Ridvani 2006 është një moment i ngarkuar me frymën e triumfit e të shpresës. Pasuesit e Bahá'u'lláh-ut kudo me të drejtë mund të jenë krenarë për madhështinë e arritjeve të tyre gjatë Planit Pesëvjeçar që tani po i afrohet fundit. Dhe ata mund ta shikojnë të ardhmen me besim që i jepet vetëm atyre, vendosmëria e të cilëve është çelnikosur përmes përvojës. Tërë bota Bahá'í është gjallëruar duke parë pikëmbërrijtjen e nismës së Planit Pesëvjeçar që kemi përpara, përkushtimin e thellë që ajo do të kërkojë, dhe rezultatet që ajo është e destinuar të arrijë. Lutjet tona bashkohen me tuajat kur ju ktheheni me mirënjohje ndaj Bahá'u'lláh-ut për privilegjin që ju është dhënë të shihni shpalosjen e qëllimit të Tij kundrejt njerëzimit.
Në mesazhin tonë të 27 dhjetorit 2005 dërguar Këshilltarëve të mbledhur në Tokën e Shenjtë dhe trasmetuar po atë ditë të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare, ne përvijonim tiparet e Planit Pesëvjeçar që do të shtrihet nga 2006 në 2011. Miqtë dhe institucionet e tyre nxiteshin ta studionin me themel mesazhin, dhe përmbajtja e tij është pa dyshim e njohur për ju. Tani ne ju bëjmë thirrje ju të gjithëve t'i drejtoni energjitë tuaja për të siguruar që gjatë pesë vjetëve të ardhme qëllimi për të zbatuar programe intensive të rritjes në jo më pak se 1,500 grupe në mbarë botën të arrihet me sukses. Fakti që në muajt që pasuan nisjen e Këshilltarëve nga Qendra Botërore bazat për fillimin e Planit u hodhën aq shpejt e sistematikisht në një vend pas tjetrit është një tregues i zellit me të cilin komuniteti Bahá'í po i përgjigjet sfidës që qëndron para tij. Ndërsa nuk është e nevojshme që ne të shtjellojmë këtu më tej kërkesat e Planit, e ndjejmë për detyrë t'ju paraqesim për reflektim disa komente lidhur me kontekstin botëror në të cilin do të zhvillohen përpjekjet tuaja individuale e kolektive.
Mëse shtatëdhjetë vjet më parë, Shoghi Effendi-u shkroi letrat e tij për Rendin Botëror, në të cilat ai jepte një analizë të thellë të forcave që veprojnë në botë. Me një elokuencë që vetëm ai e kishte, ai shtjellonte dy procese të mëdha që ishin vënë në veprim nga Revelacioni i Bahá'u'lláh-ut, njëri destruktiv dhe tjetri integrues, çdonjëri prej të cilëve po e shtyn njerëzimin drejt Rendit Botëror të konceptuar prej Tij. Ruajtësi na tërhiqte vëmendjen që të mos na "çorientojë ngadalësia e dhembshme që karakterizon shpalosjen e qytetërimit" që po ngrihej me aq mund dhe as të mos jemi "të zhgënjyer nga shfaqjet kalimtare të kthimit të prosperitetit, që herë pas here dukej sikur ishin në gjendje të ndalnin ndikimin shpërbërës të sëmundjeve kronike nga të cilat vuanin institucionet e një epoke në kalbëzim". Asnjë rishqyrtim i rrjedhës së ngjarjeve në këto dhjetëveçarët e fundit nuk mund të mos pranojë shpejtësinë e pjekjes së proceseve që ai analizonte atëherë me aq saktësi.
Njeriut i mjafton vetëm të shohë krizën morale gjithnjë e më të thellë që po gllabëron njerëzimin, për të vlerësuar deri në ç'shkallë forcat e shpërbërjes e kanë shthurur pëlhurën e shoqërisë. Mos vallë dëshmitë e egoizmit, të dyshimit, të frikës e të mashtrimit, të cilat Ruajtësi i shihte aq qartë, nuk janë përhapur aq shumë sa të mos i bien lehtë në sy edhe një vëzhguesi të rastit? Mos vallë kërcënimi i terrorizmit, për të cilin fliste ai, nuk është shfaqur aq gjerësisht në skenën ndërkombëtare sa të preokupojë njëlloj mendjet e të rinjve e të pleqve në çdo qoshe të globit? Mos vallë etja e pashuar për kotësitë e kësaj bote, për pasuritë dhe kënaqësitë e saj dhe rendja e ethshme pas tyre nuk i kanë konsoliduar pushtetin dhe ndikimin e tyre sa të fitojnë epërsi përmbi vlera të tilla njerëzore si lumturia, besnikëria dhe dashuria? Mos vallë dobësimi i solidaritetit familjar dhe qëndrimi i papërgjegjshëm ndaj martesës nuk kanë arritur përmasa të tilla sa të venë në rrezik ekzistencën e kësaj njësie themelore të shoqërisë? "Zvetënimi i natyrës njerëzore, degradimi i sjelljes njerëzore, kalbëzimi dhe shpërbërja e institucioneve njerëzore", për të cilat paralajmëronte Shoghi Effendi-u, po e shfaqin veten në mënyrë të pikëllueshme "në aspektet e tyre më të këqija e më revoltuese".
Ruajtësi ia ngarkonte pjesën më të madhe të fajit për shkatërrimin e moralit të njerëzimit rënies së fesë si forcë shoqërore. "Sikur llamba e fesë të errësohet", tërheq vëmendjen tonë ai për fjalët e Bahá'u'lláh-ut, "do të pasojnë kaosi e konfuzioni, dhe drita e ndershmërisë, e drejtësisë, e qetësisë dhe e paqes do të pushojë së ndriçuari". Dhjetëvjeçarët që pasun shkrimin e letrave të tij kanë parë jo vetëm një përkeqësim të vazhdueshëm të aftësisë së fesë për të ushtruar ndikim moral, por edhe tradhëtimin e masave nëpërmjet sjelljes së paturpshme të institucioneve fetare. Orvatjet për ta rishëndoshur atë vetëm kanë çuar në ngritjen krye të fanatizmit, i cili, po të mos ndalet, do të shkatërronte themelin e marrëdhënieve të qytetëruara midis njerëzve. Përndjekja e Bahá'í-ve në Iran, që kohët e fundit është intensifikuar, është edhe vetëm ajo një dëshmi e bollshme e vendosmërisë së forcave të errësirës për të shuar flakën e besimit kudo që ajo shndrit me shkëlqim. Ndonëse kemi besim në triumfin përfundimtar të Kauzës, ne nuk guxojmë të lemë në harresë paralajmërimin e Ruajtësit se Besimit do t'i duhet të ndeshet me armiq më të fuqishëm e më tinzarë se ata që e kanë sulmuar atë në të kaluarën.
Nuk është nevoja të komentojmë gjerësisht pafuqinë e artit të qeverisjes, një çështje tjetër kjo e trajtuar aq mjeshtërisht nga Ruajtësi në letrat e tij për Rendin Botëror. Ndarja ekonomike gjithnjë e më e madhe midis të pasurve e të varfërve, vazhdimi i armiqësive shekullore midis kombeve, shifrat gjithnjë e më të fryra të refugjatëve, shtimi i jashtëzakonshëm i krimit të organizuar e i dhunës, ndjenja e përhapur e pasigurisë, rënia e shërbimeve themelore në shumë e shumë zona, shfrytëzimi i rrëmujshëm i burimeve natyrore - këto janë vetëm disa nga shenjat e paaftësisë së drejtuesve botërorë për të hartuar plane të zbatueshëm që të lehtësojnë sëmundjet e njerëzimit. Kjo nuk do të thotë se nuk janë bërë përpjekje të sinqerta, se ato nuk janë shtuar dhjetëvjeçar pas dhjetëvjeçari. Megjithatë këto përpjekje, sado të mençura, kanë dështuar e nuk kanë mundur të mënjanojnë "shkakun kryesor të së keqes që ka pështjelluar me aq vrazhdësi ekuilibrin e shoqërisë së sotme". "Madje", thotë Ruajtësi, "as vetë akti i hartimit të mekanizmit që kërkohet për unifikimin politik dhe ekonomik të botës ... nuk do të siguronte në vetvete antidotin kundër helmit që po minon hap pas hapi fuqinë e popujve e të kombeve të organizuara". "Ç'gjë tjetër", thotë ai në mënyrë konfidenciale, "përveç pranimit pa rezerva të Programit Hyjnor" të shpallur nga Bahá'u'lláh-u, "që mishëron në thelbin e vet planin e Perëndisë të përcaktuar në mënyrë hyjnore për unifikimin e njerëzimit në epokën e sotme, të shoqëruar nga bindja e pamposhtur në efektshmërinë e pashmangshme të të gjitha masave të parashikuara prej Tij, është në fund të fundit në gjendje t'u bëjë ballë forcave të shpërbërjes së brendshme, të cilat, nëse nuk ndalen, do të vazhdojnë të gërryejnë organet jetësore të një shoqërie të pashpresë".
Me të vërtetë i thellë është përshkrimi që Shoghi Effendi-u i bën procesit të shpërbërjes që po shpejtohet në botë. Po aq mbresëlënëse është saktësia me të cilën ai analizon forcat që kanë të bëjnë me procesin e integrimit. Ai fliste për një "përhapje graduale të frymës së solidaritetit botëror, që po lind spontanisht nga pështjellimi i një shoqërie të çorganizuar", si një manifestim i tërthortë i konceptit të Bahá'u'lláh-ut për parimin e njëshmërisë së njerëzimit. Kjo frymë solidariteti ka vazhduar të përhapet përmes dekadash, dhe sot efekti i saj duket në një varg zhvillimesh, që nga hedhja poshtë e paragjykimeve raciale të rrënjosura thellë deri te lindja e ndërgjegjshmërisë për qytetarinë botërore, nga shtimi i vetëdijës për mjedisin te përpjekjet e bashkëpunimit për mbështetjen e shëndetit publik, nga shqetësimi për të drejtat e njeriut te zhvillimi sistematik i shkollimit universal, nga ndërmarrja e veprimtarive ndërmjet besimeve të ndryshme te lulëzimi i qindra e mijëra organizatave lokale, kombëtare e ndërkombëtare të përfshira në ndonjë formë të veprimit social.
Megjithatë, për pasuesit e Bahá'u'lláh-ut zhvillimet më domethënëse në procesin e integrimit janë ato që lidhen drejtpërsëdrejti me Besimin, shumë prej të cilave ushqeheshin nga vetë Ruajtësi dhe që kanë avancuar jashtëzakonisht qysh nga fillimet e tyre modeste. Nga bërthama e vogël e besimtarëve, të cilët ai i vuri në dijeni të planeve të Tij të para mësimore, është zhvilluar një komunitet mbarëbotëror i pranishëm në mijëra lokalitete, ku secili ndjek një model të përcaktuar mirë veprimtarie që mishëron parimet dhe aspiratat e Besimit. Mbi themelin e Rendit Administrativ që ai me aq kujdes ngriti gjatë dekadave të hershme të misionit të tij, është ngritur një rrjet i gjerë, i thurur mirë Asamblesh Shpirtërore Kombëtare e Lokale që administrojnë me zell punët e Kauzës në më shumë se njëqind e tetëdhjetë vende. Nga kontingjentet e para të anëtarëve të Trupave Ndihmëse për Mbrojtjen dhe Përhapjen e Besimit, të krijuara prej tij, është ngritur një legjion prej afro njëmijë punonjësish të paepur që shërbejnë në terren nën drejtimin e tetëdhjetë e një Këshilltarëve të udhëhequr me zotësi nga Qendra Mësimore Ndërkombëtare. Evoluimi i Qendrës Administrative Botërore të Besimit, brenda kufijve të Qendrës Shpirtërore Botërore të tij, një proces ky të cilit Ruajtësi i kushtoi aq shumë energji, ka kapërcyer një prag vendimtar me vendosjen nga Shtëpia Universale e Drejtësisë e Selisë së saj në Malin Karmel dhe me përfundimin më pas të Godinës së Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit dhe të Qendrës për Studimin e Teksteve. Institucioni i Hukukullah-ut (Huqúqu'lláh) ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme nën kujdesin e Dorës së Kauzës së Perëndisë Dr. 'Alí-Muhammad Varqá i emëruar si i Besuar nga Shoghi Effendi-u pesëdhjetë vjet më parë, duke arritur kulmin me ngritjen në vitin 2005 të një trupe ndërkombëtare të caktuar për të mbështetur zbatimin e vazhdueshën të përhapur gjerësisht të këtij ligji të madh, që përbën një burim bekimesh të paçmueshme për gjithë njerëzimin. Përpjekjet e Ruajtësit për ta ngritur paraqitjen e Besimit në qarqe ndërkombëtare janë zhvilluar në një sistem të gjerë të punëve të jashtme, që është në gjendje si të mbrojë interesat e Besimit ashtu edhe të shpallë mesazhin e tij universal. Respekti që gëzon Besimi në forumet ndërkombëtare, kudo që flasin përfaqësuesit e tij, është një arritje shumë e rëndësishme. Besnikëria dhe devotshmëria që anëtarët e një komuniteti që pasqyron diversitetin e mbarë gjinisë njerëzore tregojnë ndaj Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut përbëjnë një thesar force që nuk mund ta pretendojë asnjë grup tjetër i organizuar.
Ruajtësi parashikoi që në epokat pasuese të Erës së Formimit, Shtëpia Universale e Drejtësisë do të ndërmerrte një varg nismash mbarëbotërore, të cilat do të "simbolizonin unitetin dhe do të bashkërendonin e unifikonin veprimtaritë" e Asambleve Shpirtërore Kombëtare. Gjatë tri epokave që kanë kaluar qysh atëherë, komuniteti Bahá'í ka punuar me ngulm në kuadrin e Planeve botërore të hartuara nga Shtëpia e Drejtësisë dhe ka arritur të krijojë një model jete Bahá'í që mbështet zhvillimin shpirtëror të individit dhe kanalizon energjitë kolektive të anëtarëve të tij drejt ringjalljes shpirtërore të shoqërisë. Ai ka fituar aftësinë për ta përçuar mesazhin në masa të gjëra shpirtrash të hapur, për t'i konfirmuar ata dhe për të thelluar kuptimin e tyre lidhur me parimet bazë të Besimit që ata kanë përqafuar. Ai ka mësuar ta shndërrojë parimin e konsultimit të shpallur nga Themeluesi i tij në një mjet efektiv për vendim-marrje kolektive dhe t'i edukojë anëtarët e vet për dobinë e tij. Ai ka përpunuar programe për edukimin shpirtëror e moral të anëtarëve të tij më të rinj në moshë dhe e ka shtrirë këtë jo vetëm te fëmijët e të rinjtë e vet, por edhe tek ata të komunitetit më gjerë. Me atë burim talentesh që disponon, ai ka krijuar një sasi të madhe literature, që përfshin vëllime në dhjetëra gjuhë, të cilat u shërbejnë nevojave të veta dhe ngjallin interesin e publikut në përgjithësi. Ai është përfshirë gjithnjë e më shumë në punët e shoqërisë së gjerë, duke ndërmarrë një mori projektesh zhvillimi shoqëror dhe ekonomik. Veçanërisht qysh nga fillimi i epokës së pestë në vitin 2001, ai ka bërë hapa të rëndësishëm, duke shumëfishuar rezervat e veta njerëzore përmes një programi trajnimi që shtrihet deri në bazën e komunitetit, dhe ka zbuluar metoda e instrumente për të vendosur një normë të qëndrueshme rritjeje.
Pikërisht në kontekstin e ndërveprimit të forcave të shtjelluara këtu, duhet parë domosdoshmëria e çuarjes përpara të procesit të hyrjes me trupa. Plani Pesëvjeçar që fillon tani kërkon që ju t'i përqendroni energjitë tuaja në këtë process dhe të siguroni që dy lëvizjet plotësuese në zemër të tij të përshpejtohen. Ky duhet të jetë preokupacioni juaj kryesor. Ndërkohë që përpjekjet tuaja japin fryte dhe dinamika e rritjes arrin një nivel të ri kompleksiteti, do të ketë kërkesa e mundësi që vetë Qendra Botërore në pesë vitet e ardhshme t'u drejtohet fushave të tilla si punët e jashtme, zhvillimi shoqëror dhe ekonomik, administrimi dhe zbatimi i ligjit Bahá'í. Rritja e komunitetit ka bërë tashmë të nevojshme të kryhen rregullime të reja për të dyfishuar numrin e pelegrinëve në katërqind për çdo grup duke filluar nga tetori 2007. Ka edhe disa projekte të tjera që gjithashtu duhen ndjekur. Ndër të janë zhvillimi i mëtejshëm i kopshteve që rrethojnë Mauzoleun e Bahá'u'lláh-ut, si dhe Kopshtin e Ridvanit dhe Mazra'ih-un; restaurimi i Godinës së Arkivave Ndërkombëtare; riparimet strukturore në Mauzoleun e Báb-it, përmasat e të cilave ende nuk janë të qarta, dhe ndërtimi i Shtëpisë së Adhurimit në Kili siç e përfytyronte Ruajtësi, që është Mashrikul-Adkari Kontinental i fundit. Ndërkohë që këto përpjekje avancojnë, ne herë pas here do t'ju drejtohemi juve për ndihmë, si në formën e mbështetjes financiare ashtu edhe të specialistëve të talentuar, duke qenë të ndërgjegjshëm se burimet e Besimit, sa më shumë që të jetë e mundur, duhen kanalizuar në kërkesat e Planit.
Të dashur miq: Nuk mund të mohohet se forcat e shpërbërjes po rriten për nga prirja e fuqia. Është gjithashtu e qartë se komuniteti i Emrit Më të Madh është çuar nga konsolidimi në konsolidim prej dorës së Perëndisë dhe duhet tani të rritet për nga përmasat dhe të shtojë rezervat e tij. Kursi i vendosur nga Plani Pesëvjeçar është i ndershëm. Si munden ata prej nesh që janë të vetëdijshëm për fatin e njerëzimit dhe të ndërgjegjshëm për drejtimin në të cilin po shpaloset historia të mos ngrihen me të gjitha forcat dhe të mos ia përkushtojnë veten qëllimit të tij? Mos vallë fjalët e Ruajtësit se "shorti është hedhur" nuk janë të drejta për ne sot siç ishin kur ai i shkroi ato fjalë gjatë Planit të parë Pesëvjeçar? Le të tingëllojnë në veshët tuaj fjalët e tij: "Nuk ka kohë për të humbur", "Nuk ka vend për lëkundje", "Kjo mundësi është e pazëvendësueshme", "Të përpiqesh, të këmëngulësh, do të thotë të sigurosh fitoren përfundimtare e të plotë". Jini të sigurt për lutjet tona të vazhdueshme në Pragun e Shenjtë për udhëheqjen dhe mbrojtjen tuaj.
Shtëpia Universale e Drejtësisë