O miq të Perëndisë së Pastër e të Gjithëfuqishëm! Të qënit i pastër e i shenjtë në të gjitha gjërat është një atribut i një shpirti të përkushtuar dhe një tipar i domosdëoshëm i një mendjeje të paskllavëruar. Më e mira përsosuri është të qënit i papërlyer dhe çlirimi i vetvetes nga çdo e metë. Kur individi është në çdo pikëpamje i pastruar e i qëruar, ai bëhet vatra qendrore që pasqyron Dritën e Dukshme.
Gjëja e parë në të jetuarit e njeriut duhet të jetë dëlirësia, pastaj freskia, pastërtia dhe pavarësia e shpirtit. Më parë duhet pastruar shtrati i lumit, pastaj të lëshohen në të ujërat e freskëta të tij. Syve të papërlyer u hapet pamja lumturuese e Zotit, ata e dinë se ç'do të thotë ta takosh Atë; shqisat e kulluara thithin aromat erëmira që fryjnë nga trëndafilishtet e hirit të Tij; një zemër e fërkuar deri në shkëlqim pasqyron fytyrën e hirshme të së vërtetës.
Ja përse në Shkrimet e Shenjta këshillat qiellore krahasohen me ujin, siç thuhet në Kuran: "Dhe Ne dërguam nga Qielli ujë të pastër"1, dhe në Ungjill: "Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë"2. Është, pra, e qartë se Mësimet që vijnë nga Perëndia janë vërshime qiellore të hirit; ato janë rrebeshe shiu të mëshirës hyjnore, dhe ato pastrojnë zemrën njerëzore.
Mendimi im është ky, që dëlirësia e shenjtëria, pastërtia e finesa në çdo aspekt të jetës e lartësojnë gjendjen e njeriut dhe favorizojnë zhvillimin e realitetit të brendshëm të tij. Madje edhe në mbretërinë fizike, pastërtia çon në përshpirtni, siç e thonë qartë Shkrimet e Shenjta. Dhe pastërtia e trupit, që është diçka fizike, ka megjithatë një ndikim të fuqishëm mbi jetën e shpirtit. Ajo është si një zë i një ëmbëlsie të mahnitshme, ose si një melodi e bukur: megjithëse tingujt s'janë veçse dridhje të ajrit që prekin nervin e veshit të atij që i dëgjon, dhe këto dridhje janë dukuri të rastësishme që përhapen në ajër, mendoni sesa e prekin zemrën ato. Një melodi shumë e bukur i jep krahë shpirtit dhe e bën atë të dridhet nga gëzimi. Domethënia është se pastërtia fizike ushtron ndikim edhe mbi shpirtin njerëzor.
Shihni sa e këndshme është pastërtia në sytë e Perëndisë dhe ç'theks i veçantë i është rezervuar asaj në Librat e Shenjtë të Profetëve; në fakt, Shkrimet e ndalojnë të ngrënët ose përdorimin e gjërave të papastra. Disa prej këtyre ndalimeve ishin absolute, të detyrueshme për të gjithë, dhe kushdo që e shkelnte ligjin në fjalë ishte i neveritshëm për Perëndinë dhe i mallkuar nga besimtarët. Kishte, për shembull, gjëra që ishinm kategorikisht të ndaluara, kryerja e të cilave konsiderohej mëkat i rëndë, midis tyre kishte veprime aq të urryera saqë është turp edhe vetëm t'i përmendësh.
Por ka edhe gjëra të tjera të ndaluara që nuk shkaktojnë ndonjë të keqe të menjëhershme, efektet e dëmshme të të cilave shfaqen gradualisht: edhe këto janë të neveritshme për Zotin, të dënueshme e të pakëndshme në sytë e Tij. Por megjithëse paligjësia absolute e tyre nuk është shkruar shprehimisht në Tekstin, shmangia e tyre është e nevojshme për të qenë të dëlirë, të pastër, për të ruajtur shëndetin e për të mos u dhënë pas shprehive dëmprurëse.
Ndër këto të fundit duhet përmendur edhe pirja e duhanit, që është diçka e pistë, erëkeqe, e papëlqyeshme - një ves i keq, dëmet e të cilit po bëhen gradualisht të qarta për të gjithë. Çdo mjek kompetent e ka thënë, dhe kjo është provuar me eksperimente, se njëri prej komponentëve të duhanit është një helm vdekjeprurës dhe se duhanpirësit janë të prekshëm nga sëmundje të shumta e të ndryshme. Ja përse pirja e duhanit është shpallur haptazi si krejt e papajtueshme me rrgullat e higjienës.
Báb-i, në fillim të misionit të Tij, e ndaloi shprehimisht duhanin dhe miqtë, të gjithë pa përjashtim, hoqën dorë nga përdorimi i tij. Por meqenëse ato ishin kohë kur të shtiresh ishte e lejuar, dhe kushdo që nuk pinte duhan i nënshtrohej përndjekjes, keqtrajtimit e deri edhe vdekjes, miqtë, për të mos tërhequr vëmendjen mbi bindjet e tyre, ndonjëherë pinin duhan. Më vonë u revelua Libri i Aqdas-it, dhe derisa pirja e duhanit nuk ndalohet aty në mënyrë të posaçme, besimtarët nuk hiqnin dorë prej saj. Sidoqoftë, Bukuria e Bekuar gjithnjë shprehte neveri për të, e megjithëse në kohët e para kishte disa arsye që e shtynin të pinte pak duhan, me kohë Ai hoqi dorë plotësisht prej tij dhe ata shpirtra të shenjtëruar qo ndiqnin Atë në çdo gjë gjithashtu hoqën dorë nga pirja e duhanit.
Qëllimi im është të shpjegoj se në sytë e Perëndisë pirja e duhanit nuk gjen miratim, është e neveritshme dhe tej mase e pistë; e, megjithëse gradualisht, tepër e dëmshme për shëndetin. Ajo është gjithashtu humbje parash e kohe dhe i bën ata që pinë duhan pre të një vesi të dëmshëm. Për ata që i përmbahen fort Besëlidhjes, ky ves dënohet si nga arsyeja dhe nga përvoja, dhe heqja dorë prej tij do t'i sjellë lehtësim e paqe mendjes së njerëzve. Për më tepër, kjo do të bëjë që ta kenë gojën të freskët e gishtat pa njolla dhe flokët e tyre nuk do të bien më erë të keqe e të neveritshme. Me marrjen e këtij mesazhi të shkruar, miqtë, me siguri, do të bëjnë gjithçka që brenda njëfarë kohe ta braktisin këtë ves kaq të dëmshëm. E tillë është shpresa ime.
Përsa i përket opiumit, ai është i urrejtshëm e i mallkuar. Ruajna Zot nga ndëshkimi që ai u sjell atyre që e përdorin. Teksti i Librit Më të Shenjtë e ndalon shprehimisht dhe e dënon kryekëput atë. Arsyeja tregon se të pish opium është njëfarë çmendurie, dhe përvoja dëshmon se kush e përdor atë del krejtësisht jashtë mbretërisë njerëzore. Na ruajtë Zoti të gjithëve nga kryerja e një veprimi kaq të tmerrshëm, që shkatërron vetë themelin e gjithçkaje që është njerëzore dhe që shpronëson përgjithmonë prej saj atë e kryen këtë veprim. Sepse opiumi mbërthen shpirtin në mënyrë të tillë që ndërgjegjja e atij që e përdor shuhet, mendja e tij fshihet, perceptimet e tij gërryhen. Ai e bën të gjallin të vdekur. Ai shuan nxehtësinë e natyrshme. Nuk mund të përfytyrohet dëm më i madh sesa ai që shkakton opiumi. Lum ata që nuk kanë dëgjuar kurrë as të përmendet emri i tij; atëherë mendoni sa fatzi është ai që e përdor.
O ju që e doni Perëndinë! Në këtë cikël të Perëndisë së Gjithëfuqishëm dhuna dhe forca, shtrëngimi dhe shtypja dënohen të gjitha. Megjithatë, është e detyrueshme që përdorimi i opiumit të ndalohet me të gjitha mjetet, që ndoshta gjinia njerëzore të mund të shpëtojë nga kjo plagë që është më e tmerrshmja. Përndryshe, mjerë ai që lë mangut detyrën e tij ndaj Zotit të vet!3
O Provani Hyjnore! Dhuroji njerëzve të Bahá-it dëlirësi e pastërti në çdo gjë. Bëj që ata të jenë të paprekur nga çdo ndotje dhe të çlirohen nga të gjitha veset. Ruaji ata nga kryerja e çdo veprimi të neveritshëm, çliroi ata nga zinxhirët e çdo zakoni të keq, që ata të jetojnë të kulluar e të lirë, të shëndetshëm e të pastër, të denjë për t'i shërbyer Pragut Tënd të Shenjtë dhe të përshtatshëm për të qenë të afërm me Zotin e tyre. Ruaji ata nga pijet dehëse e nga duhani, shpëtoi e çliroi ata nga ky opium që sjell çmenduri, lejoi ata të gëzojnë shijet e ëmbla të shenjtërisë, të pijnë pa kursim nga kupa mistike e dashurisë qiellore dhe të njohin ekstazën e afrimit edhe më pranë Mbretërisë së Lavdiplotit. Sepse është ashtu siç ke thënë Ti: 'Çdo rezervë që të kesh në kantinën tënde nuk e shuan etjen e dashurisë sime - më sill, o kupëmbajtës, nga vera e shpirtit një gotë plot e përplot si deti'!
O ju, të dashurit e Perëndisë! Përvoja ka treguar sesa shumë lënia e duhanit, e pijeve dehëse dhe e opiumit sjell shëndet e fuqi, zhvillon e mpreh mendjen dhe forcon trupin. Ka në kohën e sotme një popull4 që u shmanget rreptësisht duhanit, pijeve dehëse e opiumit. Ky popull qëndron shumë më lart se të tjerët për nga forca e kuraroja fizike, për nga shëndeti, për nga bukuria e hijeshia. Një njeri i vetëm prej tyre mund t'u bëjë ballë dhjetë vetëve nga fise të tjera. Dhe është provuar se kjo është e vërtetë për të gjithë këtë popull, domethënë çdo pjesëtar i këtij komuniteti, kokë për kokë, qëndron nga çdo pikëpamje më lart se çdo pjesëtar i komuniteteve të tjera.
Bëni, pra, një përpjekje të fuqishme, në mënyrë që njerëzit e Bahá-it të dallohen për nga dëlirësia e shenjtëria, ato cilësi që i ka aq për zemër 'Abdu'l-Bahá-i; që njerëzit e Perëndisë t'ua kalojnë të gjitha qenieve të tjera njerëzore në çdo lloj shquarsie; që si nga jashtë dhe nga brenda ata të kenë epërsi mbi të tjerët; që për nga dëlirësia, pastërtia, finesa dhe ruajtja e shëndetit të jenë në pararojë të atyre që njohin; dhe që për nga liria ndaj çdo skllavërimi, për nga dija, për nga vetëkontrolli i tyre të jenë të parët ndër ata që janë të pastër, të lirë e të urtë.
'Abdu'l-Bahá, Pjesë të zgjedhura nga------------------------------------------------------------
---------------------------------------------------------------------------
2