Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Mesazhe të Riḍvánit

2000-157BE
2001-158BE
2002-159BE
2003-160BE
2004-161BE
2005-162BE
2006-163BE
2007-164BE
2008-165BE
2009-166BE
2010-167BE
2011-168BE
2012-169BE
2013-170BE
2014-171BE
2015-172BE
2016-173BE
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Mesazhe të Riḍvánit : 2001-158BE
Shtëpia Universale e Drejtësisë
Ridvan 2001 / 158BE
Bahá'í-ve të Botës,
Shumë të dashur Miq,

Me gëzim të madh në zemrat tona dhe shpresa të shumta, ne vijmë në këtë stinë Ridvani në një ndryshim në kohë, kur një gjendje e re e mendjes është e dukshme midis të gjithëve ne. Kudo në komunitetin tonë botëror ekziston një vetëdije e shtuar rreth vlerës së procesit, domosdoshmërisë së planifikimit dhe dobisë së veprimit sistematik në nxitjen e rritjes dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore nëpërmjet të cilave mund të mbështetet shtrirja dhe të sigurohet konsolidimi. Koherenca për t'i kuptuar këto kërkesa të domosdoshme të progresit nuk mund të mbiçmohet, ashtu siç nuk mund të mbivlerësohet rëndësia e vazhdimit të pandërprerë të tyre nëpërmjet trajnimit të rregullt. Dhe ja pra, mbërritja e komunitetit tonë në një moment të tillë ndërgjegjësimi është një ngjarje e shënuar për ne. Ne i jemi thellësisht mirënjohës Bukurisë së Bekuar që jemi në gjendje ta njohim dhe ta brohorasim atë që në fillimin e sipërmarrjes globale e cila do të nisë gjatë këtyre ditëve festive.

Fuqia e vullnetit që u gjenerua nga ky ndërgjegjësim karakterizoi konferencën e Këshilltarëve Kontinentalë dhe të anëtarëve të Trupave të tyre Ndihmës që u mblodhën Janarin që shkoi në Tokën e Shenjtë. Ngjarja nxorri në pah një përjetim kaq ndriçues saqë sinjalizoi hyrjen e Besimit në një etapë të re, të pestën e Epokës së tij Formuese. Një freski e tillë vitaliteti si ajo që u shfaq në këtë tubim historik u kuptua si një manifestim i cilësisë në rritje të veprimit kudo në komunitet. Ndjekja gjatë vitit të kaluar e anëve thelbësore për avancimin e procesit të hyrjes me trupa e konfirmoi këtë vëzhgim. Kështu që u hap rruga për Planin Pesë Vjeçar, i pari projekt që po marrim përsipër në Etapën e Pestë.

Duke shtuar përpjekjet madhore të Planit të mëparshëm Katër Vjeçar, i cili nxorri në dritë më shumë se 300 institute trajnimi, Plani Dymbëdhjetë Mujor ia arriti qëllimit. Ai mori kuptim nëpërmjet përgjigjes së shquar të institucioneve dhe individëve ndaj thirrjes për një përqendrim më të madh në edukimin shpirtëror të fëmijëve dhe në përfshirjen e paratërinjve në jetën e komunitetit Bahá'í. Trajnimi i mësuesve të klasave të fëmijëve dhe përfshirja e paratërinjve në procesin e institutit janë bërë pjesë e rregullt e aktiviteteve Bahá'í në një numër vendesh. Pavarësisht nga koha e tij e shkurtër, Plani Dymbëdhjetë Mujor pati një rëndësi përtej objektivave të caktuara specifikisht. Plani ishte një lidhje dinamike midis një etape të mbushur me ngjarje në historinë Bahá'í dhe perspektivave jashtëzakonisht premtuese të një etape të re, për të cilat arritjet e tij e kanë përgatitur kaq mirë komunitetin. Gjithashtu, ai është skalitur në analet tona për efektet e pashlyeshme të aktiviteteve të Besimit në fundin e shekullit të njëzetë - një shekull që e meriton të reflektohet mbi të nga ana e çdo Bahá'í i cili dëshiron të kuptojë forcat e stuhishme që kanë influencuar jetën e planetit dhe proceset e vetë Kauzës në një kohë vendimtare për evolucionin social dhe shpirtëror të njerëzimit. Si një ndihmë ndaj një përpjekjeje kaq me vlerë, Shekulli i Dritës, një raport mbi shekullin e njëzetë, u përgatit me kërkesën dhe nën mbikqyrjen tonë.

Në shumë raste gjatë kësaj përpjekjeje njëvjeçare, aktivitetet e marrëdhënieve me jashtë të Besimit ishin veçanërisht të spikatura. Për shembull, kini parasysh se sa herë përfaqësuesit Bahá'í kanë marrë pjesë në plan të parë në ngjarjet me rastin e mijëvjeçarit që u zhvilluan në Maj, Gusht dhe Shtator me nxitjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Implikimet e një përfshirjeje kaq të ngushtë e të spikatur të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í me proceset e Paqes më të Vogël do të kërkojnë kohë që të kuptohen siç duhet. Midis pikave të tjera kulmore ishte edhe bashkëbisedimi kontinental i organizuar në Indi nga Instituti i Studimeve për Prosperitetin Global, një agjenci e re që vepron nën kujdesin e Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í. Duke adoptuar temën e "shkencës, fesë dhe zhvillimit", në konferencë u paraqitën me pjesëmarrjen e tyre organizata kryesuese jo-qeveritare nga India, si dhe institucione me emër si UNESCO, UNICEF, WHO dhe Banka Botërore. Në Tetor filloi nga puna në internet Shërbimi Botëror i Lajmeve Bahá'í (BWNS), me qëllim për të informuar publikun Bahá'í dhe jo-Bahá'í me lajme rreth zhvillimeve në botën Bahá'í.

Aktivitetet intensive në Qendrën Botërore Bahá'í gjatë vitit të fundit në pjesën më të madhe ju bënë të njohura miqve nëpërmjet raporteve të mëparshme që përfshijnë referime ndaj arritjeve të tilla si zënia nga Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies të selisë së saj të përhershme mbi Malin Karmel; Konferenca e Këshilltarëve Kontinentalë dhe e anëtarëve të Trupave të tyre Ndihmës e mbajtur në Tokën e Shenjtë Janarin që shkoi; dhe përfundimi i projekteve të Malit Karmel të cilave tani po u jepet dora e fundit në përgatitje të ngjarjeve festive në Maj. Tetorin që shkoi, për herë të parë, pelegrinët dhe vizitorët u pritën në Qendrën e re të Pritjes në Haifa, e cila u fut në funksionim në mënyrë të plotë. Në Bahxhi zbukurimi i truallit të shenjtë nëpërmjet zhvillimit të kopshteve të tij ka proceduar pa ndërprerje; sidoqoftë, ritmi i punimeve ka marrë një shtytje nga projekti i ri i filluar vitin e kaluar për të ndërtuar një Qendër Vizitorësh drejt skajit verior të pronës përtej Portës Kollins. E planifikuar për t'u përfunduar në muajt që do të vijnë, struktura thuajse është përfunduar dhe puna po vazhdon në të gjitha drejtimet duke përfshirë punimet e brendshme dhe zbukurimin e truallit përreth. Ambienti i ri do të përmirësojë aftësinë e Qendrës Botërore për të pritur numra gjithnjë e më të mëdhenj pelegrinësh, vizitorësh afatshkurtër Bahá'í dhe miqsh të veçantë.

Për të konkluduar këtë përmbledhje të vitit, ne gëzohemi pamasë duke ju informuar se mbas një peridhe kohe prej tre dekadash, Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Indonezisë u rimëkëmb në Kuvendin Kombëtar të mbajtur në Xhakarta Ridvanin që shkoi. Ndalimi me ligj i aktiviteteve Bahá'í i imponuar në Gusht të vitit 1962 kufizoi në mënyrë të skajshme veprimet e Bahá'í-ve indonezianë për gjithë këtë kohë, por ata qëndruan të patundur dhe të mençur në shumëvuajtjen e tyre, derisa ndryshimi i rrethanave në atë vend rezultoi në heqjen e këtij ndalimi. Atëherë, a nuk mund të mos shpresojmë ne se një raportim i gëzueshëm i ngjashëm me këtë, në lidhje me bashkëbesimtarët tanë të shumëvuajtur në Iran, Egjipt dhe vende të tjera nuk do të jetë shumë i largët?

Të dashur Miq: mbas dy dekadash bota Bahá'í do të festojë njëqind vjetorin e zanafillës së Epokës Formuese. Ne hedhim vështrimin mbrapa në agimet e Epokës nga pozita e favorshme e arritjeve të tashme që zor se mund të ishin përfytyruar në fillim. Para nesh shtrihen horizonte që i bëjnë thirrje urgjente komunitetit për arritje edhe më të mëdha në këtë periudhë kohore të shkurtër që e ndan atë nga ai qindvjetor. Këto lartësi mund dhe duhen arritur. Plani Pesë Vjeçar, ndaj të cilit ne kërkojmë vëmendjen urgjente dhe të mbështetshme të miqve kudo në botë, ka për qëllim të përballë këtë sfidë. Ai përbën të parin e një serie fushatash që do të ndiqen gjatë këtyre njëzet vjetëve. Plani shënon fazën tjetër në qëllimin për të përmbushur një avancim të dukshëm në procesin e hyrjes me trupa. Ai kërkon një përshpejtim të këtij procesi jetësor, dhe për më tepër këmbëngul për vazhdimësi në përpjekjet sistematike nga ana e tre pjesëmarrësve që e përbëjnë atë: individin, institucionet dhe komunitetin.

Nuk është e nevojshme të shtjellojmë kërkesat e Planit, pasi ato u shpalosën në mesazhin tonë drejtuar Këshilltarëve të mbledhur në Tokën e Shenjtë dhe, si rrjedhim, janë bërë të ditura për të gjitha Asambletë Shpirtërore Kombëtare. Shumë shpejt mbas konferencës së tyre, Këshilltarët filluan konsultimin me Asambletë Kombëtare rreth ekzekutimit të planit në juridiksionet e tyre respektive. Drejtimi i Planit, si rrjedhim, është i njohur për miqtë kudo që janë, pasi përgatitjet rajonale dhe lokale për arritjen e synimit kryesor të tij janë në udhë e sipër. Tani ekziston një vetëdije e përgjithshme që do të bëhen përpjekje për të shkaktuar një depërtim më të thellë të Besimit në sa më shumë rajone brenda vendeve. Për shembull, aty ku e lejojnë rrethanat, komunitete lokale që ndodhen mjaft afër njëri-tjetrit do të mobilizohen të marrin pjesë në programe intensive rritjeje. Rrugë të tjera do të kërkojnë hapje metodike të zonave të reja për të cilat pionierë brenda vendit duhet të ngrihen me të njëjtin shpirt të konsakruar që i nxiti edhe ata të cilët u përhapën jashtë vendeve të tyre vite më parë për të hapur territore të virgjëra nëpër kontinente e dete. Mjafton të themi se procesi që gjallëron këtë sipërmarrje të vënë hyjnisht në lëvizje do të zgjerohet eventualisht, ndërkohë që tiparet që lidhen me të do të prezantohen gradualisht dhe do të integrohen në mënyrë sistematike në veprimin e tij.

Një tipar i Etapës së Pestë do të jetë pasurimi i jetës devocionale të komunitetit nëpërmjet ngritjes së Shtëpive kombëtare të Adhurimit, në varësi të rrethanave të çdo komuniteti kombëtar. Planifikimi i këtyre projekteve do të përcaktohet nga Shtëpia Universale e Drejtësisë në lidhje me avancimin e procesit të hyrjes me trupa brenda vendeve. Ky zhvillim do të shpaloset gjatë gjithë fazave të njëpasnjëshme të Planit Hyjnor të 'Abdu'l-Bahá-it. Mbas përfundimit të Tempullit Mëmë të Perëndimit, Ruajtësi filloi një program për ndërtimin e tempujve kontinentalë. Të parët midis tyre ishin Mashriqu'l-Adhkár-ët në Kampala, Sidnej dhe Frankfurt, që u ndërtuan në përgjigje të objektivave të Planit Dhjetë Vjeçar. Shtëpia Universale e Drejtësisë vazhdoi përgjatë këtyre linjave me ndërtimin e Tempujve në qytetin e Panamasë, Apia dhe Nju Delhi. Por kjo fazë kontinentale ende nuk është përfunduar: mbetet për t'u ngritur edhe një ndërtesë. Me gëzim dhe falenderim të thellë ne ju shpallim në këtë moment kaq të spikatur vendimin për të proceduar me këtë projekt të fundit. Gjatë Planit Pesë Vjeçar, do të fillojë ndërtimi i Tempullit Mëmë të Amerikës së Jugut në Santiago të Kilit, dhe kështu do të përmbushet një dëshirë e shprehur qartë nga Shoghi Effendiu. Ndërkohë, koha është e përshtatshme që hapa të mëtejshëm të ndërmerren në Qendrën Botërore për të zhvilluar funksionet e institucioneve që zënë ndërtesat e reja mbi Hark. Ndërkohë që Qendra Ndërkombëtare ka avancuar dukshëm në punën e saj, vëmendje do t'i kushtohet në veçanti organizimit të punës në Qendrën e Studimit të Teksteve. Pasurimi i përkthimeve në anglisht nga Tekstet e Shenjta do të jetë një objekt i veçantë i kësaj vëmendjeje. Qëllimi i institucionit është të mbështesë Shtëpinë Universale të Drejtësisë në konsultimin e Shkrimeve të Shenjta dhe të përgatisë përkthime dhe kumtesa mbi tekste me autoritet të Besimit. Përveç kësaj, në Tokën e Shenjtë, një përpjekje e vazhdueshme do t'i kushtohet hartimit të masave për të bërë të mundur një shtim të mëtejshëm të numrit të pelegrinëve dhe vizitorëve në Qendrën Botërore Bahá'í.

Në mesazhin tonë të Ridvanit pesë vjet më parë ne bëmë të ditur mbajtjen e një ngjarjeje madhore në Qendrën Botërore për të shënuar përfundimin e projekteve mbi Malin Karmel dhe hapjen e Tarracave të Mauzoleut të Báb-it ndaj publikut. Ky çast tashmë ka ardhur dhe ne gëzohemi jashtë mase t'u urojmë që tani mirëseardhjen miqve, që do të bujtin nga thuajse të gjitha vendet, në programet që do të zgjasin një periudhë pesë ditore, 21-25 Maj. Gjithashtu, ne jemi të lumtur të themi se po ndërmerren hapa për të lidhur botën Bahá'í me këto ngjarje nëpërmjet transmetimeve të drejtpërdrejta në WWW dhe nëpërmjet satelitit, gjë për të cilën po japim edhe informacion. Ndërkohë që Qendra Botërore fokusohet në përgatitjet, midis publikut në Haifa po shtohet gëzimi, dhe autoritetet bashkiake kanë marrë përsipër të botojnë një libër të titulluar Maouzoleu Bahá'í dhe Kopshtet mbi Malin Karmel, Haifa, Izrael: Një udhëtim pamor që do të përkojë me ngjarjen. Përveç kësaj, Autoriteti Postar i Izraelit po zbaton vendimin e tij për të emetuar në të njëjtën kohë një pullë përkujtimore postare që paraqet Tarracat. Rëndësia e kësaj ngjarjeje qëndron kryesisht në pauzën që do të na lejojë të rishikojmë distancën e jashtëzakonshme që ka përshkuar Kauza në zhvillimin e saj gjatë shekullit të njëzetë. Veç kësaj, do të jetë pikërisht rasti që të marrim parasysh implikimet e ardhshme të arritjeve fenomenale që simbolizohen nga ngritja e strukturave monumentale mbi malin e shenjtë të Perëndisë - një ngritje që shpalos para syve të botës qendrat shpirtërore dhe administrative të Besimit tonë.

Ndërkohë që komuniteti ynë ngazëllehet nga këto rrethana emocionuese, le të sjellë ndër mend çdo anëtar se nuk ka kohë për të fjetur mbi dafina. Gjendja e vështirë e tanishme e njerëzimit është kaq e pashpresë saqë nuk lejon qoftë edhe për një çast ngurrimi në ndarjen e Bukës së Jetës, që ka zbritur nga qielli në kohën tonë. Atëhere, le të mos ketë asnjë vonesë në çuarjen para të procesit, i cili i ka të gjitha gjasat për sukses që të ftojë në tryezën e banketit të Zotit të Ushtrive shpirtrat e të gjithë atyre që janë të uritur për të vërtetën.

Urojmë që Ai i Cili ruan fatin e Sistemit të Tij hyjnor t'ju udhëheqë e drejtojë, dhe të konfirmojë çdo përpjekje tuajën drejt realizimit të detyrave urgjente të shtruara para jush.

Shtëpia Universale e Drejtësisë

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :