Lëvduar qoftë Emri Yt, O Zot, Perëndia im! Ti e sheh sesi vështrimi im është përqendruar në favoret e Tua plot përkujdesje dhe si i kam ngulur sytë te horizonti i hirit Tënd, sesi duart e mia janë shtrirë drejt qiellit të dhuratave të Tua. Ti më je dëshmitar! Çdo gjymtyrë e trupit tim të thërret Ty dhe thotë: "O Ti që je i Shumëdashuri i botëve dhe Zoti i gjithçkaje në qiell e mbi tokë, e vetmja Dëshirë e zemrave që të janë përkushtuar Ty! Unë të lutem, për Oqeanin Tënd, ku Ti ke thirrur të gjithë banorët e qiellit dhe të gjithë ata që jetojnë mbi tokë, t'i ndihmosh shërbëtorët e Tu të cilëve nuk u është lejuar të shkojnë atje dhe t'u aviten brigjeve të Tij. Bëji, pra, ata, O Perëndia im, të shkëputen nga gjithçka tjetër veç Teje, dhe jepu mundësinë të të thurin lavde Ty e të ngrenë lart virtytet e Tua. Jepu atyre, veç kësaj, O Perëndia im, Verën e zgjedhur të mëshirës Sate, që t'i bëjë ata të harrojnë cilindo qoftë veç Teje, të ngrihen e t'i shërbejnë Kauzës Sate dhe të jenë të patundur në dashurinë e tyre për Ty. Ti je, me të vërtetë, Zoti i jetëve të tyre dhe Objekti i adhurimit të tyre. Në qoftë se ata largohen prej Teje, kush do të kujdeset për ta; dhe në qoftë se ata mërgohen larg Teje, kush do të mund t'i ndihmonte t'i aviteshin Pranisë Sate? Unë betohem për fuqinë Tënde! Asnjë skutë ku të futin kokën nuk ka veç Teje, dhe asnjë strehë nuk gjendet veç strehës Sate, dhe asnjë mbrojtje veç mbrojtjes Sate. Mjer ai që ka marrë si Zot cilindo qoftë veç Teje, dhe lum ata që kanë flakur çdo lidhje me të gjithë banorët e tokës Sate e janë kapur pas cepit të bujarisë Sate. Këta! njerëzit e Bahá-it, para të gjithë atyre që ndodhen në qiell e mbi tokë. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit."
Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i të gjitha botëve.O Perëndi! O Perëndi! Ky është një zog krahëthyer dhe fluturimi i tij është shumë i ngadalshëm - ndihmoje atë që të fluturojë drejt majave të begatisë e të shpëtimit, që ta bëjë rrugën e tij, me gëzimin e lumturinë më të madhe, përmes hapësirës së pakufishme, që ta ngrejë melodinë e tij në Emrin Tënd Më të Lartë në të gjitha krahinat, të kënaqë veshët me këtë thirrje dhe të ndriçojë sytë duke soditur shenjat udhërrëfyese!
O Zot! Unë jam një i vetëm, i vetmuar e i këputur. Nuk ka tjetër mbështetje për mua veç Teje, asnjë që të më ndihmojë përveç Teje dhe asnjë përkrahës veçse Ti. Më mbështet në shërbimin Tënd, më ndihmo me aradhat e engjëjve të Tu, më bëj fitimtar në përhapjen e Fjalës Sate dhe më lejo të shpreh urtinë Tënde midis krijesave të Tua. Me të vërtetë, Ti je përkrahësi i të dobëtit dhe mbrojtësi i të vegjëlve, dhe me të vërtetë, Ti je i Pushtetshmi, i Fuqishmi dhe i Padetyruari!
-`Abdu'l-BaháO Perëndia im, ndihmoje shërbëtorin Tënd të shpallë Fjalën e të flakë atë që është e kotë dhe e rreme, të vendosë të vërtetën, të përhapë ngado vargjet e shenjta, të revelojë shkëlqimet, dhe ta bëjë dritën e mëngjesit të agojë në zemrat e të drejtëve.
Ti je, me të vërtetë, Zemërgjeri, Falësi.O Ti Perëndi i pakrahasueshëm! O Ti Zoti i Mbretërisë! Këta shpirtra janë ushtria Jote qiellore. Ndihmoji ata me aradhat e Grupimit Suprem, bëji ata fitimtarë, në mënyrë që cilido prej tyre të bëhet si një regjiment e t'i pushtojë kombet nëpërmjet dashurisë së Perëndisë dhe ndriçimit të mësimeve hyjnore.
O Perëndi! Bëhu përkrahësi e ndihmësi i tyre dhe në shkretëtirë, në male, në lugina, në pyje, në fusha e në dete bëhu i besuari i tyre - në mënyrë që ata të ngrejnë zërin, përmes pushtetit të Mbretërisë dhe frymës së Shpirtit të Shenjtë!
Me të vërtetë, Ti je i Pushtetshmi, i Fuqishmi dhe Ai që ka në dorë gjithçka, dhe Ti je i Urti, Dëgjuesi dhe Shikuesi.
-`Abdu'l-BaháO Perëndi, Perëndia im! Ndihmoji shërbëtorët e Tu të besuar që të kenë dashuri e dhembshuri në zemrat e tyre. Ndihmoji ata të përhapin, në mes të gjitha kombeve të tokës, dritën e udhëheqjes që vjen nga Kompania qiellore. Me të vërtetë, Ti je i Forti, i Pushtetshmi, i Fuqishmi, Ai që Nënshtron Gjithçka, Gjithmonëdhënësi. Me të vërtetë, Ti je Zemërgjeri, i Ëmbli, i Buti, Më Bujari.
-`Abdu'l-BaháLe ta thonë këtë lutje çdo mëngjes përhapësit e aromave të Perëndisë:
O Zot, Perëndia im! Lëvduar qofsh e faleminderit Ty, sepse Ti më ke udhëhequr në rrugën e madhe të mbretërisë, ke bërë që unë të eci në këtë shteg të drejtë e që çon larg, i ke ndriçuar sytë e mi duke soditur shkëlqimet e dritës Sate, e ke prirur veshin tim ndaj melodive të zogjve të shenjtërisë nga mbretëria e mistereve dhe e ke tërhequr zemrën time me dashurinë Tënde midis të drejtëve.
O Zot! Më mbështet me Shpirtin e Shenjtë, që unë të ngrej zërin në Emrin Tënd midis kombeve dhe të çoj lajmin e mirë të manifestimit të mbretërisë Sate midis njerëzimit.
O Zot! Unë jam i dobët, më forco me pushtetin e fuqinë Tënde. Gjuha ime belbëzon, bëj që unë të shqiptoj përkujtimin e lavdërimet për Ty. Unë jam i përvuajtur, më ndero duke më pranuar në mbretërinë Tënde. Unë jam i largët, bëj që unë të avitem te pragu i përdëllimit Tënd. O Zot! Më bëj mua një llambë që shkëlqen, një yll të shndritshëm e një pemë të bekuar, të stolisur me fruta, me degët që i japin hije të gjitha këtyre anëve. Me të vërtetë, Ti je i Fuqishmi, i Pushtetshmi e i Padetyruari.
-`Abdu'l-Bahá