Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by 'Abdu'l-Bahá

Bisedat e Parisit
Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it
Përgjigje për disa pyetje
Sekreti i qytetërimit hyjnor
Tabela e Pastërtisë
Vullneti dhe Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








'Abdu'l-Bahá : Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it
PJESË TË ZGJEDHURA
nga
SHKRIMET
e
'Abdu'l-Bahá-IT
Pjesë të zgjedhura
nga
Shkrimet
e
'Abdu'l-Bahá-IT
Hartuar nga Departamenti i Kërkimit i
Shtëpisë Universale të Drejtësisë
Përkthyer ne anglisht
Nga
NJË KOMITET
në Qendrën Botërore Bahá'í
dhe nga
MirzaEH GAIL
QENDRA BOTËRORE BAHÁ'Í
HAIFA
(c) 1978 SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË
E DREJTA E AUTORIT SIPAS KONVENTËS SË BERNËS
Original Title:
Selections from the Writings of 'Abdu'l-Bahá
Published by the Bahá'í World Centre, Haifa
Text: Albanian
Përkthyesi: Agim Popa

nën kujdesin e Komitetit të përkthimeve e botimeve Bahá'í

(c) Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá'í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i dytë 2007 - 164 E.B.
PARATHËNIE

Shtjellimi i Revelacionit Bahá'í nga 'Abdu'l-Bahá-i është paraqitur në veprat e tij të shkruara, në shumë prej përmbledhjeve të thënieve të tij të regjistruara dhe në letërkëmbimin e Tij. Veprat e shkruara si Sekreti i Qytetërimit Hyjnor, Tregimi i një Udhëtari, Vullneti dhe Testamenti, janë në përkthim anglisht. Po kështu shumë përmbledhje të thënieve të Tij të regjistruara, ndër të cilat mund të përmendim Përgjigje për disa pyetje, Përmendore të Besnikëve, Bisedat e Parisit, janë në shitje. Megjithatë, gjatë gjashtëdhjetë vjetëve nuk është bërë ndonjë përmbledhje e gjerë në anglisht e letrave të Tij të panumërta; tri vëllimet e Tabelave të 'Abdu'l-Bahá-it të botuara në Shtetet e Bashkuara midis viteve 1909 dhe 1916, edhe pse ka pasur botime të dyta, ka kohë që nuk janë në shitje.

Përmbledhja e tanishme përpiqet të japë një përzgjedhje shumë më të gjerë nga ajo që është bërë në ato vëllime të mëparshme, dhe leximi i saj do të krijojë një ide për vargun e gjatë të çështjeve që Mjeshtri ka trajtuar në letërkëmbimin e Tij. Janë përfshirë edhe një numër Tabelash të përkthyera nga një Komitet në Qendrën Botërore, duke përdorur skicat e hershme të bëra nga Shoghi Effendi-u gjatë jetës së 'Abdu'l-Bahá-it, dhe një numër të madh të bëra nga Mirzaeh Gail, dërguar asaj nga koleksioni i Qendrës Botërore, prej më shumë se 19,000 kopjesh orgjinale e të verifikuara. Disa Tabela të famshme, si letërkëmbimi me August Forel-in, ose pjesa më e madhe e Tabelës së Hagës, nuk janë përfshirë përderisa ato gjenden në botime më vete.

Marrësit e lumtur e të bekuar të pjesës dërrmuese të Tabelave të përfshira këtu ishin besimtarët e hershëm të lindjes e të perëndimit, qoftë individë, grupe, komitetete të organizuar ose asamble të miqve, dhe vlera e tyre për komunitetet e perëndimit që po lindnin në ato kohë kur literatura Bahá'í në anglisht ishte tejet e pakët nuk mund të mbivlerësohet.

Besojmë se botimi i këtyre shkrimeve të Mjeshtrit do të shërbejë për të rritur entuziazmin e atyre që ushqejnë dashuri për Të, që t'i përgjigjen thirrjes së Tij dhe që të kuptojnë më mirë atë harmoni të mrekullueshme të njerëzores e hyjnores, të cilën Ai, Misteri i Perëndisë, e personifikonte në mënyrë aq të përsosur.

Referencat për Kuranin

Në shënimet në fund të faqes që i referohen Kuranit, numrat e sureve janë dhënë sipas origjinalit, ndërsa numrat e vargjeve janë sipas përkthimit anglisht të Rodwell-it që ndonjëherë ndryshojnë nga ato të arabishtes.

PJESË TË ZJEDHURA
NGA SHKRIMET E
'Abdu'l-Bahá-IT
PJESË TË ZJEDHURA NGA SHKRIMET E
Abdu'l-Bahá-IT

1. O popuj të botës! Dielli i së Vërtetës ka lindur që të ndriçojë gjithë tokën dhe të shpirtëzojë bashkësinë njerëzore. Të lavdërueshme janë rezultatet dhe frytet që vinë nga kjo, të shumta janë dëshmitë e shenjta që rrjedhin prej këtij hiri. Kjo është mëshirë e përkryer dhe bujaria më e kulluar; është dritë për botën e të gjithë popujt e saj; është harmoni e vëllazëri, dashuri e solidaritet; është me të vërtetë dhembshuri e unitet, është fundi i të qënit të huaj për njëri-tjetrin; është mirëkuptim me të gjithë mbi tokë, në dinjitet e liri të plotë.

Bukuria e Bekuar thotë: 'Ju jeni të gjithë frytet e një peme, gjethet e një dege'. Kështu e ka përqasur Ai këtë botë të qenies me një pemë të vetme dhe të gjithë popujt e saj me fletët, gonxhet dhe frytet e saj. Dega duhet të çelë dhe fleta e fryti të marrin zhvillim, sepse nga ndërveprimi i të gjitha pjesëve të pemës-botë varet zhvillimi i mbarë i fletës e i gonxhes, dhe ëmbëlsia e frytit.

Për këtë arsye të gjitha qeniet njerëzore duhet të mbështesin fuqimisht njëra-tjetrën dhe të kërkojnë jetën e amshuar; për këtë arsye ata që e duan Perëndinë në këtë botë të kushtëzuar duhet të bëhen mirësitë e bekimet e dërguara nga ai Mbret i Mëshirshëm i mbretërive të dukshme e të padukshme. Le ta dëlirin ata vështrimin dhe ta shohin gjithë njerëzimin si fletët, lulet e frytet e pemës së qenies. Le të kujdesen ata kurdoherë për të bërë diçka të mirë për tjetrin, duke i ofruar gjithkujt dashuri, vëmendje e ndihmë të vërtetë. Le të mos shohin askënd si armikun e tyre apo që u do të keqen, por t'i shohin të gjithë njerëzit si miqtë e tyre, ta konsiderojnë të panjohurin si të afërt, të huajin si shok, duke qenë të lirë nga paragjykimet dhe duke mos bërë dallime.

Në këtë ditë, te Pragu i Zotit i pëlqyeshëm është ai që kalon rreth e qark kupën e besnikërisë, që u dhuron madje edhe armiqve të tij margaritarin e bujarisë, që i shtrin dorën e ndihmës edhe shtypësit të tij të rrëzuar; është ai që edhe me kundërshtarët e tij më të egër tregohet mik i dashur. Këto janë mësimet e Bukurisë së Bekuar, janë këshillat e Emrit Më të Madh.

O miq të shtrenjtë! Bota është në luftë dhe raca njerëzore është në ankth të mundimshëm e në një betejë që mbjell vdekje. Ka rënë nata e zezë e urrejtjes dhe drita e mirëbesimit është fikur. Popujt dhe fiset e tokës kanë mprehur kthetrat e sulen kundër njëri-tjetrit. Po shkatërrohet vetë themeli i racës njerëzore. Janë me mijëra familjet endacake pa shtëpi e katandi dhe çdo vit sheh mijëra e mijëra qenie njerëzore të zhytura në gjak në fushëbeteja të murrëta. Tendat e jetës e të gëzimit janë rrëzuar. Gjeneralët venë në zbatim artin e tyre ushtarak, duke u mburrur me gjakun që derdhin, duke konkurruar me njëri-tjetrin në nxitjen e dhunës. 'Me këtë shpatë, - thotë njëri prej tyre, - i kam prerë kokën një populli!' Një tjetër thotë: 'Unë kam shtrirë përtokë një komb!' Kurse një tjetër ia pret: 'Unë kam rrëzuar një qeveri!' Me të tilla gjëra mburren njerëzit, me të tilla gjëra lëvdohen ata! Dashuria e virtytshmëria kudo hidhen poshtë, ndërsa harmonia e përkushtimi ndaj së vërtetës përçmohen.

Besimi i Bukurisë së Bekuar e fton njerëzimin drejt sigurisë e dashurisë, drejt miqësisë e paqes; ky Besim ka ngritur shatorren e tij në lartësitë e tokës dhe u ka drejtuar thirrjen e tij të gjitha kombeve. Prandaj, o ju që e doni Perëndinë, dijani vlerën këtij Besimi të çmuar, bindjuni mësimeve të tij, ecni në këtë rrugë të drejtë dhe tregojuani këtë udhë njerëzve. Ngrijeni zërin dhe këndoni këngën e Mbretërisë. Përhapni anekënd porositë dhe këshillat e Zotit dashamirës, që kjo botë të bëhet tjetër botë, që kjo tokë e errët të mbushet me dritë, që trupi i vdekur i njerëzimit të ngrihet e të jetojë; kështu që çdo shpirt do të kërkojë pavdekësinë nëpërmjet flladeve të shenjta të Perëndisë.

Së shpejti ditët tuaja që kalojnë sa hap e mbyll sytë do të marrin fund dhe do të ikin pa lënë gjurmë fama e pasuria, rehatia e gëzimi, të siguruara nga bota, kjo kapicë hedhurinash. Bëjuni, pra, thirrje njerëzve për te Perëndia dhe ftojeni njerëzimin të ndjekë shembullin e Grupimit të epërm. Jini etër të dashur për jetimët, strehë për të pafuqishmit, thesar për të varfërit dhe ilaç për të sëmurët. Jini ndihmë për çdo viktimë të shtypjes dhe mbrojtës për njerëzit pa mbështetje. Mendoni kurdoherë si t'i bëni ndonjë shërbim çdo pjesëtari të racës njerëzore. Mos vini re mosdashjen e antipatitë, përçmimin, armiqësinë e padrejtësinë: veproni në të kundërtën e tyre. Jini me të vërtetë të dashur e jo për t'u dukur. Secili nga të dashurit e Perëndisë le ta përqendrojë vëmendjen në këtë: të jetë mëshira e Zotit për njeriun, të jetë hiri i Zotit. Le t'i bëjë ai një të mirë çdo personi që ndesh në udhë dhe të jetë i dobishëm për të. Le të përmirësojë karakterin e secilit pa dallim, le t'u japë tjetër drejtim mendjeve të njerëzve. Kështu, drita e udhërrëfimit hyjnor do të rrëzëllejë dhe bekimet e Perëndisë do të përkundin gjithë njerëzimin: sepse dashuria është dritë, pavarësisht se ku e ka shtëpinë; kurse urrejtja është errësirë, pavarësisht se ku mund ta bëjë folenë. O miq të Perëndisë! Që Misteri i fshehur të zbulohet dhe thelbi i fshehtë i çdo gjëje të shfaqet, përpiquni ta dëboni këtë errësirë njëherë e përgjithmonë.

2. O Zoti im! Unë jam avitur pranë Teje, në thellësitë e kësaj nate të errët, duke besuar tek Ti, Lavdiploti, me gjuhën e zemrës sime, duke u drithëruar nga gëzimi për aromat e këndshme që fryjnë nga mbretëria Jote, duke të thirrur Ty e duke thënë:

O Zoti im, nuk gjej fjalë për të të thurur lavdi Ty; nuk shoh udhë që zogu i mendjes sime të fluturojë lart drejt Mbretërisë Sate të Shenjtërisë; sepse Ti, në vetë thelbin Tënd, je i shenjtëruar mbi këto nderime, dhe në vetë qenien Tënde qëndron mbi ato lavde që ngrejnë për Ty njerëzit që Ti ke krijuar. Në shenjtërinë e vetë qenies Sate Ti kurdoherë je lartësuar mbi të kuptuarit e të diturve midis Grupimit të epërm, dhe do të mbetesh përgjitmonë i mbështjellë në shenjtërinë e vetë realitetit Tënd, që është i paarritshëm për dijet e atyre banorëve të Mbretërisë Sate të lartësuar që i thurin lavde Emrit Tënd.

O Perëndi, Perëndia im! Si mundem unë të të thur lavde ose të të përshkruaj Ty, i paarritshëm siç je; pamatësisht i lartë e i shenjtëruar je Ti mbi çdo përshkrim e lavd.

O Perëndi, Perëndia im! Ki, pra, mëshirë për gjendjen time të pafuqishme, varfërinë time, mjerimin tim, poshtërimin tim! Më jep të pi nga kupa bujare e hirit dhe e ndjesës Sate, më gjallëro me aromat e këndshme të dashurisë Sate, gëzoje zemrën time me dritën e dijes Sate, dëlire shpirtin tim me misteret e njëshmërisë Sate, më sill në jetë me flladin e lehtë që vjen nga kopshtet e mëshirës Sate, derisa unë të shkëputem nga çdo gjë tjetër veç Teje, të mbahem pas cepit të rrobës Sate të madhështisë, të lë në harresë gjithçka që s'je Ti, të më shoqërojë puhiza e ëmbël që përhapet në ditët e Tua, të arrij besnikërinë në Pragun e Shenjtërisë Sate, të ngrihem për t'i shërbyer Kauzës Sate, të jem i përunjur para të dashurve të Tu, dhe unë vetë të jem asgjë në praninë e të pëlqyerve të Tu.

Me të vërtetë Ti je Ndihmuesi, Mbështetësi, i Lartësuari, Bujariploti.

O Perëndi, Perëndia im! Të lutem Ty për agimin e dritës së Bukurisë Sate që ka ndriçuar mbarë dheun, për vështrimin e syrit të dhembshurisë Sate hyjnore që i peshon të gjitha gjërat, për detin e fryrë të dhuntive të Tua në të cilin janë zhytur të gjitha gjërat, për vërshimin e reve të bujarisë Sate që reshin dhurata mbi thelbin e të gjitha gjërave të krijuara, për shkëlqimet e mëshirës Sate që ka qenë edhe para se të ishte bota - të ndihmosh të zgjedhurit e Tu që të jenë besnikë, të përkrahësh të dashurit e Tu që të shërbejnë në Pragun Tënd të lartësuar, t'u japësh atyre fitoren përmes aradhave të fuqisë Sate që mposht të gjitha gjërat, t'i përforcosh ata me një ushtri të madhe luftarake nga Tubimi i epërm.

O Zoti im! Ata që qëndrojnë para derës Sate janë shpirtra të dobët; ata janë varfanjakë në oborrin Tënd, të dëshiruar për hirin Tënd, në nevojë të dëshpëruar për ndihmën Tënde, me fytyra të kthyera ndaj mbretërisë së njëshmërisë Sate, të djegur për bujarinë e dhuntive të Tua. O Zoti im! Përmbyti mendjet e tyre në dritën Tënde të shenjtë; dëliri zemrat e tyre me hirin e mbështetjes Sate; ngazëlleji zemrat e tyre me aromën e gëzimeve që përhapen prej Grupimit Tënd qiellor; bëji të shkëlqejnë sytë e tyre duke parë shenjat e simbolet e fuqisë Sate; bëji ata emblema të dëlirësisë, flamuj të shenjtërisë që valëviten lart mbi të gjitha krijesat në kulmet e tokës; bëj që fjalët e tyre të prekin edhe zemrat e ngurta si shkëmb. Le të ngrihen ata për të të shërbyer Ty dhe për t'iu përkushtuar Mbretërisë së hyjnisë Sate, le ta kthejnë fytyrën ndaj mbretërisë së Vetëqenies Sate, të përhapin anekënd shenjat e Tua, të ndriçohen nga vërshimi i dritave të Tua, dhe të shpalosin misteret e Tua të fshehura. Le t'i udhëheqin ata shërbëtorët e Tu ndaj ujërash të qeta e drejt gurrës së mëshirës Sate që rrjedh e vërshon mu në vetë zemrën e Qiellit të njëshmërisë Sate. Le të ngrejnë ata velën e shkëputjes mbi Arkën e Shpëtimit dhe të lundrojnë në detet e dijes Sate; le të shtrijnë gjerë krahët e unitetit dhe me ndihmën e tyre të fluturojnë lart për në Mbretërinë e njëvetshmërisë Sate, për t'u bërë shërbëtorë që do t'i duartrokasë Tubimi Më i Lartë e do t'u thurin lavde banorët e mbretërisë Sate lavdiplotë; le të dëgjojnë ata lajmëtarët e botës së padukshme tek kumtojnë me zë të lartë Më të Madhin Lajm të Gëzuar; në etjen e tyre të pashuar për të Të takuar, le të të kërkojnë e të të përgjërohen Ty, duke kënduar në ag të dritës lutjen e mahnitshme - O Zoti im që vendos të gjitha gjërat - duke derdhur lot në mëngjes e mbrëmje, nga dëshira e zjarrtë për t'u futur nën hijen e mëshirës Sate që nuk resht kurrë.

Ndihmoji ata, O Zoti im, në të gjitha kushtet, mbështeti kurdoherë me engjëjt e Tu të shenjtërisë, që janë ushtritë e Tua të padukshme, aradhat e Tua qiellore që çojnë në disfatë ushtritë e mëdha të kësaj bote të ulët.

Me të vërtetë Ti je i Fuqishmi, i Pushtetshmi, i Forti, Gjithëpërfshirësi, i Vetmi Që sundon mbi gjithçka që ekziston.

O Zot i shenjtë! O Zot i dashamirësisë! Ne endemi rreth banesës Sate, të dëshiruar për të soditur bukurinë Tënde, dhe i duam të gjitha qëndrimet e Tua. Ne jemi fatkeqë, të përunjur e fare pa rëndësi. Ne jemi varfanjakë: trego mëshirë për ne, falna bujari; mos shiko mangësitë tona, fshihi mëkatet tona të pafund. Sido që jemi, prapëseprapë jemi të Tutë, dhe çdo gjë që themi e dëgjojmë është thurje lavdesh për Ty, dhe ne kërkojmë fytyrën Tënde e ndjekim shtegun Tënd. Ti je Zoti i dashamirësisë, ne jemi mëkatarë, udhëhumbur e larg shtëpisë. O Re e Mëshirës, dhurona, pra, disa pika shiu. O Shtrat i Luleve të hirit, dërgona një fllad erëmirë. O Det i të gjitha dhuntive, rrokullis drejt nesh një valë të madhe. O Diell i Bujarisë, dërgona një rreze drite. Dhurona mëshirë, dhurona hir. Për bukurinë Tënde, ne vijmë pa pasur asgjë tjetër veç mëkateve tona, pa pasur vepra të mira për të treguar, por vetëm shpresa. Po të mos na mbulojë perdja Jote që fsheh, e po të mos na ruajë e përkundë mbrojtja Jote, ku kanë fuqi këta shpirtra të gjorë që të ngrihen të të shërbejnë Ty, ku kanë brumë këta mjeranë që të tregohen të fuqishëm? Ti që je i Fuqishmi, i Gjithëpushtetshmi, na ndihmo e na përkrah; ne jemi të fishkur, na ringjall me reshjet e reve të hirit Tënd; ne jemi të dërrmuar, na ndriço me rrezet e shndritshme të Diellit të njëshmërisë Sate. Hidhi këta peshq të etur në oqeanin e mëshirës Sate, prije këtë karvan udhëhumbur drejt strehës së njëvetshmërisë Sate; udhëhiqi ata që enden tutje drejt gurrës së udhërrëfimit, dhe jepu atyre që kanë humbur shtegun një strehë brenda rrethinave së fuqisë Sate. Derdh mbi këto buzë të thara ujërat e bollshme e të qeta të qiellit, ngreji këta të vdekur për jetën e amshuar. Falu të verbërve sy që shohin. Bëji të shurdhërit të dëgjojnë dhe të pagojët të flasin. Ndizi flakë të dëshpëruarit, bëji të përgjegjshëm të shkujdesurit, paralajmëroi kryelartët, zgjoji ata që flenë.

Ti je i Fuqishmi, Ti je Dhuruesi, Ti je i Përzemërti. Me të vërtetë Ti je Mirëbërësi, Më i Lëvduari.

O ju të dashurit e Perëndisë, ju ndihmuesit e këtij Shërbëtori kalimtar! Kur Dielli i Realitetit derdhi dhuratat e tij të pambarim nga Pika e Agimit e të gjitha dëshirave dhe kjo botë e qenies u ndriçua me atë dritë të shenjtë nga poli në pol, ai i lëshoi me aq forcë rrezet e tij sa zhduku përgjithmonë terrinë e skëterrës, dhe atëherë këtë tokë pluhuri e patën zili sferat e qiellit, ky vend i ulët mori pozitën dhe parzmoren e mbretërisë qiellore. Flladi i lehtë i shenjtërisë fryu mbi të, duke shpërndarë kudo shije të ëmbla; erërat pranverore të qiellit kaluan aty pranë e mbi të, nga Burimi i të gjitha dhuntive u përhapën puhi frytdhënëse që sillnin hir të pakufishëm. Pastaj lindi agimi i ndritshëm dhe erdhi sihariqi i gëzimit të madh. Pranvera hyjnore kishte ardhur dhe kishte ngritur tendat e saj në këtë botë të mundshme, saqë gjithë krijimi kërceu e vallëzoi. Toka e tharë solli lulëzim të pavdekshëm, pluhuri i vdekur u ngjall për jetën e pasosur. Pastaj lindën lule të diturisë mistike dhe, duke rrëfyer njohjen e Perëndisë, një gjelbërim i ri doli nga dheu. Bota e mundshme shfaqi dhuratat bujare të Perëndisë dhe bota e dukshme pasqyroi lavditë e mbretërive që i ishin fshehur shikimit. Thirrjet e Perëndisë u shpallën, tryeza e Besëlidhjes së Përjetshme u shtrua, kupa e Besëlidhjes u pasua dorë më dorë, ftesa mbarëbotërore u dërgua. Atëherë disa njerëz u ndezën flakë nga vera e qiellit dhe disa u lanë pa pjesë nga më e madhja prej dhuntive. Shikimi e intuita e disave u ndriçua me dritën e hirit, dhe pati nga ata që, duke dëgjuar himnet e unitetit, brofën në këmbë nga gëzimi. Pati zogj që filluan të cicërojnë në kopshtet e shenjtërisë, në degët e trëndafilave të qiellit pati bilbila që lëshonin britma të përvajshme. Atëherë u zbukuruan e u stolisën Mbretëria e epërme e toka këtu poshtë, dhe këtë botë e pati zili qielli i lartë. Por mjerisht, mjerisht, moskokëçarësit kanë qëndruar të zhytur në gjumë të shkujdesur dhe të marrët e kanë shkelmuar më të shenjtën prej dhuntive. Të verbërit kanë mbetur të mbështjellë nga perdet, të shurdhërit nuk kanë pjesë në atë që do të ndodhë, të vdekurit nuk kanë shpresa për të arritur gjëkundi, sepse siç thotë Ai: 'Ata nuk kanë shpresë për jetën që do të vijë, ashtu si të pabesët nuk kanë shpresë se të vdekurit do të ngrihen përsëri nga varret'. 1

Sa për ju, o të dashurit e Perëndisë! Zgjidheni gjuhën dhe falënderojeni Atë, ngrejeni në qiell e thurini lavde Bukurisë së të Adhuruarit, sepse ju keni pirë prej kupës më të kulluar, jeni gëzuar e jeni ndezur nga kjo verë. Ju keni ndier erërat e mira të shenjtërisë, ju keni nuhatur myshkun e besnikërisë prej rrobës së Josifit. Ju jeni ushqyer me nektarin e besnikërisë prej duarve të Atij që është i Shumëdashuri i vetëm, ju jeni gostitur me gjellët e pavdekshme në tryezën e banketit bujar të Zotit. Ky bollëk është një favor i veçantë i dhuruar nga Perëndia i përzemërt, këto janë bekime e dhurata të rralla që rrjedhin prej hirit të Tij. Në Ungjill Ai thotë: 'Sepse shumë thirren, por pak zgjidhen'.2 Kjo do të thotë se ajo u ofrohet shumë njerëzve, por janë të rrallë shpirtrat që veçohen për të marrë dhuntinë e madhe të udhërrëfimit. "Ajo është dhunti e Perëndisë, të cilën Ai ia jep kujt të dojë, dhe Perëndia është dhurues i madh'.3

O ju të dashurit e Perëndisë! Erëra të kundërta fryjnë e shfryjnë nga popujt e botës kundër Qiriut të Besëlidhjes. Bilbili i besnikërisë është rrethuar nga renegatë që janë si korbat e urrejtjes. Pëllumbi i kujtimit të Perëndisë është shtyrë dhunshëm prej zogjsh të pamend të natës, dhe Gazelës që banon në livadhet e dashurisë së Perëndisë nuk po i ndahen këmba-këmbës bishat grabitqare. Rreziku është vdekjeprurës, dhimbja është torturuese.

Të dashurit e Zotit duhet të qëndrojnë të palëvizshëm si malet, të qëndrueshëm si mure të pathyeshëm. Ata duhet të mbeten të patundur edhe para fatkeqësive më të tmerrshme, të pabrengosur nga katastrofat më të mëdha. Le të kapen pas rrobës së Perëndisë Fuqiplotë e ta mbështesin besimin e tyre në Bukurinë e Më të Lartit; le të mbështeten në ndihmën e sigurt që vjen prej Mbretërisë së Lashtë dhe të mbahen pas kujdesit e mbrojtjes së Zotit bujar. Le të freskohen e përtërihen ata kurdoherë me vesën e hirit qiellor, të gjallërohen e rinohen në çdo çast me frymën e Shpirtit të Shenjtë. Le të ngrihen për t'i shërbyer Zotit të tyre dhe të bëjnë gjithçka varet nga ata për të përhapur anekënd flladet e Tij të shenjtërisë. Le të jenë ata një kala e fuqishme për të mbrojtur Besimin e Tij, një kështjellë e pamposhtur për ushtritë e Bukurisë së Lashtë. Le të ruajnë ata besnikërisht nga çdo anë godinën e Kauzës së Perëndisë; le të bëhen yje vezullues të qiejve të Tij të shndritshëm. Sepse hordhitë e errësirës po e sulmojnë këtë Kauzë nga çdo drejtim, popujt e tokës janë të prirur ta shuajnë këtë Dritë të qartë. Dhe përderisa të gjitha fiset e botës po shtojnë sulmet e tyre, si mund të largohet vëmendja jonë, qoftë edhe për një çast? Sigurisht që duhet të jeni në dijeni të këtyre gjërave, të jeni syçelur dhe ta ruani Kauzën e Perëndisë.

Sot detyra më e ngutshme është pastrimi i karakterit, reformimi i moralit, korrigjimi i sjelljes. Është detyrë e të dashurve të Perëndisë të ngrihen midis gjithë popujve me cilësi e vepra të tilla që erërat e freskëta që fryjnë mbi kopshtet e shenjtërisë të kundërmojnë në mbarë tokën dhe të rikthejnë në jetë shpirtrat e vdekur. Arsyeja që Perëndia e ka shfaqur Veten dhe që dritat pambarim po shkëlqejnë prej mbretërisë së të padukshmes, s'është veçse ushtrimi i të gjithë shpirtrave njerëzorë dhe përsosja e karaktereve të të gjithë njerëzve mbi tokë, me qëllim që individët e bekuar, që e kanë çliruar veten prej territ të botës shtazore, të ngrihen me ato cilësi që janë stolitë e realitetit të njeriut. Qëllimi është që tokësorët të kthehen në njerëz të Qiellit, dhe ata që enden në errësirë të vinë drejt dritës, ata që janë përjashtuar të hyjnë në rrethin e brendshëm të Mbretërisë, dhe ata që janë si hiçi të bëhen të afërm të Lavdisë së përjetshme. Ata që janë pa hise të fitojnë pjesën e tyre nga deti i pakufishëm, dhe të paditurit të pinë kupën e tyre nga gurra jetëdhënëse e dijes; ata që janë të etur për gjak të braktisin shtazërinë e tyre, ata që kanë kthetra grabitqari të zbuten e të bëhen të përmbajtur, ata që duan luftën të kërkojnë në vend të saj pajtimin e vërtetë; që brutalët me çaponj të mprehtë t'u gëzohen të mirave të paqes së qëndrueshme, që të ndoturit të mësojnë se ka një mbretëri të dëlirësisë dhe të njollosurit të gjejnë udhën drejt lumenjve të shenjtërisë.

Po të mos revelohen këto dhunti hyjnore prej unit të brendshëm të njerëzimit, bujaria e Manifestimit do të mbetet shterpë dhe rrezet verbuese të Diellit të së Vërtetës nuk do të kenë kurrfarë efekti.

Prandaj, o të dashurit e Zotit, përpiquni me mish e me shpirt të keni hise në atributet e Tij të shenjta dhe të merrni pjesën tuaj nga dhuntitë e shenjtërisë së Tij, që të bëheni simbole të bashkimit, flamuj të njëvetshmërisë dhe të gjeni kuptimin e njëshmërisë; që në këtë kopsht të Perëndisë të ngrini zërin dhe të këndoni himnet e hareshme të shpirtit. Bëhuni si zogjtë që i ofrojnë Atij falënderimet, dhe në tendën e lulëzuar të jetës këndoni melodi që habisin mendjet e atyre që dinë. Ngrini një flamur në majat më të larta të botës, një flamur të favorit të Perëndisë që të valojë e valëvitet nga erërat e hirit të Tij; mbillni një pemë në fushën e jetës, mes trëndafilave të kësaj bote të dukshme, që do të japë fryte të freskëta e të ëmbla.

Betohem për Mësuesin e vërtetë që në qoftë se do të veproni në pajtim me porositë e Perëndisë, siç janë reveluar në Tabelat e Tij të shndritshme, ky pluhur i zi do të pasqyrojë Mbretërinë e qiellit dhe kjo botë e ulët mbretërinë e Lavdiplotit.

O ju të dashurit e Zotit! Lëvduar qoftë Ai, mirësitë e padukshme të Diellit të së Vërtetës që rrjedhin lumë ju rrethojnë nga çdo anë dhe në çdo drejtim portat e mëshirës së Tij janë të hapura. Tani është koha të përfitoni nga këto dhunti dhe të keni dobi prej tyre. Njiheni vlerën e kësaj kohe, mos e humbni këtë rast. Qëndroni tërësisht të spastruar nga shqetësimet e kësaj bote të errët dhe bëhuni të njohur për atributet e atyre thelbeve që Mbretërinë e kanë bërë shtëpinë e tyre. Atëherë do të shihni sa e madhe është lavdia e Diellit hyjnor, çfarë shkëlqimi verbues kanë simbolet e bujarisë që dalin nga mbretëria e padukshme.

3. O ju të shumëdashurit e Perëndisë! O ju bij të Mbretërisë së Tij! Me të vërtetë, me të vërtetë, qielli i ri dhe toka e re kanë ardhur. Qyteti i shenjtë, Jeruzalemi i ri, ka zbritur nga lart në formën e një hyrie të qiellit, me vello, e bukur, e pashoqe dhe e përgatitur për t'u ribashkuar me dashuruesit e saj në tokë. Aradhja engjëllore e Tubimit Qiellor është bashkuar në një thirrje që është përhapur anemambanë gjithësisë, duke brohoritur me zë të lartë e të fuqishëm: 'Ky është Qyteti i Perëndisë dhe shtëpia e Tij, ku do të banojnë të dëlirët e të shenjtët ndër shërbëtorët e Tij. Ai do të jetojë me ta, sepse ata janë njerëzit e Tij dhe Ai është Zoti i tyre'.

Ai u ka fshirë lotët, u ka ndezur dritën, u ka gëzuar zemrat dhe u ka ngazëllyer shpirtrat. Ata nuk do t'i arrijë më vdekja, as do t'i hidhërojnë brenga, vaji e fatkeqësitë. Zoti Perëndia Fuqiplotë ka hipur në fron në Mbretërinë e Tij dhe i ka bërë të reja të gjitha gjërat. Kjo është e vërteta, dhe ç'e vërtetë mund të jetë më e madhe se ajo që u shpall nga Revelacioni i Shën Gjon Hyjnorit?

Ai është Alfa dhe Omega. Është Ai që do t'i japë të eturit të pijë nga gurra e ujit të jetës dhe që do t'i dhurojë të sëmurit ilaçin e shpëtimit të vërtetë. Ai që me kaq hir ndihmohet, me të vërtetë merr trashëgiminë më të lavdishme nga Profetët e Perëndisë dhe shenjtorët e Tij. Zoti do të jetë Perëndia i Tij dhe ai biri i Tij shumë i shtrenjtë.

Gëzoni, pra, o ju të dashurit e Zotit dhe të zgjedhurit e Tij, dhe ju fëmijë të Perëndisë e njerëz të Tij ngrini zërin për të lëvduar e madhëruar Zotin, Më të Lartin; sepse drita e Tij ka rrëzëllyer, shenjat e Tij janë dukur dhe tallazet e oqeanit të Tij të fryrë kanë përhapur në çdo breg shumë margaritarë të çmuar.

4. Lëvduar qoftë Ai Që ka bërë botën e qenies dhe ka artuar gjithçka që ekziston, Ai Që ka ngritur të sinqertët në një vend nderi1 dhe që ka bërë botën e padukshme të shfaqet në rrafshin e së dukshmes - e megjithatë njerëzit, në dehjen e trullosjes1, enden e humbin rrugën.

Ai ka hedhur themelet e Kalasë së lartë, Ai ka përuruar Ciklin e Lavdisë, Ai ka sjellë një krijim të ri në këtë ditë që është sheshit Dita e Gjyqit - e megjithatë të shkujdesurit qëndrojnë të mbërthyer në gjumin e dehjes.

Boria2 ka rënë, Tromba3 ka ushtuar, Kasneci ka lëshuar thirrjen e tij dhe gjithçka mbi tokë është mekur - por të vdekurit ende flenë në varret e trupave të tyre.

Edhe boria4 e dytë ka buçitur, kushtrimi i dytë ka pasuar të parin5, gjëma e tmerrshme ka ardhur dhe çdo nënë me fëmijë gjiri ka harruar foshnjën e saj6 - megjithatë njerëzit, të pështjelluar e të shushatur, nuk ia venë veshin.

Dhe Ringjallja ka aguar, dhe Ora ka rënë, dhe Shtegu është është hapur i drejtë, dhe Peshorja është vendosur, dhe gjithçka mbi tokë është mbledhur bashkë7 - por njerëzit ende nuk shohin shenja të rrugës.

Drita ka ndriçuar, rrezatimi ka vërshuar mbi Malin Sinai, dhe një erë e lehtë fryn mbi kopshtet e Zotit Gjithmonë-Përdëllimtar; flladet e freskëta të shpirtit po kalojnë pranë, dhe të varrosurit po ngrihen - e megjithatë të shkujdesurit dremitin në varret e tyre.

Flakët e ferrit janë ndezur, dhe qielli është sjellë pranë; kopshtet hyjnore janë në lulëzim, dhe pellgje të reja janë mbushur plot e përplot, dhe parajsa shndrit nga bukuria - por të pavetëdijshmit ende janë të zhytur në ëndrrat e tyre boshe.

Veli ka rënë tutje, perdja është ngritur, retë janë shpërndarë, Zoti i Zotave duket sheshit - megjithatë gjithçka u ka kaluar mëkatarëve pa e vënë re.

Është Ai Që ka bërë për ju krijimin e ri8, dhe ka sjellë gjëmën9 që ua kalon gjithë të tjerave, dhe ka mbledhur së bashku të shenjtët në mbretërinë e epërme. Me të vërtetë, këto janë shenja për ata që kanë sy të shohin.

Dhe ndër shenjat e Tij është shfaqja e ogureve dhe e profecive të gëzuara, e aluzioneve dhe çelësave të zgjidhjes, përhapja e sihariqeve të shumta e të ndryshme, si dhe pritja e përmbushjes së shpresave të të drejtëve, që tani kanë arritur qëllimin e tyre.

Dhe ndër shenjat e Tij janë shkëlqimet e Tij, që ngrihen mbi horizontin e njëshmërisë, dritat e Tij që rrjedhin nga agimi i fuqisë, dhe shpallja e Më të Madhit Lajm të Gëzuar prej Lajmëtarit të Tij, të Vetmit, të Pakrahasueshmit. Me të vërtetë, kjo është një dëshmi e shkëlqyer për grupimin e atyre që dinë.

Ndër shenjat e Tij është shfaqja e Tij, që e shohin të gjithë, qëndresa e Tij si prova e Atij vetë, dhe prania e Tij midis dëshmitarësh në çdo vend, midis njerëzish që si ujqër u hodhën mbi Të dhe e sulmuan nga çdo anë.

Ndër shenjat e Tij është qëndresa e Tij ndaj kombeve të fuqishme dhe shteteve gjithë-pushtuese, ndaj një morie armiqsh të etur për gjakun e Tij, që synonin në çdo çast shkatërrimin e Tij, kudo që Ai të ishte. Me të vërtetë, kjo është një çështje që meriton shqyrtim nga ana e atyre që i peshojnë shenjat e sinjalet e Perëndisë.

Një shenjë tjetër e Tij është mrekullia e ligjëratës së Tij, elokuenca e fjalës së Tij, shpejtësia me të cilën u reveluan Shkrimet e Tij, fjalët e Tij të urtësisë, vargjet e Tij, letrat e Tij, komunikimi i Tij shpirtëror, dhe shtjellimi i Kuranit prej Tij, si i vargjeve të errëta dhe i atyre të qarta. Për vetë jetën tënde! Kjo gjë është e qartë si drita për këdo që e sheh atë me syrin e drejtësisë.

Veç këtyre, ndër shenjat e Tij është agimi i diellit të dijes së Tij, dalja e hënës së arteve e të mjeshtërive të Tij, dhe përsosuria e Tij që shfaqet në të gjitha drejtimet, siç dëshmohet nga dijetarë e njerëz të përgatitur të shumë kombeve.

Dhe më tej, ndër shenjat e Tij është fakti që bukuria e Tij qëndroi e pacenuar, tempulli i Tij njerëzor u mbrojt ndërsa Ai reveloi shkëlqimet e Tij, pavarësisht nga sulmet masive të të gjithë armiqve të Tij, që me mijëra drejtuan kundër Tij shigjetat, shtizat e shpatat e tyre. Kjo është me të vërtetë një mrekulli dhe një mësim për çdo gjyqtar të paanshëm.

Dhe ndër shenjat e Tij është durimi i Tij i madh, mundimet dhe fatkeqësitë e Tij, agonia e Tij nën zinxhirë e vargonj, dhe thirrja e Tij në çdo moment: 'Ejani tek Unë, ejani tek Unë, ju njerëz të drejtë! Ejani tek Unë, ejani tek Unë, ju të dashuruar pas së mirës! Ejani tek Unë, Ejani tek Unë, ju agime të dritës!' Me të vërtetë portat e misterit janë hapur dykanatësh - por dashakeqët ende zbaviten duke nxjerrë bishtra të kotë!1

Dhe një tjetër prej shenjave të Tij është shpallja e Librit të Tij, Teksti i Shenjtë i vendosur i Tij, me të cilin Ai qorton mbretërit, dhe paralajmërimi i Tij i tmerrshëm drejtuar njërit prej tyre1, sundimi i fuqishëm i të cilit ndihej në mbarë botën, por pastaj brenda pak ditësh froni i tij madhështor u përmbys, është një fakt fare i qartë e i njohur gjerësisht.

Dhe ndër shenjat e Tij është madhështia sublime e Tij, pozita e Tij e lartësuar, lavdia e Tij dominuese dhe shkëlqimi i bukurisë së Tij përmbi horizontin e Burgut: prandaj para Tij përkuleshin kokat, zërat uleshin dhe të përvuajtura ishin fytyrat që ktheheshin ndaj Tij. Kjo është një dëshmi që s'ishte parë kurrë në epokat e mëparshme.

Dhe më tej ndër shenjat e Tij janë gjërat e jashtëzakonshme që Ai bënte vazhdimisht, mrekullitë që kreu, çuditë që u shfaqën nga Ai pa pushim si reshjet e reve të Tij, dhe njohja e dritës së Tij të fuqishme madje edhe nga jobesimtarët. Për vetë jetën e Tij! Kjo është vërtetuar qartë, është demonstruar ndaj njerëzve me bindje të ndryshme, që kishin ardhur në praninë e Zotit të gjallë, të vetëqenshëm.

Dhe një tjetër prej shenjave të Tij është përhapja e gjerë e rrezeve të diellit të epokës së Tij, dalja e hënës së kohërave të Tij në qiellin e të gjitha epokave: dita e Tij, e cila qëndron në kulmin e të gjitha ditëve, për nga lartësia dhe fuqia e saj, për nga shkencat dhe artet e saj, që janë përhapur anembanë, që ka çuditur botën dhe ka mahnitur mendjet e njerëzve.

Me të vërtetë kjo është një çështje e zgjidhur dhe e provuar njëherë e mirë.

5. Drita e madhe e botës, që dikur shkëlqente mbi gjithë njerëzimin ka perënduar, për të shndritur përgjithmonë nga Horizonti Abhá, Mbretëria e Tij e lavdisë së pashuar, duke derdhur nga lart shkëlqim mbi të dashurit e Tij dhe duke fryrë në zemrat e shpirtrat e tyre flladitjen e jetës së amshuar.

Peshojeni në zemrat tuaja atë që Ai ka parashikuar në Tabelën e Vizionit Hyjnor dhe që është përhapur në mbarë botën. Ai thotë atje: 'Menjëherë pas kësaj ajo rënkoi e klithi: "Qoftë bota dhe gjithçka që ndodhet në të haraç për mjerimet e Tua. O Sovran i qiellit dhe i tokës! Përse e ke lënë Veten në duart e banorëve të qytetit-burg të `Akkás? Nxito drejt zotërimeve të tjera, drejt strehëve të Tua atje lart, ku sytë e njerëzve të emrave kurrë nuk janë hedhur". Ne buzëqeshëm dhe nuk folëm. Reflekto për këto fjalë tepër të lartësuara dhe kupto qëllimin e këtij misteri të fshehur e të shenjtë'.

O ju të dashurit e Zotit! Kini mendjen, kini mendjen se mos ngurroni e lëkundeni. Le të mos ju zërë frika, as mos u shqetësoni e mos u trembni. Vini veshin mirë se mos kjo ditë fatzezë fashit flakët e zjarrit tuaj dhe shuan shpresat tuaja të brishta. Sot është dita për vendosmëri e qëndrueshmëri. Lum ata që qëndrojnë të vendosur e të patundur si shkëmbi dhe i bëjnë ballë furtunës e tendosjes së kësaj ore të stuhishme. Ata, me të vërtetë, do të jenë bartësit e hirit të Perëndisë; ata, me të vërtetë, do të kenë ndihmën e Tij hyjnore dhe me të vërtetë do të jenë fitimtarë. Ata do të shkëlqejnë midis njerëzimit me një rrëzëllim që banorët e Tendës së Lavdisë e lëvdojnë dhe e madhërojnë. Për ta shpallet kjo thirrje hyjnore, e reveluar në Librin e Tij më të Shenjtë: 'Le të mos shqetësohen zemrat tuaja, o njerëz, kur lavdia e Pranisë Sime të jetë tërhequr dhe oqeani i fjalës Sime të jetë fashitur. Në praninë Time midis jush ka një urti dhe në mungesën Time ka përsëri një tjetër, që është e pakapshme për të gjithë veç Perëndisë, të Pakrahasueshmit, të Gjithëdijshmit. Me të vërtetë, Ne ju vështrojmë nga mbretëria Jonë e lavdisë dhe cilindo që do të ngrihet për triumfin e Kauzës Sonë do ta ndihmojmë me ushtritë e Tubimit të epërm dhe me një aradhe të engjëjve Tanë të zgjedhur'.

Dielli i së Vërtetës, Drita Më e Madhe, ka perënduar mbi horizontin e botës që të ngrihet me shkëlqim të pavdekshëm përmbi Mbretërinë e së Pafundmes. Në Librin e Tij Më të Shenjtë Ai u bën thirrje miqve të tij të vendosur e të patundur: 'Mos u tronditni, o popuj të botës, kur dielli i bukurisë Sime të ketë perënduar dhe qielli i faltores Sime të jetë fshehur prej syve tuaj. Ngrihuni për të përkrahur Kauzën Time dhe për të lartësuar Fjalën Time midis njerëzve'.

6. O ju njerëz të Mbretërisë! Sa shumë shpirtra kanë kaluar gjithë jetën e tyre në adhurim, kanë duruar ndrydhjen e nevojave trupore, janë djegur nga dëshira për të hyrë në Mbretërinë, e megjithatë kanë dështuar, ndërsa ju, pa u robëtuar, pa vuajtje e pa mohuar vetveten, e keni fituar davanë dhe keni hyrë atje.

Është madje si në kohën e Mesisë, kur Farisenjtë dhe të devotshmit u lanë pa hise, ndërsa Pjetri, Gjoni dhe Andrea, që s'ishin të dhënë as pas adhurimit fetar, as pas praktikave askete, dolën të fituar. Prandaj, falënderoni Perëndinë që ka vendosur mbi kokat tuaja kurorën e lavdisë së pasosur, që ju ka dhënë këtë hir të pamasë.

Ka ardhur koha, kur ju, si falënderim për këtë dhunti, duhet të rriteni nga dita në ditë për nga besimi e qëndrueshmëria dhe të aviteni gjithnjë më pranë Zotit, Perëndisë suaj, duke u tërhequr deri në atë shkallë e me aq zjarr, saqë meloditë tuaja të shenjta në lëvdim të të Shumëdashurit të arrijnë lart në Aradhen e epërme; dhe që secili prej jush, si bilbil në këtë kopsht trëndafilash të Perëndisë, t'i thurë lavde Zotit të Ushtrive dhe të bëhet mësues i të gjithë atyre që banojnë mbi tokë.

7. O ju miq shpirtërorë të 'Abdu'l-Bahá-it! Një lajmëtar i besuar ka arritur dhe ka shpërndarë në botën e shpirtit një mesazh nga të dashurit e Perëndisë. Ky kumtar i mbarë është vërshimi i zjarrit të madh dhe i flladeve jetëdhënëse të dashurisë së Perëndisë. Ai e bën zemrën të hidhet nga gëzimi dhe e mbush shpirtin me dalldisje dashurie e ngazëllimi. Lavdia e Unitetit Hyjnor ka depërtuar aq thellë në shpirtrat e zemrat saqë të gjithë janë tani të lidhur me nyje qiellore dhe janë si një zemër e vetme, si një shpirt i vetëm. Prandaj reflektimet e shpirtit dhe mbresat e Hyjnores tani pasqyrohen të qarta e të spikatura në thellësi të zemrës. I lutem Perëndisë t'i forcojë këto lidhje shpirtërore nga dita në ditë dhe ta bëjë këtë njëshmëri mistike të shkëlqejë përherë e më shumë, derisa më në fund të gjithë të jenë si trupa që rreshtohen së bashku nën flamurin e Besëlidhjes, nën hijen mbrojtëse të Fjalës së Perëndisë; që ata të përpiqen me gjithë fuqinë e tyre derisa vëllazëria mbarëbotërore, e ngushtë dhe e ngrohtë, dashuria e pastër dhe marrëdhëniet shpirtërore t'i lidhin të gjitha zemrat në botë. Atëherë gjithë njerëzimi, për shkak të kësaj bujarie të gjallë e të shndritshme, do të mblidhet së bashku në një atdhe të vetëm. Atëherë, do të zhduken nga faqja e dheut konfliktet e mosmarrëveshjet, atëherë njerëzimi do të përkundet në dashurinë për bukurinë e Lavdiplotit. Përçarja do të shndërrohet në mirëkuptim dhe mosmarrëveshja në njëzëshmëri. Rrënjët e keqdashjes do të shkulen, baza e agresionit do të shkatërrohet. Rrezet e shndritshme të bashkimit do të shpërndajnë errësirën e kufizimeve dhe shkëlqimet e qiellit do ta bëjnë zemrën njerëzore të jetë si një minierë e pasur me dashuri për Perëndinë.

O ju të dashurit e Zotit! Kjo është ora kur ju duhet të lidheni me të gjithë popujt e tokës me përzemërsi e dashuri të pakufishme, të jeni për ta shenjat dhe emblemat e mëshirës së madhe të Perëndisë. Ju duhet të bëheni vetë shpirti i botës, shpirti i gjallë në trupin e bijve të njerëzve. Në këtë Epokë të mahnitshme, në këtë kohë kur Bukuria e Lashtë, Emri më i Madh, që sjell dhunti të panumërta, është ngritur mbi horizontin e botës, Fjala e Perëndisë ka futur një fuqi aq të madhe në vetë thelbin më të thellë të njerëzimit saqë Ai i ka zhveshur cilësitë njerëzore të njerëzve nga çdo lloj ndikimi dhe, me fuqinë e Tij gjithëpushtuese, i ka bashkuar popujt në detin e paanë të njëshmërisë.

Tani është koha që të dashurit e Perëndisë të ngrenë lart flamujt e unitetit, të këndojnë në kuvendet e botës vargjet e miqësisë e të dashurisë dhe t'u tregojnë të gjithëve se hiri i Perëndisë është një e i pandarë. Kështu shatorret e shenjtërisë do të ngrihen mbi majat më të larta të tokës, duke mbledhur të gjithë njerëzit nën hijen mbrojtëse të Fjalës së Njëshmërisë. Kjo bujari e madhe do të agojë mbi botë në kohën kur ata që duan Perëndinë do të ngrihen për të përmbushur Mësimet e Tij dhe për të përhapur anekënd aromat e freskëta e të këndshme të dashurisë mbarëbotërore.

Në çdo dispensacion ka ekzistuar porosia e vëllazërisë dhe e dashurisë, por ajo ishte një porosi e kufizuar në komunitetin e atyre që kishin një marrëveshje të ndërsjellë, dhe nuk shtrihej mbi armikun e papajtueshëm. Por në këtë epokë të mahnitshme, lëvduar qoftë Perëndia, porositë e Perëndisë nuk kanë caqe, nuk janë kufizuara në ndonjë grup njerëzish, përkundrazi të gjithë miqtë janë porositur të tregojnë miqësi e dashuri, konsideratë, zemërgjerësi e dashamirësi për çdo komunitet mbi tokë. Tani ata që duan Perëndinë duhet të ngrihen për të përmbushur këto mësime të Tij: le të jenë ata etër të mirë për bijtë e racës njerëzore, vëllezër të dhembshur ndaj të rinjve, pasardhës vetëmohues ndaj atyre që i kanë përkulur vitet. Kjo do të thotë se ju duhet të tregoni ngrohtësi e dashuri ndaj çdo qenieje njerëzore, madje edhe ndaj armiqve tuaj, t'i mirëprisni të gjithë me miqësi të dëlirë, buzagaz e me dashamirësi. Kur të ndeshni egërsi e përndjekje nga ana e një tjetri, tregoni mirësi ndaj tij; kur keqdashja drejtohet ndaj jush, përgjigjuni me zemër miqësore. Shtizave e shigjetave të hedhura mbi ju u tregoni gjokset, si një tabelë qitjeje e qartë pasqyrë; dhe në përgjigje ndaj mallkimeve, shpotitjeve e fjalëve lënduese tregoni shumë dashuri. Kështu të gjithë popujt do të provojnë forcën e Emrit Më të Madh, çdo komb do të njohë fuqinë e Bukurisë së Lashtë e do të shohë sesi Ai ka shembur muret e përçarjes dhe sesi Ai ka udhëhequr me siguri të gjithë popujt e tokës drejt njëshmërisë; sesi Ai ka ndriçuar botën e njeriut dhe e ka bërë këtë tokë pluhuri të lëshojë rrëke drite.

Këto krijesa njerëzore janë si fëmijë, ata janë arrogantë e mospërfillës. Këta fëmijë duhet të rrethohen me një kujdes të pafund, të përzemërt e të ushqehen ëmbëlsisht në krahët e mëshirës, që të shijojnë ëmbëlsinë-mjaltë të dashurisë së Perëndisë; që ata të bëhen si qirinj që derdhin dritën e tyre përmes kësaj bote sterrë të zezë dhe të shohin qartë se ç'kurora flakëruese lavdie ka vënë mbi kokën e të dashurve të Tij Emri Më i Madh, Bukuria e Lashtë, ç'dhunti u ka falur Ai zemrave të atyre që i ka të shtrenjtë, ç'dashuri ka ngulitur Ai në gjoksin e njerëzimit dhe ç'thesare miqësie ka bërë Ai të shfaqen midis të gjithë njerëzve.

O Perëndi, Perëndia im! Ndihmoji shërbëtorët e Tu besnikë të kenë zemra të dashura e të dhembshura. Ndihmoji ata të përhapin midis të gjitha kombeve të botës dritën e udhërrëfimit që vjen nga Aradhja e epërme. Me të vërtetë, Ti je i Forti, i Pushtetshmi, i Fuqishmi, Gjithënënshtruesi, Gjithmonë-Dhënësi. Me të vërtetë Ti je Zemërgjeri, i Ëmbli, i Buti, Më Bujari.

8. O ju të dashurit e 'Abdu'l-Baháit dhe ju shërbëtore të të Mëshirshmit! Është mëngjes herët dhe erërat përtëritëse të Parajsës Abhá po fryjnë mbi gjithë krijimin, por ato mund të gjallërojnë vetëm të dëlirët në zemër dhe vetëm ndjesia e pastër mund të diktojë aromën e tyre. Vetëm syri që sheh i sodit rrezet e diellit; vetëm veshi që dëgjon mund të ndiejë këngën e Tubimit të epërm. Megjithëse shirat e bollshme të pranverës, dhurimet e Qiellit, derdhen mbi të gjitha gjërat, ato mund të bëjnë pjellore vetëm tokën e mirë; ato nuk e duan tokën e njelmët, ku kurrfarë rezultatesh të tërë kësaj bujarie nuk mund të shfaqen.

Sot, flladet e buta e të shenjta të Mbretërisë Abhá po kalojnë mbi çdo vend, por vetëm të dëlirët në zemër afrohen dhe nxjerrin përfitim nga kjo. Ky shpirt i munduar shpreson se falë hirit të të Vetëqenëshmit dhe me fuqinë e dukshme të Fjalës së Perëndisë kokat e të shkujdesurve mund të kthjellohen dhe ata të ndiejnë këto aroma të këndshme që fryjnë nga trëndafilishtet e fshehta të shpirtit.

O ju miq të Perëndisë! Miqtë e vërtetë janë si mjekët e zot dhe Mësimet e Perëndisë janë si balsami shërues, ilaç për vetëdijën e njeriut. Ata kthjellojnë kokën, që njeriu të mund t'i thithë ato dhe të kënaqet me aromën e tyre të këndshme. Ata zgjojnë të fjeturit. Ata ndërgjegjësojnë moskokëçarësit, u sjellin pjesë të mjeruarve dhe shpresë të pashpresëve.

Në qoftë se në këtë ditë një shpirt vepron sipas porosive e këshillave të Perëndisë, ai do të jetë si një mjek hyjnor për njerëzimin dhe, ashtu si boria e Isráfilit1, do t'i sjellë në jetë të vdekurit e kësaj bote kalimtare; sepse konfirmimet e Mbretërisë Abhá nuk ndërpriten kurrë dhe një shpirt i tillë i virtytshëm ka ndihmën e sigurt të Aradhjes qiellore. Kështu një mizë e gjorë bëhet një shqiponjë në kulmin e forcës, dhe një trumcak i dobët bëhet fajkua mbretëror në majat e lavdisë së lashtë.

Prandaj, mos shikoni shkallën e aftësisë suaj, mos pyetni nëse jeni të denjë për detyrën: varini shpresat në ndihmën e dashamirësinë e përzemërt, në favoret e dhurimet e Bahá'u'lláh-ut - u flijoftë shpirtin im për miqtë e Tij! Nxitoni hipur mbi kalin e përpjekjeve të larta në fushën e flijimit dhe merrni prej kësaj arene të gjerë çmimin e hirit hyjnor.

O ju shërbëtore të Zotit të mëshirshëm! Sa mbretëresha të kësaj bote e mbështetën kokën mbi një jastëk pluhuri dhe u zhdukën. Prej tyre nuk mbeti asnjë fryt, as gjurmë, as shenjë, nuk mbetën madje as emrat e tyre. Për to nuk ka më blatime; për to nuk ka më kurrfarë jete. Nuk ndodh kështu me shërbëtoret që kanë shërbyer në Pragun e Perëndisë; ato kanë ndriçuar si yje vezullues në qiejt e lavdisë së lashtë, duke derdhur shkëlqimet e tyre përmes në shekuj e epoka. Ato kanë përmbushur shpresat e tyre më të shtrenjta në Parajsën Abhá; ato kanë shijuar mjaltin e ribashkimit në tubimin e Zotit. Shpirtra të tillë si këta kanë përfituar nga ekzistenca e tyre këtu mbi tokë: ata kanë këputur frytin e jetës. Sa për të tjerët, 'Sigurisht ka ardhur një kohë kur pë ta nuk u fol më'.

O ju të dashurit e këtij të munduari! Pastroni sytë, që të mos shihni askënd si të ndryshëm nga vetja juaj. Mos shihni të huaj; përkundrazi i shihni të gjithë njerëzit si miq, sepse dashuria dhe uniteti zor se vijnë kur ju e ngulitni vështrimin mbi të qënit ndryshe. Dhe në këtë epokë të re e të mahnitshme, Shkrimet e Shenjta thonë se ne duhet të jemi një me të gjithë popujt; se nuk duhet të shohim as ashpërsinë, as padrejtësinë, as dashakeqësinë, as armiqësinë, as urrejtjen, por t'i kthejmë sytë drejt qiellit të lavdisë së lashtë. Sepse secila nga krijesat është një shenjë e Perëndisë dhe secila ka ardhur në botë me hir të Perëndisë e falë fuqisë së Tij; prandaj ata nuk janë të huaj, por të familjes, nuk janë nga diku gjetkë, por miq, dhe duhet të trajtohen si të tillë.

Prandaj të dashurit e Perëndisë duhet të lidhen në shoqëri të ngrohtë njësoj si me të huajt dhe me miqtë, duke treguar ndaj të gjithëve përzemërsinë më të madhe, pa marrë parasysh shkallën e aftësisë së tyre, pa pyetur kurrë nëse ata e meritojnë t'i duash. Në çdo rast miqtë le të jenë pafundësisht të vëmendshëm e të dashur. Kurrë të mos i mposhtin ata ligësia e njerëzve, sulmet dhe urrejtja e tyre, sado të mëdha qofshin. Nëse të tjerët lëshojnë shigjetat kundër jush, ofrojuni si përgjigje qumësht e mjaltë, nëse ata ju helmojnë jetën, ëmbëlsoni shpirtrat e tyre; nëse ata ju lëndojnë, mësojini si të ngushëllohen; nëse ju shkaktojnë plagë, bëhuni balsam për plagët e tyre; nëse ju shkaktojnë djegie, mbani në buzët e tyre një kupë freskuese.

O Perëndi, Perëndia im! Këta janë shërbëtorët e Tu të dobët; ata janë skllevërit e Tu besnikë dhe shërbëtoret e Tua, që janë përkulur para Fjalës Sate të lartësuar, janë përunjur në Pragun Tënd të dritës dhe sjellin dëshmi për njëshmërinë Tënde që e ka bërë Diellin të ndriçojë me shkëlqimin e mesditës. Ata i kanë dëgjuar thirrjet që Ti ke lëshuar nga Mbretëria Jote e fshehur, dhe me zemrat që u dridhen nga dashuria e ngazëllimi i janë përgjigjur kushtrimit Tënd.

O Zot, derdh mbi ta vërshimet e mëshirës Sate, resh mbi ta të gjitha ujërat e hirit Tënd. Bëj që ata të rriten si pemë të bukura në kopshtin e qiellit, dhe prej reve të ngarkuara plot e përplot të dhuntive të Tua, prej pellgjeve të thella të hirit Tënd të pamasë, bëje këtë kopsht të lulëzojë dhe mbaje atë gjithnjë të blertë e të shndritshëm, gjithnjë të freskët, vezullues e të bukur.

Ti je, me të vërtetë, i Fuqishmi, i Lartësuari, i Pushtetshmi, Ai Që në qiej e mbi tokë është i vetmi që mbetet i pandryshuar. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Zotit të simboleve e të shenjave të dukshme.

9. O ti që zemrën e ke plot dashuri për Zotin! Të drejtohem ty nga ky vend i shenjtëruar, që të ta gëzoj shpirtin me letrën time për ty, sepse kjo është një letër që i jep zemrës së atij që beson në njëshmërinë e Perëndisë krahë për të fluturuar drejt majave të lumturisë.

Falëndero Perëndinë që të dha mundësinë të hysh në Mbretërinë e Tij të fuqisë. Së shpejti dhuntitë e Zotit do të zbresin mbi ty njëra pas tjetrës dhe Ai do të bëjë ty një shenjë për çdo kërkues të së vërtetës.

MBahá fort pas Besëlidhjes së Zotit tënd e, ndërsa ditët kalojnë, shtoje dashurinë tënde për të shumëdashurit e Tij. Përkulu me dashuri para shërbëtorëve të Mëshirëplotit, që të ngresh velën e dashurisë mbi arkën e paqes që lëviz përmes deteve të jetës. Le të mos të të hidhërojë asgjë dhe mos u zemëro me askënd. Ty të takon të kënaqesh me Vullnetin e Perëndisë dhe të jesh një mik i vërtetë, i dashur e i besuar për të gjithë njerëzit e dheut, pa kurrfarë përjashtimi. Kjo është cilësia e të sinqertëve, udha e shenjtorëve, emblema e atyre që besojnë në unitetin e Perëndisë dhe rroba e njerëzve të Bahá-it.

Falëndero e beko Perëndinë sepse Ai të ka lejuar t'i ofrosh Atij të Drejtën e Perëndisë.1 Ky është me të vërtetë një favor i veçantë ndaj teje nga ana e Tij; lëvdoje, pra, Atë për këtë porosi të shpallur në Shkrimet e Zotit tënd, prej Atij që është i Lashti i Kohëve.

Me të vërtetë Ai është Dashuruesi, i Dhembshuri, Përherëdhuruesi.

10. O ti shërbëtore e dashur e Perëndisë! E mora letrën tënde dhe u njoha me përmbajtjen e saj. Ti pyesje për një rregull me të cilin të drejtosh jetën tënde.

Beso në Perëndinë dhe mbaji sytë të ngulitur mbi Mbretërinë e lartësuar; ji e dashuruar pas Bukurisë Abhá; qëndro e patundur në Besëlidhje; digju nga dëshira për t'u ngjitur në Qiellin e Dritës Mbarëbotërore. Shkëputu prej kësaj bote dhe rilind nëpërmjet aromave të këndshme të shenjtërisë që fryjnë nga mbretëria e Më të Lartit. Ji ndër ata që bëjnë thirrje për dashuri dhe tregohu e mirë ndaj gjithë racës njerëzore. Duaji bijtë e njerëzve dhe merr pjesë në hidhërimet e tyre. Ji ndër ata që kujdesen për paqen. Ofro miqësinë tënde, bëhu e denjë që të të besojnë. Bëhu balsam për çdo brengë, bëhu ilaç për çdo të sëmurë. Lidhi shpirtrat së bashku. Recito vargjet e udhërrëfimit. Angazhohu në adhurim të Zotit tënd dhe ngrihu për t'i udhëhequr drejt njerëzit. Zgjidhe gjuhën e mësoi njerëzit, dhe le të shkëlqejë fytyra jote nga zjarri i dashurisë për Perëndinë. Mos pusho për asnjë çast, mos kërko ta kesh të lehtë. Kështu ti mund të bëhesh shenjë e simbol i dashurisë së Perëndisë dhe flamur i hirit të Tij.

11. Shërbimi ndaj miqve është shërbim ndaj Mbretërisë së Perëndisë dhe kujdesi ndaj të varfërve është një ndër mësimet më të mëdha të Perëndisë.

12. Dije me siguri se Dashuria është sekreti i Dispensacionit të shenjtë të Perëndisë, manifestimi i Mëshirëplotit, gurra e vërshimeve shpirtërore. Dashuria është nuri qiellor, fryma e amshuar e Shpirtit të Shenjtë që gjallëron shpirtin njerëzor. Dashuria është shkaku i revelacionit të Perëndisë ndaj njeriut, lidhja jetësore e qenësishme në realitetin e gjërave, në përputhje me krijimin hyjnor. Dashuria është i vetmi mjet që siguron lumturinë e vërtetë si në këtë botë edhe në tjetrën. Dashuria është drita që të udhëheq përmes errësirës, lidhja e gjallë që bashkon Perëndinë me njeriun, që siguron përparimin e çdo shpirti të ndriçuar. Dashuria është ligji më i madh që sundon këtë cikël të fuqishëm e hyjnor, fuqia e vetme që lidh së bashku elementët e ndryshëm të kësaj bote materiale, forca tërheqëse supreme që drejton lëvizjet e sferave në mbretëritë qiellore. Dashuria zbulon me fuqi të pagabueshme e të pafund misteret e fshehura në gjithësinë. Dashuria është shpirti i jetës për trupin e stolisur të njerëzimit, krijuesi i qytetërimit të vërtetë në këtë botë të vdekshme dhe përhapësi i lavdisë së pavdekshme mbi çdo racë e komb që synon lart.

Cilido popull që dashamirësisht favorizohet prej Perëndisë me këtë, emri i tij me siguri do të madhërohet e lavdërohet prej Tubimit të epërm, nga aradhja e engjëjve dhe nga banorët e Mbretërisë Abhá. Dhe cilido popull që e largon zemrën prej kësaj Dashurie Hyjnore - revelacionit të Mëshirëplotit - do të gabojë rëndë, do të bjerë në dëshpërim dhe do të shkatërrohet krejtësisht. Atij populli do t'i mohohet çdo strehë, do të bëhet si krijesat më të ulëta të tokës, viktimë e degradimit dhe e turpit.

O ju të dashurit e Zotit! Përpiquni të bëheni manifestimet e dashurisë së Perëndisë, llambat e udhërrëfimit hyjnor që ndriçojnë midis fiseve të dheut me dritën e dashurisë e të harmonisë.

Përshëndetje reveluesve të kësaj drite të lavdishme!

13. O ti bijë e Mbretërisë! E mora letrën tënde të 5 dhjetorit 1918. Ajo sjell lajmin e mirë që miqtë e Perëndisë dhe shërbëtoret e Mëshirëplotit janë mbledhur në verë në Grin Ejkër [Green Acre], janë angazhuar ditë e natë në përkujtim të Perëndisë, i kanë shërbyer njëshmërisë së botës së njerëzimit, kanë shfaqur dashuri ndaj të gjitha feve, kanë qëndruar larg çdo paragjykimi fetar dhe kanë qenë të dashur me të gjithë njerëzit. Fetë hyjnore duhet të jenë burimi i njëshmërisë midis njerëzve, mjete të unitetit e të dashurisë; ato duhet të shpallin paqen mbarëbotërore, t'i çlirojnë njerëzit nga çdo paragjykim, të dhurojnë gëzim e kënaqësi, të ushqejnë dashamirësi ndaj të gjithë njerëzve dhe t'i japin fund çdo ndryshimi e dallimi. Pikërisht siç thotë Bahá'u'lláh-u duke iu drejtuar botës së njerëzimit: 'O njerëz! Ju jeni frytet e një peme dhe gjethet e një dege'. Më e shumta është që disa shpirtra janë të paditur, ata duhen edukuar; disa janë të sëmurë, ata duhen shëruar; disa janë ende në moshë të njomë, ata duhen ndihmuar të arrijnë pjekurinë dhe ndaj tyre duhet treguar dashamirësia më e madhe. E tillë është sjellja e njerëzve të Bahá-it.

Shpresoj që vëllezërit dhe motrat e tua do të bëhen të gjithë dashamirës të botës së njerëzimit.

14. O ju dy shpirtra të bekuar! Letrat tuaja i mora. Ato tregojnë se ju keni hetuar të vërtetën dhe jeni çliruar nga imitimet e bestytnitë, se ju shikoni me sytë tuaj e jo me ata të të tjerëve, se dëgjoni me veshët tuaj e jo me veshët e të tjerëve, se zbuloni misteret me ndihmën e vetëdijes suaj e jo me atë të të tjerëve. Sepse imituesi thotë se filan njeri ka parë, filan njeri ka dëgjuar dhe vetëdija e filanit ka zbuluar; me fjalë të tjera, ai varet nga shikimi, dëgjimi dhe vetëdija e të tjerëve dhe nuk ka vullnet të vetin.

Tani, lëvduar qoftë Perëndia, ju keni treguar fuqi-vullneti dhe jeni kthyer ndaj Diellit të së Vërtetës. Fusha e zemrave tuaja është ndriçuar nga dritat e Zotit të Mbretërisë dhe ju jeni çuar në shtegun e drejtë, keni marshuar përgjatë rrugës që çon drejt Mbretërisë, keni hyrë në Parajsën Abhá, dhe keni siguruar hise e pjesë nga fryti i Pemës së Jetës.

Ju jeni të bekuar dhe një shtëpi e bukur ju pret. Urime e lavdërime për ju.

15. O shpirt i rrëmbyer nga dashuria për Perëndinë! Letrën që shkrove kur po nisej e mora. Ajo më gëzoi; dhe shpresoj që syri yt i brendshëm të hapet plotësisht, që para teje të zbulohet vetë thelbi i mistereve hyjnore.

Ti e filloje letrën me një frazë të bekuar, duke thënë: 'Unë jam i krishterë.' O sikur të gjithë të ishin të krishterë të vërtetë! Është lehtë të jesh i krishterë me fjalë, por është e vështirë të jesh i krishterë i vërtetë. Sot rreth pesëqind milionë shpirtra janë të krishterë, por i krishteri i vërtetë është shumë i rrallë: ai është shpirti prej fytyrës së hijshme të të cilit ndriçon shkëlqimi i Krishtit dhe që tregon përsosuritë e Mbretërisë; kjo është një çështje me rëndësi të madhe, sepse të jesh i krishterë do të thotë të mishërosh të gjitha virtytet e mira. Unë shpresoj që ti, gjithashtu, do të bëhesh i krishterë i vërtetë. Lavdëro Perëndinë që më në fund, përmes mësimeve hyjnore, ti ke siguruar në shkallën më të lartë si shikimin dhe mprehtësinë, ke hedhur rrënjë me vendosmëri në sigurinë e besimin. Shpresoj se edhe të tjerë do të fitojnë sy të ndriçuar e veshë që dëgjojnë dhe do të arrijnë jetën e amshuar: se këta lumenj të shumtë, që rrjedhin secili në shtretër të ndryshëm e të ndarë, do të gjejnë përsëri udhën drejt detit rreth e qark, do të përzihen bashkë dhe do të ngrihen si një valë e vetme e njëshmërisë që vërshon; se uniteti i së vërtetës, përmes fuqisë së Perëndisë, do t'i bëjë të zhduken këto dallime të rreme. Kjo është thelbësorja: sepse po të fitohet uniteti, të gjitha problemet e tjera do të zhduken vetvetiu.

O zonjë e nderuar! Në përputhje me mësimet hyjnore, në këtë dispensacion të lavdishëm ne nuk duhet të nënvleftësojmë asnjeri e ta quajmë atë injorant, duke thënë: "Ti nuk di, kurse unë di". Përkundrazi, ne duhet t'i shohim të tjerët me respekt dhe, kur përpiqemi të shpjegojmë e të provojmë diçka, duhet të flasim sikur jemi duke hetuar të vërtetën, duke thënë: "Ja, këto gjëra kemi përpara. Le t'i shqyrtojmë që të vendosim se ku e në ç'formë mund të gjendet e vërteta". Mësuesi nuk duhet ta konsiderojë veten njeri të ditur dhe të tjerët injorantë. Një mendim i tillë ngjall kryelartësi dhe kryelartësia nuk sjell ndikim. Mësuesi nuk duhet ta shohë veten si superior; ai duhet të flasë me dashamirësinë, përunjësinë e përvuajtësinë më të madhe, sepse kjo mënyrë të foluri ushtron ndikim dhe edukon shpirtrat.

O zonjë e nderuar! Profetët, të gjithë pa përjashtim, u dërguan në tokë për një qëllim të vetëm; për atë u shfaq Krishti, për atë Bahá'u'lláh-u lëshoi thirrjen e Zotit: që bota e njeriut duhet të bëhet bota e Perëndisë, kjo botë e poshtme Mbretëria, kjo errësirë dritë, kjo ligësi satanike të shndërrohet në tërë virtytet e qiellit - dhe uniteti, vëllazëria dhe dashuria të fitohen për mbarë racën njerëzore, që uniteti organik të rishfaqet dhe bazat e mosmarrëveshjeve të shkatërrohen, që jeta e amshuar dhe hiri i përjetshëm të bëhen të korrat e njerëzimit.

O zonjë e nderuar! Shiko botën rreth teje: këtu uniteti, tërheqja e ndërsjellë, mbledhja së bashku sjellin jetë, kurse përçarja dhe mosharmonia ndjellin vdekje. Kur shqyrton çfarëdo lloj dukurish, do të shohësh se çdo send i krijuar vjen në jetë nëpërmjet përzierjes së shumë elementëve dhe sapo ky bashkim komponentësh shpërbëhet dhe kjo harmoni e përbërësve prishet, forma e jetës shuhet.

O zonjë e nderuar! Në ciklet e shkuara, megjithëse qe vendosur harmonia, për shkak të mungesës së mjeteve, uniteti i mbarë njerëzimit nuk mund të arrihej. Kontinentet mbeteshin shumë të ndara, madje edhe midis popujve të të njëjtit kontinent afrimi e shkëmbimi i mendimeve ishin pothuajse të pamundura. Për rrjedhojë, komunikimi, mirëkuptimi dhe uniteti midis të gjithë popujve e fiseve të tokës ishin të paarritshme. Por sot mjetet e komunikimit janë shumëfishuar dhe të pesë kontinentet e tokës praktikisht janë shkrirë në një. Dhe gjithsecili e ka tani të lehtë të udhëtojë në çdo vend, të afrohet e të shkëmbejë mendime me popujt e tij, të njihet përmes botimeve me kushtet, besimet fetare dhe mendimet e të gjithë njerëzve. Po kështu të gjithë pjesëtarët e familjes njerëzore, qofshin popuj apo qeveri, qytete apo fshatra, janë bërë gjithnjë e më të ndërvarur. Vetëmjaftueshmëria nuk është më e mundur për askënd, duke qenë se lidhje politike bashkojnë të gjithë popujt e kombet, dhe lidhjet e tregtisë e të industrisë, të bujqësisë e të arsimit po forcohen çdo ditë. Kështu, pra, uniteti i mbarë gjinisë njerëzore në kohën e sotme mund të arrihet. Me të vërtetë, kjo është një nga mrekullitë e kësaj epoke të mahnitshme, të këtij shekulli të lavdishëm. Epokat e kaluara kanë qenë të privuara nga kjo, sepse ky shekull - shekulli i dritës - është pajisur me lavdi, fuqi e ndriçim të pashoqe e të pashembullta. Që këtej, shpalosja e mrekullueshme e një çudie të re çdo ditë. Në fund do të shihet me sa shkëlqim do të ndriçojnë qirinjtë e tij në bashkësinë e njerëzve.

Shikoni sesi drita e tij po agon tani mbi horizontin e errësuar të botës. Qiriu i parë është uniteti në fushën politike, vezullimet fillestare të të cilit tani mund të dallohen. Qiriu i dytë është uniteti i mendimit në veprimtaritë botërore, arritja e të cilit së shpejti do të dëshmohet. Qiriu i tretë është uniteti në liri, i cili me siguri do të vijë. Qiriu i katërt është uniteti në fe, që është guri i këndit i vetë themelisë dhe që, me fuqinë e Perëndisë, do të shfaqet me tërë shkëlqimin e tij. Qiriu i pestë është uniteti i kombeve - një unitet që në këtë shekull do të vendoset në mënyrë të sigurt, duke bërë që të gjithë njerëzit e botës ta shohin veten si qytetarë të një atdheu të përbashkët. Qiriu i gjashtë është uniteti i racave, duke i bërë të gjithë ata që banojnë mbi tokë popuj e fise të një race të vetme. Qiriu i shtatë është uniteti i gjuhës, dmth zgjedhja e një gjuhe mbarëbotërore, në të cilën do të shkollohen e flasin të gjithë popujt. Të gjitha këto pa përjashtim do të ndodhin në mënyrë të pashmangshme, sepse fuqia e Mbretërisë së Perëndisë do të ndihmojë në realizimin e tyre.

16. O ju të dashurit e ndriçuar dhe ju shërbëtore të të Mëshirshmit! Në një kohë që nata e errët e padijes, e mospërfilljes së botës hyjnore, e të qënit të ndarë nga Perëndia, kishte mbuluar tokën, një mëngjes i shndritshëm agoi dhe feksi një dritë që ndriçoi qiellin lindor. Atëherë lindi Dielli i së Vërtetës dhe shkëlqimet e Mbretërisë u derdhën mbi lindjen dhe perëndimin. Ata që kishin sy të shikonin u ngazëllyen për lajmin e gëzuar dhe thirrën: 'O të lumët, të lumët ne!', dhe dëshmuan për realitetin e brendshëm të të gjitha gjërave, dhe zbuluan misteret e Mbretërisë. Të çliruar atëherë prej dyshimeve e fantazive të tyre, ata panë dritën e së vërtetës dhe aq u gazmuan që zbrazën kupën e dashurisë për Perëndinë sa harruan krejtësisht botën dhe veten e tyre. Duke kërcyer nga gëzimi, ata nxituan drejt vendit të martirizimit të tyre dhe atje, ku njerëzit vdesin për dashurinë, flakën tej kokat dhe zemrat e tyre.

Por ata me sy që nuk shohin u habitën nga kjo rrëmujë dhe thirrën: 'Ku është drita?' dhe përsëri, 'Ne nuk shohim dritë! Ne nuk shohim të lindë dielli! Këtu s'ka të vërtetë. Kjo s'është veçse fantazi e asgjë tjetër'. Si lakuriqë nate, ata fluturuan në errësirën nëntokësore dhe atje, sipas mendjes së tyre, gjetën njëfarë sigurie e qetësie.

Por ky është vetëm fillimi i agimit dhe nxehtësia e Rruzullit të së Vërtetës që po lind nuk ka arritur ende kulmin e fuqisë. Sapo dielli të jetë ngjitur në zenit, zjarret e tij do të djegin aq shumë sa do të gjallërojnë madje edhe gjërat që zvarriten nën tokë; dhe megjithëse nuk u takon atyre të shohin dritën, ato të gjitha do të vihen në lëvizje të ethshme nën efektin e nxehtësisë.

Prandaj, o ju të dashurit e Perëndisë, shprehni falënderimet që, në ditën e agimit, i keni kthyer fytyrat nga Drita e Botës dhe keni soditur shkëlqimet e saj. Ju keni marrë pjesë nga drita e së vërtetës, keni shijuar nga ato bekime që vazhdojnë përgjithmonë; dhe prandaj, duke iu përgjigjur me falënderime kësaj bujarie, mos pushoni për asnjë çast, mos rrini të heshtur, çojuni njerëzve në vesh lajmin e gëzuar të Mbretërisë, përhapeni anekënd Fjalën e Perëndisë.

Veproni në përputhje me këshillat e Zotit: domethënë, ngrihuni në mënyrë të tillë e me cilësi të tilla, sa ta pajisni trupin e kësaj bote me një shpirt të gjallë dhe ta çoni këtë fëmijë të vogël, njerëzimin, në fazën e pjekurisë. Me aq sa keni mundësi, ndizni një qiri të dashurisë në çdo takim dhe me ëmbëlsi gëzoni e lumturoni çdo zemër. Kujdesuni për të panjohurin si për njeriun tuaj; tregoni ndaj shpirtrave të huaj po atë dashamirësi që keni për miqtë tuaj besnikë. Nëse dikush përleshet me ju, kërkoni të bëheni miq me të; nëse dikush ju lëndon zemrën, bëhuni melhem shërues për brengat e tij; nëse dikush ju tall e ju përqesh, takojeni atë me dashuri. Nëse dikush ju ngarkon me faj, lëvdojeni atë; nëse ai ju jep një helm vdekjeprurës, jepini në shkëmbim mjaltin më të zgjedhur; dhe nëse ai ju kërcënon jetën, jepini një ilaç që do ta shërojë atë përgjithmonë. Në qoftë ai dhimbja vetë, bëhuni mjekimi i tij; në qoftë ferrë, bëhuni trëndafila e barërat më të ëmbël për të. Ndoshta mënyra e fjalë të tilla do ta bëjnë më në fund të shndritshme këtë botë të errët; do ta bëjnë qiellore këtë tokë pluhuri, do ta bëjnë pallat mbretëror të Zotit këtë burg djallëzor - kështu lufta e konfliktet do të kalojnë e nuk do të jenë më, dhe dashuria e besimi do të ngrenë tendat e tyre mbi majat më të larta të botës. I tillë është thelbi i këshillave të Perëndisë; të tilla janë me pak fjalë mësimet për Dispensacionin e Bahá-it.

17. O ju që jeni të zgjedhurit e Mbretërisë Abha! Lavdëroni Zotin e Ushtrive sepse Ai, duke kalëruar mbi re, ka zbritur në këtë botë prej qiellit të mbretërisë së padukshme, prandaj Lindja e Perëndimi u ndriçuan nga lavdia e Diellit të së Vërtetës, thirrja e Mbretërisë u lëshua dhe lajmëtarët e mbretërisë së sipërme, me meloditë e Tubimit të epërm, kënduan sihariqin e gëzuar të Atij që ka Ardhur. Atëherë mbarë bota e qenies u drithërua nga gëzimi dhe megjithatë njerëzit, siç ka thënë Mesia, flinin: sepse dita e Manifestimit, kur zbriti Zoti i Ushtrive, i gjeti ata të mbështjellë në gjumin e mosdijes. Siç thotë Ai në Ungjill, ardhja ime është si hajduti që ka hyrë në shtëpi dhe i zoti i shtëpisë nuk e sheh.

Midis gjithë njerëzimit Ai ju ka zgjedhur ju, dhe sytë tuaj janë hapur për dritën e udhërrëfimit dhe veshët janë akorduar me muzikën e Grupimit të epërm; dhe të bekuar nga hiri i madh, zemrat e shpirtrat tuaj kanë lindur në një jetë të re. Falënderoni e thurini lavde Perëndisë që dora e dhuntive të pafund ka vënë mbi kokën tuaj këtë kurorë të veshur me me gurë të çmuar, këtë kurorë, margaritarët e shndritshëm të së cilës do të vezullojnë e xixëllojnë në shekuj e epoka.

Për ta falënderuar Atë për këtë, bëni përpjekje të mëdha dhe caktojini vetes një qëllim fisnik. Me fuqinë e besimit, bindjuni mësimeve të Perëndisë dhe le të përputhen të gjitha veprimet tuaja me ligjet e Tij. Lexojini Fjalët e Fshehura, peshojeni kuptimin e brendshëm të tyre, veproni në pajtim me to. Lexoni me vëmendje të madhe Tabelat e Tarazatit [Ṭarázát] (Stolitë), Kalimatit [Kalimát] (Fjalët e Parajsës), Taxhalijatit [Tajallíyyát] (Rrëzëllimet), Ishrakatit [Ishráqát] (Shkëlqimet), Bisharatit [Bishárát] (Lajmi i Gëzuar), dhe ngrihuni siç urdhëroheni në mësimet qiellore. Kështu, le të jetë secili prej jush si një qiri që lëshon dritën e tij, qendra e vëmendjes kudo që njerëzit mblidhen së bashku; dhe le të përhapen prej jush, si prej një shtrati lulesh, aroma të këndshme.

Lëshoni një ushtimë si deti që gjëmon; si re e pakursyer, reshni hirin e qiellit. Ngrini zërin dhe këndoni këngët e Mbretërisë Abhá. Shuajini zjarret e luftës, ngrini lart flamujt' e paqes, punoni për njëshmërinë e njerëzimit dhe mbani parasysh se feja është hullia e dashurisë për të gjithë popujt. Dijeni se bijtë e njerëzve janë dele të Perëndisë dhe Ai është Bariu i tyre i dashur, se Ai kujdeset përzemërsisht për gjithë delet e Tij dhe i kullot ato në kullotat e Tij të blerta plot hir dhe u jep të pinë nga gurra e jetës. E tillë është mënyra e veprimit të Zotit. Të tilla janë dhuntitë e Tij. Ndër mësimet e Tij, i tillë është ligji i njëshmërisë së njerëzimit.

Portat e bekimeve të Tij janë hapur dykanatësh, shenjat e Tij janë përhapur në të katër anët dhe lavdia e së vërtetës po shkëlqen; të pashtershme janë këto bekime. Njiheni vlerën e kësaj kohe. Përpiquni me gjithë zemër, ngrini zërin dhe thërrisni derisa kjo botë e errët të mbushet plot dritë, ky vend i ngushtë hijesh të zgjerohet, kjo kapicë pluhuri e një çasti fluturak të bëhet pasqyrë për kopshtet e amshuara të qiellit dhe ky rruzull dheu të marrë pjesën e tij të hirit hyjnor.

Atëherë agresioni do të dërrmohet, çdo gjë që sjell përçarje do të shkatërrohet, dhe struktura e njëshmërisë do të ngrihet - që Pema e Bekuar të lëshojë hijen e saj mbi lindjen e perëndimin, që Shatorrja e unitetit të njeriut të vendoset mbi majat e larta, që flamujt që paralajmërojnë dashurinë e miqësinë të valëviten prej shtizave të tyre rreth e qark botës derisa deti i së vërtetës të ngrejë lart valët e tij, toka të sjellë pa pushim trëndafilat e lulet erëmira të bekimeve të pafund, dhe Parajsa Abhá të shtrihet nga poli në pol.

Këto janë këshillat e 'Abdu'l-Bahá-it. Unë shpresoj se falë dhuntive të Zotit të Ushtrive ju do të bëheni thelbi shpirtëror dhe vetë rrezatimi i njerëzimit, duke i lidhur zemrat e të gjithëve me fijet e dashurisë; se nëpërmjet fuqisë së Fjalës së Perëndisë ju do të sillni në jetë të vdekurit që tani janë të groposur në varret e dëshirave të tyre epshore; se ju, me rrezet e Diellit të së Vërtetës, do t'u riktheni shikimin atyre që syrin e brendshëm e kanë të verbër; se ju do t'u sillni shërim shpirtëror të sëmurëve nga shpirti. Këto gjëra shpresoj Unë prej bujarive e dhuntive të të Shumëdashurit.

Gjatë tërë kohës unë flas për ju dhe ju kam në mendje. I lutem Zotit dhe me lot në sy i përgjërohem Atij të reshë mbi ju të gjitha këto bekime, të gëzojë zemrat tuaja, të lumturojë shpirtrat tuaj e t'ju japë gëzim të pamasë e kënaqësi qiellore. ...

O Ti Dhurues i dashur! Këta shpirtra kanë dëgjuar thirrjet e Mbretërisë dhe kanë soditur lavdinë e Diellit të së Vërtetës. Ata janë ngritur drejt qiejve përtëritës të dashurisë; ata janë dashuruar pas natyrës Sate dhe adhurojnë bukurinë Tënde. Ata janë kthyer drejt Teje, duke folur së bashku për Ty, duke kërkuar banesën Tënde dhe duke u djegur nga etja për rrëketë e mbretërisë Sate qiellore.

Ti je Dhënësi, Dhuruesi, Dashuruesi i Përhershëm.

18. O ti zotërues i një zemre që sheh! Edhe pse, nga këndvështrimi material, ti je i privuar prej shikimit fizik, lëvduar qoftë Perëndia, ti ke vështrim shpirtëror. Zemra jote sheh dhe shpirti yt dëgjon. Shikimi trupor u nënshtrohet mijëra sëmundjeve dhe me siguri që më së fundi do të humbasë. Prandaj atij nuk i duhet kushtuar rëndësi. Por shikimi i zemrës është i ndriçuar. Ai shquan dhe zbulon Mbretërinë hyjnore. Ai është i përhershëm e i amshuar. Prandaj lavdëro Perëndinë që shikimi i zemrës sate është i ndriçuar dhe dëgjimi i mendjes sate i ndjeshëm.

Çdo takim që ju keni organizuar, ku ndjeni emocione qiellore dhe kuptoni realitetet e domethëniet e gjërave, është si kupa qiellore dhe ata shpirtra janë si yje vezullues që ndriçojnë me dritën e udhërrëfimit.

Fatmadh është shpirti që në këtë epokë të shkëlqyer kërkon mësime qiellore dhe e bekuar është zemra që gjallërohet e tërhiqet nga dashuria për Perëndinë.

19. Lëvduar qoftë Ai, përmes shkëlqimeve të të Cilit toka dhe qiejt janë ndezur flakë, përmes flladeve erëmira të të Cilit drithërohen nga gëzimi kopshtet e shenjtërisë që stolisin zemrat e të zgjedhurve, Ai Që ka derdhur dritën e Tij dhe ka shndritur fytyrën e kupës së qiellit. Me të vërtetë, atje janë dukur yje të shndritshëm e vezullues, që xixëllojnë, ndriçojnë e hedhin rrezet e tyre përmbi horizontin suprem. Ata e marrin hirin dhe shkëlqimin e tyre nga dhuntitë e Mbretërisë Abhá, dhe si yje të udhërrëfimit, derdhin dritën e tyre mbi këtë tokë.

Lëvduar qoftë Ai Që ka artuar këtë erë të re, këtë epokë madhështie, si një panair në qiell të hapur, ku mund të ekspozohen për t'u parë realitetet e të gjitha gjërave. Tani retë e bujarisë po reshin dhe dhuratat e Zotit dashamirës duken sheshit, sepse si bota e dukshme dhe ajo e padukshme janë ndriçuar dhe i Premtuari ka ardhur në tokë dhe bukuria e të Adhuruarit ka shkëlqyer.

Përshëndetje, bekime dhe urime mirëseardhjeje atij Realiteti Universal, asaj Fjale të Përsosur, atij Libri të Shfaqur, atij Shkëlqimi që ka aguar në qiellin më të epërm, atij Udhërrëfyesi të të gjitha kombeve, asaj Drite të botës - oqeani i dallgëzuar i hirit të begatë të të Cilit ka vërshuar mbi gjithë krijimin, në mënyrë të atillë që valët e tij kanë nxjerrë në rërat e kësaj bote të dukshme margaritarët e tyre të shndritshëm. Tani e Vërteta është dukur dhe e gënjeshtra ia ka mbathur; tani dita ka aguar dhe ka mbizotëruar ngazëllimi, prandaj shpirtrat e njerëzve janë shenjtëruar, është pastruar fryma e tyre, zemrat e tyre janë gëzuar, mendjet janë kthjelluar, mendimet e tyre të fshehta janë bërë të moralshme, vetëdija e tyre është dëlirur, qënia e tyre më e thellë është bërë e shenjtë: sepse ka ardhur Dita e Ringjalljes dhe dhuratat e Zotit tënd, Përdëllenjësit, kanë përfshirë të gjitha gjërat. Përshëndetje e lavdërime këtyre yjeve të shndritshëm e të shkëlqyeshëm, që po lëshojnë rrezet e tyre nga qielli më i epërm, këtyre trupave qiellorë të brezit zodiak të Mbretërisë Abhá. Lavdia qoftë mbi ta.

Dhe tani, o ti njeri i nderuar që ke dëgjuar Kumtin e Madh, ngrihu për t'i shërbyer Kauzës së Perëndisë me forcën e pamposhtur të Mbretërisë Abhá dhe me flladet që fryjnë nga shpirti i Grupimit të epërm. Mos u brengosni nga ato që thonë për Bahá-in Farisenjtë dhe ata që përhapin fjalë të rreme midis atyre që shkruajnë për shtypin. Sillni ndërmend ditët e Krishtit, të këqiat që i bënë Atij njerëzit dhe gjithë vuajtjet e mundimet që iu shkaktuan dishepujve të Tij. Përderisa ju jeni dashurues të Bukurisë Abhá, ju gjithashtu, për hir të dashurisë për Të, duhet të pësoni qortimet e njerëzve, dhe gjithçka që u ka ndodhur atyre të një epoke të mëparshme duhet t'ju ndodhë po kështu edhe juve. Atëherë fytyrat e të zgjedhurve do të ndriçohen me shkëlqimet e Mbretërisë së Perëndisë, dhe do të ndriçojnë nga epoka në epokë, vërtet, në të gjitha ciklet e kohës, ndërsa mohuesit duket sheshit se do të jenë të humburit. Do të bëhet siç ka thënë Zoti Krisht: ata do t'ju persekutojnë për hir të emrit Tim.

Kujtojuni atyre këto fjalë dhe u thoni: 'Me të vërtetë, Farisenjtë u ngritën kundër Mesisë, pa marrë parasysh bukurinë e ndritshme të fytyrës dhe gjithë hijeshinë e Tij, dhe ata thirrën se Ai nuk ishte Mesia [Masíḥ], por një përbindësh [Masíkh], sepse Ai kishte pretenduar se ishte Perëndia Fuqiplotë, Zoti sovran i të gjithëve dhe u kishte thënë atyre 'Unë jam i biri i Perëndisë, dhe me të vërtetë në qenien më të thellë të Birit të Tij të vetëm, Ruajtësit të Tij të fuqishëm, të reveluar qartë me të gjitha atributet e Tij, të gjitha përsosuritë e Tij, qëndron Ati'. Kjo, thonin ata, sipas teksteve të qarta e të pakundërshtueshme të Dhiatës së Vjetër, është blasfemi e hapur dhe shpifje kundër Zotit. Prandaj ata e dënuan Atë, duke vendosur që të derdhej gjaku i Tij, e mbërthyen Atë në kryq, ku Ai thirri 'O Zoti Im dashamirës, për sa kohë do të më braktisësh në duart e tyre? Më ngrej tek Ti, më streho afër Teje, më bëj vend pranë fronit Tënd të lavdisë. Me të vërtetë Ti je Përmbushësi i lutjeve, Ti je Përdëllenjësi, Mëshirëploti. O Zoti Im! Me të vërtetë kjo botë kaq e madhe nuk ka më vend për Mua, dhe Unë e dua këtë kryq nga dashuria për bukurinë Tënde e duke u djegur nga dëshira për mbretërinë Tënde të epërme, dhe për shkak të këtij zjarri, që merr hov nga shkulmet e shenjtërisë Sate, zemra Ime është në flakë. Ndihmomë, o Zot, të ngjitem tek Ti, më mbështet që të arrij në Pragun Tënd të shenjtë, O Zoti Im dashamirës! Me të vërtetë Ti je i Mëshirshmi, Zotëruesi i bujarisë së madhe! Me të vërtetë Ti je Zemërgjeri! Me të vërtetë Ti je i Dhembshuri! Me të vërtetë Ti je i Gjithëdijshmi! Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Fuqishmit, të Pushtetshmit!'

Farisenjtë kurrë nuk do të kishin marrë guximin të shpifnin kundër Tij dhe Ta ngarkonin me atë mëkat të rëndë, po të mos ishte injoranca e tyre për thelbin e brendshëm të mistereve dhe fakti që ata nuk u vunë veshin shkëlqimeve të Tij dhe nuk përfillën provat e Tij. Përndryshe ata do të kishin pranuar fjalët e Tij, do të kishin dëshmuar për vargjet që Ai reveloi, do të kishin pohuar të vërtetën e thënieve të Tij, do të kishin kërkuar strehë nën hijen mbrojtëse të flamurit të Tij, do të kishin mësuar prej shenjave e simboleve të Tij dhe do të ishin gëzuar për lajmin e Tij të hareshëm.

Dije se Thelbi Hyjnor, që quhet i Padukshmi i të Padukshmëve, që kurrë nuk mund të përshkruhet, që nuk mund të arrihet prej mendjes - është i shenjtëruar mbi çdo vlerësim, çdo përcaktim, sugjerim apo aluzion, çdo brohoritje apo lavdërim. Në kuptimin që Ai është Ai që është, mendja nuk mund ta rrokë kurrë Atë, dhe shpirti që kërkon ta njohë Atë s'është veçse një endacak në shkretëtirë që ka humbur rrugën. 'Asnjë shikim nuk e kap Atë, por Ai kap të gjitha shikimet: Ai është Mendjemprehti, i Gjithinformuari'.1

Megjithatë, kur ti mendon thelbin më të thellë të të gjitha gjërave dhe individualitetin e secilës, do të shquash shenjat e mëshirës së Zotit në çdo gjë të krijuar dhe do të shohësh rrezet e Emrave e të Atributeve të Tij që përhapen në të gjithë mbretërinë e qenies, me dëshmi që askush nuk i mohon, përveç kokëfortëve e të paditurve. Atëherë do të vëresh se gjithësia është një pergamenë e mbështjellë, që zbulon sekretet e Tij të fshehura, që ruhen në Tabelën e siguruar mirë. Dhe jo një atom ndër gjithë atomet që ekzistojnë, jo një krijesë ndër krijesat, por të gjitha ato, i thurin lavde Atij dhe tregojnë për emrat e atributet e Tij, zbulojnë lavdinë e fuqisë së Tij dhe çojnë te njëshmëria e mëshira e Tij: dhe këtë nuk do ta verë në dyshim askush që ka veshë për të dëgjuar, sy për të parë e një mendje të shëndoshë.

Dhe kurdoherë që hedh sytë mbi mbarë krijimin dhe vëren vetë atomet e tij, do të vësh re se rrezet e Diellit të së Vërtetës derdhen mbi të gjitha gjërat e ndriçojnë brenda tyre, duke treguar për shkëlqimet e atij Ylli të Ditës, për misteret e Tij dhe për përhapjen e dritës së Tij. Shiko pemët, lulet dhe frutat, madje edhe gurët. Edhe këtu do të shohësh gjithashtu rrezet e Diellit që derdhen mbi to, që duken qartë brenda tyre dhe që shfaqen prej tyre.

Por po ta kthesh vështrimin ndaj një Pasqyre, të shkëlqyer, të panjollë e të pastër, ku reflektohet Bukuria hyjnore, do të gjesh aty Diellin që ndriçon me rrezet e Tij, nxehtësinë e Tij, diskun e Tij, me tërë formën e Tij të mahnitshme. Sepse jo vetëm që çdo qenie e veçantë zotëron pjesën e saj të dritës diellore që i është caktuar dhe tregon për Diellin, por ai Realitet Universal në gjithë shkëlqimin e Tij, ajo Pasqyrë e panjollë, cilësitë e së Cilës u përgjigjen cilësive të Diellit të reveluar brenda Saj - shprehin në tërësinë e tyre atributet e Burimit të Lavdisë. Dhe ai Realitet Universal është Njeriu, Qenia hyjnore, Thelbi që qëndron përgjithmonë. 'Thuaj: Thërrisni Perëndinë, ose thërrisni Mëshirëplotin; me cilindo (prej tyre) që ta thërrisni, Emrat e Tij janë më të bukurit'.1

Ky është kuptimi i fjalëve të Mesisë, që Ati është në Birin.2 A nuk e sheh ti që, sikur një pasqyrë e panjollë të shpallë 'Me të vërtetë është dielli që ndriçon brenda meje, bashkë me të gjitha cilësitë, simbolet dhe shenjat e tij', një thënie e tillë nga një pasqyrë e tillë nuk do të ishte as mashtruese e as e rreme? Jo, për Atë Që e krijoi Atë, i dha formë Asaj, e artoi Atë dhe e bëri një qenie në përshtatje të plotë me atributet e lavdisë brenda Saj! Lëvduar qoftë Ai që e krijoi Atë! Lëvduar qoftë Ai që e modeloi Atë! Lëvduar qoftë Ai që e bëri Atë të shfaqet!

Të tilla ishin fjalët që tha Krishti. Për shkak të këtyre fjalëve ata nxorën yçkla dhe e sulmuan Atë kur Ai u tha atyre 'Me të vërtetë Biri është në Atin dhe Ati është në Birin'.3 Dije këtë dhe mëso sekretet e Zotit tënd. Sa për mohuesit, ata janë të ndarë me perde nga Perëndia: ata nuk shohin, nuk dëgjojnë, dhe as kuptojnë. 'Lërini ata të zbaviten me yçklat e tyre'.4 Lërini ata në sorollatjet e tyre përgjatë shtretërve të lumit ku nuk rrjedhin rrëke. Ashtu si kafshët barngrënëse ata nuk mund të dallojnë gurin kallp nga margaritarët. A nuk janë lënë ata jashtë mistereve të Zotit, Përdëllenjësit, të Mëshirshmit?

Përsa të përket ty, gëzohu për këtë që është më i miri ndër të gjitha lajmet e mira dhe ngrihu për t'i thurur lavde Fjalës së Perëndisë, për të përhapur gjerësisht aromat e Tij të këndshme në gjithë këtë vend të madh e të fuqishëm. Dije me siguri se Zoti yt do të të vijë në ndihmë me një aradhe të Tubimit të epërm dhe me ushtritë e Mbretërisë Abhá. Ato do të ndërmarrin sulmin dhe do të hidhen me furi mbi forcat e injorantëve, të të verbërve. Së shpejti ti do të shohësh zbardhjen e agimit që përhapet prej Mbretërisë Më të Lartësuar dhe agimin që do të përfshijë të gjitha rajonet. Ai do ta bëjë errësirën t'ia mbathë, dhe mugëtira e natës do të dobësohet e do të kalojë, dhe balli i kthjellët i Besimit do të ndriçojë, dhe Dielli do të lindë e do të mbulojë botën. Atë ditë besnikët do të gëzohen, të patundurit do të lumturohen; atëherë shpifarakët do të largohen, dhe të lëkundurit do të fshihen, ashtu si hijet më të thella zhduken në dritën e parë të agimit që çel.

Përshëndetje e lavdërime ty.

O Perëndi, Perëndia im! Ky është shërbëtori yt i hareshëm, skllavi Yt shpirtëror, që është avitur pranë Teje dhe është afruar në praninë Tënde. Ai ka kthyer fytyrën ndaj Teje, duke njohur njëshmërinë Tënde, duke pohuar njëvetshmërinë Tënde, dhe u ka bërë thirrje kombeve në emrin Tënd, i ka udhëhequr njerëzit drejt ujërave rrjedhëse të mëshirës Sate, O Ti Zot aq shpirtmadh! Atyre që kanë kërkuar Ai u ka dhënë të pinë prej kupës së udhërrëfimit plot e përplot me verën e hirit Tënd të pamasë.

O Zot, ndihmoje atë në çdo rrethanë, bëj që ai të mësojë misteret e Tua të mirë-ruajtura dhe derdh mbi të margaritarët e Tu të fshehur. Bëje atë një flamur që valëvitet nga majat e kështjellave prej erërave të ndihmës Sate qiellore, bëje atë një burim ujërash të kristalta.

O Zoti im përdëllenjës! Ndriçoji zemrat me rrezet e një llambe që derdh kudo shkëlqimet e saj, duke u zbuluar njerëzve të Tu, që Ti i ke favorizuar me bujari, realitetet e të gjitha gjërave.

Me të vërtetë, Ti je i Fuqishmi, i Pushtetshmi, Mbrojtësi, i Forti, Mirëbërësi! Me të vërtetë, Ti je Zoti i të gjitha mirësive!

20.1 Kur u shfaq Krishti, njëzet shekuj më parë, megjithëse hebrenjtë e prisnin me padurim Ardhjen e Tij dhe luteshin çdo ditë me lot në sy, duke thënë: 'O Perëndi, shpejtoje Revelimin e Mesisë', prapëseprapë kur Dielli i së Vërtetës agoi, ata e mohuan Atë, u ngritën kundër Tij me armiqësinë më të madhe e, më në fund, e kryqëzuan atë Shpirt hyjnor, Fjalën e Perëndisë dhe, siç tregohet në Ungjill, e quajtën Atë Belzebul, i ligu. Shkaku ishte se ata thanë: 'Revelacioni i Krishtit, sipas tekstit të qartë të Torahut, do të provohet nga disa shenja, dhe sakohë këto shenja nuk janë dukur, kushdo që pretendon të jetë Mesí është mashtrues. Njëra prej këtyre shenjave është se Mesia duhet të vijë nga një vend i panjohur, por ne të gjithë ia dimë shtëpinë këtij njeriu në Nazaret, dhe a mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti? Shenja e dytë është se Ai do të sundojë me një skeptër hekuri, domethënë Ai duhet të veprojë me shpatë, por ky Mesi nuk ka as shkop druri. Një kusht e shenjë tjetër është kjo: Ai duhet të rrijë në fronin e Davidit dhe të vendosë sovranitetin e Davidit. Mirëpo ky njeri jo vetëm nuk është vendosur në fron, por nuk ka as rrogoz ku të rrijë. Një kusht tjetër është shpallja e të gjitha ligjeve të Torahut, mirëpo ky njeri i ka shfuqizuar këto ligje, madje ka prishur të kremten [ditën e sabatit2], megjithëse sipas tekstit të qartë të Torahut kush pretendon se është profet dhe kryen mrekulli, por prish ditën e sabatit, duhet të vritet. Një shenjë tjetër është se në mbretërimin e Tij drejtësia do të jetë aq e përparuar sa virtytshmëria e mirësia do të shtrihet nga njeriut deri edhe në botën shtazore - gjarpri e miu do të jetojnë në të njëjtën vrimë, shqiponja dhe thëllëza në të njëjtën çerdhe, luani e gazela do të rrinë në të njëjtën kullotë dhe ujku e qengji do të pinë në të njëjtin krua. Mirëpo padrejtësia e tirania janë shtuar aq shumë në kohën e tij saqë ata e kryqëzuan atë! Një kusht tjetër është se në ditët e Mesisë hebrenjtë do të përparojnë e do të triumfojnë mbi të gjithë popujt e botës, por tani ata po jetojnë në poshtërimin e skllavërimin më të madh në perandorinë e romakëve. Atëherë si mund të jetë ky Mesia i premtuar në Torahun?'

Në këtë mënyrë ata iu kundërvunë atij Dielli të së Vërtetës, megjithëse ai Shpirt i Perëndisë ishte me të vërtetë i Premtuari në Torahun. Por duke qenë se nuk e kuptuan domethënien e këtyre shenjave, ata e kryqëzuan Fjalën e Perëndisë. Tani Bahá'í-të mendojnë se shenjat e treguara kanë ndodhur me Manifestimin e Krishtit, megjithëse jo në atë mënyrë që i kuptonin hebrenjtë, sepse përshkrimi që jepet në Torahun ishte alegorik. Për shembull, një nga shenjat është ajo e mbretërimit. Bahá'í-të thonë se mbretërimi i Krishtit ishte mbretërim qiellor, hyjnor, i amshuar, dhe jo mbretërim napoleonian që merr fund pas një kohe të shkurtër. Në fakt, ky mbretërim i Krishtit është vendosur prej afro dy mijë vjetësh e vazhdon ende, dhe kjo Qenie e Shenjtë do të lartësohet mbi një fron të përjetshëm.

Po kështu janë shfaqur të gjitha shenjat e tjera, por hebrenjtë nuk i kuptuan. Edhe pse kanë kaluar afro njëzet shekuj që kur Krishti u shfaq me shkëlqim hyjnor, përsëri hebrenjtë vazhdojnë të presin ardhjen e Mesisë dhe e konsiderojnë veten si të vërtetë dhe Krishtin si të rremë.

21. O ti figurë e shquar, ti kërkues i së vërtetës! Letrën tënde të 4 Prillit 1921 e lexova me dashuri. Ekzistenca e Qenies Hyjnore është vërtetuar qartë, mbi bazën e dëshmive logjike, por realiteti i Hyjnisë është tej rrokjes nga mendja. Kur e shqyrton me kujdes këtë çështje, do të shohësh se ajo që qëndron në një plan më të ulët kurrë nuk mund të kuptojë një më të lartë. Për shembull, përjashtohet që mbretëria minerale, e cila është më e ulët, të kuptojë mbretërinë bimore; për mineralen çdo kuptim i tillë do të ishte krejt i pamundur. Po kështu, sado larg të shkojë mbretëria bimore në zhvillimin e saj, ajo nuk do të arrijë të konceptojë mbretërinë shtazore, dhe me nivelin që ajo ka as që mund të mendohet një kuptim i tillë, sepse kafsha qëndron në një rrafsh më të lartë sesa bota bimore: kjo pemë nuk mund të konceptojë të dëgjuarit dhe të shikuarit. Dhe mbretëria shtazore, sado që të evoluojë, kurrë nuk mund të bëhet e vetëdijshme për realitetin e intelektit, i cili zbulon thelbin e brendshëm të të gjitha gjërave dhe kupton ato realitete që nuk mund të shihen; sepse niveli njerëzor, po të krahasohet me atë të kafshëve, është shumë i lartë. Edhe pse këto qenie bashkekzistojnë të gjitha në botën e kushtëzuar, në çdo rast dallimet në pozitën e tyre përjashtojnë rrokjen e së tërës nga to; sepse asnjë shkallë më e ulët nuk mund të kuptojë një më të lartë, një kuptim i tillë është i pamundur.

Mirëpo ajo që qëndron në një nivel më të lartë e kupton më të ultën. Kafsha, për shembull, e kupton mineralen dhe bimoren, njeriu i kupton nivelet e shtazores, të bimores e të minerales. Kurse mineralja nuk është e mundur të kuptojë sferat njerëzore. Dhe megjithëse të gjitha këto qenie bashkekzistojnë në botën e dukurive, prapëseprapë asnjë shkallë më e ulët nuk mund të kuptojë një më të lartë.

Atëherë si është e mundur që një realitet i kushtëzuar, d.m.th. njeriu, të kuptojë natyrën e atij Thelbi të paraqenëshëm, të Qenies Hyjnore? Dallimi në pozitë midis njeriut dhe Realitetit Hyjnor është mijëra e mijëra herë më i madh sesa ndryshimi midis bimores e shtazores. Dhe ajo që do të sillte në mendjen e tij një qenie njerëzore, s'është veçse përfytyrimi imagjinar i gjendjes së tij njerëzore, ajo nuk e përfshin realitetin e Perëndisë, përkundrazi përfshihet prej tij. Domethënë, njeriu kap konceptet e veta iluzore, kurse Realiteti i Hyjnisë kurrë nuk mund të kapet: Ai Vetë përfshin të gjitha gjërat e krijuara, dhe të gjitha gjërat e krijuara janë në dorën e Tij. Ajo Hyjni që njeriu e përfytyron në mënyrën e vet ekziston vetëm në mendjen e tij, jo në të vërtetë. Mirëpo njeriu ekziston si në mendjen e tij ashtu edhe në të vërtetë; pra, njeriu është më i madh sesa realiteti imagjinar që ai është në gjendje të përfytyrojë.

Kufizimet më të skajshme të këtij zogu prej balte janë këto: Ai mund të përshkojë, duke rrahur krahët, një distancë të shkurtër në hapësirën e pafund; por ai kurrë nuk mund të ngjitet lart drejt Diellit në qiejt e epërm. Megjithatë, ne duhet të parashtrojmë prova të arsyeshme ose të frymëzuara për ekzistencën e Qenies Hyjnore, domethënë prova që janë në përpjesëtim me të kuptuarit e njeriut.

Është e qartë se gjithë gjërat e krijuara janë të lidhura me njëra-tjetrën me një ndërthurje të plotë e të përsosur, ashtu siç janë, për shembull, gjymtyrët e trupit të njeriut. Vëreni sesi të gjitha gjymtyrët dhe pjesët përbërëse të trupit të njeriut lidhen me njëra-tjetrën. Po kështu, të gjitha pjesët e kësaj gjithësie të pafund lidhen me njëra-tjetrën. Këmba dhe hapi, për shembull, lidhen me veshin dhe syrin; syri duhet të shohë përpara më parë se të hidhet hapi. Veshi duhet të dëgjojë para se syri të vrojtojë me kujdes. Dhe cilado pjesë e trupit të njeriut të jetë e mangët, ajo shkakton mangësi në pjesët e tjera. Truri është i lidhur me zemrën dhe stomakun, mushkëritë lidhen me të gjitha gjymtyrët. Kështu ndodh edhe me pjesët e tjera të trupit.

Dhe secila prej këtyre pjesëve ka funksionin e vet të veçantë. Fuqia mendore - qoftë sikur ta quajmë të paraqenëshme apo të kushtëzuar - drejton e bashkërendon të gjitha gjymtyrët e trupit të njeriut, duke u kujdesur që çdo pjesë apo gjymtyrë e trupit të kryejë si duhet funksionin e vet të veçantë. Megjithatë, nëse ndodh ndonjë ndërprerje në fuqinë mendore, të gjitha pjesët nuk do të mund të kryenin funksionet e tyre thelbëslore, do të shfaqeshin mangësi në trup e në funksionimin e pjesëve të tij dhe fuqia do të ishte joefektive.

Po kështu, vështroni këtë gjithësi të pafund: ekziston në mënyrë të pashmangshme një fuqi universale, e cila përfshin gjithçka, drejton e rregullon të gjithë pjesët e këtij krijimi të pafund; dhe po të mos ishte ky Drejtues, ky Bashkërendues, gjithësia do të ishte me cen dhe e mangët. Madje do të ishte si një i çmendur; ndërsa ju mund të shihni që ky krijim i pafund i kryen funksionet e tij në mënyrë të përsosur, se çdo pjesë e veçantë e tij realizon detyrën e vet me saktësi të plotë, dhe se nuk mund të shihet asnjë mangësi në tërë funksionimin e tij. Pra është e qartë se ekziston një Fuqi Universale, që drejton e rregullon këtë gjithësi të pafund. Çdo mendje racionale mund ta kapë këtë fakt.

Veç kësaj, megjithëse të gjithë gjërat e krijuara rriten e zhvillohen, ato u nënshtrohen ndikimeve nga jashtë. Për shembull, dielli jep nxehtësi, shiu ushqen, era sjell jetë, që njeriu të mund të zhvillohet e rritet. Është pra e qartë se trupi i njeriut ndodhet nën ndikime të jashtme dhe se pa këto ndikime njeriu nuk do të mund të rritej. Dhe po kështu, këto ndikime të jashtme u nënshtrohen nga ana e tyre ndikimeve të tjera të jashtme. Për shembull, rritja dhe zhvillimi i një qenieje njerëzore varet nga ekzistenca e ujit, uji varet nga ekzistenca e shiut, shiu varet nga ekzistenca e reve, retë varen nga ekzistenca e diellit, i cili e bën tokën e detin të nxjerrin avull, dhe kondensimi i avullit formon retë. Kështu secila prej këtyre qenieve ushtron ndikimin e vet dhe po kështu ajo vetë, nga ana e saj, është e ndikuar. Atëherë procesi të çon në mënyrë të pashmangshme tek Ai Që ndikon mbi gjithçka dhe që nuk është i ndikuar nga asgjë, duke e ndërprerë kështu zinxhirin. E megjithëse realiteti i brendshëm i asaj Qenieje nuk është i njohur, efektet e Tij janë të qarta e të dukshme.

Dhe më tej, të gjitha qeniet e krijuara janë të kufizuara dhe pikërisht ky kufizim i të gjitha qenieve provon realitetin e të Pakufizuarës; sepse ekzistenca e një qenieje të kufizuar tregon ekzistencën e të Pakufizuarit.

Me pak fjalë, ka dëshmi të shumta që provojnë ekzistencën e atij Realiteti Universal. Dhe meqë ky Realitet është i paraqenëshëm, Ai është i paprekshëm nga kushtet që qeverisin dukuritë; sepse çdo qenie u nënshtrohet rrethanave dhe loja e ngjarjeve është e kushtëzuar, jo e paraqenëshme. Dijeni pra: ajo hyjni së cilës bashkësi e popuj të ndryshëm i janë përbetuar, është brenda kuadrit të imagjinatës së tyre e jo përtej saj, ndërsa realiteti i Hyjnisë është tej çdo lloj konceptimi.

Për sa u përket Manifestimeve të Shenjta të Perëndisë, Ata janë pikat qendrore ku shenjat, simbolet dhe përsosuritë e atij Realiteti të shenjtë e të paraqenëshëm shfaqen me tërë shkëlqimin e tyre. Ata janë një hir i amshuar, një lavdi qiellore dhe prej Tyre varet jeta e pasosur e njerëzimit. Ta ilustrojmë këtë: Dielli i së Vërtetës rri në një qiell, ku nuk ka hyrje për asnjë shpirt dhe nuk ka mëndje që mund ta rrokë, dhe Ai është shumë përtej kuptimit të të gjithë krijesave. Por Manifestimet e Shenjta të Perëndisë janë si një lentë e lëmuar dhe e panjollë, që mbledh rrezet e dritës prej atij Dielli dhe pastaj e shpërndan lavdinë mbi pjesën tjetër të krijimit. Në atë sipërfaqe të lëmuar Dielli qëndron i reveluar qartë me tërë madhështinë e Tij. Kështu, sikur Dielli i pasqyruar të shpallte 'Unë jam Dielli!', kjo s'është veçse e vërteta; dhe sikur ai të thërriste 'Unë nuk jam Dielli!' kjo, gjithashtu është e vërtetë. Dhe megjithëse Ylli i Ditës me tërë lavdinë e Tij, bukurinë e përsosurinë e Tij, duket qartë në atë pasqyrë të panjollë, Ai prapëseprapë nuk ka zbritur nga vendi i Tij i lartësuar në mbretëritë e sipërme, Ai nuk ka kaluar brenda në pasqyrë; përkundrazi Ai vazhdon të banojë, siç do të bëjë përgjithmonë, në lartësitë hyjnore të shenjtërisë së Tij.

Dhe më tej, të gjitha krijesat e tokës kërkojnë bujarinë e diellit, sepse vetë ekzistenca e tyre varet nga drita dhe nxehtësia diellore. Sikur të privoheshin nga dielli, ato do të zhdukeshin. Kjo është të qënit me Perëndinë, siç tregohet në Librat e Shenjtë: njeriu duhet të jetë me Zotin e tij.

Është e qartë, pra, se realiteti thelbësor i Perëndisë revelohet në përsosuritë e Tij; dhe dielli, që reflektohet në një pasqyrë me përsosurinë e tij, është një gjë e dukshme, një qenie që shpreh qartë bujarinë e Perëndisë.

Shpresoj se ti do të kesh sy që shohin, veshë që dëgjojnë dhe se perdet do të hiqen nga pamja jote.

22. O ti që e ke kthyer fytyrën drejt Perëndisë! Mbylli sytë për gjithçka tjetër dhe hapi vetëm për mbretërinë e Lavdiplotit. Lyp gjithçka dëshiron vetëm prej Tij; kërko çdo gjë që kërkon vetëm prej Tij. Me një vështrim Ai dhuron qindra-mijë shpresa, me një shikim Ai shëron qindra-mijë sëmundje të pashërueshme, me një të parë sa hap e mbyll sytë Ai vë balsam mbi çdo plagë, me një pohim me kokë Ai i çliron zemrat nga vargonjtë e hidhërimit. Ai bën si do Vetë, e ç'rrugëdalje kemi ne? Ai zbaton Vullnetin e Vet, Ai urdhëron atë që i pëlqen. Prandaj është më mirë për ty të përulësh kokën në shenjë nënshtrimi dhe ta mbështesësh besimin te Zoti Mëshirëplotë.

23. O ti që kërkon të vërtetën! Letra jote e 13 dhjetorit 1920 ka ardhur.

Që nga kohët e Adamit dhe deri më sot, fetë e Perëndisë janë shfaqur, njëra pas tjetrës, dhe secila prej tyre ka përmbushur funksionin e saj të caktuar, ka përtërirë njerëzimin dhe ka sjellë edukim e dritë. Ato e çliruan njeriun nga errësira e botës së natyrës dhe e ftuan atë në shkëlqimin e Mbretërisë. Pasi çdo Besim e Ligj i ri revelohej, ai për disa shekuj mbetej një pemë tepër frytdhënëse dhe atij i besohej lumturia e njerëzimit. Por me rrokullisjen e shekujve, ai plakej, nuk lulëzonte më dhe nuk jepte fryta, prandaj bëhej përsëri i ri.

Feja e Perëndisë është një fe, por ajo duhet përtëritur gjithmonë. Moisiu, për shembull, u dërgua te njeriu dhe Ai vendosi një Ligj, dhe bijtë e Izraelit nëpërmjet Ligjit të Moisiut u çliruan prej paditurisë dhe dolën në dritë; ata u ngritën nga gjendja e tyre mjerane dhe arritën një lavdi që nuk shuhet. Megjithatë, me kalimin e viteve, ai rrezëllim kaloi, ai shkëlqim perëndoi, ajo ditë e shndritshme u kthye në natë; dhe sapo kjo natë u bë e zezë sterrë, agoi ylli i Mesisë, kështu që lavdia ndriçoi botën përsëri.

Kuptimi ynë është ky: feja e Perëndisë është një, dhe ajo është edukatori i njerëzimit, megjithatë ajo duhet të përtërihet. Kur ti mbjell një pemë, ajo bëhet çdo ditë më e lartë. Ajo lëshon fletë e lule dhe jep fruta të shijshme. Por pas një kohe të gjatë, ajo plaket dhe nuk jep më fruta. Atëherë Kopshtari i së Vërtetës merr po prej asaj peme fara dhe i mbjell në një tokë të pastër; dhe ja, atje qëndron pema e mëparshme, ashtu siç ishte më parë.

Vëre me kujdes se në këtë botë të qenies, të gjitha gjërat kurdoherë duhen rinuar. Shiko botën materiale rreth teje, shih sesi është përtërirë ajo tani. Mendimet kanë ndryshuar, mënyra e jetesës është rishikuar, shkencat dhe arti shfaqin një vrull të ri, zbulimet dhe shpikjet janë të reja, perceptimet janë të reja. Atëherë si mundet që një forcë kaq jetësore si feja, ajo që garanton përparimet e mëdha të njerëzimit, vetë mjeti i arritjes së jetës së amshuar, mxitësja e përsosmërisë së pafund, drita e të dy botëve, të mos përtërihet? Kjo do të ishte e papajtueshme me hirin dhe dashamirësinë e përzemërt të Zotit.

Feja, për më tepër, nuk është një varg besimesh, një takëm zakonesh; feja janë mësimet e Perëndisë Zot, mësime që përbëjnë vetë jetën e njerëzimit, që nxitin mendime të larta në mendje, përsosin karakterin dhe shtrojnë udhën për nderin e përjetshëm të njeriut.

Shiko: A mundet që këto ethe në botën e mendjes, këto zjarre lufte e urrejtjeje, inati e ligësie midis kombeve, ky sulm i popujve kundër popujve, që kanë shkatërruar qetësinë e mbarë botës, të marrin fund ndonjëherë, përveçse përmes ujërave jetëdhënës të mësimeve të Perëndisë? Jo, kurrë!

Dhe kjo është e qartë: një fuqi që qëndron mbi e tej fuqive të natyrës është e nevojshme të sillet për t'i bërë ballë, për ta shndërruar në dritë këtë errësirë të zezë, për t'i shndërruar këto urrejtje e inate, mëri e skërmitje, këto sherre e luftëra të pafund në shoqëri e dashuri midis gjithë popujve të dheut. Kjo fuqi s'është tjetër veçse fryrja e Shpirtit të Shenjtë dhe vërshimi i fuqishëm i Fjalës së Perëndisë.

24. O rini shpirtërore! Lavdëro Perëndinë që ke gjetur udhën për në Mbretërinë e Shkëlqimeve, që ke çarë më dysh perden e fantazive të kota dhe që thelbi i misterit të padukshëm është bërë i njohur për ty.

Këta njerëz, të gjithë pa përjashtim, kanë pikturuar një perëndi në mbretërinë e mendjes dhe e adhurojnë atë shëmbëlltyrë që e kanë bërë vetë. E megjithatë ajo shëmbëlltyrë kuptohet, duke qenë mendja njerëzore që e kupton atë, e natyrisht ai që kupton është më i madh se ajo që ndodhet në dorën e tij; sepse përfytyrimi s'është veçse dega, ndërsa mendja është rrënja e, natyrisht, rrënja është më e madhe se dega. Mendo, pra, sesi popujt e botës i bien në gjunjë një imagjinate që e kanë trilluar ata vetë, si ata kanë krijuar një krijues në mendjet e tyre dhe e quajnë atë Artuesin e gjithçkaje që ekziston, ndërsa në të vërtetë ky s'është veçse një iluzion. Kështu njerëzit adhurojnë vetëm një gabim të perceptimit.

Por ai Thelb i Thelbeve, ai i Padukshëm i të Padukshmëve, shenjtërohet mbi të gjitha hamendjet njerëzore dhe kurrë nuk mund të kapet nga mendja e njeriut. Ai Realitet i stërlashtë kurrë nuk do të strehohet brenda rrethit të një qenieje të përkohshme. Mbretëria e Tij është një tjetër dhe ajo mbretëri nuk mund të kuptohet. Atje nuk mund të hysh; atje të gjitha hyrjet janë të ndaluara. E shumta që mund të thuhet është se ekzistenca e Tij mund të provohet, por kushtet e ekzistencës së Tij janë të panjohura.

Që një Thelb i tillë ekziston, këtë filozofët dhe doktorët e ditur e kanë kuptuar të gjithë pa përjashtim; por sa herë që janë orvatur të mësojnë diçka për qenien e Tij, ata kanë mbetur të hutuar e të frikësuar, dhe më në fund, të dëshpëruar, duke parë shpresat e tyre të humbura, kanë ndjekur udhën e vet në këtë jetë. Sepse të kuptosh gjendjen dhe misterin e padukshëm të atij Thelbi të Thelbeve, të atij Më Sekretit ndër Sekretet, njeriu duhet të ketë tjetër fuqi e të tjera aftësi; dhe një fuqi e tillë, aftësi të tilla do të ishin më shumë nga ç'mund të bartë njerëzimi, prandaj asnjë fjalë për Të nuk mund të vijë tek ata.

Në qoftë se, për shembull, dikush është i pajisur me shqisat e dëgjimit, të shijimit, të nuhatjes e të prekjes, por është i privuar nga shqisa e të pamit, ai nuk është e mundur të shohë, sepse të pamit nuk mund të realizohet nëpërmjet të dëgjuarit apo të shijuarit, apo nëpërmjet shqisës së nuhatjes apo të të prekurit. Po kështu, aftësitë që ka njeriu janë jashtë sferës së mundësisë së tij për të kapur atë Realitet të padukshëm, të shenjtë e të shenjtëruar mbi të gjitha dyshimet e skeptikëve. Për këtë kërkohen të tjera aftësi, të tjera shqisa; nëse të tilla fuqi vihen në dispozicion të tij, atëherë një qenie njerëzore mund të marrë disa njohuri për atë botë; përndryshe, kurrë.

25. O ti shërbëtore e Perëndisë! Në historitë e lindjes tregohet se Sokrati udhëtoi në Palestinë e Siri dhe atje, prej njerëzve të ditur për gjërat e Perëndisë, mësoi disa të vërteta shpirtërore; se, kur u kthye në Greqi, ai shpalli dy besime: njëri, uniteti i Perëndisë, dhe tjetri pavdekësia e shpirtit pas ndarjes së tij nga trupi; se këto koncepte, aq të huaja për mendimin e tyre, shkaktuan një pështjellim të madh midis grekëve, derisa më në fund i dhanë helm dhe e vranë atë.

Dhe kjo është e sigurt; sepse grekët besonin në shumë perëndi dhe Sokrati vërtetoi faktin që Perëndia është një i vetëm, gjë që ishte në kundërshtim të hapur me besimet greke.

Themeluesi i monoteizmit ishte Abrahami; tek Ai të çojnë gjurmët e këtij koncepti, dhe ky besim ishte i përhapur ndër Bijtë e Izraelit edhe në kohën e Sokratit.

Megjithatë, fakti i mësipërm nuk mund të gjendet në historitë hebraike; ka shumë fakte që nuk janë përfshirë në historinë hebraike. Jo të gjitha ngjarjet e jetës së Krishtit paraqiten në historinë e Josifit, një hebre, megjithëse ishte ai që shkroi historinë e kohës së Krishtit. Prandaj, ndonjëri mund të refuzojë të besojë në ngjarjet e kohës së Krishtit me arsyetimin se ato nuk gjenden në historinë e Josifit.

Historitë lindore tregojnë gjithashtu se Hipokrati pat qëndruar për një kohë të gjatë në qytetin e Tirit, dhe ky është një qytet në Siri.

26. O ti që kërkon Mbretërinë e Qiellit! Letrën tënde e mora dhe kam parë përmbajtjen e saj.

Manifestimet e Shenjta të Perëndisë kanë dy pozita: njëra është pozita materiale dhe tjetra shpirtërore. Me fjalë të tjera, njëra pozitë është ajo e një qenieje njerëzore dhe tjetra ajo e Realitetit Hyjnor. Nëse manifestimet u nënshtrohen sprovave, kjo ka të bëjë vetëm me pozitën e Tyre njerëzore, jo me shkëlqimin e Realitetit të Tyre Hyjnor.

Dhe më tej, këto sprova janë të tilla vetëm nga këndvështrimi i njerëzimit. Domethënë, në pamje të jashtme gjendja njerëzore e Manifestimeve të Shenjta u nënshtrohet sprovave dhe kur forca e durimi i Tyre janë shfaqur në këtë mënyrë me fuqi të plotë, njerëz të tjerë marrin mësim nga kjo dhe bëhen të vetëdijshëm sesa e madhe duhet të jetë vendosmëria e durimi i tyre në prova e sprova. Sepse Edukatori Hyjnor duhet të mësojë me fjalë dhe me vepra, duke u zbuluar kështu të gjithëve shtegun e drejtë të së vërtetës.

Për sa i përket pozitës sime, ajo është pozita e shërbëtorit të Bahá-it; 'Abdu'l-Bahá është shprehje e dukshme e shërbimit të nënshtruar ndaj Pragut të Bukurisë Abhá.

27. Në ciklet e shkuara, secili prej Manifestimeve të Perëndisë ka pasur rangun e Tij në botën e ekzistencës, dhe secili ka përfaqësuar një fazë në zhvillimin e njerëzimit. Por Manifestimi i Emrit Më të Madh - u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij - ishte një shprehje e mbushjes së moshës madhore, e pjekurisë së realitetit të thellë të njeriut në këtë botë të qenies. Sepse dielli është burimi e gurra e dritës dhe e nxehtësisë, pika qendrore e shkëlqimeve, që përmban të gjitha përsosmëritë që janë shfaqur prej yjeve të tjerë që kanë aguar mbi botë. Bëj një përpjekje për të zënë vendin tënd nën diell dhe merr një pjesë të bollshme të dritës së tij verbuese. Me të vërtetë të them se kur ta kesh arritur këtë pozitë, ti do të shohësh shenjtorët që tërë përvuajtësi përkulin kokat para Tij. Nxito për tek jeta para se të vijë vdekja; nxito për në stinën e pranverës para se të vijë vjeshta; dhe para se të të godasë sëmundja, nxito drejt shërimit, - që të bëhesh mjek i shpirtit, i cili me frymën e Shpirtit të Shenjtë shëron të gjitha llojet e sëmundjeve në këtë epokë të famshme e të lavdishme.

28. O fletë mbi Pemën e Jetës! Pema e Jetës, që përmendet në Bibël, është Bahá'u'lláh dhe bijat e Mbretërisë janë fletët mbi atë Pemë të bekuar. Prandaj falëndero Perëndinë që je lidhur me atë Pemë, dhe që po lulëzon e njomë dhe e freskët.

Portat e Mbretërisë janë hapur dykanatësh dhe çdo shpirt i privilegjuar është ulur në tryezën e gostisë të Zotit, dukë marrë pjesën e tij nga ajo gosti qiellore. Lëvduar qoftë Perëndia, që ti je e pranishme në këtë tryezë dhe merr pjesën tënde të ushqimit të bollshëm qiellor. Ti i shërben Mbretërisë dhe i njeh mirë aromat e këndshme të Parajsës Abhá.

Prandaj përpiqu me gjithë fuqinë t'u tregosh udhën njerëzve dhe ha nga buka që zbret prej qiellit. Sepse ky është kuptimi i fjalëve të Krishtit: 'Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli ... ai që ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë'.1

29. O ti që je rrëmbyer nga e vërteta dhe je magnetizuar nga Mbretëria Qiellore! Letra jote e gjatë ka ardhur dhe ka sjellë një gëzim të madh, sepse ajo flet qartë për përpjekjet e tua energjike dhe qëllimet e tua të larta. Lëvduar qoftë Perëndia, që ti u do të mirën njerëzve, që digjesh për Mbretërinë e Bahá-it dhe je i etur për ta parë gjininë njerëzore të çajë përpara. Kam shpresë se për arsye të këtyre idealeve të larta, të këtyre ndjenjave fisnike të zemrës e të këtyre lajmeve qiellore, ti do të bëhesh aq i ndritshëm sa në të gjitha kohët do të përhapë lavdinë e saj drita e dashurisë sate për Perëndinë.

Ti e ke paraqitur veten si nxënës në shkollën e progresit shpirtëror. Sa fatlum që je! Në qoftë se këto shkolla të progresit çojnë në universitetin e qiellit, atëherë degët e dijes do të zhvillohen dhe kështu njerëzimi do ta shohë tabelën e ekzistencës si një pergamenë që shpaloset pafund; dhe të gjitha gjërat e krijuara do të shihen në atë pergamenë si gërma dhe fjalë. Atëherë rrafshet e ndryshme të të kuptuarit do të mësohen dhe brenda çdo atomi të gjithësisë do të shihen shenjat e njëshmërisë së Perëndisë. Atëherë njeriu do të dëgjojë thirrjen e Zotit të Mbretërisë dhe do të shohë konfirmimet e Shpirtit të Shenjtë të vijnë në ndihmë të tij. Atëherë ai do të ndjejë aq gëzim, aq lumturi, sa tërë bota e gjerë me pafundësinë e saj nuk do ta nxejë më atë dhe ai do të niset për në Mbretërinë e Perëndisë, dhe do të nxitojë drejt mbretërisë së shpirtit. Sepse sapo zogut i rriten krahët, ai nuk qëndron më në tokë, por fluturon lart në qiell, me përjashtim të atyre zogjve që janë të lidhur nga këmba, ose të atyre që i kanë krahët të thyer apo që kanë ngecur në baltë.

O ti kërkues i së vërtetës! Bota e Mbretërisë është një botë e vetme. I vetmi ndryshim është se pranvera vazhdimisht kthehet dhe shkakton një trazim të ri të madh në të gjitha gjërat e krijuara. Atëherë fusha e mali gjallërohen, pemët jeshilojnë, fletët, lulet dhe frutat marrin bukuri, të pafund e të ëmbël. Ja përse dispensacionet e epokave të shkuara janë të lidhura ngushtë me ato që i pasojnë: në të vërtetë, ato janë e njëjta gjë, por siç rritet bota, ashtu rritet dhe drita, ashtu shtohen edhe vërshimet e hirit qiellor, dhe atëherë Dielli ndriçon me shkëlqim mesdite.

O ti që kërkon Mbretërinë! Çdo Manifestim hyjnor është vetë jeta e botës dhe mjeku i aftë i çdo shpirti të sëmurë. Bota e njeriut është e sëmurë dhe Mjeku kompetent e di kurën, dhe del me mësime, këshilla e paralajmërime që janë ilaçi për çdo dhembje, balsami shërues për çdo plagë. Është e sigurt që mjeku i mençur mund të diagnostikojë nevojat e pacientit të tij në çdo stinë dhe të përdorë mjekimin. Prandaj, referoju Mësimeve të Bukurisë Abhá për nevojat e ngutshme të kohës së tanishme dhe do të shohësh se ato sigurojnë një ilaç të menjëhershëm për trupin e sëmurë të botës. Me të vërtetë, ato janë eliksiri që sjell shëndet të përjetshëm.

Kura e porositur nga mjekët e urtë të së shkuarës dhe nga ata që erdhën më pas, nuk është e njëjtë, përkundrazi varet nga ç'sëmundje vuan pacienti; e megjithëse ilaçi mund të ndryshojë, qëllimi është kurdoherë t'i kthejë shëndetin pacientit. Në dispensacionet e së shkuarës, trupi i dobët i botës nuk mund të përballonte një mjekim të fortë apo të fuqishëm. Kjo është arsyeja që Krishti tha: 'Unë kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë, gjëra që duhet të thuhen, por ju nuk e përballoni dot që t'i dëgjoni ato tani. Megjithatë, kur të vijë ai Shpirt Ngushëllues, Që Ati do të dërgojë, Ai do t'jua bëjë të qartë të vërtetën'.1

Ja përse, në këtë epokë shkëlqimesh, kur mësimet dikur të kufizuara për një pakicë janë bërë të disponueshme për të gjithë, mirësia e Zotit mund të përfshijë si lindjen edhe perëndimin, njëshmëria e botës njerëzore mund të shfaqet me bukurinë e saj të plotë dhe rrezet verbuese të realitetit të mbushin plot dritë mbretërinë e mendjes.

Zbritja e Jeruzalemit të Ri tregon një Ligj qiellor, atë Ligj që është garantuesi i lumturinë njerëzore dhe shkëlqimi i fjalës së Perëndisë.

Emanueli2 ishte me të vërtetë Lajmëtari i Ardhjes së Dytë të Krishtit dhe Thirrës për në shtegun e Mbretërisë. Është e qartë se Shkronja është pjesë e Fjalës dhe kjo pjesëmarrje në Fjalën do të thotë se Shkronja për nga vlera e saj varet nga Fjala, domethënë hiri i saj rrjedh nga Fjala; ajo ka farefisni shpirtërore me Fjalën dhe shihet si pjesë përbërëse e Fjalës. Apostujt ishin si Shkronjat dhe Krishti ishte thelbi i Vetë Fjalës; dhe kuptimi i Fjalës, që është hiri i pasosur, lëshon shkëlqim mbi këto Shkronja. Dhe më tej, përderisa Shkronja është pjesë e Fjalës, atëherë në kuptimin e saj të brendshëm ajo është në harmoni me Fjalën.

Ne kemi shpresë se në këtë ditë ti do të ngrihesh për të përkrahur atë që ka parashikuar Emanueli. Dije me siguri se ti do t'ia dalësh mbanë në këtë, sepse konfirmimet e Shpirtit të Shenjtë zbresin vazhdimisht dhe fuqia e Fjalës do të ushtrojë një ndikim të tillë sa Shkronja do të bëhet pasqyrë në të cilën do të reflektohet Dielli i shkëlqyer - Vetë Fjala - dhe hiri e lavdia e Fjalës do të ndriçojë tokën mbarë.

Sa për Jeruzalemin qiellor që ka ardhur të prehet mbi majat e botës, Shenjtin e Shenjtëve të Perëndisë, flamuri i të Cilit tani është ngritur lart, ai përmban brenda vetvetes të gjitha përsosmëritë, gjithë dijen e dispensacioneve të së shkuarës. Veç kësaj, ai paralajmëron njëshmërinë e bijve të njerëzve. Ai është flamuri i paqes universale, shpirti i jetës së amshuar; ai është lavdia e përsosmërive të Perëndisë, hiri qarkues i çdo ekzistence, stolia që zbukuron të gjitha gjërat e krijuara, burimi i qetësisë së brendshme për mbarë njerëzimin.

Drejtoje vëmendjen ndaj Tabelave të shenjta; lexo Ishrakat-in [Ishráqát], Tazhalijat-in [Tajallíyyát], Fjalët e Parajsës, Lajmin e Gëzuar, Tarazat-in [Ṭarázát], Librin Më të Shenjtë. Atëherë do ta shohësh se sot këto Mësime hyjnore janë ilaçi për një botë të sëmurë e që vuan, dhe një balsam shërues për plagët në trupin e njerëzimit. Ato janë shpirti i jetës, arka e shpëtimit, magneti që tërheq lavdinë e përjetshme, forca dinamike që vë në lëvizje veten e brendshme të njeriut.

30. Ekzistenca është dy llojesh: njëra është ekzistenca e Perëndisë, e cila është tej kuptimit të njeriut. Ai, i padukshmi, i larti dhe i pakuptueshmi, nuk paraprihet nga asnjë shkak, përkundrazi është Autori i shkakut të shkaqeve. Ai, i Lashti, nuk ka pasur fillim dhe është i pavarur nga gjithçka. Lloji i dytë i ekzistencës është ekzistenca njerëzore. Ajo është ekzistencë e zakonshme, e kuptueshme për mendjen e njeriut, nuk është e lashtë, është e varur dhe për të ka një shkak. Substanca e vdekshme nuk bëhet e përjetshme dhe anasjelltas; lloji njerëzor nuk bëhet Krijues dhe anasjelltas. Shndërrimi i substancës së lindur është i pamundur.

Në botën e ekzistencës - të asaj që është e kuptueshme - ka shkallë të vdekshmërisë: shkalla e parë është bota minerale, tjetra është bota bimore. Në këtë botë të fundit mineralja ekziston, por me një tipar dallues që është karakteristika bimore. Po kështu në botën shtazore karakteristikat minerale e bimore janë të pranishme dhe veç tyre gjenden karakteristikat e botës shtazore, që janë aftësia e të dëgjuarit dhe e të pamit. Në botën njerëzore gjenden karakteristikat e botës minerale, bimore e shtazore dhe veç këtyre ajo e llojit njerëzor, domethënë karakteristika intelektuale, që zbulon realitetet e gjërave dhe kupton parimet universale.

Prandaj, njeriu, në rrafshin e botës së kushtëzuar është qenia më e përsosur. Me njeri kuptohet individi i përsosur, që është si një pasqyrë në të cilën shfaqen e reflektohen përsosmëritë hyjnore. Mirëpo dielli nuk zbret nga lartësia e shenjtërisë së tij për t'u futur në pasqyrë, por kur kjo e fundit pastrohet dhe kthehet drejt Diellit të së Vërtetës, përsosmëritë e këtij Dielli, që janë drita e nxehtësia, reflektohen e shfaqen na atë pasqyrë. Këta shpirtra janë Manifestimet Hyjnore të Perëndisë.

31. O ti që je i dashur e i mençur! Letrën tënde të datës 27 maj 1906 e mora, përmbajtja e saj është shumë e pëlqyeshme dhe ka sjellë gëzim të madh.

Ti pyesje nëse kjo Kauzë, kjo Kauzë e re dhe e gjallë, mund të zerë vendin e riteve dhe ceremonive të vdekura fetare të Anglisë, nëse tani që janë shfaqur grupe të ndryshme, pjesëtarët e të cilëve janë klerikë e teologë me pozitë të lartë, shumë më superiorë në arritjet e tyre sesa ata të së shkuarës, do të ishte e mundur që kjo Kauzë e re t'u bëjë aq përshtypje pjesëtarëve të grupeve të tilla sa t'i mbledhë ata dhe pjesën tjetër nën hijen e saj gjithëmbrojtëse.

O ti i dashur mik! Dije se Individi i shquar i çdo epoke është i pajisur me dhunti sipas përsosmërive të epokës së Tij. Individit, që në kohët e shkuara ishte vendosur mbi shokët e Tij, i ishin dhuruar virtytet e kohës së Tij. Kurse në këtë periudhë shkëlqimesh, në këtë epokë të Perëndisë, Personazhi i shquar, Ylli i shndritshëm, Individi i zgjedhur do të shkëlqejë me aq përsosmëri e me aq fuqi saqë më në fund do të verbojë mendjet e çdo bashkësie e grupi. Dhe përderisa një Personazh i tillë qëndron më lart se gjithë të tjerët në përsosmëritë shpirtërore e arritjet hyjnore, dhe është me të vërtetë qendra e bekimeve hyjnore e strumbullari i orbitës së dritës, Ai do t'i përfshijë gjithë të tjerët dhe pa pikë dyshimi do të shkëlqejë me aq fuqi sa të mbledhë çdo shpirt nën hijen e Tij mbrojtëse.

Kur e shqyrton këtë çështje me kujdes, do të duket sheshit se kjo bëhet sipas një ligji universal, të cilin njeriu mund ta shohë në veprim në të gjitha gjërat: e tëra tërheq pjesën, dhe në këtë qark qendra është strumbullari i atyre që përfshihen. Mendo për Shpirtin1: duke qenë se Ai ishte vatra e fuqisë shpirtërore, burimi i dhuntive hyjnore, megjithëse në fillim Ai mblodhi rreth Vetes vetëm pak shpirtra, më vonë Ai qe në gjendje, për shkak të forcës gjithnënshtruese që kishte, të bashkonte të gjitha sektet që ndryshonin prej njëri-tjetrit brenda Tendës mbrojtëse të Krishtërimit. Krahaso të tanishmen me të shkuarën dhe shih sa i madh është ndryshimi; në këtë mënyrë mund të arrish tek e vërteta dhe siguria.

Ndryshimet midis feve të botës ekzistojnë për shkak të tipeve të ndryshme të mendjeve. Sa kohë që fuqitë e mendjes janë të ndryshme, është e sigurt që gjykimet dhe mendimet e njerëzve do të ndryshojnë nga njëri-tjetri. Megjithatë, nëse futet një fuqi e vetme dhe e mprehtë universale - një fuqi që përfshin gjithë pjesën tjetër, - ato mendime të ndryshme do të shkrihen dhe do të shfaqet harmonia shpirtërore e njëshmëria. Për shembull, kur u shfaq Krishti, mendjet e popujve bashkëkohës, qoftë të romakëve, grekëve, sirianëve, izraelitëve apo të tjerë, pikëpamjet e tyre, qëndrimet e tyre emocionale, ndryshonin nga njëri-tjetri. Por sapo u vu në veprim fuqia e Tij universale, ajo gradualisht arriti që, pas treqind vjetësh, t'i mbledhë së bashku të gjitha ato mendje të kundërta, nën mbrojtjen dhe nën qeverisjen e një Pike qendrore, duke pasur të gjithë në zemrat e tyre emocione të njëjta shpirtërore.

Duke përdorur një metaforë, kur një ushtri vihet nën komandantë të ndryshëm, secili me një strategji të vetën, ata do të ndryshojnë dukshëm si në planet e betejës dhe në lëvizjet e trupave; por pasi Komandanti Suprem, që është tepër i ditur në artin e luftës, merr komandën, planet e tjerë zhduken, sepse gjenerali i talentuar mbi të gjithë do ta vërë gjithë ushtrinë nën kontrollin e tij. Kjo përdoret vetëm si metaforë e jo si një krahasim i saktë. Tani, nëse ti do të thoshe se secili prej këtyre gjeneralëve pa përjashtim është tepër i zoti në artin ushtarak, është tepër kompetent e me përvojë, prandaj nuk do t'i nënshtrohet sundimit të një individi, sado i madh qoftë ai, atëherë deklarata jote është e pabazuar, sepse provohet që situata e mësipërme është ajo që do të ndodhë dhe për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi.

Kështu qëndron puna me Manifestimet e shenjta të Perëndisë. Kështu qëndron puna veçanërisht me realitetin hyjnor të Emrit Më të Madh, të Bukurisë Abhá. Pasi është reveluar para popujve të mbledhur të botës dhe është shfaqur me aq hijeshi, me aq magjepsje - joshës si një Josif në Egjiptin e shpirtit -, Ai do të robërojë të gjithë të dashuruarit mbi dhè.

Përsa u takon atyre shpirtrave që kanë lindur në këtë jetë si qenie të brishta e rrezëllitëse, por që për shkak të ceneve e të sprovave të tyre u janë mohuar avantazhe të mëdha e reale dhe që largohen nga bota pa jetuar plotësisht - kjo është sigurisht një shkak hidhërimi. Kjo është arsyeja që Manifestimet universale të Perëndisë ia shfaqin fytyrën e Tyre njeriut dhe përballojnë çdo fatkeqësi e brengë të dhembshme, dhe japin jetën e Tyre si shpërblesë; e bëjnë këtë që pikërisht këta njerëz, ata që janë të gatshëm, ata që kanë aftësi, të bëhen vendagime të dritës, dhe t'u dhurojnë atyre jetën që kurrë nuk shuhet. Kjo është sakrifica e vërtetë: ofrimi i vetvetes, ashtu si bëri Krishti, si shpërblesë për jetën e botës.

Për sa i përket ndikimit të Qenieve të shenjta dhe vazhdimësisë së hirit të Tyre për njerëzimin pasi Ata kanë lënë mënjanë formën e Tyre njerëzore, ky për Bahá'í-të është një fakt i padiskutueshëm. Me të vërtetë, hiri vërshues, shkëlqimet e rrëmbyeshme të Manifestimeve të shenjta, duken pas ngjitjes së Tyre në qiell nga kjo botë. Lartësimi i Fjalës, shfaqja e fuqisë së Perëndisë, konvertimi i shpirtrave që i druhen Perëndisë, dhurimi i jetës së përjetshme - të gjitha këto u shtuan e u thelluan pikërisht pas martirizimit të Mesisë. Po kështu, që pas ngjitjes në qiell të Bukurisë së Bekuar, dhuntitë kanë qenë më të begata, drita e përhapur është më e shkëlqyer, shenjat e fuqisë së Zotit janë më të fuqishme, ndikimi i Fjalës është shumë më i fortë dhe nuk do të kalojë shumë kohë para se veprimi, nxehtësia, shkëlqimi, bekimet e Diellit të realitetit të Tij do të përfshijnë gjithë dheun.

Mos u hidhëro për përparimin e ngadaltë të Kauzës Bahá'í në atë vend. Ky s'është veçse fillimi i agimit. Mendo se do të kalonin treqind vjet përpara se të shfaqej ndikimi i madh i Kauzës së Krishtit. Sot, pa u mbushur akoma gjashtëdhjetë vjet nga lindja e saj, drita e këtij Besimi është përhapur rreth e qark planetit.

Në lidhje me shoqërinë e shëndetit, anëtar i së cilës ti je, sapo ajo të vijë nën strehën e këtij Besimi, ndikimi i saj do të shtohet njëqindfish.

Ti e shikon se dashuria midis Bahá'í-ve është shumë e madhe dhe se dashuria është gjëja kryesore. Ashtu si forca e dashurisë është zhvilluar në një shkallë kaq të lartë midis Bahá'í-ve, dhe ajo është shumë më e madhe sesa midis njerëzve të feve të tjera, po kështu dhe çdo gjë tjetër është po aq mirë; sepse dashuria është themeli i të gjitha gjërave.

Në lidhje me përkthimin e Librave e të Tabelave të Bukurisë së Bekuar, s'do të kalojë shumë kohë dhe këto përkthime do të bëhen në çdo gjuhë, me forcë, qartësi e hir. Kur ata të përkthehen në përputhje me origjinalet, dhe me forcën e bukurinë e stilit, shkëlqimet e kuptimit të brendshëm të tyre do të përhapen kudo dhe do të ndriçojnë sytë e gjithë njerëzimit. Bëj të gjitha përpjekjet për të garantuar që përkthimi të jetë në përputhje me origjinalin.

Bukuria e Bekuar ka shkuar në Haifa në shumë raste. Ti e ke parë Atë atje, por në atë kohë ti nuk e njihje Atë. Shpresoj se ti do t'ia arrish takimit të vërtetë me Të, që do të thotë ta shohësh Atë me syrin e brendshëm e jo me të jashtmin.

Thelbi i Mësimit të Bahá'u'lláh-ut është dashuria gjithëpërfshirëse, sepse dashuria përfshin çdo shquarsi të njerëzimit. Ajo e bën çdo shpirt të shkojë përpara. Ajo i dhuron gjithsecilit, si trashëgim, jetën e pavdekshme. Së shpejti ti do të jesh dëshmitar që Mësimet e Tij qiellore, tamam lavdia e vetë realitetit do të ndriçojë qiejt e botës.

Lutja e shkurtër që ti shkruaje në mbyllje të letrës sate, ishte vërtet origjinale, prekëse dhe e bukur. Recitoje këtë lutje gjithmonë.

32. O ju shërbëtore të Zotit! Në këtë shekull - shekulli i Zotit Fuqiplotë - Dielli i Mbretërive të epërme, Drita e së Vërtetës, shndrit në shkëlqimin e pikës kulmore të tij dhe rrezet e tij ndriçojnë të gjitha rajonet. Sepse kjo është epoka e Bukurisë së Lashtë, dita e revelacionit të madhështisë e të fuqisë së Emrit Më të Madh, u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij.

Në kohët që do të vijnë, megjithëse Kauza e Perëndisë mund të ngrihet e rritet njëqindfish dhe hija e Sadratu'l Muntahá-së të strehojë gjithë njerëzimin, prapëseprapë ky shekull i tanishëm do të jetë i pashoq, sepse ai ka dëshmuar që ajo Ditë ka gdhirë dhe ai Diell ka lindur. Ky shekull, me të vërtetë, është burimi i Dritës së Tij dhe agimi i Revelacionit të Tij. Kohërat dhe brezat e ardhshëm do të shohin përhapjen e shkëlqimit të tij dhe shfaqjen e shenjave të tij.

Prandaj, përpiquni me të gjitha forcat, që të merrni ndoshta pjesën e racionin tuaj të plotë të dhuratave të Tij.

33. O shërbëtor i Perëndisë! Neve na ka rënë së sy çfarë i shkruaje ti Xhinab-i-Ibn-Abhar-it dhe pyetja jote lidhur me vargun: 'Kush del me pretendimin për një Revelacion të drejtpërdrejtë nga Perëndia para se të kalojnë plot njëmijë vjet, një njeri i tillë sigurisht është një mashtrues që gënjen'.

Kjo do të thotë që nëse cilido individ, i cili para përfundimit të plot njëmijë vjetëve - vite të njohur e të përcaktuar qartë nga përdorimi i zakonshëm dhe që nuk kërkojnë interpretim - do të dilte me pretendimin për një Revelacion të drejtpërdrejtë nga Perëndia, edhe sikur të revelonte shenja të caktuara, ai njeri sigurisht është i rremë e mashtrues.

Kjo nuk është një referencë ndaj Manifestimit Universal, sepse në Shkrimet e Shenjta parashtrohet qartë që duhet të kalojnë shekuj, madje mijëra vjet, para se të shfaqet përsëri një Manifestim i ngjashëm me këtë Manifestim.

Megjithatë, ka mundësi që pas përfundimit të plot njëmijë vjetëve, Qenieve të Shenjta të caktuara t'u jepet fuqia për të sjellë një Revelacion: sidoqoftë, kjo nuk do të ndodhë përmes një Manifestimi Universal. Prandaj çdo ditë e ciklit të Bukurisë së Bekuar është në të vërtetë e barabartë me një vit, dhe çdo vit i tij është i barabartë me njëmijë vjet.

Shih, për shembull, diellin: kalimi i tij nga një shenjë zodiake tek tjetra ndodh brenda një periudhe të shkurtër kohe, megjithatë vetëm pas një periudhe të gjatë ai arrin kulmin e shkëlqimit të tij, të nxehtësisë e të lavdisë së tij, në shenjën e Luanit. Ai duhet më parë të plotësojë një rrotullim të plotë përmes yjësive të tjera para se të hyjë përsëri në shenjën e Luanit, për të shndritur me shkëlqim të plotë. Në pozicionet e tjera, ai nuk e shfaq të plotë dritën e nxehtësinë e tij.

Thelbi është që, para përfundimit të njëmijë vjetëve, asnjë individ nuk mund të marrë guximin të nxjerrë qoftë edhe një fjalë. Të gjithë duhet ta konsiderojnë veten se janë të rangut të subjekteve, të nënshtruar e të bindur ndaj urdhrave të Perëndisë dhe ligjeve të Shtëpisë së Drejtësisë. Sikur dikush të shmanget qoftë edhe një majë gjilpëre nga urdhrat e Shtëpisë Universale të Drejtësisë, ose të lëkundet në nënshtrimin ndaj tyre, atëherë ai është ndër të dëbuarit e të përjashtuarit.

Përsa i përket ciklit të Bukurisë së Bekuar - kohëve të Emrit Më të Madh, - ai nuk është i kufizuar në njëmijë apo dymijë vjet. ...

Kur thuhet se periudha e njëmijë vjetëve fillon me Manifestimin e Bukurisë së Bekuar dhe se çdo ditë e saj është njëmijë vjet, domethënia është një referim ndaj ciklit të Bukurisë së Bekuar, që në këtë kontekst do të vazhdojë përmes shumë epokave të shtrirjes kohore të ardhshme.

34. O ti që po i shërben botës së njerëzimit! Letrën tënde e morëm dhe jemi jashtëzakonisht të gëzuar nga përmbajtja e saj. Ajo ishte një provë vendimtare dhe një dëshmi e shkëlqyer. Është e përshtatshme e me vend që në këtë epokë të ndritur - epokën e progresit të botës së njerëzimit - ne duhet të jemi vetëmohues dhe t'i shërbejmë gjinisë njerëzore. Çdo kauzë universale është hyjnore dhe çdo kauzë e veçantë është e përkohshme. Prandaj parimet e Manifestimeve hyjnore të Perëndisë kanë qenë mbarë-universale dhe gjithëpërfshirëse.

Çdo shpirt i papërsosur është egoist dhe mendon vetëm për të mirën e tij. Por pasi mendimet e tij zgjerohen pak, ai do të fillojë të mendojë për mirëqenien dhe rehatinë e familjes së tij. Në qoftë se idetë e tij zgjerohen akoma më shumë, shqetësimi i tij do të jetë lumturia e bashkëqytetarëve të tij; dhe nëse ato zgjerohen akoma, ai do të fillojë të mendojë për lavdinë e vendit të tij dhe të racës së vet. Por kur idetë dhe pikëpamjet arrijnë shkallën maksimale të shtrirjes dhe hyjnë në fazën e përsosmërisë, atëherë ai do të interesohet për lartësimin e njerëzimit. Atëherë ai do të jetë dashamirës i të gjithë njerëzve dhe do të kërkojë begatinë e mirëqenien e të gjitha vendeve. Ky është treguesi i përsosmërisë.

Kështu, Manifestimet e Perëndisë kanë pasur një konceptim universal e gjithëpërfshirës. Ata janë përpjekur për hir të jetës së gjithsecilit dhe janë angazhuar në shërbim të edukimit universal. Sfera e synimeve të tyre nuk nuk ka qenë e kufizuar - përkundrazi, ka qenë e gjerë e gjithëpërfshirëse.

Prandaj, ti gjithashtu duhet të mendosh për gjithsecilin, që njerëzimi të edukohet, karakteri të moderohet dhe kjo botë të kthehet në një Kopsht të Edenit.

Duaji të gjitha fetë dhe të gjitha racat me një dashuri të vërtetë e të sinqertë dhe tregoje atë dashuri me vepra e jo me anë të gjuhës; sepse kjo e fundit nuk ka rëndësi, mbasi shumica e njerëzve me fjalë, janë dashamirës, ndërsa gjëja më e mirë është veprimi.

35. O ushtri e Perëndisë! Letrën, që ju e keni nënshkruar bashkërisht të gjithë, e morëm. Ajo ishte shumë domethënëse e plot aromë dhe leximi i saj ishte kënaqësi.

Ju shkruanit për muajin e agjërimit. Lum ju që i jeni bindur urdhrit të Perëndisë dhe e keni mbajtur agjërimin gjatë periudhës të shenjtë. Sepse agjërimi material është një shenjë e jashtme e agjërimit shpirtëror, është një shenjë e vetëkontrollit, e përmbajtjes nga të gjitha llojet e dëshirave të vetvetes, duke fituar karakteristikat e shpirtit, duke u tërhequr prej flladeve të qiellit dhe duke u ndezur flake nga dashuria për Perëndinë.

Letra juaj tregonte, gjithashtu, unitetin dhe afrinë e zemrave tuaja. Kam shpresë se perëndimi, nëpërmjet hirit të pakufishëm që Perëndia po resh në këtë epokë të re, do të bëhet lindja, vendagimi i Diellit të së Vërtetës, dhe besimtarët perëndimorë agimet e dritës e manifestues të shenjave të Perëndisë; se ata do të ruhen prej dyshimeve të moskokëçarësve dhe do të qëndrojnë të vendosur e të patundur në Besëlidhjen e Testamentin; se ata do të përpiqen ditë e natë derisa të zgjojnë ata që flenë, të bëjnë të ndërgjegjshëm ata që janë ta pavetëdijshëm, t'i sjellin të pastrehët për t'u bërë pjesëtarë të afërt të rrethit të brendshëm dhe t'u japin të skamurve pjesën e tyre të hirit të amshuar. Le të jenë ata lajmëtarët e Mbretërisë, le t'u bëjnë thirrje banorëve të kësaj bote të poshtme dhe t'i ftojnë të hyjnë në mbretërinë e epërme.

O ushtri e Perëndisë! Sot, në këtë botë, çdo popull po endet i humbur në shkretëtirën e vet, duke lëvizur sa andej-këndej sipas diktatit të trilleve e tekave të veta, duke ndjekur kapriçion e vet të veçantë. Midis gjithë mizërisë së masave mbi tokë, vetëm ky komunitet i Emrit Më të Madh është i lirë dhe i dëlirur prej makinacioneve njerëzore dhe nuk ka qëllime egoiste që të përkrahë. Të vetëm midis gjithë atyre, këta njerëz janë ngritur me synime të spastruara nga egoja, duke ndjekur Mësimet e Perëndisë, duke u munduar e përpjekur me shumë zell për një qëllim të vetëm: ta kthejnë këtë pluhur të ulët në qiell të lartë, ta bëjnë këtë botë një pasqyrë të Mbretërisë, ta shndërrojnë këtë botë në një botë tjetër dhe ta bëjnë gjithë njerëzimin të adoptojë sjelljet e të drejtëve dhe një mënyrë të re jetese.

O ushtri e Perëndisë! Nëpërmjet mbrojtjes dhe ndihmës së dhuruar nga Bukuria e Bekuar - u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij - ju duhet të silleni në mënyrë të tillë që të shquheni e të shkëlqeni si dielli në mes shpirtrave të tjerë. Në qoftë se ndonjëri prej jush hyn në një qytet, ai, në saje të sinqeritetit, të çiltërsisë e të dashurisë, të ndershmërisë e të besnikërisë, të vërtetësisë e të dashamirësisë së tij ndaj të gjithë popujve të botës, duhet të bëhet një qendër tërheqëse, në mënyrë që njerëzit e atij qyteti të thonë: "Ky njeri është pa kurrfarë dyshimi një Bahá'í, sepse veprimet e tij, sjellja e qëndrimi i tij, morali, natyra dhe prirjet e tij pasqyrojnë atributet e Bahá'í-ve". Para se të keni arritur këtë rang, ju nuk mund të thoni se i jeni përmbajtur me besnikëri Besëlidhjes dhe Testamentit të Perëndisë. Sepse Ai, përmes Tekstesh të pakundërshtueshme, ka hyrë në një Besëlidhje detyruese me të gjithë ne, që na kërkon të veprojmë në përputhje me udhëzimet e këshillat e Tij të shenjta.

O ushtri e Perëndisë! Ka ardhur koha që ndikimi dhe përsosmëritë e Emrit Më të Madh të shfaqen në këtë epokë të shkëlqyer, për të vërtetuar tej çdo dyshimi se kjo erë është era e Bahá'u'lláh-ut dhe se kjo epokë shquhet mbi të gjitha epokat e tjera.

O ushtri e Perëndisë! Kurdoherë që shihni një person, tërë vëmendja e të cilit është drejtuar ndaj Kauzës së Perëndisë; qëllimi i vetëm i të cilit është të bëjë që Fjala e Perëndisë të hyjë në veprim; që ditë e natë, me synime të pastra i shërben Kauzës; në sjelljen e të cilit nuk shihet as gjurma më e vogël e egoizmit apo e motiveve private - që përkundrazi endet i tërhequr në hapësirën e dashurisë së Perëndisë, që pi vetëm nga kupa e dijes së Perëndisë, që është tërësisht i thëthirë nga përhapja e aromave të këndshme të Perëndisë dhe i dashuruar pas vargjeve të shenjta të Mbretërisë së Perëndisë, - dijeni me siguri se ky individ do të mbështetet e përkrahet nga qielli dhe, si ylli i ditës, do të ndriçojë me shkëlqim mbi qiejt e hirit të amshuar. Por nëse ai shfaq edhe shenjën më të vogël të dëshirave egoiste e të dashurimit pas vetvetes, përpjekjet e tij do të shkojnë dëm, ai do të rrënohet e do të lihet krejt i pashpresë.

O ushtri e Perëndisë! Lëvduar qoftë Perëndia, Bahá'u'lláh-u i ka hequr vargonjtë nga qafa e njerëzimit, e ka çliruar njeriun nga gjithçka që e pengonte dhe i ka thënë atij: Ju jeni frytet e një peme dhe fletët e një dege; jini të dhembshur e të dashur me gjithë gjininë njerëzore. Silluni me të huajt njëlloj si me miqtë, kujdesuni për të tjerët ashtu si për veten tuaj. Shihini armiqtë si miq; shihini djajtë si engjëj; tregoni për tiranin po atë dashuri të madhe që tregoni ndaj njerëzve besnikë e të ndershëm, dhe ashtu si gazelat prej qyteteve erëmira të Katës [Khatá] e Kotanit [Khutan]1 jepini ushqim të profumuar ujkut grabitqar. Jini strehë për të druajturit; silluni qetësi e prehje të shqetësuarve; sigurojini një mjet jetese të skamurve; jini thesar pasurish për të varfërit; jini bar shërues për ata që kanë dhimbje; jini mjek e përkujdesës për të sëmurët; mbështetni përhapjen e miqësisë, të nderimit e të pajtimit, dhe adhurimin e Perëndisë, në këtë botë të mos-qenies.

O ushtri e Perëndisë! Bëni përpjekje të mëdha: ndoshta ju mund ta mbushni me dritë këtë tokë, që kjo kasolle balte, bota, të bëhet Parajsa Abhá. Atë e ka mbuluar errësira dhe kanë mbisunduar tiparet shtazarake. Kjo botë e njeriut është tani arenë për bishat e egra, një fushë ku përfitojnë nga rasti injorantët, moskokëçarësit. Shpirtrat njerëzorë janë ujqër grabitqarë e kafshë të verbuara, ata janë ose helm vdekjeprurës ose barëra të këqija - të gjithë, përveç një pakice që me të vërtetë ushqejnë synime e plane altruiste për mirëqenien e bashkëkohësve të tyre. Por ju duhet që për këtë çështje, domethënë për t'i shërbyer njerëzimit, të jepni vetë jetën tuaj dhe, ndërsa hiqni dorë nga vetvetja, të gëzoheni.

O ushtri e Perëndisë! I Lartësuari, Báb-i, dha jetën e Tij. Përsosmëria e Bekuar dha njëqind jetë në çdo frymëmarrje. Ai duroi fatkeqësi. Ai përjetoi ankthe. Ai u burgos. Ai u lidh me zinxhirë. Ai mbeti i pastrehë dhe u syrgjynos në vende të largëta. Pastaj më në fund Ai i kaloi vitet e jetës së Tij në Burgun Më të Madh. Po kështu, një mori e madhe e të dashuruarve pas Perëndisë, që ndoqën këtë rrugë, shijuan mjaltin e martirizimit dhe hoqën dorë nga gjithçka - nga jeta, pasuria, farefisi - nga çdo gjë që kishin. Sa shtëpi u katandisën në rrënoja, sa banesa u shkatërruan e u plaçkitën, sa ndërtesa hijerënda u bënë njësh me dheun, sa pallate u kthyen në varre. Dhe të gjitha këto ndodhën që njerëzimi të ndriçohet, që padituria t'i lërë vendin dijes, që njerëzit e tokës të bëhen njerëz të qiellit, që mosmarrëveshja e grindja të shkulen nga rrënjët dhe Mbretëria e Paqes të vendoset në mbarë botën. Përpiquni tani që kjo dhuratë të shfaqet dhe më e shtrenjta ndër të gjitha shpresat të realizohet me shkëlqim anembanë komunitetit njerëzor.

O ushtri e Perëndisë! Kujdes se mos lëndoni ndonjë shpirt ose bëni të vuajë ndonjë zemër, se mos plagosni me fjalën tuaj ndonjë njeri, qoftë ai i njohuri juaj apo i huaj, qoftë mik apo armik. Lutuni për të gjithë; kërkoni që të gjithë të bekohen, të gjithëve t'u jepet falje. Kujdes, kujdes se mos ndonjë nga ju kërkon hakmarrje, madje edhe kundër ndonjërit që është i etur për gjakun tuaj. Kujdes, kujdes se mos fyeni ndjenjat e tjetrit, edhe sikur ai të jetë njeri i lig dhe që ju do të keqen. Mos shikoni krijesat, por kthejeni fytyrën nga Krijuesi i tyre. Mos shikoni njerëzit e panënshtruar, por shihni vetëm Zotin e Ushtrive. Mos i hidhni sytë mbi pluhur, por vështroni lart nga dielli që shkëlqen, i cili ka bërë të lëshojë dritë çdo pëllëmbë të dheut të zi.

O ushtri e Perëndisë! Kur godet fatkeqësia, jini të duruar e gjakftohtë. Sado të dhembshme qofshin vuajtjet tuaja, rrini të qetë e me besim të plotë në mirësinë e pashtershme të Perëndisë, bëjuni ballë me trimëri stuhive të fatkeqësive e të sprovave të rënda.

Vitin e kaluar, një numër të pabesësh, nga brenda e nga jashtë, të njohur e të huaj për ne, ngritën para Sulltanit të Turqisë akuza shpifëse kundër këtyre të syrgjynosurve e të pastrehë, duke bërë kundër nesh akuza të rënda, por në fakt pa asnjë bazë. Qeveria, me urtësi, vendosi t'i verifikonte këto akuza dhe dërgoi në këtë qytet një Komision Hetimi. Është e qartë se ç'mundësi u dha kjo dashakeqëve tanë dhe ç'stuhi shpërthyen ata, të cilën s'ka fjalë apo penë që të mund ta përshkruajë. Vetëm ai që e ka parë, mund ta dijë se ç'trazirë krijuan ata dhe ç'tërmet dhimbjesh qe rezultati. Dhe pavarësisht nga kjo, përgjigja ishte të mbështeteshim plotësisht te Perëndia dhe të qëndronim të përmbajtur, me besim, me durim, të patronditur, deri në atë shkallë sa që një person që nuk ishte në dijeni të gjendjes do të kishte menduar se jemi të shkujdesur në zemër e mendje, krejt të gëzuar, të lumtur e të qetë.

Pastaj ndodhi që vetë akuzuesit, ata që kishin bërë akuzat e rreme kundër nesh, u bashkuan me anëtarët e Komisionit për të hetuar akuzat, kështu që paditës, dëshmitarë e gjyqtarë ishin po të njëjtët dhe përfundimi ishte i ditur që më parë. Megjithatë, për të qenë të ndershëm, duhet thënë se deri më sot Madhëria e Tij Sulltani i Turqisë nuk ua ka vënë veshin këtyre akuzave të rreme, këtyre shpifjeve, këtyre përrallave e përgojimeve dhe ka vepruar me drejtësi. ...

O ti Dhurues! Ti i ke flladitur miqtë në Perëndim me aromën e këndshme të Shpirtit të Shenjtë dhe ke ndriçuar qiellin perëndimor me dritën e udhërrëfimit hyjnor. Ti i ke bërë të aviten pranë Teje ata që dikur ishin të largët; Ti i ke kthyer ata që ishin të huaj në miq të dashur; Ti ke zgjuar ata që flinin; Ti i ke bërë të ndërgjegjshëm moskokëçarësit.

O Ti Dhurues! Ndihmoji këta miq fisnikë të fitojnë pëlqimin Tënd dhe bëji ata dashamirës si për të huajt edhe për miqtë. Silli ata në botën që vazhdon përgjithmonë; jepu atyre një pjesë nga hiri qiellor; bëji ata të jenë Bahá'í të vërtetë, që i përkasin sinqerisht Perëndisë; shpëtoji ata nga ngjasimet e jashtme dhe bëji të vendosur në të vërtetën. Bëji ata shenja e simbole të Mbretërisë, yje të shndritshëm mbi horizontet e kësaj jete të poshtme. Bëj që ata të jenë ngushëllim e lehtësim për njerëzimin dhe në shërbim të paqes në botë. Ngazëlleji ata me verën e këshillës Sate dhe bëj që të gjithë ata të ecin në shtegun e urdhrave të Tu.

O Ti Dhurues! Dëshira më e flaktë e këtij shërbëtori të Pragut Tënd është të vështrojë miqtë e lindjes e të perëndimit në përqafim të ngushtë; të shohë të gjithë pjesëtarët e shoqërisë njerëzore të bashkuar me dashuri në një tubim të vetëm të madh, ashtu si pikat e veçanta të ujit të mbledhura në një det të vetëm madhështor; t'i shohë ata si zogjtë në një kopsht të vetëm trëndafilash, si margaritarë të një oqeani të vetëm, si fletët e një peme të vetme, si rrezet e një dielli të vetëm.

Ti je i Fuqishmi, i Pushtetshmi, dhe Ti je Perëndia i forcës, Fuqiploti, Ai që sheh gjithçka.

36. O ju dy shërbëtore të preferuara të Zotit! Letrën e Nënës Biçër [Mother Beecher] e mora dhe, në të vërtetë, ajo flet për ju të dyja, prandaj po ju drejtohem të dyja juve së bashku. Kjo mua më duket shumë mirë, sepse ju dy qenie të dëlira jeni si një margaritar i vetëm i çmuar, ju jeni dy degë që kanë dalë nga e njëjta pemë; ju të dyja adhuroni të njëjtin të Shumëdashur, ju të dyja po digjeni për të njëjtin Diell të shndritshëm.

Kam shpresë se të gjitha shërbëtoret e Perëndisë në atë zonë do të bashkohen si valët e një deti të vetëm të pafund; sepse ndonëse të shpërndara nga era ato janë të veçuara secila në vete, por në të vërtetë janë të gjitha njësh me detin e paanë.

Sa mirë është nëse miqtë janë aq të afërt me njëri-tjetrin si një tufë rrezesh drite, nëse ata qëndrojnë krah për krah së bashku në një linjë të qëndrueshme të pashkëputur. Sepse tani, retë e realitetit nga Dielli i botës së qenies, kanë bashkuar me admirim të gjithë adhuruesit e kësaj drite; dhe këto rreze, nëpërmjet hirit të pafund, kanë grumbulluar të gjithë njerëzit së bashku nën këtë strehë të shtrirë gjerësisht; prandaj duhet që të gjithë shpirtrat të bëhen si një shpirt dhe gjithë zemrat si një zemër. Le të çlirohen të gjithë nga identitetet e shumëfishta që u lindën nga pasioni e dëshira dhe të gjejnë një udhë të re jete në njëshmërinë e dashurisë së tyre për Perëndinë.

O ju dy shërbëtore të Perëndisë! Tani është koha që ju të bëheni si kupa bujare që janë mbushur deri në grykë dhe si shkulma ripërtëritëse që fryjnë nga Parajsa Abhá, të shpërndani erë parfumi tej e ndanë atij vendi. Çlirojeni veten nga jeta e kësaj bote dhe digjuni në çdo hap për mos-ekzistencën; sepse kur rrezja kthehet te dielli ajo përfshihet, kur pika derdhet në det ajo zhduket dhe kur i dashuri i vërtetë gjen të Shtrenjtin e tij, i jep shpirtin.

Përderisa një qenie të vendosë këmbën në rrafshin e flijimit, ajo është e privuar nga çdo favor edhe hir; dhe ky rrafsh flijimi është mbretëria e vdekjes për vete, që shkëlqimi i Perëndisë jetëdhënës të ndriçojë pastaj përpara. Fusha e martirit është vendi i veçimit nga vetja, që të lartësohen himnet e përjetësisë. Të gjithë ju mund të bëheni tërësisht të zhveshur nga vetja dhe të lidheni me Fytyrën e Shkëlqimeve; dhe sapo të keni arritur kaq lartësi nënshtrimi, ju do të gjeni gjithë sendet e krijuara, të mbledhur brenda hijes suaj. Ky është hiri i pakufishëm; ky është sovraniteti më i lartë; kjo është jeta që nuk vdes. Përveç saj, gjithçka tjetër nuk është gjë, veçse manifestim i vdekjes së përjetshme dhe humbje e madhe.

Lavdërimi qoftë me Perëndinë, porta e hirit të pakufishëm është e hapur kat më kat, tavolina qiellore është shtruar, shërbëtorët e Mëshirëplotit dhe shërbëtoret e Tij janë të pranishëm në gosti. Përpiquni të merrni pjesën tuaj nga ky ushqim i përjetshëm, që ju të jeni të dashuruar dhe të gëzuar në këtë botë dhe në tjetrën.

37. O ju miq të shtrenjtë të 'Abdu'l-Bahá-it! Letrën tuaj të bekuar që tregon për zgjedhjen e Asamblesë Shpirtërore e mora. Zemra ime u mbush me gëzim, kur mësova, lëvduar qoftë Perëndia, se miqtë në atë zonë, në frymën e një uniteti absolut, të miqësisë e dashurisë, kanë kryer këtë zgjedhje të re e kanë votuar me sukses për shpirtra të shenjtëruar, të pëlqyer në Pragun e Shenjtë dhe që janë të mirënjohur ndër miqtë për vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në Besëlidhjen.

Tani këta përfaqësues të zgjedhur duhet të ngrihen për të shërbyer me shpirt e gëzim, me synime të pastra, të tërhequr fort nga aromat e Fuqiplotit dhe të mbështetur mirë nga Shpirti i Shenjtë. Le të ngrejnë lart ata flamurin e udhërrëfimit dhe, si ushtarë të Grupimit të epërm, të lartësojnë Fjalën e Perëndisë, të përhapin kudo aromat e Tij të këndshme, të edukojnë shpirtrat e njerëzve dhe të përkrahin Paqen e Madhe.

Me të vërtetë janë zgjedhur shpirtra të bekuar. Në çastin që lexova emrat e tyre, ndjeva në shpirt një drithërimë gëzimi, kur mësova, lëvduar qoftë Perëndia, se në atë vend kanë dalë persona që janë shërbëtorë të Mbretërisë dhe të gatshëm të japin jetën e tyre për Atë Që nuk ka as të ngjashëm, as të barabartë me Veten.

O ju miqtë e mi të dashur! Ndriçojeni këtë Asamble me shkëlqimin e dashurisë së Perëndisë. Bëjeni atë të kumbojë nga muzika e gëzueshme e sferave të shenjta, bëjeni atë të begatohet me ato ushqime që shërbehen në Darkën e Zotit, në tryezën e gostisë qiellore të Perëndisë. Mblidhuni së bashku me gëzim të pashuar dhe në fillim të mbledhjes recitoni këtë lutje:

O Ti Zot i Mbretërisë! Edhe pse trupat tanë mblidhen këtu së bashku, zemrat tona të magjepsura janë rrëmbyer nga dashuria për Ty dhe ne jemi të ngazëllyer nga rrezet e fytyrës Sate të shndritshme. Edhe pse jemi të dobët, ne presim revelacionet e fuqisë e të pushtetit Tënd. Edhe pse të varfër, pa mall e gjë, ne marrim pasuri nga thesaret e Mbretërisë Sate. Ne jemi pikëza uji, por nxjerrim nga thellësitë e oqeanit Tënd. Edhe pse grimca pluhuri, ne shkëlqejmë në lavdinë e Diellit Tënd të shndritshëm.

O Ti Dhuruesi ynë! Dërgona ndihmën tënde, që secili nga ata që janë mbledhur këtu të bëhet një qiri i ndezur, një qendër tërheqjeje, një lajmëtar që fton në mbretëritë e Tua qiellore, deri sa, më në fund, ta bëjmë këtë botë të ulët pasqyrëim të Parajsës Sate.

O ju miqtë e mi të dashur! Është detyrë e asambleve të atyre rajoneve të lidhen me njëra-tjetrën, të kenë letërkëmbim me njëra-tjetrën, si dhe të komunikojnë me asambletë e lindjes, që të bëhen faktorë të bashkimit në mbarë botën.

O ju miq shpirtërorë! Qëndrueshmëria juaj duhet të jetë e tillë që, edhe sikur keqdashësit të vrasin çdo besimtar dhe të mbetet qoftë edhe një i vetëm, ai i vetmuar e pa të tjerë t'u bëjë ballë të gjithë popujve të tokës dhe të vazhdojë të përhapë anekënd aromat e këndshme e të shenjta të Perëndisë. Prandaj, nëse nga Toka e Shenjtë ju vjen ndonjë lajm i frikshëm, ndonjë fjalë për ndodhi të tmerrshme, shikoni se mos lëkundeni, se mos ju mbërthejë hidhërimi, se mos tronditeni. Përkundrazi, ngrihuni menjëherë, me vendosmëri të hekurt, dhe shërbejini Mbretërisë së Perëndisë.

Ky Shërbëtor i Pragut të Zotit ka qenë në rrezik tërë kohën. Ai është në rrezik edhe tani. Asnjëherë nuk kam pasur unë ndonjë shpresë sigurie dhe dëshira ime më e shtrenjtë është kjo: të pi nga kupa bujare e martirit, e mbushur deri në buzë, dhe të vdes në fushën e flijimit, i kënaqur me atë verë që është më e çmuara e dhuratave të Perëndisë. Kjo është shpresa ime më e madhe, kjo është dëshira ime më e zjarrtë.

Ne kemi dëgjuar se Tabelat e Ishrakatit [Ishráqát] (Shkëlqimet), Tarazatit [Ṭarázát] (Stolitë), Besharatit [Bishárát] (Lajmi i Gëzuar), Taxhalijatit [Tajallíyyát] (Rrëzëllimet), dhe Kalimatit [Kalimát] (Fjalë Parajse) janë përkthyer e botuar në ato rajone. Në ato Tabela ju keni një model se si duhet të jeni dhe si të jetoni.

38. O shërbëtore e Perëndisë që dridhesh si filiz i ri e i njomë nga erërat e dashurisë së Perëndisë! E lexova letrën tënde, që tregon dashurinë tënde të madhe, përkushtimin tënd të thellë dhe që ti je e pushtuar nga përkujtimi i Zotit tënd.

Mbështetu te Perëndia. Hiq dorë nga vullneti yt dhe kapu pas vullnetit të Tij, lëri mënjanë dëshirat e tua dhe mbaju pas të Tijave, që të bëhesh për shërbëtoret e Tij një shembull, i shenjtë, shpirtëzues e që i përket Mbretërisë.

Dije, o shërbëtore, se në sytë e Bahá-it gratë vlerësohen njësoj si burrat dhe se Perëndia e ka krijuar gjithë njerëzimin sipas shëmbëlltyrës së Vet e sipas ngjasimit të Vet. Kjo do të thotë se burrat dhe gratë janë njësoj revelues të emrave e të atributeve të Tij, dhe nga pikëpamja shpirtërore nuk ka dallim midis tyre. Kushdo që i avitet Perëndisë, është më i pëlqyeri, burrë apo grua qoftë. Sa shumë shërbëtore, të flakta e të devotshme, nën hijen mbrojtëse të Bahá-it, kanë treguar epërsi ndaj burrave dhe i kanë tejkaluar të famshmit e dheut.

Megjithatë, sipas tekstit të qartë të Ligjit të Perëndisë, Shtëpia e Drejtësisë përbëhet vetëm prej burrash; kjo për arsye të urtisë së Perëndisë Zot, që së shpejti do të bëhet e dukshme aq qartë sa dielli në mesditë.

Për sa ju përket juve, O shërbëtore të tjera që jeni dashuruar pas aromave qiellore, organizoni mbledhje të shenjta dhe themeloni Asamble Shpirtërore, sepse ato janë baza e përhapjes së aromave të këndshme të Perëndisë, që lartësojnë Fjalën e Tij, që ngrejnë llambën e hirit të Tij, që shpallin fenë e Tij e përkrahin Mësimet e Tij, dhe ku ka shpërblim më të madh se ky? Këto Asamble Shpirtërore i ndihmon Fryma e Perëndisë. Mbrojtësi i tyre është 'Abdu'l-Bahá-i. Ai ka hapur krahët e Tij mbi to. E ku ka shpërblim më të madh se ky? Këto Asamble Shpirtërore janë fanarë ndriçues e kopshte qiellore, nga të cilët aromat e shenjtërisë përhapen në të gjitha anët dhe dritat e dijes derdhen mbi të gjitha gjërat e krijuara. Prej tyre shpirti i jetës vërshon në çdo drejtim. Ato janë me të vërtetë burimet e fuqishme të përparimit të njeriut, në të gjitha kohët e në të gjitha rrethanat. E ku ka shpërblim më të madh se ky?

39. O shërbëtore e Perëndisë! Letrën tënde, që sjell lajmin se në atë qytet është krijuar një Asamble, e mora.

Mos shikoni numrin tuaj të vogël, përkundrazi, kërkoni zemra që janë të dëlira. Një shpirt i shenjtëruar është më i pëlqyer se njëmijë shpirtra të tjerë. Në qoftë se një grup i vogël njerëzish mblidhen së bashku me dashuri, me dëlirësi e shenjtëri të plotë, me zemrat e tyre të çliruara nga bota, që përjetojnë emocionet e Mbretërisë dhe forcat e fuqishme magnetike të Hyjnores, që janë të bashkuar në miqësinë e tyre të gëzueshme, ky grup njerëzish do të ushtrojë ndikimin e tij mbi gjithë tokën. Natyra e këtij grushti njerëzish, fjalët që ata thonë, veprat që bëjnë, do të lëshojnë dhuntitë e Qiellit dhe do të sjellin parashijën e lumturisë së përjetshme. Aradhet e Ushtrisë qiellore do t'i mbrojnë ata dhe engjëjt e Parajsës Abhá do të zbresin njëri pas tjetrit në ndihmë të tyre.

Kuptimi i 'engjëjve' janë konfirmimet e Perëndisë dhe forcat e Tij qiellore. Po kështu, engjëjt janë qenie të bekuara, që i kanë këputur të gjitha lidhjet me këtë botë të ulët, janë çliruar nga vargonjtë e unit, nga dëshirat trupore dhe i kanë ankoruar zemrat e tyre në mbretëritë qiellore të Zotit. Këta i përkasin Mbretërisë, janë qiellorë; këta i përkasin Perëndisë, janë shpirtërorë; ata janë reveluesit e hirit të pashtershëm të Perëndisë; këta janë pikagime të dhuratave të Tij shpirtërore.

O shërbëtore e Perëndisë! Lëvduar qoftë Ai, bashkëshorti yt i dashur ka ndier aromat e këndshme që fryjnë prej kopshteve të qiellit. Tani, ashtu si dita ndjek ditën, ti, përmes dashurisë së Perëndisë dhe veprave të tua të mira, duhet ta tërheqësh atë gjithnjë e më pranë Besimit.

Ato që ndodhën në San Francisko1 ishin me të vërtetë ngjarje të llahtarshme. Fatkeqësi të tilla duhet të shërbejnë për të zgjuar njerëzit dhe për të pakësuar dashurinë e zemrave të tyre për këtë botë të paqëndrueshme. Pikërisht në këtë botë të ulët ndodhin gjëra kaq tragjike: kjo është kupa që jep verë të hidhur.

40. O ju që 'Abdu'l-Bahá-i ju do! I kam lexuar raportet tuaja me gëzim të madh; ato janë të një natyre që të gëzon e përtërin zemrën dhe të kënaq shpirtin. Nëse kjo Asamble, përmes frymës së shenjtë të Mëshirëplotit e konfirmimeve të Tij hyjnore, mbetet e qëndron e vendosur dhe e patundur, ajo do të japë rezultate të shquara dhe do të ketë sukses në nisma me rëndësi të madhe.

Asambletë shpirtërore që krijohen në këtë Epokë të Perëndisë, në këtë shekull të shenjtë, pa diskutim nuk kanë pasur shoqe e ngjasim me ciklet e mëparshme. Sepse kuvendet e atëhershme që ushtronin pushtetin, bazoheshin në mbështetjen e udhëheqësve të fuqishëm të njerëzve, ndërsa këto Asamble bazohen në mbështetjen e Bukurisë Abhá. Mbrojtësit dhe mbështetësit e atyre kuvendeve ishin ose një princ apo mbret, ose një kryeprift, ose masat e popullit. Kurse këto Asamble Shpirtërore kanë për mbrojtës, mbështetës, ndihmues e frymëzues të tyre, Zotin e gjithëfuqishëm.

Mos shikoni të tashmen, nguliteni vështrimin në kohët që do të vijnë. Sa e vogël është fara në fillim, por në fund ajo bëhet një pemë e madhe. Mos shikoni farën, shikoni pemën dhe lulet e saj, fletët dhe frytet e saj. Mendoni kohën e Krishtit, kur Atë nuk e ndiqte askush, përveç një grupi të vogël; shikoni pastaj ç'pemë e madhe u bë ajo farë, shikoni frytet e saj. Ndërsa tani do të ndodhin gjëra edhe më të mëdha se këto, sepse kjo është thirrja e Zotit të Ushtrive, ky është kushtrimi i Zotit të gjallë, ky është himni i paqes botërore, ky është flamuri i drejtësisë, i besimit e i mirëkuptimit i ngritur lart midis gjithë popujve të larmishëm të rruzullit; ky është shkëlqimi i Diellit të së Vërtetës, kjo është shenjtëria e shpirtit të Vetë Perëndisë. Ky dispensacion më i fuqishëm, do të përfshijë gjithë tokën dhe nën flamurin e tij do të mblidhen e strehohen së bashku të gjithë popujt. Dijeni pra rëndësinë jetësore të kësaj fare të vogël që Kopshtari i vërtetë e ka mbjellë në fushat e lëruara të Zotit me duart e mëshirës së Vet, e ka ujitur me shiun e dhuntive e të blatimeve dhe tani po e ushqen me nxehtësinë dhe dritën e Diellit të së Vërtetës.

Prandaj, o ju të dashurit e Perëndisë, falënderojeni Atë që ju ka bërë objekt të shpërblimeve të tilla dhe marrës të dhuratave të tilla. Bekuar qofshi, marrshi lajme të gëzuara për këtë hir të madh.

41. O ti që je i patundur në Besëlidhje dhe i përkushtuar! Letrën që ti ke shkruar ... ma kanë treguar dhe mendimet që shpreheshin aty ishin shumë të lavdërueshme. Është detyrë e Asamblesë Shpirtërore Konsultative të Nju Jorkut të jetë në marrëveshje të plotë me atë të Çikagos dhe të dyja këto asamble të konsultohen së bashku për të miratuar çdo gjë që e konsiderojnë të përshtatshme për botim e shpërndarje. Pas kësaj, le të dërgojnë një kopje në 'Akká, në mënyrë që të miratohet edhe atje, pastaj materiali do t'u rikthehet për ta botuar e hedhur në qarkullim.

Çështja e bashkërendimit dhe e unifikimit të dy Asambleve Shpirtërore, asaj të Çikagos dhe të Nju Jorkut, është me rëndësi shumë të madhe dhe sapo të formohet siç duhet një Asamble Shpirtërore në Uashington, të dyja këto Asamble duhet të krijojnë lidhje uniteti edhe me atë Asamble. Me dy fjalë, dëshira e Perëndisë Zot është që të dashurit e Perëndisë dhe shërbëtoret e Mëshirëplotit në Perëndim të afrohen dita ditës më shumë në harmoni e unitet, dhe pa u përmbushur kjo, puna nuk do të ecë kurrë përpara. Asambletë shpirtërore janë kolektivisht instrumenti më efektiv për vendosjen e unitetit e të harmonisë. Kjo çështje është shumë e rëndësishme; ky është magneti që tërheq këtu poshtë konfirmimet e Perëndisë. Po qe se bukuria e unitetit të miqve - ky i Shumëdashur Hyjnor - zbukurohet me stolitë e Mbretërisë Abhá, është e sigurt që brenda një kohe shumë të shkurtër këto vende do të bëhen Parajsa e Lavdiplotit dhe prej perëndimit, shkëlqimet e unitetit do të hedhin rrezet e tyre të shkëlqyera mbi tërë dheun.

Ne po përpiqemi me mish e me shpirt, pa pushuar as ditë as natë, pa kërkuar asnjë moment qetësie, që ta bëjmë këtë botë të njeriut pasqyrën e unitetit të Perëndisë. Atëherë sa më shumë duhet ta reflektojnë të dashurit e Zotit këtë unitet? Dhe kjo shpresë që ne ushqejmë, kjo dëshirë e zjarrtë e jona do të përmbushet dukshëm vetëm atë ditë kur miqtë e vërtetë të Perëndisë të ngrihen për të përmbushur Mësimet e Bukurisë Abhá - qoftë jeta ime haraç për ata që kanë dashuri për Të! Një prej mësimeve të Tij është se dashuria dhe besimi i shëndoshë duhet të mbizotërojnë më mënyrë të tillë në zemrën njerëzore saqë njerëzit ta shohin të panjohurin si mik të afërt, keqbërësin si të vetin, të huajin si njeri të dashur, armikun si shok të shtrenjtë e të ngushtë. Atë që i vret, le ta quajnë ata dhurues të jetës; atë që u kthen shpinën le ta shohin sikur e ka kthyer fytytën ndaj tyre; atë që nuk e pranon mesazhin e tyre, le ta konsiderojnë sikur e njeh të vërtetën e tij. Kjo do të thotë që ata duhet ta trajtojnë gjithë njerëzimin siç trajtojnë simpatizantët e tyre, shokët e tyre të një besimi, të dashurit e tyre dhe miqtë e afërt.

Sikur një pishtar i tillë të ndriçojë gjithë komunitetin botëror, ju do të shihnit se tërë dheu kundërmon nga aroma erëmirë, se ajo është bërë një parajsë kënaqësie dhe faqja e saj shëmbëlltyrë e qiellit të epërm. Atëherë mbarë bota do të jetë një tokë amtare, popujt e saj të ndryshëm një fis i vetëm, kombet e lindjes e të perëndimit një familje.

Kam shpresë se një ditë e tillë do të vijë, se një shkëlqim i tillë do të ndritë, se një pamje e tillë do të zbulohet me tërë bukurinë e saj.

42. O ju bashkëpunëtorë që ju mbështesin ushtritë nga mbretëria e Lavdiplotit! Lum ju, sepse jeni mbledhur së bashku nën hijen mbrojtëse të Fjalës së Perëndisë dhe keni gjetur strehë në guvën e Besëlidhjes së Tij; ju keni sjellë paqe në zemrat tuaja duke e bërë Parajsën Abhá shtëpinë tuaj, dhe ju kanë përkundur erërat e lehta që fryjnë nga burimi i tyre në dashamirësinë e Tij të përzemërt; ju keni dalë që t'i shërbeni Kauzës së Perëndisë dhe të përhapni në të katër anët fenë e Tij, të shtrini ndikimin e Fjalës së Tij dhe të ngrini lart flamujt e shenjtërisë në të gjitha ato vise.

Për jetën e Bahá-it! Me të vërtetë, fuqia e përkryer e Realitetit Hyjnor do të fryjë brenda jush dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë dhe do t'ju ndihmojë të kryeni një vepër të lartë, që syri i krijimit kurrë nuk e ka parë.

O ju Koalicion i Besëlidhjes! Me të vërtetë, Bukuria Abhá u bëri një premtim të shumëdashurve që janë të patundur në Besëlidhje, se Ai do t'i përforcojë përpjekjet e tyre me mbështetjen më të fortë dhe do t'i ndihmojë ata me fuqinë e Tij triumfuese. Së shpejti ju do të shihni se kuvendi juaj i ndriçuar ka lënë shenja e mbresa të dukshme në zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. Mbajuni fort pas cepit të rrobës së Perëndisë, drejtojini të gjitha përpjekjet tuaja në mbështetje të Besëlidhjes së Tij, digjuni me shkëlqim edhe më të madh nga zjarri i dashurisë për Të, që zemrat tuaja të gufojnë nga gëzimi në flladet e shërbimit që vërshojnë nga gjoksi i 'Abdu'l-Bahá-it. Bashkojini zemrat, hidhni hapa të vendosur, besoni në shpërblimet e përjetshme që do të derdhen mbi ju, njëri pas tjetrit, prej Mbretërisë Abhá. Kurdo që mblidheni në atë asamble rrezatuese, dijeni se shkëlqimet e Bahá-it shndrisin mbi ju. Është detyra juaj të kërkoni harmoni e të jeni të bashkuar; është detyra juaj të jeni në vëllazëri të ngushtë me njëri-tjetrin, si një trup e një shpirt, deri sa të barazoheni me Shenjëzat*) apo me një gjerdan margaritarësh vezullues. Kështu ju do të jeni të lidhur fort; kështu fjalët tuaja do të triumfojnë, ylli juaj do të shkëlqejë dhe zemrat tuaja do të ngushëllohen. ...

Kurdoherë që hyni në dhomën e këshillimit, recitoni këtë lutje me një zemër që regëtin nga dashuria për Perëndinë dhe me një gjuhë të dëlirur nga gjithçka veç përkujtimit të Tij, që i Fuqiploti t'ju ndihmojë me dashamirësi për të arritur fitoren supreme:

O Perëndi, Perëndia im! Ne jemi shërbëtorët e Tu që jemi kthyer me përkushtim ndaj Fytyrës Sate të Shenjtë, që në këtë Ditë të lavdishme jemi shkëputur nga gjithçka veç Teje. Ne jemi mbledhur në këtë Asamble Shpirtërore të bashkuar në pikëpamje e mendime, me qëllime të harmonizuara, për të lartësuar Fjalën Tënde midis gjinisë njerëzore. O Zot, Perëndia ynë! Bëna ne shenjat e Udhërrëfimit Tënd Hyjnor, Flamujt e Besimit Tënd të lavdëruar midis njerëzve, shërbëtorë të Besëlidhjes Sate të fuqishme, O Ti Zoti ynë Më i Lartë, bëna ne shfaqje të Unitetit Tënd Hyjnor në Mbretërinë Tënde Abhá, bëna yje vezullues që shkëlqejnë mbi të gjitha vendet. Zot! Ndihmona të bëhemi dete që fryhen nga valët e Hirit Tënd të mrekullueshëm, rrëke që rrjedhin nga Lartësitë e Tua lavdiplote, fryte të mira në Pemën e Kauzës Sate qiellore, pemë që tunden nga flladet e Bujarisë Sate në Vreshtin Tënd qiellor. O Perëndi! Bëji shpirtrat tanë të varur prej Vargjeve të Unitetit Tënd Hyjnor, gëzoi zemrat tona me vërshimet e Hirit Tënd, që ne të bashkohemi si dallgët e një deti dhe të shkrihemi së bashku si rrezet e Dritës Sate të shkëlqyeshme; që mendimet tona, pikëpamjet tona, ndjenjat tona të bëhen si një realitet i vetëm, të manifestojnë frymën e bashkimit në mbarë botën. Ti je i Hirshmi, Bujari, Dhuruesi, Fuqiploti, i Mëshirshmi, Zemërdhembshuri.

43. Kërkesat kryesore për ata që këshillohen bashkërisht janë pastërtia e qëllimit, ndriçimi i shpirtit, shkëputja nga çdo gjë tjetër veç Perëndisë, tërheqja ndaj Aromave të Tij Hyjnore, përvuajtja e përunjësia midis të dashurve të Tij, durimi e nënshtrimi kokulur në vështirësi dhe shërbimi ndaj Pragut të Tij të lavdëruar. Po qe se ndihmohen me përdëllim që t'i fitojnë këto atribute, atyre do t'u dhurohet fitorja prej Mbretërisë së padukshme të Bahá-it.

44. Anëtarët e saj*) duhet të këshillohen së bashku në mënyrë të tillë që të mos lindë asnjë rast mërie ose mosmarrëveshjeje. Kjo arrihet kur çdo anëtar shpreh me liri absolute mendimin e vet dhe parashtron argumentin e tij. Po qe se dikush i kundërvihet, ai kurrsesi nuk duhet ta ndiejë veten të lënduar, sepse rruga e drejtë mund të zbulohet vetëm mbasi të gjitha çështjet të jenë diskutuar plotësisht. Shkëndia ndriçuese e së vërtetës vjen vetëm pas ndeshjes së mendimeve të ndryshme. Në qoftë se pas diskutimit një vendim merret njëzëri, kjo është shumë mirë; por në qoftë se, mos e dhëntë Zoti, lindin divergjenca mendimesh, atëherë duhet të mbizotërojë vota e shumicës.

45. Kushti i parë është dashuria dhe harmonia absolute midis anëtarëve të asamblesë. Ata duhet të jenë tërësisht të çliruar nga çdo frymë ftohtësie dhe duhet të manifestojnë në veten e tyre Unitetin e Perëndisë, sepse ata janë valë të një deti, pika uji të një lumi, yje të një qielli, rreze të një dielli, pemë të një pemishteje, lule të një kopshti. Në qoftë se nuk ekziston harmonia e mendimit dhe uniteti absolut, ai tubim do të shpërbëhet dhe ajo asamble do të bëhet një hiç. Kushti i dytë: kur mblidhen së bashku, ata duhet t'i kthejnë fytyrat drejt Mbretërisë së epërme dhe të kërkojnë ndihmë nga Mbretëria e Lavdisë. Pastaj duhet të shprehin pikëpamjet e tyre me përkushtimin, mirësjelljen, dinjitetin, kujdesin e maturinë më të madhe. Në çdo çështje ata duhet të kërkojnë të vërtetën dhe të mos ngulin këmbë në mendimet e tyre. Sepse kokëfortësia e ngulmimi në pikëpamjet e veta çon në fund të fundit në mosmarrëveshje e grindje dhe e vërteta mbetet e fshehur. Anëtarët e nderuar duhet të shprehin me liri të plotë mendimet e veta dhe askujt nuk i lejohet kurrsesi të nënvleftësojë mendimin e tjetrit, përkundrazi, secili duhet të parashtrojë me modesti të vërtetën dhe nëse ka opinione të ndryshme, duhet të mbizotëojë vota e shumicës dhe të gjithë duhet t'i binden e nënshtrohen shumicës. Gjithashtu nuk është e lejuar që cilido nga anëtarët e nderuar të kundërshtojë apo hedhë poshtë, brenda ose jashtë mbledhjes, një vendim të arritur më parë, qoftë edhe vendim jo i drejtë, sepse një kritikë e tillë do të pengonte që çfarëdo vendimi të vihej në zbatim. Me një fjalë, çdo gjë që ujdiset në harmoni, me dashuri e motive të pastra, sjell dritë, ndërsa po të mbizotërojë qoftë edhe gjurma më e vogël e ftohtësisë, rezultati do të jetë errësirë mbi errësirë. ... Në qoftë se shihet kështu, ajo asamble do të jetë e Perëndisë, përndryshe ajo do të çonte në ftohtësi e largim, që burojnë nga I Ligu. ... Po të përpiqen të përmbushin këto kushte, atyre do t'u dhurohet Hiri i Frymës së Shenjtë dhe ajo asamble do të bëhet qendra e bekimeve Hyjnore, ushtritë e konfirmimit Hyjnor do t'u vijnë në ndihmë dhe nga dita në ditë ata do të marrin një vërshim të ri të Frymës Shpirtërore.

46. O ju që jeni të patundur në Besëlidhje! 'Abdu'l-Bahá-i është i angazhuar vazhdimisht në komunikim të përsosur me çdo Asamble Shpirtërore që është krijuar falë bujarisë hyjnore dhe anëtarët e së cilës, me përkushtimin më të madh, kthehen ndaj Mbretërisë hyjnore dhe janë të patundur në Besëlidhjen. Ato ai i do me gjithë zemër dhe me to është i lidhur nga marrëdhënie të përjetshme. Kështu korrespondenca me atë tubim është e sinqertë, e vazhdueshme dhe e pandërprerë.

Në çdo çast, Unë lyp për ju ndihmë, bujari dhe një favor e bekim të ri, që konfirmimet Bahá'u'lláh-ut, si në det, të valëzojnë pa pushim, dritat e Diellit të së Vërtetës të ndriçojnë mbi ju të gjithë, ju të konfirmoheni në shërbim, të bëheni manifestime të bujarisë dhe secili prej jush të kthehet në agim drejt Tokës së Shenjtë e të përjetojë me tërë forcën emocione shpirtërore.

47. O ju miq të vërtetë! Letrën tuaj e morëm dhe na solli gëzim të madh. Lëvduar qoftë Perëndia, ju keni përgatitur një pritje dhe keni vendosur për festën që do të bëhet çdo nëntëmbëdhjetë ditë. Çdo mbledhje që organizohet me dashurinë më të madhe, ku të pranishmit e kthejnë fytyrën drejt Mbretërisë së Perëndisë, ku flitet për Mësimet e Perëndisë dhe që ndikon për t'i bërë të pranishmit të ecin përpara - ajo është mbledhje e Zotit dhe ajo sofër gostie ka zbritur prej qiellit.

Shpresoj që kjo festë do të bëhet një herë në çdo nëntëmbëdhjetë ditë, sepse ajo ju afron më shumë së bashku; ajo është vetë burimi i unitetit e i dashamirësisë së përzemërt.

Ju e shikoni se gjer në ç'shkallë bota është në rrëmujë e konflikt të vazhdueshëm dhe në ç'gjendje janë katandisur kombet e saj. Ndoshta ata që e duan Perëndinë do të do të arrijnë të ngrejnë flamurin e unitetit njerëzor, në mënyrë që tenda njëngjyrëshe e Mbretërisë së Qiellit të lëshojëë hijen e saj mbrojtëse mbi gjithë tokën, që keqkuptimet midis popujve të botës do të zhduken, që të gjitha kombet do të afrohen me njëri-tjetrin, do të sillen me njëri-tjetrin si i dashuri me të shumëdashurën e vet.

Është detyra juaj të jeni pamasë të dashur me çdo qenie njerëzore dhe t'i doni asaj të mirën; të punoni për lartësimin e shoqërisë; të futni në të vdekurit frymën e jetës; të veproni në përputhje me mësimet e Bahá'u'lláh-ut dhe të ecni në rrugën e Tij - derisa ta shndërroni botën e njeriut në botë të Perëndisë.

48. O ju shërbëtorë besnikë të Bukurisë së Lashtë! Në çdo cikël e dispensacion festat i kanë pëlqyer e i kanë dashur dhe shtruarja e sofrës për ata që duan Perëndinë është konsideruar një vepër e lavdërueshme. Kjo është e vërtetë veçanërisht sot, në këtë dispensacion të pakrahasueshëm, në këtë epokë kaq bujare, në të cilën ato përshëndeten nxehtësisht, sepse me të vërtetë renditen ndër tubimet që mbahen për të adhuruar e lëvduar Perëndinë. Këtu këndohen vargjet e shenjta, oda e himne qiellore dhe zemra gjallërohet e entuziazmohet.

Synimi themelor është të ndizen këto emocione të shpirtit, por në të njëjtën kohë është krejt e natyrshme që të pranishmit të hanë së bashku, në mënyrë që bota e trupit të pasqyrojë botën e shpirtit dhe mishi të marrë vetitë e shpirtit; dhe ashtu siç janë me bollëk kënaqësitë shpirtërore, le të jenë edhe kënaqësitë materiale.

Lum ju që e zbatoni këtë rregull, me të gjitha domethëniet e tij mistike, duke i mbajtur kështu miqtë e Perëndisë syhapur e të vëmendshëm dhe duke u sjellë atyre qetësi të mendjes e gëzim.

49. Letrën tënde e morëm. Ti shkruaje për festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe kjo e gëzoi zemrën time. Këto takime bëjnë që sofra hyjnore të zbresë nga qielli dhe sjellin këtu poshtë konfirmimet e Mëshirëplotit. Shpresoj që flladet e Frymës së Shenjtë do të përhapen mbi ta dhe secili nga të pranishmit, në kuvende të mëdha, me gjuhë elokuente dhe me zemrën të mbushur nga dashuria për Perëndinë, do të fillojë të shpallë me brohori lindjen e Diellit të së Vërtetës, agimin e Yllit të Ditës që ndriçon mbarë botën.

50. Ju pyesnit për festën në çdo muaj Bahá'í. Kjo festë bëhet për të ushqyer shoqërinë e dashurinë, për të kujtuar Perëndinë, për t'iu lutur Atij me zemra të penduara dhe për të përkrahur veprimtaritë mirëbërëse.

Kjo bëhet që miqtë atje të kuvendojnë për Perëndinë e t'i thurin lavde Atij, të lexojnë lutje e vargje të shenjta, ta trajtojnë njëri-tjetrin me përzemërsinë e dashurinë më të madhe.

51. Përsa i përket Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve, ajo gëzon mendjen dhe zemrën. Nëse kjo festë bëhet ashtu siç duhet, miqtë, një herë në nëntëmbëdhjetë ditë, do ta ndiejnë veten të ripërtërirë shpirtërisht dhe të pajisur me një fuqi që nuk është e kësaj bote.

52. O shërbëtor i Të Vetmit Perëndi të vërtetë! Lavdi Zotit, të dashurit e Perëndisë gjenden në çdo vend dhe të gjithë pa përjashtim janë nën hijen e Pemës së Jetës e nën mbrojtjen e provanisë së Tij mirëdashëse. Kujdesi e dashamirësia e Tij e përzemërt ngrihen si valët e përjetshme të detit dhe bekimet e Tij reshin vazhdimisht nga Mbretëria e Tij e amshuar.

Na takon neve të lutemi që bekimet e Tij të dhurohen me bollëk akoma më të madh, dhe neve na takon t'u përmbahemi fort mjeteve të tilla që garantojnë një vërshim më të plotë të hirit të Tij e një masë më të madhe të ndihmës së Tij hyjnore.

Një ndër mjetet më të mëdha është fryma e shoqërisë së vërtetë dhe lidhja shpirtërore e përzemërt midis miqve. Kujtoni thënien: 'Nga të gjitha shtegtimet më i madhi është për të lehtësuar zemrën e rënduar me brengë'.

53. Me të vërtetë, 'Abdu'l-Bahá-i thith aromën e dashurisë së Perëndisë nga çdo vend-takim ku shqiptohet Fjala e Perëndisë e parashtrohen dëshmi e argumente që i përhapin rrezet e tyre në mbarë botën, dhe ku rrëfejnë mundimet e 'Abdu'l-Bahá-it nga duart e liga të atyre që kanë shkelur Besëlidhjen e Perëndisë.

O shërbëtore e Perëndisë! Mos fol për politikë; detyra jote ka të bëjë me jetën e shpirtit, sepse kjo, me të vërtetë, e gëzon njeriun në botën e Perëndisë. Përveçse të folurit mirë për ta, mos i përmend mbretërit e tokës dhe qeveritë e kësaj bote. Përkundrazi, kufizoje fjalën tënde në përhapjen e lajmit të gëzuar të Mbretërisë së Perëndisë, për të treguar ndikimin e Fjalës së Perëndisë dhe shenjtërinë e Kauzës së Perëndisë. Fol për gëzimin e pareshtur dhe kënaqësitë shpirtërore, për cilësitë e perëndishme dhe sesi mbi horizontet e tokës ka lindur Dielli i së Vërtetës: fol për fryrjen e frymës së jetës në trupin e botës.

54. Ju shkruanit për takimet e miqve dhe sesi këta janë të mbushur gjithë paqe e gëzim. Sigurisht që kështu është; sepse kurdoherë që njerëzit me mendësi shpirtërore mblidhen së bashku, atje mbretëron Bahá'u'lláh-u me bukurinë e Tij. Është, pra, e sigurt që të tilla takime sjellin lumturi e paqe të pafund.

Sot të gjithë pa përjashtim duhet të heqin dorë nga përmendja e gjithçkaje tjetër dhe të shpërfillin të gjitha gjërat. Fjala e tyre, gjendje tyre e brendshme le të përmblidhen kështu: 'T'i kufizoj të gjitha fjalët e mia të lutjes e të lavdërimit në një refren të vetëm; ta bëj gjithë jetën time vetëm e vetëm nënshtrim ndaj Teje'. Domethënë, le t'i përqendrojnë ata të gjitha mendimet, të gjitha fjalët e tyre në të mësuarit e Kauzës së Perëndisë, në përhapjen e Besimit të Perëndisë dhe në frymëzimin e të gjithëve që ta karakterizojnë vetveten me karakteristikat e Perëndisë; që ta duan njerëzimin; që të jenë të dëlirë e të shenjtë në të gjitha gjërat dhe të panjollë në jetën e tyre publike e private; që të jenë të drejtë e të çliruar nga interesi vetjak, të zellshëm e të zjarrtë. Gjithçka duhet flakur tej, përveç kujtimit të Perëndisë; asgjë nuk duhet lavdëruar, përveç lavdërimit të Tij. Sot, nën këtë melodi të Grupimit të epërm, bota do të hidhet e kërcejë: 'Lëvduar qoftë Zoti im, Lavdiploti!' Veç dijeni këtë: përveç kësaj kënge të Perëndisë, asnjë këngë nuk do ta gjallërojë botën, dhe përveç këtij ligjërimi bilbili të së vërtetës që vjen nga Kopshti i Perëndisë, asnjë melodi tjetër nuk do ta joshë zemrën. 'Prej nga vjen ky Këngëtar Që thotë emrin e të Shumëdashurit?'

55. Miqve u ka hije të bëjnë një mbledhje, një takim, ku t'i thurin lavde Perëndisë dhe t'i ngulitin zemrat tek Ai, të lexojnë e recitojnë Shkrimet e Shenjta të Bukurisë së Bekuar - qoftë shpirti im shpërblesë për ata që E duan! Dritat e Mbretërisë Lavdiplote, rrezet e Horizontit Suprem, do të derdhen mbi këto kuvende kaq të ndritshme, sepse ato janë pikërisht Mashrekol Azkarët [Mashriqu'l-Adhkár, Shtëpia e Adhurimit], Pikagimet e Kujtesës së Perëndisë, të cilat, nën drejtimin e Penës Më të Lartësuar, duhet të krijohen në çdo vendbanim e qytet ... Këto mbledhje shpirtërore duhet të mbahen me dëlirësinë e përkushtimin më të madh, që nga vetë vendi, toka dhe ajri rreth tij, njeriu të thithë flladet erëmira të Frymës së Shenjtë.

56. Kudo që një grup njerëzish mblidhen në një vend takimi, i thurin lavde Perëndisë dhe flasin me njëri-tjetrin për misteret e Perëndisë, pa pikë dyshimi flladet e Frymës së Shenjtë do të fryjnë butësisht mbi ta, dhe secili do të marrë pjesë prej tyre.

57. Kemi marrë vesh se ti ke ndërmend të stolisësh herë pas here shtëpinë tënde me një takim të Bahá'í-ve, ku disa prej tyre do t'i thurin lavde Zotit Lavdiplotë ... Dije se po e realizove këtë, ajo shtëpi balte do të bëhet një shtëpi qielli dhe ajo ndërtesë guri një kongres i shpirtit.

58. Ti ke pyetur për vendet e adhurimit dhe për arsyen që qëndron në themel të kësaj. Urtia e ngritjes së ndërtesave të tilla është që në një orë të caktuar njerëzit ta dinë se është koha të takohen, të mblidhen të gjithë së bashku dhe, të akorduar harmonikisht me njëri-tjetrin, të angazhohen në lutje; rezultati do të jetë që nga kjo mbledhje së bashku do të rriten e lulëzojnë uniteti e dashuria në zemrat e njerëzve.

59. 'Abdu'l-Bahá-i prej kohësh ka ushqyer dëshirën që në atë trevë të ngrihet një Mashrekol Azkar [Mashriqu'l-Adhkár, Shtëpia e Adhurimit]. Lëvduar qoftë Perëndia, që falë përpjekjeve energjike të miqve, këto kohët e fundit është njoftuar lajmi i gëzuar për këtë. Ky shërbim është tepër i pranueshëm në Pragun e Perëndisë, sepse Mashrekol Azkari i frymëzon ata që e duan Perëndinë dhe kënaq zemrat e tyre, i bën ata të jenë të patundur e të vendosur.

Kjo është një çështje me rëndësi shumë të madhe. Nëse ngritja e Shtëpisë së Adhurimit në një vend publik do të nxiste armiqësinë e keqbërësve, atëherë në çdo lokalitet takimet duhen bërë në ndonjë vend të fshehtë. Madje edhe në çdo vendbanim duhet të ketë mënjanë një vend që të shërbejë si Mashrekol Azkar, qoftë edhe nën tokë.

Tani, lëvduar qoftë Perëndia, ju e keni arritur këtë. Përkushtojuni kujtimit të Perëndisë në agim; ngrihuni për Ta nderuar e për t'i thurur lavdi Atij. Qofshi të bekuar dhe gëzimi qoftë me ju, O ju njerëz të drejtë, që keni ngritur Pikë-Agimin e Lëvdimit të Perëndisë. Me të vërtetë, i kërkoj Zotit që t'ju bëjë emblema shpëtimi e flamuj shëlbimi, që valëviten mbi kodra e lugina.

60. Edhe pse në pamje të jashtme Mashrekol Azkari [Mashriqu'l-Adhkár, Shtëpia e Adhurimit] është një strukturë materiale, ajo ka efekt shpirtëror. Ajo farkëton lidhje të unitetit nga zemra në zemër; ajo është një qendër që bashkon shpirtat e njerëzve. Çdo qytet, në të cilin gjatë kohës së Manifestimit është ngritur një tempull, ka krijuar siguri, qëndrueshmëri e paqe, sepse ndërtesa të tilla janë bërë për madhërimin e përjetshëm të Perëndisë dhe zemra mund të gjejë prehje vetëm duke kujtuar Perëndinë. Perëndi Mëshirëplotë! Godina e Shtëpisë së Adhurimit ka një ndikim të fuqishëm në çdo fazë të jetës. Përvoja në lindje e ka provuar qartë se ky është një fakt. Madje edhe sikur në ndonjë fshat të vogël, të caktohet një banesë si Mashriqu'l-Adhkár, ajo jep një efekt të dukshëm; dhe sa herë më i madh do të ishte ndikimi i një të tille të ngritur posaçërisht.

61. O Zot, O Ti Që bekon të gjithë ata që qëndrojnë të vendosur në Besëlidhje, duke i bërë të aftë që, nga dashuria e tyre për Dritën e Botës, të shpenzojnë gjithçka kanë si blatim për Mashrekol Azkarin [Mashriqu'l-Adhkár, Shtëpia e Adhurimit], agimin e rrezatimeve të Tua që përhapen gjerësisht dhe kumtuesin e dëshmive të Tua, ndihmo që, si në këtë botë dhe në botën e ardhshme, këta njerëz të ndershëm, të drejtë e të devotshëm të afrohen gjithnjë e më shumë te Pragu Yt i shenjtë dhe bëji fytyrat e tyre të ndritin me shkëlqimet e Tua verbuese.

Me të vërtetë, Ti je Zemërgjeri, Gjithmonëdhuruesi.

62. O bija ime e shumëdashur e Mbretërisë! Letra që ti i ke shkruar Dr. Esslemontit u dërgua prej tij në Tokën e Dëshirës [Toka e Shenjtë]. Unë e lexova atë të gjithë me vëmendjen më të madhe. Nga një anë, u preka thellësisht, sepse ti i ke prerë flokët e tu të mrekullueshëm me gërshërët e shkëputjes nga kjo botë e të vetëflijimit në shtegun e Mbretërisë së Perëndisë. Ndërsa nga ana tjetër, u kënaqa së tepërmi, sepse kjo bijë e shumëdashur ka treguar një shpirt kaq të madh vetëflijimi sa të ofronte një pjesë aq të çmuar të trupit të saj në shtegun e Kauzës së Perëndisë. Po të kishe kërkuar mendimin tim, unë kurrsesi nuk do të kisha pranuar që ti të prisje qoftë edhe një fije të vetme të flokëve të tua të bukur e tërë onde; përkundrazi, unë vetë do të kontribuoja në emrin tënd për Mashrekol Azkarin [Mashriqu'l-Adhkár, Shtëpia e Adhurimit]. Megjithatë, kjo vepër e jote është një dëshmi elokuente e shpirtit tënd fisnik të vetëflijimit. Ti me të vërtetë ke flijuar jetën tënde, dhe të mëdha do të jenë rezultatet shpirtërore që do të arrish. Të jesh e sigurt se nga dita në ditë ti do të përparosh e do të bëhesh më e madhe për nga vendosmëria e qëndrueshmëria. Dhuntitë e Bahá'u'lláh-ut do të të rrethojnë dhe lajmet e gëzuara nga lart do të të vijnë vazhdimisht. Edhe pse janë flokët e tu që ti flijove, ti do të mbushesh me Frymën, dhe ndonëse flijove këtë pjesë të vdekshme të trupit tënd në shtegun e Perëndisë, ti do të gjesh Dhuratën Hyjnore, do të shohësh Bukurinë Qiellore, do të fitosh lavdi të pavdekshme dhe do të arrish jetën e pasosur".

63. O ju shpirtra të bekuar!5 Letrën që i kishit dërguar Rahmatollahut [Raḥmatu'lláh] e kemi lexuar me vëmendje. Të shumta e të larmishme ishin lajmet e gëzuara që përcillte ajo, e konkretisht se falë fuqisë së besimit e qëndrueshmërisë në Besëlidhje, janë bërë një numër i madh mbledhjesh dhe të dashurit janë kudo në lëvizje e aktivë.

Dëshira e zjarrtë e 'Abdu'l-Bahá-it ka qenë kurdoherë që toka e atij vendi të shenjtë, e cila që në ditët më të hershme të Kauzës është përtëritur e ka bleruar me reshjet e hirshme pranverore, të çelë e lulëzojë aq sa të mbushë me gëzim çdo zemër.

Lavdi Zotit, që Kauza e Perëndisë është shpallur dhe mbështetur anembanë Lindjes e Perëndimit në një mënyrë të tillë që asnjë mendje nuk e kishte konceptuar ndonjëherë se aromat e këndshme të Zotit do të kundërmonin kaq shpejt të gjitha viset. Kjo, në të vërtetë, u detyrohet vetëm dhuntive të përkryera të Bukurisë përgjithmonë të bekuar, hiri dhe forca triumfuese e të Cilit shfaqen vazhdimisht me bollëk.

Një ndër ngjarjet më të mrekullueshme që ka ndodhur kohët e fundit është se godina e Mashrekol Azkarit [Mashriqu'l-Adhkár, Shtëpia e Adhurimit] po ngrihet në vetë zemrën e kontinentit Amerikan dhe shpirtra të shumtë nga viset rreth e qark po kontribuojnë për ngritjen e këtij Tempulli të shenjtë. Midis tyre është një zonjë tepër e nderuar nga qyteti i Mançesterit, e cila ka ndier shtysën të ofrojë pjesën e saj.

Duke mos pasur kurrfarë të mirash apo pasurish tokësore, ajo preu me dorën e vet flokët e saj të bukur, të gjatë e të çmuar, që stolisnin aq hijshëm kokën e saj, dhe i vuri ato në shitje, që çmimi i tyre të mbështeste kauzën e Mashrekol Azkarit.

Mendoni që, ndonëse në sytë e grave nuk ka asgjë më të vyer se flokët e derdhur e me onde, ajo zonjë tepër e nderuar, pa e marrë parasysh këtë, ka treguar një shpirt kaq të rrallë e të bukur vetëflijimi.

Dhe megjithëse asaj nuk i ishte kërkuar kjo, dhe 'Abdu'l-Bahá-i nuk do ta kishte miratuar një bëmë të tillë, prapëseprapë duke qenë se kjo gjë tregoi një shpirt kaq të lartë e fisnik përkushtimi, Ai u prek thellë prej saj. Sado të vyer qofshin flokët në sytë e grave perëndimore, madje më të çmuar se vetë jeta, ajo i ofroi ato si një flijim për kauzën e Mashrekol Azkarit!

Tregojnë se dikur, në kohën e Apostullit të Perëndisë6, Ai shprehu dëshirën që një ushtri të avanconte në një drejtim të caktuar dhe u dha lejë besnikëve të mblidhnin kontribute për luftën e shenjtë. Midis shumë njerëzve ishte një burrë që dha një mijë deve, secila e ngarkuar me drithë, një tjetër dha gjysmën e kamjes së tij, dhe një tjetër akoma dha gjithçka që kishte. Por një grua në moshë të thyer, i vetmi zotërim i së cilës ishte një dorë hurmash arabie, erdhi tek Apostulli dhe vendosi te këmbët e Tij kontributin e saj modest. Menjëherë pas kësaj, Profeti i Perëndisë - u bëftë fli jeta ime për Të - porositi që kjo dorë hurmash të vendosej përpara e mbi të gjitha kontributet që ishin mbledhur, duke shpallur kështu meritën dhe epërsinë e tij përmbi gjithë të tjerat. Kjo u bë sepse ajo grua e moshuar nuk kishte kurrfarë pasurie tjetër tokësore veç tyre.

Dhe po kështu, kjo zonjë e nderuar nuk kishte asgjë tjetër që të kontribuonte, veç flokëve të saj të çmuar, dhe ato ajo i flijoi me lavdi për kauzën e Mashkrekol Azkarit.

Gjykoni e reflektoni sa e madhe dhe e fuqishme është bërë Kauza e Perëndisë! Një grua nga perëndimi ka dhënë flokët e saj për lavdinë e Mashkrekoll Azkarit.

Madje ky është një mësim për ata që kuptojnë.

Si përfundim, unë jam shumë i kënaqur me të dashurit në Naxhaf-Abad, sepse qysh nga ditët më të hershme të agimit të Kauzës e deri më sot ata të gjithë pa përjashtim e në çdo rrethanë kanë treguar një shpirt të madh vetëflijimi.

Zajnol Mokarrabini [Zaynu'l-Muqarrabín] gjithë jetën e tij është lutur me tërë sinqeritetin e shpirtit të tij të panjollë në emër të besimtarëve në Naxhaf-Abadit dhe është përgjëruar duke kërkuar për ta hirin e Perëndisë dhe konfirmimin e Tij hyjnor.

Lavdi Zotit që lutjet e këtij shpirti të hirshëm kanë marrë përgjigje, sepse efektet e tyre janë shfaqur kudo.

64. Mashrekol Azkari [Mashriqu'l-Adhkár, Shtëpia e Adhurimit] është një nga institucionet më jetësore në botë dhe ka shumë degë vartëse. Megjithëse është një Shtëpi Adhurimi, ajo lidhet, gjithashtu, me një spital, një farmaci barnash, një bujtinë udhëtarësh, një shkollë për jetimët dhe një universitet për studime të larta. Çdo Mashrekoll Azkar lidhet me këto pesë gjëra. Kam shpresë se Mashrekoll Azkar-i do të krijohet tashmë në Amerikë dhe se gradualisht do të pasohet nga spitali, shkolla, universiteti, farmacia e bujtina dhe të gjitha të funksionojnë sipas procedurave më efektive e më të rregullta. Njoftojani këto gjëra të dashurve të Zotit, që ata të kuptojnë sa pamasë e madhe është rëndësia e këtij 'Pikë-Agimi të Kujtimit të Perëndisë'. Tempulli nuk është vetëm një vend për adhurim; përkundrazi, ai është i plotë e tërësor në çdo aspekt.

O ti shërbëtore e dashur e Perëndisë! Vetëm sikur ta dije se ç'pozitë e lartë u është caktuar atyre shpirtrave që janë të ndarë nga bota, që janë të dhënë fuqimisht pas Besimit dhe po mësojnë njerëzit nën hijen mbrojtëse të Bahá'u'lláh-ut. Sa do të gëzoheshe ti, me sa ngazëllim e magjepsje do t'i hapje ti krahët e të fluturoje drejt qiellit - duke qenë ndjekëse e një udhe të tillë dhe udhëtare drejt një Mbretërie të tillë.

Përsa i përket terminologjisë që unë kam përdorur në letrën time, duke të ftuar t'i përkushtohesh shërbimit të Kauzës së Perëndisë, kuptimi është ky: përqendroi mendimet e tua tek mësimi i Besimit të tjerëve. Vepro ditë e natë sipas mësimeve, këshillave e porosive të Bahá'u'lláh-ut. Kjo nuk e pengon martesën. Ti mund të marrësh një burrë dhe në të njëjtën kohë t'i shërbesh Kauzës së Perëndisë; njëra nuk e përjashton tjetrën. Dije vlerën e këtyre ditëve; mos e lër të të ikë nga duart ky rast. Lutju Perëndisë të të bëjë një qiri të ndritshëm, që të udhëheqësh një mori të madhe njerëzish përmes kësaj bote të errët.

65. O ti shërbëtore e pëlqyer e Mbretërisë qiellore! Letrën tënde e mora. Ajo përcjell aspirata të larta e qëllime fisnike, kur thotë se ti ke ndërmend të bësh një udhëtim në Lindjen e Largët dhe se je gati të përballosh mundime të mëdha, me qëllim që të udhëheqësh shpirtrat e të përhapësh anembanë lajmin e gëzuar të Mbretërisë së Perëndisë. Ky qëllim tregon se ti, shërbëtore e dashur e Perëndisë, ushqen atë më fisnikun ndër të gjithë synimet.

Kur jep lajmin e gëzuar, fol hapur dhe thuaj: I Premtuari i të gjithë popujve të botës tani është shfaqur. Sepse të gjithë popujt pa përjashtim dhe çdo fe pret një Të Premtuar, dhe Bahá'u'lláh-u është i Premtuari që pritet nga të gjithë; e për këtë arsye Kauza e Bahá'u'lláh-ut do të sjellë njëshmërinë e njerëzimit, tenda e unitetit do të ngrihet mbi lartësitë e botës dhe flamujt e universalitetit të mbarë njerëzimit do të shpalosen në majat më të larta të tokës. Kur të zgjidhësh gjuhën për të përhapur këtë lajm të mirë kaq të madh, kjo do të bëhet mjeti për mësimin e njerëzve.

Megjithatë, udhëtimi i planifikuar është për në një vend tepër të largët dhe po të mos kesh një grup njerëzish ku të mbështetesh, lajmi i gëzuar nuk do të ketë shumë efekt në atë vend. Nëse e mendon mirë, në fillim udhëto për në Persi dhe në kthim shko në Japoni e Kinë. Kështu duket se do të ishte shumë më mirë e më e këndshme. Sidoqoftë, bëj ashtu si të duket e mundshme dhe kjo do të miratohet.

66. O ti që ke kërkuar ndriçim prej dritës së udhërrëfimit! Lëvdo Perëndinë që të ka drejtuar te drita e së vërtetës dhe të ka ftuar të hysh në Mbretërinë Abhá. Vështrimi yt është ndriçuar dhe zemra jote është kthyer në një kopsht trëndafilash. Lutem për ty që të rritesh kurdoherë në besim e siguri, të shkëlqesh si një pishtar në kuvendet dhe t'u dhurosh atyre dritën e udhërrëfimit.

Sa herë që mblidhet një kuvend i ndriçuar i miqve të Perëndisë, 'Abdu'l-Bahá-i, edhe pse mungon trupërisht, është gjithnjë i pranishëm me mendje e shpirt. Unë gjithmonë jam udhëtar drejt Amerikës dhe sigurisht jam i lidhur me miq shpirtërorë e të ndriçuar. Largësia është e papërfillshme dhe nuk e pengon lidhjen e ngushtë e intime midis dy shpirtrash që janë të pandarë me zemër, edhe pse mund të jenë në dy vende të ndryshme. Unë jam, pra, shoku yt i ngushtë, në akord e harmoni me shpirtin tënd.

67. O ti zonjë e Mbretërisë! Letrën tënde dërguar nga Nju Jorku e mora. Përmbajtja e saj sjell gëzim e kënaqësi, sepse ajo tregon që ti, me vendosmëri të madhe e me synim të pastër, ke ndërmend të udhëtosh për në Paris, që të mund të ndezësh në atë qytet të heshtur zjarrin e dashurisë për Perëndinë dhe në mes të asaj errësire të natyrës të ndritësh si një qiri plot shkëlqim. Ky udhëtim është tepër i lavdërueshëm e i përshtatshëm. Kur të arrish në Paris, duhet të përpiqesh që, sado i vogël të jetë numri i miqve, të krijosh kuvendin e Besëlidhjes dhe të gjallërosh shpirtrat përmes fuqisë së Besëlidhjes.

Parisi është tej mase i dëshpëruar, është në një gjendje topitjeje dhe deri tani nuk ka shpërthyer në flakë, megjithëse kombi francez është një komb aktiv e i gjallë. Por bota e natyrës ka shtrirë plotësisht tendën e saj mbi Paris dhe i ka zhdukur ndjenjat fetare. Por kjo forcë e Besëlidhjes do të ngrohë çdo shpirt të ngrirë, do t'i dhurojë dritë çdo gjëje të errët dhe do t'i sigurojë atyre që janë robër të natyrës lirinë e vërtetë të Mbretërisë.

Ngrihu tani në Paris me fuqinë e Mbretërisë, me konfirmimin hyjnor, me zell e hov të vërtetë dhe me flakën e dashurisë për Perëndinë. Ulëri si luan dhe trego aq ngazëllim e dashuri mes atyre pak shpirtrave, që lavdërimi e lavdia të arrijnë tek ti prej Mbretërisë hyjnore dhe konfirmime të fuqishme të zbresin mbi ty. Ji e sigurt. Në qoftë se vepron kështu dhe ngre flamurin e Besëlidhjes, Parisi do të shpërthejë në flakë. Qëndro vazhdimisht në lidhje dhe kërko gjithmonë konfirmimet e Bahá'u'lláh-ut, sepse ato e kthejnë pikën në det dhe e shndërrojnë mizën në shqiponjë.

68. O ju që jeni të patundur në Besëlidhjen dhe Testamentin! Letrën tuaj e morëm dhe emrat tuaj të bekuar u lexuan njëri pas tjetrit. Përmbajtja e letrës ishte frymëzim hyjnor e dhuratë e dukshme, sepse është tregues i bashkimit të miqve dhe i harmonisë së të gjitha zemrave.

Sot favori më i shquar i Perëndisë përqendrohet rreth bashkimit e harmonisë midis miqve; në mënyrë që ky unitet e kjo harmoni të jetë shkaku i përhapjes së njëshmërisë së botës njerëzore, ta çlirojë botën nga kjo errësirë e thellë e armiqësisë e mërisë, dhe që dielli i së Vërtetës të shkëlqejë me ndriçim të plotë e të përkryer.

Sot, të gjithë njerëzit e botës janë të dhënë pas interesit vetjak dhe bëjnë të gjitha përpjekjet e orvatjet për të mbështetur interesat e veta materiale. Ata adhurojnë vetveten dhe jo realitetin hyjnor e as botën e njerëzimit. Ata kërkojnë me zell përfitime vetjake dhe jo mirëqenien e përbashkët. Kjo ndodh sepse ata janë robër të botës së natyrës dhe nuk janë në dijeni të mësimeve hyjnore, të bujarisë së Mbretërisë dhe të Diellit të së Vërtetës. Por ju, lëvduar qoftë Perëndia, jeni tani posaçërisht të favorizuar nga kjo bujari, jeni bërë ndër të zgjedhurit, jeni informuar për mësimet qiellore, keni fituar hyrjen në Mbretërinë e Perëndisë, jeni bërë bartës të bekimeve të pakufishme dhe jeni pagëzuar me Ujin e Jetës, me zjarrin e dashurisë së Perëndisë dhe me Frymën e Shenjtë.

Prandaj, përpiquni me mish e me shpirt që të bëheni qirinj të ndezur në kuvendin e botës, yje vezullues mbi horizontin e së Vërtetës e të bëheni burimi i përhapjes së dritës së Mbretërisë; në mënyrë që bota njerëzore të shndërrohet në një mbretëri hyjnore, bota e poshtme të bëhet botë e epërme, dashuria e Perëndisë dhe mëshira e Zotit të ngrenë tendën e tyre mbi kulmin e botës, shpirtrat njerëzorë të bëhen valët e oqeanit të së vërtetës, bota njerëzore të rritet në një pemë të bekuar, vargjet e njëshmërisë të këndohen dhe meloditë e shenjta të arrijnë Tubimin Suprem.

Ditë e natë Unë i lutem e i përgjërohem Mbretërisë së Perëndisë, lyp për ju ndihmë e afirmim të pafund. Mos merrni parasysh prirjet e aftësitë tuaja, por nguliteni vështrimin mbi bujarinë e përkryer, mbi blatimin dhe forcën hyjnore të Shpirtit të Shenjtë - forcën që e shndërron pikën në det dhe yllin në diell.

Lëvduar qoftë Perëndia, ushtritë e Tubimit të Epërm garantojnë fitoren dhe fuqia e Mbretërisë është gati për t'ju ndihmuar e mbështetur. Edhe sikur në çdo çast të zgjidhni gjuhën për falënderim e mirënjohje, ju nuk do të jeni në gjendje të shlyeni detyrimin e mirënjohjes për këto dhunti.

Mendoni: personazhe të shquar, fama e të cilëve është përhapur në gjithë botën, shpejt janë shuar në një hiç të plotë për shkak të privimit të tyre nga kjo bujari qiellore; ata nuk do të lënë pas as nam as nishan dhe prej tyre nuk do të mbetet asnjë frut e asnjë gjurmë. Por ndërsa shkëlqimet e Diellit të së Vërtetës kanë aguar mbi ju dhe ju keni arritur jetën e amshuar, ju do të ndritni e vezulloni përgjithmonë nga horizonti i ekzistencës.

Pjetri ishte peshkatar dhe Maria Magdalena një fshatare, por meqë ata u favorizuan posaçërisht nga bekimet e Krishtit, horizonti i besimit të tyre u ndriçua dhe deri në ditët e sotme ata po ndritin nga horizonti i lavdisë së përjetshme. Në këtë pozitë, merita dhe aftësia nuk merren parasysh; përkundrazi, duhen marrë parasysh rrezet e shkëlqyeshme të Diellit të së Vërtetës që i kanë ndriçuar këto pasqyra.

Ju më ftoni mua në Amerikë. Edhe unë digjem nga dëshira të vështroj ato fytyra të shndritshme, të bisedoj e të shoqërohem me ata miq të vërtetë. Por forca magnetike që do të më tërheqë mua drejt atyre brigjeve është bashkimi dhe harmonia e miqve, sjellja e qëndrimi i tyre në përputhje me mësimet e Perëndisë dhe vendosmëria e të gjithëve në Besëlidhjen dhe Testamentin.

O Providencë Hyjnore! Ky kuvend përbëhet prej miqve të Tu që i ka tërhequr bukuria Jote dhe janë ndezur flakë nga zjarri i dashurisë Sate. Ktheji këta shpirtra në engjëj hyjnorë, ringjalli ata me frymën e Shpirtit Tënd të Shenjtë, jepu atyre gjuhë elokuente dhe zemra të vendosura, dhuroju atyre forcë qiellore dhe ndjenja të mëshirshme, bëji ata përhapës të njëshmërisë së njerëzimit dhe burim dashurie e harmonie në botën e njerëzimit, në mënyrë që errësira e rrezikshme e paragjykimit që vjen nga mosdija të zhduket përmes dritës së Diellit të së Vërtetës, që kjo botë e zymtë të ndriçohet, kjo mbretëri materiale të thithë rrezet e botës së shpirtit, këto ngjyra të ndryshme të shkrihen në një ngjyrë të vetme dhe melodia e lavdërimit të ngrihet deri në mbretërinë e shenjtërisë Sate.

Me të vërtetë, Ti je i Gjithëpushtetshmi e Fuqiploti!

69. Ti ke shkruar në lidhje me organizimin. Mësimet hyjnore dhe këshillat e porositë e Bahá'u'lláh-ut janë fare të qarta. Këto përbëjnë organizimin e Mbretërisë dhe zbatimi i tyre është i detyrueshëm. Devijimi më i vogël prej tyre është gabim absolut.

Ti ke shkruar lidhur me udhëtimin tim në Amerikë. Po të mund të shihje sesi dallgëzohen valët e punës së vazhdueshme, ti do të mendoje se koha për udhëtim mungon absolutisht; gjatë qëndrimit në një vend të caktuar edhe prehja e pjesshme është madje e pamundur. Dashtë Perëndia, unë besoj se falë bujarisë së Bahá'u'lláh-ut, sapo të sigurohen mjetet për qetësimin e mendjes e të zemrës, unë do të vendos të udhëtoj dhe do të të informoj për këtë.

70. O ti qiri i ndezur! Letrën tënde e mora. Përmbajtja e saj më jep kënaqësi shpirtërore, sepse ajo përshkohet nga ndjenja shpirtërore dhe tregon joshjen e zemrës sate, lidhjen me Mbretërinë e Perëndisë dhe dashurinë për mësimet e Tij hyjnore.

Me të vërtetë, ti bën përpjekje të mëdha, ke një qëllim të dëlirë e të shenjtëruar, ti nuk dëshiron gjë tjetër veç pëlqimit të Perëndisë, nuk kërkon asgjë veç arritjes së bujarive të pakufizuara, je i angazhuar në përhapjen e mësimeve hyjnore dhe shpjegimin e problemeve të errëta metafizike. Kam shpresë se me pëlqimin e Bahá'u'lláh-ut, ti dhe gruaja jote e respektuar do të rriteni çdo ditë për nga këmbëngulja e vendosmëria, që në atë tokë të lavdëruar ju të bëheni dy flamuj të ngritur dhe dy drita të shkëlqyera.

Udhëtimi i gjatë në tetor, në veri, jug, lindje e perëndim, i shoqëruar nga ai qiri i dashurisë së Perëndisë, Znj. Maksuell [Maxwell], do të ishte tepër i pranueshëm. Shpresoj se ajo të shërohet plotësisht; kjo shërbëtore e dashur e Perëndisë është si një flakë zjarri dhe ditë e natë nuk mendon për asgjë tjetër veç shërbimit ndaj Perëndisë. Tani për tani, udhëtoni nëpër shtetet e veriut dhe në stinën e dimrit nxitoni drejt shteteve të jugut. Shërbimi juaj duhet të përbëhet prej fjalimesh elokuente të mbajtura në mbledhje, ku ju mund të shpallni mësimet hyjnore. Nëse është e mundur, ndërmerrni ndonjëherë një udhëtim për në Ishujt Havai.

Ngjarjet që kanë ndodhur janë të gjitha të dokumentuara pesëdhjetë vjet më parë në Tabelat Bahá'u'lláh-ut - Tabela që janë shtypur, botuar e përhapur në mbarë botën. Mësimet e Bahá'u'lláh-ut janë drita e kësaj epoke dhe shpirti i këtij shekulli. Shpjegojeni secilin prej tyre në çdo mbledhje.

I pari është kërkimi i së vërtetës,
I dyti, njëshmëria e njerëzimit,
I treti, paqja universale,

I katërti, pajtimi midis shkencës dhe revelacionit hyjnor,

I pesti, braktisja e paragjykimeve raciale, fetare, tokësore e politike, paragjykime që shkatërrojnë themelet e njerëzimit,

I gjashti është virtytshmëria dhe drejtësia,

I shtati, përmirësimi i moralit dhe edukimi hyjnor,

I teti, barazia e dy gjinive,
I nënti, përhapja e dijeve dhe e arsimit,
I dhjeti, çështjet ekonomike,

e kështu me radhë. Përpiquni që shpirtrat të arrijnë dritën e udhërrëfimit dhe të mbahen fort pas cepit të rrobës së Bahá'u'lláh-ut.

Letrën që ti kishe dërguar e lexova. Kur shpirti i njeriut është i zgjedhur e i pastër, vendosen lidhje shpirtërore dhe prej këtyre lidhjeve lindin ndjenja që i ndjen zemra. Zemra njerëzore i përngjet një pasqyre. Kur ajo pastrohet, zemrat njerëzore akordohen e pasqyrojnë njëra-tjetrën, dhe kështu lindin emocionet shpirtërore. Kjo është si bota e ëndrrave, kur njeriu shkëputet nga gjërat e prekshme dhe përjeton ato të shpirtit. Ç'ligje të çuditshme veprojnë dhe ç'zbulime të shquara bëhen! Madje mund të ndodhë që regjistrohen komunikime të hollësishme ...

Më në fund, shpresoj që në Çikago miqtë të bashkohen e ta ndriçojnë atë qytet, sepse atje është shfaqur agimi i Kauzës dhe nga kjo buron parapëlqimi i tij mbi qytetet e tjera. Prandaj ai duhet parë me respekt; ndoshta, dashtë Perëndia, ai do të çlirohet nga të gjitha dhimbjet shpirtërore, do të gëzojë shëndet të plotë e do të bëhet një qendër e Besëlidhjes dhe e Testamentit.

71. O ti shërbëtore e dashur e Perëndisë! Letrën tënde e morëm dhe përmbajtja e saj zbulonte faktin që miqtë, me energji e vitalitet të plotë, janë të angazhuar në përhapjen e mësimeve qiellore. Ky lajm ka shkaktuar gëzim e kënaqësi të thellë. Sepse çdo epokë ka një shpirt; shpirti i kësaj epoke të shndritshme qëndron në mësimet e Bahá'u'lláh-ut. Sepse ato hedhin themelin e njëshmërisë së botës së njerëzimit dhe shpallin vëllazërimin mbarëbotëror. Ato mbështeten mbi unitetin e shkencës e të fesë dhe mbi kërkimin e së vërtetës. Ato i përmbahen parimit që feja duhet të jetë burim miqësie, bashkimi e harmonie midis njerëzve. Ato vendosin barazinë e të dy gjinive dhe parashtrojnë parime ekonomike që janë për lumturinë e individëve. Ato përhapin arsimin universal, në mënyrë që çdo shpirt, me aq sa është e mundur, të ketë dije. Ato shfuqizojnë e zhvleftësojnë paragjykimet fetare, raciale, politike, patriotike, ekonomike e të tjera si këto. Ato mësime, që gjenden të shpërndara në Letrat e Tabelat, janë burimi i ndriçimit dhe jeta e botës së njerëzimit. Kushdo që i shpall ato, me të vërtetë do të ndihmohet nga Mbretëria e Perëndisë.

Presidenti i Republikës, Dr. Wilson-i, po i shërben me të vërtetë Mbretërisë së Perëndisë, sepse ai është i palodhur dhe përpiqet natë e ditë që të drejtat e të gjithë njerëzve të ruhen të sigurta e të garantuara, që edhe kombet e vegjël, ashtu si të mëdhatë, të rrojnë në paqe e qetësi, nën mbrojtjen e virtytshmërisë e të drejtësisë. Ky është me të vërtetë një qëllim i lartë. Kam besim se Providenca e pakrahasueshme do t'i ndihmojë e afirmojë shpirtra të tillë në të gjitha rrethanat.

72. O ti mik i vërtetë! Lexoji, në shkollën e Perëndisë, mësimet e shpirtit, dhe mëso nga Mësuesi i dashurisë të vërtetat më të brendshme. Kërko të fshehtat e Qiellit dhe trego për mirësinë e favorin e pasosur të Perëndisë.

Megjithëse zotërimi i shkencave e i mjeshtrive është lavdia më e madhe e njerëzimit, kjo është kështu vetëm në rast se lumi i njeriut rrjedh në Detin e fuqishëm dhe merr prej burimit të lashtë të Perëndisë frymëzimin e Tij. Kur ndodh kjo, atëhere çdo mësues është një oqean i paanë dhe çdo nxënës një burim i pakursyer dijesh. Atëherë, nëse kërkimi i dijes çon te bukuria e Atij Që është Objekti i çdo Dije, sa i shkëlqyer është ky qëllim; por nëse jo, një pikëz e thjeshtë ndoshta do ta lërë njeriun jashtë atij hiri që vërshon, sepse bashkë me diturinë vjen arroganca e krenia, që çon në gabime e në mospërfillje ndaj Perëndisë.

Shkencat e kësaj bote janë pikëza realiteti; nëse ato nuk çojnë te realiteti, ç'fryt mund të vijë nga iluzioni? Për Perëndinë e vërtetë, Që është një! Nëse dituria nuk është një mjet për të arritur tek Ai, Më i Dukshmi, ajo s'është tjetër veçse një humbje që duket sheshit.

Është detyra jote të zotërosh degët e ndryshme të dijes dhe ta kthesh fytyrën ndaj bukurisë së Bukurisë së Shfaqur, që ti të jesh një shenjë e udhërrëfimit shpëtimtar midis njerëzve të botës dhe një vatër e të kuptuarit në këtë sferë, nga e cila të urtët e urtia e tyre janë lënë jashtë, me përjashtim të atyre që kanë shkelur në Mbretërinë e dritave e janë vënë në dijeni të misterit të mbuluar e të fshehur, të sekretit të mirëruajtur.

73. O bijë e Mbretërisë! Letra jote ka ardhur dhe përmbajtja e saj bën të qartë faktin që ti i ke drejtuar të gjitha mendimet e tua drejt marrjes së dritës prej mbretërive të misterit. Sakohë që mendimet e një individi janë të hallakatura, ai nuk do të ketë rezultate, por nëse mendimi i tij është i përqendruar në një pikë të vetme, frytet e tij do të jenë të mrekullueshme.

Njeriu nuk mund të marrë tërë forcën e dritës së diellit kur ajo bie mbi një pasqyrë të sheshtë, por kur dielli ndriçon mbi një pasqyrë të lugët, ose mbi një lente të mysët, gjithë nxehtësia e tij përqendrohet në një pikë të vetme dhe ajo pikë e vetme do të djegë më me nxehtësi. Është, pra, e nevojshme që mendimi i njeriut të përqendrohet mbi një pikë të vetme, që ai të bëhet një forcë efektive.

Ti kishe dëshirë ta festonit Ditën e Rezvanit [Riḍván] me një gosti e që gjithë të pranishmit atë ditë të recitonin me kënaqësi e gëzim Tabela, dhe më kërkoje të të dërgoj një letër për ta lexuar atë ditë. Letra ime është kjo:

O ju të dashur e ju shërbëtore të të Mëshirshmit! Kjo është dita kur mbi horizontin e jetës lindi Dielli i së Vërtetës dhe lavdia e tij u përhap, dhe vezullimi i tij ndriçoi me aq forcë sa i çau grumbujt e reve të dendura dhe u ngjit në qiejt e botës me tërë shkëlqimin e tij. Ja përse ju shihni një zgjim të ri në të gjitha gjërat e krijuara.

Shikoni sesi sot është zgjeruar hapësira e shkencave dhe e arteve, ç'përparime teknike të mahnitshme janë kryer, ç' shkallë të lartë ka arritur fuqia mendore dhe çfarë shpikjesh të habitshme janë bërë.

Kjo epokë është me të vërtetë sa për njëqind epoka të tjera: sikur ju ta mblidhnit prodhimin e njëqind epokave dhe ta vendosnit përballë prodhimit të akumuluar të kohës sonë, prodhimi i vetëm kësaj ere do të rezultonte më i madh se ai i të njëqind epokave të mëparshme. Merrni, për shembull, shumën e përgjithshme të librave të shkruar në epokat e shkuara dhe krahasojeni me librat e traktatet që ka krijuar era jonë: këta libra, të shkruar vetëm në kohën tonë, e tejkalojnë së tepërmi numrin e përgjithshëm të vëllimeve që janë shkruar gjatë epokave. Shikoni sa i fuqishëm është ndikimi që ushtron Dielli i botës mbi thelbin e brendshëm të të gjitha gjërave të krijuara!

Por mjerisht, një mijë herë mjerisht! Sytë atë nuk e shohin, veshët janë të shurdhër, dhe zemrat e mendjet janë të pavëmendshme ndaj këtij blatimi suprem. Përpiquni, pra, me mish e me shpirt, të zgjoni ata që dremitin, t'i bëni të verbrit të shohin dhe të vdekurit të ngrihen.

74. O zog që i këndon me ëmbëlsi Bukurisë Abha! Në këtë dispensacion të ri e të mahnitshëm perdet e bestytnisë janë grisur dhe paragjykimet e popujve lindorë janë dënuar. Midis disa kombeve të Lindjes muzika konsiderohej e qortueshme, por në këtë erë të re Drita e Shfaqur ka shpallur në mënyrë të posaçme në Tabelat e Tij të shenjta se muzika, e kënduar ose e luajtur, është ushqim shpirtëror për shpirtin dhe zemrën.

Arti i muzikantit është ndër ato arte që meritojnë vlerësimin më të lartë, ai prek zemrat e të gjithë atyre që janë të brengosur. Prandaj, O ti Shahnáz7, luaj e këndo fjalët e shenjta të Perëndisë me tone të mahnitshme në mbledhjet e miqve, që dëgjuesi të çlirohet nga vargonjtë e merakut e të brengosjes dhe shpirti i tij të hidhet nga gëzimi e të përunjet në lutje ndaj mbretërisë së Lavdisë.

75. Përpiquni me mish e me shpirt që të sillni bashkim e harmoni midis të bardhëve e zezakëve dhe provoni në këtë mënyrë unitetin e botës Bahá'í, ku nuk ka vend për dallime ngjyre, por merren në konsideratë vetëm zemrat. Lëvduar qoftë Perëndia, zemrat e miqve janë të bashkuara e të lidhura me njëra-tjetrën, qofshin ata nga lindja apo perëndimi, nga veriu apo jugu, qofshin ata gjermanë, francezë, japonezë, amerikanë, qofshin të racës së bardhë, të zezë, të kuqe, të verdhë apo kafe. Dallimet e ngjyrës, të vendit e të racës nuk kanë rëndësi për Besimin Bahá'í; përkundrazi, uniteti Bahá'í i kapërcen të gjitha ato dhe i flak të gjitha këto fantazira e imagjinata.

76. O ti që ke një zemër të ndriçuar! Ti je si bebja e syrit, si vetë burimi i dritës, sepse dashuria e Perëndisë ka hedhur rrezet e saj mbi qenien tënde më të thellë dhe ti e ke kthyer fytyrën drejt Mbretërisë së Zotit tënd.

E thellë është në Amerikë urrejtja midis zezakëve e të bardhëve, por kam shpresë se fuqia e Mbretërisë do t'i lidhë ata me miqësi dhe do t'u shërbejë si balsam shërues.

Le të mos shohin ata ngjyrën e njeriut, por zemrën e tij. Në qoftë se zemra është e mbushur me dritë, ai njeri është pranë pragut të Zotit të Tij; por në qoftë se jo, ai njeri, qoftë i bardhë apo i zi, është i pavëmendshëm ndaj Zotit të Tij.

77. O ti shërbëtore e nderuar e Perëndisë! Letrën tënde nga Los Anxhelos e mora. Falëndero Providencën hyjnore që ti ke pasur ndihmë në shërbim dhe ke bërë të përhapet njëshmëria së botës së njerëzimit, në mënyrë që errësira e dallimeve midis njerëzve të davaritet dhe tenda e unitetit të kombeve të lëshojë hijen e saj mbi të gjitha viset. Pa një unitet të tillë, prehja dhe qetësia, paqja dhe pajtimi universal janë të paarritshme. Ky shekull i ndriçuar ka nevojë e fton për përmbushjen e tij. Në çdo shekull, në përputhje me kërkesat e tij, një temë e veçantë e qendrore konfirmohet nga Perëndia. Në këtë epokë të ndriçuar ajo që është konfirmuar është njëshmëria e botës së njerëzimit. Çdo shpirt që i shërben kësaj njëshmërie padyshim që do të ndihmohet e afirmohet.

Unë shpresoj që në kuvendet ti do të mund të këndosh himne me një melodi të ëmbël dhe kështu do të bëhesh burim gëzimi e kënaqësie për të gjithë.

78. O ti që je e dëlirë në zemër, e shenjtëruar në shpirt, e pashoqe në karakter, perri në fytyrë! E morëm fotografinë tënde që tregon portretin tënd fizik me hijeshinë më të madhe e me paraqitjen më të mirë. Ti je e zeshkët në fytyrë dhe e shkëlqyer për nga karakteri. Ti je si bebja e syrit që është e zezë për nga ngjyra, e megjithatë është burimi i dritës dhe zbuluesja e botës reale.

Unë nuk të kam harruar, as nuk do të të harroj. Lus Perëndinë që me hir të të bëjë ty shenjë të bujarisë së Tij midis njerëzimit, ta ndriçojë fytyrën tënde me dritën e bekimeve të tilla që jepen nga Zoti i mëshirshëm, të të zgjedhë ty për dashurinë e Tij në këtë epokë që dallohet nga gjithë epokat e shekujt e shkuar.

79. O personalitet i respektuar! Unë kam lexuar veprën tënde Ungjilli i Pasurisë8 dhe atje vura re rekomandime me të vërtetë me vend e të sakta për lehtësimin e fatit të njerëzimit.

Me pak fjalë, Mësimet Bahá'u'lláh-ut mbrojnë ndarjen në mënyrë vullnetare dhe kjo është një gjë më e madhe se sa barazimi i pasurisë. Sepse barazimi duhet të imponohet nga jashtë, ndërsa ndarja është një çështje zgjedhjeje të lirë.

Njeriu arrin përsosmërinë përmes veprash të mira që i kryen vullnetarisht, jo përmes veprash të mira që ai ka qenë i detyruar t'i bëjë. Dhe ndarja është një akt i virtytshëm, i zgjedhur personalisht: kjo do të thotë që të pasurit duhet t'u japin ndihmë të varfërve, ata duhet të shpenzojnë gjënë e tyre për të varfërit, por me vullnetin e tyre të lirë vetjak, dhe jo sepse të varfërit e kanë arritur këtë qëllim me forcë. Sepse frytet e forcës janë trazirat dhe shkatërrimi i rendit shoqëror. Nga ana tjetër, ndarja vullnetare, shpenzimi i pasurisë së një njeriu i zgjedhur lirisht, çon në qetësinë e paqen e shoqërisë. Ai ndriçon botën; ai i jep nder njerëzimit.

Unë i kam parë efektet e mira të filantropisë suaj në Amerikë, në universitete të ndryshme, në kuvende paqeje dhe në shoqëri për përkrahjen e diturisë, ndërsa udhëtoja nga një qytet në tjetrin. Prandaj lutem në emrin tënd që gjithmonë të jesh i rrethuar nga bujaritë e bekimet e qiellit dhe të kryesh shumë vepra filantropike në Lindje e në Perëndim. Kështu ti do të shkëlqesh si një qiri i ndezur në Mbretërinë e Perëndisë, të arrish nderim e jetën e pasosur dhe të shkëlqesh si një yll i ndritshëm mbi horizontin e përjetësisë.

80. O ti që po e kthen fytyrën drejt Perëndisë! Letrën tënde e mora. Nga përmbajtja e saj bëhet e njohur se dëshira jote është t'u shërbesh të varfërve. Ç'mund të dëshirosh më të mirë se kjo! Ata shpirtra që i përkasin Mbretërisë dëshirojnë me etje t'u shërbejnë të varfërve, t'i mirëkuptojnë ata, të tregojnë dashamirësi ndaj të mjeruarve dhe ta bëjnë të frytshme jetën e tyre. Lum ti që ke një dëshirë të tillë.

Përcillu në emrin tim dy fëmijëve të tu dashamirësinë dhe dashurinë më të madhe. Letrat e tyre i kemi marrë, por duke qenë se nuk kam kohë, nuk mund t'u shkruaj letra më vete tani. Trego ndaj tyre në emrin tim dashamirësinë më të madhe.

81. Ata shpirtra që gjatë luftës u kanë shërbyer të varfërve dhe kanë punuar në Misionin e Kryqit të Kuq, shërbimet e tyre janë pranuar në Mbretërinë e Perëndisë dhe janë arsyeja e jetës së tyre të përjetshme. Jepu atyre këtë lajm të gëzuar.

82. O ti që je i patundur në Besëlidhje, letrën tënde e morëm. Ti ke bërë përpjekje të mëdha për atë të burgosur, që ndoshta mund të jetë e frytshme. Sidoqoftë, thuaji atij: 'Banorët e botës janë të burgosur në burgun e natyrës - një burg që është i vazhdueshëm e i përjetshëm. Nëse ti tani je i mbyllur brenda caqeve të një burgu të përkohshëm, mos u hidhëro për këtë; kam shpresë se ti mund të çlirohesh prej burgut të natyrës dhe të arrish në oborrin e jetës së amshuar. Lutju Perëndisë natë e ditë dhe kërko ndjesë e falje. Gjithëfuqia e Perëndisë do të zgjidhë çdo vështirësi'.

83. Jepi në emër të 'Abdu'l-Bahá-it gruas sate të respektuar përshëndetjet e mia Abhá dhe i thuaj: 'Dashamirësia, aftësimi dhe edukimi për të burgosurit është tepër i rëndësishëm. Prandaj, meqë ti ke bërë përpjekje për këtë, ke zgjuar disa prej tyre dhe ke bërë që ata ta kthejnë fytyrën drejt Mbretërisë hyjnore, kjo vepër e lavdërueshme është shumë e pëlqyer. Këmbëngul pa pasur dyshim. Përcillu në emrin tim të dy të burgosurve në San Kuentin ndjenjat e dashamirësisë më të madhe dhe u thuaj atyre: 'Ai burg në vështrimin e shpirtrave të mençur është një shkollë aftësimi e zhvillimi. Ju duhet të luftoni me mish e me shpirt që të bëheni të shquar për nga karakteri e dijet'.

84. O ti shërbëtore e shtrenjtë e Perëndisë! Letrën tënde e kemi marrë dhe përmbajtja e saj është parë me vëmendje.

Për masën e njerëzve, martesa është një lidhje fizike, dhe ky bashkim mund të jetë vetëm i përkohshëm përderisa kjo lidhje është e paradënuar me një ndarje fizike së shpejti.

Midis njerëzve Bahá'í, sidoqoftë, martesa duhet të jetë një bashkim si i trupit ashtu dhe i shpirtit, sepse këtu si burri dhe gruaja janë të ndezur nga e njëjta verë, të dy janë dashuruar pas së njëjtës Fytyrë të pashoqe, të dy jetojnë e veprojnë përmes së njëjtës frymë, të dy janë të ndriçuar nga e njëjta lavdi. Kjo lidhje midis tyre është shpirtërore, për rrjedhojë është një lidhje që do të vazhdojë përgjithmonë. Po kështu, ata gëzojne lidhje të forta e të qëndrueshme edhe në botën fizike, sepse po qe martesa e bazuar si në shpirt dhe në trup, ky është një bashkim i vërtetë dhe si i tillë do të jetë i qëndrueshëm. Por po qe se kjo lidhje është thjesht fizike e asgjë më shumë, është e sigurt që ajo do të jetë vetëm e përkohshme dhe do të përfundojë në mënyrë të pashmangshme në ndarje.

Prandaj kur njerëzit e Bahá-it vendosin të martohen, bashkimi duhet të jetë një marrëdhënie e vërtetë, një përputhje si shpirtërore ashtu edhe fizike, në mënyrë që gjatë çdo faze të jetës dhe në të gjitha botët e Perëndisë bashkimi i tyre të jetë i qëndrueshëm; sepse kjo njëshmëri reale është një rrezatim i dashurisë së Perëndisë. Prandaj, kur njerëzit Bahá'í vendosin të martohen, bashkimi duhet të jetë një marrëdhënie e vërtetë, një afrim si shpirtëror ashtu edhe fizik, që bashkimi i tyre të qëndrojë në çdo fazë të jetës dhe në të gjitha botët e Perëndisë; sepse kjo njëshmëri reale është një vezullim i dashurisë së Perëndisë.

Po kështu, kur cilëtdo shpirtra rriten e bëhen besimtarë të vërtetë, ata arrijnë një marrëdhënie shpirtërore me njëri-tjetrin dhe shfaqin një përzemërsi që nuk është e kësaj bote. Ata të gjithë pa përjashtim ngazëllehen me një gllënjkë dashurie hyjnore dhe bashkimi i tyre, ajo lidhje, gjithashtu do të rrojë përgjithmonë. Kjo do të thotë se shpirtrat që e lënë veten në harresë, që zhvishen prej mangësive të njerëzimit dhe çlirohen prej skllavërisë njerëzore, pa asnjë dyshim ndriçohen me shkëlqimet qiellore të njëshmërisë dhe arrijnë një bashkim real në botën që nuk vdes.

85. Përsa i përket pyetjes në lidhje me martesën sipas Ligjit të Perëndisë: e para ti duhet të zgjedhësh një që të pëlqen dhe pastaj çështja i nënshtrohet miratimit nga Bábai e nëna. Para se ti të bësh zgjedhjen tënde, ata nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë.

86. Martesa Bahá'í është zotimi i të dyja palëve ndaj njëri-tjetrit dhe tërheqja e ndërsjellë e mendjes dhe e zemrës midis tyre. Secili duhet, sidoqoftë, të tregojë kujdesin më të madh për të njohur plotësisht karakterin e tjetrit, që besëlidhja që i bashkon me njëri-tjetrin të vazhdojë përgjithmonë. Qëllimi i tyre duhet të jetë: të bëhen bashkudhëtarë e shokë të dashur dhe të bashkuar në njëri-tjetrin në jetë e përjetësi. ...

Martesa e vërtetë e Bahá'í-ve është që burri dhe gruaja të jenë të bashkuar si fizikisht dhe shpirtërisht, që ata vazhdimisht të përmirësojnë jetën shpirtërore të njëri-tjetrit dhe të gëzojnë unitet të përjetshëm në të gjitha botët e Perëndisë. Kjo është martesa Bahá'í.

87. O ti përkujtim i atij që vdiq për Bukurinë e Bekuar! Ditët e fundit morëm lajmin e gëzuar të martesës sate me atë fletë të ndritshme, që ka kënaqur pamasë zemrat e njerëzve të Perëndisë. Gjithë përunjësi, lutje plot përgjërim janë ofruar në Pragun e Shenjtë, që kjo martesë të jetë lajmëtare gëzimi për miqtë, që ajo të jetë një lidhje dashurie për gjithë përjetësinë, që të japë përfitime e fryte të përjetshme. ¶ Nga ndarja vjen çdo lloj lëndimi e dëmi, ndërsa bashkimi i gjërave të krijuara jep gjithmonë rezultate shumë të lavdërueshme. Nga çiftëzimi, madje edhe i grimcave më të vogla në botën e qenies, shfaqen hiri dhe bujaria e Perëndisë; dhe sa më e lartë është shkalla e tij, aq më i rëndësishëm është bashkimi. 'Lavdi Atij Që ka krijuar të gjitha çiftet, të gjërave që prodhon toka, dhe të vetë njerëzve, dhe të gjërave që ata nuk i dinë'.9 Dhe mbi të gjitha bashkimet e tjera është ai midis qenieve njerëzore, veçanërisht kur ndodh në dashuri për Perëndinë. Kështu bëhet e dukshme njëshmëria parësore; kështu hidhet themeli i dashurisë në shpirt. Është e sigurt që një martesë e tillë si tuaja do të bëjë të revelohen dhuntitë e Perëndisë. Prandaj ne të urojmë lumturi, lusim që mbi ju të zbresin bekime dhe i përgjërohemi Bukurisë së Bekuar që, nëpërmjet ndihmës e pëlqimit të Tij, ta bëjë atë gosti dasme një gëzim për të gjithë e ta stolisë me harmoninë e Qiellit.

O Zoti im, O Zoti im! Këto dy hëna të shkëlqyera martohen në dashurinë për Ty, shkrihen së bashku në shërbim kokulur ndaj Pragut Tënd të Shenjtë, bashkohen në shërbesën ndaj Kauzës Sate. Bëj që kjo martesë të jetë si një fill dritash të hirit Tënd të pakursyer, O Zoti im, Mëshirëplotë, dhe si rreze të ndritshme të dhuntive të Tua, O Ti Mirëbërësi, Gjithmonëdhënësi, që prej kësaj peme të madhe të degëzohen filiza që do të rriten të blerta e të lulëzuara përmes dhuratave që reshin prej reve të hirit Tënd.

Me të vërtetë Ti je Zemërgjeri, me të vërtetë Ti je Fuqiploti, me të vërtetë Ti je Zemërdhembshuri, Mëshirëploti.

88. O ju dy fëmijtë e mi të dashur! Lajmi i bashkimit tuaj, sapo më mbërriti, më mbushi me gëzim e mirënjohje të pafund. Lëvduar qoftë Perëndia që ata dy zogj besnikë kanë kërkuar strehë në një çerdhe. I përgjërohem Perëndisë të bëjë që ata të ngrenë një familje të nderuar, sepse rëndësia e martesës qëndron në edukimin e një familjeje shumë të bekuar, që tërë gëzim ata t'i ndritin botës si qirinj. Sepse rilindja e botës varet nga ekzistenca e njeriut. Nëse në këtë botë nuk do të ekzistonte njeriu, ajo do të ishte si një pemë pa fryte. Kam shpresë që ju të dy të bëheni si një pemë e vetme dhe, përmes vërshimeve të reve të dashamirësisë së përzemërt, të fitoni freski e hijeshi, të lulëzoni e të jepni fryte, që vargu juaj të qëndrojë përjetësisht.

Lavdia e Lavdiplotit qoftë mbi ju.

89. O ti që je i vendosur në Besëlidhje! Letrën që ti kishe shkruar më 2 maj 1919 e morëm. Lavdëro Perëndinë që je i vendosur e i patundur në prova dhe mbahesh fort pas Mbretërisë Abhá. Ty nuk të ka lëkundur asnjë brengë e nuk të ka trazuar asnjë fatkeqësi. Sakohë njeriu nuk ka kaluar sprova, nuk ndahet dot qartë ari i pastër nga zgjyra. Vuajtja është zjarri i provës ku ari i pastër ndriçon me shkëlqim dhe ku digjet e nxihet papastërtia. Tani, lëvduar qoftë Perëndia, ti je i vendosur e i patundur në sprova e vështirësi dhe ato nuk të kanë lëkundur.

Gruaja jote nuk është në harmoni me ty, por lëvduar qoftë Perëndia, Bukuria e Bekuar është i kënaqur prej teje dhe po resh mbi ty bujarinë e bekimet më të mëdha. Por megjithatë, përpiqu të jesh i duruar me gruan, ndoshta ajo do të ndryshojë dhe zemra e saj do të ndriçohet. Kontributi që ke dhënë për mësimdhënien është tepër i pëlqyer dhe do të përmendet përjetësisht në Mbretërinë hyjnore, sepse përhap kundërmimet dhe lartëson Fjalën e Perëndisë.

90. O Perëndi, Perëndia im! Kjo shërbëtore e Jote të thërret Ty, beson në Ty, e ka kthyer fytyrën ndaj Teje, të përgjërohet Ty të reshësh mbi të dhuntitë e Tua qiellore, t'i zbulosh asaj misteret e Tua shpirtërore dhe të lëshosh mbi të dritat e Hyjnisë Sate.

O Zoti im! Bëj që sytë e bashkëshortit tim të shohin. Gëzoje zemrën e tij me dritën e dijes për Ty, tërhiqe mendjen e tij drejt bukurisë Sate të ndritshme, gëzoje shpirtin e tij duke i reveluar shkëlqimet e Tua të qarta.

O Zoti im! Hiqe perden nga sytë e tij. Resh mbi të dhuntitë e Tua të shumta, dehe atë me verën e dashurisë për Ty, bëje atë një prej engjëjve të Tu që ecin mbi këtë tokë, ndërsa shpirtrat e tyre fluturojnë në qiejt e lartë. Bëje atë një llambë që shkëlqen, duke ndriçuar me dritën e urtisë Sate midis njerëzve të Tu.

Me të vërtetë Ti je i Vyeri, Gjithmonëdhuruesi, Dorëhapuri.

91. O ti që je përkulur në lutje para Mbretërisë së Perëndisë! Lum ti, sepse bukuria e Fytyrës hyjnore ka rrëmbyer zemrën tënde dhe drita e urtisë së brendshme e ka mbushur atë plot e përplot, dhe brenda saj ndrit shkëlqimi i Mbretërisë. Dije se Perëndia është me ty në të gjitha kushtet, se Ai të ruan nga ndryshimet e rastësitë e kësaj bote dhe të ka bërë ty një shërbyese në vreshtin e Tij të madh. ...

Përsa i përket burrit tënd të respektuar: ti e ke për detyrë ta trajtosh atë me përzemërsi të madhe, të marrësh parasysh dëshirat e tij dhe të mbash kurdoherë qëndrim pajtues me të, derisa ai ta shohë që për arsye se ti ia ke kushtuar veten Mbretërisë së Perëndisë, si ëmbëlsia jote për të dhe dashuria jote për Perëndinë vetëm janë shtuar, ashtu si dhe interesimi yt për dëshirat e tij në çdo rrethanë.

I lutem Fuqiplotit të të mbajë të vendosur fort në dashurinë ndaj Tij dhe duke përhapur kurdoherë flladet e ëmbla të shenjtërisë kudo në ato vise.

92. O ju dy besimtarë te Perëndia! Zoti, i pashoq është Ai, i ka bërë gruan dhe burrin të jetojnë me njëri-tjetrin në shoqërinë më të ngushtë dhe të jenë, madje, si një shpirt i vetëm. Ata janë dy ndihmës të njëri-tjetrit, dy miq të ngushtë, që duhet të kujdesen për mirëqenien e njëri-tjetrit.

Në qoftë se jetojnë kështu, ata do të kalojnë përmes kësaj bote me kënaqësi të plotë, të lumtur e me zemër të qetë dhe do të bëhen objekt i hirit e i miratimit hyjnor në Mbretërinë e qiellit. Por në qoftë se veprojnë ndryshe, do ta kalojnë jetën në hidhërim të madh, duke dëshiruar në çdo çast vdekjen dhe do të jenë të turpëruar në mbretërinë qiellore.

Përpiquni, pra, të jetoni me njëri-tjetrin me shpirt e zemër si dy pëllumba në çerdhe, sepse kjo do të thotë të jesh i bekuar në të dyja botët.

93. O ti shërbëtore e Perëndisë! Çdo grua që bëhet shërbëtore e Perëndisë ua kalon për nga lavdia perandoreshave të botës, sepse është e lidhur me Perëndinë dhe sovraniteti i saj është i përjetshëm, ndërsa emrin dhe famën e perandoreshave e fshin një grusht pluhur. Me fjalë të tjera, sapo zbresin në varr, ato bëhen një hiç. Nga ana tjetër, shërbëtoret e Mbretërisë së Perëndisë gëzojnë sovranitet të përjetshëm që nuk preket me kalimin e epokave e të brezave.

Mendoni sa perandoresha kanë ardhur e shkuar që nga koha e Krishtit. Secila ka qenë sundimtare e një vendi, por tani ka humbur çdo gjurmë e emër i tyre, ndërsa Maria Magdalena, që ishte vetëm një fshatare e një shërbëtore e Perëndisë, vazhdon të shkëlqejë nga horizonti i lavdisë së pasosur. Përpiqu, pra, të mbetesh shërbëtorja e Perëndisë.

Ti ke lëvduar Besëlidhjen. Kjo besëlidhje do të marrë rëndësi të madhe në të ardhmen, sepse i shërben Mbretërisë hyjnore dhe njerëzimit. Ajo shpall paqen universale dhe hedh bazat e njëshmërisë së njerëzimit; ajo i çliron shpirtrat nga paragjykimet fetare, raciale e tokësore dhe i mbledh ata nën hijen e tendës njëngjyrëshe të Perëndisë. Prandaj thuri lavde Perëndisë që je bashkuar në një Besëlidhje të tillë dhe u ke vënë veshin Mësimeve hyjnore.

94. O shërbëtore të Bukurisë Abha! Letra juaj erdhi dhe leximi i vëmendshëm i saj solli gëzim të madh. Lëvduar qoftë Perëndia, gratë besimtare kanë organizuar takime ku do të mësojnë si ta shpjegojnë Besimin, do të përhapin aromat e këndshme të Mësimeve dhe do të bëjnë plane për edukimin e fëmijëve.

Kjo mbledhje duhet të jetë tërësisht shpirtërore. Pra, diskutimet duhet të kufizohen në renditjen e provave të qarta e vendimtare se Dielli i së Vërtetës ka dalur me të vërtetë. Dhe më tej, të pranishmet duhet të interesohen për të gjitha mënyrat e përgatitjes së fëmijëve vajza; t'u mësojnë atyre degët e ndryshme të dijes, mirësjelljen, një mënyrë të përshtatshme jetese, të kultivojnë tek ato një karakter të mirë, dëlirësinë e besnikërinë, këmbënguljen, forcën, vendosmërinë, qëndrueshmërinë në qëllimet; t'u mësojnë qeverisjen e punëve të shtëpisë; edukimin e fëmijëve dhe çdo gjë që ka të bëjë posaçërisht me nevojat e vajzave - duke pasur si qëllim që këto vajza, të rritura në kështjellën e të gjitha përsosurive dhe të mbrojtura nga një karakter i mirë, kur ato vetë të bëhen nëna t'i rritin fëmijët e tyre që nga foshnjëria me një karakter të mirë e që të sillen si duhet.

Le të studiojnë ato gjithashtu çdo gjë që i shërben shëndetit të trupit e fuqisë fizike të tij dhe si t'i ruajnë fëmijët e tyre nga sëmundjet.

Kur gjërat të rregullohen mirë në këtë mënyrë, çdo fëmijë do të bëhet një bimë e pashoqe në kopshtet e parajsës Abhá.

95. O Shërbëtore të Zotit! Mbledhja shpirtërore që ju keni vendosur në atë qytet të ndriçuar është shumë premtuese. Ju keni bërë hapa të mëdhenj përpara; ua keni kaluar të tjerave, keni dalë për t'i shërbyer Pragut të Shenjtë dhe keni fituar dhunti qiellore. Tani me tërë zellin shpirtëror ju duhet të mblidheni në atë tubim të ndriçuar, të recitoni Shkrimet e Shenjta dhe t'i kushtoheni përkujtimit të Zotit. Shtjelloni argumentet dhe provat e Tij. Punoni për udhëheqjen e grave në atë vend, i mësoni vajzat e reja dhe fëmijët, në mënyrë që nënat të mund t'i edukojnë vogëlushët e tyre që në moshë të mitur, t'i përgatisin ata me themel, të kujdesen që ata të kenë karakter e moral të mirë, t'i çojnë në shtegun e të gjitha virtyteve të njerëzimit, të parandalojnë zhvillimin e çfarëdo sjelljeje të qortueshme dhe t'i rritin ata në frymën e edukimit Bahá'í. Kështu të gjithë këta fëmijë të njomë do të ushqehen në gjirin e dijes për Perëndinë e të dashurisë ndaj Tij. Kështu ata do të rriten e lulëzojnë, do t'u mësohet devotshmëria dhe dinjiteti i njerëzimit, vendosmëria e vullneti për t'u përpjekur e për të qenë të qëndrueshëm. Kështu ata do të mësojnë këmbënguljen në të gjitha gjërat, vullnetin për të shkuar përpara, virtytshmërinë dhe vendosmërinë e lartë, dëlirësinë dhe pastërtinë e jetës. Kështu ata do të bëhen të zotët të çojnë deri në fund me sukses çdo gjë që ndërmarrin.

Le të kenë parasysh nënat se çdo gjë që ka të bëjë me edukimin e fëmijëve është me rëndësi të dorës së parë. Le të bëjnë ato të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, sepse kur degëza është ende e njomë dhe e butë ajo rritet ashtu si ta mësosh atë. Prandaj është detyrë e nënave të përkujdesen për të vegjëlit e tyre ashtu siç kujdeset kopshtari për bimët e njoma. Le të përpiqen ato ditë e natë për të rrënjosur në fëmijët e tyre besim e siguri, frikën e Perëndisë, dashurinë për të Shumëdashurin e botëve dhe të gjitha cilësitë e tiparet e mira. Sa herë që një nënë sheh se fëmija i saj ka vepruar mirë, ta lavdërojë e miratojë atë, duke ia gëzuar zemrën; dhe nëse tek ai shfaqet qoftë edhe tipari më i vogël i padëshirueshëm, ta këshillojë e ta dënojë fëmijën, duke përdorur mjete të mbështetura në arsyen, qoftë edhe vetëm një qortim të lehtë me fjalë, po qe se është e nevojshme. Por, gjithsesi, nuk është e lejueshme të rrihet fëmija ose të poshtërohet ai, sepse karakteri i fëmijës do të zvetënohej krejtësisht po qe se do t'u nënshtrohej goditjeve ose sharjeve.

96. O shërbëtore të të Mëshirshmit! Falënderoni Bukurinë e Lashtë që jeni ngritur e mbledhur së bashku në më të madhin e shekujve, në këtë erë më të ndritshme. Ndërsa ju ka hije të falënderoni për një bujari të tillë, qëndroni të vendosura e të forta në Besëlidhje dhe, duke ndjekur porositë e Perëndisë e Ligjin e shenjtë, i mëkoni fëmijët tuaj që në foshnjëri me qumështin e edukimit universal dhe i rritni ata që qysh në ditët e para, thellë në zemrat e tyre, në vetë natyrën e tyre, të krijohet vendosmërisht një mënyrë jetese në pajtim me Mësimet hyjnore në të gjitha gjërat.

Sepse nënat janë edukatoret e para, këshilltaret e para; dhe me të vërtetë janë nënat ato që përcaktojnë lumturinë, madhështinë e ardhme, mënyrat e mirësjelljes, diturinë e gjykimin, të kuptuarit dhe besimin e të vegjëlve të tyre.

97. Ka disa shtylla që janë ngritur si mbështetje të palëkundshme të Besimit të Perëndisë. Më e fuqishmja ndër to është dituria dhe përdorimi i mendjes, zgjerimi i vetëdijes, depërtimi në realitetet e gjithësisë dhe në misteret e fshehura të Perëndisë Fuqiplotë.

Nxitja e dijes është, pra, një detyrë e pashmangshme që i shtrohet secilit prej miqve të Perëndisë. I takon Asamblesë Shpirtërore, atij kuvendi të Perëndisë, të bëjë të gjitha përpjekjet për edukimin e fëmijëve, në mënyrë që qysh në foshnjëri ata të përgatiten me sjelljen Bahá'í e në udhën e Perëndisë dhe, ashtu si bimët e njoma, të çelin e të lulëzojnë në ujërat e qeta që janë këshillat e porositë e Bukurisë së Bekuar.

98. Po të mos kishte edukator, të gjithë shpirtrat do të mbeteshin të egër, dhe po të mos kishte mësues, të gjithë fëmijët do të ishin krijesa injorante.

Ja përse, në këtë cikël të ri, edukimi dhe përgatitja janë regjistruar në Librin e Perëndisë si të detyrueshme e jo vullnetare. Pra, çdo ati e nëne i vihet për detyrë të përpiqen me të gjitha forcat të edukojnë të birin e të bijën, t'i mëkojnë ata nga gjiri i dijes dhe t'i rritin në prehrin e shkencave e të arteve. Në qoftë se e lenë pasdore këtë çështje, ata do të konsiderohen përgjegjës e do të meritojnë qortimin në praninë e Zotit të rreptë.

99. Ti ke shkruar lidhur me fëmijët: qysh në fillim fëmijët duhet të marrin një edukatë hyjnore dhe duhet t'u kujtohet vazhdimisht të kenë ndërmend Perëndinë e tyre. Le të përshkojë dashuria e Perëndisë qënien e tyre më të brendshme bashkë me qumështin e nënës.

100. Dëshira ime është që këta fëmijë të marrin edukim Bahá'í, në mënyrë që të mund të përparojnë si këtu dhe në Mbretërinë, dhe ta gëzojnë zemrën tënde.

Në të ardhmen, morali do të degjenerojë deri në ekstrem. Është thelbësore që fëmijët të rriten në mënyrën Bahá'í, që ata të gjejnë lumturi si në këtë botë dhe në tjetrën. Përndryshe do t'i rrethojnë brengat e telashet, sepse lumturia njerëzore bazohet në sjelljen shpirtërore.

101. O ju që keni paqe në shpirt! Midis Teksteve hyjnore të parashtruara në Librin Më të Shenjtë, si dhe në Tabela të tjera, është edhe ky: është detyrë e Bábait dhe e nënës t'i përgatisin fëmijët e tyre si me sjellje të mirë dhe në studimin e librave; domethënë studim deri në shkallën e duhur, që asnjë fëmijë, vajzë apo djalë qoftë, të mos mbetet analfabet. Në qoftë se Bábai nuk e kryen detyrën e tij, ai duhet të detyrohet t'i dalë zot përgjegjësisë së tij, dhe nëse nuk është në gjendje ta bëjë këtë, le ta marrë përsipër edukimin e fëmijëve Shtëpia e Drejtësisë; kurrsesi fëmija nuk duhet lënë pa edukim. Kjo është një nga porositë e rrepta e të pashmangshme që po të mos përfillet do të tërhiqte indinjatën gjithë zemërim të Perëndisë Fuqiplotë.

102. O shokë të vërtetë! Gjithë njerëzimi është si fëmijët në një shkollë dhe Agimet e Dritës, Burimet e revelacionit hyjnor janë mësuesit, të mrekullueshëm e të pashoq. Në shkollën e realiteteve ata i edukojnë këta bij e bija sipas mësimeve që vijnë nga Perëndia dhe i rritin në gjirin e dashamirësisë, që ata të zhvillohen në të gjitha drejtimet, të shfaqin dhuntitë e bekimet e shkëlqyera të Zotit dhe të kombinojnë përsosuritë njerëzore; që ata të përparojnë në të gjitha aspektet e sjelljes njerëzore, si të jashtme dhe të brendshme, të fshehura ose të dukshme, materiale ose shpirtërore, derisa ta bëjnë këtë botë të vdekshme një pasqyrë të madhe që të reflektojë atë botën tjetër që nuk vdes.

O ju miqtë e Perëndisë! Për arsye se në këtë më të rëndësishmen ndër të gjitha epokat, Dielli i së Vërtetës është ngritur në pikën më të lartë të sanataditës pranverore dhe ka lëshuar rrezet e tij mbi çdo vend, ai do të ndezë një emocion të tillë drithërues, do të çlirojë vibracione të tilla në botën e qenies, do të stimulojë një rritje e zhvillim të tillë, do të vërshojë me një lavdi të tillë drite, dhe re të dashamirësisë do të reshin ujëra kaq të bollshme, dhe fushat e pllajat do të mbulohen nga një galaktikë e tillë bimësh e lulesh erëkëndshme, saqë kjo tokë e ulët do të bëhet Mbretëria Abhá dhe kjo botë këtu poshtë bota e epërme. Atëhere kjo grimcë pluhuri do të jetë si qarku i gjerë i qiejve, ky vend njerëzor oborri i pallatit të Perëndisë, ky truall balte agimi i favoreve të pasosura të Zotit të Zotave.

Prandaj, O të dashurit e Perëndisë! Bëni një përpjekje të fuqishme derisa ju vetë të shfaqni këtë përparim e të gjitha këto konfirmime dhe të bëheni vatra të bekimeve të Perëndisë, agime të dritës së unitetit të Tij, përhapës të dhuntive e të favoreve të jetës së qytetëruar. Jini në atë vend pararoja të përsosurive të njerëzimit; çoni përpara degët e ndryshme të dijes, jini aktivë e të përparuar në fushën e shpikjeve e të arteve. Përpiquni të korrigjoni sjelljen e njerëzve dhe synoni t'ia kaloni gjithë botës për nga karakteri moral. Ndërkohë që fëmijët janë ende në foshnjëri, ushqejini ata nga gjiri i hirit qiellor, përkundini në djepin e çdo shquarsie, rritini ata në përqafimin e bujarisë. Jepuni atyre avantazhin që sjell çdo lloj dije e dobishme. Le të marrin pjesë në çdo mjeshtri e art të ri të rrallë e të mahnitshëm. Edukojini ata me punë e përpjekje dhe i mësoni të kapërcejnë vështirësitë. I mësoni ata t'ua kushtojnë jetën gjërave që kanë rëndësi të madhe dhe i frymëzoni të ndërmarrin studime që do t'i sjellin dobi njerëzimit.

103. Edukimi dhe ushtrimi i fëmijëve është ndër veprimet më të lavdërueshme të njerëzimit dhe sjell hirin e favorin e Mëshirëplotit, sepse edukimi është themeli i domosdoshëm i çdo shquarsie njerëzore dhe e lejon njeriun të çajë rrugën drejt lartësive të lavdisë së përhershme. Në qoftë se një fëmijë ushtrohet që në fëmijëri, ai, përmes kujdesit dashamirës të Kopshtarit të Shenjtë, do të pijë nga ujërat e kristalta të shpirtit e të dijes, si një pemë e njomë midis krojeve që rrjedhin. Dhe sigurisht ai do të tërheqë te vetja rrezet e ndritshme të Diellit të së Vërtetës, dhe falë dritës e nxehtësisë së tij do të rritet përherë i freskët e i çiltër në oborrin e jetës.

Prandaj udhërrëfyesi duhet të jetë gjithashtu mjek: domethënë, duke e mësuar fëmijën, ai duhet të korrigjojë gabimet e tij; duhet t'i japë atij dije dhe, në të njëjtën kohë, të kujdeset që ai të ketë natyrë shpirtërore. Le të jetë mësuesi një mjek për karakterin e fëmijës, kështu ai do të shërojë sëmundjet shpirtërore të bijve të njerëzve.

Në qoftë se, në këtë detyrë kaq të rëndësishme, ushtrohet një përpjekje e madhe, bota e njerëzimit do të shkëlqejë me stoli të tjera dhe do të lëshojë një dritë përrallore. Atëhere ky vend i errët do të bëhet i ndritshëm dhe kjo banesë prej dheu do të shndërrohet në Qiell. Atëherë vetë demonët do të shndërrohen në engjëj, dhe ujqërit në barinj të grigjës, dhe lukunia e qenve të egër në ruajtës të gazelave që kullotin në pllajat e njëshmërisë, dhe shtazët e egra në kope të qeta; dhe shpendët grabitqarë, me kthetra të mprehtë si thika, në zogj këngëtarë që cicërojnë meloditë e veta të ëmbla.

Sepse realiteti i brendshëm i njeriut është një vijë ndarëse midis hijes e dritës, një vend ku takohen dy detra1; është pika më e ulët në harkun e zbritjes2 dhe, pra, është në gjendje të arrijë të gjitha shkallët më lart. Me edukim ai mund të arrijë çdo shquarësi; pa edukim ai do të qëndrojë në vend, në pikën më të ulët të papërsosurisë.

Çdo fëmijë është potencialisht drita e botës - dhe në të njëjtën kohë errësira e saj; prandaj çështja e edukimit duhet të shihet si e një rëndësie parësore. Që në foshnjëri, fëmija duhet të ushqehet në gjirin e dashurisë së Perëndisë dhe të rritet në përqafimin e dijes së Tij, që ai të rrezatojë dritë, të rritet shpirtërisht, të mbushet me urti e dituri dhe të fitojë vetitë e ushtrisë engjëllore.

Meqenëse u ngarkuat me këtë detyrë të shenjtë, ju duhet, pra, të bëni të gjitha përpjekjet për ta bërë atë shkollë të famshme nga çdo pikëpamje në mbarë botën; ta bëni atë faktor të lartësimit të Fjalës së Zotit.

104. O të dashurit e Perëndisë dhe shërbëtore të të Mëshirshmit! Një numër i madh dijetarësh i përmbahen pikëpamjes se dallimet midis mendjeve dhe shkallëve të ndryshme të perceptimit janë të kushtëzuara nga dallimet në edukim, përgatitje e kulturë. Domethënë, ata besojnë se mendjet në fillim janë të barabarta, por përgatitja dhe edukimi çojnë në variacione mendore dhe nivele të ndryshme inteligjence, se variacione të tilla nuk janë një komponent i lindur i individualitetit, por rezultat i edukimit: se askush nuk ka ndonjë epërsi të lindur kundrejt një tjetri. ...

Manifestimet e Perëndisë po kështu pajtohen me pikëpamjen se edukimi ushtron ndikimin më të fortë të mundshëm mbi njerëzimin. Megjithatë, Ata thonë se ndryshimet në nivelin e inteligjencës janë të lindura; dhe ky fakt duket sheshit e nuk ia vlen të diskutohet. Sepse ne shohim që fëmijë të së njëjtës moshë, të të njëjtit vend, të së njëjtës racë, madje të së njëjtës familje dhe të përgatitur nga i njëjti individ, janë gjithsesi të ndryshëm për nga shkalla e të kuptuarit dhe e inteligjencës së tyre. Njëri bën përparim të shpejtë, një tjetër i përvetëson mësimet vetëm gradualisht, ndërsa një tjetër mbetet në nivelin më të ulët nga të gjithë. Sepse sado ta lustrosh një guaskë, ajo nuk shndërrohet në një perlë vezulluese, as nuk mund ta ndryshosh një guralec pa shkëlqim në një gur të çmuar, rrezet e kulluara të të cilit ndritin botën. Kolokunthi1 dhe pema e hidhur2 kurrë nuk do të shndërrohen në Pemë të Bekimit3 nëpërmjet trajtimit e kultivimit. Kjo do të thotë se edukimi nuk mund të ndryshojë thelbin e brendshëm të njeriut, por ai ushtron ndikim shumë të madh dhe me këtë fuqi ai mund të nxjerrë prej individit çfarëdo përsosmërish e aftësish që janë të depozituara brenda tij. Një kokërr gruri, kur kultivohet nga bujku, jep një prodhim të tërë, dhe një farë, falë kujdesit të kopshtarit, bëhet pemë e madhe. Në saje të përpjekjeve dashamirëse të mësuesit, fëmijët e shkollës fillore mund të kenë arritjet më të larta; me të vërtetë, mirëbërësia e tij mund ta ngrejë ndonjë fëmijë me vlerë të pakët në një fron të lartësuar. Kështu është treguar qartë se nga natyra e tyre thelbësore, mendjet ndryshojnë për nga aftësia, ndërsa edukimi luan, gjithashtu, një rol të madh dhe ushtron një efekt të fuqishëm mbi zhvillimin e tyre.

105. Përsa i përket dallimit midis atij qytetërimi material që mbizotëron tani dhe qytetërimit hyjnor që do të jetë një prej të mirave që do të vijnë nga Shtëpia e Drejtësisë, është ky: qytetërimi material, përmes fuqisë së ligjeve të ndëshkimit e të shpagimit, i përmban njerëzit nga kryrja e veprimeve kriminale; e megjithatë, ndërsa ligjet e shpagimit e të dënimit të njeriut vazhdimisht shtohen, siç mund ta shihni nuk ekzistojnë ligje për ta shpërblyer atë. Në të gjitha qytetet e Evropës e të Amerikës, janë ngritur ndërtesa të mëdha që shërbejnë si burgje për kriminelët.

Kurse qytetërimi hyjnor e përgatit çdo pjesëtar të shoqërisë në mënyrë të tillë që askush, me përjashtim të një numri të papërfillshëm njerëzish, të mos kryejë krime. Ka, pra, një ndryshim të madh midis parandalimit të krimit me anë masash të dhunshme e hakmarrëse dhe edukimit të njerëzve, ndriçimit të tyre, shpirtëzimit të tyre, saqë pa ndonjë frikë dënimi apo hakmarrjeje, ata t'i shmangen çfarëdo veprimeve kriminale. Ata, me të vërtetë, do ta shohin kryerjen e një krimi si një fatkeqësi të madhe dhe si dënimin më të rëndë në vetvete. Ata do të dashurohen pas përsosurive njerëzore, do t'ia kushtojnë jetën e tyre gjithçkaje që do t'i sjellë dritë botës dhe do të çojnë më tej ato veti që janë të pranueshme në Pragun e Shenjtë të Perëndisë.

Shih, pra, sa i madh është ndryshimi midis qytetërimit material dhe atij hyjnor. Me forcë e dënime, qytetërimi material kërkon t'i përmbajë njerëzit nga veprimet e liga, nga ato gjëra që i shkaktojnë dëm shoqërisë dhe nga kryerja e krimeve. Kurse në qytetërimin hyjnor individi është aq i përgatitur, saqë pa pasur frikën e dënimit, i shmanget kryerjes së krimeve, e sheh vetë krimin si torturën më të rëndë dhe me zell e gëzim u kushtohet përpjekjeve për të fituar virtytet e njerëzimit, për të çuar më tej progresin njerëzor dhe për të përhapur dritë anembanë botës.

106. Ndër shërbimet më të mëdha që njeriu mund t'i bëjë Perëndisë Fuqiplotë është edukimi dhe ushtrimi i fëmijëve, i bimëve të njoma të Parajsës Abhá, në mënyrë që këta fëmijë, të ushqyer me dashamirësi në rrugën e shëlbimit, duke u rritur si margaritarë të bujarisë hyjnore në guaskën e edukimit, të stolisin një ditë kurorën e lavdisë së përjetshme.

Megjithatë, është shumë e vështirë të ndërmarrësh këtë shërbim dhe akoma më e vështirë t'ia dalësh mbanë atij. Unë shpresoj se ti do të dalësh mirë në këtë detyrë kaq të rëndësishme, do ta kryesh atë me sukses dhe do të bëhesh një shenjë e hirit bujar të Perëndisë; se të gjithë këta fëmijë, të rritur sipas Mësimeve të shenjta, do të zhvillojnë një natyrë të ngjashme me flladin e freskët që fryn përmes kopshteve të Lavdiplotit dhe do të përhapin aromën e tyre anembanë botës.

107. 'Abdu'l-Bahá-i shpreson se për këta shpirtra rinorë në klasat e shkollës së dijes më të thellë do të përkujdeset dikush që t'i mësojë ata të dashurojnë. Le t'i mësojnë mirë të gjithë ata, deri në kufijtë e arritjeve të shpirtit, misteret e fshehura; aq mirë saqë në Mbretërinë e Lavdiplotit secili prej tyre, si një bilbil i pajisur me ligjëratë, të shpallë sekretet e Mbretërisë Qiellore dhe, si një dashnor i përmalluar, të shprehë nevojën e tij të papërmbajtur dhe dëshirën e tij të zjarrtë për të Shumëdashurin.

108. Ju duhet ta konsideroni si tepër të rëndësishme çështjen e karakterit të mirë. Është detyrë e çdo Bábai dhe nëne t'i këshillojnë fëmijët e tyre për një kohë të gjatë dhe t'i udhëheqin ata drejt atyre gjërave që çojnë në nderin e përjetshëm.

I inkurajoni fëmijët e shkollës, qysh nga vitet e para, të flasin një gjuhë të cilësisë së lartë, që në kohën e lirë të zhvillojnë biseda bindëse dhe efektive, duke u shprehur qartë e me elokuencë.

109. O ju bartës të favoreve të Perëndisë! Në këtë Epokë të re e të mahnitshme, themeli i palëkundshëm është të mësuarit e shkencave dhe arteve. Sipas Teksteve të Shenjta, që flasin qartë, çdo fëmije duhet t'i mësohen zeje e arte aq sa është e nevojshme. Prandaj në çdo qytet e fshat duhet të ngrihen shkolla dhe çdo fëmijë në atë qytet ose fshat duhet të merret me studim aq në shkallën e duhur.

Pra, çdo shpirt që do të ofrojë ndihmën e tij në këtë drejtim, me siguri do të pranohet në Pragun qiellor dhe do të lëvdohet nga Grupimi i epërm.

Meqenëse ju jeni përpjekur shumë për këtë qëllim kaq të rëndësishëm, shpresoj se do të merrni shpërblimin nga Zoti i shenjave e i simboleve të qarta dhe se vështrimet e hirit qiellor do të drejtohen ndaj jush.

110. Përsa i përket organizimit të shkollave: Po qe e mundur, fëmijët të veshin të gjithë të njëjtin model rrobash, edhe në qoftë se stofi është i ndryshëm. Është e preferueshme që edhe stofi të jetë i njëllojtë; por në qoftë se kjo nuk është e mundur, nuk ka ndonjë të keqe. Sa më të pastër të jenë nxënësit, aq më mirë; ata duhet të jenë pa njolla. Shkolla duhet të ngrihet në një vend ku ajri të jetë i lehtë e i pastër. Fëmijët duhet të ushtrohen me kujdes që të jenë shumë të njerëzishëm e të sjellshëm. Ata duhet vazhdimisht të inkurajohen e të bëhen të etur për të kapur të gjitha majat e arritjeve njerëzore, në mënyrë që qysh nga vitet e tyre më të hershme të mësohen të kenë qëllime të larta, të sillen mirë, të jenë të pastër, të dëlirë e të panjollë dhe të mësojnë të kenë vendosmëri të papërkulur e qëllim të patundur në të gjitha gjërat. Ata të mos i marrin gjërat lehtë e me shaka, por të shkojnë me zell drejt qëllimeve të tyre, në mënyrë që në çdo situatë të jenë të vendosur e të patundur.

Ushtrimi në moral e mirësjellje është shumë më i rëndësishëm sesa dituria libreske. Një fëmijë i pastër, i këndshëm, me karakter të mirë, i sjellshëm - edhe në qoftë i paditur - është i preferueshëm para një fëmije të pasjellshëm, të palarë, që vuan nga karakteri, edhe sikur ky të bëhet shumë i ditur në të gjitha shkencat e artet. Arsyeja për këtë është se fëmija që sillet mirë, edhe në qoftë i paditur, u sjell përfitim të tjerëve, ndërsa një fëmijë që vuan nga karakteri, që sillet keq, është i degjeneruar e i dëmshëm për të tjerët, edhe në qoftë i ditur. Por në qoftë se fëmija mësohet të jetë edhe i ditur edhe i mirë, rezultati është dritë mbi dritë.

Fëmijët janë si një degë e njomë dhe e gjelbër; ata rriten ashtu si t'i ushtrosh. Tregoni kujdesin më të madh për t'u dhënë atyre ideale e qëllime të larta, në mënyrë që kur të arrijnë moshën e pjekurisë, ata t'i lëshojnë rrezet e tyre si qirinj të shndritshëm mbi botë dhe të mos ndoten nga epshet e pasionet si kafshët, të shkujdesur e të pavetëdijshëm, përkundrazi t'i kthejnë zemrat për të arritur nderin e përjetshëm e për të zotëruar të gjitha përsosuritë e njerëzimit.

111. Shkaku që qëndron në themel të keqbërjes është injoranca, prandaj ne të mbahemi fort pas mjeteve të njohjes e të dijes. Karakteri i mirë i duhet mësuar njeriut. Drita duhet të përhapet larg, në mënyrë që, në shkollën e njerëzimit, të gjithë të fitojnë karakteristikat qiellore të shpirtit dhe ta provojnë vetë që, pa pikë dyshimi, nuk ka Skëterrë më të keqe, humnerë më të thellë sesa të kesh karakter të lig e të sëmurë; nuk ka pus më të errët as vuajtje më të urryer sesa të kesh veti që meritojnë të dënohen.

Individi duhet të edukohet në një shkallë të tillë të lartë, saqë për atë të jetë më mirë t'i presin kokën sesa të thotë një gënjeshtër, dhe të mendojë se është më kollaj ta presin me shpatë apo ta shpojnë me shtizë sesa të thotë shpifje apo të rrëmbehet nga mllefi.

Kështu do të ndizet ndjenja e dinjitetit dhe e krenarisë njerëzore, që do të djegë frytet e orekseve epshore. Atëherë secili prej të dashurve të Perëndisë do të shkëlqejë si hënë e ndritshme me vetitë e shpirtit dhe qëndrimi i secilit ndaj Pragut të Shenjtë të Zotit të tij nuk do të jetë iluzor, por i vërtetë e real, do të jetë si vetë themeli i ndërtesës, e jo si një zbukurim në fasadën e saj.

Që këtej rrjedh se shkolla e fëmijëve duhet të jetë një vend ku të mbretërojnë disiplina e rregulli më i madh, se mësimi duhet të jetë i kujdesshëm dhe se duhet të merren masa për të korrigjuar e përsosur karakterin; kështu që, në vitet e tij të para, brenda vetë thelbit të fëmijës, të shtrohet themeli hyjnor dhe të ngrihet godina e shenjtërisë.

Dije se kjo çështje e të mësuarit, e korrigjimit dhe e përsosjes së karakterit, e dhënies zemër dhe e inkurajimit të fëmijës, është me rëndësi shumë të madhe, sepse këto janë parime bazë të Perëndisë.

Kështu, në dashtë Perëndia, prej këtyre shkollave shpirtërore do të dalin fëmijë të ndriçuar, të stolisur me virtytet më të bukura të njerëzimit, që do ta përhapin dritën e tyre jo vetëm anembanë Persisë, por në mbarë botën.

Është tepër e vështirë ta mësosh individin dhe të përsosësh karakterin e tij pasi ka kaluar puberteti. Në këtë kohë, siç e ka treguar përvoja, edhe sikur të bëhen të gjitha përpjekjet për të ndryshuar ndonjë nga prirjet e tij, ato nuk kanë vlerë. Ai, ndoshta, mund të përmirësohet disi ndonjë ditë; por sapo kalojnë disa ditë, harron dhe kthehet prapë në gjendjen e tij të zakonshme dhe tek ato që i janë bërë shprehi. Ja përse një themel i shëndoshë duhet hedhur që në fëmijërinë e hershme. Sakohë dega është e gjelbër dhe e njomë, ajo mund të drejtohet me lehtësi.

Me këtë dua të them se vetitë e shpirtit janë themeli bazë e hyjnor, ato stolisin thelbin e vërtetë të njeriut; dhe dija është shkaku i progresit njerëzor. Të dashurit e Perëndisë duhet t'i kushtojnë rëndësi të madhe kësaj çështjeje dhe ta çojnë atë përpara me entuziazëm e zell.

112. Në këtë Kauzë të shenjtë, çështja e jetimëve ka rëndësi shumë të madhe. Ndaj jetimëve duhet treguar vëmendja më e madhe; ata duhet të mësohen, të ushtrohen e të edukohen. Veçanërisht Mësimet e Bahá'u'lláh-ut duhet t'u jepen medoemos atyre sa më shumë që të jetë e mundur.

I lutem Zotit që ti të bëhesh një prind i mirë për fëmijët jetimë, duke i gjallëruar ata me aromat e Shpirtit të Shenjtë, që ata të arrijnë moshën e pjekurisë si shërbëtorë të vërtetë të botës së njerëzimit dhe si qirinj të ndritshëm në tërësinë e njerëzimit.

113. O shërbëtore e Perëndisë! ... Nënave duhet t'u jepen Mësimet hyjnore dhe këshilla të efektshme, ato duhen inkurajuar dhe të bëhen të etura për të mësuar fëmijët e tyre, sepse nëna është edukatori i parë i fëmijës. Është ajo që qysh në fillim duhet ta mëkojë të sapolindurin në gjirin e Besimit të Perëndisë e të Ligjit të Perëndisë, që dashuria hyjnore të hyjë tek ai bashkë me qumështin e nënës dhe të jetë me të deri në frymën e tij të fundit.

Sakohë nëna nuk i mëson fëmijët e saj dhe nuk i vë ata në një rrugë të përshtatshme jetese, mësimi që ata marrin më pas nuk ka efekt të plotë. Është detyrë e Asambleve Shpirtërore t'u japin nënave një program të planifikuar mirë për edukimin e fëmijëve, që të tregojë sesi që në foshnjëri fëmija duhet të mbahet nën kujdes dhe të mësohet. Këto udhëzime i duhen dhënë çdo nëne për t'i shërbyer si udhëheqje, që secila t'i mësojë e rritë fëmijët e saj në përputhje me Mësimet.

Kështu këto bimë të reja në kopshtin e dashurisë së Perëndisë rriten e lulëzojnë nën ngrohtësinë e Diellit të së Vërtetës, të erërave të lehta pranverore të Qiellit dhe të dorës drejtuese të nënës së tyre. Kështu, në Parajsën Abhá secili do të bëhet një pemë që jep vile me fryte, dhe çdonjëri në këtë stinë të re e të mahnitshme do të pajiset nga dhuntitë e pranverës tërë bukuri e hir.

114. O ju nëna të dashura, dijeni se në sytë e Perëndisë mënyra më e mirë për ta adhuruar Atë është të edukoni fëmijët dhe t'i ushtroni ata në të gjitha përsosuritë e gjinisë njerëzore; dhe një vepër më fisnike se kjo as që mund të përfytyrohet.

115. O ju dy shërbëtore të shumëdashura të Perëndisë! Çdo gjë që flet gjuha e njeriut, ai le ta provojë me veprat e tij. Në qoftë se ai pretendon se është besimtar, atëhere le të veprojë në përputhje me porositë e Mbretërisë Abha!

Lavdi Zotit, ju të dyja e keni treguar vërtetësinë e fjalëve tuaja me veprat tuaja dhe keni fituar konfirmimet e Zotit Perëndisë. Çdo ditë, sapo agon, ju mblidhni bashkë fëmijët Bahá'í dhe u mësoni atyre tekstet e lutjet. Ky është një veprim shumë i lavdërueshëm dhe u sjell gëzim zemrave të fëmijëve: që ata, çdo mëngjes, t'i kthejnë fytyrat ndaj Mbretërisë, të përmendin Zotin e të lavdërojnë Emrin e Tij dhe, me zërat më të ëmbël, të këndojnë e të recitojnë.

Këta fëmijë janë si bimë të njoma dhe t'u mësosh atyre lutjet është si një shi që bie mbi ta, që ata të rriten të butë e të freskët dhe që flladet e lehta të dashurisë së Perëndisë të fryjnë mbi ta, duke i bërë të drithërohen nga gëzimi.

Bekimi ju pret, dhe një strehë premtuese.

116. O ti bijë e Mbretërisë! Letrat e tua i morëm. Përmbajtja e tyre tregon që nëna jote është ngjitur në mbretërinë e padukshme dhe ti ke mbetur vetëm. Dëshira jote është t'i shërbesh Bábait tënd, që është i shtrenjtë për ty, dhe t'i shërbesh gjithashtu mbretërisë së Perëndisë dhe ti je në mëdyshje se cilën nga të dyja duhet të bësh. Sigurisht angazhohu për t'i shërbyer Bábait tënd, dhe sa herë që të gjesh kohë përhap aromat hyjnore.

117. O i shtrenjti i 'Abdu'l-Bahá-it! Ji biri i Bábait tënd dhe ji fryti i asaj peme. Ji një bir që ka lindur prej shpirtit e zemrës së tij dhe jo vetëm prej uji e balte. Një bir i vërtetë është i tillë që ka mbirë nga pjesa shpirtërore e njeriut. Unë i lutem Perëndisë që ti të jesh kurdoherë i konfirmuar e i fuqizuar.

118. O ju fëmijë të rinj Bahá'í, ju kërkues të të kuptuarit e të dijes së vërtetë! Një qenie njerëzore dallohet nga kafsha në shumë mënyra. Para së gjithash, ajo është bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, në ngjasim të Dritës Qiellore, siç thotë Torahu 'Le ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, në ngjasim me ne'.1 Kjo shëmbëlltyrë hyjnore simbolizon të gjitha cilësitë e përsosmërisë, dritat e së cilës, që burojnë nga Dielli i së Vërtetës, ndriçojnë realitetet e njerëzve dhe janë ndër atributet e përkryera që gjenden brenda urtisë e dijes. Prandaj ju duhet të bëni përpjekje të mëdha, duke luftuar ditë e natë e pa u prehur për asnjë çast, që të fitoni një pjesë të mjaftueshme të të gjitha shkencave e arteve, që Shëmbëlltyra Hyjnore, e cila ndrit nga Diellit i së Vërtetës, të ndriçojë pasqyrën e zemrave të njerëzve.

Është dëshira e zjarrtë e'Abdu'l-Bahá-it që ta shohë secilin prej jush të vlerësuar si profesorin më të shquar në akademitë dhe në shkollën e domethënieve të brendshme, ta shohë secilin të bëhet një prijës për nga urtia.

119. Është detyrë e fëmijëve Bahá'í t'ua kalojnë fëmijëve të tjerë në përvetësimin e shkencave e të arteve, sepse ata janë përkundur me hirin e Perëndisë.

Çdo gjë që fëmijët e tjerë mësojnë në një vit, fëmijët Bahá'í le ta mësojnë në një muaj. Zemra e 'Abdu'l-Bahá-it, në dashurinë e tij, digjet për t'i parë të rinjtë Bahá'í të bëhen të njohur në të gjithë botën për arritjet e tyre intelektuale. Nuk ka diskutim që ata do të mobilizojnë të gjitha përpjekjet, energjitë dhe ndjenjën e tyre të krenarisë për të mësuar shkencat dhe artet.

120. O fëmijët e mi të shtrenjtë! Letrën tuaj e morëm. Gëzimi arriti një shkallë që nuk thuhet dot me fjalë e as me të shkruar, se, lëvduar qoftë Perëndia, fuqia e Mbretërisë së Perëndisë ka përgatitur të tillë fëmijë, të cilët qysh në hapat e parë të fëmijërisë së tyre dëshirojnë me etje të marrin edukim Bahá'í dhe qysh në periudhën e fëmijërisë të angazhohen në shërbim të botës së njerëzimit.

Urimi dhe dëshira ime më e madhe është që ju që jeni fëmijët e mi të edukoheni sipas mësimeve të Bahá'u'lláh-ut dhe të merrni një përgatitje Bahá'í; që secili prej jush të bëhet një qiri i ndritshëm në botën e njerëzimit, t'i përkushtohet shërbimit të gjithë njerëzimit, të lërë mënjanë prehjen e rehatinë e vet, në mënyrë që të sjellë qetësinë në botën e krijimit.

Kështu shpresoj unë për ju, dhe unë besoj që ju të bëheni burim gëzimi e kënaqësie për mua në Mbretërinë e Perëndisë.

121. O ti që vitet i ke të pakta, por dhuntitë mendore të shumta! Sa fëmijë ka që, megjithëse janë të rinj për nga vitet, janë të pjekur e të shëndoshë për nga gjykimi! Sa njerëz të moshuar ka që janë të paditur e konfuzë! Sepse rritja dhe zhvillimi varen nga fuqia e intelektit dhe e arsyes së çdonjërit e jo nga mosha apo numri i ditëve të tij.

Megjithëse ende në stinën e fëmijërisë, ti ke njohur Zotin tënd, ndërsa një mori e pafund grash janë të pavëmendshme ndaj Tij, atyre u është mbyllur Mbretëria e Tij qiellore dhe janë të privuara prej blatimeve të Tij. Falëndero Zotin tënd për këtë dhuratë të mrekullueshme.

Unë i përgjërohem Perëndisë të shërojë nënën tënde, që është e nderuar në Mbretërinë e qiellit.

122. Përsa i përket pyetjes lidhur me edukimin e fëmijëve: është detyra jote t'i ushqesh ata në gjirin e dashurisë së Perëndisë dhe t'i nxitësh drejt gjërave të shpirtit, që ata ta kthejnë fytyrën ndaj Perëndisë; që veprimet e tyre të jenë në pajtim me rregullat e sjelljes së mirë dhe karakteri i tyre i përsosur; që ata t'i bëjnë të tyret të gjitha vlerat dhe vetitë e lavdërueshme të njerëzimit; që ata të fitojnë dije të shëndosha në degët e ndryshme të diturisë, në mënyrë që qysh prej fillimit të jetës të bëhen qenie shpirtërore, banorë të Mbretërisë, të dashuruar pas flladeve të këndshme të shenjtërisë dhe të marrin një edukim fetar, shpirtëror e të Mbretërisë Qiellore. Me të vërtetë unë do t'i lutem Perëndisë t'u dhurojë atyre në këtë një përfundim fatlum.

123. O ti që e ke ngulur vështrimin mbi Mbretërinë e Perëndisë! Letrën tënde e morëm dhe e shohim se ti je angazhuar në mësimin e fëmijëve të besimtarëve dhe këta vogëlushë të njomë i janë futur të mësojnë Fjalët e Fshehura, lutjet dhe ç'do të thotë të jesh Bahá'í.

Mësimi i këtyre fëmijëve është si puna e kopshtarit të dashuruar që kujdeset për bimët e tij të reja në fushat e lulëzuara të Lavdiplotit. Nuk ka dyshim që ai do të vjelë rezultatet e dëshiruara; kjo është e vërtetë sidomos për mësimin në lidhje me detyrimet Bahá'í dhe me sjelljen Bahá'í, sepse fëmijët e vegjël kanë nevojë të dinë në vetë zemrën e shpirtin e tyre se 'Bahá'í' nuk është thjesht një emër, por një e vërtetë. Çdo fëmijë duhet të përgatitet në gjërat e shpirtit, që ai të mishërojë të gjitha virtytet dhe të bëhet burim lavdie për Kauzën e Perëndisë. Përndryshe, thjesht fjala 'Bahá'í', nëse nuk jep fryte, do të shndërrohet në një hiç.

Përpiqu pra me tërë zotësinë tënde t'u bësh të ditur këtyre fëmijëve se Bahá'í është ai që mishëron të gjitha përsosuritë, se ai duhet të ndriçojë si një pishtar i ndezur - të mos jetë errësirë mbi errësirë e megjithatë të bartë emrin 'Bahá'í'.

Quaje këtë shkollë Shkolla Bahá'í e së Dielës.1

124. Shkolla e së Dielës për fëmijë, në të cilën lexohen Tabelat e Mësimet e Bahá'u'lláh-ut dhe recitohet për fëmijët Fjala e Perëndisë, është me të vërtetë një gjë e bekuar. Ti patjetër duhet ta vazhdosh pa ndërprerje këtë veprimtari të organizuar dhe t'i kushtosh rëndësi asaj, në mënyrë që nga dita në ditë ajo të shtohet e të gjallërohet me flladet e Shpirtit të Shenjtë. Po qe se kjo veprimtari organizohet mirë, të jesh i sigurt se ajo do të japë rezultate të mëdha. Gjithsesi, duhet vendosmëri e qëndrueshmëri, përndryshe ajo do të vazhdojë për njëfarë kohe, por më pas pak nga pak do të harrohet. Këmbëngulja është një kusht thelbësor. Në çdo projekt vendosmëria dhe qëndrueshmëria çojnë padyshim në rezultate të mira; përndryshe ai do të vazhdojë për disa ditë dhe pastaj do të ndërpritet.

125. Ndryshimi i mësuesve nuk duhet të jetë as shumë i shpeshtë, as shumë i vonuar; është më i pëlqyer moderimi. Mbajtja e takimeve tuaja kur në kishat e tjera është koha e lutjes nuk është e këshillueshme; kjo do të çonte në ftohje, përderisa fëmijët Bahá'í që kanë Shkollën e vet të së Dielës do të privoheshin prej saj nëse do të përpiqeshin të ndiqnin shkolla të tjera të së Dielës. Veç kësaj, pranimi i fëmijëve të prindërve jo-Bahá'í në shkollën për fëmijët Bahá'í është i lejueshëm. Dhe sikur në këtë shkollë, për të informuar fëmijët, të jepej një skicë e parimeve themelore ku bazohen të gjitha fetë, kjo nuk do të kishte asgjë të keqe.

Meqë fëmijët janë të paktë në numër, nuk është e mundur të ketë klasa të ndryshme dhe natyrisht vetëm një është e nevojshme. Lidhur me pyetjen e fundit për ndryshimet midis fëmijëve, veproni si ta shihni të arsyeshme.

126. Letrën tënde e morëm. Lëvduar qoftë Perëndia, ajo na dha lajmin e mirë për shëndetin e sigurinë tënde dhe na njoftoi se ti je gati të hysh në një shkollë bujqësore. Kjo është shumë e përshtatshme. Përpiqu sa të mundësh që të bëhesh kompetent në shkencën bujqësore, sepse sipas mësimeve hyjnore përvetësimi i një shkence ose përsosja e një mjeshtrie konsiderohen akte adhurimi. Në qoftë se një njeri angazhohet me të gjitha forcat për përvetësimin e një shkence apo përsosjen e një mjeshtrie, është njëlloj sikur ai të adhuronte Perëndinë në kisha e tempuj. Kështu, duke hyrë në një shkollë bujqësore dhe duke u përpjekur për përvetësimin e asaj shkence, ti je ditë e natë i angazhuar në akte adhurimi, akte që pranohen në pragun e Fuqiplotit. Ku ka bujari më të madhe sesa që shkenca të konsiderohet si akt adhurimi dhe mjeshtria si shërbim ndaj Mbretërisë së Perëndisë.

127. O ti shërbëtor i Perëndisë së vërtetë, Që është vetëm Një! Në këtë dispensacion universal mjeshtëria e mahnitshme e njeriut konsiderohet si adhurim i Bukurisë së Ndritshme. Mendo se ç'mirësi e bekim është që mjeshtria shihet si adhurim. Në kohët e mëparshme besohej se aftësi të tilla ishin baras me injorancën, në mos me një fatkeqësi, që e pengonte njeriun të afrohej te Perëndia. Mendo tani sesi blatimet e pafund dhe favoret e Tij të shumta e kanë kthyer zjarrin e ferrit në një parajsë të gëzueshme dhe një kapicë pluhuri të zi në një kopsht të shndritshëm.

Është detyrë e mjeshtërve të botës që në çdo moment të ofrojnë njëmijë shenja mirënjohjeje në Pragun e Shenjtë dhe të bëjnë çmos e të ushtrojnë me zell profesionet e tyre, në mënyrë që përpjekjet e tyre të sjellin atë që do të shfaqë bukurinë e përsosurinë më të madhe para syve të të gjithë njerëzve.

128. Letrën tënde e morëm. Shpresoj që ti të kesh mbrojtje e ndihmë nën provaninë e të Vetmit Perëndi të Vërtetë, duke përmendur kurdoherë Zotin e duke bërë përpjekje për të përsosur profesionin tënd. Ti duhet të përpiqesh shumë që të bëhesh i pashoq në profesionin tënd e i famshëm në ato anë, sepse arritja e përsosurisë në profesionin e një njeriu, në këtë periudhë të mëshirshme, konsiderohet adhurim i Perëndisë. Dhe ndërsa merresh me profesionin tënd, të mund të sjellësh ndërmend të Vërtetin.

129. O Miq të Perëndisë së Kulluar e Fuqiplotë! Të jesh i pastër e i shenjtë në të gjitha gjërat është një atribut i shpirtit të përkushtuar dhe një karakteristikë e nevojshme e mendjes së paskllavëruar. Përsosuria më e mirë është panjollësia dhe çlirimi i vetvetes nga çdo e metë. Kur individi është, në çdo drejtim, i spastruar e i dëlirur, atëherë ai bëhet një qendër vatërore që pasqyron Dritën e Dukshme.

Gjëja e parë në mënyrën e jetesës së një qenieje njerëzore duhet të jetë dëlirësia, pastaj freskia, pastërtia dhe pavarësia e shpirtit. Më parë duhet të pastrohet shtrati i rrëkesë, pastaj të lëshohen në të ujërat e kulluara të lumit. Sytë e dëlirë shijojnë pamjen lumnuese të Zotit dhe e dinë se ç'do të thotë ky takim; një shqisë e kulluar thith aromat që vijnë nga kopshtet e trëndafilave të hirit të Tij; një zemër e lustruar pasqyron faqen e hijshme të së vërtetës.

Ja përse në Shkrimet e Shenjta këshillat e qiellit krahasohen me ujin, siç thotë Kurani: 'Dhe Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër'1, dhe Ungjilli: 'Kush nuk ka lindur nga uji dhe fryma nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë'2. Është pra e qartë se Mësimet që vijnë nga Perëndia janë vërshime qiellore të hirit; ato janë reshje të mëshirës hyjnore dhe dëlirin zemrën njerëzore.

Me këtë dua të them se në çdo aspekt të jetës pastërtia e shenjtëria, dëlirësia e përsosja lartësojnë pozitën njerëzore dhe nxitin zhvillimin e realitetit të brendshëm të njeriut. Madje edhe në mbretërinë fizike pastërtia çon në shpirtëzim, siç e thonë qartë Shkrimet e Shenjta. Dhe ndonëse pastërtia fizike është diçka fizike, ajo ushtron megjithatë një ndikim të fuqishëm mbi jetën e shpirtit. Ajo është tamam si një zë çuditërisht i ëmbël, ose si një melodi që luhet: edhe pse tingujt s'janë veçse vibracione të ajrit që prekin nervin dëgjues të veshit, dhe këto vibracione s'janë veçse dukuri të rastësishme që përhapen bashkë me ajrin, por shihni sesi e prekin ato zemrën. Një melodi e mahnitshme është si krahë për shpirtin dhe e bën atë të drithërohet nga gëzimi. Nënkuptimi është se pastërtia fizike gjithashtu ushtron ndikimin e saj mbi shpirtin njerëzor.

Shihni sa e kënaqshme është pastërtia në sytë e Perëndisë, dhe si theksohet kjo në mënyrë të posaçme në Librat e Shenjtë të Profetëve; sepse Shkrimet e Shenjta e ndalojnë ngrënien ose përdorimin e çdo gjëje të papastër. Disa prej këtyre ndalimeve kanë qenë absolute, dhe të detyrueshme për të gjithë, dhe ai që e shkelte atë ligj ishte i neveritshëm për Perëndinë dhe urrehej prej besimtarëve. Kështu, për shembull, kishte gjëra kategorikisht të ndaluara, kryerja e të cilave konsiderohej mëkat shumë i rëndë, e ndër to veprime aq të neveritshme saqë është turp edhe t'i zësh në gojë.

Por ka edhe gjëra të tjera të ndaluara që nuk sjellin dëm të menjëhershëm, dhe pasojat dëmprurëse të të cilave vijnë vetëm gradualisht: të tilla veprime gjithashtu janë të urryera për Zotin, të dënueshme në sytë e Tij dhe të neveritshme. Megjithëse paligjësia e plotë e këtyre nuk është shkruar shprehimisht në Tekstin, shmangia e tyre është e nevojshme për dëlirësinë, pastërtinë, ruajtjen e shëndetit dhe çlirimin nga dhënia pas tyre.

Midis këtyre të fundit është pirja e duhanit, e cila është diçka e pistë, që bie erë të keqe, e dëmshme - një zakon i lig, i tillë që dëmi që shkakton bëhet gradualisht i qartë për të gjithë. Çdo mjek i kualifikuar ka shpallur - dhe kjo është provuar gjithashtu nga ekzaminimet - se një ndër përbërësit e duhanit është një helm vdekjeprurës dhe se duhanpirësi është i prekshëm nga shumë sëmundje të ndryshme. Ja përse pirja e duhanit është përcaktuar qartë si diçka e neveritshme nga pikëpamja e higjienës.

Báb-i, në fillim të misionit të Tij, e ndaloi shprehimisht duhanin, dhe miqtë të gjithë pa përjashtim hoqën dorë nga përdorimi i tij. Por meqenëse ato ishin kohë kur shtirja lejohej, dhe çdo njeri që nuk e pinte duhanin u nënshtrohej ngacmimeve, keqtrajtimit, madje edhe vdekjes - miqtë, me qëllim që të mos bënin të ditura besimet e tyre, pinin duhan. Më vonë u revelua Libri i Akdas-it dhe, meqenëse atje nuk ndalohej në mënyrë të posaçme pirja e duhanit, besimtarët nuk e lanë atë. Por gjithsesi, Bukuria e Bekuar gjithmonë ka shprehur neveri për të, dhe megjithëse në kohët e hershme kishte arsye që të pinte nga pak duhan, me kohë Ai hoqi dorë krejtësisht prej tij dhe ata shpirtra të shenjtëruar që i shkonin pas Atij në të gjitha gjërat gjithashtu hoqën dorë nga përdorimi i tij.

Me këtë dua të them se në sytë e Perëndisë pirja e duhanit është diçka e përçmuar, e neveritshme, e ndyrë deri në ekstrem; dhe ndonëse shkallë-shkallë, tepër e dëmshme për shëndetin. Ajo është gjithashtu harxhim paresh e kohe dhe e bën përdoruesin pre të një drogimi helmues. Për ata që qëndrojnë të patundur në Besëlidhjen, ky zakon është i qortueshëm si nga arsyeja dhe nga përvoja, dhe heqja dorë prej tij do t'u sjellë lehtësim e qetësim të mendjes të gjithë njerëzve. Për më tepër, kjo do të bëjë të mundur të kenë gojë të freskët e gishtërinj pa njolla, si dhe flokë që nuk bien erë të ndyrë e të neveritshme.Me të marrë këtë mesazh, miqtë me siguri, me të gjitha mënyrat, madje brenda një kohe të caktuar, do të heqin dorë nga ky zakon i dëmshëm. Kështu shpresoj.

Përsa i përket opiumit, ai është i ndyrë e i mallkuar. Perëndia na mbrojttë nga ndëshkimi që Ai i jep përdoruesit të tij. Sipas Tekstit të shprehur qartë të Librit Më të Shenjtë, ai ndalohet dhe përdorimi i tij dënohet kryekëput. Arsyeja tregon se pirja e opiumit është një lloj çmendurie dhe përvoja dëshmon se përdoruesi i tij është krejtësisht i shkëputur nga mbretëria njerëzore. I mbrojttë Perëndia të gjithë nga kryerja e një akti kaq të shëmtuar si ky, një akti që shndërron në rrënoja vetë themelin e asaj që duhet të jetë njerëzore dhe që e lë përdoruesin të tjetërsuar përgjithmonë. Sepse opiumi mbërthen shpirtin, kështu që ndërgjegjja e përdoruesit vdes, mendja e tij njolloset, perceptimet e tij gërryhen. Ai e shndërron të gjallin në të vdekur. Ai shuan nxehtësinë natyrore. Nuk mund të konceptohet e keqe më e madhe sesa ajo që shkakton opiumi. Lum ata që kurrë nuk ia përmendin as emrin; mendoni, pra, sa fatkeq është përdoruesi i tij.

O ju dashurues të Perëndisë! Në këtë cikël të Perëndisë Fuqiplotë, dhuna dhe forca, detyrimi dhe shtypja, që të gjitha dënohen. Megjithatë, është e domosdoshme që përdorimi i opiumit të ndalohet me çfarëdo mjetesh, që ndoshta gjinia njerëzore të mund të çlirohet nga kjo murtajë kaq e tmerrshme. Përndryshe, mjerë e i shkreti ai që ka lënë mangut detyrimin ndaj Zotit të tij.1

O Provani Hyjnore! Dhuroju Ti njerëzve të Bahá-it në të gjitha gjërat dëlirësi e pastërti. Bëj që ata të jenë të spastruar nga çdo ndotje dhe të çliruar nga të gjitha drogimet. Ruaji ata nga kryerja e çdo veprimi të neveritshëm, çliroi ata nga vargonjtë e çdo zakoni të keq, që ata të mund të jetojnë të pastër e të lirë, të shëndetshëm e të dëlirë, të denjë për të shërbyer në Pragun Tënd të Shenjtë dhe të përshtatshëm për të qenë pranë Zotit të tyre. Çliroi ata nga pijet dehëse e duhani, shpëtoi ata, shëlboi ata nga ky opium që çon në çmenduri, lejo që ata të shijojnë aromat e ëmbla të shenjtërisë, që ata të mund të pijnë me fund kupën mistike të dashurisë qiellore dhe të provojnë magjepsjen e të aviturit edhe më pranë Mbretërisë së Fuqiplotit. Sepse ashtu siç ke thënë Ti: 'e gjithë ajo që ti ke në qilarin tënd nuk e shuan dot etjen e dashurisë sime - më sill, O saki, një kupë plot e përplot si deti nga vera e shpirtit!'

O ju, të dashurit e Perëndisë! Përvoja ka treguar sesa shumë heqja dorë nga duhani, nga pijet dehëse dhe nga opiumi sjell shëndet e fuqi, shtim e mprehtësi të mendjes dhe forcë të trupit. Në kohën e sotme ka një popull1 që i shmang rreptësisht duhanin, pijet dehëse dhe opiumin. Ky popull qëndron ku e ku më lart se të tjerët për fuqi e kurajo fizike, për shëndet, bukuri e hijeshi. Një njeri i vetëm nga ata mund t'u bëjë ballë dhjetë burrave të një fisi tjetër. Është provuar se kjo është e vërtetë për të gjithë atë popull: domethënë, secili pjesëtar, çdo individ i këtij komuniteti qëndron në çdo pikëpamje më lart se individët e komuniteteve të tjera.

Bëni, pra, përpjekje të mëdha që dëlirësia dhe shenjtëria që, mbi të gjitha, ka për zemër 'Abdu'l-Bahá-i, të shquajë popullin e Bahá-it; që që në çdo lloj shquarsie njerëzit e Perëndisë t'ua kalojnë të gjitha qenieve të tjera njerëzore; që si së jashtmi dhe së brendshmi ata të qëndrojnë më lart se të tjerët; që për nga dëlirësia, panjollësia, përsosmëria dhe ruajtja e shëndetit të jenë prijës në pararojë të të gjithë atyre që njohin. Dhe pikërisht falë çlirimit të tyre nga skllavërimi, dijes së tyre, vetëkontrollit të tyre ata do të jenë të parët ndër të dëlirët, të lirët e të urtët.

130. O ti mjek i shquar! ... Lëvduar qoftë Perëndia që ti ke dy aftësi: njëra që të bësh shërimin fizik dhe tjetra që të bësh shërimin shpirtëror. Çështjet që kanë të bëjnë me shpirtin e njeriut kanë një ndikim të madh mbi gjendjen e tij trupore. Për shembull, ti duhet t'i japësh kënaqësi pacientit tënd, t'i japësh atij ngushëllim e gëzim dhe ta sjellësh atë në ekstazë e ngazëllim. ... Pra, mjekoje të sëmurin me të dyja aftësitë e tua. Ndjenjat shpirtërore kanë një efekt të çuditshëm në shërimin e sëmundjeve nervore.

131. Kur duke bërë një trajtim mjekësor kthehesh drejt Bukurisë së Bekuar, atëherë ndiq diktatin e zemrës sate. Shëroji të sëmurët me mjetet e gëzimit qiellor e të ngazëllimit shpirtëror, mjekoji të brengosurit duke u dhënë atyre lajme të gëzueshme e të hareshme dhe shëroi të plagosurit përmes dhurëtive të Tij të shndritshme. Kur je pranë shtratit të një pacienti, ngazëlloje e gëzoje zemrën e tij dhe magjepse shpirtin e tij përmes fuqisë qiellore. Me të vërtetë, një frymë e tillë qiellore gjallëron çdo kockë të dërrmuar dhe ringjall shpirtin e çdo njeriu të sëmurë e që lëngon.

132. Ndonëse shëndeti i keq është një prej gjendjeve të pashmangshme të njeriut, me të vërtetë është e vështirë që të durohet. Dhuntia e shëndetit të mirë është më e madhja ndër të gjitha dhuratat.

133. Ka dy mënyra për shërimin e sëmundjeve: mjetet materiale dhe mjetet shpirtërore. E para bëhet me anë të trajtimit mjekësor; e dyta qëndron në lutjet e mjekëve shpirtërorë drejtuar Perëndisë dhe duke u kthyer drejt Tij. Të dyja mënyrat duhen përdorur e praktikuar.

Sëmundjet që vijnë për shkaqe fizike duhen trajtuar nga doktorët me ilaçe mjekësore; ato që vijnë nga shkaqe shpirtërore zhduken me anë mjetesh shpirtërore. Kështu, një sëmundje e shkaktuar nga brengosja, frika, përshtypjet nervore shërohet në mënyrë më efektive me trajtim shpirtëror sesa fizik. Që këtej rrjedh se të dy llojet e kurimit duhen ndjekur; ato nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Prandaj ti duhet të pranosh gjithashtu ilaçet fizike, përderisa edhe ato kanë ardhur nga mëshira e favori i Perëndisë, i Cili ka reveluar e shfaqur shkencën mjekësore, në mënyrë që shërbëtorët e Tij të përfitojnë edhe nga ky lloj mjekimi. Ti duhet t'i kushtosh të njëjtën vëmendje edhe trajtimeve shpirtërore, sepse ato japin efekte të mrekullueshme.

Dhe, nëse ke dëshirë të dish ilaçin e vërtetë që e shëron njeriun nga çdo sëmundje dhe i jep atij shëndetin e mbretërisë hyjnore, dije se ky ilaç janë porositë dhe mësimet e Perëndisë. Përqendroje tek ato vëmendjen tënde.

134. O ti që je tërhequr prej flladeve erëmira të Perëndisë! E lexova letrën tënde drejtuar Znj. Lua Getsinger. Ti ke shqyrtuar vërtet me shumë kujdes arsyet e shoërthimit të sëmundjes në trupin e njeriut. Është me siguri e vërtetë që mëkatet janë një shkak i fuqishëm i sëmundjeve fizike. Nëse njerëzit do të ishin të çliruar nga ndotjet e mëkatit e të mbrapshtisë, dhe të jetonin sipas një ekuilibri natyror, të lindur, pa rendur ngado që i çojnë pasionet e tyre, është e pamohueshme që nuk do të mbizotëronin më sëmundjet dhe as të përhapeshin ato në mënyrë aq intensive.

Por njeriu ka vazhduar t'u shërbejë me mbrapshti orekseve të tij epshore dhe nuk kënaqej me ushqime të thjeshta. Përkundrazi, ai përgatiste për veten e tij ushqime të përbëra nga shumë ingredientë, nga substanca të papajtueshme me njëra-tjetrën. Duke vepruar kështu dhe duke kryer akte të ulëta e të turpshme, vëmendja e tij u pushtua nga të gjitha këto dhe ai braktisi vetëpërmbajtjen e moderimin e një mënyre të natyrshme jetese. Rezultati ishte lindja e sëmundjeve, sa të vrullshme dhe të shumëllojshme.

Sepse kafsha, për nga trupi, është e përbërë prej të njëjtëve elementë si dhe njeriu. Por duke qenë se kafsha kënaqet me ushqime të thjeshta, nuk përpiqet t'i plotësojë kërkesat e saj të ngutshme në ndonjë shkallë të tepruar dhe nuk bën mëkate, sëmundjet e saj në krahasim me ato të njeriut janë të pakta. Ne e shohim qartë, pra, sa të tmerrshëm janë mëkati e mosbindja si faktorë që shkaktojnë sëmundje. Dhe pasi krijohen, këto sëmundje bëhen komplekse, shumëfishohen dhe u transmetohen të tjerëve. Të tilla janë shkaqet shpirtërore, të brendshme të sëmundjes.

Ndërsa faktori shkakësor i jashtëm, fizik i sëmundjes është një çrregullim në balancën, në ekuilibrin proporcional të të gjithë atyre elementëve që përbëjnë trupin e njeriut. Për ta ilustruar: trupi i njeriut është një përzierje e shumë substancave përbërëse, dhe çdo komponent është i pranishëm në një sasi të caktuar, që ndikon në ekuilibrin thelbësor të së tërës. Sakohë që këta elementë përbërës mbeten në proporcionin e duhur, në përputhje me ekuilibrin natyror të së tërës - domethënë asnjë komponent nuk pëson ndonjë ndryshim në shkallën dhe ekuilibrin proporcional të natyrshëm, asnjë komponent as shtohet e as pakësohet - nuk ka shkak fizik që të shpërthejë sëmundja.

Për shembull, komponenti amidon duhet të jetë i pranishëm në një sasi të caktuar, dhe sheqeri në një sai të caktuar. Sakohë që secili mbetet në përmasën e tij natyrore ndaj së tërës, nuk ka shkak që të shfaqet sëmundja. Por kur këta përbërës ndryshojnë kundrejt sasive të tyre të natyrshme e të duhura - domethënë kur ato shtohen ose pakësohen - është e sigurt që kjo i hap rrugët sëmundjes.

Kjo çështje kërkon shqyrtimin më të kujdesshëm. Báb-i ka thënë se njerëzit e Bahá-it duhet të zhvillojnë shkencën e mjekësisë në një shkallë aq të lartë sa të shërojnë sëmundjet me anë të ushqimeve. Arsyeja themelore e kësaj është që, në qoftë se në ndonjë substancë përbërëse të trupit njerëzor ndodh ndonjë çrregullim që ndryshon proporcionin e tij të drejtë ndaj së tërës, ky fakt çon në mënyrë të pashmangshme në shfaqje të sëmundjes. Për shembull, në qoftë se komponenti amidon shtohet më tepër se ç'duhet, ose komponenti sheqer pakësohet, atëherë e merr kontrollin sëmundja. Është detyra e një mjeku të zot të përcaktojë se cili përbërës i trupit të pacientit të tij ka pësuar pakësim dhe cili është shtuar. Pasi ta ketë zbuluar këtë, ai duhet të këshillojë një ushqim që përmban sasi të konsiderueshme të elementit të pakësuar, për të rivendosur ekuilibrin thelbësor të trupit. Pacienti, pasi trupi i tij është përsëri në ekuilibër, shpëton nga sëmundja.

Këtë e provon fakti që ndonëse kafshët e tjera kurrë nuk e kanë studiuar shkencën mjekësore, dhe as kanë bërë kërkime për sëmundje e ilaçe, trajtime e kura, - megjithatë, kur ndonjë prej tyre bie pre e sëmundjes, natyra e drejton atë, në fusha ose vende të shkreta, për te ajo bimë që, me ta ngrënë, e shpëton kafshën nga sëmundja. Shpjegimi është që në qoftë se, për shembull, komponenti i sheqerit në trupin e kafshës është pakësuar, kafsha, në përputhje me ligjin natyror, është e dëshiruar për një barishte të pasur në sheqer. Kështu, nën një shtytje natyrore, që është oreksi, midis njëmijë lloje bimësh në fusha, kafsha zbulon e ha atë barishte që përmban komponent sheqeri në sasi të mëdha. Në këtë mënyrë ekuilibri thelbësor i substancave që përbëjnë trupin e saj rivendoset dhe kafsha shpëton nga sëmundja.

Kjo çështje kërkon shqyrtimin më të kujdesshëm. Kur mjekë shumë të kualifikuar ta studiojnë plotësisht këtë çështje, me themel e këmbëngulje, do të duket qartë se shpërthimi i sëmundjes ka si shkak një çrregullim në sasitë përkatëse të substancave përbërëse të trupit, se kurimi qëndron në rregullimin e këtyre sasive përkatëse dhe se kjo mund të kuptohet e të bëhet e mundur nëpërmjet ushqimeve.

Me siguri që në këtë epokë të re të mahnitshme zhvillimi i shkencës mjekësore do të bëjë që doktorët t'i shërojnë pacientët e tyre me ushqime. Sepse shqisa e të pamit, shqisa e të dëgjuarit, e të shijuarit, e të nuhaturit, e të prekurit - të gjitha këto janë aftësi dalluese, të cilat kanë si qëllim të ndajnë të dobishmen nga çdo gjë që shkakton dëm. Tani, a është e mundur që shqisa e të nuhaturit që ka njeriu, shqisa që bën diferencimin e erërave, të gjejë ndonjë erë të neveritshme dhe ajo erë të jetë e dobishme për trupin njerëzor? Absurde! E pamundur! Po kështu, a mundet trupi njerëzor, përmes aftësisë së të pamit - diferencuesit midis gjërave të dukshme - të ketë përfitim nga soditja e një mase të neveritshme jashtëqitjeje? Kurrë! Më tej, në qoftë se shqisa e të shijuarit, që është po kështu një aftësi që zgjedh e refuzon, goditet nga diçka, ajo gjë me siguri nuk është e dobishme; edhe sikur në fillim të sjellë ndonjë përfitim, me kalimin e kohës dëmi i saj del sheshit.

Dhe po kështu, kur trupi është në gjendje ekuilibri, nuk ka dyshim se çdo gjë që sjell kënaqësi është e dobishme për shëndetin. Shihni sesi një kafshë kullot në një fushë ku ka njëqind mijë lloj barishtesh e barërash dhe sesi me shqisën e të nuhaturit ajo nuhat erën e bimëve dhe i provon ato me shqisën e të shijuarit; pastaj ha çdo bar që është i kënaqshëm për këto shqisa dhe ka dobi prej tyre. Po të mos ishte kjo aftësi e përzgjedhjes, të gjitha kafshët do të ngordhnin brenda ditës; sepse ka shumë e shumë bimë helmuese, dhe kafshët nuk marrin vesh nga farmakologjia. Megjithatë, shihni se ç'sisteme të sigurta kanë ato, me anën e të cilave bëjnë dallimin midis së mirës e së dëmshmes. Çfarëdo element përbërës i trupit të tyre të jetë pakësuar, ato mund ta kompensojnë atë duke kërkuar e ngrënë ndonjë bimë që përmban në sasi të bollshme elementin e pakësuar; dhe kështu ekuilibri i komponentëve truporë të tyre rivendoset dhe ato shpëtojnë nga sëmundjet.

Në çdo kohë që mjekë shumë të kualifikuar do të zhvillojnë shërimin e sëmundjeve me anë të ushqimeve, do të sigurojnë ushqime të thjeshta dhe do t'ua ndalojnë njerëzve të jetojnë si skllevër të orekseve të tyre epshore, është e sigurt që rastet e sëmundjeve kronike e të shumëllojshme do të shkojë në rënie dhe shëndeti i përgjithshëm i njerëzisë do të përmirësohet së tepërmi. Kjo është e destinuar të ndodhë. Po kështu, ndryshime universale do të bëhen në karakterin, sjelljen dhe zakonet e njerëzve.

135. Sipas urdhrit të qartë të Bahá'u'lláh-ut, njeriu nuk duhet të hedhë poshtë këshillën e një doktori kompetent. Është e domosdoshme të kërkosh këshillën e një doktori të tillë edhe sikur vetë pacienti të jetë një mjek i famshëm e i shquar. Me një fjalë, puna është që ju duhet të ruani shëndetin tuaj duke u këshilluar me një mjek shumë të kualifikuar.

136. Është detyrë e gjithsecilit të kërkojë trajtim mjekësor dhe të ndjekë porositë e doktorit, sepse kjo është në pajtim me urdhrin hyjnor, por, në të vërtetë, Ai Që jep shërim është Perëndia.

137. O ti që i thur lavde Zotit tënd! E lexova letrën tënde, në të cilën ti shprehje habinë për disa prej ligjeve të Perëndisë, siç është ai që ka të bëjë me gjuetinë e kafshëve të padëmshme, krijesa që nuk janë fajtore për asgjë të keqe.

Mos u befaso nga kjo. Reflekto për realitetet e brendshme të universit, për urtitë e fshehta që lidhen me to, për enigmat, ndërthurjet, rregullat që drejtojnë gjithçka. Sepse çdo pjesë e universit është e ndërthurur me çdo pjesë tjetër me lidhje tepër të fuqishme dhe nuk lejon çekuilibrim e kurrfarë dobësimi. Në mbretërinë fizike të krijimit të gjitha gjërat janë ngrënëse ose të ngrëna: bima thith nga lënda inorganike, kafsha këput dhe gëlltit bimën, njeriu ushqehet me kafshën dhe lënda inorganike përpin trupin e njeriut. Trupat fizikë shpërngulen duke kapërcyer një pengesë pas tjetrës, kalojnë nga një jetë në një tjetër, dhe të gjitha gjërat i nënshtrohen transformimit e ndryshimit, me përjashtim vetëm të vetë Shkakut të ekzistencës - përderisa ky është i përhershëm e i pandryshueshëm, dhe mbi Të mbështetet ekzistenca e çdo specieje e lloji, e çdo realiteti të kushtëzuar në të gjithë krijimin.

Kurdo që ekzaminon në mikroskop ujin që pi njeriu, ajrin që ai thith, sheh se me çdo frymëmarrje njeriu merr me bollëk jetë shtazore dhe me çdo gllënjkë uji gëlltit gjithashtu një numër të madh qeniesh shtazore. Si do të ishte e mundur të ndalej ky proces? Sepse të gjitha krijesdat janë ngrënëse e të ngrëna, dhe vetë endja e jetës është e thurur mbi bazën e këtij fakti. Po të mos ishte kështu, lidhjet që ndërthurin të gjitha krijesat brenda universit do të çthureshin.

Dhe më tej, kurdo që një gjë shkatërrohet, kalbet dhe shkëputet nga jeta, ajo ngrihet në një botë që është më e madhe sesa bota që njihte më parë. Ajo lë, për shembull, jetën e lëndës inorganike dhe shkon përpara në jetën e bimës; pastaj largohet nga jeta bimore dhe ngjitet në atë shtazore, dhe në vazhdim braktis jetën shtazore dhe ngjitet në mbretërinë e jetës njerëzore, dhe kjo falë hirit të Zotit, të Mëshirshmit, Zemërdhembshurit.

Unë i lutem Perëndisë të të ndihmojë ty të kuptosh misteret që qëndrojnë në vetë zemrën e krijimit dhe të heqë perden nga sytë e tu e të motrës sate, në mënyrë që sekreti i mirëruajtur të të zbulohet ty dhe misteri i fshehur të të revelohet qartë si dielli në mesditë; që Ai të ndihmojë motrën tënde dhe burrin tënd të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë, dhe të të shërojë ty nga çdo sëmundje, qoftë fizike apo shpirtërore, që e sulmon njeriun në këtë jetë.

138. O ju të dashur të Zotit! Mbretëria e Perëndisë bazohet në paanësinë e drejtësinë, si dhe në mëshirën, dhembshurinë e dashamirësinë ndaj çdo shpirti të gjallë. Përpiquni, pra, me gjithë shpirt të silleni me dashamirësi ndaj gjithë gjininë njerëzore - me përjashtim të atyre që kanë motive egoist personale, ose janë të sëmurë në shpirt. Nuk mund të tregohet dashamirësi ndaj tiranit, mashtruesit, ose hajdutit, sepse në vend që të zgjojë tek ata vetëdijën për sjelljet e tyre të gabuara, i bën ata të vazhdojnë si dhe më parë në mbrapshtinë e tyre. Sado dashamirësi të tregoni ndaj një gënjeshtari, ai më shumë do të gënjejë, sepse beson që ju ka mashtruar, ndërkohë që ju e kuptoni atë shumë mirë, por heshtni për shkak të dhembshurisë suaj të skajshme.

Me një fjalë, të dashurit e Perëndisë duhet të sillen me mëshirë e dhembshuri jo vetëm ndaj qenieve të tjera njerëzore, por të tregojnë dashamirësinë më të madhe ndaj çdo krijese të gjallë. Sepse nga pikëpamja fizike, dhe përsa i përket shpirtit shtazor, të njëjtat ndjenja shfaqin kafsha dhe njeriu. Por njeriu nuk e ka kapur këtë të vërtetë dhe beson se ndjesitë fizike kufizohen vetëm te qeniet njerëzore, prandaj është i padrejtë e mizor ndaj kafshëve.

Dhe me të vërtetë, ç'ndryshim ka kur është fjala për ndjesitë fizike? Ndjesitë janë po ato, qoftë nëse i shkaktoni dhimbje njeriut apo shtazës. Nuk ka kurrfarë ndryshimi. Dhe me të vërtetë ju veproni më keq kur lëndoni një kafshë, sepse njeriu ka gjuhë, ai mund të paraqesë një ankesë, mund të qajë e të rënkojë; nëse atë e lëndojnë, ai mund t'u drejtohet autoriteteve dhe ato e mbrojnë atë nga agresori. Por shtaza fatkeqe nuk ka gojë që të flasë, nuk është në gjendje të shprehë lëndimin dhe as t'ua paraqesë çështjen e saj autoriteteve. Sikur një njeri t'i shkaktojë njëmijë të këqia një shtaze, kjo nuk mund as ta shmangë atë me fjalë dhe as ta nxjerrë në gjyq. Prandaj është thelbësore që ju të tregoni vëmendjen më të madhe për kafshën dhe madje të jeni më i dashur me të sesa me një njeri.

I mësoni fëmijët tuaj qysh në moshë të njomë të jenë pafundësisht të butë e të dashur me kafshët. Nëse një kafshë është e sëmurë, fëmijët le të përpiqen ta shërojnë atë, nëse ajo është e uritur le ta ushqejnë, nëse është e etur le t'ia shuajnë etjen, nëse është e lodhur le të kujdesen që të pushojë.

Shumë qenie njerëzore janë mëkatarë, kurse kafshët janë të pafajshme. Sigurisht ndaj atyre që nuk bëjnë mëkate duhet treguar dashamirësia e dashuria më e madhe - ndaj të gjithave, me përjashtim të kafshëve të dëmshme, siç janë ujqërit gjakatarë, gjarpërinjtë helmues dhe krijesat e rrezikshme si këto, për arsye se dashamirësia ndaj tyre është padrejtësi ndaj qenieve njerëzore, si dhe ndaj kafshëve të tjera. Nëse ju, për shembull, tregoheni zemërbutë ndaj një ujku, kjo është tirani ndaj dhenve, sepse ujku do të asgjësonte një kope të tërë dhensh. Një qen i tërbuar, nëse i jepet mundësia, mund të mbysë njëmijë kafshë e njerëz. Prandaj dhembshuria që tregohet ndaj shtazëve të egra e grabitqare është egërsi ndaj atyre paqësore - dhe ato të dëmshmet me egërsi duhen trajtuar. Ndërsa ndaj kafshëve të bekuara duhet treguar dashamirësia më e madhe, sa më shumë aq më mirë. Butësia dhe dashamirësia janë parime bazë të Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Këtë duhet ta mbani parasysh me shumë kujdes.

139. O ti shërbëtore e Perëndisë! Lajmet e gëzuara qiellore duhen dhënë me dinjitetin e zemërgjerësinë më të madhe. Dhe sakohë që një shpirt nuk ka arritur cilësitë thelbësore për bartësin e këtyre lajmeve të gëzuara, fjalët e tij nuk do të kenë efekt.

O skllave e Perëndisë! Shpirti njerëzor ka fuqi të mahnitshme, por ai duhet përforcuar me Frymën e Shenjtë. Çdo gjë e ndryshme nga kjo që ti dëgjon, është thjesht imagjinatë. Por nëse ndihmohet nga dashamirësia e Frymës së Shenjtë, forca e tij është diçka për t'u habitur. Atëherë ai shpirt njerëzor zbulon realitetet dhe zgjidh misteret. Ktheje tërësisht zemrën drejt Frymës së Shenjtë dhe ftoji të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë; atëherë do të jesh dëshmitare e rezultateve të mrekullueshme.

O shërbëtore e Perëndisë! Yjet në qiell nuk ushtrojnë kurrfarë ndikimi shpirtëror mbi këtë botë pluhuri; por të gjitha gjymtyrët dhe pjesët e universit janë të lidhura fort së bashku në atë hapësirë të pakufishme dhe kjo lidhje sjell pasoja materiale të ndërsjella. Tej bujarisë së Frymës së Shenjtë, çfarëdo që të dëgjoni përsa u përket transeve, apo borive të mediumëve, që përçojnë kumbimin e zërave të të vdekurve janë thjesht e mirëfilli imagjinata. Kurse përsa i përket bujarisë së Frymës së Shenjtë, trego ç'të duash - kjo nuk mund të teprohet; beso, pra, çdo gjë që të dëgjosh për këtë. Por personat të cilëve iu referuam janë krejt të përjashtuar nga kjo bujari dhe nuk kanë pjesë aty; veprimi i tyre është një iluzion.

O shërbëtore e Perëndisë! Lutjet plotësohen përmes Manifestimeve Universale të Perëndisë. Megjithatë, kur ka dëshirë për të siguruar gjëra materiale, madje edhe kur fjala është për të shkujdesurit, nëse ata luten, duke kërkuar me përunjësi ndihmën e Perëndisë - edhe lutja e tyre ka efekt.

O shërbëtore e Perëndisë! Edhe pse realiteti i Hyjnisë është i shenjtëruar e i pafund, qëllimet dhe nevojat e krijesave janë të kufizuara. Hiri i Perëndisë është si shiu që bie nga qielli: uji nuk është i kufizuar nga caqet e formës, por në çdo vend që ai bie merr kufizime - dimensione, dukje, formë - në përshtatje me karakteristikat e atij vendi. Në një pellg katror, uji, që më parë nuk kishte kufi, bëhet katror; në një pellg gjashtëbrinjësh bëhet gjashtëkëndësh, në një pellg tetëbrinjësh bëhet tetëkëndësh, e kështu me radhë. Vetë shiu nuk ka gjeometri, nuk ka kufij, nuk ka formë, por ai merr një formë ose një tjetër sipas caqeve të enës së tij. Po kështu, Thelbi i Shenjtë i Zotit Perëndisë është i pakufishëm, i pamatshëm, por hiret dhe shkëlqimet e Tij bëhen të fundme te krijesat, për shkak të kufizimeve të tyre, prandaj lutjet e personave të caktuar marrin përgjigje të favorshme në disa raste.

O shërbëtore e Perëndisë! Me Zotin Krisht është njëlloj si me Adamin. A kishte qenia e parë njerëzore që erdhi në jetë mbi këtë tokë një Bába ose nënë? Është e sigurt që nuk kishte. Por Krishtit i mungonte vetëm Bábai.

O shërbëtore e Perëndisë! Lutjet që janë reveluar për të kërkuar shërim kanë të bëjnë si me shërimin fizik dhe me atë shpirtëror. Thuajini ato, pra, për të shëruar shpirtin dhe trupin. Nëse shërimi i të sëmurit është i drejtë, ai me siguri do të jepet; por për disa njerëz të sëmurë, shërimi mund të jetë vetëm shkak i sëmundjeve të tjera, prandaj urtia nuk lejon një përgjigje pozitive për atë lutje.

O shërbëtore e Perëndisë! Fuqia e Frymës së Shenjtë shëron si sëmundjet fizike dhe ato shpirtërore.

O shërbëtore e Perëndisë! Në Torahun është shënuar: Dhe unë do t'ju jap juve luginën e Akorit si një portë shprese. Kjo luginë e Akorit është në qytetin e 'Akká-s, dhe kush e ka interpretuar ndryshe është ndër ata që nuk dinë.

140. Ti ke pyetur për ngjitjen e Jezusit, me Moisiun, Elian dhe me Atin Qiellor në malin Tabor, siç referohet në Biblën. Kjo ngjarje u diktua nga dishepujt me syrin e tyre të brendshëm, pra ai ishte një sekret i fshehur dhe një zbulim shpirtëror i tyre. Përndryshe, nëse qëllimi do të ishte që ata të shihnin forma fizike, domethënë që ata ta shihnin atë ngjitje me sytë e tyre të jashtëm, në atë rrafshinë e pranë atij mali kishte shumë njerëz të tjerë, atëherë përse ata nuk mundën ta shihnin? Dhe përse Zoti u kërkoi atyre të mos i tregonin njeriu? Është e qartë që ai ishte një vegim shpirtëror dhe një pamje e Mbretërisë. Prandaj Mesia i urdhëroi ata ta mbanin të fshehtë këtë 'deri sa Biri i Njeriut të ngjallet së vdekurish'1 - domethënë deri sa Kauza e Perëndisë të lartësohej, Fjala e Perëndisë të mbizotëronte dhe realiteti i Krishtit të dilte në pah.

141. O ti flakë që digjesh nga malli, ti që je ndezur zjarr nga dashuria për Perëndinë! E lexova letrën tënde dhe përmbajtja e saj, e shprehur bukur e me elokuencë, më kënaqi zemrën, sepse tregon sinqeritetin tënd të thellë në Kauzën e Perëndisë, hapat tuaj ngulmues në udhën e Mbretërisë së Tij dhe përkushtimin tënd ndaj Besimit të Tij - sepse nga të gjitha gjërat e mëdha, kjo është më e madhja në sytë e Tij.

Sa e sa shpirtra e patën kthyer fytyrën drejt Zotit dhe patën hyrë nën hijen mbrojtëse të Fjalës së Tij, patën bërë emër në gjithë botën, për shembull, Juda Iskarioti. Por pastaj, kur sprovat u vështirësuan dhe furia e tyre u shtua, atyre u shkanë këmbët në udhë dhe i kthyen shpinën Besimit pasi kishin njohur të vërtetën e tij, e mohuan atë dhe ranë poshtë nga harmonia e dashuria në ligësi e urrejtje. Kështu bëhet e dukshme forca e sprovave, që bën të dridhen e të lëkunden shtylla të fuqishme.

Juda Iskarioti ishte më i madhi i dishepujve, dhe ai i ftoi njerëzit te Krishti. Pastaj atij iu duk se Jezusi po tregonte një vlerësim gjithnjë e më të madh për Apostullin Pjetër, dhe kur Jezusi tha 'Ti je Pjetri dhe mbi këtë shkëmb Unë do të ndërtoj kishën Time', këto fjalë drejtuar Pjetrit dhe ky veçim i Pjetrit për një nder të veçantë patën një ndikim të ndjeshëm mbi Apostullin dhe ngjallën smirën në zemrën e Judës. Për këtë arsye ai që dikur ishte afruar pranë ktheu rrugë, ai që kishte besuar në Besimin e mohoi atë dhe dashuria e tij u shndërrua në urrejtje, derisa ai u bë shkak për kryqëzimin e atij Zoti të lavdishëm, Atij Shkëlqimi të dukshëm. I tillë është përfundimi i smirës, i arsyes kryesore që njerëzit largohen prej Shtegut të Drejtë. Kështu ka qenë në kohët e shkuara, kështu do të jetë edhe në këtë Kauzë të madhe. Por kjo nuk ka rëndësi, sepse ngjall besnikëri tek të tjerët dhe i bën të ngrihen shpirtrat që nuk lëkunden, që janë të vendosur e të patundur si malet në dashurinë e tyre për Dritën e Dukshme.

Përcillu shërbëtoreve të të Mëshirshmit mesazhin, që kur një sprovë bëhet e rëndë ato duhet të qëndrojnë të patundura e besnike në dashurinë e tyre për Bahá-in. Në dimër vijnë stuhitë dhe fryjnë erëra të mëdha, por pastaj vjen pranvera me tërë bukurinë e saj, që stolis kodrën e fushën me bimët kundërmuese dhe lule taçet e kuqe që t'i ka ënda t'i shohësh. Atëherë zogjtë do të cicërojnë mbi degë këngët e tyre të hareshme dhe do të predikojnë me tone të gëzuara nga foltoret e pemëve. Së shpejti ju do të jeni dëshmitarë që dritat po vërshojnë përpara, flamujt e mbretërisë së epërme po valëviten, aromat e ëmbla të Mëshirëplotit po përhapen kudo, ushtritë e Mbretërisë po marshojnë këtu poshtë, engjëjt e qiellit po sulen përpara dhe Shpirti i Shenjtë po fryn mbi të gjitha ato rajone. Atë ditë ti do të shohësh të lëkundurit, si burra dhe gra, të zhgënjyer në shpresat e tyre dhe në humbje të dukshme. Këtë e ka dekretuar Zoti, Reveluesi i Vargjeve.

Sa për ty, lum ti, sepse ti je e vendosur në Kauzën e Perëndisë, e patundur në Besëlidhjen e Tij. I lutem Atij të të dhurojë një shpirt të devotshëm dhe jetën e Mbretërisë, të të bëjë ty një gjethe të blertë e që lulëzon mbi Pemën e Jetës, që t'u shërbesh me devotshmëri e ngazëllim shërbëtoreve të të Mëshirshmit.

Zoti yt bujar do të të ndihmojë për të punuar në vreshtin e Tij dhe do të bëjë që ti të jesh mjet i përhapjes së frymës së unitetit midis shërbëtoreve të Tij. Ai do ta bëjë syrin tënd të brendshëm të shohë me dritën e dijes, Ai do falë mëkatet e tua dhe do t'i shndërrojë ato në vepra të dobishme. Me të vërtetë, Ai është Falësi, i Dhembshuri, Zoti i hirit të pamasë.

142. O ti shërbëtore e dashur e Perëndisë! Lëvdo Perëndinë që ti je e pëlqyer në Pragun e Tij të Shenjtë dhe e mirëpritur në Mbretërinë e fuqisë së Tij. Ti je kreu i një kuvendi që është vetë gjurma e Grupimit të epërm, shëmbëllimi i pasqyruar i mbretërisë lavdiplote. Përpiqu me mish e me shpirt, me përunjësi të devotshme e vetëmënjanim, të mbështesësh Ligjin e Perëndisë dhe të përhapësh kudo aromat e Tij të ëmbla. Mundohu të bëhesh kryetarja e vërtetë e kuvendeve të shpirtrave të devotshëm dhe një bashkudhëtare e engjëjve në mbretërinë e Mëshirëplotit.

Ti pyet për vargjet nga i dhjeti deri te i shtatëmbëdhjeti të kreut njëzet e një të Revelacionit të Hyjnorit Shën Gjon. Dije se sipas parimeve matematike, kupa qiellore e këtij dielli të shkëlqyer të tokës është ndarë midis dymbëdhjetë yjësive, që i quajnë dymbëdhjetë shenjat zodiake. Po kështu Dielli i së Vërtetës shkëlqen dhe derdh bujaritë e tij përmes dymbëdhjetë shkallëve të shenjtërisë dhe me këto shenja qiellore nënkuptohen ata personazhe të pastër e të panjollë që janë vetë burimet e shenjtërisë dhe vend-agimet që shpallin njëshmërinë e Perëndisë.

Mbaj parasysh sesi në ditët e Bashkëbiseduesit (Moisiut) kishte dymbëdhjetë qenie të shenjta që ishin udhëheqës të dymbëdhjetë fiseve; dhe po kështu në dispensacionin e Shpirtit (Krishtit), shih që kishte dymbëdhjetë Apostuj të mbledhur nën strehën mbrojtëse të asaj Drite hyjnore, dhe prej atyre vend-agimeve të shkëlqyeshme Dielli i së Vërtetës ndriçoi ashtu si dielli në qiell. Gjithashtu, në kohën e Muhametit, shiko që kishte dymbëdhjetë vend-agime të shenjtërisë, shfaqës të ndihmës konfirmuese të Perëndisë. S'ka si të jetë ndryshe.

Prandaj Hyjnori Shën Gjon flet për dymbëdhjetë porta në vegimin e tij dhe dymbëdhjetë themele. Me shprehjen 'ai qytet i madh, Jerusalemi i shenjtë, që zbriti prej qiellit nga Perëndia' kuptohet Ligji i shenjtë i Perëndisë dhe kjo paraqitet në shumë Tabela, dhe mund të lexohet edhe në Shkrimet e Profetëve të së shkuarës: për shembull, që Jerusalemi u pa duke dalë në shkretëtirë.

Domethënia e pasazhit është që ky Jerusalem qiellor ka dymbëdhjetë porta, përmes të cilave të bekuarit hyjnë në Qytetin e Perëndisë. Këto porta janë shpirtra që janë si yje të karvanit, si portale dijesh e hiri; dhe brenda këtyre portave qëndrojnë dymbëdhjetë engjëj. Me 'engjëll' kuptohet fuqia e konfirmimeve të Perëndisë - që qiriri i fuqisë konfirmuese të Perëndisë ndriçon nga kamarja e llambës së atyre shpirtrave - që do të thotë se secilës prej atyre qenieve do t'i jepej konfirmimi më i fuqishëm .

Këto dymbëdhjetë porta rrethojnë tërë botën, domethënë ato janë strehë për të gjitha krijesat. Dhe më tej, këto dymbëdhjetë porta janë themelet e Qytetit të Perëndisë, Jerusalemit qiellor, dhe mbi secilin prej këtyre themeleve është shkruar emri i njërit prej Apostujve të Krishtit. Kjo do të thotë që secili shfaq përsosmëritë, mesazhin e gëzuar dhe epërsinë e asaj Qenieje të shenjtë.

Me pak fjalë, Shkrimet e Shenjta thonë: 'Dhe ai që foli me mua kishte një shkop prej ari, domethënë një matës me të cilin ai maste qytetin, portat dhe kullat e tij'. Domethënia është që disa personazhe i udhëhiqnin njerëzit me një stap të mbirë nga toka dhe u prinin atyre me një shkop, si shkopi i Moisiut. Të tjerë i mësojnë e u prijnë njerëzve me një shkop hekuri, si në dispensacionin e Muhametit. Dhe në këtë cikël të tanishëm, për shkak se ai është më i fuqishmi i dispensacioneve, ai shkop i mbirë nga mbretëria bimore dhe ai shkop hekuri do të shndërrohen në një shkop prej arit më të pastër, të marrë nga thesari i pafund i shtëpive në Mbretërinë e Zotit. Me këtë shkop do të mësohen njerëzit.

Vëre re mirë ndryshimin: një herë e një kohë Mësimet e Perëndisë ishin si një shkop dhe me këtë mjet u përhapën kudo Shkrimet e Shenjta, u shpall Ligji i Perëndisë dhe u vendos Besimi i Tij. Pastaj erdhi një kohë kur shkopi i Bariut të vërtetë ishte si hekur. Dhe sot, në këtë epokë të re e të shkëlqyer, shkopi është si ar i pastër. Sa i madh është këtu ndryshimi! Dije, pra, sa shumë terren kanë fituar Ligji i Perëndisë dhe Mësimet e Tij në këtë dispensacion, sesi ato kanë arritur lartësi të tilla që kanë kapërcyer së tepërmi dispensacionet e së shkuarës: me të vërtetë ky shkop është prej arit më të pastër, ndërsa ata të kohëve të shkuara ishin prej hekuri dhe druri.

Kjo është një përgjigje e shkurtër që është shkruar për ty, sepse nuk kishte kohë për më shumë. Sigurisht ti do të më falësh. Shërbëtoret e Perëndisë duhet të arrijnë një nivel të tillë, që vetë ato e pa ndihmën e të tjerëve të kapin këto kuptime të brendshme dhe të jenë në gjendje të shpjegojnë gjatë e gjerë çdo fjalë, një nivel që nga e vërteta më e brendshme e zemrave të tyre do të rrjedhë një gurrë urtie dhe do të vërshojë si një rrëke që ushqehet nga burimi i vet origjinal.

143. O ti që je afruar pranë shpirtit të Krishtit në Mbretërinë e Perëndisë! Me të vërtetë trupi përbëhet prej elementësh fizikë dhe çdo përbërës medoemos do të shpërbëhet.Por shpirti është një thelb i vetëm, i brishtë e delikat, jotrupor, i përjetshëm dhe i dhënë nga Perëndia. Për këtë arsye, kush e kërkon Krishtin në trupin e Tij fizik ka kërkuar më kot dhe do jetë i ndarë prej Tij si me një perde. Por kush digjet nga dëshira për ta gjetur Atë në shpirtin do të rritet dita ditës në gëzim, dëshirë e dashuri të zjarrtë, pranë Tij dhe duke e parë Atë qartë e hapur. Në këtë ditë të re e të mahnitshme është detyra jote të kërkosh shpirtin e Krishtit.

Me të vërtetë qielli në të cilin u ngrit Mesia nuk ishte ky qiell i pafund, përkundrazi qielli i Tij ishte Mbretëria e Zotit të Tij mirëbërës. Siç ka thënë Ai Vetë 'Unë kam zbritur nga qielli'10 dhe përsëri 'Biri i Njeriut është në qiell'.11 Është, pra, e qartë se qielli i Tij është tej pikave orientuese; ai qarkon gjithë ekzistencën dhe ngrihet për ata që adhurojnë Perëndinë. Lutju dhe përgjëroju Zotit tënd të të ngjitë në atë qiell dhe të të japë të hash prej ushqimit të tij në këtë epokë madhështie e fuqie.

Dije se njerëzit, edhe deri më sot, nuk kanë mundur të zgjidhin sekretet e fshehura të Librit. Ata mendojnë se Krishti ishte përjashtuar nga qielli i Tij në ditët kur Ai ecte mbi tokë, se Ai ra nga lartësitë e madhështisë së Tij dhe paskëtaj u ngjit në ato horizonte të epërme të qiellit, në qiellin që nuk ekziston aspak, sepse s'është veçse hapësirë. Dhe ata presin që Ai të zbresë prej andej përsëri, hipur mbi një re, dhe imagjinojnë se në atë hapësirë të pafundme ka re dhe se Ai do të qëndrojë mbi to dhe në atë mënyrë do të zbresë. Ndërsa e vërteta është se reja s'është veçse avull që ngrihet nga toka dhe se ajo nuk zbret nga qielli. Përkundrazi, reja së cilës i referohet Ungjilli është trupi i njeriut, i quajtur kështu sepse trupi është për njeriun si një perde, e cila, si dhe reja, nuk e lë atë të shohë Diellin e së Vërtetës që ndriçon nga horizonti i Krishtit.

Unë i lutem Perëndisë të hapë para syve të tu portat e zbulimeve e të perceptimeve, që ti të jesh i informuar për misteret e Tij në këtë më të dukshmen ditë.

Unë jam shumë i etur të të takoj, por kohët nuk janë të përshtatshme. Dashtë Perëndia, ne do të të njoftojmë për një kohë më të mirë, kur ti mund të vish e të na gëzosh.

144. O dashurues i njerëzimit! Letrën tënde e morëm dhe ajo, qoftë lëvduar Perëndia, bën fjalë për shëndetin e mirëqenien tënde. Nga përgjigja jote ndaj një letre të mëparshme duket se midis teje dhe miqve po vendosen ndjenja të dashurisë.

Secili duhet të shohë në çdo qenie njerëzore vetëm atë që është e lavdërueshme. Kur bëhet kjo, njeriu mund të jetë mik i mbarë gjinisë njerëzore. Por po qe se i shohim njerëzit nga këndvështrimi i gabimeve të tyre, atëherë të jesh një mik për ta është një detyrë tepër e vështirë.

Një ditë në kohën e Krishtit - u bëftë fli jeta e botës për Të. - ndodhi që Ai kaloi pranë kufomës së një qeni të ngordhur, një cofëtire kutërbuese, të shëmtuar, me gjymtyrët që po i kalbeshin. Një prej të pranishmëve tha: "Ç'erë të keqe bie!" Dhe një tjetër tha: 'Sa pështirë! Sa e neveritshme!" Me një fjalë, secili prej tyre kishte diçka për t'i shtuar listës.

Por pastaj foli Vetë Krishti, dhe Ai u tha atyre: "Shikoni dhëmbët e qenit! Sa të bardhë e vezullues janë!"

Shikimi gjynahembulues i Mesisë nuk u ndal për asnjë çast te pamja e neveritshme e asaj cofëtire. I vetmi element i kufomës së ngordhur të atij qeni që nuk ngjallte krupë ishin dhëmbët: dhe Jezusi pa shkëlqimin e tyre.

Është, pra, e detyrueshme që ne, kur ua drejtojmë shikimin njerëzve të tjerë, të shohim ku ata shkëlqejnë e jo ku janë keq.

Lëvduar qoftë Perëndia, qëllimi yt është të përkrahësh mirëqenien e njerëzimit dhe të ndihmosh shpirtrat për të kapërcyer gabimet e tyre. Ky qëllim i mirë do të japë përfundime të lavdërueshme.

145. Ti ke shkruar për çështjen e zbulimeve shpirtërore. Shpirti i njeriut është një forcë rrethuese që përfshin realitetet e të gjitha gjërave. Çdo gjë që ti sheh rreth vetes - produkte të mahnitshme të mjeshtrisë njerëzore, shpikje, zbulime e dëshmi të ngjashme - çdonjëra prej tyre ishte dikur një sekret i fshehur në mbretërinë e së panjohurës. Shpirti njerëzor e ka bërë atë sekret të dukshëm, e ka nxjerrë atë nga bota e padukshme në botën e dukshme. Janë, për shembull, forca e avullit, fotografia dhe gramafoni, telegrafi pa tel dhe përparimet në matematikë: Secila prej tyre pa përjashtim ishte dikur një mister, një sekret i ruajtur mirë, megjithatë shpirti njerëzor i shpalosi këto sekrete dhe i nxorri ato nga e padukshmja në dritën e ditës. Është pra e qartë se shpirti njerëzor është një forcë gjithëpërfshirëse që ushtron zotërimin e vet mbi thelbin e brendshëm të të gjitha gjërave të krijuara, duke zbuluar misteret e ruajtura mirë të botës së dukurive.

Porshpirti hyjnor zbulon realitetet hyjnore dhe misteret universale që ndodhen në botën shpirtërore. Unë shpresoj se ti do të arrish te ky shpirt hyjnor, në mënyrë që të zbulosh sekretet e botës tjetër, si dhe misteret e botës këtu poshtë.

Ti pyesje për kapitullin 14, vargu 30 i Ungjillit të Gjonit, ku Krishti Zot thotë 'Paskëtaj Unë nuk do të flas shumë me ju: sepse vjen Princi i kësaj bote dhe nuk ka asgjë prej Meje.' Princi i kësaj bote është Bukuria e Bekuar; dhe 'nuk ka asgjë prej Meje' do të thotë: pas Meje të gjithë do të marrin hir prej Meje, por Ai është i pavarur prej Meje dhe nuk do të marrë hir prej Meje. Kjo sepse Ai është i pasur përmbi çdo hir Timin.

Lidhur me çështjen e zbulimeve që bën shpirti pasi ka flakur formën e tij njerëzore: Me siguri, ajo botë është një botë perceptimesh e zbulimesh, sepse perdja e futur në mes do të hiqet dhe shpirti njerëzor do të sodisë shpirtrat që janë sipër, poshtë dhe në një nivel me atë vetë. Kjo është e ngjashme me gjendjen e një qenieje njerëzore në mitër, ku sytë e saj janë të veshur dhe të gjitha gjërat janë të fshehura prej saj. Kur ajo lind jashtë botës së mitrës dhe hyn në këtë jetë, e sheh se në krahasim me mitrën ky është një vend perceptimesh e zbulimesh dhe vëren gjithfarë gjërash me syrin e jashtëm. Po kështu, kur largohet nga kjo jetë, shikon në atë botë gjithçka që ishte e fshehur prej saj këtu: Por atje i sheh e i kupton të gjitha gjërat me syrin e vet të brendshëm. Atje ajo do të shohë shokët e vet të barabartë me të, ata që janë në shkallët mbi të, si dhe ata që janë më poshtë. Për sa i përket kuptimit të barazisë së shpirtrave në mbretërinë e lartësiplotit, kjo do të thotë se: shpirtrat e besimtarëve, në kohën kur ata fillimisht manifestohen në botën e trupit, janë të barabartë dhe secili është i shenjtëruar e i dëlirë. Megjithatë, në këtë botë ata do të fillojnë të ndryshojnë nga njeri-tjetri, ca duke arritur pozitën më të lartë, disa në mes, të tjerë duke mbetur në shkallën më të ulët të qenies. Statusi i tyre është i barabartë në fillim të ekzistencës së tyre; ndryshimi pason ikjen e tyre nga kjo botë.

Ti shkruaje për Seirin. Seir është një vend pranë Nazaretit në Galile.

Ndërsa për deklaratën e Jovit, kapitulli 19, vargjet 25-27, 'Unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe se Ai do të qëndrojë në ditën e fundit mbi tokë', ja kuptimi: Unë nuk do të poshtërohem, unë kam një Mbështetës e Ruajtës dhe Ndihmuesi im, Mbrojtësi im më në fund do të bëhet manifest. Dhe megjithëse tani trupi im është i dobët e i veshur me krimba, sidoqoftë unë do të shërohem dhe me këta sy të mitë, që është vështrimi im i brendshëm, unë do ta shoh Atë. Këtë tha Jovi pasi ata e kishin qortuar dhe ai vetë kishte vajtuar të këqijat që i kishin shkaktuar mundimet. Edhe kur prej sulmeve të tmerrshme të sëmundjes, trupi i tij u mbulua me krimba, ai kërkoi t'u tregojë atyre rreth vetes se ai megjithatë do të shërohej plotësisht dhe se pikërisht në trupin e tij, me vetë sytë e tij ai do të shihte mbi Shpëtimtarin e tij.

Për sa i përket gruas në Revelacionin e Shën Gjonit, kapitulli 12, që ia mbathi në shkretëtirë dhe çudia e madhe u duk në qiell, që gruaja u vesh me diell, me hënën nën këmbët e saj: ajo që kuptohet me gruan është Ligji i Perëndisë. Sepse sipas terminologjisë së Librit të Shenjtë, kjo referencë është ndaj Ligjit, duke qenë gruaja këtu simboli i tij. Dhe dy trupat qiellorë, dielli dhe hëna, janë dy fronet, turk dhe pers, duke qenë këta të dy nën sundimin e Ligjit të Perëndisë. Dielli është simboli i Perandorisë Perse dhe hëna që është kreshente e Perandorisë Turke. Kurora dymbëdhjetë-mbështjellë janë dymbëdhjetë Imamët, që si Apostujt, mbështesnin Besimin e Perëndisë. Fëmija i sapolindur është Bukuria e të Adhuruarit12, ardhur prej Ligjit të Perëndisë. Ai pastaj tha se gruaja ia mbathi në shkretëtirë, kjo sepse Ligji i Perëndisë u çua prej Palestine në shkretëtirën e Hexhazit, ku qëndroi 1260 vjet, kjo do të thotë deri në ardhjen e Fëmijës së premtuar. Dhe siç është e mirënjohur, në Librat e Shenjta çdo ditë llogaritet si një vit.

146. O ti shërbëtore e ndezur me dashurinë e Perëndisë! Unë e kam shqyrtuar letrën tënde të shkëlqyer dhe falënderova Perëndinë për mbërritjen tënde të sigurt në atë qytet. Lus Atë, që nëpërmjet ndihmës së Tij të pareshtur, ta bëjë këtë rikthim tëndin të ushtrojë një efekt të fuqishëm. Një gjë e tillë mund të ngjasë vetëm në qoftë se ti e zhvesh veten prej të gjitha kushtimeve të kësaj bote dhe vesh rrobat e shenjtërisë; në qoftë se ti i kufizon të gjitha mendimet e tua dhe të gjitha fjalët e tua tek kujtimi i Perëndisë dhe lavdërimi i Tij; për të përhapur kudo shijet e Tij të ëmbla dhe duke kryer akte të drejta; dhe në qoftë se ti ia përkushton veten zgjimit të moskokëçarësve dhe rikthimit të të parit te të verbrit, të dëgjimit te të shurdhrit, të folurit te memecët dhe nëpërmjet fuqisë së shpirtit t'u japësh jetë të vdekurve.

Sepse siç thotë Krishti për ta në Ungjill, njerëzit janë të verbër, ata janë të shurdhër, ata janë memecë; dhe Ai thotë: 'Unë do t'i shëroj ata.'

Qofsh e mirë dhe e dhembshur me nënën tënde të ligështuar dhe fol me të për Mbretërinë, që zemra e saj të gëzohet.

Jepi përshëndetjet e mia Zonjushës Ford. Përcilli asaj lajmet e gëzuara që këto janë ditët e Mbretërisë së Perëndisë. I thuaj asaj: Qofsh e bekuar për synimet e tua fisnike, qofsh e bekuar për veprat e tua të bukura, qofsh e bekuar për natyrën tënde shpirtërore. Me të vërtetë unë të dua për këto synime, cilësi dhe vepra të tuat. Më tej thuaji asaj: Kujto Mesinë dhe ditët e Tij në tokë, dhe poshtërimin e Tij, dhe mundimet e Tij dhe se si njerëzit nuk çanë kokën për Të. Kujto se si izraelitët do ta përqeshnin, do ta tallnin Atë dhe do t'i drejtoheshin Atij me: 'Qoftë paqja mbi ty, Mbret i Izraelitëve! Qoftë paqja mbi ty, Mbret i Mbretërve!' Se si ata do të thoshin se Ai ishte i çmendur, do të pyesnin se si Kauza e Atij të kryqëzuari mund të përhapej ndonjëherë në lindjet e botës dhe në perëndimet e saj. Asnjë nuk e pasoi Atë atëherë, përveç pak shpirtrave që ishin peshkatarë, marangozë dhe të tjerë nga populli i thjeshtë. Ah medet, medet për të tilla iluzione!

Dhe shiko se ç'ndodhi pastaj: se si u kthyen mbrapsht flamujt e tyre të fuqishëm dhe në vendin e tyre u ngrit lart flamuri më i lartësuar, se si perënduan gjithë yjtë e shkëlqyer në atë qiell nderi e krenarie, se si ata u fundosën në perëndim të gjithçkaje që zhduket, ndërsa Ylli i Tij i shkëlqyer ende ndriçon prej qiejve të lavdisë së pavdekshme, ndërsa shekujt dhe epokat rrotullohen. Qofshi të paralajmëruar ju që keni sy për të parë! Së shpejti ju do të shihni edhe gjëra më të mëdha se kjo.

Dije ti se gjithë fuqitë e kombinuara nuk e kanë forcën për të vendosur paqen universale, as për t'i rezistuar, në çdo kohë e stinë, sundimit të pakapërcyeshëm të këtyre luftërave pafund. Megjithatë së shpejti fuqia e qiellit, sundimi i Shpirtit të Shenjtë, do të ngrejë mbi majat e larta flamujt e dashurisë dhe paqes dhe atje sipër kështjellave të madhërisë dhe të fuqisë këta flamuj do të valëviten nga erërat e rrëmbyera që fryjnë prej dorës së ngrohtë të Perëndisë.

Përcilli përshëndetjet e mia Znj. Florence dhe thuaji asaj: Grigjat e ndryshme e kanë lënë shtratin e besimit të tyre dhe kanë përqafuar doktrina që nuk llogariten në sy të Perëndisë. Ata bile janë si Farisenjtë që edhe luteshin, edhe agjëronin dhe pastaj e dënuan Jezu Krishtin me vdekje. Për jetën e Perëndisë! Kjo gjë tingëllon e çuditshme!

Ndërsa ti, o shërbëtore e Perëndisë, recito butësisht këtë bashkëbisedim me Zotin Tënd dhe thuaji Atij:

O Perëndi, Perëndia im! Mbushe për mua kupën e shkëputjes nga të gjitha gjërat dhe në asamblenë e shkëlqimeve e blatimeve të Tua, më kënaq me verë dashurie për Ty. Çliromë prej sulmeve të pasionit dhe dëshirës, këputi prej meje vargonjtë e kësaj bote të ulët, tërhiqmë me ngazëllim drejt mbretërisë Tënde hyjnore dhe ripërtërimë mes shërbëtoreve me frymëmarrjet e shenjtërisë Tënde.

O Zot, shkëlqeje fytyrën time me dritat e blatimeve të Tua, ndriçoji sytë e mi me shikimin e shenjave të fuqisë Tënde gjithnënshtruese; kënaqe zemrën time me lavdinë e dijes Tënde që qarkon gjithë gjërat, gëzoje shpirtin tim me lajmet shpirt-ripërtëritëse të gëzimit të madh, O Ti Mbret i kësaj bote dhe i Mbretërisë sipër, O Ti Zot i sundimit dhe i fuqisë, që unë të shpërndaj kudo shenjat dhe simbolet e Tua, të shpall Kauzën Tënde, të përkrah Mësimet e Tua, t'i shërbej Ligjit Tënd dhe të lartësoj Fjalën Tënde.

Ti je me të vërtetë i Fuqishmi, Kurdo-Dhënësi, i Zoti, Fuqiploti.

Ndërsa për themelet e mësimit të Besimit: dije se shpërndarja e Mesazhit mund të përmbushet vetëm nëpërmjet veprave të bukura dhe atributeve shpirtërore, një shprehje që është e qartë kristal dhe lumturia reflektohet prej fytyrës së atij që po shpjegon Mësimet. Kryesorja është që veprat e mësuesit të pohojnë të vërtetën e fjalëve të tij. E tillë është pozita e atyre që përhapin kudo shijet e ëmbla të Perëndisë dhe cilësia e atij që është i sinqertë në besimin e tij.

Sapo Zoti të të ketë aftësuar për të arritur këtë gjendje, të jesh e sigurt se Ai do të të frymëzojë me fjalët e së Vërtetës dhe do të të bëjë të flasësh përmes frymëmarrjeve të Shpirtit të Shenjtë.

147. Reflekto mbi ngjarjet e shkuara të kohës së Krishtit dhe ngjarjet e tanishme do të qartësohen e manifestohen.

148. O ju bij e bija të Mbretërisë! Mirënjohës, zogjtë e shpirtit kërkojnë vetëm të fluturojnë në qiejt e epërm dhe të këndojnë këngët e tyre me art të mahnitshëm. Por krimbat e gjorë të tokës duan vetëm të brimojnë në dhé dhe ç'luftë të madhe bëjnë ata për ta çuar veten në thellësitë e saj! Bile kështu janë dhe bijtë e tokës. Synimi i tyre i lartë është të shtojnë mjetet e tyre të vazhdimësisë në këtë botë që zhduket, këtë vdekje në jetë; dhe kjo pavarësisht nga fakti që ata janë të lidhur këmbë e duar me një mijë përkujdesje e dhimbje dhe kurrë nuk janë të sigurt nga rreziku, bile as sa të hapësh e të mbyllësh sytë; në çdo kohë asnjëherë të sigurt, bile dhe prej vdekjes së papritur. Prandaj, pas një intervali të shkurtër, ata janë krejt të fshirë dhe nuk mbetet shenjë për të treguar rreth tyre dhe kurrë nuk dëgjohet fjalë për ta përsëri.

Atëherë le të angazhoheni ju në lavdërimin e Bahá'u'lláh-ut, sepse nëpërmjet hirit dhe ndihmës së Tij ju jeni bërë bij e bija të Mbretërisë; në sajë të Tij ju jeni tani zogj këngëtarë në livadhet e së vërtetës dhe keni fluturuar lart në lartësitë e lavdisë që rron përgjithmonë. Ju keni gjetur vendin tuaj në botën që nuk vdes; frymët e Shpirtit të Shenjtë kanë fryrë përmbi ju; ju keni përqafuar një tjetër jetë, ju keni fituar hyrjen në Pragun e Perëndisë.

Prandaj, me kënaqësi të madhe, krijoni asambletë shpirtërore dhe angazhohuni për të shprehur lavdërim dhe për t'i thurur lavdi Zotit, duke e quajtur Atë të Shenjtë e Më të Madhin. Ngrini në mbretërinë e Lavdiplotit thirrjet lutëse për ndihmë dhe formuloni në çdo moment mijëra falënderime që keni fituar këtë favor të begatë dhe hir të jashtëzakonshëm.

149. O ti që ke sy për të parë! Ajo që dëshmon ti është shumë e vërtetë dhe i përket sferës së vizionit.

Parfumi është i lidhur ngushtë, i përzierë me burbuqen dhe sapo burbuqja ka çelur aroma e këndshme e saj përhapet kudo. Bari nuk është pa frytin e tij, megjithëse kështu duket, sepse në këtë Kopsht të Perëndisë çdo bimë ka ndikimin dhe vetitë e saj, madje çdo bimë shton gazin, trëndafilin njëqind-fletësh që ngazëllen ndjenjat me aromën e tij. Të jesh i sigurt për këtë. Megjithëse faqet e një libri nuk dinë gjë për fjalët dhe kuptimin e tyre, edhe pse kështu miqtë i kalojnë ato me nderim dorë më dorë për shkak të lidhjes së tyre me këto fjalë. Për më tepër kjo lidhje është bujaria më e pastër.

Kur shpirti njerëzor të fluturojë prej kësaj kapice kalimtare dheu dhe të ngrihet në botën e Perëndisë, atëherë perdet do të bien tutje, të vërtetat do të dalin në dritë dhe gjithë gjërat e panjohura më parë do të bëhen të qarta, dhe të vërtetat e fshehura do të kuptohen.

Mendoni sesi një qenie, në botën e mitrës, ishte e shurdhër nga veshët, e verbër nga sytë dhe memece nga gjuha; sesi ajo ishte përgjithësisht e privuar nga çdo lloj perceptimesh. Por kur doli jashtë asaj bote të errësirës, ajo kaloi në këtë botë të dritës; atëherë sytë e saj panë, veshët e saj dëgjuan, gjuha e saj foli. Po kështu, kur të jetë larguar nga ky vend i vdekshëm për në Mbretërinë e Perëndisë, ajo do të lindë në shpirtin; atëherë syri i perceptimit të saj do të hapet, veshi i shpirtit të saj do të dëgjojë dhe të gjitha të vërtetat që më parë nuk i dinte do të bëhen të dukshme e të qarta.

Një udhëtar vëzhgues që kalon nëpër një rrugë sjell me siguri ndërmend zbulimet e tij, në qoftë se nuk i ndodh ndonjë aksident që t'ia fshijë kujtesën.

150. O ti shërbëtore e ndezur me zjarrin e dashurisë së Perëndisë! Mos u brengos për vështirësitë e vuajtjet e kësaj bote të poshtme, dhe as mos u gëzo në kohë qetësie e mirëqenieje, sepse që të dyja do të mbarojnë. Kjo jetë e tanishme i ngjet një vale të fryrë, ose një mirazhi apo hijeve që lëvizin. A mundet një imazh i shtrembëruar në shkretëtirë të shërbejë si ujë freskues? Jo, për Zotin e Zotave! Kurrë realiteti dhe thjesht ngjasimi me realitetin nuk mund të jenë e njëjta gjë, i madh është dallimi midis imagjinatës dhe faktit, midis së vërtetës dhe fantazmës së saj.

Dije se Mbretëria është bota reale, dhe ky vend këtu poshtë është vetëm shtrirja e hijes së saj. Një hije nuk ka jetë të vetën; ekzistenca e saj është vetëm një fantazi dhe asgjë më shumë; ajo s'është veçse figura të pasqyruara në ujë dhe që syrit i duken si piktura.

Mbështetu te Perëndia. Beso tek Ai. Lëvdoje Atë dhe sille vazhdimisht ndëmend. Ai me të vërtetë e kthen telashin në qetësim, dhimbjen në lehtësim dhe mundimin në paqe absolute. Ai me të vërtetë sundon mbi të gjitha gjërat.

Nëse do t'u vësh veshin fjalëve të mia, çliroje veten prej vargonjve të çdo gjëje që ndodh. Madje në çdo rrethanë falëndero Zotin tënd të dashur dhe lërja punët e tua Vullnetit të Tij që bën siç i pëlqen Atij. Kjo me të vërtetë është për ty më e mirë se çdo gjë tjetër, në cilëndo botë.

151. O ti besimtar në njëshmërinë e Perëndisë! Dije se asgjë nuk i bën mirë shpirtit, përveç dashurisë së Mëshirëplotit, asgjë nuk e ndriçon zemrën përveçse shkëlqimi që shndrit prej mbretërisë së Zotit.

Braktis çdo shqetësim tjetër, le ta mbulojë harresa kujtimin e gjithçkaje tjetër. Kufizoi mendimet e tua te gjithçka që e ngre shpirtin njerëzor në Parajsën e hirit qiellor dhe bëj që çdo zog i Mbretërisë të marrë fluturimin drejt Horizontit Suprem, pikës qendrore të nderit të përjetshëm në këtë botë kalimtare.

152. Përsa i përket pyetjes lidhur me shpirtin e një vrasësi dhe cili do të ishte ndëshkimi për të. Përgjigja e dhënë ishte që vrasësi duhet ta shlyejë krimin e tij: domethënë, në qoftë se vrasësin e vrasin, vdekja e tij është shlyerja e krimit të tij, dhe pas vdekjes, Perëndia me drejtësinë e Tij nuk imponon ndonjë dënim të dytë për të, sepse këtë nuk do ta lejonte drejtësia hyjnore.

153. O ti shërbëtore e Perëndisë! Në këtë ditë, të falënderosh Perëndinë për bujarinë e Tij do të thotë të kesh një zemër rrëzëllitëse dhe të jesh i hapur ndaj shtytjeve të shpirtit. Ky është thelbi i falënderimeve.

Sa për falënderimet me gojë apo me shkrim, edhe pse kjo është në të vërtetë e pranueshme, megjithatë kur e krahason me atë falënderimin tjetër, është vetëm një dukje e diçka joreale, sepse gjëja kryesore janë këto thirrje të shpirtit, këto rrezatime nga skutat e thella të zemrës. Kam shpresë që ti do të jesh e favorizuar në këtë drejtim.

Lidhur me çështjen që dikujt i mungon aftësia e dikush nuk ka meritë në Ditën e Ringjalljes, kjo nuk privon askënd nga dhuratat e dhuntitë; sepse kjo nuk është Dita e Drejtësisë por Dita e Mirësisë, ndërsa drejtësia i jepet gjithsecilit sipas hakut. Pra, mos shiko shkallën e paaftësisë sate, por shih favorin e pakufishëm të Bahá'u'lláh-ut; bujaria e Tij i përfshin të gjithë dhe mirësia e Tij është e përkryer.

I lutem Perëndisë që me ndihmën e mbështetjen e Tij të fuqishme ti të mund t'u mësosh njerëzve domethëniet e brendshme të Torahut me elokuencë, gjykim, energji e zotësi. Ktheje fytyrën nga Mbretëria e Perëndisë, kërko dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë, fol, dhe konfirmimet e Shpirtit do të vijnë.

Përsa i përket rruzullit të madh diellor që ti ke parë në ëndërr, ai ishte i Premtuari, rrezet që ai lëshonte ishin dhuntitë e Tij, sipërfaqja e tejdukshme e masës së ujit simbolizon zemrat e panjolla e të dëlira, ndërsa valët e dallgëzuara shprehin ngazëllimin e madh të atyre zemrave dhe faktin që ato janë emocionuar e prekur thellë, domethënë valët janë eksitimet dhe thirrjet e shenjta të shpirtit. Lavdëro Perëndinë që në botën e ëndrrës ti ke përjetuar të tilla zbulime.

Lidhur me çështjen se ç'do të thotë që një individ të harrojë tërësisht veten: domethënia është që ai të ngrihet e të sakrifikohet në kuptimin e vërtetë, domethënë ai duhet të fshijë nxitjet që vijnë nga gjendja njerëzore dhe të çlirohet prej karakteristikash të tilla të dënueshme e që përbëjnë errësirën e zymtë të kësaj jete mbi tokë - jo në kuptimin që ai duhet të lejojë t'i keqësohet shëndeti fizik dhe t'i sëmuret trupi.

Unë lutem me gjithë shpirt e përunjësisht në Pragun e Shenjtë që bekimet qiellore e ndjesa hyjnore të rrethojnë nënën tënde të shtrenjtë, si dhe motrat e të afërmit e tu të dashur. Lutem sidomos për të fejuarin tënd që ka ikur papritur nga kjo botë në tjetrën.

154. O ti bir i Mbretërisë! Letrat e tua shumë të këndshme, me stilin e tyre të pëlqyer, gjithmonë i gëzojnë zemrat tona. Kur kënga vjen nga Mbretëria ajo e gëzon shpirtin.

Lëvdo Perëndinë që ti ke shkuar në atë vend13 me qëllim që të lartësosh Fjalën e Tij, të përhapësh kudo aromën e shenjtë të Mbretërisë së Tij dhe që po shërben si kopshtar në kopshtet e qiellit. Së shpejti përpjekjet e tua do të kurorëzohen me sukses.

O ti bir i Mbretërisë! Të gjitha gjërat janë të dobishme nëse bashkohen me dashurinë për Perëndinë, ndërsa pa dashurinë për Të të gjitha gjërat janë të dëmshme dhe veprojnë si një perde midis njeriut dhe Zotit të Mbretërisë. Kur aty është dashuria ndaj Tij, çdo hidhërim bëhet i ëmbël, dhe çdo dhuratë jep kënaqësi të shëndetshme. Për shembull, një melodi, e ëmbël për veshin, i sjell vetë frymën e jetës një zemre të dashuruar pas Perëndisë, por njollos me epsh një shpirt të pushtuar prej dëshirash sensuale. Dhe çdo degë e dijes, e kombinuar me dashurinë për Perëndinë, është e pëlqyer dhe e lavdërueshme; por e zhveshur nga dashuria për Të, dija është shterpë - me të vërtetë ajo çon në çmenduri. Çdo lloj dije, çdo shkencë është si një pemë: po qe se fryti i saj është dashuria për Perëndinë, atëherë ajo është një pemë e bekuar, por nëse jo, s'është veçse dru i thatë dhe shërben vetëm për të ushqyer zjarrin.

O ti shërbëtor besnik i Perëndisë dhe ti shërues shpirtëror i njeriut! Sa herë që ndjek një pacient ktheje fytyrën drejt Zotit të Mbretërisë qiellore, kërko të të vijë në ndihmë Shpirti i Shenjtë e pastaj shëro sëmundjen.

155. O ti flakë e dashurisë së Perëndisë! Ajo që ke shkruar na ka gëzuar shumë, sepse letra jote ishte si një kopsht nga i cili trëndafilat e kuptimeve të brendshme përhapin kudo aromat e këndshme të dashurisë së Perëndisë. Po kështu, përgjigjet e mia do të shërbejnë si reshje shiu e si vesë për të derdhur mbi këto bimë shpirtërore që kanë lulëzuar në kopshtin e zemrës sate më shumë freski e bukuri të hijshme nga sa mund të thuhet me fjalë.

Ti shkruaje për sprovat e dhimbshme që të kanë rënë. Për një shpirt besnik, një sprovë s'është veçse hiri e favori i Perëndisë; sepse guximtari çan me gëzim përpara drejt betejës së furishme në fushën e dhimbjes, kurse frikacaku, duke rënkuar nga frika, dridhet e lëkundet. Po kështu studenti i aftë që ka zotëruar lëndët me kompetencë të madhe e i ka futur ato në kujtesë, i shpreh aftësitë e tij para provuesve të tij në ditën e provimeve. Po kështu ari i pastër shkëlqen në mënyrë mahnitëse dhe shndrit në zjarrin e provës.

Është e qartë, pra, që provat e sprovat për shpirtrat e shenjtëruar janë hiri e bujaria e Perëndisë, ndërsa për të dobëtit ato janë një fatkeqësi, e papritur dhe e menjëhershme.

Këto sprova, siç shkruaje ti, veçse pastrojnë njollat e vetes mbi pasqyrën e zemrës, në mënyrë që Dielli i së Vërtetës të hedhë mbi të rrezet e tij; sepse nuk ka perde më penguese se vetja, dhe sado e hollë të jetë ajo perde, më në fund i mbyll krejtësisht rrugën një personi dhe e privon atë nga pjesa e tij e hirit të përjetshëm.

O ti shërbëtore e magjepsur e Zotit! Kur besimtarët, burra e gra, më kalojnë në mendje para syve të mi, e ndiej veten të ngrohur në zjarrin e dashurisë së Perëndisë, dhe lutem që Fuqiploti t'i ndihmojë këta shpirtra të shenjtë me ushtritë e Tij të padukshme. Lavdi Zotit që profecitë e të gjitha Manifestimeve të Tij tashmë janë përmbushur qartë, në këtë më të madhen e të gjitha ditëve, në këtë epokë të shenjtë e të bekuar.

O ti shërbëtore e magjepsur e Perëndisë! Afërsia me të vërtetë ka të bëjë me shpirtin e jo me trupin; dhe ndihma që kërkohet, e ndihma që vjen, nuk është materiale, por shpirtërore; gjithsesi shpresoj që ti të arrish afërsinë në çdo kuptim. Dhuntitë e Perëndisë me të vërtetë do ta rrethojnë një shpirt të shenjtëruar, siç bën drita e diellit me hënën dhe yjet: për këtë të jesh e sigurt.

Në emër të 'Abdu'l-Bahá-it, flladit në secilin prej besimtarëve, burra a gra qofshin, aromat erëmira të shenjtërisë. Frymëzoji të gjithë ata dhe nxiti të përhapin nëpër botë shijet e ëmbla të Zotit.

156. O ti shërbëtor i Pragut të Shenjtë! Kemi lexuar ç'ka rrjedhur nga pena jote në dashurinë tënde për Perëndinë, dhe përmbajtja e letrës sate na ka kënaqur shumë. Shpresoj që, falë bujarisë së Perëndisë, aromat e Mëshirëplotit do të të gjallërojnë e të të përtërijnë ty vazhdimisht.

Ti ke shkruar për rimishërimin. Besimi në rimishërimin të kthen shumë prapa në historinë e lashtë të pothuajse të gjithë popujve, madje mbështetej edhe nga filozofët e Greqisë, nga të urtët romakë, nga egjiptianët e lashtë dhe asirianët e mëdhenj. Megjithatë, bestytni e thënie të tilla janë thjesht absurditete në sytë e Perëndisë.

Argumenti kryesor i përkrahësve të rimishërimit ishte se, sipas drejtësisë së Perëndisë, secili duhet të marrë atë që i takon: kurdo që një njeri është goditur nga një fatkeqësi, për shembull, kjo ndodh për shkak të ndonjë të keqeje që ai ka bërë. Por merr një fëmijë që është ende në mitrën e nënës, embrionin e formuar rishtas, dhe ai fëmijë është i verbër, i shurdhër, i çalë, me cene - çfarë mëkati ka bërë një fëmijë i tillë që të meritojë vuajtjet e tij? Ata përgjigjen që, ndonëse në pamje të jashtme fëmija që ndodhet ende në mitër nuk është fajtor për asnjë mëkat, - por ai ka bërë ndonjë të keqe kur ka qenë në formën e vet të mëparshme dhe kështu ka merituar dënimin që i është dhënë.

Këtyre njerëzve, sidoqoftë, u ka shpëtuar çështja që vijon. Në qoftë se krijimi është kryer sipas një rregulli të vetëm, si do të mund të bënte Fuqia gjithëpërfshirëse që atë ta ndienin? Si do të mundej Fuqiploti të ishte Ai Që "bën siç i pëlqen Atij dhe urdhëron ashtu siç do Vetë?"1

Me një fjalë, Shkrimet e Shenjta i referohen me të vërtetë një kthimi, por me këtë kuptohet kthimi i vetive, kushteve, rezultateve, përsosurive dhe realiteteve të brendshme të dritave, që ndodh në çdo dispensacion. Kjo referencë nuk është për shpirtra e qenie specifike, individuale.

Mund të thuhet, për shembull, se kjo dritë llambe është kthimi prapë i asaj të natës së kaluar, ose se trëndafili i vitit të kaluar është kthyer në kopsht këtë vit. Referenca këtu nuk është për një realitet individual, për një identitet të caktuar, për qenien e përcaktuar të atij trëndafilit tjetër; përkundrazi ajo do të thotë se vetitë, veçoritë karakteristike të asaj dritës tjetër, të asaj lules tjetër janë tani të pranishme në këto të tanishmet. Ato përsosuri, dmth ajo hijeshi e ato dhunti të një pranvere të mëparshme janë kthyer përsëri këtë vit. Ne themi, për shembull, se ky frut është po ai i vitit të shkuar; por ne kemi parasysh vetëm finesën, lulëzimin, freskinë dhe shijen e ëmbël të tij; sepse është e qartë që ajo qendër e paprekshme e realitetit, ai identitet specifik, nuk mund të kthehet më kurrë.

Çfarë paqe, çfarë qetësie e mirëqenieje patën zbuluar ndonjëherë Shenjtorët e Perëndisë gjatë qëndrimit të Tyre në këtë botë këtu poshtë, që Ata të kërkonin vazhdimisht të ktheheshin e të bënin atë jetë përsëri? A nuk ishte mjaft një kthim i vetëm në këtë ankth, në këto vuajtje, këto fatkeqësi, këto goditje trupore, këto vështirësi të tmerrshme, që Ata të kishin dëshirë për vizita të përsëritura në jetën e kësaj bote? Ajo kupë nuk ishte aq e ëmbël saqë dikush të kishte dëshirë ta pinte atë për herë të dytë.

Prandaj ata që ushqejnë dashuri për Bukurinë Abhá nuk dëshirojnë tjetër shpërblim veçse të arrijnë atë pozitë që ta sodisin Atë në Mbretërinë e Lavdisë, dhe ata nuk shkelin në asnjë shteg tjetër veç shkretëtirës me rërë të mallit për ato maja të lartësuara. Ata kërkojnë atë qetësi e ngushëllim që do të jenë përgjithmonë, dhe ato dhunti që janë të shënjtëruara tej të kuptuarit të mendjes tokësore.

Kur ti sheh rreth vetes me sy zhbirues, vë re se në këtë tokë pluhuri të gjithë njerëzit vuajnë. Këtu asnjeri nuk gjen dot prehje, për t'u kompensuar për mëkatet që ka kryer në një jetë të mëparshme; as nuk ka ndonjë njeri aq të lumtur sa të duket sikur këput frytin e dhimbjes së shkuar. Dhe sikur jeta njerëzore, me qenien e saj shpirtërore, të kufizohej në këtë hapësirë tokësore, atëherë cili do të ishte fryti i krijimit? Me të vërtetë, cilat do të ishin pasojat dhe përfundimet e Vetë Hyjnisë? Po qe se një vështrim i tillë do të ishte i vërtetë, atëherë të gjitha gjërat e krijuara, të gjitha realitetet e mundshme dhe e gjithë kjo botë e qenies - të gjitha do të ishin pa kuptim. Mos e dhëntë Perëndia që njeriu t'i përmbahet një trillimi e gabimi të tillë flagrant.

Sepse ashtu si rezultatet dhe fryti i jetës në mitër nuk mund të shihen në atë vend të errët e të ngushtë, dhe vetëm kur foshnja transferohet në këtë tokë të gjerë, zbulohen të mirat e dobitë e rritjes e të zhvillimit në atë botë të mëparshme - po kështu shpërblimi dhe ndëshkimi, qielli dhe ferri, kompensimi dhe shpagimi për veprat e kryera në jetën e tanishme do të zbulohen në atë botën tjetër të përtejme. Dhe ashtu si jeta në barkun e nënës, po të ishte e kufizuar në atë botë të mitrës, ekzistenca atje do të ishte e pakuptimtë, e parëndësishme - po kështu në qoftë se jeta e kësaj bote, veprat e kryera këtu dhe frytet e tyre nuk do të dilnin në botën e përtejme, tërë procesi do të ishte irracional e pa mend.

Dije, pra, se Zoti Perëndia zotëron mbretëri të padukshme që intelekti njerëzor kurrë nuk mund të shpresojë t'u gjejë fundin dhe as t'i konceptojë mendja e njeriut. Kur ti e ke pastruar kanalin e ndjenjës sate shpirtërore nga ndotja e kësaj jete tokësore, atëherë ti do të thithësh aromat e këndshme të shenjtërisë, që fryjnë nga tendat e hareshme të asaj toke qiellore.

Lavdia qoftë mbi ty dhe mbi këdo që e kthen fytyrën dhe e ngul vështrimin ndaj Mbretërisë së Lavdiplotit, mbi këdo që Zoti e ka shenjtëruar aq sa nuk e kuptojnë dot ata që janë moskokëçarës ndaj Tij dhe e ka fshehur prej syve të atyre që krenohen para Tij.

157. O ju që jeni aq të magjepsur! O ju që jeni aq të vëmendshëm! O ju që po shkoni drejt Mbretërisë së Perëndisë! Me të vërtetë, me gjithë shpirt e zemër e me tërë përunjësinë lus Zotin Perëndi t'ju bëjë simbole të udhërrëfimit, flamuj të drejtësisë, burime të të kuptuarit e të dijes, që nëpërmjet jush të udhëheqë në shtegun e drejtë kërkuesit dhe t'i drejtojë ata në udhën e gjerë të së vërtetës në këtë më madhështoren e epokave.

O ju të dashurit e Perëndisë! Dijeni se bota është si një mirazh që shfaqet në shkretëtirë, të cilin i eturi e merr gabimisht për ujë. Vera e kësaj bote s'është veçse avull në shkretëtirë, mëshira e dhëmbshuria e saj veç mundim e telash, prehja që ofron vetëm këputje e brengë. Lërjani atë atyre që i përkasin kësaj bote dhe kthejini fytyrat ndaj Mbretërisë së Zotit tuaj, Mëshirëplotit, që hiri e mirësia e Tij të lëshojnë mbi ju shkëlqimet e agimit dhe një tryezë qiellore të dërgohet nga lart për ju, që Zoti juaj t'ju bekojë dhe të reshë mbi ju pasuritë e Tij për të gëzuar gjokset tuaja, t'i mbushë zemrat tuaja me lumturi, të tërheqë mendjet tuaja, të spastrojë shpirtrat tuaj dhe të ngushëllojë sytë tuaj.

O ju të dashurit e Perëndisë! A ka ndonjë dhënës veç Perëndisë? Ai zgjedh për ta mëshiruar atë që do Ai. Së shpejti Ai do të hapë para jush portat e dijes së Tij dhe do t'jua mbushë zemrat me dashurinë e Tij. Ai do t'jua gëzojë shpirtrat me puhizat e lehta të shenjtërisë së Tij, do t'jua shndritë fytyrat me shkëlqimet e dritave të Tij dhe do ta lartësojë kujtimin tuaj midis të gjithë njerëzve. Zoti juaj është me të vërtetë i Dhembshuri, i Mëshirshmi.

Ai do t'ju vijë në ndihmë me aradhet e padukshme dhe do t'ju mbështesë me ushtritë e frymëzimit nga Tubimi i epërm; Ai do t'ju dërgojë aroma të këndshme nga Parajsa më e lartë dhe do të përhapë mbi ju flladet e kulluara që fryjnë nga trëndafilishtet e Grupimit të epërm. Ai do të futë në zemrat tuaja frymën e jetës, do të bëjë që ju të hyni në Arkën e Shpëtimit dhe do t'ju revelojë simbolet e shenjat e tij të qarta. Ky është vërtet një hir i madh. Kjo është vërtet fitorja që askush nuk mund ta mohojë.

158. Mos u hidhëro për ngjitjen në qiell të Brejkuell-it [Breakwell] tim të shtrenjtë, sepse ai është ngjitur në një kopsht trëndafilash të shkëlqimeve brenda Parajsës Abhá, i mbrojtur nga mëshira e Zotit të tij të fuqishëm, dhe po thërret me tërë forcën: 'O sikur ta dinin njerëzit e mi me sa dashamirësi Zoti im më fali dhe më bëri të jem prej atyre që kanë arritur Praninë e Tij!'14

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Ku është tani fytyra jote e bukur? Ku është gjuha jote e rrjedhshme? Ku është balli yt i kthjellët? Ku është hijeshia jote e shndritshme?

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Ku është zjarri yt, që flakëronte nga dashuria e Perëndisë? Ku është magjepsja jote nga flladet e Tij të Shenjta? Ku janë lavdet që ti i thurje Atij? Ku është ngritja jote për t'i shërbyer Kauzës së Tij?

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Ku janë sytë e tu të bukur? Buzët e tua që buzëqeshnin? Fytyra fisnike? Pamja e hirshme?

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Ti e ke lënë këtë botë tokësore dhe je ngjitur lart në Mbretërinë, ke arritur hirin e mbretërisë së padukshme dhe e ke ofruar veten në pragun e Zotit të saj.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Ti e ke lënë llambën që ishte këtu trupi yt, qelqin që ishte pamja jote njerëzore, elementët e tu tokësorë, mënyrën tënde të jetesës këtu poshtë.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Ti ke ndezur një flakë brenda llambës së Grupimit të epërm, ti ke shkelur në Parajsën Abhá, ti ke gjetur strehë nën hijen e Pemës së Bekuar, ti ke arritur takimin me Të në strehën e Qiellit.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Ti je tani një zog i Qiellit, ti ke lënë folenë tënde tokësore dhe ke fluturuar lart në një kopsht të shenjtërisë në mbretërinë e Zotit tënd. Ti je ngjitur në një pozitë të mbushur plot dritë.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Kënga jote i ngjet tani këngës së zogut, ti derdh vargje për mëshirën e Zotit tënd; për Atë Që fal gjithmonë ti ishe një shërbëtor mirënjohës, prandaj je zhytur në lumturi të pakufishme.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Zoti yt me të vërtetë të ka veçuar me dashurinë e Tij dhe të ka udhëhequr në oborret e Tij të shenjta, ka bërë që të hysh në kopshtin e atyre që janë shoqëruesit e Tij të ngushtë dhe të ka bekuar të soditësh bukurinë e Tij.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Ti ke fituar jetën e amshuar, bujarinë që kurrë nuk mungon, një jetë që të kënaq së tepërmi dhe hir të pashtershëm.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Ti je bërë një yll në qiellin hyjnor dhe llambë midis engjëjve të Qiellit të epërm; një shpirt i gjallë në Mbretërinë më të lartësuar, i ulur në fron në përjetësi.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Unë i kërkoj Perëndisë të të afrojë gjithnjë e më shumë, të të mbajë gjithnjë e më fort; të gëzojë zemrën tënde me afrinë e pranisë së Tij, të të mbushë me dritë e më shumë dritë, të të dhurojë edhe më tepër bukuri dhe të derdhë mbi ty fuqi e lavdi të madhe.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

Unë të sjell ndër mend gjithë kohën. Unë nuk do të të harroj kurrë. Unë lutem për ty ditë e natë; të shoh qartë para meje si në një ditë me diell.

O Brejkuell, O i shtrenjti im!

159. Në lidhje me pyetjen tënde nëse e arrin çdo shpirt pa përjashtim jetën e amshuar. Dije se pavdekësia u përket atyre shpirtrave tek të cilët Perëndia ka futur frymën e jetës. Të gjithë, përveç këtyre, janë të pajetë - ata janë të vdekur, ashtu siç e ka shpjeguar Krishti në tekstin e Ungjillit. Ai të cilit Zoti i ka hapur sytë do të shohë shpirtrat e njerëzve në pozitat që do të zënë pas çlirimit të tyre prej trupit. Ai do të shohë të gjallët të harlisen brenda oborreve të Zotit të tyre dhe të vdekurit të fundosur në humnerën më të thellë të humbjes së plotë.

Dije se çdo shpirt është i artuar sipas natyrës së Perëndisë, dhe secili kur lind është i dëlirë e i shenjtë. Por më pas individët ndryshojnë sipas virtyteve ose veseve që ata marrin në këtë botë. Edhe pse të gjitha qeniet ekzistuese janë krijuar për nga vetë natyra e tyre me rangje apo shkallë, sepse aftësitë janë të ndryshme, sidoqoftë çdo individ lind i shenjtë e i dëlirë dhe vetëm më pas mund të ndotet.

Dhe më tej, megjithëse shkallët e qenies janë të ndryshme, sidoqoftë të gjitha janë të mira. Shiko trupin e njeriut, gjymtyrët e pjesët e tij, syrin, veshin, organet e nuhatjes, të shijes, duart, thonjtë. Pavarësisht nga ndryshimet midis këtyre pjesëve, gjithsesecila brenda kufizimeve të qenies së vet përfshihet në një të tërë të ndërlidhur. Në qoftë se ndonjëra prej tyre sëmuret, duhet të shërohet, dhe në qoftë se nuk i gjendet ilaç, ajo pjesë duhet të hiqet.

160. O ti shërbëtore e sinqertë e besnike e Zotit! E lexova letrën tënde. Ti je e dhënë me të vërtetë pas Mbretërisë dhe e përkushtuar ndaj Horizontit Lavdiplotë. Unë i lutem Perëndisë që me bujarinë e Tij të të bëjë të digjesh çdo ditë e më me ndriçim në zjarrin e dashurisë së Tij.

Duket se ti ke qenë në mëdyshje nëse të shkruaje apo t'u mësoje njerëzve Besimin. Të mësuarit e Besimit është thelbësor dhe tani për tani mësimdhënia është për ty e preferueshme. Sa herë të të jepet mundësia, zgjidhe gjuhën dhe drejto njerëzinë.

Ti pyesje sesi fitohen dijet: lexo Librat dhe Tabelat e Perëndisë, si dhe artikujt e shkruar për të treguar të vërtetën e këtij Besimi. Ndër to përfshihen Ikan-i [Íqán], që është përkthyer në anglisht, veprat e Mirza Abul-Fazll-it [Mirza Abu'l-Faḍl] dhe ato të disa besimtarëve të tjerë. Në të ardhmen do të përkthehen një numër i madh Tabelash e shkrimesh të tjera të shenjta, dhe ti duhet t'i lexosh ato gjithashtu.. Po kështu, lutju Perëndisë që magneti i dashurisë së Tij të të sjellë ty dijet për Të. Kur një shpirt bëhet i shenjtë në të gjitha gjërat, pastrohet e shenjtërohet, para syve të tij hapen dykanatësh portat e dijes për Perëndinë.

Ti shkruaje për shërbëtoren e shtrenjtë të Perëndisë, Znj. Gudëll [Goodall]. Ai shpirt i magjepsur pas Perëndisë po i shërben sinqerisht Besimit gjatë tërë kohës dhe po bën çdo gjë që mundet për të përhapur kudo shkëlqimet qiellore. Nëse ajo vazhdon kështu, në ditët që vijnë do të ketë rezultate shumë të mëdha. Gjëja kryesore është të qëndrosh i vendosur, me rrënjë të shëndosha dhe të këmbëngulësh deri në fund. Shpresoj që nëpërmjet përpjekjeve të mëdha të shërbëtoreve të Zotit, ato kodrina dhe ato brigje oqeani1 do të bëhen aq të ndritshme nga dashuria për Perëndinë sa të lëshojnë rrezet e tyre në të gjitha anët e tokës.

Ti pyesje nëse me ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë shpëton çdo shpirt. Dielli i së Vërtetës ka shndritur me shkëlqim mbi gjithë botën, dhe lindja e tij dritëplotë është shpëtimi i njeriut dhe jeta e tij e amshuar - por vetëm ai shpëton që e ka hapur gjerësisht syrin e mprehtësisë dhe e sodit atë lavdi.

Po ashtu ti pyet nëse në Dispensacionin Bahá'í do të triumfojë përfundimisht ana shpirtërore. Është e sigurt që fryma shpirtërore do ta mundë materializmin, që qiellorja do ta nënshtrojë njerëzoren dhe përmes edukimit hyjnor masat e njerëzimit në përgjithësi do të bëjnë hapa të mëdhenj përpara në të gjitha shkallët e jetës - përveç atyre që janë të verbër e të shurdhër, memecë e të vdekur. Si munden njerëz të tillë ta kuptojnë dritën? Megjithëse rrezet e diellit ndriçojnë edhe qoshen më të errët të globit, i verbëri prapseprap nuk mund të ketë pjesë në këtë lavdi, dhe megjithëse shiu i mëshirës qiellore derdhet si lumë mbi gjithë tokën, asnjë kaçubë apo lule nuk do të çelë nga një tokë shterpë.

161. O ti që kërkon Mbretërinë e qiellit! Kjo botë është si trupi i njeriut dhe Mbretëria e Perëndisë është si shpirti i jetës. Shih sa e errët dhe e ngushtë është bota fizike e trupit të njeriut dhe ç'pre e lëngatave dhe e sëmundjeve është ajo. Nga ana tjetër, sa e freskët dhe e ndritshme është mbretëria e shpirtit njerëzor. Gjyko nga kjo metaforë sesi bota e Mbretërisë ka ndriçuar dhe si ligjet e saj janë vënë në veprim në mbretërinë këtu poshtë. Megjithëse shpirti qëndron i fshehur nga shikimi, por shtytjet e tij shkëlqejnë si rreze drite mbi botën e trupit njerëzor. Po kështu, megjithëse Mbretëria e qiellit është e fshehur nga shikimi i këtyre njerëzve të paqëllim, por për atë që sheh me syrin e brendshëm, ajo është e dukshme si drita e ditës.

Prandaj qëndro gjithmonë në Mbretërinë dhe harroje këtë botë këtu poshtë. Ji tërësisht e zhytur në rrezatimet e shpirtit saqë kurrgjë në botën e njeriut të mos të të shkëpusë dot.

162. O ju miq të shtrenjtë të 'Abdu'l-Bahá-it! Unë vazhdimisht pres lajme të mira nga ju, i etur siç jam për të dëgjuar që ju po bëni përparime nga dita në ditë dhe po ndriçoheni gjithnjë e më shumë nga drita e udhërrëfimit.

Bekimet e Bahá'u'lláh-ut janë një det i paanë, madje edhe jeta e amshuar s'është veçse një pikë vese prej andej. Valët e atij deti përplasen njëra-pas tjetrës në zemrat e miqve dhe prej këtyre valëve vijnë shenja treguese të frymës e rrahje të zjarrta të shpirtit, derisa zemra, me hir apo pahir, lëshon rrugë dhe kthehet përunjësisht me lutje ndaj Mbretërisë së Zotit. Prandaj bëni gjithçka mundni për ta çliruar veten tuaj të brendshme, që në çdo çast të pasqyroni shkëlqime të reja të Diellit të së Vërtetës.

Të gjithë ju rroni në zemrën e 'Abdu'l-Bahá-it dhe në çdo frymëmarrje unë kthej fytyrën drejt Pragut të Njëshmërisë dhe kërkoj bekime për të gjithë ju pa përjashtim.

163. O ju dy kërkues të së vërtetës! E morëm letrën tuaj dhe pamë me vëmendje përmbajtjen e saj. Përsa u përket letrave që kishit dërguar më parë, nuk i kemi marrë të gjitha, kurse disa arritën këtu në një kohë kur egërsia e shtypësve ishte shtuar aq shumë sa nuk ishte e mundur të dërgoje përgjigje. Tani që kemi marrë këtë letër jemi në gjendje t'i përgjigjemi, dhe pra jam ulur të shkruaj, pavarësisht nga shumë punë të ngutshme, që ju ta dini se jeni të dashur për ne dhe po kështu të pëlqyer në Mbretërinë e Perëndisë.

Megjithatë pyetjeve tuaja mund t'u përgjigjemi vetëm shkurt, përderisa nuk ka kohë për një përgjigje të hollësishme. Përgjigja për pyetjen e parë: shpirtrat e bijve të Mbretërisë, pas ndarjes së tyre nga trupi, ngjiten në mbretërinë e jetës së pasosur. Por nëse pyesni për vendin, dijeni se bota e ekzistencës ëshë një botë e vetme, edhe pse shkallët e saj janë të ndryshme e dallohen prej njëra-tjetrës. Për shembull, jeta inorganike ka vendin e vet, por një qenie inorganike nuk ka asnjë dijeni për gjërat e mbretërisë bimore, dhe në fakt me gjuhën e vet të brendshme e mohon që ekziston një mbretëri e tillë. Po kështu, një qenie bimore nuk di asgjë për botën shtazore, duke mbetur krejt e pavëmendshme dhe e paditur ndaj saj, sepse stadi i kafshës është më i lartë se ai i bimës, dhe bima është e ndarë si me perde nga bota shtazore e përbrenda e mohon ekzistencën e asaj bote - ndërkaq të gjitha këto, qoftë kafshë, bimë apo qenie inorganike janë së bashku në të njëjtën botë. Po kështu, kafsha mbetet krejt e paditur për aftësinë e mendjes njerëzore që kap idetë universale dhe nxjerr në shesh sekretet e krijimit - kështu që njeriu që jeton në Lindje mund të bëjë plane e projekte për Perëndimin; mund të shpalosë mistere; edhe pse i vendosur në kontinentin evropian mund të zbulojë Amerikën; edhe pse rri në tokë mund të kapë realitetet e brendshme të yjeve të qiellit. Kafsha mbetet krejt e paditur për këtë aftësi të zbulimit që i përket mendjes njerëzore, për këtë aftësi për të kapur ide abstrakte e universale, dhe në fakt e mohon ekzistencën e saj.

Po kështu, banorët e kësaj toke janë krejt të pavetëdijshëm për botën e Mbretërisë dhe e mohojnë ekzistencën e saj. Ata, për shembull, pyesin: "Ku është Mbretëria? Ku është Zoti i Mbretërisë?" Këta njerëz janë ashtu si qeniet inorganike dhe bimët, që nuk dinë asgjë për mbretërinë shtazore e njerëzore; ata nuk e shohin atë; ata nuk e gjejnë dot atë. Megjithatë inorganikja dhe bima, kafsha dhe njeriu të gjithë jetojnë së bashku në këtë botë të ekzistencës.

Ndërsa për pyetjen e dytë; provat dhe sprovat që dërgon Perëndia ndodhin në këtë botë, jo në botën e Mbretërisë.

Përgjigja ndaj pyetjes së tretë është që në botën tjetër realiteti njerëzor nuk merr një formë fizike, por një formë qiellore të përbërë prej elementëve të mbretërisë qiellore.

Dhe përgjigja për pyetjen e katërt: qendra e Diellit të së Vërtetës është në botën hyjnore - Mbretërinë e Perëndisë. Ata shpirtra që janë të dëlirë e të panjollë, me shpërbërjen e trajtave të tyre të përbëra prej elementesh, nxitojnë drejt botës së Perëndisë dhe ajo botë është brenda kësaj bote. Megjithatë, njerëzit e kësaj bote nuk janë në dijeni për atë botë dhe, madje, janë si inorganikja e bima që nuk dinë asgjë për botën e kafshës dhe botën e njeriut.

Përgjigja për pyetjen e pestë është kjo: Bahá'u'lláh-u ka ngritur tendën e njëshmërisë së njerëzimit. Kush kërkon strehë nën këtë çati do të vijë sigurisht nga banesa të tjera.

Dhe për pyetjen e gjashtë: nëse midis dy grupesh në konflikt ka ndryshime për një çështje apo një tjetër, për zgjidhjen e problemit ata le t'i referohen Qendrës së Besëlidhjes.

Dhe pyetja e shtatë: Bahá'u'lláh-u është shfaqur për gjithë njerëzimin dhe i ka ftuar të gjithë në sofrën e Perëndisë, në banketin e bujarisë Hyjnore. Megjithatë, sot shumica e atyre që janë ulur në atë sofër janë të varfërit, dhe kjo është arsyeja që Krishti ka thënë lum të varfërit, sepse pasuritë i pengojnë të pasurit të hyjnë në Mbretërinë; dhe Ai gjithashtu ka thënë 'Është më lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, se sa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë'.15 Megjithatë, në qoftë se pasuria e kësaj bote, lavdia tokësore dhe emri nuk e pengojnë hyrjen e tij në të, ai njeri i pasur do të preferohet në Pragun e Shenjtë dhe do të pranohet nga Zoti i Mbretërisë.

Me pak fjalë, Bahá'u'lláh-u është shfaqur për të edukuar të gjithë popujt e botës. Ai është Edukatori Universal, qoftë për të pasurit apo të varfërit, qoftë për zezakët apo të bardhët, qoftë për popujt nga lindja apo nga perëndimi, nga veriu apo nga jugu.

Ndër ata që vizitojnë 'Akká-n, disa kanë bërë hapa të mëdhenj përpara. Qirinj të pandezur, ata janë ndriçuar; të vyshkur, ata filluan të lulëzojnë; të vdekur, ata u rithirrën në jetë dhe shkuan në shtëpi me lajmin e mirë të gëzimit të madh. Por të tjerë, në të vërtetë, thjesht sa kanë kaluar; ata kanë bërë vetëm një udhëtim.

O ju të dy që jeni fort të magjepsur pas Mbretërisë, falënderoni Perëndinë që e keni bërë shtëpinë tuaj një qendër Bahá'í dhe një vend mbledhjeje për miqtë.

164. O ju dy shpirtra besnikë e të siguruar! Letrën e kemi marrë. Lëvduar qoftë Perëndia, ajo sillte lajme të gëzuara. Kalifornia është e gatshme për shpalljen e Mësimeve të Perëndisë. Unë shpresoj se ju do të përpiqeni me mish e me shpirt që aromat erëmira të mbushin flegrat e hundës. ...

Jepi nga ana ime Znj. Çeis [Chase] përshëndetjet e mia plot respekt dhe i thuaj: 'Z. Çeis është një yll vezullues në horizontin e së Vërtetës, por tani është ende pas reve; së shpejti ato do të shpërndahen dhe rrezatimi i atij ylli do të ndriçojë shtetin e Kalifornisë. Vlerësoje këtë mirësi që ti ke qenë bashkëshortja dhe shoqja e tij e jetës'.

Çdo vit në përvjetorin e ngjitjes në qiell1 të atij shpirti të bekuar miqtë duhet të vizitojnë varrin e tij në emër të 'Abdu'l-Bahá-it dhe me përunjësinë e përvuajtjen më të madhe të vendosin mbi varrin e tij kurora lulesh e ta kalojnë gjithë atë ditë në lutje të qetë, me fytyrat të kthyera ndaj Mbretërisë së Shenjave, duke përmendur e lëvduar atributet e atij personi të ndritur.

165. O Perëndia im! O Perëndia im! Me të vërtetë shërbëtori yt, i përulur para madhështisë së epërsisë Sate hyjnore, i përunjur në derën e njëshmërisë Sate, ka besuar tek Ti dhe te vargjet e Tua, ka dëshmuar për fjalën Tënde, është ndezur nga zjarri i dashurisë Sate, është zhytur në thellësitë e oqeanit të dijes Sate, është tërhequr prej flladeve Tuaja, është mbështetur tek Ti, të ka ofruar Ty përgjërimin e tij dhe është siguruar për faljen e ndjesën Tënde. Ai e ka braktisur këtë jetë të vdekshme dhe ka fluturuar në mbretërinë e pavdekësisë, duke u djegur nga dëshira që të ketë favorin të të takojë Ty.

O Zot, lartësoje pozitën e tij, strehojë atë nën tendën e mëshirës Sate supreme, bëj që ai të hyjë në parajsën Tënde të lavdishme dhe përjetësoje ekzistencën e tij në trëndafilishten Tënde të lartësuar, që ai të mund të zhytet në detin e dritës në botën e mistereve.

Me të vërtetë, Ti je Zemërgjeri, Fuqiploti, Falësi dhe Dhuruesi.

O ti shpirt i siguruar, ti shërbëtore e Perëndisë...! Mos u brengos për vdekjen e bashkëshortit tënd të nderuar. Ai, me të vërtetë, ka arritur takimin me Zotin e Tij në fronin e së Vërtetës në praninë e Mbretit të fuqishëm. Mos mendo se e ke humbur atë. Perdja do të hapet dhe ti do të sodisësh fytyrën e tij të ndriçuar në Tubimin Suprem. Pikërisht ashtu siç ka thënë Perëndia, i Lartësuari, 'Me siguri ne do ta ngjallim atë për një jetë të lumtur'. Rëndësia më e madhe duhet t'i jepet, pra, jo këtij krijimi të parë por jetës së ardhme.

166. O shërbëtor i Bahá-it! Vetëflijohu në shtegun e Perëndisë dhe merr fluturimin drejt qiejve të dashurisë së Bukurisë Abhá, sepse çdo lëvizje e gjallëruar nga dashuria shkon nga periferia në qendër, nga hapësira në Yllin e Ditës të gjithësisë. Ndoshta ti e sheh këtë të vështirë, por unë të them ty se nuk mund të jetë kështu, sepse kur fuqia nxitëse e udhëheqëse është forca hyjnore e tërheqjes, është e mundur që me ndihmën e saj të përshkohet me lehtësi e shpejt koha e hapësira. Lavdia qoftë mbi njerëzit e Bahá-it.

167. Ti pyet për fatin, predestinimin dhe vullnetin. Fati dhe predestinimi qëndron në raportet e nevojshme e të domosdoshme që ekzistojnë në realitetet e gjërave. Këto raporte janë vendosur në realitetet e qenieve ekzistuese përmes fuqisë së krijimit dhe çdo ndodhi është rrjedhojë e raportit të nevojshëm. Për shembull, Perëndia ka krijuar midis diellit dhe rruzullit tokësor një raport, që rrezet e diellit duhet të ndiçojnë dhe toka të prodhojë. Këto raporte përbëjnë predestinimin, dhe manifestimi i tij në planin e ekzistencës është fati. Vullneti është ajo forcë aktive e cila i kontrollon këto raporte e këto ndodhi. I tillë është thelbi i shpjegimit të fatit dhe predestinimit. Unë nuk kam kohë për një shpjegim të hollësishëm. Peshoje këtë; realiteti i fatit, predestinimit dhe vullnetit do të bëhet i dukshëm.

168. O ti zonjë e Mbretërisë! Falëndero Perëndinë që në këtë epokë, epokën e Bahá'u'lláh-ut, ti je zgjuar, je bërë e vetëdijshme për Manifestimin e Zotit të Ushtrive. Të gjithë njerëzit e botës janë të varrosur në varret e natyrës, ose janë në gjumë, të shkujdesur e të pavetëdijshëm. Pikërisht siç ka thënë Krishti: 'Unë mund të vi kur ju nuk e dini. Ardhja e Birit të Njeriut është si ardhja e hajdutit në një shtëpi, i zoti i së cilës është krejt i pavetëdijshëm'.

Me një fjalë, unë shpresoj që falë bujarisë së Bahá'u'lláh-ut, ti të përparosh çdo ditë në Mbretërinë, të bëhesh një engjëll i qiellit, e mbështetur nga fryma e Shpirtit të Shenjtë, dhe të ngresh një godinë që të qëndrojë përjetësisht e sigurt dhe e patundur. ...

Këto ditë janë shumë të çmuara; përfito nga ky rast dhe ndiz një qiri që kurrë nuk do të shuhet e që do të lëshojë dritën e tij përjetësisht, duke ndriçuar botën e njerëzimit!

169. O ju dy shpirtra të duruar! Letrën tuaj e morëm. Vdekja e atij të riu të shumëdashur dhe ndarja e tij prej jush ka shkaktuar hidhërimin e pikëllimin më të madh; sepse ai mori fluturimin drejt çerdhes qiellore në lulen e moshës e në lulëzimin e rinisë së tij. Por ai është çliruar nga kjo strehë e goditur prej hidhërimit, e ka kthyer fytyrën ndaj çerdhes së përjetshme të Mbretërisë dhe, i çliruar nga një botë e errët dhe e ngushtë, ka nxituar drejt mbretërisë së shenjtëruar të dritës; atje është ngushëllimi i zemrave tona.

Urtia e padepërtueshme hyjnore është burimi i të tilla ngjarjeve dëshpëruese. Është sikur një kopshtar i mirë e transferon një kaçube të freskët e të butë nga një vend i kufizuar në një fushë të hapur. Ky transferim nuk shkakton vyshkjen, tkurrjen ose shkatërrimin e asaj kaçubeje; jo, përkundrazi bën që ajo të rritet e të harliset, të fitojë freski e hijeshi, të blerojë e të lidhë fryt. Kopshtari e njeh mirë këtë sekret të fshehur, por ata shpirtra që nuk janë në dijeni të kësaj dhuntie mendojnë se kopshtari, nga zëmërimi e inati, e ka shkulur kaçubën. Por për ata që janë në dijeni, ky fakt i fshehur është i dukshëm, dhe ky vendim i paracaktuar konsiderohet dhunti. Prandaj mos e ndjeni veten të hidhëruar e të dëshpëruar për ngjitjen në qiell të atij zogu të besnikërisë; jo, në çdo rrethanë lutuni për atë të ri, duke kërkuar ndjesë për të dhe lartësimin e pozitës së tij.

Unë shpresoj se ju do të tregoni durimin, vetëpërmbajtjen dhe nënshtrimin më të madh, dhe lutem e përgjërohem në Pragun e Njëshmërisë, duke lypur ndjesë e falje. Shpresa ime në dhuntitë e pakufishme të Perëndisë është që Ai ta strehojë këtë pëllumb të kopshtit të besimit dhe të bëjë që ai të rrijë mbi degën e Tubimit Suprem, që ai t'i këndojë me meloditë më të mira përlëvdimit e madhërimit të Zotit të Emrave e të Atributeve.

170. O ti kërkuese e Mbretërisë! Letrën tënde e morëm. Ti shkruaje për fatkeqësinë e rëndë që të ka ndodhur ty - vdekjen e bashkëshortit tënd të respektuar. Ai njeri i nderuar ka qenë aq i ekspozuar ndaj tensionevet e sforcimeve të kësaj bote, saqë dëshira e tij më e madhe ishte që të çlirohej prej tyre. E tillë është kjo banesë e vdekshme: një mal me shqetësime e vuajtje. Është injoranca që e lidh njeriun pas saj, sepse kurrfarë rehatie nuk mund të sigurojë asnjë shpirt në këtë botë, që nga monarku deri te njeriu i rëndomtë më i thjeshtë. Nëse kjo jetë i siguron një herë një njeriu një kupë të ëmbël, njëqin kupa të hidhura do ta pasojnë; e tillë është gjendja e kësaj bote. Prandaj njeriu i urtë nuk e lidh veten pas kësaj jete të vdekshme dhe nuk varet prej saj; në disa momente, madje, ai dëshiron me padurim vdekjen, që në këtë mënyrë të çlirohet nga këto shqetësime e vuajtje. Kështu shohim se disa, nën presionin e skajshëm të ankthit, kanë kryer vetëvrasje.

Përsa i përket bashkëshortit tënd, ji e sigurtë. Ai do të zhytet në oqeanin e faljes e të ndjesës dhe do të bëhet bartës i dhuntisë e i favorit. Përpiqu me të gjitha forcat t'i japësh fëmijës së tij edukim Bahá'í, që kur ai të arrijë moshën e pjekurisë të jetë i mëshirshëm, i ndriçuar e qiellor.

171. O ti shërbëtore e dashur e Perëndisë, edhe pse humbja e një djali të copëton zemrën dhe shkon tej kufijve të durimit njerëzor, megjithatë ai që di e kupton është i sigurt se i biri nuk ka humbur, përkundrazi ka kaluar nga kjo botë në një tjetër, dhe se do ta gjejë atë në mbretërinë hyjnore. Ribashkimi me të do të jetë i përjetshëm, ndërsa në këtë botë ndarja është e pashmangshme dhe shkakton një brengë përvëluese.

Lëvduar qoftë Perëndia që ti ke besim, e ke kthyer fytyrën ndaj Mbretërisë së përjetshme dhe beson në ekzistencën e një bote qiellore. Prandaj mos ji e dëshpëruar, mos e lësho veten, mos rënko, as mos qaj e dënes; sepse shqetësimi dhe mbajtja zi e prekin thellësisht shpirtin e tij në mbretërinë hyjnore.

Ai fëmijë i dashur të drejtohet ty nga bota e fshehur: 'O ti Nënë e dashur, falëndero Provaninë hyjnore që unë jam çliruar nga një kafaz i mbyllur e i errët dhe, si zogjtë në livadhe, kam fluturuar në botën hyjnore - një botë që është e gjerë, e ndriçuar dhe gjithnjë e gëzueshme e plot hare. Prandaj mos u anko, O Nënë, dhe mos u hidhëro; unë nuk jam nga të humburit dhe as jam asgjësuar e zhdukur. Unë kam flakur tej formën e vdekshme dhe kam ngritur flamurin tim në këtë botë shpirtërore. Pas kësaj ndarjeje vjen shoqërimi i përjetshëm. Ti do të më gjesh në qiellin e Zotit, të zhytur në një oqean drite'.

172. Lëvduar qoftë Perëndia, zemra jote është angazhuar në përkujtim të Perëndisë, shpirti yt është gëzuar nga lajmi i gëzuar i Perëndisë dhe ti je e thithur në lutje. Qenia në gjendje lutjeje është më e mira, sepse atëherë njeriu lidhet me Perëndinë. Lutja me të vërtetë dhuron jetë, veçanërisht kur je vetëm dhe në kohë të tilla, si mesnata, kur je i lirë nga hallet e ditës.

173. Ata shpirtra që, në këtë ditë, hyjnë në mbretërinë hyjnore dhe arrijnë jetën e pasosur, edhe pse materialisht banojnë mbi tokë, në të vërtetë fluturojnë në mbretërinë e qiellit. Trupat e tyre mund të enden mbi tokë, por shpirtrat e tyre udhëtojnë në pafundësinë e hapësirës. Sepse kur mendimet zgjerohen e bëhen të ndriçuara, ato fitojnë fuqinë e fluturimit dhe e çojnë njeriun në mbretërinë e Perëndisë.

174. O ju miq shpirtërorë të 'Abdu'l-Bahá-it! Letra që ju keni shkruar është lexuar; përmbajtja e saj ishte shumë e kënaqshme dhe tregonte vendosmërinë e qëndrueshmërinë tuaj në Kauzën e Perëndisë.

Ajo Asamble qëndron nën hijen mbrojtëse të Zotit të të gjitha dhuntive, dhe unë shpresoj se, ashtu siç i takon atij institucioni, do të favorizohet e fuqizohet nga fryrjet e Shpirtit të Shenjtë dhe se ju nga dita në ditë do ta doni akoma më shumë Perëndinë dhe do të jeni të lidhur akoma më shumë me Bukurinë që jeton përgjithmonë, me Atë Që është Drita e botës. Sepse dashuria e Perëndisë dhe tërheqja shpirtërore spastrojnë e dëlirin zemrën njerëzore dhe e veshin e e stolisin atë me rrobën e panjollë të shenjtërisë; dhe kur zemra është e bashkuar tërësisht me Zotin, dhe e lidhur me Përsosurinë e Bekuar, atëherë zbulohet hiri i Perëndisë.

Kjo nuk është dashuri e trupit, por krejtësisht e shpirtit. Dhe ata shpirtra, qënia e brendshme e të cilëve është ndezur nga dashuria e Perëndisë, janë si rrezet e dritës që përhapen dhe shkëlqejnë si yje të shenjtërisë në një qiell të kulluar e të kristaltë. Sepse dashuria e vërtetë, dashuria reale, është dashuria për Perëndinë dhe kjo është e shenjtëruar tej nocioneve e imagjinatave të njerëzve.

Le të jenë të shumëdashurit e Perëndisë, të gjithë pa përjashtim, thelbi i dëlirësisë, vetë jeta e shenjtërisë, në mënyrë që në çdo vend ata të bëhen të famshëm për shenjtërinë, për mendjen e pavarur dhe butësinë e tyre. Le të ngazëllehen ata nga rrëkëllisjet e kupës së përjetshme të dashurisë për Perëndinë, dhe le të gëzohen kur pinë nga qilaret e verës të Qiellit. Le të sodisin ata Bukurinë e Bekuar, le të ndiejnë flakën e magjepsjen e atij takimi dhe të mbeten pa gojë nga frika e mahnitja. Kjo është pozita e të sinqertëve; kjo është mënyra e sjelljes e besnikëve; ky është shkëlqimi që ndrit në fytyrat e atyre që janë pranë Perëndisë.

Prandaj miqtë e Perëndisë duhet që, me shenjtërinë më të madhe, të gjithë njëzëri, të ngrihen në shpirt, në unitet me njëri-tjetrin, deri në një shkallë të tillë sa të bëhen si një qenie e një shpirt i vetëm. Në këtë plan, trupat fizikë nuk luajnë rol, përkundrazi shpirti merr epërsinë e sundon; dhe kur fuqia e tij përfshin gjithçka, atëherë arrihet bashkimi shpirtëror. Përpiquni pra ditë e natë që të kultivoni unitetin tuaj në mënyrën më të plotë. Le të përqendrohen mendimet tuaja në zhvillimin shpirtëror të vetes suaj dhe mbyllini sytë para mangësive të shpirtrave të tjerë. Veproni në mënyrë të tillë, që të tregoni vepra të kulluara e shumë të mira, modesti e përunjësi, që të zgjoni të tjerët.

'Abdu'l-Bahá-i kurrë nuk ka dëshirë të shohë ndonjë qënie të lëndohet, as nuk do Ai të bëjë ndonjë që të brengoset; sepse njeriu nuk mund të marrë dhuratë më të madhe se kjo: të gëzojë zemrën e tjetrit. I lutem Perëndisë që ju të jeni sjellës të gëzimit, ashtu siç janë engjëjt në Qiell.

175. Hijeshia e vdekshme do të shuhet, trëndafilat do t'u lëshojnë vendin gjembave, dhe bukuria e rinia do ta jetojnë jetën e tyre dhe s'do të jenë më. Por ajo që qëndron përjetësisht është Bukuria e të Vërtetit, sepse shkëlqimi i saj nuk vdes dhe lavdia e saj vazhdon përgjithmonë; hijeshia e saj është e gjithëfuqishme dhe forca tërheqëse e saj e pafund. Atëherë lum ajo fytyrë që pasqyron shkëlqimin e Dritës së të Shumëdashurit! Lavdi Zotit, ty të ka ndriçuar kjo Dritë, ti ke fituar margaritarin e dijes së vërtetë dhe ke folur Fjalën e së Vërtetës.

176. O ti që të ka tërhequr Mbretëria e Perëndisë! Çdo shpirt kërkon një objekt dhe ushqen një dëshirë, dhe përpiqet ditë e natë të arrijë qëllimin e tij. Njëri ngordh për pasuri, një tjetër është i etur për lavdi, ndërsa një i tretë dëshirohet për famë, për art, për mirëqenie e të tjera si këto. Por në fund të gjithë janë të dënuar me humbje e zhgënjim. Secili e të gjithë lenë pas vetes gjithçka kanë të tyren dhe duarbosh nxitojnë për në mbretërinë e përtejme, dhe të gjitha mundimet e tyre janë të kota. Të gjithë në pluhur do të kthehen, të zhveshur, të trishtuar, të shkurajuar e në dëshpërim të plotë.

Por, lavdi Zotit, ti je angazhuar në atë që do të të sigurojë një përfitim i cili do të vazhdojë përjetë; dhe kjo s'është asgjë tjetër por tërheqja jote drejt Mbretërisë së Perëndisë, dhe dija jote, ndriçimi i zemrës sate dhe përpjekjet e tua të zellshme për të mbështetur Mësimet Hyjnore.

Me të vërtetë kjo dhuratë është e pavdekshme dhe kjo pasuri është një thesar nga lart!

177. O flakë e gjallë e dashurisë qiellore! Zemra jote ka qenë kaq e ndezur me dashurinë e Perëndisë, saqë ngrohtësia dhe rrezatimi i saj mund të ndihen e shihen dhjetëmijë lega larg. Zjarri i ndezur nga një dorë e vdekshme përhap dritë e ngrohtësi vetëm në një hapësirë të vogël, ndërsa flaka e shenjtë që ka ndezur Dora e Perëndisë, edhe pse digjet në lindje, do të ndezë zjarr perëndimin dhe do t'i japë ngrohtësi si veriut dhe jugut; madje jo, ajo do të ngrihet nga kjo botë për të shkëlqyer me flakën më të nxehtë në mbretëritë e epërme, duke mbushur me dritë Mbretërinë e lavdisë së përjetshme.

Lum ti që ke marrë një dhuratë të tillë qiellore. I bekuar je ti që je favorizuar me dhuntitë e Tij hyjnore.

Lavdia e Perëndisë qoftë mbi ty dhe mbi ata që mbahen fort pas dorëzës së sigurt të Vullnetit e të Besëlidhjes së Tij të shenjtë.

178. O shërbëtore e Perëndisë! Letrën tënde të datës 9 dhjetor 1918 e kemi marrë. Përmbajtjja e saj është parë me vëmendje. Mos e humb kurrë besimin te Perëndia. Shpreso kurdoherë, sepse dhuntitë e Perëndisë kurrë nuk pushojnë së reshuri mbi njeriun. Të para nga një këndvështrim, duket sikur ato pakësohen, por nga një këndvështrim tjetër ato janë të bollshme e të plota. Njeriu është kurdoherë i zhytur në një det bekimesh të Perëndisë. Prandaj mos e humb shpresën në çfarëdo rrethanash, përkundrazi qëndro e patundur në shpresën tënde.

Pjesëmarrja në mbledhjet e miqve shërben posaçërisht për t'i mbajtur ata syhapur, vigjilentë, të dashuruar e të tërhequr ndaj Mbretërisë hyjnore.

Nëse ke dëshirë të plotë e të zjarrtë për të shkuar në Fillsburg, Montana, të lejohet, ndoshta do të jesh në gjendje të ndezësh një qiri midis atij grupi minatorësh dhe t'i zgjosh e t'u hapësh sytë, në mënyrë që ata nga ana e tyre ta kthejnë fytyrën ndaj Perëndisë dhe të marrin pjesë nga Dhuntia e Mbretërisë hyjnore.

179. Përpiqu me të gjitha forcat për ta kthyer tërësisht fytyrën drejt Mbretërisë, që të fitosh kurajo të brendshme e fuqi ideale.

180. Unë shpresoj se në këtë botë këtu poshtë ti do të arrish dritën qiellore, do të çlirosh shpirtrat nga errësira e natyrës, që është mbretëria shtazore, dhe do të bësh që ata të arrijnë pozita të lartësuara në mbretërinë njerëzore. Sot të gjithë njerëzit janë të zhytur në botën e natyrës. Ja përse ti sheh xhelozi, zili, luftë për të mbijetuar, zhgënjim, hipokrizi, tirani, shtypje, polemika, grindje, gjakderdhje, plaçkitje e grabitje, të cilat cilat rrjedhin të gjitha nga bota e natyrës. Të paktë janë ata që janë çliruar nga kjo errësirë, që janë ngjitur nga bota e natyrës në botën e njeriut, që kanë ndjekur Mësimet hyjnore, i kanë shërbyer botës së njerëzimit, që janë të shndritshëm, të mëshirshëm, të ndriçuar e që i ngjajnë një kopshti trëndafilash. Përpiqu me të gjitha forcat që të bëhesh i perëndishëm, i karakterizuar nga atributet e Tij, i ndriçuar e i mëshirshëm, që të çlirohesh nga çdo lidhje dhe të tërhiqesh me zemër ndaj Mbretërisë së Zotit të pakrahasueshëm. Kjo është bujari Bahá'í, dhe kjo është dritë qiellore.

181. Lidhur me thënien në Fjalët e Fshehura se njeriu duhet të heqë dorë nga vetvetja, kuptimi është që ai duhet të heqë dorë nga dëshirat e tij të tepruara, nga qëllimet e tij egoiste e nga nxitjet e vetes së tij njerëzore, dhe të kërkojë flladet e shenjta të shpirtit, të ndjekë dëshirat e zjarrta të vetes së tij më të lartë dhe të zhytet në detin e sakrificës, me zemrën të ngulitur mbi bukurinë e Lavdiplotit.

Përsa i përket referencës në Fjalët e Fshehura lidhur me Besëlidhjen që hyri në fuqi në Malin Párán, kjo do të thotë se në sytë e Perëndisë e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë po e njëjta gjë - ndërsa për njeriun e kaluara ka shkuar e është harruar, e tashmja është e shkurtër dhe e ardhmja është brenda sferës së shpresës. Dhe është një parim bazë i Ligjit të Perëndisë që në çdo Mision Profetik Ai hyn në një Besëlidhje me të gjithë besimtarët - një Besëlidhje që do të vazhdojë deri në përfundim të atij Misioni, deri në ditën e premtuar kur Personazhi i parashikuar në fillim të Misionit shfaqet. Mendoni Moisiun, Atë Që bisedoi me Perëndinë. Në të vërtetë, në Malin Sinai, Moisiu hyri në një Besëlidhje që ka të bëjë me Mesinë me të gjithë ata shpirtra që do të jetonin në ditën e Mesisë. Dhe ata shpirtra, ndonëse u shfaqën shumë shekuj pas Moisiut, ishin megjithatë - përsa i përket Besëlidhjes, e cila është jashtë kohës - të pranishëm atje bashkë me Moisiun. Mirëpo Hebrenjtë ishin të pavëmendshëm ndaj kësaj dhe nuk e kujtonin, kështu që pësuan një humbje të madhe e të qartë.

Përsa i takon referencës në Fjalët e Fshehura se qenia njerëzore duhet të shkëputet nga vetja, edhe këtu kuptimi është se ai nuk duhet të kërkojë asgjë për veten e tij në këtë jetë që kalon vetëtimthi, por duhet ta lerë mënjanë veten, domethënë duhet ta dorëzojë veten dhe të gjitha ato që e interesojnë në fushën e martirizimit, në kohën e ardhjes së Zotit.

182. O ju që mbaheni fort pas Besëlidhjes dhe Testamentit! Këtë ditë, nga sferat e Fuqiplotit, nga Mbretëria e Shenjtërisë ku ngrihen hosana madhërimi e lëvdimi, Grupimi i epërm drejton shikimet nga ju. Kurdoherë që shikimet e tij ndriçojnë mbledhjet e atyre që janë të qëndrueshëm në Besëlidhjen e Testamentin, ata lëshojnë thirrjen 'Lajm i gëzuar! Lajm i gëzuar'! Atëherë, të ngazëllyer, ata ngrejnë zërin dhe thërrasin 'O ju bashkësi shpirtërore! O ju mbledhje të Perëndisë! Të bekuar jeni ju! Lajmi i gëzuar qoftë mbi ju! Le të ndriçojnë fytyrat tuaja, dhe jini plot hare, sepse ju mbaheni pas Besëlidhjes së të Shumëdashurit të të gjitha botëve, ju jeni të ndezur nga vera e Testamentit të Tij. Ju i keni dhënë fjalën të Lashtit të Kohëve, ju keni pirë pa kursim nga kupa e besnikërisë. Ju keni ruajtur e mbrojtur Kauzën e Perëndisë; ju nuk e keni bërë dysh Fjalën e Tij; ju nuk e keni ulur Besimin e Tij, por jeni përpjekur të madhëroni Emrin e Tij të Shenjtë; ju nuk keni lejuar që Kauza e Bekuar të bëhet objekt talljeje nga njerëzit. Ju nuk keni lejuar që Pozita e Caktuar të poshtërohet, as keni dashur të shihni Qendrën e Autoritetit të diskreditohet ose t'u nënshtrohet talljes e përndjekjeve. Ju jeni përpjekur ta ruani Fjalën të pacenuar e të paprekur. Ju keni kaluar përmes portave të mëshirës. Ju nuk keni lejuar që Bukuria e Bekuar të shkasë nga mendja juaj, të zbehet i pakujtuar.

Lavdia qoftë mbi ju.

183. O ti bijë e Mbretërisë! Letrën tënde e morëm. Ajo ishte si melodia e bilbilit hyjnor, kënga e të cilit gëzon zemrat. Kjo për arsye se ajo tregonte besim, siguri e qëndrueshmëri në Besëlidhjen e Testamentin. Sot forca lëvizëse e botës së ekzistencës është forca e Besëlidhjes, e cila pulson si arterie në trupin e botës kalimtare dhe mbron unitetin Bahá'í.

Bahá'í-të janë urdhëruar të vendosin njëshmërinë e njerëzimit; nëse nuk bashkohen dot rreth një çështjeje, si mund të jenë në gjendje ata të realizojnë unitetin e njerëzimit?

Qëllimi i Bukurisë së Bekuar duke bërë këtë Besëlidhje e Testament ishte të bashkojë të gjitha qeniet ekzistuese rreth një çështjeje, në mënyrë që shpirtrat e shkujdesur, që në çdo cikël e gjeneratë kanë qenë shkaku i përçarjes, të mos minojnë Kauzëm. Prandaj Ai ka urdhëruar që çdo gjë që del nga Qendra e Besëlidhjes është e drejtë dhe ndodhet nën mbrojtjen e favorin e Tij, ndërsa çdo gjë tjetër është e gabuar.

Lëvduar qoftë Perëndia, ju jeni të patundur në Besëlidhjen e Testamentin.

184. O ju shpirtra të bekuar! Edhe pse ju po përjetoni sprova kritike për shkak të orvatjeve të përsëritura e ngulmuese të disa njerëzve për të lëkundur besimin e miqve në Los Anxheles, ju megjithatë jeni nën syrin mbrojtës të bujarisë së Bahá'u'lláh-ut dhe keni ndihmën e ushtrive të tëra engjëjsh.

Ecni, pra, me hap të sigurt dhe angazhohuni me sigurinë e besimin më të madh në përhapjen e flladeve hyjnore, madhërimin e Fjalës së Perëndisë dhe vendosmërinë në Besëlidhjen. Jini të sigurt që në qoftë se një shpirt ngrihet me këmbënguljen më të madhe dhe lëshon Thirrjen e Mbretërisë e shpall vendosmërisht Besëlidhjen, edhe sikur të jetë ai një milingonë e vogël do të bëhet i aftë të dëbojë nga arena elefantin e fuqishëm, edhe sikur të jetë një flutur nate e pafuqishme do të bëjë copë-copë pendët e hutës grabitqare.

Përpiquni, pra, të dëboni e shpartalloni ushtrinë e dyshimit e të gabimit me fuqinë e fjalëve të shenjta. Kjo është porosia dhe këshilla ime. Mos u grindni me askënd dhe shmangiuni çdo forme konflikti. Thoni Fjalën e Perëndisë. Po qe se ai e pranon atë, qëllimi i dëshiruar është arritur, dhe nëse e hedh poshtë lëreni rehat dhe besoni te Perëndia.

I tillë është atributi i atyre që qëndrojnë të vendosur në Besëlidhjen.

185. O ju miq dhe shërbëtore të të Mëshirshmit! Kemi marrë një letër nga Asambleja Shpirtërore e Los Anxheles. Ajo dëshmonte për faktin që shpirtrat e bekuar në Kaliforni, si një mal i palëvizshëm, po i qëndrojnë tufanit të shkeljeve, janë mbjellë si pemë të bekuara në dheun e Besëlidhjes dhe janë shumë të vendosur e të patundur. Ushqejmë, pra, shpresën që, falë bekimeve të Diellit të së Vërtetës, ato të shtojnë nga dita në ditë vendosmërinë e qëndrueshmërinë e tyre. Sprovat e çdo dispensacioni janë në përpjesëtim të drejtpërdrejtë me madhështinë e Kauzës, dhe meqenëse deri tani nuk është bërë një Besëlidhje e tillë e qartë, e shkruar nga Pena Supreme, sprovat janë proporcionalisht më të vështira. Këto sprova bëjnë që shpirtrat e dobët të lëkunden, ndërsa ata që janë të vendosur nuk preken. Trazirat e shkelësve nuk janë më shumë se shkumba e oqeanit, që është një prej veçorive të tij; por oqeani i Besëlidhjes do të dallgëzohet e do të hedhë në breg trupat e të vdekurve, sepse nuk mund t'i mbajë ata. Shihet, pra, se oqeani i Besëlidhjes është dallgëzuar e dallgëzuar derisa ka flakur jashtë trupat e vdekur - shpirtrat që janë të privuar nga Fryma e Perëndisë, që kanë humbur në pasionin e egon dhe që kërkojnë të udhëheqin. Kjo shkumbë e oqeanit nuk do të vazhdojë gjatë dhe shpejt do të shpërndahet e zhduket, ndërsa oqeani i Besëlidhjes do të dallgëzohet e gjëmojë përjetësisht. ...

Që nga ditët e hershme të krijimit e deri në kohën e sotme, përmes të gjitha dispensacioneve hyjnore, nuk është bërë një Besëlidhje e tillë e qëndrueshme dhe e qartë. Duke pasur parasysh këtë fakt, a është e mundur që kjo shkumbë të mbetet në sipërfaqen e oqeanit të Besëlidhjes? Jo, për Perëndi! Shkelësit po marrin nëpër këmbë vetë dinjitetin e tyre, po shkulin vetë themelet e tyre dhe janë krenarë që i mbështesin lajkatarët, të cilët bëjnë përpjekje të mëdha për të lëkundur besimin e shpirtrave të dobët. Por ky veprim i tyre nuk ka efekt; ai është një mirazh e jo ujë, shkumbë e jo deti, mjegull e jo re, iluzion e jo realitet. Të gjitha këto ju do t'i shihni së shpejti.

Lëvduar qoftë Perëndia, ju jeni të vendosur e të patundur; jini mirënjohës që ashtu si pemë të bekuara jeni të mbjellë fort në dheun e Besëlidhjes. Është e sigurt që çdo pemë e qëndrueshme do të rritet, do të japë fryte të reja dhe do të shtojë dita ditës freskinë e hijeshinë. Reflektoni për të gjitha shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, qofshin letra ose lutje, dhe me siguri do të ndeshni njëmijë pasazhe ku Bahá'u'lláh-u lutet: 'O Perëndi! Katandisi në hiç shkelësit e Besëlidhjes dhe shpartalloi shtypësit e Testamentit'. 'Ai që mohon Besëlidhjen dhe Testamentin flaket nga Perëndia, ndërsa ai që qëndron i vendosur e i patundur në të favorizohet në Pragun e Njëshmërisë'. Thënie e lutje të tilla ka me bollëk, referojuni atyre dhe do të dini.

Kurrë mos u dëshpëroni. Sa më shumë të nxiteni nga shkeljet, thelloni më tepër vendosmërinë e qëndrueshmërinë dhe të jeni të sigurt se ushtritë hyjnore do të triumfojnë, sepse ato janë të siguruara për fitoren e Mbretërisë Abhá. Në të gjitha viset është ngritur emblema e vendosmërisë e qëndrueshmërisë dhe flamuri i shkeljes është ulur, sepse vetëm pak shpirtra të dobët janë çuar në rrugë të gabuar nga lajkat e artgumentet mashtruese të shkelësve, që nga jashtë shfaqin me kujdesin më të madh vendosmëri, por nga brenda janë të angazhuar në trazimin e shpirtrave. Vetëm një numër i vogël, që janë krerët e atyre që nxitin e trazojnë, janë të njohur nga jashtë si shkelës, ndërsa të tjerët, me mënyra tinzare mashtrojnë shpirtrat, sepse nga jashtë shpallin vendosmërionë e qëndrueshmërinë e tyre në Besëlidhjen, por kur ndeshin veshë të vëmendshëm, në mënyrë të fshehtë mbjellin farat e dyshimit. Rasti i të gjithë këtyre i përngjan shkeljes së Besëlidhjes nga Juda Iskarioti dhe pasuesit e tij. Mendoni: a ka mbetur pas tyre ndonjë rezultat apo gjurmë? As edhe një emër nuk ka mbetur nga pasuesit e tij dhe megjithëse një numër Hebrenjsh mbanin anën e tij, është sikur ai të mos kishte fare pasues. Ky Juda Iskarioti, që ishte kreu i apostujve, e tradhtoi Krishtin për 30 aspra argjendi. Kini mendjen, o njerëz që kuptoni!

Në kohën e tanishme këta shkelës pa vlerë me siguri do të tradhtojnë Qendrën e Besëlidhjes për një shumë të madhe që ata kanë lypur me të gjitha mënyrat e tyre tinzare. Kanë kaluar tashmë tridhjetë vjet që kur Bahá'u'lláh-u është ngjitur në qiell, dhe gjatë kësaj kohe këta shkelës janë rropatur me të gjitha forcat. Dhe ç'kanë arritur ata? Në të gjitha rastet ata që kanë qëndruar të patundur në Besëlidhjen kanë triumfuar, ndërsa shkelësit kanë pësuar disfatë, zhgënjim e brengosje. Pas ngjitjes në qiell të 'Abdu'l-Bahá-it, nuk do të mbetet asnjë gjurmë e tyre. Këta shpirtra nuk e dinë se ç'do të ndodhë dhe krenohen me fantazitë e veta.

Me një fjalë, O ju miq të Perëndisë dhe shërbëtore të të Mëshirshmit! Dora e bujarisë hyjnore ka vendosur mbi kokat tuaja një kurorë xhevahirësh, margaritarët e çmuar të të cilave do të shkëlqejnë përjetësisht mbi të gjitha viset. Vlerësojeni këtë këtë dhunti, zgjidhini gjuhët në madhërim e falënderim, dhe angazhohuni në përhapjen e mësimeve hyjnore, sepse kjo është fryma e jetës dhe mjeti i shpëtimit.

186. O ti që je i vendpsur në Besëlidhjen! Kemi marrë nga ti tri letra njërën pas tjetrës. Nga përmbajtja e tyre mësojmë se në Klivlend [Cleveland] zemrat janë të brengosura nga pëshpërimat e errëta të shkelësve të Besëlidhje dhe se midis miqve është dobësuar harmonia. Perëndi i hirshëm! Është parathënë njëqind herë se shkelësit kanë zënë pritë dhe dëshirojnë me të gjitha mënyrat të mbjellin përçarje midis miqve, që kjo përçarje të çojë në shkeljen e Besëlidhjes. Si ndodh që, megjithë këtë paralajmërim, miqtë kanë lënë pas dore këtë deklaratë të qartë?

Çështja në dikutim është e qartë, e drejtpëedrejtë dhe shumë e shkurtër. Ose Bahá'u'lláh-u ishte i urtë, i gjithëdijshëm e i vetëdijshëm se ç'do të ndodhte më pas, ose ishte injorant e gabohej. Me penën e Tij supreme, Ai bëri një Besëlidhje e Testament shumë të qëndrueshëm me të gjithë Bahá'í-të, para së gjithash me Aghsán-ët, Afnán-ët dhe afërmit e Tij, dhe i urdhëroi ata t'i binden e të kthehen drejt Tij. Me penën e Tij supreme Ai ka deklaruar shprehimisht se objekti i vargut të mëposhtëm të Qitapi Akdas-it është Dega Më e Madhe:

'Kur oqeani i pranisë Sime të jetë në zbaticë dhe Libri i Revelacionit Tim të ketë mbaruar, kthejeni fytyrën nga Ai që Perëndia ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë'. Kuptimi i tij shkurtimisht është ky: që pas ngjitjes Sime në qiell është detyrë e Aghsán-ëve, Afnán-ëve dhe e të afërmëve, si dhe e të gjithë miqve të Perëndisë ta kthejnë fytyrën drejt Atij Që është degëzuar nga Rrënja e Lashtë.

Ai thotë gjithashtu qartë në Qitapi Akdas: 'O popuj të botës! Kur Pëllumbi Mistik të ketë nisur fluturimin e tij nga Altari i Lavdisë dhe të ketë arritur synimin e tij të largët, banesëm e tij të fshehtë, për çdo gjë që nuk kuptoni në Librin drejtohuni Atij Që është degëzuar nga ky Trung i fuqishëm'. Duke iu drejtuar të gjithë njerëzve të botës, Ai thotë: Kur Pëllumbi Mistik të fuluturojë nga kopshti i lëvdimit për në Pozitën Më Supreme e të Padukshme - domethënë kur Bukuria e Bekuar të jetë larguar nga bota kalimtare për në mbretërinë e padukshme - për çdo gjë që nuk kuptoni në Librin drejtohuni Atij Që është degëzuar nga Rrënja e Lashtë. Domethënë, çdo gjë që thotë Ai është vetë e vërteta.

Dhe në Librin e Besëlidhjes Ai thotë shprehimisht se objekti i vargut 'Që është degëzuar nga kjo Rrënjë e Lashtë' është Dega Më e Fuqishme. Dhe ai urdhëron të gjithë Aghsán-ët, Afnán-ët, të afërmit dhe Bahá'í-të të kthehen drejt Tij. Pra, ose njeriu duhet të thotë se Bukuria e Bekuar kishte gabuar, ose Atij i duhet bindur. 'Abdu'l-Bahá-i nuk ka ndonjë urdhër të cilit t'i binden njerëzit përveç përhapjes së aromave të Perëndisë, lartësimit të Fjalës së Tij, shpalljes së njëshmërisë së botës së njerëzimit, vendosjes së paqes universale dhe urdhrave të tjerë të Perëndisë. Këta janë urdhra hyjnorë dhe s'kanë të bëjnë aspak me 'Abdu'l-Bahá-in. Kush dëshiron mund t'i pranojë ato, dhe çdo njeri që nuk i pranon mund të bëjë si të dojë.

Tani disa prej ngatërrestarëve, me stratagjema të ndryshme, po kërkojnë të marrin udhëheqjen, dhe për ta arritur këtë pozitë futin dyshime midis miqve, që të shkaktojnë përçarje dhe që këto përçarje të mund të rezultojnë në tërheqjen pas vetes të një grupi. Por miqtë e Perëndisë duhet të jenë syhapur dhe ta dinë se përhapja e këtyre dyshimeve ka si motiv dëshira personale dhe arritjen e pozitës udhëheqëse.

Mos e përçani unitetin Bahá'í, dhe dijeni se ky unitet nuk mund të mbahet ndryshe, veçse përmes besimit në Besëlidhjen e Perëndisë.

Ti ke dëshirë të udhëtosh që të përhapësh aromat e Perëndisë. Kjo është shumë me vend. Me siguri konfirmimet hyjnore do të të ndihmojnë dhe fuqia e Besëlidhjes dhe e Testamentit do të të sigurojë ty triumf e fitore.

187. O ti që je i patundur në Besëlidhjen! Letrën tënde e kemi marrë. Ti ke shprehur kënaqësinë lidhur me Kuvendin, që kjo mbledhje ka qenë mjeti për të lartësuar Kauzën e Perëndisë dhe për të treguar fuqinë e Fjalës së Tij. Madhështia e Kauzës do të davaritë divergjencat dhe mund të krahasohet me shëndetin në trupin e një njeriu, i cili pasi është rivendosur shëron të gjitha sëmundjet e dobësinë. Ne shpresojmë se nuk do të mbetet asnjë gjurmë kundërvënieje; por disa prej miqve në Amerikë nuk gjejnë rehat nga ambicjet e tyre të reja dhe përpiqen e kërkojnë nën tokë e në ajër të zbulojnë ndonjë gjë që të shkaktojë përçarje.

Lëvduar qoftë Perëndia, të tilla dyer janë të mbyllura në Kauzën e Bahá'u'lláh-ut, sepse një Qendër e posaçme autoriteti është caktuar - një Qendër që i zgjidh të gjitha vështirësitë dhe mënjanon të gjitha divergjencat. Shtëpia Universale e Drejtësisë, po kështu, mënjanon të gjitha divergjencat, çdo gjë që porosit ajo duhet të pranohet dhe kush bën shkelje flaket tej. Por kjo Shtëpi Universale e Drejtësisë, që është Organi Ligjvënës, ende nuk është krijuar.

Shihet kështu se nuk është lënë vend për përçarje, por dëshirat materiale janë shkaku i mosmarrëveshjes siç ështe rasti i dhunuesve. Këta nuk venë në dyshim vlefshmërinë e Besëlidhjes, por motive egoiste i kanë shtyrë ata në këtë gjendje. Jo se ata nuk dinë ç'bëjnë - ata janë krejtësisht të vetëdijshëm e megjithatë shfaqin kundërvënie.

Me një fjalë, oqeani i Besëlidhjes është i trazuar e i gjerë. Ai hedh në breg shkumbën e dhunimit, kështu që ji i sigurt. Qëndro i angazhuar me çuarjen përpara të Mashrekol Azkarit [Mashriqu'l-Adhkár, Shtëpi e Adhurimit] dhe përgatit mjetet për përhapjen e aromave hyjnore. Mos u angazho në asgjë tjetër veç kësaj, përndryshe vëmendja jote do të shpërndahet dhe puna nuk do të ecë përpara.

188. O ju të shumëdashurit e 'Abdu'l-Bahá'í-t! Ka kaluar tashmë një kohë e gjatë që kur veshi im i brendshëm ka dëgjuar melodi të ëmbla nga disa vise, apo që zemra ime është gëzuar; dhe kjo megjithë faktin që ju jeni kurdoherë të pranishëm në mendimet e mia dhe të dukshëm qartë para syve të mi. E mbushur plot e përplot është kupa e zemrës sime me verën e dashurisë që ushqej për ju, dhe malli për t'i hedhur sytë mbi ju rrjedh si zjarr nëpër arteriet e venat e mia. Në këtë kohë e përmes kësaj stuhie fatkeqësish që i hedh valët e saj deri lart në qiell, shtiza mizore e të pareshtura lëshohen kundër meje nga çdo pikë e busullës, dhe në çdo moment këtu në Tokën e Shenjtë vijnë lajme të llahtarshme, dhe çdo ditë sjell pjesën e saj të tmerrit. Qendra e Rebelimit kishte imagjinuar se i duhej vetëm rebelimi i tij arrogant për të rrëzuar e kthyer në gërmadha Besëlidhjen dhe Testamentin. Mjaftonte vetëm kjo, mendonte ai, për t'i larguar të drejtët nga Vullneti i Shenjtë. Prandaj ai përhapi në të katër anët fletushkat e tij të dyshimit, duke sajuar shumë makinacione sekrete. Një herë thërret me të madhe se godina e Perëndisë është përmbysur dhe urdhrat e Tij hyjnorë janë anuluar, dhe se për këtë arsye Besëlidhja dhe Testamenti janë shfuqizuar. Pastaj fillon të psherëtijë e të ankohet se atë e kishin mbajtur rob dhe se e linin ditë e natë të uritur e të etur. Një ditë tjetër ngrihej e protestonte duke thënë se njëshmëria e Perëndisë ishte mohuar, përderisa ishte shpallur një Manifestim tjetër para se të kishin kaluar njëmijë vjet.

Kur e pa se shpifjet e tij nuk bënin efekt, ai gradualisht bëri një plan për të nxitur një rrëmujë. Ai filloi të nxiste ligësinë dhe trokiti në çdo derë. Nisi të paraqiste akuza të rreme te zyrtarët e Qeverisë. Iu afrua disa prej të huajve, u fut në intimitet me ta dhe bashkë me ta përgatiti një dokument dhe e paraqiti në Selinë e Sulltanatit, duke shkaktuar shtangie tek autoritetet. Ndërmjet shumë akuzave shpifëse ishte edhe kjo, që ky fatkeq kishte ngritur flamurin e revoltës, një flamur që mbante fjalët Ja Baha-ul Abha [Yá Bahá'u'l-Abhá], se unë e kisha ekspozuar këtë në të gjithë zonën rurale, në çdo qytet të madh e të vogël e në çdo fshat, madje edhe midis fiseve të shkretëtirës, dhe u kisha bërë thirrje të gjithë banorëve të bashkoheshin nën këtë flamur.

O Zoti im, me të vërtetë unë kërkoj strehë tek Ti nga vetë mendimi i një veprimi të tillë, i cili është në kundërshtim me të gjitha porositë e Bahá'u'lláh-ut dhe që me të vërtetë do të ishte një e keqe shumë e madhe që askush, veç ndonjë mëkatari të pakorrigjueshëm, kurrë nuk do ta bënte. Sepse Ti na e ke bërë të detyrueshme t'u bindemi sundimtarëve dhe mbretërve.

Një tjetër shpifje e tij ishte se Varri i Shenjtë në Malin Karmel ishte një kala e fortë dhe e papushtueshme që unë kisha ndërtuar - dhe kjo kur godina që po ngrihej përbëhej prej gjashtë dhomash - dhe se unë e kisha quajtur atë Medina e Shkëlqyer, ndërsa unë e kisha quajtur Varrin e Shenjtë1 Meka e Madhërishme. Dhe një tjetër shpifje e tij ishte se unë kisha vendosur një sovranitet të pavarur dhe se - Mos e dhëntë Perëndia! Mos e dhëntë Perëndia! Mos e dhëntë Perëndia! - u kisha bërë thirrje të gjithë besimtarëve të bashkoheshin me mua në këtë keqbërje masive. Sa e ndyrë, O Zoti im, është kjo shpifje!

Dhe më tej ai pretendon që përderisa Varri i Shenjtë është bërë një vend i vizituar prej pelegrinësh nga e gjithë bota, një dëm i madh do t'i bëhet kësaj Qeverie e këtij populli. Ai, Qendra e Rebelimit, deklaron se ai vetë nuk ka gisht në të gjitha këto punë, se ai është një Sunit i Sunitëve dhe një pasues i devotshëm i Abu Bakrit [Abú-Bakr] e i Omarit ['Umar], se ai e konsideron Bahá'u'lláh-un vetëm një njeri fetar e një mistik; të gjitha këto gjëra, thotë ai, i ka kurdisur ky i munduar.

Për t'i rënë shkurt, një Komision Hetimi u caktua nga Sulltani, vazhdoftë lavdia e mbretërimit të tij. Komisioni erdhi këtej dhe me të arritur vajti në shtëpinë e njërit prej akuzuesve. Pastaj thirri grupin që, duke punuar me vëllain tim, kishte përgatitur dokumentin akuzues dhe i pyeti ata nëse ishin të vërteta. Grupi shpjegoi përmbajtjen e dokumentit, deklaroi se çdo gjë që ata kishin raportuar aty ishte vetëm e vërteta, dhe shtuan akuza të reja. Kështu ata vepruan në të njëjtën kohë si ankues, si dëshmitarë dhe si gjykatës.

Komisioni është kthyer tani në selinë e Kalifatit, dhe çdo ditë nga ai qytet vijnë lajme të një natyre shumë të frikshme. Megjithatë, lëvduar qoftë Perëndia, 'Abdu'l-Bahá-i qëndron i qetë e i patrazuar. Askujt unë nuk i dua të keqen për shkak të kësaj shpifjeje. Të gjitha punët e mia unë i kam kushtëzuar me Vullnetin e Tij të pakundërshtueshëm dhe jam në pritje, me të vërtetë krejt i lumtur, të ofroj jetën time dhe i përgatitur për çdo të keqe sado të tmerrshme që mund të më presë. Lëvduar qoftë Perëndia, besimtarët e dashuruar gjithashtu e pranojnë dhe mbeten të nënshtruar ndaj Vullnetit të Perëndisë, të kënaqur prej tij, të dëgjueshëm e rrëzëllitës, duke e falënderuar.

Qendra e Rebelimit kishte menduar se kur gjaku i këtij të munduari të ketë rrjedhur çurg, kur unë të jem braktisur në rërën e pafund të shkretëtirës ose të jem mbytur në Detin Mesdhe - emërshuar, i zhdukur pa lënë gjurmë, pa njeri që të më përmendë - atëherë ai do të kishte një fushë ku të ngiste kalin e tij, dhe me çekiçin e drunjtë të gënjeshtrave e dyshimeve të godiste fort topin e polos të ambicjeve të tij e të merrte çmimin.

Larg qoftë! Sepse edhe sikur era e këndshme e myshkut e besnikërisë të kalonte pa lënë gjurmë, kush do të tërhiqej nga era e ndyrë e pabesisë? Madje edhe sikur ndonjë sorkadhe e qiellit të ishte shqyer nga qentë e ujqit, kush do të vraponte për të kërkuar një ujk grabitqar? Edhe sikur dita e Bilbilit Mistik të merrte fund, kush do t'i vinte veshin krrokatjes së korbit apo krakëllimës së sorrës? Ç'hamendje boshe është kjo e tija! Ç'pandehmë e çmendur! 'Veprat e tyre janë si avulli në një shkretëtirë, që të eturit i fanitet si ujë, derisa arrin atje dhe nuk gjen asgjë'1.

O ju të dashurit e Perëndisë! Jini të qëndrueshëm mbi këmbë e të pandryshuar në zemër dhe falë ndihmës së fuqishme të Bukurisë së Bekuar qëndroni të angazhuar në qëllimin tuaj. Shërbejini Kauzës së Perëndisë. Përballuni me të gjitha kombet e botës me besnikërinë dhe durimin e njerëzve të Bahá-it, në mënyrë që të gjithë njerëzit të habiten e të pyesin se si është e mundur që zemrat tuaja janë burime sigurie e besimi, dhe si miniera aq të pasura në dashuri për Perëndinë. Jini të tillë që as të mos dështoni as të mos lëkundeni për shkak të këtyre tragjedive në Tokën e Shenjtë; le të mos ju dëshpërojnë ju këto ngjarje të frikshme. Edhe sikur të gjithë besimtarët të kalohen në shpatë e të mbesë vetëm një, le të thërrasë ai i vetëm në emër të Zotit e të shpallë lajmin e gëzuar; le të ngrihet ai i vetëm e të përballet me të gjithë popujt e botës.

Mos shikoni ngjarjet e frikshme në këtë Vend të Ndriçuar. Toka e Shenjtë është kurdoherë në rrezik, dhe këtu vala e fatkeqësive është gjithmonë në vërshim; sepse thirrja e lëshuar është dëgjuar tani në mbarë botën dhe nami i saj ka arritur deri në skajet e tokës. Pikërisht për këtë arsye armiqtë, si nga brenda dhe nga jashtë, i janë futur me dinakëri e mashtrim përhapjes së shpifjeve. Është e qartë që një vend si ky është i ekspozuar ndaj rrezikut, sepse këtu nuk ka mbrojtës, nuk ka asnjeri që të ngrihet e të marrë anën tonë përballë shpifjes: këtu janë vetëm disa shpirtra pa shtëpi, fatkeqë, që mbahen rob në këtë fortesë. Ata nuk kanë mbojtës; nuk ka askënd që t'i ndihmojë, askënd që të mënjanojë shigjetat e gënjeshtrave, shtizat e shpifjes që janë hedhur kundër tyre: askënd përveç Perëndisë.

Ju takon juve të mendoni për të gjithë ata të shumëdashur që nxituan për në fushën e shenjtë të flijimit, për ata shpirtra të çmuar që ofruan jetën e tyre. Mbani parasysh se ç'rrëke gjaku të shenjtë janë derdhur, sa zemra të ndershme janë përzier me atë gjak, sa gjokse janë bërë tabela qitjeje të heshtës së tiranisë, sa trupa të dëlirë janë bërë copa-copa. Atëherë si mund të jetë e drejtë që ne qoftë edhe vetëm të mendojmë për të shpëtuar veten! T'i lëpihesh të huajit e tëndit dhe të bësh sikur ke arritur një kompromis! A nuk duhet që ne, përkundrazi, të ndjekim rrugën e të ndershmëve dhe të ecim në gjurmët e atyre njerëzve të mëdhenj që kanë shkuar më parë?

Këto pak ditë të shkurtra do të kalojnë, kjo jetë e tanishme do të zhduket nga shikimi ynë; trëndafijt e kësaj bote nuk do të jenë më tej të njomë e të bukur, kopshti i triumfeve e i kënaqësive të kësaj toke do të lëshohet e fishket. Stina pranverore e jetës do të shndërrohet në vjeshtën e vdekjes, gëzimi plot dritë i sallave të pallatit do t'i lëshojë vendin errësirës pa hënë brenda varrit. Prandaj asgjë prej këtyre nuk ia vlen aspak ta duash, dhe i mençuri nuk e lidh zemrën pas tyre.

Ai që ka dije e fuqi përkundrazi do të kërkojë lavdinë e qiellit, shquarsinë shpirtërore dhe jetën që nuk vdes. Dhe një njeri i tillë digjet nga dëshira për t'u avitur në Pragun e shenjtë të Perëndisë; sepse në tavernën e kësaj bote që kalon vetëtimthi njeriu i Perëndisë nuk shtrihet i dehur, as nuk gjen rehat qoftë edhe për një çast, dhe as njollos veten me ndonjë dashuri për këtë jetë tokësore.

Jo, përkundrazi miqtë janë yje në qiellin e lartë të udhërrëfimit, trupa qiellorë në qiejt e hirit hyjnor, të cilët me të gjitha fuqitë e tyre bëjnë që errësira t'ia mbathë. Ata shkatërrojnë themelet e dashaligësisë e të urrejtjes. Ata ushqejnë vetëm një dëshirë për botën dhe të gjithë popujt e saj: mirëqenien dhe paqen. Ata shembin bastionet e luftës e të agresionit. Ata kanë vërtetësi, qëndrim të ndershëm e miqësi për qëllimin e tyre, kanë dashamirësi madje edhe ndaj një armiku keqdashës; derisa më në fund e kthejnë këtë burg tradhtie, botën, në një pallat të besimit më të madh, e shndërrojnë këtë shtëpi-burg të urrejtjes dhe të dashaligësisë e mërisë në Parajsë të Perëndisë.

O ju miq të dashur! Përpiquni me mish e me shpirt që ta bëni këtë botë pasqyrimin e Mbretërisë, që kjo botë e poshtme të mbushet me bekimet e botës së Perëndisë, që zërat e Grupimit qiellor të ngrihen me brohoritje dhe shenjat e simbolet e dhuntive e dhuratave të Bahá'u'lláh-ut të pushtojnë gjithë tokën.

Xhenabi Amini [Jináb-i-Amín] ka shprehur admirimin më të madh për ju burra të nderuar e gra të ndriçuara, duke ju përmendur me emër e duke ju lëvduar një për një, duke folur gjatë për qëndrueshmërinë e besnikërinë që ju të gjithë keni treguar, duke thënë se, lëvduar qoftë Perëndia, në mbarë Persinë gratë dhe burrat po qëndrojnë së bashku, drejt, të fortë, të patundur - një ndërtesë e madhe e ngritur në mënyrë solide; dhe se ju jeni angazhuar me dashuri e gëzim për të përhapur në të katër anët shijet e ëmbla të Zotit.

Këto ishin lajme që shkaktuan gëzim të madh, sidomos ngaqë arritën tek unë në këto ditë rreziku të skajshëm. Sepse dëshira më për zemër e këtij të munduari është që miqtë të jenë shpirtërorë për nga zemra e të ndriçuar për nga mendja, dhe meqë më është bërë kjo mirësi, fatkeqësitë, sado të dhimbshme, s'janë veçse bujari që resh mbi mua si një shi i bollshëm.

O Perëndi, Perëndia im! Ti më sheh të zhytur në një oqean ankthi, të lidhur fort pas zjarreve të tiranisë dhe duke lotuar në errësirën e natës. Pa gjumë unë kthehem e përkthehem në shtratin tim, me sytë që sforcohen të shohin dritën e agut të besnikërisë e të besimit. Unë agonizoj si një peshk, me pjesët e brendshme të ndezura ndërsa përpëlitet i tmerruar mbi rërë, megjithatë unë pres gjithmonë që dhuratat e Tua të shfaqen nga çdo anë.

O Perëndi, Perëndia im! Bëj që besimtarët në vende të tjera të marrin pjesë nga hiri Yt i pashtershëm, çliroje me ndihmën e mirësinë Tënde të përhershme atë që midis të dashurve të Tu në vendet më të largëta rënkon për egërsinë e hidhur të armikut të tij. O Zot, ata janë robërit e dashurisë Sate, robër të kapur prej trupave të Tua. Ata janë zogjtë që fluturojnë në qiejt e udhërrëfimit Tënd, balenat që notojnë në oqeanin e dhuntive të Tua, yjet që vezullojnë në horizontin e dhuratave të Tua. Ata janë mbojtësit e kalasë së ligjit Tënd. Ata janë flamujt e kujtimit Tënd midis njerëzve. Ata janë puset e thellë të dhembshurisë Sate hyjnore, gurrat e favoreve të Tua, burimet e hirit Tënd.

Mbaji ata kurdoherë në siguri nën syrin Tënd gjithëmbrojtës. Ndihmoi ata të lartësojnë Fjalën Tënde; bëj që zemrat e tyre të jenë pandryshueshme në dashurinë për Ty; forcoi shpatullat e tyre që të shërbejnë mirë Ty; në robëri shtoi fuqitë e tyre.

Përhap Ti midis tyre kudo shijet e Tua të ëmbla; shpjego përmes tyre Shkrimet e Tua të Shenjta; bëj të ditura përmes tyre Thëniet e Tua; përmbush nëpërmjet tyre Fjalët e Tua; derdh përmes tyre mëshirën Tënde.

Ti me të vërtetë je i Fuqishmi, i Pushtetshmi. Ti me të vërtetë je i Mëshirshmi, Zemërdhembshuri.

189. Sot, çdo njeri i mençur, syhapur e largpamës është zgjuar dhe atij i janë zbuluar misteret e së ardhmes, të cilat tregojnë se asgjë veç fuqisë së Besëlidhjes nuk është në gjendje të nxitë e të prekë zemrën e njerëzimit, ashtu si Dhiata e Re dhe ajo e Vjetër parashtruan në të gjitha anët Kauzën e Krishtit dhe ishin fuqia që pulsonte në trupin e botës njerëzore. Një pemë që ka rrënjë jep fryte, ndërsa pema që nuk ka rrënjë, sado e lartë dhe e fortë që të jetë, më në fund thahet, vdes dhe bëhet një trung që shërben vetëm për zjarr.

Besëlidhja e Perëndisë është si një oqean i madh e i pamatshëm. Një valë ngrihet e vërshon prej andej dhe hedh në breg shkumbën e grumbulluar.

Lëvduar qoftë Perëndia që dëshira më e madhe që ushqejnë shpirtrat e vëmendshëm është lartësimi i Fjalës së Perëndisë dhe përhapja e aromave hyjnore. Ky është me të vërtetë themeli i sigurt e i patundur.

Tani, ashtu si në agim, drita e Diellit të së Vërtetës është përhapur gjithandej. Duhen bërë përpjekje që shpirtrat e fjetur të zgjohen, të shkujdesurit të bëhen syhapur, dhe që mësimet hyjnore, që përbëjnë frymën e kësaj epoke, të arrijnë në veshët e njerëzve të botës, të përhapen me anë të shtypit dhe të parashtrohen me mjeshtri e elokuencë në mbledhjet e njerëzve.

Sjellja e njeriut duhet të jetë si sjellja e Palit, dhe besimi i njeriut i ngjashëm me atë të Pjetrit. Ky fllad me aromë myshku do të mbushë me erë të mirë hundët e njerëzve të botës, dhe kjo frymë do të ringjallë të vdekurit.

Era e pakëndshme e dhunimit ka ndalur përkohësisht ecjen përpara të Kauzës, përndryshe mësimet hyjnore, ashtu si rrezet e diellit, do të përhapeshin menjëherë dhe do të përshkonin të gjitha viset.

Ti kishe ndërmend të shtypje e botoje fjalimet e 'Abdu'l-Bahá-it që ti ke përmbledhur. Kjo është vërtet shumë e këshillueshme. Për shkak të këtij shërbimi ti do të kesh një fytyrë të shndritshme në Mbretërinë Abhá, dhe ai do të të bëjë ty objekt lavdërimi e mirënjohjeje nga ana e miqve në Lindje si dhe në Perëndim. Por kjo duhet bërë me kujdesin më të madh, në mënyrë që të riprodhohet teksti i saktë dhe të mënjanohen të gjitha shtrembërimet e bastardimet e bëra nga përkthyes të mëparshëm.

190. Ti më sheh, O Perëndia im, të gjunjëzuar me përulësi, të përunjem para urdhrave të Tu, t'i nënshtrohem sovranitetit Tënd, të drithërohem para fuqisë së sundimit Tënd, të marr arratinë para zemërimit Tënd, të kërkoj me lutje hirin Tënd, t'i var shpresat te ndjesa Jote, të dridhem me frikë e nderim para furisë Sate. Unë të lutem Ty me zemër të dridhur, me lotët që më shkojnë çurk, me shpirtin të pushtuar nga dëshira e zjarrtë dhe krejtësisht të shkëputur nga gjikthçka, t'i bësh të dashurit e Tu si rreze drite përmes mbretëtive të Tua dhe t'i ndihmosh shërbëtorët e Tu të zgjedhur të lartësojnë Fjalën Tënde, që fytyrat e tyre të zbukurohen e ndriçohen me shkëlqim, që zemrat e tyre të mbushen me mistere dhe që çdo shpirt të heqë nga supet ngarkesën e tij të mëkatit. Ruaji, pra, ata nga agresori, nga ai që është bërë një keqbërës i paturp e blasfemues.

Me të vërtetë ata që Të duan janë të etur, O Zoti im; çoji ata te burimi i mirësisë e i hirit. Me të vërtetë, ata janë të uritur; dërgoju atyre sofrën Tënde qiellore. Me të vërtetë, ata janë të zhveshur; vishi ata me rrobat e diturisë e të dijes.

Ata janë heronj, O Zoti im, çoi ata në fushën e betejës. Ata janë udhërrëfyes, bëj që ata të flasin me argumente e prova. Ata janë shërbëtorë në shërbim, bëj që ata të kalojnë përqark kupën e mbushur plot me verën e sigurisë. O Perëndia im, bëji ata këngëtarë që këndojnë në kopshte të mahnitshëm, bëji ata luanë të shtrirë në pritë midis shkurreve, balena që zhyten në thellësitë e pamatura.

Me të vërtetë Ti je Ai që ka mirësi të pafund. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Fuqishmit, të Pushtetshmit, Gjithmonëdhuruesit.

O miqtë e mi shpirtërorë! Që prej disa kohësh presionet kanë qenë të ashpra, kufizimet si vargonj të hekurt. Ky i munduar fatkeq ishte lënë i vetëm e pa njeri, sepse të gjitha rrugët ishin të mbyllura. Miqve u ishte ndaluar të vinin tek unë, të besuarit i kishin mbyllur brenda, armiqtë më kishin rrethuar, rojtarët e ligj ishin të egër e të pafytyrë. Në çdo çast, vuajtje të tjera. Në çdo frymëmarrje, një ankth i ri. Të afërm e të huaj në sulm; me të vërtetë, dikur të dashurit, të pabesë e të pamëshirshëm, ishin më të këqinj se armiqtë, kur u ngritën për të më përndjekur. Nuk kishte askënd që të mbronte 'Abdu'l-Bahá-in, as ndihmëdhënës, as mbrojtës, as aleat, as përkrahës. Unë isha duke u mbytur në një det të paanë, dhe në veshët e mi përplaseshin vetëm krokatjet prej korbash të të pabesëve.

Në çdo agim, errësirë e trifishtë. Në çdo muzg, tiraní zemërgur. Dhe kurrë asnjë moment qetësie, dhe kurrë asnjë balsam për plagët e përgjakura të heshtave. Nga çasti në çast përhapej fjala për syrgjynosjen time në shkretëtirën e Fezzan-it; nga ora në orë, mua do të më hidhnin në detin e pafund. Tani thonin se këta endacakë të pastrehë më në fund u rrënuan; dhe më tej se së shpejti do të vihet në përdorim kryqi. Kjo kufoma ime kockë e lëkurë do të bëhej tabelë qitjeje për plumb e shigjetë; ose më tej akoma, ky trup i rënë do të bëhej copë-copë me shpatë.

Të njohurit tanë të huaj s'e mbanin dot veten nga gëzimi, ndërsa miqtë tanë tradhtarë fluturojnë nga qejfi. 'Lëvduar qoftë Perëndia', thërret ndonjëri, 'Ëndrra jonë doli e vërtetë'. Dhe tjetri, 'Shyqyr Zotit, maja e heshtës sonë goditi në zemër'.

Vuajtjet kanë rënë mbi këtë rob si shirat e rrëmbyer në pranverë dhe fitoret e keqdashësve kanë vërshuar si lumë i papërmbajtshëm, e megjithatë 'Abdu'l-Bahá-i ka mbetur i lumtur e i qetë, me besim në hirin e Mëshirëplotit. Ajo dhimbje, ai ankth ishte një parajsë e të gjitha kënaqësive, ata zinxhirë ishin gjerdani i një mbreti mbi një fron në qiell. E kënaqur nga vullneti i Perëndisë, plotësisht e bundur, zemra ime iu nënshtrua çdo fati që i ishte rezervuar, unë isha i lumtur. Për shok të fatit unë kisha një gëzim të madh.

Më në fund erdhi një kohë që shokët u bënë të pangushëllueshëm dhe humbën çdo shpresë. Pikërisht atëherë agoi dita dhe mbushi gjithçka me dritë të pasosur. Retë e dendura u shpërndanë, hijet e zymta u zhdukën. Atë çast vargonjtë ranë, zinxhirët u hoqën nga qafa e këtij njeriu të pastrehë dhe u varën në qafën e armikut. Ato vështirësi u kthyen në rehati dhe në horizontin e dhuntive të Perëndisë lindi dielli i shpresës. E gjithë kjo ndodhi falë hirit të Perëndisë e dhuntive të Tij.

E megjithatë, nga një pikëpamje ky endacak ishte i hidhëruar e i dëshpëruar. Për çfarë vuajtje në të ardhmen unë mund të kërkoja ngushëllim? Për lajmin e çfarë dëshire të dhuruar mund të gëzohesha unë? Nuk kishte më tiraní, nuk kishte më vuajtje, nuk kishte ngjarje tragjike, nuk kishte fatkeqësi. I vetmi gëzim i imi në këtë botë që kalon vetëtimthi ishte të ecja në shtegun e gurtë të Perëndisë dhe të përballoja sprova të rënda e brenga materiale. Sepse përndryshe, kjo jetë tokësore do të ishte shterpë dhe e kotë, dhe më mirë do të ishte vdekja. Pema e jetës nuk do të jepte fryte; ara e mbjellë e kësaj ekzistence nuk do të jepte bereqet. Pra unë shpresoj që përsëri ndonjë rrethanë do ta mbushë plot e përplot kupën time të ankthit dhe ajo Dashuri e bukur, ajo Vrasëse shpirtrash, do të verbojë përsëri ata që e soditin. Atëherë kjo zemër do të jetë e lumtur, ky shpirt do të jetë i bekuar.

O Provani Hyjnore! Vër në buzët e atyre që Të duan një kupë plot e përplot me ankth. Atyre që digjen nga dëshira për të ecur në shtegun Tënd ktheja ëmbëlsinë në djegie dhe helmoja mjaltin e ëmbël. Vendosi kokat tona si stoli në majat e heshtave. Bëji zemrat tona tabela qitjeje për shigjetat e shtizat e pamëshirshme. Ngreje në jetë në fushën e martirëve këtë shpirt të tharë, bëj që kjo zemër e mekur të rrëkëllisë gotën e tiranisë, dhe të bëhet kështu përsëri e freskët dhe e pastër. Bëj që ai të dehet nga vera e Besëlidhjes Sate të Përjetshme, bëje atë një festues që ngren lart kupën e tij. Ndihmoje atë të flakë tutje jetën e tij; lejo që për hirin Tënd ai të ofrojë vetveten.

Ti je i Fuqishmi, i Pushtetshmi. Ti je Njohësi, Shikuesi, Dëgjuesi.

191. O ti që ke vuajtur së tepërmi në shtegun e Besëlidhjes! Ankthi dhe mundimet, kur i pëson në shtegun e Zotit, si shenja të qarta të Tij, janë vetëm favor e mirësi; dhimbja s'është veçse mëshirë, dhe brenga një dhuratë nga Perëndia. Helmi është sheqer në gjuhë, dhe zemërimi është mirësi që ushqen shpirtin.

Madhëroje, pra, Atë, Dhuruesin dashamirës që ka urdhëruar kët vuajtje të tmerrshme, e cila s'është veçse mirësi e kulluar.

Nëse mua, si Abrahamit, përmes flakëve të më duhet të shkoj,

Ose si Gjonit1 nëpër një rrugë të përgjakur të kaloj;

Nëse si Josifin në një pus Ti të më hidhje,
Ose në një qeli burgu të më mbyllje -

Ose po aq të varfër sa i Biri i Marisë Ti të më bëje -

Unë nga Ti nuk do të largohem,
Por kurdoherë do të qëndroj,
Shpirt e trup unë urdhrit Tënd do t'ia nënshtroj.

192. Sot, Zoti i Ushtrive është mbrojtësi i Besëlidhjes, forcat e Mbretërisë e ruajnë atë, shpirtrat qiellorë ofrojnë shërbimet e tyre dhe engjëjt e qiellit shpallin e shtrijnë përhapjen e Saj. Po të mendohet me mendjemprehtësi, do të shihet se të gjitha forcat e universit, në analizë të fundit i shërbejnë Besëlidhjes. Në të ardhmen kjo do të duket sheshit e do të bëhet e qartë. Duke pasur parasysh këtë fakt, ç'mund të arrijë një shpirt i dobët e i këputur? Pemët e forta që nuk kanë rrënjë e që janë të privuara nga reshjet e reve të mëshirës nuk e kanë të gjatë. Atëherë ç'mund të pritet nga farat e dobëta? ...

193. Është agim, e nga horizonti i mbretërive të padukshme të Perëndisë po agon drita e unitetit; dhe duke rrjedhur lumë e me rrebesh nga bota e fshehur e Mbretërisë së njëshmërisë, vjen një ortek hiri të pasosur. Lajmet e gëzuara të Mbretërisë po ushtojnë nga çdo anë, dhe duke u përhapur nga çdo drejtim janë shenjat e para të agimit të lartësimit të Fjalës së Perëndisë e të ngritje së Kauzës së Tij. Fjala e unitetit po përhapet, vargjet e njëshmërisë po këndohen, deti i dhuratave të Perëndisë po ngre lart valët e tij dhe si katarakte që derdhen po vërshojnë poshtë bekimet e Tij.

Konfirmimet e Atij Që është Gjithmonëdhuruesi kanë veshur me dritë çdo vend, ushtritë e Grupimit të epërm po sulen përpara në betejë përkrah miqve të Perëndisë dhe korrin fitore, emri i Bukurisë së Lashtë - u flijoftë jeta ime për të dashurit e Ti - ushton nga poli në pol dhe fjala e Kauzës së Shenjtë është përhapur në lindje e perëndim.

Të gjitha këto gjëra i sjellin zemrës gëzim, e megjithatë 'Abdu'l-Bahá-i është i zhytur thellë në një oqean brengash, dhe dhimbja e ankthi i kanë prekur aq shumë gjymtyrët e mi saqë një dobësi e madhe ka pushtuar gjithë trupin tim. Kini parasysh se kur, i vetëm e pa njeri, pa askënd që të më mbështeste, unë lëshova thirrjen e Perëndisë në mbarë botën, njerëzit aty u ngritën për t'u kundërvënë, për të polemizuar, për të mohuar. Nga njëra anë, është e qartë sesi fetarët fanatikë të së kaluarës e kishin montuar sulmin e tyre për të gjitha pikat; nga ana tjetër, erdhën fjalë për tallësit gënjeshtarë dhe caqet e skajshme deri ku ata kanë ndërmend ta shkulin nga rrënjët Pemën Hyjnore. Çfarë akuzash keqdashëse e shpifëse bëjnë ata kundër Bukurisë së Lashtë, çfarë fletushkash të mbushura me thënie djallëzore e të degjeneruara ata po shkruajnë e përhapin me nxitim kundër Emrit Më të Madh! Dhe tani, në fshehtësinë më të madhe po tendosin çdo nerv për t'i dhënë këtij Besimi një goditje dërrmuese.

Përsëri kryelartët kanë sajuar gjithfarë komplotesh e makinacionesh për ta gjymtuar plotësisht Kauzën e Perëndisë dhe për ta fshirë emrin e 'Abdu'l-Bahá-it nga Libri i Jetës.

Dhe tani, veç të gjitha këtyre mundimeve, këtyre mjerimeve, këtyre sulmeve armiqësore, është ngritur një re pluhuri dashaligësie midis vetë besimtarëve. Kjo pavarësisht nga fakti që Kauza e Bukurisë së Lashtë është vetë thelbi i dashurisë, vetë kanali i njëshmërisë, e cila ekziston vetëm që të gjithë të bëhen valë të një deti, yje të ndritshëm të të njëjtit qiell të pafund, perla brenda guackës së njëshmërisë dhe margaritarë të shkëlqyeshëm nga minierat e unitetit; që ata të bëhen shërbyes të njëri-tjetrit, të adhurojnë njëri-tjetrin, të bekojnë njëri-tjetrin, të lavdërojnë njëri-tjetrin; që secili të zgjidhë gjuhën dhe të lëvdojë të tjerët pa përjashtim, që secili t'i shprehë mirënjohjen gjithë të tjerëve; që të gjithë të ngrejnë sytë drejt horizontit të lavdisë dhe të sjellin ndërmend se ata janë të lidhur me Pragun e Shenjtë; se ata nuk duhet të shohin tek njëri-tjetri asgjë veç të mirës, të mos dëgjojnë asgjë veç lavdërimit të njëri-tjetrit dhe të mos thonë asnjë fjalë për njëri-tjetrin veçse për ta lëvduar.

Ka vërtet disa që ecin në këtë shteg të ndershmërisë dhe, shyqyr Zotit, ata forcohen e mbështeten në çdo vend nga fuqia hyjnore. Por ka të tjerë që nuk janë ngritur, ashtu siç duhet, në këtë pozitë lavdie e të lartësuar, dhe kjo rëndon mbi zemrën e 'Abdu'l-Bahá-it si një barrë e rëndë hidhërimi, hidhërimi që s'merret dot me mend. Sepse kurrë një stuhi më e rrezikshme se kjo nuk mund të sulmonte Kauzën e Perëndisë, dhe asgjë tjetër nuk mund të pakësonte në këtë mënyrë ndikimin e Fjalës së Tij.

U takon gjithë të dashurve të Perëndisë të bëhen si një i vetëm, të mblidhen së bashku nën mbrojtjen e një flamuri të vetëm, të jenë me pikëpamje të njëjta, të ndjekin të njëjtin shteg, t'i përmbahen fort një vendimi të vetëm. Le t'i harrojnë ata teoritë e tyre të ndryshme dhe le të lënë mënjanë pikëpamjet e tyre të kundërta, përderisa, lëvduar qoftë Perëndia, qëllimi ynë është një i vetëm, objektivi ynë një i vetëm. Ne jemi shërbëtorët e një Pragu, ne të gjithë ushqehemi nga i njëjti burim, ne të gjithë jemi mbledhur nën hijen e të njëjtit Tempull të lartë, të gjithë jemi strehuar nën të njëjtën Pemë qiellore.

O të dashurit e Zotit! Nëse ndonjë shpirt flet keq për një që nuk është i pranishëm, i vetmi rezultat do të jetë patjetër ky: ai do të ftohë zellin e miqve dhe do t'i bëjë ata indiferentë. Sepse përgojimi është përçarës, është midis miqve shkaku kryesor i prirjes për t'u tërhequr. Nëse një person flet keq për një që nuk është i pranishëm, është detyrë e atyre që e dëgjojnë ta ndalin atë, në një mënyrë shpirtërore e miqësisht, dhe t'i thonë lidhur me këtë: a i shërben kjo përfolje ndonjë qëllimi të dobishëm? A do t'i pëlqente kjo Bukurisë së Bekuar, a do të kontribuonte për të ruajtur nderin e miqve, për të çuar përpara Besimin e shenjtë, për të mbështetur Besëlidhjen, ose përgjithësisht a do t'i sillte ndonjëfarë dobie ndonjë shpirti? Jo, kurrë! Përkundrazi, kjo do të bënte që zemrat t'i mbulonte aq shumë pluhuri sa veshët nuk do të dëgjonin më dhe sytë nuk do të shihnin më dritën e së vërtetës.

Mirëpo në qoftë se një person fillon të flasë mirë për një tjetër, duke e hapur gojën për të lavdëruar një tjetër, ai do të prekë një telë të ndjeshme te dëgjuesit e tij dhe ata do të stimulohen nga fryma e Perëndisë. Zemrat dhe shpirtrat e tyre do të gëzohen duke mësuar se, lëvduar qoftë Perëndia, këtu është një shpirt i devotshëm në Besimin, i cili është një fokusim i përsosmërive njerëzore, një mishërim i vërtetë i dhuntive të Zotit, që ka gjuhë elokuente dhe fytyrë që i ndrit, në çdo mbledhje që të ndodhet, një që e ka të shkruar në ballë fitoren dhe që është një qenie e mbështetur nga shijet e ëmbla të Perëndisë.

Tani, cila është më e mira? Unë betohem për bukurinë e Zotit: sa herë që dëgjoj mirë për miqtë, zemra ime mbushet me gëzim; por sa herë që shoh qoftë edhe një shenjë se ata kanë marrëdhënie jo të mira me njëri-tjetrin, më mbulon hidhërimi. Kjo është gjendja e 'Abdu'l-Bahá-it. Atëherë gjykoni nga kjo cila është detyra juaj.

Lëvduar qoftë Perëndia, ngado që të kthehemi, Bukuria e Lashtë i ka hapur dykanatësh portat e hirit, dhe me fjalë të pagabueshme ka shpallur lajmet e gëzuara të fitores falë ndihmës mbështetëse të Zotit. Përmes dashurisë Ai ka rrëmbyer zemrat e besimtarëve dhe ua ka besuar triumfin e tyre ushtrive të Tubimit të epërm.

Tani midis popujve të botës duhet të ngrihen të dashurit, me zemër që i përngjet yllit të ditës, me një shtytje të brendshme të fortë, me ballë të ndritshëm, me frymë erëmirë, me gjuhë që flet kurdoherë për Perëndinë, me shtjellim të qartë si kristali, me vendosmëri të lartë, ne një fuqi të lindur nga qielli, me karakter shpirtëror, me konfirmim krejt hyjnor. Le të bëhen ata të gjithë pa përjashtim si një shkëlqim në horizontin e qiellit dhe një yll që të merr sytë në qiejt e botës. Le të jenë ata pemë frytdhënëse në tendat qiellore, lule erëmira në kopshtet hyjnore; le të jenë ata vargje përsosurie në faqet e universit, fjalë të njëshmërisë në Librin e Jetës. Kjo është epoka e parë, dhe fillimi i hershëm i dispensacionit të Dritës Më të Madhe, prandaj brenda këtij shekulli duhen fituar virtytet, cilësi të shkëlqyera duhen përsosur brenda kësaj shtrirjeje kohore. Pikërisht në këto ditë Parajsa Abhá duhet t'i ngrejë tendat e saj në rrafshinat e botës. Tani duhet shfaqur drita e realitetit dhe sekretet e dhuratave të Perëndisë tani duhen bërë të ditura, tani hiri i së kaluarës duhet të shkëlqejë dhe kjo botë duhet të kthehet në vend dëfrimi të qiellit, në kopsht të Perëndisë. Dhe nga zemrat e kulluara, përmes dhuntive qiellore, të gjitha përsosuritë, cilësitë e atributet e hyjnores duhen bërë tani të dukshme.

Gjithë kohën 'Abdu'l-Bahá-i lutet dhe me lot në sy i përgjërohet Fuqiplotit në Pragun e shenjtë, duke thirrur:

O Ti Zot i mirë! Ne jemi shërbëtorë të Pragut Tënd, të strehuar në Portën Tënde të shenjtë. Ne nuk kërkojmë strehë tjetër veç kësaj shtylle të fortë, nuk drejtohemi askund për të gjetur liman veçse ndaj sigurisë Sate. Na mbro, na beko, na mbështet, na bëj të tillë që të duam vetëm pëlqimin Tënd, vetëm të të thurim lavde Ty, të ndjekim vetëm shtegun e së vërtetës, që të bëhemi mjaft të pasur sa të mos kemi nevojë për asgjë veç Teje, dhe të marrim dhuratat tona nga deti i bamirësisë Sate, që ne kurdoherë të përpiqemi të lartësojmë Kauzën Tënde dhe të përhapim kudo shijet e Tua të ëmbla, që ne të lemë në harresë vetveten dhe të merremi vetëm me Ty, dhe të heqim dorë nga gjithçka tjetër e të gjendemi vetëm në Ty.

O Ti Dhurues, O Ti Falës! Na dhuro hirin e dashamirësinë Tënde, dhuratat e dhuntitë e Tua, dhe na mbështet, që të arrijmë qëllimin tonë. Ti je i Fuqishmi, i Afti, i Dijshmi, Shikuesi; dhe me të vërtetë Ti je Bujari, dhe me të vërtetë Ti Zemërgjeri, dhe me të vërtetë Ti je Mëshirëploti, dhe me të vërtetë Ti je Gjithmonëfalësi, Ai të Cilit i kemi borxh pendimin, Ai Që fal edhe mëkatin më të rëndë.

194. O ju të dashurit e sinqertë të Bukurisë Abha! Sot Kauza e Perëndisë kudo në botë po fuqizohet me shpejtësi dhe nga dita në ditë po përhapet gjithnjë e më tej deri në kufijtë më të largët të tokës. Prandaj armiqtë e saj nga të gjitha fiset e popujt e botës po bëhen agresivë, keqdashës, ziliqarë e tepër armiqësorë. Është detyrë e të dashurve të Perëndisë të tregojnë kujdesin e maturinë më të madhe në të gjitha gjërat, të mëdha a të vogla qofshin, të këshillohen së bashku dhe si një trup i vetëm t'i bëjnë ballë sulmit të tërbuar të atyre që nxisin mosmarrëveshjet e që përhapin ligësinë. Ata duhet të përpiqen të shoqërohen në fymë miqësore me të gjithë, duhet t'i përmbahen moderimit në sjelljet e tyre, duhet të kenë respekt e konsideratë për njëri-tjetrin, të tregojnë dashamirësi e kujdes të ngrohtë për të gjithë njerëzit e botës. Ata duhet të jenë të durueshëm e tolerantë, që të bëhen magnetë hyjnorë të Mbretërisë Abhá dhe të fitojnë forcën lëvizëse të ushtrive të mbretërisë së epërme.

Orët fluturake të jetës së njeriut mbi tokë kalojnë me shpejtësi dhe ajo pak që mbetet merr fund, ndërsa ajo që ruhet e mbetet përgjithmonë është fryti që njeriu korr nga shërbimi i tij në Pragun e Shenjtë. Vështroni të vërtetën e kësaj thënieje, sa të shumta e të lavdishme janë provat e saj në botën e qenies!

Lavdia e lavdive qoftë mbi njerëzit e Bahá-it!

195. O ti degë e flakëruar e Pemës hyjnore të Lotusit! ... Kur të përçmojnë e të refuzojnë keqdashësit mos e lësho veten; dhe mos u Mirzat e as mos u lëndo në zemër nga kokëfortësia e madhe e mendjemëdhenjve; sepse i tillë është zakoni i shpirtrave të shkujdesur qysh prej kohësh që s'mbahen mend. 'Ah! Vaj medet për njerëzit! Asnjë i Dërguar nuk ka ardhur tek ata, që të mos kenë qeshur e të mos jenë tallur me përçmim me Të!1

Me të vërtetë, sulmet dhe pengesat e injorantëve bëjnë që Fjala e Perëndisë të lartësohet dhe të përhapen në të katër anët shenjat dhe simbolet e Tij. Po të mos ishin kjo kundërvënie nga ana e përçmuesve, kjo kokëfortësi e shpifësve, këto të thirrura nga katedrat e predikimit, këto të qara e vajtime të të mëdhenjve e të vegjëlve, këto akuza për mosbesim të ngritura nga injorantët, kjo potere nga ana e të marrëve - si do të mund të arrinin në lindje e perëndim lajmet e ardhjes së Pikës Parësore dhe agimi i ndritshëm i Yllit të Ditës të Bahá-it? Si do të tundej ndryshe planeti nga njëri pol në tjetrin? Si do të mund të bëhej Persia vatra e përhapjes së shkëlqimeve dhe Azia e Vogël zemra rrezëlluese e bukurisë së Zotit? Si mund të përhapej ndryshe në jug flaka e Manifestimit? Në ç'mënyrë do të mund të dëgjohej në veriun e largët thirrja e Perëndisë? Si do të mund të dëgjoheshin thirrjet e Tij në kontinentet e Amerikës dhe të Afrikës së zezë? Si do të mund të arrinte ndryshe në ata veshë kënga e gjelit të Qiellit? Si do të mundnin ndryshe papagajt e këndshëm të Indisë të gjenin këtë sheqer, ose bilbilat t'ua thonin këngëve të tyre nga toka e Irakut? Ç'gjë tjetër mund ta bënte lindjen e perëndimin t'ia merrnin valles, si mund të bëhej ndryshe ky Vend i Shenjtëruar froni i Bukurisë së Perëndisë? Si do të mundej ndryshe Sinai të shihte këtë shkëlqim që digjej, si do të mundej flaka e Ardhjes të stoliste atë mal? Si do të mundej ndryshe Toka e Shenjtë të ishte këmbëmbështetësja e bukurisë së Perëndisë dhe lugina e shenjtë e Tovas1 të bëhej skena e shquarsisë dhe e hirit, vendi i shenjtë ku Moisiu hoqi sandalet? Si do të mundnin flladet e qiellit të kalonin përmes Luginës së Shenjtërisë, si do të mundnin aromat erëmira, rrymat plot ajër që fryjnë nga kopshtet Abhá të ndieheshin prej atyre që banojnë në Ishullin e Gjelbëruar? Si do të mund të përmbusheshin ndryshe zotimet e Profetëve, lajmet e gëzuara të Parashikuesve të lashtësisë, premtimet gjallëruese të dhëna në këtë Vend të Shenjtë nga Manifestimet e Perëndisë?

Si do të mundej ndryshe të mbillej këtu Pema e Anísá-së, të valëvitej flamuri i Testamentit, të vihej në ato buzë kupa dehëse e Besëlidhjes? Të gjitha këto bekime e dhunti, vetë mënyrat e shpalljes së Besimit, kanë ndodhur nëpërmjet përçmimit të injorantëve, kundërvënies së të marrëve, kokëfortësisë së kokëtrashëve, dhunës së agresorëve. Po të mos ishin këto gjëra, lajmi i ardhjes së Báb-it nuk do të kishte arritur deri më sot madje as në vendet këtu rreth e rrotull. Prandaj nuk duhet kurrë të hidhërohemi për verbërinë e mendjetrashëve, sulmet e të marrëve, armiqësinë e njerëzve të ulët e të poshtër, shkujdesjen e teologëve, për akuzat e kokëboshëve kundër nesh për pabesi. E tillë ka qenë edhe në kohët e shkuara sjellja e tyre, dhe nuk do të ishte e tillë nëse ata do të ishin njerëz që dinë; por ata janë të zhytur në errësirë dhe nuk kuptojnë gati asgjë nga ajo që u thuhet.2

Prandaj të takon ty vetë, një degëzim i Pemës së Shenjtë të Perëndisë, i dalë nga ai Trung i fuqishëm - e na takon gjithashtu edhe neve - që me mbështetjen e hirit të Bukurisë së Lashtë - u flijoftë jeta ime për Varrin e Tij Shumë të Shenjtë - të digjemi në mënyrë të tillë nga ajo flakë e ndezur e qiellit, saqë të ndezim zjarrin e dashurisë së Perëndisë nga njëri pol në tjetrin. Le të marrim si shembull Pemën e madhe e të shenjtë të Báb-it të lavdëruar - u flijoftë jeta ime për Të. Ashtu si Ai, le t'i hapim gjokset tona ndaj shtizave të agonisë, ashtu si Ai le t'i bëjmë zemrat tona tabela qitjeje për heshtat e urdhëruara nga Perëndia. Le të digjemi si qirinj; si flutura nate le t'i përcëllojmë krahët tanë; si lauresha të fushës të lëshojmë britmat tona të përvajshme; si bilbila të shpërthejmë në vajtim.

Ashtu si retë le të lëshojmë lotë, dhe si shkrepja e rrufesë të qeshim për rendjet tona përmes lindjes e perëndimit. Ditë e natë të mendojmë vetëm për përhapjen e shijeve të ëmbla të Perëndisë. Të mos vazhdojmë gjithë kohën me imagjinatat e iluzionet tona, me analizat, interpretimin e qarkullimin e dyshimeve tona. Le të lemë mënjanë të gjitha mendimet për vetveten; t'i mbyllim sytë për gjithçka mbi tokë, të mos tregojmë as vuajtjet tona dhe as ankimet tona për të këqiat që na bien mbi kokë. Përkundrazi, le të harrojmë veten tonë, dhe duke pirë verën e hirit qiellor të shprehim me zë të lartë gëzimin tonë e të humbasim vetveten në bukurinë e Lavdiplotit.

O ti Afnán i Pemës hyjnore të Lotusit! Ne duhet të përpiqemi, të gjithë pa përjashtim, të bëhemi si një degë prodhimtare dhe të japim fryt edhe më të ëmbël e më të shëndetshëm, në mënyrë që dega të provojë se është vazhdim i rrënjës dhe se pjesa është në harmoni me të tërën. Unë shpresoj se, falë bujarisë së Emrit Më të Madh dhe dashamirësisë së Pikës Parësore - u flijoftë shpirti im për të dy Ata - ne do të bëhemi mjetet e lartësimit të Fjalës së Perëndisë në mbarë botën; se ne kurdoherë do t'i kryejmë shërbime Burimit të Kauzës sonë dhe do të hapim mbi të gjithë tendën e përkushtimit të vërtetë e të shenjtë ndaj Zotit. Se ne do të bëjmë që prej fushave të hirit të fryjnë zefiret, duke i sjellë njeriut aromat erëmira që vijnë nga kopshtet e Perëndisë. Se ne do ta bëjmë këtë botë Parajsën Abhá dhe do ta kthejmë këtë vend të ulët në Mbretëri të Qiellit.

Është e vërtetë se çdonjërit prej shërbëtorëve të Perëndisë, dhe veçanërisht atyre që janë të ndezur nga Besimi, i është caktuar detyra për t'i shërbyer Perëndisë Fuqiplotë; megjithatë, detyra që na është ngarkuar neve është edhe më e madhe se ajo që u është ngarkuar të tjerëve. Nga Ai ne do të kërkojmë mirësi, mbështetje e forcë.

Lëvduar qoftë dhe faleminderit Bukurisë së Bekuar, që ka thirrur të hidhen në veprim ushtritë e Mbretërisë së Tij Abhá dhe që na ka dërguar neve ndihmën e tij të pandërpreë, të sigurt si yjet që dalin në qiell. Në çdo anë të tokës Ai ka mbështetur këtë shërbëtor të vetëm, të vetmuar, në çdo moment Ai më ka bërë të njohura shenjat e dëshmitë e dashurisë së Tij. Ai i ka shtangur të gjithë ata që mbahen pas iluzioneve të tyre të kota dhe ka bërë që ata të jenë të poshtër në sytë e të mëdhenjve e të vegjëlve. Ai ka bërë që ata që rendin pas trilleve e iluzioneve të veta të jenë objekt qortimesh nga të gjithë dhe i ka ekspozuar arrogantët para opinionit publik. Ai ka bërë që ndër miqtë ata që kanë dalë të sëmurë për nga besimi të shërbejnë si paralajmërim për çdo njeri që i shikon, dhe ka bërë që krerët e atyre që lëkunden të duan vetëm veten e vet dhe të zhyten në vetëkënaqësi. Ndërkohë, me pushtetin e fuqisë së Tij, Ai e ka bërë këtë zog krahëthyer të ngrihet para të gjithë atyre që banojnë mbi tokë. Ai ka shpartalluar radhët e dendura të të pabindurve, i ka dhënë fitoren ushtrive të shpëtimit dhe ka futur në zemrat e atyre që qëndrojnë të patundur në Besëlidhjen e Testamentin frymën e jetës së pasosur.

Çoju përshëndetjet e Abhá-it çdonjërit prej Afnánëve, të degëzuar nga Pema e Shenjtë. Lavdia qoftë mbi ty dhe mbi të gjithë Afnánët që i qëndrojnë besnikë Besëlidhjes.

196. O ti që je i qëndrueshëm në Besëlidhjen! Letrën tënde të 9 shtatorit 1909 e kemi marrë. Mos u hidhëro as mos u dëshpëro për atë që ka ndodhur. Kjo e keqe të zuri kur ti ecje në shtegun e Perëndisë, prandaj ajo do të të sjellë ty gëzim. Para se të ndodhte kjo, ne iu drejtuam miqve me shkrim, bëmë gjithashtu një deklaratë verbale, në kuptimin që miqtë në Perëndim do të kenë padyshim pjesën e tyre të fatkeqësive që bien mbi miqtë në Lindje. Është e pashmangshme që, duke ecur në shtegun e Bahá'u'lláh-ut, edhe ata të bëhen objekt përndjekjesh nga ana e shtypësve.

Mendoni sesi në fillimet e epokës së Krishterë Apostujt u nënshtroheshin vuajtjeve dhe ç'tortura duronin ata në rrugën e Krishtit. Çdo ditë të jetës së tyre ata ishin objekt qitjeje për shigjetat e talljes, të poshtërimit e të abuzimit nga ana e Farisenjve. Ata duruan mundime të mëdha; ata u mbyllën në burgje; dhe shumë prej tyre vinin në buzë kupën e ëmbël të martirizimit.

Tani edhe ju, gjithashtu, me siguri duhet të bëheni shokë me mua në njëfarë shkalle dhe të pranoni pjesën tuaj të sprovave e hidhërimeve. Por këto episode do të kalojnë, ndërsa ajo lavdi e qëndrueshme e ajo jetë e pasosur do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë. Për më tepër, këto mundime do të jenë arsyeja e një përparimi të madh.

Unë i kërkoj Perëndisë që ti, bujku i Tij, ta plugosh tokën e fortë e të gurtë, ta ujitësh atë dhe të hedhësh aty farën - sepse kjo do të tregojë sa i zoti është bujku, ndërkohë që çdo njeri mund të mbjellë e të lërojë kur dheu është i butë dhe nuk ka ferra e driza.

197. O ti shërbëtor i Perëndisë! Mos u hidhëro për të këqiat e fatkeqësitë që të kanë ndodhur. Të gjitha fatkeqësitë e të këqiat janë krijuar për njeriun, në mënyrë që ai ta shkelmojë këtë botë të vdekshme - një botë pas së cilës ai është shumë i dhënë. Kur ai përjeton sprova e mundime të rënda, atëherë natyra e tij zmbrapset dhe ai dëshiron mbretërinë e përjetshme - një mbretëri që është e çliruar nga të gjitha vuajtjet e fatkeqësitë. Kështu ndodh me njeriun e mençur. Ai kurrë nuk pi nga një kupë e cila në fund është e pashijshme, përkundrazi kërkon kupën me ujë të pastër e të kulluar. Ai nuk e shijon mjaltin e përzier me helm.

Lëvdo Perëndinë që ti je vënë në provë dhe e ke përjetuar një provë të tillë. Ji i durueshëm e mirënjohës. Ktheje fytyrën ndaj Mbretërisë hyjnore dhe përpiqu të fitosh tipare të mëshirshme, të ndriçohesh e të fitosh atributet e Mbretërisë dhe të Zotit. Përpiqu të bëhesh indiferent ndaj kënaqësive të kësaj bote dhe komoditeteve të saj, të qëndrosh i vendosur e i patundur në Besëlidhjen dhe të përhapësh Kauzën e Perëndisë.

Kjo është kauza e lartësimit të njeriut, kauza e lavdisë dhe e shpëtimit të tij.

198. O ti që je dashuruar pas flladeve të Perëndisë! E lexova letrën tënde, e cila shpall dashurinë tënde për Perëndinë dhe tërheqjen tënde të papërballueshme për Bukurinë e Tij. Përmbajtja e saj e mahnitshme e gëzoi zemrën time.

Synimi i asaj që të shkrova ty në letrën time të mëparshme është se, kur lartëson Fjalën e Perëndisë, ka sprova e fatkeqësi që duhen përballuar; dhe se duke e dashuruar Atë ka në çdo moment mundime, tortura, vuajtje.

I takon së pari individit t'i vlerësojë këto sprova, t'i pranojë ato me gatishmëri dhe t'i përshëndesë me gjithë shpirt; vetëm atëherë ai duhet t'i futet mësimit të Besimit të tjerëve dhe lartësimit të Fjalës së Perëndisë.

Në një gjendje të tillë, çfarëdo që t'i ndodhë atij në dashurinë e tij për Perëndinë - shqetësime, qortime, poshtërime, mallkime, rrahje, burgim, vdekje - ai kurrë nuk do ta lëshojë veten dhe pasioni i tij për Bukurinë Hyjnore vetëm do të fitojë forcë. Këtë kisha unë parasysh.

Përndryshe, vaj medet për shpirtin që rend pas komoditeteve, pasurisë dhe kënaqësive tokësore, ndërsa lë pas dore të sjellë ndërmend Perëndinë! Sepse fatkeqësitë që ndeshen në shtegun e Perëndisë s'janë, për 'Abdu'l-Bahá-in, veçse favor e hir, dhe në një prej Tabelave të Tij Bukuria lavdiplote ka deklaruar: 'Unë kurrë nuk kam kaluar pranë një peme dhe zemra Ime të mos i jetë drejtuar asaj duke thënë: "Ah sikur të të kishin prerë në emrin Tim dhe të kryqëzonin trupin Tim mbi ty!"' Këto ishin fjalët e Emrit Më të Madh. Ky është shtegu i Tij. Kjo është rruga për në Mbretërinë e Tij të Fuqisë.

199. O ju njerëz të sinqertë, ju të djegur nga dëshira, ju që jeni të tërhequr si nga një magnet, ju që jeni ngritur për t'i shërbyer Kauzës së Perëndisë, për të lartësuar Fjalën e Tij dhe për të përhapur në të katër anët shijet e Tij të ëmbla! E kam lexuar letrën tuaj të shkëlqyer, të bukur për nga stili, elokuente për nga fjalët, të thellë për nga kuptimi, dhe unë lëvdova Perëndinë dhe e falënderova Atë që ju ka ardhur në ndihmë dhe ju ka dhënë mundësinë t'i shërbeni Atij në vreshtin e Tij aq të gjerë.

Së shpejti fytyrat tuaja do të shkëlqejnë nga rrezëllimi i përgjërimeve tuaja dhe i adhurimit tuaj për Perëndinë, nga lutjet tuaja për Të dhe nga përunjësia e vetëmohimi i juaj në prani të miqve. Ai do ta bëjë mbledhjen tuaj një magnet që do të tërheqë tek ju rrezet e shndritshme të konfirmimeve hyjnore që shkëlqejnë nga Mbretëria e Tij e lavdisë.

Është detyra juaj t'i peshoni në zemrat tuaja e të meditoni për këto fjalë, dhe me përunjësi t'i drejtoheni Atij dhe të lini mënjanë vetveten në Kauzën e Tij qiellore. Këto janë gjërat që do t'ju bëjnë ju simbole të udhëheqjes së gjithë njerëzimit, yje të shkëlqyeshëm që ndritin nga më i larti horizont dhe pemë të larta në Parajsën Abhá.

Dijeni se 'Abdu'l-Bahá-i është në gëzim të përhershëm. Strehimi im në këtë burg të largët është për mua një gëzim shumë i madh. Për jetën e Bahá-it! Ky burg është parajsa ime qiellore; është qëllimi im i dashur, ngushëllimi i gjoksit tim, lumturia e zemrës sime; ai është streha ime, strehimi im, azili im, limani im i sigurt, dhe brenda tij unë ngazëllehem midis ushtrive të qiellit dhe Grupimit të epërm.

Gëzohuni për skllavërinë time, O ju miq të Perëndisë, sepse ajo mbjell farën e lirisë; gëzohuni për burgimin tim, sepse ai është gurra e shpëtimit; jini të gëzuar për shkak të mundimeve të mia, sepse ato çojnë në qetësinë e përjetshme. Për Zotin Perëndinë! Unë nuk do ta ndërroja këtë burg me fronin e gjithë botës, as nuk do të hiqja dorë nga ky burgim për kënaqësitë e argëtimet në të gjitha kopshtet e bukur mbi tokë. Unë shpresoj se falë mirësisë së pashtershme të Zotit, bujarisë e dashamirësisë së Tij, mua, duke ecur në shtegun e Tij, të më varin nën qiell, që zemra ime të bëhet tabelë qitjeje për njëmijë plumba, ose që mua të më zhysin në thellësitë e detit, ose të më lënë të vdes në shkretëtirën me rërë. Për këtë dëshirohem unë më shumë; kjo është dëshira ime supreme; ajo freskon shpirtin tim, ajo është balsam për gjoksin tim, është vetë ngushëllimi i syve të mi.

Përsa ju përket juve, O të dashuruar në Perëndinë, qëndroni fort në Kauzën e Tij, me një vendosmëri të tillë që të mos lëkundeni edhe sikur fatkeqësitë më të frikshme ta sulmojnë botën. Asgjë kurrsesi të mos ju shqetësojë. Jini të ankoruar fort si malet e larta, jini yje që dalin mbi horizontin e jetës, jini llamba të ndritshme në mbledhjet e unitetit, jini shpirtra të përunjur e kokulur në praninë e miqve, jini të çiltër nga zemra. Jini simbole të udhërrëfimit dhe drita të devotshmërisë, të shkëputur nga bota, kapuni fort pas dorëzës së sigurt e të pathyeshme, përhapni kudo frymën e jetës, hipni në Arkën e shpëtimit. Jini agime të shpirtmadhësisë, pikagime të mistereve të ekzistencës, vatra ku ndizet frymëzimi, vendagime të shkëlqimeve, shpirtra të mbështetur nga Fryma e Shenjtë, të dashuruar pas Zotit, të shkëputur nga gjithçka veç Tij, të shenjtë mbi vetitë e njerëzimit, të veshur me atributet e engjëjve të qiellit, që të fitoni për veten tuaj më të lartën ndër dhuntitë, në këtë kohë të re, në këtë epokë të mrekullueshme.

Për jetën e Bahá-it! Vetëm ai që është i shkëputur nga bota do ta arrijë këtë hir të fundit, ai që është rob i dashurisë hyjnore, i zhveshur nga pasioni e uni, besnik në çdo aspekt ndaj Perëndisë së Tij, kokulur, i përunjur, duke u përgjëruar, me lot në sy, i nënshtruar në praninë e Zotit.

200. O të dashurit e mi shpirtërorë! Në një kohë që oqeani i sprovave e mundimeve ishte fryrë e ngrinte deri në qiell valët e tij, kur turma njerëzish na sulmonin dhe tiranët na punonin njëmijë të zeza, - pikërisht në këtë kohë një bandë individësh, me qëllim që të na njollosnin, u bashkuan me vëllain tonë shpirtlig, nxorrën një traktat të mbushur plot akuza shpifëse dhe lëshuan kundër nesh padi e trillime.

Në këtë mënyrë ata alarmuan e vunë në siklet autoritetet qeverisëse, dhe është e qartë sesi u bë atëherë gjendja e këtij robi, në këtë fortesë të rrënuar, se ç'e keqe e dëm i tmerrshëm u bë, shumë më keq nga ç'mund të thuhet me fjalë. Pavarësisht nga çdo gjë, ky i burgosur pa plëng e shtëpi mbeti përbrenda i qetë e i sigurt, me besim në Zotin e pashoq, duke u djegur nga dëshira për çfarëdo vuajtjesh që mund të ndeshte në shtegun e dashurisë së Perëndisë. Sepse shpërthimet e urrejtjes janë, siç e gjykojmë ne, një dhuratë margaritarësh nga Ai dhe helmi vdekjeprurës një fllad shërues.

E tillë ishte gjendja jonë, kur një letër erdhi nga miqtë amerikanë1. Ata ishin marrë vesh midis tyre, siç shkruanin, që të qëndronin të bashkuar në të gjitha gjërat, dhe nënshkruesit të gjithë pa përjashtim ishin zotuar të bëjnë sakrifica në shtegun e dashurisë së Perëndisë, për të arritur kështu jetën e amshuar. Sapo lexuam këtë letër, bashkë me nënshkrimet në mbyllje, 'Abdu'l-Bahá-i ndjeu një gëzim aq të furishëm sa asnjë penë nuk e përshkruan dot, dhe falënderoi Perëndinë që në atë vend janë ngritur miq që do të jetojnë së bashku në hamoni të plotë, në miqësinë më të mirë, në marrëveshje të plotë, të ndërthurur ngushtësisht, të bashkuar në përpjekjet e tyre.

Sa më shumë të forcohet kjo marrëveshje, aq më fatlume e më mirë do të jetë çdo gjë, sepse ajo do të tërheqë konfirmimet e Perëndisë. Nëse ata që e duan Zotin kanë shpresë të bëjnë miq Grupimin e epërm, ata duhet të bëjnë gjithçka mundin që ta forcojnë këtë marrëveshje, sepse një bashkim i tillë për vëllazëri e unitet është si ujitja e Pemës së Jetës: është jetë e pasosur.

O ju të dashuruar pas Perëndisë! Ecni me hapa të vendosur; përmbushni betimin tuaj ndaj njëri-tjetrit; shkoni përpara në harmoni për të përhapur shijet e ëmbla të dashurisë së Perëndisë dhe për të vendosur Mësimet e Tij, derisa të futni shpirt në trupin e vdekur të kësaj bote, dhe të sillni shërimin e vërtetë në mbretërinë fizike e atë shpirtërore të çdo njeriu që është i sëmurë.

O ju të dashuruar pas Perëndisë! Bota është si një qenie njerëzore e sëmurë dhe e pafuqishme, sytë e së cilës nuk shohin më, veshët e së cilës janë bërë të shurdhër dhe të gjitha aftësitë e saj janë gërryer e janë harxhuar tërësisht. Prandaj miqtë e Perëndisë duhet të jenë mjekë të zotët, të cilët, duke ndjekur Mësimet e shenjta, ta mjekojnë këtë pacient derisa t'i kthehet shëndeti. Ndoshta, dashtë Perëndia, bota do të ndreqet e do të jetë vazhdimisht shëndoshë e mirë, aftësitë e saj të shteruara do të rimëkëmben dhe personi i saj do të marrë një fuqi, freski e gjelbërim të tillë që do të shkëlqejë plot bukuri e hijeshi.

Mjekimi i parë është mbi të gjitha të udhëhiqen njerëzit drejt, që ta kthejnë fytyrën ndaj Perëndisë dhe të dëgjojnë këshillat e Tij, të shkojnë përpara me veshë që dëgjojnë e me sy që shohin. Pasi kjo dozë ilaçi që vepron shpejt u është dhënë, atëherë, në përputhje me Mësimet, ata duhen udhëhequr për të fituar karakteristikat dhe sjelljen e Tubimit të epërm dhe duhen inkurajuar të kërkojnë të gjitha dhuntitë e Mbretërisë Abhá. Ata duhet t'i dëlirin zemrat e tyre edhe nga gjurma më e vogël e urrejtjes dhe e mërisë dhe të marrin përsipër të jenë të çiltër e të ndershëm, pajtues e që duan mbarë njerëzimin, në mënyrë që Lindja dhe Perëndimi, si dy dashnorë, ta mbajnë pranë njëri-tjetrin; që urrejtja dhe armiqësia të zhduken nga toka dhe paqja universale të rrënjoset fort në këtë vend.

O ju të dashuruar pas Perëndisë! Jini të dashur për të gjithë njerëzit; kujdesuni për çdo person; bëni gjithçka mundeni që të dëlirni mendjet dhe zemrat e njerëzve; përpiquni të gëzoni çdo shpirt. Jini shi mëshire për çdo livadh; jini si myshk erëmirë për ndjenjat e njerëzimit, dhe një fllad i freskët e gjallërues për të sëmurët. Jini ujëra të këndshme për gjithë të eturit, një udhërrëfyes i kujdeshshëm për të gjithë ata që kanë humbur rrugën; jini atë e nënë për jetimët, jini bij e bija të dashura për të moshuarit, jini një thesar i pasur për të varfërit. Konsiderojini dashurinë dhe shoqërinë e mirë si kënaqësi të qiellit, konsiderojini armiqësinë e urrejtjen si tortura të ferrit.

Mos e llastoni trupin me pushim, por punoni me gjithë shpirt, dhe me gjithë zemër thërrisni e lutjuni Perëndisë t'ju japë ndihmën e hirin e Tij. Kështu ju mund ta bëni këtë botë Parajsën Abhá dhe këtë rruzull dheu shesh parade të mbretërisë së epërme. Vetëm sikur të bëni përpjekje, me siguri këto shkëlqime do të ndritin, këto re të mëshirës do të reshin shiun e tyre, këto erëra jetëdhënëse do të ngrihen e do të fryjnë, ky myshk erëmirë do të përhapet gjithandej.

O ju të dashuruar pas Perëndisë! Mos u ndalni në atë që do të ndodhë në këtë vend të shenjtë, kurrsesi mos u alarmoni. Çfarëdo që të ndodhë është për mirë, sepse vuajtjet janë thelbi i bujarisë, dhe hidhërimi e mundimet janë mëshirë e kulluar, dhe ankthi është qetësi e mendjes, dhe të bësh një sakrificë është të marrësh një dhuratë, dhe çdo gjë që ndodh vjen nga mirësia e Perëndisë.

Prandaj shikoni detyrat tuaja: udhëhiqini njerëzit dhe edukojini ata në mënyrën e Abdu'l-Bahá-it. Çojani njerëzimit këtë mesazh të gëzuar nga Mbretëria Abhá. Mos pushoni as ditë as natë; mos kërkoni asnjë çast prehjeje. Përpiquni me të gjitha forcat për të çuar në veshët e njerëzve këto lajme të gëzuara. Për hir të dashurisë suaj për Perëndinë dhe të simpatisë për Abdu'l-Bahá-in, pranoni çdo fatkeqësi, çdo hidhërim. Durojini talljet e agresorëve, pajtohuni me qortimet e armikut. Ecni në gjurmët e Abdu'l-Bahá-it, dhe në shtegun e Bukurisë Abhá, digjuni në çdo çast nga dëshira për të dhënë jetën tuaj. Shkëlqeni si ylli i ditës, jini të trazuar si deti; ashtu si retë e qiellit reshni jetë mbi fusha e kodra, dhe si erërat e Prillit sillni freski përmes atyre pemëve njerëzore dhe i bëni ato të lulëzojnë.

201. O ti që je i rrëmbyer nga dashuria e Perëndisë! Dielli i së Vërtetës ka dalë në horizontin e kësaj bote dhe ka lëshuar rrezet e tij udhërrëfyese. Hiri i përjetshëm kurrë nuk ndërpritet, dhe një fryt i atij hiri të përjetshëm është paqja universale. Të jini të sigurt se në këtë epokë të shpirtit, Mbretëria e Paqes do të ngrejë faltoren e saj mbi majat e botës, dhe urdhrat e Princit të Paqes do të dominojnë deri në atë shkallë arteriet e nervat e çdo populli saqë të futin nën hijen e Tij mbrojtëse të gjitha kombet e tokës. Nga burimet e dashurisë, të së vërtetës e të unitetit do t'u japë të pinë deleve të Tij Bariu i vërtetë.

O shërbëtore e Perëndisë, paqja duhet të vendoset në fillim midis individëve, derisa të çojë më në fund në paqen midis kombeve. Prandaj, o ju Bahá'í, përpiquni me të gjitha forcat të krijoni, me anë të fuqisë së Fjalës së Perëndisë, dashuri të vërtetë, bashkim shpirtëror dhe lidhje të qëndrueshme midis individëve. Kjo është detyra juaj.

202. O ju të dashuruar pas së vërtetës, ju shërbëtorë të njerëzimit! Nga lulëzimi i mendimeve e i shpresave tuaja më kanë ardhur aroma kundërmuese, prandaj një ndjenjë e brendshme obligimi më detyron të shkruaj këto fjalë.

Ju e shihni sesi bota është ndarë kundër vetvetes, sesi shumë vende janë skuqur nga gjaku dhe vetë pluhuri i saj është mpiksur nga gjaku i njerëzve. Zjarret e konfliktit janë ngritur aq lart saqë as në kohët e lashta, as në Mesjetë e as në shekujt e vonshëm nuk ka pasur kurrë një luftë të tillë të shëmtuar, një luftë që si gurë mulliri bluan në vend të drithit kafka njarëzish. Jo, madje edhe më keq, sepse vende të lulëzuara janë katandisur në gurë kalldrëmi, qytete të tëra janë rrafshuar me dheun, dhe shumë fshatra dikur të begatë janë shndërruar në gërmadha. Etër kanë humbur bijtë e tyre, dhe bij etërit e tyre. Nëna kanë shkrirë në lot zemrat e tyre mbi fëmijët e vdekur. Fëmijë kanë mbetur jetimë, gra janë lënë të enden andej-këtej të pastreha. Nga çdo pikëpamje, njerëzimi ka rënë poshtë. Ngrihen lart britmat therëse të fëmijëve pa Bába; lart ngrihen zërat plot ankth të nënave, që arrijnë deri në qiell.

Dhe terreni që i ushqen të gjitha këto tragjedi është paragjykimi: paragjykim race e kombi, feje, pikëpamjeje politike; dhe shkaku rrënjësor i paragjykimit është imitimi i verbër i së kaluarës - imitim në fe, në qëndrime raciale, në anshmëri kombëtare, në politikë. Për sa kohë që ky imitim prej majmuni i së kaluarës do të vazhdojë, për aq kohë themelet e rendit shoqëror do të qëndrojnë në hava, për aq kohë njerëzimin do ta kërcënojë vazhdimisht rreziku më i tmerrshëm.

Tani, në një epokë të tillë të ndriçuar si kjo e jona, kur realitete më parë të panjohura për njeriun janë zbuluar dhe sekretet e gjërave të krijuara janë hapur, kur Agimi i së Vërtetës ka zbardhur e ka ndezur botën - a është e lejueshme që njerëzit të bëjnë një luftë të frikshme që po e çon njerëzimin në shkatërrim? Jo, për Zotin Perëndinë!

Jezu Krishti i bëri thirrje gjithë njerëzimit për miqësi e paqe. Ai i tha Pjetrit: 'Fute shpatën në mill'.1 E tillë ishte kërkesa dhe këshilla e Zotit Krisht; e megjithatë sot të Krishterët, të gjithë pa përjashtim, kanë nxjerrë shpatat nga milli. Sa e madhe është mospërputhja midis veprimeve të tilla dhe tekstit të qartë të Ungjillit!

Gjashtëdhjetë vjet më parë Bahá'u'lláh-u u ngrit, ashtu si Ylli i Ditës, mbi Persinë. Ai deklaroi se qiejt e botës ishin të errët, se kjo errësirë ndillte të keqe dhe se luftëra të tmerrshme do të vinin. Nga burgu në 'Akká, Ai iu drejtua Perandorit Gjerman në termat më të qarta, duke i thënë se një luftë e madhe po fillonte dhe se qyteti i tij Berlini do të qante e vajtonte. Po kështu Ai i shkroi sovranit Turk, megjithëse ishte viktimë e Sulltanit e i burgosur në burgun e tij - domethënë mbahej i burgosur në Fortesën në 'Akká - dhe i thoshte qartë se Konstantinopoja do të zihej në befasi nga një ndryshim i menjëhershëm e radikal, aq i madh saqë gratë e fëmijët e atij qyteti do të mbanin zi e do të qanin me të madhe. Me një fjalë, Ai iu drejtua me të tilla fjalë të gjithë monarkëve e presidentëve, dhe çdo gjë ndodhi ashtu siç e parashikoi Ai.

Nga Pena e Tij e fuqishme kanë dalë mësime të ndryshme për parandalimin e luftës, dhe ato janë përhapur në të katër anët.

I pari është kërkimi i pavarur i së vërtetës; sepse imitimi i verbër i së kaluarës frenon mendjen. Por po qe se çdo shpirt heton të vërtetën, shoqëria do të çlirohet nga errësira e përsëritjes së vazhdueshme të së kaluarës.

Parimi i dytë i Tij është njëshmëria e njerëzimit: që të gjithë njerëzit janë dele të Perëndisë dhe Perëndia është Bariu i tyre i dashur, që kujdeset së tepërmi për të gjitha pa favorizuar njërën apo tjetrën. 'Nuk mund të shohësh ndonjë dallim në krijimin e Perëndisë së mëshirshëm'1; të gjithë janë shërbëtorë të Tij, të gjithë i përgjërohen për hirin e Tij.

Mësimi i tretë i Tij është se feja është një kala e fuqishme, por ajo duhet të sjellë dashuri, jo keqdashje e urrejtje. Po qe se çon në ligësi, mëri e urrejtje, ajo nuk ka asnjë vlerë. Sepse feja është një ilaç, dhe në qoftë se ilaçi sjell sëmundje, atëherë lëre mënjanë. Më tej, përsa i përket anshmërisë fetare, raciale, kombëtare e poklitike: të gjitha këto paragjykime godasin vetë rrënjët e jetës njerëzore; ato të gjitha pa përjashtim shkaktojnë gjakderdhje dhe rrënim të botës. Sakohë që këto paragjykime të mbijetojnë, do të ketë luftëra të vazhdueshme e të tmerrshme.

Që të shërohet kjo gjendje, duhet të ketë paqe universale. Për ta realizuar këtë, duhet të ngrihet një Gjykatë Universale, përfaqësuese e të gjitha qeverive e popujve; çështje si kombëtare dhe ndërkombëtare duhet t'i përcillen asaj, dhe të gjithë duhet të zbatojnë vendimet e kësaj Gjykate. Po qe se ndonjë qeveri ose popull nuk bindet, atëherë gjithë bota le të ngrihet kundër asaj qeverie apo atij populli.

Dhe një mësim tjetër i Bahá'u'lláh-ut është barazia e burrave dhe grave dhe përfitimi i barabartë nga të gjitha të drejtat. Dhe ka shumë parime të ngjashme. Tani është bërë e qartë se këto mësime janë vetë jeta dhe shpirti i botës.

Ju që jeni shërbëtorët e gjinisë njerëzore, përpiquni me gjithë zemër ta çlironi njerëzimin nga kjo errësirë e nga këto paragjykime që i përkasin gjendjes njerëzore e botës së natyrës, në mënyrë që njerëzimi të mund të gjejë rrugën nën dritën e botës së Perëndisë.

Lëvduar qoftë Ai, ju jeni në dijeni të ligjeve, institucioneve e parimeve të ndryshme të botës; sot asgjë përveç këtyre mësimeve hyjnore nuk mund t'i sigurojë njerëzimit paqen e qetësinë. Po të mos jetë për këto mësime, kjo errësirë kurrë nuk do të davaritet, këto sëmundje kronike kurrë nuk do të shërohen; jo, madje ato do të bëheshin më të tërbuara nga dita në ditë. Ballkani do të mbetet i pakënaqur, padurimi i tij do të rritet. Fuqitë e mundura do të vazhdojnë të krijojnë trazira. Ato do të përdorin çdo mjet që mund të rindezë flakën e luftës. Lëvizje, të lindura rishtas e botërore për nga shkalla e përhapjes, do të bëjnë të gjitha përpjekjet që të çojnë përpara synimet e tyre. Lëvizja e së Majtës do të marrë rëndësi të madhe. Ndikimi i saj do të përhapet.

Përpiquni, pra, me ndihmën e Perëndisë, me mendje e zemra të ndriçuara dhe me një fuqi të lindur nga qielli, të bëheni një dhuratë e Perëndisë për njeriun dhe të sillni në jetë mirëqenien e paqen për gjithë njerëzimin.

203. O ti që je dashuruar pas Besëlidhjes! Bukuria e Bekuar i ka premtuar këtij shërbëtori se do të ngrihen shpirtra që do të jenë mishërimet vetë të udhërrëfimit dhe flamurë të Tubimit të epërm, pishtarë të njëshmërisë së Perëndisë dhe yje të së vërtetës së Tij të kulluar, që shkëlqejnë në qiejt ku vetëm Perëndia mbretëron. Ata do t'u sjellin shikimin të verbërve dhe do t'i bëjnë të shurdhërit të dëgjojnë; ata do të ngjallin të vdekurit. Ata do të përballen me të gjithë popujt e botës, duke mbrojtur Kauzën e tyre me prova të Zotit të shtatë sferave.

Unë shpresoj se me mirësinë e Tij, Ai së shpejti do t'i ngrejë këta shpirtra, se Kauza e Tij do të lartësohet. Magneti që do të tërheqë këtë hir është qëndrueshmëria në Besëlidhjen. Falënderoni Perëndinë që ju jeni më të vendosurit e të vendosurve.

O Perëndia im, ndihmoje shërbëtorin Tënd të të lartësojë Fjalën dhe të hedhë poshtë atë që është e kotë dhe e rreme, që të vendosë të vërtetën, të përhapë gjithandej vargjet e shenjta, të zbulojë shkëlqimet dhe të bëjë që drita e mëngjesit të agojë në zemrat e njerëzve të drejtë.

Ti me të vërtetë je Zemërgjeri, i Mëshirshmi.

204. O feniks i asaj flake të pavdekshme të ndezur në Pemën e shenjtë! Bahá'u'lláh-u - u flijoftë jeta ime, shpirti im, fryma ime për shërbëtorët e Tij të përunjur - gjatë viteve të fundit të jetës së Tij mbi tokë, ka dhënë premtimin më solemn se falë vërshimeve të hirit të Perëndisë dhe ndihmës e mbështetjes së dhënë nga Mbretëria e Tij e epërme, do të ngrihen shpirtra e do të shfaqen qenie të shenjta, të cilat, si yje, do të stolisin kupën qiellore të udhërrëfimit hyjnor; do të ndriçojnë agimin e dashamirësisë e të bujarisë; do të shfaqin shenjat e unitetit të Perëndisë, do të shkëlqejnë me dritën e shenjtërisë e të çiltërsisë; do të marrin tërësisht pjesën e tyre të frymëzimit hyjnor; do të ngrejnë lart pishtarin e shenjtë të besimit; do të qëndrojnë të patundur si shkëmbi e të palëvizshëm si mali; dhe do të rriten për t'u bërë yje të shndritshëm në qiejt e Revelacionit të Tij, kanale të gjera të hirit të Tij, mjete për dhurimin e kujdesit bujar të Perëndisë, lajmëtarë që thërrasin emrin e të Vetmit Perëndi të vërtetë dhe vendosës të themelit suprem të botës.

Këta do të punojnë pa pushim, ditë e natë, nuk do të merakosen as për sprova as për mjerim, nuk do të lejojnë çlodhje në përpjekjet e tyre, nuk do të kërkojnë prehje, do të shpërfillin çdo rehati e komoditet dhe, të shkëputur e të panjollë, do t'ia kushtojnë çdo moment fluturak të jetës së tyre përhapjes së aromës hyjnore dhe lartësimit të Fjalës së shenjtë të Perëndisë. Fytyrat e tyre do të rrezatojnë kënaqësi qiellore dhe zemrat e tyre do të mbushen me gëzim. Shpirtrat e tyre do të frymëzohen dhe themeli i tyre do të qëndrojë i sigurt. Ata do të përhapen nëpër botë dhe do të udhëtojnë në të gjitha viset. Ata do të ngrejnë zërin në çdo kuvend dhe do të stolisin e gjallërojnë çdo mbledhje. Ata do të flasin në çdo gjuhë dhe do të interpretojnë çdo kuptim të fshehur. Ata do të revelojnë misteret e Mbretërisë dhe do t'i shfaqin cilitdo shenjat e Perëndisë. Ata do të ndritin me shkëlqim si një qiri në zemrën e çdo kuvendi dhe do të rrezëllijnë si yll mbi çdo horizont. Flladet e lehta që përhapen nga kopshti i zemrave të tyre do të parfumojnë e gjallërojnë shpirtrat e njerëzve dhe revelacionet e mendjeve të tyre, si reshje shiu, do të përtërijnë popujt dhe kombet e botës.

Unë jam në pritje, pres me padurim që këta shenjtorë të shfaqen; por sa do të vonojë ende ardhja e tyre? Lutja dhe përgjërimi im, në mbrëmje e në agim, është që këta yje vezullues të lëshojnë shpejt rrezet e tyre mbi botë, që fytyrat e tyre të shenjtëruara të zbulohen për sytë e vdekshëm, që ushtritë e ndihmës hyjnore të arrijnë fitoren dhe valët e hirit, që ngrihen nga oqeani i Tij atje lart, të vërshojnë mbi gjithë njerëzimin. Lutjuni e përgjërojuni edhe ju Atij, që falë ndihmës bujare të Bukurisë së Lashtë këta shpirtra të zbulohen para syve të botës.

Lavdia e Perëndisë qoftë mbi ty, dhe mbi atë, fytyra e të cilit është ndriçuar nga ajo dritë e pasosur që shkëlqen prej Mbretërisë së Tij të Lavdisë.

205. O ju shpirtra të respektuar! Nga imitimi i vazhdueshëm i mënyrave të vjetra e të mbaruara, bota është nxirë si natë e errët. Parimet bazë të Mësimeve hyjnore janë fshirë nga kujtesa; thelbi i tyre është harruar krejtësisht dhe njerëzit janë mbajtur pas lëvozhgave. Kombet, si rroba prej kohësh të leckosura, janë katandisur në një gjendje të mjerueshme.

Nga kjo pisë e zezë ka aguar drita mëngjesore e Mësimeve të Bahá'u'lláh-ut. Ai e ka veshur botën me një rrobë të re e të bukur, dhe kjo rrobë e re janë parimet që kanë ardhur nga Perëndia.

Tani epoka e re është këtu dhe krijimi ka rilindur. Njerëzimi ka fituar jetë të re. Vjeshta ka kaluar dhe pranvera rigjallëruese ka ardhur. Të gjitha gjërat janë tani të reja. Artet dhe industritë kanë rilindur, ka zbulime të reja në shkencë, dhe ka shpikje të reja ; madje edhe hollësirat e punëve njerëzore, si rrobat dhe sendet personale - madje edhe armët - të gjitha këto po kështu janë përtëritur. Ligjet dhe procedurat e çdo qeverisjeje janë rishikuar. Ripërtëritja është rendi i ditës.

Gjithë kjo risi e ka burimin në vërshimet e reja të hirit e të favorit të mahnitshëm nga ana e Zotit të Mbretërisë, të cilat kanë ripërtëritur botën. Prandaj njerëzit duhen çliruar tërësisht nga modelet e tyre të vjetra të të menduarit, që gjithë vëmendja e tyre të përqendrohet te këto parime të reja, sepse këto janë drita e kohës sonë dhe vetë shpirti i kësaj epoke.

Derisa këto Mësime të mos jenë përhapur efektivisht midis njerëzve, sakohë që mënyrat e vjetra, konceptet e vjetra, të mos jenë zhdukur e harruar, kjo botë e qenies nuk do të ketë paqe, dhe as do të pasqyrojë përsosuritë e Mbretërisë Qiellore. Përpiquni me gjithë shpirt t'i bëni të shkujdesurit të vetëdijshëm, të zgjoni ata që flejnë, t'u sillni dije injorantëve, t'i bëni të verbërit të shikojnë, të shurdhërit të dëgjojnë, dhe të sillni në jetë të vdekurit.

Ju takon juve të tregoni një fuqi të tillë, një durim të tillë që të mahnitë të gjithë shikuesit. Me ju janë konfirmimet e Mbretërisë. Qoftë mbi ju lavdia e Lavdiplotit.

206. Lëvduar qoftë Ai Që e ka bërë copë-copë errësirën, që e ka dëbuar natën, që i ka hequr mbulesat dhe i ka grisur perdet; Drita e të Cilit tani ka shkëlqyer, shenjat e emblemat e të Cilit janë përhapur në të katër anët dhe misteret e të Cilit janë zbuluar. Pastaj retë e Tij u hapën dhe lëshuan mbi tokë dhuntitë e dhuratat e Tij, dhe i freskuan me shi të gjitha gjërat, dhe bënë që blerimi i freskët i dijes dhe zymbylat e sigurisë të çelin dhe të tunden e dridhen nga gëzimi, derisa gjithë bota të mbushet me kundërmimin erëmirë të shenjtërisë së Tij.

Përshëndetje e lëvdata, bekime e lavdi qofshin mbi ato realitete hyjnore, mbi ato luletaçe të shenjtëruara që kanë rrjedhur nga ky blatim suprem, nga vërshimi i këtij hiri që ka buçitur si një det i trazuar dhuratash e mirësish, i cili i ka ngritur valët e tij deri në qiejt e lartë.

O Perëndi, Perëndia im! Lëvduar qofsh Ti që ke ndezur zjarrin e dashurisë hyjnore në Pemën e Shenjtë mbi majën e malit më të lartë: të asaj peme që nuk është 'as e lindjes as e perëndimit'1, atë zjarr që digjet derisa flaka e tij ngjitet lart në Tubimin e epërm, dhe prej saj ato realitete marrin dritën e udhërrëfimit e thërrasin: 'Me të vërtetë ne pamë një zjarr në shpatin e malit Sinai'2.

O Perëndi, Perëndia im! Shtoje këtë zjarr, nga dita në ditë, derisa shkulmi i tij të vejë në lëvizje gjithë tokën. O Ti, Perëndia im! Ndize dritën e dashurisë Sate në çdo zemër, fut në shpirtrat e njerëzve frymën e dijes Sate, gëzoi gjokset e tyre me vargjet e njëshmërisë Sate. Thirr në jetë ata që rrinë në varret e tyre, paralajmëroi krenarët, përhape lumturinë në mbarë botën, lësho këtu poshtë ujërat e Tua të kristalta, dhe në kuvendin e shkëlqimeve të dukshme kalo rreth e qark atë kupë që është 'mbushur në burimin prej kamfori'3.

Me të vërtetë Ti je Dhënësi, Falësi, Gjithmonë-Dhuruesi. Me të vërtetë Ti je i Mëshirshmi, Zemërdhembshuri.

O ju të dashurit e Perëndisë! Kupa e verës së Qiellit është plot e përplot, banketi i Besëlidhjes së Perëndisë shkëlqen nga dritat festive, agimi i të gjitha blatimeve po çel, flladet e lehta të hirit po fryjnë dhe nga bota e padukshme vijnë lajme të gëzuara dhuntish e dhuratash. Në livadhet e stolisura me lule pranvera hyjnore ka ngritur tendat e saj dhe njerëzit shpirtërorë po thithin aromat e këndshme nga Sheba e shpirtit, të shtyrë në rrugën e tyre nga era e lindjes. Tani bilbili mistik po këndon odet e tij, dhe gonxhe të kuptimeve të brendshme po çelin lule të brishta e të bukura. Laureshat e fushave janë bërë muzikantet e festës dhe me zëra të mahnitshëm thërrasin e këndojnë meloditë e Grupimit të epërm: 'Lum ju! Lajme të Gëzuara! Lajme të Gëzuara! Dhe ato i nxitin festuesit e Parajsës Abhá të pinë kupën e tyre, në mënyrë domethënëse mbahen pas pemës qiellore dhe lëshojnë thirrjet e tyre të shenjta. Të gjitha këto, që ata shpirtra të fishkur që enden në shkretëtirën e shkujdesjes dhe ata shpirtra të mekur që kanë humbur në rërat e moskokëçarjes të mund të vijnë përsëri në jetën që regëtin dhe të paraqiten në festat e gostitë e Zotit Perëndi.

Lëvduar qoftë Ai! Nami i Kauzës së Tij ka arritur në lindje e perëndim, dhe fjala e fuqisë së Bukurisë Abhá ka gjallëruar veriun e jugun. Ajo thirrje nga kontinenti Amerikan është një kor shenjtërie, ai zë nga larg e nga afër që ngrihet deri edhe në Grupimin e epërm është 'Yá Bahá'u'l-Abha!' Tani është lindja e ndezur me lavdi dhe perëndimi në ngjyrë trëndafili të ëmbël, dhe gjithë toka kundërmon me ambergri, dhe erërat që fryjnë mbi Mauzoleun e Shenjtë janë tërë aromë myshku.Së shpejti ju do të shihni se edhe tokat më të errëta janë të ndritshme, dhe kontinentet e Europës dhe Afrikës janë shndërruar në kopshte me lule e në pyje drurësh të lulëzuar.

Por duke qenë se agimi i këtij Ylli të Ditës ishte në Persi dhe se nga ky orient dielli shkëlqeu mbi perëndimin, kemi shpresën më të madhe se flakët e zjarrit të dashurisë do të shkëlqejnë akoma më fort në atë tokë dhe se atje shkëlqimi i këtij Besimi të Shenjtë do të rritet akoma më intensivisht. Tronditja e shkaktuar nga Kauza e Perëndisë le ta shkundë deri në themelet atë tokë, le të shfaqet forca shpirtërore e Fjalës së Tij në mënyrë të tillë që ta bëjë Iranin bërthamën e vatrën e mirëqenies e të paqes. Le t'i sjellin pavdekësi gjithë tokës drejtësia e pajtimi, dashuria e besimi që dalin nga Irani. Le të ngrejë ajo në majat më të larta flamurin e rendit publik, të shpirtëzimit më të kulluar dhe të paqes universale.

O ju të dashurit e Perëndisë! Në këtë, dispensacionin Bahá'í, Kauza e Perëndisë është shpirt i kulluar. Kauza e Tij nuk i takon botës materiale. Ajo nuk vjen për konflikt e as luftë, as për veprime të liga e të turpshme; ajo nuk është as për grindje me Besimet e tjera, as për konflikte midis kombeve. E vetmja ushtri e saj është dashuria e Perëndisë, gëzimi i vetëm i saj është vera e kulluar e dijes së Tij, e vetmja luftë e saj është përhapja e së Vërtetës; e vetmja kryqëzatë e saj drejtohet kundër këmbënguljes së egos, kundër tundimeve të zemrës njerëzore. Fitorja e saj është nënshtrimi e heqja dorë, dhe të qënit vetëmohues në lavdinë e saj të përjetshme. Me një fjalë, është shpirt mbi shpirt:

Kur gjarprin nëpër pluhur
Ti ruhesh mos cenosh,
Aq më pak njeriut mundesh
Ti plagë t'i shkaktosh.
Kur dhe një mizë dheu
Ti s'do ta shqetësosh,
Askurrë ti s'mund të duash
Vëllain të dëmtosh.

Të gjitha përpjekjet tuaja le të synojnë këtë, që ju të bëheni burim jete e pavdekësie, paqe, kënaqësie e gëzimi për çdo shpirt njerëzor, qoftë ky i njohur i juaj apo i huaj, kundërshtar i juaj apo i anës suaj. Mos shikoni pastërtinë apo papastërtinë e natyrës së tij: shikoni mëshirën gjithëpërfshirëse të Zotit, drita e hirit të të Cilit ka mbështjellur tërë tokën dhe të gjithë ata që jetojnë mbi të, dhe në bujarinë e pasosur të të Cilit janë zhytur si njerëzit me mend dhe injorantët. I huaji dhe miku janë ulur njëlloj rreth tryezës së favorit të Tij. Ashtu si besimtari, mohuesi që i kthen shpinën Perëndisë, në të njëjtën kohë i bën duart si kupë dhe pi nga deti i dhuratave të Tij.

Është detyrë e të dashurve të Zotit të jenë shenjat e emblemat e mëshirës së Tij universale dhe mishërimet e hirit të përsosur të vetë Atij. Ashtu si dielli, le t'i lëshojnë ata rrezet e tyre njëlloj si mbi kopshte dhe mbi grumbuj plehrash, dhe ashtu si retë në pranverë le të reshin shiun e tyre mbi lule e gjemba. Le të kërkojnë ata vetëm dashuri e besnikëri, le të mos ndjekin ata udhët e shpirtligësisë, le të kufizohet biseda e tyre me sekretet e miqësisë e të paqes. Të tilla janë atributet e të drejtëve, e tillë është shenja dalluese e atyre që i shërbejnë Pragut të Tij.

Bukuria Abhá ka përballuar fatkeqësitë më të dhimbshme. Ai ka duruar vuajtje e të këqia të panumërta. Ai nuk ka pasur as edhe një moment qetësie, as edhe një frymëmarrje të vetme të lehtë. Ai është endur, i pastrehë, në shkretëtira rëre e në shpate malesh; Atë e mbyllën në një fortesë dhe në një qeli burgu. Por për Të, rrogozi i kashtës prej varfanjaku ishte një fron i përjetshëm lavdie, dhe zinxhirët e Tij të rëndë një gjerdan sovrani. Ditë e natë, Ai jetonte nën rrotullimin e shpatës, dhe Ai ishte i gatshëm nga çasti në çast për të vdekur mbi kryq. Ai i përballoi të gjitha këto që të dëlirte botën dhe ta stoliste atë me bekimet e ëmbla të Zotit Perëndisë; që Ai ta qetësonte atë; që konflikti e agresioni të dëbohen, shtiza e shpata e mprehtë të shkëmbehen me shoqëri të përzemërt, që dashaligësia e lufta të shndërrohen në siguri, mirësi e dashuri, që fushat e betejës të urrejtjes e zemërimit të bëhen kopshte gëzimi, dhe vendet ku dikur ndesheshin ushtritë e lyera me gjak të jenë terrene kënaqësish; që lufta të shihet si turp dhe rrëmbimi i armëve, si ndonjë sëmundje e neveritshme, të shmanget nga të gjithë popujt; që paqja universale t'i ngrejë tendat e saj mbi malet më të larta dhe lufta të zhduket nga toka përgjithmonë.

Prandaj të dashurit e Perëndisë, me të gjitha forcat, me ujërat e përpjekjeve të tyre të kujdesen, të ushqejnë e të rritin këtë pemë të shpresës. Në çdo vend që të jetojnë, ata me gjithë zemër t'u gjinden e t'u bëhen shokë atyre që ose i kanë pranë ose që janë shumë larg. Me cilësi si të atyre të qiellit, le të mbështesin ata institucionet dhe fenë e Perëndisë. Ata kurrë të mos i lëshojë zemra, kurrë të mos dëshpërohen, kurrë të mos brengosen. Sa më shumë kundërvënie të ndeshin, aq më shumë të tregojnë ata besnikërinë e vet, sa më shumë vuajtje e fatkeqësi t'u duhet të përballojnë, aq më bujarisht le të kalojnë rreth e qark kupën e zemërgjerësisë. E tillë është fryma që do të bëhet jeta e botës, e tillë është drita që do të përhapet në zemrën e saj: dhe kushdo që mund të jetë e të veprojë ndryshe nga kjo nuk e meriton të shërbejë në Pragun e Shenjtë të Zotit.

O ju të dashurit e Perëndisë! Dielli i së Vërtetës po shkëlqen nga qiejt e padukshëm; dijeni vlerën e këtyre ditëve. Ngrini lart kokat, dhe rrituni si qiparis i lartë në këto rryma të rrëmbyeshme. Kënaquni me bukurinë e narcisit të Nazhdit, sepse do të bjerë nata dhe s'do të ketë më. ...

O ju të dashurit e Perëndisë! Lëvduar qoftë Ai, flamuri i ndritshëm i Besëlidhjes po ngrihet çdo ditë e më lart, ndërsa flamuri i pabesisë është përmbysur dhe qëndron varur në gjysëm shtizë. Sulmuesit e zhytur në errësirë janë tronditur deri në palcë; ata tani janë të rrënuar si varre dhe, ashtu si krijesa të verbëra që banojnë nën tokë, zvarriten e kacaviren në një qosh të varrit, e nga ajo vrimë, herë pas here, si shtazë të egra, murmurijnë e ulërijnë. Lëvduar qoftë Perëndia! Si mund të shpresojë errësira të mposhtë dritën, si mundet një shkop magjistari të asgjësojë 'një gjarpër që e shohin të gjithë'? 'Atëherë papritur ai i gëlltiti mrekullitë e tyre mashtruese'1. Mjerë ata! Ata kanë mashtruar veten me një përrallë, dhe për të kënaqur orekset e tyre kanë vrarë vetveten. Ata kanë hequr dorë nga lavdia e përjetshme duke e shkëmbyer me kreninë njerëzore, dhe kanë sakrifikuar madhështinë në të dyja botët për kërkesat e egos së tyre ngulmuese. Ja për këtë Ne ju kemi paralajmëruar. Së shpejti ju do të shihni qartë humbjen që kanë pësuar të marrët.

O Zoti im dhe Shpresa ime! Ndihmoji të dashurit e Tu të jenë të qëndrueshëm në Besëlidhjen Tënde të fuqishme, t'i qëndrojnë besnikë Kauzës Sate të dukshme dhe të zbatojnë porositë e shkruara për ta në Librin Tënd të Shkëlqimeve; që ata të bëhen flamurë të udhërrëfimit dhe llamba të Grupimit të epërm, burime të urtisë Sate të pafund dhe yje që tregojnë rrugën e drejtë, duke qenë se ndriçojnë nga qielli hyjnor.

Me të vërtetë Ti je i Pamposhturi, Fuqiploti, i Gjithëfuqishmi.

207. O ju që e keni kthyer fytyrën drejt Bukurisë së Lavdëruar! Natë e ditë, në mëngjes e në mbrëmje, kur bie errësira, dhe në dritën e agut, Unë kujtoj, dhe gjithmonë kam kujtuar, në sferat e mendjes e të zemrës sime, të dashurit e Zotit. Unë i lutem Atij t'u japë konfirmimet e Tij atyre të dashurve, që jetojnë në atë tokë të pastër e të shenjtë, dhe t'u dhurojë atyre rezultate të suksesshme në të gjitha gjërat: që në karakterin e tyre, në sjelljen e tyre, në fjalët e tyre, në mënyrën e tyre të jetesës, në çdo gjë që ata bëjnë, Ai t'i bëjë ata të shquhen midis njerëzve; që Ai t'i mbledhë ata në komunitetin botëror, me zemrat të mbushura plot ekstazë, entuziazëm e dashuri të zjarrtë, dije e siguri, qëndrueshmëri e unitet, me fytyra të bukura e të kthjellta.

O ju të dashurit e Zotit! Kjo ditë është dita e bashkimit, dita e mbledhjes së gjithë njerëzimit. 'Me të vërtetë Perëndia i do ata që, sikur të ishin një mur i fortë, luftojnë për Kauzën e Tij me radhë të shtrënguara'.2 - Shihni sesi Ai thotë 'me radhë të shtrënguara' - domethënë të grumbulluar e të dyndur së bashku, të lidhur njëri pas tjetrit, duke mbështetur secili shokët e tij. Të luftosh, siç thuhet në vargun e shenjtë, në këtë më të madhin e dispensacioneve nuk do të thotë të shkosh përpara me shpatë e heshtë, me shtizë e shigjetë të mprehtë - por i armatosur me qëllime të pastra, me motive të drejta, me këshilla të dobishme e efektive, me atribute hyjnore, me vepra të pëlqyeshme për Fuqiplotin, me cilësi të qiellit. Kjo do të thotë edukim për mbarë njerëzimin, udhëheqje për të gjithë njerëzit, përhapje në të katër anët e shijeve të ëmbla të shpirtit, shpallje e provave të Perëndisë, paraqitje e argumenteve bindëse e hyjnore, kryerje veprash bamirëse.

Kurdoherë që shpirtra të shenjtë, duke tërhequr fuqitë e qiellit, do të ngrihen me të tilla cilësi të shpirtit dhe do të ecin në mirëkuptim, me radhë të shtrënguara, secili prej këtyre shpirtrave do të jetë si njëmijë, dhe valët e dallgëzuara të atij oqeani të madh do të jenë si batalionet e Tubimit të epërm. Ç'bekim do të jetë - kur të gjithë do të vijnë së bashku, ashtu si përrenj, lumenj e rryma të veçanta, kroje që rrjedhin e pika të veçanta, që kur mblidhen së bashku në një vend formojnë një det të madh. Dhe uniteti i brendshëm i të gjithëve do të mbizotërojë në një shkallë të tillë, saqë traditat, rregullat, zakonet dhe dallimet në jetën e imagjinuar të këtyre popullsive do të fshihen e zhduken si pika të izoluara, sapo deti i madh i njëshmërisë të ngrihet, të vërshojë e të rrokulliset..

Betohem për Bukurinë e Lashtë, se në një kohë të tillë një hir i papërmbajtshëm do t'i rrethojë të gjithë, dhe deti i madhështisë do të vërshojë në mënyrë të tillë në brigjet e tij, saqë rripi më i hollë i ujit do të zgjerohet si një det i pafund, dhe çdo pikë e vetme do të jetë si deti i paanë.

O ju të dashurit e Perëndisë! Luftoni e përpiquni që të arrini atë pozitë të lartë, dhe që ta bëni një shkëlqim të shndritë në mënyrë të tillë përmes këtyre mbretërive prej dheu saqë rrezet e tij të pasqyrohen në kthim nga një pikë-agim në horizontin e përjetësisë. Ky është vetë themeli i Kauzës së Perëndisë. Ky është vetë thelbi i Ligjit të Perëndisë. Kjo është godina madhështore e ngritur nga Manifestimet e Perëndisë. Ja përse agoi ylli i botës së Perëndisë. Ja përse Zoti e vendosi Veten në trupin njerëzor të Tij.

O ju të dashurit e Perëndisë! Shihni sesi i Lartësuari1 - u bëfshin kurban për Të shpirtrat e të gjithëve mbi tokë - për këtë qëllim të lartë e bëri zemrën e Tij të bekuar tabelë qitjeje për shtizat e vuajtjes; dhe meqenëse synimi i vërtetë i Bukurisë së Lashtë - u flijofshin për Të shpirtrat e Tubimit të epërm - ishte të arrinte këtë qëllim hyjnor, i Lartësuari zbuloi gjoksin e Tij të shenjtë si tabelë qitjeje për plumba të panumërt nga njerëzit e ligësisë e të urrejtjes, dhe me nënshtrimin më të madh vdiq me vdekjen e martirit. Në pluhurin e këtij shtegu është derdhur gjaku i shenjtë i mijëra e mijëra shpirtrave të shenjtëruar, dhe shumë herë trupi i bekuar i një dashuruesi besnik të Perëndisë është varur në drurin e trekëmbëshit.

Vetë Bukuria Abhá - u flijoftë shpirti i të gjitha qenieve për të dashurit e Tij - përballoi gjithfarlloj sprovash, dhe me gatishmëri pranoi për Veten e Tij vuajtje të mëdha. Nuk mbeti asnjë torturë së cilës të mos i jetë nënshtruar trupi i tij i shenjtë, asnjë vuajtje që të mos ketë rënë mbi Të. Sa netë, i lidhur me zinxhirë, kaloi Ai pa gjumë për shkak të qafores së Tij të rëndë prej hekuri; sa ditë dhimbja përvëluese e shkaktuar nga mengeneja e vargonjtë nuk i linte asnjë çast qetësie. Ata e detyruan Atë të rendëte nga Nijavarani në Teheran - Atë Që mishëronte shpirtin, Atë Që ishte mësuar të pushonte mbi jastëkë të qendisur me mëndafsh - të lidhur me zinxhirë, të zbathur, me kokën jashtë; dhe poshtë nën tokë, në errësitën e thellë të asaj biruce të ngushtë, ata e burgosën atë bashkë me vrasës, rebelë e hajdutë. Herë pas here ia nënshtronin Atë një torture të re, dhe të gjithë ishin të sigurt që nga një cast në tjetrin Ai do të pësonte një vdekje martiri. Pas disa kohësh ata e dëbuan Atë nga vendlindja dhe e dërguan në vende të huaja e të largëta. Për shumë vite me radhë në Irak, nuk kalonte moment që një ankth i ri të- mos godiste zemrën e Tij të shenjtë; me çdo frymëmarrje një shpatë binte mbi atë trup të shenjtë, dhe Ai nuk mund të shpresonte për asnjë çast sigurie e çlodhjeje. Nga çdo anë armiqtë e Tij shpërthenin sulmet e tyre me urrejtje të pashuar; dhe vetëm e pa njeri Ai i përballoi të gjitha. Pas gjithë këtyre mundimeve, këtyre goditjeve trupore, ata e dëbuan Atë jashtë Irakut në kontinentin e Azisë, në kontinentin e Europës, dhe në atë vend syrgjynosjeje të hidhur, vuajtjesh të rënda, padrejtësive të grumbulluara kundër Tij nga njerëzit e Kuranit iu shtuan tani përndjekjet e egra, sulmet e furishme, komplotet, shpifjet, armiqësitë e vazhdueshme, urrejtja e dashaligësia e njerëzve të Bajanit. Pena ime është e pafuqishme t'i tregojë të gjitha këto; por ju me siguri jeni të informuar për këtë. Pastaj, njëzet e katër vjet pas këtij, Burgut të Madh, në agoni e vuajtje të dhimbshme, ditët e Tij morën fund.

Për ta përmbledhur shkurt, Bukuria e Lashtë, gjatë qëndrimit të Tij në këtë botë kalimtare, ka qenë kurdoherë ose një i burgosur i lidhur me zinxhirë, ose ka jetuar nën shpatë, ose u është nënshtruar vuajtjeve e torturave, ose është mbajtur në Burgun e Madh. Për shkak të dobësisë së Tij fizike, të shkaktuar nga vuajtjet e Tij, trupi i Tij i bekuar ishte konsumuar deri në fund; ai ishte i lehtë si pëlhurë merimange nga vuajtjet pa mbarim. Dhe arsyeja e Tij për të mbajtur mbi supe këtë peshë të rëndë e për të duruar gjithë këtë ankth, që ishte si një oqean që ngren valët e tij deri në qiell - arsyeja e Tij për të vënë zinxhirët e rëndë prej hekuri dhe për t'u bërë vetë mishërimi i nënshtrimit e i përunjësisë, ishte që ta çonte çdo shpirt mbi tokë drejt mirëkuptimit, drejt ndjenjës shoqërore, drejt njëshmërisë; të bënte të njohur midis popujve shenjën e njëvetshmërisë së Perëndisë, në mënyrë që më në fund njëshmëria fillestare e depozituar në zemrën e të gjitha gjërave të krijuara të jepte frytet e caktuara dhe që 'Asnjë dallim ju nuk mund të shihni në krijimin e Perëndisë së Mëshirës'1 të përhapte kudo rrezet e tij.

Tani është koha, O ju të dashurit e Perëndisë, për përpjekje të zjarrta. Luftoni dhe përpiquni. Dhe përderisa Bukuria e Lashtë ishte i ekspozuar ditë e natë në fushën e martirizimit, ne nga ana jonë le të mundohemi shumë dhe të dëgjojmë e peshojmë këshillat e Perëndisë; le të flakim tej jetët tona dhe të heqim dorë nga ditët tona të shkurtra e të numëruara. Le t'i kthejmë sytë prej fantazive boshe të formave të ndryshme të kësaj bote dhe t'i shërbejmë përkundrazi këtij qëllimi kryesor, këtij synimi të madh. Le të mos e presim, për shkak të vetë imagjinatave tona, këtë pemë që dora e hirit qiellor ka mbjellur; le të mos e fshijmë, me retë e errëta të iluzioneve tona, të interesave tona egoiste, lavdinë që rrjedh nga Mbretëria Abhá. Le të mos bëhemi si pengesa që bllokojnë oqeanin e valëzuar të Fuqiplotit Perëndi. Le të mos pengojmë aromat e kulluara, të këndshme nga kopshti i Bukurisë Lavdiplote që të fryjnë në të katër anët. Le të mos pengojmë, në këtë ditë të bashkimit, vërshimin pranveror të bekimeve nga lart. Le të mos lejojmë që shkëlqimet e Diellit të së Vërtetës të shuhen e zhduken. Këto janë paralajmërimet e Perëndisë, siç janë shkruar në Librat e Tij të Shenjtë, në Shkrimet e Tij, në Tabelat e Tij që u tregojnë këshillat e Tij të sinqertëve.

Mbi ju qofshin lavdia, dhe mëshira e Perëndisë, dhe bekimet e Perëndisë.

208. O ju shërbëtorë të Pragut të Shenjtë! Ushtritë ngadhnjimtare të Tubimit Qiellor, të pozicionuara e të rrjeshtuara në Mbretëritë e sipërme, janë të gatshme e në pritje për të ndihmuar e siguruar fitoren e atij kalorësi trim që me besim nget kalin e tij në arenën e shërbimit. Lum ai luftëtar sypatrembur, që i armatosur me fuqinë e Dijes së Vërtetë, nxiton në fushën e betejës, shpartallon ushtritë e injorancës dhe u jep dërmën ushtrive të mëkatit, që mban lart Flamurin e Udhërrëfimit Hyjnor dhe i bie Borisë së Fitores. Për drejtësinë e Zotit! Ai ka korrur një triumf të lavdishëm dhe ka arritur fitoren e vërtetë.

209. O ju shërbëtorë të Bukurisë së Bekuar! ... Është e qartë se në këtë ditë, konfirmime nga bota e padukshme po përfshijnë të gjithë ata që përhapin Mesazhin hyjnor. Sikur puna e mësimdhënies të braktisej, këto konfirmime do të ndërpriteshin krejtësisht, sepse është e pamundur që të dashurit e Perëndisë të marrin ndihmë ndryshe, veç po qe se japin mësim.

Mësimdhënia duhet çuar përpara me çdo kusht, por me mençuri. Nëse kjo punë nuk bëhet dot haptazi, le të japin mësim privatisht, duke ngjallur frymë shpirtërore e shoqërie midis bijve të njerëzve. Në qoftë se, për shembull, çdonjëri prej besimtarëve pa përjashtim, bëhet mik i vërtetë i njërit prej të shkujdesurve dhe, duke u sjellë me ndershmëri absolute, shoqërohet me këtë shpirt, e trajton atë me dashamirësinë më të madhe, bëhet ai vetë një shembull i udhëzimeve hyjnore që ka marrë, dhe kurdoherë vepron në pajtim me këshillat e Perëndisë - është e sigurt që pak nga pak ai do t'ia arrijë ta zgjojë atë person që më parë ishte i shkujdesur dhe ta shndërrojë mosdijen e tij në dije të së vërtetës.

Shpirtrat janë të prirur drejt ftohjes. Më parë duhen ndërmarrë hapa për ta mënjanuar këtë ftohje, sepse vetëm atëherë Fjala do të ketë efekt. Nëse një besimtar tregon përzemërsi ndaj njërit prej të shkujdesurve dhe, me dashuri të madhe, e bën që ai të kuptojë vlefshmërinë e Kauzës së Shenjtë, në mënyrë që të arrijë të njohë parimet themelore të Besimit të Perëndisë dhe rrjedhojat e tij - ky me siguri do të transformohet; bëjnë përjashtim vetëm ata individë që ndeshen rrallë, të cilët janë si hi, zemrat e të cilëve janë 'të forta si guri, ose edhe më të forta'1.

Nëse çdonjëri prej miqve do të përpiqej në këtë mënyrë të çonte në rrugë të drejtë një shpirt, numri i besimtarëve do të dyfishohej çdo vit; dhe kjo mund të arrihet me pjekuri e urti, dhe asnjë dëm nuk do të vijë nga kjo.

Veç kësaj, mësuesit duhet të ndërmarrin udhëtime, dhe nëse përhapja e Mesazhit haptazi shkakton trazira, atëherë ata le të stimulojnë e përgatisin besimtarët, t'i frymëzojnë ata, të gëzojnë zemrat e tyre, t'i gjallërojnë e freskojnë ata me shijet e ëmbla të shenjtërisë.

210. O ju trëndafila në kopshtin e dashurisë së Perëndisë! O ju llampa të ndritshme në kuvendin e dijes së Tij! Kalofshin mbi ju flladet e lehta të Perëndisë, ndriçoftë horizontin e zemrave tuaja Lavdia e Perëndisë. Ju jeni valët e detit të thellë të dijes, ju jeni ushtritë e grumbulluara në fushat e sigurisë, ju jeni yjet në qiejt e dhembshurisë së Perëndisë, ju jeni gurët që bëjnë të marrin arratinë njerëzit shpirt-humbur, ju jeni retë e mëshirës hyjnore mbi kopshtet e jetës, ju jeni hiri i pafund i njëshmërisë së Perëndisë, që është derdhur mbi thelbet e të gjitha gjërave të krijuara.

Në tabelën e hapur të kësaj bote, ju jeni vargjet e njëvetshmërisë së Tij; dhe mbi kullat e larta të pallateve jeni flamujt e Zotit. Në tendat e Tij ju jeni lulet dhe bimët erëmira, në kopshtin e trëndafilave të shpirtit jeni bilbilat që lëshojnë cicërrima të përmallshme. Ju jeni zogjtë që fluturojnë lart në qiellin e dijes, fajkojt mbi krahun e Perëndisë.

Pse, pra, jeni të rënë, pse jeni të heshtur, pse jeni të mpirë e të zymtë? Ju duhet të ndritni si shkreptima dhe të uturini si një det i madh. Si qiri ju duhet të përhapni dritën tuaj, dhe si flladet e lehta të Perëndisë të fryni mbi mbarë botën. Ashtu si frymë e ëmbël nga tendat qiellore, si erëra myshku nga kopshtet e Zotit, ju duhet të kundërmoni ajrin për njerëzit e dijes, dhe si shkëlqimet që lëshon Dielli i vërtetë duhet të ndriçoni zemrat e njerëzisë. Sepse ju jeni erërat e mbushura me jetë, ju jeni kundërmimet e jaseminit nga kopshtet e të shpëtuarve. Jepuni, pra, jetë të vdekurve dhe zgjoni ata që janë në gjumë. Në errësirën e botës jini flakë të ndritshme; në shkretëtirën e humbjes jini burime të ujit të jetës, jini udhërrëfyesit që vinë nga Zoti Perëndia. Tani është koha për të shërbyer, tani është koha për të qenë zjarr e flakë. Dijeni vlerën e kësaj mundësie, këtë rrethanë të favorshme që është një hir i pafund, para se t'ju ikë nga duart.

Së shpejti ato pak ditë, jeta jonë kalimtare, do të marrin fund, dhe ne duarbosh do të kalojmë në gropën e gërmuar për ata që nuk flasin më; prandaj duhet t'i lidhim zemrat tona me Bukurinë e dukshme, dhe të mbahemi pas mjetit të shpëtimit që kurrë nuk mungon. Ne duhet t'i përvishemi shërbimit, të ndezim zjarrin e dashurisë dhe të digjemi në nxehtësinë e tij. Ne duhet t'i zgjidhim gjuhët tona deri sa të ndezim zjarr zemrën e gjithë botës, dhe me rrezet e ndritshme të udhërrëfimit të zhdukim ushtritë e natës, e pastaj, për hir të Tij, të japim jetën tonë në fushën e sacrificës.

Të përhapim në çdo popull margaritarët e ruajtur të njohjes së Perëndisë, dhe me tehun e mprehtë të gjuhës e shigjetat e pagabueshme të dijes të mposhtim ushtritë e egos e të pasionit, të nxitojmë për në fushën e martirizimit, në vendin ku ne vdesim për Zotin. Pastaj me flamujt që valëviten e nën trokitjen e trumpetave të kalojmë në mbretërinë e Lavdiplotit e të bashkohemi me Grupimin e epërm.

Lum ata që kryejnë vepra të mëdha.

211. Kur miqtë nuk përpiqen të përhapin mesazhin, ata nuk kujtojnë siç duhet Perëndinë dhe nuk do të shohin shenjat e ndihmës e të konfirmimit nga Mbretëria Abhá dhe as do të kuptojnë misteret hyjnore. Por, nëse gjuha e mësuesit angazhohet në mësimdhënie, ai do të bëhet një magnet që tërheq ndihmën hyjnore dhe bujarinë e Mbretërisë, dhe do të jetë si zogu në orën e agut, i cili gjallërohet nga vetë kënga e tij, nga cicërrima dhe melodia e tij.

212. Pikërisht në kohë të tilla miqtë e Perëndisë përfitojnë nga rasti, shfrytëzojnë mundësinë, sulen përpara dhe fitojnë çmimin. Nëse detyra e tyre kufizohet me sjelljen dhe këshillën e mirë, asgjë nuk do të arrihet. Ata duhet të flasin, të parashtrojnë provat, të japin argumente të qarta, të nxjerrin përfundime të pakundërshtueshme që tregojnë të vërtetën e manifestimit të Diellit të Realitetit.

213. Puna e mësimdhënies duhet ndjekur me çdo kusht nga besimtarët, sepse nga kjo varen konfirmimet hyjnore. Nëse një Bahá'í nuk angazhohet tërësisht, energjikisht e me gjithë zemër në punën e mësimdhënies, ai pa dyshim do të privohet nga bekimet e Mbretërisë Abhá. Megjithatë kjo veprimtari duhet zhvilluar me maturi e urti - jo me atë urti e cila kërkon që njeriu të qëndrojë i heshtur e të lerë në harresë një detyrë të tillë, por një urti e cila kërkon nga njeriu të tregojë tolerancë hyjnore, dashuri, mirësi, durim, karakter të mirë dhe vepra të shenjta. Me një fjalë, të inkurajojë miqtë individualisht që të shpjegojnë Kauzën e Perëndisë dhe të tërheqë vëmendjen e tyre për këtë kuptim të urtisë që përmendet në Shkrimet, e cila vetë është thelbi i mësimit të Besimit njerëzve - por të gjitha këto duhen bërë me tolerancën më të madhe, në mënyrë që mbështetja qiellore dhe konfirmimi hyjnor të ndihmojnë miqtë.

214. Ndiq rrugën e Zotit tënd, dhe mos thuaj atë që veshët nuk e mbajnë dot ta dëgjojnë, sepse një fjalë e tillë është si ushqimi i ëmbël që u jepet fëmijëve të vegjël. Sado i shijshëm, i rrallë dhe i ushqyeshëm të jetë ushqimi, ai nuk mund të asimilohet nga organet tretëse të një foshnje gjiri. Prandaj secilit që gëzon të drejtën për këtë, t'i jepet në masën e duhur.

'Jo çdo gjë që di njeriu mund të tregohet, dhe jo çdo gjë që ai mund të tregojë mund të quhet se është bërë në kohën e duhur, dhe jo çdo thënie e bërë në kohën e duhur mund të konsiderohet e përshtatshme për aftësinë e atyre që e dëgjojnë'. E tillë është urtia e përkryer që ti duhet të ndjekësh në veprimet e tua. Mos e harro këtë nëse dëshiron të jesh njeri i veprimit në të gjitha kushtet. Në fillim diagnostikoje sëmundjen dhe përcaktoje atë, pastaj jep ilaçin, sepse e tillë është metoda e përsosur e mjekut të zot.

215. Unë shpresoj se hiri i të Vetmit Zot të vërtetë do të të bëjë ty të aftë të përhapësh aromat e Perëndisë midis fiseve. Kjo është tepër e rëndësishme. ...

Nëse ke sukses në kryerjen e këtij shërbimi, ti do të shquhesh e do të jesh i pari në betejë.

216. Të jesh i sigurt se fryma e Shpirtit të Shenjtë do të ta zgjidhë gjuhën. Prandaj fol; fol me guxim të madh në çdo takim. Para se të nisësh fjalën, ktheje fytyrën ndaj Bahá'u'lláh-ut dhe lutu që të kesh konfirmimet e Shpirtit të Shenjtë, pastaj hape gojën dhe thuaj çdo gjë që të sugjeron zemra; por këtë bëje me kurajon, dinjitetin e bindjen më të madhe.

Unë shpresoj se nga dita në ditë mbledhjet tuaja do të shtohen e lulëzojnë dhe se ata që kërkojnë të vërtetën do t'u venë veshin atje argumenteve të arsyeshme dhe provave vendimtare. Unë jam me ju me zemër e me shpirt; jini të sigurt për këtë.

217. Mësuesi, kur jep mësim, duhet të jetë ai vetë gjithë zjarr, në mënyrë që fjala e tij, si flakë zjarri, të ndikojë e të djegë perden e egos e të pasionit. Ai duhet të jetë gjithashtu i përvuajtur e i përunjur, në mënyrë që të tjerët të lartësohen, dhe të jetë krejtësisht modest e të mos bjerë në sy fare, në mënyrë që të jape mësim me melodinë e Tubimit të epërm - përndryshe mësimi i tij nuk do të ketë efekt.

218. O ju miq të ngushtë e të dashur të 'Abdu'l-Bahá-it!

Në Lindje aroma erëmira përhap,
Dhe shkëlqime shpërndan në Perëndim.
I çon dritë bullgarit,
Sllavit i fal jetë e gjallërim.

Një vit pas ngjitjes në qiell të Bahá'u'lláh-ut, erdhi ky varg nga goja e Qendrës së Besëlidhjes. Shkelësve të Besëlidhjes ai iu duk vërtet i çuditshëm dhe e pritën me përçmim. Megjithatë, lëvduar qoftë Perëndia, pasojat e tij tani duken sheshit, fuqia e tij është zbuluar, rëndësia e tij është e qartë; sepse me hir të Perëndisë sot si Lindja dhe Perëndimi po drithërohen nga gëzimi, dhe tani nga flladet e ëmbla të shenjtërisë gjithë dheu bie erë myshk.

Bukuria e Bekuar, me gjuhë të pagabueshme, ka bërë këtë premtim në Librin e Tij: 'Ne ju vështrojmë nga mbretëria Jonë e lavdisë, dhe do të ndihmojmë cilindo që do të ngrihet për triumfin e Kauzës Sonë, me ushtritë e Tubimit qiellor dhe me një aradhe të engjëjve Tanë më të dashur'1.

Faleminderit Perëndisë, ndihma e premtuar është dhënë, siç e shohin qartë të gjithë, dhe ajo ndrit fort si dielli në qiell.

Prandaj, o miq të Perëndisë, dyfishojini përpjekjet tuaja, tendosni çdo nerv, derisa të triumfoni në shërbimin tuaj ndaj Bukurisë së Bekuar, Dritës së Dukshme, dhe përhapni në të katër anët rrezet e Yllit të Ditës të së Vërtetës. Futni në trupin e rraskapitur e të dërrmuar të botës frymën e freskët të jetës, dhe mbillni farën e shenjtë në brazdat e çdo treve. Ngrihuni të mbroni këtë Kauzë; hapeni gojën dhe jepni mësim. Jini një qiri udhërrëfyes në vendtakimin e jetës; jini yje vezullues në qiejt e kësaj bote; jini në kopshtet e unitetit zogj të shpirtit, që këndojnë për të vërtetat e misteret e fshehta.

Shpenzojeni çdo frymë të jetës suaj në këtë Kauzë të madhe dhe kushtojani të gjitha ditët tuaja shërbimit të Bahá-it, në mënyrë që në fund, të sigurt nga çdo humbje e privim, të trashëgoni thesaret e grumbulluara të mbretërive të sipërme. Sepse ditët e njeriut janë plot rreziqe dhe nuk ka siguri për jetën as edhe një çast të vetëm; e megjithatë njerëzit, që janë si një mirazh i lëkundur iluzionesh, mendojnë me vete se në fund do të arrijnë lartësitë. Mjerë ata! Njerëzit e kohëve të shkuara i ushqenin këto fantazira në gjokset e tyre, derisa një valë i goditi dhe i ktheu në pluhur, dhe ata e panë veten të përjashtuar e të lënë shkret - të gjithë veç atyre shpirtrave që e kishin çliruar veten nga egoja dhe kishin flakur jetët e tyre në shtegun e Perëndisë. Ylli i tyre i ndritshëm ndriti në qiejt e lavdisë së lashtë, dhe kujtimet e trashëguara të të gjitha epokave janë prova e asaj që them unë.

Prandaj, mos pushoni as ditë as natë e mos kërkoni rehat. Tregoni sekretet e të qënit shërbëtorë, ndiqni shtegun e shërbimit, derisa të arrini ndihmën e premtuar që vjen nga mbretëritë e Perëndisë.

O miq! Re të zeza kanë mbuluar gjithë këtë tokë, dhe errësira e urrejtjes e e ligësisë, e egërsisë, e agresionit dhe e njollosjes po përhapet në të gjitha anët. Njerëzit, të gjithë pa përjashtim, e jetojnë jetën e tyre në hutim të shkujdesur dhe mendojnë se virtytet kryesore të njeriut janë lakmia dhe etja për gjak. Nga gjithë masa e njerëzisë Perëndia ka zgjedhur miqtë dhe i ka favorizuar ata me udhëheqjen e hirin e pakufi të Tij. Qëllimi i Tij është që ne të gjithë pa përjashtim të përpiqemi me gjithë zemër të ofrojmë veten tonë, të udhëheqim të tjerët në shtegun e Tij dhe të edukojnë shpirtrat e njerëzve - derisa këto shtazë të tërbuara të kthehen në gazela në livadhet e njëshmërisë, dhe këta ujqër në qingja të Perëndisë, dhe këto krijesa mizore në ushtri engjësh; derisa zjarret e urrejtjes të shuhen dhe flaka që vjen nga lugina e mbrojtur e Tempullit të Shenjtë të përhapë shkëlqimet e saj; derisa ajo erë e qelbur plehrash e tiranit të shpërndahet dhe të vijnë kundërmimet e pastra e të këndshme që fryjnë nga trëndafilishtet e besimit e të shpresës. Në atë ditë njerëzit me mendje të dobët do të përfitojnë nga bujaria e Mendjes Universale, hyjnore, dhe ata, jeta e të cilëve është e neveritshme, do të kërkojnë këto fllade pastruese, të shenjta.

Por duhet të ketë shpirtra që të shfaqin dhunti të tilla, duhet të ketë bujq që t'i punojnë këto fusha, kopshtarë për këto kopshte, duhet të ketë peshq që të notojnë në këtë det, yje që të shkëlqejnë në këta qiej. Këta të sëmurë duhet të kurohen nga mjekë shpirtërorë, këta të humbur kanë nevojë për udhërrëfyes zemërmirë - në mënyrë që ata që kanë mbetur keq dhe ata që janë të privuar të marrin nga këta shpirtra pjesën e tyre, dhe të varfërit të zbulojnë tek ata një pasuri të pafund, dhe kërkuesit të dëgjojnë prej tyre prova të pakundërshtueshme.

O Zoti im, Mbrojtësi im, Ndihma ime në rrezik! Të përgjërohem me përunjësi, i sëmurë unë vi tek Ti për t'u shëruar, me përulësi të lutem Ty me gjuhën time, me shpirtin tim:

O Perëndi, Perëndia im! Errësira e natës ka mbuluar çdo trevë dhe gjithë toka është fshehur pas reve të dendura. Popujt e botës janë zhytur në thellësitë e errëta të iluzioneve të kota, ndërsa tiranët e tyre kridhen në mizori e urrejtje. Unë nuk shoh asgjë veç vezullimit të zjarreve përzhitës që dalin nga humnera më e thellë, nuk dëgjoj asgjë veç gjëmimit bubullues që buçet nga mijëra e mijëra armë të përflakura sulmi, ndërkohë që çdo vend thërret me të madhe në gjuhën e tij sekrete: 'Pasuritë e mia nuk vlejnë asgjë, dhe sovraniteti im ka marrë fund'.

O Zoti im, llambat e udhërrëfimit janë shuar. Flakët e pasionit po ngrihen lart, dhe dashakeqësia po pushton botën. Ligësia dhe urrejtja janë përhapur mbi tërë sipërfaqen e tokës, dhe unë nuk gjej shpirtra veç grupit Tënd të vogël e të keqtrajtuar, që po lëshojnë këtë thirrje:

Nxitoni të tregoni mirësi! Nxitoni të shfaqni besnikëri! Nxitoni të jepni! Ngrihuni për të treguar rrugën e drejtë!

Ngrihuni për harmoni! Të soditni Yllin e Ditës! Ngrihuni për dashuri, për tetësim! Ngrihuni për miqësi e paqe!

Ejani dhe hidhni tej armët e zemërimit, derisa të arrihet uniteti! Ejani dhe në shtegun e vërtetë të Zotit secili të ndihmojë shokun.

Me të vërtetë bëj që këta të munduar Tuaj me gëzim të papërmbajtur, me gjithë zemër e shpirt të flijojnë vetveten për mbarë njerëzimin në çdo vend. Ti i sheh ata, O Zoti im, të vajtojnë për lotët që derdhin njerëzit e Tu, të qajnë për brengën e bijve të Tu, duke ngushëlluar njerëzimin, duke u hidhëruar për shkak të fatkeqësive që u bien mbi kokë të gjithë atyre që banojnë mbi tokë.

O Zoti im, jepu atyre krahë me anë të fitores, që të mund të fluturojnë lart drejt shpëtimit, forcoi këllqet e tyre në shërbim të njerëzve të Tu dhe shpatullat e tyre për t'i shërbyer Pragut Tënd të Shenjtërisë.

Me të vërtetë Ti je Zemërgjeri, me të vërtetë Ti je i Mëshirshmi! Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Zemërmirit, të Dhembshurit, të Lashtit të Kohëve!

219. O ju bij dhe bija të Mbretërisë! Letrën tuaj, të frymëzuar me siguri nga qielli, e morëm. Përmbajtja e saj ishte me të vërtetë shumë e kënaqshme, ndjenjat e saj dilnin nga zemra të shndritshme.

Besimtarët në Londër janë vërtet të qëndrueshëm e besnikë, ata janë të vendosur, ata janë konsekuentë në shërbim; kur vihen në provë, ata nuk lëkunden, dhe zjarri i tyre nuk fashitet me kalimin e kohës; përkundrazi, ata janë Bahá'í. Ata i përkasin qiellit, ata janë plot dritë, ata i përkasin Perëndisë. Pa pikë dyshimi, ata do të bëjnë që të ngrihet lart Fjala e Perëndisë dhe të çohet përpara njëshmëria e botës së njeriut; që mësimet e Perëndisë të gjejnë përkrahje dhe të përhapet në të katër anët barazia e çdo pjesëtari të gjinisë njerëzore.

Është e lehtë të bëhesh kabull në Mbretërinë e Qiellit, por e vështirë të qëndrosh fort e i patundur brenda saj, sepse sprovat janë të rrepta dhe të rënda për t'i përballuar. Por anglezët qëndrojnë të patundur në të gjitha kushtet dhe këmbët e tyre nuk shkasin në shenjën e parë të telasheve. Ata nuk janë të paqëndrueshëm, nuk i futen symbylltazi ndonjë pune e pastaj shpejt ta braktisin atë. Atyre nuk u mungon entuziazmi e zelli për ndonjë arsye të parëndësishme, kur nuk kanë më interes. Jo, në çdo gjë që bëjnë ata janë të qëndrueshëm, të palëvizshëm si shkëmbi e të patundur.

Edhe pse jetoni në vende perëndimore, ju, lëvduar qoftë Perëndia, e keni dëgjuar thirrjen e Tij nga lindja dhe, ashtu si Moisiu, jeni ngrohur në zjarrin e ndezur në Pemën Aziatike. Ju keni gjetur rrugën e vërtetë, jeni ndezur si llampa dhe keni ardhur në Mbretërinë e Perëndisë. Dhe tani jeni ngritur, nga mirënjohja për këto bekime, dhe po kërkoni ndihmën e Perëndisë për të gjithë popujt e tokës, që edhe sytë e tyre të sodisin shkëlqimet e Mbretërisë Abhá, dhe zemrat e tyre, si pasqyra, të reflektojnë rrezet e ndritshme të Diellit të së Vërtetës.

Shpresoj se flladet e Shpirtit të Shenjtë do të futen në zemrat tuaja në mënyrë të tillë që gjuhët tuaja të zbulojnë misteret, të parashtrojnë e shpjegojnë kuptimet e brendshme të Librave të Shenjtë; që miqtë të bëhen mjekë dhe, me ilaçin e fuqishëm të Mësimeve hyjnore, të shërojnë sëmundjet që prej një kohe të gjatë mundojnë trupin e kësaj bote; që ata t'i bëjnë të verbërit të shohin, të shurdhërit të dëgjojnë, të vdekurit të ngjallen; që të zgjojnë ata që janë në gjumë të thellë.

Të jeni të sigurt se konfirmimet e Shpirtit të Shenjtë do të zbresin mbi ju dhe ushtritë e Mbretërisë Abhá do t'ju dhurojnë fitoren.

220. Zoti i mbarë njerëzimit e ka artuar këtë mbretëri njerëzore që të jetë një Kopsht i Edenit, një parajsë tokësore. Nëse, ashtu siç duhet, gjen rrugën e harmonisë e të paqes, të dashurisë e të besimit të ndërsjellë, ajo do të bëhet shtëpi e vërtetë e lumturisë, vend i bekimeve të shumta e i kënaqësive të pafund. Aty do të zbulohet përsosmëria e njerëzimit, aty rrezet e Diellit të së Vërtetës do të ndritin në të gjitha anët.

Sillni ndërmend sesi Adami dhe të tjerët jetonin dikur së bashku në Eden. Por sapo shpërtheu një grindje midis Adamit dhe Satanit, ata, të gjithë pa përjashtim, u dëbuan nga Kopshti, dhe ky ishte një paralajmërim që i bëhej gjinisë njerëzore, një mjet për t'i thënë njerëzimit se përçarja - madje edhe me Djallin - është rruga e humbjes së hidhur. Ja përse, në epokën tonë të ndriçuar, Perëndia na mëson se konfliktet e polemikat nuk janë të lejueshme, madje as me vetë Satanin.

Perëndi i mëshirshëm! Edhe duke pasur përpara një mësim të tillë, sa i shkujdesur është njeriu! Ne ende e shohim botën e tij në luftë nga njëri pol në tjetrin. Ka luftë midis feve; luftë midis kombeve; luftë midis popujve; luftë midis sundimtarëve. Ç'ndryshim i mirëpritur do të ishte sikur këto re të zeza të largoheshin nga qiejt e botës, në mënyrë që drita e realitetit të përhapej gjithandej! Sikur pluhuri i zi i kësaj lufte e vrasjeje të rrëzohej përgjithmonë dhe erërat e lehta të dashamirësisë së Perëndisë të frynin nga burimet e paqes. Atëherë kjo botë do të bëhej tjetër botë, dhe toka do të shkëlqente nga dritat e Zotit të saj.

Nëse ka ndonjë shpresë, ajo qëndron vetën në bujarinë e Perëndisë: që të vijnë ndihma e dhuratat e Tij, që lufta e kundërvëniet të pushojnë, që shija e hidhur e çelikut që kullon gjak të kthehet në nektar të miqësisë, të drejtësisë e të besimit. Sa e ëmbël do të ishte ajo ditë në shije, sa kundërmuese me erë myshku do të ishte aroma e saj.

Dhëntë Perëndia që viti i ri të sjellë një premtim të paqes së re. I dhëntë Ai mundësi këtij Kuvendi të shquar të arrijë një paqe të drejtë dhe një marrëveshje e besëlidhje të ndershme, që ju të bekoheni përjetë, deri në pafundësi.

[Drejtuar lexuesve të The Christian Commonwealth, 1 janar 1913]

221. O ju që jeni të patundur në Besëlidhjen! Zotërija e tij pelegrin ka përmendur secilin prej jush dhe ka kërkuar që secilit t'i dërgohet një letër më vete, por njëmijë punë e preokupacione e pengojnë këtë endacak në shkretëtirën e dashurisë së Perëndisë të mbajë një korrespendencë të tillë; dhe meqenëse nga lindja dhe perëndimi i tokës ka vërshuar një rrymë gjithnjë në rritje letrash për të, do të ishte e pamundur t'i dërgohej secilit nga një letër më vete, prandaj kjo letër i drejtohet gjithsecilit prej jush, në mënyrë që si verë e zgjedhur të gëzojë shpirtrat tuaj dhe të ngrohë zemrat tuaja.

O ju të dashur që jeni të patundur! Hiri i Perëndisë po resh mbi njerëzimin si shirat në pranverë, dhe rrezet e Dritës së dukshme kanë bërë që këtë tokë ta ketë zili qielli. Por mjerisht, të verbërit janë të privuar nga kjo dhunti, të shkujdesurit janë të ndarë si me perde prej saj, të fishkurit janë të dëshpëruar, të vyshkurit po vdesin - kështu që, si ujëra në vërshim, kjo rrymë e pafund hiri kthehet mbrapsht në burimin fillestar në një det të fshehur. Vetëm disa e përfitojnë këtë hir dhe marrin prej tij pjesën që u takon. Prandaj le t'i mbështesim shpresat në gjithçka që mund të sjellë krahu i fortë i të Shumëdashurit.

Ne kemi besim se në të ardhmen ata që flejnë do të zgjohen, të shkujdesurit do të bëhen të vetëdijshëm dhe të përjashtuarit do të bëhen njohës të mistereve. Tani miqtë duhet të punojnë me mish e me shpirt dhe të bëjnë përpjekje të fuqishme, derisa ledhet e përçarjes të sheshohen dhe dritat e njëshmërisë së njerëzimit t'i çojnë të gjithë drejt unitetit.

Sot nevoja mbizotëruese është uniteti e harmonia midis të dashurve të Zotit, sepse ata duhet të bëhen mes vetes një zemër e një shpirt dhe, me sa varet prej tyre, t'i bëjnë ballë së bashku armiqësisë së gjithë popujve të botës; ata duhet t'u japin fund paragjykimeve dritëshkurtëra të të gjitha kombeve e feve dhe t'i bëjnë të ditur çdo pjesëtari të gjinisë njerëzore se të gjithë janë gjethe të një dege, fryte të një degëze.

Por derisa të vijë kjo kohë, ndërsa miqtë ende nuk kanë vendosur unitet të plotë në mes tyre, si munden ata t'u bëjnë thirrje të tjerëve për harmoni e paqe?

Ai shpirt që vetë nuk është i gjallë,
A mund të shpresojë një tjetër të ringjallë?

Reflektoni për format e tjera të jetës veç asaj njerëzore dhe jini të paralajmëruar: ato re që çahen nuk mund të japin dhuratën e shiut dhe shpejt humbasin; një kope dhensh, kur shpërndahet bëhet pre e ujkut dhe zogjtë që fluturojnë të vetmuar bien shpejt në kthetrat e skifterit. Ç'demonstrim më të mirë se ky mund të ketë që uniteti çon në lulëzimin e jetës, ndërsa përçarja dhe largimi nga të tjerët çon vetëm në mjerim; sepse këto janë rrugët e sigurta që çojnë në zhgënjim të hidhur e rrënim.

Manifestimet e shenjta të Perëndisë u dërguan për të bërë të dukshme njëshmërinë e njerëzimit. Ata duruan të këqia e mundime të panumërta, që një komunitet nga gjiri i popujve të ndryshëm të njerëzimit të mblidhej nën hijen e Fjalës së Perëndisë e të jetonte si një trup i vetëm, dhe me gëzim e hir të tregonte unitetin e njerëzimit mbi tokë. Prandaj dëshira e miqve duhet të jetë të mbledhin e bashkojnë të gjithë popujt, që të gjithë të pinë pa kursim këtë verë të kulluar nga 'kupa e mbushur në burimin e kamfurit'1. Le t'i bëjnë ata popullatat e ndryshme të jenë si një trup i vetëm dhe t'i nxitin fiset armike e vrastare të tokës që, përkundrazi, të duan njëri-tjetrin. Le të lirojnë ata nga zinxhirët robërit e dëshirave lakmitare dhe të bëjnë që të përjashtuarit të hyjnë në brendi të mistereve. Le t'u japin ata të privuarve pjesë nga bekimet e këtyre ditëve; le t'i udhëheqin ata që kanë mbetur pa pjesë për në thesarin e pashtershëm. Ky hir mund të vijë përmes fjalëve, sjelljes e veprave që janë të Mbretërisë së padukshme, por që po të mungojnë këto kurrë nuk mund të vijë.

Konfirmimet e Perëndisë janë siguria për këto bekime; është mirësia e shenjtë e Perëndisë që i jep këto dhurata të mëdha. Miqtë e Perëndisë kanë mbështetjen e Mbretërisë së epërme dhe ata arrijnë fitore përmes ushtrive të përqendruara të udhëheqjes më të madhe. Kështu për ta do të sheshohet çdo vështirësi, çdo problem do të zgjidhet shumë lehtë.

Shikoni sa lehtë drejtohen punët në një familje, kur në atë familje ka unitet; ç'përparime bëjnë pjesëtarët e asaj familjeje, si rritet mirëqenia e tyre në botë. Gjërat që u interesojnë janë në rregull, ata gëzojnë komoditet e qetësi, ata janë të siguruar, pozita e tyre është e sigurt, të gjithë i kanë zili. Një familje e tillë vetëm rrit shquarsinë dhe nderin e saj vazhdimisht nga dita në ditë. Dhe nëse e zgjerojmë ca sferën e unitetit, duke përfshirë banorët e një fshati që përpiqen të jenë të dashur e të bashkuar, që shoqërohen e janë dashamirës me njëri-tjetrin, ç'përparime të mëdha do të bënin, sa të siguruar e të mbrojtur do të ishin ata. Atëherë le ta zgjerojmë edhe ca sferën, le të marrim banorët e një qyteti, të gjithë së bashku: nëse ata vendosin lidhjet më të forta të unitetit në mes tyre, sa shumë do të përparonin ata, dhe ç'pushtet do të ushtronin. Dhe nëse sfera e unitetit do të zgjerohej akoma më tej, domethënë nëse banorët e një vendi të tërë do të zhvillonin ndjenja paqësore në zemrat e tyre, nëse ata me gjithë zemër e shpirt do të ushqenin dëshirën e zjarrtë që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin e të jetojnë në unitet, nëse ata do të bëheshin dashamirës e të dashur me njëri-tjetrin, ai vend do të arrinte gëzim të pavdekshëm e lavdi të përhershme. Ai do të kishte paqe, bollëk e pasuri të madhe.

Atëherë shikoni: nëse çdo klan, fis, komunitet, çdo komb, vend e territor mbi tokë do të bashkoheshin nën tendën njëngjyrëshe të njëshmërisë së njerëzimit dhe falë rrezeve të shndritshme të Diellit të së Vërtetës do të shpallnin universalitetin e njeriut; nëse ata do të bënin që të gjitha kombet e besimet t'i hapnin krahët njëri-tjetrit, të krijonin një Këshill Botëror dhe t'i lidhnin pjesëtarët e shoqërisë me njëri-tjetrin përmes lidhjesh reciproke të forta, çfarë do të ndodhte atëherë? S'ka pikë dyshimi se i Shumëdashuri hyjnor, me tërë bukurinë e Tij që pushton zemrat, e bashkë me të një ushtri e panumërt konfirmimesh qiellore dhe bekimesh e dhuntish njerëzore do të shfaqeshin në lavdinë e plotë para tubimit të botës.

Prandaj, o ju të dashurit e Zotit, vihuni në lëvizje, bëni gjithçka varet prej jush që të jeni si një trup i vetëm, të jetoni në paqe, gjithsecili me të tjerët: sepse të gjithë ju jeni pika uji të një oqeani të vetëm, gjethe të një peme të vetme, margaritarë të një guaske të vetme, lule e barëra të freskëta të të njëjtit kopsht. Dhe pasi të keni arritur këtë, përpiquni të bashkoni zemrat e atyre që ndjekin besime të tjera.

Ju duhet të jepni madje edhe vetë jetën për njëri-tjetrin. Ju duhet të jeni pafundësisht dashamirës ndaj çdo qënieje njerëzore. Mos quani të huaj askënd; mos mendoni për asnjeri se është armiku juaj. Silluni sikur të gjithë njerëzit të ishin të afërmit tuaj dhe miqtë tuaj të nderuar. Ecni në mënyrë të tillë, që kjo botë kalimtare të shndërrohet në shkëlqim dhe grumbulli i zymtë i pluhurit të bëhet një pallat kënaqësish. Kjo është këshilla e 'Abdu'l-Bahá-it, e këtij shërbëtori fatkeq.

222. O ju të pastrehë e endacakë në Shtegun e Perëndisë! Mirëqenia, kënaqësitë dhe liria, sado të dëshiruara të jenë e të gëzojnë zemrën njerëzore, kurrsesi nuk mund të krahasohen me sprovat e të qënit i pastrehë e të fatit të mbrapshtë në shtegun e Perëndisë; sepse një dëbim e syrgjynosje e tillë kanë bekimin e favorit hyjnor dhe pasohen me siguri nga mëshira e Perëndisë. Gëzimi i qetësisë në shtëpinë e dikujt, dhe ëmbëlsia e të qënit i lirë nga të gjitha hallet do të kalojnë, ndërsa bekimi i të qënit i pastrehë do të vazhdojë përgjithmonë dhe pasojat e tij të largëta do të bëhen të dukshme.

Emigrimi i Abrahamit nga vendlindja e tij bëri që dhuratat bujare të Lavdiplotit të bëheshin të dukshme, dhe perëndimi i yllit aq të ndritshëm të Kanaanit shpalosi para syve shkëlqimin e Josifit. Ikja e Moisiut, Profetit të Sinait, reveloi Flakën e Zjarrit të pashuar të Zotit, dhe ngritja e Jezusit solli Frymën e Shpirtit të Shenjtë në botë. Ikja e Muhametit, të Shumëdashurit të Perëndisë, nga qyteti i lindjes qe shkaku i lartësimit të Fjalës së Shenjtë të Perëndisë, dhe syrgjynosja e Bukurisë së Bekuar çoi në përhapjen e dritës së Revelacionit të Tij hyjnor në të gjitha viset.

Hapni sytë, o njerëz me gjykim!

223. O ju bij dhe bija të Mbretërisë! Letrën tuaj e morëm. Nga përmbajtja e saj mësuam se, lëvduar qoftë Perëndia, zemrat tuaja janë krejt të pastra dhe shpirtrat tuaj ngazëllehen për sihariqet e Perëndisë. Masa e njerëzve janë të pushtuar nga vetvetja e nga dëshirat tokësore, janë të zhytur në oqeanin e botës së poshtme dhe janë robër të botës së natyrës, me përjashtim të atyre shpirtrave që janë çliruar nga zinxhirët e prangat e botës materiale dhe, si zogj që fluturojnë me shpejtësi, janë ngjitur lart në këtë mbretëri të lirë. Ata janë zgjuar e syhapur, ata e flakin me përbuzje errësirën e botës së natyrës, dëshira e tyre më e madhe është e përqendruar te çrrënjosja e luftës për ekzistencë midis njerëzve, te shkëlqimi i shpirtësisë e i dashurisë së mbretërisë së epërme, te shfaqja e dashamirësisë më të madhe midis popujve, te realizimi i një lidhjeje të fortë e të ngushtë midis feve, dhe te vënia në jetë e idealit të vetëflijimit për njëri-tjetrin. Atëherë bota e njerëzimit do të shndërrohet në Mbretëri të Perëndisë.

O ju miq, bëni një përpjekje! Çdo shpenzim ka nevojë për një të ardhur. Sot në botën e njerëzimit, njerëzit gjithë kohën shpenzojnë, sepse lufta s'është veçse harxhim i njerëzve e i pasurisë. Të paktën angazhohuni në një punë që i sjell fitim botës së njerëzimit, që të shpërbleheni pjesërisht për atë humbje. Ndoshta, falë konfirmimeve hyjnore, ju mund të ndihmoheni në përhapjen e miqësisë e të mirëkuptimit midis njerëzve, duke e zëvendësuar armiqësinë me dashurinë, duke bërë që nga lufta universale të vijë paqja universale dhe duke e shndërruar humbjen e zemërimin në fitim e dashuri. Kjo dëshirë do të realizohet përmes fuqisë së Mbretërisë.

224. O ti shërbëtor i Perëndisë! Letrën tënde e morëm. Përmbajtja e saj ishte fisnike e sublime, dhe qëllimi i saj i lartë e që shkon larg. Bota e njerëzimit ka nevojë për një përmirësim të madh, sepse ajo është një xhungël materiale, ku lulëzojnë pemë pa fryte dhe ka me bollëk fara të padobishme. Nëse ka ndonjë pemë që jep fryte, atë e mbytin pemët që nuk japin fryte, dhe nëse në këtë xhungël rritet një lule, ajo është e fshehur e nuk duket. Bota e njerëzimit ka nevojë për kopshtarë me përvojë që t'i shndërrojnë këto pyje në trëndafilishte të këndshme, që t'i zëvendësojnë këto pemë shterpe me pemë që japin fryte, dhe ato fara të padobishme me trëndafila e barëra erëmirë. Kështu shpirtrat aktivë e njerëzit syhapur nuk pushojnë as ditë as natë; ata përpiqen të jenë të lidhur ngushtë me Mbretërinë hyjnore dhe të bëhen kështu manifestime të mirësisë së pafund e kopshtarë idealë për këto pyje. Kështu bota e njerëzimit do të transformohet krejtësisht dhe dhuntitë e të Mëshirshmit do të bëhen të dukshme.

225. O ju tubim i Mbretërisë Abha! Dy thirrje për sukses e mirëqenie janë lëshuar nga majat e lumturisë së njerëzimit, duke zgjuar ata që janë në gjumë, duke u falur shikim të verbërve, duke i bërë të shkujdesurit të ndërgjegjshëm, duke u dhuruar ndigjimin të shurdhërve, duke u zgjidhur gjuhën memecëve dhe duke ngjallur të vdekurit.

Njëra është thirrja për qytetërim, për progres të botës materiale. Kjo ka të bëjë me botën e dukurive, mbështet parimet e realizimit material dhe është mësuesi për arritjet fizike të njerëzimit. Këto ligje, rregulla, arte dhe shkenca janë treguesi i zhvillimit të botës së njerëzimit; këto ligje e rregulla janë fryti i idealeve të larta e rezultati i mendjeve të shëndosha, dhe kanë hyrë në arenën e ekzistencës nëpërmjet përpjekjeve të njerëzve të urtë e të kulturuar në epokat e shkuara e të ardhshme. Bartësi dhe fuqia ekzekutive e kësaj thirrjeje është qeverisja e drejtë.

Tjetra është thirrja prekëse e Perëndisë, mësimet shpirtërore të të Cilit garantojnë lavdinë e pasosur, lumturinë e ndriçimin e përjetshëm të botës së njerëzimit, dhe bëjnë që atributet e mëshirshme të revelohen në botën njerëzore e në jetën e përtejme.

Kjo thirrje e dytë bazohet në udhëzimet e porositë e Zotit dhe në këshillat e emocionet altruiste që i përkasin mbretërisë së moralit, e cila, si një dritë e shkëlqyeshme ndez e ndriçon llambën e realiteteve të njerëzimit. Forca depërtuese e saj është Fjala e Perëndisë.

Por sakohë që realizimet materiale, arritjet fizike dhe virtytet njerëzore nuk mbështeten nga përsosmëri shpirtërore, cilësi të ndritshme dhe tiparet e të Mëshirshmit, asnjë fyt apo rezultat nuk vjen prej tyre, dhe as mund të arrihet lumturia e botës së njerëzimit, që është qëllimi përfundimtar. Sepse, megjithëqë, nga njëra anë, arritjet materiale dhe zhvillimi i botës fizike sjellin mirëqenie, e cila shfaq në mënyrë të këndshme qëllimet që synonte, nga ana tjetër janë të pashmangshme rreziqe, fatkeqësi të rënda e të këqia të mëdha.

Për rrjedhojë, kur shikon pamjen e rregullt të mbretërive, qyteteve e fshatrave, me stolisjet e tyre tërheqëse, freskinë e burimeve të tyre natyrore, përsosmërinë e pajisjeve të tyre, rehatllëkun e mjeteve të tyre të udhëtimit, shpikjet e mëdha, nismat kolosale, zbulimet fisnike dhe kërkimet shkencore, arrin në përfundimin se qytetërimi çon në lumturinë dhe progresin e botës njerëzore. Por po t'i kthesh sytë nga zbulimi i mjeteve shkatërrimtare e djallëzore, nga zhvillimi i forcave të rrënimit dhe zbulimi i pajisjeve shpërthyese që shkulin pemën e jetës, të bëhet e qartë dhe e dukshme se qytetërimi shoqërohet nga barbarizmi. Progresi dhe barbarizmi ecin krah për krah, sakohë qytetërimi material nuk konfirmohet nga Udhërrëfimi Hyjnor, nga revelacionet e Mëshirëplotit e nga virtyte hyjnore, dhe nuk mbështetet nga një sjellje shpirtërore, nga idealet e Mbretërisë dhe nga vërshimet e Botës së Fuqisë.

Mendoni tani që vendet më të përparuara të botës janë kthyer në arsenale lëndësh shpërthyese, që kontinentet e globit janë shndërruar në kampe e fusha lufte të stërmëdha, që popujt e botës janë transformuar në kombe të armatosura, dhe që qeveritë e botës rivalizojnë me njëra-tjetrën se kush të hyjë e para në fushën e kasapanës e të gjakderdhjes, duke ia nënshtruar kështu njerëzimin të keqes më të madhe.

Prandaj ky qytetërim e ky progres material duhet të kombinohen me Udhërrëfimin Më të Madh, në mënyrë që kjo botë e poshtme të bëhet skena e shfaqjes së dhuntive të Mbretërisë dhe që arritjet fizike të shoqërohen me rrezëllimet e të Mëshirshmit. Kjo me qëllim që bukuria dhe përsosmëritë e botës së njeriut të shpalosen para syve të të gjithëve me hirin e shkëlqimin më të madh. Kështu do të shfaqet lavdia e lumturia e përjetshme.

Lëvduar qoftë Perëndia, përmes shekujve e epokave është ngritur thirrja e qytetërimit, bota e njerëzimit ka avancuar e ka shkuar përpara nga dita në ditë, vende të ndryshme janë zhvilluar me hapa vigane dhe përmirësimet materiale janë shtuar, sakohë që bota e qenies ka fituar aftësi universale për të marrë mësimet shpirtërore e për t'i vënë veshin Thirrjes Hyjnore. Foshnja e gjirit kalon përmes fazash të ndryshme fizike, duke u rritur e zhvilluar në çdo fazë, derisa trupi i saj arrin moshën e pjekurisë. Kur arrin këtë fazë, ajo fiton aftësinë për të shfaqur përsosmëri shpirtërore e mendore. Dritat e të kuptuarit, të inteligjencës e të dijes bëhen të dukshme në të dhe shpalosen aftësitë e shpirtit të saj. Në mënyrë të ngjashme, në botën kalimtare, raca njerëzore ka pësuar ndryshime fizike progresive dhe, përmes një procesi të ngadalshëm, është ngjitur në shkallën e qytetërimit, duke realizuar në veten e saj çuditë, shquarsitë dhe dhuntitë e njerëzimit në formën e tyre më të lavdishme, derisa fitoi aftësinë për të shprehur shkëlqimet e përsosmërive shpirtërore e të idealeve hyjnore dhe u bë e zonja të dëgjonte thirrjen e Perëndisë. Atëherë më në fund u ngrit thirrja e Mbretërisë, u reveluan virtytet dhe përsosmëritë shpirtërore, lindi Dielli i Realitetit dhe u shpallën mësimet e Paqes së Madhe, të njëshmërisë së botës së njerëzimit e të universalitetit të njerëzve. Ne shpresojmë se shkëlqimi i këtyre rrezeve do të bëhet gjithnjë e më i fortë dhe virtytet ideale më të shndritshme, kështu që qëllimi i këtij procesi njerëzor universal do të arrihet dhe dashuria e Perëndisë do të shfaqet me hijeshinë e bukurinë më të madhe dhe do të verbojë të gjitha zemrat.

O ju të dashur të Perëndisë! Dijeni me të vërtetë se lumturia e njerëzimit qëndron në unitetin dhe harmoninë e racës njerëzore dhe se zhvillimi shpirtëror e ai material janë të kushtëzuar nga dashuria e miqësia në mes njerëzve. Shikoni krijesat e gjalla, domethënë ato që lëvizin mbi tokë dhe ato që fluturojnë, ato që kullotin dhe ato që hanë të tjerat. Midis shtazëve grabitqare secili lloj jeton veç nga llojet e tjera të gjinisë së vet, duke iu përmbajtur antagonizmit e armiqësisë së plotë; dhe kurdo që takohen, ato menjëherë përleshen e derdhin gjak, duke kërcëllitur dhëmbët e duke nxjerrë kthetrat. Kështu sillen bishat e egra dhe ujqit gjakatarë, kafshët mishngrënëse që jetojnë më vete dhe luftojnë për jetën e tyre. Kurse kafshët e buta, me karakter të mirë e të urta, qoftë të llojeve që fluturojnë ose që kullotin, shoqërohen me njëra-tjetrën me afrueshmëri të plotë, të bashkuara në kope, dhe e jetojnë jetën e tyre në gëzim, lumturi e kënaqësi. Të tillë janë zogjtë që kënaqen me pak farëra e janë mirënjohës për to; ata jetojnë gjithë gëzim dhe ua marrin këngëve të bukura e melodioze ndërsa fluturojnë mbi livadhe, fusha, kodra e male. Po kështu ato kafshë që kullotin, si dhentë, antilopa dhe gazela, shoqërohen në miqësinë e unitetin më të madh, ndërsa jetojnë në fushat e stepat në gjendje kënaqësie të plotë. Kurse qentë, ujqit, tigrat, hienat dhe bishat e tjera grabitqare janë të huaja për njëra-tjetrën ndërsa gjuajnë e ulërijnë të vetmuara. Krijesat e fushave dhe zogjtë e ajrit as nuk shmangin e bezdisin njëra-tjetrën kur shkojnë në kullotat e vendprehjet e përbashkëta, përkundrazi e pranojnë njëra-tjetrën miqësisht, ndryshe nga bishat grabitqare që menjëherë shqyejnë njëra-tjetrën kur ndonjëra futet në shpellën apo strofullën e tjetrës; madje, edhe nëse ndonjëra thjesht kalon pranë banesës së një tjetre, kjo e fundit menjëherë i sulet dhe po mundi e mbyt të parën.

Pra, është e qartë dhe e dukshme se edhe në botën shtazore dashuria dhe afrueshmëria janë fryti i predispozicionit të mirë, i natyrës së pastër e i karakterit të lavdërueshëm, ndërsa grindja e izolimi janë karakteristike për bishat e egra të pyllit.

Fuqiploti nuk e krijoi njeriun me kthetra e dhëmbë si të shtazëve të egra, përkundrazi forma njerëzore është artuar me virtytet më të përsosura. Nderi i këtij krijimi dhe vlera e kësaj paraqitjeje kërkojnë, pra, që njeriu të ketë dashuri e afrueshmëri për racën e vet, madje që ai të veprojë ndaj të gjitha qenieve të gjalla me drejtësi e paanësi.

Po kështu, shihni sesi shkaku i mbarëvajtjes, lumturisë, gëzimit e mirëqenies së njerëzimit janë miqësia e bashkimi, ndërsa mosmarrëveshjet e grindjet përgjithësisht çojnë në mjerim, poshtërim, trazira e dështim.

Por njëmijë herë mjerisht, që njeriu është moskokëçarës e i pavetëdijshëm për këto fakte, dhe çdo ditë kapardiset gjithandej me karakteristikat e një shtaze të egër. Dhe ja! Në një moment shndërrohet në një tigër të egër; në një momet tjetër bëhet një nepërkë helmuese që zvarritet! Por arritjet sublime të njeriut qëndrojnë në ato cilësi e atribute që u përkasin vetëm engjëjve të Tubimit të Epërm. Prandaj kur njeriu rrezaton cilësi të lavdërueshme e moral të lartë, ai bëhet një qenie qiellore, një engjëll i Mbretërisë, një realitet hyjnor e një shkëlqim qiellor. Nga ana tjetër, kur ai angazhohet në luftë, grindje e gjakderdhje, bëhet më i keq se krijesat më të egra e agresive, sepse nëse ujku i uritur shqyen një qengj brenda një nate të vetme, njeriu masakron njëqind mijë në fushën e luftës, duke e mbuluar vendin me kufomat e tyre dhe duke e njomur tokën me gjakun e tyre.

Me një fjalë, njeriu është i pajisur me dy natyra: njëra priret drejt moralit sublim e përsosmërisë intelektuale, ndërsa tjetra çon në degradim shtazor e papërsosmëri lakmitare. Po të udhëtoni nëpër vendet e globit, do të shihni nga njëra anë mbeturinat e rrënojave e të shkatërrimit, ndërsa nga ana tjetër do të shihni shenjat e qytetërimit e të zhvillimit. Një shkretim e rrënim i tillë janë rezultat i luftës, ndërsa gjithë zhvillimi e progresi janë fryte të dritave të virtytit, të kooperimit e të mirëkuptimit.

Nëse dikush do të udhëtonte përmes shkretëtirave të Azisë Qendrore, do të shihte sesi shumë qytete, dikur të mëdha e të lulëzuara si Parisi e Londra, tani janë të rrënuara e të rrafshuara me tokën. Nga Deti Kaspik deri në Lumin Oksus shtrihen fusha, shkretëtira, pyje e lugina të shkretuara e të braktisura. Gjatë dy ditëve e dy netëve, hekurudha ruse përshkon qytetet e rrënuara e fshatrat e pabanuara të djerrinave. Më parë ajo fushë barte frytin e qytetërimeve më të përsosura të së kaluarës. Shenja të zhvillimit e të përsosurisë dukeshin gjithandej, artet e shkencat ishin të mbrojtura mirë e përkraheshin, zejet e industritë lulëzonin, tregtia dhe bujqësia kishin arritur një shkallë të lartë efektiviteti, dhe themelet e qeverisjes e të drejtimit shtetëror mbështeteshin mbi baza të forta e të shëndosha. Sot ajo hapësirë e gjerë tokësore është bërë në pjesën më të madhe strehë e azil i fiseve turkmene dhe arenë e veprimeve mizore prej shtazësh të egra. Qytetet e lashta të asaj fushe, si Gurgani, Nisa, Abiordi e Shahristani, të famshme në mbarë botën për artet, shkencat, kulturën, industrinë e tyre dhe të mirënjohura për pasuri, madhështi, mirëqenie e shquarsi, janë shndërruar në një shkretëtirë, ku nuk dëgjohet asnjë zë, veç ulërimës së shtazëve të egra dhe ku bredhin lirisht ujqit gjakatarë. Ky shkatërrim e shkretim u shkaktua nga lufta e konfliktet, mosmarrëveshjet e përçarja midis persëve e turqve, që kishin fe e zakone të ndryshme. Aq e ngurtë ishte fryma e paragjykimit fetar, saqë krerët e pafe lejuan derdhjen e gjakut të pafajshëm, shkatërrimin e pronës dhe përdhosjen e nderit të familjes. E ky është vetëm një nga ilustrimet.

Për rrjedhojë, kur përshkon viset e botës, arrin në përfundimin se çdo progres është rezultati i shoqërimit e i kooperimit, ndërsa rrënimi është pasojë e armiqësisë dhe e urrejtjes. Megjithatë, bota e njerëzimit nuk po i vë veshin paralajmërimit, dhe as po zgjohet nga gjumi i shkujdesjes. Njeriu vazhdon të shkaktojë mosmarrëveshje, grindje e konflikte, që të rrjeshtojë hordhitë e luftës dhe me legjionet e tij të sulet në fushën e gjakderdhjes e të masakrës.

Shiko gjithashtu dukurinë e përbërjes e të shpërbërjes, të qenies e të mosqenies. Çdo gjë e krijuar në botën kalimtare përbëhet prej atomesh të shumtë e të ndryshëm, dhe ekzistenca e tij varet nga përbërja e tyre. Me fjalë të tjera, përmes fuqisë hyjnore krijuese kryhet një bashkim elementesh në mënyrë që nga kjo përbërje krijohet një organizëm i veçantë. Ekzistenca e të gjitha gjërave bazohet në këtë parim. Por kur rregulli çrregullohet, shkaktohet shpërbërja e kryhet dezintegrimi dhe ajo gjë pushon së ekzistuari. Domethënë, asgjësimi i të gjitha gjërave shkaktohet nga shpërbërja e dezintegrimi. Prandaj tërheqja dhe përbërja midis elementeve të ndryshme është mjeti i jetës, kurse përçarja, shpërbërja dhe ndarja sjell vdekjen. Kështu forcat e kohezionit e të tërheqjes në të gjitha gjërat çojnë në shfaqjen e rezultateve e të pasojave të frytshme, ndërsa largimi e veçimi i gjërave çon në çrregullim e asgjësim. Përmes bashkimit e tërheqjes të gjitha gjërat e gjalla si bimët, kafshët dhe njerëzit vijnë në jetë, ndërsa ndarja e përçarja sjellin shpërbërje e shkatërrim.

Për rrjedhojë, ajo që sjell shoqërim, tërheqje e unitet midis bijve të njerëzve është mjeti i jetës së botës së njerëzimit, dhe çdo gjë që shkakton ndarje, shtyrje e largim çon në vdekjen e njerëzimit.

Dhe nëse, duke kaluar fushave e plantacioneve, sheh se bimët, lulet e barërat erëmira rriten të harlisura së bashku, duke formuar një pamje uniteti, kjo është një dëshmi e faktit që ai plantacion e kopsht lulëzon nën kujdesin e një kopshtari të zot. Por kur e sheh atë në gjendje rrëmuje e çrregullimi, ti nxjerr përfundimin se ka munguar përgatitja e një bujku të zot dhe kështu janë rritur barëra të këqia e egjër.

Bëhet, pra, e qartë se miqësia e kohezioni dëshmojnë për përgatitjen e një Edukatori Real, ndërsa shpërbërja e ndarja janë provë e egërsisë dhe e humbjes së edukimit hyjnor.

Ndonjë kritik mund të kundërshtojë, duke thënë se popujt, racat, fiset e komunitetet e botës kanë zakone, shprehi, shije, karakter, prirje e ide të ndryshme, se pikëpamjet e mendimet janë të kundërta me njëra-tjetrën, dhe atëherë si është e mundur të shfaqet unitet real e të ekzistojë marrëveshje e plotë midis shpirtrave njerëzorë?

Në përgjigje ne themi se dallimet janë dy llojesh. Njëri lloj shkakton asgjësim dhe i përngjet antipatisë që ekziston ndërmjet kombesh në luftë e fisesh në konflikt me njëri-tjetrin, që kërkojnë shkatërrimin e tjetrit, çrrënjosjen e familjeve të tjetrit, duke e privuar njëri-tjetrin nga qetësia e mirëqenia e duke bërë kërdinë. Lloji tjetër, që është shenjë e diversitetit, është thelbi i përsosmërisë dhe sjell shfaqjen e dhuntive të Zotit Lavdiplotë.

Shih lulet e një kopshti: megjithëse dallojnë për nga lloji, ngjyra, forma e trajta, prapseprap, përderisa përtërihen nga ujët e një burimi, gjallërohen nga flladi i një ere, marrin fuqi nga rrezet e një dielli, ky diversitet rrit hijeshinë dhe shton bukurinë e tyre. Kështu, kur ajo forcë unifikuese, ndikimi depërtues i Fjalës së Perëndisë, vepron, dallimi në zakonet, mënyrat, shprehitë, idetë, pikëpamjet e prirjet e zbukuron botën e njerëzimit. Ky diversitet, ky dallim është si mosngjashmëria e variacioni i gjymtyrëve e i organeve të trupit njerëzor, sepse secili kontribuon për bukurinë, efikasitetin dhe përsosmërinë e së tërës. Kur këta gjymtyrë e organe të ndryshme bien nën ndikimin e shpirtit sovran të njeriut, dhe fuqia e shpirtit përshkon gjymtyrët e organet, venat e arteriet e trupit, atëherë dallimi përforcon harmoninë, diversiteti forcon dashurinë dhe shumëllojshmëria është faktor i madh i koordinimit.

Sa e pakëndshme do të ishte për syrin nëse të gjitha lulet e bimët, gjethet e sythet, frutat, degët dhe pemët e atij kopshti të kishin të njëjtën formë e ngjyrë! Shumëllojshmëria e ngjyrave, formave e trajtave pasuron e stolis kopshtin dhe rrit efektin e tij. Në të njëjtën mënyrë, kur ngjyrime të ndryshme të mendimit, temperamentit e karakterit mblidhen së bashku nën pushtetin e ndikimin e një faktori qendror, bukuria e lavdia e përsosmërisë njerëzore zbulohet e bëhet e dukshme. Asgjë veç fuqisë qiellore të Fjalës së Perëndisë, që sundon e kapërcen realitetet e të gjitha gjërave, nuk është në gjendje të harmonizojë mendimet, ndjenjat, idetë dhe bindjet divergjente të bijve të njerëzve. Me të vërtetë, ajo është fuqia depërtuese në të gjitha gjërat, nxitësja e shpirtrave dhe forca detyruese e rregulluese në botën e njerëzimit.

Lëvduar qoftë Perëndia, sot shkëlqimi i Fjalës së Perëndisë ka ndriçuar çdo horizont, dhe shpirtra nga të gjitha sektet, racat, fiset, kombet e komunitetet janë afruar nën dritën e Fjalës, janë mbledhur, janë bashkuar e kanë rënë dakord në harmoni të plotë. Oh! Ç'numër i madh mbledhjesh janë mbajtur, të stolisura me shpirtra nga raca e sekte të ndryshme. Cilido që merr pjesë në to do të habitet së tepërmi dhe mund të mendojë se këta shpirtra i përkasin të gjithë një vendi, një kombësie, një komuniteti, një mendimi, një besimi e një pikëpamjeje; kurse në fakt njëri është amerikan, tjetri afrikan, njëri vjen nga Azia e një tjetër nga Europa, njëri është vendas i Indisë, një tjetër nga Turkestani, njëri është arab, një tjetër taxhik, një tjetër persian dhe një tjetër akoma grek. Pavarësisht nga ky diversitet, ata shoqërohen në harmoni e unitet, dashuri e liri të plotë; ata kanë një zë, një mendim e një qëllim. Me të vërtetë kjo vjen nga fuqia depërtuese e Fjalës së Perëndisë! Sikur të gjitha forcat e universit të kombinoheshin, ato nuk do të ishin në gjendje të mbledhin kësisoj qoftë edhe një kuvend të vetëm kaq të brumosur me ndjenjat e dashurisë, të miqësisë, të tërheqjes e të dëshirës së flaktë, sa të bashkojë pjesëtarët e racave të ndryshme dhe të lëshojë nga zemra e botës një zë që të bëhet shkak i largimit të luftës e të konflikteve, i çrrënjosjes së mosmarrëveshjeve e të polemikave, i epokës së paqes universale dhe i vendosjes së unitetit e të mirëkuptimit midis njerëzve.

A mundet ndonjë fuqi t'i rezistojë ndikimit depërtues të Fjalës së Perëndisë? Jo, për Perëndi! Prova është e qartë dhe dëshmia e plotë! Nëse dikush sheh me sytë e drejtësisë, do të mbushet me habi e çudi dhe do të dëshmojë se popujt, sektet dhe racat e botës duhet të jenë të gëzuara, të kënaqura e mirënjohëse për mësimet dhe këshillat e Bahá'u'lláh-ut. Sepse këto urdhra hyjnorë zbusin çdo bishë të egër, e transformojnë insektin zvarritës në zog që fluturon lart, i shndërrojnë shpirtrat njerëzorë në engjëj të Mbretërisë dhe e bëjnë botën njerëzore një vatër të cilësive të të Mëshirshmit.

Për më tepër, gjithsecilit i kërkohet të tregojë bindje, nënshtrim e besnikëri ndaj qeverisë së vet. Sot asnjë shtet në botë nuk është në gjendje paqeje ose qetësie, sepse siguria dhe besimi janë zhdukur te njerëzit. Si të qeverisurit dhe qeverisësit janë njëlloj në rrezik. I vetmi grup njerëzish që sot u nënshtrohet paqësisht e me besnikëri ligjeve e urdhrave të qeverisë dhe sillet ndershmërisht e sinqerisht me njerëzit është vetëm ky komunitet i munduar. Sepse ndërsa të gjitha sektet e racat në Persi e Turkestan janë të zhytura në rendjen pas interesave të veta dhe u binden vetëm qeverive të tyre qoftë duke shpresuar ndonjë shpërblim ose nga frika e ndëshkimit, Bahá'í-të janë dashamirësit e qeverisë, u binden ligjeve të saj dhe ushqejnë dashuri ndaj të gjithë popujve.

Një bindje e nënshtrim i tillë është bërë detyrë e i detyrueshëm për të gjithë nga Teksti i qartë i Bukurisë Abhá. Prandaj besimtarët, duke iu bindur urdhrit të Të Vërtetit, tregojnë sinqeritetin e dashamirësinë më të madhe ndaj të gjitha kombeve; dhe sikur ndonjë shpirt të veprojë në kundërshtim me ligjet e qeverisë, ai duhet ta konsiderojë veten përgjegjës para Perëndisë, duke merituar zemërimin e ndëshkimin hyjnor për mëkatin e keqbërjen e tij. Është për t'u habitur që, pavarësisht nga kjo, disa prej zyrtarëve të qeverisë i konsiderojnë Bahá'í-të keqdashës, ndërsa i shikojnë pjesëtarët e komuniteteve të tjera si dashamirësit e vet. Perëndi i Mëshirshëm! Kohëve të fundit, kur në Teheran e provinca të tjera të Persisë kishte revolucion të përgjithshëm e trazira, nuk pati asnjë as edhe një Bahá'í të vetëm që të kishte marrë pjesë e as të kishte ndërhyrë në këto punë. Për këtë arsye ata u qortuan nga injorantët sepse i ishin bindur urdhrit të Përsosmërisë së Bekuar dhe kishin shmangur në mënyrë absolute ndërhyrjen e tyre në çështje politike. Ata nuk u bashkuan me asnjë parti, por u morën me punët e profesionet e veta dhe kryen detyrat e tyre.

Të gjithë miqtë e Perëndisë janë dëshmitarë të faktit që 'Abdu'l-Bahá-i është, nga çdo pikëpamje, dashamirësi i të gjitha qeverive e kombeve, dhe lutet sinqerisht për progresin e përparimin e tyre, veçanërisht për dy shtetet e mëdha të lindjes, sepse këto dy vende janë vendlindja dhe vendi i syrgjynosjes së Bahá'u'lláh-ut. Në të gjitha letrat e shkrimet, ai ka lëvduar e lartësuar këto dy qeveri dhe ka kërkuar me përgjërim konfirmime hyjnore për to nga Pragu i të Vetmit Perëndi të Vërtetë. Bukuria Abhá - u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij - ka bërë lutje në favor të Madhërive të Tyre Perandorake. Perëndi i Mëshirshëm! Sa e çuditshme është që, pavarësisht nga këto prova përfundimtare, çdo ditë ndodh diçka dhe lindin vështirësi. Por ne, miqtë e Perëndisë, nuk duhet kurrsesi të ngadalësojmë përpjekjet tona për të qenë besnikë, të sinqertë e njerëz të vullnetit të mirë. Ne duhet kurdoherë të shfaqim besueshmërinë e besnikërinë tonë dhe të angazhohemi në lutje për të mirën e të gjithëve.

O ju të dashur të Perëndisë, këto janë ditë kur duhet treguar qëndrueshmëri, vendosmëri e këmbëngulje në Kauzën e Perëndisë. Ju nuk duhet ta përqendroni vëmendjen te personi i 'Abdu'l-Bahá-it, sepse së shpejti ai do t'ju lerë lamtumirën. Përkundrazi, duhet ta ngulni shikimin te Fjala e Perëndisë. Në qoftë se Fjala e Perëndisë përkrahet, gëzohuni, jini të lumtur e mirënjohës, megjithëse vetë 'Abdu'l-Bahá-i kërcënohet nga shpata apo ndodhet nën peshën e zinxhirëve e të vargonjve. Sepse i rëndësishëm është Tempulli i Shenjtë i Kauzës së Perëndisë e jo trupi fizik i 'Abdu'l-Bahá-it. Miqtë e Perëndisë duhet të ngrihen me një vendosmëri të tillë, sa edhe sikur në çdo moment njëqind shpirtra si 'Abdu'l-Bahá-i të bëhen tabelë qitjeje për shigjetat e vuajtjes, ata të mos lëvizin e lëkunden në qëndrueshmërinë e tyre, vendosmërinë e tyre, në frymëzimin e flaktë të tyre, në përkushtimin e shërbimin e tyre në Kauzën e Perëndisë. Vetë 'Abdu'l-Bahá-i është një shërbëtor në Pragun e Bukurisë së Bekuar dhe një shprehje e shërbimit të kulluar e absolut në Pragun e Fuqiplotit. Ai nuk ka pozitë e titull tjetër, rang a pushtet tjetër. Ky është Qëllimi im i fundit, Parajsa ime e përjetshme, Tempulli im më i shenjtë dhe Sadratu'l-Muntahá-i im. Me Bukurinë e Bekuar Abhá dhe Të Lartësuarin, Lajmëtarin e Tij - u bëftë fli jeta ime për Ata të dy - ka përfunduar shfaqja e Manifestimit të pavarur e universal të Perëndisë. Dhe për njëmijë vjet gjithçka do të ndriçohet nga dritat e Tij dhe do të mbështetet nga oqeani i favoreve të Tij.

O ju të dashuruar pas Perëndisë! Kjo, me të vërtetë, është dëshira ime e fundit dhe këshilla ime për ju. Prandaj lum ai që ka ndihmën e Perëndisë për të ndjekur atë që është shkruar në këtë pergamenë, fjalët e së cilës janë të spastruara nga simbolet që ndeshen rëndom midis njerëzve.

226. O ti shërbëtor i Perëndisë! Letrën tënde e morëm dhe na solli gëzim. Ti ke shprehur dëshirën tënde të zjarrtë që unë të marr pjesë në Kongresin e Paqes. Unë nuk kam për të qenë i pranishëm në të tilla konferenca politike, sepse vendosja e paqes nuk mund të arrihet ndryshe veçse përmes fuqisë së Fjalës së Perëndisë. Kur mblidhet një konferencë, që përfaqëson të gjitha kombet dhe që punon nën ndikimin e Fjalës së Perëndisë, atëherë vendoset paqja universale, përndryshe ajo është e pamundur.

Në kohën e tanishme është e sigurt që paqja e përkohshme është vendosur, por nuk është e qëndrueshme. Të gjitha qeveritë e kombet janë lodhur nga lufta, nga vështirësitë e udhëtimit, nga shpenzimet kolosale, nga humbja e jetës, nga vuajtjet e grave, nga numri i madh i jetimëve, dhe janë të nxitur nga zori drejt paqes. Por kjo paqe nuk është e përhershme, ajo është e përkohshme.

Ne shpresojmë se fuqia e Fjalës së Perëndisë do të vendosë një paqe që do të mbetet përjetë efektive dhe e sigurt.

227.1 O ju të nderuar, që jeni pionierë midis dashamirësve të botës së njerëzimit!

Letrat që keni dërguar gjatë luftës nuk i kemi marrë, por një letër që mban datën 11 shkurt 1916 sapo më ra në dorë dhe po shkruajmë një përgjigje. Qëllimi juaj meriton njëmijë lavdërime, sepse ju i shërbeni botës së njerëzimit dhe kjo çon në lumturinë e mirëqenien e të gjithëve. Kjo luftë e fundit u ka provuar botës dhe njerëzve se lufta është shkatërrim, ndërsa paqja universale është ndërtim; lufta është vdekje, ndërsa paqja është jetë; lufta është pangopësi e gjakderdhje, ndërsa paqja është bamirësi e humanizëm; lufta është një shtojcë e botës së natyrës, ndërsa paqja është mbështetje e fesë së Perëndisë; lufta është errësirë mbi errësirë, ndërsa paqja është dritë qiellore; lufta është si një ujk gjakatar, ndërsa paqja është si engjëjt e qiellit; lufta është përleshje për ekzistencë, ndërsa paqja është ndihmë e ndërsjellë e bashkëpunim në mes popujve të botës dhe ka pëlqimin e Të Vërtetit në mbretërinë qiellore.

Nuk ka as edhe një shpirt ndërgjegjja e të cilit të mos shohë se në kohën e sotme nuk ka në botë çështje më të rëndësishme sesa paqja universale. Çdo njeri i drejtë dëshmon për këtë dhe e adhuron atë Kuvend të nderuar, sepse qëllimi i tij është që kjo errësirë të shndërrohet në dritë, kjo etje për gjak në mirësi, kjo vuajtje në lumturi, ky mundim në qetësi dhe kjo armiqësi e urrejtje në miqësi e dashuri. Prandaj përpjekja e atyre shpirtrave të nderuar meriton lavdërim e respekt.

Por shpirtrat e mençur që janë të vetëdijshëm për marrëdhëniet thelbësore që burojnë nga realitetet e gjërave e shohin se një çështje e veçantë nuk mundet vetvetiu të ndikojë mbi realitetin njerëzor ashtu siç duhet, sepse asgjë e rëndësishme nuk mund të kryhet derisa mendjet e njerëzve të mos jenë bashkuar. Në kohën e sotme paqja universale është një çështje me rëndësi të madhe, por uniteti i ndërgjegjes është thelbësor, që themeli i kësaj çështjeje të jetë i sigurt, vendosja e saj e qëndrueshme dhe ndërtesa e saj e fortë.

Prandaj Bahá'u'lláh-u pesëdhjetë vjet më parë e shtjelloi çështjen e paqes universale në një kohë që ishte i mbyllur, i burgosur e i munduar në kalanë e 'Akká-së. Ai u shkroi për çështjen e rëndësishme të paqes universale të gjithë sovranëve të mëdhenj të botës dhe e ndërtoi atë midis miqve të Tij në lindje. Horizonti i lindjes ishte në errësirën më të thellë, kombet ushqenin urrejtjen e armiqësinë më të madhe ndaj njëri-tjetrit, fetë ishin të etura për gjakun e njëra-tjetrës, dhe kishte errësirë mbi errësirë. Në një kohë të tillë Bahá'u'lláh-u shkëlqeu si dielli në horizontin e lindjes dhe ndriçoi Persinë me dritat e këtyre mësimeve.

Midis mësimeve të Tij ishte shpallja e paqes universale. Njerëz të kombeve, feve e sekteve të ndryshme që e pasonin Atë u bashkuan deri në atë shkallë saqë u mblodhën kuvende të shquara që përbëheshin nga njerëz të kombeve e feve të ndryshme të lindjes. Çdo njeri që hynte në këto kuvende shihte vetëm një komb, një mësim, një shteg, një tertip, sepse mësimet e Bahá'u'lláh-ut nuk kufizoheshin me vendosjen e paqes universale. Ata përqafuan shumë mësime që plotësonin e mbështetnin atë të paqes universale.

Midis këtyre mësimeve ishte kërkimi i pavarur i realitetit që bota e njerëzimit të shpëtohej nga errësira e imitimit e të gjente të vërtetën; të griste e të flakte tej rrobën e rreckosur e tashmë të ngushtë të njëmijë vjetëve më parë dhe të vishte rrobën e thurur me dëlirësinë e shenjtërinë më të madhe në avlemendin e realitetit. Duke qenë se realiteti është një dhe nuk lejon shumëllojshmëri, atëherë mendimet e ndryshme duhet më në fund të shkrihen në një.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është njëshmëria e botës së njerëzimit; që të gjitha qeniet njerëzore janë delet e Perëndisë dhe Ai është Bariu i mirë. Ky Bari është i mirë për të gjitha delet, sepse është Ai që i ka krijuar të gjitha ato, është kujdesur për to dhe i ka mbrojtur ato. S'ka dyshim që Bariu është i mirë për të gjitha delet, dhe nëse midis këtyre deleve ka injorantë, ata duhen edukuar; nëse ka fëmijë, ata duhen mësuar derisa të arrijnë pjekurinë; nëse ka të sëmurë, ata duhen mjekuar. Nuk duhet të ketë urrejtje e armiqësi, sepse këta injorantë, të sëmurë do të mjekoheshin nga një mjek i mirë.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është se feja duhet të sjellë miqësi e dashuri. Nëse bëhet shkak ftohjeje, ajo është e panevojshme, sepse feja është si ilaçi; nëse e rëndon sëmundjen, atëherë bëhet i panevojshëm.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është se feja duhet të jetë në pajtim me shkencën e arsyen, që të ndikojë mbi zemrat e njerëzve. Themeli duhet të jetë i shëndoshë e të mos përbëhet prej imitimesh.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është se paragjykimet fetare, raciale, politike, ekonomike e patriotike shkatërrojnë godinën e njerëzimit. Sakohë të mbizotërojnë këto paragjykime, bota e njerëzimit nuk do të ketë qetësi. Prej një periudhe prej 6000 vjetësh historia na informon lidhur me botën e njerëzimit. Gjatë këtyre 6000 vjetëve bota e njerëzimit nuk ka qenë e lirë nga luftërat, konfliktet, vrasjet dhe etja për gjak. Në secilën periudhë është zhvilluar luftë në këtë apo atë vend dhe lufta ka pasur si shkak ose paragjykimin fetar, paragjykimin racial, paragjykimin politik apo paragjykimin patriotik. Është vërtetuar e provuar, pra, se të gjitha paragjykimet janë shkatërrimtare për godinën njerëzore. Sakohë mbeten këto paragjykime, duhet të mbizotërojë lufta për ekzistencë dhe etja për gjak të vazhdojë. Prandaj, ashtu siç ndodhte në të kaluarën, bota e njerëzimit nuk mund të shpëtohet prej errësirës së natyrës dhe nuk mund të ketë ndriçim, veç po qe se hiqet dorë nga paragjykimet dhe fitohet morali i Mbretërisë.

Nëse ky paragjykim e kjo armiqësi janë për arsye të fesë, mbani parasysh që feja duhet të sjellë miqësi, përndryshe është e pafrytshme. Dhe nëse ky paragjykim është paragjykimi i kombësisë, mbani parasysh që gjithë njerëzia janë të një kombësie; të gjithë kanë ardhur nga pema e Adamit dhe që Adami është rrënja e pemës. Ajo pemë është një e vetme dhe të gjitha kombet janë si degët, ndërsa individët e njerëzimit janë si gjethet, lulet e frytet e saj. Pra, krijimi i kombeve të ndryshme dhe gjakderdhja e shkatërrimi i godinës së njerëzimit që e kanë pasuar vijnë nga injoranca njerëzore e nga motive egoiste.

Përsa i përket paragjykimit patriotik, ai gjithashtu vjen nga injoranca e plotë, sepse sipërfaqja e tokës është një vendlindje e vetme. Secili mund të jetojë në çdo vend të globit tokësor. Pra, vendlindja e njeriut është gjithë bota. Këta kufij e "gjerdhe" i ka shpikur njeriu. Në krijimin, kufij e gjerdhe të tilla nuk ka pasur. Europa është një kontinent, Azia është një kontinent, Afrika është një kontinent, Australia është një kontinent, por disa prej shpirtrave, për motive personale e interesa egoiste, e kanë ndarë secilin prej këtyre kontinenteve dhe e kanë konsideruar një pjesë të caktuar të tyre si vendin e vet. Perëndia nuk ka vendosur kufij midis Francës e Gjermanisë; ato janë në vazhdim të njëra-tjetrës. Por, në shekujt e parë, shpirtra egoistë, për të mbështetur interesat e veta, kanë caktuar kufij e "gjerdhe" dhe, nga dita në ditë, u kanë dhënë gjithnjë e më shumë rëndësi atyre, derisa kjo çoi në armiqësi të thellë, gjakderdhje e pangopësi në shekujt e mëvonshëm. Në po këtë mënyrë kjo do të vazhdojë pareshtur, dhe nëse ky koncept i patriotizmit do të mbetet i kufizuar brenda një rrethi të caktuar, ai do të jetë shkaku kryesor i shkatërrimit të botës. Asnjë person i mençur e i drejtë nuk i pranon këto dallime imagjinare. Çdo zonë të kufizuar që e quajmë vendlindjen tonë ne e konsiderojmë si mëmëdhenë tonë, ndërkohë që globi tokësor është mëmëdheu i të gjithëve, e jo ndonjë zonë e caktuar. Me një fjalë, për pak ditë ne jetojmë mbi këtë tokë dhe në fund varrosemi në të, ajo është varri ynë i përjetshëm. A ia vlen që ne të angazhohemi në gjakderdhje e të shqyejmë njëri-tjetrin për këtë varr të përjetshëm? Jo, kurrsesi, dhe as Perëndia nuk e pëlqen një sjellje të tillë, e as një njeri me mend nuk e miraton atë.

Pa mendoni! Kafshët e bekuara nuk futen në grindje patriotike. Ato kanë miqësinë më të madhe me njëra-tjetrën dhe jetojnë së bashku në harmoni. Për shembull, nëse ndodh që në një vend arrijnë në të njëjtën kohë një pëllumb nga lindja dhe një pëllumb nga perëndimi, një pëllumb nga veriu dhe një pëllumb nga jugu, ata menjëherë shoqërohen në harmoni. Kështu është me kafshët e shpendët e bekuar. Kurse kafshët e egra, sapo takohen, sulmojnë e përleshen me njëra-tjetrën, bëjnë copash njëra-tjetrën dhe e kanë të pamundur të jetojnë së bashku paqësisht në një vend. Ato janë të pashoqërueshme dhe luftëtare agresive, të egra e luftarake.

Lidhur me paragjykimin ekonomik, duket sheshit se kurdo që lidhjet midis kombeve forcohen e shkëmbimi i mallrave shpeshtohet, dhe çdo parim ekonomik që vendoset në një vend, kjo në fund të fundit prek vendet e tjera dhe sjell përfitime universale. Atëherë përse ky paragjykim?

Përsa i përket paragjykimit politik, duhet ndjekur politika e Perëndisë dhe është e padiskutueshme që politika e Perëndisë është më e madhe se politika njerëzore. Ne duhet të ndjekim politikën Hyjnore dhe ajo ka të bëjë njëlloj me të gjithë individët. Ai i trajton njëlloj të gjithë individët: nuk bën asnjë dallim, dhe ky është themeli i Feve Hyjnore.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është krijimi i një gjuhe që të mund të përhapej në mënyrë universale midis njerëzve. Ky mësim u revelua nga pena e Bahá'u'lláh-ut me qëllim që kjo gjuhë universale të eliminojë keqkuptimet midis njerëzimit.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është barazia e grave dhe burrave. Bota e njerëzimit ka dy krahë - njëri krah është gruaja dhe tjetri burri. Zogu nuk mund të fluturojë sakohë që krahët nuk janë njëlloj të zhvilluar. Nëse njëri krah mbetet i dobët, fluturimi është i pamundur. Sakohë bota e grave nuk është e barabartë me botën e burrave në fitimin e virtyteve e të përsosmërive, nuk mund të arrihet suksesi e mirëqenia siç duhet të jetë.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është ndarja vullnetare e pronës me të tjerët midis njerëzve. Kjo ndarje vullnetare është diçka më e madhe se barazia dhe qëndron në atë që njeriu nuk duhet të preferojë vetveten kundrejt të tjerëve, përkundrazi duhet të sakrifikojë jetën dhe pronën e tij për të tjerët. Kjo nuk mund të bëhet me detyrim, duke e bërë ligj dhe njeriu të jetë i detyruar ta zbatojë atë. Jo, përkundrazi, njeriu duhet që vullnetarisht e me dashjen e tij të sakrifikojë pronën dhe jetën e tij për të tjerët, dhe të shpenzojë me dashje për të varfërit, pikërisht siç bëhet në Persi midis Bahá'í-ve.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është liria e njeriut, që përmes Fuqisë ideale ai të çlirohet e emancipohet nga robëria ndaj botës së natyrës; sepse sakohë njeriu është rob i natyrës, ai është një shtazë e egër dhe lufta për ekzistencë është një prej kërkesave të botës së natyrës. Kjo çështje e luftës për ekzistencë është burimi i të gjitha fatkeqësive dhe e keqja më e madhe.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është që feja është një mburojë e fuqishme. Nëse godina e fesë tundet e lëkundet, shkaktohen trazira e kaos dhe rendi i gjërave përmbyset tërësisht, sepse në botën e njerëzimit ka dy garanci që e mbrojnë njeriun nga keqbërja. Njëra është ligji që ndëshkon kriminelin; por ligji parandalon vetëm krimin e hapur dhe jo mëkatin e fshehtë; ndërsa garancia ideale, pikërisht feja e Perëndisë, parandalon si krimin e hapur dhe atë të fshehtin, e stërvit njeriun, edukon moralin, imponon adoptimin e virtyteve dhe është fuqia gjithpërfshirëse që garanton lumturinë e botës së njerëzimit. Por me fe nënkuptohet ajo që vërtetohet nga kërkimi e jo ajo që bazohet thjesht në imitimin, nënkuptohen bazat e Feve Hyjnore e jo imitimet njerëzore.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është gjithashtu që qytetërimi material është një nga mjetet e progresit të botës së njerëzimit, por sakohë ai nuk kombinohet me qytetërimin Hyjnor, rezultati i dëshiruar, që është lumturia e njerëzimit, nuk arrihet. Shikoni! Këto fusha beteje që e kthejnë një qytet në rrënoja brenda një ore janë rezultat i qytetërimit material; ashtu si topat Krup, pushkët mauzer, dinamiti, nëndetëset, torpedinierat, aeroplanët e armatosur e bombarduesit - të gjitha këto armë lufte janë fryte tepër të dëmshme të qytetërimit material. Sikur qytetërimi material të ishte kombinuar me qytetërimin Hyjnor, këto armë agresive kurrë nuk do të ishin shpikur. Jo, përkundrazi, energjia njerëzore do t'i përkushtohej tërësisht shpikjeve të dobishme dhe do të ishte përqendruar në zbulime të lavdërueshme. Qytetërimi material është si një qelq llambe. Qytetërimi Hyjnor është vetë llamba dhe qelqi pa dritën është i errët. Qytetërimi material është si trupi. Sado pamasë i hijshëm, elegant e i bukur të jetë, ai është i vdekur. Qytetërimi Hyjnor është si shpirti, dhe trupi e merr jetën e tij nga shpirti, përndryshe ai kthehet në kufomë. Është bërë e qartë kështu se bota e njerëzimit ka nevojë për frymën e Shpirtit të Shenjtë. Pa shpirtin bota e njerëzimit është e pajetë, dhe pa këtë dritë bota e njerëzimit është në errësirën më të thellë. Sepse bota e natyrës është botë shtazore. Sakohë që njeriu nuk ka lindur përsëri nga bota e natyrës, domethënë nuk është shkëputur nga bota e natyrës, ai është në thelb një kafshë, dhe janë mësimet e Perëndisë që e shndërrojnë këtë kafshë në shpirt njerëzor.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është përkrahja e edukimit. Çdo fëmijë duhet përgatitur në shkencat aq sa është e nevojshme. Nëse prindët janë në gjendje të përballojnë shpenzimet për këtë edukim, është mirë, përndryshe komuniteti duhet të sigurojë mjetet për mësimin e atij fëmije.

Dhe midis mësimeve të Bahá'u'lláh-ut është drejtësia dhe e drejta. Sakohë këto realizohen në planin e ekzistencës, të gjitha gjërat do të jenë të çrregulluara e do të mbeten të papërsosura. Bota e njerëzimit është botë e shtypjes dhe e mizorisë, dhe mbretëri e agresionit dhe e gabimit.

Si përfundim, mësime të tilla janë të shumta. Këto parime të shumanshme, që përbëjnë bazën më të madhe të lumturisë së njerëzimit dhe janë ndër dhuntitë e të Mëshirshmit, i duhen shtuar çështjes së paqes universale e duhen kombinuar me të, në mënyrë që të japin rezultate. Përndryshe realizimi i paqes universale në vetvete është i vështirë në botën e njerëzimit. Duke qenë se mësimet e Bahá'u'lláh-ut janë të kombinuara me paqen universale, ato janë si një tryezë e shtruar me gjithfarë ushqimesh të freskëta e të shijshme. Çdo shpirt mund të gjejë në atë tryezë bujarie të pafund atë që dëshiron. Nëse çështja kufizohet vetëm me paqen universale, rezultatet e shquara që priten e dëshirohen nuk do të arrihen. Qëllimi i paqes universale duhet të jetë i tillë që të gjitha komunitetet e fetë të gjejnë të realizuar në të dëshirën e tyre më të lartë. Mësimet e Bahá'u'lláh-ut janë të tilla që të gjitha komunitetet e botës, qoftë fetare, politike apo etike, të lashta apo moderne, të gjejnë në to shprehjen e dëshirës së tyre më të lartë.

Për shembull, njerëzit e feve gjejnë në mësimet e Bahá'u'lláh-ut vendosjen e Fesë Universale - një fe që u përshtatet në mënyrë të përsosur kushteve të tanishme, që në realitet bën kurën e ngutshme të sëmundjes së pashërueshme, që qetëson çdo dhimbje dhe jep kundërhelmin e pagabueshëm për çdo helm vdekjeprurës. Sepse po qe se duam të rregullojmë e të organizojmë botën e njerëzimit në përputhje me imitimet e sotme fetare dhe me këtë të vendosim lumturinë e botës së njerëzimit, kjo është e pamundur dhe e pazbatueshme - për shembull diktimin e ligjeve të Torahut, si dhe të të ligjeve të tjera në përputhje me imitimet e sotme. Por baza thelbësore e të gjitha Feve Hyjnore, e cila u përket virtyteve të botës së njerëzimit dhe është themeli i mbarëvajtjes së botës së njeriut, gjendet në mësimet e Bahá'u'lláh-ut në paraqitjen më të përsosur.

Po kështu, lidhur me njerëzit që bërtasin me të madhe për lirinë: liria e arsyeshme që garanton mbarëvajtjen e botës së njerëzimit dhe mban e ruan marrëdhëniet universale, gjendet në tërë forcën e shtrirjen e saj në mësimet e Bahá'u'lláh-ut.

Kështu lidhur me partitë politike: se ajo që është politika më e madhe që drejton botën e njerëzimit, madje jo, por politikën Hyjnore, gjendet në mësimet e Bahá'u'lláh-ut.

Po ashtu lidhur me partinë e 'barazisë' që kërkon zgjidhjen e problemeve ekonomike: deri më sot të gjitha zgjidhjet e propozuara kanë rezultuar të pazbatueshme, me përjashtim të propozimeve ekonomike në mësimet e Bahá'u'lláh-ut, të cilat janë të zbatueshme dhe nuk i shkaktojnë trazira shoqërisë.

Po kështu me partitë e tjera: kur e shikon thellë këtë çështje, zbulon se qëllimet më të larta të atyre partive gjenden në mësimet e Bahá'u'lláh-ut. Këto mësime përbëjnë fuqinë gjithpërfshirëse midis të gjithë njerëzve dhe janë të zbatueshme. Por ka disa mësime të së kaluarës, si ato të Torahut, të cilat nuk mund të zbatohen në kohën e sotme. E njëjta gjë është lidhur me fetë e tjera dhe me dogmat e sekteve e të partive të ndryshme.

Për shembull, çështja e paqes universale, për të cilën Bahá'u'lláh-u thotë se duhet ngritur Gjykata Supreme: megjithëse është krijuar Lidhja e Kombeve, ajo nuk është në gjendje të vendosë paqen universale. Ndërsa Gjykata Supreme që ka parashtruar Bahá'u'lláh-u do ta përmbushë këtë detyrë të shenjtë me forcën e fuqinë më të madhe. Dhe plani i Tij është ky: që kuvendet kombëtare të çdo vendi e kombi - domethënë parlamentet - duhet të zgjedhin dy ose tre persona që janë njerëzit më të shquar të atij kombi, dhe që janë të mirinformuar lidhur me ligjet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet midis qeverive, si dhe të vetëdijshëm për nevojat thelbësore të botës së njerëzimit në kohën e sotme. Numri i këtyre përfaqësuesve duhet të jetë në proporcion me numrin e banorëve të atij vendi. Zgjedhja e këtyre shpirtrave në kuvendin kombëtar, domethënë në parlament, duhet të konfirmohet nga Dhoma e Lartë*), Pleqësia dhe Kabineti, si dhe nga presidenti ose monarku, në mënyrë që këta persona të jenë të zgjedhurit e gjithë kombit dhe të qeverisë. Nga gjiri i këtyre njerëzve zgjidhen anëtarët e Gjykatës Supreme, dhe kështu gjithë njerëzimi do të ketë pjesë në të, sepse secili prej këtyre delegatëve përfaqëson plotësisht kombin e tij. Kur Gjykata Supreme jep një udhëzim për ndonjë çështje ndërkombëtare, qoftë njëzëri ose me shumicë votash, nuk mund të ketë më asnjë pretekst për ankesë ose asnjë bazë për vërejtje nga ana e të pandehurit. Në rast se ndonjë prej qeverive ose kombeve neglizhon ose zvarrit zbatimin e vendimit të pakundërshtueshëm të Gjykatës Supreme, kombet e tjera do të ngrihen kundër, sepse të gjitha qeveritë e kombet e botës janë mbështetësit e kësaj Gjykate Supreme. Mendoni se ç'themel i patundur është ky! Ndërsa nga një Lidhje e kufizuar dhe e ngushtë qëllimi nuk do të realizohej ashtu siç duhet. Kjo është e vërteta lidhur me gjendjen, e cila është shpallur. ...

228. O shërbëtor në Pragun e Bahá'u'lláh-ut! Letrën tënde të datës 14 qershor 1920 e morëm. Kemi marrë gjithashtu një letër nga disa prej anëtarëve të Komitetit të Paqes dhe atyre u është shkruar një përgjigje. Çoja atyre.

Është e qartë se ky takim nuk është ai që supozohet të jetë dhe nuk është në gjendje t'i rregullojë e sistemojë punët në mënyrën e përshtatshme e të nevojshme. Sidoqoftë, çështja në të cilën ata janë angazhuar ka megjithatë rëndësi shumë të madhe. Takimi në Hagë duhet të ketë aq fuqi e ndikim saqë fjala e tij duhet të ketë efekt mbi qeveritë e kombet. Vëru në dukje anëtarëve të nderuar të mbledhur atje se Konferenca e Hagës e mbajtur para luftës kishte Kryetar të saj Perandorin e Rusisë dhe se pjesëtarët e saj ishin njerëz shumë të shquar. Megjithatë kjo nuk e ndaloi dot një luftë të tillë të tmerrshme. Po tani si i bëhet? Sepse në të ardhmen një luftë tjetër, më e egër se ajo e fundit, me siguri do të shpërthejë; me të vërtetë për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi. Ç'mund të bëjë takimi i Hagës?

Por parimet themelore të parashtruara nga Bahá'u'lláh-u po përhapen nga dita në ditë. Jepu përgjigjen për letrën e tyre, shprehu dashurinë e dashamirësinë më të madhe dhe lëri të merren me punët e tyre. Gjithsesi ata duhet të jenë të kënaqur nga ti, dhe me miratimin e tyre mund ta shtypësh e ta shpërndash letrën time të hollësishme, e cila është përkthyer në anglisht.

Përsa u përket Esperantistëve, shoqërohu me ta. Kurdo që gjen ndonjë me aftësi, përcilli atij aromat e Jetës. Në të gjitha takimet bisedo për mësimet e Bahá'u'lláh-ut, sepse sot kjo do të ketë efekt në vendet perëndimore. Dhe nëse ata pyesin lidhur me besimin tënd te Bahá'u'lláh-u, ti duhet të përgjigjesh se ne e konsiderojmë Atë si Mësuesin dhe Edukatorin Kryesor të botës në këtë epokë, dhe bëje të qartë, duke e shpjeguar me hollësi, se këto mësime lidhur me paqen universale dhe tema të tjera kanë qenë reveluar nga pena e Bahá'u'lláh-ut pesëdhjetë vjet më parë, janë botuar tashmë në Persi e Indi dhe janë përhapur gjerësisht në mbarë botën. Në fillim të gjithë ishin skeptikë për idenë e paqes universale, duke e konsideruar atë të pamundur. Më tej, fol për madhështinë e Bahá'u'lláh-ut, për ngjarjet që ndodhën në Persi e Turqi, për ndikimin e mahnitshëm që ai ushtronte, për përmbajtjen e Letrave që Ai u drejtoi të gjithë sovranëve, dhe përmbushjen e tyre. Fol gjithashtu për përhapjen e Kauzës Bahá'í. Shoqërohu sa më shumë me Komitetin e Paqes Universale në Hagë, duke u treguar sa më i sjellshëm ndaj tyre.

Është e qartë se Esperantistët i kapin shpejt gjërat dhe ti e njeh e je ekspert në gjuhën e tyre. Komuniko gjithashtu me Esperantistët e Gjermanisë e të vendeve të tjera. Literatura që ti qarkullon duhet të trajtojë vetëm mësimet. Përhapja e ndonjë literature tjetër tani nuk është e këshillueshme. Unë shpresoj se konfirmimet hyjnore do të të ndihmojnë ty vazhdimisht. ...

Mos u Mirzat për shkak të apatisë e të ftohtësisë së takimit të Hagës. Ki besim te Perëndia. Ne shpresojmë se midis njerëzve të gjuhës Esperanto tash e tutje do të ketë një efekt të fuqishëm. Tani ti e ke mbjellur farën. Ajo me siguri do të mbijë. Mbirja e saj varet nga Perëndia.

229. O shërbëtor i sinqertë i Të Vërtetit! Kam dëgjuar se je i brengosur e i dëshpëruar për ngjarjet në botë dhe peripecitë e fatit. Përse kjo frikë e ky hidhërim? Të dashuruarit e vërtetë pas Bukurisë Abhá dhe ata që kanë pirë Kupën e Besëlidhjes nuk u tremben fatkeqësive, as nuk ndjehen të demoralizuar në orën e sprovës. Ata e shohin zjarrin e mbrapshtisë si kopshtin e tyre të kënaqësisë, dhe thellësinë e detit si kupën e qiellit.

Ti që je pranë strehës së Perëndisë dhe nën hijen e Pemës së Besëlidhjes së Tij, përse brengosesh e qahesh? Ji i sigurt dhe ki besim. Zbato porositë e shkruara të Zotit tënd me gëzim e i qetë, me zell e sinqerisht; dhe ji dashamirës i vendit tënd e i qeverisë sate. Hiri i tij do të të ndihmojë kurdoherë, bekimet e Tij do të të dhurohen dhe dëshira e zemrës sate do të realizohet.

Për Bukurinë e Lashtë! - u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij - sikur miqtë ta kuptonin se ç'sovranitet të lavdishëm ka caktuar Zoti për ta në Mbretërinë e Tij, me siguri do të binin në ekstazë, do ta shihnin veten të kurorëzuar me lavdi të pavdekshme dhe do të rrëmbeheshin nga kënaqësia. Së shpejti do të bëhet e dukshme se me sa shkëlqim ka ndritur drita e kujdesit dhe e mëshirës së Tij bujare mbi të dashurit e Tij, dhe se ç'oqean i stuhishëm ka vërshuar në zemrat e tyre! Atëherë ata do të thërrasin me zë të lartë: Të lumtur jemi ne; le të gëzohet gjithë bota!

230. O person i respektuar! Letrën tënde të dytë që mban datën 19 dhjetor 1918 e morëm. Aja na dha gëzim e kënaqësi të madhe, sepse tregon qëndrueshmërinë e vendosmërinë tënde në Besëlidhjen e Testamentin dhe dëshirën tënde të zjarrtë për të lëshuar thirrjen e Mbretërisë së Perëndisë. Sot thirrja e Mbretërisë është forca magnetike që tërheq botën e njerëzimit, sepse aftësia e njerëzve është e madhe. Mësimet hyjnore përbëjnë shpirtin e kësaj epoke, madje diellin e kësaj epoke. Çdo shpirt duhet të përpiqet që perdet që mbulojnë sytë e njerëzve të grisen dhe që menjëherë të shihet dielli e të ndriçojë zemrën e shikimin e tyre.

Tani, përmes ndihmës e bujarisë së Perëndisë, kjo fuqi e udhërrëfimit dhe kjo dhuratë e mëshirshme gjenden tek ti. Ngrihu, pra, me Fuqinë më të madhe që t'u dhurosh shpirt eshtrave që kalben, t'u japësh shikim të verbërve, balsam e freski zemërlëshuarve, gjallëri e hir të dëshpëruarve. Çdo llambë më në fund do të shuhet përveç llambës së Mbretërisë, e cila shton dita ditës shkëlqimin e saj. Çdo thirrje më në fund do të dobësohet përveç thirrjes së Mbretërisë së Perëndisë, e cila ngrihet nga dita në ditë. Çdo shteg më në fund do të dredhojë përveç rrugës së Mbretërisë, e cila do të drejtohet nga dita në ditë. Nuk ka dyshim se melodia qiellore nuk mund të matet me atë tokësore, dhe dritat artificiale nuk mund të krahasohen me Diellin qiellor. Prandaj njeriu duhet të bëjë përpjekje për gjithçka që është e qëndrueshme dhe e përhershme, në mënyrë që të ndriçohet, forcohet e gjallërohet gjithnjë e më shumë. ...

Unë i lutem e i përgjërohem Mbretërisë Hyjnore që Bábai, nëna dhe vëllai yt, përmes dritës së udhërrëfimit, të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë.

231. O ti lule në Pemën e Jetës! Lum ti që ke shtrënguar këllqet në shërbim; që je ngritur me tërë forcën për të shpallur mësimet hyjnore, që ke thirrur kuvende dhe që je përpjekur për lartësimin e Fjalës së Perëndisë.

Në këtë botë të vdekshme çdo çështje e rëndësishme ka një fund; dhe çdo arritje e shquar një përfundim; nuk ka asgjë që të ekzistojë përgjithmonë. Mendo, për shembull, sesi arritjet e shquara të botës së lashtë janë asgjësuar tërësisht dhe prej tyre nuk ka mbetur asnjë gjurmë përveç Kauzës së madhe të Mbretërisë së Perëndisë, e cila nuk ka fillim dhe nuk do të ketë fund. Të shumtën, ajo vetëm ripërtërihet. Në fillim të çdo ripërtëritjeje ajo nuk tërheq vëmendje në sytë e njerëzve, por pasi është vendosur përfundimisht përparon dita ditës dhe në lartësimin e saj të përditshëm arrin qiejt më të lartë.

Mendo, për shembull, kohën e Krishtit, që ishte koha e ripërtëritjes së Mbretërisë së Perëndisë. Njerëzit e botës nuk i kushtuan rëndësi asaj dhe aq nuk e kuptuan domethënien e saj saqë varri i Krishtit mbeti i humbur e i panjohur për treqind vjet, derisa shërbëtorja e Perëndisë, Helena, e ëma e Konstantinit arriti dhe zbuloi vendin e shenjtë.

Qëllimi im në gjithë këtë është të tregoj sesa të paditur e xhahilë janë njerëzit e botës, dhe në kohën që Mbretëria është vendosur ata qëndrojnë të shkujdesur e moskokëçarës.

Së shpejti fuqia e Mbretërisë do të përfshijë gjithë botën dhe atëherë do të zgjohen, do të vajtojnë e dëshpërohen për ata që u shtypën e u martirizuan, do të psherëtijnë e rënkojnë. E tillë është natyra e njerëzve.

232. Përsa i përket Presidentit Wilson, të katërmbëdhjetë parimet që ai ka shpallur gjenden në pjesën më të madhe në mësimet e Bahá'u'lláh-ut, prandaj unë shpresoj se ai do të ketë konfirmim e ndihmë. Tani është agimi i paqes universale; unë shpresoj se agu i ditës do të çelë plotësisht, duke e shndërruar errësirën e luftës, të konfliktit e të ndeshjes midis njerëzve në dritë të bashkimit, të harmonisë e të dashurisë.

233. O ju miq besnikë, o ju shërbëtorë të sinqertë të Bahá'u'lláh-ut! Tani, në orët e vona të natës, kur sytë janë të mbyllur përgjumësh dhe të gjithë e kanë mbështetur kokën në shtratin e prehjes e ndodhen në gjumë të thellë, 'Abdu'l-Bahá-i është zgjuar brenda caqeve të Mauzoleut të Shenjtëruar dhe, në përgjërim të zjarrtë, tha këtë, që është lutja e tij:

O Ti Providencë zemërbardhë e dashamirëse! Lindja është zgjuar dhe perëndimi vërshon si valët e përjetshme të detit. Flladet e buta të shenjtërisë janë përhapur dhe nga Mbretëria e Padukshme rrezet e Yllit të së Vërtetës ndritin me shkëlqim. Po këndohen himnet e unitetit hyjnor dhe emblemat e fuqisë qiellore po valëviten. Është ngritur Zëri engjëllor dhe, si ulërima e leviatanit, po gjëmon thirrja për vetëmohim e fshirje të vetvetes. Britma e triumfit Ja Baha-ul Abha [Yá Bahá'u'l-Abhá] po jehon nga çdo anë dhe thirrja Ja Alijul Ala [Yá 'Alíyyu'l-'Alá] po tingëllon në të gjitha viset. Asgjë nuk ndihet të lëvizë në botë veç Lavdisë së Rrëmbenjësit të Zemrave, dhe nuk ka tërmet tjetër në botë veç vërshimit të dashurisë së Tij, të Pakrahasueshmit, të Shumëdashurit.

Të dashurit e Zotit, me frymën e tyre erë myshku, digjen si qirinj të ndritshëm në çdo vend, dhe miqtë e Mëshirëplotit, si lule që çelin, i gjen në të gjitha viset. Ata nuk prehen për asnjë çast; ata nuk marrin frymë veçse duke të kujtuar Ty, dhe nuk lakmojnë agjë përveçse t'i shërbejnë Kauzës Sate. Në livadhet e së vërtetës ata janë si bilbila që ia marrin bukur këngës, dhe në lulishten e udhërrëfimit janë si lule me ngjyra të gjalla. Ata stolisin me lule mistike rruginat e Kopshtit të realitetit; si selvi që përkunden ata veshin brigjet e lumit të Vullnetit Hyjnor. Ata shkëlqejnë si yje të shndritshëm në horizontin e qenies; ata vezullojnë si diej plot dritë në kupën qiellore të botës. Ata janë manifestime të hirit qiellor dhe agime të dritës së ndihmës hyjnore.

Bëj, O Ti Zot dashamirës, që të gjithë ata të qëndrojnë fort e të patundur, duke ndritur me shkëlqim të përjetshëm, që me çdo frymëmarrje të tyre fllade të lehta të fryjnë nga tendat e dashamirësisë Sate, që nga oqeani i hirit Tënd të ngrihet avull dhe reshjet e buta të dashurisë Sate të sjellin freski, dhe zefiri ta përhapë aromën e tij nga trëndafilishtja e unitetit hyjnor.

Na dhuro, O Më i Adhuruari i Botës, një rreze të Shkëlqimit Tënd. O i Shumëdashuri i njerëzimit, lësho mbi ne dritën e Fytyrës Sate.

O Perëndi Fuqiplotë, na mbro Ti e bëhu streha jonë, dhe trego fuqinë Tënde e sundimin Tënd, O zot i Qenies.

O Ti Zot dashamirës, nxitësit e rebelimit në disa vise janë në lëvizje e aktivë, dhe natë e ditë po shkaktojnë një të keqe të madhe.

Si ujqër, tiranët kanë zënë pritë, dhe kopeja e të munduarve, të pafajshmëve nuk kanë as ndihmë e as përpkrahje. Qentë ndjekin gjurmët e gazelave të fushave të unitetit hyjnor, dhe fazanin në malet e udhërrëfimit hyjnor e ndjekin korbat e smirës.

O Ti Provani hyjnore, na ruaj e na mbo! O Ti që je Streha jonë, na shpëto e na jep mbrojtje. Na mbaj nën strehën Tënde, dhe me ndihmën Tënde na shpëto nga të gjitha të këqiat. Ti patjetër je Mbrojtësi i Vërtetë, Rojtari i Padukshëm, Ruajtësi Qiellor dhe Zoti Dashamirës i Qiellit.

O ju të dashurit e Zotit! Nga njëra anë, flamuri i të Vetmit Perëndi të Vërtetë është shpalosur dhe është ngritur Zëri i Mbretërisë. Kauza e Perëndisë po përhapet dhe janë të dukshme në shkëlqimin e tyre mrekullitë nga lart. Lindja është ndriçuar dhe perëndimi është parfumuar; veriu bie erë qelibari gri dhe jugu kundërmon me erë myshku.

Nga ana tjetër, të pabesët tërbohen nga urrejtja e mëria, duke nxitur pa pushim rebelim e prapësira të mëdha. S'kalon ditë që ndonjëri të mos ngrejë flamurin e revoltës dhe të mos sulet me kalin e tij në fushën e sherrit. Nuk kalon orë që nepërka e ligë të mos nxjerrë dhëmbët e të lëshojë helmin e saj vdekjeprurës.

Të dashurit e Zotit janë të veshur me sinqeritetin e devotshmërinë më të madhe, të pavëmendshëm për këtë mëri e ligësi. Të urtë e të butë shtiren këta gjarpërinj, këta ndjellës të së keqes, mashtrues janë ata në hiletë e dhelpërinë e tyre. Ruhuni dhe jini kurdoherë syhapur! Të shkathët e mendjemprehtë janë besnikët, të vendosur e të patundur janë të siguruarit. Veproni me kujdesin më të madh!

'Druajuni mendjemprehtësisë së besnikut, sepse ai sheh me dritën hyjnore'!

Kini mendjen se mos ndonjë shpirt shkakton fshehurazi përçarje ose nxit grindje. Në Kështjellën e Papushtueshme jini luftëtarë trima dhe një ushtri e guximshme për Pallatin Madhështor. Bëni kujdesin më të madh dhe kini mendjen, që tirani të mos shkaktojë ndonjë të keqe.

Studiojeni Tabelën e Detarit të Shenjtë që të mësoni të vërtetën dhe kini parasysh se Bukuria e Bekuar i ka parashikuar plotësisht ngjarjet e ardhshme. Ata që kuptojnë le të nxjerrin mësim. Me të vërtetë kjo është bujari për të sinqertët!

Si pluhur në Pragun e Shenjtë, me përvuajtësinë e përulësinë më të madhe, 'Abdu'l-Bahá-i është angazhuar natë e ditë në shpalljen e shenjave të Tij. Kurdo që gjen kohë, ai lutet me zjarr dhe i përgjërohet Atij me lot ndër sy e tërë pasion, duke thënë:

O Ti Providencë hyjnore, ne jemi për të ardhur keq, na jep mbështetjen Tënde; ne jemi endacakë pa shtëpi, na jep strehën Tënde; jemi të shpërndarë, na bashko; jemi në rrugë të shtrembër, na mblidh në tufën Tënde; jemi të braktisur, na dhuro një pjesë e një hise; jemi të etur, na udhëhiq te burimi i Jetës; jemi të brishtë, na forco që të ngrihemi për të ndihmuar Kauzën Tënde dhe për ta ofruar veten si një sakrificë të gjallë në shtegun e udhërrëfimit.

Megjithatë, të pabesët, ditë e natë, haptas e fshehurazi bëjnë gjithçka munden për të lëkundur themelet e Kauzës, për të çkulur nga rrënjët Pemën e Bekuar, për ta privuar këtë shërbëtor nga shërbimi, për të ndezur rebelim e grindje të fshehta dhe për ta eliminuar e zhdukur krejtësisht 'Abdu'l-Bahá-in. Nga jashtë ata duken si dele, por nga brenda s'janë veçse ujqër grabitqarë. Të ëmbël nga fjalët, ata janë helm vdekjeprurës në zemër.

O ju të dashurit e mi, mbrojeni Kauzën e Perëndisë! Le të mos ju mashtrojnë fjalët e ëmbla - jo, përkundrazi shihni motivin e çdo shpirti dhe peshojeni mendimin që ai nanurit. Jini menjëherë të vëmendshëm e syhapur. Evitojeni atë, por mos jini agresivë! Shmangni qortimet e shpifjet dhe lëreni atë në Dorë të Perëndisë. Lavdia e Lavdive qoftë mbi ju.

234. O ti që je rrëmbyer nga flladet e ëmbla të Zotit! Unë e pashë përmbajtjen e letrës sate elokuente dhe mësova se ti ke derdhur lot dhe zemra jote është ndezur nga hidhërimi për burgosjen e 'Abdu'l-Bahá-it.

O ti shërbëtore e Perëndisë! Ky burg është për mua më i ëmbël e më i dëshiruar sesa një kopsht me lule; për mua kjo robëri është më e mirë se liria që të shkoj në punën time, dhe mua ky vend i ngushtë më duket më i madh se fushat e gjera e të hapura. Mos u hidhëro për mua. Dhe sikur Zoti im të urdhëronte që unë të bekohem me kupën e ëmbël të flijimit, kjo do të thoshte që unë të marr atë që dëshiroj me zjarr më tepër se çdo gjë.

Mos ki frikë nëse kjo Degë ndahet nga kjo botë materiale dhe lëshon gjethet e saj; jo, gjethet e saj do të lulëzojnë, sepse kjo Degë do të rritet pasi të jetë shkëputur nga kjo botë këtu poshtë, ajo do të arrijë majat më të larta të lavdisë dhe do të japë të tilla fryte që do të mbushin botën me erën e tyre të mirë.

235. O Perëndi, Perëndia im! Ndriçoje ballin e të dashurve të Tu të vërtetë dhe mbështeti ata me ushtritë engjëllore të triumfit të sigurt. Vendose fort këmbën e tyre në rrugën Tënde të drejtë dhe me bujarinë Tënde të lashtë hapi para tyre portat e bekimeve të Tua; sepse ata po shpenzojnë në rrugën Tënde atë që Ti u ke dhuruar, duke ruajtur Besimin Tënd, duke besuar në kujtimin Tënd, duke ia ofruar zemrat dashurisë për Ty dhe duke mos e mbajtur atë që zotërojnë, nga adhurimi për Bukurinë Tënde, në kërkim të rrugëve për të të kënaqur Ty.

O Zoti im! Urdhëro që ata të marrin një kompensim të bollshëm, të kenë një hise të paracaktuar dhe një shpërblim të sigurt.

Me të vërtetë Ti je Mbështetësi, Ndihmuesi, Zemërgjeri, Bujari, Gjithmonëdhënësi.

236. O Ti Perëndia im, Që i rrëfen kërkuesit shtegun e drejtë, Që e shpëton shpirtin udhëhumbur e të verbuar nga shkretëtirat e humbjes, Ti Që u dhuron të sinqertëve dhunti e favore të mëdha, Që i mbron të frikësuarit brenda strehës Sate të papushtueshme, Që nga horizonti Tënd suprem i përgjigjesh thirrjes së atyre që të luten Ty. Lëvduar qofsh Ti, O Zoti im! Ti i ke shpëtuar të shpërmendurit nga vdekja e mosbesimit, dhe i ke çuar ata që afrohen pranë Teje tek qëllimi i udhëtimit, dhe i ke gëzuar të siguruarit midis shërbëtorëve të Tu duke u plotësuar dëshirat e tyre më të dashura, dhe nga Mbretëria Jote e bukurisë ke hapur para atyre që përmallohen për Ty portat e ribashkimit, dhe i ke shpëtuar ata nga flakët e privimit e të humbjes - kështu që ata kanë nxituar tek Ti dhe kanë fituar praninë Tënde, kanë arritur te dera jote mikpritëse dhe kanë marrë një hise të bollshme nga dhuratat e Tua.

O Zoti im, ata ishin të etur, Ti çove në buzët e tyre të thara ujërat e ribashkimit. O i Dhembshuri, Dhuruesi, Ti e qetësove dhimbjen e tyre me balsamin e bujarisë e të mirësisë Sate, dhe i shërove sëmundjet e tyre me ilaçin absolut të dhembshurisë Sate. O Zot, Forcoji këmbët e tyre në shtegun Tënd të drejtë, zgjeroje për ta vrimën e gjilpërës dhe bëj që ata, të veshur me rroba mbretërore, të ecin në lavdi për jetë të jetëve.

Me të vërtetë Ti je Zemërgjeri, Gjithmonëdhënësi, i Çmuari, Më Bujari. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Fuqishmit, të Pushtetshmit, të Lartësuarit, Fitimtarit.

O të dashurit e mi shpirtërorë! Lëvduar qoftë Perëndia, ju i keni grisur perdet, keni njohur të Shumëdashurin zemërdhembshur dhe jeni larguar me nxitim nga kjo banesë për në mbretërinë e paanë. Ju i keni ngritur çadrat tuaja në botën e Perëndisë dhe për të madhëruar Atë, të Vetëqenëshmin, keni ngritur zëra të ëmbël e keni kënduar këngë që nguliten në zemër. Shumë mirë! Njëmijë herë shumë mirë! Sepse ju keni soditur Dritën që është bërë e dukshme, dhe në qeniet tuaja të rilindura keni lëshuar thirrjen 'Bekuar qoftë Zoti, më i miri i të gjithë krijuesve'! Ju s'ishit veçse bebe në mitër, pastaj ishit foshnje gjiri, dhe nga një gji i çmuar morët qumështin e dijes, pastaj u rritët plotësisht dhe fituat shpëtimin. Tani është koha e shërbimit, për t'i shërbyer Zotit. Çlirojeni veten prej çfarëdo mendimesh shpërmendëse, jepeni mesazhin me gjuhë elokuente, stolisini kuvendet tuaja me madhërimin e të Shumëdashurit, derisa bujaria të zbresë në vërshime përmbytëse dhe ta veshë botën me blerim e lule të freskëta. Kjo bujari vërshuese janë pikërisht këshillat, paralajmërimet, udhëzimet dhe urdhrat e Perëndisë Fuqiplotë.

O ju të dashurit e mi! Botën e ka mbuluar errësira e thellë e revoltës së hapur dhe e ka përfshirë një stuhi urrejtjeje. Zjarret e dashaligësisë kanë lëshuar flakët e tyre gjer në retë e qiellit, një rrebesh i përgjakur vërshon fushave e kodrave, dhe askush mbi faqen e dheut nuk gjen qetësi. Prandaj miqtë e Perëndisë duhet të mbjellin atë butësi që vjen nga Qielli dhe t'i dhurojnë dashuri në shpirt gjithë njerëzimit. Me çdo shpirt ata duhet të veprojnë sipas këshillave e paralajmërimeve Hyjnore; ndaj të gjithëve duhet të tregojnë dashamirësi e mirëbesim; të gjithëve duhet t'u duan të mirën. Ata duhet të flijojnë vetveten për miqtë e tyre dhe t'u urojnë fat të mbarë armiqve të tyre. Ata duhet të ngushëllojnë dashakeqët dhe t'i trajtojnë me dashamirësi shtypësit e tyre. Ata duhet të jenë si uji freskues për të eturit dhe si një ilaç i shpejtë për të sëmurët, si një balsam shërues për ata që kanë dhimbje dhe si një lehtësim për çdo zemër të rënduar. Ata duhet të jenë një dritë udhërrëfyese për ata që kanë shkuar në rrugë të shtrembër dhe një prijës i sigurt për të humburit. Për të verbërit ata duhet të jenë sy që shohin, për të shurdhërit veshë që dëgjojnë, për të vdekurit jetë e pasosur dhe gëzim i përjetshëm për të dëshpëruarit.

Le t'i nënshtrohen vullnetarisht ata çdo mbreti të drejtë dhe të jenë qytetarë të mirë të çdo sundimtari bujar. Le t'i binden ata qeverisë e të mos përzjehen në punë politike, por t'i përkushtohen përmirësimit të karakterit e të sjelljes, dhe ta ngulin shikimin te Drita e botës.

237. Cilido që e thotë këtë lutje me përunjësi e me zell do të sjellë gëzim e kënaqësi në zemrën e këtij Shërbëtori; madje do të jetë sikur ta ketë takuar atë ballë për ballë.

Ai është Lavdiploti!

O Perëndi Perëndia im! Përunjësisht e me lot në sy, unë i ngre duart me lutje drejt Teje dhe e mbuloj fytyrën në pluhurin e Pragut Tënd, të lartësuar mbi kuptimin e të diturve dhe mbi lavdërimin e të gjithë atyre që të thurin lavde Ty. Vështroje me dashamirësi shërbëtorin Tënd, kokulur e të përunjur në derën Tënde, me syrin e mëshirës Sate, dhe zhyte atë në Oqeanin e hirit tënd të përjetshëm.

Zot! Ai është një shërbëtor i Yti i gjorë e i varfër, i magjepsur e që të përgjërohet Ty, rob në dorën Tënde, që të lutet Ty me zjarr, që e mbështet shpresën tek Ti, i përlotur para fytyrës Sate, që të thërret Ty e të kërkon Ty, duke thënë:

O Zot, Perëndia im! Më dhuro mirësinë Tënde për t'u shërbyer të dashurve të Tu, më forco në shërbimin ndaj Teje, ndriçoje ballin tim me dritën e adhurimit në oborrin Tënd të shenjtërisë dhe të lutjes për Mbretërinë Tënde të madhështisë. Më ndihmo të jem vetëmohues në hyrjen qiellore të portës Sate, dhe më përkrah që të shkëputem nga të gjitha gjërat brenda rrethinave të Tua të shenjta. Zot! Më jep të pi nga kupa e vetëmohimit; më vish me rrobën e tij dhe më zhyt në oqeanin e tij. Më bëj si pluhur në shtegun e të dashurve të Tu, bëj që unë të ofroj shpirtin tim për dheun e fisnikëruar nga hapat e të zgjedhurve të Tu në shtegun Tënd, O Zot i Lavdisë Më të Lartë.

Me këtë lutje shërbëtori Yt të thërret Ty, në të gdhirë të ditës e në kohë nate. Plotësoje dëshirën e zemrës së tij, O Zot! Ndriçoje zemrën e tij, gëzoje gjoksin e tij, ndize dritën e tij, që ai t'i shërbejë Kauzës Sate e shërbëtorëve të Tu.

Ti je Dhuruesi, Përdëllenjësi, Bujariploti, i Hirshmi, i Mëshirshmi, Zemërdhembshuri.

SHËNIME PËR
PËRKTHIMIN
PASAZHE TË PËRKTHYERA (NË ANGLISHT) NGA RUAJTËSI

Kurdoherë që një pasazh në një prej Tabelave ka qenë përkthyer nga Ruajtësi [në anglisht], është përdorur ai përkthim (shih më poshtë). Një përdorim i gjerë është bërë gjithashtu veçanërisht në ato pjesë të përkthimeve shumë të hershme që janë ripërkthyer nga Komiteti dhe të shënimeve të bëra nga Shoghi Effendi-u gjatë jetës së 'Abdu'l-Bahá-it.

Seksion

5 'Le të mos shqetësohen...' deri te '...të engjëjve Tanë të zgjedhur'.

5 'Mos u tronditni...' deri te '...Fjalën Time midis njerëzve'.

12 I gjithë seksioni

15 'Në ciklet e shkuara...' deri te '...shkrirë në një.'

15 'Po kështu...' deri te '... në realizimin e tyre.'

20 I gjithë seksioni

35 'O ushtri e Perëndisë! Nëpërmjet...' deri te '...Besëlidhjes dhe Testamentit të Perëndisë.'

38 'Këto Asamble Shpirtërore...' deri te '...në të gjitha rrethanat'.

42 'Kurdoherë që hyni...' deri te '...Zemërdhembshuri'.

43 I gjithë seksioni
44 I gjithë seksioni
45 I gjithë seksioni
52 I gjithë seksioni
175 I gjithë seksioni
176 I gjithë seksioni
194 I gjithë seksioni

198 'Unë kurrë nuk kam kaluar...' deri te '...kryqëzonin trupin Tim mbi ty!'

202 'Ballkani do të mbetet...' deri te '...Ndikimi i saj do të përhapet.

204 I gjithë seksioni
208 I gjithë seksioni

214 'Jo çdo gjë ...' deri te '...e atyre që e dëgjojnë'16.

218 'Ne ju vështrojmë...' deri te '...të engjëjve Tanë më të dashur'.

222 I gjithë seksioni
225 'Shih lulet...' deri te '...bukurinë e tyre'.

225 'Sa e pakëndshme...' deri te '...të bijve të njerëzve'.

229 I gjithë seksioni

234 'Mos ki frikë...' deri te '...me erën e tyre të mirë'.

237 I gjithë seksioni
Seksione të përkthyera nga Mirzaeh Gail-i
1-4 76 148-163
6-10 79 174
15-17 84-87 181-182
19 90-92 188
21-29 94-97 190-191
31 99-111 193
33 113-114 195-196
35-42 118-119 198-203
47-51 121-123 205-207
53-61 129 209-210
64-65 134 216-221
72-74 137-146 234-236

Seksione të përkthyera nga një komitet në Qëndren Botërore, basuar në përkthimet e mëparshme.

5 77-78 147
11 80-83 164-173
13-14 88-89 177-180
18 93 183-187
30 98 189
32 112 192
34 115-117 197
46 120 211-215
62-63 124-128 223-228
66-71 130-133 230-233
75 135-136
1 Kurani 60:13
2 Mateu 22:14
3 Kurani 57:21
1 Kurani 17:81
1 Kurani 15:72

2 Kurani 39:68; Letër për të Birin e Ujkut, f. 133.

3 Kurani 74:8
4 Kurani 39:68
5 Kurani 79:6
6 Kurani 22:2
7 Kurani 34:39
8 Kurani 29:19
9 Kurani 79:34
1 Kurani 6:91; 52:12
1 Napoleonit III

1 Besohej se ky ishte engjëlli i caktuar t'i binte borisë në Ditën e Ringjalljes për të ngritur të vdekurit me urdhër të Perëndisë.

1 Hukukullah-u [Ḥuqúqu'lláh].
1 Kurani 6:103
1 Kurani 17:110
2 Gjoni 14:11
3 Gjoni 14:10
4 Kurani 6:91

1 Shkruar posaçërisht për veprën e pavdekshme të Dr. Esslemontit, Bahá'u'lláh-u dhe Epoka e Re.

2 Sabat quhet e shtuna hebraike, që hebrenjtë e kanë ditë pushimi. (Shën. i përkth.)

1 Gjoni 6:51, 58
1 Shih Gjoni 15:26; 16:12-13

2 Lidhur me këtë Tabelë, sekretari i Shoghi Effendi-ut ka shkruar në emër të tij më 9 maj 1938, '... duket sheshit se kjo i referohet Báb-it, siç e tregon qartë teksti, dhe kurrsesi nuk është referencë për Swedenborg-un'.

1 Jezusin.

1 Qytete në Kinë të famshme për kafshët e tyre myshk-prodhuese.

1 Tërmeti i vitit 1906

*) Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, në astronomi "Shenjëzat" apo "Plejadat" janë një grup yjesh në një nga yjësitë, që duken me sy të lirë. Këtu përdoret në kuptimin figurativ të diçkaje të shkëlqyeshme e shumë të bukur. (Shën. i përkth.)

*) E një Asambleje Shpirtërore
5 Bahá'í-të e Naxhaf Abad-it [Najaf-Ábád]
6 Muhametit

7 Shahnáz, emri që i është dhënë marrësit të kësaj Tabele, është gjithashtu emri i një tonaliteti muzikor.

8 Një artikull nga libri i Endru Karnexhit [Andrew Carnegie] Ungjilli i Pasurisë është botuar në Angli në Pall Mall Budget dhe është quajtur Ungjilli i Pasurisë; shih Autobiografinë e Endrju Karnexhit, 255n.

9 Kurani 36:36, shih edhe 51:49

1 Kurani 25:55, 35:13, 55:19-25. Shih gjithashtu Lutjen e Martesës të reveluar nga 'Abdu'l-Bahá-i, që fillon me fjalët 'Ai është Perëndia! O Zot i pashoq! Me urtinë Tënde të gjithëfuqishme Ti u ke urdhëruar njerëzve martesën...'

2 Shih Përgjigje për disa pyetje, #81:9, lidhur me komentet e 'Abdu'l-Bahá-it për harkun e zbritjes e të ngjitjes.

1 Pemë tropikale kacavjerrëse, që jep fruta të hidhura. - Shën. i përkth.

2.Shih Kurani 37:60 (pema e Zakum-it [Zaqqúm] )

3 Shih Kurani 24:35 (është fjala për drurin e ullirit)

1 Zanafilla 1:26

1 Një klasë fëmijësh Bahá'í në Kenosha, Viskonsin.

1 Kurani 25:50
2 Shih Gjoni 3:5
1 Shih Kuranin 39:57.
1 Sikhët
1 Mateu 17:1-19; Marku 9:2-9; Lluka 9:28-36.
10 Gjoni 6:38
11 Gjoni 3:13
12 Báb-i, kr. Përgjigje për disa pyetje, #13.
13 Gjermani
1 Shih Kurani 3:35; 2:254
14 shih Kurani 36:26-27
1 Oqeani Paqësor
15 Mateu 19:24; Marku 10:25
1 30 shtator 1912.
1 në Bahxhi.
1 Kurani 24:39
1 Gjon Pagëzori
1 Kurani 36:29

1 Kurani 20:12. E quajtur edhe 'Lugina e Shenjtë'.

2 Shih Kurani 4:80

1 Kjo letër ishte nënshkruar nga katërqind e njëzet e dy besimtarë në Amerikë dhe ishte dërguar më 4 korrik 1905.

1 Gjoni 18:11
1 Kurani 67:3
1 Kurani 24:35
2 Shih Kurani 28:29
3 Kurani 76:5

1 Kurani 26:31; 26:44; i referohet shkopit të Moisiut dhe magjistarëve.

2 Kurani 61:4
1 Báb-i
1 Kurani 67:3
1 Kurani 2:69
1 Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, #72
1 Kurani 76:5

1 Kjo është pjesa e parë e përgjigjes së 'Abdu'l-Bahá-it për një letër drejtuar Atij nga Komiteti Ekzekutiv i Organizatës për një Paqe të Qëndrueshme. Kjo Tabelë, që Shoghi Effendi-u në Perëndia Kalon Pranë e ka cilësuar si të një 'rëndësie tepër të madhe', dhe që mban datën 17 dhjetor 1919, iu dërgua Komitetit në Hagë nga një delegacion i posaçëm.

*) Në arabisht me këtë term fjala është për një Asamble të njerëzve të pasur e të shquar. Sipas 'Abdu'l-Bahá-it, në çdo vend do të ketë 3 asamble apo kuvende: Parlamenti, Pleqësia apo Këshilli i të urtëve, dhe Asambleja e njerëzve të pasur e të shquar.

16 Kjo është një traditë, e cila është cituar nga Bahá'u'lláh-u (shih Qëmtime, #89) dhe gjithashtu është cituar nga 'Abdu'l-Bahá-i në Tabelën e përmendur në përmbledhjen e përgatitur nga Shtëpia Universale e Drejtësisë 'Mëshimdhënia'.

---------------

------------------------------------------------------------

---------------

------------------------------------------------------------

60 SHKRIME TË 'Abdu'l-Bahá-IT
SHKRIME TË 'Abdu'l-Bahá-IT 61
370 SHËNIME PËR PËRKTHIMIN

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :