Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Përmbledhje

Asambletë Shpirtërore Lokale
Besueshmëria
Besëlidhja
Direktiva për mësimin
Edukimi Bahá'í
Fondet dhe kontributet Bahá'í
Fuqia e Ndihmës Hyjnore
Gratë
Hukukullahu, e Drejta e Perëndisë
Hukukullahu, Ligji social-ekonomik e shpirtëror i Kitáb-i-Aqdasit (Dr. A.-M. Varqá)
Hukukullahut, Ligji i (Cyrus Alá'í)
Hukukullahut, Një kodifikim i Ligjit të (Departamenti i Kërkimeve)
Jeta e familjës
Konsultimi
Krisa dhe fitorja
Lutje Bahá'í (i vogël)
Lutje Bahá'í
Muzikë
Mësimet për rendin e ri botëror
Mësimi i masave
Ndalimi i pijeve të dëmshme
Njerëzit e shquar
Një jetë e ndershme dhe e shenjtë
Opozitë
Paqe
Përmbledhja e përmbledhjeve
Përmbledhje e Trupës Kontinentale në Evropë
Përsosmëri në të gjitha gjerat
Radio
Rini
Ruajtja e Martesave Bahá'í
Rëndësia e arteve në përhapjen e Besimit
Rëndësia e lutjes, e përsiatjes, dhe e qëndrimit devocional
Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve
Takimet Bahá'í & Festa e 19 Ditëve
Tek Ai do të kthehemi
Thashetheme; Stimulimi dhe Zhvillimi e Komuniteteve Bahá'í
Transformimi shpirtëror
Të jetosh jetën
Të çojmë përpara hyrjen me trupa
Varrimi Bahá'í
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Përmbledhje : Përsosmëri në të gjitha gjerat
PËRSOSMËRI NË TË GJITHA GJERAT
Nga Shkrimet e Bahá'u'lláhut:

766. Thuaj: Kini mendjen, o njerëz të Bahá-it, të mos ecni në rrugët e atyre që fjalët u ndryshojnë nga veprat. Përpiquni të bëheni të aftë për t'u shfaqur popujve të tokës shenjat e Perëndisë dhe për të pasqyruar porositë e Tij. Le të bëhen veprimet tuaja udhëheqje për mbarë njerëzimin, sepse fjalët e shumicës së njerëzve, qofshin me pozitë të lartë ose të ulët, ndryshojnë nga sjellja e tyre. Pikërisht përmes veprave tuaja ju mund të dalloheni nga të tjerët. Përmes tyre shkëlqimi i dritës suaj mund të përhapet mbi gjithë tokën. Lum njeriu që e dëgjon këshillën Time dhe i zbaton porositë e dhëna prej Atij që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

(Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláhut, #139:8)

767. Le të jetë çdo mëngjes më i mirë se mbrëmja e së djeshmes dhe çdo ditë më e pasur se e djeshmja e saj. Merita e njeriut qëndron në shërbimin e virtytin, e jo në salltanetet e pasurisë e të bollëkut. ... Ruhuni nga përtacia e plogështia dhe kapuni pas asaj që i sjell përfitim njerëzisë, të rinj ose pleq, të lartë ose të ulët qofshin. ...

(Tabela të Bahá'u'lláhut të reveluar pas Qitapit Akdas, #9:4)

768. Bashkudhëtarët e Perëndisë janë, në këtë ditë, tharmi që duhet të fermentojë popujt e botës. Ata duhet të tregojnë besueshmëri të tillë, vërtetësi e këmbëngulje të tillë, vepra e karakter të tillë që gjithë njerëzimi të mund të përfitojë prej shembullit të tyre.

(Cituar nga Shoghi Effendi, Ardhja e Drejtësisë Hyjnore, f. 29)

769. Thuaji atij, askush në këtë botë nuk mund të pretendojë për ndonjë lidhje me Mua, përveç atyre që, në të gjitha bëmat dhe sjelljen e tyre, pasuan shembullin Tim, në mënyrë të tillë që të gjithë popujt e botës qenë të pafuqishëm për t'i penguar ata që të bënin dhe të thonin atë që është e saktë dhe e duhur.

(Cituar në Shoghi Effendi, God Passes By [Perëndia Kalon Pranë], bot i rev. (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1987), f. 133)

770. Mobilizojeni çdo nerv për të arritur përsosmëritë e brendëshme dhe të jashme, sepse fruti i pemës njerëzore ka qenë dhe do të jetë gjithmonë perfeksionimi nga përbrenda dhe nga jashtë. Nuk është e dëshirueshme që një njeri të mbetet pa dijeni apo aftësi, sepse atëherë, ai është vetëm një pemë shterpë. Prandaj, me aq sa kapaciteti dhe aftësia iu lejon, ju duhet ta stolisni pemën ekzistencës me frute të tilla si dijenia, mençuria, perceptimi shpirtëror dhe ligjërata elokuente.

(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)

771. Eshtë detyrë e fëmijëve, ta ushtrojnë veteveten në maksimum, për t'u mësuar me artin e të shkruarit dhe të lexuarit....Aftësitë e shkrimit që do të plotësojnë kërkesat minimale do të jenë të mjaftueshme për disa; ndërsa është më mirë dhe më e përshtatshme që ata të harxhojnë kohë duke studiuar ato degë të dijenisë që janë të zbatueshme.

Sa për atë që Penda Supreme ka parashtruar më parë, shkaku është se në çdo art dhe zotësi, Zoti e kërkon perfeksionimin maksimal.

(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)
Nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit:

772. Ai u ka zgjedhur ju mes gjithë njerëzimit, sytë tuaj janë hapur për dritën e udhërrëfimit dhe veshët janë akorduar për muzikën e Kompanisë së epërme e të bekuar nga hiri i tij i begatë, zemrat e shpirtrat tuaj janë lindur për jetë të re. Falënderoni dhe lavdëroni Perëndinë që dora e blatimeve pa mbarim ka vënë përmbi kokën tuaj këtë kurorë me sumbulla xhevahiri, këtë kurorë, margaritarët e shkëlqyer të së cilës do të vezullojnë e shkëndijojnë përgjithmonë gjithë horizontet e kohës.

Për të falënderuar Atë për këtë bëni përpjekje të mëdha dhe zgjidhni për veten një qëllim fisnik. Me fuqinë e besimit, binduni ndaj mësimeve të Perëndisë dhe le të përputhen veprimet tuaja me ligjet e Tij.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #17:2-3)

773. O ushtri e Perëndisë! Nëpërmjet mbrojtjes dhe ndihmës së dhuruar nga Bukuria e Bekuar - u bëftë fli jeta ime për të dashurit e Tij - ju duhet të silleni në mënyrë të tillë që të shquheni e të shkëlqeni si dielli në mes shpirtrave të tjerë. Në qoftë se ndonjëri prej jush hyn në një qytet, ai, në saje të sinqeritetit, të çiltërsisë e të dashurisë, të ndershmërisë e të besnikërisë, të vërtetësisë e të dashamirësisë së tij ndaj të gjithë njerëzve të botës, duhet të bëhet një qendër tërheqëse, që njerëzit e atij qyteti të thonë: "Ky njeri është pa diskutim një Bahá'í, sepse figura e tij, sjellja e qëndrimi i tij, morali, natyra dhe prirjet e tij pasqyrojnë atributet e Bahá'íve". Para se të keni arritur këtë pozitë, ju nuk mund të thoni se i jeni përmbajtur me besnikëri Besëlidhjes dhe Testamentit të Perëndisë.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #35:5)

774. O shokë të vërtetë! Gjithë njerëzimi është si fëmijët në një shkollë dhe Agimet e Dritës, Burimet e revelacionit hyjnor janë mësuesit, të mahnitshëm e të pashoq. Në shkollën e realiteteve ata i mësojnë këta bij e bija sipas mësimeve që vijnë nga Perëndia dhe i rrisin në gjoksin e mirësisë, që ata të zhvillohen në të gjitha drejtimet, të shfaqin dhunti e bekime të shkëlqyera të Zotit dhe të kombinojnë përsosuri njerëzore; që ata të përparojnë në të gjitha aspektet e sjelljes njerëzore, si të jashtme dhe të brendshme, të fshehura ose të dukshme, materiale ose shpirtërore, derisa ta bëjnë këtë botë të vdekshme një pasqyrë të madhe që të reflektojë botën tjetër që nuk vdes.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #102:1)

775. Prandaj, O të dashur të Perëndisë! Bëni një përpjekje të fuqishme derisa ju vetë të arrini këtë përparim e të gjitha këto konfirmime dhe të bëheni vatra të bekimeve të Perëndisë, agime të dritës së unitetit të Tij, nismëtarë të dhuntive e të favoreve të jetës së qytetëruar. Jini në atë tokë pararoja të përsosurive të njerëzimit; çoni përpara degët e ndryshme të dijes, jini aktivë e të përparuar në fushën e shpikjeve e të arteve. Përpiquni të korrigjoni sjelljen e njerëzve dhe synoni t'ia kaloni gjithë botës për nga karakteri moral. Ndërkohë që fëmijët janë ende në foshnjëri, ushqejini ata nga gjiri i hirit qiellor, rritini në djepin e çdo përsosurie, edukojini ata në përqafimin e bujarisë. Jepuni atyre epërsinë e çdo lloj dije të dobishme. Le të marrin pjesë në çdo mjeshtri e art të rrallë e të mahnitshëm. Edukojini ata me punë e përpjekje dhe që të kapërcejnë vështirësitë. Mësojini t'ua kushtojnë jetën gjërave që kanë rëndësi të madhe dhe frymëzojini që të ndërmarrin studime që do t'i sjellin dobi njerëzimit.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #102:3)

776. ... Ata duhet vazhdimisht të inkurajohen e të bëhen të etur për të kapur të gjitha majat e arritjeve njerëzore, në mënyrë që qysh nga vitet e tyre më të hershme të mësohen të kenë qëllime të larta, të sillen mirë, të jenë të pastër, të dëlirë e të panjollë, dhe të mësojnë të kenë vendosmëri të fortë e qëllim të patundur në të gjitha gjërat. ...

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #110:1)

777. Është detyrë e fëmijëve Bahá'í t'i kalojnë fëmijët e tjerë në përvetësimin e shkencave dhe të arteve, sepse ata janë përkundur me hirin e Perëndisë.

Çdo gjë që mësojnë fëmijët e tjerë në një vit, le ta mësojnë në një muaj fëmijët Bahá'í. Zemra e 'Abdu'l-Baháit digjet nga dashuria për të parë që njerëzit e rinj Bahá'í të njihen të gjithë nëpër botë për arritjet e tyre intelektuale. Nuk ka diskutim që ata do t'i shtojnë gjithë përpjekjet, energjitë dhe ndjenjën e krenarisë së tyre, për të mësuar shkencat dhe artet.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #119:1-2)

778. Mësimi i këtyre fëmijëve është si puna e kopshtarit të dashur që kujdeset për bimët e tij të reja në fushat e lulëzuara të Lavdiplotit. Nuk ka dyshim që ai do të vjelë rezultatet e dëshiruara; kjo është e vërtetë sidomos mbi mësimin në lidhje me detyrimet Bahá'í dhe me sjelljen Bahá'í, sepse fëmijët e vegjël kanë nevojë të dinë pikërisht në zemrën e shpirtin e tyre se 'Bahá'í' nuk është thjesht një emër, por një e vërtetë. Çdo fëmijë duhet të aftësohet me gjërat e shpirtit, që ai të mishërojë gjithë virtytet dhe të bëhet burim lavdie për Kauzën e Perëndisë. Përndryshe, fjala e thjeshtë 'Bahá'í', nëse nuk jep fruta, do të shkojë drejt hiçit.

Përpiqu atëherë me gjithë zotësinë tënde t'u bësh të ditur këtyre fëmijëve se Bahá'í është ai që mishëron gjithë përsosmëritë, se ai duhet të shkëlqejë si një pishtar i ndezur, mos pastë errësirë mbi errësirë dhe ende të bartë emrin 'Bahá'í'.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #123:2-3)

779. Është detyrë e mjeshtërve të botës në çdo moment të ofrojnë njëmijë shenja mirënjohjeje në Pragun e Shenjtë, të bëjnë përpjekjet më të mëdha dhe të ndjekin profesionet e tyre me zell që përpjekjet të japin atë që do të manifestojë bukurinë e përkryerjen më të madhe para syve të të gjithë njerëzve.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #127:2)

780. Bëni, pra, një përpjekje të fuqishme, në mënyrë që njerëzit e Baháit të dallohen për nga dëlirësia e shenjtëria, ato cilësi që i ka aq për zemër 'Abdu'l-Bahái; që njerëzit e Perëndisë t'ua kalojnë të gjitha qenieve të tjera njerëzore në çdo lloj shquarsie; që si nga jashtë dhe nga brenda ata të kenë epërsi mbi të tjerët; që për nga dëlirësia, pastërtia, finesa dhe ruajtja e shëndetit të jenë në pararojë të atyre që njohin; dhe që për nga liria ndaj çdo skllavërimi, për nga dija, për nga vetëkontrolli i tyre të jenë të parët ndër ata që janë të pastër, të lirë e të urtë.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #129:14)

781. Le të jenë të dashurit e Perëndisë, secili prej tyre, thelbi i pastërtisë, vetë jeta e shenjtërisë, në mënyrë që në çdo vend ata të bëhen të famshëm për shenjtërinë, pavarësinë e shpirtit dhe butësinë e tyre. Le të gëzohen ata prej gllënjkave të kupës së përjetshme të dashurisë së Perëndisë dhe të vijnë në qejf ndërsa pinë prej buteve të verës së Qiellit. Le të shohin Bukurinë e Bekuar, të ndjejnë flakërimin dhe ngazëllimin prej atij takimi e të mbeten pa gojë nga habia e mrekullia. Ky është stacioni i të sinqertëve; kjo është udha e besnikëve; ky është shkëlqimi që shndrit mbi fytyrat e atyre që janë pranë Perëndisë.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #174:4)

782. Tani mes gjithë popujve të botës i shtrenjti duhet të ngrihet me zemrën si dielli, me një shtytje të fortë të brendshme, me ballin që i ndrin, me një frymë aromë-parfumi, me një gjuhë që flet kurdoherë për Perëndinë, një shpjegim të qartë si kristali, me një vendim të lartë, një fuqi të lindur nga qielli, me karakter shpirtëror e me krezmim veçse hyjnor. Le të bëhen të gjithë ata si një shkëlqim në horizontin e qiellit dhe një yll verbues në qiejt e botës. Le të jenë ata pemë me kokrra në tendat qiellore, lulishte aromë-ëmbël në kopshtet qiellore; le të jenë ata vargje përkryerjeje në faqen e universit, fjalë njëshmërie në Librin e Jetës. Kjo është epoka e parë dhe fillimet e hershme të dispensacionit të Dritës Më të Madhe, prandaj brenda këtij shekulli, brenda kësaj hapësire kohore duhet të fitohen virtytet e duhet të përsosen cilësitë e mira. Pikërisht në këto ditë Parajsa Abhá duhet të ngrejë tendat e saj mbi rrafshinat e botës, Dritat e realitetit duhet të revelohen tani dhe sekretet e blatimeve të Perëndisë duhen bërë të njohura, hiri i vjetër duhet të shkëlqejë tani dhe kjo botë të ndryshojë në një shesh-kënaqësie të qiellit, kopshtit të Perëndisë. Dhe prej zemrave të dëlira dhe prej bujarive qiellore tani duhet të bëhen manifest gjithë përsosmëritë, cilësitë dhe atributet e hyjnores.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #193:12)

783. I lutem Atij të blatojë krezmimet e Tij mbi ata të dashur, banorë në atë tokë të pastër e të shenjtë, t'u japë atyre përfundime të suksesshme në të gjitha gjërat: që në karakterin e tyre, sjelljen e tyre, fjalët e tyre, mënyrën e tyre të jetesës, në gjithçka që ata janë e bëjnë, t'i bëjë për të arritur dallimin mes njerëzve, që Ai t'i mbledhë ata në komunitetin botëror me zemrat mbushur me kënaqësi, zjarr e dashuri përvëluese, me dije e siguri, me vendosmëri e unitet, me fytyra të bukura e të shkëlqyera.

(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #207:1)

784. ... ata duhet të japin shembull në çdo aspekt të jetës së tyre me ato atribute dhe virtute që janë lindur prej Perëndisë dhe duhet të ngrihen për ta shquar vetveten me sjelljen e tyre të mirë. Ata duhet ta justifikojnë pretendimin e tyre për të qenë Bahá'í me vepra dhe jo me emër. Bahá'í i vërtetë është ai që përpiqet ditë e natë për përparimin dhe avancimin përgjatë rrugës së përpjekjes njerëzore, dëshira më e madhe e të cilëve është të jetojnë dhe të veprojnë për ta pasuruar dhe për ta ndriçuar botën, burimi i frymëzmit të të cilëve është esenca e virtutit Hyjnor, qëllimi i të cilëve në jetë është të sillne në mënyrë të tillë që të bëhen shkak për përparim të pakufishëm. Vetëm kur ai i arrin dhunti të tilla të përsosura, mund të thuhet për të, se ai është një Bahá'í i vërtetë. Sepse në këtë Dispensacion të shenjtë, lavdia kurorëzuese e cikleve dhe e epokave të shkuara, besimi i vërtetë nuk është thjesht një shpallje e unitetit të Zotit, por në të vërtetë të jetuarit e një jete që do t'i manifestojë të gjitha përsosmëritë dhe virtutet e nënkuptuara prej një besimi të tillë....

(Bahá'í Year Book (The Bahá'í World) [Libri Vjetor Bahá'í (Bota Bahá'í)], vëll.1 (New York: Komiteti Botues Bahá'í, 1926), f.12)

785. Kështu, O të shumëdashur të Zotit, përpiquni me zemrat dhe shpirtrat tuaj, që ju të mund të kualifikoheni me moralin dhe atributet e përsosmërisë së Bekuar, për të marrë pjesë në bujaritë e shenjtërisë së Tij; që ju të mund të bëheni shenja të unitetit dhe standarde të njëshmërisë, të zbuloni esencën e veçimit dhe të këndoni poezitë dhe harmonitë në këtë kopësht hyjnor, me melodi të mëshirshme; që ju të mund të bëheni si zogjtë falenderues dhe të këndoni një këngë në kopshtin e trëndafilave të ekzistencës, e cila të mund t'i mahnisë mendjet dhe ndijimet; që ju të mund ta lartësoni standardin mbi majën e universit që të mund të valojë në erërat e favorit dhe të mbillni një pemë në fushën e botës së dukshme e cila mund të japë frute të një delikatese dhe freskie maksimale.

(Tablets of `Abdu'l-Bahá Abbas [Tabelat e Abdu'l-Bahá Abbas], vëll. 2 (Çikago: Shoqëria Botuese Bahá'í, 1915), f. 374)

786. O ju miq të Zotit! Bëni një përpjekje që të gjitha kombet dhe komunitet e botës, bile edhe armiqtë, ta vendosin besimin e tyre, sigurinë dhe shpresën tek ju; që, nëse një person gabon, për një qind mijë herë ai të mund ta kthejë fytyrën e tij drejt jush, me shpresë se ju do t'i falni mëkatet e tij; sepse ai nuk duhet të bëhet i pashpresë as të mos trishtohet apo të dëshpërohet. Kjo është sjellja dhe qëndrimi i njerëzve të Bahá's. Ky është themeli i shtegut më sublim! Ju duhet ta konfirmoni sjelljen dhe qëndrimet tuaja me këshillat e 'Abdu'l-Bahá.

(Tablets of `Abdu'l-Bahá Abbas [Tabelat e Abdu'l-Bahá Abbas], vëll. 2, f. 436)

787. Pastaj dije ti, se, në fakt, njerëzit e Bahá'í duhet të shquhen nga të tjerët në të gjitha fushat, gjersa ata të bëhen llampa të të Vetmit të Vërtetë në mes të krijesave dhe yjeve të udhëzimit që ndriçojnë nga Grupimi Suprem.

(Tablets of `Abdu'l-Bahá Abbas [Tabelat e Abdu'l-Bahá Abbas], vëll. 3 (Çikago: Shoqëria Botuese Bahá'í, 1916), f. 682)

788. Sot detyra më urgjente është pastrimi i karakterit, reformimi i moralit, korrigjimi i sjelljes. Është detyrë e të dashurve të Perëndisë për t'u ngritur mes gjithë popujve me cilësi e akte të tilla që erërat pranverore, të cilat fryjnë mbi kopshtet e shenjtërisë të kundërmojnë në gjithë tokën dhe të rikthejnë në jetë shpirtrat e vdekur. Arsyeja që Perëndia e ka bërë Veten manifest dhe që dritat pambarim po shkëlqejnë prej mbretërisë së të padukshmes, nuk është veçse stërvitja e të gjithë shpirtrave njerëzorë dhe zbukurimi i karaktereve të të gjithëve përmbi tokë - me qëllim që individët e bekuar, që e kanë çliruar veten prej territ të botës shtazore, të ngrihen me ato cilësi që janë të admirueshme për realitetin e njeriut. ...

(Nga një Tabelë, botuar në Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit, #2:16, dhe cituar tek Shoghi Effendi, Ardhja e Drejtësisë Hyjnore, f. 31-32)

789. Në këtë kohë, po ashtu, unë u kërkoj urgjentisht miqve të Zotit që të bëjnë çdo përpjekje, me aq sa përfshijnë kompetencat e tyre, në këto drejtime. Sa më shumë të përpiqen ata për ta zgjeruar fushën e dijenisë së tyre, aq më i mirë dhe më i kënaqshëm do të jetë rezultati. Të dashurit e Zotit, qofshin të rinj apo të vjetër, burra apo gra, secili sipas aftësive të tij, ta nxisë vetveten dhe të mos i kursejë përpjekjet për të zotëruar degë të ndryshme kontemporane të dijenisë, edhe shpirtërore edhe sekulare, edhe të arteve. Sa herë që ata mblidhen në takimet e tyre, biseda e tyre le të përqëndrohet në subjekte dhe të informojë për dijenitë e ditës.

Nëse ata e bëjnë këtë, ata do ta përmbysin botën me Dritën e Manifesuar dhe do ta kthejnë këtë tokë të pluhurosur në oborre të Mbretërisë së Lavdisë.

(Nga një Tabelë e përkthyer nga Arabishtja)

790. Eshtë e qartë se të nxënit është dhurata më e madhe e Perëndisë; që dijenia dhe zotërimi i saj është një bekim nga Qielli. Kështu është detyrë e miqve të Perëndisë të ushtrojnë një përpjekje të tillë dhe të përpiqen zell të madh për ta çuar më tej dijeninë hyjnore, kulturën dhe shkencat, që shumë shpejt ata që janë nxënës sot të bëhen më eruditët e të gjithë organizatave të të mençurve. Ky është një shërbim i bërë prej Vetë Zotit dhe është njëri prej komandamenteve të Tij të padiskutueshme.

(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)

791. O miq të dashur! Bëni çdo përpjekje për t'i zotëruar degët e ndryshme të dijenisë dhe të kuptimit të vërtetë. Shfrytëzoni çdo nerv për të arritur përsosmëritë materiale dhe shpirtërore.

Inkurajohini fëmijët që nga fëmijëria e hershme që të zotërojnë çdo lloj mësimi dhe bëjini ata të zellshëm për t'u aftësuar në çdo art - me qëllim që nëpërmjet mirësisë favorizuese të Zotit, zemra e secilit prej tyre të mund të bëhet si një pasqyrë që zbulon sekretet e universit, duke penetruar në realitetin e përbrendshëm të të gjitha gjërave; dhe që secili të mund të mësojë kuadrin mbarëbotëror në të gjitha degët e dijenisë, të shekncave të dhtë arteve.

Sigurisht, sigurisht mos e neglizhoni edukimin e fëmijëve. Rritini ata të pajisur me cilësi shpirtërore dhe të siguruar me dhuntitë dhe favoret e Zotit.

(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)

792. Përdorini çdo mjet për ta bërë këtë Shkollë një oborr të të gjithëmëshirshmit, nga e cila dritat e mësimit do të hedhin rrezet e tyre dhe prej secilës, fëmijët, qofshin Bahá'í apo të tjerë, do të edukohen në një shkallë të tillë sa të bëhen dhuratat e Zotit për njerëzit dhe krenaria e racës njerëzore. Lërini ata të bëjnë progresin më të madh në hapësirën më të shkurtër kohore, le t'i hapin ata sytë e tyre dhe të zbulojnë realitetet e të gjitha gjërave, të bëhen të aftësuar në çdo art dhe zanat dhe të mësojnë t'i kuptojnë sekretet e të gjitha gjërave, ashtu siç janë - kjo cilësi është njëri prej efekteve më qartësisht evidente të shërbimit ndaj Pragut të Shenjtë.

(Nga një Tabelë përkthyer nga Persishtja)
Nga Fjalët e 'Abdu'l-Baháit:

793. Unë iu jap ju këshillën time që është kjo: Edukojini këta fëmijë me këshillat hyjnore. Që në fëmijëri u futni në zemër dashurinë për Zotin, kështu që ata të mund ta manifestojnë në jetën e tyre frikën e Zotit dhe të kenë besim në dhuratat e Zotit. Mësojini ata të çlirojnë vetveten nga të metat njerëzore dhe të fitojnë perfeksionimet hyjnore që ekzistojnë në zemrën e njeriut. Jeta e njeriut është e dobishme, nëse ai i arrin përsosmëritë e njeriut, Nëse ai bëhet qendër e të metave të botës së njerëzimit, vdekja është më e mirë sesa jeta, mosekzistenca, më e mirë se sa ekzistenca. Prandaj, bëni ju një përpjekje, me qëllim që këta fëmijë të mund të mësohen dhe të edukohen siç duhet, që secili prej tyre të mund të arrijë përsosmërinë në botën e njerëzimit. Dijeni ju vlerën e këtyre fëmijëve, sepse ata janë të gjithë fëmijët e mi.

(Promulgation of Universal Peace [Shpallja e Paqes Universale], Bisedat e bëra prej 'Abdu'l-Baháit gjatë vizitës së Tij në Shtetet e Bashkura dhe në Kanada në 1912, bot. i dytë (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1982), f. 53-54)

794. Unë dëshiroj që të bëheni të shquar. Bahá'ít duhet të shquhen nga njerëzit e tjerë. Por ky dallim nuk duhet të varet nga pasuria - që ata duhet të bëhen më të pasur se të tjerët. Unë nuk e dëshiroj dallimin tuaj financiar. Unë nuk dëshiroj një dallim të zakonshëm; as shkencor, tregëtar, industrial. Për ju unë dëshiroj dallimin shpirtëror - d.m.th, ju duhet të bëheni të spikatur dhe të dalluar në moral. Në dashurinë e Zotit ju duhet të bëheni të shquar në mes të të gjithë të tjerëve. Ju duhet të bëheni spikatës në dashuri për njerëzimin, dhe në unitet dhe harmoni, në dashuri dhe drejtësi. Shkurtimisht, ju duhet të bëheni të dalluar në të gjitha virtutet e botës njerëzore.- në besnikëri dhe sinqeritet, drejtësi dhe besë, palëkundshmëri dhe qëndrueshmëri, për vepra dhe shërbime filantropike ndaj botës njerëzore, për dashuri kundrejt çdo qenie njerëzore, për unitet dhe harmoni me të gjithë njerëzit, për heqjen e paragjykimeve dhe çuajren më tej të paqes ndërkombëtare. përfundimisht, ju duhet të bëheni të spikatur për ndriçimin qiellor dhe për zotërimin e dhuntive të Zotit. Unë e dëshiroj këtë dallim për ju. Kjo duhet të jetë pika e dallimit në mes jush.

(Promulgation of Universal Peace [Shpallja e Paqes Universale], f.190)

795. Si rrjedhim unë them se njeriu duhet të udhëtojë në rrugën e Zotit. Ditë për ditë ai duhet të përpiqet të bëhet më i mirë, besimi i tij duhet të shtohet dhe të bëhet më i qëndrueshëm, cilësitë e tij të mira dhe kthimi i tij drejt Zotit duhet të bëhet më i madh, zjarri i dashurisë së tij duhet të ndizet më i shkëlqyer; pastaj nga dita në ditë ai do të bëjë përparime, sepse të ndalosh përparimin do të thotë të kthehesh prapa. Zogu, kur ai fluturon, ngjitet lart e më lart, sepse sapo ai e ndërpret fluturimin do të bjerë poshtë. Çdo ditë, në mëngjes, kur ngriheni ju duhet ta krahasoni të sotmen me të djeshmen dhe të shikoni se në çfarë konditash jeni. Nëse ju e shikoni se besimi juaj është më i fuqishëm dhe zemra juaj më e mbushur me Zotin dhe dashuria juaj e shtuar dhe liria juaj nga bota më e madhe, atëhere falenderojeni Zotin dhe kërkojini t'ua shtojë këto cilësira. Ju duhet të filloheni të luteni dhe të pendoheni për të gjitha që ju keni bërë, që janë të gabuara, dhe duhet të lypni dhe të kërkoni ndihmë dhe asistencë që ju të mund të bëheni më të mirë se dje, kështu që ju të mund të vazhdoni të bëni përparim.

(Star of the West [Ylli i Perëndimit], vëll. 8, nr. 6 (24 qershor 1917), f. 68)

796. Ju duhet të bëheni qirinj vezullues të këshillave morale dhe të idelave shpirtërore, duke u bërë mjete për ndriçimin e të tjerëve. Vishini trupat tuaj me roben e virtuteve. karakterizojeni veten tuaj me karakteristikat e njerëzve të moralit hyjnor. Shmangini të gjitha sjelljet e veseve siç i shmangeni një gjarpëri helmues apo leprozit. Grupi i profesorëve dhe i studentëve le të impresionohet me pastërtinë dhe shenjtërinë e jetës suaj, kështu që ata të mund t'iu marrin ju si ekzemplarë të cilësisë, si shembuj të fisnikërisë së natyrës, si zbatues të ligjeve morale, duke i mbajtur të nënshtruar elementët e ulët nëpërmjet shpirtit të lartë, pushtues të vetvetes dhe mjeshtër rë tërësisë së forcave jetësore në të gjitha rrugët e jetës. përpiquni gjithmonë të jeni në krye të klasës suaj, nëpërmjet studimit serioz dhe meritave të vërteta. Jini gjithmonë në një gjendje lutjesh dhe vlerësojeni rëndësinë e gjithçkaje. Ushqeni ideale të larta dhe stimulojini forcat tuaja intelektuale dhe konstruktive.

(Star of the West [Ylli i Perëndimit], vëll. 9, nr. 9 (20 gusht 1918), f. 98)

797. Unë shpresoj se ndërsa ju përpiqeni në këtë kolegj ju mund t'ua kaloni të gjithë studentëve të tjerë në degë të ndryshme të dijenisë që mësohen atje, kështu që të gjithë ata të mund të dëshmojnë se studentët Bahá'í kanë një tjetër fuqi, inspirohen me një nxitje tjetër, përshkohen nga një ambicje fisnike, stimulohen nga motive më të larta dhe veprojnë më gjerë dhe më mirë se të tjerët. Nëse ju nuk ua kaloni të tjerëve, atëhere çfarë dallimi do të mbetet për ju? Prandaj, ju duhet të përpiqeni të jeni superiorë ndaj tyre, kështu që gjithkush të mund të dëshmojë për këtë fakt....

(Star of the West [Ylli i Perëndimit], vëll. 9, nr. 9 (20 gusht 1918), f. 98-99)

798. Unë shpresoj se nëpërmjet favorit dhe bujarisë së Mrekullisë së Bekuar, shenjtëria e tij Bábi, dhe bekimet e pashuara që e përshëndesin mauzolenë e tij të shenjtë1 dhe konfirmimet e Abhás do të mund t'iu rrethojnë, që ju mund të karakterizoheni me tiparet e ndritshme dhe atributet e shkëlqyera të jetës Bahá'í. Morali juaj u bëftë më i përcaktuar nga dita në ditë! Besimi dhe siguria juaj u shtoftë nga dita në ditë! Tërheqja juaj ndaj Mbretërisë së Abhás u intensikoftë nga dita në ditë! Arritjet tuaja në shkenca dhe arte u bëfshin më universale nga dita në ditë! Të jepet mundësia, dashtë Zoti, që ju të bëheni të përsosur dhe të përkryer nga çdo këndvështrim dhe të jeni mjetet për ndriçimin e Persisë.

(Star of the West [Ylli i Perëndimit], vëll. 9, nr. 9 (20 gusht 1918), f. 99-100)

Nga letrat e shkruara prej Shoghi Effendiut:

799. Një gjë do ta pakësojë shumë barrën e rëndë që peshon mbi mendje dhe zemër, dhe kjo gjë është shablloni me të cilin Bahá'ít përshtasin jetën private dhe karakterin e tyre ndaj kodit të lartë të vendosur prej Bahá'u'lláhut, Ky është një standard pafundësisht i lartë dhe gjithçka që nuk i përshtatet atij, në sytë e atyre që besojnë me të vërtetë, provon se është neglizhencë për të ardhur keq dhe kotësi e madhe.

(12 tetor 1924 për një besimtar individual)

800. Çdo besimtar, që dëshiron të dëshmojë për progresin e shpejtë dhe të shëndetshëm të Kauzës së Zotit, le të realizojë natyrën e dyfishtë të detyrës së tij. Le t'i kthejë ai së pari sytë e tij nga përbrenda dhe të kërkojë në zemrën e tij dhe ta kënaqë vetveten që në marrdhëniet e tij me besimtarët, pa dallim ngjyre dhe klase, ai ta vërtetojë vetveten me besnikëri në rritje ndaj shpirtit të Besimit të tij të shumëdashur. I sigurt dhe i kënaqur se ai po bën maksimumin e tij në një përpjekje të ndërgjegjëshme për t'iu afruar çdo ditë kësaj pozite të lartë tek e cila e thërret Mjeshtri i tij i mirë, le të kthehet ai tek detyra e tij e dytë, dhe, me konfidencën dhe energjinë e duhur, ta sulmojë pushtetin shkatërrues të atyre forcave që në zemrën e tij, tashmë ai ia doli mbanë t'i nënshtrojë. Me gjallëri të plotë ndaj efikasitet të padiskutueshëm të Bahá'u'lláhut dhe i armatosur me armët esenciale të përmbajtjes së mençur dhe vendosmërisë së palëkundur, le të bëjë ai një luftë të vazhdueshme kundër tendancave të trashëguara, instikteve korruptuese, modave të ndryshueshme, pretendimeve false të shoqërisë në të cilën ai jeton dhe lëviz.

(12 prill 1927 për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shtetëve të Bashkuar dhe Kanadanë, botuar në Bahá'í Administration: Selected Messages 1922-1932 [Administrata Bahá'í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932], bot. i rev. (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1980), f. 130)

801. Ne mund ta provojmë vetvten të vlefshëm për Kauzën tonë, vetëm, nëse në sjelljen tonë individuale dhe në jetën trupore ne imitojmë me këmbëngulje shembullin e Mjeshtrit tonë të shumëdashur, të Cilin, terroret e tiranisë, stuhitë e abuzimit të pandërprerë, shtypja e poshtërimit, kurrë nuk do të devijojë asnjë fije floku nga ligji i shfaqur i Bahá'u'lláhut.

E tillë është rruga e shërbesës, e tillë është rruga e shenjtërisë, që Ai zgjodhi për ta shkelur gjer në fund të jetës së Tij. Asgjë që nuk e pason rigorozisht shembullin e Tij të lavdishëm, nek mund ta drejtojë siç duhet rrugën tonë përmes humnerave të kësaj epoke të rrezikshme, duke na udhëhequr për ta plotësuar destinacionin tonë të lartë.

(Po aty, f. 132)

802. Në ndërmarrjet filantropike dhe në aktet e bamirësisë, në çuarjen më tej të mirëqenies së përgjithshme dhe në përmirësimin e shërbimit publik duke përfshirë atë çdo grupi pa asnjë përjashtim, të shumëdashurit e Zotit le të tërheqin vëmendjen favorizuese të të gjithëve dhe t'i udhëheqin të gjithë të tjerët.

(Janar 1929 e adresuar për Bahá'ít e Lindjes - përkthyer nga Persishtja)

803. Puna me të cilën po merreni është e dashur dhe pranë zemrës sime dhe përbën njërin prej aspekteve më jetësore të aktiviteteve të shumëfishta të Besimit tonë të shumëdashur. Standardet më të larta të pastërtisë, të integritetit, të shkëputjes dhe të sakrificës duhet të ruhen nga anëtarët e grupit tuaj, me qëllim që t'iu aftësojnë të luani një rol vendimtar në zgjerimin dhe konsolidimin e Besimit. Një përgjegjësi e madhe qëndron mbi ju dhe asgjë që nuk i afrohet një jete të pastër, virtuoze, aktive dhe të vërtetë nuk mund t'iu aftësojë ta arrini destinacionin tuaj sublim....

(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut, shkruar në një letër të datës 6 shtator 1934 shkruar në emër të tij për Këshillin e Rinisë së Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë)

804. Një ndershmëri e tillë në sjellje duhet të shfaqet, me forcë gjithnjë e më të madhe, në çdo gjykim që përfaqësuesve të zgjedhur të komunitetit Bahá'í, cilado qoftë pozita që kanë, mund t'u duhet të shprehin. Ajo duhet të pasqyrohet vazhdimisht në çështjet e biznesit të të gjithë pjesëtarëve të tij, në jetën e tyre familjare, në të gjitha punët që bëjnë dhe në çdo shërbim që ata mund të kryejnë, në të ardhmen, për qeverinë ose popullin e tyre. Ajo duhet të mishërohet në sjelljen e të gjithë zgjedhësve Bahá'í, kur ushtrojnë të drejtat e funksionet e tyre të shenjta. Ajo duhet të karakterizojë qëndrimin e çdo besimtari besnik lidhur me mospranimin e posteve politike, me mosaderimin në parti politike, me mospjesëmarrjen në polemika politike dhe me mosanëtarësimin në organizata politike e institucione kishtare. Kjo duhet të shfaqet në aderimin pa kompromis të të gjithëve, të rinj a të vjetër qofshin, në parimet e qarta themelore të parashtruara nga 'Abdu'l-Bahá-i në mesazhet e Tij, dhe në ligjet e porositë e reveluara prej Bahá'u'lláh-ut në Librin e Tij Më të Shenjtë. Ajo duhet treguar në paanësinë e çdo mbrojtësi të Besimit ndaj armiqve të tij, në objektivitetin e tij për të njohur meritat që mund të ketë armiku dhe në ndershmërinë për të përmbushur çdo detyrim që mund të ketë ndaj tij. Kjo duhet të përbëjë stolinë më të ndritshme të jetës, të punëve, të përpjekjeve e të fjalëve të çdo mësuesi Bahá'í, qoftë kur punon në atdhe ose jashtë vendit, qoftë kur ndodhet në radhët e para të forcave të mësimit, ose kur zë një pozitë më pak aktive e me përgjegjësi. Kjo duhet të bëhet shenja dalluese e asaj trupe të vogël në numër, por tepër dinamike e me përgjegjësi, të përfaqësuesve të zgjedhur kombëtarë të çdo komuniteti Bahá'í, i cili përbën shtyllën mbajtëse dhe instrumentin e vetëm për zgjedhjen, në çdo komunitet, të Shtëpisë Universale, vetë emri e titulli i së cilës, siç e ka përcaktuar Bahá'u'lláh-u, simbolizon atë ndershmëri në sjellje, që është misioni më i lartë që duhet ruajtur e imponuar.

(Më 25 dhjetor 1938 për Bahá'ít e Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, e botuar tek Ardhja e Drejtësisë Hyjnore, f. 32-33)

805. Kjo jetë e virtytshme dhe e shenjtë duhet të bëhet parimi rregullues në sjelljen dhe veprimet e të gjithë Bahá'í-ve, si në marrëdhëniet e tyre shoqërore me anëtarët e komunitetit të vet dhe në kontaktet e tyre me botën në përgjithësi. Ajo duhet të stolisë e të përforcojë orvatjet e pareshtura dhe përpjekjet e merituara të atyre që kanë misionin e lakmueshëm të përhapjes së Mesazhit e të administrimit të punëve të Besimit të Bahá'u'lláh-ut. Ajo duhet mbrojtur në tërësinë e me të gjitha ato që nënkupton, në çdo fazë të jetës së atyre që mbushin radhët e atij Besimi, qoftë në vendet e tyre, ose në udhëtimet e tyre, në klubet e tyre, në shoqatat e tyre, në argëtimet e tyre, në shkollat e në universitet e tyre. Asaj i duhet kushtuar vëmendje e veçantë në zhvillimin e veprimtarive shoqërore të çdo shkolle verore Bahá'í dhe në çdo rast tjetër mbi të cilin organizohet e inkurajohet jeta e komunitetit Bahá'í. Ajo duhet njejësuar ngushtësisht e vazhdimisht me misionin e rinisë Bahá'í, qoftë si element i jetës së komunitetit Bahá'í, qoftë si faktor i përparimit e i orientimit të së ardhmes së rinisë së vendit të vet.

(Më 25 dhjetor 1938, botuar tek Ardhja e Drejtësisë Hyjnore, f. 35)

Nga letrat e shkruara në emër të Shoghi Effendiut:

806. Përgjegjësia e besimtarëve të rinj është shumë e madhe, pasi ata nuk duhet ta mjaftojnë vetveten me trashëgiminë e punës së Bahá'íve të mëparshëm dhe të vazhdojnë me çështjet e Kauzës në përgjithësi, por bota që shtrihet përpara tyre - siç premtohet prej Bahá'u'lláhut - do të jetë një botë e qortuar nga vuajtjet e saj, prandaj të jenë të gatshëm ta dëgjojnë Mesazhin e Tij Hyjnor gjer në fund; dhe si rrjedhim një karakter shumë sublim do të pritet nga eksponentët e një feje të tillë. Thellimi i dijenisë së tyre, përsosja e vetvetes sipas standardeve të virtutit Bahá'í dhe të sjelljes së mirë, duhet të jenë detyrat përparësore të çdo Bahá'í të ri.

(6 qershor 1941 për rininë Bahá'í të Bombeit, Indi, botuar në Dawn of a New Day [Agimi i një ditës së re] (Delhi i Ri: Trusti Botues Bahá'í, (1970)), f. 179-80)

807. Ruajtësi u kënaq kur e dëgjoi grupin tuaj të të rinjve. Fëmijët që stërviten me mësimet botëpërfshirëse të Bahá'u'lláhut, rriten për të qenë një racë me të vërtetë e re njerëzish. Ai shpreson se këta të rinj do ta përgatisin vetveten për detyrën e madhe që do t'u dalë përpara atyre në të ardhëshmen, për të ndihmuar për rindërtimin e botës me ndihmën dhe frymëzimin e mësimeve Bahá'í.

(25 dhjetor 1941 për Bahá'ít e Hobartit, Tasmani)

808. Nëse ne do të perceptojmë realitetin vërtetë të gjërave, ne duhet të shikojmë se më e madhja e të gjitha betejave që e trazon botën e sotme është beteja shpirtërore. Nëse besimtarët si ti, të rinj dhe të zellshëm dhe plot jetë, dëshirojnë të fitojnë dafinat e heroizmit të vërtetë dhe të pavdekshëm, atëhere le të bashkohen ata në betejën shpirtërore që përfshin çdo shpirt njerëzor - cilido qoftë profesioni i tij. Detyra më e vështirë dhe më fisnike në botën e sotme të jesh një Bahá'í i vërtetë; kjo kërkon që ne të mposhtim jo vetëm të këqijat e sotme që mbizotërojnë mbi të gjithë botën, por edhe dobësinë, lidhjet me të shkuarën, paragjykimet dhe egoizmin që mund të trashëgohen apo të fitohen nga vetë karakteret tona; që ne të japim një shembull të ndritshëm dhe të padëmtuar për njerëzit e tjerë.

(5 prill 1942 për një besimtar individual)

809. Ai shpreson se ju do të bëheni Bahá'í në karakter si dhe në besim. I tëri qëllimi i Bahá'u'lláhut është që ne të mund të bëhemi një lloj i ri njerëzish, njerëz që janë të drejtë, të mirë, inteligjentë, të vërtetë dhe të ndershëm dhe që jetojnë sipas ligjeve të Tij të mëdha të parashtruar për këtë epokë të re në zhvillimin njerëzor. Ta quajmë vetveten Bahá'í nuk është e mjaftueshme, qenia jonë të përbrendëshme duhet të fisnikërohet dhe të ndriçohet nëpërmjet të jetuarit të një jete Bahá'í.

(25 gusht 1944 për Sesionin e Rinisë Louhelen School)

810. Në të vërtetë, nëse miqtë do të kërojnë dhe do ta ushtrojnë vetveten për t'u bërë njëqind për qind Bahá'í, ata do ta shikojnë sesa do të shtohet influenca e tyre mbi të tjerat dhe sesa e shpejtë do të jetë përhapja e Kauzës. Bota nuk kërkon një kompromis, por një trupëzim të një ideali të lartë dhe të ndritshëm. Sa më shumë miq të jetojnë sipas mësimeve tona në çdo aspekt të jetës së tyre, në shtëpitë e tyre, në biznes, në marrdhëniet e tyre shoqërore, aq më i madh do të jetë atraksioni që ata ushtrojnë mbi zemrat e të tjerëve.

(23 janar 1945 për një besimtar individual)

811. Besimtarët, siç e dimë të gjithë duhet të përpiqen të japin një shembull në jetën dhe sjelljen e tyre personale që të tjerët të ndihen të detyruar ta përqafojnë Besimin që e reformon karakterin njerëzor. Sidoqoftë, për fat të keq, jo gjithkush e arrin me lehtësi dhe me shpejtësi fitoren mbi vetveten. Ajo që çdo besimtar, i ri apo i vjetër, duhet të kuptojë, është se Kauza ka fuqinë shpirtërore për të na rikrijuar ne, nëse bëjmë përpjekje për ta lënë fuqinë e saj të na inluencojë, dhe ndihma më e madhe në këtë drejtim është lutja. Ne duhet t'i kërkojmë Bahá'u'lláhut që të na ndihmojnë ne t'i ,poshtim të metat e karakterit tonë dhe gjithashtu të ushtrojmë pushtetin e vullnetit tonë për ta zotëruar dhe veten.

(27 janar 1945 për një besimtar individual)

812. Shpresa e tij e vazhdueshme është se besimtarët do të sillen, individualisht dhe në jetën e Komunitetit të tyre Bahá'í, në një mënyrë të tillë që ta tërheqin vëmendjen e të tjerëve ndaj Kauzës. Botës jo vetëm që i mungojnë principet dhe idealet e larta, por asaj, mbi të gjitha, i mungon shembulli i shkëlqyer që Bahá'ít mund ta japin.

(22 janar 1945 për një besimtar individual)

813. ... Bahá'ít e rinj në çdo qytet duhet të kenë pikësynim të kenë kontakte me veprimtaritë dhe klubet e rinisë lokale dhe të përpiqen t'i bëjnë pikëpamjet e tyre të ditura tek sa më shumë të rinj në sa më shumë mënyra që të ketë mundësi. Mbi të gjitha, ata duhet të japin një shembull të mirë para tyre; panjollësi, politesë, miqësi, mikpritje, optimizëm të gëzuar për të ardhëshmen përfundimtare, lumturinë dhe mirëqenien e njerëzimit, që duhet t'i dallojnë ata, duke i bërë që të fitojnë dashurinë dhe admirimin e shokëve të tyre të rinj. Gjëja që mungon qartësisht në jetën moderne është një standard i lartë i sjelljes dhe një karakter i mirë; të rinjtë Bahá'í duhet t'i demostrojnë që të dyja, nëse ata shpresojnë seriozisht të fitojnë anëtarë të Besimit nga gjenerata e tyre aq e desiluzionuar dhe e kontaminuar nga korrupsioni që shkaktoi lufta.

(20 tetor 1945 për Komitetin Komëtar të Rinisë së Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të Kandasë)

814. Ne duhet të jemi të duruar me të metat e të tjerëve dhe gjithmonë të përpiqemi të krijojmë dashuri dhe unitet në mes të besimtarëve, që, në fund të fundit,janë ende të papjekur në shumë mënyra dhe larg nga perfeksioni. Besimi në vetvete është një gjë e madhe dhe Bahá'ít duhet të përpiqen të bëhen instrumenta gjithnjë e më të përsosura për Bahá'u'lláhun, që të përdoren dhe ta arrijnë qëllimin e Tij.

(26 maj 1946 për një besimtar individual)

815. Ruajtësi e ka përmendur, në shumë raste, nevojën shumë të madhe që Rinia Bahá'í të japë shembull në Mësime, veçanërisht në aspektin moral të tyre. Nëse ata nuk shquhen për sjelljen e tyre sublime, ata nuk mund të presin që të rinjtë e tjerë ta marrin Kauzën shumë seriozisht.

(6 shtator 1946 për një besimtar individual)

816. Ai e ndien se rinia, në veçanti, duhet të përpiqet vazhdimisht dhe me vendosmëri të japë shembull të jetës Bahá'í. Në botën përreth nesh ne shikojmë kalbëzimin moral, korrupsionin, parregullsinë, vulgaritetin, sjelljet e këqija - të rinjtë Bahá'í duhet të jenë e kundërta e këtyre gjërave dhe, me panjollësinë e tyre, me drejtësinë e tyre, me rregullsinë e tyre me konsideratën e sjelljet e tyre të mira t'i tërheqin të tjerët, të rinj dhe të vjetër, tek Besimi. Bota është lodhur nga fjalët; ajo do shembull, dhe i përket rinisë Bahá'í që ta japë atë.

(19 shtator 1946 për Shkollën Verore në Green Acre)

817. Sytë e njerëzve të botës po fillojnë të fokusohen mbi ne; dhe, ndërsa gjendja e keqe e njerëzimit shkon keq e më keq, ne do të vëzhgohemi më intensivisht prej jo - Bahá'íve, që do të shohin nëse ne i mbajmë lart me gjithë zemër institucionet tona; nëse ne jemi njerëz të një krijimi të ri apo jo; nëse ne jetojmë sipas besimeve, principeve dhe ligjeve tona me vepra ashtu si dhe me fjalë. Ne duhet të jemi tepër të kujdesshëm. Ne duhet të jemi shumë shembullorë.

(5 gusht 1955 për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë, botuar në Unfolding Destiny [Shpalosja e Fatit] (Londër: Trusti Botues Bahá'í 1981), f. 350)

Revizionuar në nëntor 1990

1 Studentët ishin duke vizituar mauzolenë e Bábit.

---------------

------------------------------------------------------------

---------------

------------------------------------------------------------

10
11

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :