Compiled by: The Research Department of the Universal
House of Justice, August 1981, Revised July 1990In The Compilation of Compilations, VOLUME II, 1991
Text: Albanian1638. Mos u tmerroni, o popuj të botës, kur ylli i ditës i bukurisë Sime të ketë perënduar dhe qielli i faltores Sime të jetë fshehur prej syve tuaj. Ngrihuni për të ndjekur Kauzën Time dhe për të lartësuar Fjalën Time midis njerëzve. Ne do të jemi gjithnjë me ju dhe do t'ju forcojmë me fuqinë e së vërtetës. Ne jemi me të vërtetë të plotfuqishëm. Kush më ka njohur Mua do të ngrihet e do të më shërbejë Mua me vendosmëri të tillë, që fuqitë e tokës e të qiellit nuk do të jenë në gjendje ta mposhtin qëllimin e tij.
("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", nr. 71, "Një Përmbledhje dhe Kodifikim i
Qitapi Akdasit [Kitáb-i-Aqdas], Librit Më të Shenjtë të Bahá'u'lláh-ut",
bot. i parë, Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1973, f. 14)
1639. Le të mos shqetësohen zemrat tuaja, o njerëz, kur lavdia e Pranisë Sime të jetë tërhequr dhe oqeani i thënieve të Mia të ketë pushuar. Në praninë Time midis jush ka një urti dhe në mungesën Time përsëri ka një tjetër, që është e padukshme për të gjithë veç Perëndisë, të Pakrahasueshmit, të Gjithdijshmit. Me të vërtetë, Ne ju vështrojmë nga mbretëria Jonë e lavdisë, dhe do të ndihmojmë cilindo që do të ngrihet për triumfin e Kauzës Sonë, me turmat e kohortës qiellore dhe me një aradhe të engjëjve Tanë më të dashur.
("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", nr. 72, "Një Përmbledhje dhe Kodifikim i
Qitapi Akdasit [Kitáb-i-Aqdas], Librit Më të Shenjtë të Bahá'u'lláh-ut", f. 16)
1640. A beson ti se ke pushtet të pengosh Vullnetin e Tij, të mos e lejosh Atë të zbatojë gjykimin e Tij ose të ushtrojë sovranitetin e Tij? A pretendon ti se ka në qiell a në tokë ndonjë gjë që mund t'i rezistojë Besimit të Tij? Jo, për atë që është e Vërteta e Përjetshme! Asgjë, çfarëdo qoftë, në gjithë krijimin nuk mund t'i kundërvihet Qëllimit të Tij...
Dije, për më tepër, se është Ai Që, me urdhër të Vet, ka krijuar çdo gjë që është në qiej e mbi tokë. Si mundet, pra, gjëja e krijuar sipas urdhërit të Tij të mbizotërojë mbi Të?...
("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", nr. 113)
1641. Për drejtësinë e Perëndisë! Cilido që hap gojën në këtë Ditë dhe përmend emrin e Zotit të tij, aradhet e frymëzimit Hyjnor do të zbresin mbi të nga qielli i emrit Tim, të Gjithëdijshmit, Urtíplotit. Mbi të do të zbresë gjithashtu Tubimi i epërm, duke mbajtur lart secili një kupë drite të kulluar. Kështu ka qenë paracaktuar në mbretërinë e Revelacionit të Perëndisë, me urdhër të Atij Që është Lavdiploti, Më i Fuqishmi.
("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", nr. 129)
1642. Ata që kanë braktisur vendin e tyre për të përhapur mësimin e Kauzës Sonë, ata Shpirti i Besimit do t'i forcojë me fuqinë e tij. Një grup engjëjsh Tanë të zgjedhur do të shkojnë me ta, siç ka urdhëruar Ai që është i Gjithëfuqishmi, Urtiploti. Ç'bekim i madh e pret atë që ka arritur nderin t'i shërbejë të Gjithëfuqishmit!
("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", nr. 157)
1643. I madh është bekimi i atij që në këtë Ditë i ka flakur gjërat e përhapura midis njerëzve dhe është kapur pas asaj që ka urdhëruar Perëndia, Zoti i Emrave dhe Artuesi i të gjitha gjërave të krijuara, Ai Që ka ardhur nga qielli i përjetësisë përmes fuqisë së Emrit Më të Madh, i veshur me një autoritet aq të pamposhtur saqë të gjitha fuqitë e tokës nuk janë në gjendje t'i bëjnë ballë. Për këtë dëshmon Libri Mëmë, që bën thirrje nga Pozita Më Sublime.
("Tabelat e Bahá'u'lláh-ut të Reveluara pas Qitapi Akdasit [Kitáb-i-Aqdas]",
[bot. i rish.], Haifa: Qendra Botërore Bahá'i, 1982, f. 48)
1644. Ky është lajmi më i madh, më i gëzuar që i ka kumtuar njerëzimit Penda e këtij të Munduari. Përse druheni ju, o të shumëdashurit e Mi? Kush është ai që mund t'ju tmerrojë ju? Një pikë uji mjafton për ta shkrirë baltën e forcuar nga e cila është gatuar kjo gjeneratë e shthurur. Fakti i thjeshtë që ju mblidheni së bashku është i mjaftueshëm për t'i shpërndarë forcat e këtyre njerëzve të kotë e pa vlerë.
("Tabelat e Bahá'u'lláh-ut të Reveluara pas Qitapi Akdasit [Kitáb-i-Aqdas]", f. 84-85)
1645. Burimi i kurajës e i fuqisë është përhapja e Fjalës së Perëndisë dhe qëndrueshmëria në dashurinë për Të.
(Tabelat e Bahá'u'lláh-ut të Reveluara pas Qitapi Akdasit [Kitáb-i-Aqdas]", f. 156)
1646. Ai, me të vërtetë, do të ndihmojë cilindo që e ndihmon Atë, dhe do të kujtojë cilindo që e kujton Atë. Për këtë dëshmon kjo Tabelë që ka përhapur shkëlqimin e dashamirësisë së Zotit Tuaj, Lavdiplotit, Gjithdetyruesit...
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e drejtësisë Hyjnore",
Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1984, f. 76)1647. Çdo germë e veçantë që del prej gojës Sonë ka një fuqi të tillë rilindëse sa ta bëjë atë të sjellë në jetë një krijim të ri - një krijim, përmasat e të cilit janë të padepërtueshme për të gjithë veç Perëndisë. Ai me të vërtetë ka dijeni për të gjitha gjërat...
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e drejtësisë Hyjnore", f. 80)
1648. Është në pushtetin Tonë, po të dëshirojmë, ta bëjmë një thërrmijë pluhuri që endet në ajër të lindë, në më pak se të hapësh e të mbyllësh sytë, diej të pafundmë, të një shkëlqimi të paimagjinueshëm, ta shndërrojmë një pikë vese në oqeane të gjera e të panumërta, t'i japim çdo shkronje një forcë të tillë sa ta bëjë të aftë të shpalosë të gjitha dijet e epokave të shkuara e të ardhme.
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e drejtësisë Hyjnore", f. 80-81)
1649. Ne zotërojmë një fuqi të tillë e cila, po të nxirret në dritë, do t'i kthejë helmet më vdekjeprurëse në një ilaç me efekt të pagabueshëm.
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e drejtësisë Hyjnore", f. 81)
1650. "Thuaj: Kini mendjen, o njerëz të Bahá-it, se mos të fuqishmit e tokës ju grabisin forcën, ose ata që sundojnë botën ju kallin frikën. Mbështeteni besimin te Perëndia dhe i leni punët tuaja në dorën e Tij. Ai, vërtet, përmes fuqisë së të vërtetës do t'ju bëjë fitimtarë, dhe Ai me të vërtetë ka fuqi të bëjë atë që dëshiron, dhe në duart e Tij janë frerët e forcës së gjithëfuqishme".
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e drejtësisë Hyjnore", f. 82)
1651. Për drejtësinë e Perëndisë, nëse një njeri, krejt i vetëm, do të ngrihej në emrin e Bahá-it dhe do të vishte parzmoren e dashurisë së Tij, i Gjithëfuqishmi do ta bënte atë fitimtar, edhe sikur forcat e qiellit e të tokës të rreshtoheshin kundër tij...
(Cituar në Shoghi Effendi, "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut:
Letra të Zgjedhura", bot. i rish., Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1984, f. 106)
1652. Për Perëndinë veç të Cilit nuk ka Perëndi tjetër! Nëse ndokush do të ngrihej për triumfin e Kauzës sonë, Perëndia do ta bënte atë fitimtar edhe sikur dhjetëra mijë armiq të bashkoheshin kundër tij. Dhe në qoftë se dashuria e tij për mua bëhet më e madhe, Perëndia do t'i vendosë pasardhësit e tij mbi të gjitha fuqitë e tokës e të qiellit. Kështu e kemi futur Ne frymën e fuqisë në të gjitha vendet.
(Cituar në Shoghi Effendi, "Rendi botëror i Bahá'u'lláh-ut: Letra të Zgjedhura", f. 106)
Nga shkrimet dhe thëniet e Báb-it1653. Flak nga vetja devocionin për gjithçka veç Perëndisë dhe pasuroje vetveten në Perëndinë, duke hequr dorë nga çdo gjë tjetër veç Tij, dhe recito këtë lutje:
Thuaj: Perëndia është i mjaftueshëm në gjithçka e mbi gjithçka, dhe asgjë në qiell ose mbi tokë, por veç Perëndia, Zoti Yt, është i mjaftueshëm. Me të vërtetë, Ai është në Vetvete Njohësi, Mbështetësi, i Gjithëfuqishmi.
Mos e konsidero fuqinë e gjithmjaftueshme të Perëndisë si një imagjinatë boshe. Ajo është ai besim i vërtetë që ti ushqen për Manifestimin e Perëndisë në çdo Dispensacion. Është një besim i tillë që mjafton mbi të gjitha gjërat që ekzistojnë mbi tokë, ndërsa asgjë e krijuar mbi tokë veç besimit nuk është e mjaftueshme për ty. Në qoftë se nuk je besimtar, Pema e së Vërtetës Hyjnore do të të dënojë ty të zhdukesh. Në qoftë se je besimtar, besimi yt do të jetë i mjaftueshëm për ty mbi çdo gjë tjetër që ekziston mbi tokë, edhe sikur ti të mos zotërosh asgjë.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it",[bot.i rish.], Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1982, f. 123)
1654. Thuaj, me të vërtetë çdo pasues i këtij Besimi, me lejen e Perëndisë, mund të mbizotërojë mbi të gjithë ata që banojnë në qiell e mbi tokë dhe mbi gjithçka që gjendet midis tyre; sepse vërtet ky është, pa pikë dyshimi, i vetmi besim i vërtetë. Pra mos u druani, as mos u brengosni.
Thuaj, Perëndia, sipas asaj që është reveluar në Librin, ka marrë mbi Vete detyrën t'i japë secilit prej pasuesve të së Vërtetës pushtet mbi njëqind e më shumë shpirtra të tjerë, dhe njëqind besimtarëve parësi mbi njëmijë jobesimtarë, dhe njëmijë besnikëve sundimin mbi të gjithë popujt e fiset e tokës; sepse Perëndia sjell në jetë çdo gjë që dëshiron, në sajë të urdhërit të Tij. Me të vërtetë Ai është i fuqishëm mbi të gjitha gjërat.
Thuaj, fuqia e Perëndisë është në zemrat e atyre që besojnë në unitetin e Perëndisë dhe dëshmojnë se nuk ka tjetër Perëndi veç Tij, ndërsa zemrat e atyre që venë të tjerë krahas Perëndisë janë të pafuqishme, pa jetë në këtë tokë, sepse, me siguri, janë të vdekura.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it", f. 153)
1655. Kur Ylli i Ditës i Bahá-it do të ndritë me shkëlqim mbi horizontin e përjetësisë, është detyra juaj të paraqiteni përpara Fronit të Tij... Të gjithë ju jeni sjellë në jetë për të kërkuar praninë e Tij dhe për ta arritur atë pozitë të lartësuar e të lavdishme. Me të vërtetë, Ai do të dërgojë nga qielli i mëshirës së Tij atë që do t'ju sjellë përfitim, dhe çdo gjë që jepet hirësisht prej Tij do t'ju japë mundësi të bëni pa gjithë njerëzimin... Me të vërtetë, nëse është Vullneti i Tij, Ai me siguri mund të ringjallë të gjitha gjërat e krijuara, me anë të një fjale nga Vetja e Tij. Ai, në fakt, qëndron më lart e mbi të gjitha këto, Ai është i Gjithëpushtetshmi, i Gjithëfuqishmi, Fuqiploti.
("Pjesö tö zgjedhuranga Shkrimet e Báb-it", f. 164-66)
1656. Shenjtëruar qoftë Zoti në dorën e të Cilit është burimi i sundimit. Ai krijon gjithçka që dëshiron me fjalën e Tij urdhëruese 'U bëftë', dhe ashtu bëhet.E Tij ka qenë fuqia e pushtetit gjer më sot dhe e Tij do të mbetet tash e tutje. Ai bën fitimtar cilindo që dëshiron, me forcën e urdhrit të Tij. Ai është me të vërtetë i Pushtetshmi, i Gjithëfuqishmi. Atij i përket gjithë lavdia e madhështia në mbretëritë e Revelacionit e të Krijimit dhe në gjithçka ndodhet ndërmjet tyre. Me të vërtetë ai është i Fuqishmi, Lavdiploti. Përjetësisht Ai ka qenë Burimi i fuqisë së paepur dhe i tillë do të mbetet në përjetësi. Ai është me të vërtetë Zoti i fuqisë e i pushtetit. Të gjitha mbretëritë e qiellit e të tokës dhe gjithçka ndodhet ndërmjet tyre janë të Perëndisë, dhe pushteti i Tij është suprem mbi të gjitha gjërat. Të gjitha thesaret e tokës e të qiellit dhe gjithçka ndodhet ndërmjet tyre janë të Tijat, dhe mbrojtja e Tij shtrihet mbi të gjitha gjërat. Ai është krijuesi i qiejve e i tokës dhe i gjithçkaje ndodhet ndërmjet tyre, dhe Ai është me të vërtetë dëshmitar për të gjitha gjërat. Ai është Zoti i Gjykimit për të gjithë ata që banojnë në qiej e mbi tokë dhe i gjithçkaje ndodhet ndërmjet tyre, dhe me të vërtetë Perëndia gjykon shpejt. Ai vendos masën që u është caktuar të gjithë atyre që janë në qiej e mbi tokë dhe gjithçkaje që është ndërmjet tyre. Me të vërtetë Ai është Mbrojtësi Suprem. Ai mban në dorën e Tij çelësat e qiellit e të tokës dhe të gjithçkaje ndodhet ndërmjet tyre. Me pëlqimin e Vet Ai ndan dhuratat, përmes fuqisë së urdhrit të Tij. Me të vërtetë, mirësia e Tij i përfshin të gjithë dhe Ai është i Gjithëdijshmi.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it", f. 171)
1657. I mbuluar me lavdi je Ti, o Perëndi, Ti je Krijuesi i qiejve e i tokës dhe i asaj që ndodhet midis tyre. Ti je Zoti Sovran, Më i Shenjti, i Gjithëfuqishmi, Urtíploti. I madhëruar qoftë emri Yt, O Perëndi, dërgo mbi ata që kanë besuar në Perëndinë dhe në shenjat e Tij një ndihmë të fuqishme nga prania Jote, për t'i bërë ata të mbizotërojnë mbi gjithë njerëzimin.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it", f. 176)
1658. I lavdëruar je Ti, O Zot! Me urdhërin Tënd ti bën fitimtar cilindo që Ti dëshiron, përmes ushtrive të qiellit e të tokës dhe të gjithçkaje ekziston midis tyre. Ti je Sovrani, e Vërteta e Përjetëshme, Zoti i fuqisë së pamposhtur.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it", f. 177)
1659. O Zot! Ndihmoji ata që kanë hequr dorë nga gjithçka tjetër veç Teje, dhe jepu atyre një fitore të madhe. Dërgo mbi ta, O Zot, grupimin e engjëjve në qiell e në tokë dhe gjithçka ndodhet midis tyre, për t'i ndihmuar shërbëtorët e Tu, për t'i përkrahur e për t'i forcuar ata, për t'u dhënë mundësi të arrijnë sukses, për t'i mbështetur ata, për t'i veshur me lavdi, për t'u dhuruar atyre nderim e lartësim, për t'i pasuruar ata dhe për t'i bërë të triumfojnë me një triumf të mrekullueshëm.
("Pjesë të Zgjedhura nga shkrimet e Báb-it", f. 192)
1660. Dërgo, O Perëndi, ushtri të tilla që t'i bëjnë fitimtarë shërbëtorët e Tu besnikë. Ti i arton gjërat e krijuara me fuqinë e urdhërit Tënd ashtu si të pëlqen Ty. Ti je me të vërtetë Sovrani, Krijuesi, Urtiploti.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it", f. 211)
1661. Mos u bëni merak për dobësinë e brishtësinë tuaj; mbërthejini sytë te fuqia e pathyeshme e Zotit, Perëndisë tuaj, të Gjithëfuqishmit. A nuk bëri Ai në të kaluarën që Abrahami, megjithëse i pafuqishëm në dukje, të triumfonte mbi forcat e Nimrodit? A nuk e bëri Ai të aftë Mojsiun që, duke pasur për shok vetëm një shkop, të mposhtëte Faraonin dhe hordhitë e tij? A nuk vendosi Ai ngritjen e Jezuit, të varfër e të përunjur siç ishte Ai në sytë e njerëzve, mbi forcat e bashkuara të çifutëve? A nuk ia nënshtroi Ai fiset barbare e zemërake të Arabisë disiplinës së shenjtë e transformuese të Muhametit, profetit të Tij? Ngrihuni në emër të Tij, mbështeteni krejtësisht besimin tek Ai dhe të jeni të sigurtë për fitoren perfundimtare.
(Dërguar Shkronjave të të Gjallit, cituar në "Lajmëtarët e Agimit:
Tregimi i Nabilit për Ditët e Hershme të Revelacionit Bahá'í",
përkth. e bot. nga Shoghi Effendi, Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1974, f. 94,)
Nga shkrimet dhe thëniet e 'Abdu'l-Bahá-it1662. Këta shpirtra janë ushtritë e Perëndisë dhe pushtuesit e Lindjes e të Perëndimit. Në qoftë se ndonjëri prej tyre do ta kthejë fytyrën në ndonjë drejtim dhe do t'i ftojë njerëzit në Mbretërinë e Perëndisë, të gjitha forcat ideale dhe konfirmimet hyjnore do të vërshojnë në mbështetje e në përforcim të tij. Ai do t'i shohë të gjitha dyert të hapura dhe të gjitha fortesat e fuqishme e kështjellat e pathyeshme të rrafshuara për tokë. I vetëm, ai do të sulmojë ushtritë e botës, do të mundë krahun e majtë e të djathtë të hordhive të të gjitha vendeve të botës, do të çajë radhët e legjioneve të të gjitha kombeve dhe do ta çojë sulmin e tij deri në vetë qendrën e fuqive të tokës. Ky është kuptimi i Ushtrive të Perëndisë.
("Tabelat e Planit Hyjnor të Reveluara nga 'Abdu'l-Bahá-i për Bahá'í-të
Amerikano-Veriorë", bot. i rish, Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1980, f. 47-48)
1663. Në qoftë se në këtë ditë një shpirt vepron sipas porosive e këshillave të Perëndisë, ai do të shërbejë si një mjek hyjnor për njerëzimin dhe, ashtu si boria e Isráfilit,1 do t'i sjellë në jetë të vdekurit e kësaj bote të përkohshme; sepse konfirmimet e Mbretërisë Abhá nuk ndërpriten kurrë dhe një shpirt i tillë i virtytshëm ka ndihmën e sigurt mirëdashëse të Grupimit qiellor. Kështu një mizë e mjerë shndërrohet në një shqiponjë në kulmin e forcës, dhe një trumcak i dobët bëhet fajkua mbretëror në majat e lavdisë së lashtë.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it",
[bot. i rish], Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1982, sek. 8, f. 23)
1664. Dije me siguri se Zoti yt do të të vijë në ndihmë me një aradhe të Grupimit të epërm dhe me ushtritë e Mbretërisë Abhá. Ato do të ndërmarrin sulmin dhe do të hidhen me furi mbi forcat e injorantëve, të të verbërve...
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", sek.19, f. 43)
1665. Në qoftë se një grup i vogël njerëzish mblidhen së bashku me dashuri, me pastërti e shenjtëri absolute, me zemrat e tyre të çliruara nga bota, duke përjetuar emocionet e Mbretërisë dhe forcat e fuqishme magnetike të Hyjnores, dhe duke qenë të bashkuar në miqësinë e tyre të lumtur, ky grup njerëzish do të ushtrojë ndikim mbi të gjithë tokën. Natyra e këtij grushti njerëzish, fjalët që ata thonë, veprat që bëjnë, do të lëshojnë dhuntitë e Qiellit dhe do të sjellin parashijën e lumturisë së përjetëshme. Aradhet e Ushtrisë qiellore do t'i mbrojnë ata dhe ëngjëjt e Parajsës Abhá do të zbresin njëri pas tjetrit në ndihmë të tyre.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", sek.39, f. 81)
1666. Ai do t'ju vijë në ndihmë me turma të padukshme dhe do t'ju mbështesë me ushtri të frymëzimit nga Grupimi i Epërm; Ai do t'ju sjellë juve aroma të ëmbla nga Parajsa më e lartë dhe do të përhapë mbi ju flladin e kulluar që fryn nga kopshtet e trëndafilave të Aradhes qiellore. Ai do të sjellë në zemrat tuaja shpirtin e jetës, do t'ju bëjë të hyni në Arkën e shpëtimit dhe do t'ju revelojë shenjat e simbolet e tij të qarta. Kjo është vërtet një mirësi e madhe. Kjo është vërtet fitorja që askush nuk mund ta mohojë.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", sek.157, f. 186-87)
1667. Të jini të sigurt që, në rast se një shpirt ngrihet me këmbënguljen më të madhe dhe lëshon Thirrjen e Mbretërisë dhe shpall me vendosmëri Besëlidhjen, qoftë ky edhe një milingonë e papërfillshme, ai do të bëhet i aftë të dëbojë nga arena elefantin e tmerrshëm, dhe po të jetë një flutur e dobët do t'i bëjë copë-copë pendët e skifterit grabitqar.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", sek.184, f. 209)
1668. Konfirmimet e Atij që është Gjithmonëfalësi kanë mbështjellë me dritë çdo vend, ushtritë e Grupimit qiellor po sulen përpara në betejë përkrah miqve të Zotit dhe arrijnë fitoren...
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", sek.193, f. 229)
1669. Qoftë lëvduar e faleminderit Bukurisë së Bekuar, që hodhi në veprim ushtritë e Mbretërisë së Tij Abhá dhe që na dërgoi ndihmën e Tij të pandërprerë, të sigurt si yjet që dalin...
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", sek.195, f. 237)
1670. Sa herë që shpirtra të shenjtë, duke iu afruar fuqive të qiellit, do të ngrihen me cilësi të tilla të shpirtit dhe do të marshojnë së bashku, me rradhë të ngjeshura, secili nga këta shpirtra do të jetë sa për njëmijë, dhe dallgët që ngrihen prej këtij oqeani të fuqishëm do të jenë si batalionet e Grupimit qiellor...
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", sek.207, f. 260)
1671. Është e qartë se në këtë ditë, konfirmimet nga bota e padukshme po përfshijnë të gjithë ata që sjellin Mesazhin hyjnor. Në qoftë se puna e mësimit ndalon, këto konfirmmime ndërpriten tërësisht, sepse është e pamundur për të dashurit e Perëndisë të marrin ndihmë po qe se ata nuk japin mësim.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", sek.209, f. 264-65)
1672. O ju shërbëtorë të Pragut të Shenjtë! Ushtritë fitimtare të Grupimit Qiellor, të radhitura e të rregulluara në Mbretëritë e epërme, qëndrojnë të gatshme dhe në pritje për të ndihmuar e për të siguruar fitoren e atij kalorësi trim, që me vetëbesim e nxit kalin e vet në arenën e shërbimit. Lum ai luftëtar sypatrembur, që i armatosur me pushtetin e Dijes së vërtetë, nxiton në fushën e betejës, shpartallon ushtritë e injorancës dhe shpërndan hordhitë e gabimit, që mban lart Flamurin e Udhërrëfimit Hyjnor dhe i bie Borisë së Fitores. Për drejtësinë e Zotit! Ai ka siguruar një triumf të lavdishëm dhe ka arritur fitoren e vërtetë.
("Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", sek.208, f. 264)
1673. Mos u dëshpëroni për shkak të numrit tuaj të vogël dhe falenderoni Perëndinë për fuqinë e shpirtrave tuaj. Ai do t'ju ndihmojë me një konfirmim të tillë që mendjet do të habiten dhe shpirtrat do të mahniten.
('Abdu'l-Bahá,"Tabelat e `Abdu'l-Bahá Abbas", vëll.1, Çikago: Komiteti Botues Bahai, 1930, f. 80)
1674. Të jeni të sigurt me sigurinë më të madhe se, me të vërtetë, Perëndia do t'i ndihmojë ata që janë të patundur në Besëlidhjen e Tij për çdo çështje, me anë të konfirmimit e të favorit të Tij, dritat e të cilit do të ndriçojnë në lindje të tokës, si dhe në perëndim të saj. Ai do t'i bëjë ata shenja të udhërrëfimit midis krijimit dhe si yje të ndritshëm e vezullues nga të gjitha horizontet.
("Tabelat e `Abdu'l-Bahá Abbas", vëll.1, f. 33)1675. Ngrihuni me të gjithë fuqinë për të ndihmuar Besëlidhjen e Perëndisë dhe për të shërbyer në vreshtin e Tij. Të keni besim se një konfirmim do t'ju dhurohet dhe një sukses do t'ju jepet nga ana e Tij. Me të vërtetë, Ai do t'ju mbështesë me engjëjt e shenjtërisë së Tij dhe do t'ju forcojë me frymën e Shpirtit, që të hyni në Arkën e Sigurisë, të tregoni shenja të qarta, të dhuroni frymën e jetës, të shpallni thelbin e porosive e të këshillave të Tij, të ktheni në rrugë të mbarë delet që po largohen nga grigja në të gjitha drejtimet dhe të jepni bekime. Ju duhet të bëni të gjitha përpjekjet e mundshme dhe të luftoni seriozisht e me mençuri në këtë shekull të ri. Për Perëndinë, me të vërtetë Zoti i Ushtrive është mbështetja juaj, engjëjt e qiellit janë ndihma që ju jepet, Shpirti i Shenjtë - shoqëruesi juaj dhe Qendra e Besëlidhjes - Ai që ju ndihmon. Mos rrini kot, por jini aktivë dhe mos u druani...
("Tabelat e `Abdu'l-Bahá Abbas", vëll.1, f. 162; "Besimi Botëror Bahá'í:
Shkrime të Zgjedhura të Bahá'u'lláh-ut dhe të 'Abdu'l-Bahá-it",
[bot. i rish.], Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1976, f. 362)
1676. Për Zotin e Mbretërisë! Në qoftë se dikush ngrihet për të përkrahur Fjalën e Perëndisë me zemër të pastër, të mbushur plot dashuri për Perëndinë e të shkëputur nga kjo botë, Zoti i Ushtrive do ta ndihmojë atë me një fuqi të tillë që do të depërtojë në thelbin e qenieve ekzistuese.
("Tabelat e `Abdu'l-Bahá Abbas", vëll.2, Çikago: Shoqëria Botuese Bahá'í, 1915, f. 348)
1677. Zoti juaj u premtoi me siguri shërbëtorëve të Tij që janë të qëndrueshëm e të patundur se do t'i bëjë ata fitimtarë në të gjitha kohët, do të lartësojë fjalën e tyre, do të shtrijë pushtetin e tyre, do të përhapë dritat e tyre, do të forcojë zemrat e tyre, do të ngrejë lart flamujt e tyre, do të ndihmojë ushtritë e tyre, do të ndriçojë yjet e tyre, do të shtojë vërshimin e shirave të mëshirës mbi ta dhe do t'i bëjë të aftë luanët trima (apo mësuesit) që të zotërojnë.
Nxitoni, nxitoni, o ju besimtarë të qëndrueshëm! Nxitoni, nxitoni, o ju të patundur! Braktiseni të shkujdesurin, lini mënjanë çdo injorant, mbahuni pas fillit të fortë, jini të qëndrueshëm në këtë Kauzë të Madhe, merrni dritë nga kjo Dritë e Dukshme, jini të duruar dhe qëndroni të patundur në këtë Fe të urtë! Ju do të shihni ushtritë e frymëzimit duke zbritur njëra pas tjetrës nga Bota Më e Lartë, procesionin e tërheqjes që zbret pareshtur nga lartësitë e qiellit, bollëkun e Mbretërisë së El-Abhá që rrjedh vazhdimisht dhe mësimet e Perëndisë që depërtojnë me fuqinë më të madhe, ndërsa të shkujdesurit janë me të vërtetë në humbje të qartë.
("Tabelat e `Abdu'l-Bahá Abbas", vëll.2, f. 442-43)
1678. Sot, çdo shpirt që e zgjidh gjuhën për të nxjerrë të Vërtetën dhe që është i angazhuar me përhapjen e aromave të Perëndisë, ai padyshim do të ndihmohet e mbështetet prej Shpirtit të Shenjtë dhe mund t'u qëndrojë sulmeve të të gjithë njerëzve të botës, [sepse] pushteti i Mbretërisë së Fuqisë do të mbizotërojë. Ja përse ti e sheh që, edhe pse dishepujt e Krishtit ishin të dobët fizikisht e në dukje të mposhtur nga persekutimi i çdo mbreti, megjithatë në fund dolën fitimtarë mbi të gjithë dhe i morën ata në mbrojtjen e tyre.
("Tabelat e `Abdu'l-Bahá Abbas", vëll.3, Çikago: Shoqëria Botuese Bahá'í, 1916, f. 508)
1679. Nëse ndokush në këtë ditë do ta lidhte zemrën e tij me Mbretërinë, do ta çlironte veten nga gjithçka veç Perëndisë dhe do të tërhiqej pas aromave të Shenjtërisë, ushtria e Mbretërisë së ABHA-së do ta ndihmonte atë dhe engjëjt e Tubimit Suprem do t'i vinin në ndihmë.
("Tabelat e `Abdu'l-Bahá Abbas", vëll.3, f. 591)1680. Mos sillni ndërmend kufizimet tuaja; ndihma e Perëndisë do të vijë tek ju. Harrojeni vetveten. Ndihma e Perëndisë me siguri do të vijë!
Kur kërkoni Mëshirën e Perëndisë, në pritje që ajo t'ju forcojë, fuqia juaj do të dhjetëfishohet.
Më shikoni mua: unë jam kaq i dobët, e megjithatë kam fuqinë që më është dhënë për të ardhur në mes jush: një shërbëtor i varfër i Perëndisë, që u bë në gjendje t'ju sjellë juve këtë mesazh! Unë nuk do të jem gjatë me ju! Njeriu kurrë nuk duhet të shohë dobësinë e vet; është fuqia e Shpirtit të Shenjtë të Dashurisë që jep fuqinë e të mësuarit. Mendimi për dobësitë tona mund të sjellë vetëm dëshpërim. Ne duhet të shohim më lart sesa të gjitha mendimet tokësore; ta shkëpusim veten nga çdo ide materiale, të përgjërohemi për gjërat e shpirtit; t'i mbërthejmë sytë mbi Mëshirën e përjetshme bujare të të Gjithëfuqishmit, që do t'i mbushë shpirtërat tanë me kënaqësinë e shërbimit të gëzueshëm për porosinë e Tij 'Duajeni njëri-tjetrin'
("Bisedat e Parisit: Fjalimet e mbajtura nga 'Abdu'l-Bahá-i në Paris më 1911-1912",
bot. i 10-të, Londër: Trusti Botues Bahá'í, 1979, f. 38-39)
1681. Sa e madhe, sa e madhërishme është Kauza; sa i egër është sulmi i të gjithë popujve e fiseve të botës! Së shpejti do të dëgjohet nga larg e nga afër zhurma e turmave anembanë Afrikës, anembanë Amerikës, britma e evropianit dhe e turkut, rënkimi i Indisë e i Kinës. Që të gjithë ata do të ngrihen për t'i rezistuar Kauzës së Tij. Atëherë Kalorësit e Zotit, të ndihmuar prej Hirit nga lart, të forcuar nga besimi, të përkrahur nga fuqia e mirëkuptimit dhe të përforcuar nga legjionet e Besëlidhjes, do të ngrihen dhe do ta bëjnë të dukshme të vërtetën e vargut: "Shikoni ç'pështjellim i ka pushtuar fiset e të mundurve!" 2
(Cituar në Shoghi Effendi, "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932"
[bot. i rish.], Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1980, f. 123)
1682. Báb-i ka thënë: "Po të dëshironte, në këtë ditë, një milingonë e vogël të zotëronte një fuqi të tillë sa të ishte në gjendje të zbërthente vargjet më të pakapshme e më të ngatërruara të Kuranit, dëshira e saj padyshim do të përmbushej, meqenëse misteri i fuqisë së përjetshme lëvrin në brendësinë më të fshehtë të të gjitha gjërave të krijuara". Në qoftë se një krijesë kaq e pafuqishme mund të pajiset me një aftësi kaq të hollë, sa më efikase duhet të jetë fuqia që çlirohet përmes vërshimeve bujare të mirësisë së Bahá'u'lláh-ut!
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e Drejtësisë Hyjnore", f 46)
1683. Mbretëria e perëndisë zotëron fuqi të pakufishme. E guximshme duhet të jetë ushtria e jetës, në qoftë se ndihma mbështetëse e asaj Mbretërie do t'i garantohet vazhdimisht asaj... Fusha është e gjerë dhe koha është pjekur për ta nxitur kalin e luftës brenda saj. Tani është koha që njeriu të shfaqë mundësitë e fuqisë së vet, qëndrueshmërinë e zemrës dhe fuqinë e shpirtit.
(Cituar në një letër të datës 28 janar 1939 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare
të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në Shoghi Effendi, "Mesazhe për
Amerikën: Letra e Telegrame të Zgjedhura Drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës së
Veriut, 1932-1946", Wilmette: Komiteti Botues Bahá'í, 1947, f. 17)
1684. Dhe tani ju, nëse veproni sipas mësimeve të Bahá'u'lláh-ut, mund të jeni të sigurt se do të keni ndihmë e mbështetje. Në të gjitha veprimet që ndërmerrni, ju do të dilni fitimtarë dhe të gjithë banorët e tokës nuk do të mund t'ju dalin përpara. Ju jeni pushtuesit, sepse fuqia e Shpirtit të Shenjtë do t'ju ndihmojë. Vetë Shpirti i Shenjtë do t'ju ndihmojë mbi forcat fizike, mbi forcat materiale.
(Botuar në "Star of the West [Ylli i Perëndimit]", vëll.8, nr. 8, 1 gusht 1917, f. 103)
1685. Jini të guximshëm e sypatrembur! Shtojini nga dita në ditë fitoret tuaja shpirtërore. Mos u shqetësoni nga sulmet e vazhdueshme të armiqve. Sulmoni si luanë që ulërijnë. Mos mendoni për veten tuaj, sepse ushtritë e padukshme të Mbretërisë luftojnë në anën tuaj. Hyni në fushën e betejës me Konfirmimet e Shpirtit të Shenjtë. Dijeni me siguri se fuqitë e Mbretërisë së Abha-së janë me ju. Ushtritë e qiellit të së Vërtetës janë me ju. Flladet e freskëta të Parajsës së Abha-së po përhapen mbi ballin tuaj të nxehtë. Për asnjë çast ju nuk jeni vetëm. Për asnjë sekondë ju nuk braktiseni në fatin tuaj. Bukuria e Abhá-së është me ju. Perëndia i Lavdishëm është me ju. Mbreti i Mbretërve është me ju.
(Botuar në "Star of the West [Ylli i Perëndimit]", vëll.13, nr. 5, gusht 1922, f. 113)
Nga letrat dhe telegramet e shkruara1686. Edhe pse detyra jonë është e vështirë e delikate, fuqia mbështetëse e Bahá'u'lláh-ut dhe e udhëheqjes së Tij Hyjnore me siguri do të na ndihmojë, në qoftë se e ndjekim të patundur në rrugën e Tij dhe përpiqemi të përkrahim të gjitha ligjet e Tij. Drita e mirësisë së Tij shëlbuese, të cilën asnjë fuqi tokësore nuk mund ta errësojë, po të tregohemi këmbëngulës do të ndriçojë shtegun tonë ndërsa vazhdojmë të ecim përmes kurtheve e grackave të një epoke të trazuar, dhe do të na bëjë të aftë t'i kryejmë detyrat tona në një mënyrë që do të shtonte lavdinë dhe nderimin e Emrit të Tij të bekuar.
(Nga një letër e datës 21 mars 1932, shkruar nga Shoghi Effendi për Bahá'í-të e Shteteve të
Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut: Letra të Zgjedhura", f. 67)
1687. "Pjetri", ka dëshmuar 'Abdu'l-Bahá-i, "sipas historisë së Kishës, nuk ishte në gjendje as të llogariste ditët e javës. Sa herë shkonte për të peshkuar, ai e mbështillte ushqimin e tij javor në shtatë pako dhe çdo ditë hante njërën prej tyre, dhe kur arrinte tek e shtata ai e kuptonte se kishte ardhur Sabathi, kështu që e zbatonte atë". Në qoftë se Biri i Njeriut ishte në gjendje të fuste në një instrument kaq të pagdhendur e të pafuqishëm një fuqi të tillë, e cila të bënte, sipas fjalëve të Bahá'u'lláh-ut, "që misteret e urtisë e të fjalës të rrjedhin nga goja e tij", dhe ta ngrinte atë mbi dishepujt e tjerë të Tij, duke e bërë të përshtatshëm për të qenë pasardhësi i Tij dhe themeluesi i Kishës së Tij, aq më shumë mundet Ati, Që është Bahá'u'lláh-u, t'i japë më të dobëtit e më të parëndësishmit ndër pasuesit e Tij fuqinë për të kryer, në zbatim të qëllimit të Tij, mrekulli të tilla që do të eklipsonin arritjet më të fuqishme edhe të apostullit të parë të Jesu Krishtit!
("Ardhja e drejtësisë Hyjnore", f 46)1688. Fusha është me të vërtetë kaq e pasosur, periudha kaq kritike, Kauza kaq e madhe, punëtorët kaq të paktë, koha kaq e shkurtër, privilegji kaq i paçmuar, sa asnjë pasues i Besimit të Bahá'u'lláh-ut, i denjë për të mbajtur emrin e Tij, nuk mund t'i lejojë vetes asnjë çast ngurrimi. Ajo Forcë me prejardhje hyjnore, e parezistueshme në fuqinë e saj rrëmbenjëse, e pallogaritshme në potencën e saj, e paparashikueshme në rrjedhën e saj, e mistershme në veprimin e saj dhe e frikshme në manifestimet e saj - një Forcë e cila, siç shkruante Báb-i, "lëvrin në qenien më të brendëshme të të gjitha gjërave të krijuara", dhe që, sipas Bahá'ulláh-ut, nëpërmjet "ndikimit të saj drithërues", "ka tronditur ekuilibrin botëror dhe ka revolucionarizuar jetën e organizuar të saj". - një Forcë e tillë, duke vepruar si një shpatë me dy tehe, para syve tanë po këput, nga njëra anë, lidhjet e kohëve të vjetra, që në shekuj kanë mbajtur në këmbë godinën e shoqërinë së qytetëruar, dhe po zgjidh, nga ana tjetër, nyjet që vazhdojnë ta mbajnë të lidhur Besimin ende foshnjë e të paemancipuar të Bahá'u'lláh-ut.
("Ardhja e drejtësisë Hyjnore", f 46-47)1689. Nuk ka kohë për të humbur. Nuk ka vend për ngurrime. Turmat janë të uritura për Bukën e Gojës. Skena është ngritur. Premtimi i vendosur e i parevokueshëm është dhënë. Plani i vetë Perëndisë është vënë në lëvizje. Ai po përshpejtohet nga dita në ditë. Fuqitë e qiellit e të tokës ndihmojnë në mënyrë të mistershme zbatimin e tij. Një mundësi e tillë është e pazëvendësueshme. Le të ngrihet ai që dyshon e të verifikojë vetë të vërtetën e pohimeve të tilla. Të përpiqesh, të këmbëngulësh do të thotë të sigurosh fitoren e plotë e përfundimtare.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 28 janar 1939, shkruar në
emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë,
botuar në "Mesazhe për Amerikën: Letra dhe Telegrame të Zgjedhura Drejtuar Bahá'í-ve të
Amerikës së Veriut, 1932-1946", Wilmette: Komiteti Botues Bahá'í, 1947, f. 17)
1690. Përballë një sfide të tillë, ky komunitet, që është ngjitur kështu në maja të tilla arritjesh të qëndrueshme, nuk mundet as të ngurrojë as të tërhiqet. Me besim në fatin e tij, i mbështetur në fuqinë e vet të dhënë nga Perëndia, i forcuar nga vetëdija e fitoreve të kaluara, i shtyrë për të vepruar nga pamja e një qytetërimi që dalngadalë po shkatërrohet, ai - unë nuk kam asnjë dyshim - do të vazhdojë të përmbushë pa ngurrim kërkesat e ngutshme të detyrës së vet, i sigurt se, me çdo hap që ndërmerr dhe me çdo fazë që kalon, një revelacion i ri drite e fuqie hyjnore do ta udhëheqë e do ta shtyjë atë përpara gjersa ta plotësojë, kur të vijë koha e me gjithë fuqinë e vet, Planin e lidhur në mënyrë të pandarë me fatin e tij të shkëlqyer.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 4 korrik 1939, shkruar
në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të
Kanadasë, botuar në "Mesazhe për Amerikën: Letra dhe Telegrame të
Zgjedhura Drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës së Veriut, 1932-1946", f. 26)
1691. Fusha, në tërë gjerësinë e pjellorinë e saj, është krejt e hapur e fare pranë. Të korrat janë pjekur. Ora po kalon. Sinjali është dhënë. Forcat shpirtërore të çliruara në mënyrë të mistershme veprojnë tashmë me një vrull gjithnjë e më të madh, të papërmbajtura e pa u ndalur. Fitorja, e shpejtë dhe e padiskutueshme, i është siguruar cilitdo që do të ngrihet e do t'i përgjigjet kësaj thirrjeje të dytë, të ngutshme e jetësore.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 28 korrik 1939,
shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të
Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Mesazhe për Amerikën: Letra dhe Telegrame të Zgjedhura Drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës së Veriut, 1932-1946", f. 28-29)
1692. Gjerësia e fushës, numri juaj i vogël, indiferenca e masave, nuk duhet as t'ju dekurajojnë as t'ju tmerrojnë. Ju duhet vazhdimisht t'i mbani sytë nga premtimi i Bahá'u'lláh-ut, ta mbështesni gjithë besimin tuaj në Fjalën e Tij krijuese, të sillni ndërmend të kaluarën dhe provat e shumta të pushtetit të Tij gjithpërfshirës e të parezistueshëm, dhe të ngriheni për t'u bërë bartës me vlerë e shembullorë të hirit e të bekimeve të Tij gjithmbështetëse.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 29 korrik 1941,
shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Indisë, botuar në
"Agimi i një Dite të Re", Nju Delhi: Trusti Botues Bahá'í, n.d.[1970], f. 90)
1693. Nëse miqtë, individualisht e kolektivisht, luajnë rolin e tyre dhe bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme, bekimet e shumta të Bahá'u'lláh-ut do të jenë plotësisht të garantuara dhe triumfi i Planit do të shënojë një kapitull të lavdishëm në historinë e Besimit.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 18 dhjetor 1945,
shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë)
1694. ...FORCAT E ÇLIRUARA NË MËNYRË TË MISTERSHME, TË CAKTUARA PËR TË DREJTUAR OPERACIONIN, PËR TË STIMULUAR PROCESET, PËR TË SIGURUAR REALIZIMIN E FAZËS SË DYTË TË PLANIT HYJNOR, JANË PAMASË TË FUQISHME. PËRDORIMI I PLOTË E I SHPEJTË PREJ KOMUNITETIT TË ORGANIZUAR I KËTYRE FORCAVE, QË I JEP JETË MISIONIT SUBLIM, ËSHTË IMPERATIV. AGJENCIVE TË SHUMTA LOKALE, KRAHINORE, KOMBËTARE, NDËRKONTINENTALE, TË LIDHURA DREJTPËRSËDREJTI ME ZBATIMIN E PLANIT, TANI U BËHET THIRRJE TË ARRIJNË SFERAT PËRKATËSE... SUKSESE KAQ TË SPIKATURA DO TË FORCOJNË PAMASË SHPRESAT PËR ARRITJEN NË KOHËN E PREMTUAR TË FITORES SË PLOTË VENDIMATRE...
(Nga një Telegram i datës 6 tetor 1946 për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të
Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Mesazhe për Amerikën: Letra
dhe Telegrame të Zgjedhura Dërguar Bahá'í-ve të Amerikës së Veriut, 1932-1946", f. 108)
1695. Ushtritë e padukshme të Mbretërisë janë të gatshme e të paduruara për t'u hedhur në ndihmë të atyre që kanë kurajën t'i peshojnë çështjet përkatëse e të marrin vendimin në përshtatje me këto çështje...
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 6 shtator 1949,
shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë)
1696. Koha është e shkurtër. Mundësitë, megjithëse shtohen çdo orë, nuk do të përsëriten, disa për një shekull të tërë, ndërsa të tjera kurrë më. Sado e ashpër është sfida, sado të shumta detyrat, sado e shkurtër koha, sado e zymtë pamja e botës, sado të kufizuara burimet materiale të një komuniteti adoleshent nën trysni të fortë, burimet e paçliruara të fuqisë qiellore, nga të cilat ai mund të marrë, janë të pamatshme në potencën e vet dhe do të derdhin pa ngurrim ndikimet e tyre energjike në qoftë se bëhet përpjekja ditore e nevojshme dhe pranohen me dëshirë sakrificat e kërkuara.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 18 dhjetor 1945, shkruar në
emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, botuar në "Kështjella
e Besimit: Mesazhe për Amerikën 1947-1957", Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1980, f. 85)
1697. Legjionet e padukshme të Grupimit të epërm janë rrjeshtuar me radhë të shtrënguara, të gatshme për t'i hedhur përforcimet e tyre në ndihmë të pararojës së kryqëtarëve të Bahá'u'lláh-ut në orën e nevojës së tyre më të madhe...
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 23 nëntor 1951,
shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara,
botuar në "Kështjella e Besimit: Mesazhe për Amerikën 1947-1957", f. 105)
1698. ZOTI I USHTRIVE, MBRETI I MBRETËRVE KA PREMTUAR NDIHMË TË SIGURT PËR ÇDO KRYQTAR QË LUFTON PËR KAUZËN E TIJ: LEGJIONET E PADUKSHME, TË RRJESHTUARA NË RADHË TË NGJESHURA, JANË TË GATSHME PËR TË DËRGUAR PËRFORCIMET NGA QIELLI.
(Nga një telegram i datës 8 tetor 1952 për Bahá'í-të e Perëndimit, botuar në
"Mesazhe për Botën Bahá'í 1950-1957", Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1971, f. 44)
1699. Duke veshur parzmoren e dashurisë së Tij, kapur fort pas mburojës së Besëlidhjes së Tij të fuqishme, hipur mbi kalin e qëndrueshmërisë, duke mbajtur lart shtizën e Fjalës së Zotit të Ushtrive dhe duke u mbështetur në mënyrë të padiskutueshme në premtimet e Tij si pajisja më e mirë për udhëtimin e tyre, le t'i kthejnë ata fytyrat drejt këtyre fushave që kanë mbetur të paeksploruara dhe t'i drejtojnë hapat tek ato qëllime që ende nuk janë arritur, të sigurt se Ai Që i ka udhëhequr ata për të arritur këto triumfe dhe për të sjellë trofe të tilla në Mbretërinë e Tij, do të vazhdojë t'i ndihmojë ata për të pasuruar të drejtën e parësisë së lindjes së tyre shpirtërore në një shkallë që asnjë mendje e kufizuar nuk mund ta imagjinojë ose asnjë zemër njerëzore ta perceptojë.
(Nga një letër e prillit 1956 dërguar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare,
botuar në "Mesazhe për botën Bahá'í 1950-1957", f. 102)
1700. Edhe pse detyra mund të jetë delikate dhe e mundimshme, sado të guximshme e të zgjatura të jenë përpjekjet që kërkohen, cilado qoftë natyra e rreziqeve dhe e kurtheve që qëndrojnë në rrugën e cilitdo që ngrihet për të rigjallëruar shanset e një Besimi që lufton kundër forcave në rritje të materializmit, të nacionalizmit, të shekullarizmit, të racizmit e të kishëtarizmit, fuqia gjithëpushtuese e hirit të Perëndisë, e dhuruar përmes revelacionit të Bahá'u'lláh-ut, do të bëjë që, në mënyrë të padyshimtë, të mistershme e befasuese, cilido që ngrihet për të mbrojtur Kauzën e Tij të arrijë fitore të plotë e totale.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 19 korrik 1956,
shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara,
botuar në "Kështjella e Besimit: Mesazhe për Amerikën 1947-1957", f. 149)
1701. ...mirësia mbështetëse që u është premtuar të gjithë atyre që do të ngrihen, me mendje të mbledhur, me kurajë, me përkushtim e vendosmëri të lartë, për të ndihmuar në arritjen e këtyre objektivave fisnike, ka një forcë të tillë sa asnjë pushtet tokësor nuk mund t'i rezistojë përmbushjes përfundimtare të një detyre kaq të lavdishme, as mund të vonojë dhënien e fryteve të saj.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 27 qershor 1957,
shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Zelandës së Re)
1702. Grupimi i Epërm i vëzhgon ata i gatshëm për t'u ardhur në ndihmë e për t'u dhënë bekimet përpjekjeve të tyre të guximshme e të bashkërenduara. Autori i Planit Hyjnor, siç është premtuar nga Ai në Tabelat e Tij epokale, do t'i ndihmojë ata për të kapërcyer çdo vështirësi që mund të hasin në rrugën e tyre dhe për të kurorëzuar ndërmarrjen e tyre historike me një fitore të bujshme.
Vetë Themeluesi i Besimit të tyre nuk do të mungojë t'i shpërblejë ata, në Mbretërinë e Vet, me urtinë e bujarinë e Tij, për ndihmesën e tyre në përkrahje të interesave të Rendit të Tij gjithbotëror, dhe do t'i lartësojë ata përpara aradhes së shenjtorëve të Tij të pavdekshëm e të heronjve që banojnë në Mbretërinë Abha.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 2 korrik 1957, shkruar
në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Gadishullit Iberik)
Nga letrat e shkruara në emër të Shoghi Effendi-ut
1703. Ndoshta arsyeja që ju nuk keni bërë aq shumë në fushën e mësimit është shkalla e konsideratës suaj për dobësinë e paaftësitë tuaja për të përhapur Mesazhin. Si Bahá'u'lláh-u dhe Mjeshtri, që të dy na kanë shtytur vazhdimisht të mos i përfillim shumë të metat tona dhe të mbështetemi tërësisht te Perëndia. Ai do të na vijë në ndihmë, mjafton që ne të ngrihemi e të bëhemi një kanal aktiv i hirit të Perëndisë. A mendoni se janë mësuesit ata që kthejnë njerëzit dhe ndryshojnë zemrat njerëzore? Jo, sigurisht jo. Ata janë vetëm shpirtra të pastër që bëjnë hapin e parë, dhe pastaj lenë frymën e Bahá'u'lláh-ut t'i verë në lëvizje e t'i përdorë ata. Në rast se ndonjëri prej tyre mendon, qoftë edhe për një çast, se arritjet e tij i detyrohen vetë aftësive të tij, atëherë puna e tij ka marrë fund dhe fillon rënia e tij. Kjo është, në fakt, arsyeja që kaq shumë njerëz kompetentë, pasi kanë bërë shërbime të mrekullueshme, papritur e kanë parë veten absolutisht të pafuqishëm, e ndoshta edhe të flakur mënjanë nga Shpirti i Kauzës si njerëz të pavlefshëm. Kriteri është shkalla që ne jemi të gatshëm të pranojmë vullnetin e Perëndisë të veprojë nëpërmjet nesh.
Prandaj mos vini re më dobësitë tuaja; mbështetuni tërësisht te Perëndia; le të digjet zemra juaj nga dëshira për t'i shërbyer Misionit të Tij dhe për të shpallur thirrjen e Tij; dhe do ta shikoni sesi elokuenca dhe fuqia për të ndryshuar zemrat e njerëzve do të vinë në fakt.
Shoghi Effendi, sigurisht, do të lutet për suksesin tuaj, në qoftë se ju do të ngriheni e të filloni të jepni mësim. Në fakt, thjesht akti i ngritjes do t'ju sigurojë ndihmën dhe bekimet e Perëndisë.
(Datë 31 mars 1932, dërguar një besimtari individual)
1704. Ju kurrë nuk duhet të shihni kufizimet tuaja, aq më pak të lejoni që ato t'ju pengojnë për të përhapur më tej Mesazhin. Sepse besimtarët, qofshin të aftë ose jo, të varfër ose të pasur dhe me influencë ose jo, në fund të fundit s'janë veçse kanale nëpërmjet të cilave Perëndia përçon mesazhin e Tij për njerëzimin. Ata janë instrumente, me anë të të cilave Ai u komunikon vullnetin e Vet njerëzve të Tij. Prandaj miqtë nuk duhet të shohin më mangësitë e tyre në një mënyrë që do të vriste brenda tyre shpirtin e iniciativës e të shërbimit. Ata duhet të kenë besim te ndihma hyjnore që u është premtuar prej Bahá'u'lláh-ut dhe, të forcuar e të rigjallëruar nga një siguri e tillë, të vazhdojnë të përpiqen gjer në fund të jetës së tyre.
(Datë 18 mars 1934, dërguar një besimtari individual)
1705. Ushtritë e padukshme të Mbretërisë janë të gatshme t'ju japin të gjithë juve ndihmën që keni nevojë dhe nëpërmjet tyre ju, padyshim, do t'ia dilni mbanë që të zhdukni çdo pengesë në rrugën tuaj dhe të përmbushni këtë dëshirë kaq të madhe të zemrës suaj. Bahá'u'lláh-u na ka dhënë premtimin që, nëse këmbëngulim në përpjekjet tona dhe e mbështesin tek Ai tërë besimin, dyert e suksesit do të jenë krejt të hapura para nesh...
(Datë 22 shtator 1936, dërguar një besimtari individual)
1706. Sa më shumë të përpiqeni të arrini qëllimin tuaj, aq më të mëdha do të jenë konfirmimet e Bahá'u'lláh-ut dhe aq më të sigurt mund të ndjeheni se do të keni sukses. Jini, pra, të gëzuar dhe veproni me besim e siguri të plotë. Sepse Bahá'u'lláh-u i ka premtuar ndihmën e Tij Hyjnore kujtdo që ngrihet me zemër të pastër e të çinteresuar për të përhapur Fjalën e Tij të shenjtë, edhe sikur ai të jetë i privuar nga çdo dije e aftësi njerëzore, edhe në qoftë se forcat e errësirës e të kundërvënies do të radhiteshin kundër tij. Qëllimi është i qartë, shtegu i parrezikshëm e i sigurt, dhe garancitë e Bahá'u'lláh-ut për suksesin përfundimtar të përpjekjeve tona krejt absolute. Le të mbahemi fort dhe të vazhdojmë me gjithë zemër punën e madhe që Ai ua ka besuar duarve tona.
(Datë 3 shkurt 1937, dërguar një besimtari individual)
1707. Mësuesi Bahá'í duhet të jetë plot besim. Në këtë qëndron forca e tij dhe e fshehta e suksesit të tij. Edhe pse pa ndihmë, dhe sado e madhe qoftë apatia e njerëzve që e rrethojnë, ju duhet të keni besim se ushtritë e Mbretërisë janë në anën tuaj dhe se ju jeni caktuar që me ndihmën e tyre të mposhtni forcat e errësirës që i dalin Kauzës së Perëndisë. Këmbëngulni, pra, jini të lumtur e të sigurt.
(Datë 30 korrik 1937, dërguar një besimtari individual)
1708. ...ai do t'ju këshillonte të këmbëngulni në detyrën që keni për zemër të plotësoni, të bindur se me ndihmën Hyjnore ju shpejt a vonë do të jeni në gjendje të arrini qëllimin tuaj. Mbështetja te Perëndia është me të vërtetë arma më e fuqishme e më e sigurt që mund të ketë mësuesi Bahá'í. Sepse përmes saj asnjë pushtet tokësor nuk mbetet i papushtuar dhe asnjë pengesë nuk është e pakapërcyeshme.
(Datë 27 mars 1938, dërguar një besimtari individual)
1709. Numri i vogël, mungesa e mësuesve me përvojë dhe mjetet e pakta nuk duhet t'i dekurajojnë ose t'i pengojnë ata. Ata duhet të kujtojnë historinë e lavdishme të Kauzës, e cila si në Lindje dhe në Perëndim u vendos nga shpirtra të përkushtuar, të cilët në shumicën e tyre nuk ishin as të pasur, të famshëm ose shumë të shkolluar, por përkushtimi, zelli dhe vetmohimi i të cilëve mposhtën çdo pengesë dhe arritën fitore të mrekullueshme për Besimin e Perëndisë... Le t'ia përkushtojnë po kështu veten ata - të rij e pleq, burra e gra - dhe të shkojnë përpara, të vendosen në krahina të reja, të udhëtojnë e të mësojnë të tjerët pavarësisht nga mungesa e përvojës, dhe të jenë të sigurtë se Bahá'u'lláh-u ka premtuar t'i ndihmojë të gjithë ata që ngrihen në Emër të Tij. Fuqia e Tij do t'i mbështesë ata; dobësia e vetë atyre është e parëndësishme.
(Datë 29 qershor 1941, Asamblenë Shpirtërore Kombëtare
të Bahá'í-ve të Indisë, botuar në "Agimi i një Dite të Re", f. 89)
1710. Bahá'u'lláh-u ka thënë se Perëndia do t'i ndihmojë të gjithë ata që ngrihen për t'i shërbyer Atij. Sa më shumë të punoni për besimin e Tij, aq më shumë Ai do t'ju ndihmojë e do t'ju bekojë.
(Datë 23 nëntor 1941, Bahá'í-ve të Kitos, Ekuador)
1711. Në qoftë se miqtë do të prisnin gjithnjë derisa të ishin plotësisht të kualifikuar për të kryer një detyrë të caktuar, puna e Kauzës do të ishte pothuajse në një pikë të vdekur! Por vetë akti i përpjekjes për të shërbyer, sado i pavlefshëm që të ndjehet njeriu, tërheq bekimet e Perëndisë dhe e aftëson atë për t'u bërë më i përshtatshëm për detyrën.
(Datë 4 maj 1942, dërguar një besimtari individual)
1712. Pasi një grusht njerëzish trima e vetëmohues të jenë ngritur për të shërbyer, shembulli i tyre padyshim do të inkurajojë të tjerë që janë të drojtur, të cilët do të bëhen pionierë për të shkuar në gjurmët e tyre. Historia e Besimit tonë është plot ngjarje për bëma të shquara të kryera nga njerëz shumë të thjeshtë, të parëndësishëm, që me të vërtetë janë bërë fanarë e kulla të fuqisë duke e mbështetur besimin te Perëndia, duke u ngritur për të shpallur Mesazhin e Tij...
(Datë 27 mars 1945, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë)
1713. Sapo miqtë t'i përvishen punës për të arritur qëllimet që përmbahen në Planin e tyre, ata do të gjejnë konfirmimet Hyjnore që i mbështesin ata dhe shpejtojnë kryerjen e tij...
(Datë 9 gusht 1945, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë)
1714. Duket se kudo e kurdoherë që miqtë ngrihen për të shërbyer, pushteti i mistershëm i fshehur në këtë Kauzë Hyjnore vërshon për t'i bekuar e forcuar përpjekjet e tyre shumë më tepër nga shpresat e tyre më optimiste.
(Datë 18 shkurt 1947, dërguar një besimtari individual)
1715. Secili prej nesh, në qoftë se analizon mossukseset tona, me siguri do të ndjehet i pavlefshëm e i dërrmuar, dhe kjo ndjenjë vetëm pengon përpjekjet tona konstruktive dhe na bën të humbasim kohë. Gjëja në të cilën duhet të përqëndrohemi është lavdia e Kauzës dhe Fuqia e Bahá'u'lláh-ut, e cila mund ta kthejë një pikë uji në det të valëzuar.
(Datë 13 tetor 1947, dërguar një besimtari individual)
1716. ...kur ne e mbështesim besimin tonë tek Ai, Bahá'u'lláh-u zgjidh problemet tona dhe na hap rrugën.
(Datë 12 tetor 1949, dërguar një besimtari individual)
1717. Edhe vetëm një person i pjekur, me kuptin shpirtëror e me dije të thellë për Besimin, mund të ndezë flakë një vend të tërë - kaq e madhe është fuqia e Kauzës për të cilën duhet punuar nëpërmjet një kanali të kulluar e vetëflijues.
(Datë 6 nëntor 1949, dërguar një besimtari individual)
1718. Ne kurdoherë duhet të shohim madhështinë e Kauzës dhe të kemi parasysh se Bahá'u'lláh-u do t'i ndihmojë të gjithë ata që ngrihen për t'i shërbyer Atij. Kur shohim vetveten, ne me siguri ndjehemi të dekurajuar për shkak të mangësive e të parëndësisë sonë.
(Datë 12 dhjetor 1950, dërguar një besimtari individual)
1719. Sot, si kurrë më parë, magneti që tërheq bekimet nga lart është shpjegimi i Besimit të Perëndisë. Ushtritë e Qiellit qëndrojnë midis qiellit e tokës, duke pritur me durim që Bahá'í-të të bëjnë përpara, me devocion e përkushtim të kulluar, për të shpjeguar Kauzën e Perëndisë, në mënyrë që të hidhen për t'i ndihmuar e përkrahur. Ruajtësi lutet që Miqtë të mund t'i trefishojnë përpjekjet e tyre, sepse koha është e shkurtër - ndërsa, për fat të keq, punëtorët janë të paktë. Ata që dëshirojnë të arrijnë pavdekësinë, le të bëjnë përpara dhe të lëshojnë Thirrjen Hyjnore. Ata do të habiten me fitoret shpirtërore që do të arrijnë.
(Datë 28 mars 1953, dërguar një besimtari individual)
1720. Ushtritë e Tubimit të Epërm janë radhitur për luftë, të vendosura midis Tokës e Qiellit, të gatshme për t'u hedhur në ndihmë të atyre që ngrihen për të Shpjeguar Besimin. Nëse ndokush kërkon konfirmimin e Shpirtit të Shenjtë, ai mund ta gjejë atë me bollëk në Fushën e Mësimit. Bota po e kërkon këtë si kurrë më parë dhe, në qoftë se Miqtë do të ngrihen me një vendosmëri të re, të përkushtuar tërësisht ndaj detyrës fisnike që kanë përpara, fitore pas fitoresh do të korren për Besimin e Lavdishëm të Perëndisë.
(Datë 2 shkurt 1956, dërguar një besimtari individual)
1721. Miqtë duhet ta kuptojnë Fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, që sot është e dukshme dhe i stimulon ata nëpërmjet shfaqjes së Bahá'u'lláh-ut. Nuk ka forcë të qiellit ose të tokës që mund t'i ndalojë ata, në qotë se e venë tërësisht veten nën ndikimin e Shpirtit të Shenjtë e nën udhëheqjen e tij...
(Datë 11 gusht 1957, dërguar një besimtari individual)
1 Besohet të jetë engjëlli i caktuar që t'i bjerë borisë në Ditën e Ringjalljes për të ngritur të vdekurit me urdhër të Zotit.
2 Kurani 38:11------------------------------------------------------------
---------------------------------------------------------------------------
30