Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Përmbledhje

Asambletë Shpirtërore Lokale
Besueshmëria
Besëlidhja
Direktiva për mësimin
Edukimi Bahá'í
Fondet dhe kontributet Bahá'í
Fuqia e Ndihmës Hyjnore
Gratë
Hukukullahu, e Drejta e Perëndisë
Hukukullahu, Ligji social-ekonomik e shpirtëror i Kitáb-i-Aqdasit (Dr. A.-M. Varqá)
Hukukullahut, Ligji i (Cyrus Alá'í)
Hukukullahut, Një kodifikim i Ligjit të (Departamenti i Kërkimeve)
Jeta e familjës
Konsultimi
Krisa dhe fitorja
Lutje Bahá'í (i vogël)
Lutje Bahá'í
Muzikë
Mësimet për rendin e ri botëror
Mësimi i masave
Ndalimi i pijeve të dëmshme
Njerëzit e shquar
Një jetë e ndershme dhe e shenjtë
Opozitë
Paqe
Përmbledhja e përmbledhjeve
Përmbledhje e Trupës Kontinentale në Evropë
Përsosmëri në të gjitha gjerat
Radio
Rini
Ruajtja e Martesave Bahá'í
Rëndësia e arteve në përhapjen e Besimit
Rëndësia e lutjes, e përsiatjes, dhe e qëndrimit devocional
Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve
Takimet Bahá'í & Festa e 19 Ditëve
Tek Ai do të kthehemi
Thashetheme; Stimulimi dhe Zhvillimi e Komuniteteve Bahá'í
Transformimi shpirtëror
Të jetosh jetën
Të çojmë përpara hyrjen me trupa
Varrimi Bahá'í
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Përmbledhje : Hukukullahut, Ligji i (Cyrus Alá'í)

LIGJI I HUKUKULLAH-UT Një panoramë e përgjithshme Original Title: The Law of Huqúqú’lláh, an Overview by Cyrus Alá’í (only parts of the book have been used with some modifications) Published by: Palabra Publications, USA, 1993 Text: Albanian Përkthyer e botuar nën kujdesin e Komitetit të Botimeve Bahá’í © Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá’í-ve të Shqipërisë Rruga e Dibrës 59 – Tiranë Botimi i parë 2000 – 157 E.B. 1. Kuptimi i Hukukullah-ut “Hukukullah” [Huqúqu’lláh] është një fjalë arabe e përbërë prej dy fjalësh: “Hukuk” [Huqúq] dhe “Allah”. “Allah” do të thotë “Perëndi”, ndërsa “Hukuk” është shumësi i fjalës “Hak” [Haq], e cila në shumës ka disa kuptime, si “të drejta”, “rivendikime legale” dhe “ligj” (Shkenca Ligjore). “Hukuk” ka edhe disa kuptime të tjera në “persisht”, si “detyrime” (detyrime zakonore) dhe “pagë”. Sidoqoftë, kuptimi në të cilin kjo fjalë përdoret këtu është “Të Drejta”, diçka për të cilën dikush ka një pretendim të drejtë. Prandaj “Hukukullah” është përkthyer “E Drejta e Perëndisë”. Në disa prej Shkrimeve fjala “Hukuk” është përdorur si formë e shkurtuar e “Hukukullah”. 2. Si duhet shqiptuar fjala “Huqúqu’lláh” Për leximin në anglisht të fjalëve e të emrave të përveçëm orientalë, Shoghi Effendi ka përdorë një sistem transkriptimi të adoptuar në një prej Kongreseve Orientalë Ndërkombëtarë. Përsa i përket fjalës “Huqúqu’lláh” në gjuhën shqipe ajo mund të lexohet “Hukukullah”. 3. Prejardhja e Hukukullah-ut a) Hukukullah-u është urdhëruar për herë të parë nga Báb-i në Bajanin Persian, kreu 19 i pjesës 5. b) Kjo porosi është reveluar nga Bahá’u’lláh-u në Kitáb-i Akdas [Kitáb-i-Aqdas], vargjet 227-233, si dhe në veprën Pyetje dhe Përgjigje, që është një plotësim i Akdas-it. 4. Porosia për të paguar Hukukullah-un Bahá’u’lláh-u, në Kitáb-i Akdas, vargjet 227-233, ka reveluar: Po të fitojë një njeri me punën e vet njëqind mitkalë [mithqál] 1, 2 ar, nëntëmbëdhjetë mitkalë prej tyre i përkasin Perëndisë, Krijuesit të qiellit e të tokës. Kini mendjen, o njerëz, se mos ia mohoni vetes këtë bujari të madhe. Ne jua kemi përshkruar këtë ligj, megjithëse Ne jemi krejt të pavarur nga ju ose nga gjithçka që ndodhet në qiell e mbi tokë. Me të vërtetë, në këtë porosi fshihen mistere e përfitime që janë tej aftësive mendore të kujtdo veç Perëndisë, të Gjithëdijshmit, të Gjithinformuarit. Thuaj, me anë të këtij urdhëri Perëndia dëshiron t’i dëlirë pronat tuaja dhe t’ju japë mundësinë t’u afroheni pozitave të tilla që askush nuk mund t’i arrijë, me përjashtim të atyre që do Perëndia. Me të vërtetë Ai është Zemërgjeri, i Hirshmi, Bujariploti. O njerëz! Mos e tradhtoni Hukukullah-un dhe mos iu shmangni atij, veçse me lejen e Tij. Kështu është urdhëruar në Letrat e Tij, si dhe në këtë Tabelë të lavdishme. Kush përpiqet t’ia ketë me hile Perëndisë, me të drejtë do të komprometohet dhe për atë që i përmbush porositë e Tij bekime hyjnore do të zbresin nga qielli i Bujarisë së Zotit të Tij, Dhuruesit, Bujariplotit, Më Zemërgjerit, të Lashtit të Kohëve. Me të vërtetë, Ai ju ofron gjëra që tani janë të pakapshme për ju, megjithëse vetë njerëzit do t’i zbulojnë ato me lehtësi, kur shpirtrat e tyre të fluturojnë dhe grackat e zbavitjeve të tyre tokësore të lihen mënjanë. Kështu ju paralajmëron Autori i Tabelës së Ruajtur. (Pika 10) ‘Abdu’l-Bahá-i e ka futur Porosinë e Hukukullah-ut në Vullnetin e Testamentin e Tij, si pjesë të Besëlidhjes së Tij: O miq të ‘Abdu’l-Bahá-it! Zoti, si shenjë të bujarisë së Tij të pafund, i ka favorizuar me dashamirësi shërbëtorët e Tij duke u siguruar atyre një ofertë të caktuar në para (Hukuk), që duhet t’i jepen detyrimisht Atij, megjithëse Ai, i Vetmi i Vërtetë, dhe shërbëtorët e Tij kanë qenë në çdo kohë të pavarur prej të gjitha gjërave të krijuara, dhe Perëndia është me të vërtetë Gjithëzotëruesi, i lartësuar mbi nevojën për çfarëdo dhurim nga krijesat e Tij. Kjo ofertë e caktuar në para, sidoqoftë, i bën njerëzit të jenë të vendosur e të qëndrueshëm dhe tërheq mbi ta bollëkun Hyjnor. Ai duhet ofruar përmes Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë, që të shpenzohet për përhapjen e Aromave të Perëndisë dhe lartësimin e Fjalës së Tij, për qëllime bamirësie. (Vullneti e Testamenti 15) Shih pikat: 4, 7, 10, 22, 23, 34, 37, 38, 40-42, 45, 62, 63, 96-98, 100 5. Hukukullah-u është një detyrim shpirtëror Hukukullah-u jepet nga individët spontanisht, vullnetarisht e lirisht. Ai duhet dhënë me gëzimin, ngazëllimin e kënaqësinë më të madhe, në një frymë dashurie, përkushtimi dhe përulësie e përvuajtësie të plotë, pa ulur nderin e Kauzës së Perëndisë. Dhe të tilla përfitime me të vërtetë do të shtohen, në rast se Hukuk-u ofrohet me gëzimin e gatishmërinë më të madhe dhe në një frymë përulësie e nënshtrimi të plotë. (Nga pika 2) Megjithatë, pranimi i ofertave varet nga fryma e gëzimit, e miqësisë dhe e kënaqësisë që do të shfaqin shpirtrat e drejtë që e plotësojnë këtë porosi. Në rast se qëndrimi është i tillë, pranimi lejohet, ndryshe jo. Me të vërtetë, Zoti yt është i Gjithëmjaftueshmi, i Gjithëlavdëruari. (Nga pika 4) Shih pikat: 2, 4, 6, 9, 27, 30, 32, 38, 40, 44, 50, 51, 53, 70, 71, 77, 89, 92, 104, 107 6. Nxitja e Hukukullah-ut nuk lejohet; gjithmonë duhet të mbizotërojë dinjiteti i Kauzës Shpesh herë kemi shkruar e porositur që askush nuk duhet ta kërkojë një pagesë të tillë. Ofrimi i çdo njeriu, që e jep vullnetarisht Hukukullah-un me gëzimin e kënaqësinë më të madhe, mund të pranohet, përndryshe pranimi nuk ka qenë e nuk është i lejuar. Atyre që e harrojnë detyrën duhet t’u kujtohet shkurt. Veprimet duhen bërë me dëshirë dhe në të gjitha rastet duhet treguar respekt i madh për dinjitetin e Kauzës së Perëndisë. Më parë, kemi përmendur që, edhe sikur një person të zotëronte gjithë botën dhe t’i jepte zotërimet e tij me kusht që të ulte nderin e Kauzës, qoftë edhe sa një farë sinapi, do të ishte thelbësore e imperative të refuzohej pranimi i një pasurie të tillë. E tillë është Kauza e Perëndisë, e përjetshme në të kaluarën, e përjetshme në të ardhmen. Lum ata që veprojnë në përputhje me këtë. (Nga pika 32) Siç na thuhet prej Tij, askush nuk lejohet ta kërkojë pagimin e Hukuk-ut. Në Librin e Perëndisë gjithkush urdhërohet ta ofrojë Hukuk-un spontanisht dhe në një frymë gëzimi e shoqërie. Unë i lutem Atij, Më të Lavdëruarit, që mirësisht t’i japë mundësi gjithsecilit të bëjë atë që është e kënaqshme dhe e pranueshme për Të. (Nga pika 44) Shtëpia e Drejtësisë vë në dukje më tej se, sado të rënda të jenë detyrimet që bien mbi besimtarët që paguajnë Hukukullah-un e që mbështesin fondet e tjera të Besimit, këto janë detyrime shpirtërore që duhen përmbushur vullnetarisht dhe, në çfarëdo rrethane qoftë, kontributet për cilindo prej këtyre fondeve, madje as Hukukullah-u, nuk mund të nxiten ose t’u kërkohen personave besimtarë. Thirrje ose kujtesa gjithmonë duhet t’u bëhen miqve në përgjithësi, por jo individëve. (Nga pika 107) Shih pikat: 2, 3, 8, 9, 27, 32, 38, 40, 44, 46, 50-53, 70, 71, 92, 96, 104, 107 7. Përparimi dhe mbështetja e Kauzës së Perëndisë varet nga mjetet materiale Lutjuni Perëndisë që t’i japë mundësi secilit prej jush të shlyejë detyrimin e Hukuk-ut, meqenëse përparimi dhe mbështetja e Kauzës së Perëndisë varen nga mjetet materiale. Sikur shërbëtorët e Tij besnikë të mund ta kuptonin sesa të vyera janë veprat bamirëse në këtë kohë, ata do të ngriheshin të gjithë për të bërë atë që është e përshtatshme e u ka hije. (Nga pika 1) Qëllimi i vendosjes së këtij ligji është të sigurojë konsolidimin e Thesarit të Përgjithshëm në të ardhmen. Hollësi të tjera mund të jepen më vonë. (Nga pika 19) Dhe përderisa Perëndia ka bërë që arritja e gjithçkaje të kushtëzohet nga mjetet materiale, për rrjedhojë porosia për pagimin e Hukuk-ut është reveluar nga qielli i Vullnetit të Tij dhe bekimet që e pasojnë këtë vepër do të bien mbi vetë dhuruesit. (Nga pika 33) Shih pikat: 1, 9, 19, 27, 32-34 8. Kooperimi dhe ndihma e ndërsjelltë Tani merre me mend që, kur midis njerëzve, që janë thjesht shfaqje të botës së qenieve, kjo çështje ka një rëndësi kaq të madhe, atëherë sa më i madh duhet të jetë shpirti i bashkëveprimit e i ndihmës së ndërsjelltë midis atyre që janë thelbet e botës së krijimit, që kanë kërkuar strehim nën hijen e Pemës qiellore dhe që favorizohen nga shfaqjet e hirit qiellor; dhe si duhet të shfaqen dëshmitë e këtij shpirti nëpërmjet kërkimit të tyre të zellshëm, të miqësisë e të harmonisë së tyre, në çdo sferë të jetës së tyre të brendshme e të jashtme, në mbretërinë e shpirtit e të mistereve hyjnore dhe në të gjitha gjërat që lidhen me këtë botë e me botën tjetër. Pra, nuk mund të ketë dyshim që ata duhet të jenë madje të gatshëm të japin jetën e vet për njëri-tjetrin. Ky është parimi bazë mbi të cilin ngrihet instituti i Hukukullah-ut, përderisa procedurat e tij i kushtohen mbështetjes së këtyre synimeve. Përndryshe, i vetmi Perëndi i vërtetë gjithmonë ka qenë e do të jetë i pavarur nga gjithçka tjetër veç Tij. (Nga pika 61) 9. Perëndia është i pavarur nga Hukukullah-u ...I vetmi Perëndi i vërtetë - lartësuar qoftë lavdia e Tij - gjithmonë ka qenë e do të vazhdojë të jetë i lartësuar mbi çdo shprehje lëvdate dhe Ai është i shenjtëruar nga bota e qenieve e nga të gjitha pasuritë që ajo përmban. Çdo gjë që del prej Tij prodhon një fryt, përfitimi nga i cili u kthehet vetë individëve. (Nga pika 2) Ne jua kemi përshkruar këtë ligj, megjithëse jemi krejt të pavarur nga ju dhe nga gjithçka ndodhet në qiell e mbi tokë. Me të vërtetë, në këtë porosi fshihen mistere e përfitime që janë tej aftësive mendore të kujtdo veç Perëndisë, të Gjithëdijshmit, të Gjithinformuarit. (Nga pika 10) Shih pikat: 2, 8, 10, 32, 38, 50, 53, 60-64, 100 10. Përfitimet që vinë nga pagimi i Hukukullah-ut bien mbi vetë dhuruesit Është detyrë e gjithkujt të shlyejë detyrimin e Hukuk-ut. Avantazhet e fituara nga ky veprim u rikthehen vetë personave. (Nga pika 4) Porosia për pagimin e Hukuk-ut është një favor i dhuruar nga i vetmi Perëndi i vërtetë - lartësuar qoftë lavdia e Tij - dhe përfitimet që vijnë nga kjo do t’u kthehen vetë dhuruesve. (Nga pika 32) Shih pikat: 2-5, 26, 27, 32, 33, 35, 36, 38, 40, 43-45, 47, 48, 53, 64 11. Pagimi i Hukukullah-ut spastron pronën e njeriut dhe sjell mbarësi, mbrojtje e bekime qiellore, çon në të mirën e kësaj bote dhe të botës së ardhshme Lutju të vetmit Perëndi të vërtetë, që t’u japë mundësi shërbëtorëve të Vet të bëjnë atë që çon në të mirën e kësaj bote dhe të botës që do të vijë. (Nga pika 3) Hukukullah-u është me të vërtetë një ligj i madh. Është detyrë e të gjithëve ta bëjnë këtë ofertë, sepse ajo është burim dashamirësie, bollëku dhe i çdo të mire. Është një bujari që do të mbetet te çdo shpirt në çdonjërën prej botëve të Perëndisë, të Gjithëzotëruesit, të Bujariplotit. (Nga pika 7) Është e qartë dhe evidente që pagimi i së Drejtës së Perëndisë sjell begati, bekim, nderim e mbrojtje hyjnore. Lum ata që e kuptojnë dhe e njohin këtë të vërtetë dhe mjerë ata që nuk e besojnë. Dhe kjo me kusht që individi t’i zbatojë porositë e shkruara në Libër me gëzimin e kënaqësinë më të madhe dhe me pranim plot dëshirë. (Nga pika 6) Është detyrë e secilit të zbatojë atë që Perëndia ka shtruar si qëllim, sepse gjithçka që është shkruar në Librin nga Penda e Lavdisë është një mjet efektiv për pastrimin, dëlirjen dhe shenjtërimin e shpirtrave të njerëzve dhe burim mbarësie e bekimesh. Lum ata që i kanë zbatuar porositë e Tij. (Nga pika 40) Shih pikat: 6, 7, 10, 22, 29, 31, 36, 40-49, 62, 64, 75, 90, 96, 99, 100 12. Pagimi i Hukukullah-ut do t’i ndihmojë dhuruesit të bëhen të vendosur e të qëndrueshëm në Kauzën e Perëndisë Një nga shenjat e urtisë së Tij të përsosur është se pagimi i Hukuk-ut do t’i ndihmojë dhuruesit të bëhen të vendosur e të qëndrueshëm dhe do të ushtrojë një ndikim të madh mbi zemrat dhe shpirtrat e tyre. (Nga pika 62) Siç afirmohet nga Qendra e Besëlidhjes, ofertat e Hukuk-ut përbëjnë një provë për besnikët dhe i bëjnë miqtë të jenë të vendosur e të qëndrueshëm në besim e në siguri. (Nga pika 100) Shih pikat: 62, 63, 100 13. Ndershmëria në mbledhjen e detyrimeve të Hukukullah-ut O njerëz! Mos e tradhtoni Hukukullah-un dhe mos iu shmangni atij, veçse me lejen e Tij. Kështu është urdhëruar në Letrat e Tij, si dhe në këtë Tabelë të lavdishme. Kush përpiqet t’ia ketë me hile Perëndisë, me të drejtë do të komprometohet dhe për atë që i përmbush porositë e Tij bekime hyjnore do të zbresin nga qielli i Bujarisë së Zotit të Tij, Dhuruesit, Bujariplotit, Më Zemërgjerit, të Lashtit të Kohëve. (Nga pika 10) Shih pikat: 10, 72, 100 14. Shpallja e Hukukullah-ut është kompetencë e Asambleve Shpirtërore Atyre që e harrojnë detyrën duhet t’u kujtohet shkurt. Gjërat duhen bërë me dëshirë dhe në të gjitha rastet duhet treguar respekt i madh për dinjitetin e Kauzës së Perëndisë. (Nga pika 32) Sa për t’ua kujtuar miqve, mund të bëhet një thirrje e përgjithshme një herë në mbledhje, dhe kjo duhet të jetë e mjaftueshme. Ata që janë të sigurt, të qëndrueshëm e me intuitë do të veprojnë spontanisht dhe do të zbatojnë atë që ka porositur Perëndia, për rrjedhojë do të korrin përfitimet e vetë veprimit të tyre. Me të vërtetë, Perëndia është i pavarur nga gjithë njerëzimi. (Nga pika 38) Një kërkesë e tretë [për ata që këshillohen së bashku] është shpallja e porosive hyjnore midis miqve, të tilla si Lutjet e Detyrueshme, Agjërimi, Pelegrinazhi, Hukukullah-u dhe të gjitha porositë e tjera. (Pika 73) Shih pikat: 32, 38, 40, 49, 73, 92, 96, 99, 104, 107 15. Futja e Hukukullah-ut a) Hukukullah-u nuk pranohej për shumë vjet Për një numër vitesh Hukuk-u nuk u pranua. Të shumta qenë ofertat që, kur arrinin praninë Tonë, u ktheheshin dhuruesve, sepse atëherë nuk kishte nevojë për to. Por në vitet e fundit, në përputhje me kërkesat e kohës, Ne e pranuam pagimin e Hukuk-ut, por kemi ndaluar kërkimin e tij. Secili duhet të ketë respektin më të madh për dinjitetin e Fjalës së Perëndisë dhe për lartësimin e Kauzës së Tij. Sikur një person të ofronte të gjitha pasuritë e botës, por duke ulur, qoftë edhe më pak se një farë sinapi, nderin e Kauzës së Perëndisë, një ofertë e tillë nuk do të ishte e lejueshme. Gjithë bota ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e Perëndisë. (Nga pika 27) Shih pikat: 27, 28, 30, 32, 41, 45, 74 b) Hukukullah-u dhe Bahá’í-të e Perëndimit Hukukullah-u në të kaluarën nuk zbatohej për Bahá’í-të e Perëndimit. Ai nuk ishte as i detyrueshëm as i ndaluar. Me Ridvanin 1992 Ligji i Hukukullah-ut zbatohet në gjithë botën. Ti pyesje lidhur me Hukuk-un. Shoghi Effendiu do të preferonte më mirë sikur miqtë në Amerikë t’i përqëndronin burimet e tyre financiare për përfundimin e Tempullit, në vend që t’i harxhojnë energjitë në kanale që ende nuk kërkojnë vëmendje të ngutshme. Kur të vijë dita që Kauza të ketë nevojë për përforcimim e këtij dhurimi fetar, Shoghi Effendiu do ta thotë këtë dhe do të përcaktojë shumën e duhur. Mësimet e Bahá’u’lláh-ut mund të imponohen vetëm gradualisht. Duhet të piqen kushtet që të arrihet rezultati i dëshiruar. (Pika 4) Ne u prekëm thellë nga letra juaj e dashur e 27 dhjetorit 1972, ku shprehet dëshira për të zbatuar ligjin e Hukukullah-ut lidhur me trashëgimin nga nëna juaj. Megjithëse, siç e thoni me të drejtë ju, ky ligj nuk zbatohet tani për tani për miqtë në Perëndim, çdo besimtar është i lirë ta zbatojë atë nëse dëshiron. (Nga pika 103) Përsa i përket zonjës..., meqenëse burri i saj është amerikan dhe ligji i Hukukullah-ut nuk zbatohet tani për tani për miqtë në Perëndim, pagimi i Hukukullah-ut nga ana e burrit të saj nuk është as i detyrueshëm as i ndaluar. (Nga pika 109) Dhe tani, midis pritjes plot padurim që kanë ngjallur dy prej ngjarjeve përkujtimore më të mëdha dhe botimi së shpejti i Librit Mëmë të Revelacionit Bahá’í, Ligji i Hukukullah-ut hyn në fuqi si pjesë përbërëse e praktikës së përhershme për anëtarët e mbarë komunitetit tonë botëror. Le të reshin mbi të shumëdashurit e Zotit në çdo vend bujaritë hyjnore të premtuara, që shoqërojnë vënien në veprim të këtij ligji të shenjtë. (Nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, Ridvan 1992) Shih pikat: 82-86, 89, 93, 94, 102, 103, 109 c) Hapat e ndërmarrë për të futur Porosinë për Hukukullah-un 1845 Báb-i urdhëroi detyrimin e Hukukullah-ut n Bajanin Persian. 1873 Bahá’u’lláh-u konfirmoi dhe urdhëroi Porosinë e Hukukullah-ut në Kitáb-i Akdas. 1878 Bahá’í-të persianë e të Lindjes së Mesme u lejuan të paguajnë Hukukullah-un 1973 Shtëpia Universale e Drejtësisë ia shpalli këtë detyrim mbarë botës Bahá’í në Përmbledhje e Shkurtër dhe Kodifikim i Kitáb-i Akdas-it. 1985 Një përkthim i plotë i Shkrimeve për këtë temë, Hukukullah, u nxorr e u botua nga Departamenti i Kërkimeve i Shtëpisë Universale të Drejtësisë. 1992 Shtëpia Universale e Drejtësisë, në mesazhin e saj të Ridvanit 1992, njoftoi se Ligji i Hukukullah-ut është tani i zbatueshëm në mbarë botën. 16. Të Besuarit e Hukukullah-ut (Të Besuarit e Perëndisë) Përderisa Hukukullah-u i duhet nënshtruar Autoritetit në Kauzën e Perëndisë, tek i cili të gjithë duhet tëi drejtohen, ai duhet ofruar qoftë drejtpërsëdrejti ose përmes “të Besuarve të Perëndisë”, të caktuar nga “Qendra e Kauzës”. Të Besuarit, sa herë që është e këshillueshme, caktojnë disa përfaqësues në rajone të ndryshme për të vepruar në emër të tyre. Çdo Bahá’í individual që paguan Hukukullah mund të marrë një faturë. Në qoftë se një person dëshiron të ofrojë të Drejtën e Perëndisë, të tilla oferta duhet të merren nga të Besuarit, për të cilët ka referenca në Librin e Perëndisë. Kjo porosi, sipas disa konsideratave, është reveluar nga qielli i Revelacionit hyjnor si shenjë e dashamirësisë së Tij. Avantazhet që vijnë nga kjo do të bien mbi vetë individët. Në fakt, Ai thotë të vërtetën dhe nuk ka Perëndi tjetër veç Atij, të Fuqishmit, të Pushtetshmit. Të Besuarit janë të pranishëm në tokën Ja (Jazd) [Yá (Yazd)]. Kushdo që dëshiron të përmbushë atë që i urdhërohet në Librin, mund t’u drejtohet atyre. Çdo sasi e marrë prej tyre do të çohet aty ku duhet. I madh është bekimi për ata që e zbatojnë urdhërin e Tij. (Pika 35) Kushdo që dëshiron të ofrojë Hukukullah-un me gëzimin e zellin më të madh, duhet t’ua paguajë atë personave të besuar ashtu si vetes [Haxhi Abu Hasan Ardikaní [Hájí Abu’l-Hasan Ardikání]] dhe të marrë një dëftesë, në mënyrë që çdo gjë që bëhet të jetë në përputhje me vendimin e lejen e Tij. Me të vërtetë, Ai është Njohësi, i Urti. (Pika 56) Të besuarit të Hukukullah-ut, Dorës së Kauzës së Perëndisë, Dr. Ali Muhamet Varka-it, iu kërkua të emërojë, sa herë të jetë e këshillueshme, disa përfaqësues për Hukukullah-un në qyteza, provinca e vende të ndryshme fqinjë, në mënyrë që dhënia e Hukukullah-ut të lehtësohet për miqtë në këto rajone. (Nga pika 96) Shih pikat: 35, 41, 49, 56, 58, 72, 96) Të Besuarit e Perëndisë për Hukukullah-un (deri më 2000) kanë qenë: 1869-81 1) Xhinab Shah Muhamet Manshadi Emin [Jináb-i-Sháh Muhammad Manshádi Amín] (nga Jazdi; Emin do të thotë “i besuari”) ka shërbyer në kohën e Bahá’u’lláh-ut nga viti 1869 deri sa u vra aksidentalisht në Azerbajxhan, Iran, më 1881. Shih Kronika të Besnikëve nga ‘Abdu’l-Bahá, f. 45-47). Atë e quanin gjithashtu Eminul Bajan [Amínu’l-Bayán]. 1881-1928 2) Haxhi Abu Hasan Ardikaní [Hájí Abu’l-Hasan-i-Ardikání], ndihmës i të Besuarit të mëparshëm, i njohur si Xhinabi Emin [Jináb-i-Amín], ka shërbyer nga viti 1881 deri kur vdiq më 1928. Pas vdekjes më 1928, Haxhi Emini u caktua nga Ruajtësi i Dashur Dorë e Kauzës së Perëndisë. 1928-39 3) Haxhi Gulam Riza [Hájí Gholám-Ridá], ndihmës i Xhenabi Eminit, i njohur si Emin Emini [Amín-i Amín] (i Besuari i të Besuarit), u emërua nga Shoghi Effendi pas vdekjes së Xhinabi Eminit. Ai shërbeu nga viti 1928 deri sa vdiq më 1939. 1939-55 4) Z. Valiullah Varká [Valíyu’lláh Varqá], i emëruar si i Besuari i ri pas vdekjes së Emin Eminit më 1939, shërbeu deri sa vdiq në Gjermaninë Perëndimore më 1955. Ai u caktua Dorë e Kauzës më 1951. 1955 5) Dr. Ali Muhamet Varká [‘Alí-Muhammad Varqá], djali i madh i të Besuarit të mëparshëm,, u emërua nga Shoghi Effendi si i Besuari i ri dhe si Dorë e Kauzës më 1955, pas vdekjes së Bábait të tij. Ai banon në Kanada dhe shërben si i Besuari i Perëndisë për Hukukullah-un për tërë botën Bahá’í. Instituti i Hukukullah-ut ka një zyrë qendrore në Tokën e Shenjtë dhe përfaqësohet në të gjitha kontinentet e në gjitha vende të Tokës nga zëvendësa e përfaqësues të caktuar nga i Besuari për Hukukullah-un. 17. Rregulla lidhur me Hukukullah-un a) Kuota e Hukukullah-ut Kuota e Hukukullah-ut është 19% (nëntëmbëdhjetë për qind) e të ardhurave (në global) duke hequr përjashtimet nga ky detyrim; ose të ashtuquajturat “të ardhura suplementare”. Lidhur me përjashtimet shih 17c. Po të fitojë një njeri me punën e vet njëqind mitkalë ar, nëntëmbëdhjetë mitkalë prej tyre i përkasin Perëndisë, Krijuesit të qiellit e të tokës. (Nga pika 10) Pyetje: Në Tabelat hyjnore revelohet që, në rast se një person fiton nëntëmbëdhjetë mitkalë ar, ai do të paguajë të Drejtën e Perëndisë mbi këtë shumë. Sa duhet paguar prej kësaj shume? Përgjigje: Perëndia porosit që të paguhen nëntëmbëdhjetë në çdo njëqind. Kjo duhet të jetë baza e të llogariturit. Shuma që i bie mbi bazën e nëntëmbëdhjetës mund të përcaktohet. (Pika 14) Shih pikat: 10, 14, 20, 65, 66, 78, 83, 86, 95, 103 b) Shuma minimale për të cilën paguhet Hukukullah Vlera e 69,19 gramëve ar të pastër është shuma minimale për të cilën paguhet “E Drejta e Perëndisë”. Për shembull, në qoftë se një gram ar i pastër ka një vlerë prej 10.50$, shuma minimale duhet të llogaritet e barabartë me 726.50$. E ardhura suplementare i nënshtrohet pagimit të Hukukullah-ut në qoftë se kap shumën e llogaritur më sipër, pastaj çdo shumëfishim i kësaj shume. Shuma minimale që i nënshtrohet Hukukullah-ut arrihet kur zotërimet e dikujt kapin numrin Váhid (19); pra, kur dikush ka 19 mitkalë ar ose fiton zotërime që e arrijnë këtë vlerë, pasi zbriten prej tyre shpenzimet vjetore, Hukuk-u bëhet i zbatueshëm dhe pagimi i tij është i detyrueshëm. (Pika 18) Pyetje: Në qoftë se pronat e tejkalojnë nëntëmbëdhjetëshen, a duhet që ato të arrijnë edhe një nëntëmbëdhjetëshe tjetër para se Hukuk-u të paguhet përsëri, apo duhet paguar Hukuk për çdo sasi shtesë? Përgjigje: Hukuk nuk paguhet për çdo sasi shtesë, derisa të arrihet një nëntëmbëdhjetëshe tjetër. (Pika 15) Shih pikat: 15, 18, 19, 22, 30, 87, 103, 105, 108, 110 c) Përjashtimet 1) Shpenzimet vjetore normale për jetesën Ti ke pyetur për Hukuk-un. Nga të ardhurat e përvitshme të personit zbriten të gjitha shpenzimet gjatë vitit dhe nga ajo që mbetet 19% paguhet për Hukuk-un. Kështu, një person ka fituar 1000 £ të ardhura nga puna e tij. Pasi zbriten shpenzimet vjetore, të themi 600 £, ai do të ketë një tepricë prej 400 £, për të cilat do të paguhet Hukuk në masën 19%. Kjo do të kapte shumën 76 £, që i ofrohen Hukuk-ut për qëllime bamirësie. (Nga pika 65) Shih pikat: 65-67, 69, 78, 80, 103, 105, 108, 110 2) Borxhet Ti ke pyetur se çfarë duhet të ketë përparësi: Hukukullah-u, borxhet e të vdekurit apo pagesa për varrimin. Është porosi e Perëndisë që pagesa e varrimit të marrë përparësi, pastaj pagimi i borxheve, pastaj e Drejta e Perëndisë. Me të vërtetë, është Ai që do të paguajë shpërblimin e duhur, Gjithëshpërblyesi, Bujariploti. Në qoftë se prona nuk është e barabartë me borxhet, pasuria e patundshme duhet të ndahet në përpjesëtim të drejtë me secilin borxh. Rregullimi i borxheve është një porosi shumë e rëndësishme që jepet në Librin e Tij. (Nga pika 22) Shih pikat: 22, 103 3) Banesa dhe anekset e saj 3 që janë të nevojshme 4 Pyetje: Pagimi i Hukukullah-ut është reveluar në Akdas. A bëjnë pjesë në pronat për të cilat duhet paguar Hukuk banesa, anekset e saj dhe orenditë e nevojshme? Përgjigje: Në Ligjet e reveluara në persisht thuhet: “...në këtë Dispensacion më të madh Ne i kemi përjashtuar banesën dhe orenditë shtëpiake, dmth orendi të tilla që janë të nevojshme”. (Pika 11) Nga Shkrimet del qartë se një person përjashtohet nga pagimi i Hukukullah-ut për banesën dhe për pajisje të tilla shtëpiake e të profesionit që janë të nevojshme. Lihet në gjykimin e individit të vendosë se cilat gjëra janë të nevojshme dhe cilat jo. Është e qartë që miqtë nuk duhet të shpenzojnë në mënyrë plangprishëse për banesat e orenditë dhe t’i llogarisin këto shpenzime me dëshirën për t’i bërë bisht pagimit të Hukukullah-ut. (Nga pika 106) Shih pikat: 11, 22, 80, 88, 106, 110 4) Orenditë dhe pajisjet shtëpiake të nevojshme 3, 4 Shih pikën 11 dhe ekstrakte nga pika 106 në 17c më sipër Shih pikat: 11, 20, 80, 88, 105, 106, 110 5) Pajisjet profesionale, veglat dhe kafshët që përdoren për të punuar tokën, që janë të nevojshme 3, 4 Pyetje: A duhet paguar Hukukullah për pajisjet e një dyqani, që janë të nevojshme për veprimtarinë e tij, apo pajisje të tilla duhen trajtuar si orenditë shtëpiake? Përgjigje: Zbatohen të njëjtat rregulla si për orenditë shtëpiake. (Pika 12) Nuk paguhet Hukuk për veglat e për pajisjet bujqësore, as për kafshët që përdoren për plugimin e tokës, deri në atë masë që ato janë të nevojshme. (Nga pika 68) Shih pikat: 12, 68, 106 6) Humbjet e rifituara Pyetje: Në qoftë se një person ka, për shembull, njëqind tumanë (túmán është një njësi paraje persiane), paguan Hukuk për to, humbet gjysmën e shumës në veprime të pasuksesshme dhe pastaj e rifiton sasinë për të cilën paguhet Hukuk, a duhet ai të japë Hukuk apo jo? Përgjigje: Në një rast të tillë nuk paguhet Hukuk. (Pika 16) Pyetje: Në qoftë se, pas pagimit të Hukuk-ut, shuma fillestare humbet tërësisht dhe më pas, gjatë veprimeve të biznesit ajo rifitohet, a duhet paguar Hukuk për së dyti? Përgjigje: Në këtë rast gjithashtu nuk paguhet Hukuk. (Pika 17) Shih pikat: 16, 17 7) Rasti i kapitalit qarkullues dhe i investimeve fitimprurëse Nuk është gjetur asnjë tekst i posaçëm që të përjashtojë kapitalin e përdorur për të siguruar të ardhura. Shtëpia Universale e Drejtësisë i lë çështje të tilla në ndërgjegjen e individëve besimtarë. (9 prill 1980) (Nga pika 106) Shih pikat: 67, 106 8) Rasti i kontributeve për Fondin Kontributet për fondet e Besimit nuk mund të konsiderohen si pjesë e pagimit të Hukukullah-ut; për më tepër, në qoftë se dikush i detyrohet Hukukullah-ut dhe nuk mund të përballojë pagimin e tij e njëkohësisht të kontribuojë për Fondin, pagimit të Hukukullah-ut duhet t’i jepet përparësi ndaj kontributeve. Por nëse kontributet për Fondin mund të kosiderohen si shpenzime në llogaritjen e të ardhurave të personit për të cilat paguhet Hukukullah, kjo i lihet për gjykim çdo individi në dritën e rrethanave të tij të veçanta. (Nga pika 105) Shih pikën 105 9) Rasti i fitimit kapital; fitimi kapital mund të presë deri sa të materializohet praktikisht Koha dhe kushtet e pagimit lihen në dorë të individit. Për shembull, në qoftë se pasuritë e dikujt përfshijnë prona ose aksione veç parave të thata, për të mund të jetë disavantazh ose e papërshtatshme të paguajë nëntëmbëdhjetë për qind të vlerës së atyre pasurive të tij jomonetare para se të jetë disponuar lidhur me to, në kohën që ai do të preferonte ta përmbushte këtë detyrim shpirtëror. Shpenzimet që mund të bëhen për të disponuar lidhur me pronat e një personi duhet të zbriten para se të llogaritet vlera neto për të cilën paguhet Hukukullah. (21 janar 1973) (Nga pika 103) Shik pikën 23 10) Prona jofitimprurëse Nga Perëndia është vendosur se një pronë që nuk është fitimprurëse, pra që nuk sjell të ardhura, nuk i nënshtrohet pagimit të Hukuk-ut. Ai është me të vërtetë Urdhëruesi, Bujari. (Pika 23) Shih pikën 23 d) Hukukullah-u paguhet vetëm një herë për një pronë (të ardhur) Hukukullah-u paguhet vetëm një herë; për shembull, në qoftë se një person fiton njëmijë mitkalë në ar dhe paguan Hukuk për to, e Drejta e Perëndisë pushon së qëni e zbatueshme për këtë shumë, me përjashtim të asaj që i shtohet nëpërmjet tregtisë ose veprimeve financiare; kur fitime të tilla arrijnë minimumin e caktuar, personi duhet të japë atë që ka urdhëruar Perëndia. (Nga pika 22) Shih pikat: 22, 65-68, 78, 80, 91, 111 e) Hukukullah-u është përsëri i zbatueshëm në qoftë se një pronë kalon në duar të tjera;5 për shembull, me trashëgim, ose në formë dhurimi që krijon të ardhura Megjithatë, kur shuma fillestare kalon në duar të tjera, Hukuk-u paguhet përsëri si për herë të parë; në këtë rast e Drejta e Perëndisë duhet dhënë. (Nga pika 22) Shih pikat: 22, 80, 111 f) Pronat (çdo gjë tjetër veç parave të thata) që dhurohen si Hukukullah lejohet të shiten e të kthehen në para të thata Por në rastin e dhuratave që ofrohen si Hukuk, është e lejueshme që ato të shiten... (Nga pika 53) Nuk ka kundërshtim që të ofrohen për shitje ato që dhurohen në emër të Hukuk-ut. Kështu njofton Penda e Lavdiplote nga vendbanimi i Tij fisnik, me kërkesë të Mbretit të Përjetësisë. (Pika 55) Shih pikat: 53, 55 g) Rregullat në rast vdekjeje Në qoftë se ai që ka vdekur ka lënë tërësisht ose pjesërisht të papaguar Hukukullah-un, përparësia e pagesave është si vijon: E para: Shpenzimet e varrimit; E dyta: Borxhet; E treta: Hukukullah-u i papaguar; E katërta: Pjesa që mbetet ndahet midis trashëgimtarëve në pajtim me testamentin e atij që ka vdekur ose, në mungesë të një testamenti, në pajtim me rregullat e Akdas-it. Ti ke pyetur se çfarë duhet të ketë përparësi: Hukukullah-u, borxhet e të vdekurit apo pagesa për varrimin. Është porosi e Perëndisë që pagesa e varrimit të marrë përparësi, pastaj pagimi i borxheve, pastaj e Drejta e Perëndisë. Me të vërtetë, është Ai që do të paguajë shpërblimin e duhur, Gjithëshpërblyesi, Bujariploti. Në qoftë se prona nuk është e barabartë me borxhet, ajo duhet të ndahet në përpjesëtim të drejtë me secilin borxh. Rregullimi i borxheve është një porosi shumë e rëndësishme që jepet në Librin e Tij. Lum ai që ngjitet te Perëndia pa pasur detyrime të Hukukullah-ut e të shërbyesve të Tij. Është e qartë se Hukukullah-u ka përparësi mbi të gjitha detyrimet e tjera; megjithatë, si shenjë mëshire, Ai që është Vendagimi i Revelacionit ka urdhëruar atë që na është reveluar në këtë Tabelë nga Penda e Tij jetëdhënëse dhe e gjithëdijshme. (Nga pika 22) h) Kur duhet paguar Hukukullah-u Kjo i lihet individit të vendosë, por Hukukullah-u duhet paguar kurdoherë që është e mundur. Zakonisht ai paguhet në fund të vitit fiskal, dmth një herë në vit, siç lihet të kuptohet në pikat 65 e 78. Pagesat “për llogari të dikujt” dhe pagesat e pjesshme lejohen. E Drejta e Perëndisë duhet paguar kurdoherë që është e mundur dhe duhet ofruar me një frymë gëzimi e kënaqësie. (Nga pika 40) Shih pikat: 40, 65, 78, 103 i) Hukuk-u paguhet për zotërimet e vetë personit Në përgjigje të kësaj pyetjeje, njeriu duhet të sjellë ndërmend që Hukukullah-u paguhet për zotërimet që janë të njohura pa diskutim si të vetat, dhe jo për zotërime që njeriu thjesht i kontrollon ose i përdor. (Nga pika 109) Shih pikat: 109, 110 Besimtari nuk mund të shlyejë detyrimin që ka një tjetër për të paguar Hukukullah-un. (Nga Shtëpia Universale e Drejtësisë për Departamentin e Financave, 22 mars 1989) j) Hukukullah-u nuk mund të përmendet, për çfarëdo qëllimi, nga besimtari që e paguan atë Nuk është e lejueshme për besimtarin të përmendë, për çfarëdo qëllimi qoftë, pagesën që ai bën për Hukukullah-un, dhe as mundet ai ta bëjë këtë pagesë për nder të cilitdo qoftë. (Nga Shtëpia Universale e Drejtësisë për Departamentin e Financave, 22 mars 1989) 18. Pagimi i Hukukullah-ut kushtëzohet nga aftësia e secilit për të paguar Pagimi i së Drejtës së Perëndisë është i kushtëzuar nga aftësia financiare e njeriut. Në qoftë se një person nuk është në gjendje ta plotësojë detyrimin e tij, Perëndia, me të vërtetë, do ta justifikojë atë. Ai është Gjithëfalësi, Bujariploti. (Pika 24) Ata që nuk janë në gjendje ta paguajnë do të vishen me stolinë e faljes së Tij. (Nga pika 40) Shih pikat: 24, 40 19. Vendimet lidhur me Hukukullah-un i takojnë Shtëpisë Universale të Drejtësisë Ju do të gjeni referenca për Hukuk-un në Librin e Akdas-it, kopje në dorëshkrim të të cilit besoj se gjenden midis disa besimtarëve në Amerikë. Të gjitha çështjet që nuk parashikohen në mënyrë të posaçme nga Bahá’u’lláh-u i duhen referuar Shtëpisë Universale të Drejtësisë. (26 dhjetor 1927) (Pika 81) Shih pikat: 59, 81, 100, 101 20. Hukukullah-u i paguhet Autoritetit në Kauzën, tek i cili të gjithë duhet të drejtohen Hukukullah-u i paguhet Qendrës së Kauzës. (4 prill - 3 maj 1927) (Nga pika 80) ‘Abdu’l-Bahá-i në një prej Tabelave të Tij ka deklaruar: “Përdorimi i Hukuk-ut, i pjesshëm ose i plotë, është i lejueshëm, por kjo duhet bërë me lejen e Autoritetit të Kauzës, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë.”Kushti që është vënë në “Vullnetin dhe Testamentin e Tij se Hukukullah-u duhet të ofrohet nëpërmjet Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë...” është në pajtim të qartë me këtë parim. Në një Tabelë tjetër ‘Abdu’l Bahá-i i referohet Shtëpisë Universale të Drejtësisë si “autoriteti tek i cili duhet të drejtohen të gjithë” dhe është e qartë se në mungesë të Ruajtësit ajo është institucioni suprem e qendror i Kauzës. Për më tepër, para ‘Abdu’l Bahá-it, Bahá’u’lláh-u pat reveluar sa vijon: “Ka një rregull të porositur për Hukukullah-un. Pasi të krijohet Shtëpia e Drejtësisë, prej saj do të dalë ligji, në pajtim me Vullnetin e Perëndisë”. Në përputhje me këto tekste të drejtpërdrejta, shihet qartë se është brenda kompetencave të Shtëpisë Universale të Drejtësisë të vendosë lidhur me marrjen dhe me shpenzimin e Hukukullah-ut në kohën e sotme. (2 mars 1972, drejtuar Duarve të Kauzës me qëndrim në Tokën e Shenjtë) (Pika 101) Shih pikat: 20, 35, 41, 42, 44, 49, 54, 58, 67, 80, 83, 93, 96, 100, 101 21. Disponimi i Hukukullah-ut Për ata të Besuar të të Mëshirshmit është e qartë se ky Organizëm, në saje të Tekstit të qartë të Shkrimeve të Shenjta, është Organizmi të cilit duhet t’i referohen të gjitha gjërat, dhe Hukukullah-u mund të përdoret për të kontribuar në interesat e Kauzës anembanë botës Bahá’i vetëm me lejen e Autoritetit të Kauzës, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë. (27 tetor 1963) (Nga pika 96) Për më tepër, Hukuk-u do të përdoret për qëllime bamirësie. (Nga pika 62) Ta dish, për më tepër, se ata që i shërbejnë me besnikëri Mëshirëplotit, do të pasurohen prej Tij nga thesari i Tij qiellor dhe se oferta e Hukuk-ut është vetëm një provë e aplikuar prej Tij për shërbëtorët dhe shërbëtoret e Veta. Kështu, çdo besimtar i vërtetë e i sinqertë do të ofrojë Hukuk për t’u shpenzuar si ndihmë për të varfërit, për të paaftët, për njerëzit nevojtarë, për jetimët dhe për nevoja të tjera jetësore të Kauzës së Perëndisë, ashtu siç pati krijuar Krishti një Fond për qëllime bamirësie. (Nga pika 75) Shih pikat: 20, 39, 44, 62, 65, 67, 72, 75, 77, 90, 96, 98, 100, 101 22. Hukukullah-u ka përparësi ndaj kontributeve për Fondin Kohët e fundit njëri prej miqve bëri pyetjen që vijon: Po të ofronte një person pronën e tij, pjesërisht ose tërësisht, për Fondet Bahá’i, çfarë detyrimi ka ende ai për pagimin e Hukukullah-ut? Përgjigja që u dha është kjo: Pagimi i Hukukullah-ut është një prej detyrimeve shpirtërore thelbësore të njerëzve të Bahá-it, i cili është reveluar në Librin Më të Shenjtë nga Penda e Lavdisë. Prandaj miqtë duhet ta ndajnë llogarinë e Hukukullah-ut nga ato të kontributeve të tjera të tyre. Kështu ata, piksëpari, duhet të lajnë detyrimet që kanë të bëjnë me Hukukullah-un, pastaj mund të japin, sipas dëshirës, kontribute të tjera, duke pasur parasysh se disponimi i fondeve të Hukukullah-ut i nënshtrohet vendimit të Autoritetit të Kauzës, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë, ndërsa qëllimet e kontributeve për Fonde të tjera mund të përcaktohen nga vetë dhuruesit. (22 gusht 1966) (Pika 98) Shih pikat: 78, 79, 97, 98, 100, 105 23. Kur nuk ka udhëzime lidhur me disa hollësira dhe me raste të veçanta ...shumë hollësi të llogaritjes së Hukukullah-ut i janë lënë nga Bahá’u’lláh-u gjykimit e ndërgjegjes së besimtarit individual. Për shembull, Ai përjashton [nga pagimi i Hukuk-ut - shën. i përkth.] pajisje e orendi shtëpiake që janë të nevojshme, por ia lë individit të vendosë se cilat pajisje janë të nevojshme për të dhe cilat jo. (Nga pika 105) Shih pikat: 105, 106, 110, 112 24. Parimi i moderimit Nga Shkrimet del qartë se një person përjashtohet nga pagimi i Hukukullah-ut për banesën dhe për pajisje të tilla shtëpiake e të profesionit që janë të nevojshme. Lihet në gjykimin e individit të vendosë se cilat pajisje janë të nevojshme dhe cilat jo. Është e qartë që miqtë nuk duhet të shpenzojnë në mënyrë plangprishëse për banesat e orenditë dhe t’i llogarisin këto shpenzime me dëshirën për t’i bërë bisht pagimit të Hukukullah-ut. (Nga pika 106) Ti ke shkruar se ata janë zotuar të bëjnë kursimet më të mëdha në jetën e tyre, duke pasur si synim t’ia dërgojnë tepricat e të ardhurave të veta pranisë së Tij të lavdëruar. Kjo çështje është përmendur në oborrin e Tij të shenjtë. Ai tha: Ata le të veprojnë me masë dhe të mos i imponojnë vetes vështirësi. Ne do të donim që të dy ata të gëzojnë një jetë të këndshme. (Pika 57) Shih pikat: 25, 57, 104, 106 Pyetje prove lidhur me Rregullat e Hukukullah-ut Lutemi shënoni përgjigjen e drejtë: a) Kuota: __ Lihet në gjykimin e individëve; __ 9%; __ 19%; __ Shtëpia e Drejtësisë do ta njoftojë më vonë kuotën; __ 1/19; __ Tjetër (ju lutem e thoni): b) Shuma minimale për të cilën paguhet Hukukullah: __ Nuk ka minimale; __ Vlera e 9 mitkalëve ar të pastër; __ Vlera e 19 mitkalëve ar të pastër; __ Vlera e 95 mitkalëve ar të pastër; __ Tjetër (ju lutem e thoni): c) Cilat gjëra lejohet të zbriten nga e ardhura totale para se të zbatohet Hukukullah-u? Ju lutem thoni të paktën pesë gjëra që përjashtohen: d) Sa herë paguhet Hukukullah për të njëjtën pronë? __ Një herë në vit; __ Vetëm një herë; __ Tjetër (ju lutem e thoni): e) Në qoftë se një pronë (një e ardhur) për të cilën Hukukullah-u është paguar kalon në duar të tjera (me trashëgim ose në formë dhurimi, etj.), dhe sjell të ardhura: __ Hukuku nuk paguhet më; __ Hukuku paguhet përsëri; __ Tjetër (ju lutem e thoni): f) Në qoftë se Hukuk-u nuk është paguar me para të thata (është paguar në formën e një pasurie të patundshme, gurësh të çmuar, antikash, etj.), a është e lejueshme që këto të shiten dhe të kthehen në para të thata pa pëlqimin e dhuruesit? __ Jo; __ Po; __ Tjetër (ju lutem e thoni): g) Në rast vdekjeje, cili prej këtyre detyrimeve ka përparësi (tregoni përparësinë me numrin 1, 2, 3 ose 4): __ Hukukullah-u; __ Borxhet; __ Pagimi i trashëgimtarëve; __ Shpenzimet e varrimit. h) Afati i pagimit të Hukukullah-ut është: __ Një herë në vit; __ Në ditën e parë të Vitit Bahá’í; __ Një herë gjatë jetës; __ Sipas dëshirës së individëve; __ Tjetër (ju lutem e thoni): Përgjigjet e sakta janë: a) 19%; b) 19 mitkalë; c) 5 cilatdo qofshin nga 10 që përcaktohen në pjesën 17c; d) Vetëm një herë; e) Është i zbatueshëm përsëri; f) Po; g) 4 - 2 - 1 - 3; h) Normalisht një herë në vit, por është lënë në gjykimin e individit. Kontributet për Të Drejtën e Perëndisë mund t’i dërgohen Përfaqësueseve të institucionit të Hukukullah-ut për Shqipërinë, zj. Athina Basha, zj. Vera Shiko, dhe z. Feizi Rafat. 1 Shih pikën 105. 2 Të gjithë numrat e Pikave që përmenden në këtë material i referohen përmbledhjes Huqúqu’lláh (E Drejta e Perëndisë). Burimet e Pikave të cituara me numra janë: 13-30 Ekstrakte nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut. 31-35 Ekstrakte nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it. 36 Ekstrakte nga thëniet e ‘Abdu’l-Bahá-it. 37 Ekstrakte nga një Letër e Shoghi Effendi-ut. 37-39 Ekstrakte nga Letra të shkruara në emër të Shoghi Effendi-ut. 40-47 Ekstrakte nga Shkrimet e Shtëpisë Universale të Drejtësisë. 3 Edhe në qoftë se kalojnë në duar të tjera ose merren si trashëgim. Në lidhje me pyetjen tuaj, nëse trashëgimtarët, të cilëve u kalojnë nëpërmjet trashëgimisë banesa kryesore, pajisjet dhe veshjet e të vdekurit, do të përjashtohen ose jo nga pagimi i Hukuk-ut, ai thotë: Meqenëse banesa, pajisjet dhe mjetet e zanatit, siç thuhet shprehimisht në Tekstin, janë të përjashtuara nga Hukuk-u, atëherë, kur bëhet kalimi i pronësisë, zotërime të tilla vazhdojnë të jenë të përjashtuara [nga Hukuk-u - shën. i përkth.]. (29 shtator 1942) (Pika 88) 4 I lihet gjykimit të individit të vendosë se çfarë është e nevojshme. ...shumë hollësi të llogaritjes së Hukukullah-ut i janë lënë nga Bahá’u’lláh-u gjykimit e ndërgjegjes së besimtarit individual. Për shembull, Ai përjashton pajisje të tilla shtëpiake që janë të nevojshme, por ia lë individit të vendosë se cilat pajisje janë të nevojshme për të dhe cilat jo. (Nga pika 105) 5 Me përjashtim të banesës, të orendive shtëpiake e të pajisjeve profesionale të nevojshme. Shih pikën 88 dhe shënimin 4.


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :