Vullneti dhe Testamenti i ‘Abdu’l-Bahá-it Pjesa e Parë Më poshtë vijojnë Tabelat dhe Testamenti i ‘Abdu’l-Bahá-it 1 LËVDUAR QOFTË AI Që, me Mburojën e Besëlidhjes së Tij, ka ruajtur Tempullin e Kauzës së Tij nga shigjetat e dyshimit, Që me Ushtritë e Testamentit të Tij ka ruajtur Shenjtëroren e Ligjit të Tij aq Shpëtimtar dhe ka mbrojtur Shtegun e Tij të Drejtë e të Shndritshëm, duke ndalur në këtë mënyrë mësymjen e hordhisë së shkelësve të Besëlidhjes, që ka kërcënuar të rrëzojë Godinën e Tij të Shenjtë; Që ka vigjëluar mbi Kështjellën e Tij të Fuqishme dhe Besimin Lavdiplotë, me ndihmën e njerëzve të cilët shpifja e shpifësit nuk i prek, të cilët kurrfarë thirrje, lavdi e pushtet tokësor nuk i largon nga Besëlidhja e Perëndisë dhe Testamenti i Tij, të provuar në mënyrë të patundur nga fjalët e Tij të qarta e të dukshme, të shkruara e të reveluara nga Pena e Tij Lavdiplote dhe të shënuara në Tabelën e Ruajtur. 2 Përshëndetja e lavdërimi, bekimi e lavdia qofshin mbi atë degë parësore të Pemës së Lotosit Hyjnore e të Shenjtëruar, që ka mbirë, fatlume, e njomë, e bleruar dhe e lulëzuar nga Pemët e Shenjta Binjake; perla më e mrekullueshme, unikale dhe e paçmuar që vezullon nga detet Binjake të dallgëzuara; mbi lastarët e Pemës së Shenjtërisë, filizat e Pemës Qiellore, mbi ata që në Ditën e Ndarjes së Madhe kanë qëndruar të patundur e të vendosur në Besëlidhjen; mbi Duart (shtyllat) e Kauzës së Perëndisë që kanë përhapur gjerësisht Aromat Hyjnore, kanë shpallur Provat e Tij, kanë proklamuar Besimin e Tij, që kanë botuar në të katër anët Ligjin e Tij, që e kanë shkëputur vetveten nga të gjitha gjërat veç Tij, që kanë qëndruar për jetën e drejtë në këtë botë, dhe që kanë ndezur Zjarrin e Dashurisë së Perëndisë në vetë zemrat e shpirtrat e shërbëtorëve të Tij; mbi ata që kanë besuar, kanë mbetur të sigurt, kanë qëndruar të patundur në Besëlidhjen e Tij dhe kanë ndjekur Dritën që pas vdekjes sime shkëlqen nga Agimi i Udhërrëfimit Hyjnor – sepse shiko! Ai është degëza fatlume dhe e shenjtëruar që ka mbirë nga Pemët e Shenjta Binjake. Lum ai që kërkon strehë nën hijen e tij që mbulon gjithë njerëzimin. 3 O ju të dashur të Zotit! Më e madhja ndër të gjitha gjërat është mbrojtja e Besimit të Vërtetë të Perëndisë, ruajtja e Ligjit të Tij, sigurimi i Kauzës së Tij dhe shërbimi ndaj Fjalës së Tij. Dhjetë mijë shpirtra kanë derdhur lumenj të gjakut të tyre të shenjtë në këtë shteg, kanë ofruar jetët e tyre të çmuara si flijim për Të, kanë nxituar të rrëmbyer nga ekstaza e shenjtë për në fushën e martirizimit, kanë ngritur Flamurin e Besimit të Perëndisë dhe kanë shkruar me gjakun e jetës së tyre në Tabelën e botës vargjet e Unitetit të Tij Hyjnor. Gjoksi i shenjtë i Shenjtërisë së Tij, të Lartësuarit (u flijoftë jeta ime për Të), u bë tabelë qitjeje për shumë shigjeta të vuajtjes, dhe në Mazendaran këmbët e bekuara të Bukurisë Abhá (u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij) u copëtuan aq keq saqë pikonin gjak e u plagosën rëndë. Edhe qafa e Tij ishte e lidhur me zinxhirë ngujimi dhe këmbët e Tij të shtrënguara në mengene. Çdo orë, për një periudhë prej pesëdhjetë vjetësh, një sprovë e një gjëmë e re i ndodhte Atij dhe brenga e shqetësime të tjera e rrethonin. Njëra prej tyre ishte: pasi kishte pësuar peripeci të mëdha, Ai u bë i pastrehë e një endacak dhe ra viktimë e shqetësimeve e telasheve të tjera akoma. Në Irak, Ylli i Ditës i botës u bë pre e dredhive të njerëzve keqdashës për të errësuar shkëlqimin e Tij. Më pas Ai u syrgjynos në Qytetin e Madh (Konstantinopojë) dhe që andej në Tokën e Misterit (Adrianopojë), prej ku, i munduar egërsisht, u transferua përfundimisht në Burgun Më të Madh (‘Akká). Ai Që bota e kishte munduar (u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij), u surgjynos katër herë nga qyteti në qytet, derisa më në fund, i dënuar me izolim të përjetshëm, u mbyll në këtë burg, në burgun e grabitësve të rrugës, të kusarëve e të vrasësve. Dhe e gjithë kjo s’është veçse një prej sprovave që i kanë shkaktuar vuajtje Bukurisë së Bekuar, dhe të tjerat janë po aq të rënda sa dhe kjo. 4 Dhe një tjetër akoma prej sprovave të Tij ishte armiqësia, pdrejtësia flagrante, ligësia dhe rebelimi i Mirza Jahja-it [Mirza Yaḥyá]. Edhe pse Ai i Munduar, Ai i Burgosur, e kishte ushqyer atë me dashamirësinë e Tij në gjoksin e Vet që nga vitet e fëminisë, kishte treguar për të kujdesin e Tij të dhembshur, kishte lartësuar emrin e tij, e kishte mbrojtur atë nga çdo fatkeqësi, kishte bërë që atë ta duan si ata të kësaj bote dhe të tjetrës, dhe megjithë qortimet e këshillat e Shenjtërisë së Tij, të Lartësuarit ( Báb-it) dhe paralajmërimin e Tij të qartë e bindës; – “Ki mendjen, ki mendjen, se mos të Nëntëmbëdhjetë Shkronjat e të Gjallit dhe ajo që është reveluar në Bajan-in [Bayán] të zënë sytë ty!”, por pavarësisht nga kjo, Mirza Jahja-i e mohoi Atë, u soll shtrembër me Të, nuk besoi tek Ai, mbolli farat e dyshimit, i mbylli sytë para vargjeve të Tij të qarta dhe ktheu rrugë. Se mos ai u mjaftua me kaq! Jo, ai madje u orvat të derdhte gjakun e shenjtë (të Bahá’u’lláh-ut) dhe prandaj shkaktoi një zhurmë e trazirë të madhe rreth vetes, duke i atribuar Bahá’u’lláh-ut keqdashje e qëndrim të pashpirt ndaj tij. Çfarë rebelimi nxiti ai dhe ç’stuhi ligësie shpërtheu ndërsa ndodheshin në Tokën e Misterit (Adrianopojë)! Më në fund, ai u bë shkaktari që Ylli i Ditës i botës të syrgjynosej këtu, në Burgun Më të Madh, dhe i munduar së tepërmi, e në Perëndim të këtij Burgu të Madh Ai perëndoi. 5 O ju që qëndroni fort e të patundur në Besëlidhjen! Qendra e rebelimit, Bartësi Kryesor i ligësisë, Mirza Muhamet Ali-iu (Mirza Muḥammad ‘Alí) ka dalë jashtë hijes së Kauzës, ka shkelur Besëlidhjen, ka falsifikuar Tekstin e Shenjtë, i ka shkaktuar një humbje të rëndë Besimit të vërtetë të Perëndisë, ka shpërndarë njerëzit e Tij, është orvatur me mëri të egër të godasë ‘Abdu’l-Bahá-in dhe ka sulmuar me armiqësinë më të madhe këtë shërbëtor të Pragut të Shenjtë. Ai rrëmbeu e hodhi çdo shigjetë për të shpuar gjoksin e këtij shërbëtori të munduar, nuk la pasdore plagë pa shkaktuar për të më goditur rëndë, nuk kurseu vrer për të helmuar me të jetën e këtij fatkeqi. Unë betohem për shumë të shenjtin Bukuri Abhá dhe për dritën që shkëlqen prej Shenjtërisë së Tij, të Lartësuarit (u flijoftë shpirti im për shërbëtorët e Tyre të përunjur), që për shkak të kësaj ligësie banorët e Pavijonit të Mbretërisë Abhá kanë vajtuar, Tubimi Qiellor po rënkon, Shërbëtoret e Pavdekshme të Qiellit në Parajsën Më të Lartë kanë lëshuar klithma të përvajshme dhe aradha engjëllore ka rënkuar e ka nxjerrë ofshama. Bëmat e këtij personi të lig janë bërë aq të padurueshme, saqë ai qëlloi me sëpatën e tij rrënjët e Pemës së Bekuar, i dha një goditje të rëndë Tempullit të Kauzës së Perëndisë, mbyti me lot të përgjakur sytë e të dashurve të Bukurisë së Bekuar, nxiti e inkurajoi armiqtë e të Vetmit Perëndi të Vërtetë, duke mohuar Besëlidhjen largoi shumë kërkues të së Vërtetës nga Kauza e Perëndisë, rigjallëroi shpresat e mallkuara të pasuesve të Jahja-it, e bëri veten të urryer, bëri që armiqtë e Emrit Më të Madh të marrin guxim e të bëhen arrogantë, la mënjanë vargjet e sigurta e bindëse dhe mbolli farat e dyshimit. Të mos i ishte dhënë me dashamirësi ndihma e premtuar e Bukurisë së Lashtë në çdo moment këtij njeriu [‘Abdu’l-Bahá-it], sado i padenjë që të jetë, ai [Muhamet Aliu] me siguri do të kishte shkatërruar, madje asgjësuar Kauzën e Perëndisë dhe do të kishte përmbysur krejtësisht Godinën e Shenjtë. Por, lëvduar qoftë Perëndia, ndihma triumfuese e Mbretërisë Abhá erdhi, ushtritë e Mbretërisë atje lart nxituan të dhurojnë fitoren. Kauza e Perëndisë u përhap kudo, thirrja e Të Vërtetit u shpall gjerësisht, në të gjitha anët veshët u prirën ndaj Fjalës së Perëndisë, u shpalos flamuri i Tij, emblemat e Shenjtërisë u valëvitën lart me lavdi dhe vargjet që i thurin lavde Unitetit të Tij Hyjnor u kënduan. Tani që Besimi i Vërtetë i Perëndisë mund të ruhet e mbrohet, Ligji i Tij të qëndrojë e të mbahet dhe Kauza e Tij është e sigurt dhe e të paprekshme, është detyrë e gjithsecilit të mbahet fort pas Tekstit të qartë e vargut të shenjtë e të sprovuar, të reveluar për të. Asnjë mëkat tjetër më i madh se ky kurrë nuk mund të imagjinohet. Ai (Bahá’u’lláh-u) thotë, e lavdishme dhe e shenjtë është Fjala e Tij: – “Të dashurit e mi të marrë e kanë parë atë madje si bashkëpunëtorin tim, kanë nxitur rebelimin në atë tokë dhe ata në të vërtetë janë ngatërrestarë”. Shiko, sa të marrë janë njerëzit! Ata që kanë qenë në Praninë e Tij (të Bahá’u’lláh-ut) dhe kanë parë Fytyrën e Tij, megjithatë kanë përhapur gjerësisht të tilla fjalë boshe, derisa, u lartësofshin fjalët e Tij të qarta, Ai tha: – “Sikur të dalë qoftë edhe për një çast të vetëm nga hija e Kauzës, ai me siguri do të kthehet në hiç”. Pa mendoni! Çfarë theksi vë ai në devijimin e një momenti të vetëm: domethënë, sikur ai të prirej qoftë edhe sa një fije floku në të djathtë ose në të majtë, shmangia e tij do të vihej re qartë dhe të qënit e tij një hiç i plotë do të dukej sheshit. Dhe tani ju jeni dëshmitarë sesi zemërimi i Perëndisë e ka goditur atë nga të gjitha anët dhe si nga dita në ditë ai po shkon drejt shkatërrimit. Së shpejti ju do ta shihni atë dhe shokët e tij, nga jashtë e nga brenda, të dënuar me falimentim të plotë. 6 Çfarë shmangie më të madhe mund të ketë sesa shkelja e Besëlidhjes së Perëndisë! Çfarë shmangie më të madhe mund të ketë sesa ndërshtënia dhe shtrembërimi i fjalëve e i vargjeve të Tekstit të Shenjtë, ashtu siç është dëshmuar e deklaruar nga Mirza Badiullah-u [Mirza Badi‘u’lláh]! Çfarë shmangieje më të madhe mund të ketë sesa të shpifësh për vetë Qendrën e Besëlidhjes! Çfarë shmangieje mund të duket më sheshit sesa përhapja në të katër anët e zërave të rremë e të marrë që prekin Tempullin e Testamentit të Perëndisë! Çfarë shmangie më të rëndë mund të ketë sesa vendimi për vrasjen e Qendrës së Besëlidhjes, shmangie që vërtetohet nga vargu i shenjtë: – “Ai që para se të kenë kaluar njëmijë vjet del me pretendimin…”, dërsa ai (Muhamet Aliu) pa pikë turpi ka dalë në ditët e Bukurisë së Bekuar me një pretendim të tillë e ky është hedhur poshtë prej Tij në mënyrën e mësipërme, dhe teksti i pretendimit të tij ekziston akoma me dorëshkrimin e tij dhe mban vulën e vetë atij. Çfarë shmangie më të plotë mund të ketë sesa akuza e rremë kundër të dashurve të Perëndisë! Çfarë shmangie më të ligë mund të ketë sesa të shkaktosh futjen brenda e burgosjen e tyre! Çfarë shmangie më të pashpirt mund të ketë sesa t’i dorëzosh qeverisë Shkrimet dhe Letrat e Shenjta , që ndoshta mund të nxisin tek ata (qeveria) synimin për vrasjen e këtij të munduari! Çfarë shmangie më të tërbuar mund të ketë sesa kërcënimi për të shkatërruar Kauzën e Perëndisë, duke sajuar e falsifikuar në mënyrë shpifëse letra e dokumente, që kjo të shqetësojë e alarmojë qeverinë dhe të çojë në derdhjen e gjakut të këtij të munduari; – të tilla letra e dokumente ndodhen tani në duart e qeverisë! Çfarë shmangie më të urryer mund të ketë sesa kjo ligësi e ky rebelim! Çfarë shmangie më të turpshme mund të ketë sesa hapërdarja e tubimit të njerëzve të shëlbimit! Çfarë shmangie më të poshtër mund të ketë sesa interpretimet boshe e jobindëse të njerëzve të dyshimit! Çfarë shmangie më keqdashëse mund të ketë sesa të bëhesh ortak me të huajt e me armiqtë e Perëndisë! 7 Disa muaj më parë, në marrëveshje me të tjerë, ai që shkeli Besëlidhjen përgatiti një dokument që gëlon nga shpifjet e përgojimi, ku, mos e dhëntë Perëndia, midis shumë akuzash të tilla shpifëse, ‘Abdu’l-Bahá-i quhet armik për vdekje, dashakeq i Kurorës. Këto i shqetësuan aq shumë mendjet e anëtarëve të Qeverisë Perandorake saqë më në fund një Komitet Hetimor u dërgua nga selia e Qeverisë së Madhërisë së Tij, i cili i zhvilloi hetimet e veta duke dhunuar çdo rregull të drejtësisë e të paanësisë që i ha hije Madhërisë së Tij Perandorake, madje me një padrejtësi që duket fare sheshit. Dashakeqët e të Vetmit Perëndi të Vërtetë i rrethonin ata nga çdo anë dhe interpretonin e zmadhonin pamasë ato që thuheshin në tekstin e dokumentit, ndërkohë që ata (anëtarët e Komitetit) nga ana e tyre pranonin verbërisht në heshtje. Një prej shpifjeve të shumta ishte se ky shërbëtor kishte ngritur lart një flamur në këtë qytet, kishte mbledhur bashkë njerëzit nën të, kishte vendosur një sovranitet të ri për veten e tij, kishte ndërtuar një kështjellë të fuqishme mbi Malin Karmel, kishte rreshtuar rreth vetes të gjithë njerëzit e tokës dhe i kishte bërë të bindur ndaj tij, kishte shkaktuar përçarje në Besimin e Islamit, kishte rënë në ujdi me pasuesit e Krishtit dhe, mos e dhëntë Perëndia, kishte synuar të shkaktonte të çarën më të rëndë në pushtetin e fuqishëm të Kurorës. Na ruajtë Zoti nga gënjeshtra të tilla të ndyra! 8 Sipas urdhrit të drejtpërdrejtë e të shenjtë të Perëndisë, ne e kemi të ndaluar të themi shpifje, neve na urdhërohet të ngrejmë në qiell paqen e miqësinë, jemi të porositur të kemi sjellje korrekte, të jemi të çiltër e në harmoni me të gjithë fiset e popujt e botës. Ne duhet t’u bindemi dhe të jemi dashamirësit e të gjitha qeverive të tokës, ta shohim pabesinë ndaj një mbreti të drejtë si pabesi ndaj vetë Perëndisë dhe dashakeqësinë ndaj qeverisë si shkelje të Kauzës së Perëndisë. Pas këtyre fjalëve të paapelueshme e vendimtare, si mundet që këta të burgosur te jepen pas të tilla fantazive boshe; si munden këta të mbyllur në burg të tregojnë një pabesi të tillë! Por mjerisht! Komiteti Hetimor i ka miratuar e konfirmuar këto shpifje të vëllait tim e të keqdashësve dhe ia ka paraqitur ato Madhërisë së Tij Sovranit. Tani në këtë moment një stuhi e tërbuar po sillet rreth këtij të burgosuri, i cili po pret vullnetin e hirshëm të Madhërisë së Tij, qoftë ai i favorshëm ose i pafavorshëm, Zoti e ndihmoftë atë me hirin e Tij që të jetë i drejtë. Në çfarëdo kushtesh që të ndodhet, ‘Abdu’l-Bahá-i është i gatshëm me qetësi absolute e pa u tronditur, për vetëflijim, dhe tërësisht i nënshtruar e i bindur ndaj Vullnetit të Tij. Çfarë mëkati më të neveritshëm, më të urryer, më të kobshëm sesa ky mund të ketë! 9 Në këtë mënyrë, Qendra e vatrës së Urrejtjes ka synuar ta çojë ‘Abdu’l-Bahá-in drejt vdekjes dhe kjo mbështetet nga dëshmia e shkruar prej vetë Mirza Shuaullah-ut [Mirza Shu‘á‘u’lláh] dhe është bashkëngjitur këtu. Është e qartë dhe e padiskutueshme që ata në fshehtësi e me dinakërinë më të madhe janë angazhuar në komplotin kundër meje. Këto që vijojnë janë vetë fjalët e tij të shkruara prej tij në këtë letër: – “Unë e mallkoj atë në çdo çast që ka ndezur këtë mospajtim, ka nëmur me këto fjalë ‘Zot! Mos e mëshiro atë’ dhe unë shpresoj që së shpejti Perëndia do të shfaqë atë që nuk do të ketë mëshirë për të, që tani mban një rrobë tjetër dhe për të cilin nuk mund të zgjatem më tej’. Me këto fjalë ai i referohet vargut të shenjtë që fillon si më poshtë: – ‘Ai që para se të kenë kaluar njëmijë vjet del me tretendimin…’. Pa mendoni! Sa synojnë ata vrasjen e ‘Abdu’l-Bahá-it! Peshojeni në zemrat tuaja frazën “Unë nuk mund të zgjatem më tej” dhe kuptojeni se çfarë makinacionesh po sajojnë ata për këtë qëllim. Ata kanë frikë se mos, e shtjelluar më tepër nga ç’duhet, letra e tyre mund të bjerë në duar të huaja dhe makinacionet e tyre dështojnë e shkojnë kot. Fraza vetëm paralajmëron për lajmet e gëzuara që do të vijnë, domethënë që lidhur me këtë janë marrë të gjitha masat e duhura. 10 O Perëndi, Perëndia im! Ti e sheh këtë shërbëtor të munduar Tëndin, të shtrënguar fort në kthetrat e luanëve të egër, të ujqërve grabitqarë, të bishave të etura për gjak. Më mdihmo me dashamirësi, për dashurinë time për Ty, që unë të pi me fund kupën plot e përplot me besnikërinë ndaj Teje dhe që është e mbushur me Hirin Tënd bujar; në mënyrë që, i rrëzuar në pluhur, unë të zhytem i shtrirë përdhe e pa ndjenja, ndërsa rroba ime është e skuqur me gjakun tim. Kjo është dëshira ime, shpresa ime, krenaria ime, lavdia ime. Bëj, O Zot Perëndia im, dhe Streha ime, që në orën time të fundit, mbarimi im të përhapë si myshk aromën e tij të lavdisë! A ka bujari më të madhe se kjo? Jo, për Lavdinë Tënde! Unë të lutem Ty të dëshmosh se nuk kalon as edhe një ditë që unë të mos pi hisen time nga kjo kupë, kaq të rënda janë prapësitë e bëra prej atyre që kanë shkelur Besëlidhjen, kanë ndezur mospajtimin, kanë treguar ligësinë e tyre, kanë nxitur rebelimin në vend dhe të kanë poshtëruar Ty midis shërbëtorëve të Tu. Zot, ruaje nga këta shkelës së Besimit Kështjellën Tënde të Fuqishme dhe mbroje Shenjtëroren Tënde të fshehtë nga mësymja e të pabesëve. Ti je me të vërtetë i Fuqishmi, i Pushtetshmi, i Hirshmi, i Forti. 11 Me një fjalë, O ju të dashurit e Zotit! Qendra e Rebelimit, Mirza Muhamet Ali-u, sipas fjalëve bindëse të Perëndisë dhe për shkak të mëkatit të tij të pafund, ka rënë keqas dhe është këputur nga Pema e Shenjtë. Me të vërtetë, nuk u kemi bërë ne keq atyre, por ata i kanë bërë keq vetvetes! 12 O Perëndi, Perëndia im! Ruaji shërbëtorët e Tu të besuar nga të këqijat e unit e të pasionit, mbroji ata me syrin vigjëlues të dashamirësisë Sate nga çdo mëri, urrejtje e zili, strehoi ata në kështjellën e pamposhtur të përkujdesjes Sate dhe, të shpëtuar nga shigjetat e dyshimit, bëji ata manifestimet e Shenjave të Tua të lavdishme, ndriçoi fytyrat e tyre me rrezet e shndritshme që përhapen prej Agimit të Unitetit Tënd Hyjnor, ngazëlloi zemrat e tyre me vargjet e reveluara nga Mbretëria Jote e Shenjtë, forcoi këllqet e tyre me fuqinë Tënde gjithësunduese që vjen nga Mbretëria Jote e Lavdisë. Ti je Bujariploti, Mbrojtësi, Fuqiploti, i Hirshmi! 13 O ju që qëndroni fort në Besëlidhjen! Kur të vijë ora që ky zog i munduar e krahëthyer të ketë marrë fluturimin për në Tubimin Qiellor, që ai të ketë shpejtuar për në Mbretërinë e të Padukshmit dhe trupi i tij i vdekshëm të ketë humbur ose të jetë fshehur nën pluhur, është detyrë e Afnanëve (Afnán), që janë të patundur në Besëlidhjen e Perëndisë dhe që janë degëzuar nga Pema e Shenjtërisë; e Duarve (shtyllave) të Kauzës së Perëndisë (lavdia e Perëndisë qoftë mbi ta), dhe e të gjithë miqve e të dashurve, pa përjashtim, të vihen në lëvizje, të ngrihen me zemër e shpirt dhe njëzëri, për të përhapur shijet e ëmbla të Perëndisë, për t’u mësuar njerëzve Kauzën e Tij dhe për të mbështetur Besimin e Tij. Atyre u ka hije të mos pushojnë për asnjë çast, as edhe për t’u prehur. Ata duhet të shpërndahen në çdo vend, të kalojnë në çdo klimë, dhe të udhëtojnë në të katër anët. Gjithnjë në lëvizje, pa pushuar, dhe të patundur deri në fund, ata duhet të lëshojnë në çdo vend thirrjen triumfale Ja Bahá’ul-Abhá [Yá Bahá’u’l-Abhá] (O Ti Lavdia e Lavdive), duhet të bëjnë emër në botë kudo që shkojnë, duhet të ndritin me shkëlqim si qiriu në çdo takim dhe duhet të ndezin flakën e dashurisë Hyjnore në çdo kuvend; që drita e së vërtetës të ngrihet rrëzëlluese mu në mes të zemrës së botës, që në mbarë Lindjen e në mbarë Perëndimin të mblidhet një tubim i gjerë nën hijen e Fjalës së Perëndisë, që shijet e ëmbla të shenjtërisë të përhapen, që fytyrat të shkëlqejnë me rrëzëllim, zemrat të mbushen me frymën Hyjnore dhe shpirtrat të bëhen qiellorë. 14 Në kohën e sotme, më e rëndësishmja ndër të gjitha gjërat është udhërrëfimi ndaj kombeve dhe popujve të botës. Mësimi i Kauzës njerëzve ka rëndësinë më të madhe, sepse është guri mbajtës kryesor i vetë themelit. Ky shërbëtor i munduar i ka shpenzuar ditët e netët e tij për të çuar përpara Kauzën e për t’i ngritur popujt në shërbim. Ai nuk ka pushuar për asnjë çast, derisa fama e Kauzës së Perëndisë u përhap kudo në botë dhe meloditë qiellore nga Mbretëria Abhá ngritën Lindjen dhe Perëndimin. Të dashurit e Perëndisë duhet të ndjekin edhe ata po këtë shembull. Ky është sekreti i besnikërisë, kjo është kërkesa e shërbimit në Pragun e Bahá-it! 15 Dishepujt e Krishtit harruan vetveten dhe të gjitha gjërat tokësore, braktisën të gjitha meraqet e pasuritë e tyre, e spastruan vetveten nga uni e pasioni, dhe me shkëputje absolute u shpërndanë në të katër anët e u angazhuan për t’u bërë thirrje popujve të botës të pranojnë udhërrëfimin hyjnor; derisa më në fund e bënë botën një tjetër botë, ndriçuan sipërfaqen e tokës, madje edhe në orën e tyre të fundit treguan vetëmohim në shtegun e të Shumëdashurit të Perëndisë. Më së fundi, në vende të ndryshme ata përjetuan një martirizim të lavdishëm. Ata që janë njerëz të veprimit le të ecin në gjurmët e tyre! 16 O miqtë e mi të dashur! Pas ndarjes nga kjo jetë e këtij të munduari, është detyrë e Agsanëve [Aghṣán] (Degëve), e Afnanëve (Degëzave) të Pemës së Shenjtë të Lotosit, e Duarve (shtyllave) të Kauzës së Perëndisë dhe e të dashurve të Bukurisë Abhá të kthehen drejt Shoghi Effendi-ut – dega rinore që mbiu prej dy Pemëve të bekuara e të shenjta të Lotosit dhe fryti që u rrit nga bashkimi i dy lastarëve të Pemës së Shenjtërisë, sepse ai është shenja e Perëndisë, dega e zgjedhur, Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë, ai drejt të cilit duhet të kthehen të gjithë Agsanët, Afnanët, Duart e Kauzës së Perëndisë dhe të dashurit e Tij. Ai është interpretuesi i Fjalës së Perëndisë, dhe pas tij atë do ta zëvendësojë i parëlinduri i pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë. 17 Dega e shenjtë rinore, Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë, si dhe Shtëpia Universale e Drejtësisë që duhet zgjidhet e të ngrihet në shkallë universale, janë si njëri dhe tjetra nën kujdesin dhe mbrojtjen e Bukurisë Abhá, nën strehën dhe udhëheqjen e pagabueshme të të Lrtësuarit (u flijoftë jeta ime për ata të dy). Çdo gjë që do të vendosin ata është nga Perëndia. Kush nuk i bindet atij, nuk u bindet as atyre, nuk i është bindur Perëndisë; kush ngre krye kundër tij dhe kundër atyre ka ngritur krye kundër Perëndisë; kush i kundërvihet atij i është kundërvënë Perëndisë; kush matet me të është matur me Perëndinë; kush polemizon me të ka polemizuar me Perëndinë; kush e mohon atë ka mohuar Perëndinë; kush nuk beson tek ai nuk ka besuar te Perëndia; kush shmanget, e ndan veten dhe i kthen shpinën atij, në të vërtetë është shmangur, e ka ndarë veten dhe i ka kthyer shpinën Perëndisë. Mbi të rënçin zemërimi, indinjata e papërmbajtur dhe hakmarrja e Perëndisë! Kështjella e fuqishme do të mbetet e papushtueshme dhe e sigurt falë bindjes ndaj atij që është Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë. U takon anëtarëve të Shtëpisë së Drejtësisë, të gjithë Agsanëve, Afnanëve, Duarve të Kauzës së Perëndisë të tregojnë bindjen, pruljen dhe nënshtrimin e tyre ndaj Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë, të kthehen drejt tij dhe të jenë të përunjur para tij. Kush i kundërvihet atij i është kundërvënë Të Vërtetit, shkakton një të çarë në Kauzën e Perëndisë, hedh poshtë Fjalën e Tij dhe bëhet një shfaqje e Qendrës së Rebelimit. Kini mendjen, kini mendjen, se mos përsëriten ditët pas ngjitjes në qiell (të Bahá’u’lláh-ut), kur Qendra e Rebelimit u bë arrogant e i pabindur dhe, duke përdorur Unitetin Hyjnor si justifikim, privoi vetveten dhe përshtjelloi e helmoi të tjerët. Është afër mendjes që çdo njeri mendjemadh që synon të mbjellë përçarje e mosmarrëveshje nuk i shpall haptazi qëllimet e tij të liga, madje, ashtu si flori i papastër, do të kapet pas masash të ndryshme e gjithfarë pretekstesh që të përçajë bashkimin e njerëzve të Bahá-it. Qëllimi im është të tregoj se Duart e Kauzës së Perëndisë duhet të jenë kurdoherë syhapur dhe sapo të shohin se ndonjëri fillon të kundërvihet e të protestojë kundër Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë, ta flakin atë jashtë kongregacionit të njerëzve të Bahá-it dhe kurrsesi të mos pranojnë çfarëdo justifikimi nga ana e tij. Sa shpesh një shkelje e rëndë është maskuar me rrobën e së vërtetës, për të mbjellur farat e dyshimit në zemrat e njerëzve! 18 O ju të dashurit e Zotit! I takon Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë të caktojë gjatë jetës së vet atë që do të bëhet pasuesi i tij, që të mos ndodhin mosmarrëveshje pasi ai të ketë ndërruar jetë. Ai që do të caktohet duhet të shfaqë në veten e tij shkëputje nga të gjitha gjërat e kësaj bote, duhet të jetë thelbi i dëlirësisë, duhet të tregojë në veten e tij druajtje ndaj Perëndisë, dije, urti e kulturë. Prandaj, sikur i parëlinduri i Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë të mos shfaqë në veten e tij të vërtetën e fjalëve: – “Fëmija është thelbi i fshehtë i atit të tij”, domethënë sikur ai të mos trashëgojë brenda vetes frymën shpirtërore (të Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë) dhe prejardhja e tij e lavdishme të mos shoqërohet me një karakter të mirë, atëherë ai (Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë) duhet të zgjedhë një tjetër degë për ta pasuar. 19 Duart e Kauzës së Perëndisë duhet të zgjedhin nga gjiri i tyre nëntë persona që gjatë tërë kohës të merren me shërbimet e rëndësishme në punën e Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë. Zgjedhja e këtyre të nëntëve duhet bërë ose njëzëri ose me shumicë votash nga grupi i Duarve të Kauzës së Perëndisë dhe këta, qoftë njëzëri ose me shumicë votash, duhet të japin miratimin e tyre për zgjedhjen e atij që Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë ka caktuar si pasuesin e tij. Ky miratim duhet dhënë në mënyrë të tillë që votat pro dhe kundër të mos dihen (domethënë me votim të fshehtë). 20 O miq! Duart e Kauzës së Perëndisë duhet të emërohen e caktohen nga Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë. Të gjithë duhet të jenë nën hijen e tij dhe t’i binden urdhrit të tij. Nëse dikush, brenda ose jashtë grupit të Duarve të Kauzës së Perëndisë, nuk i bindet dhe kërkon përçarje, mbi të do të bien zemërimi i Perëndisë dhe hakmarrja e Tij, sepse ai do të shkaktonte një të çarë në Besimin e vërtetë të Perëndisë. 21 Detyrimet e Duarve të Kauzës së Perëndisë janë që të përhapin Aromat Hyjnore, të lartësojnë shpirtrat e njerëzve, të mbështesin diturinë, të përmirësojnë karakterin e të gjithë njerëzve dhe të jenë, në çdo kohë e në të gjitha rrethanat, të spastruar prej mëkateve e të shkëputur nga të gjitha gjërat tokësore. Ata duhet të tregojnë druajtje nga Perëndia me sjelljen e tyre, qëndrimet e tyre, bëmat e tyre dhe fjalët e tyre. 22 Kjo trupë e Duarve të Kauzës së Perëndisë është nën drejtimin e Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë. Ai duhet vazhdimisht t’i nxitë ata të luftojnë e të përpiqen me të gjitha forcat që të përhapin shijet e ëmbla të Perëndisë, dhe t’u tregojnë rrugën të gjithë popujve të botës, sepse është drita e Udhërrëfimit Hyjnor ajo që bën të ndriçohet gjithë universi. Të shpërfillësh, qoftë edhe për një çast, këtë urdhër absolut që është i detyrueshëm për gjithsecilin, nuk është kurrsesi e lejuar, në mënyrë që bota ekzistuese të bëhet si Parajsa Abhá, që sipërfaqja e tokës të bëhet qiellore, që kundërshtitë e konflikti midis popujve, fiseve, kombeve e qeverive të zhduken, që të gjithë banorët e tokës të bëhen si një popull e një racë, që bota të bëhet si një shtëpi e vetme. Po qe se lindin mosmarrëveshje, ato duhet të zgjidhen miqësisht e përfundimisht nga Gjykata Supreme, e cila duhet të përfshijë anëtarë nga të gjitha qeveritë e të gjithë popujt e botës. 23 O ju të dashur të Zotit! Në këtë Dispensacion të shenjtë, konflikti e kundërshtitë nuk janë kurrsesi të lejuara. Çdo agresor i mohon vetes hirin e Perëndisë. Është detyrë e gjithsecilit të tregojë dashurinë më të madhe, sjellje korrekte, çiltërsi e përzemërsi të sinqertë ndaj të gjithë popujve e fiseve të botës, qofshin ata miq ose të huaj. Aq e fuqishme duhet të jetë fryma e dashurisë dhe e dashamirësisë, sa i huaji t’i gjejë vetes një mik, armiku një vëlla të vërtetë, pa kurrfarë mospajtimi midis tyre. Sepse universaliteti është nga Perëndia dhe të gjitha kufizimet janë tokësore. Pra, njeriu duhet të përpiqet që realiteti i tij të shfaqë virtyte e përsosuri, nga të cilat mbi të gjithë të shkëlqejë drita. Drita e diellit shkëlqen mbi mbarë botën dhe reshjet mëshiruese të Provanisë Hyjnore bien mbi të gjithë popujt. Flladi gjallërues ringjall çdo krijesë të gjallë dhe të gjitha qeniet e pajisura me jetë marrin pjesën e hisen e tyre në sofrën e Tij qiellore. Po kështu, dashuria dhe dashamirësia e shërbëtorëve të të Vetmit Perëndi të Vërtetë duhet të shtrihen bujarisht e në mënyrë universale mbi gjithë njerëzimin. Lidhur me këtë, kufizimet e bërja e përjashtimeve kurrsesi nuk janë të lejuara. 24 Prandaj, o miqtë e mi të dashur! Shoqërohuni me të gjithë popujt, të gjitha fiset e fetë e botës me vërtetësinë, paanësinë, besueshmërinë, përzemërsinë, vullnetin e mirë dhe miqësinë më të madhe, që mbarë bota e qenies të mbushet me ekstazën e hirit të Bahá-it, që injoranca, armiqësia, urrejtja e zemërimi të zhduken nga bota dhe errësira e ftohtësisë midis popujve e fiseve të botës t’ia lëshojë vendin Dritës së Unitetit. Sikur popuj e kombe të tjerë të jenë të pabesë ndaj jush tregojuni besnikërinë tuaj ndaj tyre, sikur ata të jenë të padrejtë ndaj jush tregoni drejtësi ndaj tyre, sikur ata t’ju qëndrojnë larg juve tërhiqini ata ndaj vetes suaj, sikur ata të shfaqin armiqësinë e vet jini miqësorë ndaj tyre, sikur ata të helmojnë jetët tuaja ëmbëlsojini shpirtrat e tyre, sikur ata t’ju shkaktojnë juve një plagë jini melhem për plagët e tyre. Të tilla janë atributet e të sinqertëve! Të tilla janë atributet e të çiltërve! 25 Dhe tani, lidhur me Shtëpinë e Drejtësisë që Perëndia ka urdhëruar të jetë burimi i çdo të mire dhe e ka çliruar nga çdo gabim, ajo duhet të zgjidhet me votim universal, domethënë nga besimtarët. Anëtarët e saj duhet të jenë manifestime të druajtjes nga Perëndia dhe agime të dijes e të të kuptuarit, duhet të jenë të patundur në Besimin e Perëndisë dhe dashamirës të mbarë njerëzimit. Me këtë Shtëpi kuptohet Shtëpia Universale e Drejtësisë, domethënë në të gjitha vendet duhet të ngrihet nga një Shtëpi dytësore e Drejtësisë, dhe këto Shtëpi dytërore të Drejtësisë duhet të zgjedhin anëtarët e asaj Universale. Këtij orghani duhet t’i referohen të gjitha gjërat. Ajo miraton të gjitha urdhëresat e rregullat që nuk gjenden të thëna shprehimisht në Tekstin e Shenjtë. Ky organ duhet t’u japë rrugë të gjitha problemeve të vështira dhe Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë është kreu i tij i shenjtë dhe anëtari i shquar i përjetshëm i atij organi. Nëse ai nuk merr pjesë personalisht në diskutimet, duhet të caktojë dikë që ta përfaqësojë. Nëse ndonjëri prej anëtarëve bën një mëkat, të dëmshëm për mirëqenien e përgjithshme, Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë ka në kompetencën e vet të drejtën ta përjashtojë atë, dhe pas kësaj njerëzit duhet të zgjedhin një tjetër në vend të tij. Kjo Shtëpi e Drejtësisë miraton ligjet dhe qeveria i vë ato në zbatim. Organi ligjvënës duhet të mbështesë atë ekzekutiv, ai ekzekutiv duhet të ndihmojë e përkrahë organin ligjvënës, në mënyrë që përmes bashkimit të ngushtë e harmonisë së këtyre dy forcave themeli i pastërtisë e i drejtësisë të bëhet i palëkundur e i fortë, që të gjitha pjesët e botës të bëhen si vetë Parajsa. 26 O Zot, Perëndia im! Ndihmoji të dashurit e Tu të jenë të vendosur në Besimin Tënd, të ecin në rrugët e Tua, të jenë të patundur në Kauzën Tënde. Jepu atyre hirin Tënd që t’i qëndrojnë mësymjes së unit e të pasionit, të ndjekin dritën e Udhërrëfimit Hyjnor. Ti je i Pushtetshmi, i Hirshmi, i Vetëqenëshmi, Dhuruesi, i Mëshirshmi, i Gjithëfuqishmi, Bujariploti. 27 O miq të ‘Abdu’l-Bahá-it! Zoti, si shenjë të bujarisë së Tij të pafund, i ka favorizuar me dashamirësi shërbëtorët e tij duke parashikuar një ofertë të caktuar në para (Hukuk [Ḥuqúq]), që duhet t’i paraqitet si detyrim Atij, megjithëse Ai, I Vërteti,dhe shërbëtorët e Tij kanë qenë kurdoherë të pavarur nga të gjitha gjërat e krijuara, dhe Perëndia është me të vërtetë Gjithëzotëruesi, i lartësuar mbi nevojën për çfarëdo dhurimi nga krijesat e tij. Kjo ofertë e caktuar në para, sidoqoftë, i bën njerëzit të jenë të vendosur e të qëndrueshëm dhe tërheq mbi ta bollëkun Hyjnor. 28 Ajo duhet ofruar përmes Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë, që të shpenzohet për përhapjen e Aromave të Perëndisë dhe lartësimin e Fjalës së Tij, për qëllime bamirësie dhe për mirëqenien e përgjithshme. 29 O ju të dashurit e Zotit! Është detyra juaj të jeni të bindur ndaj të gjithë monarkëve që janë të drejtë, dhe të tregoni besnikërinë tuaj ndaj çdo mbreti të ligjshëm. Shërbejuni sovranëve të botës me vërtetësinë e besnikërinë më të madhe. Tregohuni të bindur ndaj tyre dhe jinni dashamirës të tyre. Mos u përzieni në çështje politike pa autorizimin e lejën e tyre, sepse pabesia ndaj sovranit të drejtë është pabesi ndaj Vetë Perëndisë. 30 Kjo është këshilla ime dhe urdhri i Perëndisë për ju. Lum ata që veprojnë në përputhje me këtë. (Kjo letër e shkruar është ruajtur për një kohë të gjatë nën dhe, lagështia e ka dëmtuar atë. Kur ajo u nxor në dritë, u vu re se disa pjesë të saj ishin prishur nga lagështia, dhe duke qenë se Toka e Shenjtë ishte e trazuar rëndë, ajo u la e paprekur). Pjesa e Dytë Ai është Perëndia 31 O ZOTI IM, Dëshira e zemrës sime, Ti të Cilit unë gjithmonë i lutem, Ti Që je Ndihmuesi im dhe Streha ime, Përkrahësi im dhe Mburoja ime! Ti më sheh të zhytur në një oqean fatkeqësish që të dërrmojnë shpirtin, brengash që të ndrydhin zemrën, vuajtjesh që shpërbëjnë tubimin Tënd, sëmundjesh e dhimbjesh që hapërdajnë grigjën Tënde. Sprova të rënda më kanë rrethuar gjithandej dhe rreziqe më kanë mësyer nga të gjitha anët. Ti më sheh të zhytur në një det mundimesh të papara, të fundosur në një humnerë të pamatshme, të brengosur prej armiqve të mi dhe të djegur nga zjarri i urrejtjes së tyre, të ndezur prej të afërmve të mi me të cilët Ti pate bërë Besëlidhjen Tënde të fortë dhe Testamentin Tënd të palëkundshëm, me anë të të cilit i urdhëron ata t’i kthejnë zemrat e tyre ndaj këtij të munduari, të mbajnë larg meje të marrët, të padrejtët, dhe t’i referojnë këtij të vetmuari çdo gjë me të cilën nuk pajtohen në Librin e Shenjtë, në mënyrë që e vërteta t’u revelohet atyre, që dyshimet e tyre të largohen dhe Shenjat e Tua të dukshme të përhapen kudo. 32 Megjithatë Ti i sheh ata, O Zot, Perëndia im! me syrin Tënd që nuk fle, sesi e kanë shkelur Besëlidhjen Tënde dhe i kanë kthyer shpinën asaj, sesi me urrejtje e rebelim janë larguar nga Testamenti Yt dhe janë ngritur me qëllime keqdashëse. 33 Fatkeqësitë u bënë edhe më të rënda kur ata u ngritën me një egërsi të paparë për të më mposhtur e dërrmuar mua, duke përhapur gjithandej grumbuj letrash dyshimi dhe duke lëshuar në mënyrën më të gënjeshtërt shpifjet e tyre kundër meje. Pa u mjaftuar me këtë, prijësi i tyre, O Perëndia im, guxoi të bëjë ndërshtesa në Librin Tënd, të ndryshojë në mënyrë mashtruese Tekstin Tënd të Shenjtë të padiskutueshëm dhe të falsifikojë atë që është reveluar nga Pena Jote Lavdiplote. Ai gjithashtu futi me dinakëri atë që Ti ke reveluar për njeriun që ka shfaqur ndaj Teje një egërsi që duket fare sheshit, që nuk ka besuar në Ty dhe ka mohuar Shenjat e Tua të mahnitshme, në atë që Ti ke reveluar për këtë shërbëtor Tëndin të munduar në këtë botë. Të gjitha këto ai i ka bërë për të mashtruar shpirtrat e njerëzve dhe për të mbjellur pëshpërimat e tij të liga në zemrat e besnikëve të Tu. Për këtë ka dëshmuar prijësi i tyre i dytë, duke e vërtetuar me shkrimin e vetë dorës së tij, duke vendosur në të vulën e tij dhe duke e përhapur atë në të katër anët. O Perëndia im! A mund të ketë padrejtësi më të madhe se kjo? E megjithatë ata nuk janë ndalur këtu, por janë orvatur më tej me kryeneçësi, gënjeshtra e përgojime, me përçmim e shpifje të nxitin rebelimin në gjirin e qeverisë së këtij vendi e gjetkë, duke bërë që ata të më shohin mua si mbjellës të rebelimit dhe duke i mbushur mendjet me gjëra që për veshin janë të urryera t’i dëgjojë. Kështu qeveria u alarmua, sovranin e pushtoi frika, dhe u zgjua dyshimi i fisnikëve. Mendjet u turbulluan, punët u çoroditën, shpirtrat u trazuan, zjarri i ankthit e i brengës u ndez në kraharorët, Gjethet e Shenjta (të Familjes Mbretërore) u drodhën e u lëkundën, sytë e tyre rrodhën lot, u dëgjuan ofshamat e qarja e tyre dhe zemrat u dogjën në gjokset e tyre ndërsa vajtonin për këtë shërbëtor Tëndin të munduar, të rënë viktimë në duart e këtyre të afërmve të tij, madje jo, të vetë armiqve të tij! 34 O Zot! Ti i sheh të gjitha gjërat të vajtojnë për mua dhe të afërmit e mi të gëzohen për fatkeqësitë e mia. Për Lavdinë Tënde, O Perëndia im! Edhe midis armiqve të mi, disa janë pikëlluar për vështirësitë e vuajtjet e mia, dhe midis ziliqarëve disa kanë derdhur lot për telashet e mia, syrgjynosjen time dhe brengat e mia. Ata e kanë bërë këtë sepse nuk kanë gjetur tek unë veçse dashuri e kujdes dhe nuk kanë parë asgjë tjetër veçse dashamirësi e mëshirë. Duke më parë mua të flakur në rrymën e mundimeve e të fatit të mbrapshtë, dhe të ekspozuar si tabelë qitjeje për shigjetat e fatit, zemrat e tyre janë prekur nga dhembshuria, sytë u janë mbushur me lot dhe ata kanë dëshmuar duke thënë: – “Kemi dëshmitar Zotin, nuk kemi parë tek ai asgjë veç besnikërisë, bujarisë dhe dhembshurisë së pafund”. Shlelësit e Besëlidhjes, paralajmërues të së keqes, janë bërë sidoqoftë më të egër në zemërimin e tyre, ata u gëzuan që unë kam rënë viktimë e provës më të rëndë, janë ngritur kundër meje dhe u është bërë qejfi për ngjarjet shpirtbrengosëse rreth meje. 35 Unë të lutem Ty, O Zot Perëndia im! me gjuhën dhe me tërë zemrën time, që të mos i ndëshkosh ata për egërsinë e ligësitë e tyre, për dinakërinë e dhelpërinë e tyre, sepse ata janë të marrë e të ulët dhe nuk dinë se ç’bëjnë. Ata nuk shohin dallimin midis të mirës e të keqes, dhe as nuk dallojnë dot atë që është e drejtë nga ajo që është e gabuar, dhe as drejtësinë nga padrejtësia. Ata shkojnë pas dëshirave të veta dhe ecin në gjurmët e më të mangëtve e të më të marrëve ndër ta. O Zoti im! Ki mëshirë për ta, ruaji ata nga të gjitha të këqijat në këto kohë të turbullta dhe bëj që të gjitha sprovat e fatkeqësitë të jenë fati i këtij shërbëtori Tënd që ka rënë në këtë pus të errët. Më veço mua për çdo fatkeqësi dhe më bëj fli për të gjithë të dashurit e Tu. O Zot, Më i Larti! U flijoftë shpirti im, jeta ime, qenia ime, fryma ime, gjithçka e imja për ta. O Perëndi, Perëndia im! Përunjësisht, me lutje dhe i përkulur me fytyrën deri në tokë, të përgjërohem me tërë zjarrin e thirrjes së shpirtit të ndjesh cilindo që më ka lënduar, të falësh atë që ka komplotuar kundër meje e që më ka fyer, dhe t’i lash prapësitë e atyre që kanë bërë padrejtësi ndaj meje. Akordoju atyre dhuntitë e Tua të bollshme, jepu atyre gëzim, çliroi ata nga hidhërimet, dhuroju atyre paqe e mirëqenie, jepu atyre lumturinë Tënde dhe resh mbi ta bujarinë Tënde. 36 Ti je i Pushtetshmi, i Hirshmi, Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi! 37 O miq të shumëdashur! Unë jam tani para një rreziku shumë të madh dhe e kam humbur shpresën qoftë edhe për një orë jetë. Jam, pra, i shtrënguar të shkruaj këto radhë për mbrojtjen e Kauzës së Perëndisë, për ruajtjen e Ligjit të Tij, për garantimin e Fjalës së Tij dhe për sigurimin e Mësimeve të Tij. Për Bukurinë e Lashtë! Ky i munduar kurrsesi nuk i ka mbajtur dhe as i mban mëri ndokujt; kundrejt asnjeriu nuk ushqen ai ndonjë mllef e nuk ka thënë asnjë fjalë, veçse për të mirën e botës. Megjithatë, detyrimi im suprem, nga nevoja, më shtyn të ruaj e të mbroj Kuzën e Perëndisë. Kështu, me keqardhjen më të madhe, unë ju këshilloj duke thënë: Ruajeni Kauzën e Perëndisë, mbrojeni Ligjin e Tij dhe kini druajtjen më të madhe nga përçarja. Ky është themeli i besimit të njerëzve të Bahá-it (u flijoftë jeta ime për ta): “Shenjtëria e Tij, i Lartësuari ( Báb-i), është Manifestimi i Unitetit e i Njëshmërisë së Perëndisë dhe Pararendësi i Bukurisë së Lashtë. Shenjtëria e Tij Bukuria Abhá (u bëftë fli jeta ime për miqtë e Tij të patundur) është Manifestimi Suprem i Perëndisë dhe Agimi i Thelbit të Tij Më të Shenjtë. Gjithë të tjerët janë shërbëtorë të Tij dhe zbatojnë urdhrin e Tij”. Secili duhet t’i drejtohet Librit Më të Shenjtë, dhe çdo gjë që nuk thuhet shprehimisht atje duhet t’i referohet Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Ajo që ky organ vendos, qoftë njëzëri ose me shumicë votash, është patjetër e vërteta dhe pikësynimi i Vetë Perëndisë Kush i shmanget kësaj është me të vërtetë ndër ata që duan përçarje, që kanë shfaqur ligësi dhe janë larguar nga Zoti i Besëlidhjes. Me këtë Shtëpi kuptohet Shtëpia Universale e Drejtësisë që duhet të zgjidhet prej të gjitha vendeve, domethënë prej atyre anëve në Lindje e në Perëndim ku gjenden të dashurit, sipas mënyrës së zgjedhjeve të zakonshme në vendet perëndimore, si ato të Anglisë. 38 Është detyrë e këtyre anëtarëve (të Shtëpisë Universale të Drejtësisë) të mblidhen në një vend të caktuar dhe të rrahin mendime për të gjitha problemet që kanë shkaktuar mospajtim, për çështje që janë të errëta dhe për gjëra që nuk janë thënë shprehimisht në Librin. Çfarëdo që të vendosin ata ka të njëjtën vlerë si dhe vetë Teksti. Përderisa Shtëpia e Drejtësisë ka kompetencë të nxjerrë ligje që nuk janë thënë shprehimisht në Librin dhe që kanë të bëjnë me kryerjen e punëve të përditshme, po ashtu ka kompetencë edhe t’i shfuqizojë ato. Kështu, për shembull, Shtëpia e Drejtësisë nxjerr sot një ligj të caktuar dhe e vë atë në zbatim, dhe njëqind vjet pas kësaj, meqenëse rrethanat kanë pësuar një ndryshim të thellë dhe kushtet janë të tjera, një tjetër Shtëpi e Drejtësisë do të ketë atëherë kompetencë, sipas kërkesave të kohës, ta ndryshojë atë ligj. Ajo mund ta bëjë këtë, sepse këto ligje nuk janë pjesë e Tekstit Hyjnor të shtjelluar shprehimisht. Shtëpia e Drejtësisë është si nismëtarja ashtu edhe anulluesja e ligjeve të veta. 39 Dhe tani, një prej parimeve më të mëdha e më themelore të Kauzës së Perëndisë është të mënjanojë e shmangë tërësisht shkelësit e Besëlidhjes, sepse ata do të shkatërronin krejtësisht Kauzën e Perëndisë, do të asgjësonin Ligjin e Tij dhe të kthenin në hiç të gjitha përpjekjet e ushtruara në të kaluarën. O miq! Ju takon juve të sillni ndërmend me dashuri sprovat e Shenjtërisë së Tij, të Lartësuarit, dhe të tregoni besnikërinë tuaj ndaj Bukurisë Përherë të Bekuar. Duhen bërë përpjekjet më të mëdha, përndryshe të gjitha këto vuajtje, sprova e hidhërime, gjithë ky gjak i pastër e i shenjtë që është derdhur pa kursim në Shtegun e Perëndisë, mund të shkojnë kot. Ju e dini mirë se ç’kanë bërë duart e Qendrës së Rebelimit, Mirza Muhamet Ali-ut, dhe të ortakëve të tij. Midis bëmave të tij, një prej tyre është shtrembërimi i Tekstit të Shenjtë, gjë për të cilën të gjithë ju, shyqyr Zotit, jeni të vetëdijshën e në dijeni sepse duket sheshit, është e provuar dhe e konfirmuar nga dëshmia e vëllait të tij, Mirza Badiullah-ut, pohimi i të cilit është i shkruar nga vetë dora e tij, mban vulën e tij, dhe është shtypur e përhapur në të katër anët. Kjo është vetëm njëra prej ligësive të tij. A mund të përfytyrohet një shkelje më e dukshme se kjo, ndërshtesa në Tekstin e Shenjtë? Jo, për drejtësinë e Zotit! Shkeljet e tij janë të shkruara e të regjistruara në një fashikull më vete. Dashtë Perëndia që ju ta lexoni atë. 40 Me një fjalë, sipas Tekstit Hyjnor të shtjelluar shprehimisht edhe shkelja më e vogël do ta bëjë këtë njeri një krijesë mëkatare, dhe çfarë shkeljeje më të rëndë mund të ketë sesa të orvatesh të shkatërrosh Godinën Hyjnore, të shkelësh Besëlidhjen, të largohesh nga Testamenti, të falsifikosh Tekstin e Shenjtë, të mbjellësh farat e dyshimit, të shpifësh për ‘Abdu’l-Bahá-in, të dalësh me pretendime të cilat Perëndia nuk i ka përligjur, t’i frysh zjarrit të ligësisë dhe të orvatesh të derdhësh vetë gjakun e ‘Abdu’l-Bahá-it, dhe shumë gjëra të tjera për të cilat të gjithë ju jeni në dijeni! Është pra e qartë që sikur ky njeri të arrinte të shkaktonte përçarje në Kauzën e Perëndisë, ai do ta shkatërronte plotësisht e do ta asgjësonte atë. Kini mendjen se mos i afroheni këtij njeriu, sepse t’i afrohesh atij është më keq sesa të futesh në zjarr! 41 Perëndi i hirshëm! Pasi Mirza Badiullah-u në vetë dorëshkrimin e tij kishte pohuar se ky njeri (Muhamet Ali-u) kishte shkelur Besëlidhjen dhe kishte shpallur falsifikimin që i pat bërë Tekstit të Shenjtë, ai e kuptoi se të kthehej në Besimin e Vërtetë dhe të tregonte besnikëri ndaj Besëlidhjes e Testamentit kjo kurrsesi nuk do të ndihmonte dëshirat e tij egoiste. Kështu ai u pendua e i erdhi keq për atë që kishte bërë dhe u orvat në fshehtësi të tërhiqte pohimet e tij të shtypura, komplotoi në errësirë me Qendrën e Rebelimit kundër meje dhe e informonte çdo ditë atë për të gjitha ngjarjet brenda shtëpisë sime. Ai madje luajti rol kryesor në bëmat e liga që janë kryer kohëve të fundit. Lëvduar qoftë Perëndia, punët rifituan stabilitetin e mëparshëm dhe të dashurve iu sigurua një qetësi e pjesshme. Por që nga dita që hyri sërish në gjirin tonë, ai filloi përsëri të mbjellë farat e një rebelimi të rëndë. Disa prej makinacioneve e intrigave të tij do të tregohen në një fashikull më vete. 42 Qëllimi im është, gjithsesi, të tregoj se është detyrë e miqve që janë të vendosur e të patundur në Besëlidhjen e Testamentin të jenë kurdoherë syhapur, se mos pasi ky i munduar të ketë ikur [nga kjo botë], ai bërës i gatshëm e aktiv ngatërresash mund të shkaktojë përçarje, të mbjellë në fshehtësi farat e dyshimit e të rebelimit dhe të shkulë krejtësisht nga rrënjët Kauzën e Perëndisë. Njëmijë herë shmangeni shoqërinë me të. Kini kujdes dhe ruajuni. Vëzhgoni dhe hetoni; nëse dikush, haptazi ose në fshehtësi, ka qoftë edhe lidhjen më të vogël me të, dëbojeni nga gjiri juaj, sepse ai me siguri do të shkaktojë përçarje e ngatërresa. 43 O ju të shumëdashurit e Zotit! Përpiquni me gjithë zemër të mbroni Kauzën e Perëndisë nga mësymja e të pasinqertëve, sepse të tillë shpirtra si këta janë shkaku që e drejta të bëhet e shtrembër dhe të gjitha përpjekjet dashamirëse të japin rezultate të kundërta. 44 O Perëndi, Perëndia im! Të lutem Ty, u lutem Profetëve dhe Lajmëtarëve të Tu, Shenjtorëve e të Shenjtëruarve të Tu, të dëshmojnë që unë u kam shpallur përfundimisht Provat e Tua të dashurve të Tu dhe ua kam paraqitur qartë atyre të gjitha gjërat, në mënyrë që ata të vigjëlojnë mbi Besimin Tënd, të ruajnë Shtegun e Drejtë dhe të mbrojnë Ligjin Tënd të Shkëlqyeshëm. Ti je, me të vërtetë, i Gjithëdijshmi, Urtiploti! Pjesa e Tretë Ai është Dëshmitari, i Gjithëmjaftueshmi 45 O PERËNDIA IM! i Shumëdashuri im, Dëshira e zemrës sime! Ti e di, Ti e sheh se ç’i ka rënë mbi krye këtij shërbëtori Tënd, që është përunjur te porta Jote, dhe Ti i di mëkatet që janë kryer kundër tij nga njerëzit e ligësisë, nga ata që kanë shkelur Besëlidhjen Tënde dhe i kanë kthyer shpinën Testamentit Tënd. Ditën ata më brengosnin me shigjetat e urrejtjes dhe natën komplotonin fshehtazi për të më goditur. Në agim ata kryenin atë që e bënte Tubimin Qiellor të vajtonte dhe në mbrëmje zhvishnin kundër meje shpatën e tiranisë dhe lëshonin në prani të të pafeve shigjetat e tyre të shpifjes ndaj meje. Pavarësisht nga prapësitë e tyre, ky shërbëtor i Yti i përunjur kishte durim dhe i qëndroi çdo brenge e sprove që vinte nga duart e tyre, megjithëse me pushtetin e fuqinë Tënde ai mund të kishte rrëzuar fjalët e tyre, të kishte shuar zjarrin e tyre dhe të kishte ndalur flakën e rebelimit të tyre. 46 Ti e sheh, O Perëndia im! sesi durimi im i madh, vetëpërmbajtja dhe heshtja ime e kanë shtuar egërsinë e tyre, arrogancën e tyre dhe kryelartësinë e tyre. Për Lavdinë Tënde, O Ti i Shumëdashuri! Ata nuk kanë besuar në Ty dhe janë rebeluar kundër Teje në mënyrë që nuk më kanë lënë mua asnjë çast prehjeje e qetësie, që të ngrihesha, siç është e përshtatshme dhe e hijshme, për të lartësuar Fjalën Tënde midis njerëzimit, dhe t’i shërbeja Pragut Tënd të Shenjtërisë me zemrën të gufuar nga gëzimi i banorëve të Mbretërisë Abhá. 47 Zot! Kupa ime e fatkeqësive po derdhet, dhe nga të gjitha anët goditjet po gëlojnë egërsisht kundër meje. Heshtat e vuajtjes më kanë rrethuar gjithandej dhe shigjetat e ankthit kanë reshur mbi mua. Kështu sprova e rëndë më ka dërrmuar mua dhe forcën time, për shkak të mësymjes së armiqve ajo u bë dobësi brenda meje, ndërsa qëndroja i vetmuar e i braktisur në mes të vuajtjeve të mia. Zot! Ki mëshirë për mua, më ngre pranë Vetes Sate dhe bëj që unë të pi Kupën e Martirizimit, sepse bota e gjerë megjithë pafundësinë e saj nuk mund të më mbajë më. 48 Ti je, me të vërtetë, i Mëshirshmi, Zemërdhemshuri, i Hirshmi, Bujariploti! 49 O ju miqtë e vërtetë, të sinqertë e besnikë të këtij të munduari! Gjithkush e di dhe e beson se ç’fatkeqësi e vuajtje i kanë rënë mbi krye këtij të munduari, këtij të burgosuri, nga duart e atyre që kanë shkelur Besëlidhjen në kohën që, pas perëndimit të Yllit të Ditës të botës, zemra e tij ishte e djegur nga flaka e humbjes së Tij. 50 Kur, në të gjitha anët e botës, armiqtë e Perëndisë, duke përfituar nga vdekja e Diellit të së Vërtetës, papritur e me tërë forcën shpërthyen sulmin e tyre; në një kohë të tillë dhe në mes të një fatkeqësie kaq të madhe, shkelësit e Besëlidhjes u ngritën me egërsi të skajshme, me synimin për të bërë keq e për të nxitur frymën e armiqësisë. Në çdo çast ata kryenin një ligësi dhe s’i mbante vendi për të mbjellur farat e një rebelimi të rëndë, e për të shembur godinën e Besëlidhjes. Por ky i munduar, ky i burgosur, bëri gjithçka mundej për të fshehur e mbuluar bëmat e tyre, që ndoshta ata të mund të shprehnin keqardhjen e të pendoheshin. Por durimi i madh dhe vetëpërmbajtja e tij për këto vepra të liga i bënë rebelët edhe më arrogantë e më të krisur; derisa me anë fashikujsh të shkruar nga vetë duart e tyre ata mbollën farat e dyshimit, duke i shtypur e përhapur gjerësisht ato në të katër anët e botës, të bindur se veprime të tilla të marra do të asgjësonin Besëlidhjen dhe Testamentin. 51 Pas kësaj të dashurit e Zotit u ngritën dhe, të frymëzuar nga besimi e besnikëria më e madhe e të ndihmuar nga fuqia e Mbretërisë, nga Forca Hyjnore, nga Hiri Qiellor, nga ndihma e pashtershme e Bujarisë Qiellore, përballuan armiqtë e Besëlidhjes me pothuajse shtatëdhjetë traktate dhe, të mbështetur nga prova bindëse, dëshmi të pagabueshme dhe nga testet e qarta të Shkrimeve të Shenjta, hodhën poshtë grumbujt e letrave të tyre të dyshimit e fashikujt e tyre që i fryjnë zjarrit të ligësisë. Qendra e Rebelimit u ngatërrua kështu në dinakërinë e tij, u godit nga zemërimi i Perëndisë, u zhyt në ndyrësi e poshtërsi që do të vazhdojnë deri në Ditën e Gjyqit. E ulët dhe e mjeruar është gjendja e njerëzve të veprave të liga, e atyre që janë katandisur në humbje të rëndë! 52 Dhe ndërsa humbën kauzën e tyre, u bënë të pashpresë në përpekjet e veta kundër të dashurve të Perëndisë, panë Flamurin e Testamentit të Tij të valojë në të katër anët dhe provuan fuqinë e Besëlidhjes së të Mëshirshmit, flaka e zilisë u ndez aq fort brenda tyre sa nuk rrëfehet me gojë. Me forcën, rropatjen, mllefin e armiqësinë më të madhe, ata ndoqën një shteg tjetër, shkuan në një rrugë tjetër, kurdisën një plan tjetër: atë të ndezjes së flakëve të rebelimit në zemrën e vetë qeverisë, dhe kështu bënë që ky i munduar, ky i burgosur të paraqitet si nxitës i konfliktit, armik i qeverisë dhe si njeri i urrejtjes e kundërshtar i Kurorës. Kështu ndoshta ka të ngjarë që ‘Abdu’l-Bahá-i të dënohet me vdekje dhe emri i tij të zhduket, e përmes kësaj një arenë mund të hapet për armiqtë e Besëlidhjes, ku ata të avancojnë e të ngasin kalin e tyre të betejës, t’u shkaktojnë të gjithëve një humbje të rëndë dhe të përmbysin nga themelet godinën e Kauzës së Perëndisë. Sepse aq të rënda janë qëndrimet e sjellja e këtyre njerëzve të pabesë saqë ata janë bërë tamam si një sëpatë që godet vetë rrënjët e Pemës së Bekuar. Sikur të lejoheshin të vazhdojnë, ata brenda pak ditësh do të asgjësonin Kauzën e Perëndisë, Fjalën e Tij, dhe vetë veten e tyre. 53 Prandaj të shumëdashurit e Zotit duhet t’u shmangen krejtësisht atyre, të largohen prej tyre, të zmbrapsin makinacionet e pëshpërimat e tyre të liga, të mbrojnë Ligjin e Perëndisë dhe fenë e Tij, të angazhohen të gjithë pa përjashtim për të përhapur gjerësisht shijet e ëmbla të Perëndisë dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për të shpallur Mësimet e Tij. 54 Kushdoqoftë e cilido takim që bëhet pengesë për përhapjen e Dritës së Besimit, të dashurit le t’i këshillojnë ata e t’u thonë: “Nga të gjitha dhuntitë e Perëndisë më e madhja është dhuntia e Mësimdhënies. Ajo tërheq mbi ne Hirin e Perëndisë dhe është detyrimi ynë i parë. Si mund ta privojmë ne veten nga një dhunti e tillë? Jo, jetët tona, pasuritë tona, komoditetet tona, prehjen tonë, të gjitha këto ne i ofrojmë si flijim për Bukurinë Abhá dhe u mësojmë njerëzve Kauzën e Perëndisë”. Megjithatë duhet treguar pjekuri e kujdes, ashtu siç thuhet në Librin. Perdja kurrsesi nuk duhet hapur papritmas. Lavdia e Lavdive qoftë mbi ju. 55 O ju të dashur besnikë të ‘Abdu’l-Bahá-it! Është detyra juaj të tregoni kujdesin më të madh për Shoghi Effendi-un, degëzën që është degëzuar nga fryti i dy Pemëve të shenjta e Hyjnore të Lotosit, që kurrfarë pluhuri i dëshpërimit e i brengës të mos njollosë natyrën e tij rrezëllitëse, që nga ditë në ditë ai të rritet për nga lumturia, gëzimi e shpirtësia, dhe të zhvillohet për t’u bërë si një pemë frytdhënëse. 56 Meqenëse ai është, pas ‘Abdu’l-Bahá-it, Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë, Afnán-ët, Duart (shtyllat) e Kauzës dhe të shumëdashurit e Zotit duhet t’i binden atij dhe t’i drejtohen atij. Kush nuk i bindet atij, nuk i është bindur Perëndisë; kush i kthen shpinën atij, i ka kthyer shpinën Perëndisë, dhe kush mohon atë ka mohuar të Vërtetin. Kini mendjen se mos ndokush i interpreton shtrembër këto fjalë, dhe ashtu si ata që kanë shkelur Besëlidhjen pas Ditës së Ngjitjes në qiell (të Bahá’u’lláh-ut) nxjerr ndonjë pretekst, ngren flamurin e revoltës, bëhet kryeneç dhe hap dykanatësh derën e interpretimit të shtrembër. Askujt nuk i jepet e drejta për të paraqitur mendimin e vet ose për të shprehur bindjen e vet të veçantë. Të gjithë duhet të kërkojnë udhërrëfim dhe ta kthejnë fytyrën drejt Qendrës së Kauzës dhe Shtëpisë së Drejtësisë. Dhe ai që e kthen drejt çdo gjëje tjetër bën me të vërtetë një gabim të rëndë. 57 Lavdia e Lavdive qoftë mbi ju!