

* * *

O Perëndi, Perëndia im! Unë të lutem Ty me një zemër që rreh fort dhe me lotë që rrjedhin të ndihmosh këdo që i shpenzon energjitë e tij për ndërtimin e kësaj Shtëpie dhe për ndërtimin e kësaj Ndërtese ku përmendet Emri Yt çdo mbrëmje dhe çdo mëngjes.

O Perëndi! Dërgoje bollëkun Tënd hyjnor mbi këdo që përpiqet t'i shërbejë kësaj Ndërtese dhe që përpiqet ta ngrejë atë në mes të fiseve dhe feve të botës. Konfirmoje atë në çdo vepër të mirë në çuarjen më tej të mirëqenies së njerëzimit. Hapi Ti dyert e pasurisë dhe të bollëkut për të duke e bërë një trashëgimtar të thesareve të Mbretërisë, që nuk vdesin. Bëje atë simbol të dhuratave të Tua në mes të njerëzve dhe përforcoje atë me detin e zemërgjerësisë dhe të bujarisë Tënde që ngrihet mbi valët e mirësisë dhe të favorit Tënd. Me të vërtetë, Ti je Zemërgjeri, i Mëshirshmi dhe Bujari.8

- 'Abdu'l-Bahá
* * *

Nuk ishin vetëm Bahá'í-t e varfër që bënë sakrifica për Fondet. Edhe shumë Bahá'í të pasur e privuan vetveten nga rehatia personale për të dhuruar me zemërgjerësi për Besimin. Një prej tyre ishte Dora e Kauzës së Perëndisë Amelia Kollins [Collins], që ishte shumë e pasur, por jetoi një jetë të thjeshtë dhe dhuroi sasira të mëdha parash për Fondet. Ajo harxhonte pak për vete dhe nga fundi i jetës jetoi në një dhomë me minimumin e gjërave personale. Gëzimi i saj ishte të dhuronte prej pasurisë së saj për ta çuar më tej besimin e saj të shumëdashur. Ajo kurrë nuk i përmendi dhuratat e saj zemërgjera për Fondet e ndryshme dhe nuk pranonte ndonjë shpallje apo lavdërim, por kontributet e saj të heshtura shkuan për blerjen e dhuratave të shtrenjta: toke për Qendrën Botërore, për ndërtimin e Shtëpive të Adhurimit, për qendrat Bahá'í për botimin e librave, për zbatimin e projekteve të mësimdhënies anembanë botës dhe për mbështetjen e shumë pionierëve.

Gjëja më e çmuar për dhuratat e mëdha të parave që ajo i jepte vazhdimisht për Besimin ishte shpirti me të cilin afroheshin. Nga dita kur besoi tek Bahá'u'lláh-u, zonja Kollins ia dedikoi jetën e saj Kauzës së Tij dhe i shërbeu Besimit të Tij në shumë mënyra të ndryshme, duke e dhuruar kohën dhe energjinë e saj gjer në frymëmarrjen e saj.

Zonja Kollins një herë tha se dëshira e saj e vetme ishte t'i bindej asaj që kishte shkruar 'Abdu'l-Bahá-i në Vullnetin dhe Testamentin e Tij se: "Bahá'í-t duhet të përpiqeshin ta bënin të lumtur Ruajtësin". Kjo ishte forca motivuese e jetës së saj, principi udhëheqës pas çdo gjëje që ajo bëri. Sa herë që ajo votonte gjatë njëzet vjetëve të shërbimit në Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, çdo herë ajo bënte një sugjerim, udhëtonte apo pasohej prej një mendimi që ia përsëriste vetes, "A do ta bënte të lumtur kjo Shoghi Effendi-un?"

Zonja Kollins kurrë nuk e humbi rastin për të plotësuar ndonjë dëshirë të shprehur prej Ruajtësit. Një ditë, ndërsa ajo nxitonte për në një takim të Asamblesë Kombëtare në Wilmette, ajo vuri re se njëra prej shtëpive përballë rrugës nga Shtëpia e Adhurimit ishte për shitje. Ajo menjëherë kujtoi një vërejtje kalimtare të Ruajtësit që e kishte bërë shumë vjet më parë duke inkurajuar Bahá'í-t që të blinin çdo shtëpi përreth Tempullit. Ajo menjëherë kontaktoi sekserin dhe e bleu shtëpinë për Besimin.

* * *

Tempulli i vërtetë është vetë Fjala e Perëndisë; drejt saj duhet të kthehet i gjithë njerëzimi dhe ajo është qendra e unitetit për të gjithë njerëzit... Tempujt janë simbole të forcës hyjnore unifikuese, kështu që kur njerëzit mblidhen atje... ata mund të kujtojnë faktin se ligji u shfaq për ta dhe se ligji është për t'i bashkuar ata.9

- 'Abdu'l-Bahá
* * *

Shtëpia e parë Bahá'í e Adhurimit e ndërtuar në botë ishte në Ishkabad ['Ishqábád] në Turkmenistan. Një prej Afnanë-ve [Afnán]* e mbikëqyri ndërtimin dhe e shpenzoi të gjithë pasurinë e tij për ndërtesën. Shumë të tjerë, gjithashtu, me dëshirë bënë sakrifica dhe fituan nderin për ndërtimin e Mashrikul-Adhkar-it të parë në emër të Bahá'u'lláh-ut. Gratë në Iran, për shembull, shitën argjendarinë e tyre për të paguar pagesën e fundit për të pajisur veshjen me flori të kubesë.

Ndërmjet rrëfimeve që janë mbledhur është ky:

Asambleja Shpirtërore Lokale e Teheranit vendosi të bënte një takim të madh për miqtë dhe t'i ftonte ata të kontribuonin për ndërtimin e Tempullit në Ishkabad. Azizi ['Azízí], një djalë i ri me një biznes të suksesshëm i kërkoi Asamblesë ta bënte takimin në shtëpinë e tij. Me të marrë lejen ai filloi ta përgatiste kopshtin e tij për të pritur miqtë. Ai i lau pemët dhe vendosi llampa nëpër degë. Pastaj huazoi qilima të mjaftueshëm nga miqtë dhe fqinjët për ta mbuluar tokën dhe vendosi shilte të rehatshme për mysafirët që të uleshin, siç ishte zakoni në atë kohë. Vendi dukej qiellor kur filloi takimi.

Pasi u kënduan lutjet dhe folësi e shpjegoi qëllimin e takimit, Azizi ishte i pari që bëri një kontribut. Ai kishte llogaritur gjithçka që zotëronte dhe e kishte ndarë në tri pjesë. Tani i dhuroi të gjitha me gëzimin më të madh në emër të gruas së tij, të së bijës dhe të vetes. Në kohën kur i dha të gjitha që kishte për Mashrikul-Adhkar-in, Azizi nuk mund ta dinte se së shpejti do të bëhej një prej më të pasurve në Teheran.

* * *

Faridih [Farídih] ishte një e re persiane Bahá'í që kishte shkuar për studime në Gjermani. Prindërit e kishin lënë atë në shtëpinë e Bahá'í-ve gjermanë dhe Herma Mylshlegël [Mühlschlegel], që kishte tre fëmijë për vete, e trajtonte Faridih-në si një tjetër anëtar të familjes.

Një ditë, ndërsa Faridih doli nga tramvaji, ajo rrëshkiti dhe ndodhi një aksident i tmerrshëm. Këmba e saj e majtë dhe shputa e djathtë u kapën nga rrota e tramvajit, këmba u dëmtua shumë ndërsa shputa u shtyp krejtësisht. Pas disa ditëve trajtimi, doktorët vendosën t'ia prisnin këmbën e djathtë sipër gjurit sepse shputa nuk po i shërohej.

Miqtë Gjermanë të Faridih-së u shokuan. Ata e pyetën doktorët nëse kishte ndonjë mënyrë tjetër përveç prerjes dhe ata thanë se mund të kishte një shans që këmba të shërohej nëse dikush përpiqej për të ndjekur një proces të gjatë të dhimbshëm me Faridih-në. Këmba e dëmtuar duhej të qepej në lëkurën e stomakut të një personi dhe të mbahej atje gjersa lëkura të ngjitej në këmbë.

Herma doli menjëherë vullnetare të merrte pjesë në këtë operacion. Asaj iu treguan vështirësitë dhe rrezikun e mundshëm për jetën e saj, por ajo dëshironte t'i pranonte pasojat. Faridih, me lotë në sy, iu lut që të mos rrezikonte. Hermën, megjithatë e kishte ndarë mendjen. "Nëna jote", ajo i tha Faridih-së, "të besoi ty nën kujdesin tim dhe unë do të bëj po aq sa për bijën time." Faridih zor se mund ta mendonte këtë. Ajo kurrë nuk e kishte menduar se gjëra të tilla mund të ndodhnin me të vërtetë në jetë. Ajo gjithnjë kishte besuar se sakrifica të këtij lloji ishin bërë për shenjtorët nëpër libra.

Operacioni u krye dhe këmba e Faridih-së u lidh fort në lëkurën e stomakut të Hermës. Kushdo mund ta imagjinojë agoninë fizike që vinte nga lëvizja më e vogël e njërës apo tjetrës. Herma, veçanërisht, ishte në dhimbje të vazhduara, por ajo kurrë nuk u ankua, ditë pas ditë, javë pas jave, ajo shtrihej e palëvizshme, ndërsa trupi i saj e shëroi këmbën e shtypur të Faridih-së dhe lëkura e saj gradualisht u ngjit mbi gjymtyrën e dëmtuar. Pastaj trupi i saj reagoi keq ndaj vuajtjes së tmerrshme që ajo kishte kaluar. Ajo pati temperaturë të lartë dhe u sëmur shumë. Ishte e qartë se ajo kishte helmim gjaku dhe ishte në rrezik ta humbiste jetën, kështu që doktorët vendosën t'i ndanin dy pacientët.

Herma e rifitoi shëndetin pas një farë kohe dhe pati kënaqësinë ta dinte se sakrifica e saj nuk kishte shkuar më kot. Lëkura e saj ishte ngjitur në Faridih dhe ajo kishte arritur t'ia shpëtonte këmbën nga prerja.

Në mirënjohje për atë që kishte bërë, prindërit e Faridih-së i ofruan Hermës çmimin e një bilete për të shkuar në peligrinazh në Tokën e Shenjtë. Herma gjithnjë kishte dashur të vizitonte Mauzoletë e Shenjta dhe tani, më në fund, ëndrra e saj mund të realizohej. Në të njëjtën kohë, Herma e dinte se ajo kurrë nuk do të kishte mundësi të fitonte një sasi të mëdha parash për Fondet. Një Shtëpi Adhurimi Bahá'í duhej të blihej në Gjermani dhe besimtarët po dhuronin që të blinin tokë. Nuk ishte vendim i lehtë për t'u marrë, por Herma më në fund vendosi që ta linte peligrinazhin e vet dhe e ofroi çmimin e biletës së saj për blerjen e vendit mbi të cilin mund të shihet një Tempull i bukur.

* * *

Lajmi për ndërtimin e Mashrikul-Adhkar-it në Panama, në Amerikën Qendrore, u përhap nëpër botë dhe arriti, bile edhe nëpër fshatrat më të largëta ku jetonin Bahá'í-t.

Në një takim të mbajtur në një fshat në xhunglat e Afrikës, miqtë diskutuan për rëndësinë e Mashrikul-Adhkar-it dhe folën për atë që po ndërtohej në Panama. Një grua e vjetër që donte të kontribuonte me diçka për ndërtimin e Atij Tempulli, shkoi në kasollen e vet dhe solli gjithçka që kishte - tre vezë.

Ishte një pionier në atë miting që e kuptoi se vezët nuk mund të përdoreshin si dhuratë nëse nuk ktheheshin në para. Kështu ajo i mori vezët dhe e pagoi çmimin, një shumë e barabartë me 25 cent Amerikanë [$0,25]. Kjo para pastaj u dërgua në emër të gruas së moshuar për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Nigerisë, që i dërgoi ato në Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Panamasë. Një dëftesë, që e falenderonte gruan e moshuar për kontributin e saj, u dërgua nga Panamaja dhe më fund arriti në fshatin e saj në xhungël.

Kur dora e Kauzës së Perëndisë Amatu'l-Bahá Rú(íyyih Khánum po udhëtonte në Afrikë, ajo u prit nga shumë kryetarë shtetesh në mes tyre dhe presidenti i famshëm Kaunda i Zambias. Përgjatë bisedës së tyre, ajo i tregoi atij historinë e tri vezëve. Ai ishte mjaft i impresionuar nga ky demostrim, sesi Bahá'í-t anembanë botës janë në unitet në atë që bëjnë.

· · ·

Një tjetër fshatare Afrikane bleu një pulë dhe ia dedikoi atë Shtëpisë së Adhurimit në Panama. Ajo u kujdes për pulën dhe i dërgoi paratë që fitoi nga shitja e vezëve për Fondin e Tempullit.

· · ·

Përsëri një tjetër dhuratë e çmuar për Tempullin në Panama erdhi nga dy Bahá'í Afrikanë që nuk kishin asgjë tjetër për të dhënë përveç dy arrave të kokosit. Ata ecnin një distancë të madhe gjer në vendin ku mblidheshin kontributet për Tempullin dhe e ofruan dhuratën e tyre modeste. Arrat e kokosit u shitën, u dha një dëftesë dhe paratë iu shtuan pjesës tjetër të sasisë së mbledhur.

Ngjarja shkoi tek Presidenti i Panamasë në kohën e inagurimit të Tempullit. Atij, gjithashtu, i bëri mjaft përshtypje respekti i treguar për një dhuratë të tillë modeste dhe u habit se si Bahá'í-t nga të gjitha shtresat e jetës dhe nga të gjitha anët e botës kishin ndihmuar për Tempullin e mrekullueshëm në vendin e tij.

* * *

Edhe pse në pamjen e jashme Mashrikul-Adhkar-i është një strukturë materiale, megjithatë ka një efekt shpirtëror. Ai i kapërcen lidhjet e unitetit nga zemra në zemër. Ai është një vend ku bashkohen shpirtat e njerëzve.10

- 'Abdu'l-Bahá
* * *

Bahá'í nga vende të shumta u mblodhën për inagurimin e Mashrikul-Adhkar-it të Panamasë dhe Rú(íyyih Khánum po u fliste atyre. Papritur, e nxitur ajo tha, "Unë mendoj se do të ishte e mirë se nëse ne do të dërgonim një vezë të vogël foleje nga inagurimi i këtij Tempulli për Tempullin tjetër Bahá'í që do të ndërtohej." Dhe ajo ofroi për shitje një unazë të vogël fildishi që ishte bërë dhe dërguar për të nga një i burgosur Bahá'í në Mozambik.

Në auditor ishte një argjendar nga Havai i cili nuk ishte shumë i pasur por që ndodhi të kishte një smerald të madh në zotërim. Ai e ofroi këtë për unazën e fildishtë. Sekretarja e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Panamasë shkoi në Havai dhe e mori në ngarkim smeraldin, që ndërkohë, ishte vendosur në një mbajtëse të madhe të artë. Ajo e mori dhe unazën për në Haifa dhe në kohën e Konventës Ndërkombëtare më 1973 ajo ia dha atë Rú(íyyih Khánumit që nga ana e saj, ua besoi atë anëtarëve të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Iranit të pranishëm në Konventë. Ajo u tha atyre, "Unë po ia besoj këtë Asamblesë suaj. Cilido që jep më shumë mund ta marrë atë dhe ky do të jetë kontributi i parë i Mashrikul-Adhkar-it që do të ndërtohet gjatë Planit tjetër."

Në Iran unaza me emerald arriti një shumë të pabesueshme prej 100 mijë dollarë Amerikanë. Unazën e thjeshtë prej fildishi, i burgosuri në Mozambik e kishte bërë me kosto më të vogël se një dollar, por dashuria dhe sinqeriteti me të cilin ai e ofroi bëri mrekullira. Dollari u shumfishua mbi 100 mijë herë dhe u bë dhurata e parë për ndërtimin e Tempullit madhështor Nënë të Indisë.

* * *

Një prej ngjarjeve më të dhimbshme që kemi për Fondet na tregon se si u ble toka për Mashrikul-Adhkar-in të Indisë.

Ruajtësi e dha aprovimin e tij për blerjen e një cope tokë në periferi të Delhit, që përbëhej prej një sipërfaqeje të madhe dhe katër copash të vogla me shumë totale 22 akra e gjysëm.

Kjo ndodhi në 1953, kur nuk kishte shumë Bahá'í në këtë pjesë të botës dhe shuma prej 140.289 rupi që nevojitej për blerjen e tokës ishte një sasi e konsiderueshme parash.*

Asambleja Shpirtërore Kombëtare i ndau një porcion të kësaj shume për çdo zonë nën jurisdiksionin e vet dhe anëtarët dërguan miq që të vizitonin vende të ndryshme, për t'u shpjeguar atyre rëndësinë e Tempullit dhe për t'i inkurajuar ata të kontribuonin kundrejt blerjes së tokës.

Dy anëtarët e Asamblesë arritën një ditë në një restorant modest të Ardishír Rustampúr në Hyderabad. Ardishíri e kishte lënë fshatin e tij të vendlindjes në Iran kur ishte dhjetë vjeçar për të kërkuar fatin e vet në Indi. Përveç rrobave që kishte në atë kohë ai kishte të barabartën e një dollari amerikan në xhepin e tij dhe disa copëra buke të thatë. Ai arriti në Bombei pas një udhëtimi të vështirë dhe meqë për vete ishte Zoroastrian gjeti punë në restorantin e një Zoroastriani nga Irani. Ai punoi shumë dhe kurseu çdo paise* që fitoi duke ëndërruar që një ditë të kishte një restorant të vetin. Shumë vjet më pas, ai më në fund arriti të hapte një restorant modest në Hyderabad, ku ai gjithashtu mësoi për Besimin Bahá'í. Ardishíri ia dha zemrën Bahá'u'lláh-ut dhe dëshironte t'i shërbente Atij me zjarr të ethshëm, po ashtu siç ishte ndjerë kur kërkonte një biznes të vetin.

Kështu ky ishte njeriu në vendin e të cilit u gjendën dy anëtarë të Asamblesë Kombëtare në Hyderabad. Prej tyre Ardishíri mësoi për tokën që do të blihej për Mashrikul-Adhkar-in dhe për sasinë e parave që nevojiteshin. Ai u kërkoi miqve të tij të prisnin për të ndërsa ai shkoi të kujdesej për një çështje urgjente. Kur u kthye përsëri vendosi të gjithë kapitalin e vet në para. Ai i kishte tërhequr nga banka të gjitha paratë që kishte kursyer gjatë jetës, plus të gjitha paratë që kishte në arkën e tij dhe që ende nuk i kishte numëruar. Sasia totale ishte 100.190 rupi.

Dy vizitorët u habitën nga ky reagim i jashtëzakonshëm për thirrjen e tyre. Gjurmimi i tyre serioz zbuloi se Ardeshiri [Ardeshír] nuk kishte mbajtur asnjë rupi për vete.

"Si do t'ia dalësh me biznesin tënd?" pyetën ata. "Kjo para nuk është e imja", u përgjigj Ardeshiri. "Ajo m'u dha mua prej Bahá'u'lláh-ut dhe unë e kam ruajtur atë me besim. Jam i lumtur që mund t'ia kthej përsëri Atij tani. Nëse dëshiron Ai, përsëri do të më japë ato që kam nevojë." Ishte e padobishme të debatoje me të, por dy miqtë e tij iu lutën të mbante të paktën 190 rupi për nevojat e tij imediate. Dhurata madhështore prej 100.000 rupish pagoi koston totale të parë dhe pjesën më të madhe të pesë coprave të tokës për Mashrikul-Adhkar-in, vetëm më pak se 40.000 rupi nevojiteshin tani për katër copat e tjera të tokës.

Ardeshiri e kishte parë mundësinë e një jete të tërë dhe e shfrytëzoi atë pa hezitimin më të vogël. Dukej sikur ai luftoi dhe kurseu gjatë këtyre viteve për të qenë i aftë të bënte një ofertë të vlefshme në këmbët e Zotit të tij dhe për këtë shkak emri i Ardeshir Rustampur [Rustampúr] do të vazhdojë t'i frymëzojë të gjithë që dëgjojnë se si u ble toka për tempullin në Indi.

* * *

Ju pyetët lidhur me disa plane prej të cilave mund të mblidhen Fonde për Tempullin. Shoghi Effendi beson se metoda më e mirë dhe më fisnike është që të bëhen dhurata të lira që jepen spontanisht dhe me sensin e bërjes së një sakrifice për çuarjen më tej të Kauzës. Tempulli ka për t'u ndërtuar me sakrifica. Kjo është një metodë me të vërtetë e vlefshme.11

- Nga një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi-ut

* * *

Një prej kontributeve të para të marra për ndërtimin e Shtëpisë së Adhurimit në Indi erdhi nga klasa morale e fëmijëve Bahá'í në Samoa ku po ndërtohej në të njëjtën kohë një tjetër Mashrikul-Adhkar.

Ndërsa lajmet për Tempullin në Indi i arritën Bahá'í-t e endeve të tjera nëpërmjet gazetave të tyre, paratë filluan të vinin nga e gjithë bota. Së pari një rrëke, pastaj një rrjedhë e qëndrueshme dhuratash arriti me shumë mesazhe dashamirëse. Bahá'í-t e kudondodhur, nga qytetet më të mëdha gjer në fshatrat më të humbura në skajet e largëta të globit ishin të zellshëm për të marrë pjesë në bujarinë e ndërtimit të një Mashrikul-Adhkar tjetër. Uniteti që demostruan ata ishte i mrekullueshëm për t'u parë dhe provoi se ata ishin me të vërtetë anëtarë të një familjeje.

Bahá'í-t në Iran, që jetuan nën persekutimin e ashpër të kohës, ishin të paaftë për t'i dërguar ofertat e tyre, por shumë prej bashkëbesimtarëve në vende të tjera dhuruan zemërgjerësisht në emër të tyre. Kujtimi i tyre që kohët e fundit dhanë jetën në Iran ishte një burim i madh frymëzimi dhe dhuratat shpesh bëheshin në emër të tyre.

Në Indi, kontributet erdhën nga i gjithë vendi. Ka rreth 30.000 lokalitete ku jetojnë Bahá'í në Indi dhe disa prej tyre janë fshatra nën gjendjen e varfërisë. Në dymbëdhjetë fshatra të tillë, të vendosura në Perëndim të Bengalit, Asambletë Shpirtërore Lokale punuan e plotësuan qëllimin për të mbledhur një rupi prej secilit për Mashrikul-Adhkar-in. Këto dymbëdhjetë rupi ishin në mes të kontributeve më prekëse. Ka dhe të tjera. Një nuse e re nga Sholapur dhuroi zbukurimet e saj prej argjendi; një vajzë gjashtë vjeçare nga Gujarat dhuroi kursimet e saj të përditshme prej dhjetë paise; ndërsa një fshatar nga zona Nasik ofroi gjithçka që ai kishte - një monedhë dy paise. Disa që nuk kishin para dhuruan drithëra, të tilla si oriz dhe grurë apo gjëra artizanati etj. Një Bahá'í nga zona e fiseve të Dangut dhuroi një kosh të thurrur me dorë, një tjetër ofroi një gdhendje për Emrin më të Madh. Një grua e bëri në këmbë të gjithë rrugën nga fshati i saj gjer në qytetin më të afërt, Poona, duke mbartur pesë kg. grurë në krahë që ai dëshironte të jepte për Tempullin. Bahá'í-t e Poonës e shitën grurin ndërmjet tyre dhe nxorrën 1400 rupi. Një tjetër fshatare kishte dy arra kokosi për të ofruar. Bahá'í-t e Poonës i nxorrën ato në ankand në mes tyre gjithashtu. Arrat e kokosit që nuk kushtojnë më tepër se ndoshta katër rupi arritën 200 rupi për Fondin e Tempullit. Pastaj ishte një djalë i vogël nga Chandighar që i kishte humbur të gjithë anëtarët e familjes në një aksident makinash. Ai dhuroi gjënë më të çmuar që zotëronte. Albumin e tij të fotografive.

