Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Përmbledhje

Asambletë Shpirtërore Lokale
Besueshmëria
Besëlidhja
Direktiva për mësimin
Edukimi Bahá'í
Fondet dhe kontributet Bahá'í
Fuqia e Ndihmës Hyjnore
Gratë
Hukukullahu, e Drejta e Perëndisë
Hukukullahu, Ligji social-ekonomik e shpirtëror i Kitáb-i-Aqdasit (Dr. A.-M. Varqá)
Hukukullahut, Ligji i (Cyrus Alá'í)
Hukukullahut, Një kodifikim i Ligjit të (Departamenti i Kërkimeve)
Jeta e familjës
Konsultimi
Krisa dhe fitorja
Lutje Bahá'í (i vogël)
Lutje Bahá'í
Muzikë
Mësimet për rendin e ri botëror
Mësimi i masave
Ndalimi i pijeve të dëmshme
Njerëzit e shquar
Një jetë e ndershme dhe e shenjtë
Opozitë
Paqe
Përmbledhja e përmbledhjeve
Përmbledhje e Trupës Kontinentale në Evropë
Përsosmëri në të gjitha gjerat
Radio
Rini
Ruajtja e Martesave Bahá'í
Rëndësia e arteve në përhapjen e Besimit
Rëndësia e lutjes, e përsiatjes, dhe e qëndrimit devocional
Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve
Takimet Bahá'í & Festa e 19 Ditëve
Tek Ai do të kthehemi
Thashetheme; Stimulimi dhe Zhvillimi e Komuniteteve Bahá'í
Transformimi shpirtëror
Të jetosh jetën
Të çojmë përpara hyrjen me trupa
Varrimi Bahá'í
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Përmbledhje : Asambletë Shpirtërore Lokale

ASAMBLETË SHPIRTËRORE LOKALE dhe ASAMBLEJA SHPIRTËRORE LOKALE (Përmbledhje) Original Title: 1. The Local Spiritual Assemblies based on extracts of communications from the Universal House of Justice, revised July 1990. 2. The Local Spiritual Assembley, a compilation prepared by the Research Department of the Universal House of Justice. revised 1990 Text: Albanian Përkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të Botimeve Bahá'í (c) Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë Rruga e Dibrës 59 - Tiranë Botimi i parë 1999 - 156 E.B. ASAMBLETË SHPIRTËRORE LOKALE (Bazuar në ekstrakte nga komunikime të Shtëpisë Universale të Drejtësisë) I. Rëndësia e Asamblesë Shpirtërore Lokale: 1 "Ndërkohë që Rendi Administrativ Bahá'í përhapet me shpejtësi në mbarë botën, i takon secilit që është i lidhur me të që të njihet me parimet e tij, të kuptojë rëndësinë e tij dhe të verë në jetë rregullat e tij. Vetëm kur anëtarët individualë të Asambleve Shpirtërore Lokale të thellohen në të vërtetat themelore të Besimit dhe në zbatimin si duhet të parimeve që udhëheqin veprimin e Asamblesë, ky institucion do të rritet e zhvillohet drejt potencialit të plotë të tij". (Nga një letër e datës 11 gusht 1970, drejtuar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare) 2 Institucioni hyjnisht i urdhëruar i Asamblesë Shpirtërore Lokale vepron në nivelet fillestare të shoqërisë njerëzore dhe është njësia administrative bazë e Rendit Botëror të Bahá'u'lláh-ut. Ai ka të bëjë me individë e familje, të cilët duhet vazhdimisht t'i inkurajojë të bashkohen në një shoqëri Bahá'í të veçantë, që merr jetë e ruhet nga ligjet, porositë e parimet e Revelacionit të Bahá'u'lláh-ut. Ai mbron Kauzën e Perëndisë; ai vepron si bariu i dashur i grigjës Bahá'í. "Forcimi dhe zhvillimi i Asambleve Shpirtërore Lokale është një objektiv jetësor... Suksesi i këtij qëllimi do të pasurojë së tepërmi cilësinë e jetës Bahá'í, do të rritë aftësinë e Besimit për të çuar përpara hyrjen me trupa, e cila është duke u kryer edhe tani, dhe, mbi të gjitha, do të tregojë solidaritetin dhe shquarsinë gjithnjë e më të madhe të komunitetit , duke tërhequr kështu gjithnjë e më shumë shpirtra të vëmendshëm ndaj Besimit dhe duke u ofruar një strehë miliona të mbeturve pa udhëheqje e të pafat të rendit të sotëm shpirtërisht të falimentuar e në agoni. ... "Miqve u bëhet thirrje t'i japin me gjithë zemër mbështetjen e bashkëpunimin e tyre Asamblesë Shpirtërore Lokale, fillimisht duke votuar për anëtarët e saj dhe pastaj duke ndjekur energjikisht planet dhe programet e saj, duke iu drejtuar asaj në kohë shqetësimi ose vështirësie, duke u lutur për suksesin e saj dhe duke u gëzuar për rritjen e ndikimit e të nderit të saj. Ky çmim i madh, kjo dhuratë e Perëndisë brenda çdo komuniteti duhet mbajtur gjallë, ushqyer, dashur, ndihmuar e duhet lutur për të. "Një jetë komunitare me themele kaq të forta, kaq e gjallë e fatlume, siç përfytyrohet kur Asambletë Shpirtërore Lokale janë me të vërtetë efektive, do të sigurojë një themel të shëndoshë në vend, nga i cili miqtë mund të gjejnë guxim, forcë e mbështetje të përzemërt në çuarjen e Mesazhit Hyjnor te njerëzit e tjerë dhe në përshtatjen e jetëve të tyre me sundimin dashamirës të tij". (Nga një letër e datës Novruzi 1974, drejtuar Bahá'í-ve të Botës) 3 "Institucioni i Asamblesë Shpirtërore Lokale ka rëndësi të dorës së parë në vendosjen e patundur të Besimit dhe ne shpresojmë se ju do t'i kushtoni vëmendje të veçantë që sa më shumë prej tyre e gjithnjë më tepër të jenë, sipas fjalëve të Ruajtësit të dashur, 'të mbështetura mbi një bazë të gjerë, mbi themele të sigurta' dhe 'të funksionojnë në mënyrë efektive' ". (Nga një letër e datës Novruzi 1974, drejtuar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare) 4 "... ajo veprimtari jetësore e cila do të pasurojë cilësinë e jetës Bahá'í është forcimi i Asambleve Lokale, sepse në këtë institucion, që vepron në nivelin bazë të shoqërisë njerëzore, qëndron mundësia më e madhe për të ushqyer rritjen e shëndoshë e të shëndetshme të komunitetit Bahá'í. Me fjalë të tjera, sado efektivë të jenë Asambleja Kombëtare e njerëzit e saj dhe sado me zell të funksionojnë komitetet kombëtare, vetëm kur Asambletë Shpirtërore Lokale fillojnë të veprojnë fuqimisht mund të sigurohet një bazë e shëndoshë në vend, nga e cila Mesazhi Hyjnor mund të çohet më tej larg". (Nga një letër e datës 3 prill 1974, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Afrikës së Jugut e Perëndimore) 5 "Po kuptohet gjithnjë e më tepër nga miqtë përse ... ka një vënie kaq shumë të theksit te qëndrueshmëria e themelit dhe efektshmëria e veprimit të Asambleve Shpirtërore Lokale. Kjo është shumë inkurajuese, sepse nga shkalla në të cilën anëtarët e këtyre Asambleve kapin domethënien e vërtetë të intuitës hyjnore, falë së cilës ata shërbejnë, ngrihen me vetmohim për të përmbushur detyrat e shenjta që u janë urdhëruar dhe ngulin këmbë në përpjekjet e tyre, varet shumë rritja e shëndetshme e komunitetit mbarëbotëror të Emrit Më të Madh, energjia e shtytjes së jashtme të tij dhe forca e rrënjëve mbi të cilat ai mbështetet". (Nga një letër e datës 25 maj 1975, drejtuar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare) II. Zhvillimi i Asambleve Shpirtërore Lokale: 6 "Asambletë Shpirtërore Lokale janë në kohën e tanishme institucione të porsalindura, që në pjesën më të madhe luftojnë për t'u vendosur si në komunitetin Bahá'í dhe në botë. Ato janë ende vetëm bërthama të institucioneve madhështore të urdhëruara nga Bahá'u'lláh-u në Shkrimet e Tij... "Në shkrimet e Besimit tonë gjejmë të shtjelluar pozitën e lartë që Asambletë Shpirtërore Lokale duhet të arrijnë në zhvillimin e tyre gradual e herë-herë të dhimbshëm... "Ndër objektivat më të spikatur që duhet të arrijë Asambleja Shpirtërore Lokale në procesin e saj të zhvillimit deri në pjekurinë e plotë është që ajo të veprojë si bari i dashur i grigjës Bahá'í, të zhvillojë unitetin e harmoninë midis miqve, të drejtojë punën mësimore, të mbrojë Kauzën e Perëndisë, të kujdeset për Festat, Përvjetorët dhe mbledhjet e rregullta të komunitetit, t'i njohë Bahá'í-të me planet e saj, ta ftojë komunitetin të japë rekomandimet e tij, të çojë përpara mbarëvajtjen e rinisë e të fëmijëve dhe të marrë pjesë, aq sa e lejojnë rrethanat, në veprimtari humanitare. Në marrëdhëniet e saj me besimtarin individual, Asambleja duhet vazhdimisht ta ftojë e inkurajojë atë të studiojë Besimin, të përçojë mesazhin e tij të lavdishëm, të jetojë në pajtim me mësimet e tij, të kontribuojë lirisht e rregullisht për Fondin, të marrë pjesë në veprimtaritë e komunitetit dhe të kërkojë strehë tek Asambleja për këshilla e ndihmë, kur është nevoja për to. "Në takimet e veta ajo duhet të përpiqet të zhvillojë mjeshtrinë në artin e vështirë por shumë të vlefshëm të konsultimit Bahá'í, proces ka që do të kërkojë një vetëdisiplinim të madh nga ana e të gjithë anëtarëve dhe mbështetje të plotë në fuqinë e Bahá'u'lláh-ut. Ajo duhet të bëjë takime të rregullta dhe të marrë masa që të gjithë anëtarët e saj të informohen në kohë për veprimtaritë e Asamblesë, që Sekretari i saj të kryejë detyrat e tij dhe Arkëtari të mbajë e të shpenzojë fondet e Besimit për plotësimin e nevojave të këtij, duke mbajtur llogari të rregullta dhe duke dhënë kuitanca për të gjitha kontributet. Shumë Asamble mendojnë se disa prej veprimtarive të tyre, si mësimi, mbajtja e Festave dhe e Përvjetorëve, zgjidhja e problemeve vetjake e detyra të tjera kryhen më mirë nga komitete të caktuara prej Asamblesë dhe që përgjigjen para saj". (Nga një letër e datës 30 korrik 1972, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bolivisë) 7 "Ka ardhur koha, besojmë ne, që një numër gjithnjë e më i madh Asamblesh Shpirtërore Lokale të marrë përgjegjësi për të ndihmuar punën mësimore të grupeve, të besimtarëve të veçantë dhe të Asambleve të tjera shpirtërore fqinjë. Një shtrirje e tillë e synimeve mësimore duhet t'u caktohet nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare ose nga një prej komiteteve mësimore të saj, ose mund të ndërmerret vullnetarisht nga Asamble Shpirtërore Lokale, dhe të kryhet brenda kuadrit të përgjithshëm të planeve mësimore të vendit. Duhet të bëhet e qartë gjithashtu se duke i dhënë detyra të tilla, asaj Asambleje shpirtërore nuk i jepen kompetenca mbi besimtarë jashtë zonës së saj, aq më pak mbi Asamble Shpirtërore Lokale të tjera, por i kërkohet të bashkëpunojë me to në punën e tyre". (Nga një letër e datës Novruzi 1974, drejtuar Bahá'í-ve të Botës) 8 "Dëshirojmë së tepërmi të shohim çdo Asamble Shpirtërore Lokale ose të adoptojë vullnetarisht synimet e veta ose të mirëpresë ngrohtësisht ato që i janë dhënë apo do t'i jepen nga Asambleja e vet Shpirtërore Kombëtare, të rritë numrin e aderentëve që përbëjnë komunitetin e saj lokal dhe, e udhëhequr nga politika e përgjithshme e përcaktuar nga Asambleja e saj Shpirtërore Kombëtare, të shpallë në mënyrë më efektive Besimin, të ndjekë energjikisht mësimin e tij të shtrirjes dhe synimet për konsolidim, të kujdeset për kremtimin e Ditëve të Shenjta, të zhvillojë rregullisht Festat e saj të Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe mbledhjet e saj për thellim, të fillojë e vazhdojë projektet e komunitetit dhe të inkurajojë pjesëmarrjen e çdo anëtari të komunitetit të vet në kontributin për Fondin, të ndërmarrë veprimtari mësimore e shërbime administrative, që ta bëjë çdo lokalitet një fortesë të Besimit e një pishtar të Besëlidhjes". (Nga një letër e datës 25 maj 1975, drejtuar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare) 9 "Adoptimi i një plani lokal nga Asambleja Lokale mund të ushtrojë një ndikim që shkon larg në punën e saj dhe në jetën e komunitetit". (Nga një letër e datës 24 dhjetor 1975, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Reunionit) III. Roli mbështetës i anëtarëve të Këshillit Ndihmës e të ndihmësave të tyre: 10 Asambletë Shpirtërore Kombëtare, në konsultim me këshilltarët, duhet të përfitojnë nga shërbimet e anëtarëve të Këshillit Ndihmës e të ndihmësve të tyre, të cilët, së bashku "...me mësuesit shëtitës të zgjedhur nga Asambleja ose Komitetet e saj të Mësimit, duhet vazhdimisht të inkurajohen për të zhvilluar kurse thellimi ... dhe për të bërë vizita të rregullta në Asamble Shpirtërore Lokale...." Vizitorët, qofshin ata anëtarë të Këshillit Ndihmës, ndihmës të tyre ose mësues shëtitës, "duhet të marrin takim në raste të tilla jo vetëm me Asamblenë Lokale por, sigurisht, edhe me pjesëtarët e komunitetit lokal, kolektivisht në mbledhje të përgjithshme e madje, po qe e nevojshme, edhe individualisht në shtëpitë e tyre". Temat e bisedave në takime të tilla me Asamblenë Lokale e me miqtë duhet të përfshijnë, ndër të tjera, pikat e mëposhtme: 1. shkallën e përhapjes e të zhvillimit të Besimit sot; 2. rëndësinë e lutjeve zë detyrueshme të përditshme (të paktën të lutjes së shkurtër); 3. nevojën për t'i edukuar fëmijët Bahá'í me mësimet e Besimit dhe për t'i inkurajuar ata të mësojnë përmendësh disa prej lutjeve; 4. stimulimin e rinisë për të marrë pjesë në jetën e komunitetit duke zhvilluar biseda etj. dhe duke pasur veprimtaritë e veta, në qoftë se është e mundur; 5. nevojën për t'iu përmbajtur ligjeve të martesës, domethënë nevojën për të pasur një ceremoni Bahá'í, për të marrë pëlqimin e prindërve, për të zbatuar monogaminë; po kështu rëndësinë e mospërdorimit të pijeve intoksikuese e të drogë; 6. Fondin lokal dhe nevojën që miqtë të kuptojnë se akti vullnetar i të kontribuarit për Fondin është edhe një privilegj edhe një obligim shpirtëror. Mund të ketë gjithashtu diskutim të metodave të ndryshme që mund të ndiqen nga miqtë për të lehtësuar kontributet e tyre dhe rrugët që hapen para Asamblesë Lokale që ta përdorë Fondin e saj lokal për t'u shërbyer interesave të komunitetit të vet dhe Kauzës; 7. rëndësinë e Festës së nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe faktin që ajo duhet të jetë një rast i gëzuar e një pikë takimi e mbarë komunitetit; 8. mënyrën e zgjedhjes me aq takime pune sa ç'kërkohet, duke përfshirë të mësuarit e metodave të thjeshta të votimit për analfabetët, të tilla si pasja e një qendre kryesore për votim dhe rregullimi që të ketë një person që di shkrim e këndim, qoftë edhe një fëmijë, i cili të jetë i pranishëm në atë qendër tërë ditën, po qe nevoja; 9. e fundit, por jo më e pakta, punën mësimore aq të rëndësishme, si në lokalitet dhe në qendrat fqinje, si dhe nevojën për t'i thelluar vazhdimisht miqtë në çështjet themelore të Besimit. Duhet bërë që miqtë të kuptojnë se, duke u mësuar Besimin të tjerëve, ata duhet të synojnë jo vetëm ta ndihmojnë shpirtin kërkues të aderojë në Besimin, por edhe ta bëjnë atë një mësues të Besimit e një përkrahës aktiv të tij. "Të gjitha pikat e mësipërme duhen theksuar, sigurisht, brenda kuadrit të rëndësisë së Asamblesë Shpirtërore Lokale, e cila duhet të inkurajohet ta përqëndrojë fuqimisht vëmendjen e saj në këto funksione jetësore dhe të bëhet zemra e komunitetit të lokalitetit të vet, edhe sikur takimet e saj të ngakohen me problemet e komunitetit. Miqtë lokalë duhet ta kuptojnë rëndësinë e ligjit të konsultimit dhe të jenë të vetëdijshëm se pikërisht Asamblesë Shpirtërore Lokale duhet t'i drejtohen, t'u përmbahen vendimeve të saj, të mbështesin projektet e saj, të bashkëpunojnë me gjithë zemër me të në detyrën e saj për të çuar përpara interesat e Kauzës dhe të kërkojnë këshilla e udhëheqjen e saj në zgjidhjen e çështjeve vetjake dhe në gjykimin e debateve, në qoftë se lindin të tilla midis pjesëtarëve të komunitetit". (Nga një letër e datës 2 shkurt 1966, drejtuar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare të angazhuara në punën mësimore masive) 11 "Pikërisht në këtë nivel lokal të jetës së komunitetit Bahá'í, që është vetë themeli i strukturës administrative të Besimit, ne gjejmë shpesh mungesë të forcës e të efektshmërisë së duhur. Ruajtësi ynë i dashur i nxiste Anëtarët e Këshillave Ndihmëse që pikërisht në këtë nivel të vendosin kontakte me Asamble Shpirtërore Lokale, me grupe, me qendra të veçanta e me besimtarët individualë dhe, përmes vizitash periodike e sistematike në lokalitete, si dhe me anë të korrespondencës, të ndihmojnë në mbështetjen e interesave të Planit, në zbatimin efikas e të shpejtë të synimeve, të kujdesen për sigurinë e Besimit, të stimulojnë e të forcojnë punën mësimore e të pionierëve, të rrënjosin te miqtë rëndësinë e përpjekjes individuale, të iniciativës e të sakrificës dhe t'i inkurajojnë ata të marrin pjesë në veprimtaritë Bahá'í dhe të jenë të bashkuar në çfarëdo rrethanash". (Nga një letër e datës 17 nëntor 1971, drejtuar Trupave Kontinentale të Këshilltarëve) 12 Synimet e anëtarëve të Këshillave Ndihmës e të ndihmësave të tyre, të përmendura më parë lidhur me shërbimet e ndihmësave, "...duhet të jenë që të aktivizojnë e të inkurajojnë Asambletë Shpirtërore Lokale, të tërheqin vëmendjen e anëtarëve të Asamblesë Shpirtërore Lokale për rëndësinë e mbajtjes së takimeve të rregullta, të inkurajimit të komuniteteve lokale që të mblidhen për Festën e nëntëmbëdhjetë Ditëve e për Ditët e Shenjta, të ndihmojnë për të thelluar kuptimin e Mësimeve nga bashkëbesimtarët e tyre,..." (Nga një letër e datës 7 tetor 1973, drejtuar Bahá'í-ve të botës) 13 "Ne jemi të bindur se institucioni i Trupave të Këshilltarëve do të japë mbështetjen e tij jetësore dhe, përmes kontakteve të vetë Këshilltarëve me miqtë, përmes Këshillave Ndihmëse e ndihmësave të anëtarëve të tyre, do të ushqejnë rrënjët e çdo komuniteti lokal, do të pasurojnë e kultivojnë tokën e njohjes së mësimeve dhe do ta ujitin atë me ujërat e gjalla të dashurisë për Bahá'u'lláh-un. Kështu fidanët do të rriten e të bëhen pemë të fuqishme dhe pemët do të japin frytin e tyre të artë". (Nga një letër e datës 25 maj 1975, drejtuar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare) IV. Synime që sugjerohen për Asambletë Shpirtërore Lokale: 14 "Çdo plan duhet të ketë një afat dhe synime të posaçme, të shprehura me preferencë e po qe e mundur në shifra. Për një Asamble Shpirtërore Lokale do të ishte më mirë, të paktën në fazat e para të zhvillimit të saj, të kishte një afat prej nëntë muajsh ose një viti. Sigurisht, është gjithashtu krejt e mundur të ketë një numër planesh me afate shumë të shkurtra, të themi tre ose katër muajsh secili, gjatë vitit. "Shembujt e synimeve lokale që renditen më poshtë janë në formë pyetjesh që çdo Asamble mund t'i bëjë vetes, ose mund të drejtohet në këtë nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare. Pyetjet kanë për qëllim të çojnë në adoptimin e një synimi të posaçëm. Një shënim shpjegues pason temat që mund të kenë nevojë për sqarim ose koment. A) Mësimi 1. Sa besimtarë të rinj? (Plani bën thirrje për një "rritje të madhe në numrin e besimtarëve" dhe të individëve pohues "nga çdo shtresë e shoqërisë". Ideali për çdo komunitet lokal është të dyfishohet çdo vit, duke qenë se çdo besimtar, në përputhje me dëshirën e Mjeshtrit, duhet të sjellë në Kauzën e Perëndisë një shpirt për çdo vit. Në disa zona kjo mund të jetë në fillim një projekt ambicioz dhe fillimisht mund të adoptohet një synim më modest). 2. Sa takime rreth vatrës? (Shoghi Effendiu i nxiste miqtë të mbajnë një takim rreth vatrës çdo nëntëmbëdhjetë ditë në shtëpitë e tyre. Miqtë që dëshirojnë t'i përgjigjen kësaj dëshire mund t'i japin emrat e tyre Asamblesë Lokale). 3. A mund të merret një zotim për veprimtari mësimore të zgjeruara jashtë zonës lokale të juridiksionit? (Është e qartë se vetëm Asamble Lokale të forta mund përballojnë një synim të tillë). B) Shpallja 4. A janë mjetet e informimit publik si radio, televizioni dhe shtypi të përdorshme nga Asambleja Lokale? A mund të adoptohet një synim për veprimtari të tilla? 5. A mund të parashikohen takime publike? Në qoftë se po, sa? 6. Çfarë metodash mund të adoptohen për përhapjen e literaturës Bahá'í, si shpërndarje librash në libraritë lokale, etj. ...? A mund të shprehet ky synim në një formë nxitëse? 7. A mundet komuniteti lokal të marrë pjesë në veprimtaritë sociale e humanitare të shoqërisë, pjesë e së cilës ai është? A mund të ndërmerret një hap modest në këtë drejtim? C) Konsolidimi 8. A mund të rritet prania e miqve në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve? Po lidhur me Përvjetorët? A mund të shprehet rritja e pranisë numerikisht, p.sh. me përqindje të atyre që marrin pjesë? 9. A mund të bëhen takime të rregullta në përfitim të miqve lokalë? Në qoftë se po, sa shpesh dhe kur? (Në përmbledhjen e kohëve të fundit për "Takimet" dërguar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare, 'Abdu'l-Bahá-i i porosit miqtë të zhvillojnë takime të tilla si një veprimtari e "përhershme" dhe lavdëron takimet javore. Ai i këshillon vazhdimisht besimtarët të lexojnë e recitojnë Fjalët e Shenjta në takime të tilla dhe të zhvillojnë biseda për mësimet, provat dhe historinë e Besimit). 10. A mund të mbahen seanca të përditshme lutjeje herët në mëngjes? Nëse po, ku dhe kur? (Në qoftë se kjo nuk mund të bëhet çdo ditë, mund të bëhet një përpjekje për të mbajtur seanca të tilla më rrallë. Në takime të tilla devocionale mund të lexohen jo vetëm lutje, por edhe pjesë të zgjedhura të përshtatshme nga Shkrimet e Shenjta. Bahá'u'lláh-u ka vënë në dukje se nga Fjala e Perëndisë "duhet të varet të mbledhurit së bashku dhe rilindja shpirtërore e të gjithë njerëzve", se "çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë ka një fuqi të tillë që mund të futë jetë të re në çdo trup njerëzor" dhe se sikur njeriu të "shijonte ëmbëlsinë e fjalëve që buzët e Mëshirëplotit kanë dashur të shqiptojnë, ai, edhe po të zotëronte të gjitha thesaret e tokës, do të hiqte dorë prej të gjitha atyre pa përjashtim, që të rivendikonte të vërtetën qoftë edhe vetëm të një prej porosive të Tij". Pikërisht për shkak të konsideratave të tilla Plani Pesëvjeçar i fton miqtë të mësojnë përmendësh pjesë të zgjedhura nga Shkrimet. Në qoftë se një besimtar e ka të vështirë të mësojë përmendësh, ai mund të inkurajohet të bëjë për përdorim vetjak të tij një përzgjedhje ekstraktesh, sado të shkurtra qofshin, të cilat mund t'i rilexojë në kohën e lirë për të kënaqur shpirtin e tij të brendshëm). 11. A mund të inkurajohen veprimtari të rinisë? Nëse po, në ç'mënyrë? 12. A mund të caktohen veprimtari e mësime për fëmijët? Në qoftë se po, a mund të adoptohet një synim i posaçëm? 13. A mund të përballohen veprimtaritë e rinisë? A mund të shprehet kjo në formën e një synimi? 14. A është komuniteti mjaft i fortë për të vendosur një Haziratul Kuds [Hazíratu'l-Quds] lokal? 15. A mund të sigurohet e të mbahet një dhurim lokal dhe mundësisht të përdoret si një investim për komunitetin? 16. Si mund të inkurajohen kontributet lokale për Fondin lokal? A mund të adoptohet një objektiv? 17. A mundet komuniteti lokal të shërbejë si mikpritës për një konferencë distrikti të komuniteteve e të lokaliteteve fqinjë? 18. A mundet Asambleja Lokale të nxjerrë një buletin lajmesh të rregullt? " Kur synimet janë vendosur përfundimisht, është me rëndësi që ato t'u njoftohen miqve. Nuk duhet harruar që Shoghi Effendiu dëshironte së tepërmi të shihte çdo besimtar të përfshirë në shërbimin Bahá'í, në mënyrë që të arrihet pjesëmarrja universale. Do të ishte shumë efektive nëse Asambleja Lokale, para një njoftimi të tillë, të caktonte komitete lokale dhe secilit prej tyre t'i ngarkonte një degë të veprimtarisë ose një a më shumë nga synimet lokale. Nuk është nevoja që komitete të tilla të përbëhen prej shumë anëtarësh. Kur caktimi i komiteteve është bërë, Asambleja Lokale do të jetë plotësisht e përgatitur t'ia njoftojë synimet e saj dhe caktimin e komiteteve komunitetit në një Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve ose në një takim të komunitetit të thirrur posaçërisht". (Përgatitur për t'u përfshirë bashkë me një letër të datës 24 dhjetor 1975, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Reunionit) Rishikuar në korrik 1990 ASAMBLEJA SHPIRTËRORE LOKALE (Përmbledhje) I. Themelimi dhe pozita: 1 ...Zoti ka porositur që në çdo qytet të ngrihet një Shtëpi e Drejtësisë, ku do të mblidhen këshilltarë që kapin numrin e Bahá-it, dhe në qoftë se ky numër kalohet nuk ka rëndësi. Atyre u takon të jenë të besuarit e të Mëshirshmit midis njerëzve dhe ta konsiderojnë veten si ruajtësit e caktuar nga Perëndia për gjithçka që jeton mbi tokë... (Bahá'u'lláh, i cituar në një letër të datës 5 mars 1922 të shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932 [bot. i rish.], Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1980), f. 21) 2 Duke iu drejtuar kombeve, Bukuria e Lashtë ka urdhëruar që në çdo qytet të botës të ngrihet një shtëpi në emër të drejtësisë, ku do të mblidhen shpirtra të dëlirë e të qëndrueshëm në numrin e Emrit Më të Madh. Në këtë tubim ata duhet të ndiehen sikur të kishin hyrë në Prani të Perëndisë, përderisa ky urdhër i detyrueshëm ka rrjedhur nga Penda e Atij Që është i Lashti i Kohëve. Shikimi i Perëndisë është drejtuar ndaj kësaj Asambleje. (Bahá'u'lláh - përkthim i përkohshëm) 3 'Abdu'l-Bahá-i është i angazhuar vazhdimisht në komunikim të përsosur me çdo Asamble Shpirtërore që është krijuar falë bujarisë hyjnore dhe anëtarët e së cilës, me përkushtimin më të madh, kthehen ndaj Mbretërisë hyjnore dhe janë të qëndrueshëm në Besëlidhjen. Me to ai është i bashkuar me gjithë zemër dhe me to është i lidhur nga lidhje të përjetshme.... ("Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", [bot. i rish.] (Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1982), nr.46, f. 89) 4 Këto Asamble Shpirtërore ndihmohen nga Fryma e Perëndisë. Mbrojtësi i tyre është 'Abdu'l-Bahá. Ai shtrin Krahët e Tij mbi to. A ka bujari më të madhe se kjo? Këto Asamble Shpirtërore janë llampa të ndritshme e kopshte qiellore, prej nga aromat e shenjtërisë përhapen mbi të gjitha vendet dhe drita e dijes derdhet mbi të gjitha krijesat. Prej tyre rrjedh në çdo drejtim shpirti i jetës. Ato janë me të vërtetë burimet e fuqishme të përparimit njerëzor në çdo kohë e në të gjitha kushtet. ('Abdu'l-Bahá, i cituar në librin "Perëndia kalon pranë", bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1987), f. 332) 5 ... ka rëndësi shumë të madhe që, në përputhje me atë që thuhet shprehimisht në "Qitapi Akdas" [Kitáb-i-Aqdas], Librin Më Të Shenjtë, në çdo lokalitet, qoftë ky qytet ose fshat, ku numri i besimtarëve të rritur (21 vjeç e lart) është mbi nëntë,1 të ngrihet pa vonesë një "Asamble Shpirtërore" lokale. Asaj duhet t'i paraqiten drejtpërdrejt e menjëherë për shqyrtim të plotë e vendim të gjitha çështjet lokale që kanë të bëjnë me Kauzën. Rëndësia, madje nevoja absolute e këtyre Asambleve lokale bëhet e dukshme kur kuptojmë se në ditët që do të vijnë ato do të shndërrohen në Shtëpi lokale të Drejtësisë... (Nga një letër e datës 12 mars 1923, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës, të Australazisë, të Francës, të Gjermanisë, të Ishujve Britanikë, të Italisë, të Japonisë e të Zvicrës, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 37) 6 Le të sjellim ndërmend sigurimet e qarta e të përsëritura shpesh se çdo Asamble, e zgjedhur në atë atmosferë të rralluar të vetmohimit e të shkëputjes, në të vërtetë është e caktuar nga Perëndia, se verdikti i saj është me të vërtetë i frymëzuar, se të gjithë pa përjashtim duhet t'i nënshtrohen vendimit të saj pa rezerva e me ngazëllim. (Nga një letër e datës 23 shkurt 1924, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 65) 7 Të emërtuara "Asamble Shpirtërore", emër që me kalimin e kohës do të zëvendësohet me titullin e tyre të përhershëm e më përshkrues "Shtëpi të Drejtësisë", që u ka dhënë autori i Revelacionit Bahá'í; të ngritura, pa asnjë përjashtim, në çdo qytet të madh e të vogël e në çdo fshat, ku banojnë nëntë ose më shumë besimtarë të rritur; të zgjedhura çdo vit e drejtpërsëdrejti, ditën e parë të Festës Bahá'í më të madhe, nga të gjithë besimtarët e rritur, burra e gra njëlloj; të veshura me një autoritet që i bën ato të mos përgjigjen për veprimet e vendimet e tyre para atyre që i zgjedhin; të lidhura nga betimi solemn për të ndjekur, në të gjitha kushtet, diktatet e "Drejtësisë Më të Madhe", vetëm e cila është në gjendje të hapë portën e "Paqes së Madhe", që Bahá'u'lláh-u ka shpallur e që duhet të vendoset përfundimisht; të ngarkuara me përgjegjësinë për të mbështetur në çdo kohë interesat më të mira të komuniteteve që ndodhen brenda juridiksionit të tyre, për t'i njohur ato me planet e veprimtaritë e tyre e për t'i ftuar ato të bëjnë çdo rekomandim që dëshirojnë; të vetëdijshme për detyrën e tyre jo më pak jetësore për të treguar, përmes bashkëpunimit me të gjitha lëvizjet liberale e humanitare, karakterin universal e përfshirës të Besimit të tyre; të shkëputura krejtësisht nga të gjitha organizatat sektare, fetare a shekullare qofshin; të ndihmuara nga komitete të emëruar çdo vit nga to dhe drejtpërsëdrejti përgjegjës para tyre, çdonjërit prej të cilëve i është caktuar për studim e veprim një degë e veçantë e veprimtarisë Bahá'í; të mbështetura nga fonde lokale për të cilat kontribuojnë vullnetarisht të gjithë besimtarët; këto Asamble, përfaqësueset dhe ruajtëset e Besimit të Bahá'u'lláh-ut, të cilat në kohën e tanishme janë disa qindra dhe anëtarësia e të cilave është me prejardhje nga raca, bindje e klasa të ndryshme që përbëjnë komunitetin mbarëbotëror Bahá'í, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit kanë treguar gjerësisht, falë arritjeve të tyre, të drejtën për t'u parë si forcat kryesore të shoqërisë Bahá'í dhe si themeli bazë i strukturës së saj administrative. (Shoghi Effendi, "Perëndia kalon pranë", f. 331) 8 Që Asambletë Shpirtërore të sotme do të zëvendësohen me kohë me Shtëpitë e Drejtësisë dhe janë në të vërtetë të njëjtat, e jo dy organe të veçanta, kjo është konfirmuar gjerësisht nga Vetë 'Abdu'l-Bahá-i. Në fakt, në një Tabelë drejtuar anëtarëve të së parës Asamble shpirtërore të Çikagos, organit të parë të zgjedhur Bahá'í të ngritur në Shtetet e Bashkuara, Ai u referohet atyre si anëtarë të "Shtëpisë së Drejtësisë" për atë qytet, dhe kështu ka përcaktuar me pendën e Vet jashtë çdo dyshimi njëjtësinë e Asambleve shpirtërore të sotme Bahá'í me Shtëpitë e Drejtësisë, të cilave u referohet Bahá'u'lláh-u. Për arsye që nuk është e vështirë të zbulohen, është parë e udhës t'u jepet përfaqësueseve të komuniteteve Bahá'í në gjithë botën emri i përkohshëm i Asambleve shpirtërore, një term i cili, ndërkohë që pozita dhe qëllimet e Besimit Bahá'í do të kuptohen më mirë e do të njihen në mënyrë më të plotë, do të zëvendësohet gradualisht nga emërtimi i përhershëm e më i përshtatshëm Shtëpi e Drejtësisë.... (Shoghi Effendi, "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut: Letra të zgjedhura", bot. i 2-të i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1982), f. 6) II. Anëtarësia - Cilësitë , Zgjedhja: 9 Kur e kthejmë shikimin ndaj cilësive të larta të anëtarëve të Asambleve Bahá'í ... na pushtojnë ndjenjat e pavlefshmërisë e të druajtjes dhe do ta ndienim veten me të vërtetë të shkurajuar, po të mos ishte mendimi ngushëllues që, në qoftë se çohemi të luajmë fisnikërisht rolin tonë, çdo e metë në jetën tonë do të kompensohej, madje më shumë se kompensohej, nga shpirti i hirit e i fuqisë së Tij. Prandaj është detyrë e delegatëve të zgjedhur të mendojnë pa as më të voglën gjurmë pasioni e paragjykimi, dhe pavarësisht nga çdo loj konsiderate materiale, për emrat vetëm të atyre që mund të kombinojnë në veten e tyre cilësitë e nevojshme të besnikërisë së padiskutueshme, të përkushtimit vetmohues, të një mendjeje të stërvitur, të aftësisë së njohur e të përvojës së pjekur.... (Nga një letër e datës 3 qershor 1925, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar delegatëve e të ftuarve në kuvendin e Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 88) 10 Përsa i përket pyetjes tjetër që keni bërë ju për cilësitë e anëtarëve të Asamblesë Shpirtërore: ka një dallim me rëndësi themelore, i cili duhet mbajtur gjithmonë parasysh lidhur me këtë, dhe ky është dallimi midis Asamblesë Shpirtërore si institucion dhe personave që e përbëjnë atë. Nuk supozohet kurrsesi se këta janë të përsosur, dhe as mund të konsiderohen ata se qëndrojnë në vetvete më lart se shokët e tyre besimtarët e tjerë. Pikërisht për arsye se u nënshtrohen të njëjtave kufizime njerëzore që karakterizojnë pjesëtarët e tjerë të komunitetit, ata duhet të zgjidhen çdo vit. Ekzistenca e zgjedhjeve është një tregues i mjaftueshëm se anëtarët e Asamblesë, edhe pse janë pjesë e një institucioni që është hyjnor e i përsosur, ata vetë megjithatë janë të papërsosur. Por kjo nuk do të thotë medoemos se gjykimi i tyre është i mangët. Sepse, ashtu siç e ka theksuar në mënyrë të përsëritur 'Abdu'l-Bahá-i, Asambletë Bahá'í ndodhen nën udhëheqjen dhe mbrojtjen e Perëndisë. Zgjedhjet, veçanërisht kur janë të përvitshme, i japin komunitetit një mundësi të mirë për të korrigjuar çdo mangësi ose papërsosuri nga e cila mund të vuajë Asambleja për shkak të veprimeve të anëtarëve të saj. Kështu, është gjendur një metodë e sigurt me anën e së cilës cilësia e anëtarëve të Asambleve Bahá'í të ngrihet e të përmirësohet vazhdimisht. Por, siç e thamë më sipër, institucioni i Asamblesë Bahá'í kurrsesi nuk duhet të njëjtësohet, ose thjesht të vlerësohet, me cilësitë vetjake të anëtarëve që e përbëjnë atë. (Nga një letër e datës 15 nëntor 1935, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar dy besimtarëve) 11 ...Unë mendoj se përmendja e personaliteteve para zgjedhjes do të shkaktonte keqkuptime e mosmarrëveshje. Ajo që duhet të bëjnë miqtë është të njihen mirë me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë mendime, të takohen lirisht e të diskutojnë midis tyre për kërkesat e cilësitë për një anëtarësi të tillë, por pa iu referuar ose pa përmendur, qoftë edhe krejt tërthorazi, individë të veçantë. Ne nuk duhet të ndikojmë mbi mendimin e të tjerëve, të mos mbledhim vota për ndonjë individ të veçantë, por të theksojmë nevojën për t'u njohur plotësisht me cilësitë për anëtarësinë që përmenden në Tabelat e të Shumëdashurit tonë, si dhe të mësojmë më shumë për njëri-tjetrin përmes përvojës sonë vetjake të drejtpërdrejtë sesa nëpërmjet thënieve e mendimeve të miqve tanë. (Nga një letër e datës 14 maj 1927, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Lokale, botuar në "Bahá'í News" 18 (Qershor 1927), f. 9). 12 Këto Asamble Shpirtërore lokale duhet të zgjidhen drejtpërsëdrejti nga miqtë dhe çdo besimtar i deklaruar, me moshë 21 vjeç e lart, në vend që të rrijë mënjanë e të mbajë një qëndrim indiferent ose të pavarur, duhet ta shohë si detyrë të shenjtë të tij të marrë pjesë me ndërgjegje e zell në zgjedhjen, konsolidimin dhe funksionimin efektiv të Asamblesë së vet lokale. (Nga një letër e datës 12 mars 1923, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës, të Australazisë, të Francës, të Gjermanisë, të Ishujve Britanikë, të Italisë, të Japonisë e të Zvicrës, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 39) 13 ...zgjedhësit ...i bëhet thirrje të mos votojë për asnjeri përveç atyre që lutja dhe reflektimi e kanë frymëzuar të mbështesë. ...praktika e caktimit, aq e dëmshme për atmosferën e një zgjedhjeje të heshtur e me lutje, shihet me mosbesim përderisa i jep të drejtën shumicës së një organi që, në vetvete, në rrethanat e tanishme, shpesh përbën një pakicë të të gjithë delegatëve të zgjedhur, të mohojë atë të drejtë që Perëndia i ka dhënë çdo zgjedhësi për të votuar vetëm në favor të atyre që ai është i bindur në mënyrë të vetëdijshme se janë kandidatët më të denjë.... (Nga një letër e datës 27 maj 1927, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botur në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 136) III. Konsultimi i përbashkët - Funksionet: 14 Ato e kanë për detyrë të këshillohen së bashku dhe të kujdesen për interesat e shërbëtorëve të Perëndisë, për hir të Tij, ashtu siç kujdesen për interesat e veta, dhe të zgjedhin atë që është e përshtatshme dhe e pëlqyeshme. Kështu ju ka urdhëruar Zoti Perëndia juaj... Hapni sytë se mos shmangni atë që është reveluar qartë në Tabelat e Tij. Rrini në frikë të Zotit, o ju që kuptoni! (Bahá'u'lláh, i cituar në një letër të datës 5 mars 1922, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botur në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 21) 15 Kur janë në mbledhje, atyre u takon të bisedojnë, në emër të shërbëtorëve të Perëndisë, për çështje që kanë të bëjnë me punët dhe interesat e të gjithëve. Ata duhet, për shembull, t'i japin përparësi shpjegimit të Kauzës së Perëndisë, meqenëse është një çështje me rëndësi supreme, në mënyrë që të gjithë njerëzit, si një shpirt i vetëm, të hyjnë në Tempullin e Unitetit dhe mbarë njerëzimi të bëhet si një trup i vetëm. Po kështu, ata duhet të shqyrtojnë çështje të tilla si përsosja e sjelljes, ruajtja e dinjitetit njerëzor, zhvillimi i qyteteve dhe sistemi i qeverisjes që Perëndia e ka bërë një mburojë për vendiet e Tij e një fortesë për njerëzit e Tij. Shpjegimi i Kauzës duhet parë, në përshtatje me kushtet e veçanta të çdo kohe e epoke, me synimin se çfarë është më e favorshme për ta çuar atë përpara, dhe po kështu për çështjet e tjera; pastaj çdo gjë që vendoset duhet të vihet në zbatim. Por duhet pasur kujdes që asgjë të mos bëhet në kundërshtim me vargjet e shenjta të dërguara në këtë Manifestim të lavdisë së pavdekshme. Sepse çdo gjë që i vetmi Perëndi i vërtetë - u lartësoftë Lavdia e Tij! - u ka urdhëruar shërbëtorëve të Vet është për të mirën e tyre më të madhe. Ai, me të vërtetë, është më i dashur ndaj jush sesa jeni ju ndaj vetvetes. Ai, me të vërtetë është i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari. Po t'u binden këta shpirtra kushteve të urdhëruara, ata me siguri do të ndihmohen përmes dhuratave të Tij të padukshme. Kjo është me të vërtetë një çështje, dobia e së cilës do t'i përfshijë të gjithë... (Bahá'u'lláh) 16 'Kërkesat kryesore për ata që këshillohen bashkërisht janë pastërtia e qëllimit, ndriçimi i shpirtit, shkëputja nga çdo gjë tjetër veç Perëndisë, tërheqja ndaj Aromave të Tij Hyjnore, përvuajtja e përunjësia midis të dashurve të Tij, durimi i pamposhtur në përballimin e vështirësive dhe shërbimi ndaj Pragut të Tij të Lavdëruar. Po qe se ndihmohen me dashamirësi për të fituar këto atribute, atyre do t'u falet fitorja prej Mbretërisë së padukshme të Bahá-it.'2a Në kohën e tanishme mbledhjet për t'u konsultar kanë rëndësi shumë të madhe dhe janë një nevojë jetësore. Bindja ndaj tyre është thelbësore dhe e detyrueshme. Pra, 'anëtarët duhet të këshillohen së bashku në mënyrë të tillë që të mos lindë asnjë rast mërie ose mosmarrëveshjeje. Kjo arrihet kur çdo anëtar shpreh me liri absolute mendimin e vet dhe parashtron argumentin e tij. Po qe se ndonjëri kundërvihet, ai nuk duhet kurrsesi ta ndiejë veten të lënduar, sepse rruga e drejtë mund të zbulohet vetëm mbasi të gjitha çështjet të jenë diskutuar plotësisht. Shkëndia ndriçuese e së vërtetës vjen vetëm pas përplasjes së mendimeve të ndryshme. Në qoftë se pas diskutimit një vendim merret njëzëri, kjo është shumë mirë; por në qoftë se, mos e dhëntë Zoti, lindin divergjenca mendimesh, atëherë duhet të mbizotërojë shumica e votave.'2b ('Abdu'l-Bahá, i cituar në një letër të datës 5 mars 1922, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 21-22) 17 Sa herë që hyni në dhomën e këshillit, thuajeni këtë lutje me zemrën që ju rreh nga dashuria për Perëndinë dhe me gjuhën të pastruar nga gjithçka veç kujtimit të Tij, që i Gjithëpushtetshmi t'ju ndihmojë me dashamirësi për të arritur fitoren më të lartë. "O Perëndi, Perëndia im! Ne jemi shërbëtorë të Tu që janë kthyer me përkushtim ndaj Fytyrës Sate të Shenjtë, që e kanë shkëputur veten nga gjithçka veç Teje në këtë Ditë të lavdishme. Ne jemi mbledhur në këtë Asamble Shpirtërore, të bashkuar në pikëpamjet e mendimet tona, me qëllimet tona të harmonizuara për të lartësuar Fjalën Tënde midis njerëzimit. O Zot, Perëndia ynë! Bëna ne shenjat e Udhërrëfimit Tënd Hyjnor, Flamurët e Besimit Tënd të lavdëruar midis njerëzve, shërbëtorë të Besëlidhjes Tënde të fuqishme, O Ti Zoti ynë më i Larti, manifestime të Unitetit Tënd Hyjnor në Mbretërinë Tënde Abhá dhe yje vezullues që shkëlqejnë mbi të gjitha vendet. Zot! Ndihmona të bëhemi dete që ngrihen me valët e Mirësisë Sate të mahnitshme, rrëke që rrjedhin nga Lartësitë e Tua lavdiplote, fryte të bukura në pemën e Kauzës Sate qiellore, pemë që tunden nga flladet e Bujarisë Sate në Vreshtin Tënd qiellor. O Perëndi! Bëji shpirtrat tanë të varur prej Vargjeve të Unitetit Tënd Hyjnor, gëzoji zemrat tona me vërshimet e Mirësisë Sate, që ne të bashkohemi si dallgët e një deti dhe të shkrihemi së bashku si rrezet e Dritës Sate të shkëlqyeshme; që mendimet tona, pikëpamjet tona, ndjenjat tona të bëhen si një realitet i vetëm, që manifeston frymën e unitetit në mbarë botën. Ti je i Hirshmi, Bujari, Dhuruesi, Fuqiploti, i Mëshirshmi, Zemërdhembshuri". ('Abdu'l-Bahá, i cituar në një letër të datës 5 mars 1922, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 20-21) 18 ...Kushti i parë është dashuria e harmonia absolute midis anëtarëve të asamblesë. Ata duhet të jenë krejt të zhveshur nga çdo ndjenjë ftohtësie ndaj njëri-tjetrit dhe të shprehin në veten e tyre Unitetin e Perëndisë, sepse ata janë valë të një deti, pika uji të një lumi, yje të një qielli, rreze të një dielli, pemë të një pemishteje, lule të një lulishteje. Në qoftë se nuk ka harmoni mendimi e unitet absolut, ai grumbullim duhet shpërndarë dhe ajo asamble duhet kthyer në hiç. Kushti i dytë: Kur mblidhen bashkë, ata duhet ta kthejnë shikimin ndaj Mbretërisë atje Lart dhe të kërkojnë ndihmë nga Sfera e Lavdisë. Ata duhet pastaj të shprehin pikëpamjet e tyre me përkushtimin, mirësjelljen, dinjitetin, kujdesin e moderimin më të madh. Në çdo çështje ata duhet të kërkojnë të vërtetën e jo të ngulin këmbë në mendimin e vet, sepse kokëfortësia e këmbëngulja në pikëpamjen që ka një njeri çon në fund të fundit në mosmarrëveshje e grindje dhe e vërteta mbetet e fshehur. Anëtarët e nderuar duhet t'i shprehin krejt lirisht mendimet e veta, dhe nuk është e lejueshme të nënvleftësosh mendimin e tjetrit; jo, secili duhet të parashtrojë të vërtetën me moderim, dhe në qoftë se lindin divergjenca, atëherë duhet të mbisundojë shumica e votave dhe të gjithë duhet t'i binden shumicës. Nuk është e lejuar, gjithashtu, që cilido nga anëtarët e nderuar të kundërshtojë ose të censurojë, në mbledhje ose jashtë saj, një vendim që është arritur më parë, edhe në qoftë se mendimi nuk është i drejtë, sepse një kritikë e tillë do të pengonte çdo vendim që të bëhet i detyrueshëm. Me pak fjalë, çdo gjë që rregullohet në frymën e harmonisë dhe me dashuri e motive të pastra, sjell dritë, ndërsa po të mbizotërojë edhe gjurma më e vogël e ftohtësisë rezultati do të jetë errësira mbi errësirë.... Po ta shohë çështjen në këtë mënyrë, kjo asamble do të jetë e Perëndisë, në të kundërtën ajo do të çojë në ftohtësi e veçim që vjen nga i Mallkuari.... ('Abdu'l-Bahá, i cituar në një letër të datës 5 mars 1922, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 22) 19 Të gjitha diskutimet duhen kufizuar në çështje shpirtërore që kanë të bëjnë me përgatitjen e shpirtrave, me shkollimin e fëmijëve, me lehtësimin e gjendjes së të varfërve, me ndihmën për të dobëtit nga të gjitha klasat në botë, me dashamirësinë për të gjithë popujt, me përhapjen e aromave të Perëndisë dhe lartësimin e Fjalës së Tij të Shenjtë. Nëse ata përpiqen t'i përmbushin këto kushte, Hiri i Shpirtit të Shenjtë do t'u akordohet atyre dhe ajo asamble do të bëhet qendër e bekimeve Hyjnore, ushtritë e konfirmimit Hyjnor do të vinë në ndihmë të tyre dhe ata do të kenë çdo ditë një vërshim të ri të Shpirtit. ('Abdu'l-Bahá, i cituar në një letër të datës 5 mars 1922, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 22-23) 20 Një lexim i vëmendshëm i fjalëve të Bahá'u'lláh-ut e të 'Abdu'l-Bahá-it për detyrat dhe funksionet e Asambleve Shpirtërore në çdo vend (që më vonë do të emërtohen si Shtëpi lokale të Drejtësisë) tregon në mënyrë të prerë natyrën e shenjtë të tyre, sferën e gjerë të veprimtarisë së tyre dhe përgjegjësinë e madhe që rëndon mbi to. ... Çështja e Mësimit, drejtimi, mënyra e mjetet, shtrirja e konsolidimi i tij, megjithëse janë thelbësore për interesat e Kauzës, nuk përbëjnë kurrsesi të vetmin problem që duhet të tërheqë vëmendjen e këtyre Asambleve. Një studim i kujdesshëm i Tabelave të Bahá'u'lláh-ut e të 'Abdu'l-Bahá-it do të tregojë se detyra të tjera, jo më pak jetësore për interesat e Kauzës, u ngarkohen përfaqësuesve të zgjedhur të miqve në çdo lokalitet. Ata duhet të jenë vigjilentë e të kujdesshëm, të matur e syhapur, dhe ta mbrojnë kurdoherë Tempullin e Kauzës nga heshtat e ngatërrestarëve dhe nga sulmet e tërbuara të armikut. Ata duhet të përpiqen të përkrahin miqësinë e mirëkuptimin midis miqve, të fshijnë nga çdo zemër çdo gjurmë të mosbesimit, të ftohtësisë e të largimit që ende ka mbetur dhe të sigurojnë, në vend të kësaj, një bashkëpunim me gjithë shpirt për t'i shërbyer Kauzës. Ata duhet të bëjnë gjithçka që kurdoherë t'u zgjatin dorën e ndihmës të varfërve, të sëmurëve, invalidëve, jetimëve, të vejave, pavarësisht nga ngjyra, kasta e bindjet. Ato duhet të përkrahin me të gjitha mënyrat ndriçimin material, si dhe atë shpirtëror, të rinisë, mjetet për shkollimin e fëmijëve, të themelojnë, atje ku është e mundur, institucione arsimore Bahá'í, të organizojnë e të mbikqyrin punën e tyre dhe të sigurojnë metodat më të mira për përparimin e zhvillimin e tyre. ... Ato duhet të ngarkohen me organizimin e takimeve të rregullta të miqve, të festave e të përvjetorëve, si dhe të mbledhjeve të posaçme që kanë për qëllim t'u shërbejnë interesave shoqërore, intelektuale e shpirtërore të bashkëqytetarëve të tyre. ... Këto radhiten ndërmjet detyrimeve më të rëndësishme të anëtarëve të çdo Asambleje Shpirtërore.... (Paragrafi i parë është nga një letër e datës 5 mars 1922, e shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f 20) Pjesa tjetër është nga një letër e datës 12 mars 1923, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës, të Australazisë, të Francës, të Gjermanisë, të Ishujve Britanikë, të Italisë, të Japonisë e të Zvicrës, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 37-39) 21 ...ai mendon se ju duhet t'i drejtoheni Asamblesë suaj Lokale në konfidencë të plotë dhe të kërkoni ndihmën e këshillën e tyre. Këto organe kanë detyrimin e shenjtë t'i ndihmojnë, t'i këshillojnë dhe t'i udhëheqin besimtarët me të gjitha rrugët e mundshme, kur këta u drejtohen - me të vërtetë ato janë krijuar pikërisht me qëllimin që të mbajnë rregullin, unitetin dhe bindjen ndaj ligjit të Perëndisë midis besimtarëve. Ju duhet të shkoni tek ata si një fëmijë te prindërit e tij... (Nga një letër e datës 28 shtator 1941, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 22 Bahá'u'lláh-u ka dhënë premtimin se në çdo Asamble ku sundojnë uniteti e harmonia, fryma e Tij e lavdishme jo vetëm do të jetë e pranishme atje, por do të gjallërojë, mbështesë e udhëheqë të gjithë miqtë në të gjitha diskutimet e tyre. Pikërisht për unitetin Ruajtësi u ka bërë vazhdimisht thirrje miqve. Sepse atje ku do të ketë unitet, praktikisht asgjë nuk mund t'u kundërvihet forcave të zhvillimit konstruktiv e t'i pengojë ato... (Nga një letër e datës 17 nëntor 1933, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asambleve Shpirtërore Lokale në Evanston dhe Wilmette, Ilinois SH.B.A., botuar në "Bahá'í News" 190 (Dhjetor 1946), f. 1) 23 Anëtarët e këtyre Asambleve, nga ana e tyre, duhet të lenë krejtësisht mënjanë simpatitë e antipatitë e tyre, interesat dhe prirjet e veta personale dhe ta përqëndrojnë mendjen tek ato masa që do të çojnë në mirëqenien e lumturinë e Komunitetit Bahá'í dhe në begatinë e përgjithshme. (Nga një letër e datës 12 mars 1923, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës, të Australazisë, të Francës, të Gjermanisë, të Ishujve Britanikë, të Italisë, të Japonisë e të Zvicrës, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 41) 24 Le të kujtojmë gjithashtu se në vetë rrënjët e Kauzës qëndron parimi i së drejtës së padyshimtë të individit për t'u vetëshprehur, liria e tij për të deklaruar vetëdijën e tij dhe për të parashtruar pikëpamjet e tij.... ... Dhe kur atyre u kërkohet të arrijnë në një vendim të caktuar, ata duhet, pas një konsultimi të qetë, plot merak e të përzemërt të kthehen ndaj Perëndisë me lutje, dhe me zell, bindje e guxim të japin votën e tyre e t'i përmbahen zërit të shumicës, i cili, na thotë Mjeshtri ynë, është zëri i së vërtetës, që kurrë nuk duhet kundërshtuar dhe gjithmonë duhet zbatuar me gjithë shpirt. Këtij zëri miqtë duhet t'i përgjigjen me gjithë zemër dhe ta shohin atë si të vetmin mjet që mund të sigurojë mbrojtjen dhe përparimin e Kauzës. (Nga një letër e datës 23 shkurt 1924, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara, botur në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 63-64) 25 Bahá'í-ve nuk u kërkohet të votojnë në një Asamble kundër ndërgjegjes së tyre. Është më mirë në qoftë se ata i nënshtrohen pikëpamjes së shumicës dhe e bëjnë atë të njëzëshme. Por ata nuk janë të detyruar të veprojnë kështu. Ajo që ata duhet të bëjnë është t'i përmbahen vendimit të shumicës, sespse është ky që hyn në fuqi. Ata nuk duhet të sillen vërdallë e të minojnë Asamblenë duke thënë se nuk pajtohen me vendimin e shumicës. Me fjalë të tjera, ata duhet të venë në plan të parë Kauzën e jo mendimet e veta. Ai (anëtari i Asamblesë Shpirtërore) mund t'i kërkojë Asamblesë ta rishqyrtojë çështjen, por nuk ka të drejtë t'i detyrojë ata ose të krijojë dizarmoni meqë ata nuk ndryshojnë mendim. Votimi njëzëri është i parapëlqyeshëm, por sigurisht nuk mund t'u imponohet anëtarëve të Asamblesë me metoda artificiale, si ato që përdoren në shoqëri të tjera. (Nga një letër e datës 19 tetor 1947, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut,drej tuar një besimtari individual, botuar në "Bahá'í News" 202 (Dhjetor 1947), f. 3) 26 Por para se shumica e Asamblesë të marrë një vendim, nuk është vetëm e drejta, por edhe detyrë e shenjtë e çdo anëtari të shprehë lirisht e hapur pikëpamjet e tij, pa u druajtur se mos bën të pakënaqur ose tëhuan ndonjë prej miqve anëtarë. Duke pasur parasysh këtë parim të rëndësishëm administrativ të konsultimit të sinqertë e të hapur, Ruajtësi do t'ju këshillonte të hiqnit dorë nga metoda e të kërkuarit nga anëtarë të tjerë që të thonë mendimin e sugjerimet tuaja. Kjo mënyrë e tërthortë e shprehjes së mendimeve para Asamblesë jo vetëm krijon një atmosferë fshehtësie që është krejt e huaj për frymën e Kauzës, por gjithashtu çon në keqkuptime e ndërlikime. Anëtarët e Asamblesë duhet të kenë kurajë për bindjet e tyre, por duhet gjithashtu të shprehin bindje të përzemërt e pa rezerva ndaj gjykimit e porosive të mirëpritura të shumicës së shokëve të tyre anëtarë. (Nga një letër e datës 28 tetor 1935, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 27 Prandaj miqtë nuk duhet të dekurajohen nga ndryshimet në mendime që mund të mbizotërojnë midis anëtarëve të një Asambleje, sepse këto, siç e ka treguar përvoja dhe siç e vërtetojnë fjalët e Mjeshtrit, kryejnë një funksion me vlerë në të gjitha diskutimet e Asamblesë. Por pasi është përcaktuar mendimi i shumicës, të gjithë anëtarët duhet automatikisht e pa rezerva t'i binden atij dhe ta zbatojnë me besnikëri. Sido që të jetë, durimi e përmbajtja duhen të karakterizojnë kurdoherë diskutimet e shkëmbimin e mendimeve të përfaqësuesve të zgjedhur të komunitetit lokal, dhe nuk duhen lejuar, në çfarëdo rrethanash qoftë, diskutime të pafrytshme e meskine. (Nga një letër e datës 18 prill 1939, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 28 Ka vetëm një parim mbi bazën e të cilit të zhvillohet puna e një Asambleje, dhe ai është epërsia e vullnetit të shumicës. Vendimet e shumicës duhen adoptuar e zbatuar me guxim nga Asambleja, pa marrë fare parasysh kapjen kokëfortë të ndonjë pakice pas pikëpamjeve të veta. (Nga një letër e datës 20 nëntor 1941, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 29 Ai ... u vuri në dukje atyre se qëndrimi "të gjithë për një dhe një për të gjithë" ishte shumë i gabuar. Një Asamble përbën brenda zonës së juridiksionit të saj të Besuarit e Besimit. Anëtarët e saj duhet kurdoherë të vënë interesat e Besimit mbi personin dhe të shqyrtojnë në mënyrë të paanshme çdo çështje që i paraqitet vëmendjes së saj. Teorikisht është gjithmonë e mundur që një anëtar i një Asambleje të jetë i padenjë ose i pasinqertë. T'i përmbahesh qëndrimit se çdo fajësim ose akuzë që bëhet kundër anëtarit të një Asambleje është një akuzë kundër vetë këtij organi, kjo është shumë e gabuar. Asambleja duhet të mbrojë Besimin dhe as të akuzojë verbërisht as të mbrojë verbërisht një prej anëtarëve të saj.... Bahá'í-të duhet të mësohen të harrojnë personat dhe të kapërcejnë dëshirën - aq të natyrshme te njerëzit - për të marrë anën e dikuj dhe të luftojnë për të. Ata duhet gjithashtu të mësojnë të përdorin me të vërtetë parimin e madh të konsultimit. Ka një kohë të lënë posaçërisht në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve që Komuniteti të shprehë pikëpamjet e veta dhe t'i bëjë sugjerime Asamblesë së tij; Asambleja dhe besimtarët duhet të presin me padurim këtë periudhë fatlume diskutimi dhe as t'i druhen asaj e as ta ndrydhin atë. Po kështu, anëtarët e Asamblesë duhet të konsultohen plotësisht dhe në vendimet e tyre të vënë në plan të parë interesat e Kauzës e jo personat, duke mbisunduar vullneti i shumicës. Një prej ilaçeve shëruese që Bahá'u'lláh-u i ka dhënë një bote të sëmurë është Asambleja (e cila në të ardhmen do të bëhet një Shtëpi e Drejtësisë); anëtarët e saj kanë përgjegjësi shumë të shenjta e të mëdha, fuqia e saj për të udhëhequr Komunitetin, për të mbrojtur e ndihmuar anëtarët e tij është po kështu shumë e madhe. (Nga një letër e datës 30 qershor 1949, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë e të Austrisë) IV. Pjesëmarrja dhe dorëheqja: 30 ...është tepër e qartë që, po qe se një anëtar nuk mund të ndjekë rregullisht takimet e Asamblesë Lokale të tij, do të ishte e pamundur që ai të kryente detyrat që i janë ngarkuar dhe të përmbushte përgjegjësitë e tij si përfaqësues i komunitetit. Anëtarësia në një Asamble Shpirtërore Lokale shoqërohet me detyrimin dhe mundësinë për të qëndruar në lidhje të ngushtë me veprimtaritë lokale Bahá'í dhe me aftësinë për të marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e Asamblesë. (Nga një letër e datës 16 shkurt 1935, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Parimet e Administrimit Bahá'í: Përmbledhje", bot. i parë indian (New Dehli: Trusti Botues Bahá'í, 1982), f. 51) 31 ...është krijim i një precedenti të rrezikshëm t'i lejosh Asambletë të caktojnë një kufi kohor të mospjesëmarrjes së anëtarëve të tyre në takimet e A. Shp., pas të cilit ai person përjashtohet automatikisht nga Asambleja dhe shpallet një vend vakant... Nuk mund të ketë kufi kohor të caktuar nga Asambletë, pas të cilit një person përjashtohet. Çdo rast i mospranisë së gjatë në mbledhjet e Asamblesë duhet të shqyrtohet veçanërisht nga ajo Asamble, dhe në qoftë se shihet që personi nuk dëshiron të marrë pjesë në takimet, ose qëndron larg tyre për një kohë të pacaktuar për shkak sëmundjeje ose udhëtimi, atëherë mund të deklarohet në mënyrë të ligjshme një vend vakant dhe të zgjidhet një anëtar i ri. (Nga një letër e shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar një individi, botuar në "Bahá'í News" 208 (Qershor 1948), f. 7) 32 Përsa i përket pyetje suaj nëse do të ishte e lejueshme për një besimtar të japë dorëheqjen nga Asambleja Lokale: në rrethana të posaçme, si sëmundja, ai mund ta bëjë këtë, por vetëm pas dhe kurrë më parë se të jetë zgjedhur anëtar i Asamblesë. Mosmarrëveshjet e mospajtimet personale midis anëtarëve të Asamblesë nuk përbëjnë sigurisht një bazë të mjaftueshme për një dorëheqje të tillë dhe, padyshim, nuk mund të justifikojnë mungesën në takimet e Asamblesë. Përmes përplasjes së mendimeve personale, siç ka thënë 'Abdu'l-Bahá-i, shpesh herë ndizet shkëndia e së vërtetës dhe revelohet udhërrëfimi Hyjnor.... (Nga një letër e datës 18 prill 1939, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 33 Ilaçi kundër dizarmonisë në Asamble nuk mund të jetë dorëheqja ose mospjesëmarrja e cilitdo qoftë prej anëtarëve të saj. Ajo duhet të mësojë, pa marrë parasysh elementët shqetësues, të vazhdojë të funksionojë si një e tërë, përndryshe gjithë sistemi do të diskreditohej për shkak të futjes së përjashtimeve nga rregulli. (Nga një letër e datës 20 nëntor 1941, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) V. Asambleja - Marrëdhëniet me besimtarët: 34 Le të mbajmë gjithashtu parasysh se idea kyç e Kauzës së Perëndisë nuk është autoriteti diktatorial por shoqëria e përunjur, nuk është pushteti arbitrar por fryma e konsultimit të sinqertë e plot dashuri. Asgjë, veç frymës së një Bahá'í të vërtetë, nuk mund të shpresojë të pajtojë parimet e mëshirës e të drejtësisë, të lirisë e të nënshtrimit, të shenjtërisë së të drejtës së individit e të vetëdorëzimit, të vigjilencës, të maturisë e të urtisë, nga njëra anë, dhe të shoqërisë, të çiltërsisë e të guximit, nga ana tjetër. Detyrat e atyre që miqtë i kanë zgjedhur lirisht e në mënyrë të ndërgjegjshme si përfaqësues të vet, nuk janë më pak jetësore e detyruese sesa detyrimet e atyre që i kanë zgjedhur ata. Funksioni i tyre nuk është të diktojnë, por të konsultohen, dhe të konsultohen jo vetëm me njëri-tjetrin, por sa më shumë që të jetë e mundur me miqtë që ata përfaqësojnë. Ata nuk duhet ta shohin veten ndryshe, veçse si instrumente të zgjedhur për një paraqitje më efektive e më dinjitoze të Kauzës së Perëndisë. Ata kurrë nuk duhet të priren të supozojnë se janë stolitë qendrore të trupit të Kauzës, qenësisht superiorë ndaj të tjerëve në aftësi ose merita, dhe promotorët e vetëm të mësimeve e të parimeve të saj. Ata duhet ta kryejnë detyrën e tyre me përunjësinë më të madhe dhe të përpiqen që me gjerësinë pa paragjykime të tyre, me ndjenjën e tyre të lartë të drejtësisë e të detyrës, me çiltërsinë, thjeshtësinë e tyre, me përkushtimin e plotë ndaj mbarëvajtjes e interesave të miqve, ndaj Kauzës e njerëzimit, të fitojnë jo vetëm besimin, mbështetjen e respektin e vërtetë të atyre që ata duhet t'u shërbejnë, por edhe stimën e dashurinë e vërtetë të tyre. Ata kurdoherë duhet të shmangin frymën e ekskluzivitetit, atmosferën e fshehtësisë, ta çlirojnë veten nga qëndrimi dominues dhe të flakin çdo formë paragjykimi e pasioni në diskutimet e tyre. Ata duhet që, brenda kufijve të pjekurisë, të bisedojnë në konfidencë me miqtë, t'i njohin ata me planet e tyre, të ndajnë me ta problemet e shqetësimet që kanë dhe të kërkojnë mendimin e këshillën e tyre.... (Nga një letër e datës 23 shkurt 1924, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 63-64) 35 Cilësia e parë për udhëheqje, si midis individëve dhe Asambleve, është aftësia për të shfrytëzuar energjinë e kompetencën që ekzistojnë në masën e pasuesve të tij. Përndryshe pjesëtarët më kompetentë të grupit do të ndryshojnë drejtim dhe do të kërkojnë diku gjetkë një fushë pune ku ata mund të venë në përdorim energjinë e tyre. Shoghi Effendiu shpreson se Asambletë do të bëjnë të gjitha përpjekjet për planifikimin e veprimtarive të tilla mësimore, që çdo shpirt i veçantë të jetë i zënë. (Nga një letër e datës 30 gusht 1930, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë) 36 Administruesit e Besimit të Perëndisë duhet të jenë si barinjtë. Qëllimi i tyre duhet të jetë të largojnë të gjitha dyshimet, keqkuptimet dhe mospajtimet e dëmshme që mund të shfaqen në komunitetin e besimtarëve. Dhe ata mund ta arrijnë këtë në mënyrë të përshtatshme po qe se janë të frymëzuar nga një ndjenjë e vërtetë dashurie për sivëllezërit e tyre, të shoqëruar me një vendosmëri të patundur për të vepruar me drejtësi në të gjitha rastet që u paraqiten për të shqyrtuar. (Nga një letër e datës 9 mars 1934, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 37 Nuk ka detyrë më ngutësisht të nevojshme sesa sigurimi i harmonisë e i miqësisë së plotë ndërmjet miqve, veçanërisht midis Asambleve Lokale dhe besimtarëve individualë. Asabletë Lokale duhet të ngjallin besim te besimtarët individualë, dhe këta, nga ana e vet, duhet të shprehin gatishmërinë për t'iu bindur plotësisht vendimeve e orientimeve të Asamblesë Lokale. Të dyja palët duhet të mësojnë të bashkëveprojnë dhe ta kuptojnë se vetëm përmes një bashkëveprimi të tillë institucionet e Kauzës mund të funksionojnë në mënyrë efektive e të përhershme. Ndërsa bindja ndaj Asamblesë Lokale duhet të jetë e padiskutueshme e me gjithë zemër, megjithatë ky organ duhet t'i zbatojë vendimet e veta në mënyrë të tillë që të shmangë përshty- pjen sikur frymëzohet nga motive diktatoriale.Fryma e Kauzës është ajo e bashkëveprimit të ndërsjellë, dhe jo fryma e një diktature. (Nga një letër e datës 9 mars 1934, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) VI. Besimtarët - Marrëdhëniet me Asamblenë: 38 Është e detyrueshme që secili të mos bëjë asnjë hap pa u konsultuar me Asamblenë Shpirtërore dhe ata, natyrisht, duhet t'u binden me zemër e me shpirt kërkesave të saj e t'i nënshtrohen, në mënyrë që gjërat të rregullohen ashtu si duhet. Ndryshe, çdo njeri do të veprojë në mënyrë të pavarur e sipas gjykimit të vet dhe do të dëmtojë Kauzën. ('Abdu'l-Bahá, i cituar në një letër të datës 5 mars 1922, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 21) 39 ...të gjitha çështjet pa asnjë përjashtim, që kanë të bëjnë me interesat e Kauzës në ... [një] lokalitet, duhet t'i paraqiten, individualisht ose kolektivisht, vetëm Asamblesë Shpirtërore të atij lokaliteti, e cila duhet të vendosë lidhur me to, veç po qe një çështje me interes kombëtar dhe në këtë rast duhet t'i parashtrohet Organit Kombëtar.... (Nga një letër e datës 5 mars 1922, e shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f 23) 40 Me qëllim që të shmangen ndarja e përçarja, që Kauza të mos bjerë pre e interpretimeve në konflikt e të humbasë kështu pastërtinë dhe forcën e saj fillestare, që punët e saj të mund të zhvillohen në mënyrë efektive e me shpejtësi, është e nevojshme që secili me ndërgjegje të marrë pjesë aktive në zgjedhjen e këtyre Asambleve, t'i përmbahet vendimit të tyre, të zbatojë urdhrin e tyre dhe të bashkëpunojë me to me gjithë zemër në detyrën e tyre për të stimuluar rritjen e Lëvizjes në të gjitha rajonet.... (Nga një letër e datës 12 mars 1923, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës, të Australazisë, të Francës, të Gjermanisë, të Ishujve Britanikë, të Italisë, të Japonisë e të Zvicrës, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 41) 41 Unë miratoj plotësisht dhe mbështes me gjithë zemër e pa rezerva parimin të cilit i referoheni ju, se personalitetet nuk duhet të bëhen qendra rreth së cilave të vërtitet komuniteti, por t'i nënshtrohen e të varen nga komuniteti në çdo rrethanë e sado të mëdha të jenë meritat e tyre ndaj Asambleve të ndërtuara drejt. Ju dhe bashkëpunëtorët tuaj kurrë nuk mund ta mbivlerësoni ose ta mbitheksoni këtë parim kardinal të Administrimit Bahá'í. (Nga një letër e datës 11 prill 1933, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Parimet e Administrimit Bahá'í: Përmbledhje", f. 58) 42 Përsa i përket parimit që Kauza nuk duhet lejuar të sillet rreth ndonjë personaliteti Bahá'í, Ruajtësi dëshiron ta bëjë të qartë se kjo kurrë nuk ka dashur të thotë se mësuesit individualë shumë të kualifikuar nuk duhet të marrin nga Asambletë Lokale çdo inkurajim e lehtësi për t'iu drejtuar publikut. Ajo që Ruajtësi ka pasur parasysh është se një folës i tillë nuk duhet lejuar kurrë të eklipsojë autoritetin, ose të pakësojë ndikimin, e organit të përfaqësuesve të zgjedhur në çdo komunitet lokal. Një individ i tillë, duhet jo vetëm të kërkojë miratimin, këshillën dhe ndihmën e organit që përfaqëson Kauzën në lokalitetin e tij, por edhe të përpiqet t'ia atribuojë çdo kredi që mund të fitojë urtisë e aftësisë kolektive të Asamblesë, në juridiksionin e së cilës ai kryen shërbimet e tij. Asambletë e jo individët përbëjnë themelin shkëmbor mbi të cilin është ndërtuar Administrimi. Çdo gjë tjetër duhet t'i nënshtrohet dhe të bëhet që t'u shërbejë e të çojë përpara interesat më të mira të këtyre ruajtësve e mbështetësve të zgjedhur të Ligjit të Bahá'u'lláh-ut. (Nga një letër e datës 12 gusht 1933, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual, botuar në "Parimet e Administrimit Bahá'í: Përmbledhje", f. 19) 43 Përsa i përket konsultimit: Çdo person mund t'i parashtrojë një çështje Asamblesë për konsultim, do apo nuk do pala tjetër. Për çështje që prekin Kauzën Asambleja duhet, po qe se e gjykon të nevojshme, të ndërhyjë edhe në qoftë se të dyja palët nuk e duan këtë, sepse tërë qëllimi i Asambleve është të mbrojnë Besimin, Komunitetet, si dhe Bahá'í-të individualë. (Nga një letër e datës 17 tetor 1944, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual, botuar në "Bahá'í News"177 (Nëntor 1945), f. 2) 44 Besimtarët duhet të mësojnë t'u drejtohen më shpesh Asambleve të tyre për këshilla e ndihmë dhe në një datë të mëparshme, ndërsa Asambletë, nga ana tjetër, duhet të veprojnë me më shumë vigjilencë e me ndjenjë më të madhe përgjegjësie të Komunitetit para çdo situate që mund të dëmtojë prestigjin e Besimit në sytë e publikut. Kur Asambleja i ka marrë vendimet, ato duhen zbatuar besnikërisht e me vullnet nga të gjithë ata që kanë të bëjnë me to. (Nga një letër e datës 13 mars 1944, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 45 Një prej parimeve themelore që përfshihet në Rendin tonë Administrativ, i cili, të mos e harrojmë, do të bëhet modeli i Rendit tonë Botëror, është që edhe në qoftë se një Asamble merr një vendim të pamenduar, ai duhet mbështetur me qëllim që të ruhet uniteti i Komunitetit. Vendimi i Asamblesë Lokale mund të apelohet në Asamblenë Kombëtare... Por parimi i autoritetit me të cilin janë të veshura organet tona të zgjedhura duhet mbështetur. Kjo nuk është diçka e cila mund të mësohet pa e përjetuar e provuar.... (Nga një letër e datës 30 qershor 1949, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë e të Austrisë) 46 Besimtarët duhet të kenë besim në drejtimin dhe urdhrat e Asamblesë së tyre, edhe në qoftë se mund të mos jenë të bindur për drejtësinë e tyre. Pasi Asambleja, me shumicë votash të anëtarëve të saj, merr një vendim, miqtë duhet t'i binden atij me gatishmëri. Veçanërisht ata anëtarë brenda Asamblesë që nuk janë dakord dhe kanë mendim të kundërt me atë të shumicës së shokëve të tyre anëtarë, duhet të japin një shembull të mirë para komunitetit duke sakrifikuar pikëpamjet e tyre personale për hir të bindjes ndaj parimit të votës së shumicës, që qëndron në themel të funksionimit të të të gjitha Asambleve Bahá'í. (Nga një letër e datës 28 tetor1935, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 47 Asambleja mund të bëjë një gabim, por, siç ka vënë në dukje Mjeshtri, në qoftë se Komuniteti, ose Bahá'í individual, nuk u përmbahet vendimeve të saj, përfundimi do të jetë më i keq, sepse kjo minon vetë institucionin që duhet forcuar për të mbështetur parimet dhe ligjet e Besimit. Ai na thotë se Perëndia do t'i ndreqë gabimet që janë bërë. Ne duhet të kemi besim te kjo dhe t'u bindemi Asambleve tona. Prandaj ai ju porosit me forcë të punoni derejtpërsëdrejti nën Asamblenë tuaj Bahá'í, të pranoni përgjegjësitë si anëtar votues dhe të bëni të gjitha përpjekjet për të krijuar harmoni brenda komunitetit. (Nga një letër e vitit 1949, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 48 Ajo gjë nga e cila Mjeshtri donte t'i mbronte miqtë ishte të grindurit dhe kokëfortësia. Një besimtar mund ta pyesë Asamblenë përse ka marrë një vendim të caktuar dhe me mirësjellje të kërkojë që ta rishikojë atë. Por pas kësaj ai duhet ta lerë me kaq dhe jo të shkaktojë përçarje në punët lokale duke ngulur këmbë në pikëpamjet e veta. Kjo ka të bëjë gjithashtu edhe me një anëtar të Asamblesë. Ne të gjithë kemi të drejtë të kemi mendimet tona, ne jemi të prirur të mendojmë në mënyra të ndryshme; por një Bahá'í duhet të pranojë vendimin e shumicës në Asamblenë e tij, duke e kuptuar se pranimi e harmonia, edhe në qoftë se është bërë ndonjë gabim, janë gjërat me të vërtetë të rëndësishme, dhe kur ne i shërbejmë Kauzës si duhet, sipas mënyrës Bahá'í, në fund Perëndia do të ndreqë çdo gabim që është bërë. (Nga një letër e datës 19 tetor 1947, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual) 49 Ashtu si besimtarët individualë janë të detyruar të mbështesin e përkrahin Asamblenë Shpirtërore Lokale të tyre, për të ruajtur unitetin e Besimit dhe për të forcuar Rendin Botëror të tij ende në embrion, po kështu Asambletë Lokale duhet t'u binden e të mbështesin përfaqësuesit e tyre kombëtarë. Sa më i ngushtë të jetë bashkëpunimi midis Asambleve Lokale e Kombëtare, aq më të mëdha do të jenë forca dhe rrezatimi që mund e që duhet të rrjedhin prej këtyre institucioneve drejt masave të njerëzimit që vuajnë. (Nga një letër e datës 29 korrik 1942, e shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamble Shpirtërore Lokale të Bombeit) VII. Perspektivat e së ardhmes: 50 Duke qenë se aparati administrativ i Kauzës tani është zhvilluar mjaft, se synimi dhe objekti i tij janë kapur e kuptuar goxha mirë dhe se metoda e puna e tij është bërë më e njohur për çdo besimtar, mendoj se ka ardhur koha që ai të përdoret tërësisht e me zell për të çuar më tej përpara qëllimin për të cilin është krijuar. E ndiej fort se duhet arritur që ai t'i shërbejë një qëllimi të dyfishtë. Nga njëra anë, ai duhet të synojë një shtrirje të qëndrueshme e graduale të Lëvizjes në drejtime që janë njëherësh të gjera, të shëndosha e universale; dhe, nga ana tjetër, ai duhet të sigurojë konsolidimin e brendshëm të punës tashmë të kryer.... (Nga një letër e datës 11 maj 1926, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f. 109) 51 Miqtë kurrë nuk duhet ta marrin gabimisht administrimin Bahá'í si një qëllim në vetvete. Ai është thjesht instrumenti i frymës së Besimit. Kjo Kauzë është një Kauzë të cilën Perëndia ia ka reveluar njerëzimit në tërësinë e tij. Ajo është e destinuar t'i sjellë përfitim mbarë gjinisë njerëzore, dhe e vetmja rrugë për ta bërë këtë është të reformojë jetën komunitare të njerëzimit, si dhe të përpiqet të ripërtërijë individin. Administrimi Bahá'í është vetëm forma e parë e asaj që në të ardhmen do të bëhen jeta shoqërore dhe ligjet e jetesës komunitare. Deri tani besimtarët sapo kanë filluar ta kapin e ta praktikojnë atë si duhet. Pra, ne duhet të kemi durim në qoftë se ndonjëherë ai duket pak si i ndruajtur e i ngurtë në punën e tij. Kjo ndodhe sepse ne jemi duke mësuar diçka shumë të vështirë, por shumë të mahitshme - si të jetojmë së bashku si një komunitet Bahá'í-sh, sipas mësimeve të lavdishme. (Nga një letër e datës 14 tetor 1941, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar dy besimtarëve) 52 Është detyra jonë supreme, shumë të dashur bashkëpunëtorë, të vazhdojmë, me një vizion të kthjellët e me zell të pandryshuar, të ndihmojmë në ndërtimin përfundimtar të asaj Godine, themelet e së cilës ka hedhur në zemrat tona Bahá'u'lláh-u, të marrim shpresë e forcë të re nga rryma e ngjarjeve të kohëve të fundit, sado të errëta të jenë efektet e menjëhershme të tyre, dhe të lutemi me zjarr të pashuar që Ai të shpejtojë afrimin e realizimit të atij Vizioni të Mahnitshëm, që përbën rrezatimin më të ndritshëm të Mendjes së Tij dhe frytin më të bukur të qytetërimit më të drejtë që bota ka parë ndonjëherë. (Nga një letër e datës 28 nëntor 1931, e shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Bahá'í-ve të Perëndimit, botuar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut: Letra të zgjedhura", bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1982), f. 48) 53 Dhe tani, kur vështroj në të ardhmen, shpresoj t'i shoh miqtë kurdoherë, në çdo vend, të çdo ngjyrimi mendimi e karakteri, të renditen vullnetarisht e me gëzim rreth qendrave të tyre lokale e sidomos kombëtare të veprimtarisë, duke mbështetur e çuar përpara interesat e tyre me unanimitet e kënaqësi të plotë, me mirëkuptim të përsosur, me entuziazëm të vërtetë dhe me vrull të qëndrueshëm. Kjo është me të vërtetë gëzimi dhe dëshira e vetme e jetës sime, sepse është burimi, nga i cili do të rrjedhin të gjitha bekimet e ardhshme, themeli i gjerë mbi të cilin duhet të mbështetet në fund të fundit siguria e Godinës Hyjnore.... (Nga një letër e datës 24 shtator 1924, e shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës) Rishikuar më 1990 1 Kur numri i besimtarëve është plot nëntë, ata vetë përbëjnë Asamblenë Shpirtërore Lokale, me anë të një deklarate të përbashkët. 2a, b "Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", seks. 43 e 44, f. 78. --------------- ------------------------------------------------------------ --------------- ------------------------------------------------------------


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :