Këshilla Ime e parë është kjo: zotëro një zemër të dëlirë, të dashur e rrëzëlluese, që yti të jetë një sovranitet i lashtë, i pavdekshëm e i përjetshëm.
-~-Më e shumëdashura e të gjitha gjërave në sytë e Mi është drejtësia; mos u largo prej saj, nëse më do Mua, dhe mos e lër atë pasdore, që Unë të kem besim tek ti. Me ndihmën e saj ti do të shikosh me sytë e tu e jo me sytë e të tjerëve, dhe do të dish me dijen tënde e jo me dijen e fqinjit tënd. Pe¬shoje këtë në zemrën tënde; kështu të ka hije të jesh. Me të vërtetë drejtësia është dhurata Ime për ty dhe shenja e dasha-mirësisë Sime. Mbaje, pra, këtë para syve të tu.
-~-Mbuluar në qenien Time aq të hershme sa s’mbahet mend dhe në përjetësinë e lashtë të thelbit Tim, Unë ndjeva dashurinë Time për ty; prandaj të krijova ty, gdhenda tek ti shëmbëll-tyrën Time, dhe të zbulova ty bukurinë Time.
-~-Unë e doja krijimin tënd, pra të krijova ty. Prandaj të më duash Mua, që Unë të përmend emrin tënd dhe ta mbush shpirtin tënd me frymën e jetës.
-~-Më duaj, që Unë të të dua. Nëse ti nuk më do, dashuria Ime kurrsesi nuk mund të arrijë tek ti. Dije këtë, o shërbëtor.
-~-Parajsa jote është dashuria Ime; shtëpia jote qiellore është ribashkimi me Mua. Hyr atje dhe mos vono. Kjo është caktuar për ty në mbretërinë Tonë të epërme dhe në sundimin Tonë të lavdëruar.
-~-Në qoftë se më do Mua, largohu nga vetvetja; dhe në qoftë se kërkon kënaqësinë Time, mos shiko tënden; në mënyrë që ti të vdesësh në Mua dhe Unë të rroj në ty përjetë.
-~-Nuk ka paqe për ty, veçse po të heqësh dorë nga vetvetja dhe të kthehesh ndaj Meje; sepse të takon të lëvdohesh në emrin Tim e jo në tëndin; ta mbështesësh besimin te Unë e jo te vetvetja, sepse Unë dëshiroj të më duan vetëm Mua e mbi çdo gjë që ekziston.
-~-Dashuria Ime është fortesa Ime; kush hyn në të është i paprekshëm e i sigurt, dhe kush largohet prej saj, me siguri do të humbasë e do të vdesë.
-~-Ti je fortesa Ime; hyr në të që të jesh në siguri. Dashuria Ime është në ty, dije këtë, që të më gjesh Mua pranë teje.
-~-Ti je llamba Ime dhe drita Ime është në ty. Merr ndriçim prej saj dhe mos kërko askënd tjetër veç Meje. Sepse Unë të kam krijuar të pasur dhe kam derdhur bujarisht mbi ty dashami¬rësinë Time.
-~-Me duart e fuqisë të bëra ty dhe me gishtat e for¬¬cës të krijova; dhe brenda teje kam vendosur thelbin e dritës Sime. Ji i kënaqur me të e mos kërko asgjë tjetër, sepse vepra Ime është e përkryer dhe urdhëri Im i detyrueshëm. Mos e vër atë në pikëpyetje, as mos ki asnjë dyshim për të.
-~-Unë të kam krijuar të pasur, përse, pra, do vetë të biesh në varfëri? Fisnik të bëra ty, përse, pra, do vetë të poshtërohesh? Prej thelbit të dijes Unë të dhashë ty qenien, përse, pra, kërkon ndriçim nga dikush tjetër veç Meje? Prej argjilës së dashurisë të artova ty, përse, pra, ti merresh me një tjetër? Ktheje vështrimin ndaj vetes, që të më gjesh Mua që qëndroj brenda teje, i fuqishëm, i pushtetshëm e i vetëqenëshëm.
-~-Ti je mbretëria Ime dhe mbretëria Ime nuk vdes kurrë, përse pra ke frikë nga vdekja jote? Ti je drita Ime dhe drita Ime kurrë nuk do të shuhet, përse ti i trembesh shuarjes? Ti je lav¬dia Ime dhe lavdia Ime nuk venitet; ti je rroba Ime dhe rroba Ime kurrë nuk do të vjetërohet. Qëndro, pra, në dashurinë për Mua, që të më gjesh Mua në mbretërinë e lavdisë.
-~-Ktheje fytyrën tënde nga Imja dhe hiq dorë prej të gjithëve veç Meje, sepse mbretëria Ime vazhdon dhe sundimi Im nuk merr fund. Po kërkove dikë tjetër veç Meje, sikur ti të kërkoje gjithësinë për¬gjithmonë, kërkesa jote do të jetë e kotë.
-~-Harroji të gjithë veç Meje dhe kungohu me shpirtin Tim. Kjo është pjesë e thelbit të urdhërit Tim, prandaj përmbaju kësaj.
-~-Ji i kënaqur me Mua dhe mos kërko ndihmues tjetër. Sepse askush veç Meje nuk mund të jetë kurrë i mjaftueshëm për ty.
-~-Mos kërko prej Meje atë që Ne nuk e dëshiro-jmë për ty, ji pra i kënaqur me atë që Ne kemi para¬caktuar për të mirën tënde, sepse kjo të sjell përfitim ty, në qoftë se ti e ndien veten të këna¬qur me këtë.
-~-Unë kam fryrë brenda teje një frymë të vetë Shpirtit Tim, që ti të më duash Mua. Përse më ke braktisur Mua dhe ke kërkuar një tjetër të dashur?
-~-E drejta Ime mbi ty është e madhe, ajo nuk mund të harrohet. Dashamirësia Ime për ty është e begatë, ajo nuk mund të mbulohet. Dashuria Ime tek ti e ka bërë banesën, ajo nuk mund të fshihet. Drita ime është e dukshme për ty, ajo nuk mund të errësohet.
-~-Mbi pemën e lavdisë së ndritur kam varur për ty frutat më të zgjedhura, përse pra je larguar dhe je kënaqur me atë që është më pak e mirë? Atëherë kthehu tek ajo që është më e mirë për ty në mbretërinë e epërme.
-~-Fisnik Unë të kam krijuar, megjithatë ti e ke ulur veten. Ngrihu pra në atë lartësi për të cilën je krijuar.
-~-Në amshimin Unë të thërras, por ti kërkon atë që është e vdekshme. Ç’të shtyn t’i kthesh shpinën dëshirës Sonë dhe të kërkosh tënden?
-~-Mos i kapërce kufijtë e tu, as mos kërko atë që s’të takon. Përunje veten para shëmbëll-tyrës së Perëndisë tënd, Zotit të fuqisë e të pushtetit.
-~-Mos iu mburr të varfërit, sepse Unë e udhëheq atë në rrugën e tij dhe të shoh ty në gjendjen tënde mjerane dhe të bëj ta humbësh përgjithmonë.
-~-Si munde të harrosh gabimet e tua dhe u more me gabimet e të tjerëve? Kush e bën këtë, është i mallkuar prej Meje.
-~-Mos pëshpërit për mëkatet e të tjerëve sakohë ti je vetë mëkatar. Po e shkele këtë porosi, do të jesh i mallkuar dhe Unë dëshmoj për këtë.
-~-Dije me të vërtetë se ai që i urdhëron njerëzit të jenë të drejtë dhe vetë bën padrejtësi nuk është nga të Mitë, edhe nëse mban emrin Tim.
-~-Mos i atribuo asnjë shpirti atë që ti nuk do t’ia atribuoje vetes sate, dhe mos thuaj atë që ti nuk e bën. Ky është urdhri Im, zbatoje atë.
-~-Mos ia moho shërbëtorit Tim në qoftë se kërkon ndonjë gjë prej teje, sepse fytyra e tij është fytyra Ime; ji, pra, i përunjur para Meje.
-~-Gjyko vetveten çdo ditë para se të thirresh për të dhënë llogari; sepse vdekja do të vijë tek ti pa paralajmërim dhe ti do të thirresh të japësh llogari për bëmat e tua.
-~-Unë e kam bërë vdekjen lajmëtare gëzimi për ty. Përse, pra, brengosesh? Unë bëra që drita të derdhë mbi ty shkëlqimin e saj. Përse i fshihesh asaj?
-~-Me lajmet e gëzuara të dritës Unë të përshë-ndes: gëzohu! Në oborrin e shenjtërisë Unë të thërras, qëndro atje, që të jetosh në paqe përgjithmonë!
-~-Shpirti i shenjtërisë të sjell lajmin e gëzuar të ribashkimit; përse hidhërohesh? Shpirti i fuqisë të konfirmon në kauzën e Tij; përse fshihesh? Drita e shëmbëlltyrës së Tij të udhëheq; si mund të humbësh rrugën?
-~-Mos u hidhëro veçse kur je larg prej Nesh. Mos u gëzo veçse kur kur vjen pranë e kthehesh te Ne.
-~-Gëzo në ngazëllimin e zemrës sate, që të jesh i denjë të më takosh Mua e të pasqyrosh bukurinë Time.
-~-Mos e zhvish rrobën time të bukur dhe mos e humb pjesën tënde nga kroi Im i mahnitshëm, ndryshe do të mbetesh i etur përgjithmonë.
-~-Ec sipas ligjeve të Mia për hir të dashurisë sate për Mua, dhe mohoja vetes atë që dëshiron, nëse ti kërkon kënaqësinë Time.
-~-Mos i lër pasdore porositë e Mia, në qoftë se e do bukurinë Time, dhe mos i harro këshillat e Mia, në qoftë se dëshiron të kesh pëlqimin Tim.
-~-Edhe sikur të nxitoje përmes pafundësinë së hapësirës dhe të përshkoje gjerësinë e qiejve, ti përsëri nuk do të gjeje prehje veçse në nënshtrimin ndaj urdhërit Tonë dhe në përunjë¬sinë para Fytyrës Sonë.
-~-Madhëroje Kauzën Time, që Unë të të zbuloj ty misteret e madhështisë Sime dhe të të ndriçoj me dritën e përjetësisë.
-~-Përunje veten përpara Meje, që Unë hirësisht të të vizitoj ty. Ngrihu për triumfin e kauzës Sime, që sa je ende mbi tokë të arrish fitoren.
-~-Përmende Emrin Tim në tokën Time, që Unë në qiejt e Mi të të kujtoj ty, kështu do të ngushëllo¬hen sytë e Mi dhe të tutë.
-~-Dëgjimi yt është dëgjimi Im, dëgjo pra me të. Vështrimi yt është vështrimi Im, shiko pra me të, në mënyrë që në thellësinë e shpirtit tënd të dëshmosh shenjtërinë Time të lavdëruar, dhe Unë brenda vetes Sime të dëshmoj një pozitë të lavdëruar për ty.
-~-Kërko vdekje martiri në shtegun Tim, kënaqu me pëlqimin Tim dhe ji mirënjohës për atë që urdhëroj, që të mund të prehesh me Mua nën tendën e madhështisë pas faltores së lavdisë.
-~-Peshoje e mendoje. Dëshiron të vdesësh në shtratin tënd, apo ta derdhësh gjakun tënd mbi pluhur si martir në shtegun Tim, dhe të bëhesh kështu manifestimi i urdhërit Tim e reveluesi i dritës Sime në parajsën më të lartë? Gjyko drejt, o shërbëtor!.
-~-Për bukurinë Time! T’i ngjyesh flokët e tu me gjakun tënd është në sytë e Mi më e madhe se krijimi i gjithësisë dhe se drita e të dy botëve. Përpiqu ta arrish këtë, o shërbëtor!
-~-Për çdo gjë ka një shenjë. Shenja e dashurisë është qëndrueshmëria nën urdhërin Tim dhe durimi nën sprovat e Mia.
-~-I dashuruari i vërtetë ngashërohet për vuajtje, po ashtu si rebeli për falje dhe mëkatari për mëshirë.
-~-Në qoftë se asnjë fatkeqësi nuk të ndodh në shtegun Tim, si mund të ecësh në gjurmët e atyre që janë të kënaqur me pëlqimin Tim? Në qoftë se nuk të godasin sprova në dëshirën tënde të zjarrtë për të më takuar Mua, si mund të arrish ti dritën në dashurinë për bukurinë Time?
-~-Fatkeqësitë që shkaktoj Unë janë përkujdesja Ime, në dukje janë zjarr e shpagim, por në të vërtetë janë dritë e mëshirë. Nxito drejt tyre, që të bëhesh dritë e përjetshme dhe shpirt i pavdek¬shëm. Ky është urdhëri Im për ty, zbatoje atë.
-~-Në të buzëqeshtë fati mos u gëzo, dhe në të ardhtë fatkeqësia mos u hidhëro, sepse të dyja do të kalojnë e s’do të jenë më.
-~-Në qoftë se të pushton varfëria, mos u trishto; sepse në kohën e duhur Zoti i pasurisë do të të vizitojë. Mos iu tremb poshtërimit, sepse lavdia do të ndalet tek ti një ditë.
-~-Në qoftë se ta do zemra këtë zotërim të përjet¬shëm, të pavdekshëm dhe këtë jetë të lashtë e të përhershme, braktise këtë mbretëri të vdekshme e kalimtare.
-~-Mos u merr me gjërat e kësaj bote, sepse arin Ne e provojmë me zjarr, dhe me ar Ne vëmë në provë shërbëtorët Tanë.
-~-Ti dëshiron ar, ndërsa Unë dëshiroj që ti të çliro¬hesh prej tij. Ti e mendon veten të pasur kur e zotëron atë, ndërsa Unë e shoh pasurinë tënde në spastrimin tënd prej tij. Për jetën Time! Kjo është dija Ime, ndërsa ajo është fantazia jote; si mund të pajtohet rruga Ime me tënden?
-~-Dhuroja pasurinë Time të varfërve të Mi, që në qiell të marrësh nga depot e shkëlqimit të pa¬venitur dhe nga thesaret e lavdisë së pavdek¬shme. Për jetën Time! Të dhurosh shpirtin tënd është një gjë më e lavdishme, po ta shohësh me sytë e Mi.
-~-Tempulli i qenies është froni Im; spastroje atë nga çdo gjë, që Unë të vendosem atje dhe atje të qëndroj.
-~-Zemra jote është banesa Ime; spastroje atë për zbritjen Time. Shpirti yt është vendi Im i reve¬lacionit; spastroje atë për manifestimin Tim.
-~-Vër dorën brenda gjoksit Tim, që Unë të ngri¬hem mbi ty, i ndritur e i shkëlqyer.
-~-Ngjitu në qiellin Tim, që të arrish gëzimin e ribashkimit, dhe prej kupës së lavdisë së pavdek¬shme të pish verën e pashoqe.
-~-Shumë e shumë ditë kanë shkuar mbi ty, ndërkohë që ti je marrë me fantazitë e imagjina¬tat e tua të kota. Sa kohë do të dremitësh në shtratin tënd? Zgjohu nga dremitja e ngreje kokën, sepse dielli është ngjitur në zenit, e ndoshta mund të ndriçojë mbi ty me dritën e bukurisë.
-~-Drita ka ndriçuar mbi ty nga horiozonti i Malit të shenjtë dhe shpirti i ndriçimit ka dhënë frymë¬zim në Sinain e zemrës sate. Prandaj çliro¬je veten nga veli i fantazive të kota dhe hyr në oborrin Tim, që të jesh i vyer për jetën e përjet¬shme dhe i denjë të më takosh Mua. Kështu që as vdekja të mos vijë tek ti, dhe as drobitja ose brenga.
-~-Përjetësia Ime është krijimi Im, për ty e kam krijuar atë. Bëje atë rrobën e tempullit tënd. Uni¬teti Im është punë e dorës Sime; Unë e kam artuar atë për ty; vishu me të, që të jesh përgjithmonë revelacioni i qenies Sime të përjetshme.
-~-Madhështia Ime është dhurata Ime për ty dhe madhëria Ime është shenja e mirësisë Sime ndaj teje. Atë që më ka hije Mua askush nuk do ta kuptojë, dhe askush nuk është në gjendje ta tre¬gojë. Me të vërtetë, Unë e kam ruajtur atë në depot e mia të fshehura dhe në thesaret e urdhrit Tim, si shenjë të dashamirësisë Sime ndaj shër¬bëtorëve të Mi e si mëshirë ndaj njerëzve të Mi.
-~-Ju do t’ju pengojnë të më doni Mua dhe shpirtra do të shqetësohen kur të më përmendin Mua. Sepse mendjet nuk mund të më kuptojnë, as zemrat nuk mund të më bartin Mua.
-~-Për shpirtin Tim dhe për mirësinë Time! Për mëshirën Time dhe për bukurinë Time! Gjithçka që të kam reveluar ty me gjuhën e pushtetit, dhe që kam shkruar për ty me pendën e fuqisë, ka qenë në përputhje me aftësinë e me të kuptuarit tënd, dhe jo me gjendjen Time e as me melodinë e zërit Tim.
-~-Nuk e dini pse ju kemi krijuar të gjithë nga i njëjti pluhur? Që askush të mos e lëvdojë veten mbi tjetrin. Peshojeni gjithnjë në zemrat tuaja sesi jeni krijuar. Derisa Ne ju kemi krijuar të gjithë nga i njëjti brumë, ju takon të jeni të bara¬bartë si një shpirt i vetëm, të ecni me të njëjtin hap, të hani me të njëjtën gojë dhe të banoni në të njëjtin vend, në mënyrë që nga qenia juaj më e thellë, me bëmat e veprat tuaja, të dalin në pah shenjat e njëshmërisë dhe thelbi i shkëputjes. Kjo është këshilla Ime për ju, o tubim drite! I vini veshin kësaj këshille, që të fitoni frytin e shenjtërisë nga pema e lavdisë së mahnitshme.
-~-Ju jeni thesari Im, pasi te ju Unë kam vendosur margaritarët e mistereve të Mia dhe diamantët e dijes Sime. Ruajini ato nga të huajt midis shërbë¬torëve të Mi dhe nga të pafetë midis njerëzve të Mi.
-~-70. O BIR I ATIJ QË KA QËNDRUAR ME QENËSINË E VET NË MBRETËRINË E VETES SË TIJ!
Dije se Unë kam fryrë mbi ty të gjitha aromat e shenjtërisë, të kam reveluar ty tërësisht fjalën Time, kam përsosur përmes teje bujarinë Time dhe kam dëshiruar për ty atë që kam dëshiruar për veten Time. Ji pra i kënaqur me pëlqimin Tim dhe ji mirënjohës ndaj Meje.
-~-Shkruaji të gjitha gjërat që të kam reveluar me bojë drite mbi tabelën e shpirtit tënd. Në qoftë se këtë s’e ke në dorë, atëhere bëje bojën tënde prej thelbit të zemrës sate. Në qoftë se këtë nuk e bën dot, atëhere shkruaj me atë bojë kërmëz që është derdhur në shtegun Tim. Kjo me të vërtetë është për Mua më e ëmbël se çdo gjë tjetër, që drita e saj të vazhdojë përgjithmonë.
-~-1. O JU NJERËZ QË KENI MEND PËR TË NJOHUR E VESHË PËR TË DËGJUAR!
Thirrja e parë e të Shumëdashurit është kjo: O bilbil mistik! Mos qëndro veçse në kopshtin e trëndafilave të shpirtit. O lajmëtar i Sollomonit të dashurisë! Mos kërko strehim veçse në Sheban e të shumëdashurit, dhe O feniks i pavdekshëm! mos jeto veçse mbi malin e besnikërisë. Atje është banesa jote, po qe se me krahët e shpirtit tënd fluturon për në mbretërinë e së pakufishmes dhe kërkon të arrish qëllimin.
-~-Zogu kërkon folenë e vet; bilbili bukurinë e trën¬dafilit; ndërsa ata zogj, zemrat e njerëzve, të kënaqur me pluhurin kalimtar, janë larguar shumë nga foleja e tyre e përjetshme dhe, me sytë të kthyer drejt kënetës së shkujdesjes, janë privuar nga lavdia e pranisë hyjnore. Medet! Sa çudi e për të ardhur keq; thjesht për një kupë ujë, ata janë larguar prej deteve të dallgëzuara të Më të Lartit dhe kanë mbetur larg horizontit më të ndritshëm.
-~-Në kopshtin e zemrës sate mos mbill asgjë veç trëndafilit të dashurisë, dhe mos e lësho bilbilin e simpatisë e të dëshirës. Ruaje si thesar shoqërinë e të drejtëve dhe shmangiu çdo shoqërimi me të pafetë.
-~-Ku tjetër mund të shkojë një i dashuruar veç vendit të së dashurës së vet? dhe cili kërkues gjen prehje larg dëshirës së zemrës së vet? Për të dashuruarin e vërtetë ribashkimi është jetë, ndërsa ndarja është vdekje. Kraharori i tij është i zbrazur prej durimit dhe zemra e tij nuk ka qetësi. Mijëra jetë do të braktiste ai për të nxituar për në banesën e së dashurës së tij.
-~-Me të vërtetë Unë të them ty: Më i shkujdesuri nga të gjithë njerëzit është ai që grindet për gjëra të kota e që kërkon të dalë mbi vëllanë e vet. Thuaj, o vëllezër! Stolia juaj le të jenë veprat e jo fjalët.
-~-Dije, me të vërtetë, se zemra në të cilën ka mbetur ende edhe gjurma më e vogël e cmirës, nuk do ta arrijë kurrë zotërimin Tim të përhershëm, as do të thithë shijet e ëmbla të shenjtërisë që fryjnë nga mbretëria Ime e shenjtërisë.
-~-Vetëm një hap të ndan prej lartësive të lavdishme atje sipër dhe prej pemës qiellore të dashurisë. Hidhe një hap dhe me tjetrin shko përpara drejt mbretërisë së pavdekshme dhe hyr në shatoren e përjetësisë. Vëri, pra, veshin asaj që të është reveluar nga penda e lavdisë.
-~-Kalo shpejt nëpër shtegun e shenjtërisë dhe hyr në qiellin e bashkimit me Mua. Pastroje zemrën tënde me shkëlqimin e shpirtit dhe nxito për në oborrin e Më të Lartit.
-~-Kapërceji caqet më të neveritshme të dyshimit dhe ngrihu në majat e lartësuara të sigurisë. Hape syrin e së vërtetës, që të soditësh Buku-rinë e pa¬mbuluar dhe të thërresësh: Lëvduar qoftë Zoti, më i përsosuri i të gjithë krijuesve!
-~-Vëri veshin kësaj: Syri i vdekshëm kurrë nuk do ta njohë bukurinë e përhershme dhe zemra e pa¬jetë nuk do të gëzojë asgjë veç lules së fishkur. Sepse i ngjashmi kërkon të ngjashmin dhe gjen kënaqësi në shoqërinë e llojit të vet.
-~-Verboji sytë, që të shohësh bukurinë Time; mbylli veshët, që të dëgjosh melodinë e ëmbël të zërit Tim; zbraze veten nga çdo dituri, që të ma¬rrësh pjesë nga dija Ime; dhe spastroje veten nga pasu¬ritë, që të fitosh një pjesë të për¬hershme nga oqea¬ni i pasurisë Sime të për¬jetshme. Dome¬thënë, verboji sytë për gjithçka veç bukurisë Sime; mbylli veshët për gjithçka veç fjalës Sime; zbraze veten nga çdo dituri veç dijes për Mua; që me shi¬kim të qartë, me zemër të pastër e me vesh të vë-mendshëm të hysh në oborrin e shenj¬tërisë Sime.
-~-Mbylle njërin sy dhe hap tjetrin. Mbylle njërin për botën e të gjitha gjërat që janë në të, dhe hape tjetrin për bukurinë e shenjtëruar të të Shumëdashurit.
-~-Kam frikë se, të privuar prej melodisë së pëllu¬mbit të qiejve, ju do të fundoseni përsëri në hijet e humbjes së plotë dhe, pa e parë kurrë bukurinë e trëndafilit, do të ktheheni në ujë e baltë.
-~-Mos e braktisni bukurinë e përjetshme për një bukuri që duhet të vdesë, dhe mos ia kushtoni dashurinë tuaj kësaj bote të vdekshme prej plu¬huri.
-~-Vjen një kohë që bilbili i shenjtërisë nuk do të shpalosë më misteret e brendëshme dhe ju të gjithë do të privoheni prej melodisë qiellore e prej zërit të epërm.
-~-Mijëra gjuhë mistike gjejnë shprehje në një ligjë¬ratë dhe mijëra mistere të fshehura zbu-lohen në një melodi të vetme; por, medet, s’ka vesh që të dëgjojë, as zemër që të kuptojë.
-~-Dyert që çojnë në të Pakufishmen qëndrojnë krejt të hapura dhe banesa e të dashurit është e stolisur me gjakun e të dashuruarve, megjithatë të gjithë¬ve, me përjashtim të pak vetave, u është mohuar ky qytet qiellor, e madje edhe ndër këta të paktë, veç një grupi të vogël, nuk është gjen¬dur asnjë me zemër të kulluar e shpirt të shenjtëruar.
-~-Shpalluni bijve të sigurisë se brenda mbretë-rive të shenjtërisë, pranë parajsës qiellore, është shfaqur një kopsht i ri, rreth të cilit mblidhen ba¬norët e mbretërisë së epërme dhe banuesit e pavdekshëm të parajsës së lartësuar. Përpiquni, pra, ta arrini atë cak, të zbuloni misteret e dashurisë prej luletaçeve të tij dhe të mësoni sek¬retin e urtisë hyjnore e të përsosur prej fry¬teve të saj të përjetshme. Të ngushëlluar janë sytë e atyre që hyjnë dhe qëndrojnë atje!
-~-Mos e keni harruar atë agim të vërtetë e të ndriçuar, kur në ato rrethina të shenjta e të bekuara ju ishit mbledhur të gjithë në praninë Time nën hijen e pemës së jetës, e cila është mbjellë në parajsën lavdiplotë? Ju më dëgjonit me përgjërim, ndërsa Unë shqiptoja këto tri fjalë shumë të shenjta: O miq! Mos parapëlqeni vull¬netin tuaj para Timit, mos dëshironi kurrë atë që Unë nuk e kam dëshiruar për ju, dhe mos m’u afroni Mua me zemra pa jetë, të ndotura nga dëshira e ambicje tokësore. Sikur të spastronit shpirtrat tuaj, ju do t’i kujtonit tani atë vend e ato rrethina dhe e vërteta e fjalës Sime do të bëhej e qartë për të gjithë ju.
Në të tetin e rreshtave shumë të shenjta, në Tabelën e pestë të Parajsës Ai thotë:
-~-20. O JU QË JENI SHTRIRË SI TË VDEKUR NË SHTRATIN E SHKUJDESJES!
Kanë kaluar epoka të tëra dhe jetët tuaja të çmuara i janë afruar fundit, megjithatë asnjë frymë dëli¬rësie nuk ka arritur në oborrin Tonë të shenjtërisë. Edhe pse të zhytur në oqeanin e mosbesimit, pra¬pë ju me gojën tuaj pranoni të vetmin besim të vërtetë të Perëndisë. Atë që Mua më neverit ju e keni dashur, dhe armikun Tim e keni bërë mik. Megjithatë, ju ecni mbi tokën Time gjithë qejf e të vetëkënaqur, pa u bërë merak që toka Ime është lodhur prej jush dhe çdo gjë brenda saj ju largohet juve. Vetëm të hapnit sytë, dhe ju, me të vërtetë, do të parapëlqenit mijëra hidhërime përpara këtij gëzimi dhe vetë vdekja do t’ju dukej më e mirë se kjo jetë.
-~-Unë dëshiroj bashkim me ty, por ti nuk ke pasur besim tek Unë. Shpata e rebelimit tënd e ka rrëzuar pemën e shpresës sate. Në çdo kohë Unë jam pranë teje, por ti je gjithnjë e më larg prej Meje. Lavdi të pavdekshme kam zgjedhur Unë për ty, por turp të pamasë ke zgjedhur ti për veten tënde. Sa nuk është vonë, kthehu dhe mos e humb shansin tënd.
-~-Të diturit e të urtët janë përpjekur prej vitesh por nuk e kanë arritur dot praninë e Lavdiplotit; ata e kanë harxhuar jetën në kërkim të Tij, por nuk e kanë soditur dot bukurinë e fytyrës së Tij. Ti pa mundimin më të vogël e arrite qëllimin tënd dhe pa kërkuar e ke fituar objektin e kërkesës sate. Megjithatë, ke mbetur kaq i mbështjellë në velin e egoizmit, saqë sytë e tu nuk e kanë parë buku¬rinë e të Shumëdashurit, as duart e tua nuk e kanë prekur cepin e rrobës së tij. Ju që keni sy shikoni e çudituni.
-~-Erëra të botës së vdekshme e kanë rrethuar qiriun e përjetshëm dhe bukuria e të Riut qiellor është mbuluar nga errësira e pluhurit. Mbreti i mbretërve të dashurisë është munduar prej njerëzve të tiranisë, dhe pëllumbi i shenjtërisë ndodhet i burgosur nën kthetrat e hutave. Ata që banojnë në tendën e lavdisë dhe grupimi qiellor qajnë e vajtojnë, ndërsa ju preheni në mbretërinë e shkujdesjes dhe e mbani veten për miq të vërtetë. Sa të kota janë fantazitë tuaja!
-~-Përse vishni rroba barinjsh, kur përbrenda jeni bërë ujqër, që i keni vënë synë grigjës Sime? Ju jeni si ylli që del para agimit dhe që, megjithëse duket i ndritshëm e vezullues, i çon udhëtarët e qytetit Tim në rrugë të gabuar drejt shtigjeve të humbjes.
-~-Ju jeni si ujë i kthjellët por i hidhur, i cili nga pamja e jashtme është i kulluar si kristali, por kur provohet prej Provuesit hyjnor, asnjë pikë e tij nuk pranohet. Po, rrezja e diellit bie njëlloj mbi pluhur e mbi pasqyrë, megjithatë ato dallo¬hen nga pasqyrimi ashtu si dallon ylli nga toka: madje dallimi është i pamatshëm!
-~-Mendoje për një çast. A ke dëgjuar ndonjëherë që miku dhe armiku të banojnë në të njëjtën zemër? Flake, pra, jashtë të huajin, që Miku të hyjë brenda në banesën e Tij.
-~-Të gjitha gjërat që janë në qiell e mbi tokë Unë i kam caktuar për ty, veç zemrës njerëzore, të cilën e kam bërë banesën e bukurisë e të lavdisë Sime; megjithatë, ti ia ke dhënë shtëpinë e banesën Time dikuj tjetri e jo Mua; dhe sa herë që mani¬fe¬s¬timi i shenjtërisë Sime ka kërkuar banesën e vet, ka gjetur aty një të huaj dhe, i mbetur pa shtëpi, ka nxituar për në altarin e të Shumë¬dashurit. Megjithatë, Unë e kam fshehur sekretin tënd dhe nuk kam dëshiruar turpin tënd.
-~-Shumë herë në agim jam kthyer në banesën tënde nga mbretëritë e të Pakufishmes dhe të kam gjetur mbi shtratin e rehatisë duke u marrë me të tjerë e jo me Mua. Atëherë si vetëtimë e shpirtit, jam rikthyer në mbretërinë e lavdisë qiellore dhe nuk ua kam treguar këtë në strehën Time atje lart aradheve të shenjtërisë.
-~-Prej shkretëtirave të hiçit, me argjilën e urdhrit Tim bëra që ti të vish në botë dhe kam urdhëruar për të të ushtruar çdo atom që ekziston dhe thelbin e të gjitha gjërave të krijuara. Kështu, para se të dilje nga barku i nënës, caktova për ty dy burime qumështi të ndritshëm, sy për të të ruajtur dhe zemra për të të dashur ty. Me dashamirësinë Time, nën hijen e mëshirës Sime Unë të rrita dhe të ruajta me thelbin e hirit e të mirësisë Sime. Dhe qëllimi Im në të gjitha këto ishte që ti të arrije mbretërinë Time të përjet¬shme dhe të bëhesh i denjë për dhuratat e mia të padukshme. Por ti mbete i shkujdesur dhe, kur u rrite plotësisht, i mospërfille të gjitha bujaritë e Mia dhe u more me fantazitë e tua të kota, kështu që u bëre fare kujtesëshkurtër dhe, duke u larguar nga portat e Mikut, qëndrove brenda oborreve të armikut Tim.
-~-Ndër shumë agime ka fryrë mbi ty flladi i dashamirësisë Sime dhe të ka gjetur në gjumë të thellë në shtratin e shkujdesjes. Kështu, duke qarë hallin tënd, ai është kthyer nga kishte ardhur.
-~-Në qoftë se dëshiron të më kesh Mua, mos kërko asnjë tjetër veç Meje; dhe në qoftë se dëshiron të soditësh bukurinë Time, mbylli sytë për botën e për gjithçka që ndodhet aty; sepse vullneti Im dhe vullneti i dikujt tjetër, ashtu si uji dhe zjarri, nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtën zemër.
-~-Qiriu i zemrës sate është ndezur nga dora e fu¬qisë Sime, mos e shuaj atë me erërat e kundërta të egoizmit e të pasionit. Shëruesi i të gjitha sëmundjeve të tua është kujtimi për Mua, mos e harro këtë. Bëje dashurinë Time thesarin tënd dhe kujdesu për të si për syrin e për jetën tënde.
-~-Dëgjoji fjalët e bukura të gjuhës Sime mjaltë, dhe pi rrëkenë e shenjtërisë mistike nga buzët e Mia që rrjedhin sheqer. Hidhi farat e urtisë Sime hyjnore në dheun e dëlirë të zemrës sate dhe ujiti ato me ujin e sigurisë, që zymbylat e dijes e të urtisë Sime të rriten të freskët e të gjelbër në qytetin e shenjtë të zemrës sate.
-~-Me duart e dashamirësisë kam mbjellë në kop¬shtin e shenjtë të parajsës fidanin e dashurisë e të miqësisë suaj dhe e kam ujitur atë me shirat e mbarë të mirësisë Sime të ëmbël. Tani që koha e frytëzimit të saj ka ardhur, përpiquni që ajo të jetë e mbrojtur e të mos digjet nga flaka e dëshirës dhe e pasionit.
-~-Shuajeni llambën e gabimit dhe ndizni brenda zemrave tuaja pishtarin e përjetshëm të udhë-rrëfimit hyjnor. Sepse së shpejti ata që marrin në provë njerëzimin s’do të lejojnë në praninë e shenjtë të të Adhuruarit asgjë veç virtutit më të kulluar dhe veprave të një shenjtërie të panjollë.
-~-Të mençur janë ata që nuk flasin kur nuk i dë¬gjon njeri, ashtu si kupëdhënësi që nuk e ofron kupën e tij sakohë nuk ka gjetur kërkues, e ashtu si i dashuruari, i cili nuk thërret nga thellësia e zemrës derisa të shohë bukurinë e së dashurës së tij. Prandaj mbill farat e urtisë e të dijes në dheun e dëlirë të zemrës dhe mbaji atje të fshehura de¬risa zymbylat e urtisë hyjnore të çelin nga zem¬rat e jo nga balta e argjila.
Në rreshtin e parë të kësaj Tabele është shënuar e shkruar dhe brenda altarit të faltores së Perëndisë është fshehur:
-~-Mos braktis për hir të së vdekshmes zotërimin e përjetshëm dhe mos flak mbretërinë qiellore për hir të një dëshire tokësore. Ky është lumi i jetës së amshuar, që rrjedh nga burimi i pendës së të Mëshirshmit. Lum ata që pinë prej tij!
-~-Shpërtheje kuvlinë dhe si feniksi i dashurisë fluturo lart në qiellin e shenjtërisë. Harroje vet¬veten dhe, i frymëzuar nga shpirti i dashurisë, bano në mbretërinë e shenjtërisë qiellore.
-~-Mos u kënaq me qetësinë e një dite që shkon dhe mos e privo veten nga prehja e përjetshme. Mos e shkëmbe kopshtin e kënaqësisë së përjetshme me një grusht pluhur të një bote të vdekshme. Prej burgut tënd ngjitu lart në livadhet e lavdishme, dhe prej kuvlisë sate të vdekshme nis fluturimin për në parajsën e të Pakufishmes.
-~-Çliroje veten nga prangat e kësaj bote dhe liroje shpirtin tënd nga burgu i egoizmit. Mos lër të të shpëtojë rasti, sepse ai nuk do të të vijë më kurrë.
-~-Po të shihje mbretërinë e pavdekshme, ti do të përpiqesh të ikje nga kjo botë kalimtare. Por të fshehësh njërën prej teje dhe të zbulosh tjetrën, ky është një mister që askush nuk mund ta kup¬tojë, veç atij që ka zemër të kulluar.
-~-Dëlire zemrën nga ligësia dhe, pa cmirë, hyr në oborrin hyjnor të shenjtërisë.
-~-Ecni në udhët kënaqësisë së Mikut, dhe dijeni se kënaqësia e Tij qëndron në kënaqësinë e krije¬save të Tij. Kjo do të thotë: askush të mos hyjë në shtëpinë e mikut të vet, veçse me pëlqimin e mikut, as të mos vërë dorë mbi thesaret e tij, ose të bëjë si të dojë pa marrë parasysh vullnetin e mikut të tij, dhe kurrsesi të mos kërkojë të dalë mbi të. Peshojeni këtë, ju që keni gjykim!
-~-Mos dëgjo e mos shih asnjë të keqe, mos e poshtëro veten, as mos psherëti e vajto. Mos fol keq, që të mos dëgjosh të flasin keq për ty, dhe mos i zmadho të metat e të tjerëve, që të mos duken të mëdha të metat e tua; mos dëshiro poshtërimin e askujt, që të mos dalë në shesh poshtërimi yt. Jetoji, pra, ditët e jetës sate, që janë më të shkurtëra sesa një çast kalimtar, me mendje të pastër, me zemër të panjollë, me mendime të kulluara dhe me karakter të shenjtë¬ruar, në mënyrë që, i lirë e i kënaqur, të flakësh tutje këtë trup të vdekshëm dhe të shkosh në parajsën mistike e të jetosh përgjith¬monë në mbretërinë e përjetshme.
-~-45. MEDET! MEDET! O TË DASHURUAR PAS DËSHIRËS TOKËSORE!
Si vetëtimë keni kaluar ju pranë të Shumë-dashurit dhe i keni shtyrë zemrat në fantazi djallëzore. Ju përgjunjeni para imagjinatës suaj të kotë dhe e quani atë të vërtetë. Ju i ktheni sytë nga gjembi dhe e quani atë lule. Asnjë frymë të pastër nuk keni marrë, dhe as ka fryrë ndonjë fllad shkëpu¬tjeje nga livadhet e zemrave tuaja. Ju i keni flakur në hava këshillat dashamirëse të të Shumëda¬shurit, i keni fshirë krejtësisht ato nga tabela e zemrave tuaja dhe, si kafshët e fushës, lëvizni e jetoni brenda kullotave të dëshirës e të pasionit.
-~-Përse e keni lënë pasdore përmendjen e të Dashurit dhe i keni ndenjur larg pranisë së Tij të shenjtë? Thelbi i bukurisë ndodhet brenda tendës së pashoqe, i vendosur mbi fronin e lavdisë, kurse ju merreni me grindje të kota. Shijet e ëmbla të shenjtërisë po ndiehen dhe fryma e bu¬jarisë është përhapur, megjithatë ju jeni të hidhë¬ruar rëndë e të privuar prej saj. Medet për ju dhe për ata që ecin në rrugët tuaja dhe shkojnë pas hapave tuaj.
-~-Lereni mënjanë veshjen e mburrjes dhe zhvi-sheni veten nga rroba e mendjemadhësisë.
Në të tretën nga rradhët më të shenjta që janë shkruar e regjistruar në Tabelën e Rubintë prej pendës së të padukshmit, është reveluar kjo:
-~-Jini të duruar ndaj njëri-tjetrit dhe mos iu përkushtoni gjërave të këtushme. Mos e mburrni veten në lavdinë tuaj dhe mos e kini për turp poshtërimin. Për bukurinë Time! Unë i kam kri¬juar të gjitha gjërat prej pluhuri dhe në pluhur do t’i kthej ato përsëri.
-~-U tregoni të pasurve për psherëtimat e të var-fërve në mesnatë, që shkujdesja të mos i çojë ata në rrugën e rrënimit e të mos i privojë nga Pema e Pasurisë. Të japësh e të jesh bujar janë tipare të Miat; lum ai që stoliset me virtytet e Mia.
-~-Flak tutje çdo lakmi dhe kërko të jesh i kënaqur; sepse lakmitari gjithmonë është privuar, dhe i kë¬naquri gjithmonë ka qenë i dashur e i lavdëruar.
-~-Mos ji i shqetësuar në varfëri as i sigurt në be¬gati, sepse pas varfërisë vjen begatia dhe pas be¬gatisë vjen varfëria. Megjithatë, të jesh i varfër në gjithçka, veç Perëndisë, është një dhuratë e mrekullueshme; mos e nënvlerëso atë, sepse ajo më në fund do të të bëjë të pasur në Perëndinë, dhe kështu ti do të dish kuptimin e thënies “Në të vërtetë, ju jeni të varfërit”, dhe fjalët e shenjta “Perëndia është gjithëzotëruesi” do të shpërthe¬jnë me madhështi e shkëlqim si agimi i vërtetë në horizontin e zemrës së të dashuruarit, dhe do të qëndrosh i sigurt në fronin e pasurisë.
-~-Ju keni lejuar armikun Tim të hyjë në shtëpinë Time dhe keni flakur jashtë mikun Tim, sepse në altarin e zemrave tuaja keni ruajtur jo dashurinë për Mua por për dikë tjetër. Veniu veshin fjalëve të Mikut dhe kthehuni ndaj parajsës së Tij. Miq të kësaj bote, duke parë interesin e vet, hiqen sikur e duan njëri-tjetrin, ndërsa Miku i vërtetë ju ka dashur e ju do për të mirën tuaj; me të vërtetë, ai ka kaluar vuajtje të panumërta për t’ju udhëhequr. Mos i dilni të pabesë një Miku të tillë, përkundrazi nxitoni tek Ai. I tillë është ylli i ditës i fjalës së të vërtetës e të besnikërisë, që ka aguar mbi horizontin e pendës së Zotit të të gjithë emrave. Hapini veshët që të dëgjoni fjalën e Perëndisë, ndihmës në rrezik, të vetëqenëshmit.
-~-53. O JU QË MBURRNI VETEN PËR PASURITË E VDEKSHME!
Dijeni me të vërtetë se pasuria është një barrierë e fuqishme midis kërkuesit dhe objektit të dëshirës së Tij, midis të dashuruarit e të shumë¬dashurit të tij. Të pasurit, përveç disa të paktëve, nuk do ta arrijnë kurrsesi oborrin e pranisë së Tij, as do të hyjnë në qytetin e të të kënaqurit e të nënshtrimit. Pra lum ai që, edhe pse është i pasur, pasuria nuk e largon nga mbretëria e përjetë¬shme, as e privon nga sundimi i amshuar. Për emrin më të madh! Shkëlqimi i një të pasuri të tillë do të ndriçojë banorët e qiellit, ashtu si dielli ndiçon banorët e tokës.
-~-Të varfërit midis jush janë shpresa Ime; ruajeni shpresën Time dhe mos shikoni vetëm rehatinë tuaj.
-~-Pastroje veten nga ndyrësia e pasurisë dhe në qetësi të plotë shko përpara drejt mbretërisë së varfërisë; që nga burimi i shkëputjes të pish verën e jetës së pavdekshme.
-~-Shoqërimi me të pafenë shton hidhërimin, ndërsa shoqëria me të drejtin heq ndryshkun nga zemra. Ai që kërkon të komunikojë me Perëndinë le të drejtohet nga shoqërimi me të shumëdashurit e Tij; dhe ai që dëshiron të dëgjojë fjalën e Perëndisë, le t’u vërë veshin fjalëve të të zgje¬dhurve të Tij.
-~-Ki mendjen! Mos shko me të pafenë dhe mos kërko shoqërinë me të, sepse një shoqërim i tillë e kthen shkëlqimin e zemrës në zjarr skëterre.
-~-Nëse kërkon hirin e Shpirtit të Shenjtë, shoqë¬rohu me të drejtin, sepse ai ka pirë kupën e jetës së amshueme nga duart e Kupëmbajtësit të pavdekshëm dhe, si agim i vërtetë, gjallëron e ndriçon zemrat e të vdekurve.
-~-Mos pandehni se sekretet e zemrave janë të fshehura. Aspak. Dijeni me siguri se ato janë të gdhendura me germa të dukshme dhe shfaqen hapur në Praninë e shenjtë.
-~-Me të vërtetë Unë them, çdo gjë që keni fshehur brenda zemrave tuaja janë për Ne të hapura e të dukshme si drita e ditës; por ajo që fshihet është nga hiri e mirësia Jonë dhe jo për meritën suaj.
-~-Nga oqeani i paanë i mëshirës Sime kam derdhur një pikë mbi popujt e botës, megjithatë askush nuk është drejtuar nga ajo, sepse të gjithë i kanë kthyer shpinën verës qiellore të bashkimit për në llumin e ndyrë të papastërtisë dhe, të kënaqur me gotën e vdekshme, kanë flakur tutje kupën e bu¬kurisë së pavdekshme. E poshtër është ajo gjë me të cilën ai kënaqet.
-~-Mos i largo sytë nga vera e pashoqe e të Shumëdashurit të pavdekshëm, dhe mos i hap ato për llumet e ndyrë e të vdekshëm. Merr nga duart e Kupëmbajtësit hyjnor kupën e jetës së pavdekshme, që gjithë urtia të jetë jotja dhe që ti të dëgjosh zërin mistik që po thërret nga mbretëria e të padukshmit. Qani me dënesë ju që keni qëllime të ulëta! Përse i keni kthyer shpinën verës Sime të shenjtë e të pavdekshme dhe keni pranuar ujë jetëshkurtër?
-~-Dijeni, me të vërtetë, se një fatkeqësi e papara¬shikuar po ju ndjek dhe një haraç i rëndë ju pret. Mos mendoni se bëmat që keni kryer i janë fshehur vështrimit Tim. Për bukurinë Time! Të gjitha veprimet tuaja penda Ime i ka gdhendur me germa të dukshme në pllaka krizoliti.
-~-Hiqni dorë nga tirania, sepse Unë jam zotuar të mos fal padrejtësinë e askujt. Kjo është besë¬lidhja Ime, që e kam dekretuar në mënyrë të pakthyeshme në tabelat e ruajtura dhe e kam vulosur me vulën Time të lavdisë.
-~-Durimi Im ju ka dhënë guxim dhe zemërgjerësia Ime ju ka bërë aq të shkujdesur, sa ju ka nxitur t’i hipni kalit të rrëmbyer të pasionit në rrugë të rrezikshme që çojnë në shkatërrim. Mos keni pandehur se jam i pavëmendshëm ose se nuk e kam ditur këtë?
-~-Ju kam dhënë gjuhën për të më përmendur Mua, mos e ndyni atë me shpifje. Në qoftë se ju mposht zjarri i egoizmit, kujtoni të metat tuaja e jo të metat e krijesave të Mia, përderisa secili prej jush njeh më mirë veten sesa njeh të tjerët.
-~-Dijeni me të vërtetë që, ndërsa agimi i ndritshëm del mbi horizontin e shenjtërisë së përjetshme, të fshehtat e veprat djallëzore të bëra në errësirën e natës do të zbulohen e do të shfaqen lakuriq para popujve të botës.
-~-Përse duart e tua të ndotura nuk kanë prekur më parë vetë rrobën tënde, dhe përse me zemrën tënde të ndotur nga dëshira e pasioni ti kërkon të komunikosh me Mua dhe të hysh në mbretërinë Time të shenjtë? Sa larg, sa larg jeni ju nga ajo që dëshironi.
-~-Fjalët e shenjta dhe veprat e kulluara e të mëdha ngjiten në qiellin e lavdisë hyjnore. Përpiquni që veprat tuaja të spastrohen nga pluhuri i egos e hipokrizia dhe të gjejnë përkrahje në oborrin e lavdisë; sepse së shpejti provuesit e njerëzimit, në praninë e shenjtë të të Adhuruarit, nuk do të pranojnë asgjë veç virtytit absolut dhe veprave të një dëlirësie të panjollosur. Ky është ylli i ditës i urtisë dhe i misterit hyjnor që ka ndriçuar mbi horizontin e vullnetit hyjnor. Të bekuar janë ata që kthehen ndaj tij.
-~-E këndshme është mbretëria e qenies, nëse e arrin atë; i lavdishëm është sundimi i përjetë-sisë, po qe se shkon tej botës së vdekshmërisë; e ëm¬bël është ekstaza e shenjtë, po të pish nga kupa mistike prej duarve të të Riut qiellor. Po ta arrish këtë pozitë, çlirohesh prej shkatërrimit e vdekjes, prej mundimit e mëkatit.
-~-Kujtoni besëlidhjen që keni bërë me Mua mbi Malin Paran, që ndodhet në rrethinat e shenjta të Zamanit. Kam marrë si dëshmitarë tubimin e epërm dhe ata që jetojnë në qytetin e përjetësisë, megjithatë tani nuk gjej asnjë besnik të besë¬lidhjes. Me siguri, krenaria dhe rebelimi e kanë fshirë atë nga zemrat, aq sa nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Megjithëse e kam ditur këtë, Unë kam pritur dhe nuk e kam treguar atë.
-~-Ti je si një shpatë e kalitur mirë, e fshehur në errësirën e millit të saj dhe vlera e së cilës është e panjohur për zejtarin. Prandaj dil nga milli i vetvetes dhe dëshiro që vlera jote të bëhet e shkëlqyeshme dhe e dukshme për mbarë botën.
-~-Ti je ylli i ditës i qiejve të shenjtërisë Sime, mos lër të eklipsohet shkëlqimi yt nga shthurja e botës. Grise velin e shkujdesjes, që nga prapa reve të dalësh i ndriçuar dhe t’i veshësh të gjitha gjërat me rrobën e jetës.
-~-Për një sovranitet jetëshkurtër ju keni braktisur mbretërinë Time të pavdekshme dhe jeni stolisur me unifomat e larme të botës, duke u mburrur me to. Për bukurinë Time! Të gjithë do t’i mbledh nën mbulesën njëngjy¬rëshe të pluhurit dhe do t’i fshij të gjitha këto ngjyra të ndryshme, veç atyre që zgjedhin ngjyrën Time, dhe ky është spastrim nga çdo ngjyrë.
-~-Mos ia kushtoni dashurinë tuaj mbretërisë së vdekshme dhe mos u gëzoni në të. Ju jeni si ai zogu i pakujdeshëm, i cili plot vetbesim cicë¬rin mbi degë; derisa papritur Vdekja gjahtare e hedh mbi pluhur dhe melodia, forma e ngjyra zhduken pa lënë asnjë gjurmë. Prandaj kini kujdes, o skllevër të lidhur pas dëshirës!
-~-Udhëheqja gjithmonë është dhënë me fjalë, por tani jepet me vepra. Secili duhet të kryejë vepra të kulluara e të shenjta, sepse fjalët janë pronë e të gjithëve, kurse vepra të tilla u përkasin vetëm të dashurve Tanë. Prandaj përpiquni me mish e me shpirt të dalloheni përmes veprave tuaja. Kështu ju këshillojmë Ne në këtë tabelë të shenj¬të e të shkëlqyer.
-~-Në kohë nate bukuria e Qenies së pa¬vdek¬shme kaloi nga lartësia e zmerald të besnikë¬risë nën Sadratu’l-Muntahá dhe qau me aq ngashërim saqë Tubimi atje lart dhe banorët e mbretërive të epërme vajtuan për rën¬kimet e Tij. Dhe atëherë e pyetën përse qante e vajtonte? Ai u përgjigj: Siç qe kërkuar, ndenja në pritje mbi kodrën e besës, por nga ata që jetojnë mbi tokë nuk më erdhi aroma e besnikërisë. I thirrur që të kthehem, Unë pashë ah, disa pëllumba të shenjtërisë të tortu¬ruar në kthetrat e qenve të tokës. E atëherë Vasha e Qiellit nxitoi të dalë, e shkëlqyer dhe e pambuluar, nga banesa e Saj mistike dhe pyeti për emrat e tyre, dhe iu thanë të gjithë përveç njërit. E kur nguli këmbë, u shqiptua germa e parë e tij, dhe banorët e dhomave qiellore vër¬shuan nga banesa e tyre e lavdisë. E kur u shqiptua germa e dytë, ata të gjithë ranë poshtë në pluhur. Në këtë çast një zë u dëgjua nga më e shenjta faltore: “Deri këtu e jo më tej”. Me të vërtetë, Ne dëshmojmë për atë që ata kanë bërë e që janë duke bërë tani.
-~-Prej gjuhës së të mëshirshmit shuaj etjen në rrëkenë e misterit hyjnor, dhe sodit prej agimit të fjalës hyjnore shkëlqimin e zbuluar të yllit të ditës të urtisë. Hidhi farat e urtisë Sime hyjnore në dheun e pastër të zemrës dhe ujiti ato me ujërat e sigurisë, që zymbylat e dijes e të urtisë të mbijnë të freskët e të gjelbër nga qyteti i shenjtë i zemrës.
-~-Për sa kohë do të fluturosh në mbretëritë e dëshirës? Unë të dhurova krahë që të fluturosh drejt mbretërive të shenjtërisë mistike dhe jo drejt zonave të fantazisë djallëzore. Edhe krehër të kam dhënë që të krehësh kaçurrelat e Mi korb të zinj, e jo që të çjerrësh grykën Time.
-~-Ju jeni pemët e kopshtit Tim; ju duhet të jepni fryte të bukura e të mahnitshme, që vetë ju dhe të tjerët të përfitoni prej tyre. Pra, është detyrë e secilit të merret me një zeje ose profesion, sepse në këtë qëndron sekreti i pasurisë, o njerëz që kuptoni! Sepse rezultatet varen nga mjetet, dhe hiri i Perëndisë do të jetë i gjithëmjaftueshëm për ju. Pemët që nuk japin fryte gjithmonë kanë qenë e do të jenë për zjarr.
-~-Njerëzit më të ulët janë ata që nuk japin fryte mbi tokë. Njerëz të tillë, me të vërtetë, llogariten ndër të vdekurit, madje jo, në sytë e Perëndisë më mirë të vdekurit sesa ata njerëz përtacë e pa vlerë.
-~-Më të mirët e njerëzve janë ata që sipas prirjeve të tyre fitojnë mjetet e jetesës dhe i shpenzojnë për vete e për të afërmit për hir të dashurisë së Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve.
Nusja mistike dhe e mahnitshme, e cila më parë ishte e fshehur nën vellon e fjalës, tani, me hirin e Perëndisë e me favorin e Tij hyjnor, është shfaqur si drita vezulluese e përhapur nga bukuria e të Shumëdashurit. Unë dëshmoj, o miq, se favori është i plotë, se argumenti është përmbushur, se prova është e dukshme dhe e vërteta ka dalë në shesh. Le të shihet tani se çfarë do të zbulojë sjellja juaj në shtegun e vetshkëputjes. Kështu ju është dhuruar fa¬vori hyjnor juve dhe atyre që janë në qiell e mbi tokë. Çdo lavdi Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve.
-~-