More Books by Mesazhe të Riḍvánit

Riḍván 2000 (157)
Riḍván 2001 (158)
Riḍván 2002 (159)
Riḍván 2003 (160)
Riḍván 2004 (161)
Riḍván 2005 (162)
Riḍván 2006 (163)
Riḍván 2007 (164)
Riḍván 2008 (165)
Riḍván 2009 (166)
Riḍván 2010 (167)
Riḍván 2011 (168)
Riḍván 2012 (169)
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Mesazhe të Riḍvánit : Riḍván 2011 (168)

SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË Riḍván 2011 Bahá’í-ve të Botës Shumë të dashur Miq, Në hapjen e kësaj stine të lavdishme sytë tanë ndriçohen tek shikojmë shkëlqimin e zbuluar rishtas të kupolës së praruar që kurorëzon Mauzoleun e lartësuar të Báb-it. Rikthyer në shkëlqimin hyjnor caktuar për të nga Shoghi Effendi-u, ajo ndërtesë madhështore shkëlqen sërish drejt tokës, detit dhe qiellit, ditë e natë, duke dëshmuar madhërinë dhe shenjtërinë e Atij, eshtrat e shenjta të Të Cilit ruhen brenda saj. Ky çast lumturie përputhet me mbylljen e një kapitulli të mbarë në shpalosjen e Planit Hyjnor. Veç një dhjetëvjeçar i vetëm mbetet nga shekulli i parë i Periudhёs Formuese, njëqind vitet e para tё sё cilёs do të jenë kaluar nën hijen dashamirëse të Vullnetit dhe Testamentit të ‘Abdu’l-Bahá-it. Plani Pesëvjeçar që tani po mbaron ndiqet nga një tjetër, tiparet e të cilit tashmë janë bërë qëllimi i studimit të përqendruar anembanё botës Bahá’í. Me të vërtetë, ne nuk mund të ishim më të kënaqur me përgjigjen ndaj mesazhit drejtuar Konferencës së Bordeve Kontinentale të Këshilltarëve dhe mesazhit të Riḍván-it të dymbëdhjetë muajve më parë. Të pakënaqur me një rrokje të copëzuar të përmbajtjes së tyre, miqtë po u kthehen këtyre mesazheve vazhdimisht, veçmas dhe në grupe, në takime zyrtare dhe në mbledhje të vetvetishme. Të kuptuarit e tyre pasurohet përmes pjesëmarrjes aktive dhe të informuar në programet e rritjes që po ushqehen në zonat e tyre. Rrjedhimisht, komuniteti Bahá’í botëror ka përthithur në disa muaj çfarë i nevojitet për ta shtyrë në një fillim të sigurt në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Përgjatë së njëjtës kohë, raste nё shtim turbullirash politike dhe trazirash ekonomike në kontinente të ndryshme kanë lëkundur qeveri dhe popuj. Shoqëritё janë sjellë në prag kryengritjeje dhe në raste të shquara përtej cakut. Udhëheqësit po e shohin që as armë as pasuri nuk garantojnë siguri. Kudo qё aspiratat e njerëzve kanë mbetur të papërmbushura, është grumbulluar një rezervuar zemërimi. Ne kujtojmë se sa qartë Bahá’u’lláh-u i paralajmëroi sundimtarët e botës: “Njerëzit tuaj janë thesaret tuaja. Kujdes se mos sundimi juaj dhunon porositë e Perëndisë dhe ju ua dorëzoni ata që ju janë besuar juve duarve të grabitësve.” Një fjalë kujdesi: Pavarësisht nga sa joshëse mund të jetë pamja e zellit të njerëzve për ndryshim, duhet të mbahet mend se ka interesa që manipulojnë rrjedhën e ngjarjeve. Dhe, sa kohë që mjekimi i caktuar nga Mjeku Hyjnor nuk jepet, vuajtjet e kësaj periudhe do të vazhdojnë dhe do të thellohen. Një vëzhgues i vëmendshëm i kohëve do të njohë me gatishmëri shpërbërjen e përshpejtuar, të çrregullt, por të pandërprerë, të një rendi botёror vajtueshmërisht difektoz. Megjithatё, i dallueshëm gjithashtu është paraleli i tij, procesi ndёrtues që Ruajtësi e lidhi me “Besimin e Bahá’u’lláh-ut në rritje e sipër” dhe e përshkroi si “lajmëtari i Rendit të Ri Botëror që ai Besim duhet të ngrejë së shpejti.” Ndikimet e tij jo të drejtpërdrejta mund të shihen në vërshimin e ndjenjёs, veçanërisht prej të rinjve, që buron nga një ashk për të kontribuar në zhvillimin shoqëror. Është një bujari e dhënë pasuesve të Bukurisë së Bekuar që ky ashk, i cili buron në mënyrë të paepur nga shpirti njerëzor në çdo vend, është i aftë të gjejë shprehje kaq rrjedhshëm në punën që komuniteti Bahá’í po kryen për të ngritur kapacitetin për veprim të efektshëm midis popullsive të shumëllojshme të planetit. A mund të krahasohet ndonjë privilegj me këtë? Për kuptim tё thellё në këtë punë çdo besimtar le të shohë ‘Abdu’l-Bahá-in, njëqindvjeçari i “udhëtimeve historike” të Të Cilit drejt Egjiptit dhe perëndimit po shënohet në këtë kohë. Pa u lodhur, Ai i parashtroi mësimet në çdo hapësirë shoqërore: në shtëpi dhe në salla misionesh, kisha dhe sinagoga, parqe dhe sheshe publike, vagona hekurudhorё dhe anije transoqeanike, rrethe dhe shoqata, shkolla dhe universitete. I palёkundur në mbrojtje të së vërtetës, megjithatë pafundësisht fisnik në sjellje, Ai i solli parimet hyjnore universale për të ndikuar mbi nevojat e kohës. Të gjithëve pa dallim – zyrtarëve, shkencëtarëve, punëtorëve, fëmijëve, prindërve, mërgimtarëve, veprimtarëve, klerikëve, skeptikёve – Ai u tregoi dashuri, urtësi, ngushëllim, çfarëdo tё ishte nevoja e veçantë. Ndërkohë që i lartësonte shpirtrat e tyre, ai i sfidonte hamendёsimet e tyre, riorientonte perspektivat e tyre, zgjeronte ndërgjegjet e tyre dhe përqendronte energjitë e tyre. Ai vërtetoi me fjalë dhe me vepra dhembshuri dhe bujari të tilla, sa zemrat u shndërruan tërësisht. Askush nuk u dëbua. Shpresa jonë e madhe është që kujtimi i shpeshtë, përgjatë kësaj periudhe njëqindvjeçare, i tregimeve të pashoqe të udhëtimeve të Mjeshtrit do të frymëzojë dhe fuqizojë admiruesit e Tij të sinqertë. Vendoseni shembullin e Tij para syve tuaj dhe nguliteni vështrimin tuaj mbi të; le të jetë udhëheqja juaj e vetvetishme në ndjekjen tuaj të synimit të Planit. Në zanafillën e Planit të parë botëror të komunitetit Bahá’í, Shoghi Effendi-u përshkroi në gjuhë bindëse fazat e njëpasnjëshme përmes së cilave ishte ndezur drita hyjnore në Síyáh-Chál, ishte veshur në llambën e revelacionit në Baghdád, ishte përhapur në shtete në Azi dhe Afrikë ndërkohë që ndriçonte me shkëlqim të shtuar në Adrianopojë dhe më vonë në ‘Akká, ishte përçuar përtej deteve në kontinentet e mbetura, përmes së cilave do të shpërhapej në mënyrë progresive mbi shtetet dhe territoret e varura të botës. Pjesën e fundit të këtij procesi ai e karakterizoi si “depërtimin e asaj drite ... në të gjitha territoret e tjera të globit”, duke iu referuar si “faza në të cilën drita e Besimit ngadhënjyes të Perëndisë, duke shndritur në gjithë fuqinë dhe lavdinë e saj, do të ketë mbuluar dhe përfshirë të gjithë planetin”. Megjithëse ai synim është larg nga të qenurit i përmbushur, drita tashmë flakëron fort në shumë rajone. Në disa vende shkëlqen në çdo zonë. Në tokën ku ajo dritë e pashueshme u ndez së pari, digjet shndritshëm pavarësisht atyre që duan ta shuajnë. Në kombe të shumëllojshme ajo arrin një shkëlqim të njëtrajtshëm përmes lagjesh dhe fshatrash të tëra, teksa qiri pas qiriu, në zemër pas zemre, ndizet nga Dora e Provanisë; ajo ndriçon biseda të thella në çdo rrafsh të ndërveprimit njerëzor; ajo hedh rrezet e saj përmbi nisma të panumërta, tё ndёrmarra për të përkrahur mirëqenien e një populli. Dhe në çdo rast ajo rrezaton nga një besimtar besnik, një komunitet i gjallërishëm, një Asamble Shpirtërore e dashur – secili një pishtar drite kundrejt errësirës. Ne lutemi me zell në Pragun e Shenjtë që secili prej jush, mbartës të flakës së pavdekshme, të rrethohet nga konfirmimet e fuqishme tё Bahá’u’lláh-ut teksa u përçoni të tjerëve shkëndijën e besimit. [firmosur: Shtëpia Universale e Drejtësisë]


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Italian :Japanese :Norwegian :Persian :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Turkish :Ukrainian :