Një shkollar Indian që e vizitoi Tempullin tha, "Taxhmahal [Taj Mahal] u ndërtua me fuqinë e një mbreti, por ju po e ndërtoni këtë ndërtesë madhështore me fuqinë e dashurisë."

* * *

Edhe pse Bahá'í-t kontribuan zemërgjerësisht për Fondin e Tempullit Indian, kishte raste krizash kur paratë e nevojshme nuk i plotësonin shpenzimet për ndërtim. Atëhere dërgohej një apel i veçantë dhe besimtarët duhet të mblidhnin për këtë rast.

Në një nga këto kriza, kur ndërtimi do të kishte ndaluar nëse nuk do të ishin gjetur paratë, sfida u kalua nga dy zonja Bahá'í në Bombei [Bombay] që dhuruan arin dhe gurët e tyre të çmuar për Tempullin. Ato nxorrën kutitë e tyre të arit, dhuruan monedha të arta që i kishin kursyer dhe ofruan gurë të çmuar të shtrenjtë që i kishin hequr mënjanë për raste të veçanta. Shumë dhuruan gjihtçka që kishin, bile edhe kujtimet e tyre më të çmuara. Një sasi e madhe parash u mblodh kështu dhe kriza imediate u kalua.

Në mes të historive prekëse të treguara nga zonjat që shkuan për të mbledhur dhurata janë këto të dyja: Në një vend, ndërsa ato po bisedonin me të zonjat e shtëpisë, i biri i saj tetë vjeçar po dëgjonte me vëmendje, pastaj ai pyeti, "A mund të dhuroj unë gjithashtu?" "Sigurisht", u përgjigj njëra nga zonjat, duke kuptuar pak nga ajo që do të ndodhte. Fëmija hoqi orën e tij të re, të parën që ai kishte pasur ndonjëherë dhe e dhuroi atë për Tempullin.

Në një tjetër shtëpi, shërbëtorja, një Bahá'í, pyeti se ç'po ndodhte. Ju shpjegua asaj se zonjat Bahá'í në Bombei po dhuronin argjendarinë e tyre për Tempullin. "Përse nuk më thatë edhe mua?" pyeti ajo, duke i mbetur qejfi. "Unë gjithashtu dua të dhuroj diçka." Duke e ditur sa e varfër ishte kjo shërbëtore, askush nuk kishte menduar se ajo kishte diçka për të dhuruar. Por ajo dhuroi - një medalion të vogël të artë që i ishte dhuruar asaj kur ju martua i biri - e vetmja copë e artë që ajo kishte zotëruar ndonjëherë.

* * *

Një herë një Bahá'í i varfër në Indi kishte perde në të dy sytë. Doktori e kishte paralajmëruar atë se do të humbte krejt shikimin, nëse nuk do të bënte shpejt një operacion dhe me vështirësi të mëdha ai kishte arritur të mblidhte disa para për operacionin. Pastaj, në Festën e Nëntëmbëdhjetë ditëve, ai dëgjoi për një nevojë urgjente për Shtëpinë e Adhurimit në Delhi. Ai shkoi në shtëpi dhe i solli paratë që i kishte vënë mënjanë për sytë e tij.

Vetëm shumë kohë më pas disa prej Bahá'í-ve mësuan për këtë sakrificë të pabesueshme të bashkëbesimtarit të tyre që ai e kishte bërë duke dhuruar shikimin e syve për të ndihmuar në ndërtimin e Tempullit.

* * *

Sa më e madhe të jetë shkalla e heqjes dorë dhe e vetësakrifikimit, aq më e madhe është gjerësia e kontributit të besimtarëve, aq më të dukshme do të bëhen forcat jetësore që kanë për të buruar nga kjo Ndërtesë unike dhe e shenjtë.12

- Shoghi Effendi
* * *

Ishte Ditëlindja e Bahá'u'lláh-ut dhe Bahá'í-t e Nagpurit, në Indi, që ishin mbledhur për të festuar me këtë rast, ndiheshin të lartësuar shpirtërisht. Kishte veçanërisht emocion në mes të fëmijëve që po prisnin të vinte koha kur drejtuesi të njoftonte se kishte ardhur radha e tyre.

Fëmijët e kishin pritur këtë ditë për një kohë të gjatë, të shihnin se sa para ishin mbledhur prej tyre për Shtëpinë e Adhurimit. Secilit prej tyre u ishte dhënë një enë e vogël prej balte me një të çarë në krye dhe u ishte kërkuar të vendosnin në të para për Fondin e Tempullit. Atyre gjithashtu u ishte thënë se ata mund t'i thyenin enët prej balte në Ditëlindjen e Bahá'u'lláh-ut për të parë se sa para kishin mbledhur.

Kur erdhi koha që të thyheshin enët prej balte, secili nga fëmijët doli përpara dhe e theu të tijën apo të sajën përtokë. Gati çdo enë balte ishte mbushur krejtësisht dhe monedhat e përhapura mblidheshin me zell dhe grumbulloheshin. Emocioni rritej pas çdo enë balte që thyhej. Të rriturit gëzoheshin po aq sa edhe fëmijët.

Më në fund, fëmijët më të mëdhenj ndihmuan për numërimin e parave dhe të gjithë ishin krenarë të dinin se ata kishin mbledhur aq shumë për Tempullin.

· · ·

Shumë komunitete Bahá'í përdorin një metodë të ngjashme për paratë e fondeve. Për shembull, Asambleja Shpirtërore Lokale e Huehuetenangos në Guatemalë, zhvillon një mbrëmje në çdo tre muaj në të cilën Bahá'í-t vijnë për të kaluar një mbrëmje së bashku dhe çdo familje sjell enën e baltës së vet - një mbajtëse në të cilën mblidhen monedhat gjatë tre muajve. Ato hapen dhe paraja hidhet në një kuti të madhe të Fondit. Pastaj ajo numërohet dhe shumë shpejt secili e di se sa para u dhuruan nga komuniteti.

* * *

Bahá'í-t e K. planifikonin të blinin një copë tokë për Shtëpinë e tyre të ardhshme të Adhurimit. Secili e kuptonte rëndësinë e kësaj ndërrmarrjeje dhe kontributet derdheshin për Fondin Kombëtar. Miqtë dhuruan gjithçka që mundeshin por përsëri ishin ngushtë për para, kështu që ata dhuruan gjërat e tyre për t'u shitur ndërmjet tyre.

Një prej tyre dhuroi veturën e tij të re. Asambleja Nacionale pati vështirësi ta shiste makinën kështu që dhuruesi ofroi ta blinte atë vetë, por meqë ai, gjithashtu nuk kishte para të mjaftueshme, ai e dha çmimin e makinës me këste.

Sasia e kërkuar e parave më në fund u mblodh dhe copa e tokës u ble.

* * *

A., një Indian, po vizitonte Ishujt Andamanë. Ai u tregoi miqve se ai do të dëshironte të blinte një copë tokë për Mashrikul-Adhkar-in e tyre. Por kur vendi u gjet, K., një tjetër Bahá'í Indian, që nuk dinte gjë për qëllimin e A., e dhuroi me zemërgjerësi çmimin e të gjithë tokës. Të dy burrat ishin miq të ngushtë, njëri me prejardhje myslimane dhe tjetri me prejardhje hindu.

Kur A. dëgjoi për atë që kishte ndodhur, ai shkoi tek K. dhe i tha, "Miku im i dashur, është dëshira e zemrës sime që ta blej tokën për këtë Shtëpi Adhurimi. Tani që ti ke paguar për të, të lutem më ler mua të paktën të kem një pjesë në blerjen e saj." Kështu që të dy miqtë e ndanë çmimin.

Është një prej mrekullive të Bahá'u'lláh-ut që një mysliman dhe një hindu duke e njohur pozitën e Tij, konkurojnë me njëri-tjetrin në shërbim të Kauzës së Tij.

* * *
Fondi Ndërkombëtar
'A

bdu'l-Bahá-i një herë u dërgoi një telegram Bahá'í-ve të Bombeit, duke u thënë se u nevojiteshin urgjentisht para për të blerë tokën mbi malin Karmel.

Asambleja Shpirtërore Lokale menjëherë i mblodhi të gjithë Bahá'í-t në qytet dhe u shpjegoi atyre rëndësinë e urgjencën e mesazhit që ata kishin marrë. Miqtë caktuan pikësynimin e tyre dhe vendosën të mos hiqnin dorë gjersa të mblidhej e tërë shuma.

Në mes të Bahá'í-ve ishte një burrë që e shiti dyqanin e tij pikërisht atë ditë dhe i mori paratë me vete, të lidhura në qesen e tij. Ai ishte i pari që bëri një dhuratë. Ai e vendosi të gjithë kapitalin e tij mbi tavolinë si pjesë të kontributit. Pastaj, njëri pas tjetrit, pjesa tjetër e miqve dhuroi me zemërgjerësi dhe sakrificën më të madhe, jo vetëm një herë por përsëri e përsëri, gjersa në orën katër të mëngjesit, ata e kishin mbledhur sasinë e kërkuar.

Disa orë më pas shuma u dërgua me telegram tek 'Abdu'l-Bahá-i në Tokën e Shenjtë.

* * *

Një superstrukturë e bukur po ngrihej mbi Mauzolenë e Báb-it të Bekuar mbi Malin e Karmelit. Ruajtësi e dërgoi me telegram lajmin e gëzuar për botën Bahá'í dhe u bëri thirrje besimtarëve të kontribuonin për ndërtimin e saj. Ai u foli atyre për rëndësinë e kësaj ndërmarrjeje, duke u kujtuar atyre sakrificën e Báb-it, që dha jetën e Tij për Kauzën e Perëndisë dhe u kërkoi atyre të jepnin gjithçka që ata mundeshin për zbukurimin e Mauzoleut të Tij.

Në Iran lajmet u përhapën nga qyteti në qytet e nga fshati në fshat. Mësuesit udhëtarë u dërguan në zonat e largëta të vendit për t'u siguruar se Bahá'í-t i dëgjuan kudo lajmet dhe ju dha mundësia për të marrë pjesë në ndërtimin e kësaj ndërtese unike.

Bahá'í-t e një fshati të vogël qëndruan zgjuar gjer natën vonë për të dëgjuar shpjegimin e një vizitori për superstrukturën e shkëlqyer që do të ndërtohej në Mauzoleun e Báb-it. Ai u tregoi atyre për mesazhin e Ruajtësit për Bahá'í-t e botës dhe ata reaguan megjithë zemër duke dhuruar atë që mundeshin. Pas takimit anëtarët e Asamblesë Shpirtërore Lokale e vizitori u ulën për të lexuar zotimet e bëra dhe numëruan paratë që kishin mbledhur. Kur u lexua njëri prej zotimeve u bë qetësi për një farë kohe dhe dikush tha, "Me siguri që këtu është bërë gabim. Xhaxha Samad nuk ka mundësi të ketë njëqind tumanë* për të dhënë. Meqë ai është analfabet për vete, personi që e ka diktuar mund të ketë bërë gabim."

"Cili është xhaxha Samadi?" pyeti vizitori dhe ja ç'dëgjoi: Xhaxha Samadi ishte një Bahá'í i devotshëm, mbi gjashtëdhjetë vjeçar, që kishte vështirësi të siguronte bukën e gojës. Gjithçka që ai zotëronte ishte një gomar. Ai e ngarkonte gomarin e tij me gjëra të vogla mallrash jo të shtrenjta që ai i merrte me kredi nga dyqanxhinjtë që i besonin atij, pastaj ai shkonte në fshatrat më të vegjël përreth për t'i shitur këti mallra. Me t'u kthyer nga rruga e tij, ai ua paguante borxhet dyqanxhinjve dhe i mbetej një fitim i vogël që ai e kishte bërë nga shitjet e tij. E tani xhaxha Samadi ishte zotuar të jepte njëqind tumanë për Mauzoleun e Báb-it! Sigurisht duhej të ishte gabim. Dhurimi nuk u përfshi në sasinë totale që u mblodh atë natë. U vendos që kjo gjë të sqarohej më tej.

Mëngjesin tjetër vizitori po hante mëngjes me të zotin e shtëpisë, koordinatori i Asamblesë Lokale, në shtëpinë e të cilit ishte mbajtur takimi, kur u dëgjua një e trokitur në derë. Xhaxha Samadi kishte ardhur me njëqind tumanët e tij. "Unë e di se nuk është shumë," ndërsa ia dërgoi paratë të zotit të shtëpisë, "por unë shpresoj se ato do të pranohen."

Njeriu nuk mund ta besonte këtë. "Si ka mundësi të dhurosh kaq shumë?" tha ai. Ne e dimë se ti nuk ke gjë tjetër përveç një gomari." "Ti ke të drejtë," buzëqeshi xhaxha Samadi. "Unë e shita gomarin tim këtë mëngjes për njëqind tumanë." Miku i tij e pa atë krejtësisht i çuditur. "Sigurisht", tha ai, "Perëndia nuk e priste prej teje ta bëje një gjë të tillë. Si mund ta fitosh bukën e gojës tani?" Kishte një gjurmë padurimi në zërin e xhaxha Samadit ndërsa ai u përgjegj, "Unë ende kam dy këmbë apo jo, unë mund t'i mbart gjërat në shpinën time." Pastaj ai vazhdoi me një ton më të butë, "A nuk e dha Báb-i jetën e Tij për këtë Kauzë? Dhe a nuk na ka kërkuar Ruajtësi të dhurojmë gjithçka që të mundemi për Mauzoleun e Tij? Si mund ta refuzojë një shërbëtor kërkesën e Zotit të tij?" Dhe, ndërsa ai u ngrit të shkonte, shtoi "Nuk ka nevojë të shqetësoheni; Perëndia do të kujdeset për mua."

Kaluan dy vjet dhe vizitori u gjend edhe një herë tjetër në fshat. Ai e gjeti xhaxha Samadin dhe e pyeti se si po ja çonte. Xhaxha Samadi qeshi me zë të lartë. "Ç'ju thashë?" tha ai, "Perëndia është kujdesur pas meje fare mirë. Unë i dhashë Atij një gomar, ndërsa Ai më ktheu një mushkë. Tani unë mund të mbart plot mallra rreth e rrotull dhe po fitoj shumë më tepër se sa dikur".

* * *

Unë e ndiej se duhet t'ju kujtoj juve nevojën për të mbajtur gjithmonë parasysh parimin kardinal se të gjitha dhurimet për Fondin duhet të kenë karakter thjesht e rreptësisht vullnetar. Duhet bërë e qartë e evidente për cilindo se çdo lloj detyrimi, sado i lehtë e i tërthortë, godet vetë rrënjët e parimit që qëndron në themel të formimit të Fondit që në fillimet e tij. Ndërsa thirrje të një karakteri të përgjithshëm, me fjalë të kujdesshme, prekëse e dinjitoze në ton janë kurdoherë të mirëpritura, i duhet lënë krejtësisht gjykimit të çdo besimtari të ndërgjegjshëm të vendosë për natyrën, sasinë dhe qëllimin e dhurimit të tij ose të saj për përhapjen e Kauzës.13

- Shoghi Effendi
* * *

Në 1952, kur Bahá'í-t e Iranit e morën mesazhin e Ruajtësit duke u bërë atyre thirrje të kontribuonin për ndërtimin e superstrukturës së Mauzoleut të Báb-it, kontributet zemërgjera filluan të vinin nga të gjitha anët e vendit në Asamblenë Kombëtare.

Bahá'í-ve në Teheran iu kërkua t'i bënin dhuratat e tyre në Qendrën e tyre Kombëtare, apo Haziratul-Kuds [(azị́ratu'l-Quds](, që ishte vendosur në veri të qytetit. Kjo ndodhi në zemrën e një dimri jashtëzakonisht të ashpër kur dëbora e thellë shtrihej mbi tokë dhe nuk kishte mjete të duhura për transport.

Megjithatë situata nuk e ndaloi vërshimin e Bahá'í-ve, të cilët erdhën në Qendër për të ofruar kontributet e tyre. Ata erdhën me paratë e tyre, me zbukurime argjendarie, me kamera dhe gjithçka tjetër që mund të ofronin. Bile edhe më të varfrit prej tyre, që zakonisht jetonin në jug të Iranit ku kishte pak dritë nëpër rrugë gjatë natës, pa e marrë parasysh motin ecnin në këmbë për milje për t'i çuar kontributet tek Haziratul-Kudsi, pasi u kthyen nga puna në mbrëmje.

Reagimi nga Bahá'í-t në Iran ishte kaq i madh sa, pas një farë kohe Ruajtësi i dërgoi një telegram Asamblesë Kombëtare duke e informuar atë se ishte marrë mjaft për ndërtimin e Mauzoleut dhe se nuk do të mblidheshin më dhurata. Ky lajm iu dërgua miqve që erdhën me kontributet e tyre, pasi ishte marrë telegrami i uajtësit, por ata iu lutën thesarmbajtësit kombëtar, shumë me lotë në sy, të mos i refuzonte dhuratat e tyre. Veçanërisht një grua e vjetër, qau aq hidhur sa thesarmbajtësi nuk pati zemër t'i refuzonte paratë e saj. Ai tha se do t'i mbante ato gjersa të merreshin udhëzime të tjera nga Toka e Shenjtë.

Më në fund, Asambleja Kombëtare u detyrua t'i dërgonte telegram Ruajtësit dhe t'i lutej atij t'i pranonte dhuratat ekstra për ndërtesat që do të ndërtoheshin më pas në Malin Karmel.

* * *

Mansur [Mansúr] dhe miku i tij, Rashid [Rashíd], ishin Bahá'í dymbëdhjetë vjeçarë. Ata dëgjuan për superstrukturën që do të ndërtohej për Mauzoleun e Báb-it dhe e dinin se të rriturit po përpiqeshin të mblidhnin sa më shumë para që të mundeshin për t'i dërguar në Tokën e Shenjtë.

Dy të rinjtë u emocionuan shumë për projektin dhe vendosën se edhe ata mund të kontribuonin gjithashtu për Mauzoleun. Por paraja ishte e vështirë të gjendej dhe ata duhej të përdornin metoda të zgjuara për të vënë mënjanë disa monedha kohë pas kohe.

Secili prej djemve arriti të dhuronte një sasi parash të rregullt, edhe pse të vogël për Fondin, por askush nuk e dinte se si i gjenin paratë. Vite më pas, kur ata të dy u takuan si të rritur dhe nuk ishin të ndrojtur të pyesnin për këtë, se ku i kishin gjetur këto monedha të çmuara. Mansuri tregoi se, meqë ata nuk kishin mundësi të bënin banjë të ngrohtë në shtëpinë e tyre, Bábai i jepte para të shkonte të bënte banjo publike një herë në javë. Mansuri në një farë mënyre e rregullonte të bënte banjo në shtëpi një javë dhe shkonte në banjën publike javën tjetër. Paratë e kursyera në këtë mënyrë shkuan për Mauzoleun e Báb-it.

Rashidi kursente nga rrushtë e thatë. Në atë kohë gjëra të ndryshme ushqimore ishte e vështirë të gjendeshin në Iran. Në mes tyre ishte dhe sheqeri. Kështu shumë njerëz hanin rrush të thatë për të shoqëruar çajin. Sa herë që Rashidit i jepej një dorë rrush i thatë për ta vendosur në gotën e tij të çajit, ai hante vetëm pak dhe e vendoste pjesën tjetër në një kuti. Kur kutia mbushej plot, ai ia çonte Bábait të tij që i blinte rrushtë e thatë prej tij. Dhe, duke e ditur arsyen pse Rashidi i shiste rrushtë e tij të thatë, Bábai ishte gjithnjë zemërgjerë në çmimin që ai paguante për ta.

* * *

Dora e Kauzës së Perëndisë Amelia Kollins kurrë nuk e humbiste mundësinë për të dhuruar sasira parash për Kauzën. Në ditët e Ruajtësit, kur ai po zgjeronte pronat Bahá'í mbi Malin Karmel apo i inkurajonte besimtarët të kontribuonin për blerjen e tokës për Shtëpitë e Adhurimit dhe qendrat Bahá'í në vende të ndryshme, zonja Kollins ishte vazhdimisht një nga të parat që i dërgonte atij një çek. Vazhdimisht, nganjëherë, nga dashuria e saj e madhe për Shoghi Effendi-un e duke e ditur se sa pak ai harxhonte për nevojat e tij personale, ajo i jepte atij një çek dhe i kërkonte atij ta pranonte për veten e vet. Ruajtësi mirësisht e merrte këtë dhuratë dhe e përdorte atë për ndonjë projekt që ai kishte ndërmarrë për Besimin.

Në një rast, kur zonja Kollins ishte në Haifa, ajo i dorëzoi Ruajtësit një çek dhe iu lut që ta pranonte atë si dhuratë për përdorim personal, duke e siguruar atë se ajo tashmë i kishte dhënë kontributet e saj për fonde të ndryshme. Shoghi Effendi e falenderoi atë dhe e vuri çekun në xhepin e tij.

Pak kohë pas kësaj, kur zonja Kollins po rrinte në drekë me pelegrina të tjerë në prezencë të Ruajtësit në Haifa, një prej pelegrinëve i kërkoi Shoghi Effendi-ut, nëse ai mund të shërbente për sa kohë ai ishte në Tokën e Shenjtë. Ruajtësi e pyeti se nëse mund të bënte punë muratori dhe pelegrini i tha se ai mund ta bënte këtë. Në këtë rast, tha Ruajtësi, mund të shkosh tek Bahxhi ditën tjetër dhe ndihmoje të rregullosh derën Kollins [Collins Gate] në hyrje të Tokave të Shenjta.

Zonja Kollins dëgjoi për këtë nder të madh që Ruajtësi i kishte bërë asaj për herë të parë asaj mbrëmje dhe e kuptoi se Shoghi Effendi kishte paguar për derën me çekun që ajo i kishte dhënë atij.

* * *
Kjo do të jetë një ngjarje e trishtuar:

Disa Bahá'í ishin në pelegrinazh në ditët e Ruajtësit. Ata u prekën kaq shumë nga bukuria e Mauzoleve dhe nga kopshtet përreth tyre, sa ata e pyetën Ruajtësin, nëse mund të bënin diçka të veçantë për Besimin, ndërsa ishin në peligrinazh. Ruajtësi tha se ata duhej të ktheheshin përsëri dhe t'i shërbenin Besimit në vendin e tyre. Ata, megjithatë, këmbëngulën se do të donin të bënin ndonjë shërbim të veçantë në Tokën e Shenjtë. Ata iu lutën Ruajtësit t'i lejonte të bënin kontribute financiare për zgjerimin e oborreve përreth Mauzoleve. Ruajtësi më në fund e dha pranimin e tij dhe tha se ishte një copë tokë mbi malin Karmel që nevojitej të blihej menjëherë. Ai iu tha atyre çmimin dhe ata të emocionuar e siguruan atë se mund ta përballonin të gjithë sasinë. Ata do të dërgonin paratë sapo të arrinin në shtëpi.

Ruajtësi priti por paratë nuk arritën kurrë. Kur ai më në fund vendosi ta blinte vetë tokën, çmimi i saj ishte ngritur shumë herë më tepër se sa vlera e saj e dikurshme.

* * *

Ky fragment, nga një letër e thesarmbajtësit të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara është marrë nga një raport i shtypur:

"Nëna na tregoi mbi ndërtesat mbi Malin Karmel dhe se si kur të përfundohen ato do të sjellin Paqen e Vogël. Fëmijët e tjerë tremben por ne jo, sepse ne jemi Bahá'í dhe e dimë se pas Paqes së Vogël do të vijë Paqja e Madhe. "Nëna na lexoi ne se duhen 50 milion dollarë. Kjo është një sasi shumë e madhe parash dhe nuk e kemi atë, na vjen keq! Por ju gjithashtu bënit pyetjen qesharake: "SI HAHET NJË ELEFANT?" dhe pastaj na dhatë përgjigjen: "PAK NGA PAK NGA NJË COPË!" Kjo është për të qeshur dhe e vërtetë... Nëna do të bënte një mbrëmje ditëlindjeje në 14 Dhjetor, ne u bëmë nëntë dhe shtatë vjeç; por, ne dëshirojmë të japim copën tonë të vogël për elefantin e madh 50 milion dollarësh, kështu që i kërkuam nënës, që në vend të mbrëmjes, ne t'i dërgonim paratë për ndërtimin e Harkut të Perëndisë. Mamaja tha po, çeku është i saj, por paratë janë tonat."

* * *

Dorothi dhe Martini do të martoheshin dhe vendosën të bënin një dasmë shumë të thjeshtë. Paratë që do t'i shpenzonin për pritjen madhështore shkuan për Projektin e Harkut mbi Malin Karmel.

Ata gjithashtu u kërkuan miqve të tyre Bahá'í dhe kushërinjve që t'u jepnin dhuratat për ndërtesat përreth Harkut në vend që të blinin dhurata dasme për ta.

* * *

Disa Bahá'í u mblodhën në takim në një qytet të vogël në Australi. Një prej tyre sugjeroi që të planifikonin "Një ditë të veçantë për të dhënë me gëzim" që të mblidheshin paratë për ndërtesat përreth Harkut mbi Malin Karmel.

Për një moment u bë qetësi e plotë. Asnjë prej tyre nuk ishte i pasur dhe me koston e jetesës që rritej nga dita në ditë ata nuk ishin të aftë të kursenin para të tilla. Ideja për të dhuruar përsëri për Fondet nga paratë e tyre të pakta nuk ishte fort e këndshme në fillim. Ata e kishin kthyer vëmendjen nga nevojat e tjera - faturat për të paguar, riparimet për t'u bërë shtëpive, këpucët që u duheshin për fëmijët. Mbështetja për Fondet nuk është gjithnjë e lehtë; por dashuria e Bahá'u'lláh-ut zakonisht fiton mbi zemrat e pasuesve të Tij.

"Pse jo?" tha njëri prej miqve. "Kur do ta bëjmë këtë?" Të tjerët ndërhynë shpejt për të diskutuar detajet dhe Ditëlindja e Bahá'u'lláh-ut u zgjodh për këtë rast të gëzuar.

Në ditën e bekuar, me shpirt gëzimi dhe mirënjohje, për bujarinë e njohjes së Manifestimit të Perëndisë, ky grup i vogël Bahá'í-sh me të ardhura modeste dha zemërgjerësisht për Kauzën e Tij. Dhe kur i numëruan paratë e mbledhura ata zor se mund të besonin, ishin mbledhur më shumë se një mijë dollarë!

* * *

A keni dëgjuar për Institutin Profesionale Bahá'í "Faizi" për Gratë Fshatare? Ky institut është në Indore, Indi. Ai jep kurse edukative dhe profesionale për gratë analfabete që vijnë atje nga fshatrat në të gjithë zonën.

Dy vajza të reja, 19 dhe njëzet vjeçare, që u mësuan në Institutin "Faizi" dhe u bënë atje Bahá'í, vinin nga zonat e fiseve më të varfëra. Disa muaj pasi ato e kishin mbaruar kursin, këto vajza morën pjesë në një "Konkurim Këngësh për Nxënësit" të sponzorizuar nga UNESKO dhe të organizuar nga Komiteti Ndërkombëtre për Shkollim. 34 organizata të ndryshme morën pjesë në konkurim.

Secili nga konkuruesit u prezantua prej organizatorëve dhe ata kënduan në Hindi, të shoqëruar nga instrumenta muzikore. Vajzat Bahá'í ishin përjashtim i vetëm. Ato dolën në skenë të vetmuara me veshjet e fisit të tyre dhe e prezantuan vetveten përpara auditorit me 2000 njerëz. Muzika që e shoqëronte këngën e tyre të thjeshtë nuk ishte e komplikuar, ato vetë e kishin kompozuar këngën në dialektin e fisit të tyre.

Në mes të këngës së tyre, dritat pushuan dhe mikrofoni nuk punonte për një apo dy minuta. Vajzat e përballuan këtë sprovë shtesë me kurajo të jashtëzakonshme dhe filluan të këndonin. Juria mund t'i dëgjonte ato dhe, kur ato mbaruan, pyetën për një përkthim në Hindi. Mësuesi i tyre Bahá'í u përktheu fjalët e këngës. Në të vajzat kishin shpjeguar se si ishin analfabete përpara se të shkonin në institutin Bahá'í. Atje kishin mësuar të shkruanin dhe të lexonin, të numëronin, të njihnin orën dhe të njhnin peshat dhe masat. Ato kishin mësuar se si të qepnin dhe të përdornin makinën qepse, që të mund të fitonin bukën e gojës. Ato kishin dalë nga errësira në dritë dhe tani mbartnin dritë në fshatin e tyre për të shpërndarë atje errësirën.

Këto dy vajza fituan çmimin e parë - 1000 rupi. Ato kurrë nuk kishin parë kaq shumë para në jetën e tyre. Me lotë në sy, ato iu afruan mësuesit dhe i thanë, "E gjitha kjo nuk është asgjë veçse bekim i Bahá'u'lláh-ut. Ne nuk do t'i prekim këto para gjersa të kemi vënë një pjesë të tyre për Fondet." Ato dhanë 100 rupi për Projektin e Harkut e 100 rupi për Shtëpinë e Adhurimit në Delhi me pjesën që mbeti 400 rupi për secilën ato paguan këstin e parë të çmimit për makinat e tyre qepëse.

* * *

...ne duhet të kemi gjithmonë parasysh se në botë ka kaq pak Bahá'í në krahasim me popullatën botërore dhe kaq shumë njerëz nevojtarë, që edhe sikur ne të jepnim gjithçka kemi, kjo nuk do të lehtësonte as edhe një therrime të papërfillshme të vuajtjeve. Kjo nuk do të thotë që të mos i ndihmojmë nevojtarët, ne duhet t'i ndihmojmë ata; por dhurimet tona për Besimin janë rruga më e sigurtë për të hequr një herë e përgjithmonë barrën e urisë e të mjerimit të njerëzimit, sepse vetëm nëpërmjet Sistemit të Bahá'u'lláh-ut - Hyjnor në orgjinën e Tij - bota do të mund të qëndrojë mbi këmbët e veta dhe skamja, frika, uria, lufta etj, të eleminohen. Jo-Bahá'í-t nuk mund të kontribuojnë në punën tonë ose ta bëjnë atë për ne; kështu, pra, me të vërtetë, detyra jonë e parë është të mbështesim punën tonë mësimore, pasi kjo do të çojë në shërimin e kombeve.14

- Nga një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi-ut

* * *

Projektet e rëndësishme të ndërmarra nga Shtëpia Universale e Drejtësisë patën rezultate të jashtëzakonshme dhe miliona njerëz anembanë botës fituan në një mënyrë apo tjetrën prej tyre. Megjithatë, këto arritje të mrekullueshme nuk mund të kishin qenë të mundura pa sakrificat e vazhdueshme të pasuesve të kudondodhur të Bahá'u'lláh-ut.

Në një rast Asambleja Shpirtërore Kombëtare e një vendi të vogël në Lindjen e Mesme kishte caktuar një pikësynim mjaft të lartë për sasinë e parave që ata dëshironin të dërgonin për Fondin Ndërkombëtar. Asambletë Shpirtërore Lokale nën jurisdiksionin e tyre bënë ç'ishte e mundur për t'i plotësuar kërkesat e Asamblesë Kombëtare po ishin të paaftë për ta mbledhur sasinë e kërkuar.

Kur iu tregua për këtë Bahá'í-ve, disa prej tyre menduan mënyra origjinale me të cilat mund të ndikonin. Në mes tyre ishte një i ri që tashmë i kishte dhënë të gjitha idetë e mundshme, por ishte i vendosur të gjente një rrugë për të dhuruar edhe më shumë.

Ai ishte fotograf që shiste pajisje fotografike në dyqanin e tij. Vendosi t'i hiqte veças paratë që do të merrte nga blerësi i tij i parë çdo ditë, qoftë kjo pagesë për një fotografi apo çmimi për një gjë të shtrenjtë që ai shiste - dhe t'ia dhuronte atë fondit. Për çudinë e vet, ai shumë shpejt kishte mbledhur një sasi shumë të madhe parash. Këtë kontribut ai ia shtoi atyre të tjerëve që, si vetvetja, kishin vendosur të bënin një përpjekje supreme për të ndihmuar në arritjen e pikësynimit të Asamblesë së tyre Kombëtare.

* * *

Kur shpërtheu lufta në X, Bahá'í-t ishin të pazotë të plotësonin zotimin e tyre për Fondin Ndërkombëtar. Miqtë në vendin fqinj Y, e kishin plotësuar pikësynimin e tyre, por vendosën të dërgonin një sasi shtesë parash në emër të Bahá'í-ve të X për Fondin Ndërkombëtar. Me shkëputje më të madhe secili dha atë që mundej dhe sasia e të parave arriti $200.000.

Më pas, kur u rivendosën lidhjet, ata mësuan se Bahá'í-t në X, ishin zotuar për $500.000 në Qendrën Botërore prej të cilave ata kishin dërguar $300.000 përpara se të fillonte lufta. Sasia e miqve në Y e dhuruar në emër të tyre ishte shuma ekzakte e nevojitur për ta plotësuar zotimin e tyre.

* * *

Në një prej mesazheve të veta, Shtëpia Universale e Drejtësisë i informonte Bahá'í-t e botës se kishte një rënie në kontributet për Fondin Ndërkombëtar dhe se Qendra Botërore nuk mund t'i plotësonte detyrat e saj. Ky mesazh, që krijoi një ngritje dhuratash nga të gjitha vendet, solli një reagim të jashtëzakonshëm nga Bahá'í-t në A. shumë prej të cilëve dhuruan gjithçka që kishin. Një prej tyre, shitës, dhuroi veturën e tij. Asambleja, duke e ditur se vetura ishte shumë e nevojshme që ai të fitonte bukën e gojës, ia dha atë atij me qera derisa ai mundi të përballonte blerjen e një mjeti tjetër. Një Bahá'í tjetër, i pasur, dhuroi të gjitha kursimet e jetës së tij. Ndërsa një tjetër, jo vetëm që dhuroi gjithçka që kishte por ai huazoi një sasi të madhe parash nga banka për ta ndihmuar Fondin dhe më pas e pagoi atë me interes. Përveç kontributeve në para që bëri kushdo, gratë dhuruan ornamentet e tyre të arta apo me gurë të çmuar që arritën sasinë katër kilogram! Në total ata dhuruan mbi një milion e shtatëqind mijë dollarët.

Ky kontribut i jashtëzakonshëm vetëm prej një zone të globit ku kishte relativisht pak Bahá'í shoqërohej me një sakrificë të madhe, kështu që Shtëpia Universale e Drejtësisë u kërkoi Bahá'í-ve të atjeshëm ta ndalonin dërgimin e dhuratave.

* * *

... çdo besimtar duhet të veprojë sipas gjykimit të tij dhe sipas nevojave të Besimit. Në kohë krize, qoftë në çështje të Kauzës ose të familjes së dikujt, njerëzit natyrisht sillen ndryshe nga rrethanat normale. Por vendimet për këto çështje duhet t'i mbeten secilit individ Bahá'í.15

- Nga një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi-ut

* * *

Një qindvjetori i arrijtes së Bahá'u'lláh-ut në Tokën e Shenjtë u festua nga pasuesit e Tij në një konferencë madhështore të mbajtur në Palermo, në zemër të Mesdheut.

Pasi mbaroi konferenca, pjesëmarrësit u lejuan të shkonin për pelegrinazh dhe të vizitonin Mauzoletë e Shenjta në Haifa dhe Akka ['Akká]. Si simbol i mirënjohjes së tyre të madhe, shumë prej pelegrinëve dhanë dhurata për Fondin Ndërkombëtar. Në mes tyre ishte një Bahá'í që erdhi nga Gjermania. Ai dhuroi një sasi të madhe duke thënë se dëftesa duhej të bëhej në emër të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Gjermanisë. Sidoqoftë kur u dërgua dëftesa, Asambleja Kombëtare e atjeshme ktheu përgjigje se nuk kishte dhuruar një sasi të tillë parash. U bë e qartë se individi që e dha dhuratën dëshironte të mbetej anonim.

* * *

Junis [Yúnis] po martohej dhe mori para hua për t'i blerë gruas së tij një varëse të artë. Koha kaloi. Junisi e pagoi borxhin e tij dhe gëzohej kur e shihte gruan kur e vinte varësen e artë në raste të veçanta.

Një mbrëmje, çifti ishte ulur në një takim dhe dëgjonte një mesazh nga Qendra Botërore që bënte thirrje për kontribute për Fondin Ndërkombëtar Bahá'í. Junisi iu kthye gruas së tij. "Ti e di mirë se ne nuk kemi para për të dhuruar", pëshpëriti ajo. Junisi e pa në mënyrë të pafajshme tek varsja e artë që ajo po mbante. Ajo buzëqeshi dhe e dhuroi atë për Fondin.

* * *

Sajid [Sájid] kishte shkuar të pionierizonte nga qyteti i tij i lindjes për në një pjesë tjetër të Iranit. Atje puna nuk i vajti mbarë, dhe, megjithëse kishte qenë i pasur, tani ai kishte nevojë ekstreme për burime që ta vazhdonte punën e tij; kështu ai shkoi në kryeqytet që të rregullonte një hua prej Naunahalan [Nawnahálán].*

Ndërsa ishte në Teheran, ai mësoi se nevojiteshin fonde për të përfunduar ndërtimin e Vendit të Shtëpisë Universale të Drejtësisë dhe ai u mbush me trishtim, sepse nuk kishte asgjë që të ofronte për Fondin Ndërkombëtar në një moment të tillë kritik. Pastaj i erdhi një mendim: "Nëse unë huazoj para për vete në kohë nevoje, përse të mos huazoj para për Besimin në kohën që ai ka nevojë?" Ai dhuroi gjysmën e huasë që kishte marrë nga banka për Fondin Ndërkombëtar dhe shkoi në shtëpi me gjysmën tjetër. Ndërsa ditët kalonin, puna e Sajidit lulëzoi dhe ai u bë përsëri i aftë që të siguronte një jetë të rehatshme. Pastaj filloi persekutimi i Bahá'í-ve në Iran dhe gjithçka që ai kishte u konfiskua.

Një miku që e dinte kontributin e sakrificës që ai bëri kur Vendi i Shtëpisë Universale të Drejtësisë ishte ndërtuar, Sajidi i tha, "Sa i lumtur jam që dhurova gjysmën e asaj që kisha huazuar për Fondin Ndërkombëtar. Rezultatin e atij bekimi askush nuk mund ta marrë prej meje, ndërsa gjithçka që fitova me gjysmën tjetër të parave tani e humba.

* * *

...asnjë presion nuk duhet sjellë kurrë mbi Bahá'í-t për të kontribuar. Ky duhet të jetë vullnetar dhe duhet të konsiderohet i fshehtë, nëse miqtë nuk dëshirojnë ta përmendin atë hapur.16

- Nga një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi-ut

* * *
Hukukullah
H

axhi Amin [((adjí Amín] ishte i Besuari i parë i Hukuk-ut. Ai e shpenzoi shumicën e jetës së tij duke udhëtuar ndërmjet Iranit dhe Tokës së Shenjtë gjatë ditëve të Bahá'u'lláh-ut dhe 'Abdu'l-Bahá-it. Gjatë një kohe, kur rrugët nuk ishin të sigurta dhe udhëtimi bëhej kryesisht në këmbë, Haxhi Amin shkonte nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke mbledhur Hukuk-un dhe dhurata të tjera që ai i çonte në Tokën e Shenjtë.

Haxhi Amin dihej se e privonte vetveten nga gjithçka që mundej me qëllim që të shtonte edhe disa para më tepër në sasinë që ai merrte me vete nga Irani. Ushqimi i tij zakonisht përbëhej nga buka e thatë, që ai e mbante me vete kudo që shkonte, dhe nga pak kos. Ai e treste kosin me ujë, duke e bërë atë që persianët e quajnë dúgh, dhe e thyente bukën e thatë brenda tij. Por ai vendoste kaq pak kos në ujë sa 'dúghu i Haxhi Aminit' u bë traditë në mes të Bahá'í-ve në Iran. Këtë ushqim të thjeshtë ai shpesh e ndante me të tjerët ndërsa udhëtonte nëpër vend. Shumë shpesh, kur ai ftohej për të qëndruar të hante në shtëpinë e ndonjë Bahá'í, ai e bindte të zotin e shtëpisë të provonte nga dhalla e nga buka e tij dhe t'i jepte paratë e ushqimit të tij për Tokën e Shenjtë.

Të gjithë Bahá'í-t e Iranit e donin dhe e respektonin Haxhi Aminin dhe tregohen shumë ngjarje të mrekullueshme për sinqeritetin dhe përkushtimin e tij. Një herë, kur ai po bëhej gati për t'u nisur në Tokën Shenjtë, një grua shumë e varfër i dha atij një monedhë të vogël që ta merrte me vete. Haxhi Amini falenderoi atë dhe e vendosi në xhep. Sapo ai arriti në shtëpinë e 'Abdu'l-Bahá-it, ai i paraqiti Atij dhuratat e mbledhura, siç bënte gjithnjë. Mjeshtri zakonisht e falenderonte atë duke e lavdëruar për punën e tij të palodhur. Integriteti i Haxhi Aminit nuk mund të vihej në pikëpyetje dhe ai kurrë nuk kishte bërë gabim në llogari. Në të vërtetë, nuk ishte e vështirë për të të bënte llogaritë dhe ai kurrë s'kishte patur ndonjë para të vetën.

Këtë herë, sidoqoftë, për çudinë e tij më të madhe, kur 'Abdu'l-Bahá-i u njoh me paratë, ai e pa me mirësi Haxhi Aminin dhe tha se diçka mungonte nga sasia. Haxhi Amini e la praninë e Mjeshtrit me një trishtim shumë të madh, i paaftë ta kuptonte se ç'mund të kishte ndodhur. Ai shkoi në dhomën e tij i përlotur dhe u përul në lutje. Ndërsa e bëri këtë, ai ndjeu një copë të fortë metali nën gjurin e tij. Ishte monedha e vogël që gruaja e varfër ia kishte dhënë atij për ta çuar në Tokën e Shenjtë ndërsa ai po nisej. Monedha kishte rrëshkitur nga një vrimë në xhepin e tij në astarin e xhaketës së tij të gjatë.

Haxhi Amini menjëherë e mori monedhën dhe shkoi tek 'Abdu'l-Bahá-i. Mjeshtri e mbuloi atë me lavdërime për këtë. Ai e puthi monedhën dhe tha se kjo vlente më shumë se të gjitha dhuratat e tjera, sepse kjo ishte dhënë me sakrificën më të madhe.

* * *

Najafabad [Najafábád] është një fshat pranë Isfahanit, në Iran, ku ka patur mjaft Bahá'í që në kohët e para të Besimit. Në atë kohë, shumica e besimtarëve në këtë fshat ishin fermerë të begatshëm me kopshte bajamesh.

Jo shumë fshatarë në Iran mund të lexonin dhe të shkruanin në ato ditë dhe ishte e vështirë për Bahá'í-t e fshatit ta llogaritnin Hukuk-un e tyre. Megjithatë disa prej besimtarëve në Najafabad kishin hartuar një sistem për vete: Çdo pemë e nëntëmbëdhjetë e kopshtit të tyre ishte shënuar për Hukuk-un. Kur bajamet bëheshin gati për t'u mbledhur, kokrrat e pemës së shënuar mblidheshin dhe shiteshin veçmas. Këto para pastaj dërgoheshin në Tokën e Shenjtë si Hukukullah.

Ata gjithashtu lidhnin fije rreth disa degëve të pemëve që ishin ngarkuar shumë me kokrra për t'i dhënë ato për fonde të tjera Bahá'í.

* * *

Nuk është e lejuar të kërkohet Hukuk-u. Kjo porosi është reveluar në Librin e Perëndisë për çështje të ndryshme të nevojshme, që Perëndia ka urdhëruar të jenë të varura prej mjeteve materiale. Si rrjedhim, nëse dikush, me kënaqësinë e gëzimin më të madh, e jo pse i kërkohet me insistim, dëshiron të marrë pjesë në këtë bekim, ti mund ta pranosh. Përndryshe pranimi nuk është i lejuar.17

- Bahá'u'lláh
* * *

Zoti Musa Banani [Músá Banání] ishte një biznesmen i pasur përpara se të pionierizonte në Afrikë dhe u përcaktua si Dorë e Kauzës së Perëndisë. Kamal [Kamál], që punonte me të, kujtonte një ngjarje interesante të jetës së tij në Teheran. Zoti Banani vendosi të shiste një pronë shumë të çmuar në njërën prej zonave më të mira të kryeqytetit dhe dy persona erdhën ta shikonin atë. Ata e dëgjuan çmimin dhe thanë se interesoheshin për ta blerë vendin, por nuk kishin mjaft para në dorë. Kështu i kërkuan zotit Bananit të mos e shiste pronën tek asnjë tjetër për një muaj, kohë gjatë së cilës ata shpresonin t'i mblidhnin paratë. Kërkesa e tyre u pranua dhe zoti Banani e shënoi datën dhe tha se nëse ata nuk do të ishin në gjendje ta blinin vendin në atë ditë, ai do t'ia jepte vendin dikujt tjetër. Kjo marrëveshje ishte me gojë dhe asgjë nuk u hodh në letër.

Kaluan disa kohë dhe dy njerëzit nuk u dëgjuan më. Një ditë tjetër erdhi një person tjetër për ta blerë pronën. Zoti Banani i tregoi atij për premtimin për dy blerësat e parë, por personi tha se ishte i gatshëm të ofronte dyfishin e sasisë që do të paguanin të tjerët dhe se e kishte sjellë të gjithë sasinë e parave me vete. Kamal u emocionua shumë dhe ishte i zellshëm të shihte zotin Banani ta pranonte ofertën, duke arsyetuar se një mundësi e tillë e madhe nuk duhej humbur. Ai debatoi se në rast se myshterinjtë e parë do të kishin qenë seriozë për blerjen e pronës, ata do ta kishin kontaktuar përsëri pronarin. Por zoti Banani tha se nuk mund ta thyente premtimin e tij. Nëse ata nuk do të vinin në fund të një muaji siç kishin rënë dakord, pastaj ai do të ishte i lirë ta shiste pronën e tij tek dikush tjetër.

Myshteriu u largua i zhgënjyer po u kthye ditën e fundit të muajit. Kamali e priti atë me zell, duke pritur që zoti Banani ta shiste pronën. "Por dita nuk ka marrë ende fund," tha zoti Banani. "Ata persona mund të vijnë çdo moment, ne duhet të presim gjer në perëndim të diellit."

Myshteriu iku edhe një herë por nuk u kthye në qytet. Shtëpia e zotit Banani ishte në periferi të Teheranit dhe personi priti gjer në mbrëmje pranë vendit kur ai mund të kthehej. Zoti Banani i tha Kamalit, "Unë mendoj se duhen telefonuar ata persona për të mësuar se ç'kanë vendosur të bëjnë. Ka mundësi që ta kenë harruar datën." Kamáli telefonoi dhe mori përgjigjen e tyre. Atyre u vinte keq por nuk i kishin mbledhur paratë.

Tashmë aktmarrëveshja u bë, prona u shit dhe paratë u morën. Myshteriu u largua në një orë shumë të vonë, por zoti Banani i tha Kamalit: "Të lutem shko merr një karrocë të na çojë në qytet." "Në këtë orë të natës?" pyeti Kamali i habitur. "Do të ketë kaluar mesnata në kohën që ne do të arrijmë në qytet." Zoti Banani tha "Unë duhet të shkoj në shtëpinë e Varkait [Varqá] për të paguar Hukuk-un për paratë që sapo mora." "Po sigurisht mund ta paguash Hukukullah-un në mëngjes," tha Kamali. Zoti Banani e shikoi atë seriozisht. "A mund të më garantosh se unë nuk do të vdes gjatë natës?" Kamáli, për vete një Bahá'í i mirë, u trondit nga kjo vërejtje. "Do të shkoj ta marr karrocën menjëherë", tha ai.

* * *

Kini mendjen, o njerëz, se mos ia mohoni vetes këtë bujari të madhe. Ne jua kemi përshkruar këtë ligj,* megjithëse Ne jemi krejt të pavarur nga ju ose nga gjithçka që ndodhet në qiell e mbi tokë. Me të vërtetë, në këtë porosi fshihen mistere e përfitime që janë tej aftësive mendore të kujtdo veç Perëndisë, të Gjithditurit, të Gjithinformuarit. Thuaj, me anë të këtij urdhëri Perëndia dëshiron t'i bëjë të kulluara pronat tuaja dhe t'ju japë mundësinë t'u afroheni pozitave të tilla që askush nuk mund t'i arrijë, me përjashtim të atyre që do Perëndia. Me të vërtetë Ai është Zemërgjeri, i Hirshmi, Bujariploti. 18

- Bahá'u'lláh
* * *

Një Zëvendëse e të Besuarit të Hukukullah-ut në Indi e kishte shpjeguar rëndësinë e kontribimit për këtë Fond kur kishte vizituar disa Bahá'í të fshatit. Një prej fshatarëve, fermer, i shkroi asaj një letër, duke futur atje para për Hukukullah-un, që ishin një sasi mjaft e madhe parash, duke konsideruara rrethanat e tij financiare.

Ai gjithashtu kishte dhënë një llogari tjetër të detajuar të gjitha parave që ai kishte marrë atë vit për gjithçka që ai kishte rritur në fermën e tij: oriz, qepë, patate, etj. Sasia që ai ishte dërguar për Hukukullah-un në fakt ishte 19% e të gjitha fitimeve të atij viti në vend të 19% të kursimeve të tij.

Gjithçka që ky person zemërgjerë donte të dinte ishte se nëse i lejohej atij të zbriste koston e dëgesës së parave nga ato që ai kishte vënë mënjanë për Hukukullah-un.

* * *

Persekutimi i ashpër i hebrenjve në X përfshiu shumë Bahá'í në atë vend që vinin prej prejardhjes hebraike. Në mes tyre ishte Davidi, një biznesmen i pasur që u mbyll në qeli burgu pa gjyq. Megjithatë herë pas here policia sekrete, që akuzonte atë si spiun për Izraelin, e merrte në pyetje dhe sigurisht, merrte të njëjtën përgjigje: Davidi ishte Bahá'í, jo hebre dhe feja e tij e ndalonte të merrej me politikë.

Pas tre muajsh burg Davidi u thirr në zyrën e drejtorit të policisë dhe iu tha se rasti i tij u ishte referuar autoriteteve më të larta që e kishin këshilluar ta dënonte atë me vdekje.

Davidi u kthye në qelinë e tij në gjendje shoku dhe trishtimi të thellë. Papritur, ai kujtoi citimin nga Bahá'u'lláh-u:

Lum ai që ngjitet te Perëndia pa pasur detyrime të Hukukullah-ut e të shërbyesve të Tij.19

Gjendja e Davidit ndryshoi dhe një ndjenjë shkëputje dhe qetësie ekstreme mbizotëroi në shpirtin e tij, ndërsa ai u kujtua se ai e kishte paguar Hukukullah-un gjer në qindarkën e fundit.

Pjesa tjetër e ngjarjes, nuk u përket Fondeve, por, meqë lexuesi mund të jetë i shqetësuar të dijë se ç'ndodhi me Davidin, tregimi do të vazhdojë:

Drejtori i policisë e thirri Davidin në zyrën e tij, për herë të dytë, dhe i bëri një ofertë të dytë. hebrenjë të tjerë, iu tha Davidit, i kishin paguar drejtorit një sasi parash dhe ishin nxjerrë nga burgu. Atij iu tha të bënte të njëjtën gjë, përndryshe, u paralajmërua, ai do të mbahej në burg për dyqind vjet pa u gjykuar." Kësaj Davidi iu përgjigj, "Unë hyra në burg nga vullneti i Perëndisë dhe do të largohem që këtej nga vullneti i Tij." "Mos je i çmendur!" thirri drejtori dhe urdhëroi ta çonin prap në qeli. Davidi kishte tre arsye për të mos e pranuar propozimin që i ofrua. Së pari ai donte t'u provonte autoriteteve se ai ishte me të vërtetë Bahá'í, së dyti, ai e dinte se nëse do të paguante për të dalë nga burgu, Bahá'í-t e tjerë atje, veçanërisht të rinjtë që nuk mund ti paguanin paratë, nuk do të kishin mundësi të dilnin ndonjëherë; dhe së treti, ai e ndjente se si Bahá'í, ai nuk duhej të paguante ryshfet por të besonte në ndihmën e Perëndisë.

Dhjetë muaj pasi Davidi u arrestua, politika e qeverisë ndryshoi dhe presidenti krijoi një komitet për të gjurmuar rastet e mijëra njerëzve që ishin burgosur pa gjyq. Davidi ishte një prej tyre dhe i njëjti drejtor policie u urdhërua ta lëshonte atë.

* * *

E.K. ishte një studiues i madh dhe një Bahá'í i mrekullueshëm. Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Iranit i kërkoi atij t'ia përkushtonte të gjithë kohën Besimit, kështu ditët e tij kalonin për të shkruar shumë libra të dobishëm dhe për thellimin tek Bahá'í-t, veçanërisht tek të rinjtë. Ai nuk kishte të ardhura të vetat, ai pranoi një honorar shumë modest nga Fondi Kombëtar. Një prej studentëve të tij, Kazim [Kázim], që shpesh shkonte në shtëpinë e tij për ta ndihmuar në punë, vuri re se mësuesi kurrë nuk e prekte honorarin që vinte nga Zyra Kombëtare, pa kthyer 19% të saj si Hukukullah. Kazimi u habit sepse e dinte se mësuesi i tij nuk kishte të ardhura të tjera dhe honorari që merrte zor se ishte i mjaftueshëm për shpenzimet e tij të nevojshme, kështu që një ditë e pyeti për këtë. Ai i tha mësuesit të tij, "Ju shpesh na keni shpjeguar ligjet që i përkasin Hukukullah-ut. Ju thatë se të japësh Hukukullah-un është vetëm e detyrueshme për ata që kanë kursime, pra, si mundet që ti të japësh një pjesë të parave tuaja për Hukukullah, kur unë e di se sa pak ke për të jetuar?" "Biri im," u përgjigj mësuesi i tij, "a mendon se sasia që marr për vete është e imja? Ajo, gjithashtu, i përket me të drejtë Perëndisë. Ato janë paratë e Tij dhe unë i harxhoj, ndërsa ato pak që ia kthej Atij janë vetëm për ta qetësuar ndërgjegjen time."

Kazimi e kuptoi se të dashuruarit e vërtetë nuk kufizohen me standardet e mençurisë. Masa e sakrifikimit të tyre nuk ka kufi.

* * *

Shuma minimale që i nënshtrohet Hukukullah-ut arrihet kur zotërimet e dikujt kapin numrin Vahid [Váhid] (19); pra, kur dikush ka 19 mitkalë ar ose fiton zotërime që e arrijnë këtë vlerë, pasi zbriten prej tyre shpenzimet vjetore, Hukuk-u [(uqúq] bëhet i zbatueshëm dhe pagimi i tij është i detyrueshëm.20

- Bahá'u'lláh
* * *

Këto shënime u morën prej një të Besuarve të Hukukullah-ut:

"Ne dëshirojmë të ju falenderojmë se na e rritni dashurinë dhe kuptimin tonë për ligjet e Hukukullah-ut... Ne i kemi numëruar ditët dhe pasurinë tonë të vogël gjersa i arriti 19 mitkalët. Me një seri mrekullish të kohëve të fundit ne e arritëm atë më në fund.

Ju lutem pranoni pagesën tonë të parë të Hukukullah-ut me dashurinë tonë më të ngrohtë."

· · ·

"Ky Rizvan [Ri(ván] do të jetë përherë dita më e lumtur e jetës sime. Ky është fillimi i ligjit të Hukukullah-ut! Tani unë i kuptoj fragmentet në Shkrimet për parajsën edhe në këtë botë. Nuk ka asgjë - asnjë ngjarje tokësore apo rrethanë - që mund ta zëvendësojë atë që ka vendosur në zemrën time ky Rizvani.

Ky kontributi i parë për Hukukullah-un është ofruar me gëzimin më të madh, me liri dhe me dëshirën për të qenë i pranueshëm. Bahá'u'lláh-u e di se kjo është e vërtetë. Unë jam lutur për këtë ditë. Prindërit e mi janë në botën e përjetshme dhe nuk ishin Bahá'í; burri im nuk është Bahá'í, as ndonjë në familjen tonë me përjashtim të fëmijëve tanë. Të paktën tani fruti i ndonjë porcioni të vogël të punës së bërë nga prindërit e mi, të cilën unë e trashëgova, mund të përdoret për parajsën e vërtetë - për Njëshmërinë e njerëzimit dhe institucionin që e trupëzon këtë të vërtetë."

* * *

Në rast se dikush e ofron Hukuk-un spontanisht me gëzimin e kënaqësinë më të madhe, ai do të pranohet, përndryshe jo. Përfitimi që sjellin vepra të tilla u kthehet vetë individëve.21

- Bahá'u'lláh
* * *
Fondi Kombëtar
K

ati dhe Ivani kishin kursyer para që të bënin riparimet aq të nevojshme për shtëpinë e vjetër ku ata jetonin në Kanada. Dera e garazhit duhej të zëvendësohej, çatia kishte nevojë për tjegulla të reja dhe oxhaku i vjetër duhej të rindërtohej.

Megjithatë përpara se të bënin riparimet, ata morën një mesazh nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare, që i informonte të gjithë Bahá'í-t, në vend për një deficit të madh në Fonde dhe u bënte thirrje atyre të ndihmonin për të kaluar krizën. Reagimi i Katit dhe i Ivanit ishte i menjëhershëm. Ata i dhanë paratë që kishin kursyer për riparime.

Jo shumë pasi ata kishin bërë këtë dhuratë zemërgjerë, cikloni më i keq i shumë viteve e goditi qytetin ku jetonte Kati dhe Ivani. Ai kaloi nëpër shtëpinë e tyre, duke thyer derën e garazhit, duke copëtuar tjegullat në majën e çatisë e duke shkatërruar oxhakun e vjetër. Sigurisht që kompania e tyre e sigurimeve pagoi për pjesën më të madhe të riparimeve.

"Duhet vënë Fondi i pari," tha Kati, "dhe Perëndia do të kujdeset për pjesën tjetër."

* * *

Një zonjë Bahá'í në një nga vendet Europiane një herë dërgoi një sasi të madhe parash për Fondin Kombëtar dhe tregoi këtë ngjarje prekëse:

"Pasi u martova me burrin tim, unë e kuptova se ai ishte shumë pijanec dhe se asgjë nuk mund ta bindte atë, ta ndërpriste këtë zakon të rrezikshëm. Ndërsa koha kalonte unë fillova të shqetësohem për të ardhmen time dhe të fëmijëve dhe fillova të mbledh disa para për t'u ruajtur kundër fatit të keq.

"Një vit më parë, e tërë familja u bë Bahá'í, duke përfshirë edhe shërbëtoren tonë. Dashuria e madhe e burrit tim për Bahá'u'lláh-un e shëroi atë nga zakoni i të pirit, dhe tani kur miqtë i ofrojnë atij alkool, ai u thotë atyre, 'Unë kam gjetur një pije të shkëlqyer që më mban të dehur vazhdimisht.' Ai e përdor këtë si justifikim për t'u folur të tjerëve për Besimin.

"Një vit i tërë ka kaluar tashmë dhe unë e di se burri im kurrë nuk do të prekë më alkool.

"Unë e ndjej se e ardhmja jonë është e sigurt dhe nuk duhet të shqetësohem më për varfërinë. Si rrjedhim po i jap kursimet e mia për Fondin dhe kërkoj që të përdoren për të shtypur libra Bahá'í për njerëzit e mi, kështu që të tjerët, gjithashtu, të mund ta njohin rrugën e vërtetë të sigurisë."

Kjo grua nuk e dinte, por Asambleja Kombëtare e atij vendi, sapo e kishte përfunduar përkthimin e tre librave Bahá'í në gjuhën e tyre, pa patur para për t'i shtypur ata. Ajo që ofroi ky person i dashur për Fondin Kombëtar ishte sasia ekzakte që nevojitej për publikimin e tyre.

* * *

Ka Bahá'í që tregojnë interes të veçantë në disa aspekte të shërbimit për Besimin dhe ata kontribuojnë zemërgjerësisht për këtë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk ofrojnë dhurata për fonde të tjera Bahá'í, por ata i kushtojnë vëmendje të veçantë detyrës që është e dashur për zemrat e tyre dhe ata marrin konfirmime të veçanta në atë fushë të shërbimit.

Një prej këtyre Bahá'í-ve ishte V., në Indi, zemërgjerësia e të cilit bëri që të përktheheshin një numër librash Bahá'í dhe të shtypeshin në Gujarati.

Një tjetër ishte Isfandijar Bakhtijari [Isfandíyár Bakhtíyárí] në Pakistan, që në mënyrë konstante shtypte literaturë Bahá'í në gjuhë të ndryshme. Ky njeri i madh, të cilin Ruajtësi e quajti një "shtyllë të Besimit", i shërbeu Kauzës gjithashtu në shumë mënyra të ndryshme, sa zor se mund të thuhet se në cilën fushë të shërbimeve ai bëri punën më të madhe. Një herë ai pati sjellë një kapital nga Karaçi për në Delhi që të fillonte një biznes. Kur ai e kuptoi nevojën e madhe të Fondit Kombëtar në atë kohë, ai e dha të tërë sasinë që kishte sjellë në Delhi për Asamblenë Kombëtare dhe u kthye në shtëpi duarzbrazur.

* * *

Është më se evidente që në qoftë se vërshimi i dhurimeve nuk ruhet rregullisht, përmes mbështetjes bujare e të vazhdueshme nga të gjithë besimtarët, individualisht e kolektivisht, Fondi Kombëtar kurrë nuk do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat dhe kërkesat e Kauzës.22

- Nga një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi-ut

* * *

Në një fshat në Zaire [Kongo], në Afrikën Qëndrore, tre gra të devotshme Bahá'í që kohët e fundit e kishin përqafuar Besimin, vendosën që, për arsye se Bahá'u'lláh-u e kishte ndaluar pijen, ato nuk do të shtypnin më pemë palmash për verë. Por meqë ky ishte i vetmi burim i tyre i të ardhurave, ato po vrisnin mendjen se si mund ta sigurojnë jetesën ndryshe.

Gratë u konsultuan me një pioniere Bahá'í që ishte vendosur në një qytet 20 km larg fshatit të tyre dhe ajo sugjeroi se ato mund të vendosnin një tryezë si dyqan përpara kasolles së tyre. Ajo tha se ajo mund të blinte për to asortimente të vogla, si sheqer, kripë dhe shkrepse me çmime me shumicë dhe ato mund të nxirrnin përfitime duke i shitur ato me çmime me pakicë. U vendos që kjo të provohej për tre muaj dhe të shikohej se ç'rezultate do të nxirreshin prej kësaj.

Pionerja i merrte asortimentet që gratë i kërkonin për fshatin e tyre çdo dy javë. Ato, nga ana tjetër i shisnin ato, i lanë borxhet e tyre dhe paguanin për grupin tjetër të mallrave. Në fund të tre muajve, gratë i thanë pionieres se ato jo vetëm që kishin nxjerrë fitime, por kishin nxjerrë më shumë para se sa mund të fitonin nga puna për të bërë verë. Këto para shtesë ato kërkuan që pionierja t'i ofronte për Fondin e Tyre Kombëtar si falenderim për Bahá'u'lláh-un.

* * *

Shumë vite më parë, një qarkore u lëshua nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Ishujve Britanikë për të gjithë komunitetet Bahá'í në atë vend, duke i informuar ata se Fondi Kombëtar nuk mund t'i plotësonte detyrimet e veta dhe po tërhiqej për 95 paund, që ishte një sasi e konsiderueshme në atë kohë. Nevojitej një ndihmë urgjente dhe miqve u kërkohej të dërgonin çfarëdo sasie që të mundeshin.

Pesë Bahá'í ishin mbledhur për Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve në një qytet e Walesit. Ata e lexuan qarkoren dhe e vështruan njëri-tjetrin të trishtuar. Asnjë prej tyre nuk kishte shumë për të dhënë. Ata u lutën dhe u lutën, pastaj vendosën të jepnin atë që ishte në kutinë e tyre të Fondit Lokal si dhe të gjitha paratë që kishin me vete.

Për gëzimin dhe habinë e tyre ata arritën të mbledhin tetë paund, një prej miqve gjeti një zarf dhe shkroi mbi të adresën e Asamblesë Kombëtare, një tjetër kishte një pullë që ata mund ta përdornin, ndërsa i treti mori paratë dhe nxitoi për tek posta, bleu një mandat parash dhe e dërgoi atë për në Zyrën Kombëtare po atë mbrëmje.

* * *

Emilija kishte qenë mësuese shkolle në Angli për shumë vjet, po i duhej të jepte dorëheqje për shkak të shëndetit të keq. Mësuesit merrnin pagesë të vogël në atë kohë dhe, meqë Emilija ishte pensioniste e parakohshme, ajo nuk merrte pension të plotë. Ajo jetonte në një dhomë të vetme, dhe kursente gjithçka në mënyrë që t'ia dilte mbanë. Por ajo dërgonte një kontribut të rregullt për Fondin Kombëtar. Për të qenë në gjendje ta bënte këtë, Emilia nuk hante ushqim një herë në javë.

* * *

Duhet të ketë një ardhje të vazhdueshme fondesh në thesarin kombëtar të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, në qoftë se ai organ dëshiron t'i administrojë si duhet veprimtaritë e shumta e gjithnjë në rritje të Besimit. Çdo Bahá'í, nuk ka rëndësi sa i varfër është, duhet ta kuptojë se ç'përgjegjësi e madhe i bie mbi shpatulla lidhur me këtë, dhe duhet të ketë bindjen se progresi i tij shpirtëror si besimtar në Rendin Botëror të Bahá'u'lláh-ut do të varet në shkallë të gjerë nga masa në të cilën ai e provon me vepra gatishmërinë për të mbështetur materialisht institucionet hyjnore të Besimit të Tij.23

- Nga një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi-ut

* * *

Shidan [Shídán] ishte një i ri Bahá'í që rridhte nga një familje shumë e kamur dhe jetonte në pjesën më të pasur në veri të Teheranit. Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve në të cilën shkoi ai, ishte me Bahá'í që ishin po aq të pasur dhe të sofistikuar. Shkak për këtë ishte se me mijëra Bahá'í në Teheran nuk mund të shkonin të gjithë në të njëjtën Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Asambleja Shpirtërore Lokale, pra, e ndante qytetin në shumë zona dhe Bahá'í-t shkonin në Festën e zonës së tyre.

Dyzet vjet më parë, kur kishte pak vetura në Teheran, Shidani shkoi në Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve me veturën e tij, siç bënë të gjithë Bahá'í-t e tjerë fqinjë me të dhe një prej gjërave që ata duhet të bënin ishte zgjedhja e shtëpisë për Festën tjetër, që duhej ta kishte rrugën e gjerë, sepse duhej të parkoheshin të gjitha veturat në të.

Vite më pas Shidani i tregoi një miku të tij ngjarjen që pason:

"Festat tona të Nëntëmbëdhjetë Ditëve gjithnjë mbaheshin në shtëpi të mëdha me qilima të shtrenjtë dhe pajisje të mrekullueshme dhe Bahá'í-t arrinin me modelet e fundit të veturave të huaja. Por në mes nesh rastisi të ishte një Bahá'í që e siguronte jetesën duke shitur ujë.

"Duhet të shpjegoj se kur isha shumë i ri ne nuk kishim ujë në Tihrán. Shtëpitë tona kishin një rezervuar që mbushej nga lumi që rridhte nga veriu në jug të qytetit. Ky ujë pastrohej pak a shumë pasi mbahej në rezervuar dhe shumica e njerëzve e përdornin edhe për të pirë. Por të pasurit, që jetonin në veri të Teheranit, blinin ujë për të pirë. Ai vinte nga një burim dhe mbartej në shtëpitë e tyre nga shitësit e ujit me karroca. Këta shitës uji ishin njerëzit më të varfër në qytet. Ata paguheshin me një monedhë të vogël për çdo kovë ujë që shisnin dhe paratë që fitonin gjatë ditës nuk u mjaftonin atyre as për të blerë një ushqim të saktë për darkë.

"Shitësi i ujit mbante një kuletë në xhep që zakonisht e kishte sajuar prej rreckave të vjetra që i hedhin njerëzit. Ai vishte çizme të gjata gome që shpesh i bënte duke ngjitur copa të vjetra plastmasi. Ai i fuste pantallonat brenda çizmeve për t'i mbrojtur ato nga uji, por kurrë nuk arrinte t'i mbante ato të thata. Sa herë që shihnit një shitës uji, ai ishte i lagur dhe i përbaltur dhe ai që merrte pjesë në Festën tonë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve ishte një lloj si të tjerët.

"Ky person kurrë nuk mungonte në Festë. Ai vinte qetësisht dhe ulej në korridorin pranë derës së dhomës ku mbahej Festa, në mënyrë që të dëgjonte se ç'po ndodhte. Ai dukej i shqetësuar se mos prezenca e tij i ofendonte të tjerët dhe kujdesej shumë të mos prekte gjëra të shtrenjta përreth tij me çizmet dhe rrobat e tij të lagura. Unë kurrë s'e dëgjova atë të flasë dhe nuk isha i sigurt nëse ai kuptonte shumë prej atyre që lexoheshin apo nëse mund t'i pasonte diskutimet tona të komplikuara. Në atë kohë isha mjaft i ri dhe i ndrojtur për të bërë pyetje, por shpesh vrisja mendjen se si kishte mundësi që ky shitës uji të jetonte në zonën tonë. Ndoshta ai vjen direkt nga puna, mendoja me vete, ose ndoshta jeton në një prej atyre vrimave në rrënojat jo shumë larg, jashtë qytetit. Ky njeri më tërhiqte vëmendjen dhe shpesh e vija re kur vinte dhe ikte.

"Një mbrëmje, u lexua një lajm që bënte apel të veçantë për fonde. Asambleja Kombëtare nuk mund t'i plotësonte detyrimet e saj dhe pranimi i Kauzës në vendin tonë varej nga dhuratat e sakrificave të miqve. Reagimi nga të pranishmit në Festë ishte i menjëhershëm. Burrat nxorrën kuletat e tyre, ndërsa gratë hapën çantat dhe kartëmonedha të mëdha ranë njëra pas tjetrës në kutinë e Fondit. Unë pashë shitësin e ujit. Ai nuk tregoi shenjë reagimi. A e kishte kuptuar ai përse ishte qarkorja?

"Kur erdhi koha për pjesën shoqërore të Festës, njerëzit filluan të lëviznin dhe bisedonin me njëri-tjetrin. Askush nuk e vuri re shitësin e ujit - me përjashtimin tim. Unë e pashë atë të vështronte përreth si për të qenë i sigurt se askush nuk po e shihte, pastaj nxorri kuletën e tij të vjetër, e hapi fijen përreth saj dhe i derdhi në pëllëmbë të gjitha ç'kishte. Monedha të vogla e mbushën dorën e tij të madhe. Pastaj, ende i frikësuar se mos e shikonin, ai iu afrua kutisë së Fondit, i hodhi në të monedhat dhe i heshtur u largua.

"Unë u bllokova nga emocioni dhe thashë me vete: 'Ky njeri do të shkojë i uritur sonte, unë vras mendje nëse ka familje për të ushqyer. Po nëse është i sëmurë dhe nuk mund të punojë nesër? Ai dhuroi gjithçka kishte - edhe qindarkën e fundit! Cili prej nesh i dha të gjitha që kishte? Perëndia thotë se Ai do ta shpërblejë atë që i jep Atij, por paratë e këtij njeriu janë tepër të vlefshme për t'u kthyer. Perëndia do t'i pranojë ato të gjitha dhe asnjë prej tyre nuk do t'i kthehet.'"

* * *

Sa për idenë që "secili të japë aq sa mund të përballojë": kjo në asnjë mënyrë nuk vendos një kufi dhe as e përjashton mundësinë e vetësakrificës. Nuk mund të ketë kufi për dhurimin e dikujt në fondin kombëtar. Sa më shumë të japësh aq më mirë është, veçanërisht kur dhurime të tilla kërkojnë sakrifikimin e nevojave e të dëshirave të tjera nga ana e dhuruesit. Sa më e madhe të jetë sakrifica, natyrisht aq më e merituar do të jetë ajo në sytë e Perëndisë. Sepse në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi sasia e asaj që dhuron personi, sesa masa e privacionit që sjell ajo për të, gje që gjithmonë duhet ta mbajmë parasysh kur theksojmë nevojën e një mbështetjeje universale e me gjithë zemër për fondet e ndryshme të Kauzës.24

- Shoghi Effendi
Historia e Trëndafilave

Në 1979, një valë e re persekutimesh i përfshiu Bahá'í-t e Iranit dhe me mijëra burra, gra dhe fëmijë vuajtën për shkak të besimit të tyre tek Bahá'u'lláh-u. Bahá'í-t u pushuan nga puna, iu prenë pensionet, fëmijët e tyre nuk lejoheshin të shkonin në shkolla dhe universitete, shtëpitë iu plaçkitën dhe pronat iu konfiskuan. Qindra prej tyre u burgosën dhe torturuan, bile, në 1986, 189 u martirizuan. Këta shpirtra të pastër sakrifikuan jetën e tyre me dëshirë për besimin e tyre, sepse atyre iu dha mundësia të hiqnin dorë nga Besimi dhe të jetonin.

Ngjarja e trëndafilave është një dritëz për efektin që sakrificat e Bahá'í-ve persianë patën në jetën e bashkëbesimtarëve në pjesë të tjera të botës.

Gjatë 189 ditëve të paharruara, të dedikuara për besimtarët në Iran komuniteti Bahá'í në Shtetet e Bashkuara u ngrit në lartësi të jashtëzakonshme shërbimi dhe arriti fitore të mëdha në çdo fushë të veprimtarisë Bahá'í. Shtetet e Bashkuara konkuruan me njëri-tjetrin për publikimin e Besimit nëpërmjet shtypit, duke hapur fusha të freskëta për Besimin, duke rregjistruar besimtarë të rinj, duke drejtuar kurse thellimi, duke hapur shkolla për fëmijë dhe duke sponsorizuar veprimtari të tjera. Fragmente të shkurtëra të cituara këtu, që janë mbledhur nga botimet Bahá'í Amerikane, u referohen vetëm disa kontributeve të bëra për Fondin gjatë asaj periudhe.

E gjithë kjo dallgë veprimtarish filloi me një dhuratë prej 189 trëndafilash nga të burgosurit Bahá'í në Iran për vëllezërit e motrat e tyre në Amerikë. Letra e mëposhtme, e adresuar nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Shteteve të Bashkuara për Bahá'í-t në atë vend, shpjegon ngjarjen e trëndafilave:

"Të dashur miq Bahá'í:

"Një lëvizje po e përfshin kombin - një lëvizje e lindur prej një dhurate nga Bahá'í-t e robëruar në Iran. Ajo premton t'i japë formë shpirtit të të gjtihë Planit Gjashtë Vjeçar.

"Të burgosurit Bahá'í dhanë një shembull prekës për fuqinë e individëve për përparimin e Besimit, pa marrë parasysh rrethanat personale. Këta persona të palëkundur, të burgosur për besimin e tyre tek Bahá'u'lláh-u, blenë një dhuratë për komunitetin Amerikan Bahá'í: një dhuratë prej 189 trëndafilash - një trëndafil për çdo martir të kohëve të fundit. Në Kuvend Kombëtar, trëndafilat iu dhanë delegatëve, që pastaj i kaluan ata tek mijëra Bahá'í në Distriktet e tyre. Kjo shenjë dashurie e pushtoi imagjinatën e besimtarëve anembanë kësaj toke.

"Në një letër të mbyllur me trëndafilat, të burgosurit u kërkonin Bahá'í-ve Amerikanë 'Të ngrihen për të kompensuar lidhur me shërbimet që ne pengohemi t'i bëjmë'. Me shpirtin e Fushatës së Veprimit të Bashkuar, Asambleja Shpirtërore Kombëtare dhe Këshilltarët Kontinentalë iu ftojnë tani të bashkoheni në një përpjekje serioze për kompensimin e kësaj dhurate të çmuar.

"Në 20 Tetor, ditëlindja e Báb-it, Plani Gjashtë Vjeçar do të fillojë me një kryqëzatë 189 ditëshe të fitoreve në 'Shpirtin e Trëndafilave' që do të vazhdojë gjer në ditën e fundit të Kuvendit Kombëtare në prill. Çdo ditë do t'i dedikohet njërit prej 'trëndafilave' të çmuar.

"Ne kërkojmë ndihmën tuaj për të ngritur një fushatë shpirtërore të sakrificave personale dhe të komunitetit, që t'i kompensojë shërbimet që shokët tanë të shumëdashur nuk mund t'i bëjnë. Gjatë secilës prej 189 ditëve, çdo person le ta pyesë vetveten, 'A kam sakrifikuar unë sot për Fondin Kombëtar Bahá'í?' 'A kam mësuar një person sot për Kauzën e Perëndisë?' 'A kam shfrytëzuar çdo mundësi për t'i shërbyer njerëzimit sot?'

"Çdo fitore është e rëndësishme. Ju lutemi dërgoni ngjarje dhe fotografi të fitoreve tuaja për Qendrën Kombëtare Bahá'í, Uilmet, Ilinoi [Wilmette, Illinois]... Ato do të bëhen pjesë e një gazete të paçmuar që do të çohet në Shtëpinë Universale të Drejtësisë për të nderuar të burgosurit në Iran, 'zogjtë krahëthyer të Bahá-it', siç i drejtohen ata vetvetes. Në thelb, 'Shpirti i Trëndafilave' është tipik për një familje të ngushtë dhe të dashur ku ndihmohet njëri-tjetri në kohë nevoje. Kjo është mundësia jonë për t'i treguar botës se ç'do të thotë të jesh një familje globale.

"Me përshëndetje të dashura Bahá'í,
"Asambleja Shpirtërore Kombëtare e
Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara,
17 Tetor 1986"
· · ·

Një familje dërgoi një shënim që shprehte ndjenjat e të gjithëve që shkruan për përjekjet e tyre fillestare për t'i kompesuar trëndafilat:

"Ky kontribut shtesë është pjesë e përpjekjeve tona shtesë gjatë 189 ditëve duke nisur që sot. Duhet që ne t'i kujtojmë martirët tanë heroikë në ditën kur ne festojmë ditëlindjen e Báb-it, i Cili gjithashtu e dha jetën e Tij, duke treguar shembullin final. Ne ju premtojmë se do t'iu kujtojmë për 189 ditë!"

· · ·

"Në nderim të 'Shpirtit të Trëndafilave' komuniteti ynë planifikon të sponsorizojë edukimin e nëntë fëmijëve të shkollës Bahá'í në Haiti." - Portsmouth, Nju-Hempshir

· · ·

"Gjatë fushatës së trëndafilave, komuniteti ynë u zotua ta rrisë fondin tonë për Fondin Kombëtar me 110%. Ne shpresojmë se pjesa tjetër e vendit bashkohet me këtë privilegj." - Aurora, Kolorado

· · ·

Në 'Shpirtin e Trëndafilëve' Asambleja Shpirtërore e Roçesterit, Vermont, sponsorizon krijimin e një sixhadeje të punuar me dorë simbolin e 189 trëndafilave për të nderuar sakrificat e martirave në Iran. Qëllimet janë për të rritur unitetin e madh në mes të miqve në Vermont dhe për t'i shtuar kontributet për Fondin Kombëtar. Kontributi i çdo individi për Fondin i jep të drejtë dhënësit për një biletë 'kundrejt tërheqjes' që do të bëhet në një festim mbarështetëror për të përcaktuar atë që do të fitojë këtë vepër të shkëlqyer të punës artizane për veten e tij ose të saj.

· · ·

Do të ndihmojmë për ndërtimin e pesë Haziratul-Kuds-ve e shkollave tutoriale në Transkei. - Ventura County, Kaliforni

· · ·

Klasa e gjashtëvjeçareve e Shkollës Bahá'í të Riverside ka studiuar tre "F"-të: feast (festa e 19-ditëve), fast (agjërimë), fund (fond); dërguar në karta dhe kontribute "për të qenë pjesë e Trëndafilave."

· · ·
Nga individët:

"Unë hyra në mendime për Shpirtin e Trëndafilave... Nga Báb-i gjer tek Mullá (usayni për tek njerëzit që më mësuan mua, janë besimtarët Persianë ... që më kanë dhënë mua Dhuratën Më të Madhe. "Unë mendoja mbi të gjitha për ata që nuk kanë lënë emrat në historitë tona - të paemrit, të varfërit e pagjurmueshëm, qëndrueshmëria dhe palëkundshmëria e të cilëve e ka mbartur dritën nëpër botë, të cilët i ushqyen fëmijët që të rriteshin për të pionerizuar, që e pastronin shtëpinë pas Festës, që punuan për ndërtimin e një Qendre në një fshat të humbur, dashuria e të cilëve për Besimin i mban ata... Ja ku është kontributi im: 19 dollarë për çdo muaj Bahá'í në nderim të atyre të paemrëve, të pagjurmueshmëve ... dhe kontributi im i rregullt."

· · ·

"Burri im dhe unë kotribuojmë nëpërmjet kontributeve automatike, por ja një ndihmë shtesë 'pjesa e trëndafilave'. Unë u preka shumë nga veprimi i Bahá'í-ve Iranianë - ata kanë dhënë aq shumë dhe e ndjej se mund t'ia dal mbanë edhe pa ato pak gjëra që mund të blija me këto."

· · ·

"Mëshira e Perëndisë për mua ka qenë e bollshme dhe me mirënjohje të madhe unë jam në gjendje të kontribuoj për Fondin dhe do ta bëj këtë me gëzim. Fuqia e 'Shpirtit të Trëndafilave' e preku jetën time dhe më arriti në thellësitë e poshtërimit duke më bërë të kthehem me gjithë zemër tek Besimi im i shmëdashur."

· · ·
Nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare:

"Vetëm pak ditë mbeten përpara se periudha e 189 'ditëve të fitores' të dedikuar për Bahá'í-t Iranianë të mbarojnë në 26 Prill, ditën e fundit të Kuvendit Kombëtare.

"Arritjet tona gjatë kësaj kohe kanë qenë vigane. Do të na duhet pak kohë t'i përmbledhim të gjitha reagimet në 'Shpirtin e Trëndafilave', sepse gazeta duhet të dërgohet në Shtëpinë Universale të Drejtësisë për nder të Bahá'í-ve të Iranit.

"Komuniteti Amerikan Bahá'í ka shkuar në një nivel të ri veprimtarie dhe kuptimi për fuqinë që mund të çlirohet nga shpirti i sakrificës.

"Nëpërmjet përpjekjeve tona ne tashmë e dimë se kujt i referohej Shtëpia Universale e Drejtësisë kur tha se, 'Ne do të habitemi me ekspozimin e fuqisë që do të rezultojë nga i gjithë trupi dhe që nga ana e saj do ta shtojë më tepër rritjen dhe vërshimin e bekimeve më të mëdha mbi të gjithë ne.'

"Komuniteti ynë kurrë nuk do të jetë njëlloj siç ishte përpara se ta merrnim dhuratën e mrekullueshme të trëndafilave nga vëllezërit e motrat tona të shumëdashur në Iran.

"Ne nuk do të harrojmë se esenca e vërtetë e 'Shpirtit të Trëndafilave' nuk rrjedh nga një burim i përkohshëm frymëzimi dhe energjie, por nga një Burim i vazhdueshëm - një Burim që është funksional për ne kurdoherë që do të dëshirojmë t'i afrohemi.

"Lëshimi i këtij Burimi nëpërmjet lutjes dhe meditimit dhe pastaj besimi dhe vendosmëria për zgjidhjen e situatave të tilla me lutje që marrin përgjigje, është diçka që ne mund ta bëjmë çdo ditë, duke patur arritje të tilla si ato që ne po dëshmojmë gjatë 189 ditëve të fitoreve në 'Shpirtin e Trëndafilave', pjesë e jetës sonë të përditshme."

* * *
Qendrat Bahá'í
L

ufta e dytë botërore sapo kishte marrë fund. Bahá'í-t e shpërndarë të Gjermanisë po mblidheshin përsëri së bashku në Gjermaninë e Perëndimit dhe po përpiqeshin ta organizonin punën e tyre. Ata kishin jetuar nën një shtypje të madhe gjatë regjimit nazist; Besimi ishte ndaluar, Bahá'í-t nuk lejoheshin të takoheshin apo të flisnin për besimin e tyre dhe literatura Bahá'í ishte konfiskuar. Tani që u rikthye liria, Bahá'í-t e kuptuan që gjëja që u duhej më shumë ishin pamfletet dhe librat Bahá'í. Për fat të keq, as letra e shtypit as boja nuk gjendeshin atje në ato ditë.

Njerëzit bile nuk kishin as ushqim të mjaftueshëm dhe Bahá'í-t ishin në të njëjtën situatë si të tjerët. Paraja Gjermane e para luftës ishte bërë e pavlefshme në mënyrë të papritur dhe kështu ata që kishin para nuk mund të blinin asgjë me të.

Besimtarët Amerikanë filluan të dërgonin pako ushqimi për vëllezërit e motrat e tyre Bahá'í në Gjermani, shpesh duke punuar jashtë orarit dhe në punë të vështira për të qenë në gjendje t'i përballonin këto dhurata. Megjithatë Bahá'í-t Gjermanë vendosën se ishte më mirë që ata të sakrifikonin ushqimin e çmuar që u dërgohej atyre, për të blerë në vend të tij bojë dhe letër. Kështu ata ishin në gjendje të fillonin nxjerrjen e literaturës Bahá'í në ato kohëra të vështira.

Një tjetër projekt që ndërmorën Bahá'í-t Gjermanë, menjëherë pas luftës, ishte ndërtimi i një Qendre Ndërkombëtare Bahá'í në Frankfurt. Ruajtësi u kërkoi atyre që ajo të ndërtohej dhe ata nuk do ta zhgënjenin atë, s'ka rëndësi se çfarë sakrificash të mëdha u duhej të bënin.

Bahá'í-t e Shtutgartit [Stuttgart] i mblodhën kontributet për Qendrën në një mënyrë të veçantë. Ata bënë çanta të vogla të zeza prej bezeje dhe çdo anëtar i komunitetit e mbarte gjithnjë një prej tyre në xhepin e tij apo të saj. Çdo qindarkë që mund të kursehej shkonte në këtë çantë. Bahá'í-t kursenin në çdo mënyrë të mundëshme për Fondin. Ata ecnin në këmbë në vend që të merrnin autobusin, mblidhnin para duke kthyer triskat e ushqimit dhe shisnin shishet e tyre bosh. Qindarkë pas qindarke ata i mbushnin çantat e tyre dhe i zbraznin ato gjatë çdo Feste Nëntëmbëdhjetë Ditëve.

Prej atyre mijëra njerëzve që e viztojnë Qendrën Bahá'í në Frankfurt, ndoshta janë të paktë ata që e kuptojnnë se me çfarë sakrifice madhështore u ndërtua ajo.

* * *

Kontributi në fonde, në mbështetje të Thesarit kombëtar*, përbën në kohën e tanishme forcën jetësore të këtyre institucioneve që janë duke lindur, të cilat ju po punoni për t'i ngritur. Rëndësia e kësaj sigurisht është vështirë të mbivlerësohet. Bekime që s'tregohen dot të kurorëzojnë padyshim çdo përpjekje në këtë drejtim.25

- Shoghi Effendi
* * *

Surush Jiganigi [Surúsh Yigánigí] dhe gruaja e tij po pionerizonin në Bangalore në Indinë e Jugut dhe ata blenë një copë tokë jashtë qytetit, duke shpresuar të siguronin bukën e gojës duke prodhuar rrush.

Para se të vendoseshin në shtëpinë e tyre të re, ata vendosnin të merrnin pjesë në Kuvendin Kombëtar. Kishin dëgjuar se Ruajtësi i kërkoi Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të blinte një ndërtesë mjaft të shtrenjtë për Qendrën Kombëtare dhe se Asambleja po haste vështirësi shumë të mëdha për ta mbledhur shumën e kërkuar të parave.

Surushi dhe gruaja e tij i ofruan të gjitha ç'kishin, pra tokën e tyre jashtë Bangalorit.

Kur pionerët arritën në shtëpinë e tyre të re, Asambleja Kombëtare dërgoi dikë ta shikonte tokën e tyre dhe ta blinte, nëse ishte e mundur. Ky person raportoi se toka ishte e padobishme dhe se askush nuk do ta blinte atë ndonjëherë. Atëhere Asambleja Kombëtare e pyeti Surushin, nëse vetë ai mund të ndihmonte për të gjetur para për Fondin Kombëtar. Surushi vrau mendjen se çfarë mund të bënte. Së fundi ai mori një vendim. Ai mori borxh për çmimin e tokës dhe ia dërgoi paratë Asamblesë Kombëtare dhe pastaj filloi të prodhonte rrush.

Prodhimi që mori i çuditi të gjithë. Ishte shumë më i madh se sa shpresonte Surúshi, sepse shumë shpejt ai arriti t'i paguante të gjitha borxhet e tij.

* * *

Bahá'í-t e Indisë po blinin Qendrën e tyre Kombëtare në 1947. Ata kishin gjetur tre ndërtesa të ndryshme dhe Ruajtësi i këshilloi të blinin më të madhen dhe më të mirën e të trejave. Ajo sigurisht ishte edhe më e shtrenjta. gjithashtu, dhe Asambleja Kombëtare nuk mund ta përballonte çmimin e saj.

Në atë kohë Bahá'í-t e Indisë ishin të paktë dhe shumica të varfër por, meqë Ruajtësi e zgjodhi atë, ata ishin të vendosur ta blinin ndërtesën.

Të shumta ishin sakrificat e bëra prej besimtarëve për të mbledhur para megjithatë disa ditë përpara se të nënshkruhej shitblerja, Asamblesë Kombëtare i mungonin akoma 100 mijë rupi - një shumë mjaft e madhe parash në 1947.

Amreliwala, një biznesmen dhe relativisht Bahá'í i ri, e shpëtoi situatën duke i sjellë paratë në momentet e fundit. Vetëm një pjesë e sasisë së parave të tij ishte e veta; pjesën tjetër ai e huazoi nga banka dhe e ripagoi më vonë me interes.

Ky person zemërgjerë ndihmoi përsëri kur po blihej tokë për Shkollën e Mesme Epoka e Re. Një vend i mrekullueshëm u gjet në një kodër dhe kishte mundësi të blihej me çmim mjaft të arsyeshëm, por Bahá'í-t e Indisë nuk kishin paratë e mjaftueshme. Vetëm 24 orë përpara se ta humbnin pronën, Amreliwala vuri peng dyqanin e tij dhe huazoi para nga banka të cilat Bahá'í-t i ripaguan gradualisht.

* * *

...Ai dëshiron veçanërisht që ju t'i bindni besimtarët për nevojën që të ruhet vërshimi i dhurimeve të tyre për Tempullin, dhe gjithashtu të theksoni rëndësinë e institucionit të Fondit kombëtar Bahá'í, i cili, në këto ditë të hershme të zhvillimit administrativ të Besimit, është një mjet i domosdoshëm për rritjen dhe shtrirjen e Lëvizjes. Dhurimet për këte fond përbëjnë, veç kësaj, një mënyrë praktike e të efektshme, përmes së cilës çdo besimtar mund të provojë masën e karakterin e besimit të tij dhe të tregojë me vepra intensitetin e përkushtimit e të lidhjes së tij me Kauzën.26

- Nga një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi-ut

* * *

Në 1939, Asambleja Shpirtërore Kombëtare e ... bleu një copë tokë për Qendrën e vet Kombëtare Bahá'í në një prej lokaliteteve më të mira të kryeqytetit. U vendos të ndërtohej një njësi administrative, një shtëpi për të ftuarit dhe një sallë e madhe takimesh, por me qëllim që të fillonte ndërtimin, Asambleja Kombëtare duhej të merrte një hua që do të ripaguhej për 25 vjet.

Në atë kohë kishte vetëm rreth 300 Bahá'í në atë vend, gjysma e tyre fshatarë që jetonin përreth kryeqytetit dhe disa prej tyre ishin aq të varfër sa bënin tre milje në këmbë për të marrë pjesë në takimet që bëheshin në qytet, sepse ata s'mund ta përballonin pagesën për autobus.

Me të marrë huanë, Asambleja Kombëtare e përfundoi ndërtimin e seksionit të parë të Qendrës Bahá'í në vitin 1940. Dhe më pas shtëpinë e miqve në 1942. Qendra Bahá'í u kompletua dhe u pajis mjaft mirë në 1953. Ajo ishte një ndërtesë madhështore për të cilën Bahá'í-t mund të ishin me të vërtetë krenarë.

Gjatë atyre viteve Asambleja Kombëtare nuk kishte qenë në gjendje ta paguante të gjithë huanë e vet, edhe pse kishte bërë çdo përpjekje, bile edhe fëmijët kishin kursyer qindarkat e tyre për Fondin. Përfundimisht, ndodhi e paevitueshmja. Në 1964, organizata nga e cila ishte marrë huaja 25 vjet më parë, dërgoi një shkresë ku thuhej se nëse brenda një muaji nuk paguhej shuma e plotë, Qendra Bahá'í do të nxirrej në ankand.

Nëntë anëtarët e Asamblesë Kombëtare nxituan për të diskutuar këtë situatë të rëndë. Ishte e qartë se komuniteti Bahá'í i ... nuk ishte në gjendje të jepte një sasi aq të madhe parash për një kohë aq të shkurtër. Vetëm një gjë mund të bëhej që të shpëtohej Qendra Bahá'í të cilën ata e kishin ndërtuar me aq shumë dhimbje. Me shpirt sakrifice supreme, nëntë anëtarët e Asamblesë u zotuan ta japin vetë shumën e kërkuar e ta mblidhnin atë më pas prej komunitetit. Ajo që kishte qenë e vështirë të bëhej për 25 vjet u bë në më pak se 25 minuta. Huaja u pagua përsëri para fundit të muajit dhe Qendra u bë pronë Bahá'í.

Vazhdimi i ngjarjes është mjaft interesant sepse tregon se si bashkëbesimtarët tanë, në pjesë të ndryshme të botës, janë rrethuar nga padrejtësia dhe paragjykimi i verbër ndërsa mbajnë lart trimërisht flamurin e Bahá'u'lláh-ut.

Persekutimi i Bahá'í-ve në ... filloi vetëm pak vjet pas pagimit të huasë nga besimtarët. Në mes të shumë poshtërsive nga të cilat ata vuajtën ishte edhe konfiskimi i Qendrës që ata e ndërtuan dhe e pajisën me aq shumë përpjekje.

* * *

Komuniteti Bahá'í e Wangarei, Zelanda e re, rritej me shpejtësi. Ata bënin Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve në shtëpitë e tyre, por asnjë prej shtëpive që ata kishin nuk ishte e mjaftueshme për numrin e tyre në rritje. Ata duhej të mendonin për blerjen e një Qendre Bahá'í.

Asambleja Shpirtërore Lokale ishte ngushtë për para dhe dukej e pamundur se ata do të ishin në gjendje të blinin një shtëpi pa kaluar shumë kohë. Megjithatë, u vendos t'i besohej Perëndisë dhe të fillonte kërkimi për një vend të përshtatshëm.

Një prej shtëpive të gjetura prej Bahá'í-ve dukej të ishte absolutisht ideale. Ajo gjendjej në një vend të mrekullueshëm me një dhomë ndenje shumë të madhe të pajisur me dyer xhami që dilnin në një dhomë tjetër. Miqtë që shkuan për ta parë shtëpinë u entuziazmuan shumë dhe Asambleja vendosi ta blinte ndërtesën nëse ishte e mundur. Bahá'í-t reaguan duke bërë dhurata zemërgjera, hua, u zotuan të jepnin nga pagat e tyre çdo javë për të ripaguar huatë dhe çdo lloj ndihme që mund t'u shkonte në mendje. Një prej huave erdhi prej një Bahá'í të ri që kishte shkuar për një udhëtim mësimor në Amerikën e Jugut. Ai dërgoi një mijë dollarët që duhej të paguheshin për biletën e tij vajtje-ardhje për në Zelandën e re dhe e ofroi atë si hua, nëse shuma do t'i kthehej pas një viti që ai të mund të kthehej në shtëpi.

Nëpërmjet shumë sakrificave, Bahá'í-t e Wangareit arritën të mblidhnin gjysmën e parave që duheshin për ta blerë shtëpinë e dëshiruar për Qendrën e tyre. Tani atyre u duheshin 12 mijë dollarë të tjerë, që dukej një shumë e pamundur që të arrihej. Megjithatë Asambleja vendosi të mos i humbte shpresat. Ajo do të përpiqej të eksploronte çdo mundësi për të marrë hua, duke e ditur se nuk do t'ia dilnin mbanë vetëm nëqoftëse Bahá'u'lláh-u nuk donte që Bahá'í-t ta blinin këtë shtëpi.

Zelanda e re, në atë kohë, po kalonte një fazë shumë të vështirë financiare dhe ishte pothuajse e pamundur të merrej hua. U kontaktuan banka, kompani sigurimesh dhe firma të tjera por askush nuk ndihmoi. Asambleja mblidhej disa herë në javë për të menduar ç'mund të bëhej, por s'mund të gjendej asnjë zgjidhje për problemin.

Një ditë, në dëshpërim të plotë, koordinatori i Asamblesë Lokale telefonoi avokatin e tij për të parë nëse ai mund të ndihmonte në ndonjë mënyrë. Avokati i tregoi se dikush sapo i kishte dërguar gjashtë mijë dollarë për t'i dhënë si hua dhe Bahá'í-t mund t'i merrnin ato. Bahá'í i emocionuar i telefonoi Sekretarit Kombëtar për ta pyetur nëse Asambleja Shpirtërore Kombëtare do të mund t'i jepte Asamblesë së tyre Lokale një hua për gjashtë mijë dollarë të tjera. U telefonua përsëri pas disa orësh për t'iu thënë se mund ta merrnin huanë.

Bahá'í-t e Wangareit tani kishin vendosur që të bënin një takim lutjesh gjatë asaj mbrëmjeje dhe të kërkonin ndihmesën hyjnore për blerjen e Qendrës së tyre. Kur koordinatori i Asamblesë arriti në takim, të gjithë ishin atje. Ai u kërkoi anëtarëve të Asamblesë Lokale ta takonin atë në dhomën tjetër, dhe me zërin që i ndërpritej nga emocioni u tregoi atyre se si mundën t'i gjenin të 12 mijë dollarët që u duheshin. Kushdo mund ta imagjinojë gëzimin e mrekullueshëm që provoi komuniteti i Wangareit kur mësuan se lutjet e tyre për ndihmesë tani mund të bëheshin lutje për lavdërime dhe për bekimet që kishin marrë.

Inagurimi i Qendrës Bahá'í u bë në ditëlindjen e Báb-it në 1975. Që nga dita kur Asamblea u informua për pronën gjer në ditën kur vendosi ta blinte atë, u bënë 19 ditë. Një tjetër informatë interesante që ndeshën Bahá'í-t ishte se personi që e ndërtoi këtë shtëpi kishte lindur në 1844.

Bahá'í-t e Wangareit tani iu vunë ripagimit të huave të tyre. Në mes të rrugëve të ndryshme që ata menduan për të mbledhur fonde ishte të ngrinin një kioskë në pazarin e gjërave të lira. Çdo dy javë ata ekspozonin punimet e tyre të poçerisë dhe, në ditë të mbara, nxirrnin më shumë se 100 dollarë, edhe pse zakonisht nxirrnin gjysmën e sasisë.

Në një mënyrë apo një tjetër me përkushtim dhe këmbëngulje të admirueshme, ata i mblidhnin së bashku dollarët e tyre gjersa, pas një viti e gjysmë, të gjitha huatë e tyre u paguan dhe Qendra e mrekullueshme nuk kishte më borxhe.

* * *

Bahá'it e ishujve Solomon, në Paqësor, nuk janë shumë të pasur, kështu që përdorin metoda të ndryshme për mbështetjen e Fondeve. Disa prej tyre e ndajnë një zonë të oborrit të tyre për Besimin. Çdo prodhim i marrë nga ajo pjesë e tokës shitet për Fondin. Të tjerë dhurojnë ato që nxjerrin nga shitja e punimeve të tyre të artizanatit që bëhen veçanërisht për të kontribuar për Besimin.

Kur Bahá'í-t e Harapës, në Ishujt Solomon, morën vendim për ta ndërtuar Qendrën e tyre, secili dha fitimin e një dite të punës së javës, gjersa Qendra u përfundua. Nëse ata peshkonin, për shembull, peshkatari i jepte paratë që nxirrte nga shitja e peshkut të kapur atë ditë, disa prej Bahá'í-ve dhanë punën e tyre dhe punuan për të ndërtuar një ditë në javë. Secili kishte dhënë pjesën e vet për ndërtimin e Qendrës Bahá'í dhe sa krenarë ishin ata për këtë!

* * *

Qendra Bahá'í e Shirazit [Shíráz] nuk kishte madhësinë e mjaftueshme për veprimtaritë e ndryshme që zhvilloheshin në atë qytet dhe Asambleja Shpirtërore Lokale po përpiqej prej vitesh të blinte një shtëpi aty pranë dhe t'ia shtonte atë Qendrës. Për fat të keq, shtëpia në fjalë i përkiste një armiku të Besimit që nuk donte t'ua shiste atë Bahá'í-ve. Për ta bërë më të vështirë situatën, pronari ia dha shtëpinë e tij me qira një partie politike që gjithashtu i kundërvihej Besimit dhe përpiqej t'i pengonte veprimtaritë që bëheshin në Qendër.

Pasi provoi gjithçka të mundshme, Asambleja Shpirtërore Lokale më në fund e braktisi idenë e blerjes së shtëpisë që nevojitej. Por, pa e ditur njeri, një person i palëkundur kishte vendosur ta blinte shtëpinë e t'ua jepte atë si dhuratë Bahá'í-ve të Shirazit. Rustam ishte një besimtar i ri që nuk njihej akoma si Bahá'í prej popullsisë muslymane të qytetit. Ai e dinte se ky ishte një avantazh për të arritur blerjen e pronës së kërkuar, por përveç kësaj, nuk kishte ndonjë gjë tjetër që të fliste në favor të tij. Ai nuk kishte para të mjaftueshme në dispozicion dhe nuk kishte pushtet mbi qeraxhinjtë me influencë që kishin zënë shtëpinë.

Rustami ishte një shofer i thjeshtë kamioni, që punonte shumë dhe ia kishte dalë të mblidhte një të tretën e çmimit të kamionit që ngiste. Ai kishte gjithashtu në periferi të qytetit një shtëpi të vogël që nuk vlente shumë, ku jetonte me gruan.

Rustami i besoi absolutisht Perëndisë dhe u lut me besim të madh. Ai u lut ditë pas dite, muaj pas muaji, duke i kërkuar Perëndisë ta ndihmonte ta blinte shtëpinë për Besimin.

Pas një farë kohe ai dëgjoi se udhëheqësi i grupit politik që kishte shtëpinë vdiq dhe vendi do të zbrazej. Një pengesë tashmë u largua nga rruga.

Rustami vendosi se tani ishte rasti që të bëhej diçka tjetër përveç lutjes. Ai po kërkonte ndonjë mundësi të fillonte bisedimet për blerjen e pronës. Ai shiti pjesën e kamionit që ngiste dhe e nxori shtëpinë e vet për shitje. Shtëpia u shit me një çmim të mirë dhe paratë u vunë mënjanë; Rustami dhe gruaja e tij lëvizën në një vend mjaft modest që u mor me qira.

Pas dy javëve të tjera vdiq pronari i shtëpisë dhe fëmijët e tij, që jetonin në kryqeytet, filluan të ziheshin për shtëpinë pranë Qendrës Bahá'í në Shiraz. Avokatët e tyre vendosën ta shisnin shtëpinë me një çmim të arsyeshëm dhe Rustami ia doli mbanë ta blinte vendin me paratë e kursyera prej tij. Një mbrëmje kur anëtarët e Asamblesë Shpirtërore Lokale ishin në takim, Rustami kërkoi leje t'i takonte. Ai u paraqit me aktin e blerjes së shtëpisë dhe u kërkoi atyre ta pranonin si dhuratë nga ai dhe gruaja e tij. Anëtarët e kaluan aktin e blerjes rreth e rrotull e panë njëri-tjetrin të mrekulluar. Rustani dhe gruaja e tij, e cila e kishte mbështetur atë në çdo hap që bëri, nuk prisnin shpërblim, por ato morën një dhuratë shumë të veçantë nga Perëndia. Ishte një fëmijë që iu lindi atyre pas shumë vjet martese, kur ata e kishin humbur çdo shpresë për të patur fëmijë.

* * *

Karími ishte një i ri 20 vjeçar që pionerizoi në një vend gati primitiv në A., ku ai jetoi në kondita të vështira. Nganjëherë ai shkonte në qytetin fqinjë D., ku jetonin Bahá'í të tjerë, për t'i takuar bashkëbesimtarët e për të blerë ato pak gjëra që i duheshin.

Një ditë, kur ai bleu në qytet gjithçka që i duhej, dëshmoi se Bahá'í-t do të mblidheshin atë mbrëmje; kështu ai e shtyu kthimin në vendin e tij dhe u bashkua me ta në takim.

Ndodhi që Asambleja Shpirtërore Lokale e D., vendosi të blinte një Qendër Bahá'í dhe nuk kishte para të mjaftueshme. Ajo i ftoi Bahá'í-t e qytetit duke iu kërkuar atyre të dhuronin gjithë sa mundeshin për këtë qëllim. Delegati i Asamblesë shpjegoi rëndësinë e Qendrës dhe u bëri thirrje miqve të kontribonin zemërgjerësisht për të.

Gjithkush reagoi. Disa vunë para të thata në kutinë e Fondit, të tjerë shkruan mbi copëra letre duke dhënë zotimet e tyre. Dhe në mes të kontributeve ishte një pako e vogël që u vendos prapa kutisë.

Pasi u numëruan paratë, u hap pakoja. Në të ishin disa vezë, dy kuti shkrepsesh, tre qirinj dhe një tubet pastë dhëmbësh. Kerími, që nuk kishte gjë tjetër për të dhënë, i kishte dhuruar gjërat modeste që bleu dhe pa rënë në sy iku nga takimi..

Miqtë në atë takim, të prekur nga kontributi i të riut, i blenë ato gjëra me një çmim mjaft të lartë dhe nxorën sasinë e parave që u duheshin për ta blerë Qendrën e tyre.

* * *

Në fshatrat e Ishujve Gilbert (Kiribas [Kiribati]) një Qendër Bahá'í zakonisht përbëhet prej një çatie të thjeshtë prej gjethesh arre të kokosit nën të cilën miqtë ulen mbi një rrogoz prej gjethesh kokosi të shpërndara si dyshek nëpër dysheme. Megjithatë, në një fshat, Bahá'í-t vendosën të ndërtonin mure prej kërcelli gjethesh kokosi, përreth Qendrës së tyre.

Në Festën tjetër të Nëntëmbëdhjetë Ditëve të gjithë u ulën në një rreth të madh, duke mbështetur shpinën tek muri. Në mes mund të shihej një kuti e vetmuar e Fondit. Kjo ishte kaq e dukshme sa zor se ndokush merrte kurajo për t'iu afruar. Në fund të Festës, kur u numëruan paratë në kuti, ishin më pak se gjysma e zakonshme që mblidheshin prej tyre.

Asambleja Shpirtërore Lokale u konsultua për këtë çështje dhe vendosi që në Festën tjetër të Nëntëmbëdhjetë Ditëve ata ta kalonin kutinë nga një person tek tjetri. Pas një farë kohe u bë e qartë, se edhe kjo kishte disavantazhin e vet, pasi ishte e mundur të numërohej numri i monedhave që hidhte personi ndërsa kutia shkonte rrotull.

Asambleja Shpirtërore Lokale u konsultua përsëri për këtë çështje dhe arriti konkluzionin se mund të ishte më mirë të hiqeshin muret që ishin ndërtuar përreth Qendrës kështu që kutia e Fondit të vendosej përsëri në një vend që nuk binte në sy, që miqtë ta përdornin atë nëse dëshironin.

Ishte e mrekullueshme të shikoje se si ata u përgatitën për të qenë të sigurt se çdo individ në komunitet mund të dhuronte lirisht sipas nxitjeve të zemrës së tij, pa u ndier ndonjëherë i penguar apo nën shtytje kur ofronte dhurimin e vet për Besimin.

* * *
Disa Ngjarje të tjera
K

ur bolshevikët morën pushtetin në Rusi, të gjitha fetë u ndaluan në atë vend. Besimi Bahá'í nuk ishte përjashtim. Shtëpia e parë Bahá'í e Adhurimit që u ndërtua në botë, që ngrihej në Ishkabad, u konfiskua. Shumë Bahá'í qytetarë Rusë u internuan në Siberi, ndërsa ata që kishin pasaporta Persiane u dërguan për në Iran.

Këta Bahá'í Persianë, shumë prej tyre njerëz të pasur që ishin vendosur në Rusi, tani detyroheshin të linin pas gjithçka që kishin dhe të ktheheshin në vendin e tyre pa gjë tjetër përveç rrobave që kishin veshur.

Në mes të atyre që u trajtuan në këtë mënyrë ishte një burrë që po shkonte në Iran me një grup të trishtuar bashkëbesimtarësh. Por ky njeri nuk tregonte shenja Mirzatjeje. Ai kishte me vete një tufë letra që dukej të ishin burimi i kënaqësisë së tij. Nganjëherë gjatë një udhëtimi të vështirë u pa se i nxirrte letrat nga xhepi i puthte ato, i vendoste në ballë në shenjë nderimi dhe pastaj i vendoste përsëri në xhepin e vet.

Miqtë u bënë përsëri kuriozë për këtë tufë letrash dhe ai u shpjegoi se ç'ishte. "Kjo", tha ai "është e vetmja pasuri që zotëroj tani. Edhe pse i humba të gjitha pasuritë tokësore, këtu kam një kapital që askush s'mund të ma marrë. Këto letra janë dëshmitë e dhurimeve për Fondet Bahá'í dhe pëfitimi i këtyre kontributeve që kam bërë do të zgjasë përjetësisht."

* * *

Për shumë vjet, Besimi u ndalua në vendet që ndodheshin përtej asaj që njihet si Perdja e Hekurt. Në këto vende kishte Bahá'í që vuanin për Besimin e tyre por qëndruan të palëkundur në dashurinë e tyre për Kauzën. Atyre u ndalohej të takoni njëri-tjetrin dhe pas viteve të izolimit shumë prej tyre nuk e dinin ku jetonin Bahá'í-t e tjerë edhe pse ishin në të njëjtin vend.

Megjithatë institucionet Bahá'í në shtetet e tjera kishin adresat e disa prej këtyre Bahá'í-ve dhe kur ishte e mundur, dikush dërgohej për t'i vizituar këta persona të dashur dhe u jepte atyre lajme për Bahá'í-t në pjesën tjetër të botës.

Një herë tre Bahá'í shkuan për t'i vizituar bashkëbesimtarët e tyre në Çekosllovaki. Në mes të atyre që takuan ishte një zonjë e moshuar delikate, një e ve, që e kishin burgosur për tre vjet për shkak të besimit të saj. Tani ajo jetonte varfërisht në një dhomë të vogël që kishte vetëm një shtrat, një stufë të vogël gatimi dhe një garderobë me libra në të. Miqve të saj të dashur, që kishin ardhur nga një distancë aq të largët për ta takuar, zonja e vjetër u tha me trishtim, "Tashmë jam më shumë se 80 vjeçe; kam qenë këtu gjithë jetën time dhe shpejt do të vdes dhe s'do të ketë njeri ta vazhdojë punën." Miqtë e saj e vështruan njëri-tjetrin, duke e vrarë mendjen nëse mund t'i tregonin asaj për Bahá'í-t e rinj, që punonin në vendin e saj. Pastaj një prej tyre i tha asaj me dashuri: "Ji e gëzuar, sepse ka të tjerë këtu që vazhdojnë punën, por për mbrojtjen e secilit është e mirë që të mos ketë kontakt në mes jush."

Lotë gëzimi rrodhën nga fytyra e saj, ndërsa zonja e vjetër shkoi tek librat e veta dhe u kthye me njërin prej tyre. "Ky libër i çmuar," tha ajo, "u autografua prej Dorës së Kauzës, Martha Rut [Root] në 1933. Ju lutem t'ua jepni atë miqve me dashurinë time."

Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, ajo pastaj u besoi miqve të saj një sasi parash. "Pensioni im është mjaft i vogël, tha ajo me modesti, "por unë ia kam dalë të kursej disa para; ju lutem merrini ato për Fondin Bahá'í." Ajo kishte aq pak, megjithatë ajo dha aq shumë!

* * *

Franku, gruaja e tij dhe dy fëmijët e vegjël ishin pionierë në Islandë. Ata ishin atje për të ndjekur njërin prej pikësynimeve të Kanadasë gjatë Planit Nëntë Vjeçar.

Franku ishte me fat se gjeti punë në Islandë, por jeta nuk ishte e lehtë. Ai punonte dhjetë orë duke shpuar shkëmbin e fortë, për një pagesë mjaft të vogël. Më pas, ai punoi si saldator në një uzinë ndërtimi anijesh, por përsëri e kishte të vështirë të siguronte bukën e gojës. Kishte familje të tjera pionerësh nga Kanadaja në Islandë dhe të gjithë jetonin në vështirësi financiare. Ata ishin krenarë që ia dilnin mbanë, por kur i vinte rradha kontribimit për Fondet, ishte pak që mund të jepnin prej rrogave të tyre të vogla.

Një ditë Franku dëgjoi se kishte mundësi të mira për të fituar para shtesë nëse gjatë fundeve të javës ngarkonte peshk të ngrirë në një prej anijeve. Gjatë javës kishte ekuipazhe njerëzish që merreshin me këtë punë, por ata pinin shumë natën e së Premtes dhe nuk ishin në gjendje të punonin ditën tjetër, nëse kishte një anije që duhej ngarkuar. Pionerët tanë vendosën t'i bënin këto punë shtesë dhe ata qëndronin në port të gatshëm për punë sapo arrinte ndonjë anije në fund të javës.

Pasi harxhonte çdo ditë orë të gjata pune fizike, ju do të mendoni se Franku do të ishte i lumtur të pushonte pak në fundjave në vend që të ndihmonte për ngarkimin e mijëra tonëve peshk të ngrirë. Por ai tha se puna që bënte gjatë atyre dy ditëve, në fund të javës, i jepte atij më shumë kënaqësi se çdo gjë tjetër që bënte. Gjatë gjithë javës ai shpresonte për një anije, bile lutej për një anije, sepse paratë që fitonte gjatë fundit të javës ishin për një qëllim mjaft të veçantë. Ato që të gjitha shkonin për Fondin Bahá'í.

Edhe në Kanada, Franku punonte jashtë orarit për të dhënë për Fondet. Gjatë një dimri të ashpër, kur ai punonte si punëtor për hapjen e dëborës, ai iu lut Perëndisë të dërgonte sa më shumë dëborë që ai të kishte mundësinë të vazhdonte punën pas orëve të tij të rregullta dhe të jepte para për Besimin. Ra aq shumë dëborë atë vit, sa njerëzit u zemëruan prej saj. Gjithkush e mallkonte- kushdo përveç Frankut, që me gëzim vazhdonte punën orë pas ore dhe e jepte për Fondet çdo dollar shtesë që fitonte.

* * *

Brusi dhe gruaja e tij Helena, kishin pionerizuar në Guajanë për shumë vite. Një herë po vizitonin komunitetin Bahá'í në një prej zonave fshatare në kohën kur kishte mangësi të disa artikujve bazë ushqimorë anembanë vendit. Njerëzit duhet të kursenin mjaft për të qenë në gjendje ta ushqenin vetveten dhe sa më pak para që kishin, sigurisht, aq më e vështirë ishte t'ia dilje mbanë.

Pionerët u pritën nga një çift i ri Bahá'í që tregoi për ta një mikpritje të madhe. Përgjatë fundjavës, edhe pse ishin të varfër dhe nuk kishin mjaft ushqime në shtëpinë e tyre, këta njerëz zemërgjerë ndanë me zemërgjerësi gjithçka që kishin me njerëzit e tyre.

Brusi dhe Helena së shpejti do të shkonin për pushime në vendin e tyre, Britania e Madhe. Ata menduan t'u sillnin një dhuratë këtyre miqve të dashur, si simbol i mirënjohjes së tyre për mirësinë dhe mikpritjen që kishin treguar. Por Brusi kishte pak frikë se mos mikpritësit e tyre u kërkonin, siç kërkonin gjithmonë miqtë e tyre jo-Bahá'í gjëra shumë të shtrenjta. Po nëse miqtë u kërkonin atyre ndonjë makinë korrëse apo ndonjë makineri tjetër bujqësore që ata nuk mund ta blinin?

Brusi nuk kishte nevojë të shqetësohej. Mikpritësit e tyre edhe pse ishin të varfër në makineri tokësore, ishin të shkëputur nga gjërat materiale. Ata donin që Brusi dhe Helena t'u sillnin atyre disa fara lulesh për yllin me nëntë cepa në oborrin e tyre, sepse ata dëshironin ta zbukuronin e ta bënin shtëpinë e tyre modeste një Qendër Bahá'í. "Edhe një gjë tjetër," thanë ata "a mund të na sillni një fletushkë me Emrin më Të Madh për ta vendosur atë në mur?"

Në një Festë Nëntëmbëdhjetë Ditëve në Britaninë e Madhe, Helena foli për këtë çift Bahá'í-sh në Guajanë, rrëfimi për zemërgjerësinë e tyre dhe shkëputja e tyre të plotë u bëri mjaft përshtypje atyre që e dëgjuan këtë ngjarje. Kjo u dha atyre një vizion të ri për vlerat e vërteta të jetës dhe efekti u pa tek kontributet mjaft zemërgjera që u bënë për Fondin atë mbrëmje.

* * *

Gjatë Planit Dhjetë Vjeçar të Ruajtësit, shumë territore të reja u hapën për Besimin dhe pionerët dolën vullnetarë për ta çuar Mesazhin e Bahá'u'lláh-ut në disa prej vendeve më të vështira në botë. Shumë prej pionerëve ishin të rinj që kishin pak para kur shkonin në destinacion dhe ishin me fat nëse gjenin punë përpara se të shpenzohej kapitali i tyre i vogël.

Në mes të atyre që i braktisën shtëpitë dhe gjithçka që kishin për të marrë pjesë në Planin e Ruajtësit ishin një numër të rinjsh nga Irani që shkuan për t'u vendosur në vendet fqinjë. Në fillim gjithçka dukej të ishte kundër tyre. Ishte e vështirë të merreshin vizat dhe nuk gjendte punë në Z., në atë kohë, kishte vetëm një Asamble Shpirtërore Lokale. Kjo Asamble hartoi një plan nëpërmjet të cilit i ndihmonte pionerët për t'u vendosur atje. Ata i kërkonin çdo Bahá'í që kishte punë në Z., të ofronte rrogën e një dite në çdo muaj Bahá'í për një Fond nga i cili ndihmoheshin ata që nuk mund të gjenin punë.

Miqtë reaguan të gjithë me dëshirë dhe e zbatuan planin gjersa çdo pionier në vend u aftësua t'ia dilte mbanë.

* * *

Në pak prej vendeve të tjera aty pranë, një grup pionerësh të rinj që jetonin në një vend, kishin një kuti të Fondit ku secili vendoste paratë që nxirrte në një ditë. Çdo mëngjes, ata luteshin së bashku dhe shkonin për të gjetur punë. Ata ishin me fat, nëse një apo dy prej tyre mund të fitonin pak gjatë punës së krahut apo duke mbartur peshë në shpinë.

Në brëmje kur vinin në shtëpi, ata i vendosnin fitimet në kutinë e përbashkët. Nganjëherë kutia mbetej bosh dhe ata duhet ta shtynin pa ngrënë. Nganjëherë ata kishin para të mjaftueshme për të blerë pak bukë që ta ndanin. Nëse ishin me fat, ata mund të gatuanin gjellë.

Kjo nganjëherë vazhdonte me muaj, por pionerët këmbëngulën, gjersa shumë gradualisht, ata ishin në gjendje të gjenin punë të rregullt.

* * *

Në Arja-Shar [Áryá-Shahr] nuk kishte më shumë se dymbëdhjetë Bahá'í. Ata nuk ishin aspak të pasur, por kishin ide të mëdha për gjërat që mund të bënin për Besimin, nëse do të mund të kishin para.

Një ditë, kur miqtë u mblodhën së bashku për t'i diskutuar planet e tyre, njëri pyeti, "Sa para kemi?" "Dy mijë tuman, " u përgjigj arkëtari. "Çfarë mund të bëjmë me dy mijë tuman?" tha njëri me dëshpërim. "Unë e di se ç'mund të bëjmë" , tha një tjetër. "Ne mund të bëjmë një mbrëmje dhe të ftojmë të gjithë Bahá'í-t rreth e rrotull që të vijnë e të na ndihmojnë."

Ideja e tërhoqi gjithësecilin. Ata e bënë vetë gatimin për të kursyer para dhe ftuan këdo që u vinte në mendje nga komunitetet fqinje Bahá'í. Pas një darke madhështore, ata bënë një ankand Amerikan. Gjithkush merrte zemër, duke qeshur e duke u zbavitur gjer vonë në mbërmje. A e dini sa para mblodhën? Tetëdhjetë mijë tuman.

* * *

...vetëm pasuri të tilla që zotërohen prej besimtarësh, të vëna qoftë nga Bahá'í-t ose jo-Bahá'í-t, mund të shiten për interes të Tempullit ose të ndonjë institucioni tjetër Bahá'í, duke ruajtur kështu parimin e përgjithshëm se jobesimtarët nuk supozohet të kontribuojnë, qoftë drejtpërsedrejti ose tërthorazi, për të mbështetur institucione që janë të një karakteri thjesht Bahá'í.27

- Shoghi Effendi
* * *

Asambleja Shpirtërore Lokale e një qyteti të vogël në Kaledoninë e Re sapo ishte formuar dhe në fillim nuk funksiononte me shumë efektivitet. Një prej çështjeve për të cilën anëtarët nuk binin dakord ishte problemi se si t'i përdornin fondet. Miqtë ishin zemërgjerë dhe arkëtarja kishte mbledhur një sasi të madhe parash por në vend që t'i harxhonin ato në një mënyrë efektive, ato mbeteshin në kuti tek shtëpia e arkëtares.

Ndodhi që arketarja duhej të ikte nga shtëpia për disa ditë dhe ndërsa ajo nuk ishte, hajdutët hynë në shtëpi dhe e vetmja gjë që morën ishin Paratë e kutisë të Fondit Lokal, që nuk ishin përdorur.

* * *

Asambleja Shpirtërore Lokale e Barrigadës në Guam, nuk kishte shumë para në Fondin Lokal dhe nuk ishte e sigurt se ç'mund të bënte me to, kështu që vendosi t'i dërgonte paratë në Fondin Kombëtar.

Në Festën tjetër Nëntëmbëdhjetë Ditëve, një mësues udhëtues erdhi për ta vizituar komunitetin dhe shumë Bahá'í që nuk vinin rregullisht në takime u mblodhën për ta takuar atë. Atë ditë u mblodh për Fondin Lokal dhjetëfishi i sasisë që iu dërgua Asamblesë Kombëtare.

* * *

Bahá'í-t e Bolivisë po ndërtonin një numër shkollash të vogla për disa prej bashkatdhetarëve të tyre të varfër të cilët Qeveria i inkurajonte të zbrisnin nga malet e larta shterpë për t'u vendosur në pllajat e begatshme. Bahá'í-t bënë thirrje për ndihmesë financiare nga bashkëbesimtarët në pjesët e tjera të botës dhe patën një reagim zemërgjerë.

Bahá'í-t në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, vendosën të mblidhnin para të mjaftueshme për një shkollë dhe, meqë ishte periudhë agjërimi, Asambleja e tyre Shpirtërore Kombëtare sugjeroi që secili prej tyre të jepte paratë që do të shpenzonte për një drekë nëse nuk do të ishin në agjërim.

Një zonjë e vjetër e dashur, që e kishte kaluar moshën e agjërimit, ishte në mes të atyre që nuk drekoi gjatë Agjërimit të atij viti, ajo gjithashtu donte të ndihmonte dhe ajo i dhuroi paratë e drekës së saj.

Disa të rinj menduan për një tjetër mënyrë që kursente para për shkollën. Ata zgjoheshin herët në mëngjes dhe shkonin në këmbë në shkollat apo universitet e tyre, pa marrë parasysh nëse ishte ftohtë apo binte shi dhe se distanca mund të ishte e gjatë. Ato pak para që u kursyen nga biletat e autobuzit të përditshëm u dhuruan për Fondin e Shkollave.

Sasia që duhej për projektin u mblodh përpara se të mbaronte Agjërimi dhe në Bolivinë e largët u ngrit një shkollë në emër të Bahá'í-ve të Mbretërisë së Bashkuar.

* * *

Në Kigoma në Tanzani, Bahá'í-t kishin vendosur të festonin Festën e Naw-Rúzit pranë një liqeni në fshatin e Kibirizit për tre ditë dhe të ftonin Bahá'í nga fshatrat përreth.

Shumë muaj ata u përgatitën për këtë rast dhe bile ndërtuan një kasolle tjetër pranë Qendrës Bahá'í në Kibirizi për të strehuar dy apo treqind njerëz. Vendi ishte gati për t'i pritur miqtë e tyre në prag të Naw-Rúzit. Kasollet u zbukuruan me degë të gjelbra dhe lule të freskëta dhe ushqimi i mbrëmjes u përgatit. Bahá'í nga shtatë fshatrat rreth e rrotull erdhën në grupe - burra, gra dhe fëmijë. Grupi i fundit që arriti ishin njëmbëdhjetë të rritur të lodhur e të pluhurosur, që mbanin bagazhin në kokë dhe fëmijët në shpinë. Ata kishin ecur në këmbë për tre ditë që të arrinin atje. Dikush i pyeti, "A nuk ka autobusa që vijnë nga fshati juaj?" "Po ka", iu përgjigjën ata, "por nëse do të paguanim për autobusin, nuk do të kishim para për t'i dhënë për Fondet." Duke thënë këtë, ata me krenari nxorrën 440 shilingat që i kishin kursyer nga mosblerja e biletës së autobusit duke ia dhënë ato Asamblesë Shpirtërore Lokale të Kigomës, që sponsorizonte mbrëmjen e Naw-Rúzit.

* * *

Pasi e ndoqi besimin për më tepër se një vit, një pensionist i moshuar që jetonte me një pension të vogël në Australi vendosi të bëhej Bahá'í.

Gjatë gjithë jetës ai kishte pirë birrë gjatë drekës. Kur u bë Bahá'í, ai e kuptoi se nuk mund të pinte alkool dhe duhej të hiqte dorë nga birra gjatë drekës. Atëhere ai e llogariti se sa do t'i kushtonte atij birra për vitin e ardhshëm dhe ia dha të gjitha paratë Fondit.

* * *

Dr. M. ishte një mjek i ri që sapo kishte hapur një klinikë private, ai kishte vënë mënjanë një sasi të vogël kapitali nga i cili shpresonte t'i paguante shpenzimet e tij, gjersa ta siguronte jetesën me praktikën e vet mejkësore.

Për zhgënjimin e tij më të madh, klinika nuk i dha të ardhura në kohën që ai shpresonte dhe kapitali i tij po shpenzohej me shpejtësi. Muajt kalonin njëri pas tjetrit dhe situata nuk u përmirësua. Erdhi koha kur ai nuk kishte para të mjaftueshme të paguante shpenzimet edhe për një muaj. Vendosi të kërkonte një punë të përkohshme që do t'i jepte disa para gjersa t'i kthehej përsëri klinikës së tij.

Në të njëjtën kohë, ai mësoi se Asambleja Shpirtërore Lokale e qytetit të tij kishte nevojë ekstreme për fonde. Dr. M. mendoi me vete, "me paratë që kam unë mund ta shtyj një muaj, në fund të këtij muaji unë do të mbetem pa gjë, kështu, paratë, nuk më duhen dhe aq. Por ato mund t'i duhen Asamblesë Lokale; unë mund t'ia jap ato fondit." Ai nënshkroi një çek për Asamblenë dhe e dërgoi.

Me ato pak që i mbetën në xhep Dr. M. shkoi në një restorant për të pirë një kafe. Atje ai takoi një koleg i cili i tha: "Vras mendjen nëse mund të më ndihmosh. Kam një punë të mirë në spital, por duhet të shkoj për një kurs kualifikimi pasuniversitar. Doktori përgjegjës i spitalit, megjithatë, refuzon të më lerë nëse nuk gjej dikë që të më zëvendësojë. A do të jesh në gjendje të punosh në spital tre ditë në javë?"

Ditën tjetër, Dr. M. nënshkroi një kontratë për një vit që i siguronte atij tre ditë pune në javë dhe e aftësonte të vazhdonte me klinikën e vet gjatë pjesës tjetër të kohës.

* * *

Një çift i porsamartuar Bahá'í në Suedi u pa se nuk kishte naza martese. "Çfarë ndodhi me unazat tuaja?" e pyeti një mik me çudi.

Ç'mendon se ndodhi? Çifti dëshironte të jepte një dhurim për fondet dhe ata s'kishin gjë tjetër përveç unazave.

* * *

Një Bahá'í Afrikan që jetonte në një fshat kishte shtëpinë modeste dhe një copë të vogël toke e cila i jepte ushqim, por ai shpesh nuk kishte para.

Ai mund të jepte për Fondin Bahá'í aq pak sa vriste mendjen nëse kjo ishte e dobishme. Pastaj e mendoi me vete, kontributi im është si një pikë, por nëse unë vendos një pikë me pikat e tjera ajo do të përzihet në oqeanin e Bahá'u'lláh-ut!" Kështu ai e dha pjesën e tij të vogël për Fondin.

* * *

Njëra prej Bahá'í-ve të Karolinës Jugore kishte vënë mënjanë një prej klloçkave të saj për Besimin. Paratë që merrte nga shitja e vezëve shkonin për Fondet. Sapo klloçka i ndërpriste vezët, ajo e shiste atë, i jepte paratë për Fondet dhe kërkonte një tjetër për Besimin.

* * *

Disa prej Bahá'í-ve në Bombei që kanë restorante dhurojnë nga fitimi që nxerrin gjatë një apo dy orëve të biznesit të përditshëm për Besimin. Të tjerët japin paratë që nxjerrin nga shitja e të gjitha kanaçeve dhe shisheve të boshatisura, që janë një sasi mjaft e madhe.

* * *

Toni dhe Maria janë një çift Bahá'í që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Toni është zezak dhe Maria e bardhë. Ata pothuajse e përfunduan ndërtimin e një shtëpie për vete disa vjet më parë, por ajo u shkatërrua nga një zjarrvënës për shkak të paragjykimit racial. Çifti i kishte vendosur plaçkat e veta në një garazh të ri, por gjithashtu edhe ai përfundoi në zjarr, kështu që ata humbën gjithçka që kishin brenda disa orëve. Kjo ngjarje i la ata krejt të trullosur, veçanërisht sepse nuk ishte e qartë se kompania e sigurimeve do të ishte e gatshme të paguante për të gjithë humbjen e tyre.

Në atë kohë po mbahej një konferencë Bahá'í në qytetin pranë dhe çifti vendosi të shkonte atje. Kur u diskutuan fondet dhe Bahá'í-t u inkurajuan të jepnin kontribute, Toni dhe Maria panë nga njëri-tjetri duke vrarë mendjen nëse mund të zotoheshin për diçka. Pastaj, për herë të parë në jetë të tyre, ata vendosën të bënin diçka për besimin e tyre pa menduar për pasojat. Ata u zotuan të jepnin dy mijë dollarë nga të ardhurat e sigurimeve për Fondin dhe e lanë të ardhmen e tyre në duart e Bahá'u'lláh-ut. Toni dhe Maria u kthyen nga konferenca të ngritur lart shpirtërisht dhe të rilindur nga ai takim, duke qenë në pozitë më të mirë për ta kuptuar tërësisht atë që u ndodhi atyre.

Disa ditë më pas, Toni u rikthye në punë. Shokët e punës që dëgjuan për fatkeqësinë e tij i kishin bërë një dhuratë. Të gjithë ishin mbledhur në një vend për të shprehur solidaritet me Tonin dhe dorëzuan atij një zarf. Toni i falenderoi miqtë dhe u tregoi se si mund të ndihmonin për ta ndaluar paragjykimin.

Kur mbeti vetëm Toni hapi zarfat. Ai zor se mund të besonte kur pa - një dhuratë prej dy mijë dollarësh gjer në qindarkën e fundit!

Për Tonin dhe Marien kjo ishte një mrekulli dhe një konfirmimi vërtetë i Besimit të tyre.

* * *

Në Tokën e Shenjtë jetonte një Bahá'í që ishte mjaft i varfër dhe nuk dinte si t'ia bënte. Një ditë, kur ai po vizitonte 'Abdu'l-Bahá-in, i tregoi Mjeshtrit për gjendjen e tij të vështirë dhe e pyeti se ç'duhej të bënte. 'Abdu'l-Bahá-i i tha atij të kontribuonte me diçka për Fondet.

Njeriu u largua zemërthyer. "Unë nuk kam para", mendoi me vete, "kurse Mjeshtri më thotë të jap për Fondet. Ndoshta unë nuk u sqarova mirë me Të?"

Kaloi një muaj dhe i varfri u bë më keq se më parë. Nuk mund të gjente punë dhe u harxhuan qindarkat e tij të fundit. Përsëri shkoi tek 'Abdu'l-Bahá-i, "Mjeshtër i dashur" tha ai, "unë jam krejtësisht i varfër dhe pa gjërat më thelbësore të jetesës, kështu nuk mund ta shtyj më gjatë. Çfarë duhet të bëj?" "Unë tashmë ta kam treguar", ishte përgjigja e 'Abdu'l-Bahá-it.

Njeriu shkoi në shtëpi mjaft i pikëlluar. Ai qau dhe u lut me zë, duke i bërë thirrje mëshirës hyjnore. 'Abdu'l-Bahá-i i tha atij të jepte për Fondet dhe ai nuk kishte asgjë për të dhënë. Vështroi përreth dhomës së vet. I kishin mbetur ende disa gjëra. I çoi ato në treg, i shiti dhe i dha paratë për Fondet.

Kur u kthye, gjeti dy njerëz që e prisnin tek dera. "Ne të kemi kërkuar gjatë muajit të shkuar," i thanë, "dhe sot më në fund e gjetëm se ku jeton. Dikush e përmendi emrin tënd se na duhet një njeri i ndershëm që të punojë për ne. Kemi një punë mjaft të mirë për të ta ofruar."

"Perëndia më faltë ", mendoi njeriu me vete, "unë duhej ta kisha dëgjuar 'Abdu'l-Bahá-in një muaj më parë."

* * *

Një e re Bahá'í Kineze në Tajlandë po kursente para për të vendosur tela në dhëmbët e saj. Kjo do t'i kushtonte asaj 700 baht.* Ajo ishte studente mjeksie dhe mund të kursente pak, por u përpoq me sa mundi, dhe kur i numëroi paratë një ditë pa se mund të shkonte tek dentisti dhe se kishte 820 baht. Ajo menjëherë vendosi të jepte 100 Bahá prej tyre për fondet, duke e ditur shumë mirë se 20 Bahá zor se i mjaftonin për ushqimin e një dite.

Me të bërë këtë vendim, ajo shkoi për vizitë tek dentisti i saj. U duk se ai, gjithashtu, kishte marrë vendim. Ai i tha se i kërkonte vetëm 300 Bahá për telat e saj!

* * *

Një Bahá'í tha një herë: "Sa herë që bëj sakrificë të veçantë për kontributin në Fonde, Perëndia menjëherë ma shpërblen me më shumë nga ç'dhashë. Kjo ka ndodhur kaq shumë herë sa më ka vënë në pozitë të vështirë dhe Ai përdor metodat më të habitshme për të m'i dhënë paratë.

"Një herë kisha kursyer për shumë muaj që të blija një makinë qepse për vete, kur lexova se Fondi Kombëtar ishte defiçitar dhe nevojiteshin urgjentisht dhurata. Vendosa t'i jap kursimet e mia, duke e ditur se nuk do të isha në gjendje të kisha makinë qepse për një kohë të gjatë.

"Dy ditë më pas, mora një letër nga zyra e taksave. Atje thuhej se kisha pasur mbitaksë disa vjet më parë, kur merrja rrogë të mirë dhe m'u kthyen paratë shtesë.

"Tani, ju pyes, a ka dëgjuar ndokush që njerëzit e taksave t'ua kthejnë paratë e marra të tjerëve?

"Siç e thashë, nganjëherë vihem në pozitë të vështirë, kur duhet të jap për Fondet duke e ditur se Perëndia do të ma shpërblejë në një mënyrë apo tjetër. Si mund ta bind unë Atë se nuk pres asgjë si shpërblim?"

* * *

Katerina buzëqesh me vete ndërsa kujton një ngjarje që i ndodhi kur jepte Fondet dhe mësimi që nxori prej saj.

Një ditë, kur ishte mjaft e re dhe merrte pagesë modeste, ajo vendosi se kishte besim tek Perëndia për të dhënë pagesën mujore për Fondin dhe i besonte Atij që t'ia plotësonte nevojat. Ajo pagoi vetëm qiranë për dhomën në të cilën jetonte dhe e dha pjesën tjetër të parave me të cilën paguheshin shpenzimet e tjera gjatë muajit. Ajo ndihej mjaft e kënaqur në vetvete për një sakrificë të tillë aq të madhe dhe për besimin e fuqishëm tek Perëndia.

Por Katerina kishte ushqim të mjaftueshëm dhe priste që t'i vinte një çek nëpërmjet postës.

Ditët shkonin por çeku nuk arriti. Ajo nuk kishte probleme të mëdha me ushqimin, por duhej të shkonte në këmbë në punë, pasi nuk mund ta përballonte transportin publik. Nëse nuk i arrinte çeku, shpejt ajo do të vihej në pozitë mjaft të vështirë. Një mëngjes arriti një zarf dhe Katerina e hapi e lehtësuar. "Është çeku", mendoi ajo. Në të vërtetë ishte çek, por jo ai që ajo shpresonte. Ky çek kishte vetëm 25 cent. 25 cent për t'ia dalë mbanë gjatë muajit!

Ajo qeshi me vete, papritur e kuptoi se, edhe pse besonte se po bënte një sakrificë dhe e kishte vendosur të gjithë besimin tek Perëndia, në fakt, ajo kishte besuar tek ushqimi që kishte mbajtur dhe tek paratë që priste të merrte.

Katerina ishte një prej atyre personave fatlumë sytë e të cilëve hapen kur Perëndia u jep një mësim.

Çeku i pritur arriti shpejt pas të parit.
* * *

Një Bahá'í i njërit prej fshatrave në Iran kishte kontribuar me një sasi parash për Fondet gjatë gjithë jetës. Kur vdiq, një prej bijve të tij që nuk ishte Bahá'í, i mori të gjitha dëftesat dhe shkoi me një bandë të zhurmshme njerëzish në shtëpinë e një Bahá'í të mirënjohur të fshatit. "Ju Bahá'í-t i keni marrë këto para," thirrën ata, "dhe ne erdhëm që t'i marrim." Meqë personi nuk u dha atyre para, ata e rrahën kaq keq sa ai duhej të çohej në spital dhe të mbahej atje për një farë kohe.

Banda pastaj shkoi në shtëpinë e një Bahá'í tjetër, që ishte arkëtari i Asamblesë në fshatin pranë. Ky Bahá'í ua dha paratë që kërkuan nga xhepi i vet dhe ua mori të gjitha dëftesat që të mos shkonin dhe të bezdisnin Bahá'í të tjerë.

* * *

Ai dëshiron që unë të theksoj përsëri se në asnjë rrethanë besimtarët nuk duhet të pranojnë ndonjë ndihmë financiare nga jo-Bahá'í për ta përdorur lidhur me veprimtari specifike administrative të Besimit, si fondi i ndërtimit të Tempullit dhe fonde të tjera administrative lokale ose kombëtare Bahá'í. Arsyeja është e dyfishtë: Së pari, sepse institucionet që po ndërtojnë gradualisht Bahá'í-t janë në natyrën e dhuratave të Bahá'u'lláh-ut për Botën; dhe, së dyti, pranimi i fondeve nga jobesimtarë për përdorime specifike Bahá'í, shpejt apo vonë do t'i implikojë Bahá'í-t në ndërlikime e vështirësi të paparashikuara me të tjerë, duke i shkaktuar kështu një dëm të pallogaritshëm trupit të Kauzës.28

Nga një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi-ut

* * *

Gjatë gjithë jetës së saj, Anita Munsen shqetësohej gjithmonë për të tjerët. Ajo ishte person vetëmohues gëzimi i të cilës ishte t'u sillte lumturi të tjerëve dhe gjatë ditëve interkalendarike çdo fëmijë i komunitetit merrte një dhuratë të përgatitur nga dora e saj.

Nga fundi i jetës së saj, ajo nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në takime, por kurrë nuk linte pa dërguar kontributin për Fondin, çdo muaj me postë. Me qëllim që ta ndihmonte atë, Asambleja Shpirtërore Lokale vendosi t'i jepte asaj zarfa me pullë dhe adresë. Anita shkroi duke falenderuar Asamblenë për zarfat por shtoi, "Ju lutem mos vendosni pullë mbi zarfa, Fondi ka nevojë për ato para."

* * *

Kamrani [Kámrán] ishte vetëm trembëdhjetë vjeçar kur tregoi shenjat e një biznesmeni të mirë. Ndërsa fëmijët e tjerë të moshës së tij i shpenzonin paratë me lodra, çokollata dhe akullore, Kamrani me zell kurseu çdo qindarkë që kishte. Bile ai nuk i mbante paratë në shtëpi, por duke ditur se mund të fitonte interesin prej tyre i vendosi paratë në bankë.

Kur Kamrani mbushi pesëmbëdhjetë vjeç, prindërit e tij ia kthyen paratë e vendosura në bankë në emër të tij gjatë secilës ditëlindje. Shuma e mbledhur ishte e madhe dhe Kamrani shpesh bisedonte me prindërit se ç'do të bënte me këto para më pas në jetë. Ndërkohë ai kishte dëgjuar për llogaritë e ndryshme që mund të hape në bankë dhe u sigurua që të nxirrte fitimin maksimal nga paratë e tij. Nganjëherë ai e nxirrte kapitalin nga banka dhe e vendoste në një bankë tjetër duke u shpjeguar prindërve se banka e dytë paguante interes më të mirë.

Një ditë Kamrani bëri një deklaratë habitëse. "Unë e vendosa, " tha ai, " t'i nxjerrim paratë nga banka dhe t'i vendos tek Fondi Bahá'í." Prindërit e tij e panë njëri-tjetrin me mosbesim. Kamrani shpjegoi: "Kam menduar shumë për këtë. Nëse i lë paratë në bankë, interesi që marr është disa para më tepër, por nëse i jap ato për Fondin do të përdoren siç duhet. Do t'i shërbejnë Bahá'u'lláh-ut dhe do të përfitojnë të gjithë. Kjo është një bankë që jep interes më të mirë se sa të gjitha të tjerat.

* * *

Julia ishte dhjetë vjeçare kur shkoi të pionerizonte në ishullin e Shën Antonit me Bábain e saj, pas vdekjes së nënës. Përpara se të ndahej nga qyteti i lindjes në Amerikë, Bahá'í-t i dhanë asaj një dhuratë ndarjeje. Ishin dy libra koleksioni pullash, të dy një lloj.

Julia kurrë nuk ishte interesuar për pulla, por ajo i mori librat në valixhe bashkë me pajisjet e saj dhe ata u nisën për në Shën Anton.

Ishulli i vogël u bë shtëpia e saj e re dhe disa javë më vonë hapi valixhen e saj. Gjithçka në të dukej më e çmuar se sa në Amerikë. Në mes të tyre ishin dy librat e pullave. Ajo hapi njërin prej tyre dhe lexoi:

"Për Julian. Këto pulla, veçanërisht ato të atdheut tënd të ri, një ditë do të jenë shumë të vlefshme. Dhe përse janë dy libra pullash e dashur Julia? Një për ju dhe një për Bahá'u'lláh-un. (Po, sigurisht për Fondin!)"

"Unë mund të shërbej për Fondin duke mbledhur pulla!" mendoi Julia. Pullat u bënë papritur interesante kurse ajo vrapoi tek dyqani ku kishte parë disa shumë të bukura.

* * *

Dipu është një djalë i vogël që jeton në Indi. Bábai i tij është arkëtari i njërit prej Këshillave Bahá'í të Shtetit të atij vendi. Kur Këshilli vendosi se ata duhej ta mbështetnin vetveten financiarisht në atë Shtet, Dipu shpesh i dëgjoi prindërit ta diskutonin këtë çështje me miqtë Bahá'í. Ai filloi ta kuptonte se çdo Bahá'í duhej të dhuronte sa të mundte për Fondet, kështu që kur nëna e pyeti një ditë, "Sa mund të dhurosh Dipu?", ai ishte i gatshëm për t'iu përgjigjur, "25 rupi çdo muaj." Nëna nuk e mori atë seriozisht. Ajo tha, "Duhet të mendohesh me kujdes përpara se të vendosësh. Ti merr 30 rupi në muaj për t'i shpenzuar, që do të thotë një rupi në ditë. Nëse i dhuron Fondit 25 rupi ti do të mbetesh vetëm me 5 rupi për gjithë muajin. Dipu tha se do t'ia dilte mbanë me 5 rupi. Nëna përsëri kishte dyshime. "Ti duhet ta kuptosh", i tha ajo, "se unë nuk do të jap më shumë se 5 rupi në muaj e gjithë pjesa tjetër e parave tua do të jepen për Fondet." Dipu e siguroi se ai e kuptonte këtë.

Tashmë kaluan tetë muaj dhe Dipu e mbajti besnikërisht fjalën e tij. Kontributi i tij zemërgjerë i kaloi Fondit çdo muaj.

* * *

Jeslin po dëgjonte lutjet Bahá'í që vinin nga radioja, ndërsa nëna e saj po përgatiste mëngjesin. Ajo e donte këtë program devocional që e dëgjonte çdo mëngjes dhe lexuesja e lutjeve ishte mësuesja e saj e dashur e shkollës. Por sot, pasi lutjet mbaruan, ajo dëgjoi diçka që e tronditi. Mësuesja tha se ata mund t'i ndërprisnin lutjet e mëngjesit, sepse ata nuk mund ta përballonin koston e programit.

Jeslin mendoi për dollarin që kishte në xhep. Ai paguhej për drekën e saj - një simite e shijshme dhe pak lëng frutash. Ajo shpejt e vendosi. Sot duhet ta jap këtë dollar për Fondin. Ajo do të ndihmonte pagimin e radios Bahá'í.

* * *

Disa fëmijë dhjetë e njëmbëdhjetë vjeçarë në një shkollë Bahá'í në Iran i thanë mësueses së tyre se edhe ata dëshironin të kontribuonin për Fondet, por nuk kishin para të vetat. Ajo u sugjeroi disa mënyra për të kursyer qindarkat. Nëse, për shembull, ata vinin në klasë nga larg, mund të zgjoheshin herët e të vinin në këmbë në vend që të vinin me autobus. Nëse disa prej tyre kishin bursë për shkollë, ata mund të kursenin për lapsa dhe letra, duke i dhënë paratë për Fondet.

Shumë prej këtyre fëmijëve ishin mjaft të varfër, por ata të gjithë bënë përpjekje për të kursyer pak para për Besimin. Një prej tyre ishte aq i varfër sa këpucët e tij të pambukta kishin vrima nga të cilat dilnin gishtërinjtë e tij të mëdhenj. Për ta shmangur këtë, ai e vishte këpucën e majtë në të djathtën dhe të djathtën në të majtën. Megjithatë ky djalë ishte një prej atyre që kishte zakon të jepte dhurata të vogla për Fondin herë pas here.

* * *

Në një Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, gjatë mbrëmjes, u dhanë sugjerime të ndryshme për të mbledhur para për Fondet. Një zotëri theksoi se fëmijët Bahá'í duhet të inkurajoheshin gjithashtu të dhuronin diçka për Fondet. Ai tha, "Kur një fëmijë dëshiron të harxhojë para për akullore, për shembull, kushdo mund t'iu tërheqë vëmendjen që ato të vendosen në kutinë e Fondit."

Një vajzë e vogël katër vjeçare e emocionuar ngriti dorën dhe kërkoi lejen për të folur, duke iu kthyer zotërisë tha, "Sugjerimi juaj është i gabuar! A nuk e di se akullorja do të shkrinte në kuti?"

* * *

Shumë vjet më parë, ndodhi diçka e mrekullueshmë në një komunitet Bahá'í të Afrikës që përbëhej prej njerëzish mjaft të varfër.

Këta Bahá'í dëshironin të shpallnin Besimin në qytetin e tyre por nuk kishin para. Atëhere, në njërën prej Festave të tyre Nëntëmbëdhjetë Ditëve, dikush u shpjegoi natyrën shpirtërore të dhurimit dhe se si pjesëmarrja universale e miqve në dhuratat për Fondet mund të jepte rezultate të mrekullueshme. U përmend se Ruajtësi na ka thënë, se nëse ne ngrihemi për të shërbyer me unitet Grupimi Suprem do të na vijë në ndihmë dhe ne do të habitemi me bekimet dhe konfirmimet që do të marrim. Gjithashtu u tha se aq e madhe është fuqia shpirtërore që krijohet nga Bahá'í-t kur secili prej tyre merr pjesë në dhënie për Fondet, sa është më mirë të mblidhen 100 dollarë nga të gjithë anëtarët e komunitetit, se sa një mijë dollarë nga vetëm dy apo tre njerëz.

Bahá'í-t e atij qyteti kurrë nuk kishin marrë pjesë në kontribimet për Fondin, por pasi u dëgjuan për bujaritë shpirtërore që rezultojnë nga dhënia në unitet, ata vendosën ta provonin këtë. Atë mbrëmje çdo anëtar i komunitetit, bile edhe fëmijët, vendosën diçka në kutinë e tyre të Fondit.

Arkëtari, një njeri që nuk besonte sa duhej, nuk impresionohej nga 100 dollarë të përbashkëta që kishin më shumë vlerë se 1000 dollarë dhe tani, duke numëruar paratë në kuti, tha me një shenjë cinizmi: "Kushdo në komunitetin tonë ka kontribuar për shpalljen dhe ne kemi mbledhur figurën madhështore të tre dollarëve e dhjetë centëve!" Pastaj shtoi, "Dhe nuk mendoj se do të nxjerrim ndonjë lloj shpalljeje me tre dollarë e dhjetë cent."

Një djalë i ri dymbëdhjetë apo trembëdhjetë vjeçar u ngrit e i tha, " Ti je vetëm thesarmbajtës, ata janë Grupimi Suprem dhe nëse thonë se do ta shpallin për tre dollarë e dhjetë cent, ne do t'ia dalim mbanë!"

Komuniteti u konsultua se ç'do të bënin me tre dollarë e dhjetë cent e vendosën të blinin një libër për biblotekën e tyre. Sekretarja, që nuk e kishte lexuar këtë libër, e mori me vete që ta lexonte në autobus gjatë kohës që shkonte për në shtëpi. Në një prej stacioneve të autobusit u ngjit një burrë që pikonte shi dhe vështroi përreth për t'u ulur. Kishte mbetur vetëm një - vendi përkrah sekretares.

Ndërsa u ul, sekretarja lëvizi e ndrojtur në vendin e saj, e trembur se mos pikat e ujit i binin mbi libër. Pastaj ajo u thellua përsëri në lexim. Burri që qëndronte përkrah saj e vështronte librin me bisht të syrit. Pastaj e pyeti, "Çfarë po lexoni?" Sekretares nuk i pëlqeu që e ndërprenë. "Po lexoj një libër", tha ajo. Burri nuk ndaloi dhe e pyeti, "Duket interesant. Mund të të pyes se çfarë libri është?" "Nëse do ta dish, po lexoj një libër Bahá'í", i përgjigj ajo pa durim. "Ti patjetër duhet të kesh dëgjuar për Besimin Bahá'í?" "Jo nuk kam dëgjuar", u përgjigj ai, "por dëshiroj të dëgjoj për këtë." Papritur sekretarja e kuptoi se sa e pasjellshme kishte qenë dhe menjëherë e ndryshoi sjelljen e saj. Ajo i tregoi atij për Besimin Bahá'í për komunitetin e tyre të vogël dhe se sa të dëshiruar ishin t'u tregonin njerëzve të qytetit për Mesazhin e mrekullueshëm të Bahá'u'lláh-ut, por nuk mund ta përballonin këtë monetarisht. Ai e dëgjoi këtë me interes të madh, pastaj i tha se ishte botues i një gazete. Gruaja e tij, që zakonisht vinte ta merrte me makinën e tyre pasi mbaronte punën, e kishte telefonuar duke i thënë se një prej fëmijëve ishte sëmurë dhe duhej të shkonte ta merrte; kështu, për herë të parë në gjashtë apo shtatë vjet ai po shkonte për herë të parë në shtëpi me autobus. Dhe kështu rastisi që të ulej përkrah saj.

Ai e pyeti nëse mund ta huazonte librin dhe ta merrte në shtëpi për ta lexuar. Ajo tha se kishte mundësi dhe kur ai e ktheu librin, ajo e prezantoi atë me komunitetin Bahá'í. Atij i bëri shumë përshtypje leximi dhe u prek nga sinqeriteti i Bahá'í-ve kështu që vendosi t'i ndihmonte. Dhe ja se ç'bëri:

Dërgoi një reporter e fotograf për t'u takuar me Asamblenë Shpirtërore Lokale, si rezultat i së cilës u botuan në gazetë dy artikuj për Besimin të titulluar Feja e Re në qytet. Pas kësaj ai shkroi një seri prej 13 artikujsh për Kauzën, artikulli i fundit i së ciles titullohej Bahá'u'lláh-u - Zoti i Vreshtit dhe Bariu i të gjithë Njerëzimit.

Ai ua dha Bahá'í-ve auditorin e gazetës, një holl të madh në katin e dytë, në të cilin u mbajt një miting shpalljeje. Ai dërgoi një reporter dhe fotograf për ta mbuluar të gjithë programin që ishte një sukses i madh.

Gjithashtu ai e rregulloi që Bahá'í-t të kishin dy programe radioje dhe dy shfaqje televizive. Nëse komuniteti Bahá'í i atij qyteti do të paguante për të gjithë shpalljet që u bënë prej njeriut në autobus, atyre u duhej të paguanin 15 mijë dollarë. Ky bekim u erdhi atyre për shkak se ata të gjtihë të bashkuar kontribuan me tre dollarë dhe dhjetë cent, që i mblodhën për Fondin.

* * *
Një Letër Nga Një Mik që e Njihni
Miq të dashur,

Që nga kohë që nuk mbahen mend, i kam ndihmuar shërbëtorët e Bahá'u'lláh-ut anembanë botës. E kam mbështetur punën në Qendrën Botëror të Besimit të Bahá'u'lláh-ut. Kam ndihmuar për vazhdimësinë e punës së institucioneve të tjera Bahá'í anembanë botës, të Duarve të Kauzës, të Bordit Kontinental të Këshilltarëve, të Asambleve Shpirtërore Kombëtare, të anëtarëve të Trupit Ndihmës, të Asambleve Shpirtërore Lokale dhe të asistentëve.

Unë kam ndërtuar shkolla Bahá'í, tempuj dhe qendra, dhe kam mbështetur mësuesit definitivë Bahá'í dhe projektet mësimore Bahá'í. Kam dërguar mësues udhëtarë Bahá'í në Lindje të botës dhe në Perëndim të saj. Kam sponsorizuar konferenca dhe konventa të mëdha lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare Bahá'í. Jam unë që kujdesem për përfaqësuesit Bahá'í në Kombet e Bashkuara dhe të përfaqësuesit në organizatat e tjera jo qeveritare. Që nga fillimi, kam punuar natë e ditë.

Miq, i kam qëndruar sprovës së shumë gjeneratave. U kam dhënë milionave që përpiqen për kuptimin dhe thelbin e ekzistencës së tyre. Kam mirëpritur miliona burra e gra nga të gjitha shtresat e jetës që kërkojnë prehje nga rraskapitja e kërkimit dhe e pasigurisë, duke kërkuar paqe, siguri dhe arsye për të jetuar... Miq, që të vazhdoj t'u shërbej më së miri, ju duhet të më ushqeni gjithnjë që të mund të jem i shëndetshëm t'u shërbej gjithmonë. Miq, unë kam nevojë për ju ashtu siç ju keni nevojë për mua.

Miku juaj,
Fondi Bahá'í *
Kontribuesit
Amatu'l-Bahá Rú(íyyih Khánum
Abbas, Christine
Afshin, Borhan
Amreliwala, Qulám-(usayn
Ani, Daoud
'Azízí, Rú(íyyih
Bainbridge, Agatha
Bidardel, Ghodratollah
Blake, Lisa
Campbell, Forbes
Deloomy, Rose
Esfahani, Ehsan
Farhangi, Rahmat
Ferguson, Karin
Furudi, Ardeshir Sarosh
Furútan, 'Ali-Akbar
Garcia, Gina
Garcia, Russ
Golden, Nell
Golmohammadi, Feridoun
Golmohammadi, Rohanieh
Graves, Anita
Guatemala, National Spiritual
Assembly of
Hancock, Max
Howe, Thomas
Javanmardi, Gulrukh
Jindal, Dolly
Kavelin, H. Borah
Kavelin, Flore
Khorsandian, Khorsand
Khianra, Dipchand
Kirmani, Salisa
Listmayer Chan, Janet
Ma'ani, Baharieh
Marks, Evelyn
Mavaddat, Farshid
McGilligan, Janak
McKinley, Hugh
Mi(bá(, 'Abdu'lláh
Mohajer, Barazandeh
Mojarradi, Shahla
Mojarradi, Shahrzad
Motlagh, Ahmad
Mortal, Paul
Munje, Harilal
Nakhjavání, 'Alí
Nakhjavání, Violette
Nelson, Dorothy
Nicke, Ursula
Nooreyazdan, Ruhi
Nooreyazdan, Sheriar
O'Toole, Brian
Rouhani, Varqa
Sabet-Sharghi, Minu
Saunders, Bruce
Schmelzle, Gertie
Sorabjee, Zena
Taylor, Brian
Thakre, Janbarao
Tulsi, Shahnaz
Vincent, Sarah
Waite, Sherman
Yigánigí, Surúsh
Yousifpour, Reza
Yousifpour, Roohangiz
Zabih, Muhtaram
Zucker, Siew Lian
* * *

1 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve i Sthëpisë Universale të Drejtësisë, Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë, Tiranë 1998, nr. 1212

* Fjalë për fjalë: Vendagimi i Lavdërimit të Perëndisë

2 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1228

3 Selections from the Writings of 'Abdu'l-Bahá [Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e 'Abdu'l-Bahá], Qendër Botërore Bahá'í, Haifa, 1982, nr. 62

* Një ana ishte njësia e monedhës në Indi. Gjashtë anas bënin një rubi dhe dhjetë rubi ishte e barabartë me një dollar Amerikan. Ana nuk përdoret më sot.

4 Bahá'í Journal [Gazeta Bahá'í], Mbrëteria e Bashkuar, Shtator 1991, f.13

5 Bahá'í Journal [Gazeta Bahá'í], Shtator 1991, f. 13

* Një funt ishte njësia bazë monetare e Izraelit gjer në 1980.

6 Star of the West [Ylli i Perëndimit], vëll. I, nr. 4, f. 14

7 Star of the West [Ylli i Perëndimit], vëll. VII, nr. 7, f. 61

8 Star of the West [Ylli i Perëndimit], vëll. VII, nr. 7, f. 57

9 The Promulgation of Universal Peace [Shpallja e Paqes Universale], bot. i dytë, Bahá'í Publishing Trust, Wilmette, 1982, f. 65

* Kushërinj të Báb-it

10 Selections from the Writings of 'Abdu'l-Bahá [Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e 'Abdu'l-Bahá], nr. 60

* Rreth 20.000 dollarë Amerikanë
* 100 paise bëjnë një rupi.

11 Bahá'í News [Lajme Bahá'í], nr. 64 (korrik 1932), f. 4

12 Bahá'í Administration [Administrimi Bahá'í], Bahá'í Publishing Trust, Wilmette, 1980, f. 154

* Rreth shtatë tumanë bënin një dollar Amerikan.
13 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1219
14 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1240
15 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1239

* Një bankë për kursimet e fëmijëve e zotëruar prej Bahá'í-ve të Iranit

16 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1238

17 Huqúqu'lláh e Drejta e Perëndisë, Tiranë, 1995, nr. 9, f. 15

* Ligji i Hukukullah-ut

18 Huqúqu'lláh e Drejta e Perëndisë, nr. 10, f. 15

19 Huqúqu'lláh e Drejta e Perëndisë, nr. 22, f. 19

20 Huqúqu'lláh e Drejta e Perëndisë, nr. 18, f. 17

21 Huqúqu'lláh e Drejta e Perëndisë, nr. 27, f. 21

22 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1235
23 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1233
24 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1232
* Fondi Kombëtar
25 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1231
26 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1229
27 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1257
* Rreth 25 Bahá bëjnë një dollar Amerikan.
28 Fondet dhe Kontributet Bahá'í, nr. 1259

* Rishtypur në Bahá'í News [Lajme Bahá'í] e Zelandës së Re, Nëntor, 1986

---------------

------------------------------------------------------------

---------------

------------------------------------------------------------

34
33
1

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :