Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Të ndryshme

Lakshman-Lepain, Refo Çapari
Letër e hapur drejtuar popullit shqiptar (15 gusht 1993)
Tregime rreth 'Abdu'l-Bahá-it
Tregime rreth fondeve Bahá'í
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Të ndryshme : Letër e hapur drejtuar popullit shqiptar (15 gusht 1993)

Të dashur miq e vëllezër shqiptarë! Tre vjet kanë kaluar që kur vendi ynë doli nga izolimi për t’u bashkuar me gjithë kombet e tjera, duke përjetuar ndryshime të mëdha. Entusiazmi ynë fillestar nga liritë e rigjetura është kalitur tani nga vetëdija se rruga para nesh është e gjatë dhe plot pengesa e vështirësi, të cilat nuk duhet t’i lejojmë të na lëkundin besimin në aftësitë tona si njerëz që e vendosin vetë fatin e tyre, duke zgjedhur drejt rrugën e zhvillimit tonë. Si popull inteligjent dhe i edukuar, ne jemi në gjendje të vlerësojmë mundësitë e të vendosim vetë për drejtimin e rrugës sonë. Sfida jonë është të ngrihemi e të shfrytëzojmë mundësitë që qëndrojnë tani para nesh duke ruajtur ndërkohë arritjet shpirtërore e kulturore të fituara me vështirësi në të kaluarën. Si përfaqësues të zgjedhur të komunitetit në rritje Bahá’í të Shqipërisë, e ndjejmë të nevojshme që në këtë orë kritike të japim disa nga zbulimet që kemi nxjerrë nga Mësimet e Bahá’u’lláh-ut, të cilat besojmë se japin drejtimin kryesor për kapërcimin e sfidës së ditëve të sotme. Mesazhi i Fesë Bahá’í ka ardhur në vendin tonë që në vitet ‘30 nëpërmjet të parit Bahá’í shqiptar, Refo Çapari, i cili është edhe përkthyesi i librave të parë Bahá’í në shqip. Dhe ja sot pas 60 vjetësh Fara e Shënjtë e mbjellë atëhere i dha frytet e saj. Mesazhi i Bahá’u’lláh-ut është përhapur në të gjithë vendin tonë. Në vitin 1991, në Shqipëri u formuan të parat Asamble Shpirtërore Lokale, të cilat janë organet administrative lokale Bahá’í, që zgjidhen sipas vullnetit të besimtarëve. Gjithashtu, më datën 29 maj të këtij viti, besimtarët Bahá’í nga e gjithë Shqipëria, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, zgjodhën të dytën Asamble Shpirtërore Kombëtare të Shqipërisë. Tani që të vërtetat e Mesazhit të Bahá’u’lláh-ut janë lejuar të shprehen lirshëm, një numër gjithnjë në rritje shqiptarësh kanë njohur vlefshmërinë dhe efektshmërinë e tyre dhe, nën drejtimin e Mësimeve të tij, po mundohen të ndërtojnë një shoqëri që i përket një epoke të re. Ata që kanë përqafuar Mësimet e Bahá’u’lláh-ut, kanë zbuluar në to një shpjegim të ngjarjeve të kaluara dhe të ardhme përtej sferës së mendimit konvencional. Larg nga të qënit një filozofi tjetër, që u shtohet atyre filozofive që luftojnë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve, Bahá’u’lláh jep një vizion të plotë, në të cilin pajtohen koncepte tradicionalisht të kundërta. Tani ne nuk jemi më të detyruar të zgjedhim midis mendjes e shpirtit, individit e shoqërisë, shkencës e besimit. Ne duhet të njohim harmoninë thelbësore që ekziston midis tyre dhe t’i përdorim të gjitha ato për të krijuar një botë më të mirë. Ndërsa kombi ynë përballon krizën imediate të ndërtimit të një sistemi të ri ekonomik, ne duhet të njohim se aftësia për të arritur qëllimet që kemi varet nga vitaliteti i burimeve tona shpirtërore. Krenaria dhe lumturia jonë si popull do të vendoset përfundimisht nga shkalla në të cilën do të zotërojmë si njohuritë materiale ashtu dhe ato shpirtërore dhe do t’i përdorim ato për qëllimet fisnike. Për të marrë njohuri të tilla, ne duhet t’u drejtohemi dy burimeve nga të cilat ato rrjedhin: shkencës dhe besimit. Për dekada të tëra ne ishim të privuar nga prej këtyre burimeve, nga besimi, por, kur rizbuluam Mësimet fetare të Bahá’u’lláh-ut, ne kuptuam se etja jonë për njohuri shpirtërore nuk ishte shuar por ishte akoma më e thellë. Duke i konsideruar shumë të vlefshme, ne do të dëshironim të ndanim me ju Mësimet që solli Bahá’u’lláh për epokën tonë, si: Njësishmëria e Zotit i Cili nuk mund të njihet në esencën e Tij e që e zbulon Fjalën e Tij në periudha të ndryshme nëpërmjet të zgjedhurve të Tij të quajtur Profetë, Lajmëtarë apo Shfaqje të Zotit, si Adami, Moisiu, Krishna, Buda, Zoroastro, Krishti, Muhameti, Báb dhe Bahá’u’lláh; Uniteti i Feve të cilat vijnë nga Ai e nuk duhet të bëhen shkak i konflikteve njerëzore; Uniteti i racës njerëzore; Kërkimi i pamvarur i së vërtetës, i çliruar nga supersticioni dhe nga traditat; Zhdukja e çdo forme paragjykimi fetar, racial, kombëtar apo klasor; Harmonia midis shkencës dhe fesë; Barazia në të drejtat midis burrit dhe gruas; Arritja e një paqeje të vazhdueshme dhe i një uniteti të përbotshëm, që është edhe qëllimi final i gjithë shoqërisë njerëzore. Kur reflektojmë mbi problemet e ndërtimit të shoqërisë së re në Shqipëri, në dritën e këtyre mësimeve, ne e kuptojmë rolin thelbësor që ka luajtur feja në historinë e zhvillimit të njerëzimit. Por si mund të sigurohemi në se mësimet fetare do të na çojnë drejt progresit dhe jo drejt amullisë? Bahá’u’lláh-u na mëson se feja e vërtetë çon në unitet dhe është themeli i sjelljes së moralshme. Feja duhet të jetë në përputhje me shkencën, sepse që të dyja janë pasqyrë dhe shpjegim i një të vërtete të vetme. Mësimet fetare që nuk përputhen me arsyen janë supersticione, kurse shkenca pa kufij shpirtërorë e moralë është në vetvete burim të këqijash të mëdha. Feja e vërtetë të çon në mënyrë të pashmangshme drejt progresit të qytetërimit. Është urgjente që secili prej nesh të shqyrtojë natyrën e fesë në origjinën e saj të kulluar. Ne nuk mund t’u kthehemi modeleve të vjetra të sjelljes, që kanë provuar se tashmë janë të pafuqishme për të dhënë si përparim shpirtëror ashtu dhe material. Si mund ta pranojmë ne pikëpamjen e atyre që pretendojnë shpëtim për disa të zgjedhur dhe u kundërvihen të vërtetës e tolerancës ndaj bindjeve të njerëzve të tjerë? Si mund t’i besojmë ne ato parime fetare që kundërshtojnë shkencën dhe arsyen? Dhe mbi të gjitha, si mund t’ia lejojmë vetes të bëhemi përsëri viktimë e grindjeve dhe e mosmarrëveshjeve fetare? Mësimet e sjella nga Profetët e Zotit janë një, por ndryshojnë në disa aspekte, sepse Feja e Zotit është e gjallë e në rritje, dhe jo e pajetë dhe e pandryshueshme. Nuk duhet lejuar që këto ndryshime të errësojnë unitetin thelbësor midis të gjitha feve që i janë zbuluar njerëzimit. Gjinia njerëzore është pjekur në mënyrë progresive në të njëjtën mënyrë si zvhillohet edhe njeriu, duke kaluar përmes stadeve ë foshnjërisë, të fëmijërisë dhe të adoleshencës. Profetët, si përfaqësues të një Krijuesi aq pafundësisht të lartë, saqë nuk mund të njihet drejtpërsëdrejti prej nesh, riforcojnë mësimet themelore që nuk duhet të harrohen kurrë dhe sjellin vazhdimisht njohuri të reja në përshtatje me aftësitë në rritje të brezave që vijnë. Kështu që Bahá’u’lláh-u – ashtu siç bënë Moisiu, Krishti e Muhameti përpara Tij – nga njëra anë rishpall mësimet e përjetshme shpirtërore të tolerancës, të dashurisë, të drejtësisë e të përuljes përpara Zotit, nga ana tjetër sjell shërim për plagët e shoqërisë në këtë periudhë të historisë. Ai është Lajmëtari i Zotit për kohën e pjekurisë njerëzore, Mbartësi i Zbulesës Hyjnore që plotëson premtimet e bëra në gjithë besimet e mëparshme. Ai vë në lëvizja energjinë shpirtërore të nevojshme për të sjellë qytetërimin botërore. Uniteti është vula e kohës së pjekurisë në të cilën po hyjmë. Nëpërmjet reflektimit ndaj Mësimeve të Bahá’u’lláh-ut, kemi arritur të kuptojmë se koncepti i unitetit është më tepër se një shprehje e thjeshtë e shpresave të vagëta për një shpirt e vullnet të mirë ndërmjet njerëzve. Roli i tij është shumë më i thellë sesa nxitja e një bashkëveprimi të harmonizuar midi individëve dhe kombeve. Parimi i unitetit zbaton në gjithçka marrëdhëniet thelbësore që qeverisin jetën individuale dhe shoqërore. Ai është çelësi i vërtetë për të çliruar potencialin njerëzor dhe për ta kanalizuar atë drejt progresit të gjinisë njerëzore. Sistemet e vjetra që po shemben rreth nesh – si ato që theksojnë përulësi apo epërsi të individit ndaj shtetit, ashtu edhe ato që zgjedhin planifikimin e centralizuar apo ekonominë e tregut – të gjitha pa përjashtim vuajnë nga përçarja. Ato na kanë sjellë në këtë kohë luftërash dhe konfliktesh shkatërrimtare. Për ta kapërcyer këtë kohë konflikti ne duhet të punojmë që të çrrënjosim nga bota paragjykimin në të gjitha llojet e shfaqjes së tij: fetar, racial, kombëtar, klasor apo gjinor. Zoti i ka pajisur pa dallim të gjithë njerëzit me cilësi të pamatshme të mëndjes e të shpirtit. Derisa kjo e vërtetë pranohet, strukturat sociale do të vazhdojnë të kufizojnë fuqinë e tyre. Në qoftë se duhet të ecim përpara si shoqëri çdo kontribut individual duhet inkurajuar dhe çdo perspektivë e veçantë duhet mirëpritur. Çlirimi nga paragjykimet është i mundur vetëm në qoftë se çdo qenie njerëzore e pranon përgjegjësinë e kërkimit të pavarur të së vërtetës. Ne e kemi aftësinë për të ndërmarrë kërkime të tilla sepse secili nga ne ka një dhuratë të çmuar të quajtur “Syri i Drejtësisë”. Bahá’u’lláh e quan drejtësinë “gjëja më e dashur nga të gjitha gjërat” në pamjen e Zotit. Kur ne e ushtrojmë këtë dhunti, nuk jemi të varur më nga opinionet dhe paragjykimet e të tjerëve, por të aftë për ta parë e gjykuar realitetin sipas vehtes tonë. Pikërisht sepse duam, si të gjithë ju, të ndihmojmë për të ndërtuar një shoqëri shqiptare të lulëzuar, ju themi që ti shqyrtoni mësimet e Bahá’u’lláh-ut me drejtësi dhe pa frikë. Duke vepruar kështu, edhe ju do të mund të zbuloni, si edhe ne, një burim të pashtershëm urtësie, që jep përgjigje si për çështjet më të thella shpirtërore, ashtu edhe për problemet më praktike të jetës së përditshme. Qëllimi ynë është të ndajmë me ju paqen që kemi provuar duke arritur të kuptojmë qëllimin tonë në jetë, duke zbuluar në shkrimet e Bahá’u’lláh-ut frymëzimin dhe udhëheqjen që na nevojitet për të shfaqur fisnikërinë thelbësore të natyrës sonë të vërtetë. Dëshira jonë është t’ju njohim juve me rrugët që kemi gjetur për të transformuar sundimin dhe barazinë e detyruar në një lloj marrëdhënieje bashkëvepruese, që do t’i lërë të zhvillohen të lira talentet dhe mundësitë e veçanta të secilit. Syçelur ndaj vizionit të Bahá’u’lláh-ut, jemi të çliruar nga të endurit mes teorive të mëparshme të cilat mbitheksojnë ose individualizmin ose sundimin e kolektivitetit. Ne e shohim qartë mundësinë e institucioneve tona për t’u riaftësuar në një mënyrë të tillë sa të mund të veprojnë si kanale për energjitë kolektive të popullit, ndërkohë që individët po lëvizin për t’i mbështet e për t’u kujdesur për këto institucione. Zbulesa e Bahá’u’lláh-ut për familjen – gurin bazë të kulturës sonë – na forcon për t’i ruajtur lidhjet thelbësore të saj, ndërkohë që i përshtatemi realitetit të ndryshimit të shpejtë të rendit shoqëror. Kuptimi i Mësimeve të Tij shpirtërore i ka mbushur zemrat tona me shpresë, që ne të mund të kujdesemi për edukimin moral të fëmijëve tanë dhe t’i bëjmë ata individë të lirë, të cilët të zotërojnë edhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie shoqërore. Pra ju ftojmë t’i shqyrtoni Mësimet e Bahá’u’lláh-ut. Në qoftë se vendosni ta përqafoni Kauzën e Tij, jeni të mirëpritur në komunitetin gjithëbotëror të përkrahësve të Tij – në Komunitetin Bahá’í. Por, sidoqoftë, ne dëshirojmë që të ndani me të tjerët perlat e urtësisë dhe të udhëheqjes që do të gjeni në Zbulesën e Bahá’u’lláh-ut. Ne ju themi, gjithashtu, që ta sillni këtë njohuri që të ndikojë mbi çdo vendim që mund të merrni individualisht apo si komunitet për t’i dhënë formë të ardhmes së popullit tonë. Le të punojmë së bashku për të kontribuar në të ardhmen e begatë dhe paqësore, që është në dorë të Shqipërisë dhe, që në të vërtetë është destinuar për gjithë njerëzimin. Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá’í-ve të Shqipërisë


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :