EDUKIMI SHPIRTËROR I FËMIJËVE DHE PARATËRINJVE KLASAT BAHÁ’Í PËR FËMIJËT Një dokument i përgatitur nga Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies Korrik 2000 Shtëpia Universale e Drejtësisë ka këshilluar botën Bahá’í se, me fillimin e Planit Dymbëdhjetë Mujor theks i veçantë duhet t’i vihet edukimit të fëmijëve dhe paratërinjëve. Ky grup përbën një përqindje të konsiderueshme të popullatës së sotme të botës, dhe studimet demografike tregojnë se kjo përqindje do të rritet në dekadat e ardhshme. Qëllimi i këtij dokumenti është të ofrojë sugjerime dhe të stimulojë konsultimin në komunitetet Bahá’í rreth çështjes shumë të rëndësishme të sistematizimit të klasave Bahá’í për fëmijë. VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM Edukimi shpirtëror i fëmijëve dhe paratërinjve është përgjegjësi që ndahet midis prindërve, komunitetit dhe institucioneve të Besimit. Ai është i shumanshëm dhe, në një farë mase, duhet të jetë i ndjeshëm ndaj ndryshimeve kulturore. Ofrimi i një programi edukimi shpirtëror i parashtron çdo komuniteti një sërë sfidash që duhen përballur hap pas hapi. Klasat e rregullta të fëmijëve, të mbështetura nga prindërit dhe institucionet, janë një aspekt themelor i një programi të tillë dhe janë thelbësore në konsolidimin e komuniteteve Bahá’í. Historia e komunitetit Bahá’í në Iran, ku fëmijët që nga mosha 5-vjeçare ndjekin klasa të rregullta javore të një programi të vazhdueshëm 12-vjeçar të edukimit Bahá’í, është një dëshmi mahnitëse e vlerave të përpjekjeve sistematike për edukimin shpirtëror të fëmijëve. Ngritja e klasave të fëmijëve është gjithashtu një element i domosdoshëm i çdo plani për shtrirjen e vazhdueshme e në shkallë të gjerë të Besimit. Në mesazhin e saj të 26 Nëntorit 1999 drejtuar botës Bahá’í Shtëpia Universale e Drejtësisë pohon: Strategjitë për të avancuar procesin e hyrjes me trupa nuk mund të shpërfillin fëmijët dhe paratërinjtë, në qoftë se nuk duam që fitoret e arritura në një brez të humbin me kalimin e kohës. Atëherë është imperative që, në këtë pikë në procesin e sistematizimit të punës mësimdhënëse, të ndërmirren hapa të qartë për të siguruar që vizioni i komunitetit të përfshijë plotësisht anëtarët e tij më të rinj. Edukimi i fëmijëve, një detyrim që u përket si prindërve edhe institucioneve, kërkon theks të veçantë që të mund të integrohet krejtësisht në procesin e zhvillimit të komunitetit. Ky aktivitet duhet çuar në nivele të reja intensiteti gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve dhe pastaj të ngrihet edhe më tej në vitet që pasojnë. Fakti që programet e shumicës së instituteve në botë përfshijnë edhe përgatitjen e mësuesve të klasave për fëmijë, përfaqëson një element force. Asambleve Shpirtërore dhe anëtarëve të Trupit Ndihmës do t’u duhet t’i mobilizojnë këto burime të sapo përgatitura njerëzore për të përmbushur kërkesat shpirtërore të fëmijëve dhe paratërinjve. Shumica e komuniteteve Bahá’í shkallë-shkallë po krijojnë dhe konsolidojnë elementët e larmishëm të një jete të dallueshme Bahá’í. Në një mënyrë apo një tjetër shumë nga këto komunitete kanë ndërmarrë hapa konkrete në çështjen e edukimit Bahá’í të fëmijëve. Megjithatë, ende mbeten për t’u hedhur hapa të mëdhenj shumë të rëndësishëm. Në ato lokalitete ku ekzistojnë klasat e fëmijëve, ato nuk ofrohen gjithnjë në përshtatje me grupmoshat, shpesh nuk mbahen rregullisht, dhe mund të përfshijnë vetëm një përqindje të vogël të fëmijëve. Faktorët më kufizues janë numri i pamjaftueshëm i mësuesve dhe mungesa e materialeve për klasat e fëmijëve. Suksesi i jashtëzakonshëm i arritur me ngritjen e instituteve të trajnimit kudo në botë i pajis tani komunitetet kombëtare me kapacitetin që t’u përgjigjen më energjikisht nevojave të trajnimit të mësuesve. Pjesëmarrja në kurset e institutit po i aftëson besimtarët të fitojnë një identitet më të thellë Bahá’í, përfshi këtu edhe një ndërgjegjësim në lidhje me përgjegjësitë që kanë prindërit dhe institucionet ndaj fëmijëve. Ndërkohë që institutet ia dalin mbanë të trajnojnë një numër gjithnjë e më të madh mësuesish për klasat e fëmijëve, dhe ndërsa materialet e klasave bëhen gjithnjë e më të disponueshme, pritet që të krijohen kushte të reja në nivel lokal, që do t’i japin shtysë një procesi dinamik të edukimit shpirtëror. Klasat e fëmijëve, të hapura si për Bahá’í dhe jo-Bahá’í, të filluara nga individë dhe të mbështetura nga anëtarët e Trupit Ndihmës dhe asistentët e tyre, fare mirë mund të jenë një ndër aktivitetet e para të organizuara që zhvillohen në një komunitet ende të ri. Në komunitetet me Asamble Shpirtërore Lokale aktive që gëzojnë bashkëpunim të ngushtë me anëtarët e Trupit Ndihmës dhe asistentët e tyre, mund të ndërmerren dhe të mbështeten aktivitete më të gjera në zhvillimin e programeve të edukimit të fëmijëve. Këtu, gjithashtu, klasa të rregullta fëmijësh, që do të përfitojnë nga kapaciteti në rritje i institutit kombëtar ose rajonal për trajnimin e mësuesve, do të jenë në zemër të procesit. Përdorimi efektiv i talentit brenda komunitetit bën të mundur gjithashtu nisma të tjera, si ajo e organizimit të programeve për prindërit, përgatitja e materialeve të posaçme, madje dhe bashkëpunimi me organizata të ngjashme jashtë Besimit në fushën e edukimit moral. Këshilltarët dhe Asambletë Shpirtërore Kombëtare kanë nxjerrë mësime të vlefshme në përpjekjet e tyre për të zhvilluar institutet e trajnimit. Kjo përvojë tani mund të zbatohet në procesin po aq sfidues të sistematizimit të klasave të fëmijëve. LINJAT E VEPRIMIT Në konsultimet e tyre, Këshilltarët dhe Asambletë Shpirtërore Kombëtare duhet të sigurohen që t’i kushtohet vëmendja e duhur tri linjave të ndërlidhura të veprimit: (1) përzgjedhja dhe zhvillimi i një programi mësimor, (2) trajnimi i mësuesve, dhe (3) administrimi i klasave për fëmijë. Këto, sigurisht, duhet të shoqërohen me përpjekje të tilla si forcimi i familjeve Bahá’í, integrimi i fëmijëve në jetën e komunitetit, botimi i materiale të posaçme, dhe përfshirja në zhvillimin social dhe ekonomik. 1. Programi mësimor (Kurrikulumi) Hapi i parë në krijimin e një programi sistematik të klasave të fëmijëve në një vend apo rajon është identifikimi i një programi të përshtatshëm mësimor me plane mësimore zinxhir dhe materiale për klasën. Instituti i trajnimit qartazi duhet të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces, sepse tekefundit është i ngarkuar me përgjegjësinë për trajnimin e burimeve njerëzore që do të japin programin e zgjedhur mësimor. Edhe pse një numër programesh mësimore janë zhvilluar nga komunitetet Bahá’í në pjesë të ndryshme të botës, këto mbeten përgjithësisht të paarritshme për pjesën dërrmuese të mësuesve. Për më tepër mungesa e planeve mësimore dhe materialeve për klasën e bën të vështirë rekrutimin e mësuesve vullnetarë dhe ul efektivitetin e klasave. Kompleksiteti i detyrës së zhvillimit të një programi mësimor me plane të përshtatshme mësimi dhe materiale shoqëruese për klasën nuk duhet nënvlerësuar. Të përpilosh thjesht një listë temash dhe të bësh sugjerime për planet e mësimit është e pamjaftueshme, dhe nevojitet një përpjekje mjaft e madhe para se të dalë në dritë një program i regjur mësimor. Është e qartë se nuk do të ishte një veprim i mençur shtyrja e zhvillimit të klasave derisa materialet e zhvilluara lokalisht të jenë të disponueshme. Gjatë Planit Katër Vjeçar shpejt doli në pah se përdorimi i materialeve ekzistuese i ndihmonte shumë komunitetet të avanconin institutet e tyre më shpejt. Në të njëjtën mënyrë, do të ishte në favorin tonë që programi mësimor i fëmijëve të zgjidhej sa më shpejt që të jetë e mundur nga materialet që janë në dispozicion; me fitimin e përvojës, këto mund t’u përshtaten gradualisht kushteve të një komuniteti kombëtar të caktuar. Një listë e disa materialeve ekzistuese për klasat jepet në shtojcën A. Përkthimit të materialit të programit mësimor në gjuhën amtare duhet t’i jepet prioritet i lartë. Disa institute po zhvillojnë mënyra praktike dhe efikase për përkthimin e materialeve që përdoren në kurset e tyre. Metoda të ngjashme ndoshta mund të përdoren për të siguruar një përkthim të shpejtë dhe të saktë të materialeve për fëmijë në gjuhët më të rëndësishme. Duhet vënë re se disa komunitete kombëtare po zbulojnë se paratërinjtë (që pak a shumë i përkasin moshës nga 12 deri në 15 vjeç) përfitojnë nga klasat që janë strukturuar për t’iu përgjigjur nevojave dhe interesave të veçanta të tyre. Përveç klasave të tilla, programe plotësuese kanë rezultuar të jenë efektive. Për shembull, instituti mund të ngrejë qarqe studimi për paratërinj, duke përdorur materiale të përgatituara posaçërisht për atë grupmoshë. Në raste të caktuara, qarqet e studimit mund të ndjekin kurset e rregullta të institutit; por, në përgjithësi, këto kurse janë më efektive me të rinj 15 vjeç e lart. 2. Trajnimi i mësuesve Sapo të jenë zgjedhur materialet e përshtatshme të programit mësimor, duhet trajtuar çështja e trajnimit të mësuesve. Komunitetet lokale shpesh fillojnë me një mësues dhe, me zgjerimin e programeve të tyre për klasat e fëmijëve, ato tërheqin në shërbim më shumë mësues në mënyrë që të arrijnë grupmosha të ndryshme. Megjithatë, jo të gjithë vullnetarët janë në gjendje të vazhdojnë shërbimin për një periudhë të gjatë. Prandaj, trajnimi i mësuesve të klasave të fëmijëve do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes së çdo instituti. Një listë me disa nga materialet e disponueshme rreth trajnimit të mësuesve jepet në shtojcën B. Hartimi i një programi të konceptuar mirë për trajnimin e mësuesve të klasave të fëmijëve, me kurset e nevojshme pastrajnuese dhe rifreskuese, nuk është një detyrë e lehtë dhe një instituti mund t’i duhen vite për ta zhvilluar. Kjo strategji bazë afatgjatë mund të plotësohet me një shtytje primare për të ngritur dhe mbajtur klasa fëmijësh sa më shpejt të jetë e mundur. Në çdo komunitet ka besimtarë të aftë dhe me vullnet të cilët, më pak trajnim, mund të marrin përsipër këtë përgjegjësi. Mbajtja e një serie seminaresh fundjavore ka provuar, në pjesë të ndryshme të botës, të jetë efektive në sigurimin e trajnimit të nevojshëm për individë të tillë, duke lejuar që procesi të vihet menjëherë në lëvizje. Në seminare të tilla, mund të rishikohen materialet dhe mund të studiohen tema të tilla si parimet e edukimit të fëmijës, cilësitë e mësuesit të fëmijëve, natyra e lavdërueshme e këtij shërbimi, dhe aftësitë e mbarëvajtjes së një klase. Sikurse në shumë fusha ku kërkohen përpjekje, të rinjtë paraqesin një pasuri të çmuar në përpjekjet e komunitetit, dhe përbëjnë një burim mësuesish të mundshëm për klasat e fëmijëve. Nënat dhe gratë e reja janë gjithashtu një burim natyror për këtë shërbim të lavdërueshëm. Megjithatë, duhet patur parasysh se në disa kultura mëshimi i tepruar i idesë së shërbimit të grave në këtë fushë mund t’i lërë vend idesë se mësimi i fëmijëve nuk është një detyrë për burrat. 3. Administrimi i klasave të fëmijëve Sistematizimi i klasave që u sigurojnë edukim shpirtëror një numri në rritje të fëmijëve kërkon një strukturë administrative të shëndoshë. Në komunitete ku Asambleja Shpirtërore Lokale është ngritur mbi themele të forta, vetë Asambleja, përgjithësisht nëpërmjet emërimit të një komiteti të përshtatshëm, mund të ngrejë klasa dhe të mbikqyrë administrimin e tyre, të sigurojë vendosjen e duhur të mësueseve të trajnuar nga instituti, dhe të shpërndajë materialet e nevojshme nga agjencitë kombëtare dhe rajonale. Në rajonet dhe zonat ku Asambletë Shpirtërore Lokale nuk janë ende të afta të kryejnë këtë detyrë komplekse, një tjetër strukturë ose agjenci do të duhet të ngrejë dhe administrojë klasat. Komitetet zonale të mësimdhënies janë një kandidat i natyrshëm për të marrë përsipër këtë përgjegjësi. Në të tilla raste, roli i anëtarëve të Trupit Ndihmës dhe asistentëve të tyre do të jetë i një rëndësie të posaçme. Me të vërtetë, asistentët e anëtarëve të Trupit Ndihmës janë zakonisht ata të cilët fillojnë klasat e fëmijëve në komunitete të tilla. Në përgjithësi, mësues entuziastë, por shpesh pa përvojë do të kenë nevojë për mbështetje dhe inkurajim nëse vazhdojnë këtë shërbim. Tej strukturave në nivelet lokale dhe rajonale të përmendura më lart, dhe veçan nga instituti dhe veprimet e tij, nxitja e edukimit të fëmijëve në shkallën e kërkuar do të kërkojë një farë strukture administrative në nivel kombëtar. Një strukturë e tillë kryesisht do të merret me çështjet logjistike, duke ia lënë institutit zhvillimin e programit trajnues të mësuesve. Kjo agjenci mund të botojë materiale për klasat, të administrojë fonde, të mbikqyrë rregullsinë dhe cilësinë e klasave, të inkurajojë nxjerrjen e botimeve të posaçme dhe periodike për fëmijë, dhe të organizojë programe për prindërit. Është e qartë që administrimi i një sistemi të tillë nënkupton shpenzime fondesh. Materialet duhet të botohen dhe mjetet e klasave të sigurohen. Në përgjithësi, besimtarët të cilët ofrohen të japin mësim për klasat e fëmijëve nuk kërkojnë shpërblim. Megjithatë, në kushte të caktuara Asambletë Kombëtare mund të dëshirojnë të marrin në shqyrtim mundësinë e pasjes së mësuesve të angazhuar plotësisht të cilët ndjekin klasat në një numër komunitetesh që janë afër njeri-tjetrit dhe që, si rrjedhim, do të kenë nevojë për mbështetje financiare për një periudhë kohe. Me rritjen e numrit të klasave të fëmijëve do dalë nevoja e mbikqyrjes së tyre; kjo do të kërkojë shërbimin e pjesshëm ose të plotë (në kohë) të një personeli rajonal. Mbështetja financiare për edukimin e fëmijëve mund të vijë nga burime të ndryshme. Asambletë Shpirtërore Kombëtare ose Këshillat Rajonale Bahá’í zakonisht akordojnë fonde për programet e edukimit të fëmijëve në buxhetet e tyre vjetore. Buxheti i institutit mund të mbulojë koston e trajnimit të mësuesve dhe të përkthimit të materialeve. Shpenzimet që kanë të bëjnë me shërbimet e pjesshme ose të plota (në kohë) të stafit rajonal mund të mbulohen nga fondet e akorduara për programet e zhvillimit zonal. Këshilltarët mund të përdorin fondet për subvencionimin e mësimdhënies, kudo ku kërkohet ndihmë shtesë, për të mbështetur përpjekjet e Asamblesë Kombëtare në forcimin e programit të përgjithshëm të edukimit të fëmijëve. Këto fonde do të mbulojnë shpenzime të miratuara bashkarisht nga të dy institucionet dhe mund të përfshijë shpërblimin e mbikqyrësve kombëtarë dhe rajonalë. Këshilltarët gjithashtu mund të vendosin që të autorizojnë anëtarët e Trupit Ndihmës të shpërndajnë shuma të vogla për mbështetje të përgjithshme të klasave lokale të fëmijëve. NISMA QË KANË TË BËJNË ME ÇËSHTJEN 1. Forcimi i jetës së familjeve Baha’i Forcimi i jetës familjare, përbën në vetvete, një interes të vazhdueshëm të institucioneve Bahá’í. Në kuptim të këtij dokumenti, duhet të kuptohet drejt rëndësia e rolit të prindërve në edukimin shpirtëror të fëmijëve të tyre. Mesazhi i Ridvanit 2000 i Shtëpisë Universale të Drejtësisë transmeton një thirrje lëvizëse(për prindërit) në lidhje me përgjegjësitë e tyre drejt edukimit të fëmijëve. Asambletë dhe agjencitë e tyre, nga njëra anë, dhe Anëtarët e Trupit Ndihmës e asistentët e tyre, në anën tjetër, do të përfshijnë natyrshëm në përpjekjet e tyre të forcojnë jetën familjare me tema të tilla si zhvillimi i shëndoshë i identitetit të fortë Bahá’í qysh në vitet e para të fëmijërisë, dhe kërkesat ndaj prindërve të mbështsin një program të klasave të fëmijëve duke sigururar pjesmarrjen e rregullt të fëmijëve në këto klasa. Kuptimi i plotë i rolit të rëndësishëm të prindërve në ushqimin shpirtëror të fëmijëve të tyre do të kontribuoj dukshëm në suksesin e klasave të fëmijëve Bahá’í. Materiale speciale duhet të përgatiten për të ndihmuar prindërit në edukimin shpirtëror të fëmijëve të tyre në shtëpi, për të plotësuar atë që mësohet në klasat e fëmijëve. Një listë e disa prej materialeve ekzistuese jepet në shtojcën C. 2.INTEGRIMI I FËMIJËVE NË JETËN KOMUNITARE Interesi për edukimin shpirtëror të fëmijëve gjen shprehje në mënyrat e mbajtjes së klasave të fëmijëve. Një përmbledhje e saktë e të dhënave rreth fëmijëve Bahá’í të moshave të ndryshme mund të ndihmojnë në proçesin e integrimit të tyre në komunitet. Disa prej pyetjeve faktgrumbulluese duhet të sillen në vëmendje të Asambleve • Sa fëmijë Bahá’í banojnë në një zonë të caktuar? • Pas deklarimit të besimtarëve të rritur, a pyeten ata se sa fëmijë kanë? • Përsa kohë këta prindër pas deklarimit të tyre si Bahá’í, ndërgjegjësohen për përgjegjësitë e tyre si prindër Bahá’í të forcojnë edukimin shpirtëror të fëmijëve të tyre? • A ndihen të mirëpritur fëmijët e çiftit të sapodeklaruar Bahá’í në klasat e fëmijëve dhe takimet e tjera të komunitetit? Në pjesën më të madhe të fshatrave dhe qyteteve në gjithë botën, prindërit janë të etur të shohin fëmijët e tyre të marrin edukimin moral dhe për më tepër janë të lumtur që fëmijët e tyre marrin pjesë në klasat Bahá’í, edhe fëmijët e familjeve joBahá’í dashamirëse të Fesë mund të ftohen për të marrë pjesë në këto klasa. Në plotësim, çdo komunitet ka nevojë për të siguruar një program të veçantë për fëmijët të pranishëm në festimin e Ditëve të Shenjta Bahá’í dhe takimeve të tjera. 3. BOTIME TË VEÇANTA PËR FËMIJËT Botimet Bahá’í dhe të frymëzuara prej shkrimeve Bahá’í, materiale audiovizuale(filmike), dhe për më tepër periodike janë një ndihmë e dobishme si për prindërit edhe për institucionet e Fesë në përpjekjet e tyre të edukimit shpirtëror të fëmijëve. Dalin një numër pyetjesh kur një rritje e dukshme e materialeve të përshtatshme për fëmijët është në dispozicion. Midis tyre përmendim: • A ka autorë të mjaftueshëm, të frymëzuar dhe motivuar në shkrimin dhe trajtimin e librave dhe materialeve audiovizuale për fëmijët nëpërmjet iniciativave individuale apo duhet që disa miq të ftohen për tu përqëndruar në këtë shërbim? • A mund të inkurajohen paratërinjtë dhe të rinjtë të ndihmojnë në botimin e periodikëve (revista, gazeta) tërheqës për fëmijët? • Çfarë mund të bëhet për tu botuar një numër më i madh e i përshtatshëm i materialeve për fëmijë? • A janë prindërit të ndërgjegjshëm për rëndësinë e e krijimit të mundësive fëmijëve në shtëpi në lidhje me librat Bahá’í dhe materialet elektronike dhe audiovizuale? • A shiten materialet e fëmijëve me çmime të arsyeshme? • A i bëjnë Institucionet e Fesë të përballueshëm materialet Bahá’í nëpërmjet subvencioneve? • Si mund të shpërndahet efektivisht informacioni mbi materialet në dispozicion të klasave Bahá’í në komunitetin e gjerë Bahá’í? 4. ZHVILLMI SOCIAL DHE EKONOMIK Fëmijët dhe paratërinjtë mund të afrohen edhe nëpërmjet përpjekjeve të tjera frymëzuese Bahá’í, duke përfshirë stabilizimin e shkollave arsimuese dhe programeve edukuese morale. Mësimi rreth Fesë Bahá’í në sistemet zyrtare shkollore dhe implementimi (zbatimi i një programi të gatshëm) i programeve për të rinjtë dhe projekteve të letërsisë janë shembuj të tjerë të përpjekjeve për të siguruar një edukim shpirtëror të brezave të rinj. Ofrimi i trajnimit të mësuesve në shkollat shtetërore është një tjetër e ardhme frutdhënëse për të shtrirë tek fëmijët dhe të rinjtë mësimet morale dhe shpirtërore të ruajtura në Shkrimet.