SHENJTËRIA DHE NATYRA E ZGJEDHJEVE BAHÁ’Í Përmbledhje e përgatitur nga Departamenti i Kërkimeve në Qendrën Botërore Bahá’í SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË QENDRA BOTËRORE BAHÁ’Í Departamenti i Sekretariatit 10 dhjetor 1989 Të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare Të dashur miq Bahá’í, Shtëpia Universale e Drejtësisë e kupton se është koha për të nxjerrë një përmbledhje për zgjedhjet Bahá’í, si një mjet i dobishëm për të ndihmuar Asambletë Shpirtërore Kombëtare që të rritin kuptimin e besimtarëve lidhur me natyrën dhe shenjtërinë e këtyre zgjedhjeve, si dhe për t’u përgatitur ato vetë për rritjen e shpejtë të numrit të besimtarëve që pritet. Një përmbledhje me titull “Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve Bahá’í” është përgatitur nga Departamenti i Kërkimeve, dhe një kopje është bashkëngjitur. Studimi i kësaj përmbledhjeje do të kërkojë një planifikim të kujdesshëm e të vazhdueshëm nga Asambletë Shpirtërore Kombëtare dhe Asambletë Shpirtërore Lokale, dhe ai duhet të bëhet pjesë e programit në vazhdim për thellimin e miqve në bazat e administrimit Bahá’í. Shtëpia e Drejtësisë u kërkon të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare të diskutojnë me Këshilltarët zbatimin e një programi të tillë, në mënyrë që besimtarët e thjeshtë, me mbështetjen e përzemërt të anëtarëve të Trupit Ndihmës e të asistentëve të tyre, të vlerësojnë rëndësinë e pranimit të parimeve Bahá’í në këtë fushë dhe t’i zhvillojnë të gjitha zgjedhjet Bahá’í, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel njësie e lokal, në mënyrë shembullore, në pajtim të plotë me frymën e dëlirësisë e me shenjtërinë që duhet t’i karakterizojë ato. Shtëpia Universale e Drejtësisë dëshiron të theksojë këtu se sa rëndësi ka që të gjithë delegatët për në Kuvendin Kombëtar të zgjidhen dhe sa e dëshirueshme është që të gjithë delegatët e zgjedhur të marrin pjesë në këtë ngjarje kombëtare jetësore. Është vënë në dukje se, megjithëqë pjesëmarrja në pjesën më të madhe të Kuvendeve Kombëtare po përmirësohet gradualisht, në disa vende çdo vit jo të gjithë delegatët zgjidhen dhe në shumë raste, edhe pse zgjidhen, ata nuk marrin pjesë qoftë personalisht qoftë duke dërguar fletët e tyre të votimit. Të jini të sigurt për lutjet e zjarrta në Varret e Shenjta, që përpjekjet tuaja të vendosura për të përmirësuar rezultatet e pjesëmarrjes së devotshme e entuziaste në zgjedhjet e delegatëve, në Kuvendet Kombëtare e në zgjedhjet e Asambleve Lokale do të kenë ndihmën dhe bekimet e Tubimit hyjnor. Përshëndetje të përzemërta, Për Departamentin e Sekretariatit cc: Duarve të Kauzës së Perëndisë Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit Këshilltarëve SHENJTËRIA DHE NATYRA E ZGJEDHJEVE BAHÁ’Í 1. Edukimi i një qëndrimi shpirtëror ndaj zgjedhjeve Nga letra të shkruara prej ose në emër të Shoghi Effendiut Në ditën e zgjedhjeve, miqtë duhet të marrin pjesë me gjithë zemër në zgjedhje, në unitet e miqësi, duke i kthyer zemrat ndaj Perëndisë, të shkëputur prej çdo gjëje veç Tij, duke kërkuar udhëheqjen e Tij dhe duke u lutur që të kenë ndihmën e bujarinë e Tij. (27 shkurt 1923, shkruar nga Shoghi Effendi, drejtuar Bahá’í-ve të Lindjes — përkthyer prej persishtes) Përsëri i bëj thirrje seriozisht secilit prej jush dhe, me gjithë zjarrin e bindjes sime, ripërtërij kërkesën time të vetme që, para dhe gjatë Kuvendit që po afrohet, të bëni edhe një përpjekje tjetër, këtë herë më të vullnetshme e më vetëmohuese se më parë, dhe të mundoheni ta kryeni detyrën tuaj — zgjedhjen e delegatëve tuaj, si dhe të përfaqësuesve tuaj kombëtarë e lokalë, — me atë frymë dëlirësie, vetëm e cila mund të përmbushë dëshirën më të madhe të të Shumëdashurit tonë.... (23 shkurt 1924, shkruar nga Shoghi Effendi, drejtuar Bahá’í-ve të Amerikës, botuar në “Administrimi Bahá’í:Mesazhe të zgjedhura 1922-1932” [bot. i rish.], (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1980), f. 65) Duke kryer këtë funksion të shenjtë, asnjë lloj ndikimi, asnjë presion nga çdo anë qoftë, madje edhe po të vinte nga Asambleja Kombëtare, nuk duhet kurrsesi të ndikojë pikëpamjet e tyre ose të ngushtojë lirinë e tyre. Delegatët duhet të jenë krejt të pavarur nga çdo organ administrativ, duhet ta përmbushin detyrën e tyre me shkëputje absolute dhe ta përqendrojnë vëmendjen në çështjet më të rëndësishme e më të ngutshme. (12 gusht 1933, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Asambleja Shpirtërore Kombëtare”, përmbledhur nga Shtëpia Universale e Drejtësisë (Wilmette, Trusti Botues Bahá’í, 1972), f. 24) Një ndershmëri e tillë në sjellje duhet të shfaqet, me forcë gjithnjë e më të madhe, në çdo gjykim që përfaqësuesve të zgjedhur të komunitetit Bahá’í, cilado qoftë pozita që kanë, mund t’u duhet të shprehin.... Ajo duhet të mishërohet në sjelljen e të gjithë zgjedhësve Bahá’í, kur ushtrojnë të drejtat e funksionet e tyre të shenjta.... (25 dhjetor 1938, shkruar nga Shoghi Effendi, drejtuar Bahá’í-ve të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar si “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1984), f. 26) Nga komunikime të shkruara prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë Kushtet e fuqisë punëtore të kufizuar, të vështirësive për të udhëtuar e të analfabetizmit midis popullsisë lokale vihen re në shkallë të ndryshme edhe në vende të tjera të botës; dhe ne kudo e kurdoherë i kemi nxitur Asambletë Shpirtërore Kombëtare t’i udhëheqin e t’i mësojnë miqtë në procedurat e përshtatshme administrative Bahá’í jo vetëm gjatë javëve që u paraprijnë menjëherë zgjedhjeve lokale, por me të vërtetë gjatë gjithë vitit, në mënyrë që miqtë t’i dalin përpara ardhjes së Ridvanit dhe të vendosin të zbatojnë e mbështesin parimet e drejta të administrimit Bahá’í. (Nga një letër e datës 24 shtator 1973, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) 2. Cilësitë e atyre që zgjidhen Nga letra të shkruara prej Shoghi Effendiut T’u kushtohet vëmendja e duhur aftësisë së vërtetë e arritjeve të tyre të tanishme, dhe vetëm ata që janë më të përshtatshmit për të qenë anëtarë, burra a gra qofshin e pavarësisht nga pozita shoqërore, duhet të zgjidhen në funksionin tepër të rëndësishëm të anëtarit të Asamblesë Bahá’í. (Në dorëshkrim të Shoghi Effendiut, bashkëngjitur një letre të datës 27 dhjetor 1923 të shkruar në emër të tij, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Indisë e të Birmanisë, botuar në “Agimi i një Dite të Re” (Nju Deli: Trusti Botues Bahá’í, [1970]), f. 4) Le të kujtojmë sigurimet e Tij të qarta e të përsëritura shpesh, se çdo Asamble e zgjedhur në atë atmosferë të pastër vetëmohimi e shkëputjeje është në të vërtetë e urdhëruar nga Perëndia, se vendimet e saj janë me të vërtetë të frymëzuara, se të gjithë pa përjashtim duhet t’u nënshtrohen vendimeve të saj pa rezerva e me gëzim. (23 shkurt 1924, drejtuar Bahá’í-ve të Amerikës, botuar në “Administrimi Bahá’í”, f. 65) Do të ishte e pamundur në këtë fazë ... të mbivlerësohet rëndësia e pashoqe e institucionit të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare.... Supreme është pozita e tyre, të rënda përgjegjësitë, të shumëllojta e të vështira detyrat e tyre. Ç’privilegj të madh, ç’detyrë delikate kanë delegatët e mbledhur, funksioni i të cilëve është të zgjedhin të tillë përfaqësues kombëtarë, që me dëshmitë e tyre të shërbimit fisnikërojnë e pasurojnë analet e Kauzës!... është detyrë e delegatëve të zgjedhur të kenë parasysh pa as më të voglën gjurmë pasioni e paragjykimi, dhe pavarësisht nga çdo konsideratë materiale, emrat vetëm të atyre që kombinojnë më mirë cilësitë e nevojshme të besnikërisë së padyshimtë, të përkushtimit vetëmohues, të një mendjeje të ushtruar, të aftësisë së njohur e të përvojës së pjekur.... (3 qershor 1925, drejtuar delegatëve e vizitorëve të Kuvendit Kombëtar të Bahá’í-ve të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í”, f. 87-88) ...zgjedhësit ... i bëhet thirrje të mos votojë për askënd veç atyre që lutja e meditimi e kanë frymëzuar t’i mbështesë.... (27 maj 1927, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í”, f. 136) ...Unë nuk mendoj se është në frymën e Kauzës të imponosh çfarëdo kufizimi të lirisë së besimtarëve për të zgjedhur njerëzit e çdo race, kombësie ose temperamenti, që kombinojnë më mirë cilësitë thelbësore për anëtarësi në institucionet administrative. Ata nuk duhet t’u kushtojnë rëndësi personaliteteve, por ta përqendrojnë vëmendjen te cilësitë e kërkesat e detyrës, pa paragjykim, pasion ose anësi. Asambleja duhet të jetë përfaqësuese e elementëve më të zgjedhur, më të ndryshëm e më të aftë në çdo komunitet Bahá’í.... (Në dorëshkrim të Shoghi Effendiut, bashkëngjitur një letre të datës 11 gusht të shkruar në emër të tij, drejtuar një besimtari individual, botuar në “Institucionet Bahá’í” (Nju Deli: Trusti Botues Bahá’í, 1973), f. 71-72) Po të tolerohet përgjithësisht ndonjë diskriminim, ky duhet të jetë diskriminim jo kundër, por në favor të pakicës, qoftë kjo raciale ose e ndonjë lloji tjetër... çdo komunitet i organizuar i radhitur nën flamurin e Bahá’u’lláh-ut duhet ta ndiejë që ka si detyrim të parë e të pashmangshëm të kujdeset, të inkurajojë e të mbrojë çdo pakicë që i përket ndonjë feje, race, klase ose kombi brenda tij. Kaq i madh e jetësor është ky parim, saqë në ato rrethana kur gjatë një zgjedhjeje jepet një numër i barabartë votash, ose kur kërkesat për ndonjë detyrë janë të balancuara midis racash, besimesh ose kombësish të ndryshme brenda komunitetit, i duhet dhënë përparësi pa ngurrim palës që përfaqëson pakicën përkatëse, dhe kjo jo për arsye tjetër, por për ta stimuluar e inkurajuar atë dhe për t’i krijuar mundësi të mbështesë interesat e komunitetit.... (25 dhjetor 1938, botuar si “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, bot. shqip f. 40-41) Zgjedhësit ... duhet me lutje e përkushtim dhe pasi të mendojnë e meditojnë, të zgjedhin shpirtra besnikë, të sinqertë, me përvojë, të aftë e kompetentë, që e meritojnë anëtarësinë.... (1 korrik 1943, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Persisë — përkthyer prej persishtes) Nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut ...përsa u përket cilësive të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare: ka një dallim me rëndësi themelore që gjithmonë duhet sjellur ndërmend lidhur me këtë, dhe ky është dallimi midis Asamblesë Shpirtërore si institucion dhe personave që e përbëjnë atë. Nuk supozohet kurrsesi që këta të jenë të përsosur dhe as duhen parë ata si nga vetë natyra superiorë në krahasim me bashkë-besimtarët e tyre. Pikërisht sepse u nënshtrohen po atyre kufizimeve njerëzore që karakterizojnë pjesëtarët e tjerë të komunitetit, ata duhet të zgjidhen çdo vit. Ekzistenca e zgjedhjeve është një tregues i mjaftueshëm se anëtarët e Asamblesë, edhe pse janë pjesë e një institucioni që është hyjnor e i përkryer, megjithatë ata vetë janë të papërsosur. Por kjo nuk do të thotë medoemos se gjykimi i tyre është i mangët.... (15 nëntor 1935, drejtuar një besimtari individual, botuar në “Asambleja Shpirtërore Lokale”, përmbledhur nga Shtëpia Universale e Drejtësisë (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1970), f. 9) Një besimtar ka të drejtë të votojë për veten e tij gjatë kohës së zgjedhjeve, në qoftë se ai ndien në mënyrë të ndërgjegjshme shtysën për ta bërë këtë. Kjo nuk do të thotë medoemos se ai është ambicioz ose egoist, sepse ai mund të besojë në mënyrë të ndërgjegjshme se cilësitë që ka i japin të drejtë për anëtarësi në një organ administrativ Bahá’í, dhe ai mund të ketë të drejtë. Thelbësorja, sidoqoftë, është se ai duhet të jetë i sinqertë në besimin që ka dhe të veprojë nën diktatin e ndërgjegjes së tij. Për më tepër, anëtarësia në një Asamble ose komitet është një formë shërbimi dhe nuk duhet parë si shenjë superioriteti të brendshëm, ose si mjet vetëlavdërimi. (27 mars 1938, drejtuar një besimtari individual, botuar në “Agimi i një Dite të Re”, f. 200-201) Në parim nuk ka kundërshtim që një Asamble të rizgjidhet, qoftë tërësisht ose pjesërisht, me kusht që anëtarët e saj të konsiderohet se i kanë cilësitë për atë post. Ajo që ka rëndësi është merita individuale. Risia ose akti i thjeshtë i përtëritjes në zgjedhjet janë konsiderata krejt dytësore. Ndryshimet në anëtarësinë e Asamblesë janë të mirëpritura sakohë nuk dëmtojnë cilësinë e kësaj anëtarësie. Kur zgjedhjet e Asamblesë kanë përfunduar, rezultati i tyre duhet të pranohet në mënyrë të ndërgjegjshme e të padiskutueshme nga të gjithë besimtarët, jo medoemos sepse ata përfaqësojnë zërin e së vërtetës ose vullnetin e Bahá’u’lláh-ut, por për qëllimin suprem që të ruhet uniteti e harmonia në Komunitet.... (10 korrik 1939, drejtuar një besimtari individual, botuar në “Direktiva të Ruajtësit”, përmbledhur nga Gertrude Garrida (Nju Deli: Trusti Botues Bahá’í”, 1973), f. 23) Lidhur me pyetjen tuaj për cilësitë e delegatëve e të anëtarëve të Asambleve: cilësitë që ai ka përvijuar janë realisht të zbatueshme për cilindo që ne zgjedhim në një detyrë Bahá’í. Ne duhet të synojmë sa më lart që të mundim. Ai nuk mendon se miqtë duhet t’u kushtojnë kaq shumë vëmendje kufizimeve — të tilla si rasti i njerëzve që ndoshta nuk janë në gjendje të marrin pjesë në takimet e Asamblesë ose të Kuvendit, sepse po bënë kështu, atëherë koncepti themelor që secili dëshiron të kryejë shërbime Bahá’í në organe administratrive do të dobësohet dhe miqtë mund të shtyhen të votojnë për ata që, meqenëse kanë mjete të pavarura ose rrethana të përshtatshme në jetën e tyre, janë më të lirë të venë e të vinë, por kanë më pak cilësi për të shërbyer. (24 tetor 1947, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë, botuar në “Shpalosja e Fatit: Mesazhet e Ruajtësit të Besimit Bahá’í për Komunitetin Bahá’í të Ishujve Britanikë” (Londër: Trusti Botues Bahá’í, 1981), f. 207) Nga një memorandum i shkruar prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë Me rëndësi për këtë çështje është gjithashtu thënia e ‘Abdu’l-Bahá-it në një prej Tabelave të Tij, se votuesi duhet të zgjedhë midis atyre, emri i mirë i të cilëve është gjerësisht i njohur. Në mënyrë të pashmangshme, në çdo formë votimi, njerëz që e meritojnë nuk zgjidhen thjesht sepse nuk janë gjerësisht të njohur. Kjo është e vërtetë në atë sistem që praktikon paraqitje kandidaturash e fushatë elektorale, siç është e vërtetë në sistemin Bahá’í. Por nuk është kjo çështja. Zgjedhja në një Asamble, sipas pikëpamjes Bahá’í, nuk është një e drejtë që gëzojnë njerëzit, as një nder për të cilin ata duhet të aspirojnë; kjo është një detyrë e një përgjegjësi që mund t’u kërkohet. Qëllimi është që ata që zgjidhen në një Asamble duhet të jenë më të përshtatshmit për këtë shërbim; kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që e meritojnë do të zgjidhen. Pritet që në të ardhmen ... do të ketë një numër shumë të madh individësh me ato cilësi që i bëjnë të përshtatshëm për të shërbyer në Asamble Shpirtërore. Prej tyre vetëm një pakicë mund të zgjidhen në një kohë. Pritet gjithashtu që, me anë të ushtrimit e të përvojës në procesin e në frymën e zgjedhjeve Bahá’í, pjesëtarët e elektoratit do të kenë rritur vetëdijën lidhur me përgjegjësinë e tyre për të votuar vetëm për ata që plotësojnë kërkesat e përvijuara nga Ruajtësi. Prandaj ata do ta shohin si detyrë të përhershme të tyre që të njohin karakterin dhe aftësitë e atyre që janë aktivë në komunitet, në mënyrë që kur të vijë koha për zgjedhje ata të kenë tashmë një ide për njerëzit midis të cilëve duhet të zgjedhin. (16 nëntor 1988, drejtuar Qendrës ndërkombëtare të Mësimit) 3. Karakteri jo-politik i zgjedhjeve Nga letra të shkruara prej ose në emër të Shoghi Effendiut Kujdes, kujdes se mos era e keqe e partive dhe e njerëzve të vendeve të huaja në Perëndim dhe metodat e tyre të rrezikshme, si intrigat, politikat dhe propaganda partiake — praktika të urryera edhe nga emri i tyre, — arrin ndonjëherë në komunitetin Bahá’í, ushtron ndonjëfarë ndikimi mbi miqtë, duke çuar kështu në shkatërrim shpirtëror... (30 janar 1923, shkruar nga Shoghi Effendi, drejtuar një Asambleje Shpirtërore — përkthyer prej persishtes) Vota e secilit duhet mbajtur e fshehtë. Nuk lejohet të bëhet çfarëdo reference për emra individualë. Miqtë duhet të shmangin metodat e këqia dhe praktikat e neveritshme të politikanëve. Ata duhet të kthehen tërësisht ndaj Perëndisë dhe, me qëllime të pastra, shpirt të lirë e zemër të shenjtëruar, të marrin pjesë në zgjedhje.... (16 janar 1932, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një Asambleje Shpirtërore — përkthyer prej persishtes) Ata të ushtrojnë vigjilencën më të madhe që zgjedhjet të zhvillohen lirisht, në mënyrë universale e me votim të fshehtë. Çdo formë intrige, hileje, marrëveshjeje e fshehtë e detyrimi duhet të marrë fund dhe është e ndaluar. (8 mars 1932, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Lokale — përkthyer prej persishtes) Forca dhe përparimi i komunitetit Bahá’í varen nga zgjedhja e shpirtrave të dëlirë, besnikë e aktivë.... Mbledhja e votave është e neveritshme.... (9 prill 1932, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Lokale — përkthyer prej persishtes) Nga letra të shkruara në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë Siç e dini fare mirë, metoda e zgjedhjeve Bahá’í ndryshon krejtësisht nga metodat e praktikat e zgjedhjeve në sistemet politike. Ruajtësi i Dashur ka vënë në dukje se sikur ne në zgjedhjet tona Bahá’í të ndiqnim metodën e politikanëve, do të lindnin keqkuptime e mosmarrëveshje, do të krijohej kaos e pështjellim, do të mbizotëronte djallëzia dhe konfirmimet e Perëndisë nuk do të vinin më në atë komunitet Bahá’í. Duke pasur parasysh këto paralajmërime serioze, duhet treguar kurdoherë kujdesi më i madh që dëlirësia dhe karakteri shpirtëror i zgjedhjeve Bahá’í të ruhen e të mbrohen. Kur dikush sheh disa Bahá’í pa përvojë ose të papjekur të jepen pas metodave të fushatave elektorale, qoftë hapur ose fshehurazi, ai në vend që të tundohet për t’i imituar, duhet të ngrihet me vendosmëri dhe përmes kanaleve e procedurave administrative të përshtatshme të ndihmojë për çrrënjosjen e prirjeve të tilla e për ta spastruar komunitetin Bahá’í nga ndikime të tilla të liga. (6 dhjetor 1971, drejtuar një besimtari individual) ...Bahá’í-të, veçanërisht Bahá’í-të e ngritur, duhet të shmangin çdo gjë që mund të krijojë një përshtypje të gabuar dhe të japë shkas për akuza për fushatë elektorale nga ana e Bahá’í-ve të painformuar. (15 prill 1986, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Lokale) 4. Mungesa e kandidaturave Nga letra të shkruara prej ose në emër të Shoghi Effendiut Unë e kuptoj se referimi personaliteteve para zgjedhjeve mund të shkaktonte keqkuptime e mosmarrëveshje. Ajo që duhet të bëjnë miqtë është të njihen mirë me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë mendime, të shoqërohen lirisht e të diskutojnë midis tyre për kërkesat e cilësitë e një anëtarësie të tillë, por pa iu referuar e pa aluduar, sado tërthorazi, për individë të veçantë. Ne duhet të përmbahemi nga ndikimi mbi mendimin e të tjerëve.... (14 maj 1927, shkruar nga Shoghi Effendi, drejtuar Asamblesë Shpirtërore të Akronit, Ohajo, bot. në “Bahá’í News Letter” të Shteteve të Bashkuara, nr. 18 (qershor 1927), f. 9) ...Praktika e kandidaturave, aq e dëmshme për atmosferën e zgjedhjeve të heshtura e me lutje, shihet me mosbesim, duke qenë se i jep shumicës së një organi që, në vetvete, në rrathanat e tanishme, shpesh përbën një pakicë të tërësisë së delegatëve të zgjedhur, të drejtën për të privuar nga e drejta e dhënë prej Perëndisë çdo zgjedhësi që të votojë në favor vetëm të atyre që ai është në mënyrë të ndërgjegjshme i bindur se janë kandidatët më të denjë.... (27 maj 1927, shkruar nga Shoghi Effendi, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í”, f. 136) Përsa i përket praktikës së kandidaturave në zgjedhjet Bahá’í, Ruajtësi ka besimin e patundur se kjo është në mospajtim themelor me shpirtin që duhet të frymëzojë e drejtojë të gjitha zgjedhjet që zhvillojnë Bahá’í-të, qofshin ato me karakter e rëndësi lokale ose kombëtare. Pikërisht mungesa e një praktike të tillë përbën tiparin dallues dhe epërsinë e theksuar të metodave elektorale Bahá’í mbi ato që zakonisht lidhen me parti e fraksione politike. Praktika e kandidaturave, duke qenë kështu në kundërshtim me frymën e Administrimit Bahá’í, duhet të flaket krejtësisht nga të gjithë miqtë. Përndryshe liria e zgjedhësit Bahá’í në zgjedhjen e çdo Asambleje Bahá’í do të rrezikohej seriozisht, duke lënë portën hapur për sundimin e personaliteteve. Jo vetëm kaq, por veprimi i thjeshtë i caktimit të kandidaturave çon në fund të fundit në formimin e partive — gjë që është krejt e huaj për frymën e Kauzës. Veç këtyre rreziqeve serioze, praktika e kandidaturave ka të keqen e madhe që mbyt te besimtari shpirtin e iniciativës e të vetëzhvillimit. Procedurat e metodat elektorale Bahá’í kanë si një ndër qëllimet e tyre thelbësore zhvillimin e shpirtit të përgjegjësisë te çdo besimtar. Duke theksuar nevojën e ruajtjes së lirisë së plotë në zgjedhjet, ato shtrojnë para tij si detyrë që të bëhet një anëtar aktiv e i mirinformuar i komunitetit Bahá’í në të cilin jeton. Për të qenë në gjendje të bëjë një zgjedhje të mençur në kohën e zgjedhjeve, është e nevojshme që ai të jetë në kontakt të ngushtë e të vazhdueshëm me të gjithë shokët e tij besimtarë, të ketë lidhje me të gjitha veprimtaritë lokale, qofshin ato mësimore, administrative a të tjera, dhe të marrë pjesë plotësisht e me gjithë zemër në punët e komiteteve e të Asambleve lokale, si dhe kombëtare të vendit të tij. Vetëm në këtë mënyrë një besimtar mund të zhvillojë një ndërgjegje të vërtetë shoqërore dhe të fitojë një ndjenjë të vërtetë përgjegjësie për çështje që prekin interesat e Kauzës. Jeta komunitare Bahá’í shtron si detyrë të çdo besimtari të ndershëm e besnik që të bëhet një zgjedhës i zgjuar, i mirinformuar e i përgjegjshëm, dhe gjithashtu i jep atij mundësinë të ngrihet në një pozitë të tillë. Dhe derisa praktika e kandidaturave e pengon zhvillimin e cilësive të tilla te besimtari e, veç kësaj, çon në korrupsion e partijësi, ajo duhet flakur krejtësisht në të gjitha zgjedhjet Bahá’í. (4 shkurt 1935, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual, botuar në “Drita e Udhërrëfimit Hyjnor: Mesazhet e Ruajtësit të Besimit Bahá’í për Bahá’í-të e Gjermanisë e të Austrisë”, vëll. 1 (Hofheim-Langenhain: Bahá’í-Verlag, 1982), f. 67-68) Zgjedhjet, veçanërisht kur janë të përvitshme, i japin komunitetit një rast të mirë për të ndrequr çdo të metë ose papërsosuri nga e cila Asambleja mund të vuajë si rezultat i veprimeve të anëtarëve të saj. Është krijuar, pra, një metodë e sigurt, me anën e së cilës cilësia e anëtarëve të Asambleve Bahá’í mund të ngrihet e përmirësohet vazhdimisht. Por, siç e kemi thënë, institucioni i Asamblesë Shpirtërore kurrsesi nuk duhet njëjtësuar me vetitë personale të anëtarëve që e përbëjnë dhe as të vlerësohet thjesht përmes tyre. (15 nëntor 1935, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar disa besimtarëve individualë, botuar në “Asambleja Shpirtërore Lokale”, f. 9-10) Nga një memorandum i shkruar prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë Dallimi themelor midis sistemit të kandidaturave dhe sistemit Bahá’í është se në të parin individët, ose ata që i caktojnë këta, vendosin se ata duhen vënë në pozita autoriteti dhe propozojnë vetveten që të votohet për ta. Në sistemin Bahá’í është masa e zgjedhësve që merr vendim. Në qoftë se një individ e ekspozon veten para syve të publikut me synimin që t’i bëjë njerëzit të votojnë për të, pjesëtarët e elektoratit e shohin këtë si mendjemadhësi dhe e ndiejnë veten të fyer nga kjo; ata mësojnë të bëjnë dallim midis atij që është i mirënjohur si rezultat i paqëllimtë i shërbimit të tij publik aktiv dhe atij që e ekspozon veten thjesht për të marrë vota. (16 nëntor 1988, drejtuar Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit) 5. Pjesëmarrja në zgjedhje Nga letra të shkruara prej Shoghi Effendiut Këto Asamble Shpirtërore lokale zgjidhen drejtpërsëdrejti prej miqve dhe çdo besimtar i deklaruar 21 vjeç e sipër, në vend që të rrijë mënjanë e të mbajë një qëndrim indiferent e të pavarur, duhet ta shohë si detyrë të shenjtë të tij të marrë pjesë në mënyrë të ndërgjegjshme e të zellshme në zgjedhjen, konsolidimin e funksionimin frytdhënës të Asamblesë së vet lokale. (12.3.1923, drejtuar Bahá’í-ve të Perëndimit, të Japonisë e të Australazisë, në “Administrimi Bahá’í”, f. 39) Më duket gjithashtu e pakundërshtueshme që të krijohet mundësia, madje të kërkohet si mjet i fundit, që delegatë të tillë që nuk mund të ndërmarrin udhëtimin për në selinë e Kuvendit Bahá’í të dërgojnë fletët e tyre të votimit... Megjithatë i duhet bërë e qartë çdo delegati të zgjedhur — të cilit vazhdimisht t’i kujtohet — se është një përgjegjësi e shenjtë e pa diskutim e parapëlqyer që mundësisht të vijë personalisht në sesionet e Kuvendit, të marrë pjesë aktive në të gjitha procedurat e tij dhe pas kthimit të verë në dijeni shokët e tij të punës për arritjet, vendimet dhe aspiratat e përfaqësuesve të mbledhur të besimtarëve amerikanë. (24 tetor 1925, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í”, f. 91-92) E kuptoj se duhet të ripohoj rëndësinë jetësore të së drejtës së votës — një përgjegjësi e shenjtë, e cila nuk duhet t’i mohohet asnjë besimtari të njohur në moshë të rritur.... Kjo e drejtë dalluese që gëzon besimtari, sidoqoftë, nuk sjell si rrjedhojë dhe as e bën të detyrueshme që ai të votojë, në qoftë se mendon që rrethanat në të cilat jeton nuk e justifikojnë ose nuk e lejojnë që ai ta ushtrojë këtë të drejtë në mënyrë të mençur e me kuptim. Kjo është një çështje që duhet t’i lihet individit të vendosë vetë në pajtim me ndërgjegjen e sipas gjykimit të tij.... (Në dorëshkrim të Shoghi Effendiut, bashkëngjitur një letre të datës 28 prill 1935 shkruar në emër të tij, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, bot. në “Mesazhe për Amerikën: Letra e telegrame të zgjedhura drejtuar Bahá’í-ve të Amerikës së Veriut 1932-1946” (Wilmette: Komiteti Botues Bahá’í, 1947), f. 3-4) Nga komunikime të shkruara prej ose në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë Për çështjen e vajtjes së delegatëve në Kuvendet, Asambleja Kombëtare duhet të verë në dukje se është e dëshirueshme që vetë miqtë të përballojnë shpenzimet. Në qoftë se një delegat nuk mund të paguajë shpenzimet për të vajtur në Kuvend, Asambleja Lokale ose besimtarët e njësisë elektorale nga vjen delegati duhet të inkurajohen nga Asambleja Kombëtare për t’i përballuar këto shpenzime, kështu që vetëm kur nuk gjenden fonde nga këto burime, i duhet drejtuar Asamblesë Kombëtare të shohë mundësinë e ofrimit të ndihmës financiare.... (Nga një letër e datës 9 shkurt 1967 e shkruar prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare, botuar në “Drita e Udhërrëfimit: një skedar referencash Bahá’í”, (Nju Deli: Trusti Botues Bahá’í, 1983), f. 143) Nuk ka një minimum votash që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme, si në rastin e një Asambleje Shpirtërore Lokale ose të delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Megjithatë është e dëshirueshme që çdo votues i zgjedhshëm të marrë pjesë, dhe Asambleja juaj duhet t’i nxisë të gjithë besimtarët të veprojnë kështu... (Nga një letër e datës 10 korrik 1980 e shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) Në përgjithësi, në qoftë se një delegat për Kuvendin Kombëtar nuk është në gjendje të paguajë shpenzimet e udhëtimit të tij, besimtarët e njësisë elektorale nga e cila vjen delegati duhet të inkurajohen prej Asamblesë Shpirtërore Kombëtare që t’i përballojnë këto shpenzime. Në qoftë se nuk gjenden fonde nga ky burim, mund t’i drejtohen Asamblesë Kombëtare të shohë mundësinë e ofrimit të ndihmës financiare. Asambleja Kombëtare nuk është e detyruar ta bëjë këtë. Ajo mund të vendosë të paguajë vetëm një pjesë të shpenzimeve të udhëtimit të një delegati, si bie fjala pjesën e shpenzimeve të transportit për kthimin.... Këshilltarët nuk duhet të ngurrojnë të tërheqin vëmendjen e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare për nevojën që të nxisin një pjesëmarrje të mirë të delegatëve në Kuvendin Kombëtar dhe të japin këshilla lidhur me masat për ndihmë financiare për delegatët. Veç kësaj, Këshilltarët duhet t’i theksojnë komunitetit, përmes anëtarëve të Trupit Ndihmës dhe asistentëve të tyre, shërbimin e besimtarëve të zonës në çdo njësi, që i japin ndihmë financiare delegatit që ata kanë zgjedhur për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit Kombëtar. Përgjegjësia jetësore e çdo delegati që ta dërgojë me postë fletën e tij të votimit, në rast se nuk është në gjendje të vijë personalisht, gjithashtu duhet theksuar. (Nga një memorandum i datës 14 nëntor 1988 i shkruar prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit) 6. Roli i Asamblesë Shpirtërore Kombëtare Nga letra të shkruara prej ose në emër të Shoghi Effendiut Qëndrimi i delegatëve në Kuvend, dmth e drejta për të vendosur për vlefshmërinë e kredencialeve të delegatëve në një Kuvend të dhënë, i është lënë Asamblesë Kombëtare që largohet, dhe e drejta për të vendosur se kush ka privilegjin e votimit gjithashtu është lënë në fund të fundit në dorë të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare.... (29 janar 1925, shkruar nga Shoghi Effendi, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í”, f. 80) Ai mendon se Asambleja Shpirtërore Kombëtare ka të drejtën të shqyrtojë fletët e votimit, po qe se ka ndonjë dyshim nëse zgjedhjet janë zhvilluar si duhet. Me “ruajtje” të fletëve të votimit nënkuptohet që ato ruhen në skedarë kombëtarë. (14 mars 1947, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Australisë e të Zelandës së Re, botuar në “Letra të Ruajtësit për Australinë dhe Zelandën e Re, 1923-1957” (Sidnej: Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Australisë, 1970), f. 66) Shenjtëria dhe Natyra e Zgjedhjeve Bahá’í Faqja 15