Lëvduar qoftë Emri Yt, O Zot Perëndia im! Unë të përgjërohem, për Emrin Tënd, përmes të cilit ka rënë Ora dhe ka ndodhur Ringjallja, dhe frika e të dridhurat kanë zënë të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë, të lëshosh nga qielli i mëshirës dhe nga retë e zemërdhembshurisë Sate plot dashuri atë që do të gëzojë zemrat e shërbëtorëve të Tu, që i kanë kthyer fytyrat ndaj Teje dhe kanë ndihmuar Kauzën Tënde.
Ruaji shërbëtorët e Tu dhe shërbëtoret e Tua, O Zoti im, nga shigjetat e fantazisë së kotë e nga imagjinatat boshe, dhe jepu atyre nga duart e hirit Tënd një rrëke të ujrave të qeta të dijes Sate.
Ti, me të vërtetë, je i Gjithëfuqishmi, Më i Lavdëruari, Gjithmonëfalësi, Bujariploti.
-Bahá'u'lláhNë Emër të Tij, të Lavdëruarit, Më të Lartit, Më Fisnikut!
I lavdëruar je Ti, O Zot Perëndia im! O Ti Që je Perëndia im, dhe Mjeshtri im, dhe Zoti im, dhe Mbështetja ime, dhe Shpresa ime, dhe Streha ime, dhe Drita ime. Kërkoj prej Teje që, për Emrin Tënd të Fshehur e të Ruajtur, që askush nuk e di veçse Ti Vetë, të mbrosh prurësin e kësaj Tabele nga çdo fatkeqësi e nga çdo e keqe, dhe nga çdo burrë e grua e djallëzuar; nga e liga e Keqbërësve dhe nga intrigat e jobesimtarëve. Ruaje atë, veç kësaj, O Perëndia im, nga çdo dert e shqetësim, O Ti Që mban në dorën Tënde mbretërinë e të gjitha gjërave. Ti, me të vërtetë, je i pushtetshëm mbi të gjitha gjërat. Ti bën si do Vetë dhe urdhëron ashtu si Të pëlqen.
O Ti Mbret i Mbretërve! O Ti Zot dashamirës! O Ti Burim i bujarisë së lashtë, i hirit, i zemërgjerësisë e i blatimit! O Ti Shërues i sëmundjeve! O Ti Plotësues i nevojave! O Ti Dritë e Dritës! O Ti Revelues i çdo Manifestimi! O Ti Zemërdhembshuri! O Ti i Mëshirshmi! Ki mëshirë për prurësin e kësaj Tabele, me mëshirën Tënde më të madhe dhe me hirin Tënd të pashtershëm, O Ti i Hirshmi, Bujari. Ruaje atë, veç kësaj, me mbrojtjen Tënde, nga çdo gjë që zemra dhe mendja e tij e gjen të neveritshme. Ndër ata që janë të veshur me pushtet, Ti, me të vërtetë, je më i pushtetshmi. Lavdia e Perëndisë qoftë mbi Ty, O ti diell që po lind! Dëshmo për atë që Perëndia ka dëshmuar Vetë, se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Fuqiplotit, Më të Shumëdashurit.
-Bahá'u'lláhO Ti Providencë hyjnore, ne jemi për të të ardhur keq, na jep mbështetjen Tënde; ne jemi endacakë pa shtëpi, na jep strehën Tënde; jemi të shpërndarë, na bashko; jemi në rrugë të shtrembër, na mblidh në vathën Tënde; jemi të braktisur, na dhuro një pjesë e një copë; jemi të etur, na udhëhiq te burimi i Jetës; jemi të brishtë, na forco që të ngrihemi për të ndihmuar Kauzën Tënde dhe për ta ofruar veten si një sakrificë të gjallë në rrugën që na ke treguar.
-`Abdu'l-BaháO Zot, Perëndia im! O Ti Ndihmuesi i të dobtëve, Mbështetësi i të varfërve dhe Shpëtuesi i të pashpresëve që e kanë kthyer fytyrën ndaj Teje.
Me përunjësinë më të madhe, shtrij me lutje duart drejt mbretërisë Sate të bukurisë dhe të drejtohem Ty me zjarr, duke thënë me gjuhën e shpirtit: O Perëndi, Perëndia im! Më ndihmo të të adhuroj Ty; forcoji shpatullat e mia që të të shërbej Ty; më ndihmo me mirësinë Tënde në shërbimin Tënd; më bëj të qëndroj i patundur në bindjen time ndaj Teje; derdhe me bollëk mbi mua bujarinë Tënde, hidhe vështrimin e syrit të dashamirësisë Sate nga unë, dhe më zhyt në oqeanin e mëshirës Sate. Më mbështet në devotshmërinë time ndaj Besimit Tënd dhe më jep më shumë bindje e siguri, që unë të shkëputem krejtësisht nga bota, ta kthej fytyrën me përkushtim të plotë ndaj fytyrës Sate, të forcohem me fuqinë bindëse të provave e të dëshmive dhe, i veshur me madhështi e pushtet, të mund të kaloj tej çdo ane të qiellit e të tokës. Me të vërtetë Ti je i Mëshirshmi, Lavdiploti, i Miri, Zemërdhembshuri.
O Zot! Këta janë ata që mbijetuan prej martirëve të Tu, prej atij reparti shpirtrash të bekuar. Ata kanë përballuar çdo vuajtje dhe kanë treguar durim para padrejtësisë së madhe. Ata kanë braktisur çdo rehati e begati, i janë nënshtruar me dëshirën e vet vuajtjeve e fatkeqësive të tmerrshme në rrugën e dashurisë për Ty, madje ende mbahen robër në kthetrat e armiqve të tyre, që vazhdimisht i torturojnë me vuajtje të padurueshme dhe i shtypin, sepse ata ecin të patundur në rrugën Tënde të drejtë. Askush nuk i ndihmon ata, askush nuk miqësohet me ta. Veç të poshtërve e të ligjve, askush nuk shoqërohet e nuk shkon me ta.
O Zot! Këta shpirtra kanë provuar agoni të hidhur në këtë jetë tokësore dhe, si shenjë të dashurisë së tyre për bukurinë e shndritshme të fytyrës Sate e në zellin për të arritur mbretërinë Tënde qiellore, kanë duruar çdo poshtërim të madh që njerëzit e tiranisë u kanë shkaktuar.
O Zot! Mbushi veshët e tyre me vargjet e ndihmës hyjnore e të një fitoreje të shpejtë, dhe shpëtoji ata nga shtypja e kësaj fuqie aq të tmerrshme. Mbaje dorën e të ligut dhe mos i lër këta shpirtra të shqyhen prej kthetrave e dhëmbëve të bishave të egra, sepse ata i ka pushtuar dashuria për Ty, besojnë në misteret e shenjtërisë Sate, qëndrojnë të përunjur në portën Tënde dhe kanë arritur në oborrin Tënd të lavdëruar.
O Zot! Forcoji mirësisht ata me një frymë të re; ndriçoji sytë e tyre, duke i bërë të aftë të sodisin provat e Tua mahnitëse në errësirën e natës; cakto për ta çdo gjë të mirë që është me bollëk në Mbretërinë Tënde të mistereve të përjetshme; bëji ata të shkëlqyer si yjet që ndriçojnë mbi të gjitha vendet, pemë të begata plot fruta e degëza që lëvizin nga flladet mëngjesore.
Në të vërtetë, Ti je Bujari, i Fuqishmi, Ai që ka në dorë gjithçka, i Padetyruari. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Perëndisë së dashurisë e të mëshirës së dhembshur, Lavdiplotit, Gjithmonëfalësit.
-`Abdu'l-BaháO Perëndi, Perëndia im! Ruaji shërbëtorët e Tu të besuar nga e keqja e egos dhe e pasionit, mbroji ata me syrin vëzhgues të dashamirësisë Sate nga çdo mllef, urrejtje e cmirë, strehoji ata në fortesën e papushtueshme të kujdesit Tënd dhe, të siguruar nga shigjetat e dyshimeve, bëji ata shfaqje të shenjave të Tua të lavdishme, ndriçoji fytyrat e tyre me rrezet e shkëlqyeshme që përhapen nga Agimi i unitetit Tënd hyjnor, gëzoji zemrat e tyre me vargjet e reveluara nga mbretëria Jote e shenjtë, forcoji shpatullat e tyre me fuqinë Tënde gjithësunduese që vjen nga mbretëria Jote e lavdisë. Ti je Bujariploti, Mbrojtësi, i Gjithëfuqishmi, i Hirshmi.
-`Abdu'l-BaháAi është Zemërdhembshuri, Bujariploti! O Perëndi, Perëndia im! Ti më sheh, Ti më njeh mua; Ti je Qielli im dhe Streha ime. Unë nuk kam kërkuar as do të kërkoj askënd veç Teje; nuk kam shkelur as do të shkel asnjë shteg veç shtegut të dashurisë Sate. Në natën e errët të dëshpërimit, syri im drejtohet në pritje e plot shpresë nga agimi i favorit Tënd të pakufishëm dhe në atë çast shpirti im i lëshuar freskohet e forcohet duke kujtuar bukurinë e përsosurinë Tënde. Ai që hiri i mëshirës Sate e ndihmon, edhe në qoftë një pikë e vogël, do të bëhet një oqean i pakufi, dhe atomi më i thjeshtë që vërshimi i dashamirësisë Sate e mbështet do të shkëlqejë si ylli i ndritshëm.
Fute nën mbrojtjen Tënde, O Ti Shpirt i dëlirësisë, Ti që je Dhënësi Bujariplotë, shërbëtorin Tënd të magjepsur e të frymëzuar. Ndihmoje atë në këtë botë të qenies që të qëndrojë fort e i patundur në dashurinë Tënde, dhe bëje këtë zog krahëthyer të gjejë strehë në folenë Tënde hyjnore që ndodhet në pemën qiellore.
-`Abdu'l-Bahá