Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Përmbledhje

Asambletë Shpirtërore Lokale
Besueshmëria
Besëlidhja
Direktiva për mësimin
Edukimi Bahá'í
Fondet dhe kontributet Bahá'í
Fuqia e Ndihmës Hyjnore
Gratë
Hukukullahu, e Drejta e Perëndisë
Hukukullahu, Ligji social-ekonomik e shpirtëror i Kitáb-i-Aqdasit (Dr. A.-M. Varqá)
Hukukullahut, Ligji i (Cyrus Alá'í)
Hukukullahut, Një kodifikim i Ligjit të (Departamenti i Kërkimeve)
Jeta e familjës
Konsultimi
Krisa dhe fitorja
Lutje Bahá'í (i vogël)
Lutje Bahá'í
Muzikë
Mësimet për rendin e ri botëror
Mësimi i masave
Ndalimi i pijeve të dëmshme
Njerëzit e shquar
Një jetë e ndershme dhe e shenjtë
Opozitë
Paqe
Përmbledhja e përmbledhjeve
Përmbledhje e Trupës Kontinentale në Evropë
Përsosmëri në të gjitha gjerat
Radio
Rini
Ruajtja e Martesave Bahá'í
Rëndësia e arteve në përhapjen e Besimit
Rëndësia e lutjes, e përsiatjes, dhe e qëndrimit devocional
Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve
Takimet Bahá'í & Festa e 19 Ditëve
Tek Ai do të kthehemi
Thashetheme; Stimulimi dhe Zhvillimi e Komuniteteve Bahá'í
Transformimi shpirtëror
Të jetosh jetën
Të çojmë përpara hyrjen me trupa
Varrimi Bahá'í
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Përmbledhje : Varrimi Bahá'í
VARRIMI BAHÁ'Í DHE SHËRBIMI FUNERAL BAHÁ'Í
Varrimi Bahá'í
Ekstrakte nga Qitapi Akdas

Zoti ka urdhëruar që të vdekurit të shtihen në dhe në qivure prej kristali, prej guri të fortë e rezistent, ose prej druri që të jetë edhe i bukur edhe i qëndrueshëm, dhe që në gishtat e tyre të vihen unaza të gdhendura. Ai, me të vërtetë, është Urdhëruesi Suprem, Që di gjithçka.

(Bahá'u'lláh, Qitapi Akdas, paragrafi 128) [1]

Mbishkrimi në këto unaza për burrat duhej të ishte: "Perëndisë i përket ço gjë që është në qiell e mbi tokë dhe çdo gjë që ndodhet midis tyre, dhe Ai, me të vërtetë, ka dijeni për të gjitha gjërat"; kurse për gratë duhej të ishte: "Perëndisë i përket sundimi i qiejve e i tokës dhe çdo gjë që ndodhet midis tyre, dhe Ai, me të vërtetë, është i pushtetshëm mbi të gjitha gjërat". Këto janë vargje të reveluara qëmoti, por ja, tani Pika e Bajanit shpall duke thirrur "O i Shumëdashuri i Botëve! Revelo në vend të tyre të tilla fjalë, që të përhapin mbi gjithë njerëzimin aromën e favoreve Tuaja dashamirëse. Ne i kemi njoftuar gjithsecilit se edhe një fjalë e vetme nga Ti ua kalon të gjitha atyre që janë dërguar përmes Bajanit. Ti, me të vërtetë, ke pushtet të bësh atë që Të pëlqen. Mos u moho shërbëtorëve të Tu vërshimin e bujarive të oqeanit të mëshirës Sate! Ti, me të vërtetë, je Ai mëshira e të Cilit është e pafund". Ja, ne ia kemi vënë veshin thirrjes së Tij dhe tani po e plotësojmë dëshirën e Tij. Ai, me të vërtetë, është i Shumëdashuri, Përmbushësi i lutjeve. Në qoftë se në unazat e varrimit, si të burrave dhe të grave, do të gdhendet vargu i mëposhtëm, i dërguar nga Perëndia në këtë moment, kjo do të jetë më mirë për ta; Ne, sigurisht, jemi Urdhëruesi Suprem: "Kam ardhur nga Perëndia dhe tek Ai kthehem, i shkëputur nga gjithçka veç Tij, duke u mbajtur fort pas Emrit të Tij, të Mëshirshmit, Zemërdhembshurit". Kështu Zoti zgjedh cilindo që dëshiron, si shenjë bujarie e pranisë së Tij. Ai është, me të vërtetë, Perëndia i fuqisë e i pushtetit.

(Bahá'u'lláh, Qitapi Akdas, paragrafi 129) [2]

Zoti ka dekretuar, veç kësaj, se të vdekurit duhet të mbështillen me pesë pëlhura mëndafshi ose pambuku. Për ata që kanë mjete të kufizuara është e mjaftueshme një copë e vetme e cilësdo prej këtyre pëlhurave. Kështu ka urdhëruar Ai Që është i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari. E keni të ndaluar ta transportoni trupin e të vdekurit në një largësi më të madhe se një orë rrugë nga qyteti; përkundrazi, ai duhet varrosur me madhështi e qetësi në një vend afër.

(Bahá'u'lláh, Qitapi Akdas, paragrafi 130) [3]

PYETJE: A është porosia që trupi i të vdekurit të mos çohet më larg se një orë rrugë si për bartjen në tokë dhe në det?

PËRGJIGJE: Kjo porosi ka të bëjë si me distancat në det dhe në tokë, qoftë kjo një orë larg me avullore ose ne tren; synimi është një orë kohë, cilido qoftë mjeti i transportit. Sidoqoftë, sa më parë të bëhet varrimi, aq më e përshtatshme dhe e pranueshme është kjo.

(Bahá'u'lláh, Pyetje dhe Përgjigje, nr. 16) [4]

PYETJE: Përdorimi i unazës së varrimit është urdhëruar vetëm për të rriturit, apo edhe për të miturit?

PËRGJIGJE: Është vetëm për të rriturit. Po kështu edhe Lutja për të Vdekurit është për të rriturit.

(Bahá'u'lláh, Pyetje dhe Përgjigje, nr. 70) [5]

Shënim nga Qitapi Akdas1

149. Zoti ka urdhëruar që të vdekurit të shtihen në dhe në qivure ¶128

1The Kitáb-i-Aqdas: The Most Holy Book (Haifa: Bahá'í World Centre, 1992.

Në Bajanin, Báb-i porosiste që të vdekurit të shtihen në dhe në qivure prej kristali ose prej guri të lëmuar. Shoghi Effendiu, në një letër të shkruar në emër të tij, ka shpjeguar se domethënia e kësaj mase ishte të tregohej respekt për trupin njerëzor, i cili "një kohë ishte i fisnikëruar nga shpirti i pavdekshëm i njeriut".

Me pak fjalë, ligji Bahá'í për varrimin e të vdekurve thotë se është e ndaluar të çohet trupi më larg se një orë rrugë nga vendi i vdekjes; se trupi duhet të mbështillet me një pëlhurë të hollë mëndafshi ose pambuku dhe në gisht t'i vihet një unazë me mbishkrimin "Kam ardhur nga Perëndia dhe tek Ai kthehem, i shkëputur nga gjithçka veç Tij, duke u mbajtur fort pas Emrit të Tij, të Mëshirshmit, Zemërdhembshurit".; dhe se qivuri duhet të jetë prej kristali, prej guri ose prej druri të fortë të një cilësie të mirë. Është vendosur një Lutje e posaçme për të Vdekurit (shih shënimin 10), e cila duhet thënë para shtirjes në dhe. Siç vënë në dukje 'Abdu'l-Bahá-i dhe Ruajtësi, lutja solemne dhe unaza duhen përdorur për ata që kanë arritur moshën e pjekurisë, dmth 15 vjeç (P&P 70).

Përsa i përket materialit nga i cili duhet bërë qivuri, thelbi i ligjit është se duhet bërë prej një materiali sa më rezistent. Kështu, Shtëpia Universale e Drejtësisë ka shpjeguar se, veç materialeve të specifikuara në Akdas, nuk ka kundërshtim që për qivurin të përdoret druri më i fortë i disponueshëm ose betoni. Tani për tani, Bahá'í-të janë lënë të lirë të zgjedhin vetë lidhur me këtë.

(Qitapi Akdas: Libri Më i Shenjtë, f. 228-29). [6]

Ekstrakte nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut

Trupi mund të bartet me çdo mjet në një distancë që mund të përshkohet për një orë.

(5 gusht 1949 dërguar në emër të Ruajtësit një individi) [7]

...lidhur me varrimet Bahá'í, etj. ...përgjigjet janë këto që vijojnë: Sipas mësimeve Bahá'í, është e qartë se trupi nuk duhet balcamosur. Varrimi duhet të bëhet brenda një ore udhëtim nga vendi i vdekjes. Përgatitja e trupit për varrimin është larja e kujdesshme dhe vendosja e tij në një qefin prej cope të bardhë, mundësisht mëndafshi.... Në Lindje është zakon të varroset njeriu brenda 24 orësh nga koha e vdekjes, ndonjëherë edhe më shpejt, megjithëse në mësimet nuk ka ndonjë dispozitë për kufirin e kohës.

(2 prill 1955 dërguar në emër të Ruajtësit një individi) [8]

Ai nuk ka ndonjë kundërshtim që për varret Bahá'í të zgjidhet një yll me nëntë cepa, në qoftë se Asambleja juaj mendon se kjo do t'i bëjë ato më të dallueshme.

(20 gusht 1955 dërguar në emër të Ruajtësit një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) [9]

Lidhur me pyetjen tuaj: nuk ka ndonjë arsye që fjala "Bahá'í" të mos figurojë në qendrën e një ylli nëntë cepash mbi gurin e varrit ... por emblema e unazës Bahá'í nuk duhet përdorur, as Emri Më i Madh.

(30 shtator 1955 dërguar në emër të Ruajtësit një individi) [10]

Në Mësimet nuk ka asgjë kundër lënies së trupave tanë në dispozicion të shkencës mjekësore. E vetmja gjë që duhet të vemë si kusht është se ne nuk dëshirojmë të na djegin, sepse kjo është kundër Ligjeve tona Bahá'í.

Duke qenë se shumë njerëz marrin masa që t'ia lënë trupat e tyre shkencës mjekësore për studim, ai ju sugjeron të hetoni, qoftë me anë të miku jurist ose në ndonjë spital, sesi mund ta bëni këtë, pastaj të vini në Testamentin tuaj klauzolën e nevojshme që sqaron se ju dëshironi që trupi juaj të jetë në shërbim të njerëzimit kur ju të vdisni dhe se, duke qenë Bahá'í, ju kërkoni që trupin tuaj të mos e djegin dhe që të mos kalojë më shumë se një orë udhëtim nga vendi ku vdisni.

Shpirti nuk ka më lidhje me trupin pas largimit prej tij, por duke qenë se trupi ishte një kohë tempulli i shpirtit, ne Bahá'í-të na kanë mësuar se ai duhet trajtuar me respekt.

(22 mars 1957 dërguar në emër të Ruajtësit një individi) [11]

Ekstrakte nga letra të shkruara në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë

Për varrimin e të vdekurve kërkesat e vetme të detyrueshme tani në Perëndim janë të varroset trupi (jo të digjet), të mos bartet ai më shumë se një distancë prej një ore udhëtim nga vendi i vdekjes, dhe të thuhet Lutja për të Vdekurit në qoftë se ai që ka vdekur është besimtar mbi moshëm 15 vjeç.

(9 qershor 1974, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) [12]

Shtëpia Universale e Drejtësisë këshillon që si vend i vdekjes të merret qyteti në të cilin besimtari vdes, prandaj udhëtimi prej një ore mund të llogaritet nga kufiri i qytetit deri në vendin e varrimit. Sidoqoftë, duhet mbajtur parasysh se fryma e ligjit të Bahá'u'lláh-ut është që të varroset afër vendit ku vdes.

Në kohën e tanishme nuk ka rregulla të përcaktuara për përgatitjen e varrezave Bahá'í. Megjithatë, në një Tabelë të Mjeshtrit, Ai nënvizon nevojën që varreza të ketë një pamje të jashtme të bukur dhe thotë se varret nuk duhen bashkuar me njëri-tjetrin, por secili prej tyre duhet të ketë rreth të katër anëve të tij një shtrat me lule. Ai vë në dukje gjithashtu se do të ishte e pëlqyeshme në qoftë se në qendër të varrezës do të vendosej një pellg, rreth të cilit të mbilleshin pemë të bukura, ashtu si dhe rreth vetë varrezës.

(20 shkurt 1978, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) [13]

Trupi duhet të vendoset në varr në një pozicion të tillë që këmbët të jenë të drejtuara ndaj 'Akká-së (Kiblës).

(Nga një formulim i përgatitur nga një Asamble Shpirtërore Kombëtare në Afrikë dhe i miratur prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë më 14 qershor 1982) [14]

Edhe pse Qitapi Akdas urdhëron që trupi të mbështillet në një qefin, në Shkrimet nuk ka asgjë që të përcaktojë sesi duhet bërë copa mbështjellëse. Shtëpia e Drejtësisë nuk dëshiron të nxjerrë ligj në kohën e tanishme për këtë çështje, dhe miqtë janë të lirë të vendosin vetë për gjëra të tilla.

(9 gusht 1987, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) [15]

Bahá'u'lláh-u ka këshilluar se është e preferueshme që varrimi të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur pas vdekjes. Kur rrethanat nuk lejojnë që varrimi i trupit të bëhet shumë shpejt pasi personi ka ndërruar jetë, ose kur është një këkesë e ligjit civil, trupi mund të ballcamoset, me kusht që procesi i përdorur të shërbejë për vonimin e përkohshëm të dekompozimit për një priudhë të shkurtër. Sidoqoftë, trupi nuk duhet t'i nënshtrohet një procesi ballcamosjeje që ka si efekt ruajtjen e tij pa dekompozim për një periudhë të gjatë; procese të tilla shpesh synojnë ta ruajnë trupin për një kohë të pakufizuar.

(17 qershor 1988, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) [16]

Zbatimi i tanishëm i ligjeve të varrimit jashtë Iranit kërkon përdorimin e një qivuri, megjithëse përdorimi i materialeve të specifikuara në Qitapi Akdas ende nuk është i detyrueshëm....

Përsa u përket materialeve alternative, Shtëpia e Drejtësisë në një rast të mëparshëm ka vendosur tashmë se nuk ka kundërshtim që për kutinë të përdoret druri më i fortë i disponueshëm, ose betoni. Veç sa më sipër, Shtëpia e Drejtësisë nuk ka vendosur për hollësira që lidhen me këtë ligj. Prandaj miqtë duhet të lihen të lirë të zgjedhin ata vetë. Fryma e ligjit, sidoqoftë, është se duhen përdorur qivure dhe se këta duhet të-jenë prej materialesh sa më të qëndrueshme.

(26 shkurt 1989, dërguar një Institucioni edukativ Bahá'í) [17]

Para së gjithash, ju doni të dini nëse në Shkrimet Bahá'í ka ndonjë shpjegim për këtë ligj, në mënyrë që t'ua shpjegoni atë të afërmëve tuaj jo Bahá'í. Fjalët e ligjit, të formuluara në Qitapi Akdas, janë këto: "E keni të ndaluar ta transportoni trupin e të vdekurit në një largësi më të madhe se një orë rrugë nga qyteti; përkundrazi, ai duhet varrosur me madhështi e qetësi në një vend afër". Departamenti i Kërkimeve nuk ka gjetur dot në Shkrimet ndonjë pasazh që të tregojë shkaqet specifike për këtë ligj, por në qoftë se mbahet parasysh qëllimi i Bahá'u'lláh-ut për të bashkuar njerëzimin dhe për ta çliruar atë nga shumë prej zakoneve rituale e praktikave tradicionale që e ndajnë një popull nga një tjetër, njeriu ndoshta mund të kuptojë ligjet shumë të thjeshta e dinjitoze të varrimit që Ai na ka dhënë. Në shekujt e shkuar ka pasur një praktikë të popujve të ndryshëm për t'i bartur trupat e të vdekurve në distanca të gjata, në mënyrë që ata të varrosen në afërsi të një vendi të shenjtë ose në ndonjë vend tjetër me domethënie të veçantë për të vdekurin. Ligji Bahá'í i shfuqizon praktika të tilla. Ai e vë theksin gjithashtu te uniteti i botës dhe pranon rëndësinë e shpirtit në krahasim me trupin. Trupi i njeriut të vdekur trajtohet me nderim e dinjitet dhe, pa vonesë të tepruar, i jepet tokës në një vend afër atij ku ka vdekur. Shpirti, siç e dimë, vazhdon të ekzistojë në një botë të lartësuar tej kufizimeve të kohës e të vendit.

(23 nëntor 1993 dërguar një besimtari individual) [18]

Shërbimi Bahá'í i Varrimit
Ekstrakte nga Qitapi Akdas

Në Lutjen për të Vdekurit, nga Perëndia, Reveluesi i Vargjeve, janë dërguar gjashtë pasazhe të posaçme. Kush di të lexojë, le të recitojë atë që është reveluar për t'u paraprirë këtyre pasazheve; ndërsa atë që nuk është në gjendje Perëndia e ka liruar nga kjo kërkesë. Ai, me të vërtetë, është i Fuqishmi, Falësi.

(Bahá'u'lláh, Qitapi Akdas, paragrafi 8) [19]

Është urdhëruar që lutja e detyrueshme të bëhet nga secili prej jush individualisht. Me përjashtim të Lutjes për të Vdekurit, praktika e lutjes kolektive është hequr. Ai, me të vërtetë, është Urdhëruesi, Urtiploti.

(Bahá'u'lláh, Qitapi Akdas, paragrafi 12) [20]

PYETJE: Lidhur me Lutjen për të Vdekurit: duhet bërë para apo pas varrimit? Dhe a është e detyrueshme të kthehet fytyra ndaj Kiblës?

PËRGJIGJE: Kjo lutje duhet bërë para varrimit; përsa i përket Kiblës: "ngado që të ktheheni, është fytyra e Perëndisë".

(Bahá'u'lláh, Pyetje dhe Përgjigje, nr. 85) [21]

Shënime nga Qitapi Akdas
10. Lutja për të Vdekurit ¶8

Lutja për të Vdekurit (shih Disa Tekste Shtojcë të Qitapi Akdasit) është e vetmja lutje e detyrueshme Bahá'í që duhet thënë në grup; ajo duhet recituar nga një besimtar, ndërkohë që gjithë të pranishmit qëndrojnë në këmbë në heshtje (shih shënimin 19). Bahá'u'lláh-u ka sqaruar se Lutja për të Vdekurit kërkohet vetëm kur i ndjeri është një i rritur (P&P 70), se thënia e saj duhet bërë para varrimit të të ndjerit dhe se gjatë recitimit të kësaj lutjeje nuk kërkohet të kthehet fytyra ndaj Kiblës (P&P 85).

Hollësi të tjera lidhur me Lutjen për të Vdekurit janë përmbledhur në Pasqyrën Sinoptike e Kodifikimin, seksioni IV.A. 13.-14.

11. janë dërguar gjashtë pasazhe të posaçme nga Perëndia , Reveluesi i Vargjeve ¶8

Pasazhet që janë pjesë e Lutjes për të Vdekurit përfshijnë përsëritjen e përshëndetjes "Alláh-u-Abhá" (Perëndia është Lavdiploti) gjashtë herë, të pasuar çdo herë nga nëntëmbëdhjetë përsëritje të njërit prej gjashtë vargjeve të reveluara posaçërisht. Këto vargje janë të njëjta me ato të Lutjes për të Vdekurit të reveluar nga Báb-i në Bajanin. Bahá'u'lláh-u ka shtuar një të lutur që u paraprin këtyre pasazheve.

(Qitapi Akdas: Libri Më i Shenjtë, f. 169-70) [22]

Ekstrakte nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut

Lidhur me shërbimin Bahá'í të varrimit: ai është tepër i thjeshtë, sepse konsiston në një lutje në grup që duhet bërë para varrimit.... ...Asambleja juaj Shpirtërore Kombëtare duhet të bëjë shumë kujdes që të mos adoptohet ose t'u imponohet miqve ndonjë procedurë ose rit në këtë çështje. Këtu, si dhe në disa raste të tjera që kanë të bëjnë me adhurimin Bahá'í, rreziku është që midis besimtarëve të zhvillohen një sistem i caktuar ose rite e praktika të ngurta. Duhet ruajtur thjeshtësia dhe fleksibiliteti më i madh, dhe një përzgjedhje nga Shkrimet e Shenjta Bahá'í mund t'i shërbejë këtij qëllimi në kohën e tanishme, me kusht që kjo përzgjedhje të mos adoptohet në mënyrë të ngurtë e uniforme në të gjitha rastet e tilla.

(10 janar 1936, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) [23]

Si shërbimi Bahá'í i martesës dhe shërbimi Bahá'í i varrimit janë tepër të thjeshtë për nga karakteri, dhe ju me siguri e keni lexuar në "Bahá'í News" shpjegimin që jep Ruajtësi për këto dy pika. Siç është shpallur tashmë, çdo formë ngurtësie e uniformiteti për çështje të tilla duhet shmangur nga besimtarët. Ajo që ka rëndësi jetike është të zbatohen me përpikmëri ligjet dhe udhëzimet e reveluara në mënyrë të posaçme nga Bahá'u'lláh-u. Për këto do të tërhiqet vëmendja e miqve dhe do t'u shpjegohen atyre nga Ruajtësi. Ndërkohë duhet bërë shumë kujdes për të parandaluar futjen e hollësive e të shtesave të panevojshme artificiale në trungun e Mësimeve.

(10 janar 1936, dërguar një besimtari individual) [24]

Nuk ka asnjë kundërshtim që jo-Bahá'í të jenë të pranishëm kur thuhet lutja e gjatë për të vdekurit, përderisa ata respektojnë mënyrën tonë të leximit të saj duke u ngritur e duke qëndruar në këmbë siç bëjnë Bahá'í-të në këtë rast. As nuk ka, në të vërtetë, ndonjë kundërshtim që jo-Bahá'í të jenë të pranishëm gjatë thënies së çdo lutjeje Bahá'í për ata që ndërrojnë jetë.

Duke paraqitur martesat Bahá'í është shumë më mirë të përmendet se ceremonia ishte kryer nga Asambleja, sepse kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë, dhe individi në këtë rast vepron vetëm në emër të Asamblesë. Duke qenë se varrimi nuk është një ceremoni legale, mund të lejohet më shumë hapësirë, veçanërisht kur familja e të vdekurit mund të dëshirojë që ndonjë mik Bahá'í i posaçëm të kryejë shërbesën....

Një shërbim varrimi Bahá'í zyrtar mund të bëhet vetëm për një besimtar, por nuk ka kundërshtim që të bëhet thënia e lutjeve Bahá'í, ose në të vërtetë kryerja e shërbimit Bahá'í të varrimit për një jo-Bahá'í, në qoftë se kjo kërkohet.

(20 korrik 1946, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) [25]

Ekstrakte nga letra të shkruara në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë

Ju pyesni nëse u lejohet miqve të këndojnë një lutje kolektivisht. Ka një dallim midis këndimit të një lutjeje kolektivisht dhe lutjes në grup. Kjo e fundit është një lutje zyrtare e drejtuar zakonisht nga një individ që ndjek një ritual të paracaktuar. Lutja në grup në këtë formë është e ndaluar në Besimin me përjashtim të rastit të Lutjes për të Vdekurit. Ndërsa thënia e lutjeve në unison e duke u bashkuar spontanisht në recitimine Fjalëve të Perëndisë nuk është e ndaluar, miqtë duhet të mbajnë parasysh këshillën e Ruajtësit të dashur për këtë çështje kur ai thotë se:

megjithëse miqtë lihen pra të lirë të ndjekin prirjen e vet ... ata duhet të bëjnë shumë kujdes që çdo mënyrë e praktikuar prej tyre të mos marrë një karakter tepër të ngurtë e të shndërrohet kështu një një institucion.

Kjo është një pikë që miqtë duhet ta mbajnë kurdoherë parasysh, që të mos largohen nga shtegu i qartë që tregojnë Mësimet".3

(6 shkurt 1975, dërguar një besimtari individual) [26]

Lutja për të Vdekurit duhet recituar në varrim në qoftë se ai që ka ndërruar jetë është 15 vjeç ose më shumë. Në qoftë se në varrim nuk ka asnjë që di të lexojë, është e mjaftueshme të thuhet vetëm ajo pjesë e Lutjes që kërkon përsëritjen nëntëmbëdhjetë herë të secilit prej gjashtë vargjeve të shkurtra.

(Nga një formulim i përgatitur nga një Asamble Shpirtërore Kombëtare në Afrikë dhe i miratur prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë më 14 qershor 1982) [27]

Lutja për të Vdekurit duhet të lexohet tërësisht nga një person, ndërsa gjithë të tjerët qëndrojnë në këmbë në heshtje. Nuk praktikohet që të pranishmet të përsërisin ndonjë pjesë të lutjes në unison.

(26 mars 1986, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) [28]

Ndërsa kjo lutje [Lutja për të Vdekurit] është elementi thelbësor i një varrimi Bahá'í dhe duhet thënë para se të bëhet varrosja e trupit, nuk ka ndonjë kusht që ajo të thuhet te vendi i varrit. Ajo madje mund të thuhet në një ambient privat para çfarëdo lutjesh te vendi i varrit dhe varrosjes së trupit.

(16 gusht 1993, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare) [29]

Mënyra korrekte e thënies së Lutjes për të Vdekurit është kjo që vijon:

Alláh-u-Abhá (një herë)

Ne të gjithë, me të vërtetë, adhurojmë Perëndinë (19 herë)

Alláh-u-Abhá (një herë)

Ne të gjithë, me të vërtetë, përkulemi para Perëndisë (19 herë)

Alláh-u-Abhá (një herë)

Ne të gjithë, me të vërtetë, jemi të devotshëm ndaj Perëndisë (19 herë).

Alláh-u-Abhá (një herë)

Ne të gjithë, me të vërtetë, i thurim lavde Perëndisë (19 herë)

Alláh-u-Abhá (një herë)

Ne të gjithë, me të vërtetë, falënderojmë Perëndinë (19 herë)

Alláh-u-Abhá (një herë)

Ne të gjithë, me të vërtetë, jemi këmbëngulës në Perëndinë (19 herë)

Kur Qitapi Akdas ishte duke u përkthyer, u vu re se përkthimi anglisht i udhëzimeve që përbëjnë një pjesë të Lutjes për të Vdekurit mund të kuptohej në më shumë se një mënyrë. Prandaj, kur u formulua Shënimi 11, ai u shpreh në një mënyrë që kishte si qëllim të sqaronte dykuptimësinë, dhe konkretisht: "përsëritja e përshëndetjes 'Alláh-u-Abhá (Perëndia është Lavdiploti) gjashtë herë, të pasuar çdo herë nga nëntëmbëdhjetë përsëritje të njërit prej gjashtë vargjeve të reveluara posaçërisht".

(13 shtator 1993, dërguar një Trusti Botues Bahá'í) [30]

3 Shih edhe Qitapi Akdas: Libri Më i Shenjtë, shënim 19, f. 173.

6

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :