Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Balyuzi, H.M

Bahá'u'lláh; Fjala u mishërua
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Balyuzi, H.M : Bahá'u'lláh; Fjala u mishërua
Bahá'u'lláh
FJALA U MISHËRUA
Bahá'u'lláh

një jetëshkrim i shkurtër, pasuar nga një esse mbi Manifestimin e Perëndisë titulluar

FJALA U MISHËRUA
nga
H. M. BALYUZI
S H Ë N I M
PËR BOTIMIN E LIBRIT "Bahá'u'lláh"

Përkthimi i librit "Bahá'u'lláh" në gjuhën shqipe është bërë nga anglishtja.

Për të lehtësuar leximin dhe përdorimin e librit nga lexuesi shqiptar, në botimin shqip janë pasur parasysh disa momente specifike që po i rendisim këtu poshtë:

1. Çdo paragraf i tekstit të librit ka përbri në të majtë një numër që shkon progresivisht duke u rritur nga 1 deri në 368. Kjo ndihmon për ta bërë më të përdorshëm librin kur është nevoja për t'iu referuar një fragmenti a një pjese të caktuar.

2. Një problem që krijon vështirësi të caktuara është ai i leximit shqip të emrave e të termave të huaj, sidomos të atyre me prejardhje nga persishtja e arabishtja. Në transkriptimin në anglisht të këtyre të fundit është pasur parasysh që ato të tingëllojnë sa më afër origjinalit, me aq sa e lejon gjuha angleze. Për leximin e emrave e të termave të huaj në gjuhën shqipe është vepruar si më poshtë:

a) Emrat perëndimorë të personave të ndryshëm janë dhënë ashtu siç shqiptohen në gjuhën shqipe dhe po aty, në kllapa, është dhënë si shkruhen në origjinal. Duke qenë se emra të tillë në libër nuk janë shumë, kjo nuk do ta rëndojë tekstin e përkthimit.

b) Për emrat e termat me origjinë nga gjuhët lindore si persishtja e arabishtja janë ndjekur dy kritere:

Së pari, emra që janë futur e kanë zënë vend në gjuhën shqipe gjatë shekujve të sundimit osman në Shqipëri, të tillë si Muhameti, Kurani e të tjerë, janë lënë në formën e pranuar tani në shqipe, pa iu referuar fare transkriptimit të tyre në gjuhën angleze. Po kështu, emra njerëzish të përhapur në Shqipëri, si Ali, Halit, Riza, Shaban e të tjerë janë dhënë ashtu siç kanë hyrë në shqipe. Natyrisht, emrat e vendeve jepen gjithashtu siç përdoren në shqip.

Së dyti, emrat dhe termat e tjerë nga persishtja e arabishtja janë dhënë në tekst ashtu siç shqiptohen në gjuhën shqipe duke u nisur nga transkriptimi i tyre në anglisht. Më poshtë ka një listë të këtyre emrave e termave në rend alfabetik siç janë dhënë në përkthimin shqip dhe të transkriptimit të tyre në anglisht.

Bozorg Buzurg
Koddus Quddús
Korasan Khurásán
Korratol Ein Qurratu'l ´Ayn
Moavije Mu´awíyih
Tahire Táhirih
PERMBAJTJA
Bahá'u'lláh 5
Fjala u mishërua 80
Referencat 145
Bahá'u'lláh

1 "Parimet njerëzore dhe shpirtërore shpallur nga Bahá'u'lláh-u dekada më parë në Lindjen e zhytur në errësirë dhe zhvilluar prej Tij në një skemë koherente, janë duke u marrë njera pas tjetrës nga një botë, e pavetëdijshme për burimin e tyre, si shenja të qytetërimit përparimtar. Dhe ndjenja që njerëzimi është ndarë me të shkuarën dhe që udhëheqja e vjetër nuk do ta përçojë atë në situatat kritike të së tashmes, ka mbushur me pasiguri dhe druajtje të gjithë njerëzit e mençur, përjashtuar ata që kanë mësuar të gjejnë në historinë e Bahá'u'lláh-ut kuptimin e të gjitha mrekullive dhe ogureve të kohës sonë". Shoghi Effendi

2 Madhështia vigane dhe bukuria e brishtë e jetës së një Manifestimi të Perëndisë nuk mund të kuptohet nga ngjarjet që zakonisht lidhen me një jetë engjëllore. Pafundësia e një jete të tillë prezanton vetveten në atë ndikim misterioz, të cilin ajo e ushtron mbi jetë të panumërta, ndikim që funksionon jo nëpërmjet statusit e prestigjit social, pasurisë, pushtetit shekullar ose sundimit botëror dhe, në të vërtetë, as nëpërmjet ndonjë mjeti të diturisë dukshëm superiore e të arritjeve intelektuale.

3 Manifestimi i Perëndisë është Prototipi dhe jeta e Tij është modeli suprem. Vizioni i Tij, i pakufizuar në kohë e në hapësirë, qarkon si të ardhmen ashtu edhe të shkuarën. Ai është lidhja e vetme dhe e domosdoshme midis një periudhe të evolucionit shoqëror me tjetrën. Pa Atë historia është pa kuptim e bashkërendimi është i pamundur. Veç kësaj, Manifestimi i Perëndise çliron rezerva të thella të fuqisë shpirtërore dhe gjallëron forcat e fjetura të njerëzimit. Nëpërmjet Tij, dhe vetëm Nëpërmjet Tij, Njerëzimi mund të realizojë "lindjen e dytë".

4 Mirza Hysen Aliu, më vonë i mbiquajtur Bahá'u'lláh, lindi më 12 Nëntor 1817, në Teheran, kryeqytet i Persisë. Bábai i Tij, Mirza Bozorg i Nurit, mbante një post të rëndësishëm në rrethin ministerial të oborrit të Shahut. Gjithë të dhënat e fëmijërisë së Bahá'u'lláh-ut tregojnë se qysh në vitet e para Ai zotëronte aftësi të shquara dhe të jashtëzakonshme. Në moshën 7-vjeçare, në emër të të atit, del para Shahut të argumentojë një rast gjyqësor dhe vërtetoi padinë e Tij. Karakteri e bëri të dashur jo vetëm te të afërmit dhe rrethi i Tij shoqëror i drejtpërdrejtë, por gjithashtu edhe te të panjohurit. Ministri ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për aftësitë e jashtëzakonshme të të Birit , megjithëse destinacioni i Fëmijës ishte i panjohur për të. Bahá'u'lláh-u u rrit në mjedisin e oborrit, mes të pasurve dhe komoditetit të madh. Megjithatë, kur vdiq i ati dhe Atij iu ofrua posti i lënë vakant në oborr, Ai refuzoi ta pranojë. Tregohet që Veziri i Madh të ketë thënë se Mirza Hysen Aliu është i destinuar për një detyrë të një rëndësie më të madhe dhe se arena qeveritare ishte një fushë tepër e vogël për kapacitetet e Tij.

5 Në atë kohë, fisnikëria e Iranit kujdesej pak për mësimin e shkencave natyrore dhe shoqërore. Përveç kaligrafisë së shkëlqyer, një njohje të shkrimeve të shenjta të Islamit dhe një njohje të veprave të figurave të tilla të shquara të letërsisë persiane si Rumiu, Firdusi, Saadiu dhe Hafizi, ata në përgjithësi dinin pak. Natyrisht që kishte edhe përjashtime të dukshme. Bahá'u'lláh-u ishte më tepër se një përjashtim. Megjithëse i pashkolluar, Ai futej lirisht dhe natyrshëm në biseda e diskutime të tilla që konsideroheshin si prona të teologëve dhe studiuesve. Ai shpesh shtangte doktorët e fesë dhe të diturit e vendit me arsyetimet e qarta dhe logjikën e pakundërshtueshme. Shumë herë një person, që kalon kufijtë e zonave rezervuar për të tjerët, bëhet mendjemadh, arrogant dhe përbuzës. Bahá'u'lláh-u ishte modest, gjenial dhe i përmbajtur.

6 Ky filiz i ri i një shtëpie fisnikësh kishte një pasion të jashtëzakonshëm për drejtësi. Ai braktisi oborrin që të kujdesej për të shtypurit dhe të diskriminuarit.

Ai asnjëherë nuk hezitoi për të mbrojtur kauzën e të varfërve dhe të poshtëruarve, që iu drejtuan Atij për ndihmë e ajo nuk iu refuzua askujt që meritonte të ndihmohej. Kështu i kaloi ditët e Rinisë derisa erdhi një ditë, kur një emisar u nis me një letër për ta kërkuar dhe pikërisht cilësitë, që e bënin Bahá'u'lláh-un strehë dhe shpëtim, që e lartësonin në sytë e shokëve, e bindën emisarin se Biri i ministrit të fundit të Nurajve ishte në të vërtetë Personi i Lartë i destinuar për të marrë letrën e Báb-it.

7 Më 22 maj 1844, një tregtar i ri nga Shirázi, emri i të cilit ishte Sejed Ali Muhameti, zbuloi Vetveten te një kërkues si Shpëtimtar Të Cilin bota e Islamit po e priste me ankth. Manifestim i pavarur i Perëndisë dhe Paralajmërues i një Manifestimi më të madh, Ai mori titullin " Báb", që do të thotë "Portë". Misioni i Tij kryesor ishte të zgjonte njerëzit e fjetur të Iranit dhe të paralajmëronte pasuesit e Besimit te Muhametit - një Besim që, për fat të keq, atëhere ishte i ngarkuar me abuzime. Báb-i dërgoi në kryeqytet Mulla Hysenin, kërkuesin, i cili qe i pari që e besoi Atë, me një letër për një Person të panjohur, por suprem në hierarkinë hyjnore. Mulla Hyseni arriti në Teheran, i vendosur të linte Providencën për t'i treguar udhën. Ai kërkoi pa u epur, por më kot. Më në fund, te ai erdhi një vizitor, që ishte nga qyteti i Nurit në Mazendaran, ku banonte familja e Bahá'u'lláh-ut. Gjatë bashkëbisedimit Mulla Hyseni pyeti rreth bijve të Mirza Bozorgut, ministrit nga Nuri, që kishte ndërruar jetë. Kështu ai dëgjoi për Mirza Hysen Alinë dhe, me etje, i kërkoi më shumë informacion. Kur iu zbulua historia e plotë, e kuptoi menjëherë se kishte gjetur Personin e panjohur, i cili duhet të merrte letrën e dërguar nga Báb-i. Mulla Hyseni kishte mbërritur në fund të kërkimit. Në kohën e duhur, Letra e Báb-it u mor nga Bahá'u'lláh-u, I Cili pranoi Të Vërtetën që përmbante ajo. Kështu, në moshën 27-vjeçare, Biri i ministrit, që ishte tërhequr nga jeta e oborrit, fisniku i shkëlqyer, sensi i drejtësisë i Të Cilit ishte një legjendë mes të gjithë atyre që e njohën, dituria, elokuenca dhe natyra e dashur e Të Cilit ishin shembullore, e vuri Veten në krahun e një rilindjeje fetare, që ishte përcaktuar të merrte mbi vete urrejtjen e klasës sunduese mbretërore.

8 Báb-i kishte bindjen e patundur se fisniku i Nurit do ta tundte me vendosmëri skeptrin e autoritetit suprem. Báb-i, po ashtu, i dha Atij titullin Bahá'u'lláh - Lavdia e Perëndisë. Gjithkush është i aftë të ndiejë dashurinë, lidhjen dhe respektin që Báb-i shfaqte për Bahá'u'lláh-un, ndjenja këto që s'kanë të krahasuar me ato që Ai kishte për pjesën tjetër të pasuesve të Tij të zotë e të devotshëm.

9 Menjherë pas bashkëbisedimit me Të, Bahá'u'lláh-u nisi udhëtimin në provincën e lindjes, në brigjet e Detit Kaspik, për të promovuar Mesazhin e Báb-it. Në Mazendaran, ku me mençuri ngjalli debat edhe në kampin orthodoks, Ai u vlerësua lart. Atje sfidoi një klerik me pozitë të rëndësishmë lokale, i cili u përpoq të hidhte poshtë dëshmitë e Bahá'u'lláh-ut, por e ndjeu vehten të pabarabartë për debat dhe anashkaloi problemin.

10 Më pas, në mesin e vitit 1848, u zhvillua Konferenca e Badashtit. Pasuesit e Báb-it, të ndjekur e të persekutuar, duke parë Mjeshtrin e tyre në burg dhe në një ndalim mizor, u mblodhën në një pjesë të veçuar të Korasanit, në verilindje të Persisë, për të shqyrtuar problemet që përballonin si një komunitet i përndjekur e si trashëgimtarë të një Besimi të nxjerrë jashtë ligjit. Atje ndodhej edhe Koddusi i ditur e i sigurt, më i nderuari nga dishepujt e parë të Báb-it, të cilët e kërkuan, e gjetën dhe e besuan e u quajtën prej Tij "Shkronjat e të Gjallit". Ndodhej poetesha gjuhargjendë dhe guximtare Korratol Ein, e njohur më vonë si Tahire, një tjetër kjo prej Shkronjave të të Gjallit dhe e vetmja prej grupit18 vetësh që, megjithëse nuk e takoi Báb-in asnjëherë, e besoi nga larg dhe i dërgoi homazhin e saj elokuent nëpërmjet një shpirtmiri, i cili ishte nisur sipas kërkesës së saj. Në Konferencë ndodhej edhe Bahá'u'lláh-u. Gjatë diskutimeve Ai mbajti heshtje dinjitoze, por në përfundim të Konferencës, fjala e Tij ishte vendimtare dhe e padiskutueshme.

11 Báb-it akoma nuk e kishin thithur plotësisht rëndësinë e Revelacionit të Ri. Korratol Ein, për kujtim të një lindjeje të re dhe të një dite të re, hoqi perçen e u paraqit në mbledhjen e burrave me fytyrë të zbuluar. Në atë tubim ajo ngriti zërin për të kundërshtuar hapur bestytnitë, paragjykimet dhe imitimin e verbër. Koddusi, thellësisht i ditur në teologji dhe i vendosur në besimin e tij, nuk po i miratonte shkallët e avancuara të mbrojtura nga Korratol Ein, por Bahá'u'lláh-u, në çast, hodhi drejt balancës gurin e mençurisë së Tij natyrore e i tha asamblesë: " Báb-i është Themeluesi i një Sistemi të ri fetar dhe vjen nga e njëjta derë hyjnore si Muhameti, Krishti dhe Moisiu." Një pakicë shpirtrash të pavendosur ikën të pakënaqur, por shumica absolute u konfirmua në Besim. Kur Báb-i dëgjoi për rezultatin e Konferencës së Badashtit, kënaqësia e Tij ishte e pamatë.

12 Nga Badashti, Bahá'u'lláh-u u rikthye në Teheran. Më pas Ai vizitoi Mulla Hysenin, që, me më shumë se treqind Báb-i kishte kërkuar strehë në faltoren e Shejk Tabarsit, në pyjet e Mazendaranit. Mulla Hyseni ndërtoi mbrojtjen rreth faltores dhe Koddusi u bashkua përfundimisht me të. Kleri i xhindosur lëshoi furtunën në qeveri për të dërguar një ekspeditë ndëshkimore kundër këtij grupi njerëzish të përndjekur, të pafajshëm e të nënshtruar ndaj Perëndisë. Drejt fortesës, ku strehoheshin Báb-it, marshuan trupa ushtarake që vendosën rrethimin. Pasi dëgjoi këtë lajm, Bahá'u'lláh-u u nis menjëherë drejt fortesës së Tabarsit për të ndarë fatkeqësinë me vëllezërit e Tij të besimit. Providenca kishte menduar që mbrojtësit heroikë të Shejk Tabarsit duhet të vulosnin me gjakun e tyre Besëlidhjen me Báb-in dhe këtë Bahá'u'lláh-u duhet ta ruante për një qëllim akoma më të madh në ditët që do të vinin. Duke shkuar për në fortesë Ai u ndalua nga njerëzit e Guvernatorit dhe u çua në qytetin e Amolit, ku doktorët e fesë predikonin vdekjen dhe turma ishte e etur për dhunë. Me qëllim që të zbuste popullin, zëvendësguvernatori vendosi të zbatojë disa lloj ndëshkimesh mbi antarët e shpurës së Bahá'u'lláh-ut. Për të shpëtuar shokët e Tij nga ndëshkimi, Bahá'u'lláh-u sakrifikoi Vetveten duke tërhequr vullnetarisht tërbimin e turmës mbi Personin e Tij. Atë e rrahën me thupër.

13 Më 9 korrik 1850, Báb-i i ëmbël dhe zemërbardhë u pushkatua në sheshin publik të Tabrizit. Gjoksi i Tij, që gufoi veç në admirim të Perëndisë, u bë shoshë nga plumbat. Bahá'u'lláh-u kishte dërguar Sulejman Kanin, një i ri i shkëlqyer dhe trim, për ta shpëtuar trupin e dërrmuar të Báb-it nga egërsia e armikut. Dhe më pas, Ai organizoi fshehjen e trupit të vrarë, për ta mbrojtur nga planet e zeza të tiranëve. Për më shumë se pesëdhjetë vjet, eshtrat ishin të fshehura si për miqtë ashtu edhe për armiqtë. Sot ato prehen në Malin Karmel, nën kubenë e artë të një mauzoleumi të shkëlqyer.

14 Jo vetëm Báb-i, Që piu me fund kupën e martirizimit, por edhe leitnantët e tij të zot e vetmohues u përndoqën njeri pas tjetrit me urrejtje brutale. Mulla Hyseni, Koddusi, eruditi dhe i patremburi Vahid i Darabit, i paepuri Hoxhat i Zanxhanit, të gjithë u vranë dhe ikën. Báb-it nuk kishin paqe, siguri dhe të drejtë për të jetuar në hapësirat e Iranit. Sa kohë dhe në agoni mund të durojë dhe të mbajë efektin e rëndë të goditjeve të vazhdueshme një komunitet i sakatuar! Detyra sfilitëse e Bahá'u'lláh-ut tani kishte filluar. Ai zotëronte gjithë cilësitë më të larta, njerëzore dhe hyjnore, që më parë krijuan Báb-in dhe Koddusin. Te Ai dhe vetëm te Ai varej fati i Báb-ive. Ishte Ai, të Cilit Báb-i i kishte dërguar vulat, penën dhe letrat, një akt ky simbolik, por i një rëndësie të jashtëzakonshme.

15 Në qershor 1851 Bahá'u'lláh-u udhëtoi për në Irak. Atje Báb-it jetonin me një farë sigurie, por mrgjithatë ishin të shqetësuar e të pashpresë. Besimin e tyre e riforcoi Bahá'u'lláh-u, Që u ngjalli shpresa të reja. Por pa u kthyer Ai mirë në Teheran, stuhia shpërtheu përsëri. Ajo ishte më shumë se një stuhi, ishte holokaust.

16 Në të vërtetë, në këtë periudhë të historisë së tyre të shkurtër, por të mbushur me ngjarje, Báb-it përfaqësonin një spektakël të trishtuar. Morali i tyre ishte i ulët dhe energjia e dobët. Paqëndrueshmëria dhe druajtja e tyre nuk mund të shihnin as dorë ripërtëritëse, as perspektivë emancipimi. Ndërkohë, dy të rinj të papërgjegjshëm, të rënë në dëshpërim, vendosën të hakmerren për Mjeshtrin dhe vëllezërit e tyre martirë. Për ata burimi i persekutimit e i tiranisë nuk ishte tjetër njeri, përveç se personi i Sovranit- Shahu, në duart e të cilit ishte drejtësia dhe pushteti. Shahu, siç gjykuan ata me mendjet e tyre të përvuajtura, nuk e kishte ushtruar autoritetin e tij sovran në favor të komunitetit të tyre të keqtrajtuar e të shtypur, prandaj ai duhet të merrte dënimin suprem. Aq të çorientuara ishin veprimet e tyre, sa nuk ishin në gjendje të vinin në pistoleta as plumbat e duhur për të vrarë një njeri.

17 Ata e ndërmorën përpjekjen e tyre të marrë më 12 gusht 1852 dhe dështuan. Shahu pësoi vetëm dëmtime të lehta, kurse njerëzve që tentuan ta vrisnin nuk iu dha as shansi i një gjyqi, por u ekzekutuan menjëherë. Megjithatë çështja nuk mbaroi me kaq. Armiqtë e Báb-it kishin gjetur një rast të artë për të asgjësuar pasuesit e Tij. Kjo, të paktën siç deklaruan ata me tërbim, ishtë dëshmi e një kërcënimi serioz ndaj Shtetit.

18 Në këtë kohë Bahá'u'lláh-u ishte duke qëndruar në një rezidencë verore në rrethinat e kryeqytetit. Miqtë e paralajmëruan për valën gllabëruese dhe i ofruan ta fshihnin nga tërbimi i keqdashësve të Tij, por Ai qëndroi i qetë dhe i përmbajtur. Nuk kishte pse të trembej, prandaj të nes0rmen i hipi kalit e iu drejtua kampit të Shahut. Lajmi i afrimit të Tij e turbulloi armikun. Ndërsa po komplotonin për ta arrestuar e kishin filluar ta kërkonin, Ai po vinte drejt tyre me dëshirë. Po kur kishte shfaqur ndonjëherë Bahá'u'lláh-u frikë apo panik?

19 Duart e tyre të ashpra u zgjatën mbi Personin e Tij, ndërsa në rrugën që të çonte në burgun e nëndheshëm të Teheranit, u mblodh një turmë e madhe për t'u tallur e për ta fyer. Ai, që kur kishin nevojë, kishte qenë miku dhe mbrojtësi i tyre, mburoja dhe mbështetja e tyre, tani ishte viktima e urrejtjes së tyre të ndezur.

20 Të njëjtën gjë bënë njerëzit me Krishtin. Të Dielën para Pashkës dolën ta përshëndesnin duke i bërë një pritje mbretërore, ndërkohë që në Jerusalem jehonin thirrjet: "Hosana ndaj Birit të Davidit", "Bekuar qoftë Ai që vjen në Emër të Zotit, Hosana për Të Madhërishmin". Por pak ditë më pas, në oborrin e Pont Pilatit, atyre iu ofrua një zgjedhje. Cili duhet të vdiste? Barrabas, krimineli i provuar dhe i fajësuar apo Krishti, Drita e Botës? Dhe ata kërkuan vdekjen e Krishtit, e hodhën poshtë Krishtin duke thirrur: "Kryqëzojeni, Kryqëzojeni."

Kështu e ka trajtuar bota gjithnjë mikun e saj të vërtetë.

21 Mes turmës, që lëshonte sharje ndaj Bahá'u'lláh-ut dhe e qëllonte me gurë, ishte edhe një grua e moshuar, që lëvizi përpara me një gur në dorë për ta qëlluar. Megjithëse ishte e tërbuar nga inati, ajo nuk kishte takát t'i hidhte këmbët pas valles. "Aman ore, më bëj derman ta hedh këtë gur mbi surratin e Tij" iu lut ajo rojes, ndërkohë që Bahá'u'lláh-u iu kthye rojes dhe i tha: "Mos e bëj këtë grua të vuajë nga dëshpërimi. Mos i moho asaj një veprim që e sheh të drejtë në sytë e Perëndisë". Ja, e tillë ishte keqardhja e Tij.

22 Në Letrën e Tij për të Birin e Ujkut, Bahá'u'lláh-u shkruan kështu për atentatin e dështuar kundër Shahut:

23 "Për drejtësinë e Perëndisë! Ne kurrsesi nuk kishim lidhje me këtë vepër të ligë dhe pafajësia jonë u konfirmua në mënyrë të padiskutueshme nga gjykatat.

Megjithatë Na kapën dhe nga Nijavarani, që atëhere ishte selia e Madhërisë së Tij, Na sollën më këmbë e nën pranga, kokëjashtë e këmbëzbathur, në burgun e nëndheshëm të Teheranit. Një njeri brutal, që na shoqëronte mbi një kalë, Na rrëmbeu shapkat, ndërsa një togë xhelatësh dhe zyrtarësh na shtynin përpara. Na dorëzuan dhe na mbajtën katër muaj në një vend jashtëzakonisht të qelbur. Përsa i përket birucës, në të cilën ky i Munduar dhe të munduarit e tjerë ishin burgosur, një pus i errët e i ngushtë do të ishte më i preferuar. Sapo arritëm, në fillim na çuan nëpër një korridor katran të zi dhe që andej zbritëm poshtë nëpër tri palë shkallë deri në vendin e burgimit, që Na kishin caktuar. Burgu i nëndheshëm ishte zhytur në errësirë të thellë dhe të bashkëburgosur bëheshim rreth njëqind e pesëdhjetë frymë: hajdutë, vrasës e kusarë rrugësh. Megjithëse i mbingarkuar, nuk kishte asnjë dalje tjetër përveç kalimit nëpër të cilin hymë. Nuk ka penë që mund ta pikturojë atë vend, as gjuhë që mund ta përshkruajë atë erë të pështirë. Shumica e këtyre njerëzve nuk kishin as rroba, as shtroje krevati për t'u shtrirë. Vetëm një Zot e di se ç'hoqëm ne në atë vend të errët e të qelbur!" 1

24 Qelia e burgut, në të cilën Bahá'u'lláh-u ishte burgosur së bashku me shumë Báb-i të tjerë, ishte një pus i zymtë, i errët dhe kutërbues, që dikur kishte shërbyer si rezervuar për banja publike, kurse tani atje ishin dërguar kriminelët më të poshtër. Rreth qafës së Bahá'u'lláh-ut ishte vendosur një nga dy prangat më të tmerrshme të atij burgu, nën peshën e rëndë të së cilës i përkulej tërë trupi. Bahá'u'lláh-u flet për këto pranga të tmerrshme në të njëjtin libër, Letër për të Birin e Ujkut:

25 "Nëse ju ndodh ndonjëherë të vizitoni burgun e nëndheshëm të Madhërisë së Tij Shahut, pyesni drejtorin dhe shefin e rojeve të burgut t'u tregojë këto dy pranga, njëra prej të cilave njihet si Kara-Gohar dhe tjetra si Salasel. Unë betohem për Diellin e Drejtësisë që për katër muaj ky I Munduar u torturua dhe u prangos me njërën apo tjetrën e këtyre prangave. "Hidhërimi Im kapërceu të gjitha mjerimet ndaj të cilave shfryu Jakovi dhe të gjitha pikëllimet e Jovit s'janë veçse një pjesë e hidhërimeve të Mia!".2

26 Nabili, historiani i pavdekshëm i Besimit Bahái, në veprën e tij rrëfen fjalët që ai vetë dëgjoi nga Bahá'u'lláh-u, që përshkruante vuajtjet e atyre ditëve:

27 "Ne të gjithë ishim rrasur në një qeli me këmbët nën tromuk (një strukturë druri me gropëza për këmbët) e rreth qafës lidhur me prangat më poshtëruese. Ajri që thithnim ishte i mbushur me papastërtitë më të qelbura, ndërsa trualli ku rrinim ishte mbuluar tërë fëlliqësira dhe parazitë. Asnjë rreze drite nuk mund të penetronte atë burg vdekjeprurës, apo të thyente ftohtësinë e tij të akullt. Ne ishim vendosur në dy sërë përballë njëri-tjetrit e u kishim mësuar atyre të përsëritnin vargje të caktuara, të cilat i këndonin çdo natë me entuziazëm të madh. "Perëndia është i mjaftueshëm për mua; Ai në të vërtetë është i Plotmjaftueshmi!" ja merrte njëra sërë, ndërsa tjetra do t'i përgjigjej: "Le të besojnë te Ai Besimtarët". Kori i këtyre zërave gazmorë do të vazhdonte të gjëmonte deri në orët e para të mëngjesit. Kumbimi i tyre do të mbushte burgun, do të shponte muret e tij masivë e do të arrinte veshët e Shahut Naser-Din, pallati i të cilit nuk ishte fort larg nga vendi ku ishim burgosur. "Ç'do të thotë ky tingull?, thuhet të ketë bërtitur ai. "Është himni që Báb-it janë duke kënduar në burgun e tyre", iu përgjigjën. Shahu nuk bëri vërejtje të tjera, as nuk u përpoq të kufizonte entuziazmin, që vazhdonin të shfaqnin të burgosurit e tij, pavarësisht nga tmerret e burgimit të tyre".3

28 Çdo ditë vinte në burg një zyrtar që thërriste emrat e atyre që do të martirizoheshin po atë ditë. Dhe ata, emrat e te cilëve thirreshin, ecnin me hapa të vendosur dhe ballëlart. Qindra Báb-i, pasi kishin pësuar tortura çnjerëzore, vdiqën në atë banjë gjaku të vitit 1852.

29 Një nga pjesëtarët e lavdishëm të grupit ishte edhe Sulejman Kani, ai shpirt trim, që, me kërkesën e Bahá'u'lláh-ut, kishte shpëtuar trupin e Báb-it. Nëntë vrima u shpuan në trupin e tij dhe nëntë qirinj të ndezur u vendosën në to. Kështu e nxorën nëpër rrugë, ku një turmë ulëritëse fishkëllente duke e ndjekur këmba këmbës. Sulejman Kani ishte një oborrtar i ri, i mësuar me pushtetin dhe ekspozimin. Ditën e martirizimit, duke duruar torturat, ai thirri: "Ç'madhështi dhe shkëlqim madhështor për ata që këtë ditë shoqërojnë marshimin tim drejt kurorës së lavdisë! Qoftë i lavdëruar Báb-i, Që ndez të tillë devocion në gjokset e të dashurve të Tij dhe u jep atyre fuqi më të madhe se fuqia e mbretërve". Ndërsa qirinjtë përflakeshin mbi plagët e tij, ai tha: " O flakë, ju prej kohësh e kini humbur djegien tuaj dhe s'kini më fuqi për të më shkaktuar dhimbje. Nxitoni, se pikërisht nga gjuhët e flakës suaj dëgjoj zërin që më thërret te i Shumëdashuri im!"4 Dhe kur një nga xhelatët e shau, ai iu përgjigj me këto vargje:

30 "Në dorë kupën e verës, në tjetrën flokët e Xhanit;

Fundin tim kështu e pres, kërcej në shesh të mejdanit".

Kështu vdiq Sulejman Kani.

31 Një tjetër viktimë e kësaj furtune ishte Tahirja, poetesha e bukur dhe e talentuar e Qazvinit, ai shpirt heroik që, në Konferencën e Badashtit, ngriti zërin për emancipimin e vajzave dhe grave. Atë e mbytën dhe e flakën në një pus në mes të natës dhe prej tij nuk mbeti asnjë gjurmë. Por kujtimi i qëndrueshmërisë, kurajos dhe devocionit të saj suprem do të mbetet përgjithmonë. Ajo e dinte që po i afrohej fundi dhe ishte e gatshme për të. Tahirja, një ditë para martirizimit, i tha këto fjalë zonjës së shtëpisë, gruas së gjykatësit nën ruajtjen e të cilit ishte: "Unë jam përgatitur të takoj Të Shumëdashurin tim dhe dëshiroj të të çliroj nga kujdesjet dhe ankthet e burgosjes sime." Ajo ishte veshur me fustan nusërie.

32 E tillë ishte burrëria e Báb-ive dhe e tillë ishte shkalla e sakrificës së tyre.

33 Bahá'u'lláh-u në atë burg të ngrysur e vdekjeprurës të Teheranit lëngoi në pranga për katër muaj agonisjellës.

34 Por pikërisht në errësirrën e atij burgu, Bahá'u'lláh-u pa Dritën e Perëndisë që shkëlqente mbi Atë Vetë. Ai na jep një përshkrim të gjallë e të fuqishëm të atyre orëve kur u bë i vetëdijshëm për Misionin e Tij hyjnor.

35 "Gjatë ditëve që shtrihesha në burgun e Teheranit, megjithëse pesha plumb e prangave dhe ajri i qelbur nuk më lejonin veçse një sy gjumë, i qetë, në ato momente të rralla të dremitjes, Unë ndjeva sikur diçka vërshoi nga maja e kokës përmbi gjoksin tim, ashtu si një rrëke e vrullshme sulet rrëmbimthi mbi tokë nga maja e një mali kryelartë. Për pasojë, çdo qelizë e trupit tim do të ndizej flakë. Në këto momente gjuha ime recitoi çka asnjë burrë nuk është i zoti për ta dëgjuar". 5

36 Perëndia, me Hirin e Tij të pafund, i dha botës një Manifestim Universal të Cilësive dhe Atributeve të Tij Absolute. Premtimi i Báb-it, madje, premtimi i të gjithë Lajmëtarëve të Perëndisë, u përmbush. Megjithatë, koha për një deklarim publik nuk kishte ardhur. Duhet të kalonin akoma edhe dhjetë vjet, para se Bahá'u'lláh-u të shpallte Manifestimin e Tij për njerëzimin.

37 Megjithëse për Bahá'u'lláh-un nuk kishte asnjë hije dyshimi që të ishte bashkëfajtor në atentatin e kryer mbi jetën e Shahut, armiqtë jo vetëm nguronin ta lironin, por as nuk guxonin ta çonin drejt ekzekutimit. Njëherë i helmuan ushqimin, gjë që pati pasoja te Ai për shumë vjet. Më në fund e liruan duke e syrgjynosur nga Irani. Pasurinë ia konfiskuan dhe nga pasuria personale nuk i lanë asgjë. Ministri rus e ftoi të shkonte në Rusi, ku do t'i sigurohej një jetë e lirë dhe pa shqetësime, por Bahá'u'lláh-u e refuzoi ftesën duke zgjedhur rrugën drejt Irakut. Më 12 Janar 1853, Ai la Teheranin, për të mos u kthyer më kurrë. Bashkë me Të ishin gjithë pjestarët e familjes. Dimri ishte i ashpër. Rruga shkonte përmes maleve të lartë, mbuluar me dëborë të madhe dhe pothuajse nuk ekzistonte ndonjë mënyrë për t'u rehatuar. I privuar nga i gjithë malli i Tij , Bahá'u'lláh-u nuk mund të siguronte lehtësira që do të zvogëlonin mundimet dhe vuajtjet e rënda të këtij udhëtimi të gjatë e raskapitës. Në të tilla kushte të këqija, udhëtimi ishte tmerësisht i vështirë dhe ecja ishte detyrimisht e ngadaltë.

38 Ndërsa Bahá'u'lláh-u i afrohej kufirit, shkonte drejt fundit një periudhë. A ishte populli i Iranit në dijeni për humbjen që pësoi? Mbetur në injorancë, zhytur në fanatizëm, verbuar nga paragjykimet, iranianët nuk mund të shihnin e të kuptonin. Në këtë mënyrë Bahá'u'lláh-u u dha lamtumirën. Ai Që dikur duhej e respektohej nga i pasuri dhe i varfëri, i madhi dhe i vogli, princi dhe fshatari, tani ishte i braktisur nga të njëjtët njerëz për të cilët kishte treguar gjatë gjithë kohës mëshirë, dashuri, drejtësi dhe mirësi. Persia humbi prezencën fizike të Bahá'u'lláh-ut, por a mund të mungonte ndonjëherë shpirti i Tij nga ajo tokë dhe toka të tjera?

39 Në "Epilogun" e Tregimit të Nabilit, një histori e ditëve të hershmë ta Kauzës, shkruar nga Nabili i Zarandit dhe përkthyer nga Ruajtësi i Besimit Bahái, Shoghi Effendi-u i ka përshkruar kështu ato ditë të stuhishme që kulmojnë në syrgjynin e Bahá'u'lláh-ut: "Kurrë fatet e Besimit të shpallur nga Báb-i nuk ishin fundosur më keq se sa kur Bahá'u'lláh-u u dëbua nga toka e Tij amtare për në Irak. Kauza për të cilën Báb-i dha jetën, për të cilën Bahá'u'lláh-u ishte munduar e kishte vuajtur, dukej se mbahej në fije të perit. Forca e saj dukej se ishte shuar, rezistenca e saj dukej e thyer në mënyrë të pandreqshme. Dekurajimi dhe fatkeqësitë, njëra më shkatërruese se tjetra, kishin pasuar njëra-tjetrën me shpejtësi marramendëse, duke tharë vitalitetin e saj dhe duke zbehur shpresat e mbështetësve të saj më të fortë". 6

40 Bahá'u'lláh-u arriti në Bagdad në Mars 1853. Forca e tij fizike momentalisht ishte e dobësuar. Për një vëzhgues të rastit Ai mund të dukej si një njeri që po shkonte drejt mbarimit. Në të vërtetë oborri dhe kleri i Iranit ishin të sigurtë që Bahá'u'lláh-u po shkonte para kohe drejt vdekjes dhe harresës. Por megjithë mundimet që hoqi Ai mbijetoi dhe, sapo u përmirësua nga vuajtjet e burgimit të rëndë dhe udhëtimit të dhimbshëm, filloi të riorganizojë e të frymëzojë komunitetin e goditur dhe të shpërndarë të Báb-it. Ky ishte vendimi që kishte marrë në burgun e Teheranit.

41 "Natë e ditë, ndërsa ishim mbyllur në atë burg", tregon Bahá'u'lláh-u, "Ne meditonim për bëmat, kushtet dhe sjelljen e Báb-ive, duke vrarë mendjen se çfarë mund t'i kishte shtyrë këta njerëz me mendime kaq të larta, kaq fisnikë dhe kaq inteligjentë, të kryenin një akt kaq të krisur e mizor kundër personit të Madhërisë së Tij. Për këtë arsye, Ky i Munduar vendosi që, pas lirimit të Tij nga burgu, të ngrihet dhe të ndërmarrë me forcë të jashtëzakonshme detyrën e ripërtëritjes së këtyre njerëzve."

42 "Një natë, në ëndërr, u dëgjuan në të katër anët këto fjalë të ekzaltuara: 'Me të vërtetë, Ne do të bëjmë Ty fitimtar me anën e Vetes Sate e Pendës Sate. Mos u brengos për atë që ka ndodhur, as mos ki frikë, se Ti je i sigurtë. Së shpejti Perëndia do të nxjerrë thesaret e botës- njerëz që do të ndihmojnë Ty me anë të Vetes Sate dhe nëpërmjet Emrit Tënd, me të cilin Perëndia ka ringjallur zemrat e atyre që E kanë njohur.'" 7

43 Premtimi i Báb-ive në të vërtetë ishte i dhimbshëm. Të befasuar nga goditjet tronditëse që kishin marrë nga një armik vigjilent dhe i papajtueshëm, të shpërbërë nga mosmarrëveshjet, ata nuk mundnin të vinin re për momentin dorën udhëheqëse të Bahá'u'lláh-ut. Megjithatë, ndonëse i panjohur për miqtë dhe armiqtë, Ai ishte Thesari i Revelacionit Hyjnor, Vikari i Perëndisë në Tokë.

44 Báb-i në mënyrë të qartë dhe me një gjuhë shprehëse kishte parashikuar afrimin e ardhjes së "Atij Që Perëndia Do Ta Bëjë Manifest", Edukatori i Botës Që kishte për të lartësuar dhe udhëhequr njerëzimin në "Ditën e Ditëve". Në atë kohë për këtë post pretenduan shumë aventurierë, ndaj një pjesë e Báb-ive u nda në parti të shumta, secili duke mbështetur një nga këta të vetëquajtur mesí. Drejtuesi formal i komunitetit Báb-i, vëllai i Bahá'u'lláh-ut nga Bábai, Mirza Jahjai, i mbiquajtur Sobhi Azal ose "Mëngjesi i Përjetësisë", ishte i paaftë të përballej me forcat e përçarjes, sepse i mungonte kurajua. Në një kohë kur Bahá'u'lláh-u ishte duke përballur armikun me burrëri të admirueshme, Azali ishte një i arratisur, që përpiqej për të shpëtuar jetën e vet. Kur Bahá'u'lláh-u ishte nën pranga, Azali endej në fshat i maskuar. Me veshjen e një dervishi, ai arriti në Bagdad, pak kohë pas mbërritjes së Bahá'u'lláh-ut, duke mos ngritur as gishtin për përligjjen e Kauzës. Ndërsa Bahá'u'lláh-u kishte nxjerrë gjoksin përballë furisë së oborrit dhe të klerit.

45 Ndërsa konfliktet shtoheshin dhe të çarat zmadhoheshin, ndërsa pretendimet pa baza u bënë më të zhurmshme, shpresat e komunitetit Báb-i u fundoseshin poshtë e më poshtë. E megjithatë, ndonëse i panjohur për Báb-it ashtu siç u ishte premtuar nga Báb-i, në mes tyre, duke vuajtur me ta, ndodhej Ai Që ishte destinuar t'u a kthente mjerimin në lavdi dhe dobësinë në forcë të madhërishme.

46 Bahá'u'lláh-u nuk kishte filluar akoma mirë të merrte përsipër detyrën e shpëtimit të Báb-ive nga e tatëpjeta, kur Sobi Azali, i shtyrë nga një pakicë egoistësh që kishin zgjedhur ta bënin atë një figurë, tashmë të diskredituar, instrument të qëllimeve të tyre të pabesa, filloi të pengojë drejtimin dashamirës të Bahá'u'lláh-ut. Aq e egër u bë opozita e drejtuar nga Azali sa Bahá'u'lláh-u vendosi të tërhiqet nga skena e grindjeve. Ai nuk kishte dëshirë të shtonte plagë që hidhëronin komunitetin Báb-i. Një mëngjes kur i zoti i shtëpisë u zgjua, pa që Bahá'u'lláh-u kishte shkuar duke kërkuar strehë në malet e Kurdistanit. Të tilla izolime nga shoqëria njerëzore kanë ndodhur gjithmonë në jetën e Manifestimeve të Perëndisë. Moisiu u largua në shkretëtirën e Sinait; Buda kërkoi shkretëtirat e Indisë; Krishti eci shkretëtirës e Muhameti eci tutje e tëhu në kodrinat e përvëluara të Arabisë.

47 Syrgjyni i vetëvendosur i Bahá'u'lláh-ut ishte një provë. Koha që kalonte dhe mungesa e Tij do të provonin përfundimisht nëse Ai do të ishte i vetmi Udhërrëfyes i aftë për t'u treguar rrugën e drejtë Báb-ive, i vetmi Që mund të ripërtërinte paqen e tyre të brendshme të thyer, vizionin e tyre, kthjelltësinë e tyre, besimin dhe vendosmërinë e tyre. Dhe koha e vërtetoi plotësisht këtë fakt. Ja si shkruan Ai për këto ditë:

48 "Sepse një numër njerëzish që kurrë nuk e kanë nuhatur aromën e drejtësisë, kanë ngritur flamurin e rebelimit dhe janë ngritur kundër Nesh. Nga çdo anë shohim kërcënimin e ushtave të tyre dhe nga të gjitha drejtimet shquajmë maja shigjetash, megjithëse kurrë nuk jemi mburrur për ndonjë gjë, as kemi kërkuar preferencë mbi këdo qoftë. Për cilindo kemi qenë shoku më i sjellshëm, një mik i duruar e i dashur. Midis të varfërve kemi kërkuar shoqëri dhe midis të shquarve e të diturve kemi qenë të përulur e të nënshtruar. Betohem për Perëndi, për Perëndinë e vërtetë që është një! Sado të rënda kanë qenë të këqijat e vuajtjet që Na ka shkaktuar dora e armikut dhe njerëzit e Librit, të gjitha ato janë një hiç, kur krahasohen me ato që Na kanë shkaktuar duart e atyre që hiqen si miqtë Tanë.

49 Ç'të themi tjetër? Gjithësia, po të shihte me sytë e drejtësisë, nuk do të ishte në gjendje të mbante peshën e këtyre fjalëve! Në ditët e para të mbërritjes Sonë në këtë vend, kur dalluam shenjat e ngjarjeve që po afroheshin, vendosëm të tërhiqeshim para se ato të ndodhnin. Shkuam në shkretëtirë dhe atje, të izoluar e të vetmuar, për dy vjet bëmë një jetë vetmie të plotë. Nga sytë Tanë ranë lot hidhërimi e në zemrën tonë të përgjakur u ngrit një oqean dhimbjesh agonie. Për shumë netë trupi ynë nuk njohu prehje. Për Atë që e ka qenien Time në dorën e Vet! Me gjithë ato rrebeshe hidhërimesh e fatkeqësish të parreshtura, shpirti Ynë ishte gjithë gëzim e lumturi dhe tërë qenia jonë shfaqte një hare të parrëfyeshme. Sepse në vetminë Tonë nuk ishim në dijeni as për dëm e as per fitim, as për shëndet e as për sëmundje, të cilitdo shpirti qoftë. Të vetmuar, Ne komunikonim me shpirtin Tonë, duke harruar botën dhe gjithçka gjendet në Të. Por Ne nuk e dinim se rrjeta e fatit hyjnor shkon tej konceptimeve të vdekshme më të gjera dhe shtiza e dekretit të Tij kapërcen edhe qëllimin njerëzor më të guximshëm. Askush nuk mund t'u shpëtojë grackave që Ai ngre dhe asnjë shpirt nuk mund të gjejë çlirim veçse duke iu nënshtruar vullnetit të Tij. Për drejtësinë e Perëndisë! Largimi Ynë nuk shihte asnjë kthim dhe ndarja Jonë nuk shpresonte për asnjë ribashkim. I vetmi qëllim i vetmisë Sonë ishte të evitonim të bëheshim objekt përçarjeje për besimtarët, burim shqetësimi për shokët Tanë, mjet dëmtimi për çdo shpirt ose shkak brenge për çdo zemër. Përveç kësaj Ne nuk ushqenim asnjë synim tjetër dhe jashtë kësaj nuk kishim parasysh asnjë qëllim. Megjithatë, secili mendonte simbas qejfit dhe shkonte pas fantazisë së vet boshe deri në çastin kur nga Burimi Mistik erdhi thirrja që Na urdhëronte të ktheheshim andej nga erdhëm. Duke ia nënështruar Atij vullnetin Tonë, Ne iu bindëm urdhërit të Tij".8

50 Gradualisht fama e Bahá'u'lláh-ut u shpërnda përreth distriktit të Sulejmanies. Askush në atë zonë nuk e dinte identitetin e Tij, por të gjithë ishin magjepsur nga mençuria dhe shpirtmirësia e Tij. Disa e morën si një trashëgimtar të urdhërit Sufi. Ai njihej me emrin e Dervish Muhametit. Dhe pasi rrethi u zgjerua, mbi vetmitarin e zgjuar, që ishte dukur në rajonet malore të veriut mori vesh edhe Bagdadi. Ata folën për diturinë e Tij, mirësinë, besimin e thellë dhe mprehtësinë e habitshme. Báb-it, mbetur pa këshillat e Bahá'u'lláh-ut dhe të zhytur gjithnjë e më shumë në batakun e konfliktit dhe mosmarrëveshjes, digjeshin për udhëheqjen e Tij, por nuk dinin ku ta kërkonin. Sapo disa prej tyre dëgjuan mbi Sagën e Sulejmanies, panë prapa këtij veli pikërisht Personin e Bahá'u'lláh-ut dhe shpërndanë emisarë për ta gjetur, duke iu lutur për t'u kthyer sërish. Bahá'u'lláh-u kur i pa u befasua, por Ai e dinte që duhet t'i përgjigjej thirrjes. Ky ishte zëri i Perëndisë, plani i Providencës. Koha kishte treguar domosdoshmërinë e Tij për komunitetin e Báb-it.

51 Më 19 mars 1856, Bahá'u'lláh-u u rikthye në Bagdad. Mungesa e Tij kishte zgjatur dy vjet. Paskëtaj fuqia, fjala dhe drejtimi i Tij u mirëpritën me kënaqësi nga Báb-it. Ata kishin kaluar përmes një prove të vështirë dhe kishin marrë mësim në shkollën e fatkeqësive. Padyshim që opozita ishte ende gjallë. Azali, njeri me vullnet të dobët, mbahej më këmbë nga një grusht ambiciozësh dhe egoistësh si një udhëheqës kukull. Por Báb-it e kishin kuptuar se ç'përfaqësonin ata. Nga ana e Tij, Bahá'u'lláh-u bëri përpjekje maksimale për ta mbrojtur të vëllanë nga planet turbulluese të komplotistëve dhe agjitatorëve, por Azali ishte një njeri i vogël. Ai nuk e vlerësonte zërin e këshillës së Atij Që ishte miku i tij i vërtetë dhe u implikua akoma më tepër në komplote të pasuksesshme.

52 Deri në atë kohë, besimtarët e Báb-it ishin rekrutuar nga sekti Shi'ih i Islamit. Tani, nën drejtimin e Bahá'u'lláh-ut, erdhën për t'u regjistruar edhe të tjerë. Ai i ringjalli jetët e fishkura të Báb-ive e ata u mësuan të mos i rezistojnë me dhunë asnjë cënimi të bërë mbi liritë e tyre. Në këtë mënyrë, Bahá'u'lláh-u frenoi rrymën e shkelësve ligjorë, që për një kohë kishte kërcënuar seriozisht integritetin e komunitetit Báb-i. Në këtë mënyrë, udhëheqja Hyjnore e Bahá'u'lláh-ut i mblodhi Báb-it edhe njëherë rreth një jete fisnike. Ata jetonin përsëri me besim në zemër dhe veprat e tyre ishin dëshmi ndaj besimit që bartnin.

53 Gjatë viteve në Bagdad Bahá'u'lláh-u bëri të njohura tre nga Shkrimet e Tij të mirënjohura: Fjalët e Fshehura, Shtatë Luginat dhe Kitáb-i-Iqán ose Libri i Sigurisë.

54 Duke ecur mbi bregun e Lumit Tigër, Ai reflektoi mbi afërsinë e Perëndisë dhe largësinë e Njeriut, mbi vërshimin e Dashurisë e Hirit të Perëndisë dhe mbi refuzimin kokëfortë të Njeriut për të pirë nga ky burim i pashtershëm. Rezultati ishte vepra Fjalët e Fshehura, që, e shkruar në një prozë të ndritshme e magjepsëse, prezanton ato të vërteta të përjetshme, të cilat janë zemra e çdo feje të njohur. Diapazoni gjithëpërfshirës i tyre, brishtësia elegante e imagjinatës dhe e përshkrimit, madhështia, madhështia e paarritshme e konceptimit, të lartëson shpirtin. Në to zbulohet struktura bazë e fesë:

55 "Kjo është ajo që ka zbritur prej mbretërisë së lavdisë, e folur nga gjuha e fuqisë dhe e pushtetit dhe që u është reveluar Profetëvë të së shkuarës. Prej saj Ne kemi marrë thelbin e brendshëm dhe e kemi veshur me petkun e shkurtësisë (përmbledhjes), si shenjë hiri ndaj të drejtëve, që ata t'i qëndrojnë besnikë Besëlidhjes së Perëndisë, t'i përgjigjen besimit të Tij në jetën e tyre dhe të fitojnë në mbretërinë e shpirtit margaritarin e virtytit Hyjnor".

56 "O Bir i Njeriut! Mbuluar me qenien Time aq të hershme sa s'mbahet mend dhe me përjetësinë e lashtë të thelbit Tim, Unë ndjeva dashurinë time për ty; prandaj të krijova ty, gdhenda te ty shembëlltyrën Time dhe të zbulova ty bukurinë Time".

57 "O Bir i Njeriut! Në qoftë se më do mua, largohu nga vetvetja dhe në qoftë se kërkon kënaqësinë Time mos shiko tënden, në mënyrë që ti të vdesësh në Mua dhe Unë të rroj në ty përjetë."

58 "O Bir i Qenies ! Me duart e fuqisë të bëra ty dhe me gishtat e forcës të krijova; dhe brenda teje kam vendosur thelbin e dritës Sime. Ji i kënaqur me të dhe mos kërko asgjë tjetër, sepse vepra Ime është e përkryer dhe urdhri Im i detyrueshëm. Mos e vër atë në pikëpyetje, mos ki asnjë dyshim për të."

59 "O Bir i Njeriut! Ti je mbretëria Ime dhe mbretëria Ime nuk vdes kurrë, përse, pra, ke frikë nga vdekja jote? Ti je drita Ime dhe drita Ime nuk do të shuhet kurrë, përse ti i trembesh shuarjes? Ti je lavdia Ime dhe lavdia Ime nuk venitet; ti je rroba Ime dhe rroba Ime kurrë nuk do të vjetërohet. Qëndro, pra, në dashurinë për Mua, që të më gjesh Mua në mbretërinë e lavdisë".

60 "O Bir i Shpirtit! Fisnik Unë të kam krijuar, megjithatë ti e ke ulur veten. Ngrihu në atë lartësi për të cilën je krijuar."

61 "O Shok i Fronit Tim! Mos dëgjo e mos shih asnjë të keqe, mos poshtëro veten, as mos psherëti e vajto. Mos fol keq, që të mos dëgjosh të flasin keq për ty, dhe mos zmadho të metat e të tjerëve, që të mos duken të mëdha të metat e tua; mos dëshiro poshtërimin e askujt, që të mos dalë në shesh poshtërimi yt. Jeto, pra, ditët e jetës tënde, që janë më të shkurtëra se një çast kalimtar, me mendje të ndershme, me zemër të pastër, me mendime të kthjellta dhe me karakter të shenjtëruar, në mënyrë që, i lirë e i kënaqur, të flakësh tej këtë trup të vdekshëm dhe të shkosh në parajsën mistike dhe të jetosh përgjithmonë në mbretërinë e përjetshme."

I tillë është vargu i këshillave të Fjalëve të Fshehura.

62 Shtatë Luginat u krijua në përgjigje të një Súfiu të ditur. Ajo është një perlë e prozës mistike, që nuk ka shoqe për nga bukuria, thjeshtësia dhe thellësia e saj. Në këtë libër të vogël Bahá'u'lláh-u përshkruan fazat që kërkuesi duhet të përshkojë në kërkimin e tij shpirtëror. Synimi i gjithë kërkimit është të njohë Perëndinë dhe kjo njohje mund të arrihet vetëm nëpërmjet Manifestimit të Tij. Këto shtatë lugina apo faza janë Lugina e Kërkimit, e Dashurisë, e Dijes, e Unitetit, e Kënaqësisë, e Çudisë, e Varfërisë së Vërtetë dhe e Hiçit Absolut.

63 Lugina e Kërkimit

"Në këtë luginë udhëtari kalëron kalin e durimit. Pa durim, në këtë udhëtim, udhëtari nuk mund të arrijë askund dhe nuk mund të realizojë asnjë qëllim.... Nëse ka për t'u përpjekur për vite, pa vënë re bukurinë e Mikut, ai nuk duhet të brengoset.. Në këtë udhëtim kërkuesi arrin një fazë ku i gjen të gjitha qeniet çmendurisht në kërkim të Mikut..."

64 Lugina e Dashurisë

"Në këtë luginë udhëtari kalëron kalin e dhimbjes; sepse ky udhëtim nuk ka fund kurrë pa dhimbje... Çdo moment ai do të ofronte me gëzim njëqind jetë në rrugën e Të Shumëdashurit dhe në çdo hap ai do të hidhte njëmijë kokë në shtegun e Mikut... Dashuria nuk pranon jetë dhe nuk kërkon ekzistencë.. Në vdekje ajo shikon jetë dhe në poshtërim kërkon lavdi..."

65 Lugina e Dijes

"Në këtë luginë, udhëtari, me vështrimin e tij të pastër, nuk gjen kontradikta ose diferenca në krijimin nga Perëndia...Shumë dije ai do t'i gjejë fshehur në injorancë dhe mikpritësit e mençurisë duken në dije...."

66 Lugina e Unitetit

"Pasi ka përshkuar Luginën e Dijes, që është rrafshi i fundit i kufizimit, udhëtari arrin fazën e parë të Luginës së Unitetit, pas së cilës ai pi me fund kupën e abstraksionit dhe dëshmon Manifestimet e Unitetit... Ai dëgjon me veshët e Perëndisë dhe shikon misteret e krijimit hyjnor me sytë e Perëndisë... Ai do të vështrojë me ngulm mbi gjithë sendet me syrin e unitetit dhe do të gjejë Diellin Hyjnor, nga Agimi Hyjnor, duke lëshuar të njëjtën dritë dhe shkëlqim mbi gjithë qenien dhe do të shikojë dritat e sinqeritetit të reflektuara dhe të dukshme mbi gjithë krijimin..."

67 Lugina e Kënaqësisë

"Në këtë luginë ai do të ndiejë flladin e kënaqësisë hyjnore që vjen nga thellësia e shpirtit; do të djegë perçen e dëshirës dhe me sytë e brendshëm e të jashtëm do të dëshmojë, me dhe pa gjithë gjërat, kuptimin e vargut: "Në atë Ditë, Perëndia do t'i bëjë të gjithë të pavarur nga begatia e Tij." Hidhërimi i tij do të kthehet në gëzim dhe trishtimi i tij do të zëvendësohet nga lumturia; dhe brenga e melankolia e tij do të kthehen në kënaqësi e ngazëllim. ..."

68 Lugina e Çudisë

"Tani ai sheh tempullin e pasurisë siç dëshiron vetë dhe thelbin e pavarësisë si dobësi të plotë. Tani ai është i mahnitur nga bukuria e Lavdiplotit dhe Mirzatet nga ekzistenca e tij... Sepse në këtë luginë udhëtari ka rënë në një konfuzion të plotë... Ai është dëshmitar i një bote të mahnitshme dhe një krijimi të ri në çdo moment, dhe çudi pas çudie ai mahnitet me veprat e Zotit të Unitetit..."

69 Lugina e Varfërisë së Vërtetë dhe e Hiçit Absolut

"Kjo gjendje është ajo e vdekjes si individ dhe jetesës në Perëndinë, të qënit i varfër si individ dhe të bërit i pasur në Perëndinë e Dëshiruar. .... Dhe kur kini arritur këtë rrafsh të lartë e këtë gjendje të fuqishme ju do të gjeni Mikun dhe do të harroni gjithçka tjetër.... Në këtë qytet edhe perdet e dritës zhduken... Vetëm ngazëllimi mund ta kuptojë këtë shtjellim dhe jo diskutimi apo argumenti...."

70 "Të shtatë fazat e këtij udhëtimi, që nuk ka fund të dukshëm në botën e kohës, mund të përshkohen nga udhëtarë të veçuar në shtatë shkallë dhe nëse jo me shtatë frymë edhe me një frymë, kur ndihma vullnetare dhe e padukshme e Perëndisë e favorizon atë..."

71 Kitáb-i-Iqán ose Libri i Sigurisë u shkrua në përgjigje të pyetjeve dërguar nga një dajo i Báb-it. Në këtë libër, të cilin Ruajtësi i Besimit Bahái e ka përshkruar si "të një shquarësie të pashoqe midis shkrimeve të Autorit të Revelacionit Bahái", Bahá'u'lláh-u ofron një shpjegim logjik, sqarues dhe të pakundërshtueshëm të simbolizmit dhe të teksteve enigmatike të Shkrimeve të Shenjta të së shkuarës, provon faktin e Revelacionit progresiv dhe sjell dëshmi që mbështesin misionin hyjnor të Báb-it. Shoghi Effendi-u më tej për Librin e Sigurisë vazhdon: "Pra, mund të pretendohet që nga gjithë librat reveluar nga Autori i Revelacionit Bahái, ky Libër i vetëm, duke fshirë barrierat afatgjata që kanë ndarë kaq pakapërcyeshëm fetë e mëdha të botës, ka vënë një themel të gjerë e të çeliktë për pajtimin e plotë dhe të vazhdueshëm të pasuesve të tyre". 9 Asnjë citat i vetëm nuk mund të japë me kompetencë një pamje të fushës së gjerë që mbulohet nga përmbajtja e këtij libri shumë të rëndësishëm. Duke folur për fuqitë dhe simbolet e manifestit të Perëndisë në tërë mbretërinë e krijimit, Bahá'u'lláh-u thotë:

72 "Çdo gjë në qiejt e mbi tokën është një provë e drejtpërdrejtë e Revelacionit brenda saj të atributeve dhe të emrave të Perëndisë, sepse brenda çdo atomi janë shenjat që dëshmojnë në mënyrë elokuente për Revelacionin e Dritës më të madhe. Më duket se pa forcën e atij Revelacioni, asnjë qenie kurrë nuk do të mund të ekzistonte. Sa të shkëlqyeshëm janë yjet e dijes që shndrisin në një atom dhe sa të gjerë oqeanet e urtisë që dallgëzojnë brenda një pike! Kjo është e vërtetë në shkallën më të lartë për njeriun, i cili, ndër të gjithë gjërat e krijuara, është veshur me rroben e dhuntive të tilla dhe është veçuar për lavdinë e një shquarësie të tillë. Sepse te ai revelohen si mundësi të gjitha atributet dhe emrat e Perëndisë, në atë shkallë që asnjë qenie tjetër e krijuar nuk i ka kapërcyer apo tejkaluar.. Të gjithë këto emra dhe atribute janë të zbatueshëm te ai. Ashtu siç ka thënë Ai: "Njeriu është misteri Im dhe Unë jam misteri i tij".... Njeriu, më fisniku dhe më i përsosuri i gjithë gjërave të krijuara, ua kalon të gjithave në intensitetin e këtij Revelacioni dhe është një shprehje më e plotë e lavdisë së tij. Dhe nga të gjithë njerëzit, më të përsosurit, më të shquarit dhe më të shkëlqyerit janë Manifestimet e Diellit të së Vërtetës, madje, të gjithë të tjerët ,përveç këtyre Manifestimeve, jetojnë falë veprimit të Vullnetit të tyre, lëvizin dhe ekzistojnë përmes vërshimit te hirit të tyre....Këta Tabernakuj të shenjtërisë , këto Pasqyra parësore që reflektojnë dritën e lavdisë së pashuar, s'janë veçse shprehje të Atij Që është i padukshmi i të Padukshmëve. Përmes Revelacionit të këtyre margaritarëve të virtutit hyjnor janë manifestuar të gjithë emrat dhe atributet e Perëndisë, të tilla si dija dhe pushteti, sovraniteti dhe sundimi, mëshira dhe urtia,lavdia, bujaria dhe hiri."10

73 Manifestimet e Perëndisë, Themeluesit e feve të botës janë Bartësit e vullnetit dhe qëllimit të Perëndisë te njerëzimi. Ata janë logos - Fjala e Perëndisë. Asgjë nuk mund të shihet te ta veçse Realiteti dhe Drita e Perëndisë.

74 "Dera e dijes e të Lashtit të Kohëve është, pra, e mbyllur para të gjitha qenieve, Burimi i hirit të pafund...ka bërë që këta Margaritarë të ndritshëm të Shenjtërisë të shfaqen nga mbretëria e shpirtit në formën fisnike të tempullit njerëzor dhe të manifestohen para gjithë njerëzve, që ata t'i japin botës misteret e Qenies së pandryshueshme dhe të tregojnë nuancat e holla të Thelbit të tij të pavdekshëm. Këto pasqyra të Shenjta, këto Agime të lavdisë së lashtë janë, të gjithë pa përjashtim, Eksponentë mbi tokë të Atij Që është Ylli Qëndror i universit, Thelbi dhe qëllimi i fundit i Tij. Prej Tij vijnë dija dhe pushteti i tyre; prej tij rrjedh sovraniteti i tyre. Bukuria e pamjes së tyre s'është veçse pasqyrim i shëmbëlltyrës së Tij dhe Revelacioni i tyre shenjë e lavdisë së Tij të pavdekshme. Ata janë Thesaret e dijes hyjnore dhe bartësit e urtisë qiellore. Nëpërmjet tyre vjen një hir që nuk ka fund dhe nga ata revelon drita që kurrë nuk mund të shuhet".11

75 Ky është vetëm një aspekt i temës së madhe që shpalos Libri i Sigurisë.

76 Kauza e Báb-it ishte përsëri më e shëndetëshme dhe më e gjallë. Mjegulla e shmangieve dhe anarkisë ishte shpërndarë. Nga të katër anët Báb-it erdhën të ngrohen në diellin e dashurisë dhe udhëheqjes së Bahá'u'lláh-ut. Njerëz të ditur e të mësuar sollën problemet e tyre të ndërlikuara dhe morën zgjidhjet e kënaqëshme për ta. Por fama që ndiqte emrin e Bahá'u'lláh-ut trazonte përsëri ndjenjat e zilisë dhe urrejtjes. Një numër teologësh Shi'ih u mblodhën për të vendosur një plan veprimi kundër Besimit të Báb-it dhe Eksponentit të tij të shquar. Ju, duhet të merrni parasysh faktin që Shejk Ansári, më i shquari prej tyre, refuzoi të merrte pjesë në diskutime. Ata mandatuan një nga anëtarët e tyre të presë para Bahá'u'lláh-ut dhe t'i kërkojë dëshmi bindëse. Ky njeri bëri siç ishte urdhëruar dhe u kthye përsëri me një ofertë definitive- Bahá'u'lláh-u do jepte çdo dëshmi që kleri mund të kërkonte, me kusht që ata, nga ana e tyre, të zotoheshin për të pranuar paskëtaj autoritetin e Tij. Emisari u tregoi njerëzve të vet, që ai nuk ishte dëshmitar i asgjëje tjetër, veç të vërtetës dhe drejtësisë në fjalët dhe veprat e Udhëheqësit Báb-i. Por ata nuk ishin bashkuar të gjenin të vërtetën, por për ta kundërshtuar atë. Të trembur se mos Bahá'u'lláh-u u jepte me të vërtetë dëshmitë e kërkuara, ata refuzuan të japin ndonjë premtim, kundërshtuan propozimin dhe ushtruan presion mbi qeverinë e Sháhut për të adoptuar masa shtypëse. Njeriu që veproi si emisar i tyre, vetë një klerik i shquar, i neveritur nga sjellja e shokëve, për aq sa jetoi, u tregoi njerëzve të vërtetën e asaj që ndodhi.

77 Konsulli persian në Bagdad mbështeti teologët dhe, aq këmbëngulëse u bënë lutja, lajka dhe përfundimisht frikësimi, sa që Shahu u tremb dhe udhëzoi të dërguarin e tij në Kostandinopojë të hyjë në bisedime me qeverinë turke. Ai dëshironte që Bahá'u'lláh-u të shoqërohej në kufi dhe t'u dorëzohej njerëzve të tij. Pasi për këtë dështoi kërkoi lëvizjen e Bahá'u'lláh-ut në një lokalitet larg nga kufijtë e Iranit. Midis dy shteteve u zhvilluan bisedime disa herë dhe më në fund Sulltani urdhëroi Guvernatorin e Bagdatit të dërgojë Bahá'u'lláh-un në Kostandinopojë. Armiqtë e Tij ishin të fituar dhe miqtë e Tij të tronditur e të hidhëruar. A mund të shkojë imagjinata jonë aq larg sa të përfytyrojmë dëshpërimin dhe dhimbjen e Báb-ive në atë prill të vitit 1863? A mund ta mendojmë ne brengën e tyre?

78 Bahá'u'lláh-u lëvizi në kopështin e Ridvanit, jashtë portës së Bagdadit. Atje u dyndën Báb-it për të parë ikjen e Të Shumëdashurit, që po largohej mizorisht me zor nga gjiri i tyre. Ishte dita e njëzet e dy prillit. Báb-it u mblodhën rreth Tij me lot në sy. Ai ishte i qetë, i kthjellët dhe i patrazuar. Ora kishte ardhur. Para atyre njerëzve Bahá'u'lláh-u reveloi Vetveten - Ai ishte I Premtuari në rrugën e Të Cilit Báb-i kishte sakrifikuar jetën e Tij, "Ai Të Cilin Perëndia do ta bënte manifest", Shah Bajrami, Buda i Pestë, Zoti i Zotërve, Krishti në pozicionin e Të Atit, Zoti i Ditës së Gjykimit.

79 "-A mundesh ti, O Pendë të zbulosh ndonjë tjetër veç Meje në këtë Ditë? Ç'ka ndodhur me krijimin dhe me manifestimet? Po me emrat e me mbretërinë e tyre? Ku kanë shkuar të gjitha gjërat e krijuara të dukshme apo të padukshme? Ç'ka ndodhur me sekretet e fshehura të gjithësisë dhe me revelacionet e saj? Ja, gjithë krijimi është zhdukur! Asgjë s'ka mbetur veç Fytyrës Sime, të Përjetshmit, të Shndritshmit, Lavdiplotit.

80 Kjo është Dita në të cilën asgjë nuk mund të shihet, veç vezullimeve të Dritës që shkëlqejnë në fytyrën e Zotit Tënd, të Hirshmit, Bujariplotit. Me të vërtetë, Ne kemi bërë që çdo shpirt të shuhet përmes sovranitetit Tonë të parezistueshëm e gjithënënshtrues. E pastaj kemi thirrur në jetë një krijim të ri, si shenjë të dashamirësisë Sonë për njerëzit. Unë jam, me të vërtetë, Bujariploti, i Lashti i Kohëve.

81 Kjo është Dita në të cilën bota e padukshme thërret: "I madh është bekimi yt, O tokë, sepse ti je bërë këmbëmbështetësja e Perëndisë Tënd dhe je zgjedhur si selia e fronit të Tij të fuqishëm". Mbretëria e lavdisë thërret: "U flijoftë jeta ime për ty sepse Ai Që është i Shumëdashuri i Mëshirëplotit ka vendosur sovranitetin e Tij mbi ty, përmes fuqisë së emrit të Tij, që u është premtuar të gjitha gjërave qoftë të së shkuarës ose të së ardhmes..."

82 Ngrehu dhe shpalli tërë krijimit lajmin e mirë se Ai Që është Mëshirëploti i ka drejtuar hapat e Tij nga Ridvani dhe ka hyrë aty. Pastaj udhëhiqi njerëzit në kopshtin e kënaqësisë të cilin Perëndia e ka bërë Fronin e Parajsës së Tij...

83 Mos i shiko krijesat e Perëndisë veçse me syrin e mirësisë e të mëshirës, sepse urtia Jonë dashamirëse ka përshkuar të gjitha gjërat e krijuara dhe hiri Ynë ka përfshirë tokën dhe qiejtë. Kjo është Dita në të cilën shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë janë pjesëtarë në ujrat jetëdhënëse të bashkimit, Dita në të cilën ata që i qëndrojnë pranë Atij mund të pijnë në lumin e pavdekësisë që rrjedh butë dhe ata që besojnë në unitetin e tij të pijnë verën e Pranisë së Tij, duke njohur Atë Që është Më i Larti e Skaji i Fundmë i gjithçkaje, në të Cilin Gjuha e Madhërisë dhe Lavdisë lëshon thirrjen: "Mbretëria është Imja. Unë Vetë, për të Drejtën Time, jam Sundimtari i saj..."

84 Gëzohuni me ngazëllim të paparë, O njerëz të Baháit, ndërsa sillni ndërmend ditën e lumturisë supreme, Ditën kur Gjuha e të Lashtit të Kohëve ka folur, ndërsa largohej nga Shtëpia e Tij për të shkuar në Vendin prej ku Ai lëshoi mbi gjithë krijimin vezullimet e emrit të Tij, Mëshirëplotit".12

85 Kokat u përkulën pasi madhështia e këtij Deklarimi preku ndërgjegjen e njerëzve. Trishtimi kishte ikur; gëzimi, gëzimi hyjnor triumfoi.

86 Bahá'u'lláh-u la Bagdadin më 3 maj 1863 dhe arriti në kryeqytetin e Perandorisë Turke tre muaj më vonë. Ai ishte thirrur atje me urdhër të Sulltanit. A do të përballej Ai atje me një gjyq zyrtar? A do të hetohej rasti i Tij personalisht nga sundimtari Otoman? A do çohej Ai në burg për pak kohë apo do të mbahej në Stamboll për një kohë të pacaktuar? Të tilla pyetje , padyshim, rrihnin si me çekan kokat e njerëzve të Tij; askush nuk ishte i sigurt. Megjithëse nuk mund të gjenin përgjigje bindëse dhe megjithëse e ardhmja dukej e errët dhe me rrezik, shumë nga pasuesit e Tij ndanë me gjithë zemër dhimbjen e syrgjynit të Tij.

87 Nga Porta e Lartë Bahá'u'lláh-u nuk kërkoi ndonjë favor. Protesta e vetme e Tij ishte heshtja e Tij. Disa figura publike të kryeqytetit e ftuan Atë. Në shekullin e kaluar, në oborre orientalë thureshin rebelime dhe intriga. Ndërsa jetonte në Bagdad Bahá'u'lláh-ut i ishin afruar një numër personash të tillë që kishin shpresuar të fitonin dashurinë e Báb-ive. Ai kishte refuzuar të takojë ata dhe një pakicë që u prit prej Tij nuk kishte patur inkurajim. Në Kostandinopojë Bahá'u'lláh-u vazhdoi të njëjtin rregull. Ai refuzoi çdo lidhje me qëllimet e tyre. Kauza e Tij nuk kishte asnjë pikë lidhjeje me rebelimin; në fakt, e tërë nxitja e mësimeve të Tij ishte absolutisht ndryshe. A nuk ishte kjo gjithashtu rruga e ndjekur nga Krishti njëmijë e tetëqind vjet më parë? I qetë, i kthjellët dhe i duruar, Bahá'u'lláh-u priti vendimin e ndëshkuesve të Tij. Kështu kaloi Ai katër muaj në Stamboll. Më në fund Atë e dëbuan në Adrianopojë.

88 Kështu filloi një tjetër udhëtim i mbarsur me vuajtje. Nëpër dëborën që binte, Ai dhe shokët e Tij, u nisën drejt destinacionit të tyre pa mjete të përshtatshme për t'u mbrojtur nga egërsia e dimrit të hidhur. Udhëtimi zgjati 12 ditë dhe ata arritën në Edrene të kapitur. Edhe pse në një gjendje të tillë, Bahá'u'lláh-u mund të shkruante fraza të tilla si këto: "Unë nuk jam i padurueshëm ndaj fatkeqësive në udhën e Tij, as nga dhimbjet e dashurisë për Të dhe për kënaqësinë e Tij të plotë.... Përmes dhimbjeve ka shkëlqyer pandërprerë drita dhe himni i Tij; kjo ka qenë metoda e Tij që nga kohët e shkuara".

89 Bahá'u'lláh-u ishte tani një i burgosur i qeverisë Otomane. Megjithëse nuk kishte akuza për t'u ngritur kundër Tij, liria e lëvizjes së Tij ishte e kufizuar.

90 Në Adrianopojë Bahá'u'lláh-u lëshoi një shpallje të hapur e publike të Revelacionit të Tij dhe Báb-it, kudo që ishin, përveç disa zërave disidentë, u mblodhën rreth Kauzës së Tij dhe iu nënshtruan Autoritetit të Tij të dhënë nga Perëndia. Tani e tutje pasuesit e Tij quheshin Bahái. Azali, megjithëse në dukje u nënshtrua, me një numër egoistësh të tjerë u bashkua fshehtazi me opozitën. Po të lexosh intrigat e tij të shumta dhe veprat e tij të ulta bëhesh keq. Ai dhe shokët e tij nuk guxuan të dalin hapur, sepse motivet e tyre nuk ishin transparente e prireshin të mos zbuloheshin e viheshin në dukje. Azali imagjinonte se ishte duke minuar pozitën e Bahá'u'lláh-ut; në fakt ai ishte duke shkatërruar vetveten. Bahá'u'lláh-u bëri të pamundurën për ta shpëtuar vëllanë e Tij, por shpirtmirësia dhe bujaria e Tij u shpërblye me më shumë vrer dhe urrejtje. Koha, që vërteton se kush ka të drejtë, përfundimisht tregoi zbraztësinë e pretendimit të Azalit dhe mjerimin e qëllimit të tij. Ai futi edhe helm në ushqimin e Bahá'u'lláh-ut, që shpëtoi, por me efektet që ajo substance vdekjeprurëse i la Atij deri në fund të jetës. Duke dështuar në përpjekjen e tij të poshtër, Azali u kthye dhe ngriti gishtin e akuzës kundër Bahá'u'lláh-ut. Ai e akuzoi Vëllanë sikur Ai i kishte helmuar ushqimin dhe më pas aksidentalisht kishte ngrënë pak prej tij. Sot, pas një shekulli, ne mund të mëshirojmë keqbërësin dhe ndjehemi të çuditur nga shpifjet dhe pandehjet e tij. Ndërkohë, të tilla sjellje të turpshme shërbyen për të shtuar vështirësitë e jetës së Bahá'u'lláh-ut.

91 Pjesa që pason është nxjerrë nga autobiografia e Ostad Muhamet Aliut, berberi që i shërbeu Bahá'u'lláh-ut në Adrianopojë:

92 Një ditë, ndërsa isha në banjë, duke pritur që të vinte Përsosmëria e Bekuar, erdhi brenda Azali që u la dhe filloi të vërë këna. U ula t'i shërbej dhe ai filloi të flasë me mua. Përmendi një ish Guvernator të Najrezit që kishte vrarë besimtarët dhe kishte qenë një armik i vendosur i Kauzës. Azali vazhdoi të lavdërojë kurajon dhe trimërinë duke thënë se disa ishin trima nga natyra dhe në kohën e duhur e tregonin atë me sjelljen e tyre. Ai përsëri përmendi Najrezin dhe tha që, njëherë, ai kishte lënë pa vrarë nga fëmijët e besimtarëve vetëm një djalë dhjetë apo njëmbëdhjetë vjeçar. Një ditë, kur Guvernatori ishte në banjë, ky djalë hyri atje me një thikë dhe, pasi Guvernatori doli nga uji, ai i nguli thikën dhe i çau barkun. Guvernatori klithi dhe shërbëtorët e tij nxituan në banjë, panë djalin me thikë në dorë dhe iu hodhën sipër. Pastaj shkuan të shohin si ishte zotëria i tyre, ndërsa djali, megjithëse i plagosur, u ngrit dhe i nguli thikën atij përsëri. Azali përsëri filloi të lavdërojë trimërinë dhe të thotë sa e mrekullueshme është të jesh guximtar. Më pas ai tha: "Shih se ç'po bëjnë ata me Kauzën; çdonjeri është ngritur kundër meje, bile edhe vëllai im dhe, me gjendjen time të keqe unë s'kam pikë rehatie." Toni dhe nënkuptimi i tij donte të thoshte që ai, duke qenë pasardhës i Báb-it, ishte i munduari dhe Vëllai i tij një uzurpator dhe agresor. (Unë gjej mbrojtje nga Perëndia!) Pastaj ai përsëri tha që trimëria është e lavdërueshme dhe Kauza e Perëndisë kërkon ndihmë. Me këtë bisedë, që lidhej me historinë e Guvernatorit të Najrezit dhe që lavdëronte trimërinë, duke më cytur mua, ai, në të vërtetë, donte të më shtynte të vrisja Bahá'u'lláh-un.

93 Kjo gjë më shqetësoi aq shumë sa kurrë nuk isha ndjerë aq i tronditur në jetën time. Ndjeva sikur ndërtesa ishte duke u gremisur mbi mua. Nuk thashë gjë, por mendja më vinte vërdallë, dola jashtë në paradhomë dhe u ula në një stol. Fola me vete që të shkoja përsëri në banjë dhe t'i prisja kokën atij, pavarësisht nga pasojat. Më pas mendova se të vrisja Azalin nuk ishte një punë e lehtë dhe ndoshta, me këtë, do të ofendoja Bahá'u'lláh-un. Le ta zemë se e vrava atë njeri, i fola vetes, por pastaj do shkoj në praninë e Përsosmërisë së Bekuar, Që do më pyesë përse e vrava e atëhere çfarë përgjigje do t'i jepja? Ky mendim më parandaloi nga realizimi i synimit tim. U ktheva në banjë dhe duke qenë shumë i zemëruar me Azalin i thashë "Zhduku!"*. Azali filloi të qaravitej, të dridhej dhe më kërkoi t'i hidhja ujë mbi kokë për të larë kënanë. U binda, ai u shpëla, doli jashtë nga banja i tromaksur dhe, që atëhere s'e kam parë më kurrë.

94 Isha në një gjendje të tillë sa që asgjë nuk mund të më qetësonte. Atë ditë Përsosmëria e Bekuar nuk erdhi në banjë, por erdhi Mirza Musai (vëllai besnik i Bahá'u'lláh-ut), të cilit i tregova pse kisha marrë flakë nga sugjerimi tmerrues i Azalit. Mirza Musai tha: "Ai e ka menduar këtë gjë me vite, po mos ia vër re. Ai gjithmonë kështu ka menduar". Askush tjetër nuk erdhi në banjë, ndaj unë e mbylla. Më pas shkova te Mjeshtri* dhe i tregova që Mirza Jahjai më kishte thënë fjalë që më kishin xhindosur, se kisha dashur ta vrisja, por nuk e bëra. Mjeshtri më tha që kjo ishte diçka të cilën njerëzit nuk e kuptojnë dhe më tha të mos flisja rreth saj, por ta mbaja sekret. Atëhere shkova te Mirza Áka Xhani (sekretar dhe asistent i Bahá'u'lláh-ut), i raportova të gjithë incidentin dhe i kërkova t'ia tregonte Bahá'u'lláh-ut. Áka Xhani u rikthye dhe tha: "Bahá'u'lláh-u thotë që t'i thuash Ostad Muhamet Aliut të mos ja përmendë këtë njeriu".

95 Atë natë mblodha të gjitha shkrimet e Azalit, shkova në dhomën e kafesë të shtëpisë së Bahá'u'lláh-ut dhe i dogja të gjitha në mangall. Para se ta bëja këtë, ia u tregova ato shtatë a tetë besimtarëvë që u ndodhën atje, duke u thënë "Këto janë shkrimet e Azalit". Ata të gjithë protestuan dhe më pyetën përse e bëra këtë. Unë iu përgjigja se deri në atë moment e vlerësoja Azalin lart, por tani ai vlente në sytë e mi më pak se një qen.

96 Nga Adrianopoja dhe më vonë nga Áka, Bahá'u'lláh-u iu adresoi sundimtarëve të botës një varg Letrash. Në to Ai deklaroi Misionin e Tij Hyjnor dhe u bëri thirrje t'i shërbejnë paqes dhe drejtësisë. Vargu i madh i këshillave dhe paralajmërimeve të Tij reveluar në këto letra, tërhoqën vëmendjen e thellë të çdo studenti serioz të Besimit Bahái.

97 Në to ne shohim një Të Burgosur, munduar nga bota, gjykuar dhe dënuar nga komplotet e tiranëve, Që përballon turmën e mbretërve, madje, shumicën e njerëzimit. Ai këmbëngul në gjykimin për vlerat e shoqërisë njerëzore, dhe i patrembur, u bën një sfidë të hapur jo vetëm shtypësve të Tij, jo vetëm hijeve efemere të mbretërisë dhe fuqisë tokësore, por parimisht dhe atyre pasioneve e motiveve të errëta që guxojnë të ndërhyjnë midis njeriut dhe qëllimit të caktuar për të nga Krijuesi i tij. Ja, një I Syrgjynosur, i kundërshtuar e i tradhtuar, duket që është E Vërteta dhe I Vetmi Gjykatës.

98 Një nga sundimtarët që mori një Letër nga Bahá'u'lláh-u ishte edhe Nasered Dini, Shahu i Persisë, sovrani me urdhrin e të cilit Bahá'u'lláh-u ishte dëbuar nga toka e Tij amtare, me këmbënguljen e të cilit qeveria Otomane e kishte larguar atë nga Iraku. Shahu Nasered Din ishte një tiran kapriçioz, despotik, që ishte i bindur se heqja e Bahá'u'lláh-ut nga fqinjësia e mbretërisë së tij drejt Rumelisë së largët ishtë një goditje mjeshtërore kundër fateve të Besimit, të cilin ai e urrente. Dhe ja tani një letër, po nga Ai i Syrgjynosur, ishte dorëzuar në duart e tij, që kumbonte me një fuqi, që ai nuk e bënte dot zap:

99 "O Shah, Unë kam parë në udhën e Perëndisë atë që asnjë sy nuk e ka parë dhe asnjë vesh nuk e ka dëgjuar....Sa fatkeqësi kanë zbritur e sa do të zbresin mbi mua! Unë eci, duke shkuar drejt të Fuqishmit, Zëmërgjerit, ndërsa mbrapa Meje zvarritet gjarpëri. Nga sytë e mi rrjedhin lot, derisa shtrati im bëhet qull, por vuajtjet e mia nuk janë për mua. Për Perëndi! Koka Ime pret me dëshirë të zjarrtë shtizat për dashurinë e Zotit të saj. Unë kurrë nuk kaloj pranë një druri pa i drejtuar atij me zemrën Time fjalët: "O të prefshin në Emër Tim dhe trupin Tim mbi ty e kryqëzofshin në rrugën e Zotit Tim!"... Për Perëndi! Edhe pse lodhja do të më dobësonte e uria do të më shkatërronte, edhe sikur shtrati im të ishte prej shkëmbi të fortë dhe miqtë e mi bisha të pyllit, Unë nuk do të ankohem, por do të jem i durueshëm, siç janë të durueshëm të palëkundurit e të vendosurit, në fuqinë e Perëndisë, të Mbretit të Përjetshëm dhe Krijuesit të të gjitha kombeve, dhe në çdo rrethanë Unë do falenderoj Perëndinë. Ne lutemi që me bujarinë e tij - lëvduar qoftë Ai - Ai na liroftë nga ky burgim, liroftë qafat e burrave nga prangat dhe zinxhirët dhe i bëftë ata të kthehen, me fytyra të sinqerta, drejt Fytyrës së Tij, Që është i Plotfuqishmi, Bujariploti. Ai është i gatshëm për t'ju përgjigjur kujtdo që thërret para Tij dhe është pranë për ata që janë të shkrirë më Të".13

100 Lajmëtari që çoi letrën e Bahá'u'lláh-ut te Shahu u torturua dhe u vra. Ai ishte një djalë i ri vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç, Áka Bozorg nga Korasani, të cilin historia e Baháive e njeh si Badi (I Mrekullueshmi). Dikur ai ishte dëshpërim për familjen e tij. Por erdhi një ditë që ai ndjeu se duhet të kërkonte Bahá'u'lláh-un dhe të fitonte një jetë të re nga duart e Tij. Nga Korasani, provincë verilindore e Persisë, deri në brigjet e Detit Mesdhe ishte një distancë shumë e madhe. Ai u nis më këmbë dhe mori rrugën e rrezikshme për në banesën e Zotit të tij pa u zbrapsur. Bahá'u'lláh-u kish reveluar Tabelën për Shahun në Adrianopojë dhe tani Ai ishte në kazermat burg të Ákas. Shumë konkuruan për nderin e letërprurësit të asaj letre. Por Bahá'u'lláh-u priti. Kur djali nga Korasani mbërriti dhe iu dha lejë të hyjë në burg, Bahá'u'lláh-u tha se personi që do çonte Tabelën e Tij te Shahu kishte ardhur. Badi udhëtoi përsëri në Persi ashtu siç erdhi. Siç e porositi Bahá'u'lláh-u, ai nuk kërkoi shoqërimin e askujt, por e bëri rrugën për në Teheran i vetëm. Udhëtimi zgjati katër muaj. Pasi arriti në kryeqytet, ai u bë gati për aktin e tij final. Ai shpejtoi, shihte orën dhe në momentin që ai ndeshi Shahun jashtë kryeqytetit thirri : "O Mbret! Unë kam ardhur nga Sheba, me një mesazh me peshë për ty". Monarku, nga pasioni e zelli me të cilin fliste, e njohu se lajmëtar i kujt ishte ky djalë i ri. Badi u arrestua menjëherë dhe u torturua për të zbuluar emrat e shoqëruesve të tij. Ai i duroi gjithë vuajtjet me burrëri. Më pas i dërmuan kokën me qytat e pushkëve dhe trupin ia flakën në një pus*.

101 Por thirrja e Bahá'u'lláh-ut, në atë Tabelë për Shahun, jehon nëpër vite:

102 " O Mbret! Unë nuk isha veçse një njeri si të tjerët, në gjumë mbi divanin Tim, kur papritur flladet e Lavdiplotit frynë përmbi Mua dhe Më mësuan dijen e çdo gjëje që ka qenë. Kjo s'është nga Unë, por nga Ai i Vetmi Që është i Gjithëfuqishëm e i Gjithëdijshëm. Dhe Ai Më urdhëroi të ngre zërin Tim midis tokës dhe qiejve, e për këtë më ndodhi ajo që bëri të derdhen lotët e çdo njeriu që kupton. Unë nuk kam studiuar diturinë e përhapur midis njerëzve; unë nuk kam ndjekur shkollat e tyre. Pyet qytetin ku unë banova që të sigurohesh mirë që Unë nuk jam nga ata që flas gjepura. Kjo s'është veçse një fletë që erërat e vullnetit të Zotit Tonë, të Gjithëfuqishmit, të Gjithëlavdëruarit, e kanë vënë në lëvizje. Mund të qëndrojë ajo e palëvizur kur fryjnë erërat e stuhishme? Jo për Atë Që është Zoti i të gjithë Emrave dhe Atributeve! Ato e lëvizin atë si të duan". 14

103 Në një periudhë të mëvonshme Bahá'u'lláh-u iu adresua qytetit të Tij të lindjes Teheran me këto fjalë kuptimplota:

104 "Gëzohu me hare të madhe, sepse Perëndia të ka bërë ty Agimin e dritës së Vet, përderisa brenda teje lindi Manifestimi i Lavdisë së Tij. Ji i gëzuar për këtë emër që të është dhënë - një emër, përmes të cilit ylli i Ditës së Hirit ka lëshuar shkëlqimin e vet, përmes të cilit janë ndriçuar toka e qielli.

105 Së shpejti gjëndja e punëve të tua do të ndryshojë dhe frenat e pushtetit do të bien në duart e popullit. Me të vërtetë, Zoti yt është i Gjithëdijshmi. Pushteti i Tij përfshin gjithçka. Të jesh i sigurtë për favorin dashamirës të Zotit tënd. Syri i mirëdashjes së Tij do të drejtohet përgjithmonë te ti".15

106 Për Sulltanin Abdyl Aziz, sundimtarin Otoman që urdhëroi syrgjynin e Bahá'u'lláh-ut, Ai foli me tone të tilla autoritare:

107 "Dëgjo, O Mbret, fjalën e Atij që thotë të vërtetën , të Atij që nuk të kërkon ta shpërblesh me gjërat që Perëndia të ka dhuruar ty, të Atij që ecën pa u gabuar në Shtegun e drejtë. Ai të bën thirrje të vish te Perëndia, Zoti yt, të tregon rrugën e drejtë, rrugën që të çon në lumturinë e vërtetë, në mënyrë që të mund të jesh ndër ata që do të kenë të mira...

108 Mos i kalo kufijtë e moderimit dhe vepro drejt me ata që të shërbejnë. Jepu atyre sipas nevojave që kanë dhe jo në atë shkallë që t'u lejojë të mbledhin pasuri për vete, të stolisen, të zbukurojnë shtëpitë e tyre, të blejnë gjëra që nuk u sjellin përfitim dhe të numërohen midis ekstravagantëve. Vepro me ta me drejtësi të rreptë, në mënyrë që asnjeri prej tyre të mos vuajë nga skamja, por as të mos notojë në luks. Kjo s'është veçse drejtësi që duket sheshit.

109 Mos lejo të përçmuarin të sundojë e dominojë ata që janë fisnikë e të denjë për t'u nderuar, dhe mos lejo që zemërgjerët të jenë në mëshirën e njerëzve të përbuzshëm e të padenjë, sepse Ne këtë e vumë re kur arritëm në qytet (Kostandinopojë) dhe për këtë dëshmojmë. Ne gjetëm midis banorëve të tij disa që zotëronin pasuri të madhe dhe jetonin në mes të një begatie të tepruar, ndërsa të tjerë ishin në skamje të tmerrshme e në varfëri të thellë. Kjo nuk i përshtatet sovranitetit tënd dhe është e padenjë për rangun tënd... Përpiqu të sundosh me drejtësi midis njerëzve që Perëndia ta lartësojë emrin tënd dhe ta përhapë famën e drejtësisë sate në mbarë botën".16

110 Ai parashikoi katastrofat që do të përfshinin zotërimet Otomane nga zgjimi kundër një politike të papërtërirë:

111 "Drejtimi i gjërave do të ndryshohet dhe konditat do të bëhen aq të trishtuara, sa që rërat mbi kodrat e shkretëtirës do të rënkojnë, pemët në male do të vajtojnë dhe gjaku do të rrjedhë lumë. Pastaj ju do të vini re njerëzit në fatkeqësi të dhimbshme."17

112 Perandori francez, Napoleoni III, e priti shumë larg kortezisë Letrën që i dërgoi Bahá'u'lláh-u. Ai citohet të ketë thënë me arrogancë mendjemadhe, "Në qoftë se ky njeri është Perëndia, unë jam sa dy perëndi." Më pas atij iu dërgua nga burgu i Ákas një Tabelë e dytë:

113 "Nuk është dëshira Jonë t'u adresojmë juve fjalë kundërshtuese, jashtë konsideratës për titullin që Ne akordojmë për ju në këtë jetë të vdekshme. Ne, me të vërtetë, kemi zgjedhur mirësjelljen, dhe e kemi atë shenjë të vërtetë të tillë siç jemi pranë para Tij. Mirësjellja është, në të vërtetë, një veshje që i shkon për shtat çdo njeriu,qoftë i ri apo i moshuar...Për atë që ke bërë ti mbretëria juaj do të zhytet në pështjellim dhe perandoria juaj do të shkasë nga duart si një ndëshkim për atë që ke shkaktuar. Atëhere do ta kuptosh sa rëndë ke gabuar. Trazirat do të përfshijnë gjithë popullin në atë vend, në se ti nuk ngrihesh të përkrahësh këtë Kauzë dhe të ndjekësh Atë Që është Fryma e Perëndisë (Jezu Krishti) në Shtegun e Drejtë. Mos vallë madhështia të ka bërë mendjemadh? Për Jetën Time! Kjo nuk do të vazhdojë gjatë, madje ka për të kaluar shpejt, nëse nuk kapesh fort pas këtij Kordoni të fortë. Ne e shohim poshtërimin që po të ndjek, ndërsa ti je nga të shkujdesurit. Ajo të detyron, kur dëgjon Zërin e Tij duke të thirrur nga vendi i lavdisë, të braktisësh gjithçka që ke dhe të thërresësh: "Ja ku jam, O Zot i gjithçkaje që është në qiell dhe mbi tokë."18

114 Në të njëjtën Tabelë Bahá'u'lláh-u i tregon Perandorit francez: "O Mbret i Parisit! Tregoju priftërinjve të mos u bien më këmbanave. Për Perëndi, Perëndinë e Vërtetë! Më e Madhja Këmbanë është shfaqur në formën e Tij, Që është Më i Madhi Emër dhe gishtat e vullnetit të Zotit tuaj, Më të Ekzaltuarit, Më të Lartit e kumbuan atë në qiellin e Pavdekësisë, në Emër të Tij, Të Lavdiplotit".

115 Kjo Tabelë u dërgua më 1869. Pikërisht një vit më vonë Napoleoni pësoi disfatë. Agjenti francez në Áka, që kishte përkthyer Tabelën e Bahá'u'lláh-ut në frëngjisht dhe e kishte dërguar atë te Perandori, duke vënë re tatëpjetën e shpejtë të fatit të fronit të atij monarku, pranoi Besimin e Bahá'u'lláh-ut.

116 Perandori gjerman, Uiliam I, u paralajmërua t'i kushtojë vëmendje fatit të sundimtarit të përmbysur nga triumfi i ushtrive të tij:

117 "A të kujtohet ai njeri, fuqia e të cilit ia kalonte fuqisë suaj dhe pozita e të cilit ia kalonte pozitës suaj. Ku ndodhet ai? Ku shkuan gjërat që ai zotëronte? Ki kujdes dhe mos ji nga ata që flenë mendjen. Ishte ai që flaku Tabelën e Perëndisë pas tij, kur Ne i bëmë të ditur se ç'vuajtje na kishin shkaktuar hordhitë e tiranisë. Prandaj fatkeqësia e ndoqi atë nga të gjitha anët dhe ai ra në pluhur me humbje të mëdha. Mendohu thellë, O Mbret për të dhe për ata, që si ti, kanë pushtuar qytete dhe sunduar mbi njerëzit. Mëshirëploti i flaku ata nga pallatet në varret e tyre. Qofsh i paralajmëruar, qofsh ndër ata që reflektojnë."19.

118 Bahá'u'lláh-u profetizoi gjithashtu përvojat e hidhura të Perandorisë gjermane:

119 "O brigjet e Rinit! Ne ju kemi parë të mbuluar me gjak, pasi shpatat e shpagimit u nxorën kundër jush; dhe ju do t'u vijë radha përsëri. E Ne dëgjojmë rënkimet e Berlinit, megjithëse ai është sot në lavdi të plotë".20

120 Tabelë për Papa Piun IX është e një interesi të veçantë dhe lidhet me botën Kristiane. Për Papën Suprem në Romë, Bahá'u'lláh-u shkroi:

121 "O Papë! Grisi mbulesat copë-copë ! Ai Që është Zot i Zotërve ka ardhur i mbuluar me re dhe dekreti është përmbushur nga Perëndia, I Plotfuqishmi, I Pakufizueshmi... Ai , me të vërtetë, ka zbritur nga Qielli ashtu si zbriti Ai prej andej herën e parë. Kujdes që të mos grindesh me Të ashtu si u grindën Farisejtë me Atë (Jezusin) pa arsye apo dëshmi të qarta... Lëre botën pas teje dhe kthehu drejt Zotit tënd, nëpërmjet Të Cilit është ndriçuar e gjithë toka.... Ti banon në pallate ndërsa Ai Që është Mbreti i Revelacionit jeton në banesat më të shkretuara?.... Ngrihu në emër Të Zotit tënd, Perëndisë së Mëshirës, midis njerëzve të tokës dhe mbërthe Kupën e Jetës me duar të sigurta, pi i pari prej saj dhe përcille pastaj te njerzit e të gjitha besimeve.

122 Thirr në kujtim të Atij Që ishte Shpirti (Jezusi), Që kur erdhi, më të diturit e kohës së Vet i shpallën gjykimin në vendin e Tij, ndërsa ai, që ishte veçse një peshkatar i besoi... Gjykoji ata që kundërshtuan Birin (Jezusin), kur Ai erdhi para tyre me sovranitet dhe pushtet. Sa Farisej, që ishin duke pritur të shihnin Atë, ishin duke qarë për ndarjen prej Tij! Dhe megjithatë, kur aroma e ardhjes së Tij u përhap përmbi ta dhe bukuria e Tij u zbulua, ata i kthyen krahët dhe u grindën me Të... Askush nuk kursen qoftë edhe një pakicë, që kthyer drejt Fytyrës së Tij, ishin nga ata që u mungonte çdo lloj pushteti mes njerëzve. Dhe, megjithatë, sot, çdo njeri i veshur me pushtet dhe i pajisur me sovranitet mburr vetveten në Emër të Tij! Në këtë mënyrë, gjyko sa të shumtë janë në këto kohë murgjit, që, Në Emrin Tim, kanë izoluar vetveten në kishat e tyre e, kur koha e caktuar u plotësua dhe Ne zbuluam bukurinë Tonë, nuk Na njohën, megjithëse ata thërresin për Mua nga agimi deri në mbrëmje...

123 Fjala të cilën Biri e fshehu u bë manifest. Ajo, në këtë kohë, është dërguar poshtë në formën e tempullit njerëzor. Qoftë bekuar Zoti Që është Ati! Ai, me të vërtetë, ka ardhur për kombet me madhështinë e Tij më të madhe. Kthejini fytyrat tuaja drejt Tij, O bashkësi e të drejtëve!... Kjo është dita në të cilën Shkëmbi (Pjetri) thirri, bërtiti dhe festoi lavdinë e Zotit të vet, Duarplotit, Më të Lartit, duke thënë: "Hej! Ati ka ardhur dhe ajo që u ishte premtuar në Mbretëri u përmbush!.." Trupi im digjet për kryqin dhe koka Ime pret goditjen e shtizës në shtegun e Mëshirëplotit, që bota të pastrohet nga mëkatet e saj..."21

124 Aleksandri II i Rusisë ishte një tjetër nga kokat sovrane të botës që mori një Tabelë nga Bahá'u'lláh-u :

125 "O Car i Rusisë! Vëri veshin zërit të Perëndisë, Mbretit, Të Shenjtit dhe kthehu nga Parajsa, Vendi ku banon Ai Që midis Bashkësisë në lartësi, mban titujt më të shkëlqyer dhe Që në mbretërinë e krijimit, thirret me emrin e Perëndisë, I Shndritshmi, Lavdiploti. Kujdes se mos dëshira jote të largon nga kthimi drejt fytyrës së Zotit, I Dhëmbshuri, Më Mëshirëploti... Ndërsa Unë shtrihem i prangosur dhe me zinxhira në burg, një nga ministrat tuaj më zgjati dorën. Prandaj Perëndia ka porositur për ju një pozitë të cilën dija e askujt nuk mund ta kuptojë përveçse dija e Tij. Kujdes se mos e shkëmbesh këtë pozitë sublime... Kujdes se mos refuzosh sovranitetin tënd prej Atij Që është Sovrani Suprem...

126 Vëri vëshin Zërit Tim që thërret nga burgu, që të njeh me gjërat që i kanë ndodhur Bukurisë Sime nga duart e atyre që janë manifestime të lavdisë Sime dhe të bindesh sa i madh ka qenë durimi Im, pavarësisht nga forca Ime dhe sa e madhe vetpërmbajtja Ime, pavarësisht ngë pushteti Im. Për Jetën Time! Ju vetëm të njihni gjërat e parashtruara nga Pena Ime, që të njihni thesaret e Kauzës Sime dhe perlat e mistereve të Mia, që janë fshehur në detet e emrave të Mi dhe, në kupat e fjalëve të Mia, ti me dashurinë tënde për Emrin Tim dhe me dëshirën e zjarrtë për Mbretërinë Time të lavdishme e sublime, do të japësh jetën në rrugën Time. Dije se edhe sikur trupi Im të jetë nën shpatat e armiqve dhe gjymtyrët e Mi të mbërthehen nga dhimbje të paimagjinueshme, Shpirti Im është akoma i mbushur me atë kënaqësi, me të cilën nuk mund të krahasohen kurrë gjithë gëzimet e tokës.

127 ... Po të gjykoni me drejtësi, Unë, me të vërtetë, nuk kam kërkuar të lavdëroj Veten Time, por veçse Vetë Perëndinë. Ju vetëm mund të bindeni që asgjë s'mund të shihet te Unë, përveç se Perëndia dhe Kauza e Tij. Unë jam i Vetmi, Të Cilin gjuha e Isaias e ka lavdëruar, I Vetmi me Emrin e Të Cilit u adhuruan të dy, Torahu dhe Ungjilli."22

128 Në Kitáb-i-Aqdas (Libri Më I Shenjtë), Perandorit Franc Josef të Austrisë i kujtohet udhëtimi i Tij për në Vendin e Shenjtë:

129 "O Perandor i Austrisë! Ai që është Agimi i Dritës së Perëndisë banon në burgun e Ákas, në kohën që ti nise të vizitosh Xhaminë Aksa (Jeruzalem). Ti kalove pranë Tij dhe nuk pyete për Atë, për të Cilin çdo shtëpi përgjërohet dhe çdo portë fisnike është e hapur. Ne, me të vërtetë, e bëmë atë (Jeruzalemin) një vend ku bota duhet të kthehet, që ata të më kujtojnë Mua, megjithëse ti e ke kundërshtuar Atë, Që është objekt i këtij kujtimi, kur Ai shfaqet me Mbretërinë e Perëndisë, Zotit tënd dhe Zotit të të gjithë botës. Ne kemi qenë me ty gjatë gjithë kohës, të gjetëm duke u kacavirrur pas Degës dhe të pavëmendshëm ndaj Rrënjës. Në të vërtetë, Zoti yt është dëshmitar për çka them Unë. Ne u brengosëm kur të pamë qark Emrit Tonë, ndërsa s'ishe në dijeni për Ne, megjithëse ne ishim para fytyrës tënde. Hap sytë që të shohësh këtë Vizion të lavdishëm dhe të njohësh Atë të Cilin e lut natë e ditë dhe të ngulësh sytë mbi Dritën që shkëlqen mbi këtë Horizont të shndritshëm".23

130 Në të njëjtin Libër Bahá'u'lláh-u lëshon një thirrjë ndaj Kontinentit Amerikan:

131 "O Sundimtarë të Amerikës dhe presidentë të republikave të saj! Vini veshin te burimet e Dashurisë, mbi degën e përjetësisë, duke kënduar melodinë: "Nuk është Perëndia por Unë, i Përjetëshmi, Mëshirëploti, Bujari". Adhuroni tempullin e mbretërisë me zbukurimet e drejtësisë dhe frikës nga Perëndia, ndërsa kokën e saj me kurorën e kujtimit të Zotit tuaj... I Premtuari është shfaqur në këtë stacion të ekzaltuar ku gjithë krijimi, i parë dhe i paparë, qeshi dhe gëzoi... Ngjitni të thyerit me duart e drejtësisë dhe dërrmoni shtypësin me dajakun e urdhrave të Zotit tuaj, Urdhëruesit, Urtiplotit".24

132 Tabela për mbretëreshën Viktoria mishëron mesazhin që shtrihet ne thelb të Letrave të Tij për sovranët e botës. Ata, që pësuan disfata dhe u ngatërruan nga egërsia e mosmarrëveshjeve politike aktuale dhe grindjeve ndërkombëtare, si dhe legjionet e tyre, nuk mund të injorojnë këtë dokument të rëndësishëm. Ai sjell për ta përgjigjen, të cilën ata e kërkojnë më kot diku tjetër:

133 "O Mbretëreshë në Londër! Vëri veshin zërit të Zotit tënd, Zotit të të gjithë njerëzimit, që po flet nga Lotusi Hyjnor: Në të vërtetë, nuk është Perëndia atje, por Unë, i Gjithëfuqishmi, Urtiploti! Braktise gjithçka tokësore dhe zbukuro kreun e mbretërisë tënde me kurorën e kujtimit të Zotit, Lavdiplotit. Ai, në të vërtetë, ka ardhur në botë me lavdinë e tij më të madhe dhe gjithçka që përmendet në Ungjill është plotësuar....

134 Lëre mënjanë dëshirën tënde dhe atëhere vër zemrën te Zoti yt, I Lashti i Kohëve. Ne të përmendim ty për hir të Perëndisë dhe dëshirojmë që emri yt të ekzaltohet nëpërmjet kujtimit të Perëndisë, Krijuesit të tokës dhe qiellit. Ai, me të vërtetë, është dëshmitar për atë që unë them. Ne jemi informuar që ti ke ndaluar tregtinë e skllevërve, të burrave dhe grave. Kjo, me të vërtetë, është çka Perëndia ka urdhëruar në këtë Revelacion të mrekullueshëm. Për këtë arsye Perëndia, në të vërtetë, ka caktuar një shpërblim për ty....

135 Ne gjithashtu kemi dëgjuar që ti ke dorëzuar drejtimin e këshillit në duart e përfaqësuesve të popullit. Ti, në të vërtetë, ke vepruar mirë, sepse në këtë mënyrë themelet e godinës së lidhjeve tuaja do të forcohen dhe zemrat e të gjithëve që janë nën hijen tënde, qofshin të lartë apo të ulët, do të qetësohen. Megjithatë, ajo i detyron ata të jenë të besuar midis shërbëtorëve Të Tij dhe ta vlerësojnë vetveten si përfaqësues të të gjithëve që banojnë në tokë... Qoftë i bekuar ai që futet në asamble për hir të Perëndisë dhe gjykon midis njerëzve me drejtësi të pastër. Ai, në të vërtetë, është i lumtur." 25

136 ... O ju përfaqësues të zgjedhur të popullit në çdo vend! Merrni vendimet së bashku dhe le të jetë shqetësimi juaj vetëm për përfitimin e njerëzimit, dhe përmirësoni gjendjen, nëse jini nga ata që kqyrni me vëmendje. Vlerësoni botën si trupin e njeriut, që, megjithëse në krijimin e tij është i plotë dhe i përsosur, është leqendisur për shkaqe të ndryshme me çrregullime dhe sëmundje vdekjeprurëse. Ai nuk mund të bëhet mirë për një ditë, madje, sëmundja e tij bëhet më e rëndë, pasi bie në dorën e doktorëve injorantë që u japin liri të plotë dëshirave personale dhe kanë gabuar rëndë. Por, nëse për një moment, nëpërmjet kujdesit të një doktori të zot, një pjesë e këtij trupi shërohet, pjesa tjetër mbetet e leqendisur si më parë. Kështu ju vë në dijeni I Shumëdituri,Urtiploti.

137 Ne e shohim botën, në këtë kohë, në mëshirën e sundimtarëve kaq të dehur me mendjemadhësi sa nuk mund të shquajnë qartë avantazhin e tyre më të mirë e jo më të njohin një Revelacion kaq të ndërlikuar dhe sfidues si ky. Dhe kurdo që ndonjeri prej tyre ka luftuar të përmirësojë gjendjen e saj, motivi i tij ka qenë fitimi personal, qoftë i pohuar ose jo; dhe pavlefshmëria e këtij motivi ka kufizuar fuqinë e tij për të shëruar apo kuruar.

138 Ajo që Zoti ka urdhëruar si ilaç sovran dhe instrumenti më i fuqishëm për shërimin e gjithë botës është bashkimi i të gjithë popujve në një Kauzë Universale, në një Besim të përbashkët. Kjo nuk mund të arrihet në asnjë mënyrë tjetër përveçse nëpërmjet pushtetit të një Doktori të aftë, të gjithëfuqishëm dhe frymëzues. Kjo, me të vërtetë, është e vërteta dhe gjithçka tjetër është gabim. Sa herë që ka ardhur Instrumenti Më i Fuqishëm dhe Drita ka shkëlqyer që nga Agimi i Lashtë, Atë e fshehin doktorë injorantë që si retë futin vetveten ndërmjet Atij dhe botës".26

139 Pas kësaj analize të qartë të shkaqeve të shqetësimeve dhe vuajtjeve, Bahá'u'lláh-u flet mbi përpjekjet që bëhen për të penguar detyrën që i ka caktuar Atij Perëndia për ripërtëritjen e botës, tregon me gisht barrën gjithnjë në ngjitje të armatimeve dhe duke iu adresuar bashkësisë së sundimtarëve dhe sovranëve të tokës, Ai mbron kauzën e popujve dhe të viktimave të padrejtësisë:

140 "Kështu ne zbulojmë para syve tuaj çfarë ju leverdis ju, por nëse ju e kuptoni. Popujt tuaj janë thesaret tuaj. Kujdes që sundimi juaj të mos dhunojë urdhërat e Perëndisë dhe mos dorëzoni zonat tuaja në duart e grabitësit. Me njerëzit ju sundoni, me mjetet e tyre rroni, me ndihmën e tyre pushtoni. Dhe sa me mospërfillje i shihni ata ! Sa e çuditshme, sa shumë e çuditshme!" 27

141 Dhe pastaj Bahá'u'lláh-u jep një paralajmërim final dhe të ashpër ndaj atyre që përdorin pushtetin kundër njerëzve:

142 "Tani që ju kini refuzuar Paqen Më të Madhe, mbahuni shpejt te Paqja më e Vogël, që të paktën të përmirësoni në një farë shkalle gjendjen tuaj dhe të atyre që varen nga ju.

143 O sundimtarë të tokës! Pajtohuni me njeri-tjetrin, në mënyrë që të mos kini nevojë për armatime, përveç një mase që mjafton për të ruajtur territoret dhe zotërimet tuaja. Kujdes se mos shpërfillni këshillën e Urtiplotit, Besnikut.

144 O mbretër të tokës, nëse jini nga ata që kuptoni, bashkohuni, sepse kështu stuhia e grindjes do të qetësohet midis jush dhe njerëzit tuaj do të gjejnë qetësi. Në qoftë se ndonjeri prej jush rrëmben armët kundër tjetrit, ngrihuni të gjithë kundër të parit, sepse kjo s'është gjë tjetër veçse shprehje e drejtësisë".28

145 Kjo është siguria kolektive, kaq nxehtë debatuar, kaq panevojshëm komplikuar dhe kaq keq servirur në periudhën midis deklarimit të Bahá'u'lláh-ut dhe dy luftrave botërore. Bahá'u'lláh-u e deklaron çështjen e sigurisë kolektive shumë qartë dhe shumë thjesht. Ai e bën atë sinonim të drejtësisë. Dhe për drejtësinë ai thotë në Fjalët e Fshehura:

146 "O bir i shpirtit! Më e shumëdashura e të gjitha gjërave në sytë e Mi është drejtësia; mos u largo prej saj, nëse më do Mua dhe mos e lër atë pas dore, që Unë të kem besim te ti. Me ndihmën e saj ti do të shikosh me sytë e tu e jo me sytë e të tjerëve, dhe do të dish me dijen tënde e jo me dijen e fqinjit tënd. Peshoje këtë në zemrën tënde ; kështu të ka hije të jesh. Me të vërtetë drejtësia është dhurata Ime për ty dhe shenja e dashamirësisë Sime. Mbaje, pra këtë, para syve të tu."29

147 Është relatuar që komenti i Mbretëreshës Viktoria mbi leximin e Tabelës së Bahá'u'lláh-ut ishte: " Nëse kjo është nga Perëndia do t'i qëndrojë kohës; nëse jo, ajo nuk bën dëm".

148 Fama e Bahá'u'lláh-ut tani ishte shpërndarë gjerësisht. Përveç një numri të vogël që mbështesnin Azalin, Báb-it kudo që ishin, kishin pranuar mandatin Hyjnor të Bahá'u'lláh-ut. Autoritetet turke në Adrianopojë e trajtonin Atë me kortezi të madhe dhe respekt të veçantë. Guvernatorët si Sulejman Pasha dhe Hurshid Pasha kërkonin shoqërinë e Tij me ngulm. Shumë prej pasuesve të Tij nga Persia dhe tokat fqinje udhëtonin për në Adrianopojë, për t'u nginjur në gurrën e Revelacionit të Tij. Gjithë këto gjëra i shtynë kundërshtarët e Tij në veprime të reja. Azali dhe bashkëfajtorët e tij të mjerë, të diskredituar dhe të mohuar nga komuniteti, të dështuar dhe ekspozuar në qëllimet dhe mjetet e tyre dredharake, pasi kishin dështuar për të shtrënguar dorën e zgjatur nga Bahá'u'lláh-u për aleancë me Báb-it, më tej provuan të helmojnë mendjet e sundimtarëve të Perandorisë Otomane kundër Tij, Mirëbërësit të tyre të vërtetë, Të Cilin ata e urrenin për vdekje. Ata dërguan letra anonime në Kostandinopojë, ku akuzonin Bahá'u'lláh-un për marrëveshje të fshehtë me udhëheqësit bullgarë dhe fuqitë europiane në një komplot për të marrë kryeqytetin me ndihmën e pasuesve të Tij. Sulltan Abdul Azizi dhe ministrat e tij morën frikë, por tradhtia e Azalit ishte më e hidhur për të, se jo vetëm Bahá'u'lláh-u dhe pasuesit e tij u dënuan me burgosje në kazermat e shkreta të Ákas, por dhe Azali u dëbua drejt harresës, në Qipro. Ai jetoi më gjatë se Bahá'u'lláh-u, por duke u tërhequr zvarrë deri në vitin 1912, i papenduar deri në fund, një njeri sakat, viktimë e pasioneve dhe ambicieve egoiste.

149 Një mëngjes, pa ndonjë paralajmërim paraprak, ushtarët u vendosën rreth shtëpisë së Bahá'u'lláh-ut dhe pasuesve të Tij ju tha të përgatiteshin për largim nga Adrianopoja. Për këtë ngjarje Bahá'u'lláh-u shkruan kështu:

150 "I Dashuruari i Perëndisë dhe zemërmirët e Tij u lanë natën e parë pa ushqim. ...Njerëzit rrethuan shtëpinë dhe Muslimanë e të Krishterrë qanin përmbi Ne. ...Ne u bindëm që vajtimi i njerëzve të Birit (Kristianët) e kaloi vajtimin e të tjerëve, një shenjë kjo që të bën të mendosh." 30

151 Aga Reza, një pasues i patundur i Bahá'u'lláh-ut, i syrgjynosur me Të nga Bagdadi në Áka, tregon: "një gurgule e madhe përfshiu njerëzit. Të gjithë ishin të shastisur dhe plot keqardhje.... Disa shprehnin simpatinë e tyre, të tjerë na ngushëllonin dhe vajtonin për ne... Shumica e sendeve tona u dhanë në ankand me gjysmën e vlerës së tyre." 31

152 Disa nga konsujt e huaj që banonin në Adrianopojë ofruan asistencën e tyre ndaj Bahá'u'lláh-ut, por Ai me mirësjellje e refuzoi. Guvernatori Hurshid Pasha, që e konsideroi vendimin e qeverisë së tij një parodi të drejtësisë, ndjehej i paaftë për të vepruar. Ai delegoi një tjetër zyrtar t'i njoftonte Bahá'u'lláh-ut vendimin e dhënë për Të. Njerëzit u dyndën t'i japin lamtumirën Atij, Të Cilin ata kishin mësuar ta donin dhe vlerësonin. Me lot në sy puthnin cepin e rrobës së Tij.

153 Më 12 gusht 1868 Bahá'u'lláh-u dhe familja e Tij, shoqëruar nga një eskortë turke, mori përsëri rrugën e syrgjynit. Ata arritën në Áka ditën e fundit të muajit.

154 Áka, Ptolemaisa e botës antike, Shën Zhan D'Arka e Kryqëzatave, që kundërshtoi hapur rrethimin e Rikardit I të Anglisë dhe që më pas refuzoi t'i përulej fuqisë së Napoleonit, një qytet që ka fituar famë gjatë shekujve, në të vërtetë, në këtë periudhë kishte humbur reputacionin e historisë së saj me dy pamje. Uji i saj ishte i pistë dhe me kolerë. Pisllëku ishte aq proverbial sa thuhej se një zog, që fluturonte mbi Áka, binte i ngordhur. Në kazermat e ndaluara të saj ishin dërguar, për të vdekur, kriminelë pa shpresë dhe të rrezikshëm të Perandorisë Otomane.

155 Ky, gjithashtu, ishte qyteti për të cilin Davidi kishte thënë "Qyteti i Fortë", të cilin Hosea e quajti "Derë e shpresës", kurse Ezekieli kishte thënë: "Pastaj më çoi te porta, porta që shikon nga lindja. Dhe ja, lavdia e Perëndisë së Izraelit vinte nga lindja. Zëri i Tij ishte si ushëtima e ujrave dhe toka shkëlqente nga lavdia e tij..... Dhe lavdia e Zotit hyri në tempull nga porta, që shikon nga lindja".32 Edhe Themeluesi i Islamit kishte lavdëruar pikërisht kështu këtë qytet : "Qoftë bekuar njeriu që ka vizituar Ákan dhe bekuar qoftë ai që ka vizituar vizitorin e Ákas. ... Zëri i atij, që ngre këtu thirrjen për lutje, do të ngrihet deri në Parajsë." 33

156 Áka që hapi dyert të presë si një të burgosur Shpëtimtarin e botës, ishte një qytet që dinte se ç'ishte mjerimi. Syrgjyni i Bahá'u'lláh-ut në Palestinë, në Tokën e Shenjtë, burgimi i Tij në kështjellën e zymtë të Ákas, sipas llogarive të kundërshtarve të Tij nënkuptonte të ishte goditja finale, që do ta bënte copë Besimin dhe fatin e Tij. Sa domethënës dhe i rëndësishëm ngjan ky syrgjyn, në qoftë se sjellim ndërmend profecitë bindëse shprehur në të shkuarën. 'Abdu'l-Bahá-i, Biri i Bahá'u'lláh-ut dhe Shtjelluesi i Mesazhit të Tij, flet kështu mbi këtë ngjarje të jashtëzakonshme:

157 "Kur Bahá'u'lláh-u erdhi te ky burg në Tokën e Shenjtë, njerëzit e urtë e kuptuan që lajmet e gëzueshme, të cilat Perëndia i dha nëpërmjet gjuhës së Profetëve dy apo tre mijë vjet përpara, u manifestuan përsëri dhe Perëndia ishte besnik ndaj premtimit Të Tij, sepse disa prej Profetëve Ai u kishte reveluar e dhënë lajmin e mirë që "Zoti i Ushtrive do të manifestohet në Tokën e Shenjtë". Të gjitha këto premtime u përmbushën dhe s'është e vështirë të kuptohet, që Bahá'u'lláh-u ishte detyruar të linte Persinë, për të ngritur tendën e Tij në këtë Tokë të Shenjtë, vetëm për persekucionin nga armiqtë, për dëbimin dhe syrgjynin e Tij".34

158 "Ngrini kryet, O porta", kishte shpallur Davidi kaq madhërisht, "hapuni ju o porta të përjetshme dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë. Kush ështe Mbreti i lavdisë? Zoti i ushtrive, ai është Mbreti i lavdisë". 35

159 "Shkretëtira dhe vendi i vetmuar do të gëzohen, kishte thënë Isaia, toka e thatë do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafil. Ajo do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare e britma gëzimi, duke kënduar: Do t'u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit dhe madhështinë e Perëndisë tonë."36

160 "Zoti sokëllin nga Zioni", ka qenë testimonia e Amosit, dhe bën të dëgjohet zëri i tij nga Jerusalemi; kullotat e barinjve janë të shkreta dhe maja e Karmelit u tha". 37

161 Dhe Mikea kishte parashikuar kështu: "...nga Asiria dhe qytetet e tua të fortifikuara, nga qyteti i fortifikuar deri te lumi, nga deti në det dhe nga mali në mal", ai do të vijë.38

162 Në të vërtetë, jeta në kazermat e Ákas ishte e vështirë dhe e rrezikshme. Të burgosurit ishin gjithsej rreth 70 veta, burra, gra dhe fëmijë, të gjithë të rrasur në disa qeli të pista dhe pak të mbrojtura. Ata shiheshin me armiqësi të madhe nga njerëzit e qytetit. Sapo mbërritën në vendin e fushimit u pritën me fjalë të ndyra nga një grup shikuesish të ngeshëm që ishin mbledhur për t'u tallur duke parë "Perëndinë e Persianëve". Bahá'u'lláh-u, për natën e parë në burg, tregon se ishin: "të privuar si nga ushqimi ashtu edhe nga uji... Bile ata u lutën për ujë dhe nuk iu dhanë".

Racioni për çdo person ishte tre feta buke të zezë, që nuk futej në gojë. Më vonë u bënë konçensione të vogla, por ushqimi mbeti mjerisht i papërshtatshëm dhe furnizimi me ujë, i ndotur. Shumë shpejt, sëmundjet shpërthyen me furi midis tyre. U lutën më kot te guvernatori për ndihmë mjekësore. Të gjithë, përveç dyve, ishin të sëmurë dhe pa ndihmë. Tre prej tyre vdiqën. Dy, që ishin vëllezër, sipas fjalëve të Bahá'u'lláh-ut, vdiqën "qafuar në krahët e njeri tjetrit". Trupat e tyre nuk mund të hiqeshin, sepse rojet kërkonin pará për të kryer detyrat. Bahá'u'lláh-u dha qilimin e Tij të shitej për këtë qëllim. Kështu, megjithëse shuma që Ai mblodhi iu dha rojeve edhe atëhere të vdekurit nuk patën varrimin e duhur. Edhe pse midis të këqijave, të burgosurit e ruajtën qetësinë e tyre. Ata ishin të lumtur sepse ndanin të njëjtat vuajtje me Zotin e tyre dhe banonin afër Personit të Tij.

163 Baháitë në Iran dhe kudo, për njëfarë kohe, nuk kishin lajme mbi Bahá'u'lláh-un. Më vonë u bë e mundur të krijoheshin lidhje dhe një numër erdhën në 'Akká ku muret e burgut ishin si pyka midis tyre dhe Atij, prezencën e të Cilit e kërkonin me aq etje. Disa kishin ecur më këmbë mbi malet e lartë të Iranit Perëndimor dhe shkretëtirat përvëluese të Irakut dhe Sirisë. Ata kishin hequr të zit'e ullirit vetëm për t'u ngushëlluar me një shikim fluturimthi të figurës së Tij, pasi Ai ndalohej pas hekurave të burgut dhe ata pas hendekut të dytë, që rrethonte burgun me ujë. Shpërblimi i tyre ishte vetëm një valëvitje e duarve të Tij nga larg dhe pastaj ktheheshin drejt shtëpive, mirënjohës për bujarinë që u ishte akorduar. Kjo ishte e mjaftueshme për të ndezur një flakë më të fuqishme në zemrat e tyre, për të rritur akoma më tej përkushtimin e tyre . Të tjerë shkuan në rrugën e tyre, duke marrë me vete kujtimin e asaj Figure, që shfaqej në dritare pas hekurave të burgut, një kujtim që e ruajtën si gjënë më të shtrenjtë të jetës së tyre. Dhe disa patën privilegjin suprem që fituan të drejtën për të hyrë në "Burgun Më të Madh", në praninë e Bahá'u'lláh-ut.

164 Izolimi i madh në kazerma zgjati deri në tetor 1870. Në atë pjesë të Perandorisë Otomane u dërguan përforcime ushtarake dhe kështjella e Ákas u kërkua për strehimin e tyre. Të burgosurit u nxorën jashtë, por jo në liri. Bahá'u'lláh-u dhe familja e Tij u çuan në një shtëpi të vogël, brenda mureve të qytetit, kurse të tjerët u strehuan në një han. Ata akoma mbaheshin si të burgosur brenda qytetit.

165 Katër muaj para kësaj ngjarjeje, një tragjedi tjetër, e tmerrshme dhe prekëse, kishte hedhur hijen e saj mbi ta. Kjo ishte vdekja e Mirza Mehdiut, i quajtur "Dega më e Dlirë", biri më i vogël i Bahá'u'lláh-ut. Ai kishte qenë syrgjyn me të Atin që në fëmijëri dhe ishte sekretar i Tij. Në muzgun e një dite, ndërsa ishte duke ecur në çatinë e burgut, i angazhuar me lutje, ai ra poshtë një baxhe, duke pësuar goditje fatale. "Lutja e vdekjes e Atit të pikëlluar", shkruan Shoghi Effendi-u, Ruajtësi i Besimit, " ishte, që jeta e tij të pranohej si një haraç për ata që u ndaluan të arrinin praninë e të Shumëdashurit të tyre." Djali ishte 22 vjeç.

166 Ndonjeri mund të mendojë se çlirimi nga një skllavëri e egër mund të çojë në lehtësim. Megjithatë, nuk është kjo çështja. Bahá'u'lláh-u dhe shoqëruesit e Tij, mbyllur brenda barrakave, kishin pak kontakte me banorët e Ákas, ndërsa romuze nga më të shëmtuarat në lidhje me ta, ishin shpërndarë kudo. Injorantë mbi identitein e vërtetë të Bahá'u'lláh-ut, ata e përçmonin Atë dhe pasuesit e Tij njësoj si të burgosurit e mëparshëm të burgut të Ákas. Bile edhe më keq. Me imagjinatën e tyre të shfrenuar, ata bënin përgjegjës Baháitë për çdo akt të urryer dhe i përshkruanin ata si renegatë të besimit të vërtetë, tradhtarë të personit të madhërishëm të Sulltanit, komplotistë kundër paqes dhe sigurisë së vendit, rrufjanë të shthurur dhe të nxjerrë jashtë ligjit, që meritonin çensurimin e të drejtës. Këto ishin të njëjtat pikëpamje, që u shprehën për Kristianët, në shekujt e parë të Erës Kristiane. Baháitë ndodheshin në këtë atmosferë të ngarkuar me urrejtje dhe mospërfillje të hapur. Detyra e tyre për ndryshimin e kësaj atmosfere ishte, në të vërtetë, herkuliane.

167 Atëhere ndodhi një akt i tmerrshëm, i kryer nga shtatë Bahái, që e shtoi tërbimin e vegjëlisë. Kur autoritetet Otomane dërguan Bahá'u'lláh-un në burgun e Ákas, ata futën si spiunë në grupin e pasuesve që shoqëronin disa nga bashkëvuajtësit e Azalit. Këta njerëz asnjëherë nuk e humbën rastin për të torturuar të syrgjynosurit dhe për të përhapur falsitete. Rengjet e tyre konstante, që ndërsyen edhe qytetarët kundër Bahá'u'lláh-ut, sollën dhimbje të reja dhe e vunë jetën e Tij në një rrezik serioz. Bahá'u'lláh-u, nga ana e Tij, i nxiste vazhdimisht pasuesit e Tij për durim dhe i këshillonte të shmangnin çdo veprim që kishte sadopak ngjashmëri me shpagimin. Por tradhtia dhe keqdashja e kundërshtarëve shkoi larg. Në këtë moment, shtatë Bahái, që nuk vlerësuan udhëzimet e Bahá'u'lláh-ut, vranë tre njerëz të poshtër. Ky akt flagrant nuk ngriti vetëm masën, por detyroi dhe ndërhyrjen e zyrtarëve që Personi i Bahá'u'lláh-ut të ishte subjekt arrestimi dhe pyetjesh. 'Abdu'l-Bahá-i u vu nën pranga për një natë. Duke vlerësuar këtë ngjarje fatkeqe, Bahá'u'lláh-u shkroi: "Robëria Ime nuk mund të më dëmtojë Mua. Ajo që mund të më dëmtojë është sjellja e atyre që Më duan, që pretendojnë se janë të lidhur me Mua dhe kryejnë krime, çka e bën zemrën dhe penën Time të rënkojë. Robëria Ime nuk më turpëron Mua". Ai gjithashtu shkroi: "Madje, për jetën Time, ajo për Mua është lavdi. Çka mund të më bëjë Mua të turpëruar është sjellja e të tillë pasuesve të Mi që pohojnë se Më duan, por në fakt ndjekin Të Ligun".39

168 E tillë ishte përmasa e vuajtjeve të Bahá'u'lláh-ut në qytetin-burg të Ákas.

169 Pavarësisht nga paragjykimet e egra që u suleshin nga të gjitha anët, Baháitë, brenda një kohe të shkurtër, arritën sukses në zbutjen e urrejtjes së vegjëlisë. Lufta u zhvillua midis forcave të karakterit e integritetit dhe pasioneve turbulluese të ushqyer nga padija. Më në fund fitoren e korri pala që ishte ngritur sipër rrafshit të konfliktit dhe, duke ia nënshtruar vullnetin e saj një Vullneti Më të Lartë, kishte çliruar veten nga frika dhe mosbesimi. Gradualisht, për zyrtarët dhe udhëheqësit fetarë u bë e qartë se Shefi i Burgosur nuk ishte një njeri i zakonshëm, se ata kishin në burgune tyre një Personazh me dhunti dhe pushtet shumë superior. Ata u dashuruan pas qëndresës së Tij madhështore, pas njohurive të Tij mahnitëse rreth çështjeve njerëzore, pas mirësisë çarmatosëse dhe natyrës së Tij të përmbajtur. Ai ishte i burgosuri i tyre, por erdhi një kohë që ishte pothuajse e pamundur ta vije re këtë fakt apo të viheshin në zbatim urdhrat e ashpra dhe drastike të qeverisë në Kostandinopojë.

170 Baháitë vinin nga gjithandej dhe me pak vështirësi siguronin praninë e Bahá'u'lláh-ut. Zyrtarët e lartë të qeverisë Otomane kërkuan takime me të Burgosurin për t'i shprehur Atij respektin e tyre. Myftiu i Ákas, që dikur ishte një kundërshtar fanatik i Tij, i ofroi besnikëri. Guvernatori i ri, Ahmed Bej Tefiku u lut të lejohej që Bahá'u'lláh-u t'i bënte një shërbesë personale, kurse Ai i tha se më mirë ishte të riparonte kanalin jashtë qytetit, që kishte mbetur i braktisur. Kjo masë siguroi furnizimin me ujë të Ákas dhe njerëzit vunë re se, që kur Bahá'u'lláh-u mbërriti mes tyre, pamja e qytetit kishte marrë kthesë për më mirë. Më vonë një guvernator tjetër, Mustafa Deja Pasha, bëri të ditur se nëse Bahá'u'lláh-u do dëshironte të ikte nga Áka për në fshat, ai nuk do ta ndalonte.

171 Megjithatë kaluan 9 vjet derisa Bahá'u'lláh-u la kufizimet e mureve të qytetit. 'Abdu'l-Bahá-i na jep një përmbledhje grafike të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Ishte me të vërtetë e rëndësishme, pasi u verifikua një premtim i shprehur nga Bahá'u'lláh-u kohë më parë, ndërsa ishte akoma i burgosur në kazermat e frikshme të qytetit burg. " Mos u shqetëso, kishte shkruar ai, këto dyer do të hapen, Tenda ime do te ngrihet në Malin Karmel dhe gazi i madh do të shpërthejë".

172 Bahá'u'lláh-u ishte shumë i dhënë pas fshatit, por, i ndaluar brenda mureve të trishtuar të Ákas, Ai ishte i privuar nga bukuria e natyrës. Erdhi dita kur Ai tha: "Unë s'kam parë blerim për nëntë vjet. Fshati është bota e shpirtit, qyteti është bota e trupave." 'Abdu'l-Bahá-i e dinte që kishte ardhur koha për t'i dhënë fund periudhës së burgimit. Për pasojë, Ai shkoi të kërkonte një shtëpi në ultësirë, rreth katër milje në veri të Ákas. Ai mori me qera rezidencën e Abdullah Pashës. Kjo është shtëpia që ne e njohim si Mazraeh. Ai gjithashtu mori me qera kopështin Namajn, që shtrihet në mes të një lumi, në distancë fare të shkurtër nga qyteti. Më vonë, Bahá'u'lláh-u i dha atij emrin e Rizvanit, një reminishencë nderi për atë kopësht jashtë Bagdadit ku Bahá'u'lláh-u foli për herë të parë mbi mandatin e Tij Hyjnor. Këto vende ishin të gatshme të prisnin Atë, por Bahá'u'lláh-u që e konsideronte veten akoma një të burgosur, nuk do të binte dakord të linte muret e qytetit. Ai pohonte se Atij nuk i ishte dhënë e drejta e lirisë së lëvizjes. Dy a tri herë 'Abdu'l-Bahá-i përsëriti kërkesën e Tij te i Ati dhe mori të njëjtën përgjigje. Më pas Myftiu i Ákas, Shejku Ali Miri, që ishte shumë i përkushtuar ndaj Bahá'u'lláh-ut, iu lut Atij: "Larg qoftë! Kush ka fuqi të të mbajë ty të burgosur. Ti ke mbajtur veten në burg". Më në fund Shejku mori pëlqimin e Tij.

173 Pas dy vjetësh në Mazraeh, Bahá'u'lláh-u lëvizi residencën e Tij në një shtëpi fqinje-Shtëpia e Bahxhisë - ndërtuar nga një njeri i quajtur Udi Kamari, ku Ai jetoi vitet e mbetur të jetës së Tij. Ndërsa Bahá'u'lláh-u ishte i burgosur në kështjellë, kjo shtëpi e hijshme ishte në procesin e ndërtimit. Tani pronari i saj kishte ikur për shkak të frikës nga ndonjë epidemi e furishme dhe shtëpia e madhe ishte e lirë. Ajo u mor me qera nga 'Abdu'l-Bahá-i, që më pas e bleu. Bahxhi, që do të thotë "Kënaqësi", ishte afër bregut të detit dhe, e veshur me bukuri fshati, s'kishte të krahasuar me rrethinat e zymta të Ákas. Nga dritaret e dhomës së Tij, Bahá'u'lláh-u mund të shihte blunë e pastër të Mesdheut, minaret e largëta të qytetit-burg dhe, për më tepër përtej gjirit, Ai mund të shihte konturin flu të shpateve të buta të Malit Karmel. Shtëpia me tërë shkëlqimin e saj, qëndron sot roje mbi Faltoren ngjitur, e cila për Baháitë është pika më e shenjtë mbi faqen e dheut, që strehon trupin e Bahá'u'lláh-ut. Në rrezen e saj çdonjeri mund të provojë atë paqe për të cilën shpirti i është i djegur përherë.

174 Dr.J.E. Esslemont, autor i veprës së pavdekshme Bahá'u'lláh-u dhe Epoka e Re, e përshkruan kështu jetën në Bahxhi: "Pasi tregoi, në vitet e mëparshme të sprovave të rënda, se si i thuret lavdi Perëndisë në gjendje varfërie e poshtërimi, Bahá'u'lláh-u, në vitet e Tij te mëvonshme, në Bahxhi, tregoi se si i thuret lavdi Perëndisë në gjendje nderimi e begatie. Dhurimet e qindra mijë pasuesve të devotshëm vunë në dispozicion të tij fonde të shumta, duke iu lutur që t'i administronte. Megjithëse jeta e Tij në Bahxhi është cilësuar vërtet si mbretërore, në kuptimin më të plotë të fjalës, nuk duhet menduar se atë e karakterizonin shkëlqimi material ose ekstravaganca. Përsosuria e Bekuar dhe familja e Tij jetonin në mënyrë shumë të thjeshtë dhe modeste; shpenzimet për luksin egoist ishin një gjë e panjohur në atë familje. Afër shtëpisë së Tij, besimtarët ngritën një kopësht të bukur të quajtur Rizvan, ku Bahá'u'lláh-u shpesh herë kalonte shumë ditë ose edhe javë radhazi, kurse natën flinte në një vilë të vogël në kopësht. Nganjëherë shkonte edhe nëpër fusha. Ai bëri disa vizita në Áka e në Haifa dhe më se njëherë e ngriti tendën e Tij mbi Malin Karmel, ashtu siç kishte predikuar kur u burgos në kazermat e Ákas."40

175 Eduard G. Braun, orientalist i shquar dhe Anëtar i Kolegjit të Pembrukut, Kembrixh, në atë kohë në fillimet e karierës së tij të shkëlqyer Ákademike, shkoi në Bahxhi në Prill 1890. Pasi u kthye në shtëpi ai hodhi në letër përshtypjet që kishte marrë: " Në Bahxhi unë u vendosa si mik, pikërisht në mes të gjithçkaje që Báb-izmi e konsideron shumë fisnike dhe shumë të shenjtë; këtu unë kalova pesë nga ditët më të paharrueshme, gjatë të cilave shijova të pakrahasueshmen dhe të paimagjinueshmen, për mundësitë e komunikimeve të mbajtura me ata që janë pikërisht gurra e atij shpirti të fuqishëm e të mrekullueshëm i cili punon me një forcë të padukshme, por gjithnjë në rritje për transformimin dhe zgjimin e njerëzve që dremitin në një gjumë si për vdekje. Në të vërtetë ishte një eksperiencë e panjohur dhe prekëse, prej së cilës nuk kisha shpresë të bartja ndonjë gjë, përveç përshtypjeve shumë të vakura. Por, në të vërtetë, mund të përpiqem të përshkruaj në detaje të hollësishme fytyrat dhe format që më rrethonin, bisedat të cilat pata privilegjin të dëgjoja, leximin melodioz, solemn të librave të shenjta, sensin e përgjithshëm të harmonisë dhe kënaqësisë që përshkonte vendin dhe kopshtet aromatikë, me hije, ku ne shkonim shpesh mbasdite, por e gjithë kjo ishte zero në krahasim me atmosferën shpirtërore, në të cilën isha përfshirë. ... Shpirti që përshkon Báb-it është i tillë që zor se mund të dështojë për të vepruar në mënyrën më të fuqishme mbi të gjithë që janë subjekt i ndikimit të tyre. Ai mund të të tronditë ose tërheqë: ai nuk mund të injorohet apo të mosvlerësohet. Ata që nuk e kanë parë, nëse duan le të mos më besojnë mua; por sapo ky shpirt do të zbulonte vetveten ndaj tyre, ata do të provojnë një emocion të cilin nuk ka të ngjarë ta harrojnë".41

176 Eduard Braun na ka lënë një portretizim të Bahá'u'lláh-ut. Është i vetmi i këtij lloji që ekziston dhe prandaj është i një vlere të pallogaritshme për nxënësit e Besimit Bahái. Në ditët e sotme një vizitor i Bahxhisë mund ta lexojë këtë dokument para se të eksplorojë dhomën e Bahá'u'lláh-ut. Kështu çdonjeri mund të rikrijojë në mendjen e tij intervistën dhënë orientalistit anglez:

177 "... shoqëruesi im u ndal një çast, ndërsa unë zbatha këpucët. Pastaj, me një lëvizje të shpejtë të dorës,hapi perden e, pasi kalova unë, u tërhoq; unë u gjenda në një sallon të madh, në fund të të cilit ishte një divan i ulët, ndërsa në anën përballë derës ishin dy-tre karrige. Megjithëse e merrja disi me mend se ku po vija dhe cilin do takoja ( meqë nuk më kishin dhënë asnjë njoftim të përcaktuar), kaluan një ose dy sekonda para se, me një drithmë habie e nderimi, të bëhesha përfundimisht i vetëdijshëm se ai sallon nuk ishte pa njeri. Në qoshen ku divani puqej me murin ishte ulur një figurë e mahnitëshme dhe e nderuar, me një kësulë shajaku në kokë, nga ato që dervishët e quajnë taç (por të një lartësie dhe forme jo të zakontë), përreth fundit të së cilës ishte mbështjellë një çallmë e vogël, e bardhë. Unë nuk mund ta harroj kurrë fytyrën e atij që po admiroja, megjithëse nuk jam në gjendje ta përshkruaj. Ata sy depërtues dukej sikur lexonin vetë shpirtin; balli i gjerë tregonte fuqi dhe autoritet, ndërsa rrudhat e thella të ballit e të fytyrës tregonin një moshë që flokët sterrë të zes dhe mjekra madhështore, e dendur, që zbriste deri te brezi, e përgënjeshtronin. S'është nevoja të pyetet në praninë e kujt ndodhesha, pasi u përkula para atij që është objekt i një devocioni dhe dashurie të tillë, që mbretërit do ta kishin zili dhe perandorët do ta shpresonin më kot!

178 Një zë i ëmbël e plot dinjitet më ftoi të ulesha e pastaj vazhdoi: "Lavdi Zotit që erdhe! ... Ke ardhur të shohësh një të burgosur dhe një syrgjyn. ... Ne duam vtëm të mirën e botës dhe lumturinë e kombeve e megjithatë na konsiderojnë nxitës konfliktesh e revoltash që meritojmë burgim dhe syrgjynosje. ... Që të gjitha kombet të kenë një besim e të gjithë njerëzit të jenë si vëllezër, që lidhjet e dashurisë dhe të unitetit midis bijve të njerëzimit të forcohen, që të mos ketë dallime fesh dhe të zhduken kundërshtitë midis racave, ç'të keqe kanë këto? ... Dhe kështu do të bëhet; këto konflikte të pafrytshme, këto luftra shkatërrimtare do të marrin fund dhe dita e "Paqes së Madhe" do të vijë. ... A nuk keni nevojë për këtë edhe ju atje në Europë? A nuk është kjo që parashikoi Krishti? ... E megjithatë ne shohim që mbretërit dhe sundimtarët tuaj i shpenzojnë pa kursim thesaret e tyre më me dëshirë për mjete të shkatërrimit të racës njerëzore sesa për mjete që do t'i sillnin lumturi njerëzimit. ... Këto konflikte, kjo gjakderdhje e përçarje duhet të marrin fund dhe të gjithë njerëzit duhet të jenë si një fis e një familje. ... Le të mos lavdërohet njeriu se do vendin e vet, por të lavdërohet se do racën njerëzore..."

179 Këto, me sa më kujtohet, ishin fjalët që, midis shumë të tjerave, dëgjova nga Bahá'u'lláh-u. Ata që i lexojnë, le të gjykojnë vetë nëse të tilla doktrina meritojnë vdekjen e prangat dhe nëse bota mund të ketë përfitim apo humbje nga përhapja e tyre." 42

180 Në vitin 1890 Bahá'u'lláh-u vizitoi Haifan dhe ngriti tendën e Tij në Malin Karmel. Në Malin e Perëndisë erdhi Zoti i Ushtrive dhe, si profecitë e vjetra ashtu edhe premtimi i Tij i theksuar, u përmbushën. Ai vizitoi Haifan katër herë dhe njëherë ai ngriti tendën e Tij në afërsi të manastirit të Karmelit, brenda të cilit është Guva e Elijahut (Krishtit). Atje Ai reveloi një Tabelë që ne e njohim si Tabela e Karmelit, e madhërishme dhe shumë e rëndësishme, që tingëllon me hare dhe me triumf:

181 " Qoftë lavdiplotë kjo Ditë, Dita në të cilën aromat e mëshirës janë përhapur mbi gjithë sendet e krijuar, një Ditë kaq e bekuar saqë kohët dhe shekujt e shkuar kurrë nuk mund të shpresojnë për ta konkuruar, një Ditë në të cilën Shëmbëlltyra e të Lashtit të Kohëve është kthyer drejt selisë së Tij të shenjtë. Pastaj zërat e të gjitha gjërave të krijuara dhe tej tyre, ata të Tubimit të epërm, u dëgjuan të thërrisnin: "Nxito, O Karmel, se drita e Shëmbëlltyrës së Perëndisë, Sundimtari i Mbretërisë së Emrave dhe Krijuesi i qiejve është ngritur mbi ty".

182 I rrëmbyer nga vrulli i ngazëllimit dhe duke ngritur lart zërin e tij, Karmeli thirri kështu: " U flijoftë jeta ime për Ty, sepse Ti e ke mbërthyer mbi mua vështrimin Tënd, ke lëshuar mbi mua mirësitë e Tua dhe i ke drejtuar për te unë hapat e Tu. Ndarja prej Teje, O Ti burim jete të amshuar, gati më ka zhdukur dhe largësia prej pranisë Sate e ka bërë shkrumb shpirtin tim. Gjithë lavdia qoftë mbi Ty, që më bëre të dëgjoj thirrjen Tënde, që më nderove me hapat e Tu, që e zgjove shpirtin tim me aromat gjallëruese të Ditës Sate dhe me zërin drithërues të Penës Sate, zë që Ti e caktove të buçasë si kushtrim trumpete midis njerëzve të Tu..."

183 Sapo zëri i Karmelit arriti Vendin më të lartësuar, Ne u përgjigjëm: "Falendero Zotin Tënd , o Karmel. Zjarri i ndarjes sate prej Meje po të shkrumbonte me shpejtësi, kur oqeani i pranisë Sime gufoi para teje, duke gëzuar sytë e tu e ata të të gjithë krijimit dhe duke i mbushur me kënaqësi të gjitha gjërat e dukshme e të padukshme.... Merr Kupën e Pavdekësisë në emër të Zotit tënd, Lavdiplotit, dhe falenderoje Atë, sepse Ai, në shenjë të Mëshirës së Tij, ta ka kthyer brengën në kënaqësi dhe pikëllimin në gëzim fatlum. Ai, me të vërtetë, e do vendin që është bërë selia e fronit të Tij, që e kanë shkelur hapat e Tij, që e ka nderuar prania e Tij, nga ku Ai ka lëshuar thirrjen e Tij e mbi të cilin ka derdhur lotët e Tij.

184 "Thirre Sionin, O Karmel, dhe shpalli lajmin e gëzuar: Ai që ishte i fshehur prej syve të të vdekshmëve ka ardhur! Sovraniteti i Tij gjithpushtues u manifestua; shkëlqimi i Tij gjithpërfshirës u revelua. ... Shumë shpejt Perëndia do të bëjë që Arka e Tij të lundrojë mbi ty dhe do të manifestojë njerëzit e Baháit që janë përmendur në Librin e Emrave..."43

185 Një ditë, duke qëndruar rreth disa qiparisave të vetmuar, afërsisht në gjysmëlartësinë e shpateve të Malit Karmel, Bahá'u'lláh-u tregoi me gisht një masiv shkëmbor pak poshtë Tij dhe i tha të Birit, 'Abdu'l-Bahá-it, që në atë vend duhet të ngrihej mauzoleumi për të ruajtur eshtrat e Báb-it, eshtrat e Profetit-Martir që ishin mbajtur në fshehtësi që pas natës së dytë të 9 qershorit 1850, ditë në të cilën Báb-i u qëllua në sheshin publik të Tabrizit. Duhet të kalonte më shumë se një dekadë, që 'Abdu'l-Bahá-i të bënte realitet amanetin e të Atit. Sot, pikërisht mbi vendin e treguar nga Bahá'u'lláh-u, ngrihet një mauzoleum me një bukuri mahnitëse, kulmuar nga një kube e artë që reflekton ngjyrimet e shumta të detit e qiellit dhe e rrethuar me kopshte që magjepsin syrin dhe kënaqin shpirtin. Brenda atij mausoleumi prehen eshtrat e dërmuara të Profetit-Martir.

186 Vitet e fundit të jetës Bahá'u'lláh-u ia kushtoi Revelacionit dhe shkrimit të Tabelave, Letrave dhe Traktateve të panumërta mbi subjekte të shumtë e të ndryshëm me qëllime shpirtërore dhe edukative. Ai u çlirua nga shqetësimet rutinë sepse stacioni i Tij suprem administrohej me zotësi nga 'Abdu'l-Bahá-i, Që e mbronte Atë nga ndërhyrjet e botës së jashtme, që takohej dhe bisedonte me zyrtarët qeveritarë, kërkuesit e informacionit dhe të diturit dhe u siguronte Praninë e Bahá'u'lláh-ut vetëm atyre që kishin probleme të vërteta për të zgjidhur.

187 Gjatë viteve të burgimit brenda mureve të qytetit të Ákas Bahá'u'lláh-u kishte reveluar, përveç shumë Tabelave të tjera, "Librin Mëmë të Dispensacionit të Tij", i titulluar kështu nga Ruajtësi i Besimit Bahái. Ky ishte Kitáb-i-Aqdas (Libri Më i Shenjtë). Atje Ai specifikoi ligjet dhe institucionet e Urdhrit Të Tij Botëror; iu adresua, këshilloi dhe paralajmëroi individualisht dhe kolektivisht udhëheqësit dhe sundimtarët e njerëzimit; i nxiti pasuesit e Tij, në të vërtetë njerëzimin në përgjithësi, të ecë në rrugën e drejtësisë, të jetë i drejtë, tolerant, i çiltër, besnik, të shmangë dasinë dhe konfliktin, të jetojë në paqe*.

188 Libri i fundit që doli nga Pena e Tij krijuese ishte Letër për të Birin e Ujkut, një libër që i adresohej një kleriku të Isfahánit, një armik i regjur dhe famëkeq i Besimit, lakmia dhe mashtrimet e të cilit përfunduan në vrasje dhe persekucion mizor. Në këtë libër Bahá'u'lláh-u përsërit sfidën ndaj kritizerëve të Tij. Thirrja e Tij vjen nga Perëndia, Besimi i Tij vjen nga Perëndia dhe asnjë fuqi tokësore nuk mund ta largojë Atë nga qëllimi i Tij. Në këtë libër gjendet gjithashtu një zgjedhje tipike nga volumi i madh i Shkrimeve të Tij, zgjedhur dhe prezantuar prej Tij.

189 Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut me llojshmërinë, gjerësinë dhe thellësinë e tyre, mbeten të pakrahasueshme midis Shkrimeve të Shenjta të njerëzimit. Ne do të ndalemi për të ekzaminuar shkurtimisht natyrën dhe qëllimin e tyre. Studiuesi dhe mësuesi erudit i fesë Bahái, Mirza Abul Fazlli (1844-1914), i klasifikon ato në katër kategori, konkretisht, ligjet dhe dekretet; meditimet, bisedat dhe lutjet; interpretimet e shkrimeve të shenjta të së shkuarës dhë së fundi ligjëratat dhe parathëniet. Për kategorinë e parë ai shkruan: " Disa prej tyre përmbajnë ato ligje e rregulla, nëpërmjet të cilave mund të përjetësohen të drejtat dhe interesat e të gjitha kombeve të botës, sepse këta statute janë aq të zbatueshëm sa që prekin nevojat e çdo vendi dhe shteti e janë të pranueshëm nga çdo njeri i arsyeshëm. Në karakterin universal ato ngjajnë me ligjet e Natyrës, që sigurojnë progresin dhe zhvillimin e gjithë popujve e do të sjellin bashkimin dhe harmoninë universale".44 Disa nga Veprat themelore të Autorit të Besimit Bahái janë përmendur në faqet e mëparshme dhe është e pamundur të radhisim pjesën tjetër në këtë përmbledhje të shkurtër të Jetës së Tij. Bahá'u'lláh-u deklaron se volumi i Fjalës së Tij të reveluar kap shumën e Shkrimeve të Shenjta dhe Manifestacioneve që paraprinë Atë. Ne duhet të kemi parasysh avantazhin e pallogaritshëm që kanë Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, në krahasim me Librat e Shenjta të kohës së shkuar. Origjinalet e tyre ekzistojnë dhe janë të mirëmbajtura, ndërsa brezat e ardhshëm do të mbajnë përgjegjësinë e rëndësishme për të vendosur mbi autenticitetin e Veprave që u atribohen Profetëve. Tradita gojore nuk ka vend në Shkrimet e Shenjta të Besimit Bahá'í.

190 Bahá'u'lláh-u e la tempullin e Tij njerëzor më 29 maj 1892. Një telegram solli lajmin te Sulltani i Turqisë: "Dielli i Baháit ka perënduar". Kurse Ai shkëlqen plotësisht në gjithë globin. Rrezet e tij aktive dhe jetëdhënëse vazhdojne të ripërtërisin zemrat dhe mendjet e njerëzve, të çajnë retë e zeza të bestytnisë, fanatizmit dhe paragjykimit, të shpërndajnë mjegullën e dendur dhe shtypëse të dëshpërimit dhe deziluzionit, të hedhin dritë mbi problemet çoroditëse që trullosin njerëzit kokëngjeshur, të lodhur e të troshitur. Njeriu ka provuar të errësojë shkëlqimin e Tij, të mohojë fuqinë e Tij, të refuzojë dhuntitë e Tij, të nënvleftësojë thirrjet e Tij, por të gjitha kanë qenë përpjekje të kota dhe të padobishme, sepse dielli nuk mund të mbulohet me shoshë.

191 Kanë kaluar shtatëdhjetë vjet nga dita që Bahá'u'lláh-u u nda prej nesh. Besimi që Ai shpalli ka përfshirë globin dhe marshon nga fitorja në fitore, ndërtesa madhështore që Ai ngriti qëndron për t'i ofruar siguri dhe paqe një bote të trazuar.

192 Në Vullnetin dhe Testamentin e Tij, Bahá'u'lláh-u caktoi Djalin e Tij më të madh, Të Cilin ne e njohim si 'Abdu'l-Bahá-i (Shërbëtori i Lavdisë), si Qendra e Besëlidhjes së Tij me gjithë njerëzit dhe Shtjelluesi i vetëm i Fjalës së Tij të reveluar. Emri i Tij ishte Abas. Bahá'u'lláh-u i drejtohej Atij si "Dega Më e Madhe" dhe e quajti Atë si "Misteri i Perëndisë". Bahá'u'lláh-u i drejtohej Atij si "Mjeshtër" dhe kështu bënë edhe Baháitë. 'Abdu'l-Bahá ishte emërtimi që ai zgjodhi për Vetveten, pas vlerësimeve të të Atit.

193 Vullneti dhe Testamenti i Bahá'u'lláh-ut është në të vërtetë një dokument unik. Kurrë më parë një Manifestim i Perëndisë nuk ka krijuar kaq qartë një Besëlidhje për të qenë mburojë dhe themeli i Besimit të Tij, apo ta pajisë kaq qartë dhe padyshim Atë Që kishte për të qenë Pasardhësi i Tij i autorizuar me fuqi për të përballuar makinacionet e ambiciozëve, për të mbajtur të pastër e origjinale Fjalën e Tij, për të mbrojtur dhe për t'u kujdesur për unitetin e pasuesve të Tij, për të bllokuar sektarizmin dhe për të ndaluar korrupsionin. Në të vërtetë Besëlidhja e Bahá'u'lláh-ut, sipas 'Abdu'l-Bahá-it, është: "Dora e Sigurtë që përmendet që nga krijimi i Botës në Librat, Tabelat e Shkrimet e Shenjta të së shkuarës". "Boshti i unitetit të njerëzimit, - ka thënë 'Abdu'l-Bahá-i, - nuk është gjë tjetër, veçse fuqia e Besëlidhjes".

194 Pikërisht mbi këtë shkëmb, shkëmbin e Besëlidhjes, është ngritur ndërtesa e Urdhrit Botëror. Është kjo arkë, arka e Besëlidhjes, që e ka nxjerrë Kauzën e Bahá'u'lláh-ut të sigurtë përmes tufanit dhe stuhive të tërbuara. Shumë Judë kanë provuar ta shpojnë këtë mburojë, mburojën e Besëlidhjes, por kanë provuar vetëm shijen e hidhur të humbjes së tyre.

195 Bahá'u'lláh-u shkroi në Vullnetin dhe Testamentin e Tij:

196 "Megjithëse Horizonti Më i Lartë është i çliruar nga të mirat e vogla tokësore, ne sidoqoftë kemi lënë trashëgim për trashëgimtarët tanë një trashëgimi fisnike dhe të pashoqe brenda shtëpisë-thesar të besimit dhe dorëheqjes. Ne nuk kemi lënë as thesare as nuk kemi shtuar dhimbjet e njeriut... Durimi i vuajtjeve dhe fatkeqësive, Revelacioni i vargjeve dhe i dëshmive sqaruese ka qenë i Këtij të shtypuri për të shuajtur zjarrin e urrejtjes dhe armiqësisë, që horizontet e zemrave të njerëzimit fatmirësisht të mund të ndriçoheshin me dritën e harmonisë dhe të arrijnë qetësinë e vërtetë... Unë çiltërsisht them, që gjuha është për të përmendur çka është e mirë; mos e ndotni atë me fjalë të këqia...Stacioni i njeriut është i madh... Kjo është një Ditë e madhe dhe e bekuar. Çfardo që ishte fshehur në njeriun sot është duke u reveluar. Stacioni i njeriut është i madh, nëse ai i qepet së vërtetës dhe drejtësisë, nëse është i vendosur dhe i patundur ndaj Kauzës.... O popuj të Botës! Feja e Perëndisë është për të krijuar dashuri dhe unitet; mos e bëni atë kauzë të armiqësisë dhe përçarjes. E gjithë kjo, që vlerësohet nga njeriu mendjehollë dhe njerëzit me botëkuptimin më fisnik si mjet për të mbrojtur dhe siguruar paqen dhe qetësinë e njeriut, ka rrjedhur nga Pena Supreme... Mos e bëni kauzën e rregullit një kauzë për rrëmujë, as mjet për përçarje. Shpresohet që njerëzit e Baháit do të vënë re vargun: "Thuaj, gjithçka krijohet nga Perëndia". Kjo shprehje fisnike është si të shuash në ujë zjarrin e urrejtjes dhe armiqësisë, që është i fshehur dhe ruhet në mendjet dhe zemrat e njerëzve. Kjo shprehje e vetme do të bëjë që sekte dhe besime të ndryshme të arrijnë dritën e unitetit te vërtetë. Me të vërtetë , Ai flet të vërtetën dhe të udhëheq në rrugën e drejtë; dhe Ai është i Madhi, i Lavdishmi, i Plotfuqishmi. .."

197 Bahá'u'lláh-u kishte lënë fazën e vdekshme. Ishin të shumtë ata që erdhën ta vajtonin. Ata mund të mos ishin besnikë të Tij, ata mund të mos shihnin te Ai Shpëtimtarin e Njerëzimit, megjithatë, ata e dinin që një Qenie e madhe kishte shkuar prej tyre. Ata ishin nga prejardhje, sekte dhe Besime të ndryshme, zyrtarë, figura udhëheqëse dhe klerikë, njerëz të ditur dhe poetë, të pasur e të varfër, muslimanë Druzes, Suni dhe Shiitë, Kristianë dhe Judej. Nga qytete të tjerë si Damasku, Aleppo dhe Kairo dërguan lavdërimet, poemat dhe tributet e tyre. Dhe Bahá'u'lláh-u, në kohën e ngjitjes së Tij në qiell, ishte zyrtarisht një i burgosur i qeverisë turke. Asnjë dekret perandorak i Sulltanit nuk e kishte liruar.

198 Kjo ditë e ngjitjes së Tij në qiell, kur rrafshina që shtrihej midis qytetit të Ákas dhe Shtëpisë së Bahxhisë gëlonte nga turmat që erdhën për t'i bërë homazhe Atij dhe të vajtojnë humbjen e tyre, ishte si nata me ditën me atë ditë të largët, afërsisht njëzet e katër vera më parë, kur turmat kishin pritur mbërritjen e Tij në bregdetin e Ákas për ta tallur e sulmuar. Si përfundim, disfata e plotë dukej se ishte atëhere fati i Tij dhe tani gjithë triumfi ishte i Tij.

199 Në të vërtetë sa i çuditshëm dhe mbresëlënës kishtë qenë kontrasti i udhëtimit të Tij midis njerëzve, veçanërisht në Tokën e Shenjtë.

200 I sulmuar brutalisht në provincën e Tij amtare, i privuar nga të gjitha të mirat tokësore të cilat Ai i kishte me bollëk, dy herë i mbyllur në një burg hajdutësh dhe kriminelësh të rrezikshëm, katër herë i nisur në rrugën e syrgjynit, i tradhëtuar pandershmërisht nga vëllai i Tij, të cilin Ai ishte përpjekur ta mbronte, i detyruar të kërkojë vetminë e maleve të zhveshur, i sulmuar hidhur dhe egërsisht, i akuzuar dhe i kundërshtuar si nga hordhitë e të mëdhenjve e të të fuqishmëve ashtu dhe të parëndësishmëve, Ai ishte mbështetur fort në tokë me siguri dhe qëndrueshmëri të atillë saqë asnjë fatkeqësi nuk mundi ta lëkundë dhe asnjë kataklizëm nuk mundi ta ligështojë. Dhe me një numër përkrahësish besnikë në rritje, Ai diskutoi atë dhunti supreme, për të cilën Jezusi kishte folur me Nikodemin, kur fisniku izraelit kërkoi Atë në mes të natës, dhuntinë e lindjes së dytë. Ai preku zemrat e njerëzve dhe fitoi besnikërinë e tyre nga pushteti i Tij Hyjnor. Nevojën për Bahá'u'lláh-un e për komandat e Tij nuk e ndjenin vetëm pasuesit e Tij. Shumë nga ata që e kishin mohuar, fyer apo kishin luftuar hapur me Të, në të vërtetë u gjunjëzuan para hirit, madhështisë, mirësisë dhe shkëlqimit të Qenies së Tij. Në të vërtetë kishte plot nga ata ish-kundërshtarë, që, pa u regjistruar në listat e pasuesve, dëshmuan për epërsinë e Tij e dhanë mbështetjen e tyre në mbrojtje të Tij.

201 Po ç'u bë Abdul Azizi i Turqisë, sulltani që dekretoi syrgjynin dhe burgosjen e Bahá'u'lláh-ut? Ç'u bë Napoleoni, Perandori francez që i përbuzi thirrjet dhe u hoq mendjemadh para Tij? Të mundur, të rrëzuar, të mbuluar nga turpi. Nasered Dini i Persisë, që e kishte flakur Atë jashtë tokës amtare dhe që e detyroi të merrte rrugën e syrgjynit dy herë, u përmbys nga plumbat e një hakmarrësi pikërisht në mbrëmjen e jubileut të tij të artë, vetëm pesë vjet pas ngjitjes së Bahá'u'lláh-ut. Janë të shumta faktet historike që tregojnë se kushdo që guxoi të sfidojë Bahá'u'lláh-un dhe të mohojë sovranitetin e Tij, qoftë ky i rangut të lartë apo të ulët, pësoi një gremisje të madhe. Nuk ka njeri që ka kundërshtuar Bahá'u'lláh-un, që ka ngritur dorën për të dëmtuar Kauzën e Tij e të Pasuesve të Tij dhe t'i ketë shpëtuar turpit, fatkeqësisë dhe degradimit.

202 Ky libër është një përpjekje për të mbajtur oqeanin në një filxhan të vogël, për të vëzhguar orbitën me një copë xham. Larg, shumë larg nga përpjekja e njeriut duhet të jetë portretizimi i plotë i Një Manifestimi të Vetive dhe Atributeve të të Plotfuqishmit Perëndi. Dhe ne këtu merremi me jetën e Atij, ardhja e të Cilit nënkupton "ardhjen e pjekurisë për të gjithë racën njerëzore" dhe nën sundimin e Të Cilit Toka do të bëhet një atdhe.

FJALA U MISHËRUA

203 Perëndia nuk mund të njihet. Ai është i pafundëm; ne jemi të fundëm dhe i ikuri nuk mund të qarkojë të paikurin. Por Perëndia e krijoi njeriun sipas shembëlltyrës së Tij, me shëmbëlltyrën e vetive dhe atributeve të Tij. Ai krijoi njeriun sepse Ai e donte krijesën e Tij.

204 "O Bir i Njeriut!", shkruan Bahá'u'lláh-u, "Mbuluar në qenien Time aq të hershme sa s'mbahet mend dhe në përjetësinë e lashtë të thelbit Tim, Unë ndjeva dashurinë Time për ty; prandaj të krijova ty, gdhenda te ti shëmbëlltyrën Time, dhe të zbulova ty bukurinë Time".45

Manifestimi i Perëndisë

205 Me qëllim që njeriu të mund ta njohë, ta dojë Atë dhe të plotësojë vullnetin e Tij, Perëndia kohë pës kohe manifeston Vetveten te njerëzit, në një tempull njerëzor.

206 Bahá'u'lláh-u shkruan përsëri:

207 "Dera e dijes e të Lashtit të Kohëve është, pra, e mbyllur para të gjitha qenieve. Burimi i hirit të pafund.... ka bërë që nga mbretëria e shpirtit, në formën fisnike të tempullit njerëzor, të shfaqen ata Margaritarë të ndritshëm të Shenjtërisë dhe t'u manifestohen të gjithë njerëzve, që ata t'i japin botës misteret e Qenies së pandryshueshme dhe të tregojnë nuancat e holla të Thelbit të Tij të pavdekshëm. Këto Pasqyra të pastra, këto Agime të lavdisë së lashtë janë, të gjitha pa përjashtim, Eksponentë mbi tokë të Atij Që është Ylli Qëndror i universit, Thelbi dhe Qëllimi i fundit i Tij. Prej Tij vijnë dija dhe pushteti i tyre; prej Tij rrjedh sovranitetii tyre. Bukuria e pamjes së tyre s'është veçse pasqyrim i shembëlltyrës së Tij dhe revelacioni i tyre shenjë e lavdisë së Tij të pavdekshme. Ata janë Thesaret e dijes hyjnore, Bartësit e urtisë qiellore. Nëpërmjet tyre vjen një hir që nuk ka fund dhe nga ata revelohet drita që kurrë nuk mund të shuhet".46

208 Manifestimet e Perëndisë janë "Fjala (e Perëndisë) u mishërua". Ata revelojnë Perëndinë te njeriu. Nëpërmjet Tyre dhe te Ata njeriu vjen të njohë Perëndinë dhe mëson qëllimin e Perëndisë. Perëndia mund të njihet vetëm nëpërmjet Manifestimeve të Tij. Asgjë nuk mund të shihet te Ata, veç lavdia dhe pushteti, madhështia dhe vullneti i Perëndisë. Jezusi tha se kushdo që ka parë Atë ka parë Të Atin, ai që ka njohur Atë ka njohur Perëndinë. Çdo rrugë për te Krijuesi i universit është e bllokuar, përjashtuar rrugën përmes Manifestimeve të Tij, përmes atyre Figurave hyjnore, atyre Qenieve madhështore, Të Cilët ne i njohim si Themelues të feve të njerëzimit. Prandaj Jezusi tha: "Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, askush nuk mund të vejë te Ati, përveçse nëpërmjet meje".47

209 Manifestimi i Perëndisë lidh botën e Perëndisë me botën e njeriut. Ai është një qenie njerëzore, që zotëron tërësisht dhe plotësisht humanizmin, bën deri në fund jetën e njeriut duke patur të njëjtat hidhërime, të njëjtat dhimbje, të njëjtat gëzime. Por realiteti i Tij është realiteti i Shpirtit të Shenjtë. Ai është mjeti i zgjedhur i Revelacionit të Perëndisë. Qenia e Tij është si një pasqyrë e përsosur çeliku që pasqyron te njeriu realitetin e Trinisë. Mbaj një pasqyrë drejt diellit, na tregon 'Abdu'l-Bahá-i, dhe në të do të gjeni të reflektuar rruzullin e shkëlqyer të kupës qiellore, që shndrit me dritë dhe nxehtësi në rritje. Me këtë shembull, Ai ilustron pasqyrimin e realitetit të Trinisë në një tempull njerëzor. Perëndia dhe njeriu takohen në qenien e Manifestimit të Perëndisë e kështu bëhet lidhja midis botës së Krijuesit dhe botës së krijuar.

Lindja e Dytë

210 Hipoteza e parë hyjnore, ka thënë 'Abdu'l-Bahá-i, është shfaqja e Manifestimit të Perëndisë. Historia dëshmon këtë fakt dhe historia duhet të lexohet në lidhje me shfaqjen e Tyre, mësimet e Tyre, ndikimin e Tyre dhe arritjet e Tyre. Ata bëjnë historinë. Pa iu referuar Atyre, historia nuk ka as qëllim të vetëdijshëm, as drejtim, as kuptim të brendshëm, as synim final. Manifestimi i Perëndisë jo vetëm e drejton njeriun në udhën e Perëndisë, jo vetëm i tregon ç'kuptim ka dhe ç'synon Perëndia të bëjë ai, por Ai i jep energji dhe rigjallëron jetën e tij, frymëzon shpirtin e tij, i akordon atij "lindje të re".

211 Siç thuhet në ungjillin e katërt, në mes të natës, Nikodemi, një njeri i shquar dhe udhëheqës i popullit të tij, shkoi të shihte Jezusin. Shën Gjoni nuk na tregon se çfarë pyetje i bëri ai Jezusit. Por nuk është e vështirë të hamendësohet. Nikodemi ishte një sundimtar i izraelitëve dhe problemi i popullit të tij ishte problemi i Romës. Ja, njerëzit e zgjedhur dhe lartësuar nga Perëndia, ruajtësit e monoteizmit në një botë të idol-adhuruesve, ishin të nënshtruar dhe të përbuzur nga pasuesit e besimeve pagane, ushtruesit e riteve pagane. Si mund ta flaknin këtë zgjedhë të urryer e të padurueshme? Ky ishte problemi i Nikodemit dhe popullit të tij, por e gjitha që Jezusi do t'i tregonte atij ishte që ai duhet të lindej përsëri. Dhe Nikodemi nuk mund ta kuptonte.

212 Por Pjetri, - na tregon 'Abdu'l-Bahá-i, - Pjetri, peshkatari i thjeshtë, që nuk mund të numëronte dot ditët e javës, e kuptoi kaq lehtë. Ai nuk ishte një njeri i rëndësishëm. Ai ishte i huaj ndaj famës dhe pozitës. Një ditë Jezusi i tregoi atij thjesht, që peshkatari i paditur të linte rrjetat e tij dhe të pasonte Atë. Pjetri e bëri atë pa hezituar, megjithëse akoma nuk dinte asgjë se ç'do t'i mësonte Jezusi që kishte ardhur. Predikimi mbi Mal akoma nuk ishte kryer. Për misteret dhe lavditë e Mbretërisë akoma nuk ishte folur. Mrekullitë akoma nuk ishin dëshmuar. Por shpirti i Pjetrit iu përgjigj thirrjes së Jezusit. Ai ndoqi Jezusin dhe Mjeshtri e bëri atë një krijim të ri. Ai i dha atij një "lindje të re". Duke iu nënshtruar fuqisë dhe komandave të Manifestimit të Perëndisë, Pjetri mori pjesë nga lavdia e Tij, atij iu dha mprehtësia, dija dhe kuptimi. Në botën nga e cila Pjetri kishte ardhur kishte shumë dhe qindra njerëz që shquheshin në fusha të ndryshme të arritjeve njerëzore. Në sytë dhe në vlerësimet e tyre, Pjetri dhe të tjerë si ai nuk kishin shumë rëndësi. Por ata dhe arritjet e tyre ka kohë që janë harruar, kurse Pjetri jeton në zemrën e shumë njerëzve. Emri i tij është i bekuar dhe është përhapur rreth e përqark globit. Në këtë mënyrë një Manifestim i Perëndisë realizon më të madhen e gjithë mrekullive Të Tij.

213 "O Zot! Në qoftë se frymët e Shpirtit të Shenjtë do të konfirmonin më të dobtën e krijesave, - thotë 'Abdu'l-Bahá-i në një lutje, - ai do të arrijë në stacionin më të lartë të madhështisë dhe do të zotërojë gjithçka që dëshiron. Në të vërtetë Ti i ke ndihmuar shërbëtorët e Tu në të shkuarën dhe ata ishin më të dobtat e krijesave të Tua..... dhe më të parëndësishmet prej tyre, që jetonin mbi dhe, me lejën dhe fuqinë Tënde morën përparësi përmbi më të lavdishmit e njerëzve të Tu dhe më fisnikët e njerëzimit. Edhe pse më parë ato ishin si fluturza nate, u bënë si fajkonj mbretërorë."

214 Diku tjetër ai flet për mushkonja kthyer në shqiponja.

215 Manifestimi i Perëndisë, është Vikari i Perëndisë në tokë, dhe në sajë të hirit e udhëhëqjes që Ai i sjell njerëzimit, edhe mushkonjat mund të kthehen në shqiponja. Duke përdorur autoritetin dhe pushtetin që kanë, Manifestimet e Perëndisë kryejnë vepra të jashtëzakonëshme që njihen si mrekulli. Për Ta asgjë nuk është e pamundur. Në të vërtetë Ata mund të shërojnë të sëmurët dhe të ngrenë të vdekurit nga varri. Por as edhe këto mrekulli nuk mund të jenë prova bindëse për pretendimin se ata kanë ardhur te njerëzimi me një mesazh dhe një mandat nga Perëndia. Sa ishin ata që panë mrekulli të tilla me sytë e tyre? Por duke parë shfaqjen e jashtme ata nuk arritën të kuptojnë domethënien e tyre. Disa mblodhën supet dhe vazhduan rrugën e tyre, disa akuzuan Manifestimin e Zotit për magji, disa mohuan të vërtetën e asaj që kishin parë, disa u përpoqën ta përgënjeshtronin dhe në vitet e mëpasme i dërguan ato në mbretërinë e miteve.

216 Veç kësaj, pasuesit e një Manifestimi, ndërsa i atribuonin të tilla mrekulli Themeluesit të Besimit të tyre, pohuan se mrekullitë, që thuhet të jenë kryer nga një Manifestim i shfaqur në një kohë të mëvonshme, janë fabrikime të pastra. Një musliman pranon si raport të vërtetë tregimin e një mrekullie që i atribuohet Jezusit, por një kristian nuk është i përgatitur të pranojë vlefshmërinë e një raporti që vendos Muhametin në të njëjtin plan me Jezusin. Një Zoroastrian i kundërshon mrekullitë e të dyve, të Jezusit dhe të Muhametit. Të tilla bëma mund të mohohen lehtë. Por personi i Pjetrit, peshkatari i Galilesë, nuk mund të mohohet. Ngritja e tij në lartësitë që ai mbërriti është një shenjë dalluese e fuqisë dhe arritjeve të një Manifestimi të Perëndisë.

217 Një i ri shtatëmbëdhjetë vjeçar u bë korrieri i Tabelës që Bahá'u'lláh-u ia adresoi Shahut të Persisë. "Badi" - i mrekullueshmi- ishte përcaktimi që Bahá'u'lláh-u më vonë i dha atij. Ky shpirt heroik, megjithëse shumë i ri , kishte patur një jetë jo të lavdërueshme dhe i kishte sjellë dëshpërim të madh familjes së tij. Pastaj ai u kthye drejt Ákas, ku Bahá'u'lláh-u ishte burgosur në kazermat e zymta, dhe filloi të ecë. Të gjitha shpresat e tij u perqëndruan në Áka. Arriti atje, hyri në takim me Bahá'u'lláh-un dhe iu besua Tabela që i adresohej Shahut. Dhe ai filloi të ecë përsëri. E priti sundimtarin despot të vendit të tij jashtë kryeqytetit të Persisë dhe kur ishte ballë për ballë me shahun Násered Din, ky djalë, i qetë dhe i përmbajtur, vetëm 17 vjeç, e përshëndeti monarkun me këto fjalë: "O Mbret! Unë kam ardhur te ti nga Sheba me një mesazh me peshë". Ai u arrestua, u damkos e u torturua. Ai kurrë nuk u zbraps. Ekziston një fotografi ku ai është i torturuar. Ajo gjallërisht portretizon dinjitetin dhe besimin e një martiri. Dhe ai ishte i njëjti i ri jeta e të cilit kishte aq shumë mangësi dhe tani ishte e dëshirueshme. Te ai, tha Bahá'u'lláh-u, "u thith shpirti i fuqisë dhe i pushtetit".*

218 Muhameti kishte një xhaxha që quhej Hamza, një luftëtar mizor, mendjemadh dhe arrogant.Ai nuk e kishte pranuar misionin e Profetit, por Muhameti ishte nipi i tij dhe sensi arab i besnikërisë klanore ishte i madh. Për shumë vjet Muhameti iu nënshtrua papushim persekutimit të pamëshirshëm dhe Hamzai, kurdoherë i gatshëm, do të vinte të mbronte e përkrahte nipin e tij. Njëherë, ndërsa ai ishte larg në një udhëtim gjuetie, njerëzit e Mekës i shkaktuan disa plagosje Profetit. Gjuetari u kthye i zbërthyer dhe i lodhur në shtëpi, ku gjeti gruan e tij shumë të shqetësuar. Ajo ishte një pasuese e nipit të tij dhe në moment iu zemërua. Si mund të rrinte ai i qetë, kur nipi i tij ishte sulmuar dhe keqtrajtuar kaq brutalisht! Hamzai u vërsul menjëherë për të kërkuar Muhametin dhe duke sharë kërkoi t'i tregoheshin emrat e persekutorëve. Hamzai ishte i paduruar, por Muhameti nuk thyhej. Profeti i sugjeroi xhaxhait të Tij që para se të mësonin emrat e persekutorëve dhe të vendosnin për t'u hakmarrë kundër tyre, ai të përsëriste fjalët që çdo musliman shqipton në deklarimin e besimit të tij: "Unë dëshmoj që nuk ka Zot, por Perëndi. Unë dëshmoj që Muhameti është Lajmëtari i Perëndisë". Hamzai i përsëriti ato me nxitim, ndërsa Muhameti i thotë se askush që shqipton këto fjalë me peshë nuk mund të ushqejë kurrfarë mendimi për hakmarrje. Njeriu arrogant e i egër u zbut dhe për një çast ai njohu të vërtetën e thirrjeve të Nipit të tij. Paskëtaj Hamzai, me besim dhe guxim, i injoroi mospërfilljet dhe fyerjet.

219 E tillë është forca misterioze e Manifestimit të Perëndisë. Në këtë mënyrë Ai ndryshon zemrat e njerëzve. Në këtë mënyrë ai jep një krijim të ri.

I zgjedhuri i Perëndisë

220 Manifestimi i Perëndisë nuk e kërkon pozitën që i përket me vullnet, me dije dhe me ndërgjegje; Ai nuk mban një disiplinë shpirtërore rigoroze për këtë qëllim. Revelacioni që vjen te Ai prej Perëndisë është i pakërkueshëm. Zgjedhja i përket Perëndisë. Kur Manifestimi i Perëndisë bëhet i ndërgjegjshëm për identitetin e Tij të vërtetë, për Misionin e Tij, për mandatin që i ka dhënë Krijuesi, Ai vret mendjen. Përse Perëndia zgjodhi Atë për të qenë Vikari i saj mbi tokë, për të qenë mjeti i Revelacionit të Tij? Báb-i, Profeti-Martir dhe Lajmëtari i Besimit të Bahá'u'lláh-ut , deklaron se shfaqja e Manifestimit të Perëndisë është parapërgatitur. Nevoja e ngutshme e të Paikurit për të ikurin ( sepse e tillë është natyra e Revelacionit), ardhja e Të Pandryshueshmit dhe Të Përjetshmit për të përkohshmin, shfaqja e shkëlqimit verbues të Perëndisë në një tempull njerëzor, nuk është një çështje shansi, një ndodhi e rastit. Ajo nuk është as kapriçioze. Ekziston kurdoherë një model i zbuluar kohë pas kohe. Ekziton një synim i përcaktuar, një qëllim i përcaktuar që vepron. Bota e Perëndisë është e përjetshme, por lidhjet e saj me botën e njeriut nëpërmjet Botës së Revelacionit janë subjekt i kufizimeve në kohë. Báb-i, duke iu referuar deklarimit të Tij, kalimit të Tij në profetizmin, që ndodhi më 22 maj 1844, në orën dy e njëmbëdhjetë minuta pas perëndimit të diellit, pohon se kjo orë u përcaktua nga fillimi që nuk ka fillim. Përderisa Revelacioni është progresiv, edhe Manifestimi i Perëndisë, Lajmëtarët e Tij te njerëzimi, vijnë kohë pas kohe. Ardhja e tyre përcaktohet në lidhje me kohën.

221 Pikërisht në Revelacionin e Bahá'u'lláh-ut, për herë të parë në eksperiencën fetare të njerëzimit, realiteti, pozita, funksioni dhe misioni i Manifestimit të Perëndisë bëhen të qarta pa mëdyshje. Të gjithë argumentat dhe kundërargumentat e shpikjes njerëzore zbehen për nga rëndësia nëndritën interpretimit të Bahá'u'lláh-ut. Në këtë dritë çdonjeri mund të ndiejë ritmin madhështor të marshit të historisë. Qëllimi, qëllimi i vetëdijshëm, racional bëhet i dukshëm. Logjika e rrethanave zbulohet qartë. Historia shihet si një dramë e jashtëzakonshme, zbuluar nga njeri akt te tjetri - çdo akt dhe kapitull vendosur dhe përcaktuar nga fuqitë magnetike dhe gjallëruese të Mnifestimit të Perëndisë, Që sjell atë nivel udhëheqjeje që kërkon koha në të cilën Ai shfaqet. Manifestimi i Perëndisë udhëzon, udhëheq e drejton, por mesazhi dhe mësimet e Tij përcaktohen nga shkalla e rritjes që ka arritur njerëzimi në atë epokë të veçantë. Tërësia dhe veçantia e fesë krijohen si fakte të pakonvertueshme. Ndonjeri refuzon të pranojë ekzistencën e konfliktit fondamental midis feve të njerëzimit. Ligji i evolucionit është i aplikueshëm edhe te feja, e cila merr fund kur ndahet nga jeta dhe në fakt sjell evolucionin e shoqërisë. Ndërvarja e Besimeve të ndryshme të njerëzimit është e mirëkuptueshme. Njeriu nuk do të pranojë për shumë kohë një çarje midis spiritualistëve dhe laikëve.

222 Për pasojë rritja e çdo qytetërimi është drejt dinamikës shpirtërore, që çliron një Manifestim të Perëndisë dhe rënia e çdo qytetërimi shkaktohet në kohën e duhur nga stanjacioni i të njëjtës dinamikë. 'Abdu'l-Bahá-i dallon në botën e shpirtit, të njëjtat stinë që ekzistojnë në botën e natyrës. Ekziston një baticë shpirtërore, ditët e rizgjimit dhe të rimbjelljes, që pasohet nga një periudhë e cila i korrespondon verës në botën fizike, kur rritja është mirë e dukshme dhe farat e mbjella që më parë, pasi rrënjëzohen dhe mbijnë në mendjet e zemrat e njerëzve, lulëzojnë me blerim të plotë; më pas vjen stina e vjeshtës, kur të korrat mblidhen dhe, në këtë mënyrë, qytetërimi voli prodhimet e frutave të tij më të mira; më në fund dimri fillon, atëhere çdo gjë është ngurosur, shpirti i kërkimit dhe i aventurës është i vdekur, mendjet e zemrat janë të ngrira akull, të prangosura dhe të lidhura; ikja lehtësohet dhe liria e lëvizjes, e tëra është rënduar, e tëra është e vdekur. Sapo kompletohet cikli, batica rikthehet me lavdinë e saj të plotë.

223 E vërteta fetare nuk është absolute, por relative, relative ndaj epokës dhe kohës në të cilën është reveluar. Çdo parim dhe çdo ligj që një Manifestim i Perëndisë i jep njerëzimit, është një përkthim që i përgjigjet epokës, është i aplikueshëm ndaj kushteve të asaj epoke, i të vërtetave dhe cilësive që në absolutitetin e tyre banojnë me Perëndinë. Pasi njeriu përparon, pasi horizontet e njeriut, qofshin ato fizike, intelektuale apo shpirtërore, zgjerohen, njeriut i revelohen më shumë të vërteta dhe cilësi që në thelbin e tyre absolut e të pafund ekzistojnë te Perëndia.

224 'Abdu'l-Bahá-i i ndan mësimet dhe parimet e Manifestimit të Perëndisë në dy kategori: ato që janë të përjetshme dhe të gjithëqëndrueshme, që nuk janë subjekt i ndryshimit e anullimit dhe, ato që janë të përkohshme dhe afatshkurtra, absolutisht të lidhura me kërkesat dhe nevojat e një kohe edhe epoke të caktuar. Kategoria e parë përmbledh të vërtetat e përjetshme si dashuria, drejtësia, bamirësia dhe mëshira. Kategoria e dytë përfshin ligje të tilla si ato që rregullojnë martesën dhe divorcin, dënimet dhe ndëshkimet, trashëgiminë dhe tregtinë. Megjithëse këto ligje dhe urdhra janë subjekt ndryshimi, ato formojnë një pjesë integrale të çdo Revelacioni, pasi ato përfaqësojnë aplikimin e të vërtetave të përjetshme në jetën e njeriut si individualisht edhe kolektivisht.

225 Përsëri 'Abdu'l-Bahá-i, duke folur mbi ligjet dhe parimet e reveluara nga një Manifestim i Perëndisë, thotë: "Ligjet e Perëndisë nuk janë imponime të vullnetit, forcës apo kënaqësisë, por vendime të së vërtetës, arsyes dhe drejtësisë".

226 Asnjë Manifestim i Perëndisë nuk ka ardhur ndonjëherë te njeriu për të thënë që Mesazhi të cilin Ai është duke i përcjellë botës është shpikje e Tij personale. Asnjë Manifestim i Perëndisë nuk ka patur qëllim të kërkojë një ilaç gjithëshërues. Në vitet e para të jetës së një Manifestimi të Perëndisë, pavarësisht nga faktet në dispozicion, ne nuk mund të gjejmë ndonjë preokupim për një mision profetik hyjnor. Në të vërtetë, historia e aludimit të Tij të parë për thirrjen e Tij hyjnore është shumë e befasueshme dhe shpirt-kërkuese. Moisiu ndeshi befas një drizë që digjej prej së cilës Zëri i Perëndisë mbërriti te Ai. Dhe Ai u hutua. Atij iu tha të shkonte në Egjipt, një vend prej të cilit Ai kishte ikur. Ai hezitoi. Ai kërkoi.

227 "Dhe Moisiu tha para Zotit: " O Zoti im, Unë nuk jam elokuent, as kam qenë, as jam që kur Ti ke folur para shërbëtorit Tënd; por jam i ngathët në të folur dhe me një gjuhë të ngathët". 49

228 Kur Jezusi u pagëzua nga kushëriri i Tij, Gjoni, Ai pa qiejt të hapen, një pëllumb të zbresë dhe dëgjoi zërin e Perëndisë duke e quajtur Atë Birin e Tij, më të shumëdashurin e Tij. Ai la Gjonin e turmën dhe shkoi drejt përpara larg në shkretëtirë. Atje një betejë e madhe u zhvillua në shpirtin e Tij.

229 "Dhe Jezusi, duke qenë i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, u rikthye nga Jordani dhe u udhëhoq nga Shpirti drejt shkretëtirës, duke u tunduar 40 ditë nga djalli. Dhe këto ditë Ai nuk hëngri asgjë: dhe në fund të tyre ai patjetër që ishte i uritur".50

230 Atje në shkretëtirë Qenia e Jezusit u bë një me Krishtin. Egoja njerëzore ishte nënshtruar; ajo ishte domethënia e tundimit nga djalli. A e kish përgatitur Jezusi vetveten për rolin e Shpëtimtarit, përse Ai pas kryerjes së pagëzimit dhe dëgjimit të thirrjes së Perëndisë, duhet të kishte çuar vetveten në shkretëtirë, i angazhuar atje në një luftë të tmerrshme, në të cilën fitorja e tij ishte për ta dorëzuar veten plotësisht dhe tërësisht ndaj Vullnetit të Perëndisë? Në të vërtetë faktet janë të qarta, që Jezusi, deri në kohën e pagëzimit, nuk kishte menduar apo synuar rolin e Tij të Shpëtimtarit.

231 Muhameti shquhet për besimin dhe integritetin e Tij të thellë. Atij iu dha titulli i Al-Aminit - I Besuari. Ishte zakoni i Tij të kalonte një muaj gjatë vitit në Malin Hira, afër Mekës, me lutje dhe meditime. Por Ai nuk ishte as jeremit, as oshënar. Përkundrazi, Ai ishte i mirëpërfshirë në lidhjet me botën. Sipas të gjitha gjasave Ai ishte tregtar i suksesshëm. Një ditë, në vetminë e një kodre u shfaq para Tij engjëlli Gavril. Atij iu dorëzua një tabelë që e grishte për ta lexuar. Muhameti ishte analfabet. Ai as mund të shkruante, as mund të lexonte, ndaj u hutua. Atëhere iu tha të lexonte në Emër të Zotit të Tij, dhe Ai e pa Veten të aftë për të lexuar. Akoma më i hutuar Ai vrapoi në shtëpi te gruaja dhe i tregoi se çfarë kishte provuar duke i kërkuar të mbulohej me mantelin e Tij. Por tani Ai e dinte që Perëndia e kishte zgjedhur për të qenë Lajmëtari i Tij. Gruaja e Tij, Hatixheja, ishte e para që e besoi. Muhameti, analfabeti, ishte duke folur fjalë të një bukurie dhe elokuence të pakrahasueshme, fjalë mbushur me jetë dhe fuqi. Ai kurrë nuk pretendoi që këto fjalë e vargje ishin të Tij. Ato i erdhën prej Perëndisë, i thoshte popullit të Tij. Muhameti nuk kishte kërkuar profetizmin. Mandati i erdhi nga Perëndia.

232 Shahut të Persisë, Bahá'u'lláh-u i shkroi:

233 "O Mbret! Unë isha një njeri si të tjerët, në gjumë, në divanin tim, kur papritur flladet e Lavdiplotit frynë mbi Mua dhe Më mësuan dijen e çdo gjëje që ka qenë. Kjo s'është nga Unë, por nga Ai i Vetmi Që është i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. Dhe Ai më urdhëroi të ngre zërin Tim midis tokës e qiejve, e për këtë Më ndodhi ajo që bëri të derdhen lotët e çdo njeriu që kupton. Unë nuk kam studiuar diturinë e përhapur midis njerëzve, nuk kam ndjekur shkollat e tyre. Pyet në qytetin ku banoj, që të sigurohesh plotësisht se unë nuk jam nga ata që thonë gënjeshtra. Kjo s'është veçse një fletë që erërat e vullnetit të Zotit, Të Gjithëfuqishmit, Të Gjithëlartësuarit e kanë vënë në lëvizje. A mund të qëndrojë ajo e palëvizur kur fryjnë erërat e stuhishme? Jo, për Atë Që është Zoti i të gjithë Emrave dhe Atributeve! Ata e lëvizin atë si të duan." 51

234 Duke iu adresuar bashkësisë së njerëzve, Bahá'u'lláh-u thotë:

235 "Perëndia është dëshmitari Im, O njerëz! Unë isha në gjumë në divanin Tim, kur ja Flladi i Perëndisë fryu mbi Mua dhe Më zgjoi nga gjumi, Fryma e Tij gjallëruese më përtëriu dhe gjuha Ime u zgjidh për të lëshuar Thirrjen e Tij. Mos Më akuzoni se kam bërë mëkate ndaj Perëndisë. Mos Më shikoni me sytë tuaj, por me të Miat. Kështu ju paralajmëron Ai Që është I Hirshmi, I Gjithëdijshmi. Mos mendoni vallë, o njerëz, se Unë mbaj në dorën Time kontrollin e Vullnetit dhe Qëllimit të fundit të Perëndisë? Qoftë larg Meje një pretendim i tillë. Dëshmoj për këtë para Perëndisë, Atij Që është i Gjithëfuqishmi, I Lartësuari, I Gjithëdijshmi, Urtiploti. Sikur fati i fundit i Besimit të Perëndisë të kishte qenë në duart e Mia, Unë kurrë nuk do të pranoja, qoftë edhe për një çast, të shfaqja veten Time para jush, as do të kisha lejuar, qoftë edhe një fjalë të vetme të dilte prej buzëve të Mia. Për këtë vetë Perëndia është, me të vërtetë, dëshmitar." 52

236 Bahá'u'lláh-u u bë i vetëdijshëm për Misionin e Tij, kur ishte i prangosur dhe nën vargonj, në errësirë, në burgun vdekjeprurës të Teheranit.

237 "Ndërsa isha i mbërthyer nga vuajtjet, shkroi Ai, Unë dëgjova zërin më të mrekullueshëm, më të ëmbël duke thirrur mbi kokën Time. Pasi ktheva kokën, pashë një Virgjëreshë, mishërimi i kujtimit të emrit të Zotit Tim, pezull në ajër para meje. Kaq e gëzuar ishte ajo thellë në shpirtin e saj saqë fytyra i shkëlqente me zbukurimin e kënaqësisë së madhe të Perëndisë dhe faqet i flakërinin me shkëlqimin e Mëshirëplotit. Ajo ishte duke ngritur një thirrje midis qiellit e tokës e cila përfshinte zemrat dhe mendjet e njerëzve. Ajo ishte duke e përcjellë atë si brenda Meje ashtu dhe te qeniet e jashtme që gëzonin shpirtin Tim dhe shpirtrat e shërbëtorëve të ndershëm të Perëndisë. Duke drejtuar gishtin drejt kokës Sime, ajo iu adresua të gjithëve që janë në tokë e në qiell, duke thënë: "Për Perëndi! Ky është Më i Shumëdashuri i botëve, megjithëse ju akoma nuk e kini kuptuar. Ky është Bukuria e Perëndisë midis jush dhe fuqia e sovranitetit të Tij brenda jush, veçse ju nuk mund ta kuptoni. Ky është Misteri i Perëndisë dhe Thesari i Tij, Kauza e Perëndisë dhe lavdia e Tij për cilindo që është në mbretërinë e Revelacionit dhe të krijimit, nëse ju jini nga ata që binden". 53

238 Dhe kjo është dëshmia e Tij e mëtejshme rreth kësaj eksperience, që është shumë larg prej dijes dhe kuptimit tonë:

239 "Gjatë ditëve që shtrihesha në burgun e Teheranit, megjithëse pesha plumb e prangave dhe ajri i qelbur nuk më lejonin veçse një sy gjumë, i qetë në ato momente të rralla të dremitjes Unë ndjeva sikur diçka vërshoi nga maja e kokës sime mbi gjoksin tim, sikur një rrëke e vrullshme sulet rrëmbimthi mbi tokë nga maja e një mali kryelartë. Për pasojë,çdo qelizë e trupit tim do të ndizej flakë. Në këto momente gjuha ime recitoi çka asnjë burrë nuk është i zoti për ta dëgjuar".54

240 Cila është natyra e kësaj eksperience të cilën Bahá'u'lláh-u e ka treguar kaq ngjeshur dhe kaq gjallërisht? Si vjen Revelacioni nga Perëndia te Lajmëtari i Tij? Nga cilat shenja Manifestimi i Perëndisë njeh vlefshmërinë e kësaj eksperience? Këto janë pyetje ndaj të cilave ne nuk mund të japim kurrë përgjigje. Ne duhet të ishim prej të njëjtit brumë dhe prej të njëjtit rang të lartë ashtu si Manifestimi për të kuptuar këto ndodhi të mëdha. Ky brumë dhe ky rang mbeten ekskluzivisht zotërime të Atyre Të Cilët Perëndia i zgjedh për t'i bërë Mjetet e Revelacionit të Tij, Vendet e Agimit të Cilësive dhe Atributeve të Tij, Manifestimet e Tij për njerëzit. Përderisa asnjë Profet nuk e ka kërkuar qëllimisht dhe me dije këtë pozitë, edhe një njeri, sado i përparuar qoftë vizioni i tij, sado të larta arritjet shpirtërore të tij, sado besimtar dhe virtuoz qoftë, kurrë nuk mund të shpresojë të arrijë atë pozitë me përpjekjet e tij. Mistikët më të mëdhenj midis njerëzve kurrë nuk kanë qenë të aftë të arrijnë pozitën e Krishtit. Është mani e madhështisë dhe kulmi i vetëmashtrimit për një njeri, bile edhe të imagjinojë që ai mund ta bëjë veten të aftë për të qenë një Manifestim i Perëndisë. Ekzistojnë tri botë apo sfera të mirëpërcaktuara, të mirëndara, të veçuara dhe të dallueshme, megjithatë të lidhura dhe qëndrueshmërisht të kufizuara: bota e Perëndisë (bota e Krijuesit), bota e logos (bota e Manifestimit) dhe bota e njeriut (bota e të krijuarit). Bota e Manifestimit lidh botën e Perëndisë me botën e njeriut dhe është Perëndia e jo njeriu që përcakton se Kush do të jetë kjo lidhje.

Evolucioni i Fesë

241 Prej kohësh që s'mbahen mend, Perëndia ka dërguar Lajmëtarët e Tij te njerëzimi, dhe përsa kohë njeriu jeton në këtë planet dhe ka këtu ekzistencë fizike, Perëndia do ta manifestojë Vetveten në një tempull njerëzor. Duke vlerësuar këtë fakt, Besimi Bahá'í nuk pretendon se Ai është i fundit. Në të vërtetë, Bahá'u'lláh-u deklaron me shprehje ta padyshimta që të tjerë sisteme do ta pasojnë Atë. Një tjetër deklaratë këmbëngulëse e Besimit Bahá'í është ajo që asnjë fe e reveluar nuk mund të jetë një fe e rreme. Është thënë që megjithëse kanë ekzistuar profetë të rremë, dhe megjithëse për një periudhë kohe një pretendim i rremë i profetizmit mund të qëndrojë, të mësuarit e rremë nuk do të zgjasë. Një fe mund të vuajë për një kohë nga korrupsioni, pastërtia e saj origjinale mund të humbasë, drita e saj mund të errësohet, por e vërteta e saj origjinale do të mbetet përgjithmonë. Asnjë fe e praktikuar dhe e pasuar nga një grup i njerëzimit, pavarësisht se sa është përqafuar ajo nga besimet dhe ritet e huaja, pavarësisht se sa e mbivendosur mund të jetë ajo nga interpretimet dhe doktrinat njerëzore, nuk mund të etiketohet një fe e rremë. Format më primitive të fesë akoma ekzistuese në botë duhet të kenë patur Themeluesit e tyre hyjnorë, Që vijnë nga antikiteti i largët. Të dhëna dokumentare rreth tyre nuk ka dhe emrat e tyre janë harruar. Por kujtime të mjegullta ruhen.

242 Ne duhet të bëjmë diferencimin midis feve dhe organizatave kishtare me ndarjet dhe nënndarjet e tyre. Asnjë fe nuk është e rreme, megjithëse copëza të trashëguara mund të çorientojnë. Revelacioni vjen nga Perëndia, feja është themeluar nga një Manifestim i Perëndisë; por çarja e zemrës së fesë, ndotja e burimeve jetëdhënës të besimit, nxitja e ndarjes, luftës dhe konfliktit, janë të gjitha vepra të njeriut.

243 Paraqitja e qartë, logjike e procesit të evolucionit fetar dhënë botës nga Bahá'u'lláh-u, bën thirrje për një riorientim të të menduarit njerëzor. Njerëzimi tani është duke ardhur drejt pjekurisë dhe njeriu i pjekur kërkon të njohë dhe mund të kuptojë këtë të vërtetë xixëlluese të reveluar tanimë nga Bahá'u'lláh-u. Manifestimi i Perëndisë, Që merr pjesë nga dija hyjnore, vjen në botë kohë pas kohe. Ai vendos ritmin e rritjes dhe të progresit. Për të nuk ekziston as koha, as hapësira. Për Atë i gjithë procesi i evolucionit njerëzor është një libër i hapur, i vazhdueshëm dhe i pandarë në kapituj. Kurse ne qeniet njerëzore jemi materiale të procesit evolucionist. Ne lëvizim dhe rritemi brenda kapitujve të caktuar. Përmbajtja dhe ritmi i çdo kapitulli përcaktohet nga Manifestimi i Perëndisë. Ai është Arkitekti shpirtëror dhe projekton "formën e gjërave që vijnë". Manifestimi i Perëndisë nuk është thjesht një idealist, një ëndërrimtar utopist, një mendimtar dëshirash, një vegimtar, thjesht një parashikues iluminist. Ai nuk është as politolog, ekonomist apo sociolog. Manifestimi i Perëndisë, me fjalët e Shën Gjonit, është "Fjala u mishërua". Ai është fjala (logos) e mishëruar, "Doktor i zoti" i marrëdhënieve njerëzore.

Pavdekësia e Njeriut

244 Realiteti i njeriut është një realitet shpirtëror dhe Manifestimi i Perëndisë është krijuesi i atmosferës shpirtërore nga e cila njeriu, njeriu real, nxjerr thelbin e tij. "Njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë."

Është ky ushqim shpirtëror, "buka e jetës",mësimet hyjnore, që Manifestimi i Perëndisë i siguron njeriut kurdoqoftë që Ai shfaqet.

245 Të gjitha Besimet e njerëzimit kanë shpalluar njeriun të jetë i pathyeshëm, i pavdekshëm. Jeta e tij nuk është e mbyllur në harkun e shkurtër caktuar për të në këtë tokë. Ekzistojnë botë përmi botë, përtej varrit. Ja si e përshkruan Bahá'u'lláh-u gjendjen dhe kushtet e shpirtit të njeriut:

246 "Dije se shpirti i njeriut qëndron më lart dhe është i pavarur nga sëmundjet e trupit ose të mendjes. Që një person i sëmurë tregon shenja dobësie, kjo u detyrohet pengesave që futen në mes shpirtit dhe trupit të tij, sepse vetë shpirti nuk preket nga çdo sëmundje e trupit. Shih dritën e llambës. Megjithëse një trup i jashtëm mund të ndërhyjë me ndriçimin e tij, vetë drita vazhdon të ndriçojë me jo më pak fuqi. Po kështu, çdo sëmundje që mundon trupin e njeriut është një pengesë që nuk e lë shpirtin të manifestojë forcën dhe fuqinë e tij të brendshme. Megjithatë, kur të largohet nga trupi, shpirti do të tregojë një ngjitje të tillë dhe do të shfaqë një ndikim të tillë, me të cilat asnjë forcë në botë nuk mund të barazohet. Çdo shpirt i kulluar, i pastër e i shënjtëruar do të pajiset me një fuqi të pamasë dhe do të gëzohet me ngazëllim të madh".55

247 Dhe përsëri:

248 "Dhe tani lidhur me pyetjen tënde për shpirtin e njeriut dhe mbijetesën e tij mbas vdekjes. Dije, me të vërtetë, se shpirti, pas ndarjes së tij nga trupi, do të vazhdojë të përparojë deri sa të arrijë praninë e Perëndisë, në një gjëndje e në kushte që as rrokullisja e epokave dhe e shekujve, as ndryshimet e ngjarjet e kësaj botë nuk mund t'i ndryshojnë. Ai (shpirti) do të vazhdojë aq gjatë sa vetë Mbretëria e Perëndisë, sovraniteti, sundimi, fuqia e Tij. Ai do të manifestojë shenjat e Perëndisë e atributet e Tij, do të shfaqë mirëdashjen dhe zemërgjerësinë e Tij...Natyra e shpirtit pas vdekjes kurrë nuk mund të përshkruhet, as është e përshtatshme dhe e lejueshme të zbulohet në sytë e njerëzve i tërë karakteri i tij. Profetët dhe Lajmëtarët e Perëndisë janë dërguar për të vetmin qëllim që ta udhëheqin njerëzimin në Shtegun e drejtë të së Vërtetës. Qëllimi që qëndron në themel të Revelacionit të tyre ka qenë të edukojë të gjithë njerëzit, që ata, në orën e vdekjes, të mund të ngjiten, me çiltërsinë e shenjtërinë dhe me shkëputje absolute, te Froni i Më të Lartit. Drita që këta shpirtëra rrezatojnë është ajo që çon në progresin e botës e në përparimin e popujve të saj. Ata janë si tharmi që fermenton botën e qenies dhe përbëjnë forcën gjallëruese përmes së cilës shfaqen artet dhe mrekullitë e botës... Të gjitha gjërat duhet të kenë një shkak, një fuqi motivuese, një parim që u jep jetë. Këta shpirtëra e simbole shkëputjeje kanë dhënë e do të vazhdojnë të japin impulsin lëvizës suprem në botën e qenies... Kur shpirti arrin në Praninë e Perëndisë, ai merr formën që i përshtatet më mirë pavdekësisë së tij dhe që është e denjë për banesën e tij qiellore".56

249 "Dije, në të vërtetë, se shpirti është një shenjë e Perëndisë, një margaritar qiellor, realiteti i të cilit u ka shpëtuar edhe njerëzve më të ditur, misterin e të cilit nuk mund të shpresojë ta zbulojë asnjë mendje, sado e mprehtë qoftë. Ai është i pari midis gjërave të krijuara që shpall përsosmërinë e Krijuesit të tij, i pari që njeh lavdinë e Tij, që kapet pas së vërtetës së Tij, dhe përulet me adhurim para Tij".57

Kundërshtuar nga Njeriu

250 Asnjë Manifestim i Perëndisë nuk ka gjetur pranim të gatshëm dhe të menjëhershëm nga popujt e botës. Ai pa ndryshim është mohuar, kundërshtuar dhe hedhur poshtë. Ai zakonisht rrjedh nga shtresat e ulta dhe modeste. Është e vërtetë që Gautama Buda ishte biri i mbretit dhe në kohën tonë Manifestimi i Perëndisë ishte biri i ministrit të mbretit. Por Moisiu ishte pjesëtar i një race të skllavëruar e të shtypur, gjithashtu një i arratisur nga drejtësia. Megjithëse Dhjetë Urdhrat, të cilat ky i arratisur nga drejtësia i dha popullit të Tij, qëndrojnë sot në bazë të kodeve ligjore të çdo kombi të qytetëruar në tokë. Jezusi ishte pjesëtar i një subjekti dhe race të shtypur. Ai ishte një galileas, me zanatin e marangozit, dhe nuk kishte lidhje as me saducejtë, as me farisejtë, udhëheqësit e popullit të Tij. Muhameti zakonisht paraqitet si një hipës i devesë. Familja e Tij vlerësohej e shquar dhe e lartë, por ai ishte jetim dhe xhaxhai që kujdesej për Atë ishte jashtëzakonisht i varfër. Kurani deklaron qartë se Muhameti ishte analfabet. Báb-i ishte biri i një tregtari tekstilesh nga Shirázi, mbetur jetim si Stërgjyshi i Tij, një Profet Arab, dhe u edukua nga dajua. Bahá'u'lláh-u ishte i biri i një ministri të oborrit të Persisë dhe gëzoi pasuri të mëdha. Por duke e radhitur Veten në anën e Profetit të Shirázit, Ai i humbi të dyja, pasurinë dhe statusin e Tij shoqëror.

251 Ata që iu përgjigjën të parët thirrjes së Manifestimit të Perëndisë janë gjithashtu me origjinë modeste. Kjo është e përgjithshmja, megjithëse ka edhe përjashtime të dukshme. Për shkak të sakrificës së shpirtrave, të cilët bota zakonisht i konsideron të parëndësishme, Besimi mban gjallë rrënjët e Tij dhe lulëzon. Si i vlerësonin bashkëkohësit dishepujt e Krishtit? Midis tyre kishte peshkatarë, bile edhe një tagrambledhës. Të parët që besuan në Misionin e Muhametit ishin gruaja e Tij, Hatixhe, kushëriri i Tij , Aliu, një djalë pa mbushur të trembëdhjetat dhe Zeid, një skllav. Edhe ata që kërkuan Báb-in shumica ishin studentë të teologjisë, megjithëse në sërën e tyre ishin të mëdhenj, dhe më vonë u bënë pasues të Tij një pakicë nga më të shquarit teologë të vendit. Për më tepër, ata e dhanë jetën e tyre me gëzim në udhën e Báb-it dhe provuan martirizimin e lavdishëm.

252 Pikërisht fakti që njerëz të zakonshëm vijnë për të besuar me tërë qenien e tyre te Manifestimi i Perëndisë, rrit zemërimin e atyre që e konsiderojnë veten si rojtarë të së vërtetës fetare. Ata bëjnë kështu sepse kanë frikë. Çfarë bëri populli i Jeruzalemit ditën që Krishti hyri në qytetin e tyre, ditën që quhet E Diela e Palmës? Ata dolën me gjethe palmash për ta mirëpritur e i bënë një pritje mbretërore. Ata kishin parë ose kishin dëgjuar për mrekullitë e shërimit që Ai kishte bërë, por nuk kishin idenë e pozitës së Jezusit. Në të vërtetë, Jezusi nuk kishte treguar se kush ishte. Për më tepër Ai ua kishte ndaluar dishepujve të Tij të bënin publike çka dinin ata të ishte e vërtetë. Që nga dita që Pjetri e kishte njohur dhe i kishte thënë se Ai ishte Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë, ai ishte një urdhër i shtrirë mbi ta. Njerëzit e Jerusalemit që dolën me zell e gëzim të madh për ta shoqëruar Jezusin nëpër qytet, sipas vlerësimit të tyre, ishin duke mirëpritur një Rabi të mirë, një njeri të shenjtë, një njeri mrekullish, një shërues dhe një ngushëllues. Kurse ata që zotëronin fuqi shpirtërore, ata që ishin rojtarë të ligjit, ata te të cilët mbrojtja e pozitës do të thoshte jo vetëm ruajtje e rangut të tyre të lartë, por edhe sigurimi i ligjit e rendit, morën frikë se shihnin implikime të karrierës të cilën Krishti kishte ndjekur e realizuar, se vetëm një Mesí mund të ngjitej me dashje në atë drejtim. Nëse ata s'e kishin kuptuar që Jezusi ishte, në të vërtetë, jo vetëm drita e Izraelit, por drita e botës, ata nuk do ta kishin shqetësuar veten me komplote dhe plane për zhdukjen e Tij.

253 Jezusi kishte folur që më parë për ta dhe shokët e tyre. Ai që nga padija mëkaton kundër Birit të Njeriut falet, por Ai që mëkaton kundër Shpirtit të Shenjtë dënohet përjetësisht. "Përjetësisht", na tregon Báb-i, kupton zgjatjen e Dispensacionit. Ai që mëkaton kundër Shpirtit të Shenjtë është njeriu që megjithëse e di që Manifestimi i Perëndisë është në të vërtetë nga Perëndia dhe është i dërguar prej Perëndisë, prapë e kundërshton Atë. Ai e shikon dritën dhe thërret errësirën të jetë kallauzi i tij. Ai me qëllim fillon të shuajë dritën. I tillë njeri ishte Kaini. Të tillë njerëz ishin ata që morën këshilla për të shkatërruar Jezusin. Të tillë njerëz ishin ata që për trembëdhjetë vjet ngritën flamurin e luftës ndaj Muhametit dhe më në fund u mblodhën për të sajuar vdekjen e Tij. Një i tillë ishte Juda Iskarioti. Njeri i tillë ishte Azali, vëllai i Bahá'u'lláh-ut dhe Juda i kohës së Tij. Ata që u mblodhën tufë në oborrin e Pont Pilatit herët në mëngjesin e së Premtes së Zezë dhe kërkuan lirimin e një krimineli te dënuar, ndërsa kërkonin vdekjen e Jezusit, nuk ishin në kategorinë e atyre që mëkatojnë kundër Shpirtit të Shenjtë. Por këshilltarët e tyre fetarë ishin mëkatarë.

254 Udhëheqësit fetarë kundërshtojnë dhe persekutojnë Manifestimin e Perëndisë. Të njëjtën gjë bëjnë dhe liderët e shtetit. Ata gjithashtu kanë frikë. Ata i trëmben rebelimit, ndërkohë që asnjë Manifestim i Perëndisë nuk e ka shkuar ndonjëherë në mend apo ideuar përmbysjen me dhunë të rendit social e politik. Moisiu kundërshtoi fuqinë e Egjiptit jo për të përmbysur mbretërinë e Faraonëve, por, sipas urdhrit të Perëndisë, për të nxjerrë popullin e Tij nga robëria. Krishti nuk projektoi rebelim kundër Romës. Ai e dinte që nuk ishte ajo rruga për shpëtimin e popullit të Tij. Izraelitët, në dëshirën përvëluese për të thyer zgjedhën romake, e kishin menduar Mesinë e tyre si një pasardhës të Derës së Davidit, që lartësohej me fuqi mbretërore, që godiste me fuqinë e Perëndisë, që ulej me shkëlqim të plotë mbi Fronin e Davidit. Por profecitë që i kishin çuar ata drejt këtij besimi kishin një kuptim simbolik. Nëse Jezusi do ta kishte bërë Veten udhëheqës të revoltës kundër Romës, në vend të udhëheqjes së dymbëdhjetë dishepujve, Ai do të kishte patur pas Tij një ushtri pasuesish të zellshëm. Por ai me këmbëngulje e refuzoi të ndjekë këtë kurs. Kundërshtarët e Tij dolën në rrugën e tyre për ta mashtruar duke bërë një deklaratë e cila mund të merrej si nxitje për rebelim. Ai vendosmërisht refuzoi të pajtohej dhe u dha atyre një përgjigje e cila deri më sot e ka mbajtur botën kristiane duke debatuar e duke u grindur lidhur me implikimet e saj. Ai tha: "Jepini Cezarit atë që është e Cezarit dhe jepini Perëndisë atë që është e Perëndisë". 58

255 Krishti nuk e pa kryengritjen dhe revoltën kundër Romës si mjete për fundin e Tij, që ishte shpëtimi i popullit të Tij. Fjalët e Tij për Nikodemin, të cituara më parë, tregojnë se rruga e Tij ishte e ndryshme. Megjithatë kundërshtarët i shkaktuan kryqëzimin, duke luajtur me frikën e guvernatorit romak. Pont Pilati ishte tërësisht i alarmuar. Ai do ta toleronte një grindje midis izraelitëve rreth thirrjeve dhe qëndrimeve mesianike ndaj ligjit dhe doktrinës, por çdo aluzion mbi trazira të mundshme civile dhe kundërshtim të zotërimit romak, ai nuk do ta linte pa e vënë re. Pozita e tij ishte një thikë me dy presa. Si do ta trajtonte Cezari atë nëse ai do të linte të lirë një njeri të akuzuar për mbështetjen dhe nxitjen e synimeve antiromake? Prandaj ai dekretoi vdekjen e Jezusit.

256 Arabia për të cilën fliste Muhameti, nuk ishte një njësi politike. Por Meka, qyteti i Tij, kishte një vend të veçantë. Njerëzit vinin atje nga të gjtha anët për të nderuar idhujt që mbante Meka. Ata që qeverisnin Mekën ishin shumë të shqetësuar për prestigjin e qytetit të tyre. Muhameti, mendonin ata, u kthye për të shkatërruar idhujt që u jepnin atyre status dhe u sillnin pasuri e nderim. Muhameti, thoshin ata, duhet të pengohet me çdo kusht. Ata synuan që të shkaktonin vdekjen e Tij. Vendimi i tyre u përforcua kur morën vesh që Ai kishte hyrë në lidhje me një delegacion nga Jatribi, më vonë e quajtur Medina-qyteti i Profetit. Pikërisht atëhere Muhameti duhet të ikte nga qyteti i Tij.

257 Báb-i nuk kishte synime ndaj shtetit dhe sigurisë së tij. Ai nuk parashikoi vendosjen e sundimit të Tij të përkohshëm, megjithëse populli shpresonte një gjë të tillë. Ai vinte si Imami i Dymbëdhjetë, Mehdiu (Mahdi), ardhjen e të cilit Shiitët e lusnin dhe mezi e prisnin. Kur Manuçer Kani, guvernator i Isfahánit, një zyrtar shtetëror i pasur e me influencë, ofroi në dispozicion të Báb-it tërë pasurinë dhe ushtrinë e tij të konsiderueshme për të marshuar mbi Teheran dhe për të bindur Shahun të përqafonte Besimin e ri, Ai Që ishte Mehdiu, Kaimi dhe sipas vlerësimit të Shiitëve i përkiste me të drejtë sundimi dhe sovraniteti, e refuzoi ofertën me përzemërsi, por vendosmërisht. Megjithatë, Haxhi Mirza Ákasi, veziri i madh e i korruptuar, u tremb dhe, duke triumfuar mbi dobësinë e tij dhe luhatjet mbretërore, mohoi një takim me Báb-in. Shteti e mbajti Báb-in të burgosur dhe më në fund e vrau Atë.

258 Bahá'u'lláh-u vuajti katër dëbime dhe dy periudha burgimesh nga duart e dy mbretërve tiranë. Ai ishte Që qetësoi pasionet e pasuesve të Báb-it dhe u ndaloi njerëzve të Tij të gjitha konfliktet e luftërat, duke u treguar atyre se ishte më mirë për ata të vriteshin se sa të vrisnin, e megjithatë, sundimtarët dhe absolutistët e konsideruan Atë një nxitës të rebelimit dhe anarkisë. Ai i tregoi Eduard G. Braunit, orientalistit anglez, që e vizitoi në prill 1890 jashtë Ákas, në Tokën e Shenjtë: "Ne duam vetëm të mirën e botës dhe lumturinë e kombeve e, megjithatë, na konsiderojnë nxitës konfliktesh e revoltash që meritojmë burgim dhe syrgjynosje."

259 Në çdo kohë udhëheqësit fetarë dhe ata shtetërorë kanë kombinuar forcat për të shkatërruar Manifestimin e Perëndisë dhe veprën e Tij. Bahá'u'lláh-u flet kështu për ta dhe bëmat e tyre të poshtra:

260 "Ndër këto "perde të lavdisë" janë teologët dhe doktorët që jetonin në ditët e Manifestimit të Perëndisë, të cilët, për arsye se u mungonte mprehtësia dhe për shkak të dëshirës e të zellit të tyre për të komanduar, nuk iu nënshtruan Kauzës së Perëndisë, madje refuzuan të dëgjonin Melodinë Hyjnore. "Ata kishin zënë veshët me duar". Dhe njerëzit, po kështu, duke injoruar tërësisht Perëndinë e duke i konsideruar ata si mësuesit e tyre, e vunë vetveten verbërisht nën autoritetin e këtyre udhëheqësve pompozë e hipokritë, sepse nuk kishin as shikim, as dëgjim, as zemër të tyren, për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra.

261 "Me gjithë paralajmërimet me frymëzim hyjnor të të gjithë Profetëve, Shenjtorëve e të Zgjedhurve të Perëndisë, që i urdhëronin njerëzit të shikonin me sytë e vet dhe të dëgjonin me veshët e vet, ata kanë hedhur poshtë me mospërfillje këshillat e tyre dhe verbërisht kanë ndjekur, e do të vazhdojnë të ndjekin, krerët e Besimit të tyre. Sikur një i varfër e i pashkollë, i privuar nga stolitë e dijes të të diturve, t'u drejtohej atyre dhe t'u thoshte: "O njerëz! Shkoni pas Lajmëtarëve të Perëndisë!" ata, të habitur shumë nga një deklaratë e tillë, do të përgjigjeshin: "Si! Do të thuash se të gjithë këta teologë, të gjithë këta eksponentë të ditur, me gjithë autoritetin, salltanetin e shkëlqimin e tyre, kanë gabuar dhe nuk kanë arritur të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra ? Mos pretendon ti dhe njerëz si ti, të kesh kuptuar atë që ata nuk e kanë kuptuar?". 59

262 Përsëri Ai shkruan mbi të njëjtën temë:

263 " Nuk ka asnjë Profet të Perëndisë që të jetë shfaqur pa rënë viktimë e urrejtjes së pamëshirshme, e akuzave, e mohimit dhe e mallkimit të klerikëve të kohës së Vet! Mallkuar qofshin për paudhësitë që kanë kryer duart e tyre më parë! Mallkuar qofshin për atë që po bëjnë tani! Nuk ka perde lavdie më të rënda sesa këto mishërime të gabimit." 60

264 Më tej Ai deklaron:

265 "Burimi dhe origjina e tiranisë kanë qenë klerikët. Përmes dënimeve të shpallura nga këtë shpirtëra arrogantë dhe të sertë, sundimtarët e botës kanë sjellë atë që ju e kini dëgjuar... Frerët e masave të shkujdesura kanë qenë dhe janë në duart e eksponentëve të fantazisë dembele dhe imagjinatës boshe. Ata vendosin ato që duan. Perëndia, me të vërtetë , është larg prej tyre dhe Ne, gjithashtu jemi larg prej tyre, pasi, siç kemi dëshmuar, jemi për atë, për të cilën ka folur në këtë stacion të lavdishëm Pena e Më të Lartit". 61

266 "Udhëheqësit e njerëzve, thotë Ai, prej kohësh që s'mbahen mend, kanë penguar njerëzit të kthehen drejt Oqeanit Më të Madh. Mikun e Perëndisë (Abrahamin), e hodhën në zjarr për shkak të dënimit të shpallur nga klerikët e kohës. Gënjeshtrat dhe shpifjet iu veshën Atij Që foli me Perëndinë (Moisiut). Reflekto mbi Atë Që ishte Shpirti i Perëndisë (Jezusi). Megjithëse Ai shfaqi që së largu dhembshuri dhe mirësi të jashtëzakonshme, ata përsëri u ngritën në një mënyrë të atillë kundër atij Thelbi të Qenies dhe Zot i të njohurve dhe të panjohurve, saqë Ai nuk mundi të gjejë një strehë për të pushuar. Ai lëvizte çdo ditë nga një vend në tjetrin duke kërkuar strehë të re. Shikoni Vulën e Profetëve (Muhametin), U bëfshin kurban për Atë shpirtrat e të gjithëve, përveç Tij! Sa të rënda ishin gjërat që i ndodhën Zotit të të gjitha qenieve nga duart e klerikëve të idhujtarisë dhe nga doktorët izraelitë, pasi Ai kishte shpallur fjalët e bekuara për unitetin e Perëndisë! Për jetën time! Pena ime lëngon në duart e të tillëve që kanë thyer Besëlidhjen e Perëndisë dhe Testamentin e Tij, që kanë mohuar Dëshminë e kanë kundërshtuar shenjat e Tij dhe gjithë krijesat klithin për shkak të gjërave që kanë prekur Atë". 62

267 Duke iu adresuar krerëve fetarë Ai shkroi:

268 " Sa kohë ju, o bashkësi klerikësh, do të drejtoni shtizat e urrejtjes në fytyrën e Bahá'u'lláh-ut? Frenoni penat tuaja. Hapni sytë, Pena Më Sublime flet midis qiellit e tokës. Kini frikë Perëndinë dhe mos ndiqni dëshirat tuaja, që kanë ndryshuar fytyrën e krijimit. Pastroni veshët që të dëgjojnë Zërin e Perëndisë. Për Perëndi! Është njësoj si zjarri që djeg perdet dhe si uji që shplan shpirtrat e të gjithëve që jetojnë në univers." 63

269 Nuk duhet menduar që Bahá'u'lláh-u ka përfshirë në qortimin dhe vërejtjen e Tij të ashpër tërë bashkësinë e krerëve fetarë të botës. Ja disa nga fjalët që u drejton klerikëve, jeta dhe vepra e të cilëve justifikon qëllimin:

270 "Këta klerikë... që me të vërtetë janë stolisur me zbukurimet e dijes dhe me karakter të mirë, janë, me të vërtetë, si koka për trupin e botës dhe si sytë për kombet. Udhëheqja e njerëzve, gjatë gjithë kohëve, ka qenë dhe është e varur nga këta shpirtra të bekuar". 64

271 " Kleriku, sjellja e të cilit është e lartë, dhe i urti që është i drejtë, janë si një shpirt në trupin e botës. E mira është pikërisht me këtë klerik, koka e të cilit është zbukuruar me kurorën e drejtësisë dhe tempulli i të cilit është stolisur me zbukurimin e paanësisë". 65

272 Respektoni hirësitë mes jush, ata veprimet e të cilëve përputhen me dijen që ata kanë, që vrojtojnë statutet e Perëndisë dhe shpallin gjërat që Perëndia ka dekretuar në Libër. Dijeni që ata janë dritat e udhëheqjes midis qiellit dhe tokës. Ata që nuk kanë konsideratë për pozitën dhe meritat e hirësive të tyre, me të vërtetë, kanë humbur bujarinë që u ka dhënë Perëndia". 66

273 Krerët e fesë, kujdestarët e Dispensacioneve më të hershme, kundërshtojnë Manifestimin e Perëndisë, opozitën e tyre dhe akuzat zgjojnë krerët e shtetit, ushtruesit e pushtetit të përkohshëm, për të bërë të njëjtën gjë. Por ata nuk janë të vetëm në qortimin e Dritës së Perëndisë. Njerëz të ditur, zotërues të dijes botërore, nuk janë më pak të zhurmshëm në përqeshjen e mesazhit të Manifestimit të Perëndisë. Ata janë dijetarë dhe filozofë, dija e madhe e të cilëve bëhet më e madhja e të gjitha perdeve. Disa prej tyre konsumohen po ashtu nga xhelozia. Këta njerëz për vite i janë përkushtuar thellimit dhe saktësimit të studimeve. Vite të çmuar të jetës së tyre janë harxhuar për mbledhjen, shoshitjen dhe verifikimin e dijes. Shumë prej tyre kanë shkruar volume të mëdhenj dhe me peshë, kanë hapur perspektiva të reja dhe hapësira të reja në sferën magjepsëse të të nxënit. Ata janë eruditë dhe krenarë për erudicionin e tyre. Atëhere vjen dikush, i pamësuar, bile analfabet dhe deklaron qetësisht që dija e Tij është më e madhe, më e lartë dhe më e plotë se e tyrja. Ai u tregon atyre që sekreti i universit përmbahet në gjoksin e Tij. Ata i kanë kushtuar vite kërkimit të tyre, dhe Ai u thotë atyre se dija supreme i është dhënë Atij pakërkuar. Dhe fjalët e Tij duken përralla. Poshtë thjeshtësisë së tyre fshihen thellësitë e kuptimit, thellësi që nuk mund të maten. Ato përmbajnë fuqi që rikrijon jetët e njerëzve. Prandaj këta njerëz eruditë, krenarë, këta njerëz të arritjeve të mëdha e të jashtëzakonshme, nënvleftësojnë me përbuzje Manifestimin e Perëndisë. Në të gjithë kohët ata, po ashtu, e kanë radhitur veten përkrah kundërshtarëve dhe kritikuesve të Tij. Por ata gjithashtu, pavarësisht nga përparësitë e tyre të padyshimta dhe mjetet intelektuale dërrmuese, kanë qenë të paaftë për të shuajtur dritën hyjnore të udhëheqjes së Perëndisë. Ata gjithashtu duhet të pranonin humbjen.

274 Ekziston edhe një tjetër klasë ose tip njerëzish që ngrihen në kundërshtim me Manifestimin e Perëndisë, njerëzit që nuk duan të mendojnë me kokën e tyre. Ata janë ose të plogët ose të atrofizuar intelektualisht. Ata përbëjnë turmën. Nga ky lloj ishin shumë nga ata që dolën me gjethe palmash për t'i dhënë një pritjë të gëzuar dhe mbretërore Jezusit të Nazaretit kur Ai hyri në Jeruzalem një të Dielë, por që pesë ditë më vonë, kur atyre iu kërkua të bëjnë një zgjedhje, ata thanë që një kriminel i dënuar duhet të lirohej dhe Jezusi duhet të vdiste. Në të njëjtën kategori, gjithashtu, ishin ata që nga duart e Bahá'u'lláh-ut kishin pranuar veç zemërgjerësi të jashtëzakonshme, kishin parë te Ai veçse drejtësi, besnikëri dhe dashamirësi, e megjithatë ditën që Ai u arrestua dhe u detyrua të ecë deri në burgun e Teheranit nëpër një rrugë të gjatë, dolën me qindra, të rreshtuar rrugës dhe u bënë kapicë për ta fyer e tallur. Ata ishin tufë në sheshin publik të Tabrizit, në atë ditë fatale vere të 1850-ës kur Báb-i u qëllua. Ndërsa proceset e tyre mendore janë të mpira e letargjike, ata nxiten për të vepruar me furi të çmendur. Gjatë gjithë kohëve ata kanë ekzistuar dhe kanë qenë brumë i gatshëm në duart e hipokritëve dhe demagogëve. Ekseset dhe standartet e pabazuara të qytetërimit materialist shërbejnë për të shumëfishuar numrin e tyre.

275 Ka edhe nga ata që urrejnë të shqetësohen në zakonin e tyre. Ata janë të vetëkënaqurit, të mirëkënaqurit. Ata mendojnë se çdo gjë që kanë, është gjithmonë më e mira. Ata besojnë se çdo rrugë ku ecin është gjithmonë e drejtë. Ata janë somnabula në arenën e jetës dhe nuk mund të durojnë të shkunden nga somnabulizmi i tyre. Kur Manifestimi i Perëndisë u tregon se janë duke jetuar në një parajsë budallenjsh, ata bëhen xhind. Ne e kemi patur gjithmonë vaj në botë, murmurisin ata. Asgjë nuk ka që nuk shkon sipas tyre dhe rrugët e tyre, rruga e tyre e mesme shpreson dhe aspirata të vockla. Ç'të drejtë ka ky zengjin i ri, thonë ata, që e quan veten Lajmëtar i dërguar nga Perëndia, t'i paralajmërojë, qortojë, këshillojë e t'u paraqesë një alternativë. Prandaj ata kundërshtojnë Manifestimin e Perëndisë. Bota e tyre e sikurit u thërmohet mbi kokë dhe ata nuk e shohin.

276 Ka nga ata që mendojnë se njeriu është i vetëmjaftueshëm. Ata besojnë se duke u varur nga këmbët e veta mund të kapin qiellin. Ata pohojnë se njeriu mund të gjejë vetë zgjidhje për shpëtimin e tij dhe nuk ka nevojë për ndihmë të mbinatyrshme. Historia e hedh poshtë falsitetin e pretendimit të tyre, por ata preferojnë ta lexojnë historinë sipas qejfit. Në kohët e dekadencës shpirtërore dhe konfuzionit intelektual, këta kampionë dhe standartmbajtës të arrogancës dalin mbi ujë. Pikërisht kur fuqia e besimit është në rënie dhe vitaliteti i besimit fetar është në zbaticë, Perëndia dërgon përsëri në botë Lajmëtarin e Tij, por në të tilla kohë ndodh gjithashtu, që mohimi i Perëndisë është më i theksuar.

277 Në këtë mënyrë Manifestimi i Perëndisë gjen të rreshtuar kundër Tij legjionë mbi legjione. Për të realizuar qëllimet e tyre njerëzit bëjnë të përdorshme forcën që u jep pozita, statusi, pasuria dhe dija personale. Manifestimi i Perëndisë nuk ka asnjë prej tyre. Ai nuk ka kishë për të bërë ofertën e Tij, nuk ka qeveri ta bëjë instrumentin e Tij, nuk ka ushtri ta komandojë, nuk ka para për t'i futur në punë, nuk ka njohuri të cilat bota do të njohë. Megjithatë arrin atë që askush tjetër nuk mund ta arrijë. Ai i rijep njeriut besimin e, duke i dhënë besimin, formon prej tij një qenie të re. Ne duhet të kujtojmë çfarë tha Jezusi, që me besim njerëzit mund të lëvizin malet. Besimi lind të gjitha mjetet. Dhe besimi nuk është pranim i verbër. Abdu'l-Bahái e përshkruan besimin si dije me dashje.

278 Bota ku erdhi Jezusi, megjithë qetësinë e jashtme, ishte një kazan që zjente nga konfliktet. Njerëzit e saj ishin thellësisht të brengosur dhe të pakënaqur, kërkonin çlirim duke kërkuar me ankth shpëtimin. Disa ishin përgatitur për revoltë të armatosur. Ata ishin Zealotët. Disa, të zemëruar nga prapësitë si të pushtuesit dhe të të pushtuarve, kishin zgjedhur izolimin e kishin gjetur ngushëllim në praktikën dhe mendimin mistik. Ata ishin Essenët. Disa, ndërkohë që mbanin ftohtësinë e akullt ndaj romakëve të urryer, ishin duke zbatuar me zell, e në të vërtetë me fanatizëm ligjin në lidhje me formën dhe jo me shpirtin. Ata ishin Farisejtë. Vetëm një seksion i kombit izraelit e kishte pajtuar veten me faktin e humbjes ose nënshtrimit. Ata ishin Saducejtë. Bota e pushtuesve që lëvdoi fuqinë e saj, forcën e trashëgueshme, urtinë superiore, paqen e saj, ishte duke u shpërbërë gradualisht dhe pa u ndjerë. Pax Romana ishte pa vlerë.Administrimi i fortë ishte pa vlerë. Filozofia ishte pa vlerë. Kishte plot njerëz me mprehtësi e vizion, që ishin të vetëdijshëm për një sëmundje të fshehtë, që u alarmuan nga rrjedha e ngjarjeve, që dëshironin të shpëtonin Romën dhe perandorinë e saj. Ilaçi i të gjithave ngriti kokën. Misteri i feve lulëzoi. Ekzistonte kulti i Mithrës me çuditë e saj, por me rite të kënaqshme, me kodin e saj etik të lartë dhe strikt. Ekzistonte kulti i Adonisit, kulti i Attis, kulti i Osirisit. Kishte shumë shkolla mendimi. Por Roma ishte në mëshirë të fatit.

279 Izraelitët më në fund u ngritën në revoltë dhe u thyen. Tempulli u bë njësh me tokën. I Shenjti i Të Shenjtëve u përdhos.

280 "O Jeruzalem, Jeruzalem, që vret profetët dhe vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t'i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët!

281 "Ja, shtëpia juaj ju lihet e shkretë. Dhe unë po ju them se nuk do të më shihni mua deri sa të vijë koha të thoni: "Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit". 67

282 Jezusi e parashikoi katastrofën që do të vinte. Dhe Ai tregoi, gjithashtu, ditën e shpëtimit.

283 Roma shkoi duke u shpërbërë. U kërkua çdo ilaç, përveç ilaçit të duhur. Dhe ata që kishin ilaçin e duhur i përbuzën e i kundërshtuan, i ndoqën e i gjuajtën, i ekzekutuan. Mesazhi shpëtues i Krishtit shkoi pa u vënë re. Bile edhe një perandor i urtë si Mark Aureli u tall me kristianët dhe u përpoq të përhapte kultin e Mithrës. Ishte fare e qartë që Roma ishte e sëmurë për vdekje. Dhe megjithatë ilaçi i vërtetë u refuzua. Më në fund erdhi dita kur Roma kryelartë u shtri nën këmbët e Krishtit. Jezusi i Nazaretit, që nuk kishte as pasuri, as pushtet, as ushtri, as status social, as shkollë, kishte triumfuar. Por Roma duhet të pastrohej dhe Roma u lëkund drejt rënies së saj. Pikërisht atëhere Kisha e Krishtit mundi të shpëtojë çka ia vlente për të shpëtuar në Romë. Pikërisht ai Besim, që përpara u ushqye në fshehtësi në katakombet e Romës, i dha Botës Perëndimore një shoqëri të re dhe e siguroi atë shoqëri me një bazë të re. Roma me gjithë arritjet e saj nuk dinte asgjë mbi dobinë dhe vlerën e çdo shpirti njerëzor. Tani njeriu perëndimor shpëtoi në Krishtin dhe për një kohë vlera dhe dinjiteti i lindur i çdo shpirti njerëzor u pranua.

284 Jezusi vdiq në kryq, një vdekje që u synua të ishte shumë e turpshme. Ata që i sollën vdekjen ishin të sigurt se kishin shkatërruar përfundimisht Atë dhe veprën e Tij. Një nga 12 dishepujt e Tij e kishte tradhtuar dhe dorëzuar në duart e armikut. Dishepulli, të cilit i ishte caktuar supremaci mbi të gjithë, që ishte në të vërtetë qenia e parë njerëzore që dalloi natyrën hyjnore të Mjeshtrit të tij, që i kishte thënë Atij se Ai ishte Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, pikërisht ky dishepull e kishte mohuar tri herë në natën e arrestit të Tij. Megjithatë, në fund triumfi ishte i Tij. Dhe Ai nuk kishte asnjë nga mjetet që njerëzit përdorin për të arritur fitore. Turp dhe poshtërim të përjetshëm morën shumica e tyre, që debatuan me Të dhe e dërguan në kryq.

285 I vetmi standart i vërtetë është standarti i vendosur nga Manifestimi i Perëndisë. Fjala dhe mësimet e Tij janë të vetmit gurë të themelit nëpërmjet të cilave dallohet e vërteta nga gënjeshtra. Gjithçka që pajtohet me shpalljet e Tij është e mirë, e vërtetë dhe e dobishme. Gjithçka që devijon nga kjo është e dëmshme dhe e gënjeshtërt.

286 Bahá'u'lláh-u thotë se në sytë e Perëndisë "më e shumëdashura e të gjitha gjërave është drejtësia; mos u largo prej saj, nëse më do Mua, dhe mos e lër atë pasdore, që Unë të kem besim te ti. Me ndihmën e saj ti do të shikosh me sytë e tu e jo me sytë e të tjerëve, dhe do të dish me dijen tënde e jo me dijen e fqinjit tënd. Peshoje këtë në zemrën tënde; kështu të ka hije të jesh. Me të vërtetë drejtësia është dhurata Ime për ty dhe shenja e dashamirësisë Sime. Mbaje, pra, këtë para syve të tu".68 Standarti i drejtësisë nuk është ai që pandeh njerëzia, por është mësimi i Manifestimit të Perëndisë. Të gjitha standartet duhet të gjykohen duke marrë për bazë standartin e Tij. Dhe Ai nuk duhet të gjykohet nga standartet e vëna nga njerëzit. Por njeriu gjithmonë ka bërë të kundërtën. Ai e ka gjykuar Manifestimin e Perëndisë sipas asaj që ai ka menduar të jetë masa e të vërtetës.

287 Në Kitáb-i-Aqdas (Libri më i Shenjtë) Bahá'u'lláh-u, duke u thirrur më të shenjtëve, thotë:

288 "Mos e gjykoni Librin e Perëndisë sipas standarteve e shkencave të tilla që përdorni ju, sepse vetë Libri është Peshorja e pagabueshme e vendosur midis njerëzve. Në këtë Peshore shumë të përsosur duhet të peshohet gjithçka kanë popujt dhe fiset e tokës, kurse masa e vetë peshës së saj, sikur ta kuptonit këtë, duhet të matet me standartin e vet. Syri i dashamirësisë sime qan me dënesë për ju, sepse nuk e njohët Atë që e keni thirrur ditën e natën, në mbrëmje e në mëngjes."69

289 Në Ungjillin sipas Shën Llukës lexojmë kështu:

290 "Ndodhi, që një të shtunë, pas të shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin.

291 Dhe disa nga farisejtë u thanë atyre: "Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëni të shtunën?"

292 Por Jezusi, duke u përgjigjur, iu tha: "A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria?

293 Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjerin t'i hante, përveç priftërinjve?"

294 Pastaj u tha atyre: "Biri i Njeriut është zot edhe i së shtunës". 70

295 Perëndia bën çfardo që dëshiron dhe nuk i përket njeriut të pyesë vullnetin dhe urdhrat e Perëndisë.

296 " Dije, me të vërtetë, shkruan Bahá'u'lláh-u, se thelbi i drejtësisë dhe burimi i saj mishërohet në porositë e dhëna nga Ai, që është Manifestimi i Vetë Perëndisë midis njerëzve, në qofshi prej atyre që e njohin këtë të vërtetë. Ai mishëron, me të vërtetë, shkallën më të lartë e të pagabueshme të drejtësisë në të gjithë krijimin. Edhe sikur ligji i Tij të ishte i tillë që t'u fuste tmerrin në zemër të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë, ky ligj nuk do të ishte veçse drejtësi e dukshme. Frika e shqetësimi që shkakton në zemrat e njerëzve Revelacioni i këtij ligji, në qofshi prej atyre që kuptojnë, mund të krahasohen, me të vërtetë, me të qarat e foshnjës që e shkëpusin nga gjiri i nënës. Sikur njerëzit të zbulonin qëllimin e Revelacionit të Perëndisë, ata me siguri do ta flaknin frikën e tyre dhe, me zemrat plot mirënjohje, do të ngazëlleheshin pamasë." 71

297 "I bekuar është njeriu, - deklaron më tej Bahá'u'lláh-u, - që shpall besimin te Perëndia e shenjat e Tij, dhe e di se "Atij nuk do t'i kërkohet llogari për bëmat e Tij". Një njohje të tillë Perëndia e ka bërë stolinë e çdo besimi dhe vetë themelin e tij. Nga kjo varet pranimi i çdo vepre të mirë. I mbërtheni sytë në këtë se ndoshta kështu nuk rrëshqisni në rrugë të gabuar nga pëshpëritjet e rebelëve. Edhe sikur Ai të shpallte si të ligjshme atë që prej kohësh që s'mbahen mend ka qenë e ndaluar dhe të ndalonte atë që në çdo kohë ka qenë e konsideruar si e ligjshme, askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim autoritetin e Tij. Kushdo që do të nguronte, qoftë edhe për më pak se një çast, do të shihej si shkelës. Kushdo që nuk e ka njohur këtë të vërtetë sublime e themelore dhe nuk e ka arritur këtë pozitë kaq të lartësuar, do të rrëmbehet nga erërat e dyshimit dhe thëniet e të pabesëve do t'i tronditin shpirtin. Atij që e ka njohur këtë parim do t'i dhurohet besnikëria më e përsosur. Nder kësaj pozite të gjithëlavdishme, përmendja e së cilës stolis çdo Tabelë të lëvduar." 72

298 Njeriu e gjykon Manifestimin e Perëndisë në përputhje me standartet e tij, me trillet dhe pandehmat e tij dhe e dënon Atë për shkak të mendjes së tij të gjymtuar. Standarti i Manifestimit të Perëndisë nuk mund të jetë në mospërputhje me standartet e kohës në të cilën Ai vjen dhe me standartet e njerëzve midis të cilëve Ai shfaqet. Pikërisht fakti i ardhjes së Tij provon që njeriu është i vdekur për një udhëheqje të re. Ka disa njerëz, që e kanë keqkuptuar qëllimin e vërtetë të Shkrimeve të Shenjta, janë kapur pas një interpretimi të kulluar shkronjor dhe me këtë keqlexim kanë ndërtuar ngrehinën e fantazisë së tyre. Besimet e tyre janë në të vërtetë fantastike. Ka të tjerë, standartet e të cilëve reflektojnë vetëm dekadencën e kohës dhe degradimin e njeriut. Ai Që është Balanca e vërtetë në botë gjykohet në dritën e shtrembër të këtyre lajthitjeve. Për pasojë vuan Ai dhe ata që e pasojnë, por i tmerrshëm është dënimi që saktësohet në fund nga ata që dënojnë, kundërshtojnë dhe persekutojnë Manifestimin e Perëndisë. Ç'farë ndodhi me faraonët dhe mikpritësit e tyre? Ç'fat pësuan kundërshtarët e Krishtit? Ku janë persekutorët e Muhametit? Në kohën tonë ne jemi dëshmitarë të fundit kataklizmik të kundërshtarëve dhe armiqve kryesorë ta Báb-it dhe Bahá'u'lláh-ut.

299 Veziri i Madh i Persisë, i zoti dhe i zellshëm, që urdhëroi vdekjen e Báb-it, ra me zhurmë nga lartësitë që kishte ngjitur dhe jeta e tij muk u kursye. Shahu Násiri'd-Din, nën sundimine të cilit u vra Báb-i, u burgos e u syrgjynos Bahá'u'lláh-u dhe u vranë barbarisht qindra pasues të Tyre, ra nga plumbat e një vrasësi, në mbrëmjen më të madhe të mbretërimit të tij, jubileut të tij të artë. Ministrat e Perandorisë Otomane që besuan akuzat drejtuar kundër Bahá'u'lláh-ut dhe me keqdashje thurën burgimin e Tij në Áka, i mbuloi turpi dhe vdiqën të mjerë. Sulltan Abdul Azizi, sundimtari otoman, e humbi fronin e tij dhe u kalb i mjerë. Jo më pak poshtërues ishte fundi i Sulltan Abdul Hamitit, që iu dha epiteti "Abduli i Mallkuar". Në të vërtetë, të dyja dinastitë Kaxhar në Persi dhe Dera Otomane në Turqi u përzunë nga fronet e tyre. Këta janë veçse pak shembuj. Fatkeqësia i përfshiu të gjithë persekutorët e Besimit të Bahá'u'lláh-ut.

Dëshmia e Manifestimit të Perëndisë

300 Krishti i paralajmëroi pasuesit e Tij të mos mashtrohen nga profetët e rremë. Ai gjithashtu tha që ju do t'i njihni ata nga frytet e tyre. Si mund të bindet çdonjeri që Njeriu I Cili pretendon të jetë Lajmëtar i Zotit, flet në fakt të vërtetën? Ne kemi përmendur më parë që të mësuarit e rremë, pavarësisht sa i suksesshëm dhe i përhapur mund të jetë fillimisht, nuk mund të ecë gjatë. Gënjeshtra e tij do të dalë në shesh, ai do të vdesë dhe harrohet. Është theksuar gjithashtu që një fe dhe nënndarjet brenda një feje nuk janë në të njëjtin rregull. Por çdokush nuk mund të presë thjesht verdiktin e kohës që të vërë vulën e fundit mbi një pretendim apo të mësuar të rremë. Testi i parë për t'u bërë është nëse pretenduesi i pozitës së profetizmit është i patundur, i vendosur dhe këmbëngulës. A e përballon Ai gjithë opozitën, a refuzon Ai të përkulet ndaj kundërshtarit, a pranon Ai çdo vuajtje me heshtje rrezatuese, a ngjitet Ai lart e më lart nën forcë dhe presion, a mbetet Ai i qetë, i kthjellët dhe i patrazuar kur fishkëllimat, talljet dhe shpifjet e sulmojnë nga të gjitha anët?

301 Në Kitáb-i-Iqan (Libri i Sigurisë) Bahá'u'lláh-u shkruan kështu, ndërkohë që sillte dëshmi për të provuar pretendimin e Báb-it:

302 "Një tjetër provë e tregues i së vërtetës së këtij Revelacioni, që midis gjithë provave të tjera shkëlqen si dielli, është qëndrueshmëria e Bukurisë së përjetshme në shpalljen e Besimit të Perëndisë. Edhe pse i ri në moshë e megjithëse Kauza që Ai reveloi i kundërvihej dëshirës së gjithë njerëzve të tokës, me pozitë a të vegjël, të pasur a të varfër, të lartësuar a të përulur, mbretër a nënshtetas qofshin, Ai u ngrit dhe e shpalli atë palëkundur. Të gjithë e kanë mësuar dhe dëgjuar këtë. Ai nuk i trembej askujt, nuk u druhej pasojave. A mund të manifestohej një gjë e tillë ndryshe, veçse përmes forcës së një Revelacioni hyjnor e në sajë të fuqisë së Vullnetit të Pamposhtur të Perëndisë? Për drejtësinë e Zotit! Sikur të bartje në zemër një Revelacion kaq të madh, vetëm mendimi për ta shpallur atë do të të trondiste! Sikur zemrat e të gjithë njerëzve të mblidheshin në zemrën e tij, ai përsëri do të nguronte të ndërmerrte një vepër të tillë aq madhështore. Ai do të mund ta kryente atë vetëm me lejën e Perëndisë, vetëm në qoftë se kanali i zemrës së tij do të ishte i lidhur me Burimin e hirit hyjnor dhe shpirti i tij do të kishte sigurinë e mbështetjes së pagabueshme të Fuqiplotit. Ne pyesim se kujt ia atribuojnë ata një guxim kaq të madh? Mos e akuzojnë Atë si të marrë, siç kanë akuzuar profetët e së kaluarës? Apo mendojnë se qëllimi i Tij s'ishte veçse të merrte në dorë udhëheqjen e të siguronte pasuri tokësore?". 73

303 Asnjë Manifestim i Perëndisë nuk është kthyer ndonjëherë prapa. Që nga momenti që Ai bëhet i vetëdijshëm për mandatin dhe detyrën e Tij, Ai e di që duhet të shkojë përpara, pavarësisht se çfarë e pret atje. Për Të nuk mund të ketë tërheqje, bile, në të vërtetë, as ndalje. Jezusi e dinte çfarë kishte në fund të rrugës. Ai u tregoi dishepujve të Tij që ishte duke shkuar në Jeruzalem drejt vdekjes së sigurt, por Ai nuk u tërhoq prapa. Natyrisht që ka momente kur Manifestimi i Perëndisë dëshpërohet nga bota, digjet për lirim. Dhe duhet të ndodhë kështu, sepse Ai ka plotësisht pjesë të cilësive njerëzore.Gjatë orëve të agonisë në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi tha: "O Atë, po të duash largoje këtë kupë nga unë",por i shtoi lutjes së Tij: "megjithatë, mos u bëftë vullneti im, por Yti".74 Dhe njëherë Ai vajtoi që zogjtë e ajrit dhe kafshët e pyllit kishin fole dhe strofka, kurse Biri i Njeriut nuk kishte ku ta çlodhte kokën e Tij askund. Megjithatë Ai nuk kërkoi lehtësim dhe shkoi përpara drejt fundit të hidhur.

304 Në një meditim që, në përkthimin anglisht është bërë i njohur si Tabela e Zjarrit, Bahá'u'lláh-u, duke iu adresuar Atij , Vikar i të Cilit Ai ishte mbi tokë, vajton gjendjen e Tij me fjalë të tilla si këto:

305 "Mënxyra ka arritur kulmin; ku janë shenjat e ndihmës Sate, O Shpëtimtar i botëve!

"Errësira ka mbuluar krijimin; ku është vezullimi i shkëlqimit Tënd, O Ndriçim i botëve!

"Hidhërimet kanë pllakosur agimin e emrit Tënd të ëmbël; ku është gëzimi i Manifestimit të Pranisë Tënde, O kënaqësi e botëve!...

"Unë jam braktisur në një vend të huaj; ku janë emblemat e besnikërisë Sate, O Besim i botëve!.....

"Ti e sheh këtë të Munduar të mbuluar nga tirania në mes të sirianëve; ku është rrezatimi i dritës Sate në agim, o Dritë e botëve!

"Bahá-i po mbytet në detin e vuajtjeve; ku është Arka e shpëtimit Tënd, O Shpëtimtar i botëve!"

306 Atëhere vjen te Ai Zëri i Perëndisë:

307 " O Penda më e lartë, Ne kemi dëgjuar thirrjen Tënde më të ëmbël në Mbretërinë e përjetëshme dhe kemi dëgjuar çfarë tha Gjuha e Madhështisë, O i Munduari i botëve!....

"...Ne e kemi bërë poshtërim veshjen e lavdisë Tënde dhe hidhërim bukurinë e tempullit Tënd, O Ti Thesari i botëve!

"Ti i sheh zemrat që janë mbushur me urrejtje dhe do t'i shfajësosh ato, Ti Që fsheh mëkatet e gjithë botëve!

"Kur shpatat vetëtijnë, shko përpara, kur shigjetat fluturojnë sulu përpara, O Ti Kurban i botëve".

308 Dhe Bahá'u'lláh-u përgjigjet :

309 "Sigurisht, Unë e kam dëgjuar thirrjen Tënde, O I Shumëdashuri Lavdiplotë dhe tani fytyra e Baháit përflaket nga nxehtësia e vuajtjeve dhe nga zjarri i fjalëve Tënde ndriçuese. "Bahái është ngjitur me besnikëri në vendin e kurbanit, për kënaqësinë Tënde, O Dëshirë e botëve."

310 Ëmbëlsia, forca e pakrahasueshme, mprehtësia e këtij meditimi të Bahá'u'lláh-ut nuk mund të transmetohet siç duhet në një përkthim, sado elokuent qoftë ai.

311 Manifestimi i Perëndisë pranon dhe duron çdo vuajtje për hir të Misionit që i është dhënë Atij. I gllabëruar nga detet e mjerimit Ai mbetet një shkëmb qëndrueshmërie. Ai është shkëmbi i shpëtimit. Prandaj Ai kurrë nuk fundoset. Me këtë test të gjithë e dinë që Ai në të vërtetë është "Rruga, E Vërteta dhe Jeta".

312 A mund të ndryshojë Ai zemrat e njerëzve?

313 Manifestimi i Perëndisë shfaqet gjithmonë në vendin më të errët të botës, midis njerëzve më të degraduar. Ku e bëri Muhameti thirrjen e Tij? Midis njerëzve ligji i të cilëve ishte ligji i shpatës, që luftuan, grabitën dhe plaçkitën për tetë muaj dhe pastaj zbatuan një armëpushim katërmujor, që gratë i trajtonin si plaçkën e tyre, që varrosnin të gjallë fëmijët e tyre të sapolindur, që u faleshin shëmbëlltyrave prej guri. Feja e tyre kishte qenë feja e Abrahamit, thyesit të idhujve, por ata e kishin përulur atë ndaj idhujtarisë. Muhameti i ngriti nga humnera. Ai u tregoi se duhet t'i kishin besuar Moisiut dhe Jezusit. Nëse do ta kishin bërë atë nuk do të ishin fundosur në prehrin e politeizmit. Ai u dha atyre besimin te Një Perëndi, I Plotfuqishmi, I Plotmjaftueshmi, Mëshirëploti dhe Bujari. Ai i pajisi me një kod moral pastrues dhe lartësues, u dha vizionin dhe besimin që i bëri të ndjehen dhe veprojnë si vëllezër. Ai frenoi pasionet primitive brenda tyre, i transformoi jo vetëm idhujtarët individualë e të egër në dashamirës e monoteistë që kishin frikë nga Perëndia, por edhe i bëri klanet dhe fiset e Arabisë një komb. Muhameti u bë ndërtuesi i parë i kombit në historinë e botës, u nguliti bashkombasve në zemra patriotizmin e vërtetë, ndërkohë që u dha vetëdijen e vëllazërisë së besimtarëve. Në një kohë mrekullisht të shkurtër këta njerëz, që në të vërtetë kishin qenë gjysmë të egër e bënin njeri-tjetrin copë-copë, u bënë të aftë për veprim të bashkuar dhe të bashkërenduar. Ata sfiduan pushtetin dhe sundimin e Bizantit e të Perandorive Sassanide (dinastia që sundoi Persinë nga shek 3-të deri më 651). Të dyja u përmbysën para tyre. Qytetërimi Islam, një nga episodet më të shkëlqyer dhe më produktive në jetën e Njeriut, pati impulsin, forcën frymëzuese, fuqinë mbështetëse, garancinë e vazhdimësisë dhe stablitetin e tij në sajë të misionit edukues dhe rigjenerues të Profetit të Arabisë.

314 Është lavdi për qytetërimin islam, godina e të cilit nuk u ngrit nga njerëzit e të njëjtit besim e racë, por nëpërmjet kooperimit mbështetës të disiplinave fetare dhe grupeve etnike të ndryshme: izraelitë, kristianë dhe muslimanë, arabë, persë, sirianë, egjiptianë, indianë, grekë, spanjollë dhe berberët e Afrikës së Veriut. Bagdadi, Kairo dhe Kordova, mijra kilometra larg njeri-tjetrit, u ngritën në lartësi të mëdha. Kolegjet e tyre u bënë qendrat më të shquara të mësimit në botën e qytetëruar. Universitetet e krishterimit u modeluan më vonë mbi to. Te to erdhën studiues nga Europa kristiane. Një prej tyre u bë përfundimisht Papa Suprem i Kishës së Romës. Ai ishte një francez, Gerberti i Aurilakut. Njeriu më i ditur i kohës së vet, Gerberti ishte abat benediktian, Kryepeshkop i Reimsit, Kryepeshkop i Ravenës dhe përfundimisht më 999, i titulluar Silvestri II, okupoi fronin papal.

315 Qytetërimi islam realizoi një detyrë të shquar, të cilën si mediumi izraelit, si ai kristian nuk e kishin kryer. Ai bashkoi dy sisteme diametralisht të kundërt, të Lindjes dhe Perëndimit. Monoteizmi i Lindjes dhe filozofia e Greqisë dhe Romës u puqën brenda caqeve të tij. Kultura klasike u kthye përsëri në jetë me përkthimet e shumta, që u bënë në arabisht. Më i madhi i përkthyesve arabë ishte Honein Ebn Eshaku (Joannitius 809-873), një kristian nestorian. Honein përktheu shtatë librat e anatomisë së Galenit, origjinali grek i së cilës ka humbur gjurmët. Veprat e Aristotelit dhe Platonit, shpërfillur në Europë për një kohë të gjatë, edhe njëherë tërhoqën vëmendjen e dijetarëve dhe studiuesve. Ato mund të lexoheshin në arabisht. Profesor Filip Hitti shkruan: "Studiuesit arabë studionin Aristotelin, kur Çarlemani dhe lordët e tij mësonin të shkruanin emrat e tyre". Shkencëtarët në Kordovë, me shtatëmbëdhjetë bibliotekat e tyre të mëdha, njëra prej të cilave kishte më shumë se 400.000 vëllime, kënaqeshin në banjat luksoze në një kohë kur larja konsiderohej një zakon i rrezikshëm në Universitetin e Oksfordit". (Arabët- Princeton 1943).

316 Në shekullin e njëmbëdhjetë Krishterimi zhvilloi luftën kundër sunduesve muslimanë për të pushtuar Tokën e Shenjtë. Filluan kryqëzatat, që zgjatën afërsisht dyqind vjet. Kristianët duke u turrur nga Europa menduan se ishin duke shkuar të luftonin barbarët. Ata u befasuan nga çka panë në Lindje. Ata u përplasën me një qytetërim superior. Të kthyer në Europë ata rrëfyen historitë e mrekullive që kishin parë. Shumë prej tyre ripërshkuan gjurmët e tyre në Lindjen muslimane dhe u vendosën përgjatë bregut Levantin. Kanali i komunikimit kulturor, hapur nga Kryqëzatat, ishte një degë e madhe në rrjedhën kryesore të Rilindjes në botën perëndimore. E gjitha kjo është dëshmi historike për veprën e Muhametit. Mesazhi i Tij ndryshoi qeniet njerëzore, ndryshoi mjedisin social, rikrijoi dhe riformoi jetën e njeriut. Nëpërmjet këtij testi, gjithashtu, njerëzit dinë që Manifestimi i Perëndisë është, në të vërtetë, Ai që pretendon të jetë.

317 A mundet Njeriu që pretendon të jetë Manifestim i Perëndisë, të zgjidhë kompleksitetet e epokës? Ky është një tjetër test nëpërmjet të cilit ne mund ta njohim Atë. Dija që zotëron Manifestimi i Perëndisë është e lindur dhe jo e mësuar. Asnjë Profet nuk është njohur të ketë patur ndonjë sezon apostolik për dikë tjetër para deklarimit të misionit dhe qëllimit të Tij. Asnjeri nuk ka ndjekur akademi apo ndonjë forum mësimor, as Moisiu, as Jezusi, kurse Muhameti, ne e dimë që jo. As Báb-i, as Bahá'u'lláh-u po ashtu. Megjithatë ata kanë shfaqur mjeshtëri të përsosur për problemet njerëzore. Ajo që japin Ata është ilaçi që kërkon epoka e tyre. Është fakt se çfarë dekretojnë ata jo vetëm funksionon, por si përfundim del të jetë e vetmja zgjidhje. Ajo e udhëheq njeriun me vizion të qartë jashtë labirinthit të kompleksiteteve të tij, drejt rrugëve kryesore. Prandaj mësimet e Manifestimit të Perëndisë janë universale. Njerëzit, pavarësisht se ku janë, çfarë prejardhjesh kanë, në ç'kushte jetojnë, në ç'masë kanë përparuar materialisht, sado prapa të jenë në marshin e njerëzimit, pavarësisht nga të gjitha këto konsiderata, të gjithë zbulojnë që mësimet e Manifestimit të Perëndisë janë të zbatueshme për ta dhe përmbushin rrethanat e tyre, qoftë si individë edhe si shoqëri.

318 Besimi i Bahá'u'lláh-ut sot ka përfshirë globin. Bahái gjenden në dyqind e pesëdhjetë e tetë territore të botës: shtete sovranë, të varur e ishuj të shpërndarë anekënd. Ata përfaqësojnë të gjitha fetë dhe racat e njerëzimit. Disa prej tyre jetojnë në qytete të përparuara materialisht dhe shumë të sofistikuar, të tjerë jetojnë në kushte primitive. Prejardhjet e tyre fetare janë gjerësisht të ndryshme. Megjithatë ata të gjithë shohin që ligji i Bahá'u'lláh-ut është i funksionueshëm në mjedisin e tyre të veçantë. Problemet që mundojnë pjesën tjetër të njerëzimit nuk janë më problem për ta. Në gjirin e tyre nuk ekzistojnë paragjykimet. Natyrisht, nuk ka qenie njerëzore që të thotë se ka shpëtuar plotësisht dhe tërësisht nga çdo lloj dhe çdo mënyrë paragjykimi. Ato janë trashëgim i shekujve kokëfortë dhe përgjojnë nëpër qoshe të mendjes njerëzore. Duhet një periudhë e gjatë kohore bindjeje ndaj ligjit dhe urdhrave të Perëndisë, para se njerëzimi të pastrohet tërësisht nga paragjykimet. Por pavarësisht nga ky konstatim, pasuesit e Bahá'u'lláh-ut kanë lënë pas tyre të gjitha ato pengesa e ndarje që janë helm e mallkim i jetës njerëzore në këtë messhekulli të njëzetë. Shoghi Effendi-, Ruajtësi i Besimit Bahái, afërsisht tri dekada më parë shkroi rreth tyre:

319 "Dashuria e jashtëzakonshme, universale, që pasuesit e Bahá'u'lláh-ut ndiejnë për shokët e tyre të çfardo race, besimi, klase ose kombi, nuk është as misterioze, as mund të thuhet se është e stimuluar artificialisht.Ajo është sa spontane aq dhe e vërtetë. Ata, zemrat e të cilëve ngrohen nga ndikimi gjallërues i dashurisë krijuese të Perëndisë, ushqejnë krijesat e Tij për hir të Tij dhe njohin në çdo fytyrë njerëzore shenjën e lavdisë së reflektuar prej Tij. Të tillë burrave dhe grave meriton t'u thuhet: "çdo vend i huaj është atdhe dhe çdo atdhe vend i huaj". 75

"Frytet" e Bahá'u'lláh-ut

320 Ndërkohë që bota, me shpejtësi të çmendur drejt humnerës dhe fundit të fateve të saj, është duke lindur urrejtje dhe armiqësi të reja, pasuesit e Bahá'u'lláh-ut, me qetësi, durim e këmbëngulje ndjekin rrugën e shpëtimit. Sepse asgjë nuk mund dhe nuk do ta shpëtojë botën nga rreziqet që e kanosin nga të gjitha anët, përveç një besimi të pathyeshëm në unitetin e njerëzimit dhe vullnetit për të dhënë efekte praktike ndaj këtij besimi të qëndrueshëm. Dhe ky është një nga parimet themelore të Besimit të Bahá'u'lláh-ut, i cili, së bashku me dy parime të tjera themelore, uniteti i Perëndisë dhe uniteti i fesë ose Revelacionit, formojnë trinitetin e besimit Bahái. Çdo parim tjetër shpallur nga Bahá'u'lláh-u buron direkt ose indirekt nga këta tre fakte. Baháitë kudo ku janë mbi planét, besojnë me tërë forcën e qenies së tyre në një Perëndi, në një Revelacion të përbashkët dhe në një racë njerëzore. Dhe për ta besimi nuk është pranim i verbër dhe besim supersticioz. Ai është dije me dashje. Për këtë arsye, ndërsa janë plotësisht në dijeni të tensioneve rreth tyre, ata nuk janë të nënshtruar apo të ndarë prej tyre, por i zgjidhin ato në sferën e unitetit shpirtëror.

321 Një Bahái refuzon të pranojë vlefshmërinë e çdo vije apo force ndarëse që mban qeniet njerëzore të veçuara. Ai i konsideron të gjitha Besimet që beson njerëzimi, si dhe praktikat e tyre, me origjinë hyjnore. Ai nuk do të pranojë superioritetin e ndonjë kontinenti, race, kombi dhe klase njerëzish. Një Bahái jeton, vepron dhe lëviz në dritën e kësaj këshille supreme të Zotit të tij:

322 " Ai Që është E Vërteta e Amshuar, nga Agimi i Ditës së Lavdisë, ka drejtuar sytë drejt njerëzve të Bahá-it dhe u drejtohet atyre me këto fjalë: "Drejtoheni veten drejt përkrahjes së mirëqenies dhe qetësisë së fëmijëve të njerëzve. Ktheni mendjet dhe vullnetet tuaja drejt edukimit të njerëzve dhe fiseve të botës, që lumturisht nëpërmjet forcës së Më Të Madhit Emër, qofshin fshirë nga faqja e saj mosmarrëveshjet që ndajnë atë dhe gjithë njerëzit të bëhen mbajtës të një Urdhri dhe banorë të një Qyteti. Ndriçoni dhe shenjtëroni zemrat tuaja; le të mos përdhosen ato nga gjembat e urrejtjes apo gjembaçët e ligësisë. Ju banoni në një botë, që është krijuar përmes veprimit të një Vullneti. Bekuar qoftë ai që përzihet me gjithë njerëzit, me shpirt mirësie dhe dashurie të jashtëzakonshme". 76

323 Ja testi nëpërmjet të cilit e vërteta e thirrjes së Bahá'u'lláh-ut bëhet manifest. Këta njerëz, kaq të ndryshëm dhe të larmishëm, të shpërndarë përmbi gjithë faqen e planetit, që sot shkojnë përpara me këtë besim të zjarrtë, këtë vizion të lartë, këtë mirëkuptim të qartë, këtë bindje të plotë e të përgjithshme, të arritur lirisht, që vazhdimisht luftojnë të ngrenë veten mbi planet e konflikteve dhe të mosmarrëveshjeve, që ndërtojnë me këmbëngulje kur shumica e njerëzimit shkatërron me dëshirë, që dinë kuptimin e lirisë së vërtetë, të lirë nga supersticioni, paragjykimet, falsitetet dhe akuzat reciproke të një bote të lënë në mëshirë të fatit dhe pa timon, që veprojnë dhe çajnë përpara me një qëllim, një synim, një drejtim, që nuk i tremben askujt veç Perëndisë së tyre, Perëndisë të gjithë njerëzimit, të sigurtë për fatin e lartë të njeriut si këtu ashtu edhe në jetën e përtejme, pikërisht këta njerëz do të kishin qenë të fundosur në vorbullën e vrazhdësisë së botës nëse nuk do të kishin forcën që u është dhënë nga fjala krijuese e Bahá'u'lláh-ut. Manifestimi i Perëndisë për këtë epokë tha që Ai kishte sjellë një krijim të ri. Një vështrim i paanshëm në komunitetin botëror që mban emrin e Tij, tregon sa me vërtetësi ka folur Ai.

324 Me të tilla dëshmi çdonjeri mund të njohë Manifestimin e Perëndisë.

325 Prej kohësh Perëndia e stërlashtë ka dërguar Manifestimet e Tij për t'i dhënë shtytje jetës shpirtërore dhe zhvillimit të njerëzimit. Shfaqja e Bahá'u'lláh-ut, në kohën tonë, sinjalizon "ardhjen e pjekurisë" në këtë proces të gjatë organik. Báb-i, Pararendësi i Bahá'u'lláh-ut dhe Manifestim i pavarur i Perëndisë, e çoi ciklin Adamik, ciklin e profecisë, drejt një fundi. Ai ishte me të vërtetë Porta midis rritjes dhe pjekurisë së njerëzimit, sepse Bahá'u'lláh-u inauguron ciklin e plotësimit. E gjitha që i është premtuar njerëzimit në Dispensacionet e mëparshme do të realizohet nën mbrojtjen e Tij, sepse Ai ka ardhur në botë në stacionin e të Atit. Sistemi i Tij do të pasohet sigurisht nga një tjetër, por Manifestimi tjetër i Perëndisë nuk vjen se mësimet e Bahá'u'lláh-ut do të kenë pësuar korrupsion, jo sepse Besimi i Tij do të bëhet shoshë nga sektet konkuruese, por sepse ligjet e Tij do të kërkojnë rishikim dhe sepse njerëzimi duhet të ketë nevojë për një masë të freskët të impulseve shpirtërore dhe fuqisë dinamike që rrezatohet nga shfaqja e një Manifestimi të Perëndisë, nga nevoja e ngutshme e të përjetshmit në mbretërinë e jetëshkurtrit.

326 Dispensacioni i Bahá'u'lláh-ut, në të vërtetë, është "Dita që nuk do të pasohet nga nata". Në këtë Sistem e vërteta e shenjtë e Perëndisë nuk do të errësohet, mësimet e Tij, që janë uji i pastër i jetës, nuk do të ndoten, qëllimi i Tij nuk do të shkatërrohet. Fuqia që garanton pakorruptueshmërinë dhe integritetin e Besimit të Tij është Besëlidhja që Bahá'u'lláh-u ka bërë me pasuesit e Tij. Në Dispensacionet e së kaluarës, e njëjta Besëlidhje u bë nga Manifestimet e Perëndisë, por njeriu nuk kishte arritur akoma shkallën e tij të pjekurisë dhe prandaj Besëlidhja u dhunua prej tij. Vetëm njeriu i pjekur mundet dhe do mbetet me Besëlidhjen. Veç kësaj, në Dispensacionet e mëparshme, pikërisht për arsye se njeriu ishte akoma duke përshkuar shkallët e tij të foshnjërisë dhe fëmijërisë, Besëlidhja e bërë nga Manifestimi me pasuesit e Tij nuk ishte e shpallur qartë dhe pa ekuivoke. Historia njerëzore është dokumenti i dhunimeve konstante dhe të suksesshme të këtyre Besëlidhjeve. Në Dispensacionin e Bahá'u'lláh-ut, ajo që ka kapërcyer çdo tradhti dhe ka mbajtur çdo lëkundje, në kundërshtim me përpjekjet titanike të bëra për ta shkatërruar dhe fundosur, ka qenë Besëlidhja e krijuar dhe e afirmuar nga Bahá'u'lláh-u. Vetëm në sajë të vendosmërisë dhe bindjes ndaj Besëlidhjes, ka mbetur e mbetet i padhunuar integriteti i Besimit dhe mësimet e Tij e ruajnë pastërtinë origjinale. Triumfi dhe sundimi i Besëlidhjes së bërë nga Manifestimi i Perëndisë plotëson ciklin e krijimit dhe e bën Vullnetin e Perëndisë veprues mbi këtë dhé. Ky ishte qëllimi i Jesuzit kur u tha dishepujve të Tij të luteshin: "Ardhtë Mbretëria Jote, u bëftë vullneti Yt në tokë, siç është në qiell", një lutje që ka jehuar në botën kristiane për afro dymijë vjet.

BESËLIDHJA

327 Në aktin e krijimit ekziston një nënkuptim Besëlidhjeje. Perëndia e deshi krijimin e njeriut, prandaj e krijoi atë. Por Ai bëri më tepër se sa thjesht ta krijonte njeriun. Perëndia ishte një "Thesar i Fshehur" dhe dëshironte të bëhej i njohur. Prandaj krijoi njeriun me shëmbëlltyrën e cilësive dhe atributeve të Tij, i dha njeriut çdo gjë që i duhej për përballimin e jetës fizike, i dërgoi kohë pas kohe Manifestimet e Tij për t'i reveluar njeriut qëllimin e Vet. Perëndia bëri gjithçka për njeriun dhe njeriu në shkëmbim duhet të plotësonte pjesën e tij, të pajtohej me Besëlidhjen, sepse çdo Besëlidhje është të paktën bilaterale. " Më duaj që Unë të të dua", thotë Bahá'u'lláh-u te Fjalët e Fshehura," nëse ti nuk Më do, dashuria Ime kurrsesi nuk mund të arrijë te ti". Dashuria e Perëndisë na rrethon gjatë gjithë kohërave, por nëse ne nuk hapim zemrat tona ndaj kësaj dashurie, ajo do të jetë vetëm duke trokitur vazhdimisht në derë. Ne duhet ta njohim dhe ta duam Perëndinë, ta njohim e ta duam nëpërmjet Manifestimeve të Tij. Kjo është Besëlidhja e parë.

328 E dyta është Besëlidhja që Perëndia bën me Manifestimet e Tij. Ai i zgjedh Ata për të qenë Reveluesit e Vetvetes, Pasqyra të përsosura çeliku që reflektojnë shembëlltyrën e plotë të Perëndisë, i quan Të Shumëdashurit e Tij, i bën Vikarët e Tij mbi tokë, i mbështet me shumicën e njerëzimit përballë opozitës së mbrapshtë, satanike, i lartëson si bashkëndarës të pushtetit, të fuqisë, të sundimit e të lavdisë së Tij. Ata, si shkëmbim, duhet të ecin përpara dhe të arrijnë ministrinë që iu është akorduar, pa u lëkundur e pa e braktisur besimin e Tyre. Ata nuk duhet të kthehen kurrë prapa, pavarësisht sa e përpjetë dhe sa gjarpëruese është rruga. Perëndia u jep fitoren përfundimtare atyre që pasojnë Ata dhe pranojnë me gëzim çdo të keqe për hir të Tyre. Perëndia i premtoi Abrahamit se do ta bekonte farën e Tij. Dhe sa e bekuar ka qenë kjo farë! Nga kjo familje e lavdishme erdhën Shpëtimtarët e njerëzimit: Moisiu, Jezusi, Muhameti, Báb-i dhe Bahá'u'lláh-u. Kjo Besëlidhje midis Perëndisë dhe Manifestimeve të Tij është Besëlidhja e dytë.

329 Besëlidhja e tretë, që është lavdia kurorëzuese e dy Besëlidhjeve të tjera dhe realizim i plotë i tyre, është Besëlidhja që Manifestimi i Perëndisë bën me njerëzit e botës dhe më saktësisht me ata që bartin Emrin e Tij. Për sa kohë kjo Besëlidhje mund të shkatërrohet dhe eklipsohet, qëllimi i tërë krijimit mbetet, por i plotësuar pjesërisht. Si mund të bëhej ndryshe, kur për njeriun ishte e mundur të prishte mësimet e Manifestimeve të Perëndisë dhe të mbivendoste dogmat dhe doktrinat e tij komplekse mbi parimet e thjeshta të besimit të shpallur prej Tyre. Vullneti i Perëndisë mund të kundërshtohet me sukses, qëllimi i Perëndisë mund të shkatërrohet. Ndarjet dhe nënndarjet e ngritura brenda një Besimi ishin rezultatet direkte të fitores së rebelimit. Shumë kanë qenë, në të vërtetë, të sëmurët dhe sëmundjet e këqia që erdhën prej tyre: eklesiastizmi në luftë me sekularizmin, një standart i moralitetit publik që e vlerësonte veten në dallim nga moraliteti privat, zyrtarizimi i jetës pasohej me dëbimin e fesë nga tregu e dhoma e këshillit dhe zbritja e saj në jetën e shoqërisë në një rol të nënshtruar, sfida e egër dhe përbuzja e dukshme që iu bënë fesë dhe përkrahësve të saj nga kampionët e shkencës dhe racionalizmit, nuk janë veçse disa nga pasojat e dhunimit që njeriu i ka bërë Besëlidhjes së krijuar nga Manifestimi i Perëndisë në kohët e mëparshme. Por këto kohë janë të shkuara dhe cikli i plotësimit është tani me njerëzimin.

330 Jezusi i dha kreun Simon Bar-Jonës, të cilin Ai e quajti Pjetër. "Ti je Pjetri, - i tha Ai peshkatarit nga Galileja, - dhe mbi këtë shkëmb Unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë". 78 Kështu Jezusi e ngriti Pjetrin mbi dishepujt e Tij të tjerë. Është thënë se me këtë Jezusi nuk donte të thoshte se ishte për të ngritur një stacion posaçërisht te Pjetri, por që Ai do të ndërtonte Kishën e Tij mbi besimin dhe pohimin e Pjetrit. Sepse pikërisht atëhere ky dishepull i kishte thënë Mjeshtrit të tij: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë". 79 Megjithatë Jezusi e bëri qëllimin e tij të qartë pa ekuivoke kur Ai vazhdoi të thotë: "Dhe Unë do të të jap çelsat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë do të jetë e lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej". 80

331 Pjetrit iu dha e veçanta dhe e drejta ekskluzive për të shpallur midis të drejtës dhe gabimit, të vërtetës dhe gënjeshtrës, vërtetësisë dhe lajthitjes. Por pozita e Pjetrit u vu re e u vlerësua vetëm te emri dhe jo në fakt, bile dhe kjo, pasi kishin kaluar disa shekuj. Në Jeruzalem, Xhejmsi, vëllai i Jezusit, u njoh si kreu i kishës që po lindte. Dhe përmes botës joizraelite eci me hapa të mëdhenj figura kolosale e Saulit të Tarsusit. Në Këshillin e Jeruzalemit rreth vitit 46 pas vdekjes, pozita e "Apostullit të Joizraelitëve" ishte e mirëngritur. Në të vërtetë ishte Shën Pali që hodhi themelet e Kishës. Gjatë tre shekujve të parë Etërit e Kishës duhet të luftonin betejë pas beteje me Gnostikët, të tillë si Markioni, Vasilides, Valentini dhe ata që pranonin herezitë e tyre. Po ashtu Montanistët që ia dolën me sukses të fitonin në anën e tyre një person si Tertuliani, figurë e madhe, e shenjtë dhe apologjet i Afrikës së Veriut. Kur më në fund, persekutimet u larguan nga historia dhe u bë njohja e pranimi nga ana e shtetit, Kisha e pa veten të përfshirë në polemika të rëndësishme. Atëhere pasuan nëpër shekuj një seri Këshillash Ikumenikë, duke filluar me Këshillin e Nikesë më 325 e.s.. Para Këshillit të Parë Ikumenik, që për herë të parë në historinë e Kishës parashtroi një besim të saktë e të përcaktuar me fjalë posaçërisht të kuptueshme dhe të zgjedhura me kujdes, një tjetër Këshill u mblodh në vitin 314 në Arles, gjithashtu me kërkesën e Kostandinit, i njëjti perandor që e bëri Besimin Kristian fe të Shtetit Romak. Këshilli i Arles u mbajt për t'u marrë me përçarjen Donatiste, që, megjithatë, vazhdoi ta shqetësojë Kishën për disa shekuj. Besimi Arian, Nestorian e Monofizit u dënuan të gjithë nga Këshillat Ikumenikë, por ata të gjithë vazhduan. Kisha e Lindjes, siç është quajtur Kisha Nestoriane, Kisha Koptike e Egjiptit dhe Etiopisë, Kisha e Armenisë i kanë rrënjët e tyre pikërisht në këto besime të shpallura heretike dhe të kundërshtuara nga Këshillat Ikumenikë. Më pas, në shekullin e njëmbëdhjetë, erdhi ndarja midis Kishës Greke dhe Kishës Katolike, për t'u pasuar përfundimisht nga rritja e lëvizjeve Protestante. Uniteti i Krishterimit nuk u rivendos kurrë. Sundimtarët laikë dhe lëvizjet laike përfituan shumë nga ky fakt.

332 Muhameti caktoi Alinë, kushëririn dhe dhëndrin e Tij, si pasardhës të Vet. Pak muaj para vdekjes së Tij, në qershor të vitit 632, ndërsa shkonte për në Medinë nga peligrinazhi i Tij i fundit në Mekë, Ai ndaloi në një oaz dhe pa një podium kishe të ngritur mbi shala kuajsh. Nga kjo Ai mbajti dhe lartësoi Alinë me qëllim që të mund të shihej nga moria e njerëzve. Ai u tha atyre me fjalë të thjeshta që çdonjeri që kishte njohur dhe pranuar Atë si Mjeshtrin e tyre, duhej po njësoj, të njihte dhe pranonte Alinë. Por pa lënë mirë këtë botë plasi polemika se kush do ta zëvendësonte Atë. Aliu dhe anëtarët e drejtpërdrejtë të familjes së Profetit u lanë të ndiqnin funeralin e Tij, ndërsa njerëzit u mblodhën në xhaminë e Profetit për t'u grindur rreth pasardhësit. Ata që ishin nga Meka, që të parët shprehën besnikërinë ndaj Muhametit, që kishin vuajtur shumë për shkak të besimit të tyre dhe kishin migruar nga qyteti i tyre, u bënë të njohur si Muhaxhirët(Emigrantët). Në një vend të ndarjeve fisnore dhe besnikërisë së madhe ndaj klanit, Muhaxhirët ndjenë se ata kishin të drejtën të dalloheshin, sepse ishin kryesisht Koreish, njerëzit e Muhametit dhe kujdestarët tradicionalë të faltores së shenjtë të Qabesë, nderuar në vitet e idolatrisë dhe shenjtëruar po ashtu në Islám. Nga ana tjetër ishin Ansarët (Ndihmuesit), banorë të Medinës, që kishin pranuar Islamin kur fatet e tij ishin në fije të perit, i kishin dhënë strehë Profetit dhe pasuesve të Tij nga Meka, duke rrezikuar kështu sigurinë e tyre, të grave e fëmijëve të tyre, si dhe pasurinë, duke tërhequr armiqësinë e idhujtarëve të egër, nevrikë dhe hakmarrës të Mekës si dhe të fiseve e klaneve armiqësore rreth tyre. Ata kërkonin tani kryesimin e Islamit.

333 Veteranët e Muhaxhirëve, prej të cilëve më i shquari ishte plaku Abu Bakri, personi i tretë që besoi Muhametin, vjehrri dhe bashkudhëtari i Tij në arratisjen nga Meka në Medinë, ishin shumë të trazuar, sepse mendonin që nëse një njeri nga Medina do të vendosej në krye të Islamit, atëhere mekasit krenarë do të refuzonin të nënshtroheshin dhe uniteti i farkëtuar nga Profeti do të dëmtohej në mënyrë të pariparueshme. Ata të gjithë e injoruan faktin që Muhameti që më parë kishte caktuar pasardhësin. Por Aliu ishte i ri. Këta njerëz ishin të pasur nga vitet, të famshëm dhe të nderuar. Trupi i Profetit shtrihej i pavarrosur, ndërsa ata debatonin e debatonin në xhaminë e Tij rreth pasardhësit. Më në fund Omari prezantoi para turmës si zëvendës të Profetit, të nderuarin Abu Bakri dhe ai vetë ishte i pari që i bëri nderimet e i deklaroi besnikërinë. Të tjerët shkuan pas berihajt. Vetëm një grusht njerëzish u shmangën. Por ata përfundimisht u nënshtruan kur Aliu përuli kryet ndaj be-së së pashmangshme, të betimit ndaj Kalifit.

334 Arabia ishte përsëri në flakë. Fis mbas fisi ishin duke iu kthyer idhujtarisë. Aliu nuk do të mbështeste asnjë luftë, pikërisht në zemër të Islamit, në një kohë të tillë, të rrezikshme. Abu Bakri ishte burrë me devocion dhe ndershmëri, por vendi që ai zuri, në të vërtetë i përkiste Aliut sipas amanetit të Profetit. Por Aliu nuk do të kërkonte pretendimin e tij të ligjshëm kur Islami ishte i detyruar të luftonte për vdekje pikërisht për jetën e tij, siç ishte i sulmuar nga të gjitha anët nga forcat e errëta të reaksionit, si dhe nga rritja e profetëve të rremë (midis të cilëve ishte aksidentalisht një grua). Islami triumfoi mbi hordhitë e pafe që do të ishin kthyer përsëri te barbarizmi, ndërsa Arabia ishte edhe një herë më e bashkuar nën flamurin e Islamit, e gatshme dhe e ekuilibruar për të sfiduar fuqinë e perandorisë bizantine dhe persiane sassanide.

335 Por dëshira dhe urdhri i shprehur i Profetit ishte hedhur poshtë, Kontrata e Tij shtrihej në pluhur. Në kohën që Aliu, pasardhësi i vërtetë, u quajt Kalif pas Abu Bakrit, Omarit dhe Omanit, uniteti i Islamit ishte prishur në mënyrë të pandreqshme dhe rruga ishte shtruar për sundimin katastrofik dhe afetar të Omajedëve, armiqve tradicionalë të Muhametit. Aliu, i drejti, natyra e pakorruptueshme, virtuozi, tingulli i qeverisjes, elokuenca e shkëlqyer, mësimi i thellë, i emëruari i Profetit, u detyrua të kalojë tre vjet sundimi të shkurtër, të mbushur me rebelim dhe ambicie të shfrenuara të burrave të fuqishëm që nuk çanin kokën fare për komonuelthin hyjnor të themeluar nga Muhameti, por vetëm për marrjen e pushtetit.

336 Kur u vra Aliu, fuqia ushtarake e qytetërimit të ri ishte nën komandën e Moavijes, guvernatorit dinak, farmak e të paskrupull të Sirisë, një omajed jashtëzakonisht i zoti. Pasardhësit e Aliut, sundimtarët e ligjshëm të Islamit, u kundërshtuan dhe u vranë, ndërsa shoqëria fetare e Profetit u bë një makinë ushtarake me fuqi të pakrahasueshme. Siç thotë Giboni: "Persekutorët e Muhametit uzurpuan trashëgiminë e fëmijëve të tij dhe kampionët e idhujtarisë u bënë udhëheqës supremë të fesë dhe perandorisë së tij". 81

337 Në kohën që pakënaqësia me keqqeverisjen e Omajedëve çoi në përmbysjen e tyre, ndarja e Islamit ishte e pamundur që të ndalej. Mbështetësit e Derës së Profetit u bënë të njohur si Shiitë, ndërkohë që ata që mbështesnin institucionin e Kalifatit, formuar nga njeriu, u bënë të njohur si Suni. Të dyja këto ndarje u copëzuan në sekte mbi sekte, saqë sot Islami përfaqëson aq shumë ndarje sa dhe Kristianizmi.

338 Nga të dy, Kristianizmi dhe Islami, Besëlidhja e Manifestimit të Perëndisë u zhvlerësua dhe u la mënjanë. As Pjetri e as Aliu nuk u lejuan të ushtrojnë supremacinë që u takonte padyshim atyre. Kjo rezultoi në formimin e besimeve dhe doktrinave, në recetat e riteve, ritualeve dhe praktikave, në ngritjen e institucioneve që u bënë subjekte polemikash dhe zënkash, pavarësisht se sa afër apo sa koinçidonin ato me mësimet dhe thëniet origjinale të Themeluesit të Besimit. Polemika dhe grindja u bënë baza e sektarizmit, forcat përçarëse zotëronin fushën e betejës. Uniteti i çdo besimi u përish në mënyrë të pandreqshme.

339 Por tani cikli i plotësimit është me ne. Ka ardhur koha kur Mbretëria e Perëndisë do të formohet mbi këtë tokë.

340 Nga dita kur Báb-i u vra në sheshin publik të Tabrizit në Persinë Veriperëndimore, të njëjtat forca ndarëse, që kishin bërë kërdinë në të kaluarën, sulmuan në fillim Besimin që Ai krijoi dhe më pas Besimin që Ai shpalli. Báb-i kishte parashikuar ardhjen e "Atij Të Cilin Perëndia do ta bënte manifest". Ai kishte bërë pranimin e të gjithë atyre që u reveluan nga Pena e Tij, mbështetur te miratimi dhe kënaqësia e plotë e Atij, ardhja e Të Cilit ishte tema e Tij e përhershme.

341 " Nga të gjitha nderet, shkruan Ai, që Unë kam bërë ndaj Atij Që vjen pas Meje, më i madhi është ky, pohimi Im i shkruar,që asnjë fjalë e Imja nuk mund ta përshkruajë siç duhet Atë dhe asnjë referencë ndaj Tij në Librin Tim, Baján, nuk mund ta paraqitë denjësisht Kauzën e Tij".82

342 Báb-i i dha këtë paralajmërim Sejed Jahja Darabit, "më i dituri, më elokuenti dhe më me influencë midis pasuesve të Tij", që fitoi përcaktimin "Vahid"(Uniku):

343 "Për drejtësinë e Atij fuqia e Të Cilit bën farat të mbijnë dhe i jep frymë shpirtit të jetës në të gjitha gjërat, nëse Unë do të sigurohesha që në ditën e Manifestimit të Tij ti do ta mohosh Atë, Unë pa hezitim do të të mohoja ty dhe do të hidhja poshtë besimin tënd.... Nga ana tjetër, nëse Mua do të më thonë që një kristian, që nuk ka besnikëri ndaj Besimit Tim, do të besonte Atë, të njëjtin vullnet Unë e vlerësoj si dritën e syrit Tim". 83

344 " O Ti Pjesë e Perëndisë, kishte thënë Báb-i në komunikimin me Atë Që do të vinte, Unë kam sakrifikuar veten të gjithën për Ty, Unë kam pranuar mallkimet për hirin Tënd dhe nuk kam mall për asgjë, përveç martirizimit në rrugën e dashurisë Tënde. Perëndia, I Lartësuari, Mbrojtësi, I Lashti i Kohëve, është dëshmitar i mjaftueshëm për mua." 84

345 Megjithatë, kur i Premtuari i Bajanit, në të vërtetë i premtuar në të gjitha kohët dhe në të gjitha Shkrimet e Shenjta të njerëzimit, u shfaq në personin e Bahá'u'lláh-ut, një njeri si Mirza Jahjai, vëllai i Bahá'u'lláh-ut dhe i zgjedhur nga Báb-i, e mohoi dhe ngriti rebelim kundër Tij. Të tjerë të shquar në komunitetin Báb-i bënë të njëjtën gjë. Dhe në vitet midis martirizimit të Báb-it dhe ardhjes së Bahá'u'lláh-ut, shumë vetë ecën para me pretendime të rreme, shumë ishin pretendentët e postit të "Atij Të Cilin Perëndia do ta bënte manifest". Megjithëse koha dhe karriera e disa prej këtyre pretendentëve ishte turbulluese, difekti i tyre ishte veçse një shqetësim i përkohshëm. Më tepër serioze ishte ligësia dhe prapësia e Mirza Jahjait, e atij që ishte quajtur Sobi Azal - "Mëngjesi i Përjetësisë" nga Vetë Báb-i. Ai dhe përkrahësit e tij i shkaktuan shumë plagë Bahá'u'lláh-ut dhe atyre që ishin besnikë dhe të vërtetë, por shpresat e tyre u fikën, planet e tyre u bënë hi, dhe, pasi fama e Bahá'u'lláh-ut u rrit, turpi i Azalit u thellua. Madje edhe djali më i mdh i Azalit, që kishte për të qenë pasardhësi i tij, e braktisi dhe gjeti strehën e vet shpirtërore midis Baháive.

346 Besëlidhja që krijoi Bahá'u'lláh-u me njerëzit e Tij dhe me shumicën e njerëzimit është unike dhe e pashoqe. Kurrë një Manifestim i Perëndisë nuk kishte lënë një Testament të shkruar për të specifikuar me emër njeriun që kishte për të pasuar Atë, kurrë një Manifestim i Perëndisë nuk e kishte bërë të qartë në mënyrë të padiskutueshme në Librin e Tij postin e pasardhësit të Tij. Pikërisht këtë e bëri Bahá'u'lláh-u. Në Kitáb-i-Aqdas, Libri i Tij i Ligjeve, Ai deklaroi:

347 "Kur oqeani i pranisë Sime të jetë në zbaticë dhe Libri i Revelacionit Tim të ketë mbaruar, e ktheni shikimin tuaj nga Ai që Perëndia e ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë". Dhe më tej: "Kur Pëllumbi Mistik do të ketë nisur fluturimin e tij nga Faltorja e Lutjes dhe të ketë kërkuar qëllimin e tij të largët, vendin e tij të fshehtë, ti referoju për çdo gjë që nuk kupton në Libër te Ai që është degëzuar nga ky Trung i madh". 85

348 Dhe në Kitáb-i-'Ahd, Vullneti dhe Testamenti i Tij, Bahá'u'lláh-u e lë atë padyshim te ai, të cilit i referohen vargjet e Kitáb-i-Aqdas:

349 "Është detyrë e Aghsan-ëve*, Afnan-ëve† dhe fisit Tim, secili dhe të gjithë, të kthejnë fytyrat e tyre nga Dega Më e Fuqishme‡. Mbani parasysh atë që Ne kemi reveluar në Librin Tonë Më të Shenjtë:"Kur oqeani i pranisë Sime të jetë në zbaticë dhe Libri i Revelacionit Tim të ketë mbaruar, e ktheni shikimin tuaj nga Ai që Perëndia e ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë". Objekti i këtij vargu të shenjtë nuk është askush tjetër, përveç Degës më të Fuqishme. Në këtë mënyrë Ne kemi reveluar me hir te ju Vullnetin Tonë të plotë dhe Unë jam me të vërtetë I Hirshmi, Fuqiploti". 86

350 Bahá'u'lláh-u, në shumë raste, e kishte ngritur në qiell Birin e Tij Më Të Madh në Tabelat (letrat) drejtuar Atij. Ai shkruan kështu:

351 "O Ti Që je drita e syrit Tim! Lavdia Ime, Oqeani i mirësisë Sime të përzemërt, dielli i bujarisë Sime, qielli i mëshirës Sime që çlodhet mbi Ty. Ne i lutemi Perëndisë të ndritë botën nëpërmjet dijes dhe urtisë Tënde, të urdhërojë për Ty atë që kënaqte zemrën Tënde dhe do t'u sillte qetësim syve të Tu". Gjithashtu edhe: "Ne të kemi bërë Ty një strehë për gjithë njerëzimin, një mburojë për gjithë ata që janë në qiell dhe në tokë, një kala për këdo që ka besuar në Perëndinë, Të Pakrahasueshmin, Dijeplotin. Perëndia pranon që nëpërmjët Teje Ai mbron, pasuron dhe mbështet ata, të frymëzon Ty me atë që do të jetë burimi i pasurisë për gjithë sendet e krijuara, një oqean i bujarisë për gjithë njerëzit dhe agimi i mirësisë për gjithë popujt". 87

352 Në Revelacionin, Besëlidhja e Bahá'u'lláh-ut i referohet Shën Gjonit si "Arka e Testamentit të Tij", Testamentit të Perëndisë. 'Abdu'l-Bahá-i, Dega Më e Fuqishme, Qendra e së njëjtës Besëlidhje, afirmon kështu: "Është padyshim e qartë se boshti i unitetit të njerëzimit nuk është gjë tjetër veçse fuqi e Besëlidhjes". Fuqia e Besëlidhjes është si nxehtësia e diellit që shpejton dhe nxit zhvillimin e të gjtha gjërave të krijuara mbi tokë. Drita e Besëlidhjes, në të njëjtën mënyrë, është edukatori i mendjeve, ndërgjegjeve, zemrave dhe e shpirtrave të njerëzve". 88

353 Në kundërshtim me faktin që urdhri i Bahá'u'lláh-ut ishte i qartë dhe tërësisht i çliruar nga çdo dykuptimësi, përsëri të pafetë, egoistët, ambiciozët bashkuan duart për të shkatërruar Besëlidhjen. Në krye të këtyre tradhtarëve qëndronin anëtarët e familjes së Bahá'u'lláh-ut, bijtë e Tij. Ishte një kohë kur Qendra e Besëlidhjes mbeti pothuajse i vetëm në izolimin e Ákas. Shumë nga pasuesit e Bahá'u'lláh-ut, megjithëse indiferentë ndaj insinuatave të besëthyerësve, u ndjenë të trishtuar dhe të dëshpëruar. Të pakënaqur me mosmarrëveshjet e ndezura dhe përhapjen e helmit të tyre brenda komunitetit, tradhtarët provuan çdo mjet të mundshëm për të helmuar mendjen e qeverisë kundër 'Abdu'l-Bahá-it. Në këtë mënyrë, shtypjes nga jashtë iu shtuan tensionet nga brenda. Por Besëlidhja nuk u shkatërrua. Ata që do të kishin mbytur godinën e Perëndisë u bënë helm. Uniteti i Besimit të Bahá'u'lláh-ut mbeti i padëmtuar. Njeriu kishte kaluar testin suprem. Njeriu kishte treguar që ai, në të vërtetë, ishte pjekur.

354 Vdekja e 'Abdu'l-Bahá-it vuri përpara një tjetër provë force midis Dritës dhe Errësirës. Por 'Abdu'l-Bahá-i la gjithashtu, një Vullnet dhe Testament. Në këtë Dokument të rëndësishëm, që është quajtur "Karta e Rendit të Ri Botëror", 'Abdu'l-Bahá-i emëron nipin e Tij më të madh, Shoghi Effendi-un, si Ruajtës të Besimit. Këtu Ai flet kështu mbi Shoghi Effendi-un, që ishte një pasardhës i Bahá'u'lláh-ut si dhe një lastar nga Dera e Báb-it:

355 "Përshëndetja dhe lavdërimi, bekimi dhe lavdia pushojnë mbi degën kryesore të Lotusit të Shenjtë Hyjnor, i ikur, i bekuar, i ëmbël, i blertë dhe që lulëzon nga Pemët e Shenjta Binjake; margaritari më i mahnitshëm, më unik dhe më i paçmuar, që lëshon vezullime jashtë deteve binjakë të dallgëzuar; për degëzat e Pemës së Shenjtërisë, lastarët e Pemës Hyjnore, atyre që në Ditën e Ndarjes së Madhe kanë qëndruar të fortë e të vendosur në Besëlidhjen; për Duart (Shtyllat) e Kauzës së Perëndisë, që ka përhapur gjerësisht Aromat Hyjnore, ka deklaruar Dëshmitë e Tij, ka shpallur Besimin e Tij, ka botuar jashtë Ligjin e Tij, ka ndarë veten nga të gjitha gjërat, por jo nga Ai, ka qëndruar për drejtësi në këtë botë dhe ka ndezur zjarrin e Dashurisë së Perëndisë thellë në zemrat e shpirtrat e shërbëtorëve të Tij; për ata që kanë besuar, janë prehur të qetë, kanë qëndruar të patundur në Besëlidhjen e Tij dhe kanë ndjekur Dritën, që pas vdekjes sime shkëlqen nga Agimi i Udhëheqjes Hyjnore-për dritën e syrit! ai është dega e bekuar dhe e shenjtëruar, që është degëzuar nga Pemët e Shenjta Binjake. E mira është me atë që kërkon strehën e hijes së tij, e cila i bën hije gjithë njerëzimit". 89

356 Edhe një herë rebelimi ngriti kokën e tij të shëmtuar. Si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, autoriteti i Ruajtësit të Besimit u vu në diskutim. Por askush, pavarësisht se sa e shquar është pozita e tij, sa i shkëlqyer rekordi i shërbimeve të tij, nuk mund të bëjë ndonjë çarje të thellë e të vazhdueshme në kalanë e pathyeshme të Besimit. Triumfi i Besëlidhjes në këtë epokë dhe në këtë Dispensacion është një fakt i padiskutueshëm, historik. Kjo është epoka e plotësimit. Gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën, gjithçka që Manifestimet e Perëndisë i kanë dhënë njeriut nga një epokë në tjetrën, nuk ka qenë veçse preludi për ardhjen e "Ditës së Ditëve". "Mbretëria Tënde vjen" ishte lutja që Krishti u mësoi dishepujve të Tij. Vetëm atëhere kur Besëlidhja e krijuar nga Manifestimi i Perëndisë shtrihet mbi një themel të pakundërshtueshëm, kur Besëlidhja mbetet e padhunuar përballë sulmeve të egra dhe të parreshtura, kur mësimet e Manifestimit të Perëndisë mund të ishin të imunizuara dhe të sigurta nga shtesat, korrupsioni dhe ndërhyrjet për shkak të triumfit të Besëlidhjes së Tij, vetëm atëhere Perëndia mund të vinte Vetë. Vetëm atëhere Mbretëria e Tij mund të vinte.

Dita e Perëndisë

357 Thellë në shekuj u shfaqën Manifestimet e Perëndisë. Ata erdhën të rigjallërojnë jetën e njeriut, të revelojnë më shumë nga e vërteta e Perëndisë, t'i tregojnë njeriut cili është qëllimi i Perëndisë, të udhëheqin hapat e tij ngurues në rrugën e ardhmërisë së tij. Ata të gjithë folën për një Ditë të madhe, që shtrihet në të ardhmen e largët- një Ditë që Isaia, më i madhi i Profetëve minorë të Izraelit, e portretizoi kështu:

358 "Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij; fryma e Zotit do të pushojë mbi të, fryma e diturisë dhe e zgjuarsisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e dijes dhe e frikës së Zotit...me drejtësi do t'i gjykojë të varfërit dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të tokës. Do ta godasë tokën me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin. Drejtësia do të jetë brezi i ijve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij. Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë.... Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse toka do të jetë plot me dijen e Zotit, ashtu si ujërat që mbulojnë detin." 90

359 Për këtë Ditë të madhe e të fuqishme Jezusi tha:

360 "Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje dhe mbi tokë ankth popujsh, nëpër humbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij; njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfarë do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden. Atëhere do të shohin Birin e Njeriut duke ardhur mbi nje re, me fuqi dhe lavdi të madhe. Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër". 91

361 Shpëtimtarin që kishte për të ardhur Jezusi e quajti Shpirti i së Vërtetës. Dhe Shën Gjoni kishte këtë vizion të mrekullueshëm dhe hyjnor të kësaj Dite të lavdishme:

362 "Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhé të ri, sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar dhe deri deti nuk ishte më. Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: "Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre." 92

363 Në atë Ditë, thotë Muhameti, njerëzit do të shikojnë Fytyrën e Perëndisë së tyre dhe kështu duke e parë do të vijnë për të besuar.

364 " Dita në të cilën njerëzimi do të ngrihet për mitingun e Zotit të Botëve"."Dhe toka do të llamburisë me dritën e Zotit të saj", njoftoi Muhameti, "dhe Libri do të jetë i hapur, dhe profetët, dhe dëshmitarët do të ngrihen, dhe vendimi do të jepet midis tyre, dhe ata nuk do të merren me padrejtësi".

365 "Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, - thotë Psalmisti, - me gojën time do t'u shpall besnikërinë tënde të gjithë brezave. Sepse kam thënë: 'Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë'. Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë: Do t'i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjithë brezat". 93

366 "Sa për Shpëtimtarin tonë, Zoti i Ushtrive është Emri i Tij, I Shenjti i Izraelit", kishte shpallur gjithashtu Isaia.

367 Çdo profeci tani është plotësuar. Dita e Perëndisë, Dita e Ditëve është këtu. Lutja që Krishti u mësoi njerëzve të Tij mori përgjigje. Fytyra e Perëndisë është zbuluar. Sepse Zoti i Ushtrive, Shpirti i Së Vërtetës, Zoti i Ditës së Gjykimit ka ardhur.

368 Bahá'u'lláh-u është Zot i Ushtrive, Shpirti i së Vërtetës, Zoti i Ditës së Gjykimit. 12

SHKURTIMET

B.N.E. Bahá'u'lláh & The New Era (Bahá'u'lláh-u dhe Epoka e Re), Esslemont. Bahá'í Publishing Trust, London 1952

B.P. Bahá'í Proofs (Dëshmitë Bahá'í), Mirza Abu'l-Fadl. Bahá'í Publishing Committee, New York 1929

B.R. Bahá'í Revelation,The,(Revelacioni Bahá'í), compilation (përpilim). Bahá'í Publishing Trust, London 1955

E.S.W Epistle To The Son of the Wolf (Letër për të Birin e Ujkut), Bahá'u'lláh. Bahá'í Publishing Trust, Wilmette, 1953

Gibbon Histori of the Decline& Fall of the Roman Empire, (Historia e Dobësimit dhe rënies së Perandorisë Romake),Gibbon. World's Classics, Oxford 1915

Gleanings Gleanings from The Writings of Bahá'u'lláh.(Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut). Bahá'í Publishing Trust, London 1949

G.P.B. God Passes By(Perëndia Kalon Pranë), Shoghi Effendi. Bahá'í Publishing Trust, Wilmette, 1957

H.W.A. The Hidden Words(Arabic) (Fjalët e Fshehura). Bahá'u'lláh.

H.W.P The Hidden Words(Persian) Bahá'í Publishing Trust, London 1944

K.I. Kitáb-i-Iqan, Bahá'u'lláh. Bahá'í Publishing Trust, London 1961

Nabil The Dawnbreakers, Nabil's Narative. (Lajmëtarët e Agimit, Tregim i Nabilit) Bahá'í Publishing Trust, London 1953

P.D.C. The promised Day Is Come(Dita e Premtuar Ka Ardhur), Shoghi Effendi. Bahá'í Publishing Trust, Wilmette, 1961

S.A.Q. Some Answered Questions (Përgjigje Për Disa Pyetje), 'Abdu'l-Bahá. Bahá'í Publishing Trust, London

Tablets Tablets of 'Abdu'l-Bahá (Tabelat e 'Abdu'l-Bahá-'ít). Bahá'í Publishing Committee, Neë York 1930

T.N. A Traveller's Narrative, (Tregimi i një Udhëtari), Browne, E.G. C.U.P., 1891

W.O.B. The World Order of Bahá'u'lláh (Rendi Botëror I Bahá'u'lláh-ut), Shoghi Effendi, Bahá'í Publishing Trust, Wilmette, 1955

W.T. The Will & Testament of 'Abdu'l-Bahá (Vullneti e Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it), Bahá'í Publishing Trust, London,1950

REFERENCAT
1. E.S.W. f. 20-21
2. po aty f.77
3. Nabil f.461-62
4. po aty f.452-453
5. E.S.W. f.22
6. Nabil f.475
7. E.S.W. f.21
8. K.I. f.159-160
9. G.P.B. f.139
10. K.I. f.65-67
11. po aty f.64-65
12. Gleanings seksioni xiv
13. P.D.C. f.42-45
14. E.S.W. f. 11-12
15. Gleanings seksioni 1vi
16. B.R. f.21-26
17. P.D.C. f.62
18. B.R. f.12-18
19. P.D.C. f.36
20. po aty f.37
21. B.R. f.29-31
22. P.D.C. f.32-34
23. po aty f.37
24. Qitab-i-Akdas, Bahá'u'lláh
25. P.D.C. f.34-35
26. Gleanings seksioni cxx
27. P.D.C. f.26
28. po aty f.26
29. H.W.A. f. No 2
30. G.P.B. f.179
31. po aty, f.180
32. Ezekieli 43: 1-2, 4
33. E.S.W. f.179
34. S.A.Q. kap.ix
35. Psalmet 24: 9-10
36. Isaia 35: 1-2
37. Amos 1: 2
38. Mikea 7: 12
39. G.P.B. f.190
40. B.N.E. f.42-43

41. T.N. Introduction by E.G. Browne (Hyrje nga E.G.Braun) f. xxxviii-ix

42. po aty f.xxxix-xl
43. Gleanings seksioni xi
44. B.P. f.71
45. H.W.A. No 3
46. K.I. f 64-65
47. Gjoni 14: 6

48. Amerrica's Spiritual Mission (Misioni Shpirtëror i Amerikës) Shoghi Effendi.

Bahá'í Publishing Trust, Wilmette, 1961
49. Eksodi 4: 10
50. Lluka 4: 1,2
51. E.S.W. f.39
52. Gleanings seksionixli
53. G.P.B. f.101-102
54. E.S.W. f.22
55. Gleanings seksioni lxxx
56. po aty seksioni lxxxi
57. po aty, seksioni lxxxi
58. Mateu 22: 21
59. K.I. f.105-106
60. po aty, f. 106
61. P.D.C. f.82-83
62. po aty,f. 83
63. po aty, f. 85
64. po aty, f.115
65. po aty, f.115
66. po aty, f. 115
67. Lluka 22: 42
68. H.W.A. No 2
69. E.S.W. f.128
70. Lluka 6: 1-5
71. B.R. f.86
72. Gleanings seksioni xxxvii
73. K.I. f. 147-148
74. Lluka 22: 42
75. W.O.B. f.197-198
76. B.R. f.79-80
77. H.W.A. No.5
78. Mateu 16: 18
79. po aty, 16: 16
80. po aty, 16: 19
81. Gibbon, vol. 5, f. 459
82. W.O.B. f. 100
83. po aty, f.101
84. po aty
85. po aty,f.134
86. po aty
87. po aty, f.135-136
88. G.P.B., f.238-39
89. W.T. , f. 4-5
90. Isaia 11: 1-2, 4-6, 9
91. Lluka 21: 25-28
92. Zbulesa 21: 1-3
93. Psallme 89: 1-4
* Shih f 37

* Te Kitáb-i-Aqdas gjenden ligje që lidhen me individin dhe ligje që mbrojnë mirëqenien e shoqërisë; ligje që gjejnë zbatim të menjëhershëm dhe ligje që presin botën e së ardhmes

 Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë (Shën.i përkth.)
* Shih fq.18
* pasardhës të Bahá'u'lláhut
† të afërm të Bahá'u'lláhut

‡ Një titull i përdorur pandryshuar për 'Abdu'l- Bahá-in gjatë jetës së Bahá'u'lláhut

---------------

------------------------------------------------------------

---------------

------------------------------------------------------------

12

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :