Ditët e shtuara (nga 26 shkurti deri më 1 mars) duhet të jenë ditë përgatitjeje për Agjërimin, ditë mikpritjeje, bamirësie e dhuratash.
Perëndia im, Zjarri im dhe Drita ime! Ditët që Ti i ke quajtur Ayyám-i-Há* në Librin Tënd kanë filluar, O Ti që je Mbreti i emrave, dhe agjërimi, që Penda Jote më e lavdëruar ua ka urdhëruar ta zbatojnë të gjithë atyre që janë në mbretërinë e krijimit Tënd, po afrohet. Të lutem, O Zoti im, për këto ditë dhe për të gjithë ata që gjatë kësaj periudhe janë kapur pas fillit të porosive të Tua e që janë mbajtur pas dorëzës së këshillave të Tua, të bësh që çdo shpirti t'i caktohet një vend brenda kufijve të oborrit Tënd dhe një ndenjëse në revelimin e shkëlqimeve të dritës së fytyrës Sate.
Këta, O Zoti im, janë shërbëtorët e Tu, të cilët asnjë prirje e degjeneruar nuk i ka larguar nga ato që Ti ke sjellë me Librin Tënd. Ata janë përulur përpara Kauzës Sate dhe e kanë marrë Librin Tënd me një vendosmëri të tillë që e ka burimin tek Ti, dhe kanë kryer atë që u ke urdhëruar Ti, dhe kanë zgjedhur të zbatojnë atë që u ke kërkuar Ti.
Ti e shikon, O Zoti im, sesi ata kanë njohur e pranuar gjithçka që Ti ke reveluar në shkrimet e Tua. Jepu atyre të pinë, O Zoti im, nga duart e dashamirësisë Sate, ujin e përjetësisë Sate. Shkruaj, pra, për ta shpërblimin që ke caktuar për atë që është zhytur në oqeanin e pranisë Sate dhe ka shijuar verën e zgjedhur të takimit me Ty.
Të lutem Ty, O Ti Mbret i mbretërve dhe Mëshirues i të shtypurve, të caktosh për ta të mirat e kësaj bote dhe të botës që do të vijë. Shkruaj për ta, veç kësaj, atë që asnjë nga krijesat e Tua nuk e ka zbuluar dhe radhiti ata midis atyre që janë mbledhur rreth Teje dhe që lëvizin pranë fronit Tënd në çdo botë të botëve të Tua.
Ti, me të vërtetë, je Fuqiploti, i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari.
-Bahá'u'lláh