Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Mesazhe të Riḍvánit

2000-157BE
2001-158BE
2002-159BE
2003-160BE
2004-161BE
2005-162BE
2006-163BE
2007-164BE
2008-165BE
2009-166BE
2010-167BE
2011-168BE
2012-169BE
2013-170BE
2014-171BE
2015-172BE
2016-173BE
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Mesazhe të Riḍvánit : 2002-159BE
Shtëpia Universale e Drejtësisë
Ridvan 2002 / 159BE
Bahá'í-ve të Botës,
Shumë të dashur Miq,

Vërshimi i ngjarjeve brenda e jashtë Besimit në fillimet e Etapës së Pestë të Epokës Formuese paraqet një spektakël që të le pa fjalë. Përbrenda Kauzës, rëndësia historike e ngjarjeve Majin e kaluar që shënuan përfundimin e ndërtesave në Malin Karmel mahniti sytë, ndërkohë që ndikimi i tyre i fuqishëm u komunikua në çast anembanë planetit nëpërmjet transmetimeve satelitore dhe nga mbulimi më i gjerë i medias që i është bërë ndonjëherë një ngjarjeje Bahá'í. Ndërsa dëshmitë më të fundit në shpalosjen e dukshme të Tabelës së Karmelit u shfaqën haptazi me një shkëlqim mahnitës para syve të botës, Kauza e Bahá'u'lláh-ut hovi në një stad të ri të spikatur në daljen e saj të vazhdueshme nga mosnjohja. Kështu, një përshtypje e pashlyeshme u regjistrua në analet e Dispensacionit.

Kjo shfaqje e jashtme e vitalitetit që gjallëron Besimin tonë të pamposhtshëm pati të barasvlershmen e vet në shtytjen e proceseve të brendshme të cilat janë vënë në lëvizje që në ngjizjen Ridvan-in që shkoi të Planit Pesë Vjeçar. Si rrjedhim, ne s'mund të rrimë pa i ftuar delegatët e mbledhur në kuvendet kombëtare dhe gjithë pasuesit e tjerë të Bahá'u'lláh-ut kudo në botë që të bashkohen me ne për të reflektuar mbi disa pika kulmore të fuqishme të veprimit të Planit gjatë vitit të parë të tij - kulmime që veçse gëzojnë zemrat dhe ngjallin besim në potencialet e pallogaritshme të kursit në të cilin është vendosur Plani.

Në përgjigjen e tyre të etshme ndaj kërkesave të tij, Asambletë Shpirtërore Kombëtare u angazhuan në një seri sesionesh planifikuese me Këshilltarët Kontinentalë para dhe menjëherë mbas Ridvan-it. Këto sesione përcaktuan ritmin për një fillim të vrullshëm që u dallua nga hapat e marrë për të përmbushur një tipar të ri të hyrjes me trupa. Në çdo komunitet kombëtar, institucionet Bahá'í filluan detyrën e përpunimit hartografik të vendit të tyre, në bazë të një sistemi, me synimin për ta ndarë atë në tërësi qendrash të banuara, ku përbërja dhe madhësia e secilës prej tyre është në harmoni me një shkallë të administrueshme aktivitetesh për rritje dhe zhvillim. Një përpunim i tillë hartografik, siç është raportuar tashmë nga rreth 150 vende, bën të mundur realizimin e një modeli shtrirjeje dhe konsolidimi të rregullt. Kështu ai krijon njëkohësisht një perspektivë, ose vizion, rritjeje sistematike që mund të mbështetet nga një tërësi qendrash të banuara në tjetrën anembanë vendit. Me këtë perspektivë, tërësitë e qendrave të banuara që janë të virgjëra, ashtu si edhe territoret e virgjëra të identifikuara në fushatat e kaluara, bëhen objektiva për pionierë brenda vendit, ndërsa tërësitë e qendrave të banuara që janë të hapura fokusohen në zhvillimin e tyre të brendshëm të mobilizuara nga puna e ndërsjellë përforcuese e të treja pjesëve përbërëse të Planit: individit, institucioneve dhe komunitetit.

Është gjëja më inkurajuese të shohësh se progresi i kësaj pune po merr energji nëpërmjet procesit të institutit të trajnimit, i cili u forcua në mënyrë të konsiderueshme vitin që shkoi nga fushatat e ndërmarra në shumë vende për të rritur numrin e tutorëve të trajnuar. Aty ku një institut trajnimi ka hedhur mirë rrënjët dhe funksionon pandërprerë, tre aktivitete bazë - qarqet e studimit, takimet devocionale dhe klasat e fëmijëve - janë shumëfishuar relativisht lehtë. Me të vërtetë, pjesëmarrja në rritje e kërkuesve në këto aktivitete, me ftesën e miqve të tyre Bahá'í, i ka dhënë një dimension të ri përpjekjeve të tyre, duke ndikuar si rrjedhim edhe në deklarime të reja. Këtu, sigurisht, qëndron një drejtim shumë premtues për punën mësimdhënëse. Këto aktivitete bazë, të cilat që në fillim u përvijuan kryesisht për të qenë në dobi të vetë besimtarëve, po shndërrohen natyrshëm në porta për hyrjen me trupa. Duke kombinuar qarqet e studimit, takimet devocionale dhe klasat e fëmijëve brenda kornizës së tërësive të qendrave të banuara, është vënë në jetë një model koherence në linjat e veprimit që tashmë është duke dhënë rezultate të mirëpritura. Ne kemi shumë besim se zbatimi i këtij modeli në shkallë botërore mbart mundësi të pamata për progresin e Kauzës në vitet që do të vijnë.

Këto perspektiva drithëruese u bënë edhe më shëndetshme nga energjia e jashtëzakonshme që Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies investoi në pasurimin e kuptimit të komunitetit botëror rreth rritjes sistematike. Duke përfituar nga avantazhi i krijuar si rrjedhim i fillimit kohët e fundit të një periudhe të re shërbimi për anëtarët e Trupit Ndihmës, Qendra e Mësimdhënies kërkoi mbajtjen e 16 konferencave orientuese rajonale në muajt e fundit të vitit. Në secilën prej tyre ajo dërgoi dy nga anëtarët e saj. Duke i kushtuar vëmendje të madhe temës "institutet e trajnimit dhe rritja sistematike", konferencat, që u ndoqën nga pothuajse të gjithë anëtarët e Trupit kudo në botë, u siguruan pjesëmarrësve një bollëk informacioni i cili, nëpërmjet punës së palodhshme të tyre, do të mbushë krejt strukturën e komunitetit.

Një komunitet i pajisur bujarisht, kaq me përvojë, kaq i fokusuar në një plan veprimi të frymëzuar në mënyrë hyjnore, sheh përpara drejt një bote banorët e së cilës, që nga ngjarjet e Majit 2001 në Tokën e Shenjtë, janë zhytur edhe më thellë në një batak trazirash të shumëfishta. E megjithatë, Kauza është parashikuar të përparojë, dhe do të lulëzojë, pikërisht në këto kushte në dukje jomikpritëse. "Thirrjet e Zotit të Ushtrive", vëllimi i sapo dalë që përmban përkthimet në anglisht të teksteve të plota të Tabelave të Bahá'u'lláh-ut drejtuar mbretërve dhe sundimtarëve të botës, ka ardhur si një përkujtues i duhur për pasojat e tmerrshme të shpërfilljes së paralajmërimeve të Tij kundër padrejtësisë, tiranisë dhe korrupsionit. Goditjet e dhunshme që pëson ndërgjegja e njerëzve kudo, theksojnë urgjencën për ilaçin që Ai ka caktuar. Ne, grupet e shpërndara të shërbëtorëve të Tij besnikë, kemi arritur kështu përsëri në një kohë mundësish të parezistueshme - mundësi për të mësuar Kauzën e Tij, për të ngritur Sistemin e Tij të mrekullueshëm, për të siguruar me sakrificë mjetet materiale që nevojiten urgjentisht e mbi të cilat varet pashmangshëm progresi dhe zbatimi i aktiviteteve shpirtërore.

Detyra jonë e pashmangshme është të shfrytëzojmë trazirën e tanishme, pa frikë apo ngurrim, me qëllimin për të përhapur dhe treguar virtytin transformues të Mesazhit të vetëm që mund të sigurojë paqen e botës. A nuk na ka fuqizuar dhe siguruar neve Bukuria e Bekuar me fjalë të fuqishme? "Ato që ndodhin në botë mos t'ju hidhërojnë" është këshilla e Tij e dashur. "Betohem për Perëndi," vazhdon Ai; "Deti i gëzimit ka mall të arrijë praninë tuaj, sepse çdo gjë e mirë është krijuar për ju dhe, sipas nevojave të kohës, do t'ju revelohet juve".

Atëherë, të çlirët nga çdolloj dyshimi, të shpenguar nga çdolloj pengese, ecni përpara pandalshëm me Planin në dorë.

Shtëpia Universale e Drejtësisë

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :