Të thuhet çdo ditë në mëngjes, në mesditë e në mbrëmje
Cilido që dëshiron të thotë këtë lutje, të lajë duart dhe duke u larë të thotë:
Forcoje dorën time, O Perëndia im, që ajo të mund të mbajë Librin Tënd me një qëndrueshmëri të tillë që ushtritë e botës të mos kenë pushtet mbi të. Ruaje, pra, atë që të mos përziehet me asgjë që s'i përket atij. Ti je, me të vërtetë, Fuqiploti, Më i Pushtetshmi.
Dhe duke larë fytyrën, të thotë:E kam kthyer fytyrën ndaj Teje, O Zoti im! Ndriçoje atë me dritën e pamjes Sate. Mbroje, pra, atë që të mos kthehet ndaj askujt veç Teje.
Pastaj të ngrihet dhe, i kthyer ndaj Kiblës (Pikës së Adhurimit, dmth. Bahxhi-së, 'Akká), të thotë:
Perëndia dëshmon se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij. Të Tijat janë mbretëritë e Revelacionit e të krijimit. Ai, me të vërtetë, ka shfaqur Atë Që është agimi i Revelacionit, Atë që bisedoi në Sinai, Atë përmes të Cilit Horizonti Suprem është ndriçuar dhe Pema e Lotosit, tej së cilës nuk ka kalim, ka folur, Atë me anën e të Cilit të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë u është shpallur: "Ja, Gjithëzotëruesi ka ardhur. Tokë e qiell, lavdi e sundim i përkasin Perëndisë, Zotit të gjithë njerëzve, Zotëruesit të Fronit atje lart e të tokës këtu poshtë!"
Pastaj të përkulet, me duart të mbështetura mbi gjunjë, dhe të thotë:
I lartësuar je Ti mbi lëvdatat e mia e mbi lëvdatat e cilitdo tjetër veç meje, mbi përfytyrimin tim dhe mbi përfytyrimin e të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë!
Pastaj, duke qëndruar në këmbë me duart të hapura, me pëllëmbët lart në drejtim të fytyrës, të thotë:
Mos e zhgënje, O Perëndia im, atë që me gishta lutës kapet pas rrobës së mëshirës Sate e të mirësisë Sate, O Ti Që je Më i Mëshirshmi ndër ata që tregojnë mëshirë!
Pastaj të ulet e të thotë:Unë dëshmoj për unitetin Tënd e për njëshmërinë Tënde, dëshmoj se Ti je Perëndia dhe se nuk ka Perëndi tjetër veç Teje. Ti, me të vërtetë, ke reveluar Kauzën, ke përmbushur Besëlidhjen Tënde dhe ua ke hapur gjerësisht portën e mirësisë Sate të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë. Bekimi e paqja, përshëndetja e lavdia zbritshin mbi të dashurit e Tu, mbi ata që ndryshimet e rastet e botës nuk i kanë penguar ta kthejnë fytyrën ndaj Teje dhe që kanë dhënë gjithçka kishin, me shpresën për të fituar atë që është në Ty. Ti je, me të vërtetë, Gjithmonëfalësi, Bujariploti.
*(Në rast se ndonjëri, në vend të vargut të gjatë, preferon të recitojë këto fjalë: "Perëndia dëshmon se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit", kjo do të ishte e mjaftueshme. Dhe po kështu, do të ishte e mjaftueshme që ai, ndërsa qëndron ndenjur, të recitonte këto fjalë: "Unë dëshmoj për unitetin Tënd e për njëshmërinë Tënde, dëshmoj se Ti je Perëndia dhe se nuk ka Perëndi tjetër veç Teje.")
-Bahá'u'lláh