SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË 17 Maj 2009 Drejtuar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare Të dashur miq Bahá’í, Në Mesazhin e Ridván-it të 2008-ës, Shtëpia Universale e Drejtësisë iu referua ndikimit në zgjerim të dinamizmit që rrjedh nga ndërveprimet mes tre pjesëmarrësve të Planit Pesëvjeçar. Kremtimi i Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve nuk ka mbetur i pandikuar nga ky dinamizëm në rritje. Gjithkund pjesa devocionale e Festës është pasuruar nga ndjenja e nderimit të kultivuar përmes lutjes vetijake dhe takimeve të rregullta devocionale. Pjesa administrative është gjallëruar nga njoftime mbi zhvillimin e Kauzës, si dhe kuptime të brendshme të ofruara nga besimtarë energjikë të tërhequr nga popullsi të ndryshme, të deklaruar rishtas, si dhe të vjetër, të përfshirë në aktivitete Bahá’í. Pjesa shoqërore kalon përtej formaliteteve të sjellshme, duke u bërë një ribashkim i hareshëm i të dashuruarve të flaktë, i bashkudhëtarëve të sprovuar të frymëzuar nga një qëllim i përbashkët, bashkëbisedimet e të cilëve lartësohen nga tema shpirtërore. Gjatë rrjedhës së Planit, në përgjigje të pyetjeve që janë bërë rreth Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve, Shtëpia e Drejtësisë ka përshkruar se si parime themelore të caktuara duhet të zbatohen në kontekstin e një komuniteti që po zgjerohet vazhdimisht, duke përqafuar shpirtra nga të gjitha udhët e jetës, nga çdo prejardhje. Duke qenë se komentet në lidhje me këtë mund të jenë interesante për të gjitha Asambletë Shpirtërore Kombëtare, na është kërkuar t’ju shkruajmë si më poshtë: Decentralizimi i Festës në qendrat urbane Decentralizimi i Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve në qendrat urbane, ku jeton një përqindje e rëndësishme e njerëzimit tani, është një rrjedhim i pashmangshëm i rritjes së Besimit, që shënon një fazë të rëndësishme në zhvillimin organik të një komuniteti lokal. Ndërkohë që duhet pasur kujdes që një praktikë e tillë të shmanget në qytetet me një numër të vogël besimtarësh, një Asamble Shpirtërore Lokale nuk duhet të ndihet e detyruar që të vazhdojë me modelin e mikpritjes së një Feste për mbarë komunitetin në qoftë se nuk është më e volitshme. Një ndryshim i tillë mund të nevojitet kur kohë ose kushte të kufizuara pengojnë zbatimin e kënaqshëm të tri pjesëve të Festës në një mjedis të vetëm, sidomos pjesa kushtuar konsultimit mbi çështjet e komunitetit. Eksperienca deri më sot ka treguar ndikimin e dobishëm të decentralizimit të Festës në cilësinë e pjesëmarrjes, në lidhjet e miqësisë dhe në procesin e përgjithshëm të rritjes. Megjithëse disa besimtarë mund të jenë të etur për entuziazmin e krijuar nga grumbullimet e mëdha të komunitetit, këtë nevojë Asambleja mund ta plotësojë në raste të tjera. Në lidhje me këtë, na është kërkuar të tërheqim vëmendjen tuaj ndaj Mesazhit të 27 dhjetorit 2005 të Shtëpisë së Drejtësisë, që tregon se, ndërkohë që procesi i rritjes vazhdon të shtojë vrullin në mbarë botën, qendrave urbane do t’u duhet të ndahen në mënyrë progresive në zona më të vogla, ndoshta së fundi në lagje, si një mjet për të lehtësuar planifikimin dhe zbatimin. Jo vetëm që të tilla zona do të kthehen në vatra aktivitetesh, sugjeron Mesazhi, por në secilën prej tyre do të mbahet Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Tashmë në disa qytete të botës Festa mbahet në sferën e ngushtë të lagjes. Ndarja e një komuniteti lokal në zona më të vogla për qëllimin e kremtimit të Festës nuk është pa sfida. Në shumë qytete të botës, për shembull, njerëz janë veçuar në zona sipas faktorëve të ndryshëm si raca, përkatësia etnike dhe kushtet ekonomike. Një Asamble Lokale duhet të jetë e ndërgjegjshme që barrierat e ngulitura në popullsinë më të gjerë nuk përjetësohen pa qëllim në komunitetin lokal Bahá’í si një e tërë. Për të njëjtin shkak, duhet të kuptojë se për besimtarët e anëtarësuar rishtas në komunitet, dëshira për të marrë përgjegjësi për çështjet e Besimit kultivohet më lehtë në mbledhjen afër shtëpisë, në një mjedis të zakonshëm. Duke vendosur për të decentralizuar Festën, një Asamble Lokale do të duhet të përcaktojë se si do të organizohet pjesa devocionale dhe se si do të ndahen raportet, lajmet dhe njoftimet. Një bashkësi materialesh për pjesën administrative të Festës do t’i shpërndahet në përgjithësi çdo muaj Bahá’í secilës zonë që i është caktuar të mikpresë një mbledhje, duke përfshirë cilindo subjekt ose pyetje që duhet ngritur. Asmbleja gjithashtu do të duhet të sigurojë që konsultimet në çdo zonë të jenë të frytshme e prodhuese, që pikëpamjet e miqve të sillen në vëmendje dhe që t’u përgjigjet këshillave në mënyrë dashamirëse e dobiprurëse. Në lidhje me këtë, mund të caktojë një ose më shumë miq që të veprojnë në vend të saj në drejtimin e mbledhjes, mbajtjen shënim të rezultatit të konsultimeve dhe marrjen e kontributeve për Fondin. Zgjedhja e gjuhës Si një parim i përgjithshëm, Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe mbledhje të tjera zyrtare Bahá’í duhen mbajtur në gjuhën tradicionale të folur nga njerëzit e lokalitetit. Megjithatë, duke qenë se kushtet shoqërore dhe ekonomike në botë vazhdojnë të ndryshojnë, nuk është e tepruar të supozohet që gjithnjë e më shumë njerëz do të detyrohen të shpërngulen për në qendrat urbane, duke formuar grupe të vogla minoritetesh, secila me një gjuhë të veçantë, siç mund të shihet tanimë, për shembull, në përqendrimin e popullsive spanjishtfolëse në Amerikën e Veriut ose të disa popullsive fisnore në Afrikë. Në raste të tilla, kur Festa decentralizohet, fare mirë mund të ngrihet pyetja nëse programi mund të drejtohet në gjuhën e folur nga pakica më mbizotëruese në lagje. Në këtë fazë, Shtëpia e Drejtësisë nuk dëshiron të vendosë rregulla të forta e të shpejta dhe i lihet liri veprimi Asamblesë Shpirtërore Lokale për të vendosur, nën udhëheqjen e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, si t’i drejtohen çështjes, duke iu qasur me fleksibilitet dhe me qëndrim nxënës. Natyrisht, nëse Festa mbahet në qendër, ose në disa lokalitete, një Asamble Lokale do të dojë që të gjithë miqtë të ndihen që janë pjesë e një komuniteti të njësuar, pavarësisht nga ndryshimet gjuhësore, duke ndërmarrë hapa për të siguruar që të krijohet një atmosferë tërheqëse. Në lidhje me këtë, përzgjedhje nga Shkrimet në gjuhët e ndryshme që fliten nga miqtë mund të përfshihen gjithashtu në pjesën devocionale të Festës. Për më tepër, duhen gjetur mënyra të përshtatshme për të informuar besimtarët që nuk janë të lirshëm në gjuhën në të cilën po mbahet Festa, mbi përmbajtjen e mesazheve dhe njoftimeve. Gjatë konsultimit, atyre duhet t’u jepet mundësia që t’i shprehin pikëpamjet në gjuhën e tyre nëse është e nevojshme. Duhet të jetë e mundshme që të ofrohet çdo përkthim i nevojshëm në një mënyrë që nuk bie ndesh me rrjedhën e qetë të takimit. Pjesëmarrja e atyre që nuk janë Bahá’í Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve është një institucion i Kauzës, që shërben, pjesërisht, si një mjet për komunitetin Bahá’í që t’u drejtohet çështjeve të veta në një mënyrë të plotë dhe të hapur, pa frikën e krijimit të keqkuptimeve ndërmjet atyre që janë të pafamiljarizuar me qëllimin e tij. Është për këtë shkak që pjesëmarrja është e kufizuar tek anëtarët e komunitetit Bahá’í. Në përgjithësi, besimtarët dekurajohen nga sjellja e atyre që nuk janë Bahá’í në kremtimin e Festës. Megjithatë, miqtë e Besimit nganjëherë shfaqen papandehur dhe ata nuk duhen larguar. Mirësjellja dhe shpirti i vëllazërisë kërkojnë që të priten ngrohtësisht. Nga kjo pikëpamje, mysafirë të paparashikuar, të cilët kanë qenë përgjithësisht jo të shpeshtë në të shkuarën, kanë qenë mikpritur që të futen në pjesën devocionale dhe shoqërore të Festës, por, ose u është kërkuar të mos marrin pjesë në pjesën administrative, ose ajo pjesë e programit hiqej tërësisht. Tani, me strukturën e Planit për veprim të përforcuar mirë në kaq shumë vende, numra në rritje kanë të drejtë të lehtë hyrjeje në jetën komunitare Bahá’í dhe ka gjasa shumë më të mëdha që ata që janë afër me Besimin do të marrin vesh rreth Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe do të duken në kremtimin e saj. Shtëpia e Drejtësisë ka vendosur që në të tilla raste, më mirë se të hiqej pjesa administrative tërësisht ose t’u kërkohej mysafirëve të tërhiqeshin, ata që e drejtojnë këtë program mund t’i bëjnë ndryshime kësaj pjese të Festës për t’ua përshatur mysafirëve. Ndarja e lajmeve dhe të dhënave lokale dhe kombëtare mbi ngjarje shoqërore, si dhe konsultimi mbi tema të interesit të përgjithshëm, si çështja e mësimdhënies, projekte shërbimi, Fondi e kështu me radhë, mund të zhvillohen si zakonisht, ndërkohë që diskutimi i çështjeve të ndjeshme ose problematike që kanë të bëjnë me këto ose me tema të tjera, mund të lihen për një kohë tjetër, kur miqtë mund të shprehen lirshëm pa qenë të penguar nga prania e mysafirëve. Një qasje e ngjashme ndaj pjesës administrative mund të përdoret kur Festa kremtohet në shtëpinë e një familjeje me disa anëtarë të cilët nuk janë Bahá’í. Si pjesë e planifikimit të këtyre rasteve, duhet dhënë kujdes i matur, nga një anë përsa u përket kërkesave të mikpritjes dhe dashurisë dhe, nga ana tjetër, atyre të intimitetit dhe diskutimit të papenguar mbi tema të rëndësishme dhe të ndjeshme. Asambleja Lokale, në konsultim me besimtarët që kanë të afërm të tillë, duhet të përpiqen të gjejnë një mënyrë të kënaqshme për të zgjidhur çdo situatë që del. Duke mbledhur përvojë Zgjerimi i vazhdueshëm i komunitetit Bahá’í në vitet që do të vijnë me siguri do të ngrejë një gamë sfidash që do të ndikojnë te mënyra se si do të drejtohen aspektet devocionale, administrative dhe shoqërore të Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve në lokalitete të ndryshme. Përgjegjësia për t’u përballur me këto sfida do të bjerë, së pari, mbi Asambletë Shpirtërore Lokale. E tyre është përgjegjësia që të qëndrojnë vigjilentë ndaj kushteve në komunitetet e tyre, të konsultohen me miqtë e tyre, t’u përgjigjen në mënyrë të kujdeshme një morie nevojash dhe rrethanash dhe të qëndrojnë fleksibël pa rrezikuar parimet themelore. Në lidhje me këtë, natyrisht që ata do të kërkojnë këshilla nga anëtarët e Trupit Ndihmës. Asambletë Shpirtërore Lokale, në bashkëpunim me Këshillarët, do t’i ndjekin zhvillimet nga afër, do të njihen nga afër me qasjet e marra në lokalitete të ndryshme, do të lehtësojnë të mësuarit që të përcaktojnë cilat qasje rezultojnë më të efektshme me kalimin e kohës dhe do të ofrojnë udhëheqje dhe nxitje. Ne ju sigurojmë për lutjet e Shtëpisë Universale të Drejtësisë në Mauzoletë e Shenjtë, që Bukuria e Bekuar të konfirmojë përpjekjet tuaja të vazhdueshme në udhëheqjen e miqve që të kryejnë përgjegjësitë e tyre jetësore për të përkrahur Kauzën e Perëndisë në të gjithë botën. Me përshëndetje të përzemërta Bahá’í, Departamenti i Sekretariatit cc: Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies Bordi i Këshilltarëve