SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË 1 Janar 2011 Bahá’í-ve të Botës Shumë të dashur Miq, Për pesë ditët e fundit, Këshilltarët Kontinentalë kanë qenë të mbledhur në konferencë në Tokën e Shenjtë, të përfshirë në diskutime të sinqerta njëkohësisht depërtuese dhe me vizion të qartë, me themele të forta dhe besëplota, mbi zhvillimin e Planit Hyjnor. Lumturia dhe mrekullia e kësaj mbledhjeje, që tani po hyn çastet përmbyllëse, kanë ardhur nga ritregimi i gjallë i bëmave tuaja të shumta, vepra të cilat siguruan arritjen mahnitëse të qëllimit të Planit Pesëvjeçar një vit para kohe. Është e vështirë të shprehet në fjalë sa shumë dashuri është treguar për ju në këto pak ditë fluturake. Ne e lavdërojmë Perëndinë që Ai ka ngritur një komunitet kaq të zotë dhe e falënderojmë për lëshimin e potencialeve tuaja të mrekullueshme. Ju jeni ata të cilët, qoftë në përpjekjet tuaja të përbashkëta ose vetiake, jeni duke paraqitur të vërtetat e Besimit dhe po ndihmoni shpirtra ta njohin Bukurinë e Bekuar. Ju jeni ata të cilët, me dhjetëra mijëra, po shërbeni si lehtësues të qarqeve të studimit kudo që ndizet receptiviteti. Ju jeni ata të cilët, pa menduar për veten, po i siguroni edukim shpirtëror fëmijës dhe miqësi të dashur para të riut. Ju jeni ata të cilët, përmes vizitave në shtëpi dhe ftesave në tuajat, po krijoni lidhje familjare shpirtërore që ushqejnë një ndjenjë komuniteti. Jeni ju ata të cilët, kur thirreni për të shërbyer në institucionet dhe agjencitë e Kauzës, po shoqëroni të tjerë dhe po lumturoheni në arritjet e tyre. Dhe jemi të gjithë ne, cilado qoftë pjesa jonë në këtë ndërmarrje, të cilët punojmë dhe digjemi, orvatemi dhe përgjërohemi që shndërrimi i njerëzimit, i parashikuar nga Bahá’u’lláh, të përshpejtohet. Një horizont i ri pesëvjeçar duket tani, i pasur me ogure. Tiparet e Planit që do të fillojë këtë Riḍván janë përshkruar në një letër që u drejtuam Konferencës së Këshilltarëve në seancën hapëse dhe që iu përçua Asambleve Shpirtërore Kombëtare në të njëjtën ditë. Ne shpresojmë se do të keni mundësinë t’i kushtoni studim të kujdesshëm, së bashku me mesazhin që ne ju drejtuam juve në Riḍván 2010, në mbledhje të të gjitha llojeve—qofshin të shkallës kombëtare, krahinore, apo të zonës, në komunitete lokale, në lagje dhe fshatra, ose në shtëpi. Jemi të bindur se, përmes konsultimeve mbi Planin në të cilat do të merrni pjesë, kuptimi juaj do të thellohet dhe, të vetëdijshëm për forcat shpirtërore që ju mbështesin, do të vendosni ta bëni këtë ndërmarrje botërore një çështje vetiake dhe të bëheni aq të zënë me mirëqenien e familjes njerëzore sa jeni me atë të të afërmve tuaj më të dashur. Na sjell shumë lumturi që kaq shumë shpirtra anembanë komunitetit Bahá’í janë të gatshëm ta dallojnë veten e tyre në këtë mënyrë. Por çfarë na përmbush përtej kësaj është dija e sigurt që do të arrihen fitore në pesë vitet e ardhshme nga të rinj dhe të rritur, burra dhe gra, të cilët tani mund të jenë tërësisht të pavetëdijshëm për ardhjen e Bahá’u’lláh, shumë më pak të njohur me “fuqinë shoqëri-ndërtuese” të Besimit të Tij. Sepse ju zotëroni një mjet për t’i fuqizuar shpirtërisht masat e njerëzimit që të kujdesen për fatin e tyre vetjak, një mjet i kalitur në kupshoren e përvojës. Ju e dini mirë dhe e keni dëgjuar qartësisht thirrjen e Bahá’u’lláh: “Unë jam Dielli i Urtisë dhe Oqeani i Dijes. Unë u jap guxim të dobtëve dhe i ringjall të vdekurit. Unë jam Drita udhërrëfyese që ndriçon rrugën. Unë jam Fajkoi mbretëror mbi krahun e të Gjithëfuqishmit. Unë shpalos krahët e varur të çdo zogu të dërrmuar dhe e nis atë në fluturimin e tij.” Lutjet tona të vazhdueshme janë me secilin prej jush. [firmosur: Shtëpia Universale e Drejtësisë]