More Books by Shtëpia Universale e Drejtësisë

Dokument 2000-02 Institutët e trajnimit dhe rritja sistematike
Dokument 2000-07 Edukimi shpirtëror i fëmijëve dhe paratërinjve
Dokument 2003-04 Shtimi i vrullit
Letër 1988-12-05 Këshilltarëve kontinentale
Letër 2000-06-27 AShK-së së Shqipërisë
Letër 2001-01-09 Konferencës së Trupave Kontinentale të Këshilltarëve
Letër 2001-01-16 Bahá'í-ve të botës
Letër 2001-11-12 Asambleve Shpirtërore Kombëtare
Letër 2001-11-26 Këshilltarëve kontinentale
Letër 2002-01-10 Bahá'í-ve të botës
Letër 2002-05-01 Këshilltarëve kontinentale
Letër 2002-06-11 Asambleve Shpirtërore Kombëtare
Letër 2002-11-11 Komitetëve të të Rinjve Bahá'í të Europës
Letër 2003-01-17 Bahá'í-ve të botës
Letër 2005-12-27 Konferencës së Trupave Kontinentale të Këshilltarëve
Letër 2006-12-21 Bahá'í-ve të Egjiptit
Letër 2007-03-09 Bahá'í-ve të botës
Letër 2007-03-25 Bahá'í-ve të botës
Letër 2008-05-13 Bahá'í-ve të botës
Letër 2008-05-19 Ndjekësve të patundur ... të Iranit
Letër 2008-06-20 Besimtarëve në Djepin e Besimit
Letër 2008-07-28 Besimtarëve në Djepin e Besimit
Letër 2008-10-20 Bahá'í-ve të botës
Letër 2009-05-17 Asambleve Shpirtërore Kombëtare
Letër 2009-06-23 Bahá'í-ve të Iranit
Letër 2010-12-28 Konferencës së Bordeve Kontinentale të Këshilltarëve
Letër 2011-01-01 Bahá'í-ve të botës
Letër 2011-03-21 Besimtarëve në Djepin e Besimit
Letër 2011-12-12 Asambleve Shpirtërore Kombëtare
Mesazhi i ndërrimit jetë, Alí Akbar Furutan (2003-12)
Mesazhi Konferencës Rajonale në Stamboll (2009-02)
Mesazhi Kuvendit #09 Kombëtare e Shqipërisë 2000
Mesazhi Kuvendit #11 Kombëtare e Shqipërisë 2002
Mesazhi Naw-Rúz·it 2009 (166)
Mesazhi udhëheqësve fetarë të botës
Trajnim për ekipet e mësimdhënies (2006)
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Shtëpia Universale e Drejtësisë : Mesazhi udhëheqësve fetarë të botës

SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË Prill 2002 UDHËHEQËSVE FETARË TË BOTËS, Trashëgimia e qëndrueshme e shekullit të njëzetë është se ai i detyroi popujt e botës të fillonin ta shohin veten si pjesëtarë të një gjinie të vetme njerëzore, dhe tokën si atdheun e tyre të përbashkët. Pavarësisht nga konflikti dhe dhuna e vazhdueshme që nxijnë horizontin, paragjykimet, që dikur dukej sikur ishin në vetë natyrën e llojit njerëzor, janë kudo në tërheqje. Bashkë me to po rrëzohen edhe barrierat që prej një kohe tepër të gjatë e kishin përçarë familjen njerëzore, duke e shndërruar atë në një babiloni identitetesh të shkëputura me prejardhje kulturore, etnike ose kombëtare. Që një ndryshim kaq rrënjësor mundi të ndodhë brenda një periudhe kaq të shkurtër – praktikisht brenda një nate në perspektivën historike – të bën të mendosh për përmasat e mundësive në të ardhmen. Në mënyrë tragjike, feja e organizuar, vetë arsyeja e ekzistencës së të cilës nënkupton shërbimin ndaj kauzës së vëllazërimit e të paqes, shumë shpesh bëhet një nga pengesat më të vështira për t’u kapërcyer në këtë rrugë; si shembull mund të shërbejë fakti i dhimbshëm që besimi tek ajo është përdorur për një kohë të gjatë si mbulesë e fanatizmit. Si organi drejtues i njërës prej feve botërore, e ndiejmë për detyrë të bëjmë thirrje për të shqyrtuar seriozisht sfidën që kjo çështje shtron para udhëheqjeve fetare. Si vetë kjo çështje, ashtu edhe rrethanat që rrjedhin prej saj, kërkojnë që ne të flasim në mënyrë të çiltër. Ne besojmë se shërbimi i përbashkët ndaj Hyjnores do të jetë garanci se ajo që themi do të pranohet në të njëjtën frymë të vullnetit të mirë, siç është parashtruar. Kjo çështje del fare qartë në pah kur shqyrton arritjet në fushat e tjera. Në të kaluarën, me disa përjashtime të rralla, gratë shiheshin si qenie inferiore, natyra e tyre ishte e rrethuar me paragjykime, atyre u ishte mohuar mundësia për të shpalosur potencialet e shpirtit njerëzor dhe roli i tyre ishte katandisur në atë të shërbimit për nevojat e burrave. Është e qartë se ka ende shumë shoqëri ku kushte të tilla vazhdojnë të ekzistojnë, madje edhe mbrohen me fanatizëm. Megjithatë, po të flasim në nivel global, koncepti i barazisë së sekseve, në fakt, ka marrë tashmë fuqinë e një parimi të pranuar botërisht. Ky parim gëzon të njëjtin autoritet edhe në shumicën e qarqeve akademike e të mjeteve të informimit masiv. Kaq thelbësor ka qenë rishqyrtimi i kësaj çështjeje, saqë përkrahësve të supremacisë mashkullore u duhet të kërkojnë mbështetje në skajet e opinionit të përgjegjshëm. Batalionet e shpartalluara të nacionalizmit përballen me të njëjtin fat. Me çdo krizë që kalon bota, për qytetarin është gjithnjë e më e lehtë të bëjë dallimin midis dashurisë për vendin, që e pasuron jetën e njeriut, dhe nënshtrimit ndaj retorikës nxitëse që ka si qëllim të ngjallë urrejtje për të tjerët dhe frikë prej tyre. Edhe aty ku është e volitshme të marrësh pjesë në ritet e njohura nacionaliste, në reagimin e publikut vihen re po aq ndjenja e zorit sa edhe bindjet e forta dhe entuziazmi i gatshëm i kohëve të mëparshme. Efektin e përforcon ristrukturimi i vazhdueshëm që po kryhet në rendin ndërkombëtar. Cilatdo qofshin të metat e sistemit të Kombeve të Bashkuara në formën e tyre të sotme, dhe sado e kufizuar që të jetë aftësia e tyre për të ndërmarrë veprime ushtarake kolektive kundër agresionit, askush nuk mund të mos vërë re faktin që idhulli i sovranitetit kombëtar absolut ka hyrë në rrugën e zhdukjes. Paragjykimet raciale dhe etnike u janë nënshtruar një ndikimi po aq të menjëhershëm nga proceset historike, të cilave iu ka sosur durimi ndaj pretendimeve të tilla. Këtu flakja e së kaluarës ka qenë veçanërisht e vendosur. Racizmi është tashmë i njollosur për shkak të lidhjes së tij me tmerret e shekullit të njëzetë, deri në atë shkallë sa është bërë si një sëmundje shpirtërore. Ndërsa mbijeton në shumë pjesë të botës si qëndrim shoqëror – dhe si një plagë në jetën e një pjese të madhe të njerëzimit, – paragjykimi racial është dënuar në parim në një shkallë të tillë, saqë asnjë grup njerëzish nuk mund t’ia lejojë më vetes të njëjtësohet me të pa pasur pasoja. Jo se një e kaluar e errët është fshirë dhe një botë e re drite ka lindur papritmas. Ka mori njerëzish që vazhdojnë të mbajnë mbi kurriz pasojat e paragjykimeve të rrënjosura të etnisë, gjinisë, kombësisë, të kastës e të klasës. Gjithçka dëshmon se padrejtësi të tilla do të vazhdojnë gjatë, sepse institucionet dhe standardet që po përpunon njerëzimi vetëm ngadalë po fuqizohen për të ndërtuar një rend të ri marrëdhëniesh dhe për të lehtësuar fatin e të shtypurit. Më tepër duhet thënë se është kapërcyer një prag, prej të cilit kthimi prapa duket i pamundur. Parime themelore janë përcaktuar, janë thënë qartë, u është dhënë publicitet i gjerë dhe shkallë-shkallë po mishërohen në institucione të afta për t’i imponuar ato në sjelljen publike. Padyshim, sado e zgjatur dhe e dhimbshme të jetë lufta, rezultati i saj do të jetë revolucionarizimi i marrdhënieve midis gjithë popujve në nivelin bazë. Në fillimin e shekullit të njëzetë, paragjykimi që dukej sikur kishte më shumë të ngjarë se të tjerët të gjunjëzohej para forcave të ndryshimit, ishte ai fetar. Në Perëndim, qysh më parë arritjet shkencore ishin sjellë ashpër me disa nga shtyllat qendrore të ekskluzivitetit sektar. Në kontekstin e transformimeve që po ndodhnin në vetë konceptin e racës njerëzore për vetveten, zhvillimi i ri më premtues në fushën e fesë u duk se ishte lëvizja ndërfetare. Në vitin 1893, Ekspozita Botërore e Kolumbias befasoi edhe organizatorët e saj ambiciozë, duke nxjerrë në dritë të famshmin “Parlament të Feve”, një vizion mirëkuptimi shpirtëror e moral, që ndezi imagjinatën e popujve në të gjitha kontinentet dhe arriti të eklipsonte edhe mrekullitë shkencore, teknologjike e tregtare që Ekspozita ngrinte në qiell. Me një fjalë, u duk sikur muret e lashta ranë. Për mendimtarët me influencë në fushën e fesë, ai tubim ishte i pashoq, “i paprecedent në historinë e botës”. Parlamenti, sipas fjalëve të organizuesit kryesor të shquar të tij, “e çliroi botën nga fanatizmi”. Një udhëheqje plot imagjinatë, siç u parashikua me bindje të plotë, do të shfytëzojë mundësinë dhe do të zgjojë në komunitetet fetare të tokës, të përçara për një kohë të gjatë, një frymë vëllazërimi që mund të sigurojë mbështetjen e duhur morale për botën e re të begatisë e të progresit. Duke marrë këtë mbështetje, lëvizje ndërfetare të çdo lloji hodhën rrënjë e lulëzuan. Një literaturë e bollshme, e disponueshme në mjaft gjuhë, i paraqiti një publiku gjithnjë e më të gjerë, si besimtarësh ashtu edhe jo-besimtarësh, mësimet e të gjitha feve kryesore. Ky interesim, me kalimin e kohës, u kap edhe nga radioja, televizioni, kinematografia e, së fundmi, edhe nga Interneti. Institucionet e arsimit të lartë ndërmorën programe kualifikimi për studimin e fesë krahasuese. Andej nga fundi i shekullit, shërbimet ndërfetare të kultit, që vetëm disa dhjetëravjeçarë më parë as që mund të mendoheshin, po bëheshin një dukuri e zakonshme. Mjerisht, është e qartë se këtyre nismave u mungon si koherenca intelektuale ashtu edhe angazhimi shpirtëror. Në të kundërtën e proceseve të bashkimit, të cilat po transformojnë pjesën tjetër të marrëdhënieve shoqërore të njerëzimit, mendimi se të gjitha fetë e mëdha të botës janë të barazvlefshme për nga natyra e prejardhja, kundërshtohet me kokëfortësi nga shabllone të rrënjosura të mendimit sektar. Përparimi në fushën e integrimit racial përbën një zhvillim që nuk është thjesht një shprehje ndieshmërie ose strategjie, por buron nga pranimi i faktit që popujt e tokës përbëjnë një lloj të vetëm, varietetet e shumta të të cilit, në vetvete, nuk u japin ndonjë epërsi dhe as u imponojnë ndonjë kufizim, pjesëtarëve individualë të racës. Po kështu, emancipimi i grave ka kërkuar gatishmërinë si të institucioneve të shoqërisë dhe të opinionit të gjerë për të pranuar se nuk ka arsye të pranueshme – biologjike, sociale ose morale – që të justifikojnë mohimin grave të barazisë së plotë me burrat, dhe mohimin vajzave që të kenë mundësi të njëjta me djemtë për shkollim. Po kështu, edhe njohja e kontributit që po japin disa vende në formimin e një qytetërimi botëror në zhvillim nuk mund të mbështesë iluzionin e trashëguar se kombet e tjera mund të japin pak, ose aspak, në këtë proces. Me sa duket, udhëheqjet fetare, në pjesën më të madhe, janë të paafta të ndërmarrin një riorientim kaq themelor. Segmente të tjera të shoqërisë i përqafojnë rrjedhojat e njëshmërisë së njerëzimit jo vetëm si hapin tjetër të pashmangshmëm në avancimin e qytetërimit, por edhe si realizim të njëjtësive të gjithfarshme më të vogla me të cilat gjinia jonë njerëzore i afrohet këtij çasti kritik të historisë sonë të përbashkët. E përsëri, pjesa më e madhe e fesë së organizuar qëndron në pragun e së ardhmes e paralizuar, e mbërthyer pas vetë atyre dogmave e pretendimeve për zotërim të privilegjuar të së vërtetës, të cilat kanë qenë shkaktaret e krijimit të disa prej konflikteve më të egra që kanë përçarë banorët e tokës. Përsa i përket mirëqenies njerëzore, pasojat kanë qenë shkatërrimtare. Nuk është e nevojshme, sigurisht, të citojmë me hollësi tmerret që u duhet të përjetojnë sot popullatave fatkeqe nga shpërthimet e fanatizmit, të cilat i nxijnë faqen emrit të fesë. Dhe kjo dukuri nuk është diçka e kohëve të fundit. Po marrim vetëm një shembull nga shumë të tillë – luftërat fetare të shekullit të gjashtëmbëdhjetë në Evropë, që i kushtuan kontinentit jetën e rreth tridhjetë përqind të krejt popullsisë së tij. Duhet të pyesim veten se cilat kanë qenë të korrat më afatgjata të farës së mbjellur në ndërgjegjen popullore nga forcat e verbëra të dogmatizmit sektar që kanë frymëzuar konflikte të tilla. Kësaj llogarie duhet t’i shtohet edhe tradhtia e jetës së mendjes, e cila, më shumë se çdo faktor tjetër, e ka plaçkitur fenë nga aftësia që ajo zotëron natyrshëm për të luajtur një rol vendimtar në formimin e punëve të botës. Institucionet fetare, të angazhuara në programe që çojnë dëm e zhvleftësojnë energjitë njerëzore, shumë shpesh kanë qenë shkaktarët kryesorë që kanë penguar eksplorimin e realitetit dhe ushtrimin e atyre aftësive intelektuale që shquajnë njerëzimin. Dënimi i materializmit ose i terrorizmit nuk jep ndonjë mbështetje reale për të përballuar krizën e sotme morale, në qoftë se ato nuk fillojnë duke e pranuar sinqerisht se nuk kanë përmbushur detyrimet e veta, gjë që i ka lënë masat e besimtarëve të pambrojtura e të prekshme nga këto ndikime. Sado të dhimbshme qofshin, këto reflektime nuk përbëjnë një akuzë ndaj fesë së organizuar, por më tepër shërbejnë si rikujtim i fuqisë së pashoqe që ajo përfaqëson. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se feja depërton deri në rrënjët e motivimit. Kur ajo i ka qëndruar besnike frymës dhe shembullit të Figurave të përkryera që i dhanë botës sistemet e saj të mëdha të besimit, ajo ka zgjuar në popuj të tërë aftësinë për të dashur, për të falur, për të krijuar, për të guxuar, për të kapërcyer paragjykimet, për të sakrifikuar në të mirën e përbashkët dhe për të mbajtur nën fre impulset e instinkteve shtazarake. Nuk ka dyshim se forca krijuese në qytetërimin e natyrës njerëzore ka qenë ndikimi i vazhdimësisë së këtyre Manifestimeve të Hyjnores, ndikim që shkon pas deri në fillimet e analeve të historisë. Po kjo forcë, që vepronte me një efekt të tillë në epokat e shkuara, mbetet një tipar i pashuar i ndërgjegjes njerëzore. Me gjithë pengesat dhe pa shumë inkurajim të vërtetë, ajo vazhdon të mbështesë luftën për mbijetesë të miliona e miliona njerëzve, dhe të frymëzojë në të gjitha vendet heronj dhe shenjtorë, jeta e të cilëve është përligjja më bindëse e atyre parimeve që përmbahen në shkrimet e besimeve të tyre respektive. Ashtu siç e tregon rrjedha e qytetërimit, feja është gjithashtu e aftë të ndikojë thellësisht mbi strukturën e marrëdhënieve shoqërore. Do të ishte me të vërtetë e vështirë të mendohet ndonjë përparim themelor i qytetërimit i cili të mos e ketë marrë shtytjen e tij morale nga ky burim i përjetshëm. A është e konceptueshme, pra, që kalimi në fazën kulmore të procesit mijëravjeçar të organizimit të planetit të mund të kryhet në një vakuum shpirtëror? Në qoftë se ideologjitë e mbrapshta, të cilave në botën tonë iu la fushë e lirë veprimi gjatë shekullit që sapo kaloi, nuk sollën asnjë dobi tjetër, ato të paktën treguan përfundimisht se ajo për të cilën ka nevojë sot nuk mund të plotësohet nga alternativa që qëndrojnë brenda rrethit të aftësisë shpikëse të njeriut. Rrjedhojat për ditën e sotme janë përmbledhur nga Bahá’u’lláh-u në këto fjalë të shkruara mbi një shekull më parë dhe të përhapura gjerësisht në dhjetëvjeçarët e mëvonshëm: Nuk ka dyshim se popujt e botës, të çfarëdo race ose feje qofshin, e marrin frymëzimin nga i vetmi Burim qiellor dhe janë nënshtetas të të vetmit Perëndi. Ndryshimi midis porosive që ata ndjekin shpjegohet me nevojat e kërkesat e ndryshme të epokës në të cilën ato janë reveluar. Të gjitha ato, me përjashtim të disave që janë fryt i mbrapshtisë njerëzore, janë urdhëruar nga Perëndia dhe janë pasqyrim i Vullnetit e i Qëllimit të Tij. Ngrihuni dhe, të armatosur me fuqinë e Besimit, bëjini copë e thërrime perënditë e imagjinatave tuaja të kota, që mbjellin përçarje midis jush. Përmbajuni asaj që ju afron e ju bashkon. Një thirrje e tillë nuk fton për të braktisur besimin në të vërtetat themelore të secilit prej sistemeve të mëdha botërore të besimit. Krejt në të kundërtën. Besimi ka imperativin e tij dhe është justifikimi i vetvetes. Ajo që të tjerët besojnë – ose nuk besojnë – nuk mund të jetë kriter për ndërgjegjen e asnjë njeriu që e meriton këtë emër. Ajo për të cilën fjalët e mësipërme bëjnë thirrje në mënyrë të padyshimtë është heqja dorë nga të gjitha pretendimet për ekskluzivitet ose për karakter përfundimtar, të cilat, duke i përdredhur rrënjët e tyre rrotull jetës së shpirtit, kanë qenë faktori i vetëm tepër i fuqishëm në mbytjen e impulseve të unitetit dhe në nxitjen e urrejtjes e të dhunës. Ne kemi bindjen se udhëheqësit e fesë duhet t’i përgjigjen kësaj sfide historike, në qoftë se udhëheqja fetare dëshiron që ajo të ketë kuptim në shoqërinë globale që po lind përmes përvojave transformuese të shekullit të njëzetë. Shihet qartë se një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po e kuptojnë se e vërteta që përshkon të gjitha fetë, në thelbin e saj është një e vetme. Kjo njohje nuk arrihet përmes zgjidhjes së polemikave teologjike, por si ndërgjegjësim intuitiv që vjen nga përvoja gjithnjë e më e gjerë e të tjerëve dhe nga agimi i pranimit të njëshmërisë së vetë familjes njerëzore. Nga lëmshi i doktrinave, riteve dhe kodeve ligjore fetare të trashëguara nga botë të zhdukura, po lind ndjenja se jeta shpirtërore, po ashtu si dhe njëshmëria e shfaqur në kombësi, raca dhe kultura të ndryshme, përbën një realitet të pakufizuar, të hapur në të njëjtën shkallë për çdo njeri. Me qëllim që ky perceptim i përhapur por ende i druajtur të konsolidohet dhe të kontribuojë në mënyrë efektive në ndërtimin e një bote paqësore, ai duhet të ketë mbështetjen e çiltër të atyre që, edhe në këtë orë të vonë, masat e popullsisë së tokës u drejtohen për udhëheqje. Ka sigurisht dallime të mëdha midis rrymave fetare kryesore të botës përsa u përket predikimeve shoqërore dhe formave të adhurimit. Vështirë se mund të ishte ndryshe, duke mbajtur parasysh mijëra e mijëra vjet gjatë të cilëve revelacionet e njëpasnjëshme të Hyjnores u janë përgjigjur nevojave në ndryshim të një qytetërimi në evoluim të vazhdueshëm. Me të vërtetë, një tipar i qenësishëm i shkrimeve të shumicës së besimeve kryesore del se është shprehja, në këtë ose atë formë, e parimit të natyrës evoluese të fesë. Ajo që nuk mund të justifikohet moralisht është manipulimi i trashëgimive kulturore, të cilat kanë pasur si qëllim të pasurojnë përvojën shpirtërore, si një mjet për të ngjallur paragjykime e ftohje. Detyra parësore e shpirtit do të jetë gjithmonë studimi i realitetit, të jetuarit në përputhje me të vërtetat që e kanë bindur atë dhe respektimi i plotë i përpjekjeve të të tjerëve për të bërë të njëjtën gjë. Mund të bëhet vërejtja që, në qoftë se të gjitha fetë e mëdha pranohen si të njëjta për nga prejardhja Hyjnore e tyre, atëherë rrjedhimi do të jetë inkurajimi, ose të paktën lehtësimi, i konvertimit të masave të njerëzve nga një fe në tjetrën. Është ose jo e vërtetë kjo, me siguri ka rëndësi të dorës së dytë, kur e krahason me mundësinë që historia u ka dhënë më në fund atyre që janë të vetëdijshëm për një botë e cila e kapërcen atë tokësore – dhe kur e krahason me përgjegjësinë që imponon kjo vetëdijë. Secili nga besimet e mëdha mund të sjellë dëshmi mbresëlënëse e të besueshme përsa i përket efikasitetit të vet në edukimin e karakterit moral. Po kështu, askush nuk mund të tregojë në mënyrë bindëse se doktrinat e pranishme në një sistem besimi të caktuar kanë qenë më shumë ose më pak pjellore për të prodhuar besim të verbër e bestytni, në krahasim me doktrinat e pranishme në sistemet e tjera. Në një botë që po integrohet është e natyrshme që modelet e sjelljes e të bashkëveprimit do t’i nënshtrohen një procesi të vazhdueshëm ndryshimi, dhe roli i institucioneve të çdo lloji, është padyshim që të shohin si të shfrytëzohen këto zhvillime për të nxitur e mbështetur unitetin. Garancia që rezultati përfundimtar do të jetë i shëndoshë – shpirtërisht, moralisht dhe shoqërisht – varet nga besimi i qëndrueshëm i masave të banorëve të tokës që s’u është marrë mendimi, se gjithësia nuk qeveriset nga tekat njerëzore, por nga një Providencë e dashur dhe e përherëpranishme. Bashkë me shembjen e barrierave që ndajnë popujt, epoka jonë është dëshmitare e rrëzimit të një muri, njëherë e një kohë të pakapërcyeshëm, i cili, siç mendohej në të kaluarën, do të ndante përgjithmonë jetën e Qiellit nga jeta e Tokës. Shkrimet e të gjitha feve gjithmonë e kanë mësuar besimtarin ta shohë shërbimin ndaj të tjerëve jo vetëm si një detyrim moral, por edhe si një rrugë të gjerë të qasjes së vetë shpirtit pranë Perëndinë. Sot, ristrukturimi progresiv i shoqërisë i jep këtij mësimi të njohur dimensione të reja për nga kuptimi. Ndërkohë që premtimi shekullor për një botë të frymëzuar nga parimet e drejtësisë po merr dalngadalë karakterin e një objektivi të arritshëm, përmbushja e nevojave të shpirtit dhe plotësimi i atyre të shoqërisë do të shihen gjithnjë e më shumë si aspekte të ndërsjella të një jete shpirtërore të pjekur. Në qoftë se udhëheqja fetare do ta pranojë sfidën që përfaqëson ky perceptim i fundit, një përgjigje e tillë duhet të fillojë me pranimin e faktit që feja dhe shkenca janë dy sisteme të domosdoshme dije, nëpërmjet të cilave zhvillohen potencialet e ndërgjegjes. Këto dy mënyra themelore të njohjes së realitetit nga ana e mendjes, jo vetëm nuk janë në konflikt me njëra-tjetrën, por janë madje të ndërvarura nga njëra-tjetra dhe kanë qenë më prodhimtaret në ato periudha të rralla por fatlume të historisë, kur është njohur natyra e tyre reciprokisht plotësuese dhe ato kanë qenë në gjendje të punojnë së bashku. Intuitat dhe shprehitë e përftuara nga përparimi shkencor, që të sigurojnë zbatimin e përshtatshëm të tyre, duhet të mbështeten gjithmonë në udhëheqjen e parimeve shpirtërore e morale; kurse bindjet fetare, sado të shtrenjta që të jenë, duhet t’i nënshtrohen me dëshirë e mirënjohje provës së paanshme nga ana e metodave shkencore. Arrijmë, më në fund, në një çështje së cilës i përqasemi me njëfarë druajtjeje, pasi ka të bëjë drejtpërsëdrejti me ndërgjegjen. Midis shumë tundimeve që ofron bota, sprova që, aspak në mënyrë të papritur, i ka shqetësuar udhëheqësit fetarë, është ajo e ushtrimit të pushtetit në çështjet e besimit. Askush nga ata që i kanë përkushtuar vite të tëra përsiatjes dhe studimit të zellshëm të shkrimeve të njërës ose tjetrës ndër fetë e mëdha, nuk ka nevojë t’i rikujtohet aksioma e shumëpërsëritur se pushteti ka potencialin për të korruptuar, dhe për ta bërë këtë në një masë gjithnjë e më më të madhe sa më shumë rritet pushteti. Fitoret e brendshme të pashpallura, të arritura në këtë fushë nga klerikë të panumërt në të gjitha kohërat, kanë qenë padyshim një nga burimet kryesore të forcës krijuese të fesë së organizuar dhe duhet të vlerësohen si një ndër shquarsitë më të larta të saj. Në të njëjtën shkallë, tërheqja pas joshjes së pushtetit e të përfitimeve tokësore, nga ana e udhëheqësve të tjerë fetarë, ka kultivuar një terren pjellor për kultivimin e cinizmit, të korrupsionit, si dhe të dëshpërimit midis të gjithë atyre që e shohin këtë. Sesi ka ndikuar kjo mbi aftësinë e udhëheqjes fetare për të përmbushur përgjegjësinë e saj shoqërore në këtë moment të historisë, nuk ka nevojë për shpjegime. Duke qenë se ka të bëjë me fisnikërimin e karakterit dhe me harmonizimin e marrëdhënieve, feja gjatë gjithë rrjedhës së historisë ka shërbyer si faktori themelor që i jep kuptim jetës. Në çdo epokë, ajo ka kultivuar të mirën, ka qortuar të gabuarën dhe ka mbajtur lart, para syve të të gjithë atyre që dëshironin të shikonin, një vizion mundësish ende të parealizuara. Prej këshillave të saj shpirti racional është inkurajuar për të kapërcyer kufijtë e imponuar nga bota dhe për të përmbushur vetveten. Ashtu siç nënkuptohet edhe nga emri, feja në të njëjtën kohë ka qenë forca kryesore që ka bashkuar popuj të ndryshëm në shoqëri gjithnjë e më të mëdha e më komplekse, nëpërmjet të cilave kapacitetet individuale të çliruara prej kësaj mund të gjejnë shprehje. Avantazhi i madh i epokës së sotme është perspektiva që i lejon gjithë racës njerëzore ta shohë këtë proces qytetërimi si një dukuri të vetme, me syrin e kontakteve të përsëritura të botës sonë me botën e Perëndisë. I frymëzuar nga kjo perspektivë, komuniteti Bahá’í ka qenë një promotor energjik i veprimtarive ndërfetare që nga koha e fillimit të tyre. Përveç marrëdhënieve të çmuara që krijojnë këto veprimtari, Bahá’í-të shohin tek përpjekja e feve të ndryshme për t’u afruar me njëra-tjetrën, një përgjigje ndaj Vullnetit Hyjnor për një racë njerëzore që po hyn në fazën e pjekurisë së saj kolektive. Pjesëtarët e komunitetit tonë do të ndihmojnë në të gjitha mënyrat që kemi mundësi. Megjithatë, e kemi për detyrë t’ua bëjmë të qartë partnerëve tanë në këtë përpjekje të përbashkët bindjen tonë se dialogu ndërfetar, në qoftë se kërkon të kontribuojë në mënyrë domethënëse në shërimin e sëmundjeve që brengosin një njerëzim të dëshpëruar, duhet t’i përgjigjet tani, ndershmërisht e pa iu shmangur më tej, asaj që rrjedh nga ajo e vërtetë gjithëpërmbledhëse që e lindi këtë lëvizje: se Perëndia është një i vetëm dhe se, pavarësisht prej çdo larmie shprehjeje kulturore e interpretimi njerëzor, edhe feja po kështu është një e vetme. Me çdo ditë që kalon, shtohet rreziku që ngritja e flakëve të paragjykimit fetar të ndezë një zjarr botëror, pasojat e të cilit janë të paimagjinueshme. Një rrezik të tillë, pa ndihmën e duhur, qeveria civile nuk mund ta përballojë. Dhe as duhet të gënjejmë veten se thirrjet për tolerancë të ndërsjellë në vetvete mund të jenë të mjaftueshme për të shuar armiqësitë që pretendojnë se kanë miratimin Hyjnor. Kjo krizë kërkon nga udhëheqja fetare një shkëputje nga e kaluara po aq të vendosur sa ato që tërhoqën vëmendjen e shoqërisë për paragjykimet po aq shkatërrimtare të racës, të gjinisë e të kombit. Në qoftë se ekziston ndonjë justifikim për të ushtruar ndikim në çështjet e ndërgjegjes, ai është për t’i shërbyer mirëqenies së njerëzimit. Në këtë pikë kthese, më e madhja në historinë e njerëzimit, kërkesa për një shërbim të tillë nuk ka si të jetë më e qartë. “Mirëqenia e njerëzimit, paqja dhe siguria e tij janë të paarritshme”, thekson Bahá’u’lláh-u, “në qoftë se e përderisa nuk do të jetë vendosur në mënyrë të patundur uniteti i tij.” SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Italian :Japanese :Norwegian :Persian :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Turkish :Ukrainian :