Cilido që dëshiron ta thotë këtë lutje, të qëndrojë në këmbë e t'i drejtohet Perëndisë dhe, ndërsa qëndron në vendin e vet, të vështrojë nga e djathta e nga e majta, sikur pret mëshirën e Zotit të tij, Mëshirëplotit, Zemërdhembshurit. Pastaj të thotë:
O Ti Që je Zoti i të gjithë emrave dhe Artuesi i qiejve! Të kërkoj përunjësisht, për ata Që janë Agimet e Thelbit Tënd të padukshëm, Më të Lartësuar, Lavdiplotë, ta bësh lutjen time një zjarr që do t'i djegë perdet që më kanë zënë pamjen e bukurisë Sate, dhe një dritë që do të më udhëheqë drejt oqeanit të pranisë Sate.
*Pastaj, në lutje të përunjur, të ngrejë duart ndaj Perëndisë - bekuar e lartësuar qoftë Ai - dhe të thotë:
O Ti Dëshira e botës dhe i Shumëdashuri i kombeve! Ti më sheh sesi e kthej fytyrën ndaj Teje, i shkëputur nga çdo lidhje me cilindo qoftë veç Teje, dhe mbahem pas fillit Tënd, lëvizja e të cilit ka tronditur gjithë krijimin. Unë jam shërbëtori Yt, O Zoti im, dhe bir i shërbëtorit Tënd. Shihmë, jam i gatshëm të përmbush vullnetin Tënd e dëshirën Tënde, pa dëshiruar asgjë tjetër veç pëlqimit Tënd. Të përgjërohem, për Oqeanin e mëshirës Sate dhe për Yllin e Ditës të mirësisë Sate, të bësh me shërbëtorin Tënd si të duash e si të të pëlqejë Ty. Për fuqinë Tënde, që qëndron shumë më lart se çdo fjalë e lavdërim! Çdo gjë që të revelosh Ti është dëshira e zemrës sime dhe e shumëdashura e shpirtit tim. O Perëndi, Perëndia im! Mos u vër veshin shpresave të mia e bëmave të mia, por shih, përkundrazi, vullnetin Tënd, që ka përfshirë qiejt e tokën. Për Emrin Tënd Më të Madh, O Ti Zoti i të gjitha kombeve! Unë kam dëshiruar vetëm atë që Ti dëshiron dhe kam dashur vetëm atë që Ti do.
*Pastaj të bjerë në gjunjë dhe duke e ulur ballin në tokë të thotë:
Lëvduar je Ti tej përshkrimit të cilitdo qoftë, veç Vetes Sate, dhe kuptimit të çdo gjëje tjetër, veç Teje.
*Pastaj të ngrihet e të thotë:Bëje lutjen time, O Zoti im, burim ujërash jetëdhënëse, falë të cilave unë të mund të jetoj aq sa zgjat sovraniteti yt dhe të të përmend Ty në çdo botë të botëve të Tua.
*T'i ngrejë përsëri duart në lutje dhe të thotë:O Ti, në ndarje nga i Cili zemrat e shpirtrat janë shkrirë dhe që me zjarrin e dashurisë Sate ke ndezur flakë tërë botën. Të përgjërohem për Emrin Tënd, përmes të cilit ke nënshtruar gjithë krijimin, të mos më mohosh atë që është në Ty, O Ti Që sundon mbi të gjithë njerëzit. Ti e sheh, O Zoti im, këtë të huaj që nxiton për në shtëpinë e tij më të lëvduar nën tendën e madhërisë Sate e brenda vathës së mëshirës Sate; dhe këtë mëkatar që kërkon oqeanin e ndjesës Sate; dhe këtë të përvuajtur që kërkon oborrin e Lavdisë Sate; dhe këtë krijesë të varfër që kërkon margaritarin e pasurisë Sate. Ty të përket pushteti për të urdhëruar çdo gjë që dëshiron. Dëshmoj se Ti duhet të lavdërohesh në bëmat e Tua, porosive të Tua u duhet bindur, dhe Ti mbetesh i padetyruar në urdhrat që jep.
*Pastaj të ngrejë duart dhe të përsërisë tri herë Emrin Më të Madh. Pastaj të përkulet me duart mbi gjunjë para Perëndisë - bekuar e lëvduar qoftë Ai - dhe të thotë:
Ti e sheh, O Perëndia im, sesi shpirti më është gjallëruar në gjymtyrët e organet e mia nga dëshira e zjarrtë që të të adhurojë Ty dhe nga etja që të të kujtojë e lartësojë Ty; sesi ai dëshmon për atë që Gjuha e Urdhrit Tënd ka dëshmuar në mbretërinë e fjalës Sate dhe në qiellin e dijes Sate. Më pëlqen, në këtë gjendje, O Zoti im, të të lyp çdo gjë që është në Ty, për të treguar varfërinë time dhe për të lartësuar bujarinë Tënde e pasuritë e Tua, për të shpallur pafuqinë time e për të shfaqur pushtetin Tënd e fuqinë Tënde.
*Pastaj të çohet e t'i ngrejë dy herë duart në lutje dhe të thotë:
Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Gjithëfuqishmit, Bujariplotit. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Urdhëruesit, si në fillim dhe në mbarim. O Perëndi, Perëndia im! Ndjesa Jote më ka dhënë zemër, dhe mëshira Jote më ka forcuar, dhe thirrja Jote më ka zgjuar, dhe dashamirësia Jote më ka ngritur e më ka sjellë tek Ti. Ndryshe, cili jam unë që të guxoj të qëndroj në portat e qytetit të afrisë Sate, ose ta kthej fytyrën nga dritat që shkëlqejnë prej qiellit të vullnetit Tënd? Ti e sheh O Zoti im, këtë krijesë të mjerë që troket në derën e dashamirësisë Sate, dhe këtë shpirt jetëshkurtër që kërkon lumin e jetës së pasosur nga duart e bujarisë Sate. Jotja është në çdo kohë komanda, O Ti Që je Zoti i të gjithë emrave; dhe imja është bindja e dëshira për t'iu nënshtruar vullnetit Tënd, O Krijues i qiejve.
*Pastaj të ngrejë tri herë duart e të thotë:*Pastaj të bjerë në gjunjë dhe, duke e ulur ballin në tokë, të thotë:
Ti je tepër lart që lëvdimi i atyre që ndodhen pranë Teje të mund të ngjitet në qiellin e afrisë Sate, ose që zogjtë e zemrave të atyre që të janë përkushtuar Ty të arrijnë pragun e portës Sate. Unë dëshmoj se Ti je shenjtëruar mbi të gjitha atributet dhe je i shenjtë mbi të gjithë emrat. Nuk ka Perëndi veç Teje, të Shumëlartësuarit, Lavdiplotit.
Pastaj të ulet e të thotë:Unë dëshmoj për atë që kanë dëshmuar të gjitha krijesat, dhe Tubimi qiellor, dhe banorët e Parajsës më të lartë, dhe veç tyre për atë që vetë Gjuha e Madhështisë dëshmon nga Horizonti lavdiplotë, se Ti je Perëndia, se nuk ka Perëndi veç Teje, dhe se Ai Që u shfaq është Misteri i Fshehur, Simboli i Ruajtur, përmes të Cilit shkronjat T dhe B (Të bëhet) u lidhën e u bashkuan. Unë dëshmoj se është Ai, emri i të Cilit është shkruar nga Penda e Më të Lartit dhe Që është përmendur në Librat e Perëndisë, Zotit të Fronit atje lart dhe të tokës këtu poshtë.
*Pastaj të ngrihet në këmbë dhe të thotë:O Zot i të gjitha qenieve dhe Zotërues i të gjitha gjërave të dukshme e të padukshme! Ti i sheh lotët e mi dhe i dëgjon psherëtimat që nxjerr, rënkimet e mia, vajtimin tim dhe ankesat e zemrës sime. Për fuqinë Tënde! Fajet që kam bërë më kanë penguar të afrohem pranë Teje; dhe mëkatet e mia më kanë mbajtur larg oborrit të shenjtërisë Sate. Dashuria Jote, O Zoti im, më ka pasuruar dhe ndarja prej Teje më ka shkatërruar e largësia nga Ti më ka cfilitur. Të përgjërohem Ty, për gjurmët e Tua në këtë vend të shkretë, dhe për fjalët "Ja ku jam, ja ku jam", që të Zgjedhurit e Tu kanë shqiptuar në këtë pamatësi, dhe për fërfërimat e Revelacionit Tënd, dhe për flladet e lehta të Agimit të Manifestimit Tënd, të urdhërosh që unë të mund të sodis bukurinë Tënde dhe të vërej çdo gjë që ka në Librin Tënd.
*Pastaj të përsërisë tri herë Emrin Më të Madh dhe të përkulet me duart mbi gjunjë e të thotë:
Lëvduar qofsh Ti, O Perëndia im, që më ke ndihmuar të të kujtoj e të të lëvdoj Ty, dhe që më ke bërë të njohur Atë Që është Agimi i shenjave të Tua, dhe që më ke lejuar të përkulem para Zotërisë Sate, dhe të përunjem para Hyjnisë Sate, dhe të njoh atë që ka folur Gjuha e madhështisë Sate.
*Pastaj të ngrihet e të thotë:O Perëndi, Perëndia im! Shpina më është kërrusur nga pesha e mëkateve të mia dhe shkujdesja ime më ka shkatërruar. Sa herë peshoj bëmat e mia të liga dhe dashamirësinë Tënde, zemra ime shkrin brenda meje dhe gjaku më vlon në vena. Për Bukurinë Tënde, O Ti Dëshira e botës! Më skuqet faqja ta ngre fytyrën ndaj Teje dhe duarve të mia që përgjërohen u vjen turp të zgjaten ndaj qiellit të zemërgjerësisë Sate. Ti e sheh, O Perëndia im, sesi lotët nuk më lënë të të kujtoj Ty dhe të lëvdoj virtytet e Tua, O Ti Zoti i Fronit atje lart dhe i tokës këtu poshtë! Të lutem, për shenjat e Mbretërisë Sate dhe për misteret e Sundimit Tënd, të bësh me të dashurit e Tu siç i përshtatet Bujarisë Sate, O Zoti i të gjitha qenieve, dhe siç i ka hije mirësisë Sate, O Mbret i së dukshmes e i së padukshmes!
*Të përsërisë pastaj tri herë Emrin Më të Madh dhe të bjerë në gjunjë, me ballin të ulur në tokë, e të thotë:
Lëvduar qofsh Ti, O Perëndia ynë, që na ke dërguar atë që na afron pranë Teje dhe që na jep çdo gjë të mirë që Ti na ke sjellë me anë të Librave të Tu e të Shkrimeve të Tua. Mbrona, Të lutemi, O Zoti im, nga barra e fantazive boshe dhe e imagjinatave të kota. Ti je, me të vërtetë, i Fuqishmi, i Gjithëdijshmi.
*Pastaj ta ngrejë kokën, të ulet dhe të thotë:Unë dëshmoj, O Perëndia im, për atë që kanë dëshmuar të Zgjedhurit e Tu dhe njoh atë që kanë njohur banorët e Parajsës më të lartë dhe ata që janë mbledhur rreth Fronit Tënd të fuqishëm. Mbretëritë e tokës e të qiellit janë të Tuat, O Zot i botëve!
-Bahá'u'lláh