More Books by Mesazhe të Riḍvánit

Riḍván 2000 (157)
Riḍván 2001 (158)
Riḍván 2002 (159)
Riḍván 2003 (160)
Riḍván 2004 (161)
Riḍván 2005 (162)
Riḍván 2006 (163)
Riḍván 2007 (164)
Riḍván 2008 (165)
Riḍván 2009 (166)
Riḍván 2010 (167)
Riḍván 2011 (168)
Riḍván 2012 (169)
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Mesazhe të Riḍvánit : Riḍván 2003 (160)

SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË Riḍván 2003 Bahá’í-ve të Botës, Shumë të dashur Miq, Ndërsa Plani Pesë Vjeçar po hyn në vitin e tij të tretë, vrulli po shtohet: arritjet e rregjistruara gjatë vitit që sapo mbaroi i tejkaluan ndjeshëm ato të dymbëdhjetë muajve të mëparshëm. Shtytja e këtij vrulli i dedikohet, në një masë të njëjtë, si shtimit të koherencës që u arrit në elementët përbërës të Planit, ashtu edhe efektit gjallërues të shpirtit të trazirave që ka përfshirë planetin. Rrethanat që po shoqërojnë hapjen e këtij viti të ri administrativ janë njëkohësisht kritike, sfiduese dhe të jashtëzakonshme në rëndësinë e rrjedhojat e tyre. E gjithë rrjedha e ngjarjeve të vitit të kaluar u trondit nga një sërë krizash të njëpasnjëshme që kulmuan me shpërthimin e luftës në Lindjen e Mesme. Rrjedhojat e saj janë jo më pak të rëndësishme për përparimin e komunitetit të Emrit Më të Madh, sesa janë edhe për evolucionin e një shoqërie, gjithnjë e më tepër globale, të zhytur në vorbullën e një tranzicioni të trazuar. Detyrimisht, koha, shkalla dhe tendencat e këtij tranzicioni nuk kanë qenë të parashikueshme. Sa marramendës ka qenë vërtet ndryshimi i tanishëm në rrjedhën e gjendjes së botës! Në konfliktin rezultues, që ka përshirë kaq dukshëm vendet ku mori formë historia më e hershme e Kauzës, ne shohim një përkujtues të freskët të paralajmërimit të Bahá’u’lláh-ut që “ekuilibri botëror është tronditur nga ndikimi drithërues i këtij Rendi Botëror madhështor e të ri”. Që ngjarjet e kësaj krize prekin drejtpërdrejt një territor kaq të pasur me trashëgimi Bahá’í siç është Iraku, është veçanërisht për t’u vënë në dukje. Tronditjet e shkaktuara nga kjo situatë si dhe situata të tjera në botë, nga njëra anë, kanë lënë të kuptosh hapjen e një kapitulli të ri në historinë e komunitetit Bahá’í shumë të vlerësuar, por edhe tmerrësisht të shtypur, të një vendi ku Manifestimi i Perëndisë për këtë Ditë qëndroi për një dekadë të tërë. Nga ana tjetër, ato kanë dërrmuar përgatitjet për Kuvendin e Nëntë Ndërkombëtar në Qendrën Botërore të Besimit tonë. Megjithatë, sado zhgënjyese të jetë kjo, ne nuk duhet të dekurajohemi. Kur Plani Më i Madh i Perëndisë përzihet me Planin e Tij Më të Vogël, nuk duhet patur pikë dyshimi që me kalimin e kohës, me ndihmën e Providencës, do të hapet një rrugë drejt një rasti mundësish të shkëlqyera për çuarjen përpara të interesave të Kauzës së Tij të lavdishme. Pikëllimi, frika dhe hutimi i shkaktuar nga ky konflikt më i fundit në shpalosjen e Paqes Më të Vogël, i kanë intensifikuar ndjenjat e zemërimit dhe dhunës ndaj krizave të përsëritura që po shkundin planetin. Ankthet e njerëzve ngado në botë edhe tani po zbrazen publikisht në demonstrime të zemëruara, që janë tepër të fuqishme për t’u shpërfillur. Çështjet për të cilat ata protestojnë si dhe emocionet që ata ngjallin shpesh shtojnë rrëmujën dhe pështjellimin të cilën ata shpresojnë ta kthjellojnë nëpërmjet manifestimeve të tilla publike. Për miqtë e Perëndisë ka një shpjegim të qartë për atë që po ndodh; për këtë ata duhet vetëm të sjellin ndër mend vizionin dhe parimet e ofruara nga Besimi në qoftë se duan e mund t’u përgjigjen efektivisht sfidave të hedhura nga përhapja e vuajtjeve dhe e zhgënjimit. Le të përpiqen me mish e me shpirt t’i kuptojnë edhe më thellë Mësimet që kanë të bëjnë me këtë situatë duke rishikuar letrat e Shoghi Effendiut që janë botuar në librin Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut, veçanërisht ato të titulluara “Synimi i një Rendi të Ri Botëror”, “Amerika dhe Paqja Më e Madhe” dhe “Shpalosja e Qytetërimit Botëror”. Ndërsa bota vazhdon të ecë në kursin e saj të trazuar, Plani Pesë Vjeçar ka arritur kapacitetin veprues për ta aftësuar komunitetin tonë të hedhë hapa vigane drejt objektivit të tij kryesor, atij të avancimit të procesit të hyrjes me trupa. Hollësitë e një mbarëvajtjeje kaq inkurajuese të Besimit në të pesë kontinentet janë dhënë tashmë në letrën tonë të 17 Janarit; ne ju ftojmë që ta studioni edhe më tej atë letër. Tani vetëm disa pika kyçe kanë nevojë të nënvizohen: Ndarja e vendeve në zona është përfunduar në 179 prej tyre; tashmë ekzistojnë rreth 17000 farishte të tilla shtrirjeje. Takimet e reflektimit në nivelin e zonës janë bërë një mjet i fuqishëm për bashkimin e mendimit dhe veprimit në institucione dhe lokalitete; ato i kanë dhënë një shtytje të fuqishme iniciativave institucionale dhe individuale të bazuara në shpirtin e mbështetjes reciproke. Procesi i institutit ka demonstruar më dukshëm se më parë ndikimin e tij si një forcë gjeneruese për shtrirje dhe konsolidim. Aktivitetet thelbësore të Planit kanë arritur një shkallë të tillë që e tejkalon mjaft ndjeshëm atë të vitit të shkuar. Si rezultat, një numër në rritje miqsh janë tani aktivë në punën mësimdhënëse dhe administrative kudo në botë, duke demonstruar shpirtin ngjitës të mirëbesimit që frymëzon entuziazmin e përpjekjeve të tyre. Të rinj dhe fëmijë janë përfshirë më sistematikisht në programet e komunitetit, dhe jo-Bahá’í-të kanë marrë pjesë në numër më të madh në qarqet e studimit, takimet devocionale dhe klasat e fëmijëve. Të jep vërtet zemër të shohësh që, në këtë periudhë të shkurtër që nga fillimi i Planit, ku në shumë komunitete këto tre aktivitete thelbësore kanë qenë sporadike, ato tashmë janë bërë tipare të përhershme dhe janë shumëfishuar. Atëherë, këtu më poshtë po japim një pamje të përmbledhur të një komuniteti botëror të fokusuar dhe në lëvizje si asnjëherë më parë. Gjatë vitit të kaluar, ndërsa ky model rritjeje po i hidhte më thellë rrënjët në veprimin e Planit, të tjera zhvillime të rëndësishme po ndodhnin. Në arenën e marrëdhënieve me jashtë agjencitë e Komunitetit Ndërkombëtar Bahá’í u angazhuan në aktivitete që për nga numri dhe larmia janë të shumta për t’u përmendur, por që ushtruan një efekt kolektiv kaq mbresëlënës saqë nuk mund të lihen pa u përmendur. Pika kulmore e aktiviteteve të tilla ishte mesazhi që ne u drejtuam Prillin e shkuar udhëheqësve fetarë të botës. Kjo i ka dhënë një impuls të ri mënyrës së procedimit të komunitetit Bahá’í për t’u tërhequr vëmendjen elementëve më me ndikim në shoqëri ndaj çështjeve të rëndësisë kritike në sigurimin e paqes së botës. Nëpërmjet përpjekjeve koordinuese të Zyrës së Informacionit Publik të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá’í, si dhe efikasitetit të menjëhershëm të Asambleve Shpirtërore Kombëtare, mesazhi iu shpërnda në një kohë të shkurtër rangjeve më të larta dhe niveleve të tjera të komuniteteve fetare kudo në glob. Qëllimi i kësaj iniciative është të drejtojmë vëmendjen e të gjithë të interesuarve ndaj nevojës urgjente që udhëheqja fetare t’i përgjigjet problemit të paragjykimit fetar, i cili dita-ditës po bëhet një rrezik gjithnjë e më serioz për mirëqenien njerëzore. Reagimet e menjëhershme nga ana e shumë prej atyre që e morën këtë letër, tregon se mesazhi është marrë seriozisht në shqyrtim, dhe madje në disa vende po i jep një perspektivë të re aktiviteteve ndërfetare. Në fushën e zhvillimit social dhe ekonomik është arritur një ritëm që ngulit gjithnjë e më thellë efektet e përpjekjeve institucionale dhe individuale si në zhvillimin e brendshëm të komunitetit, ashtu edhe në bashkëpunimin e komunitetit me të tjerët. Zyra e Zhvillimit Social dhe Ekonomik raporton se gjatë vitit të dytë të Planit u ngritën tetë agjenci të reja zhvillimi të frymëzuara nga parimet Bahá’í, të cilat veprojnë në fusha të tilla të larmishme si përparimi i gruas, shëndeti, bujqësia, edukimi i fëmijëve dhe fuqizimi i rinisë. Në Tokën e Shenjtë, përkthimi në anglisht i letrës në arabisht të Bahá’u’lláh-ut të njohur si Javahiru’l-Asrar doli në qarkullim me titullin “Gurë të çmuar të Mistereve Hyjnore”. Përfundoi restaurimi i Qelisë së Bahá’u’lláh-ut në burgun e ‘Akká-së, dhe filloi puna në pjesën e mbetur të katit të sipërm në zonën e qelive të burgut. Me hapjen e sezonit të ardhshëm të pelegrinazhit, duke filluar nga Tetori 2003, numri i pelegrinëve në çdo grup do të rritet nga 150 në 200. Gjithashtu, përpjekjet për të ushqyer zhvillimin e institucioneve që veprojnë në Qendrën Botërore ishin veçanërisht të dukshme në evolucionin në vazhdim të institucionit të Huququ’llah-ut nën udhëheqjen e shquar të të Besuarit, Dorës së Kauzës së Perëndisë ‘Ali-Muhammad Varqa. Nëpërmjet iniciativës së tij të mençur dhe përpjekjes së vazhduar, Dr. Varqa ka frymëzuar kudo edukimin e miqve në lidhje me ligjin e Huququ’llah-ut. Gjatë dekadës që nga dita që ligji u bë i zbatueshëm në mënyrë universale, dali në dritë një rrjet i bordeve të të besuarve në nivel kombëtar dhe rajonal, i cili siguron koordinim dhe drejtim në shërbimin e një numri gjithnjë në rritje zëvendësish dhe përfaqësuesish. Dija për këtë ligj të madh është përhapur gjerësisht dhe miqtë nga të gjithë kontinentet po i përgjigjen atij me një shpirt përkushtimi, shpirt i cili, siç shpreson edhe i Besuari, do të prekë ata që ende nuk kanë përfituar nga bekimet e premtuara që rrjedhin nga zbatimi me përkushtim i këtij ligji. Në thuajse dy vjet që nga dita që njoftuam nevojën e veçantë për mbështetje financiare për të mbajtur, në një standard që i ka hije, ndërtesat dhe kopshtet në Qendrën Botërore, u themelua Fondi i Dhurimeve i Qendrës Botërore. Kontributet ende nuk kanë arritur një nivel të barabartë me nevojat vjetore. Megjithatë, ne u ndiemë të detyruar të heqim mënjanë pesë milionë dollarë të kontributeve të marra si një fond me qëllim të caktuar për ngritjen e një sasie që do të sigurojë një burim të ardhurash nga investimet që do të përdoren për qëllimin fillestar. Këtë gjë e bëmë duke përdorur Fondin Ndërkombëtar Bahá’í për të mbështetur mbulimin e shpenzimeve të domosdoshme, duke pezulluar aktivitete në fusha të tjera që do të ishte normale për t’i zhvilluar. Ne jemi të ngazëllyer të bëjmë të ditur që, në përgjigje të thirrjes së bërë nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Kilit, 185 projekt-skica janë paraqitur nga arkitektë dhe dezinjatorë nga e gjithë bota për Tempullin Mëmë të Amerikës së Jugut që do të ndërtohet në Santiago. Një zgjedhje përfundimtare do të njoftohet kur të vijë koha. Të dashur miq: Të kënaqur nga provat solide të përparimit të bërë anembanë, ne kemi besim në konfirmimet e paprera të Zotit tonë Suprem për përpjekjet e përkushtuara që ju po bëni në kuadër të Planit Pesë Vjeçar – një Plan i hartuar t’u përgjigjet kërkesave të këtyre kohëve. Ne urojmë që këmbëngulja juaj në zbatimin e tij të çlirojë ato forca të mbyllura që, nëpërmjet hirit dhe pëlqimit të Bukurisë Abhá, mund të çojnë para me shtytje të fuqishme procesin e hyrjes me trupa në çdo vend. Shtëpia Universale e Drejtësisë


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Italian :Japanese :Norwegian :Persian :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Turkish :Ukrainian :