Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Shoghi Effendi

Ardhja e Drejtësisë Hyjnore
Dispensacioni i Bahá'u'lláh·ut
Nabíl, Lajmëtarët e Agimit
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Shoghi Effendi : Dispensacioni i Bahá'u'lláh·ut
Shoghi Effendi
DISPENSACIONI
I
Bahá'u'lláh-UT
Një shtojcë për
"Parimet e Administrimit Bahá'í"
Original Title:
Dispensation of Bahá'u'lláh
Published by: Bahá'í Publishing Trust England
Reprint edition 1981
Text: Albanian
(c) Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá'í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 1996 - 153 E.B.
B A H Á ' U ' L L Á H - U

Të shumëdashurve të Perëndisë dhe shërbëtoreve të të Mëshirshmit anembanë Perëndimit.

Njerëz punëtorë në Vreshtin Hyjnor:

Më 23 Maj të këtij viti të mbarë, bota Bahá'í do të kremtojë 90-vjetorin e themelimit të Besimit të Bahá'u'lláh-ut. Ne, që në këto çaste gjendemi në pragun e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të parë të epokës Bahá'í mund të ndalemi për të reflektuar rreth dispensacioneve1 të mistershme të këtij Revelacioni kaq madhështor, kaq të rëndësishëm. Sa e gjerë, sa magjepsëse është panorama, që rrokullisja e nëntëdhjetë vjetëve shpalos para syve tanë! Madhështia e saj monumentale sa nuk na shtyp. Mjafton thjesht të sodisësh këtë pamje të pashoqe, për të përfytyruar, edhe pse jo qartë, rrethanat lidhur me lindjen dhe shpalosjen graduale të kësaj Theofanie2 supreme, për të rikujtuar, qoftë edhe në ravijëzimet më skematike luftërat e mjerueshme që shpallën ngritjen e saj dhe shpejtuan marshimin e saj, për të bindur çdo vëzhgues të paanshëm për këto të vërteta të përjetshme që motivojnë jetën e saj dhe që duhet të vazhdojnë ta shtyjnë atë përpara, derisa ajo të arrijë sundimin që i është destinuar.

Mbisunduese në gjithë këtë shfaqje magjepëse ngrihet figura e pakrahasueshme e Bahá'u'lláh-ut, i përkryer në madhështinë e Tij, i qetë, që inspiron nderim të thellë, i paarritshëm në lavdi. I ngjashëm, ndonëse i një rangu më të ulët, dhe i veshur me autoritetin për të kryesuar bashkë me Të fatet e këtij Dispensacioni suprem, në këtë tabllo mendore shkëlqen lavdia rinore e Báb-it, i pafundmë në butësinë e Tij, i papërballueshëm në magjepsjen e Tij, i pakapërcyeshëm në heroizmin e Tij, i pashoq në rrethanat dramatike të jetës së Tij të shkurtër por plot ngjarje. Dhe, më në fund, shfaqet, edhe pse në një plan të vetin e në një kategori krejt të veçantë nga ajo që zinin Figurat binjake që i paraprinë Atij, personaliteti drithërues, magnetik i 'Abdu'l-Bahá-it, që pasqyron në një shkallë që askush, sado e lartësuar që të jetë pozita e tij, nuk mund të shpresojë ta rivalizojë, lavdinë dhe fuqinë që e kanë vetëm Ata që janë Manifestimet e Perëndisë.

Me ngjitjen në qiell të 'Abdu'l-Bahá-it, dhe në mënyrë më të veçantë pasi ndërroi jetë motra e Tij e shumëdashur dhe e shkëlqyer, Gjethja Më e Lartësuar - mbijetuesja e fundit e një epoke të lavdishme e heroike - iu afrua fundit kreu i parë e më prekës i historisë Bahá'í, që shënon mbylljen e Periudhës Parësore, Apostolike të Besimit të Bahá'u'lláh-ut. Ishte 'Abdu'l-Bahá-i Ai Që, me anë të Vullnetit dhe Testamentit të Tij rëndë-sishëm, farkëtoi hallkën jetësore që duhet të lidhë përgjithmonë epokën që sapo mbaroi me atë në të cilën ne jetojmë - periudhën Kalimtare e Formuese të Besimit - një stad që, kur të vijë koha, duhet të arrijë lulëzimin e tij dhe të japë frytet e tij në arritjet e shkëlqyera e triumfet që do të lajmërojnë Epokën e Artë të Revelacionit të Bahá'u'lláh-ut.

Miq të shumëdashur! Forcat vërshuese që u çliruan aq mrekullisht përmes veprimtarisë së dy Manifestimeve të pavarura që erdhën shpejt njëra pas tjetrës, tani, para syve tanë e nën kujdesin e drejtuesve të zgjedhur të një Besimi gjerësisht të përhapur, hap pas hapi po grumbullohen e disiplinohen. Ato po kristalizohen pak nga pak në institucione, që së shpejti do të shihen si prova e lavdia e epokës të cilën ne kemi për detyrë ta vendosim dhe ta bëjmë të pavdekshme me veprat tona. Sepse nga përpjekjet tona të sotme dhe, mbi të gjitha, nga shkalla në të cilën ne do të përpiqemi të rimodelojmë jetët tona sipas shembullit të heroizmit sublim të atyre që kanë shkuar para nesh, do të varet efikasiteti i instrumentave që po artojmë tani - instrumenta që duhet të ngrejnë strukturën e asaj Konfederate të lumtur, e cila duhet të shënojë Epokën e Artë të Besimit tonë.

Nuk kam për qëllim, ndërsa hedh vështrimin prapa në ato vite të mbushura me vepra heroike, të përpiqem të jap qoftë edhe një pasqyrë kalimthi të ngjarjeve që kanë ndodhur pas vitit 1844 deri më sot. As nuk është qëllimi im të ndërmarr një analizë të forcave që i kanë shpejtuar ato, ose të vlerësoj ndikimin e tyre mbi popuj e institucione pothuajse në çdo kontinent të globit. Përshkrimi autentik i jetës së besimtarëve të parë të periudhës fillestare të Besimit tonë, bashkë me kërkimin e zellshëm që historianë kompetentë Bahá'í do të ndërmarrin në të ardhmen, do t'ia dalin mbanë t'u transmetojnë pasardhësve një paraqitje të tillë mjeshtërore të historisë së asaj epoke, që përpjekjet e mia kurrë nuk do ta bënin dot. Preokupimi im kryesor në këtë periudhë sfiduese të historisë Bahá'í është më shumë të tërheq vëmendjen e atyre që janë të destinuar për të qenë ndërtuesit pararojë të Rendit Administrativ të Bahá'u'lláh-ut rreth disa të vërtetave themelore, ndriçimi i të cilave do t'i ndihmonte së tepërmi ata në zbatimin efektiv të ndërmarrjes së tyre vigane.

Për më tepër, statusi ndërkombëtar që Feja e Perëndisë ka arritur tashmë, kërkon në mënyrë imperative që të sqarohen përfundimisht parimet bazë të saj. Shtytja pa precedent që bëmat e shkëlqyera të besimtarëve amerikanë i kanë dhënë marshimit përpara të Besmit; interesimi i madh që Mashrikul-Azkari [Mashriqu'l-Adhkár] i parë i Perëndimit po zgjon me shpejtësi midis racave e kombeve të ndryshme; ngritja dhe konsolidimi i qëndrueshëm i institucioneve Bahá'í në jo më pak se dyzet nga vendet më të përparuara të botës; përhapja e literaturës Bahá'í në jo më pak se njëzet e pesë prej gjuhëve më të folura; suksesi që kanë pasur në këto kohët e fundit përpjekjet mbarëkombëtare të besimtarëve persianë në hapat fillestare që ata kanë ndërmarrë për vendosjen, në periferinë e kryeqytetit të vendlindjes së tyre, të Mashrikul-Azkarit të tretë të botës Bahá'í; masat që po merren për formimin e ngutshëm të së parës Asamble Shpirërore Kombëtare të tyre, që do të përfaqësojë interesat e shumicës dërrmuese të pasuesve Bahá'í; ngritja e projektuar edhe e një shtylle tjetër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, e para e këtij lloji, në Hemisferën Jugore; dëshmitë, me gojë e me shkrim, që një Besim i përpjekjeve ka marrë nga Pushteti Mbretëror, nga institucione qeveritare, nga gjykata ndërkombëtare e nga ofiqarë të lartë kishtarë; publiciteti që ka marrë ai nga akuzat që armiq të pamëshirshëm, të rinj e të vjetër, kanë lëshuar kundër tij; çlirimi zyrtarisht i një pjese të pasuesve të Tij prej prangave të ortodoksisë myslimane në një vend që mund konsiderohet si më i ndriçuari midis kombeve islamike - këto na japin prova të shumta të vrullit gjithnjë e më të madh me të cilin komuniteti i pathyeshëm i Emrit Më Të Madh po marshon drejt fitores përfundimtare.

Miq të shumëdashur! E ndiej për detyrë, për arsye të detyrimeve e përgjegjësive që, si Ruajtësi i Besimit të Bahá'u'lláh-ut, më takon të kryej, ta vë theksin në mënyrë të veçantë, në një kohë që drita e publicitetit po përqëndrohet gjithnjë e më shumë mbi ne, në disa të vërteta që qëndrojnë në themel të Besimit tonë, tërësinë e të cilave është detyra jonë e parë ta ruajmë. Këto të vërteta, në qoftë se mbështeten me guxim dhe asimilohen si duhet, jam i bindur se do të forcojnë shumë fuqinë e jetës sonë shpirtërore dhe do të ndihmojnë së tepërmi për t'iu kundërvënë makinacioneve të një armiku këmbëngulës e syhapur.

Përpjekja për të pasur një kuptim më të drejtë të rëndësisë së Revelacionit të mrekullueshëm të Bahá'u'lláh-ut mbetet, sipas bindjes sime të pandryshueshme, detyrimi i parë dhe objekti i përpjekjeve të vazhdueshme të secilit prej pasuesve të tij besnikë. Një kuptim i saktë e i plotë i një sistemi kaq të gjerë, i një revelacioni kaq sublim, i një besimi kaq të shenjtë është, për arsye të qarta, tej kufijve e horizontit të mendjeve tona të kufishme. Ne mundemi, sidoqoftë, dhe është detyra jonë e natyrshme të kërkojmë të marrim frymëzim e mbështetje të re, ndërsa punojmë për përhapjen e Besimit të Tij, nëpërnjet një kuptimi më të qartë të të vërtetave që ai ruan dhe të parimeve mbi të cilat bazohet.

Në një njoftim drejtuar besimtarëve amerikanë, duke shpjeguar pozitën e Báb-it, unë kam bërë kalimthi një referencë për madhështinë e pakrahasueshme të Revelacionit, Pararendës të përunjur të të cilit Ai e konsideronte Veten. Ai, të Cilin Bahá'u'lláh-u e pat shpallur në Qitapi Ikan [Kitáb-i-Iqán] si të premtuarin Kaim [Qá'im],3 Që manifestoi jo më pak se njëzetepesë nga të njëzeteshtatë shkronjat që ishin të destinuar të revelonin të gjithë Profetët - një Revelues kaq i madh ka dëshmuar Ai Vetë për epërsinë e atij Revelacioni superior që së shpejti do të zëvendësonte të Vetin. "Fara", pohon Báb-i në Bajanin [Bayán] Persian, "që bart brenda vetes potencialet e Revelacionit që do të vijë është e pajisur me një fuqi më të lartë se të gjitha forcat e bashkuara të të gjithë atyre që më pasojnë mua". "Nga të gjitha homazhet", pohon gjithashtu Ai, "që i kam bërë Atij që do të vijë pas Meje, më i madhi është ky, rrëfimi Im i shkruar, se asnjë fjalë e Imja nuk mund ta përshkruajë si duhet Atë, as do të mundej ndonjë referencë për Të në Librin Tim, Bajanin, t'i jepte hakun Kauzës së Tij". "Bajani", deklaron Ai në mënyrë kategorike në po atë libër, "dhe çdo gjë që përmban ai sillet rreth thënies për 'Atë Që Perëndia do ta shfaqë', ashtu si Alifi (Ungjilli) dhe çdo gjë që përmban ai sillej rreth thënies së Muhametit, Apostullit të Perëndisë". "Sikur njëmijë herë ta lexosh Bajanin", vë në dukje Ai më tej, "kjo nuk mund të krahasohet me leximin e një vargu të vetëm që do të revelohet nga'Ai Që Perëndia do ta shfaqë'. ... Sot Bajani është në stadin e farës; në fillimin e manifestimit të 'Atij Që Perëndia do ta shfaqë' përsosuria e tij sipërore do të bëhet e dukshme ... Bajani dhe ata që janë besimtarë të tij digjen më me zjarr për Të sesa digjet çdo dashnor për të shumëdashurën e vet....Bajani e merr gjithë lavdinë e vet nga 'Ai Që Perëndia do ta shfaqë'. I gjithë bekimi qoftë mbi atë që beson tek Ai dhe turpi rëntë mbi atë që hedh poshtë të vërtetën e Tij".

Duke iu drejtuar Seid Jahja Darabit [Siyyid Yahyáy-i-Dárábi], të mbiquajtur Vahid, që ishte më i dituri, më elokuenti e njeriu më me influencë ndër pasuesit e Tij, Báb-i shqipton këtë paralajmërim: "Për drejtësinë e Atij, fuqia e të Cilit bën që fara të mbijë dhe Që fut frymën e jetës në të gjitha gjërat, sikur Unë të isha i sigurt se, në ditën e shfaqjes së Tij, ti do ta mohoje Atë, Unë do të hiqja dorë pa ngurrim prej teje dhe nuk do ta pranoja besën tënde.... Në qoftë se, nga ana tjetër, do të mësoja se një i krishterë që nuk beson në fenë Time, do të besonte tek Ai, Unë do ta doja atë si bebëzën e Syrit Tim".

Në njërën prej lutjeve të Tij, Ai bisedon kështu me Bahá'u'lláh-un: "I lartësuar je Ti, O Zoti im i Gjithëfuqishëm! Sa e papërfillshme dhe e përçmuar duket fjala ime dhe çdo gjë që më përket mua, në qoftë se ato nuk lidhen me lavdinë Tënde të madhe. Bëj që përmes ndihmës së hirit Tënd, çdo gjë që më përket mua të mund të jetë e pranueshme në sytë e Tu".

Në Kajumul Esma [Qayyúmu'l-Asmá']4 - komentin që Báb-i bën për Surenë e Josifit - të cilin autori i Ikanit [Iqán] e karakterizon si "të parin, më të madhin e më të fuqishmin" e librave të reveluara nga Báb-i, lexojmë referencat e mëposhtme për Bahá'u'lláh-un: "Prej hiçit, O Mjeshtër i madh e i gjithëfuqishëm, Ti, me anë të pushtetit qiellor të fuqisë Tënde, më linde e më rrite që të shpall këtë Revelacion. Unë nuk kam bërë askënd, veç Teje, besimin tim; Unë nuk jam kapur pas ndonjë vullneti tjetër veç vullnetit Tënd... O Ti Gjurmë e Perëndisë! Unë e flijova tërësisht veten për Ty; Unë pranova për hirin Tënd mallkime, dhe s'dëshirova me aq zjarr gjë tjetër veç martirizimit në shtegun e dashurisë Tënde. Dëshmitar i mjaftueshëm më është Perëndia, i Lavdëruari, Mbrojtësi, i Lashti i Kohëve". "Dhe kur të vijë ora e caktuar", i drejtohet Ai përsëri Bahá'u'lláh-ut në të njëjtin koment, "me lejen e Perëndisë, Urtíplotit, revelo Ti nga majat e Malit Më të Lartë e Mistik, një grimcë, një vezullim pafundësisht të vogël të Misterit Tënd të padepërtueshëm, saqë ata që kanë njohur shkëlqimin e Ndriçimit Sinaik të bien pa ndjenja e pa frymë kur të kapin një vegim të vetëtimtë të Dritës së pamëshirshme e ngjyrë kërmëz që mbështjell Revelacionin Tënd".

Si dëshmi tjetër e madhështisë së Revelacionit që njejësohet me Bahá'u'lláh-un, mund të citohen pjesët e mëposhtme nga një Tabelë që 'Abdu'l-Bahá-i i drejtonte një Zoroastriani të shquar, pasues të Besimit: "Ti ke shkruar se në librat e shenjta të pasuesve të Zoroastrit është shkruar se në ditët e fundit, në tri Dispensacione të veçanta, dielli duhet të ndalet. Në Dispensacionin e parë, është profetizuar, dielli do të mbetet i palëvizur për dhjetë ditë; në të dytin për dyfishin e kësaj kohe; në të tretin jo më pak se një muaj të tërë. Interpretimi i kësaj profecie është ky: Dispensacioni i parë të cilit i referohet është Dispensacioni Muhamedan, gjatë të cilit Dielli i së Vërtetës qëndroi i palëvizshëm për dhjetë ditë. Çdo ditë llogaritet si një shekull. Dispensacioni Muahmedan duhet të ketë zgjatur, pra, jo më pak se njëmijë vjet, që është ekzakt periudha që ka kaluar nga perëndimi i Yllit të Imamatit deri më ardhjen e Dispensacionit të shpallur prej Báb-it. Dipensacioni i dytë të cilit i referohet kjo profeci ka nisur me vetë Báb-in, duke filluar në vitin 1260 A.H. e duke përfunduar në vitin 1280 A.H. Sa për Dispensacionin e tretë - Revelacionin e shpallur nga Bahá'u'lláh-u, - duke qenë se Dielli i së Vërtetës, kur arrin atë pozicion, shkëlqen me gjithë ndriçimin e vet mesditor, kohëzgjatja e tij është caktuar për një periudhë prej një muaji të tërë, që është koha maksimale që i duhet diellit për të kaluar nëpër një shenjë të Zodiakut. Nga kjo ti mund ta përfytyrosh madhësinë e ciklit Bahá'í - një cikël që duhet të shtrihet për një periudhë prej të paktën pesëqind mijë vjetësh".

Nga teksti i këtij interpretimi të shkoqur e me autoritet të një profecie kaq të lashtë, shihet qartë sesa e nevojshme është që çdo pasues besnik i Besimit të pranojë origjinën hyjnore dhe të mbështesë statusin e pavarur të Dispensacionit Muhamedan. Për më tepër, në këto pasazhe pranohet në mënyrë të qartë vlefshmëria e Imamatit - e atij institucioni të caktuar në mënyrë hyjnore, pasardhës i anëtarit më të shquar të të cilit ishte Vetë Báb-i dhe i cili vazhdoi për një periudhë prej jo më pak se dyqind e gjashtëdhjetë vjetësh të jetë bartësi i zgjedhur i udhërrëfimit të të Gjithëfuqishmit dhe selia e njërit prej dy trashëgimeve më të çmuara të Islamit.

Ne duhet të pranojmë më tej se e njëjta profeci provon karakterin e pavarur të Dispensacionit Bábí dhe konfirmon në mënyrë të tërthortë të vërtetën që, në përputhje me parimin e revelacionit të shkallëzuar, çdo Manifestim i Perëndisë duhet t'u dhurojë njerëzve të kohës së Tij një sasi udhërrëfmi hyjnor më të gjerë nga ajo që një epokë e mëparshme e më pak e ndieshme mund të merrte ose të vlerësonte. Për këtë arsye, dhe jo për ndonjë meritë më të lartë që mund të thonë se ka Besimi Bahá'í, kjo profeci dëshmon për fuqinë dhe lavdinë e pashoqe me të cilën është i veshur Dispensacioni i Bahá'u'lláh-ut - një Dispensacion, mundësitë e të cilit ne vetëm sa po fillojmë t'i shohim dhe shtrirjen e plotë të të cilave kurrë nuk jemi në gjendje ta përcaktojmë.

Besimi i Bahá'u'lláh-ut duhet me të vërtetë të konsiderohet, nëse duam t'u jemi besnikë atyre gjërave të mëdha që sjell mesazhi i Tij, si pika më e lartë e një cikli, si faza finale në serinë e revelacioneve të shkallëzuara, paraprake e progresive. Këto, duke nisur me Adamin e duke përfunduar me Báb-in, kanë hapur rrugën dhe kanë parashikuar në mënyrë gjithnjë e më të theksuar ardhjen e Ditës së Ditëve, në të cilën Ai Që është Premtimi i të Gjitha Epokave do të shfaqej.

Për këtë të vërtetë dëshmojnë gjerësisht thëniet e Bahá'u'lláh-ut. Një referim i thjeshtë në rivendikimet që, me një gjuhë plot pasion e forcë të parezistueshme, Ai Vetë ka parashtruar në mënyrë të përsëritur, nuk mund veçse të provojë plotësisht karakterin e Revelacionit, bartës i zgjedhur i të cilit Ai ishte. Prandaj në fjalët që kanë buruar prej pendës së Tij - burimi kryesor i një Revelacioni kaq të vrullshëm - duhet ta drejtojmë vëmendjen tonë, nëse duam të arrijmë një kuptim më të qartë të rëndësisë e të domethënies së tij. Qoftë në pohimin e tij për rivendikimin e pashoq që Ai kishte parashtruar, ose në aluzionet e Tij për forcat e mistershme që kishte çliruar, qoftë në pasazhe të tilla ku lartëson lavditë e Ditës së Tij të shumëpritur, ose ngre lart pozitën që do të arrijnë ata që i kanë njohur vetitë e saj të fshehura, Bahá'u'lláh-u dhe, në një shkallë pothuajse të njëjtë, Báb-i dhe 'Abdu'l-Bahá-i, u kanë lënë pasardhësve miniera të një pasurie të tillë të paçmuar, sa asnjëri pej nesh që i përket kësaj breznie nuk është në gjendje t'i llogaritë si duhet. Dëshmi të tilla lidhur me këtë çështje bartin një fuqi të tillë dhe shfaqin një bukuri të tillë, sa vetëm ata që njohin mirë gjuhët në të cilat ato janë reveluar fillimisht mund të pretendojnë t'i kenë vlerësuar si duhet. Kaq të shumta janë këto dëshmi, sa do të duhej të shkruhej një vëllim i tërë për të përmbledhur më të rëndësishmet prej tyre. Gjithçka që unë mund të guxoj të bëj tani, është të ndaj me ju vetëm ato pasazhe, që unë kam qenë në gjendje të qëmtoj nga shkrimet e Tij voluminoze.

"Unë dëshmoj para Perëndisë", deklaron Bahá'u'lláh-u, "për madhështinë, madhështinë e papërfytyrueshme të këtij Revelacioni. Përsëri e përsëri kemi dëshmuar Ne në shumicën e Tabelave Tona për këtë të vërtetë, që njerëzimi të zgjohet nga shkujdesja e tij". "Në këtë Revelacion tepër të fuqishëm", thotë pa mëdyshje Ai, "të gjitha Dispensacionet e së kaluarës kanë arritur përmbushjen e tyre më të lartë e përfundimtare". "Ajo që është shfaqur në këtë Revelacion sipëror, kaq të lartësuar, mbetet e pashoqe në analet e së shkuarës, dhe as do të shohin një gjë të ngjashme epokat e ardhshme". "Është Ai", deklaron më tej Ai duke iu referuar Vetvetes, "Që në Dhiatën Vjetër është quajtur Jehova, Ai Që në Ungjillin është përcaktuar si Shpirti i së Vërtetës dhe Që në Kuranin është shpallur si Lajmërimi i Madh". "Po të mos ishte Ai, asnjë Lajmëtar Hyjnor nuk do të ishte veshur me rrobën e profetërisë, as do të ishte reveluar ndonjë prej shkrimeve të shenjta. Për këtë dëshmojnë të gjitha gjërat e krijuara". "Fjala që i vetmi Perëndi i vërtetë shqipton në këtë ditë, edhe sikur kjo fjalë të jetë më e njohura e më e rëndomta, është e veshur me shquarsi supreme, të pashoqe". "Përgjithësisht njerëzimi është ende i papjekur. Po të kishte fituar aftësi të mjaftueshme, Ne do t'i kishim dhuruar atij një sasi kaq të madhe të dijes Sonë, saqë të gjithë ata që jetojnë mbi tokë e në qiell do ta shihnin veten, në sajë të mirësisë që rrjedh nga Penda Jonë, krejt të pavarur nga të gjitha dijet, veç dijes së Perëndisë, dhe do ta kishim vendosur të sigurt mbi fronin e qetësisë së përhershme". "Penda e Shenjtërisë, Unë pohoj solemnisht para Perëndisë, ka shkruar mbi ballin Tim borë të bardhë dhe me germa të lavdisë së shndritshme këto fjalë flakëritëse, erëmira e të shenjta: "Shikoni ju që jetoni mbi tokë, dhe ju banorë të qiellit dëshmoni, me të vërtertë Ai është i Shumëdashuri juaj. Është Ai, të ngjashëm me të Cilin bota e krijimit nuk ka parë, Ai bukuria rrëmbenjëse e të Cilit ka kënaqur syrin e Perëndisë, Urdhëruesit, të Gjithëpushtetshmit, të Pakrahasueshmit!'"

"Pasues të Ungjillit", thërret Bahá'u'lláh-u duke iu drejtuar gjithë botës së Krishterë, "shikoni, portat e qiellit janë hapur. Ai që u ngjit atje, tani është kthyer. Dëgjojeni zërin e tij që thërret me zë të lartë mbi tokë e mbi det duke i shpallur gjithë njerëzimit ardhjen e këtij Revelacioni - një Revelacion përmes veprimit të të cilit Gjuha e Madhështisë tani shpall: 'Ja, Premtimi i shenjtë u përmbush, sepse Ai, i Premtuari, ka ardhur!'" "Zëri i të Birit të Njeriut po thërret me zë të lartë nga lugina e shenjtë: 'Ja ku jam, ja ku jam, O Perëndi, Perëndia im!'...ndërsa nga Driza e Përflakur ngrihet thirrja: 'Ja, Dëshira e botës u shfaq në lavdinë e Saj të përsosur!' Ati erdhi. Ajo që ju qe premtuar në Mbretërinë e Perëndisë u përmbush. Kjo është Fjala që Biri e fshehu, kur u tha atyre përreth Tij se në atë kohë ata nuk mund ta mbanin peshën e saj ... Me të vërtetë Shpirti i së Vërtetës erdhi që t'ju udhëheqë ju drejt të gjitha të vërtetave... Është Ai Që i thuri lavdi Birit dhe lartësoi Kauzën e Tij..." "Ngushëlluesi, ardhjen e të cilit e kanë premtuar të gjitha shkrimet, tani ka ardhur që t'ju revelojë juve të gjitha dijet e urtinë. Kërkojeni Atë në tërë sipërfaqen e tokës, se mbase e gjeni".

"Thirre Sionin, O Karmel", shkruan Bahá'u'lláh-u, "dhe shpalli lajmin e gëzuar: 'Ai që ishte i fshehur prej syve të të vdekshmëve ka ardhur! Sovraniteti i Tij gjithëpushtues u shfaq; shkëlqimi i Tij gjithëpërfshirës u revelua... Nxito dhe bjeri përqark Qytetit të Perëndisë që ka zbritur nga qielli, Qabesë qiellore, rreth së cilës janë mbledhur në adhurim të preferuarit e Perëndisë, të dëlirët në zemër, dhe aradhja e engjëjve më të lartë'". "Unë jam Ai", pohon Ai në një rast tjetër, "të Cilin gjuha e Isaisë e ka lartësuar, Ai me emrin e të Cilit janë stolisur Torahu dhe Ungjilli". "Lavdia e Sinait nxitoi të qarkonte agimin e këtij Revelacioni, ndërsa nga lartësitë e Mbretërisë zëri i Birit të Perëndisë është dëgjuar të shpallte: 'Mblidhni veten, ju krenarë të tokës, dhe nxitoni drejt Atij'. Karmeli në këtë ditë nxitoi me adhurim të zjarrtë për të arritur oborrin e Tij, ndërsa nga zemra e Sionit vinte thirrja: 'Premtimi i të gjitha epokave tani është përmbushur. Ajo që është njoftuar në shkrimet e shenjta të Perëndisë, të Shumëdashurit, Më të Lartit, u shfaq'". "Hixhazi [Hijáz] është i eksituar nga flladi që njofton lajmin e mirë për bashkimin e gëzuar. 'Lëvduar qofsh Ti,' e dëgjojmë të thërrasë, 'O Zoti im, Më i Larti. Unë isha i vdekur nga ndarja prej Teje; flladi i ngarkuar me aromën e pranisë Tënde më ktheu përsëri në jetë. Lum ai që kthehet drejt Teje dhe mjerë ai që largohet'". "Për të vetmin Perëndi të vërtetë, Ilia nxitoi për në oborrin Tim dhe i ra përqark ditë e natë fronit tim të lavdisë". "Sollomoni në gjithë madhështinë e tij sillet me adhurim rreth Meje në këtë ditë, duke shqiptuar këto fjalë kaq të lartësuara: 'Unë e kam kthyer fytyrën time drejt fytyrës Tënde, O Ti Sundimtar i gjithëfuqishëm i botës! Unë jam krejtësisht i shkëputur nga të gjitha gjërat që më përkasin mua dhe dëshiroj me zjarr ato që zotëron Ti'". "Sikur Muhameti, Apostulli i Perëndisë ta arrinte këtë Ditë", shkruan Bahá'u'lláh-u në një Tabelë të reveluar në prag të mërgimit të Tij për në koloninë e të internuarve të Akrës ['Akká], "Ai do të thërriste: 'Unë të kam njohur me të vërtetë Ty, O Ti Dëshira e Lajmëtarëve Hyjnorë!' Sikur Abrahami ta arrinte atë, Ai gjithashtu do të binte me fytyrë përtokë dhe me përunjësinë më të madhe para Zotit Perëndisë tënd, do të thërriste: 'Zemra ime u mbush me paqe, O Ti Zoti i gjithçkaje në qiell e mbi tokë! Unë dëshmoj se Ti ke zbuluar para syve të mi gjithë lavdinë e pushtetit Tënd dhe tërë madhështinë e ligjit Tënd! '...Sikur Vetë Moisiu ta arrinte atë, Ai po kështu do të ngrinte zërin duke thënë: 'Lëvduar qofsh Ti, që ngrite mbi mua dritën e shëmbëlltyrës Tënde dhe më radhite ndër ata që kanë pasur privilegjin të sodisin fytyrën Tënde!'" "Veriu dhe Jugu vibrojnë të dy me thirrjet që shpallin ardhjen e Revelacionit tonë. Ne mund të dëgjojmë zërin e Mekës që thërret: 'Lëvduar qofsh Ti, O Zot Perëndia im, Lavdiploti, sepse përhape mbi mua frymën që kundërmon me aromat e pranisë Tënde!' Jerusalemi, po kështu, thërret fort: 'I lavdëruar e i lartësuar je Ti, O i Shumëdashuri i tokës e i qiellit, që e ktheve agoninë e ndarjes sime prej Teje në gëzim të një bashkimi jetëdhënës!'"

"Për drejtësinë e Perëndisë", pohon Bahá'u'lláh-u, duke dashur të zbulojë fuqinë e plotë të pushtetit të Tij të pamposhtur, "sikur një njeri, krejt i vetëm, të ngrihej në emrin e Bahá-it dhe të vishte parzmoren e dashurisë së Tij, atë i Gjithëfuqishmi do ta bënte fitimtar, edhe po të rreshtoheshin kundër tij forcat e qiellit e të tokës". "Për atë Perëndi veç të Cilit nuk ka Perëndi tjetër! Sikur ndonjëri të ngrihej për triumfin e Kauzës sonë, atë Perëndia do ta bënte fitimtar, edhe po të lidheshin kundër tij dhjetëra mijë armiq. Dhe në qoftë se dashuria e tij për Mua do të bëhej më e fortë, Perëndia do ta vendoste sundimin e tij mbi të gjitha fuqitë e tokës e të qiellit. Kështu e kemi futur Ne shpirtin e fuqisë në të gjitha krahinat".

"Kjo është Mbreti i Ditëve", kështu ngre lart Ai epokën që u bë dëshmitarja e ardhjes së Revelacionit të Tij, "Dita që ka parë ardhjen e Më të Shumëdashurit, të Atij që përmes gjithë përjetësisë është brohoritur si Dëshira e Botës". "Bota e qenies ndriçon në këtë Ditë me shkëlqimin e këtij Revelacioni Hyjnor. Të gjitha krijesat lartësojnë hirin e tij shpëtimtar dhe i thurin lavde. Universi është përfshirë nga një ekstazë gëzimi e hareje. Shkrimet e Dispensacioneve të shkuara kremtojnë jubileun e madh që duhet të përshëndesë këtë më të madhen Ditë të Perëndisë. Lum ai që ka jetuar për ta parë këtë Ditë dhe ka njohur pozitën e saj. "Sikur njerëzimi t'i kushtonte vëmendje në mënyrën e duhur jo më shumë se një fjale lavdërimi të tillë, ai do të mbushej me aq kënaqësi sa do të mposhtej e humbiste nga habia. Pastaj, i magjepsur, do të shkëlqente me ndriçim mbi horizontin e kuptimit të vërtetë".

"Jini të ndershëm, ju popuj të botës", kështu i drejtohet Ai njerëzimit, "a është e mirë dhe e hijshme për ju të vini në pikëpyetje autoritetin e atij, praninë e të Cilit 'Ai që bisedoi me Perëndinë' (Moisiu) dëshironte aq shumë ta arrinte, bukurinë e pamjes së të cilit 'i Shumëdashuri i Perëndisë' (Muhameti) përgjërohej ta shihte, me fuqinë e dashurisë së të Cilit 'Shpirti i Perëndisë' (Jesui) u ngjit në qiell, për hir të të Cilit 'Pika Parësore' ( Báb-i) dha jetën e Tij?" "Shfrytëzojeni rastin", u tërheq vëmendjen Ai pasuesve të Tij, "sepse një çast fluturues i kësaj Dite ua kalon shekujve të një epoke të shkuar ... As dielli, as hëna nuk kanë parë një ditë si kjo ... Është e qartë se çdo epokë në të cilën një Manifestim i Perëndisë ka jetuar është e përcaktuar në mënyrë hyjnore dhe, në një pikëpamje, mund të karakterizohet si Ditë e caktuar e Perëndisë. Kjo Ditë, sidoqoftë, është e pashoqe dhe duhet dalluar nga ato që i kanë paraprirë asaj. Përcaktimi 'Vula e Profetëve' zbulon e tregon plotësisht pozitën e saj të lartë".

Duke u ndalur në forcat që fshihen në Revelacionin e Tij, Bahá'u'lláh-u revelon këto që vijojnë: "Me anë të lëvizjes së Pendës Sonë të lavdisë Ne, sipas urdhërit të Urdhëruesit të gjithëfuqishëm, kemi fryrë një jetë të re në çdo formë njerëzore dhe kemi futur fuqi të re në çdo fjalë. Të gjitha gjërat e krijuara shpallin shenjat e kësaj ripërtëritjeje të përbotshme". "Ky është", shton Ai, "lajmi më i madh, më i gëzueshëm që i është dhënë njerëzimit nga penda e Këtij të munduari". "Sa e madhe", thërret Ai në një pasazh tjetër, "është Kauza! Sa tronditëse pesha e mesazhit të saj! Kjo është Dita për të cilën është thënë: 'O biri im! Me të vërtetë Perëndia do të nxjerrë çdo gjë në dritë, edhe sikur ajo të peshojë sa një farë sinapi dhe të jetë e fshehur në një shkëmb, ose në qiej a në tokë; sepse Perëndia është mendjehollë dhe i di të gjitha'". "Për drejtësinë e të vetmit Perëndi të vërtetë! Sikur një thërmijëz guri të çmuar të humbiste e të varrosej nën një mal gurësh, ose të mbetej e fshehur tej shtatë detrave, Dora e Gjithëfuqisë me siguri do ta gjente në këtë ditë, të pastër e të qëruar nga papastërtitë". "Ai që pi nga ujërat e Revelacionit Tim do të shijojë të gjitha kënaqësitë që nuk kanë mort, të vendosura nga Perëndia që nga fillimi që nuk ka fillim deri në fundin që nuk ka fund". "Çdo germë e veçantë që del prej gojës Sonë ka një fuqi të tillë rilindëse sa ta bëjë atë të sjellë në jetë një krijim të ri - një krijim përmasat e të cilit janë të padepërtueshme për të gjithë veç Perëndisë. Ai me të vërtetë ka dijeni për të gjitha gjërat". "Është në dorën Tonë, po të duam, ta bëjmë një thërrmijëz pluhuri që endet në ajër të lindë, në më pak se të hapësh e të mbyllësh sytë, diej të një shkëlqimi të pafund, të papërfytyrueshëm, ta bëjmë një pikë vese të zhvillohet në oqeane të gjera e të panumërta, t'i japim çdo germe një fuqi të tillë sa të shpalosë të gjitha dijet e epokave të shkuara e të ardhme". "Ne zotërojmë një fuqi të tillë që po të nxirrej në dritë do ta kthente helmim më vdekjeprurës në ilaç shërues të një dobie të pagabueshme".

Duke çmuar pozitën e besimtarit të vërtetë, Ai vëren: "Për mjerimet që i kanë rënë bukurisë së Lavdiplotit! Pozita e caktuar për besimtarin e vërtetë është e tillë, sa sikur lavdia e asaj pozite t'i zbulohej njerëzimit qoftë edhe më pak se një vrimë gjilpëre, çdo shikues do të shkrihej i tëri në përgjërimin për ta arritur atë. Për këtë arsye është urdhëruar që në këtë jetë tokësore përmasat e plota të lavdisë së vetë pozitës së tij të mbeten të fshehura nga sytë e një besimtari të tillë." "Sikur perdja të ngrihej", thotë po ashtu Ai, "dhe lavdia e plotë e pozitës së atyre që e kanë kthyer tërësisht fytyrën ndaj Perëndisë e që nga dashuria për Të kanë hequr dorë nga bota, të bëhej e dukshme, tërë krijimi do të mbetej pa gojë".

Duke theksuar karakterin sipëror të Revelacionit të Tij në krahasim me Dispensacionin e mëparshëm, Bahá'u'lláh-u bën këtë pohim: "Sikur të gjithë popujt e botës të visheshin me pushtetet e atributet e destinuara për Shkronjat e të Gjallit, nxënësit e zgjedhur të Báb-it, pozita e të cilëve është dhjetëmijë herë më e lavdishme se ajo që kanë arritur apostujt e së kaluarës, dhe sikur ata, të gjithë pa përjashtim, të ngurronin aq sa të hapësh e të mbyllësh sytë për të njohur dritën e Revelacionit Tim, besimi i tyre nuk do të vlente asgjë dhe ata do të radhiteshin ndër të pabesët". "Kaq i fuqishëm është vërshimi i mirësive Hyjnore në këtë Dispensacion sa, sikur duar të vdekshme të ishin aq të shpejta sa t'i shkruanin ato, brenda një dite e një nate të vetme do të buronin vargje në një numër të tillë sa të ishin të barabarta me Bajanin Persian".

"Vërini veshin paralajmërimit tim, ju njerëz të Persisë," kështu u drejtohet Ai bashkëatdhetarëve të vet, "Sikur Unë të vritem nga duart tuaja, Perëndia me siguri do të ngrejë dikë që të zerë vendin e mbetur bosh prej vdekjes sime; sepse kjo është metoda që Perëndia ka zbatuar prej kohësh, dhe ju nuk do të gjeni asnjë ndryshim në mënyrën e veprimit të Perëndisë". "Sikur ata të përpiqen të fshehin dritën e Tij mbi kontinent, Ai me siguri do të nxjerrë kokën në vetë zemrën e oqeanit dhe, duke ngritur zërin, do të shpallë: "Unë jam jetëdhënësi i botës!"... Dhe sikur ata ta hedhin Atë në një pus të errët, do ta gjejnë të ulur mbi majat më të larta të tokës, duke i thirrur me zë të lartë gjithë njerëzimit: "Ja, Dëshira e botës ka ardhur me madhërinë e Tij, me sovranitetin e Tij, me zotërimin e Tij të lartë!" Dhe sikur Atë ta varrosin nën thellësitë e tokës, Shpirti i Tij, duke fluturuar në lartësitë e qiellit, do të trumbetojë thirrjen: "Vërejeni ardhjen e Lavdisë, shiheni Mbretërinë e Perëndisë, më të Shenjtit, të Hirshmit, Fuqiplotit!". "Dhe nëse Ai do të varrosej nën thellësitë e tokës, shpirti i Tij, duke fluturuar në lartësitë e qiellit, do të lëshonte thirrjet: 'Shikojeni ardhjen e lavdisë; dëshmoni për Mbretërinë e Perëndisë, Më të Shenjtit, të Hirshmit, të Gjithëfuqishmit!'" "Brenda fytit të këtij të riu", është një tjetër deklaratë e habitshme, "janë të burgosura fjalë që, po t'i reveloheshin njerëzimit qoftë edhe më pak se një vrimë gjilpëre, do të mjaftonin për të bërë që çdo mal të shembej, që gjethet e pemëve të çngjyroseshin dhe frutat e tyre të binin; do ta detyronin çdo kokë të përulej me adhurim dhe çdo fytyrë të kthehej e mahnitur ndaj këtij Sundimtari të gjithëfuqishëm, i Cili, në kohë të ndryshme e në mënyra të ndryshme, shfaqet si një flakë gllabëruese, si një oqean i dallgëzuar, si një dritë e shkëlqyeshme, si një pemë që, e rrënjosur në tokën e shenjtërisë, i ngre degët e i shtrin gjymtyrët deri tej fronit të lavdisë së pavdekshme".

Duke parashikuar Sistemin që fuqia e parezistueshme e Ligjit të Tij ishte e destinuar të shpaloste në një epokë të mëvonshme, Ai shkruan: "Ekuilibri botëror është tronditur nga ndikimi drithërues i këtij Rendi Botëror madhështor e të ri. Jeta e organizuar e gjinisë njerëzore është revolucionarizuar nga veprimi i këtij Sistemi unikal, të mahnitshëm, të ngjashëm me të cilin sy të vdekshëm kurrë s'kanë parë". "Dora e Gjithëfuqisë e ka vendosur Revelacionin e Tij mbi themele të papushtueshme, të qëndrueshme. Stuhitë e ndeshjeve njerëzore janë të pafuqishme të minojnë bazat e saj, dhe as do të mundin teoritë e stisura të njerëzve të dëmtojnë strukturën e saj".

Në Surenë e Hejkalit [Súratu'l-Haykal], një prej veprave më polemike të Bahá'u'lláh-ut, janë shkruar vargjet e mëposhtme, që dëshmojnë secili për fuqinë e papërballueshme të injektuar në Revelacionin e shpallur nga Autori i saj: "Asgjë tjetër nuk shihet në tempullin tim veç Tempullit të Perëndisë, e në bukurinë time vetëm Bukuria e Tij, në veten time Vetja e Tij, në lëvijen time Lëvizja e Tij, në pranimin tim Pranimi i Tij dhe në pendën time Penda e Tij, e të Gjithfuqishmit, të Gjithlavdëruarit. Asgjë nuk ka pasur në shpirtin tim veç së Vërtetës, e në veten time asgjë nuk mund të shihet veç Perëndisë". "Vetë Shpirti i Shenjtë ka lindur përmes veprimit të një germe të vetme të reveluar prej këtij Shpirti Më të Madh, në qofshi ndër ata që kuptojnë". ... "Brenda thesarit të Urtisë Sonë qëndron e pareveluar një dije, një fjalë e së cilës, po të vendosnim t'ia zbulonim njerëzimit, do ta bënte çdo njeri ta pranonte Manifestimin e Perëndisë dhe të njihte gjithëdijshmërinë e Tij, do t'i jepte mundësi secilit të zbulonte sekretet e të gjitha shkencave dhe të arrinte një pozitë aq të lartë, sa ta shihte veten krejt të pavarur nga të gjitha dijet e së shkuarës e të së ardhmes. Ne zotërojmë gjithashtu dije të tjera, anjë germë të vetme të të cilave Ne nuk mund të zbulojmë, as e gjejmë Ne njerëzimin të aftë për të dëgjuar qoftë edhe referencën më të thjeshtë për domethënien e tyre. Kështu ju kemi informuar Ne për dijen e Perëndisë, të Gjithëdijshmit, të Urtiplotit". "Po afrohet dita kur Perëndia, me një veprim të Vullnetit të Tij, do të krijojë një racë njerëzish, natyra e të cilëve do të jetë e padepërtueshme për të gjithë veç Perëndisë, të Gjithëfuqishmit, të Vetëqenëshmit". "Së shpejti, Ai do t'i nxjerrë nga Gjoksi i Pushtetit Duart e Ndikimit e të Fuqisë - Duar që do të ngrihen për të arritur fitoren për këtë të Ri dhe që do ta dëlirin njerëzimin nga fundërrinat e të pafetë. Këto Duar do të përvishen për të mbrojtur Besimin e Perëndisë dhe, në emrin Tim, të vetëqenëshmit, të fuqishmit, do të nënshtrojnë popujt dhe fiset e tokës. Ato do të hyjnë në qytete dhe do t'u kallin frikën zemrave të të gjithë banorëve të tyre. Të tilla janë provat e fuqisë së Perëndisë; sa e frikshme, sa e furishme është fuqia e Tij!"

E tillë është, miq të shumëdashur, dëshmia e shkruar prej vetë Bahá'u'lláh-ut për natyrën e Revelacionit të Tij. Për sa u përket pohimeve të Báb-it, çdonjëri prej të cilëve mbështet forcën dhe konfirmon të vërtetën e këtyre deklaratave të shquara, Unë iu referova më lart. Ajo që më mbetet të trajtoj në këtë kuadër janë pasazhe të tilla në shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it, të Interpretuesit të caktuar të vetë këtyre thënieve, për të hedhur më tej dritë dhe për të qartësuar tipare të ndryshme të kësaj çështjeje magjepsëse. Toni i gjuhës së Tij është me të vërtetë po aq shprehës dhe vlerat e Tij jo më pak të ndritshme sesa ato të Bahá'u'lláh-ut ose të Báb-it.

"Duhet të kalojnë shekuj, madje epoka", pohon Ai në një prej Tabelave të hershme të Tij, "para se Ylli i Ditës i së Vërtetës të ndriçojë përsëri me shkëlqimin e vet mesveror, ose të shfaqet përsëri me ndriçimmin e lavdisë së tij pranverore... Sa mirënjohës duhet të ndiehemi ne që jemi bërë në këtë Ditë bartësit e një favori kaq të madh! Sikur të kishim dhjetëmijë jetë që mund t'i jepnim në shenjë falenderimi për një privilegj kaq të rrallë, për një arritje kaq të lartë, për një bujari kaq të paçmuar!" "Soditja e thjeshtë", shton Ai, "e Dispensacionit që nisi me Bukurinë e Bekuar do të mjaftonte për të lënë pa mend shenjtorët e epokave të kaluara - shenjtorë që përgjëroheshin për të përjetuar për një çast lavdinë e tij të madhe". "Shenjtorët e epokave e të shekujve të shkuar, të gjithë pa përjashtim, përgjëroheshin me lot në sy të jetonin, qoftë edhe për një moment, në Ditën e Perëndisë. Dëshirat e paplotësuara të tyre ata i plotësuan në Jetën e Madhe të Përtejme. Sa e madhe është, pra, bujaria e Bukurisë Abhá Që, pa marrë parasysh pavlershmërinë tonë të plotë, me mirësinë e hirin e Tij na ka dhënë neve në këtë shekull hyjnisht të ndriçuar shpirtin e jetës, na ka mbledhur nën flamurin e të Shumëdashurit të botës dhe ka vendosur të na japë një dhuratë bujare, për të cilën të fuqishmit e epokave të shkuara më kot janë përgjëruar". "Shpirtërat e më të preferuarve në tubimin e epërm", thotë Ai po kështu, "banorët e shenjtë të Parajsës më të lartë, janë mbushur në këtë ditë me dëshirë të zjarrtë për t'u kthyer në këtë botë, që të mund të kryejnë çdo shërbim që e kanë në dorë të bëjnë në pragun e Bukurisë Abhá".

"Shkëlqimi i mëshirës së ndritshme të Perëndisë", deklaron Ai në një pasazh që bën fjalë për rritjen dhe për zhvillimin e ardhshëm të Besimit, "i ka mbështjellë popujt dhe fiset e botës, dhe gjithë bota është zhytur në lavdinë e tij shkëlqimplotë ... Së shpejti do të vijë dita, kur drita e unitetit Hyjnor do ta ketë përshkuar aq shumë Lindjen dhe Perëndimin, sa askush nuk do të guxojë më ta injorojë atë". "Tani në botën e qenies Dora e fuqisë hyjnore ka hedhur fort themelet e kësaj bujarie kaq të lartë e të kësaj dhuntie të mahnitshme. Çdo gjë që fshihet në brendinë e thellë të këtij cikli të shenjtë gradualisht do të shfaqet e do të bëhet e dukshme, sepse tani është vetëm fillimi i rritjes dhe agimi i revelimit të shenjave të tij. Para mbylljes së këtij shekulli e të kësaj epoke, do të bëhet e qartë dhe e dukshme sa e mahnitshme ka qenë ajo pranverë dhe sa hyjnore ka qenë ajo dhunti!"

Në konfirmim të pozitës së lartësuar të besimtarit të vërtetë, së cilës i referohet Bahá'u'lláh-u, Ai revelon këtë: "Pozita që do të arrijë ai që e ka njohur me të vërtetë këtë Revelacion, është e njëjtë me atë që është urdhëruar për profetë të tillë të shtëpisë së Izrealit që nuk konsiderohen si Manifestime 'të pajisur me qëndrueshmëri'".

Në lidhje me Manifestimet e destinuara për të ndjekur Revelacionin e Bahá'u'lláh-ut, 'Abdu'l-Bahá-i bën këtë deklaratë të përcaktuar e me peshë: "Përsa u përket Manifestimeve që do të vijnë në të ardhmen 'në hijet e reve', dijeni me të vërtetë se, përsa i takon raportit me burimin e frymëzimit të tyre, ata janë nën hijen e Bukurisë së Lashtë. Sidoqoftë, në raportin e tyre me epokën në të cilën ata shfaqen, të gjithë ata pa përjashtim 'bëjnë çdo gjë që dëshiron Ai'".

"O miku im!" kështu i drejtohet Ai në njërën prej Tabelave të Tij një njeriu me autoritet e pozitë të njohur, "Zjarri i pashuar, që Zoti i Mbretërisë ka ndezur në mes të Pemës së shenjtë, po digjet me furi në vetë zemrën e botës. Konflagracioni që do të shkaktojë ai do të përfshijë gjithë tokën. Zjarri i tij flakërues do të ndriçojë popujt dhe fiset e saj. Të gjitha shenjat janë reveluar; çdo aluzion profetik është manifestuar. Çdo gjë që është përfshirë në të gjitha Shkrimet e shenjta të së shkuarës është bërë e qartë. Të dyshosh ose të ngurrosh nuk është më e mundur... Koha nuk pret. Urdhëruesi Hyjnor është i paduruar dhe nuk mund ta zgjatë më tej. Është detyra jonë të sulemi përpara dhe, sa nuk është vonë, të korrim fitoren". Dhe më në fund, kemi këtë pasazh kaq prekës që Ai, në një moment ngazëllimi, u shty t'i drejtonte njërit prej pasuesve të Tij më të besuar e më të shquar në ditët e hershme të shërbimit të Tij: "Ç'mund të them më tepër Unë? Ç'gjë tjetër mund të tregojë penda ime? Kaq e fuqishme është thirrja që ushton nga Mbretëria Abhá, sa veshët e vdekshëm pothuajse janë shurdhuar prej dridhjeve të saj. Gjithë krijimi, më duket mua, po çahet e copëtohet nën ndikimin shpërthyes të thirrjeve Hyjnore që dalin prej fronit të lavdisë. Më shumë se kaq Unë nuk mund të shkruaj".

Miq të shumëdashur! Është thënë mjaft dhe citatet e nxjerra nga shkrimet e Báb-it, të Bahá'u'lláh-ut e të 'Abdu'l-Bahá-it janë të shumta në numër e të larmishme, për ta bindur lexuesin e zellshëm për karakterin sublim të këtij cikli të pashoq në historinë fetare të botës. Do të ishte krejt e pamundur të mbivlerësohet rëndësia e tij ose të teprohet ndikimi që ka ushtuar e që përherë e më shumë duhet të ushtrojë ai kur sistemi i tij madhështor të shpaloset midis pështjellimit të një qytetërimi që po shembet.

Për cilindo që mund t'i lexojë këto faqe, një fjalë paralajmërimi duket, sidoqoftë, e këshillueshme para se Unë të vazhdoj të zhvilloj më tej argumentimin tim. Askush nga ata që, në dritën e pasazheve të cituara më lart, meditojnë për natyrën e Revelacionit të Bahá'u'lláh-ut, le të mos gabojë lidhur me karakterin e tij ose të keqinterpretojë qëllimin e Autorit të tij. Karakteri hyjnor që i atribuohet një Qenieje kaq të madhe e mishërimi të plotë të emrave e të atributeve të Perëndisë në një Person kaq të lartësuar, kurrsesi nuk duhet keqkuptuar apo keqinterpretuar. Tempulli njerëzor që u bë bartësi i një Revelacioni kaq të fuqishëm duhet, nëse u qëndrojmë besnikë parimeve të Besimit tonë, të dallohet kurdoherë prej atij "të fshehti Shpirt të Shpirtrave" e "të përjetshmi Thelb të Thelbeve" - prej atij Perëndie të padukshëm por racional, i Cili, sado të lartësojmë ne karakterin hyjnor të Manifestimeve të Tij mbi tokë, nuk mundet kurrsesi të mishërojë Realitetin e Tij të pafundmë, të panjohshëm, të pacënueshëm e gjithëpërfshirës brenda kornizës konkrete e të kufizuar të një qenieje të vdekshme. Me të vërtetë, Perëndia Që do të mishëronte në këtë mënyrë realitetin e Vet, në dritën e mësimeve të Bahá'u'lláh-ut do të pushonte menjëherë së qëni Perëndi. Një teori kaq e papjekur dhe e çuditshme e mishërimit Hyjnor është po aq larg dhe e papajtueshme me parimet e besimit Bahá'í sa dhe konceptet jo më pak të papranueshme panteiste e antropormofike për Perëndinë. Thëniet e Bahá'u'lláh-ut i hedhin poshtë me forcë të dyja këto dhe tregojnë se ato janë krejt të gabuara.

Ai Që në pasazhe të panumërta rivendikonte se thëniet e tij janë "Zëri i Hyjnorisë, Thirrja e Vetë Perëndisë" pohon solemnisht kështu në Qitapi Ikanin [Kitáb-i-Iqán]: "Për çdo zemër që kupton e të ndriçuar është e qartë se Perëndia, Thelbi i panjohshëm, Qenia Hyjnore, është pamasë e lartësuar tej çdo atributi njerëzor si ekzistenca trupore, ngjitja e zbritja, dalja e kthimi ... Ai është, dhe ka qenë gjithmonë, i mbuluar me përjetësinë e lashtë të Thelbit të Tij, dhe do të mbetet në Realitetin e Tij përgjithmonë i fshehur nga sytë e njerëzve ... Ai qëndron i lartësuar mbi e tej çdo ndarjeje e bashkimi, afërsie e largësie ... 'Ishte vetëm Perëndia; nuk kishte asgjë tjetër veç Tij' kjo është një dëshmi e sigurt e kësaj të vërtete".

"Që nga kohë që s'mbahen mend", shpjegon Bahá'u'lláh-u duke folur për Perëndinë, "Ai, Qenia Hyjnore, ishte i veshur me shenjtërinë e ndritshme të Vetes së Tij të lartësuar, dhe do të vazhdojë përjetësisht të jetë i mbështjellë nga misteri i padepërtueshëm i Thelbit të Tij të panjohshëm ... Dhjetëmijë profetë, secili një Moisi, mbetën të shtangur mbi Sinain e kërkimit të tyre nga zëri kërcënues i Perëndisë, 'Ti kurrë nuk do të më shohësh Mua!'; ndërsa mijëra lajmëtarë, secili po aq i madh sa Jesui, qëndrojnë të tmerruar mbi fronet e tyre qiellore nga ndalimi se 'Thelbin Tim ti kurrë nuk do ta kuptosh!'" "Sa turbulluese është për mua, i parëndësishëm siç jam", pohon Bahá'u'lláh-u duke biseduar me Perëndinë, "përpjekja për të depërtuar në thellësitë e shenjta të dijes Tënde! Sa të kota janë përpjekjet e mia për të përfytyruar madhështinë e fuqisë që fshihet në veprën Tënde - revelimin e fuqisë Tënde krijuese!" "Kur Unë sodis, O Perëndia im, marrëdhënien që më lidh mua me Ty", dëshmon Ai në një tjetër lutje të reveluar në shkrimet e Atij vetë, "unë nxitem t'u shpall të gjitha gjërave të krijuara 'me të vërtetë Unë jam Perëndia!'; dhe kur Unë shoh veten time, e gjej atë më të papunuar se argjila!"

"Porta e dijes së të Lashtit të Kohëve", deklaron më tej Bahá'u'lláh-u në Qitapi Ikanin, "duke qenë kështu e mbyllur para të gjitha qenieve, Ai, burimi i mirësisë së pafundme ... ka bërë që këta Margaritarë të Shenjtërisë të shfaqen prej mbretërisë së shpirtit, në formën fisnike të tempullit njerëzor, dhe të bëhen të dukshëm në të gjithë njerëzit, që ata të mund t'i hapin botës misteret e Qenies së pandryshueshme dhe të tregojnë për përsosuritë e Thelbit të Tij të pavdekshëm ... "Të gjithë Profetët e Perëndisë, të preferuarit e Tij, Lajmëtarët e Tij të shenjtë e të zgjedhur janë, pa përjashtim, bartësit e emrave të Tij dhe mishërimet e atributeve të Tij" ... "Këto Faltore të Shenjtërisë, këto Pasqyra Parësore, të cilat pasqyrojnë dritën e një lavdie të pashuar, s'janë veçse shprehje të Atij që është i Padukshmi i të Padukshmëve".

Që Bahá'u'lláh-u, pavarësisht nga intesiteti mbisundues i Revelacionit të Tij, duhet konsideruar, në thelb, si njëri prej këtyre Manifestimeve të Perëndisë, pa u njejësuar kurrë me atë realitet të padukshëm, Thelbin e vetë Hyjnisë, kjo është një prej bindjeve më të rëndësishme të Besimit tonë - një bindje e cila kurrë nuk duhet errësuar dhe vërtetësinë e së cilës asnjë prej pasuesve të saj nuk duhet ta lejojë të shtrembërohet.

As duhet Revelacioni Bahá'í, që rivendikon të jetë kulmi i një cikli profetik dhe përmbushja e premtimit të të gjitha epokave, kurrsesi të përpiqet të shfuqizojë ato parime të para e të përjetshme që frymëzojnë e qëndrojnë në themel të feve që e kanë paraprirë atë. Autoritetin e dhënë nga Perëndia, që i është veshur secilës prej tyre, ai e pranon dhe e vendos si bazën e vet më të qëndrueshme e përfundimtare. Ai nuk i konsideron ato në asnjë dritë tjetër, veçse si faza të ndryshme në historinë e përjetshme e në evolucionin e pandërprerë të një feje të vetme, Hyjnore e të pandarë, një pjesë të pandarë të së cilës përbën edhe ai vetë. Ai nuk kërkon as të errësojë prejardhjen e tyre Hyjnore, as të zvogëlojë madhështinë e pranuar të arritjeve të tyre kolosale. Ai nuk përkrah asnjë përpjekje për të shtrembëruar tiparet e tyre ose të verë në lojë të vërtetat që rrënjosin ato. Mësimet e tij nuk largohen as edhe një fije floku nga të vërtetat që ato bartin, dhe as i heq pesha e mesazhit të tij asnjë grimë e asnjë thërrime ndikimit që ato ushtrojnë ose besnikërisë që frymëzojnë. Pikësynimi i tij nuk është aspak përmbysja e themeleve shpirtërore të sistemeve fetare të botës; qëllimi i tij i pranuar haptazi e i pandryshuar është të zgjerojë bazën e tyre, të rishpallë parimet themelore të tyre, të pajtojë pikësynimet e tyre, të rifuqizojë jetën e tyre, të tregojë njëshmërinë e tyre, të rimëkëmbë pastërtinë e dikurshme të mësimeve të tyre, të bashkërendojë funksionet e tyre dhe të ndihmojë në realizimin e aspiratave të tyre më të larta. Këto fe të reveluara në mënyrë hyjnore, siç e ka shprehur bukur një vëzhgues i vëmendshëm, "janë të destinuara jo të vdesin, por të rilindin...'A nuk zhduket fëmija duke u bërë i ri dhe i riu duke u bërë burrë; e megjithatë as fëmija as i riu nuk vdes?'"

"Ata Që janë yjet ndriçuese të së Vërtetës dhe Pasqyrat që reflektojnë dritën e Unitetit Hyjnor", shpjegon Bahá'u'lláh-u në Qitapi Ikanin, "në çfarëdo epokë e cikël të dërgohen në këtë botë nga banesat e tyre të padukshme të lavdisë së lashtë për të edukuar shpirtrat e njerëzve e për t'u dhuruar mirësi të gjitha gjërave të krijuara, janë të pajisur kurdoherë me një pushtet gjithëdetyrues e të veshur me sovranitet të pathyeshëm ... Këto Pasqyra të shenjtëruara, këto Agime të lavdisë së lashtë, janë të gjithë pa përjashtim Eksponentët mbi tokë të Atij Që është Ylli qendror i gjithësisë, thelbi dhe qëllimi i fundit i tij. Prej Tij vinë dijet dhe fuqia e tyre; prej Tij rrjedh sovraniteti i tyre. Bukuria e shëmbëlltyrës së tyre s'është veçse pasqyrim i shëmbëlltyrës së Tij, dhe revelimi i tyre shenjë e lavdisë së Tij të pavdekshme ... Nëpërmjet tyre transmetohet një mirësi e pambarim, dhe prej tyre revelohet Drita që kurrë nuk mund të shuhet ... Gjuha njerëzore kurrë nuk mund t'u këndojë atyre si duhet lavdërimet, dhe fjala njerëzore kurrë nuk mund të shpalosë misterin e tyre". "Duke qenë se këta Zogj të Fronit qiellor", shton Ai, "të gjithë janë dërguar poshtë nga qielli i Vullnetit të Perëndisë, dhe meqenëse ata të gjithë ngrihen për të shpallur Besimin e Tij të parezistueshëm, ata, për rrjedhojë, konsiderohen si i njëjti shpirt e i njëjti person ... Ata të gjithë jetojnë në të njëjtën shatore, fluturojnë në të njëjtin qiell, janë ulur në të njëjtin fron, thonë të njëjtën fjalë dhe shpallin të njëjtin Besim ... Ata ndryshojnë vetëm nga intesiteti i revelacionit të tyre dhe nga fuqia e krahasuar e dritës së tyre ... Fakti që ndonjë atribut i Perëndisë nuk është shfaqur në pamje të jashtme prej këtyre Thelbeve të Shkëputjes, nuk do të thotë aspak se ata, që janë Agimet e atributeve të Perëndisë dhe Thesaret e emrave të shenjtë të Tij, nuk i kanë pasur ato në të vërtetë".

Duhet të mbahet gjithashtu parasysh se, sado e madhe është fuqia e shfaqur nga ky Revelacion dhe sado i gjerë horizonti i Dispensacionit që ka nisur Autori i tij, ai hedh poshtë me forcë pretendimin që të konsiderohet si revelacioni përfundimtar i vullnetit të Perëndisë dhe qëllimi i fundit për njerëzimin. Të përkrahësh një koncept të tillë të karakterit e të funksioneve të tij, do të ishte njëlloj sikur të tradhtoje kauzën e tij dhe të mohoje të vërtetën e tij. Kjo do të vinte patjetër në konflikt me parimin bazë që përbën themelin e besimit Bahá'í, me parimin se e vërteta fetare nuk është absolute, por relative, se Revelacioni Hyjnor është metodik, i vazhdueshëm e i shkallëzuar, dhe jo spazmodik ose përfundimtar. Me të vërtetë, refuzimi kategorik prej pasuesve të besimit të Bahá'u'lláh-ut i pretendimit për karakter përfundimtar që çdo sistem fetar i nisur prej Profetëve të së shkuarës mund të paraqesë, është po aq i qartë e i theksuar sa dhe refuzimi i vetë atyre për të pretenduar të njëjtin karakter përfundimtar për Revelacionin me të cilën ata janë njejësuar. "Të besosh se çdo revelacion ka përfunduar, se portat e mëshirës Hyjnore janë mbyllur, se nga agimet e shenjtërisë së përjetshme nuk do të ngrihet më diell, se oqeani i mirësisë së përjetshme është qetësuar përgjithmonë, se nga shatorja e lavdisë së lashtë Lajmëtarët e Perëndisë kanë pushuar së shfaquri", kjo do të përbënte në sytë e çdo pasuesi të Besimit një largim të pafalshëm nga njëri prej parimeve themelore më të çmuara.

Një referencë në disa prej thënieve të Bahá'u'lláh-ut e të 'Abdu'l-Bahá-it që kemi cituar, me siguri do të mjaftonte për të provuar, pa pikë dyshimi, të vërtetën e këtij parimi kardinal. A nuk do të mundej pasazhi i mëposhtëm i Fjalëve të Fshehura, po ashtu, të interpretohej si një aluzion alegorik për karakterin e shkallëzuar të Revelacionit Hyjnor dhe si një pranim nga Autori i saj se Mesazhi që iu besua Atij nuk është shprehja finale e përfundimtare e vullnetit dhe e udhërrëfimit të të Gjithëfuqishmit? "O Bir i Drejtësisë! Në kohë nate bukuria e Qenies së pavdekshme kaloi nga lartësia e zmeraldtë e besnikërisë nën Sadratu'l-Muntahá5 dhe qau me aq ngashërim saqë Tubimi atje lart dhe banorët e mbretërive të epërme vajtuan për rënkimet e Tij. Dhe atëherë e pyetën përse qante e vajtonte? Ai u përgjigj: Siç qe kërkuar, ndenja në pritje mbi kodrën e besës, por nga ata që jetojnë mbi tokë nuk më erdhi aroma e besnikërisë. I thirrur që të kthehem, Unë pashë ah, disa pëllumba të shenjtërisë të torturuar në kthetrat e qenve të tokës. E atëherë Vasha e Qiellit nxitoi të dalë, e shkëlqyer dhe e pambuluar, nga banesa e Saj mistike dhe pyeti për emrat e tyre, dhe iu thanë të gjithë përveç njërit. E kur nguli këmbë, u shqiptua germa e parë e tij, dhe banorët e dhomave qiellore vërshuan nga banesa e tyre e lavdisë. E kur u shqiptua germa e dytë, ata të gjithë ranë poshtë në pluhur. Në këtë çast një zë u dëgjua nga më e shenjta faltore: "Deri këtu e jo më tej". Me të vërtetë, Ne dëshmojmë për atë që ata kanë bërë e që janë duke bërë tani".

Me një gjuhë edhe më të qartë Bahá'u'lláh-u dëshmon për këtë të vërtetë në njërën prej Tabelave të Tij të reveluara në Adrianopojë: "Dijeni me të vërtetë se perdja që fsheh fytyrën Tonë nuk është ngritur plotësisht. Ne e kemi reveluar Veten Tonë deri në një shkallë që i përgjigjet aftësisë së njerëzve të epokës Sonë. Sikur Bukuria e Lashtë të zbulohej me tërë lavdinë e Vet, sytë e vdekshëm do të humbisnin dritën nga intensiteti verbonjës i revelacionit të Tij".

Në Surenë e Sabriut [Súriy-i-Sabr], të reveluar në vitin 1863, ditën e parë të arritjes së Tij në kopshtin e Ridvanit, ai thotë kështu: "Perëndia ka dërguar Lajmëtarët e Tij për të zëvendësuar Moisiun dhe Jesuin, dhe Ai do të vazhdojë të bëjë kështu deri 'në fundin që s'ka fund'; pra, mirësia e Tij, nga qielli i bujarisë Hyjnore, do t'i jepet vazhdimisht njerëzimit".

"Unë nuk shqetësohem për veten Time", deklaron edhe më qartë Bahá'u'lláh-u, "Unë kam frikë për Atë Që do të dërgohet tek ju pas Meje - Atë Që do të vishet me sovranitet të madh e me sundim të fuqishëm". Dhe Ai shkruan përsëri në Surenë e Hejkalit [Súratu'l-Haykal]: "Me ato fjalë që revelova, nuk kam parasysh Veten Time, por Atë Që do të vijë pas Meje. Për këtë është dëshmitar Perëndia, i Gjithëdijshmi". "Mos veproni me Të", shton Ai, "siç keni vepruar me Mua".

Në një pasazh të hollësishëm, Báb-i pohon të njëjtën të vërtetë në shkrimet e Tij. "Është e qartë e evidente", shkruan Ai në Bajanin Persian, "se objekti i të gjitha Dispensacioneve të mëparshme ka qenë të hapnin rrugën për ardhjen e Muhametit, Apostullit të Perëndisë. Këto, duke përfshirë Dispensacionin Muhamedan, nga ana e tyre, kishin si objektiv Revelacionin e shpallur prej Kaimit [Qá'im]. Qëllimi që qëndronte në themel të këtij Revelacioni, si dhe të atyre para tij, po kështu, ishte që të shpallte ardhjen e Besimit të Atij Që Perëndia do ta shfaqë. Dhe ky Besim - Besimi i Atij Që Perëndia do ta shfaqë - nga ana e tij, bashkë me të gjitha Revelacionet që patën kaluar para tij, ka si objekt Manifestimin e destinuar për t'i zëvendësuar. Dhe ky i fundit, jo më pak se të gjitha Revelacionet e mëparshme, përgatit rrugën për Revelacionin që do të vijë pas tij. Procesi i lindjes e i perëndimit të Diellit të së Vërtetës do të vazhdojë kështu pambarim - një proces që nuk ka pasur fillim dhe nuk do të ketë fund".

"Dije me siguri", shpjegon lidhur me këtë Bahá'u'lláh-u, "se në çdo Dispensacion drita e Revelacionit Hyjnor u është dhënë njerëzve në përpjesëtim të drejtpërdrejtë me kapacitetin e tyre shpirtëror. Shikoni diellin. Sa të dobëta janë rrezet e tij në momentin kur ai shfaqet në horizont. Dhe si shtohen gradualisht ngrohtësia e fuqia e tij sa më shumë i afrohet zenitit, duke u dhënë mundësi të gjitha gjërave të krijuara t'i përshtaten intensitetit të dritës së tij që shkon në rritje. Po kështu, ai zbret pak nga pak derisa arrin pikën ku perëndon. Sikur ai t'i shfaqte përnjëherësh të gjitha energjitë që fshihen brenda tij, do të dëmtonte, padyshim, të gjitha gjërat e krijuara.... Po kështu, sikur Dielli i Së Vërtetës të shfaqte papritur, që në fazat e hershme të manifestimit të vet, tërë masën e forcave që i ka dhuruar providenca e të Gjithëfuqishmit, trualli i të kuptuarit njerëzor do të thahej e do të konsumohej; sepse zemrat e njerëzve nuk do të mund ta duronin intensitetin e revelacionit të Tij, as do të ishin në gjendje të pasqyrojnë shkëlqimin e kësaj drite. Të tronditura e të mposhtura, ato do të pushonin së ekzistuari.

Në dritën e këtyre deklaratave të qarta e konkluzive, është detyra jonë e qartë ta bëjmë në mënyrë të padyshimtë evidente për çdo kërkues të së vërtetës se, që nga 'fillimi që s'ka fillim', profetët e Perëndisë së vetëm, të panjohshëm, duke përfshirë edhe vetë Bahá'u'lláh-un, të gjithë janë ngarkuar, si kanale të mirësisë së Perëndisë, si mbrojtës të unitetit të Tij, si pasqyra të dritës së Tij dhe si revelues të qëllimit të Tij, t'i shpalosnin njerëzimit një masë gjithnjë e më të madhe të së vërtetës së Tij, të vullnettit të Tij të padepërtueshëm dhe të udhërrëfimit Hyjnor, dhe të vazhdojnë deri "në fundin që s'ka fund" të japin revelacione edhe më të plota e të fuqishme të pushtetit e të lavdisë së Tij të pakufishme.

Ne mund t'i peshojmë mirë në zemrat tona pasazhet e mëposhtme nga një lutje e reveluar prej Bahá'u'lláh-ut, të cilat e afirmojnë çuditërisht dhe janë një provë e mëtejshme e realitetit të së vërtetës së madhe e të qenësishme që qëndron në vetë palcën e Mesazhit të Tij për njerëzimin: "Lëvduar qofsh, O Zot Perëndia im, për revelacionet e mahnitshme të vendimit Tënd të padepërtueshëm dhe për vuajtjet e sprovat e shumta që Ti ke destinuar për Mua. Një herë Ti Më dorëzove në duart e Nimrodit 6; një herë tjetër lejove që të Më përndiqte shkopi i Faraonit. Vetëm Ti, përmes dijes Tënde gjithpërfshirëse e veprimit të Vullnetit Tënd, mund të gjykosh për vuajtjet e pallogaritshme që kam hequr në duart e tyre. Përsëri je Ti që Më ke hedhur në qelinë e burgut të të pafeve, për të vetmin shkak që u prira t'u pëshpëris në vesh banorëve më të nderuar të Mbretërisë Tënde një paralajmërim për vizionin me të cilin Ti, përmes dijes Tënde, Më frymëzove dhe që më revelove kuptimin e tij me anë të forcës së fuqisë Tënde. Dhe përsëri Ti urdhërove që Mua të më pritej koka nga shpata e të pabesit. Pastaj u kryqëzova sepse zbulova para syve të njerëzve margaritarët e fshehur të unitetit Tënd të lavdishëm, sepse u zbulova atyre shenjat mahnitëse të pushtetit Tënd sovran e të përjetshëm. Sa të hidhura ishin poshtërimet që m'u bënë Mua më pas në fushën e Qerbelasë [Karbilá]! Sa të vetmuar e ndjeva veten midis njerëzve të Tu! Në ç'gjendje braktisjeje u katandisa në atë vend! Të pakënaqur me këto poshtërime, persekutuesit e Mi më prenë kokën dhe, duke e mbajtur atë në një hu, e shëtitën nga një vend në tjetrin para syve të turmave të jobesimtarëve, dhe e vendosën në poltronat e njerëzve të mbrapshtë e të pafe. Në një kohë të mëvonshme, më lidhën të varur dhe gjoksi Im u bë tabelë qitjeje për shigjetat e mizorisë shpirtligë të armiqve të Mi. Gjymtyrët e mi u bënë shoshë nga plumbat dhe trupi Im u copëtua. Më në fund, shih sesi në këtë Ditë armiqtë e Mi tradhtarë janë bashkuar kundër meje dhe vazhdimisht komplotojnë për të futur helmin e urrejtjes e të ligësisë në shpirtrat e shërbëtorëve të Tu. Ata përpiqen me të gjitha forcat t'ia arrijnë qëllimit të tyre.... Sado e rëndë që është gjendja ime, o Perëndi, i Shumëdashuri Im, Unë të falenderoj dhe shpirti Im të është mirënjohës për çdo gjë që më ka ndodhur në shtegun e asaj që dëshiron Ti. Unë jam plotësisht i kënaqur me atë që Ti ke paracaktuar për mua dhe mirëpres hidhërimet e mundimet që duhet ende të vuaj, sado të mjerueshme qofshin".

B Á B - I

Miq të shumëdashur! Që Báb-i, nismëtari i Dispensacionit Bábí, gëzon plotësisht të drejtën për t'u radhitur si një prej Manifestimeve të vetëmjaftueshme të Perëndisë, që Ai qe veshur me fuqi e autoritet sovran dhe i takojnë të gjitha të drejtat e prerogativat e një Profetërie të pavarur, është edhe kjo një tjetër e vërtetë thelbësore që Mesazhi i Bahá'u'lláh-ut e shpall me këmbëngulje dhe të cilën pasuesit e tij duhet ta mbështesin pa mëdyshje. Që Ai nuk duhet të konsiderohet thjesht si një Paraprijës i frymëzuar i Revelacionit Bahá'í, që në personin e Tij, siç e dëshmon Ai vetë në Bajanin Persian, u përmbush objekti i të gjithë profetëve që shkuan para tij, kjo është një e vërtetë të cilën unë e ndiej për detyrë ta argumentoj e ta theksoj. Ne me siguri nuk do të kryenim detyrën tonë ndaj Besimit që ushtrojmë dhe do të shkelnim një prej parimeve bazë e të shenjta të tij, në qoftë se në fjalët tona ose me sjelljen tonë do të ngurronim të njihnim atë që nënkupton ky parim themelor i besimit Bahá'í, ose do të refuzonim ta mbështesim pa rezerva në tërësinë e tij dhe të provojmë të vërtetën e tij. Me të vërtetë motivi kryesor që më shtyu të marr përsipër detyrën e botimit e të përkthimit të Tregimit të pavdekshëm të Nabilit, ishte që t'i jap mundësi çdo pasuesi të Besimit në Perëndim të kuptojë më mirë e të kapë më lehtë tërë atë pasuri që përmban pozita e Tij e lartësuar dhe ta admirojë e dojë më me zjarr Atë.

Nuk mund të ketë dyshim se rivendikimi i pozitës së dyfishtë të përcaktuar për Báb-in nga i Gjithëfuqishmi, një rivendikim të cilin Ai Vetë e ka paraqitur me aq guxim, të cilin Bahá'u'lláh-u e ka pohuar vazhdimisht dhe për të cilin Vullneti e Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it dha përfundimisht sanksionin e dëshmisë së tij, përbën tiparin më dallues të Dispensacionit Bahá'í. Ai përbën një provë të mëtejshme të karakterit unikal të tij, një rritje kolosale të fuqisë e të autoritetit të mistershëm me të cilin është veshur ky cikël i shenjtë. Me të vërtetë, madhështia e Báb-it qëndron kryesisht jo tek qenia e Tij Pararendës i caktuar në mënyrë hyjnore i një Revelacioni kaq të përsosur, por më tepër në veshjen e tij me atë pushtet që bart nismëtari i një Dispensacioni të veçantë fetar, dhe në zotërimin, në një shkallë të pashoqe në krahasim me Lajmëtarët përpara Tij, të skeptrit të Profetërisë së pavarur.

Kohëzgjatja e shkurtër e Dispensacionit të Tij, hapësira e kufizuar brenda së cilës duhej të vepronin ligjet e porositë e Tij, nuk japin asnjë lloj kriteri për të gjykuar për prejardhjen e tij Hyjnore e për të vlerësuar fuqinë e mesazhit të tyre. "Fakti që një interval kaq i shkurtër do të ndante këtë Revelacion kaq të fuqishëm e të mrekullueshëm nga vetë Manifestimi Im i shpejtuar është një e fshehtë që asnjeri nuk mund ta zbulojë e një mister që asnjë mendje nuk mund ta kuptojë. Kohëzgjatja e këtij intervali ishte paracaktuar dhe asnjeri nuk do t'i gjejë kurrë arsyet e saj, veçse kur të jetë vënë në dijeni për përmbajtjen e Librit Tim të Fshehur" "Shiko", shpjegon më tej Bahá'u'lláh-u në Qitapi Badi [Kitáb-i-Badi'], njërën prej veprave të Tij që hedh poshtë argumentat e njerëzve të Bajanit,7 "shiko, sesi menjëherë pas mbushjes së vitit të nëntë të këtij Dispensacioni të mrekullueshëm, kaq të shenjtë e të mëshirshëm, numri i kërkuar i shpirtrave të kulluar, tërësisht të përkushtuar e të shenjtëruar, në mënyrë shumë të fshehtë u plotësua".

Ngjarjet e mrekullueshme që shpallën ardhjen e Themeluesit të Dispensacionit Bábí, rrethanat dramatike të vetë jetës së Tij plot ngjarje, tragjedia e mahnitshme e martirizimit të Tij, magjepsja e ndikimi që Ai ushtronte mbi bashkatdhetarët e Vet më të shquar e më të fuqishëm, për të cilat dëshmon çdo kapitull i tregimit prekës të Nabilit, duhet të shihen në vetvete si një provë e mjaftueshme e vlershmërisë së rivendikimit të Tij për një pozitë aq të lartësuar midis Profetëve.

Sado piktoreske është kronika që jetëshkruesi i shquar i Tij u ka transmetuar pasardhësve, një tregim kaq i shkëlqyer zbehet para homazhit flakërues që i ka bërë Báb-it penda e Bahá'u'lláh-ut. Këtë homazh vetë Báb-i, duke pohuar qartë rivendikimin e Tij, e ka mbështetur gjerësisht, ndërsa dëshmitë e shkruara të 'Abdu'l-Bahá-it kanë ripërforcuar fuqishëm karakterin e tij dhe kanë ndriçuar kuptimin e tij.

Ku tjetër, veçse në Qitapi Ikanin, studiuesi i Dispensacionit Bábí, mund të kërkojë të gjejë pohimet që provojnë në mënyrë të pagabueshme atë fuqi e shpirt që asnjeri, veç po qe një Manifestim i Perëndisë, nuk mund të shfaqë? "A mundet një gjë e tillë", thërret Bahá'u'lláh-u, "të shfaqet ndryshe, veçse përmes fuqisë së një Revelacioni Hyjnor dhe forcës së Vullnetit të pamposhtur të Perëndisë? Për drejtësinë e Perëndisë! Sikur ndonjëri të mbante në zemrën e tij një Revelacion kaq të madh, qoftë edhe mendimi i një deklarate të tillë do ta hutonte atë! Sikur zemrat e të gjithë njerëzve të grumbulloheshin në zemrën e tij, ai ende do të ngurronte t'i hynte një ndërrmarrjeje kaq të tmerrshme". "Asnjë sy", afirmon Ai në një pasazh tjetër, "nuk ka parë një vërshim kaq të madh bujarie, as ndonjë vesh nuk ka dëgjuar për një Revelacion të tillë dashamirësie ... Profetët 'e pajisur me qëndrueshmëri', lartësia e lavdia e të cilëve shkëlqen si dielli, janë nderuar secili me një Libër të cilin të gjithë e kanë parë dhe vargjet e të cilit janë vërtetuar si duhet. Ndërsa vargjet që kanë rrjedhur nga kjo Re e mëshirës hyjnore kanë qenë aq të bollshme sa askush nuk ka qenë ende në gjendje të vlerësojë numrin e tyre ... Si munden ata ta nënvleftësojnë këtë Revelacion? A ka parë ndonjë epokë ngjarje kaq të rëndësishme?"

Duke bërë komente për karakterin dhe ndikimin e atyre heronjve e martirëve që shpirti i Báb-it i ka transformuar në mënyrë aq të magjishme, Bahá'u'lláh-u revelon këto që vijojnë: "Në qoftë se këta shokë nuk janë kërkues të vërtetë të Perëndisë, kush mund të thirrej me këtë emër? ... Në qoftë se këta shokë, megjithë dëshmitë e tyre të mrekullueshme dhe me veprat e tyre të mahnitshme, qenkan të rremë, kush atëhere është i denjë të pretendojë për vete të vërtetën? ... A ka parë bota që nga ditët e Adamit një trazirë të tillë, një pështjellim kaq të furishëm? ... Mua më duket se durimi është shfaqur vetëm në sajë të qëndrueshmërisë së tyre, dhe vetë besueshmëria ka lindur vetëm nga bëmat e tyre".

Duke dëshiruar të theksojë karakterin sublim të pozitës së lartësuar të Báb-it, në krahasim me atë të Profetëve të së kaluarës, Bahá'u'lláh-u në të njëjtën letër thotë: "Asnjë arsye nuk mund të kapë natyrën e Revelacionit të Tij, as mundet ndonjë dije të përfshijë në masë të plotë Besimin e Tij". Pastaj, në konfirmim të argumentit të Tij, Ai citon këto fjalë profetike: "Dija është njëzet e shtatë germa. Gjithçka që Profetët kanë zbuluar janë dy prej tyre. Pra, asnjeri deri tani nuk ka njohur më tepër se dy prej këtyre germave. Por kur të ngrihet Kaimi [Qá'im], Ai do të bëjë që njëzetepesë germat e tjera të shfaqen". "Shiko", shton Ai, "sa e madhe dhe e lartë është pozita e Tij! Rangu i Tij e kalon atë të të gjithë Profetëve dhe Revelacioni i Tij e tejkalon arsyen e kuptimin e të gjithë të zgjedhurve të tyre". "Për Revelacionin e Tij", shton Ai më tej, "Profetët e Perëndisë, shenjtorët dhe të zgjedhurit e Tij, ose nuk kanë qenë informuar, ose, duke zbatuar urdhërin e padepërtueshëm të Perëndisë, nuk e kanë treguar atë".

Nga të gjitha homazhet që penda e pagabueshme e Bahá'u'lláh-ut ka vendosur t'i bëjë kujtimit të Báb-it, "të Shumëdashurit" të Tij, më i paharruari e më prekësi është ky paragraf i shkurtër por domethënës, që rrit aq shumë vlerën e pasazheve të fundit të së njëjtës letër. "Midis të gjitha këtyre", shkruan Ai, duke iu referuar sprovave të rënda e rreziqeve që i ndodhën Atij në qytetin e Bagdadit, "Ne qëndrojmë me zemër në dorë, krejt të nënshtruar ndaj Vullnetit të Tij, se mbase, përmes dashamirësisë e hirit të Perëndisë, kjo Germë e reveluar dhe e shfaqur (Bahá'u'lláh-u) mund të japë jetën e Tij si flijim në rrugën e Pikës Parësore, të Fjalës më të lartësuar ( Báb-it). Për Atë, me urdhër të të Cilit foli Shpirti, veç nga kjo dëshirë e zjarrtë e shpirtit Tonë, përndryshe Ne nuk do të ishim vonuar më gjatë për asnjë çast në këtë qytet".

Miq të shumëdashur! Një lavdërimi kaq tingëllues, një pohimi kaq të guximshëm të dalë nga penda e Bahá'u'lláh-ut në një vepër kaq të rëndësishme, u bëhet jehonë e plotë në gjuhën që Burimi i Revelacionit Bábí vendosi t'i veshë rivendikimet që Ai Vetë kishte parashtruar. "Unë jam Tempulli Mistik", kështu e shpall Báb-i pozitën e Tij në Kajumul Esma [Qayyúmu'l-Asmá'], "që Dora e Gjithëfuqisë ka ngritur. Unë jam Llamba që Gishti i Perëndisë ka ndezur në shenjtëroren e tij dhe e ka bërë të shkëlqejë me dritë të pashuar. Unë jam Flaka e asaj Drite hyjnore që ndriçon mbi Sinain në Vendin e gëzueshëm dhe që fshihet në mes të Drizës së Përflakur". "O Kurratul Ajn [Qurratu'l-'Ayn]!" thërret Ai, duke iu drejtuar vetes, në të njëjtën koment, "Unë nuk njoh në Ty asgjë tjetër veçse 'Njoftimin e madh' - Njoftimin e shpallur nga Tubimi i epërm. Unë dëshmoj se ata që rrethojnë Fronin e Lavdisë të kanë njohur gjithmonë Ty me këtë emër". "Me çdo Profet pa përjashtim, Që Ne kemi dërguar në të kaluarën", shton Ai më tej, "kemi bërë një Besëlidhje të veçantë lidhur me 'Kujtimin e Perëndisë' dhe Ditën e Tij. Të dukshme janë, në mbretërinë e lavdisë dhe përmes fuqisë së të vërtetës, 'Kujtimi i Perëndisë' Dhe Dita e Tij para syve të engjëjve që rrethojnë fronin e Tij të mëshirës". "Po të dëshironim", thotë gjithashtu Ai, "është në dorën Tonë ta detyrojmë botën dhe gjithçka ndodhet në të, përmes veprimit të një germe të vetme të Revelacionit Tonë, të njohin, në më pak se të hapësh e të mbyllësh sytë, të vërtetën e Kauzës Sonë".

"Unë jam Pika Parësore", kështu i drejtohet Báb-i Muhamet Shahut [Muhammad Sháh] nga fortesa-burg e Makusë [Máh-Kú], "nga e cila kanë lindur të gjitha gjërat e krijuara ... Unë jam Shëmbëlltyra e Perëndisë, shkëlqimi i së cilës nuk mund të errësohet kurrë, drita e Perëndisë rrezatimi i së cilës nuk mund të venitet asnjëherë ... Të gjithë çelsat e qiellit Perëndia ka dashur t'i vendosë në dorën Time të djathtë, ndërsa të gjithë çelsat e ferrit në dorën Time të majtë ... Unë jam njëra prej shtyllave mbajtëse të Fjalës Parësore të Perëndisë. Kushdo që më ka njohur Mua, ka njohur gjithçka është e vërtetë dhe e drejtë, dhe ka arritur gjithçka është e mirë dhe e hijshme ... Substanca me të cilën Perëndia më ka krijuar Mua nuk është argjila prej së cilës janë krijuar të tjerët. Ai më ka dhënë Mua atë që të urtët e botës kurrë nuk mund ta kuptojnë, dhe as besmikët nuk mund ta zbulojnë". "Po të dëshironte, në këtë ditë", pohon në mënyrë karakteristike Báb-i, duke dshur të theksonte mundësitë e pakufizuara të fshehura në Dispensacionin e Tij, "një milingonë e vogël të zotëronte një fuqi të tillë sa të ishte në gjendje të zbërthente vargjet më të pakapshme e më të ngatërruara të Kuranit, dëshira e saj padyshim do të përmbushej, meqenëse misteri i fuqisë së përjetshme lëvrin në brendësinë më të fshehtë të të gjitha gjërave të krijuara". "Në qoftë se një krijesë kaq e pafuqishme", kommenton 'Abdu'l-Bahá-i lidhur me një pohim kaq të habitshëm, "mund të pajiset me një aftësi kaq të hollë, sa më efikase duhet të jetë fuqia që çlirohet përmes vërshimeve bujare të mirësisë së Bahá'u'lláh-ut!"

Këtyre pohimeve plot autoritet e deklaratave solemne të bëra prej Bahá'u'lláh-ut e Báb-it duhet t'u shtohet dëshmia e pakundërshtueshme e vetë 'Abdu'l-Bahá-it. Ai, interpretuesi i caktuar i thënieve si të Bahá'u'lláh-ut dhe të Báb-it, e miraton, jo në mënyrë të nënkuptuar, por me një gjuhë të qartë e kategorike, si në Tabelat dhe në Testamentin e Tij, të vërtetën e deklaratave të cilave u jam referuar më sipër.

Në një Tabelë që i drejtonte një Bahá'í-u në Mazendaran [Mázindarán], në të cilën Ai shtjellon kuptimin e një deklarate të keqinterpretuar që i atribuohet Atij lidhur me ngritjen e Diellit të së Vërtetës në këtë shekull, Ai parashtron, shkurtimisht por në mënyrë përfundimtare, atë që do të mbetej përgjithmonë koncepti ynë i vërtetë i raportit midis dy Manifestimeve të lidhura me Dispensacionin Bahá'í. "Duke bërë një deklaratë të tillë", shpjegon Ai, "nuk kam pasur ndërmend askënd tjetër, veçse Báb-in e Bahá'u'lláh-un, karakterin e Revelacioneve të të Cilëve kisha për qëllim të ndriçoj. Revelacioni i Báb-it mund të krahasohet me diellin, sepse pozita e tij i korrespondon shenjës së parë të Zodiakut - shenjës së Dashit, - në të cilën dielli hyn në Sanataditën Pranverore. Pozita e Revelacionit të Bahá'u'lláh-ut, nga ana tjetër, përfaqësohet nga shenja e Luanit, që është pozicioni i diellit mes-veror e më i lartë. Kjo do të thotë se ky Dispensacion i shenjtë ndriçohet me dritën e Diellit të së Vërtetës që shkëlqen nga pozita e tij më e lartësar dhe me tërë fuqinë e ndriçimit, të nxehtësisë e të lavdisë së tij".

" Báb-i, i Lartësuari", pohon në mënyrë më specifike 'Abdu'l-Bahá-i në një Tabelë tjetër, "është Agimi i së Vërtetës, shkëlqimi i dritës së të Cilit ndriçon në të gjitha krahinat. Ai është gjithashtu Pararendësi i Dritës Më Të Madhe, i Yllit Ndriçues Abhá. Bukuria e Bekuar është i Premtuari nga librat e shenjta të së kaluarës, revelimi i Burimit të dritës që ndriçoi mbi Malin Sinai, zjarri i të Cilit flakëroi në mes të Drizës së Përflakur. Ne jemi, të gjithë pa përjashtim, shërbëtorë të pragut të tyre dhe qëndrojmë secili si rojtarë të përunjur në portën e tyre". "Çdo provë e profeci", është paralajmërimi i Tij edhe më i fortë, "çdo mënyrë evidentimi, e bazuar në arsyen ose në tekstet e shkrimeve e në traditat, duhet konsideruar si e përqëndruar në personat e Bahá'u'lláh-ut e të Báb-it. Tek ata duhet gjetur përmbushja e plotë e tyre".

Dhe më në fund, në Vullnetin dhe Testamentin e Tij, që përmban dëshirat e fundit dhe udhëzimet e Tij para ndarjes, Ai në pasazhin që vijon, të hartuar posaçërisht për të parashtruar parimet udhëheqëse të besimit Bahá'í, i vë vulën dëshmisë së Tij për pozitën e dyfishtë e të lartësuar të Báb-it: "Themeli i besimit të njerëzve të Bahá-it (u flijoftë jeta ime për ta) është ky: shenjtëria e Tij i Lartësuari ( Báb-i) është Manifestimi i unitetit e i njëshmërisë së Perëndisë dhe pararendësi i Bukurisë së Lashtë (Bahá'u'lláh-ut). Shenjtëria e Tij, Bukuria Abhá (Bahá'u'lláh-u) (u bëftë fli jeta ime për miqtë e Tij besnikë) është Manifestimi suprem i Perëndisë dhe Agimi i Thelbit të Tij më hyjnor". "Të gjithë të tjerët", shton në mënyrë kuptimplotë Ai, "janë shërbëtorë të Atij dhe zbatojnë ato që urdhëron Ai".

'A B D U ' L - B A H Á - I

Miq të shumëdashur! Në faqet e mësipërme u përpoqa të bëj një paraqitje të të vërtetave të tilla që kam bindjen e patundur se janë të lidhura me rivendikimin e Atij Që është Burimi i Revelacionit Bahá'í. Për më tepër, u mundova të sqaroj keqkuptime të tilla që, natyrisht, mund të shfaqen në mendjen e cilitdo që sodit një manifestim kaq mbinjerëzor të lavdisë së Perëndisë. Unë jam përpjekur të sqaroj kuptimin e hyjnijësisë, me të cilën duhej të vishej Ai Që është instrumenti i një energjie kaq të mistershme. Jam përpjekur, gjithashtu, me të gjitha aftësitë e mia të provoj se Mesazhi, të cilin një Qenie kaq e madhe ishte ngarkuar nga Perëndia t'i sillte njerëzimit në këtë epokë, njeh prejardhjen hyjnore e mbështet parimet bazë të çdo Dispensacioni të nisur prej profetëve të së kaluarës, dhe se ky Mesazh është i ndërthurur në mënyrë të pandashme me secilin prej tyre. Unë, po kështu, e ndieva të nevojshme të provoj e të theksoj se Autori i një Besimi të tillë, i Cili hedh poshtë pretendimin për karakterin përfundimtar, të mbështetur nga krerë të feve të ndryshme, e mohon një gjë të tillë për Veten e Vet, megjithë gjerësinë e Revelacionit të Tij. Që Báb-i, pavarësisht nga kohëzgjatja e Dispensacionit të Tij, duhet parë kryesisht jo si Pararendësi i caktuar i Besimit Bahá'í, por si i veshur me autoritetin e pandarë që ka marrë përsipër secili prej profetëve të pavarur të së kaluarës, më duket se është një tjetër parim bazë, sqarimi i të cilit do të ishte tepër i dëshirueshëm në fazën e tanishme të evolucionit të Kauzës sonë.

Unë e ndiej fort se një përpjekje duhet bërë tani për të sqaruar mendjet tona në lidhje me rangun që ka 'Abdu'l-Bahá-i dhe me rëndësinë e pozitës të Tij në këtë Dispensacion të shenjtë. Do të ishte me të vërtetë e vështirë për ne, që qëndrojmë kaq pranë një figure të tillë të fuqishme dhe na tërheq pushteti i mistershëm i një personaliteti kaq magnetik, të kemi një kuptim të qartë e të saktë për rolin dhe karakterin e Atij Që, jo vetëm në Dispensacionin e Bahá'u'lláh-ut, por në gjithë fushën e historisë fetare, kryen një funksion unikal. Megjithëse lëviz në një sferë të Vetën dhe ka një rang rrënjësisht të ndryshëm nga ai i Autorit dhe i Pararendësit të Revelacionit Bahá'í, Ai, në sajë të pozitës së caktuar për Të me anë të Beslidhjes së Bahá'u'lláh-ut, përbën së bashku me ta atë që mund të emërtohet si Tre Figurat Qëndrore të Një Besimi që qëndron i pashoq në historinë shpirtërore të botës. Ai ngrihet, bashkë me ta, mbi fatin e këtij Besimi foshnjor të Perëndisë në një nivel, të cilin asnjë individ ose organ për drejtimin e punëve të Besimit pas Tij, dhe të paktën për një periudhë prej jo më pak se njëmijë vjetësh, kurrë nuk mund të shpresojë ta arrijë. Ta ulësh rangun e Tij të lartë, duke e njejësuar pozitën e tij, ose duke e parë atë si afërsisht të barabartë, me pozitën e atyre mbi të cilët ka rënë manteli i autoritetit të Tij, do të ishte një sakrilegj po aq i rëndë sa dhe bindja jo më pak heretike që priret ta lartësojë Atë në një pozitë barazie absolute qoftë me Figurën qëndrore ose me Pararendësin e Besimit tonë. Por sado i gjerë është honi që e ndan 'Abdu'l-Bahá-in prej Atij Që është Burimi i një Revelacioni të pavarur, ai kurrë nuk mund të barazohet me distancën edhe më të madhe që qëndron midis Tij, Që është Qendra e Besëlidhjes, dhe shërbyesve të Tij, të cilët vazhdojnë punën e Tij, cilatdo qofshin emri i tyre, rangu i tyre, funksioni i tyre ose arritjet e tyre të ardhme. Ata që e kanë njohur 'Abdu'l-Bahá-in, që nëpërmjet kontaktit të tyre me personalitetin e Tij magnetik kanë arritur të ushqejnë për Të një admirim kaq të zjarrtë, le të reflektojnë, në dritën e kësaj deklarate, për madhështinë e Atij Që është shumë më lart se Ai në pozitë.

Që 'Abdu'l-Bahá'í nuk është një Manifestim i Perëndisë, që edhe pse pasues i Atit të Tij, Ai nuk zë një post të ngjashëm me të , që askush tjetër, veç Báb-it e Bahá'u'lláh-ut nuk mund të pretendojë për një pozitë të tillë para se të kenë kaluar plot njëmijë vjet - këto janë të vërteta që janë skalitur në thëniet e posaçme si të Themeluesit të Besimit Tonë dhe të Interpretuesit të mësimeve të Tij.

"Kushdo që del me pretendimin për një Revelacion të drejtpërdrejtë nga Perëndia", është paralajmërimi direkt i bërë në Qitapi Akdas, "para se të kenë kaluar plot njëmijë vjet, një njeri i tillë është mashtrues e gënjeshtar. Ne i lutemi Perëndisë ta ndihmojë me dashamirësi atë që ta tërheqë e ta hedhë poshtë një pretendim të tillë. Po qe se ai pendohet, Perëndia, pady-shim, do ta falë. Por po qe se ai ngul këmbë në gabimin e tij, Perëndia, me siguri, do të dërgojë dikë që do të veprojë pa mëshirë me të. I tmerrshëm, me të vërtetë, është Perëndia kur dënon!" "Kushdo", shton Ai me theksim të mëtejshëm, "që e interpreton këtë varg ndryshe nga domethënia e tij e qartë, atij do t'i mohohet Fryma e Perëndisë dhe mëshira e Tij, që përfshin të gjitha gjërat e krijuara". "Sikur të dalë një njeri", është një deklaratë tjetër bindëse, "para se të kalojnë plot njëmijë vjet - secili vit i përbërë nga dymbëdhjetë muaj sipas Kuranit, dhe nga nëntëmbëdhjetë muaj prej nëntëmbëdhjetë ditësh sipas Bajanit - edhe sikur një njeri i tillë të shfaqë para syve tuaj të gjitha shenjat e Perëndisë, refuzojeni pa ngurrim atë!"

Deklaratat e vetë 'Abdu'l-Bahá-it, në konfirmim të këtij paralajmërimi, nuk janë më pak të forta e detyruese: "Kjo është", deklaron Ai, "bindja ime e vendosur, e patundur, thelbi i besimit tim të hapur e të qartë - një bindje e një besim me të cilin banorët e Mbretërisë Abhá janë dakord: Bukuria e Bekuar është Dielli i së Vërtetës dhe drita e Tij dritë e së vërtetës. Báb-i është po kështu Dielli i së vërtetës dhe drita e Tij dritë e së vërtetës ... Pozita ime është pozita e shërbimit - një shërbim që është i plotë, i kulluar e real, i vendosur në mënyrë të patundur, jetëgjatë, i dukshëm, i reveluar qartë dhe që nuk lejon asnjë lloj interpretimi ... Unë jam Interpretuesi i Fjalës së Perëndisë; ky është interpretimi im".

A nuk ua rrëmben 'Abdu'l-Bahá'í në vetë Testamentin e Tij - me një ton e me një gjuhë që mund të verë me shpatulla pas murit edhe më të regjurin ndër shkelësit e Besëlidhjes së Atit të Tij - armën kryesore atyre që kanë dashur e që janë përpjekur me aq këmbëngulje ta akuzojnë Atë se në heshtje ka pretenduar një pozitë të barabartë, në mos më të lartë, me atë të Bahá'u'lláh-ut? "Themeli i besimit të njerëzve të Bahá-it është ky", kështu thuhet në një prej pasazheve më të rëndësishme të këtij dokumenti të fundit, të lënë për të dhënë përjetë direktivat dhe dëshirat e Mjeshtri që u nda nga kjo botë, "Shenjtëria e Tij i Lartësuari ( Báb-i) është Manifestimi i unitetit e i njëshmërisë së Perëndisë dhe Pararendësi i Bukurisë së Lashtë. Shenjtëria e Tij Bukuria Abhá (Bahá'u'lláh-u), (u flijoftë jeta ime për miqtë e Tij besnikë) është Manifestimi suprem i Perëndisë dhe Agimi i Thelbit më hyjnor të Tij. Të gjithë të tjerët janë shërbëtorë të Tij dhe zbatojnë urdhërat e Tij".

Nga deklarata të tilla të qarta e të bëra zyrtarisht, që janë të papajtueshme me çfarëdo pohimi për një pretendim Profetërie, ne nuk duhet kurrsesi të nxjerrim përfundimin që 'Abdu'l-Bahá-i është thjesht një prej shërbëtorëve të Bukurisë së Bekuar, ose e shumta një njeri, funksioni i të cilit kufizohet në atë të një interpretuesi të autorizuar të mësimeve të Atit të Tij. Larg qoftë prej meje që të kem një koncept të tillë ose të dëshiroj të përhap ndjenja të tilla. Ta shohësh Atë në një dritë të tillë është një tradhti e hapur ndaj trashëgimisë të paçmuar që Bahá'u'lláh-u i ka lënë njerëzimit. E lartësuar pamasë është pozita që i është dhënë Atij nga Penda supreme mbi e tej atyre që nënkuptojnë vetë deklaratat e Tij të shkruara. Qoftë në Qitapi Akdasin, veprën më të shenjtë e më të rëndësihsme të Bahá'u'lláh-ut, ose në Qitapi Adin [Kitáb-i-'Ahd], Librin e Besëlidhjes së Tij, ose në Surenë e Gusnës [Súriy-i-Ghusn] (Tabela e Degës), ka referenca të shkruara nga penda e Bahá'u'lláh-ut - referenca që Tabelat e Atit të Vet drejtuar Atij i përforcojnë shumë - që e veshin 'Abdu'l-Bahá-in me pushtet dhe e rrethojnë Atë me një aureolë, të cilën brezat e sotëm kurrë nuk mund ta vlerësojnë si duhet.

Ai është, dhe duhet parë gjithmonë, para së gjithash e mbi të gjitha, si Qendra dhe Strumbullari i Besëlidhjes së pashoqe e gjithëpërfshirëse të Bahá'u'lláh-ut, si vepra e Tij më e lavdërueshme, Pasqyra pa njollë e dritës së Tij, Shembulli i përsosur i mësimeve të Tij, Interpretuesi i pagabueshëm i Fjalës së Tij, mishërimi i çdo ideali Bahá'í, trupëzimi i çdo virtyti Bahá'í, Dega Më e Fuqishme që ka mbirë nga Rrënja e Lashtë, Krahu i Ligjit të Perëndisë, Qenia "rreth së cilës vërtiten të gjithë emrat", Burimi i Njëshmërisë së Njerëzimit, Flamuri i Paqes së Madhe, Hëna e Yllit Qendror të këtij Dispensacioni kaq të shenjtë - cilësime e tituj që janë të padiskutueshëm dhe gjejnë shprehjen e tyre më të vërtetë, më të lartë e më të drejtë në emrin magjik 'Abdu'l-Bahá. Ai është, mbi e tej të gjitha këtyre emërtimeve, "Misteri i Perëndisë" - një shprehje që Vetë Bahá'u'lláh-u e pat zgjedhur për ta thirrur Atë dhe që, ndërsa nuk na justifikon kurrsesi që t'i veshim Atij pozitën e Profetërisë, tregon sesi në personin e 'Abdu'l-Bahá-it janë shkrirë e harmonizuar plotësisht karakteristikat e papajtueshme të natyrës njerëzore dhe të dijes e të përsosurisë mbinjerëzore.

"Kur oqeani i pranisë Time të jetë në zbaticë dhe Libri i Revelacionit Tim të ketë mbaruar", shpall Ai në Qitapi Akdasin, "e ktheni shikimin tuaj nga Ai që Perëndia e ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë". Dhe më tej, "Kur Pëllumbi Mistik të marrë fluturimin nga Altari i Lavdërimit për të kërkuar synimin e tij të largët, banesën e tij të fshehtë, drejtojuni për çdo gjë që nuk e kuptoni në Librin Atij Që është degëzuar nga ky Trung i fuqishëm".

Për më tepër, në Qitapi Adin [Kitáb-i-'Ahd] Bahá'u'lláh-u deklaron solemnisht e qartë: "U bie për detyrë Agsanit [Aghsan], Afnanit [Afnán] dhe farefisit Tim ta kthejnë, të gjithë pa përjashtim, fytyrën nga Dega Më e Lartë. Mbani parasysh atë që kemi reveluar në Librin Tonë Më të Shenjtë: 'Kur oqeani i pranisë Time të jetë në zbaticë dhe Libri i Revelacionit Tim të ketë mbaruar, e ktheni shikimin tuaj nga Ai që Perëndia e ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë'. Synimi i këtij vargu të shenjtë s'është askush tjetër veçse Dega Më e Fuqishme ('Abdu'l-Bahá-i). Kështu, Ne ju kemi reveluar me dashamirësi Vullnetin tonë të Fuqishëm, dhe Unë me të vërtetë jam i Hirshmi, i Gjithpushtetshmi".

Në Surenë e Gusnës [Súriy-i-Ghusn] (Tabela e Degës) janë shkruar vargjet e mëposhtme: "Prej Sadratul Muntahasë [Sadratu'l-Muntahá] 5 u degëzua kjo Qenie e shenjtë dhe e lavdishme, kjo Degë e Shenjtërisë; lum ai që ka kërkuar strehën e Saj dhe banon nën hijen e Saj. Me të vërtetë Krahu i Ligjit të Perëndisë ka mbirë prej kësaj Rrënje, të cilën Perëndia e ka mbjellur fort në Dheun e Vullnetit të Tij dhe Dega e së Cilës është ngritur në mënyrë të tillë që të përfshijë gjithë krijimin. Lëvduar qoftë Ai, pra, për këtë Vepër sublime, të bekuar, të fuqishme e të lavdëruar! ... Një Fjalë, si shenjë e hirit Tonë, ka dalë prej Tabelës Më Të Madhe - një Fjalë Që Perëndia e ka stolisur me ornamentin e vetë Vetes së Tij, dhe e ka bërë atë sovrane mbi tokën e mbi gjithçka ndodhet në të e një shenjë të madhështisë e të pushtetit të Tij midis njerëzve të saj ... Falënderoni Perëndinë, o njerëz, për shfaqjen e Tij; sepse me të vërtetë Ai është favori më i madh që ju bëhet juve, bujaria më e përsosur që ju jepet; dhe përmes Tij çdo eshtër e tretur gjallërohet. Kush kthehet drejt Tij është kthyer drejt Perëndisë, dhe kush i kthen shpinën Atij i ka kthyer shpinën Bukurisë Sime, ka hedhur poshtë Provën Time dhe ka kryer mëkat kundrejt Meje. Ai është i Besuari i Perëndisë midis jush, kujdesi i Tij brenda jush, manifestimi i Tij ndër ju dhe shfaqja e Tij në mes shërbëtorëve të Tij të preferuar ... Ne e kemi dërguar Atë atje poshtë në formën e një tempulli njerëzor. I bekuar e i shenjtëruar qoftë Perëndia Që krijon gjithçka i pëlqen përmes vendimit të Tij të paprekshëm, të pagabueshëm. Ata që i mohojnë vetes hijen e Degës humbasin në shkretëtirën e gabimit, i djeg zjarri i dëshirave tokësore dhe janë ndër ata që me siguri do të marrin fund".

"O Ti që je bebëza e syrit Tim!" kështu i drejtohet Bahá'u'lláh-u në një dorëshkrim të Tij 'Abdu'l-Bahá-it, "Lavdia Ime, oqeani i dashamirësisë Sime, dielli i bujarisë Sime, qielli i mëshirës Sime qoftë mbi Ty. Ne i lutemi Perëndisë ta ndriçojë botën përmes dijes e urtisë Tënde, të caktojë për Ty atë që do të gëzojë zemrën Tënde dhe do t'u japë ngushëllim syve të Tu". "Lavdia e Perëndisë qoftë mbi Ty", shkruan Ai në një Tabelë tjetër, "dhe mbi këdo që të shërben Ty e që rrotullohet rreth Teje. Mallkim, mallkim i madh rëntë mbi atë që të kundërvihet e të dëmton Ty. Lum ai që betohet për besnikëri ndaj Teje; zjarri i skëterrës e mundoftë atë që është armiku Yt". "Ne të kemi bërë Ty strehë për gjithë njerëzimin", pohon Ai në një Tabelë tjetër, "një mburojë për të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë, një fortesë për këdo që beson në Perëndinë, të Pakrahasueshmin, të Gjithëdijshmin. Dhëntë Zoti që nëpërmjet Teje Ai t'i mbrojë, t'i pasurojë e t'i mbështesë ata, që Ai të të frymëzojë Ty me atë që do të jetë burim begatie për të gjitha gjërat e krijuara, oqean bujarie për të gjithë njerëzit dhe agimi i mirësisë për të gjithë popujt".

"Ti e di, O Perëndia im", kërkon Bahá'u'lláh-u në një lutje të reveluar për nder të 'Abdu'l-Bahá-it, "se Unë dua për Të vetëm atë që ke dashur Ti, dhe e kam zgjedhur Atë jo për qëllim tjetër veç atij që ke caktuar Ti për Të. Bëje, pra, Atë fitimtar me anë të ushtrive të Tua të qiellit e të tokës ... Të përgjërohem për zjarrin e dashurisë Sime për Ty dhe për dëshirën Time të flaktë për të manifestuar Kauzën Tënde, cakto për Të, si dhe për të gjithë ata që e duan Atë, ato që Ti i ke destinuar për Lajmëtarët e Tu dhe për të Besuarit e Revelacionit Tënd. Me të vërtetë, Ti je i Gjithëfuqishmi, i Gjithëpushtetshmi".

Në një letër të diktuar prej Bahá'u'lláh-ut dhe të dërguar nga Mirza Aga Xhani [Mirza Aqá Ján], shkruesi i Tij, 'Abdu'l-Bahá-it, në kohën që ky i fundit ndodhej për një vizitë në Bejrut, lexojmë sa vijon: "Lëvduar qoftë Ai që ka nderuar Tokën e Bá (Bejrutit) me praninë e Atij rreth të Cilit vërtiten të gjithë emrat. Të gjitha atomet e tokës u kanë shpallur të gjitha gjërave të krijuara se prapa portës së Qytetit-burg është shfaqur dhe po ndrit mbi horizontin e tij Ylli i bukurisë i Degës së madhe, Më të Fuqishme të Perëndisë - Misteri i Tij i lashtë e i pandryshuar - duke vazhduar rrugën e tij për në një vend tjetër. Prandaj hidhërimi e ka përfshirë këtë Qytet-burg, ndërsa një tokë tjetër gëzon ... E bekuar, dyfish e bekuar, është toka që kanë shkelur hapat e Tij, syri që është kënaqur nga bukuria e shëmbëlltyrës së Tij, veshi që është nderuar duke dëgjuar thirrjen e Tij, zemra që ka provuar ëmbëlsinë e dashurisë së Tij, gjoksi që është zgjeruar përmes kujtimit të Tij, penda që ka shprehur lavdërime për Të, fleta që ka bartur dëshminë e shkrimeve të Tij".

'Abdu'l-Bahá-i, duke shkruar në konfirmim të autoritetit që iu dha Atij prej Bahá'u'lláh-ut, bën këtë deklaratë: "Në pajtim me teksin e qartë të Qitapi Akdasit, Bahá'u'lláh-u e ka bërë Interpretuesin e Fjalës së Tij Qendër të Besëlidhjes - një Besëlidhje kaq e qëndrueshme dhe e fuqishme, saqë qysh nga fillimi i kohëve e deri në ditën e sotme asnjë Dispensacion fetar nuk ka krijuar diçka të ngjashme me të".

Sado i lartë që është rangu i 'Abdu'l-Bahá-it dhe sado të pakursyera lavdërimet me të cilat Bahá'u'lláh-u i thur lavde djalit të Tij në këta Libra e Tabela të shenjta, një shquarsi kaq unikale kurrë nuk duhet interpretuar sikur i jep bartësit të tyre një pozitë të njëjtë ose të barabartë me atë të Atit të Tij, të Vetë Manifestimit. T'i japësh një interpretim të tillë ndonjërit prej këtyre pasazheve të cituara, kjo menjëherë, dhe për arsye të qarta, do ta vinte atë në konflikt me pohimet e paralajmërimet jo më pak të qarta e autentike, të cilave unë u jam referuar më sipër. Me të vërtetë, siç e kam deklaruar tashmë, ata që e mbivlerësojnë pozitën e 'Abdu'l-Bahá-it janë po aq të qortueshëm dhe kanë sjellë po aq dëm sa dhe ata që e nënvleftësojnë atë. Dhe kjo jo për ndonjë arsye tjetër, veç këmbënguljes së tyre në një konkluzion gjithashtu të palejueshëm që nxjerrin nga shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, duke e justifikuar e duke i dhënë vazhdimisht padashur armikut prova për akuzat e rrema dhe deklaratat mashtruese të tij.

Prandaj unë e ndiej të nevojshme të deklaroj pa mëdyshje a ngurrim se as në Qitapi Akdasin, as në Librin e Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut, as në Tabelën e Degës a në ndonjë Tabelë tjetër, të reveluar qoftë nga Bahá'u'lláh-u ose 'Abdu'l-Bahá-i, nuk ka asnjë lloj përkrahje të atij mendimi që priret të mbështesë të ashtuquajturin "unitet mistik" të Bahá'u'lláh-ut dhe 'Abdu'l-Bahá-it, ose të bëjë njejësimin e këtij të fundit me Atin e Tij ose me ndonjë Manifestim pararendës. Ky konceptim i gabuar mund t'i atribuohet, pjesërisht, një interpretimi krejt ekstravagant të disa termave e pasazheve në Tabelën e Degës, paraqitjes në përkthimin anglisht të disa fjalëve që ose nuk ekzistojnë, ose krijojnë keqkuptime ose janë të dykuptimshme. Ai, padyshim, bazohet kryesisht në një konkluzion krejt të pajustifikuar nga pasazhet e hyrjes të Tabelës së Bahá'u'lláh-ut, ekstrakte të së cilës, siç janë riprodhuar në "Shkrimet Bahái", paraprijnë menjëherë Tabelën e Degës, por nuk janë pjesë përbërëse e saj. Duhet t'i bëhet e qartë cilitdo që i lexon ato ekstrakte se me frazën "Gjuha e të Lashtit" nuk bëhet fjalë për askënd tjetër veç Perëndisë, se termi "Emri Më i Madh" është një referim i qartë për Bahá'u'lláh-un, dhe se "Besëlidhja" për të cilën bëhet fjalë aty nuk është Besëlidhja e posaçme, Autori i drejtpërdrejtë i së cilës është Bahá'u'lláh-u dhe Qendra e saj 'Abdu'l-Bahá-i, por Besëlidhja e përgjithshme që, siç predikojnë mësimet Bahá'í, vetë Perëndia vendos gjithmonë me njerëzimin, kur Ai nis një Dispensacion të ri. "Gjuha" që "jep", siç thuhet në këto ekstrakte, "lajmin e mirë" nuk është tjetër veçse Zëri i Perëndisë që i referohet Bahá'u'lláh-ut, dhe jo Bahá'u'lláh-u duke iu referuar 'Abdu'l-Bahá-it.

Për më tepër, t'i përmbahesh mendimit se pohimi "Ai është Vetja Ime", në vend që të tregojë unitetin mistik të Perëndisë e të Manifestimeve të Tij, siç shpjegohet në Qitapi Ikanin [Kitáb-i-Iqán], vendos njejësimin e Bahá'u'lláh-ut me 'Abdu'l-Bahá-in, kjo do të përbënte një shkelje të drejtpërsëdrejtë të parimit shpesh të përsëritur të njëshmërisë së Manifestimeve të Perëndisë - parim që Autori i vetë këtyre ekstrakteve kërkon ta theksojë duke e nënkuptuar.

Kjo do të çonte gjithashtu në një rikthim tek ato besime irracionale e supersticioze të cilat, në shekullin e parë të epokës së Krishtërimit, zvarriteshin pas mësimeve të Jesu Krishtit dhe, duke u kristalizuar në dogma të pranuara, kanë dëmtuar efektivitetin dhe kanë errësuar qëllimin e Fesë së Krishterë.

"Unë afirmoj", është komenti i shkruar i vetë 'Abdu'l-Bahá'-it për Tabelën e Degës, "se kuptimi i vërtetë, domethënia e vërtetë, sekreti më i thellë i këtyre vargjeve, i vetë këtyre fjalëve është shërbimi im ndaj Pragut të Shenjtë të Bukurisë Abhá, vetëfshirja ime e plotë, papërfillshmëria ime totale para Tij. Kjo është kurora ime e shndritshme, stolia ime më e vyer. Me këtë mburr unë veten time në mbretërinë e qiellit e të tokës. Nga kjo lavdërohem unë midis grupit të më të preferuarve!" "Askujt nuk i lejohet", na paralajmëron Ai në pasazhin që vijon menjëherë pas kësaj, "t'u japë këtyre vargjeve çfarëdo interpretim tjetër". "Unë jam", afirmon Ai në të njëjtin kontekst, "sipas teksteve të qarta të Qitapi Akdasit [Kitáb-i-Aqdas] dhe të Qitapi Adit [Kitáb-i-Ahd], Intrpretuesi i padyshimtë i Fjalës së Perëndisë ... Kush largohet nga interpretimi im është viktimë e fantazisë së vet".

Për më tepër, konkluzioni i pashmangshëm që rrjedh nga bindja për njejësimin e Autorit të Besimit Tonë me Atë që është Qendra e Besëlidhjes së Tij do të ishte ta vendosësh 'Abdu'l-Bahá-in në një pozitë më të lartë se ajo e Báb-it, e kundërta e së cilës është, edhe pse kjo ende nuk është njohur nga të gjithë, parimi bazë i këtij Revelacioni. Kjo do të justifkonte, gjithashtu, akuzën me të cilën, gjatë tërë periudhës së shërbimit të 'Abdu'l-Bahá-it, Besëlidhjeshkelësit janë përpjekur të helmonin mendjet dhe të zvetënonin intuitën e besimtarëve besnikë të Bahá'u'lláh-ut.

Do të ishte më e drejtë, dhe në pajtim me parimet e vendosura prej Bahá'u'lláh-ut e prej Báb-it, sikur në vend që të ruanim këtë njejësim të rremë lidhur me 'Abdu'l-Bahá-in, ne t'i shihnim Pararendësin dhe Themeluesin e Besimit tonë si të njëjtë në realitet - një e vërtetë kjo, të cilën teksti i Suresë së Hejkalit [Súriy-i-Haykal] e afirmon në mënyrë të pagabueshme. "Sikur Pika Parësore ( Báb-i) të ishte dikush tjetër veç meje, siç pretendoni ju", është deklarata e qartë e Bahá'u'lláh-ut, "dhe Ai të kishte arritur në praninë Time, Ai me të vërtetë nuk do t'i lejonte kurrë Vetes të ndahej prej Meje, përkundrazi Ne do të kishim kënaqësi reciproke me njëri-tjetrin në Ditët e Mia". "Ai që tani shpall Fjalën e Perëndisë", afirmon edhe një herë Bahá'u'lláh-u, "nuk është tjetër, veçse Pika Parësore që është shfaqur përsëri". "Ai është", kështu i referohet Ai Vetvetes në një Tabelë drejtuar njërit prej Shkronjave të të Gjallit, "i njëjtë me Atë Që u shfaq në vitin gjashtëdhjetë (1260 A.H.). Kjo me të vërtetë është njëra prej shenjave të Tij të fuqishme". "Cili", argumenton Ai në Surenë e Damit [Súriy-i-Damm], "do të ngrihet për të siguruar triumfin e Bukurisë Parësore ( Báb-it), të reveluar në pamjen e Manifestimit pasardhës të Tij?" Duke iu referuar Revelacionit të shpallur nga Báb-i, Ai e karakterizon anasjelltas atë si "Manifestimi Im i mëparshëm".

Që Abdu'l-Bahá-i nuk është një Manifestim i Perëndisë, që Ai e merr dritën e Tij, frymëzimin e Tij dhe mbështetjen drejtpërdrejt nga Burimi i Revelacionit Bahá'í; që Ai reflekton si një Pasqyrë e kulluar dhe e përsosur rrezet e lavdisë së Bahá'u'lláh-ut dhe nuk zotëron nga natyra e vet atë realitet të papërcaktueshëm e megjithatë gjithëpërshkues, zotërimi ekskluziv i të cilit është shenja dalluese e Profetërisë; që fjalët e Tij nuk janë të një rangu, edhe pse kanë vlerë të barabartë me thëniet e Bahá'u'lláh-ut; që Ai nuk mund të shpallet si rikthimi i Jesu Krishtit, i Birit Që do të vijë "në lavdinë e Atit" - këto të vërteta gjejnë justifikim të mëtejshëm dhe përforcohen më tej nga thënia e mëposhtme e 'Abdu'l-Bahá-it, drejtuar disa besimtarëve në Amerikë, me të cilën unë mund ta përfundoj këtë pjesë: "Ju keni shkruar se ka një ndryshim midis besimtarëve lidhur me 'Ardhjen e Dytë të Krishtit'. O Perëndi i Mirë! Kjo çështje është ngritur herë pas here, dhe përgjigja e saj ka dalë në një deklaratë të qartë e të padiskutueshme nga penda e 'Abdu'l-Bahá-it, se ajo që nënkuptohet në profecitë me termat "Zoti i Grupimeve" dhe "Krishti i Premtuar" është Përsosuria e Bekuar (Bahá'u'lláh-u) dhe Shenjtëria e Tij, i Lartësuari ( Báb-i). Emri im është 'Abdu'l-Bahá (Shërbëtori i Bahá-it). Cilësimi im është 'Abdu'l-Bahá. Realiteti im është 'Abdu'l-Bahá. Lavdërimi im është 'Abdu'l-Bahá. Nënshtrimi ndaj Përsosurisë së Bekuar është kurora ime e lavdishme dhe e shndritshme, dhe shërbimi ndaj gjithë gjinisë njerëzore është feja ime e përhershme...Unë nuk kam, e nuk do të kem kurrë, tjetër emër, tjetër titull, tjetër cilësim, tjetër lavdërim, përveç se 'Abdu'l-Bahá ... Kjo është dëshira ime më e madhe. Kjo është jeta ime e përjetshme. Kjo është lavdia ime e përhershme".

R E N D I A D M I N I S T R A T I V

Të shumëdashur vëllezër në 'Abdu'l-Bahá-in! Pasi Bahá'u'lláh-u ndërroi jetë, Ylli i Ditës i udhërrëfimit Hyjnor, i cili, siç është parashikuar nga Sheik Ahmeti [Shaykh Ahmad] dhe Seid Qazimi [Siyyid Kázim], doli në Shiráz dhe, ndërsa vazhdonte rrugën drejt perëndimit, arriti zenitin e tij në Adrianopojë, perëndoi më në fund nën horizontin e Akrës ['Akká], për të mos dalë më kurrë para se të mbushen plot njëmijë vjet. Perëndimi i një Ylli kaq të shkëlqyer e çoi në një përfundim të caktuar periudhën e Revelacionit Hyjnor - periudhën fillestare e më jetësore të epokës Bahá'í. E nisur prej Báb-it, duke arritur kulmin me Bahá'u'lláh-un, e paraprirë dhe e lartësuar nga tërë grupi i Profetëve të këtij cikli të madh profetik, kjo periudhë, me përjashtim të intervalit të shkurtër midis martirizimit të Báb-it dhe përjetimit tronditës të Bahá'u'lláh-ut në Sijah Çalin [Síyáh-Chál] e Teheranit, është karakterizuar nga pothuajse pesëdhjetë vjet Revelacion të vazhdueshëm e të shkallëzuar - një periudhë, e cila përsa i përket kohëzgjatjes e pjellorisë duhet konsideruar si e pashoqe në tërë fushën e historisë shpirtërore të botës.

Vdekja e 'Abdu'l-Bahá-it, nga ana tjetër, shënon mbylljen e epokës Heroike e Apostolike të vetë këtij Dispensacioni - të asaj periudhe të hershme të Besimit tonë, shkëlqimet e së cilës kurrë nuk mund të barazohen, aq më pak të eklipsohen, nga madhështia që duhet të shquajë fitoret e ardhme të Revelacionit të Bahá'u'lláh-ut. Sepse as arritjet e ndërtuesve të institucioneve të sotme të Besimit të Bahá'u'lláh-ut, as triumfet e bujshme që heronjtë e Epokës së Artë të tij do të fitojnë në ditët që do të vijnë, nuk mund të maten, ose të përfshihen në të njëjtën kategori, me bëmat e mahnitshme që lidhen me emrat e atyre që lindën vetë jetën e tij dhe vendosën themelet e tij të hershme. Ajo epokë e parë e krijuese e epokës Bahá'í, nga vetë natyra e saj, duhet të qëndrojë më lart dhe e veçantë nga periudha formuese në të cilën kemi hyrë dhe nga epoka e artë e destinuar që të vijë pas saj.

'Abdu'l-Bahá'í, i Cili mishëron një institucion të cilit nuk i gjendet shoku në cilindo prej sistemeve të njohura fetare të botës, mund të thuhet se ka mbyllur Epokën së cilës i përkiste Ai Vetë dhe ka hapur atë epokë në të cilën ne tashmë përpiqemi. Vullneti e Testamenti i Tij duhet konsideruar, pra, si lidhja e përjetshme, e pazgjidhshme, të cilën mendja e Atij Që është Misteri i Perëndisë e ka konceptuar për të siguruar vazhdimësinë e tre epokave që janë pjesët përbërëse të Dispensacionit Bahá'í. Periudha në të cilën fara e Besimit mbinte ngadalë u gërshetua kështu si me atë që duhet të shohë lulëzimin e saj dhe me epokën pasardhëse, në të cilën kjo farë do të japë më në fund frytin e saj të artë.

Energjitë krijuese të çliruara nga ligji i Bahá'u'lláh-ut, duke depërtuar dhe duke u zhvilluar brenda mendjes së 'Abdu'l-Bahá-it, kanë lindur, në saje të vetë fërkimit e ndërveprimit të tyre të ngushtë, një Instrument që mund të konsiderohet si Karta e Rendit të Ri Botëror, që është në të njëjtën kohë lavdia dhe premtimi i këtij Dispensacioni kaq të madh. Kështu, Testamenti mund të shpallet si pasardhësi i pashmangshëm që rezulton nga lidhja mistike midis Atij Që komunikoi ndikimin përtëritës të Qëllimit të Tij Hyjnor dhe Atij Që është mjeti dhe bartësi i zgjedhur i tij. Duke qenë Fëmija i Besëlidhjes - trashëgimtari si i Nismëtarit dhe i Interpretuesit të Ligjit të Perëndisë - Vullneti e Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it nuk mund të ndahet më prej Atij Që dha impulsin e parë e shtytës dhe prej Atij Që e konceptoi përfundimisht atë. Qëllimi i padepërtueshëm i Bahá'u'lláh-ut, duhet ta kemi gjithnjë parasysh, ka qenë rrënjosur kaq shumë në sjelljen e 'Abdu'l-Bahá-it dhe motivet e tyre kanë qenë gërshetuar kaq ngushtë së bashku, saqë përpjekja e thjeshtë për t'i ndarë mësimet e të parit nga çdo sistem që Shembulli ideal i vetë këtyre mësimeve ka vendosur, do të çonte në mohimin e njërës prej të vërtetave më të shenjta e thelbësore të Besimit.

Rendi Adiministrativ, i cili qysh prej vdekjes së 'Abdu'l-Bahá-it ka evoluar e po merr formë para syve tanë në jo më pak se dyzet vende të botës, mund të konsiderohet si struktura e vetë Testamentit, fortesa e paprekshme, në të cilën kjo foshnjë e porsalindur po ushqehet e po zhvillohet. Ky Rend Administrativ, ndërsa zgjerohet e konsolidohet, padyshim do të shfaqë potencialet e do të revelojë plotësisht gjithçka nënkupton ky Dokument kaq i rëndësishëm - kjo shprehje kaq e shquar e Vullnetit të Njërës prej Figurave më të shquara të Dispensacionit të Bahá'u'lláh-ut. Ky Dispensacion, si dhe pjesët përbërëse të tij, institucionet e tij organike, do të fillojë të funksionojë me efikasitet e energji, do të konfirmojë rivendikimin e tij dhe do të tregojë aftësinë e tij për t'u parë jo vetëm si bërthama, por edhe si vetë modeli i Rendit të ri Botëror, të destinuar të përfshijë, kur të vijë koha, mbarë njerëzimin.

Duhet vënë në dukje lidhur me këtë se ky Rend Administrativ është krejt i ndryshëm nga çdo gjë që ka krijuar më parë ndonjë Profet, duke qenë se Vetë Bahá'u'lláh-u ka reveluar parimet e tij, ka krijuar institucionet e tij, ka caktuar personin që të interpretonte Fjalën e Tij dhe ka veshur me autorirtetin e nevojshëm organin e caktuar për të plotësuar e zbatuar porositë e Tij legjislative. Në këtë qëndron sekreti i forcës së tij, dallimi i tij themelor dhe garancia kundër shpërbërjes e përçarjes. Asgjëkundi në shkrimet e shenjta të cilitdo prej sistemeve fetare të botës, as edhe në shkrimet e Nismëtarit të Dispensacionit Bábí, nuk gjejmë masa të tilla për vendosjen e një besëlidhjeje ose për sigurimin e një rendi administrativ, të cilat në pikëpamje të horizontit e të autoritetit të mund të krahasohen me ato që qëndrojnë në vetë themelin e Dispensacionit Bahá'í. Mos vallë Krishtërimi ose Islami, që të marrim si shembull dy fetë më të përhapura e më të shquara ndër fetë e njohura të botës, mund të ofrojnë diçka që mund të matet, ose të konsiderohet e barabartë, qoftë me Librin e Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut ose me Vullnetin e Testamentin e 'Abdu'l-Bahá-it? A u jep teksti qoftë i Ungjillit ose i Kuranit autoritet të mjaftueshëm atyre drejtuesve e këshillave, që kanë pretenduar për të drejtën dhe kanë marrë funksionin e interpretimit të parashikimeve të shkrimeve të tyre të shenjta dhe të administrimit të punëve të komuniteteve të tyre përkatëse? A mundeshin Pjetri, kryetari i pranuar i Apostujve, ose Imam Aliu, kushëriri dhe pasardhësi i ligjshëm i Profetit, të paraqitnin, në mbështetje të parësisë me të cilën kanë qenë veshur të dy ata, afirmime të shkruara e të qarta të Krishtit e të Muhametit, të cilat të mund t'u mbyllnin gojën atyre prej bashkëkohësve ose të një kohe të mëvonshme që kanë hedhur poshtë autoritetin e tyre dhe që me veprimin e tyre kanë shkaktuar përçarjet që vazhdojnë gjer në ditët e sotme? Ku, mund të pyesim pa frikë ne, në thëniet e dokumentuara të Jesu Krishtit, qoftë për çështjen e vazhdimësisë ose për hartimin e një vargu ligjesh të posaçme e porosish administrative të përcaktuara qartë, që dallohen prej parimeve thjesht shpirtërore, mund të gjejmë diçka që t'u afrohet urdhëzimeve, ligjeve e paralajmërimeve të hollësishme që janë me bollëk në thëniet e vërtetuara të Bahá'u'lláh-ut e të 'Abdu'l-Bahá-it? A mundet ndonjë pasazh i Kuranit, i cili përsa i përket kodit të tij legal, porosive të tij administrative e devocionale shënon një përparim të dukshëm kundrejt Revelacioneve të mëparshme e më të zvetënuara, të interpretohet se vendos mbi një bazë të pamposhtur autoritetin e padyshimtë me të cilin Muhameti pat veshur verbalisht e në raste të ndryshme pasardhësin e Tij? A mundet Autori i Dispensacionit Bábí, sado të ketë arritur Ai përmes parashikimeve të Bajanit Persian të shmangë një përçarje po aq të vazhdueshme e katastrofike sa dhe ato që goditën Krishtërimin dhe Islamin - a mund të thuhet se Ai ka krijuar instrumente për garantimin e Besimit të Tij, po aq të përcaktuara e efektive sa dhe ato që duhet të ruajnë përgjithmonë unitetin e pasuesve të organizuar të Besimit të Bahá'u'lláh-ut?

Nga të gjitha Revelacionet e mëparshme, vetëm ky Besim, përmes direktivave të qarta, paralajmërimeve të përsëritura, garancive autentike të përfshira e të përpunuara në mësimet e tij, ia ka arritur të ngrejë një strukturë, të cilën pasuesit e hutuar të bindjeve të dështuara e të copëtuara mund fare mirë ta vëzhgojnë e ta shqyrtojnë në mënyrë kritike dhe, sa nuk është tepër vonë, të kërkojnë sigurinë e paprekshme që ofron streha e tij e përbotshme.

Nuk ka asgjë për t'u çuditur që Ai, i Cili përmes veprimit të Vullnetit të Tij ka nisur një Rend kaq të gjerë e të pashoq dhe Që është Qendra e një Besëlidhjeje kaq të fuqishme, ka shkruar këto fjalë: "Kaq e qëndrueshme dhe e fuqishme është kjo Besëlidhje, sa nga fillimi i kohëve e deri në ditën e sotme, asnjë Dispensacion fetar nuk ka krijuar diçka të ngjashme me të". "Gjithçka që është e fshehur në brendësinë e këtij cikli të shenjtë", ka shkruar Ai gjatë ditëve më të errëta e më të rrezikshme të shërbimit të Tij, "gradualisht do të shfaqet e do të bëhet e dukshme, sepse tani është vetëm fillimi i rritjes së tij dhe agimi i revelimit të shenjave të tij". "Mos kini frikë", janë fjalët e Tij që sigurojnë për ngritjen e Rendit Administrativ të caktuar prej Testamentit të Tij, "mos kini frikë, nëse kjo Degë do të ndahet prej kësaj bote materiale dhe do të lëshojë gjethet e saj; jo, gjethet e saj do të lulëzojnë nga kjo, sepse kjo Degë do të rritet pasi të jetë prerë nga kjo botë këtu poshtë, ajo do të arrijë majat më të larta të lavdisë dhe do të japë fryte të tilla që do ta mbushin botën me aromën e tyre".

Për ç'gjë tjetër mund të bëjnë aluzion këto thënie të Bahá'u'lláh-ut, veç fuqisë e madhështinë që ky Rend Administrativ - filizi i Konfederatës së ardhshme gjithëpërfshirëse Bahá'í, - është i destinuar të shfaqë; "Ekuilibri botëror është tronditur nga ndikimi drithërues i këtij Rendi Botëror madhështor e të ri. Jeta e organizuar e gjinisë njerëzore është revolucionarizuar nga veprimi i këtij Sistemi unikal, të mahnitshëm, të ngjashëm me të cilin sy të vdekshëm kurrë s'kanë parë".

Vetë Báb-i, në referencat e tij për "Atë Që Perëndia do ta shfaqë", parashikon Sistemin dhe i thur lavde Rendit Botëror, të cilin Revelacioni i Bahá'u'lláh-ut është i destinuar të shpalosë. "Lum ai", është deklarata e Tij e shquar në kreun e tretë te Bajanit Persian, "që e ngulit vështrimin te Rendi i Bahá'u'lláh-ut dhe falënderon Zotin e tij! Sepse Ai me siguri do të shfaqet. Perëndia me të vërtetë e ka urdhëruar në mënyrë të pakthyeshme këtë në Bajanin".

Në Tabelat e Bahá'u'lláh-ut ku institucionet e Shtëpive të Drejtësisë, Ndërkombëtare e Lokale, janë përcaktuar në mënyrë të posaçme dhe janë vendosur zyrtarisht; në institucionin e Duarve të Kauzës së Perëndisë, të cilin në fillim Bahá'u'lláh-u e pastaj 'Abdu'l-Bahá-i e sollën në jetë; në institucionin e Asambleve, si lokale dhe kombëtare, të cilat në një fazë embrionale funksiononin tashmë në ditët para ndërrimit jetë të 'Abdu'l-Bahá-it; në autoritetin, me të cilin Autori i Besimit tonë dhe Qendra e Besëlidhjes së Tij kanë vendosur t'i veshin ato në Tabelat e tyre; në institucionin e Fondit Lokal, i cili vepronte në përputhje me udhëzimet e posaçme të 'Abdu'l-Bahá-it drejtuar disa Asambleve në Persi; në vargjet e Qitapi Akdasit, aludimet e të cilit parashikonin qartë institucionin e Ruajtësisë; në shpjegimet që 'Abdu'l-Bahá-i, në një prej Tabelave të Tij, ka dhënë për, dhe në theksin që ka vënë lidhur me, parimin e trashëgimisë dhe lidhur me ligjin e parësisë, si të tilla që janë mbështetur nga Profetët e së kaluarës - në këto ne mund të shohim aluzionet më të hershme për natyrën dhe funksionimin e Rendit Administrativ, të cilin Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it ishte i destinuar ta shpallte e ta vendoste zyrtarisht në një kohë të mëvonshme.

Një përpjekje mendoj se duhet bërë në koniunkturën e tanishme për të shpjeguar karakterin dhe funksionet e shtyllave binjake që mbështesin këtë Strukturë të fuqishme Administrative - të institucioneve të Ruajtësisë dhe të Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Përshkrimi në tërësinë e tyre i elementëve të ndryshëm që funksionojnë në lidhje me këto institucione është jashtë kuadrit e qëllimit të kësaj paraqitjeje të përgjithshme të të vërtetave bazë të Besimit. Të përcaktosh me saktësi e hollësi tiparet, dhe të analizosh në mënyrë të plotë natyrën e marrëdhënieve që, nga njëra anë, i lidhin së bashku këto dy organe themelore të Testamentit të 'Abdu'l-Bahá-it dhe, nga ana tjetër, e lidhin secilin prej tyre me Autorin e Besimit dhe me Qendrën e Besëlidhjes së Tij, kjo është një detyrë, të cilën brezat e ardhshëm padyshim do ta plotësojnë si duhet. Qëllimi im i tanishëm është të përcaktoj disa tipare të shquara të kësaj skeme, të cilat, sado pranë strukturës së saj kolosale që të qëndrojmë, janë të përvijuara tashmë kaq qartë saqë e shohim të pafalshme t'i keqkuptojmë ose injorojmë.

Në përfundim duhet deklaruar, me një gjuhë të qartë e pa dy kuptime, se këto insitucione binjake të Rendit Administrativ të Bahá'u'lláh-ut duhen parë si hyjnore nga prejardhja e tyre, thelbësore në funksionet e tyre dhe plotësuese në pikësynimin e qëllimin e tyre. Objekti i tyre i përbashkët e themelor është të sigurojnë vazhdimësinë e atij autoriteti të përcaktuar në mënyrë hyjnore, i cili rrjedh nga Burimi i Besimit tonë, të mbrojnë unitetin e pasuesve të tij dhe të ruajnë paprekshmërinë e lakueshmërinë e mësimeve të tij. Duke vepruar bashkërisht me njëri-tjetrin, këto dy institucione të pandashme administrojnë punët e tij, bashkërendojnë veprimtaritë e tij, çojnë përpara interesat e tij, zbatojnë ligjet e tij dhe mbrojnë institucionet e tij ndihmëse. Veç e veç, secili vepron brenda një sfere juridiksioni të përcaktuar qartë; secili ka institucionet e veta të shërbimit - instrumente të caktuara për kryerjen efektive të përgjegjësive e të detyrave të veçanta të tyre. Secili ushtron, brenda kufizimeve që i imponohen, kompetencat e veta, autoritetin e vet, të drejtat e prerogativat e veta. Këto as nuk janë kontradiktore, as nuk ulin qoftë edhe një fije pozitën që zë secili prej këtyre institucioneve. Ato, jo vetëm nuk janë të papajtueshme ose destruktive për njëri-tjetrin, por plotësojnë autoritetin e funksionet e njëri-tjetrit, dhe janë vazhdimisht e në thelb të bashkuara në pikësynimet e tyre.

I shkëputur prej institucionit të Ruajtësisë, Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut do të gjymtohej e do të privohej përgjithmonë nga ai parim i trashëguar, i cili, siç ka shkruar 'Abdu'l-Bahá-i, është mbështetur kurdoherë nga Ligji i Perëndisë. "Në të gjitha Dispensacionet hyjnore", deklaron Ai në një Tabelë drejtuar një pasuesi të Besimit në Persi, "djalit të madh i janë dhënë shquarsi të jashtëzakonshme. Madje edhe posti i profetërisë ka qenë e drejta e tij e parësisë". Pa një institut të tillë, integriteti i Besimit do të rrezikohej dhe stabiliteti i tërë godinës do të vihej në rrezik të madh. Prestigji i tij do të dëmtohej, mjetet e nevojshme për t'i dhënë mundësi atij të ndjekë një synim afatgjatë e të pandërprerë mbi një seri gjeneratash do të mungonin krejtësisht dhe udhëheqja e nevojshme për të përvijuar sferën e veprimit legjislativ të përfaqësuesve të tij të zgjedhur do të hiqej tërësisht.

I ndarë nga institucioni jo më pak thelbësor i Shtëpisë Universale të Drejtësisë, vetë ky Sistem i Testamentit të 'Abdu'l-Bahá-it do të paralizohej në veprimtarinë e tij dhe do të ishte i pafuqishëm të mbushte ato zbrazëti që Autori i Qitapi Akdasit ka lënë me paramendim në trupin e porosive të Tij legjislative e administrative.

"Ai është Interpretuesi i Fjalës së Perëndisë", pohon 'Abdu'l-Bahá-i lidhur me funksionet e Ruajtësit të Besimit, duke përdorur në Testamentin e Tij pikërisht atë term që Ai Vetë pat zgjedhur kur hodhi poshtë argumentimin e Besëlidhjeshkelësve që patën kundërshtuar të drejtën e Tij për të interpretuar thëniet e Bahá'u'lláh-ut. "Pas tij", shton Ai, "do të vijë i parëlinduri nga pasardhësit e tij në linjë të drejtpërdrejtë". "Fortesa e fuqishme", shpjegon më tej Ai, "do të mbetet e papushtueshme dhe e sigurt përmes bindjes ndaj atij që është Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë". "Është detyrë e anëtarëve të Shtëpisë së Drejtësisë, e të gjithë Aghsánëve, Afnánëve, Duarve të Kauzës së Perëndisë të tregojnë bindjen, nënshtrimin dhe varësinë e tyre ndaj Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë".

"Është detyrë e anëtarëve të Shtëpisë së Drejtësisë", deklaron, nga ana tjetër, Bahá'u'lláh-u në Fletën e Tetë të Parajsës së Lavdëruar, "të këshillohen së bashku për ato gjëra që nuk janë reveluar haptazi në këtë Libër dhe të të vënë në jetë atë që është e pëlqyeshme për ta. Perëndia me të vërtetë do t'i frymëzojë ata me çdo gjë që dëshiron, dhe Ai me të vërtetë është Dhuruesi, i Gjithëdijshmi". "Secili duhet t'i drejtohet Librit Më të Shenjtë" (Qitapi Akdasit), deklaron 'Abdu'l-Bahá-i në Testamentin e Tij, "dhe çdo gjë që nuk është shënuar shprehimisht aty t'i paraqitet Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Ajo që vendos ky organ, njëzëri ose me shumicë votash, është në fakt e vërteta dhe synimi i Vetë Perëndisë. Cilido që devijon nga kjo është me të vërtetë ndër ata që duan mosmarrëveshjen, tregojnë ligësi dhe janë larguar nga Zoti i besëlidhjes".

'Abdu'l-Bahá-i jo vetëm konfirmon në Testamentin e Tij deklaratën e Bahá'u'lláh-ut që cituam më lart, por edhe e vesh këtë organ me të drejtën e kompetencën suplementare për të abroguar, sipas kërkesave të kohës, vendimet e veta, si dhe ato të një Shtëpie të mëparshme të Drejtësisë. "Derisa Shtëpia e Drejtësisë", deklarohet shprehimisht në Testamentin e Tij, "ka kompetencë të vendosë ligje që nuk janë shkruar shprehimisht në Librin dhe merret me veprimtaritë e përditshme, ajo ka gjithashtu kompetencë t'i anulojë përsëri ato... Këtë ajo mund ta bëjë, sepse këto ligje nuk përbëjnë pjesë të thëna shprehimisht të teksit hyjnor".

Duke iu referuar si Ruajtësit dhe Shtëpisë Universale të drejtësisë, lexojmë këto fjalë emfatike: "Dega e shenjtë e rinore, ruajtësi i Kauzës së Perëndisë, si dhe Shtëpia Universale e Drejtësisë, që duhet zgjedhur e vendosur në mënyrë universale, janë të dy nën kujdesin dhe mbrojtjen e Bukurisë Abhá, nën strehën e udhëheqjen e pagabueshme të Shenjtërisë së Tij, të të Lartësuarit ( Báb-it) (u flijoftë jeta ime për ata të dy). Çdo gjë që të vendosin ata është nga Perëndia".

Nga këto deklarata bëhet pa pikë dyshimi e qartë e evidente se Ruajtësi i Besimit është bërë Interpretuesi i Fjalës dhe se Shtëpia Universale e Drejtësisë është veshur me funksionin e ligjvënies për çështje që nuk janë të reveluara shprehimisht në mësimet. Interpretimi i Ruajtësit, që vepron brenda sferës së tij, kanë po atë autoritet e forcë detyruese sa edhe ligjet e Shtëpisë Ndërkombëtare të Drejtësisë, e drejta dhe prerogativa eksluzive e së cilës është të shprehet e të japë gjykimin përfundimtar për të tilla ligje e porosi që Bahá'u'lláh-u nuk i ka reveluar shprehimisht. Asnjëri nuk mundet, dhe kurrë nuk do të shkelë sferën e shenjtë e të caktuar të tjetrit. Asnjëri nuk do të kërkojë të cungojë autoritetin e posaçëm e të padyshimtë me të cilin janë veshur në mënyrë hyjnore që të dy.

Edhe pse Ruajtësi i Besimit është bërë kreu i përhershëm i një organizmi kaq madhështor, ai kurrë, as përkohësisht, nuk mund të marrë të drejtën e legjislacionit eksluziv. Ai nuk mund të shkelë vendimin e shumicës së bashkanëtarëve të tij, por e ka për detyrë të ngulë këmbë që ata të rishikojnë ndonjë ligj që ai beson me ndërgjegje se është në kundërshtim me kuptimin dhe përbën largim nga fryma e thënieve të reveluara prej Bahá'u'lláh-ut. Ai interpreton atë që është reveluar në mënyrë specifike dhe nuk mund të nxjerrë ligje veçse nga pozita e tij si anëtar i Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Ai e ka të ndaluar të hartojë në mënyrë pavarur statutin që duhet të qeverisë veprimtaritë e organizuara të bashkëshokëve të tij, si dhe të ushtrojë ndikimin e tij në një mënyrë që do të cënonte lirinë e atyre që kanë të drejtën e shenjtë të zgjedhin grupin e bashkëpunëtorëve të tij.

Duhet mbajtur parasysh se institucioni i Ruajtësisë është parashikuar prej 'Abdu'l-Bahá-it në një aluzion që Ai ka bërë në një Tabelë që i drejtonte, shumë kohë para se të ndërronte jetë, tre miqve të Tij në Persi. Pyetjes së tyre nëse do të kishte ndonjë person, të cilit pas vdekjes së Tij të gjithë Bahá'í-të t'i drejtoheshin, ai i dha këtë përgjigje: "Sa për pyetjen që më bëni, dijeni me të vërtetë se ky është një sekret i ruajtur mirë. Është madje si një margaritar i fshehur brenda guackës së vet. Që ai do të revelohet, kjo është e paracaktuar. Do të vijë koha, kur drita e tij do të shfaqet, kur provat e tij do të manifestohen dhe të fshehtat e tij do të shpalosen".

Miq të shumëdashur! Sado e lartësuar është pozita dhe sado jetësor është funksioni i institutit të Ruajtësisë në Rendin Administrativ të Bahá'u'lláh-ut, dhe sado marramendëse të jetë pesha e përgjegjësisë që bart ai, rëndësia e tij, cilado qoftë gjuha e Testamentit, kurrsesi nuk duhet theksuar tej mase. Ruajtësi i Besimit në kurrfarë rrethanash, dhe cilatdo qofshin arritjet ose meritat e tij, nuk duhet të lartësohet në një rang që do ta bënte atë bashkëpjesëmarrës me 'Abdu'l-Bahá-in në pozitën unikale që mban Qendra e Besëlidhjes - aq më pak në pozitën e caktuar eksluzivisht për Manifestimin e Perëndisë. Një largim kaq i rëndë prej parimeve të vendosura të Besimit tonë s'është veçse një blasfemi e hapur. Siç e kam deklaruar tashmë në referencat e mia për pozitën e 'Abdu'l-Bahá-it, sado i madh është honi që e ndan Atë nga Autori i një Revelacioni Hyjnor, ai kurrë nuk mund të barazohet me distancën që shtrihet midis Atij Që është Qendra e Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut dhe Ruajtësve që janë shërbyesit e zgjedhur të tij. Distanca që e ndan Ruajtësin nga Qendra e Besëlidhjes është shumë herë më e madhe sesa ajo midis Qendrës së Besëlidhjes dhe Autorit të saj.

Asnjë Ruajtës i Besimit, e ndiej si detyrën time solemne ta shkruaj këtë, nuk mund të pretendojë kurrë të jetë shembulli i përkryer i mësimeve të Bahá'u'lláh-ut ose pasqyra e panjollë që reflekton dritën e Tij. Edhe pse i mbështjellë nga mbrojtja e pashtershme dhe e pagabueshme e Bahá'u'lláh-ut dhe e Báb-it, dhe sado që bashkë me 'Abdu'l-Bahá-in gëzon të drejtën dhe ka detyrimin për të interpretuar mësimet Bahá'í, ai mbetet në thelb njeri dhe nuk mundet, nëse do që t'i qëndrojë besnik besimit që i është dhënë, të përvetësojë, nën çfarëdo preteksti, të drejtat, privilegjet e prerogativat që Bahá'u'lláh-u pat vendosur t'ia japë Djalit të Vet. Në dritën e kësaj të vërtete, t'i falesh Ruajtësit të Besimit, t'i drejtohesh atij si zot e mjeshtër, ta quash atë shenjtëria e tij, të kërkosh bekimin e tij, të festosh ditëlindjen e tij ose çdo ngjarje që lidhet me jetën e tij, do të ishte e barabartë me largimin prej atyre të vërtetave që ruhen brenda Besimit tonë të shumëdashur. Fakti që Ruajtësi është veshur në mënyrë të posaçme me një kompetencë të tillë që i nevojitet për të reveluar domethënien dhe për të zbuluar nënkuptimet e thënieve të Bahá'u'lláh-ut e të 'Abdu'l-Bahá-it, nuk i jep medoemos atij një pozitë të barabartë me ata, fjalët e të Cilëve ai është ngarkuar t'i interpretojë. Ai mund ta ushtrojë këtë të drejtë dhe ta përmbushë detyrimin e tij, e megjithatë të mbetet pafundësisht inferior ndaj atyre të dyve përsa i përket rangut dhe i ndryshëm nga pikëpamja e natyrës.

Për drejtësinë e këtij parimi themelor të Besimit tonë duhet të dëshmojnë me bollëk fjalët dhe veprat e Ruajtësve të tij të tanishëm e të ardhshëm . Me sjelljen e me shembullin e tyre ata duhet ta vendosin të vërtetën e tij mbi një themel të patundur dhe t'u transmetojnë brezave të ardhshëm prova të paqortueshme të realitetit të tij.

Përsa më përket mua, të ngurrosh për të njohur një të vërtetë kaq jetësore ose të lëkundesh për të shpallur një bindje kaq të patundur, kjo duhet të përbëjë një tradhti të paturpshme ndaj besimit që më është dhënë mua nga 'Abdu'l-Bahá-i, si dhe një uzurpim të pafalshëm të autoritetit me të cilin ishte i veshur Ai Vetë.

Tani duhet thënë një fjalë lidhur me teorinë në të cilën bazohet ky Rend Administrativ dhe me parimin që duhet të qeverisë veprimtaritë e institucioneve krysore të tij. Do të ishte krejt e gabuar të përpiqeshim ta krahasonim këtë Rend unikal, të konceptuar në nënyrë hyjnore me ndonjërin prej sistemeve të ndryshme që mendjet e njerëzve, në periudha të ndryshme të historisë së tyre, kanë shpikur për qeverisjen e institucioneve njerëzore. Një përpjekje e tillë do të tregonte në vetvete mosvlerësim të plotë të veprës së përkryer të Autorit të tij të madh. E si mund të jetë ndryshe, kur sjellim ndërmend se ky Rend përbën vetë modelin e atij qytetërimi hyjnor, që Ligji i gjithëfuqishëm i Bahá'u'lláh-ut është i destinuar të vendosë mbi tokë? Sistemet e ndryshme e gjithmonë në ndryshim të ndërtimit shtetëror të njerëzve, qoftë në të shkuarën ose në të tashmen, të krijuara qoftë në Lindje ose në Perëndim, nuk ofrojnë kritere të përshtatshme për të vlerësuar fuqinë e virtyteve të tij të fshehura ose për të çmuar qëndrueshmërinë e themeleve të tij.

Konfederata Bahá'í e së ardhmes, kuadrin e vetëm të së cilës e jep ky Rend Administrativ i gjerë, është, si në teori dhe në praktikë, jo vetëm unikal në tërë historinë e institucioneve politike, por nuk mund t'i gjendet shoku as në analet e cilitdo prej sistemeve të njohura fetare të botës. Asnjë formë qeverisjeje demokratike; asnjë sistem autokracie ose diktature, monarkik a republikan qoftë; asnjë skemë ndërmjetëse e një rendi thjesht aristokratik; madje as ndonjë nga tipet e njohura të teokracisë, qoftë bashkësia hebraike, ose organizatat e ndryshme kishtare të krishtera, ose Imamati ose Kalifati në Islamin - asnjë nga këto nuk mund të njejësohet e as mund të thuhet se është në pajtim me Rendin Administrativ që ka artuar dora mjeshtërore e Arkitektit të tij të përkryer.

Ky Rend Administrativ i porsalindur përfshin brenda strukturës së vet elemente të caktuara që gjenden në secilën prej tri formave të njohura të qeverisjes laike, pa qenë në asnjë mënyrë një kopje e thjeshtë e ndonjërit prej tyre dhe pa futur brenda mekanizmit së vet asnjë prej tipareve të qortueshme që ato kanë në qenësinë e vet. Ai kombinon e harmonizon, siç nuk ka arritur ende asnjë qeverisje e artuar prej duarsh të vdekshme, të vërtetat e shëndetshme që secili prej këtyre sistemeve padyshim përmban, pa cenuar integritetin e atyre të vërtetave të dhëna nga Perëndia mbi të cilat ai bazohet në analizë të fundit.

Rendi Administrativ i Besimit të Bahá'u'lláh-ut, kurrsesi nuk duhet konsideruar si thjesht demokratik nga karakteri, duke qenë se supozimi themelor që u kërkon të gjitha demokracive të varen kryesisht prej mandatit që marrin nga populli, mungon kryekëput në këtë Dispensacion. Në ushtrimin e punëve administrative të Besimit, në adoptimin e legjislacionit të nevojshëm për plotësimin e ligjeve të Qitapi Akdasit, duhet mbajtur parasysh se anëtarët e Shtëpisë Universale të Drejtësisë, siç e nënkuptojnë qartë thëniet e Bahá'u'lláh-ut, nuk janë përgjegjës ndaj atyre që përfaqësojnë, as nuk u lejohet të sundohen nga ndjenjat, nga opinioni i përgjithshëm, madje as nga bindjet e masës së besimtarëve ose të atyre që i zgjedhin drejtpërsëdrejti ata. Ata duhet të ndjekin, duke u lutur, diktatet e shtysat e ndërgjegjes së tyre. Ata munden, në të vërtetë duhet, të njihen me kushtet mbizotëruese në gjirin e komunitetit, duhet t'i peshojnë pa pasion në mendjen e vet vlerat e çdo rasti që u paraqitet për shqyrtim, por duhet t'i rezervojnë vetes të drejtën e një vendimi të pavarur. "Me të vërtetë Perëndia do t'u frymëzojë atyre atë që do", është sigurimi i padyshimtë që jep Bahá'u'lláh-u. Ata, dhe jo grupi i atyre që, qoftë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi i zgjedhin, janë bërë kështu bartësit e udhëheqjes hyjnore, që është në të njëjtën kohë vitaliteti dhe garancia bazë e këtij Revelacioni. Për më tepër, ai që simbolizon parimin e trashëgimisë në këtë Dispensacion u bë interpretuesi i fjalëve të Autorit të tij dhe, si rrjedhim, pushon së qeni, në saje të autoritetit faktik me të cilin është veshur, kreu zyrtar që shoqëron gjithmonë sistemet mbizotëruese të monarkive konsitucionale.

As nuk mundet Rendi Administrativ Bahá'í të hidhet poshtë si një sistem i ashpër e i ngurtë i autokracisë absolute ose si një imitim i pakuptimtë i ndonjë forme qeverisjeje kishtare absolute, qoftë ky Papati, Imamati ose ndonjë institucion tjetër i ngjashëm, për arsyen e qartë se përfaqësuesve të zgjedhur ndërkombëtarë të pasuesve të Bahá'u'lláh-ut u është dhënë e drejta eksluzive e ligjvënies për çështje që nuk janë reveluar shprehimisht në shkrimet Bahá'í. As Ruajtësi i Besimit as ndonjë institucion veç Shtëpisë Ndërkombëtare të Drejtësisë kurrë nuk mund ta uzurpojë këtë kompetencë jetësore e thelbësore ose të shkelë këtë të drejtë të shenjtë. Heqja e klerit profesionist bashkë me ceremonitë shoqëruese të pagëzimit, të kungimit e të rrëfimit të mëkateve, adoptimi i ligjeve që kërkojnë zgjedhjen me votim të përgjithshëm të të gjitha Shtëpive të Drejtësisë lokale, kombëtare e ndërkombëtare, mungesa e plotë e autoritetit episkopal me privilegjet, korrupsionin dhe prirjet burokratike që e shoqërojnë, janë prova të tjera që tregojnë karakterin joautokratik të Rendit Administrativ Bahá'í dhe prirjen e tij drejt metodave demokratike në administrimin e punëve.

Ky rend i njejësuar me emrin e Bahá'u'lláh-ut nuk duhet ngatërruar as me ndonjë sistem qeverisjeje thjesht aristokratike për faktin që ai mbështet, nga njëra anë, parimin e trashëgimisë dhe ia beson Ruajtësit të Besimit detyrën e interpretimit të mësimeve të tij, ndërsa nga ana tjetër parashikon zgjedhjen e lirë e të drejtpërdrejtë nga gjiri i masave të besnikëve të asaj trupe që përbën organin e tij më të lartë ligjvënës.

Edhe pse ky Rend Administrativ nuk mund të thuhet se është modeluar sipas ndonjërit prej këtyre sistemeve të njohura të qeverisjes, ai megjithatë mishëron, pajton e asimilon brenda strukturës së vet të tilla elemente të shëndosha që mund të gjenden në secilin prej tyre. Autoriteti i trashëgueshëm që Ruajtësit i kërkohet të ushtrojë, funksionet jetësore e thelbësore që kryen Shtëpia Universale e Drejtësisë, kërkesat e posaçme për zgjedhjen demokratike të saj nga pëprfaqësuesit e besnikëve - të gjitha këto kombinohen për të treguar të vërtetën e këtij Rendi të reveluar në mënyrë hyjnore, i cili kurrë nuk mund të njejësohet me asnjërin prej tipeve standard të qeverisjes të cilave u referohet Aristoteli në veprat e tij, por mishëron e kombinon me të vërtetat shpirtërore në të cilat ai bazohet elementët e dobishëm që gjenden në secilin prej tyre. Duke qenë se të këqiat e pranuara që përmban në vetvete secili prej këtyre sistemeve përjashtohen rreptësisht e përgjithmonë, ky Rend i pashoq, sado gjatë që të jetojë dhe sado të gjera të jenë degëzimet e tij, kurrë nuk mund të degjenerojë në ndonjë formë despotizmi, oligarkie, ose demagogjie, që shpejt a vonë do të shpërbëjë mekanizmin e të gjitha institucioneve politike të krijuara nga njeriu e thelbësisht difektoze.

Miq të shumëdashur! Sado të rëndësishme janë fillimet e kësaj strukture të fuqishme administrative, sado unikale tiparet e saj, ngjarjet që mund të thuhet se kanë shpallur lindjen e saj dhe kanë sinjalizuar fazën fillestare të evolucionit të saj duken jo më pak të admirueshme. Sa mahnitës, sa bindës është kontrasti midis procesit të konsolidimit të ngadalshëm e të qëndrueshëm, që karakterizon rritjen e fuqisë së tij foshnjore, dhe vërshimit rrënues të forcave të shpërbërjes që po sulmojnë institucionet e plakura, si fetare dhe laike, të shoqërisë së sotme!

Vitaliteti që institucionet organike të këtij Rendi të madh e përherë në zgjerim shfaqin me aq forcë; pengesat që kuraja e lartë dhe vendosmëria sypatrembur e administratorëve të tij kanë kapërcyer tashmë; zjarri i një entusiazmi të pashuar që flakërin me afsh të pashtershëm në zemrat e mësuesve shëtitës; lartësitë e vetëflijimit që ndërtuesit pararojë po arrijnë tani; gjerësia e vizionit, shpresa e sigurt, gëzimi krijues, paqja e brendshme, ndershmëria e patundur, disiplina shembullore, uniteti e soldariteti i paepur që shfaqin mbrojtësit e tij të zjarrtë; shkalla në të cilën Shpirti i tij lëvizës është treguar i aftë të asimilojë elementet e ndryshme brenda kuadrit të vet, t'i spastrojë ato nga çdo formë paragjykimi dhe t'i shkrijë brenda strukturës së vet - këto janë prova të një fuqie, që një shoqëri e zhgënjyer dhe e tronditur rëndë zor se mund ta injorojë.

Krahasojini këto manifestime të shkëlqyera të shpirtit që gjallëron këtë trup drithërues të Besimit të Bahá'u'lláh-ut me vajtimet e agoninë, marrëzitë e kotësitë, ashpërsinë e paragjykimet, ligësinë e përçarjet e një bote të sëmurë e kaotike. Shikoni frikën që mundon udhëheqësit dhe paralizon veprimin e burrave të shtetit të verbër e të çoroditur të saj. Ç'urrejtje të egra, ç'ambicje mashtruese, ç'meskinitet, ç'dyshime të rrënjosura thellë kanë popujt e saj! Sa shqetësuese janë paligjshmëria, korrupsioni, mosbesimi që gërryen organet jetësore të një qytetërimi që po i merren këmbët!

A nuk mund të shihet ky proces i keqësimit të vazhdueshëm, i cili po pushton tinëzisht shumë sektorë të veprimtarisë e të mendimit njerëzor, si një shoqërues i domosdoshëm në ngritjen e kësaj Embleme të gjithëfuqishme të Bahá'u'lláh-ut? A nuk mund t'i shohim ne ngjarjet e rëndësishme, që gjatë njëzet vjetëve të kaluar kanë trazuar aq thellë çdo kontinent të tokës, si shenja kërcënuese, të cilat në të njëjtën kohë shpallin agoninë e një qytetërimi që po shpërbëhet dhe dhembjet e lindjes të atij Rendi Botëror - të asaj Arke të shpëtimit njerëzor - që duhet të ngrihet mbi gërmadhat e tij?

Rënia katastrofike e monarkive dhe e perandorive të fuqishme në kontinentin Evropian, aludime për disa prej të cilave mund të gjenden në profecitë e Bahá'u'lláh-ut; tatëpjeta që ka filluar, dhe ende vazhdon, në fatet e hierarkisë Shiite në vetë vendlindjen e Tij; rrëzimi i dinastisë Kazhar [Qájár], i armikut tradicional të Besimit të Tij; përmbysja e Sulltanatit dhe e Kalifatit, e shtyllave mbajtëse të Islamit Sunit, një paralelizëm të habitshëm me të cilën paraqet shkatërrimi i Jeruzalemit në pjesën e fundit të shekullit të parë të epokës së Krishtërimit; vala e laicizimit që po përfshin institucionet fetare Muhamedane në Egjipt dhe po dobëson besnikërinë e përkrahësve të tyre më të vendosur; goditjet poshtëruese që kanë rënë mbi disa nga Kishat më të fuqishme të botës së Krishtërimit në Rusi, në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën Qëndrore; përhapja e atyre doktrinave subversive që po minojnë themelet dhe po përmbysin strukturën e fortesave në dukje të pamposhtura në sferat politike e shoqërore të veprimtarisë njerëzore; shenjat e një katastrofe të pashmangshme, që të kujton për habi Rënien e Perandorisë Romake në Perëndim, katastrofë e cila kërcënon të gllabërojë tërë strukturën e qytetërimit të ditëve tona - të gjitha këto dëshmojnë për trazirën që ka sjellë në botë lindja e këtij Organi të fuqishëm të Fesë së Bahá'u'lláh-ut - trazirë që do të rritet në shtrirje e intesitet, sa më tepër pasojat e këtij Projekti në zhvillim të vazhdueshëm kuptohen në mënyrë më të plotë dhe degëzimet e tij shtrihen më gjerë mbi sipërfaqen e globit.

Një fjalë të fundit në mbyllje. Ngritja dhe vendosja e këtij Rendi Administrativ - guacka që mbron e rrethon një margaritar kaq të çmuar - përbën shenjën dalluese të kësaj epoke të dytë e formuese të erës Bahá'í. Ajo do të shihet, ndërsa largohet gjithnjë e më shumë nga sytë tanë, si organi kryesor i ngarkuar të shpallë fazën përfundimtare, përmbushjen e këtij Dispensacioni të lavdishëm.

Sakohë ky sistem është ende në foshnjërinë e vet, askush të mos e keqkutojë karakterin e tij, të mos ulë rëndësinë e tij ose të shtrembërojë qëllimin e tij. Themeli shkëmbor mbi të cilin mbështetet ky Rend Administrativ është Synimi i pandryshueshëm i Perëndisë për njerëzimin në kohën e sotme. Burimi prej të cilit rrjedh frymëzimi i tij është Vetë Bahá'u'lláh-u. Mburoja dhe mbrojtësit e tij janë ushtritë e kalitura të Mbretërisë Abhá. Fara e tij është gjaku i jo më pak se njëzet mijë martirëve që dhanë jetën e tyre që ai të lindej e të lulëzonte. Boshti rreth të cilit sillen institucionet e tij janë parashikimet autentike të Vullnetit e Testamentit të 'Abdu'l-Bahá-it. Parimet udhëheqëse të tij janë të vërtetat të cilat Ai Që është Interpretuesi i pagabueshëm i mësimeve të Besimit tonë i ka shpallur aq qartë në fjalimet e tij publike anembanë Perëndimit. Ligjet që qeveresin veprimet e tij dhe përkufizojnë funksionet e tij janë ato që përcaktohen shprehimisht në Qitapi Akdasin. Selia rreth së cilës do të përqëndrohen veprimtaritë e tij shpirtërore, humanitare e administrative janë Mashrikul Azkari [Mashriqu'l-Adhkár] dhe institucionet e varura prej tij.8 Shtyllat që mbështesin autoritetin e tij dhe përforcojnë strukturën e tij janë institucionet binjake të Ruajtësisë dhe të Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Qëllimi qëndror e themelor që i jep jetë është vendosja e Rendit të Ri Botëror siç e ka ravijëzuar atë Bahá'u'lláh-u. Metodat që ai përdor, standardi që ai ngulit nuk e pririn atë as nga Lindja as nga Perëndimi, as nga çifuti as nga pagani, as nga i pasuri as nga i varfëri, as nga të bardhët as nga njerëzit me ngjyrë. Parulla e tij është bashkimi i njerëzimit; flamuri i tij është "Paqja e Madhe"; përmbushja e tij është ardhja e atij mijëvjeçari të artë - e Ditës, kur mbretëritë e kësaj bote do të bëhen Mbretëri e Vetë Perëndisë, Mbretëri e Bahá'u'lláh-ut.

SHOGHI
Haifa, Palestinë,
8 shkurt, 1934

1 Dispensacion quhet në teologji një sistem porosish, rregullash e premtimesh të reveluara nga Perëndia përmes Profetëve të Tij, që kanë të bëjnë me punët njerëzore. Dispensacioni është një sistem fetar mbizotërues në një periudhë kohore të caktuar. Nga ky vështrim, flitet për Dispensacion të Moisiut, të Krishtit, të Muhametit etj. Sipas Besimit Bahá'i, Dispensacioni i Bahá'u'lláh-ut është më i fundit nga dispensacionet e mëdha dhe shkalla më e lartë në evolucionin e tyre, që i përgjigjet epokës së sotme të zhvillimit të njerëzimit, asaj të krijimit të rendit e të qytetërimit botëror unik të tij. - Shën. i përkth.

2 Theofaní (ose Epifaní): shfaqje apo manifestim i dukshëm i Perëndisë ose i një hyjnie. - Shën. i përkth.

3 Kaim [Qá'im]: I Premtuari i fesë Islame, i cili sipas saj do të vijë kur të mbushet afati i caktuar. - Shën. i përkth.

4 Kajumul Esma [Qayyúmu'l-Asmá]: Një nga veprat më të rëndësishme të Báb-it. - Shën. i përkth.

5 Sadratu'l-Muntahá: Emri i një druri të vendosur në fund të një rruge për të treguar udhën; simbol i një Manifestimi. - Shën. i përkth.

6 Nimrodi: Persekutuesi i Abrahamit. - Shën. i përkth.

7 Në këtë rast, me "njerëz të Bajanit" Shoghi Effendiu ka parasysh një grup ish pasuesish të Báb-it që refuzuan të pranonin Bahá'u'lláh-un si Manifestim të Perëndisë dhe organizuan veprimtari komplotuese kundër Tij. - Shën. i përkth.

8 Në varësi të Mashrikul Azkarëve (Shtëpive të Adhurimit Bahá'í) janë të tilla institucione të veprimtarisë Bahá'í, si shkolla, spitale, azile e të tjera. - Shën. i përkth.

---------------

------------------------------------------------------------

---------------

------------------------------------------------------------

68
64

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :