Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Bahá'u'lláh

Fjalët e fshehura
Kitáb-i-Aqdas - Questions And Answers
Kitáb-i-Aqdas - Shënimet
Kitáb-i-Aqdas
Qitapi Ikan
Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut
Tabela të Bahá'u'lláh-ut
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Bahá'u'lláh : Kitáb-i-Aqdas - Shënimet
Kitáb-i-Aqdas - Shënimet
1. aroma e këndshme e rrobës Sime ¶4

Ky është një aluzion për historinë e Josifit në Kuran dhe në Dhiatën e Vjetër, në të cilën rroba e Josifit, që të vëllezërit ia çuan Jakovit, i dha mundësi këtij të njihte djalin e tij të shumëdashur që kishte humbur. Metafora e “rrobës” erëmirë përdoret shpesh në Shkrimet Bahá’í për t’iu referuar njohjes së Manifestimit të Perëndisë e të Revelacionit të Tij.

Në një prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh·u e cilëson Veten si “Josifi Hyjnor” Që është “shitur” nga të shkujdesurit me “çmimin më të përbuzur”. Báb·i, në Qayyúmu’l-Asmá’, e cilëson Bahá’u’lláh·un si “Josifi i vërtetë” dhe parashikon vuajtjet që Ai do të pësojë nga duart e vëllait të Tij të pabesë (shih shënimin 190). Po kështu, Shoghi Effendi·u e krahason xhelozinë e madhe që shquarsia e ‘Abdu’l-Bahá·it kishte ngjallur te vëllai i Tij nga i ati, Mírzá Muḥammad-‘Alí·u, me zilinë për vdekje “që epërsia e Josifit kishte ndezur në zemrat e vëllezërve të tij”.

2. Me gishtat e fuqisë e të pushtetit, Ne kemi hapur Verën e zgjedhur. ¶5

Përdorimi i verës dhe i pijeve të tjera dehëse është i ndaluar në Kitáb-i-Aqdas (shih shënimin 144 dhe shënimin 170).

Referenca për përdorimin e “verës” në kuptimin alegorik, si shkak i ekstazës shpirtërore, gjendet jo vetëm në Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut, por edhe në Biblën, në Kuran dhe në traditat e lashta hindu.

Për shembull, në Kuran u premtohet të drejtëve se do t’u jepet për të pirë “vera e zgjedhur dhe e vulosur”. Në Tabelat e Tij, Bahá’u’lláh·u e njëjtëson “Verën e zgjedhur” me Revelacionin e Tij, “aroma erë myshku” e të cilit është përhapur “mbi të gjitha gjërat e krijuara”. Ai thotë se ka “hapur” këtë “Verë” , duke zbuluar kështu të vërteta shpirtërore që deri atëherë ishin të panjohura dhe duke u dhënë mundësinë atyre që do të pinin prej saj të “shohin shkëlqimet e dritës së unitetit hyjnor” dhe “të kuptojnë qëllimin thelbësor që qëndron në themel të Shkrimeve të Perëndisë”.

Në një prej përsiatjeve të Tij, Bahá’u’lláh·u i lutet Perëndisë t’u japë besimtarëve “Verën e zgjedhur të mëshirës Sate, që t’i harrojnë të gjithë veç Teje dhe të ngrihen për t’i shërbyer Kauzës Sate dhe të qëndrojnë të patundur në dashurinë e tyre për Ty”.

3. Ne ju kemi urdhëruar lutjen e detyrueshme ¶6

Në gjuhën arabe ka disa fjalë me kuptimin lutje. Fjala “ṣalát”, e cila përdoret këtu në origjinal, i referohet një kategorie të veçantë lutjesh, recitimi i të cilave në kohë të caktuara të ditës u urdhërohet besimtarëve. Për ta dalluar këtë kategori lutjesh nga llojet e tjera, kjo fjalë është përkthyer “lutje e detyrueshme”.

Bahá’u’lláh·u thotë se “në sytë e Perëndisë lutja e detyrueshme dhe agjërimi zenë një vend të lartësuar” (Py&Pë 93). ‘Abdu’l-Bahá·i thotë se këto lutje “çojnë në përunjësi e nënshtrim, bëjnë që ta kthesh fytyrën ndaj Perëndisë e të shprehësh devotshmëri ndaj Tij” dhe se me anë të këtyre lutjeve “njeriu mban lidhje me Perëndinë, përpiqet t’I qaset pranë, bisedon me të Shumëdashurin e vërtetë të zemrës së tij dhe arrin shkallë shpirtërore”.

Lutja e Detyrueshme (shih shënimin 9), së cilës i referohet ky varg, është zëvendësuar nga tri Lutjet e Detyrueshme të reveluara nga Bahá’u’lláh·u (Py&Pë 63) Tekstet e tri lutjeve që janë tani në përdorim, bashkë me udhëzimet për recitimin e tyre, gjendet në këtë vëllim në kreun Disa Tekste Shtojcë të Kitáb-i-Aqdas·it.

Një numër zërash në Pyetje dhe Përgjigje trajtojnë aspekte të tri Lutjeve të reja të Detyrueshme. Bahá’u’lláh·u sqaron se gjithkush lejohet të zgjedhë cilëndo prej tri Lutjeve të Detyrueshme (Py&Pë 65). Porosi të tjera ndriçohen në Pyetje dhe Përgjigje numër 66, 67, 81 dhe 8

Hollësitë e ligjit për lutjen e detyrueshme janë përmbledhur në seksionin IV.A. -17 të Pasqyrës Përmbledhëse e Kodifikimit.

4. nëntë rakahë ¶6

Një rak‘ah është recitimi i vargjeve të reveluara posaçë¬risht, i shoqëruar nga një seri e caktuar gjunjëzimesh e lëvizjesh të tjera.

Lutja e Detyruar që Bahá’u’lláh·u u urdhëronte fillimisht pasuesve të Tij përbëhej prej nëntë rakahësh. Natyra e saktë e kësaj lutjeje dhe e udhëzimeve të posaçme për recitimin e saj janë të panjohura, duke qenë se kjo lutje ka humbur (shih shënimin 9).

Në një Tabelë që komenton Lutjet e Detyrueshme aktua-lisht në veprim, ‘Abdu’l-Bahá·i vë në dukje se “në çdo fjalë e lëvizje të Lutjes së Detyrueshme ka aluzione, mistere e një urti që njeriu nuk është në gjendje t’i kuptojë dhe që as letra e pergamena nuk mund t’i mbajnë”.

Shoghi Effendi·u shpjegon se ato pak udhëzime të thjeshta që ka dhënë Bahá’u’lláh·u për recitimin e disa lutjeve jo vetëm kanë një domethënie shpirtërore, por edhe e ndihmojnë individin “të përqëndrohet plotësisht gjatë lutjes e përsiatjes”.

5. në mesditë dhe në mëngjes e mbrëmje ¶6

Lidhur me përkufizimin e fjalëve “mëngjes”, “mesditë” dhe “mbrëmje”, kohë në të cilat duhet të recitohet Lutja e mesme e Detyruar që është në veprim sot, Bahá’u’lláh·u ka thënë se ato përkojnë me “lindjen e diellit, mesditën dhe perëndimin e diellit” (Py&Pë 83). Ai specifikon se “kohët e lejuara për Lutjet e Detyrueshme janë nga mëngjesi deri në mesditë, nga mesdita deri në perëndim të diellit dhe nga perëndimi i diellit deri dy orë pas tij”. Më tej, ‘Abdu’l-Bahá·i ka thënë se Lutja e Detyrueshme e mëngjesit mund të thuhet që në agim.

Përkufizimi i “mesditës” si periudha “nga mesdita deri në perëndim të diellit” vlen për recitimin e Lutjes së Detyrueshme të shkurtër, si dhe të asaj të mesme.

6. Ne ju kemi liruar nga një numër më i madh ¶6

Kërkesat për lutjen e detyrueshme për të cilat bëhet thirrje në Dispensacionet Bábí e Islamik ishin shumë më të mëdha sesa ato për kryerjen e Lutjes së Detyrueshme të përbërë nga nëntë rakahë, që urdhërohet në Kitáb-i-Aqdas (shih shënimin 4).

Në Bayán, Báb·i urdhëron një Lutje të Detyrueshme të përbërë prej nëntëmbëdhjetë rakahësh, që duhej kryer në çdo njëzet e katër orë, nga mesdita e një dite deri në mesditën e ditës së nesërme.

Lutja islamike recitohet pesë herë në ditë, konkretisht në mëngjes herët, në mesditë, pasdite, në mbrëmje dhe natën. Ndërsa numri i rakahëve ndryshon sipas kohës së recitimit, gjatë një dite bëhen gjithsej shtatëmbëdhjetë rakahë.

7. Kur doni të thoni këtë lutje, kthejeni fytyrën ndaj Oborrit të Pranisë Sime Më të Shenjtë, këtij Vendi të Shenjtëruar që Perëndia ... e ka caktuar të jetë Pika e Adhurimit për banorët e Qyteteve të Përjetësisë ¶6

“Pika e Adhurimit”, domethënë pika drejt së cilës duhet të kthehet adhuruesi kur bën lutjen e detyrueshme, quhet Kibla. Koncepti i Kiblës ka ekzistuar edhe në fetë e mëparshme. Në të kaluarën për këtë qëllim ishte caktuar Jerusalemi. Muhameti e ndryshoi Kiblën dhe caktoi Mekën. Udhëzimet e Báb·it në Bayán·in Arab ishin:

Në të vërtetë, Kibla është Ai që Perëndia do Ta shfaqë; ngado që të lëvizë Ai edhe ajo lëviz, derisa Ai të arrijë në prehje.

Ky pasazh është cituar nga Bahá’u’lláh·u në Kitáb-i-Aqdas (¶137) dhe është konfirmuar prej Tij në vargun e lartpërmendur. Ai ka treguar gjithashtu se kthimi i fytyrës në drejtim të Kiblës është një “kërkesë e posaçme për thënien e lutjes së detyrueshme” (Py&Pë 14 e Py&Pë 67). Kurse për lutje e adhurime të tjera secili mund ta kthejë fytyrën në çfarëdo drejtimi.

8. dhe kur Dielli i së Vërtetës e i Fjalës të ketë perënduar, kthejeni fytyrën ndaj Vendit që Ne ju kemi urdhëruar ¶6

Bahá’u’lláh·u urdhëron që pas vdekjes së Tij Kibla të jetë varri i Tij. Varri Më i Shenjtë është në Bahxhi, ‘Akká. ‘Abdu’l-Bahá·i e quan atë “Mauzole i shndritshëm”, “vendi rreth të cilit sillet Tubimi Qiellor”.

Në një letër të shkruar në emër të tij, Shoghi Effendi·u përdor analogjinë e bimës që kthehet drejt diellit, për të shpjeguar domethënien shpirtërore të kthimit të fytyrës ndaj Kiblës.

... ashtu si bima kthehet drejt dritës së diellit, nga e cila merr jetë e zhvillim, edhe ne, gjatë lutjes, i kthejmë zemrat tona ndaj Manifestimit të Perëndisë, Bahá’u’lláh·ut; ... ne e kthejmë fytyrën ... drejt vendit ku hiri i Tij prehet në këtë tokë, si një simbol të veprimit të brendshëm.

9. I kemi shtjelluar hollësitë e lutjes së detyrueshme në një Tabelë tjetër. ¶8

Lutja e Detyrueshme fillestare, “për arsye urtie”, është reveluar nga Bahá’u’lláh·u në një Tabelë më vete (Py&Pë 63). Ajo nuk iu dha besimtarëve gjatë jetës së Tij, duke qenë se u zëvendësua nga tri Lutjet e Detyrueshme që janë tani në përdorim.

Pak kohë pasi Bahá’u’lláh·u ndërroi jetë, teksti i kësaj lutjeje u vodh nga Muhamet Aliu, Kryeshkelësi i Besëlidhjes së Tij.

10. Lutja për të Vdekurit ¶8

Lutja për të Vdekurit (shih Disa Tekste Shtojcë të Kitáb-i-Aqdas·it) është e vetmja lutje e Detyrueshme Bahá’í që duhet thënë në grup; ajo duhet recituar nga një besimtar, ndërkohë që gjithë të pranishmit qëndrojnë në këmbë në heshtje (shih shënimin 19). Bahá’u’lláh·u ka sqaruar se Lutja për të Vdekurit kërkohet vetëm kur i ndjeri është një i rritur (Py&Pë 70), se thënia e saj duhet bërë para varrimit të të ndjerit dhe se gjatë recitimit të kësaj lutjeje nuk kërkohet të kthehet fytyra ndaj Kiblës (Py&Pë 85).

Hollësi të tjera lidhur me Lutjen për të Vdekurit janë përmbledhur në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.A. 1-1

11. ju janë dërguar gjashtë pasazhe të posaçme nga Perëndia, Reveluesi i Vargjeve ¶8

Pasazhet që janë pjesë e Lutjes për të Vdekurit përfshijnë përsëritjen e përshëndetjes “Alláh-u-Abhá” (Perëndia është Lavdiploti) gjashtë herë, të pasuar çdo herë nga nëntëmbëdhjetë përsëritje të njërit prej gjashtë vargjeve të reveluara posaçërisht. Këto vargje janë të njëjta me ato të Lutjes për të Vdekurit të reveluar nga Báb·i në Bayán. Bahá’u’lláh·u ka shtuar një të lutur që u paraprin këtyre pasazheve.

12. Flokët (qimet) nuk e shvleftësojnë lutjen tuaj, as ndonjë gjë tjetër nga e cila shpirti është larguar, siç janë kockat e të tjera si këto. Jeni të lirë të mbani lëkurë kunadheje, si dhe kastori, ketri ose kafshësh të tjera ¶9

Në disa Dispensacione fetare të mëparshme, veshja e gëzofit të disa kafshëve ose mbajtja e disa sendeve të tjera konsiderohej se e shvleftëson lutjen. Këtu Bahá’u’lláh·u mbështet thënien e Báb·it në Bayán·in Arab se gjëra të tilla nuk e shvleftësojnë lutjen.

13. Ju kemi porositur të luteni e të agjëroni që kur fillon mosha e pjekurisë ¶10

Bahá’u’lláh·u e përcakton “moshën e pjekurisë ndaj detyrimeve fetare” “pesëmbëdhjetë vjeç si për burrat dhe për gratë” (Py&Pë 20). Për hollësi lidhur me periudhën e agjërimit shih shënimin 2

14. Ai ka përjashtuar nga kjo ata që janë të dobët për shkak sëmundjeje ose moshe ¶10

Përjashtimi nga thënia e Lutjeve të Detyrueshme dhe nga Agjërimi i atyre që janë të dobët për shkak sëmundjeje ose moshe të kaluar shpjegohet në Pyetje dhe Përgjigje. Bahá’u’lláh·u vë në dukje se në “kohë sëmundjeje nuk është e lejueshme të zbatohen këto detyrime” (Py&Pë 93). Në këtë kontekst, Ai e përcakton kohën e pleqërisë nga shtatëdhjetë vjeç e lart (Py&Pë 74). Në përgjigje të një pyetjeje, Shoghi Effendi·u ka shpjeguar se personat që arrijnë moshën 70 vjeç përjashtohen, qofshin të dobët ose jo.

Përjashtimi nga agjërimi bëhet gjithashtu për kategoritë e tjera të posaçme të personave, që renditen në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.B. Për diskutim të mëtejshëm shih shënimin 20, shënimin 30 dhe shënimin 3

15. Perëndia ju ka lejuar të përkuleni deri në tokë mbi çdo sipërfaqe të pastër, sepse Ne kemi hequr lidhur me këtë kufizimet e shënuara në Librin ¶10

Në Dispensacione të mëparshme, kërkesat e lutjes përfshinin shpesh herë përkuljen deri në tokë. Në Bayán·in Arab, Báb·i i ftonte besimtarët ta mbështetnin ballin mbi sipërfaqe kristali kur përkuleshin deri në tokë. Edhe në Islamin janë vendosur disa kufizime lidhur me sipërfaqen mbi të cilën myslimanëve u lejohet të përkulen. Bahá’u’lláh·u i shfuqizon këto kufizime dhe për¬cakton thjesht “çdo sipërfaqe të pastër”.

16. Ai që nuk gjen ujë për avdes le të përsërisë pesë herë fjalët “Në emër të Perëndisë, Më të Dëlirit, Më të Dëlirit” dhe pastaj të bëjë lutjen. ¶10

Duke u përgatitur të thotë lutjen e detyrueshme, besimtari duhet të marrë avdes, që përfshin larjen e duarve e të fytyrës. Në qoftë se nuk gjendet ujë, të përsërisë pesë herë vargun e reveluar posaçërisht. Për një diskutim të përgjithshëm mbi avdesin shih shënimin 3

Midis Dispensacioneve të mëparshme, në Kuran dhe në Bayán·in Arab ka praktika pararendëse lidhur me procedurat zëvendësuese që duhen ndjekur kur nuk gjendet ujë.

17. Në rajone ku dita dhe nata zgjaten, le të maten kohët e lutjes me sahatë e me mjete të tjera që tregojnë kalimin e orëve. ¶10

Kjo ka parasysh territoret që ndodhen në ekstremin verior ose jugor, ku kohëzgjatja e ditëve dhe e netëve ndryshon në mënyrë të konsiderueshme. (Py&Pë 64 dhe Py&Pë 103). Kjo porosi zbatohet edhe për agjërimin.

18. Ne ju kemi liruar nga kërkesa e kryerjes së Lutjes së Shenjave. ¶11

Lutja e Shenjave është një formë e posaçme e lutjes së detyrueshme myslimane që ka qenë urdhëruar të thuhej në kohë ngjarjesh natyrore, si tërmete, eklipse dhe dukuri të tjera si këto, të cilat mund të shkaktojnë frikë dhe merren si shenja ose veprime të Perëndisë. Kërkesa për thënien e kësaj lutjeje është shfuqizuar. Në vend të saj Bahá’í·të mund të thonë “Sundimi i përket Perëndisë, Zotit të së dukshmes e të së padukshmes, Zotit të Krijimit”, por kjo nuk është e detyrueshme (Py&Pë 52).

19. Me përjashtim të Lutjes për të Vdekurit, praktika e lutjes kolektive është hequr. ¶12

Lutja në grup, në kuptimin e lutjes së detyrueshme të rregullt që duhet thënë sipas një rituali të caktuar, siç është zakon, për shembull, në Islamin, ku lutja e së premtes në xhami drejtohet nga një imam, në Dispensacionin Bahá’í është hequr. Lutja për të Vdekurit (shih shënimin 10) është e vetmja lutje në grup e urdhëruar nga ligji Bahá’í. Ajo duhet të recitohet nga njëri prej të pranishmëve ndërsa të tjerët qëndrojnë në këmbë në heshtje; recituesi nuk ka ndonjë pozitë të veçantë. Njerëzit e mbledhur nuk janë të detyruar ta kthejnë fytyrën drejt Kiblës (Py&Pë 85).

Tri Lutjet e Detyrueshme të përditshme duhen thënë individualisht, jo në grup.

Nuk ka rregulla të caktuara për thënien e lutjeve të tjera të shumta Bahá’í dhe secili është i lirë të përdorë ato lutje jo të detyrueshme që dëshiron, në grumbullime ose individualisht. Lidhur me këtë, Shoghi Effendi·u thotë që

...edhe pse miqtë lihen të lirë të ndjekin prirjen e vet, ...ata duhet të shmangin me kujdesin më të madh që mënyra e sjelljes së tyre të marrë një karakter tepër të ngurtë dhe të shndërrohet kështu në një institut. Kjo është një pikë që miqtë duhet ta mbajnë kurdoherë parasysh, për të mos u larguar nga rruga që tregohet qartë në Mësimet.

20. Perëndia i ka përjashtuar nga lutja e detyrueshme dhe agjërimi gratë që janë me zakonet e përmuajshme. ¶13

Gratë që janë me zakonet e përmuajshme përjashtohen nga lutja e detyrueshme dhe nga agjërimi; por ato duhet të marrin avdes (shih shënimin 34) dhe të përsërisin nëntëdhjetë e pesë herë në ditë, nga njëra mesditë në tjetrën, vargun “Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i Shkëlqimit e i Bukurisë”. Kjo porosi ka një praktikë para-rendëse në Bayán·in Arab, ku bëhet një përjashtim i ngjashëm.

Në disa Dispensacione të mëparshme fetare, gratë në kohën e zakoneve të përmuajshme konsideroheshin ritualisht të papastra dhe u ndalohej të kryenin detyrimet e lutjes e të agjë-rimit. Koncepti i papastërtisë rituale u anulua nga Bahá’u’lláh·u (shih shënimin 106).

Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar se porositë e Kitáb-i-Aqdas·it që përjashtojnë nga disa detyrime e përgjegjësi janë, siç e tregon vetë fjala, përjashtime e jo ndalime. Pra, çdo besimtar është i lirë të përfitojë nga një përjashtim i zbatueshëm në qoftë se dëshiron. Por Shtëpia e Drejtësisë këshillon që, duke vendosur ta bëjë ose jo këtë, besimtari duhet të përdorë urtinë dhe të ketë parasysh se Bahá’u’lláh·u i ka lejuar këto përjashtime për arsye të shëndosha.

Përjashtimi i këshilluar nga lutja e detyrueshme, që fillimisht i referohej Lutjes së Detyrueshme prej nëntë rakahësh, është tani e zbatueshme për tri Lutjet e Detyrueshme që e kanë zëvendësuar atë.

21. Kur jeni në udhëtim, në qoftë se ndaleni e pushoni në ndonjë vend të sigurt, bëni – gra e burra njëlloj – një përkulje deri në tokë në vend të çdo Lutjeje të Detyrueshme të pathënë ¶14

Përjashtimi nga lutja e detyrueshme bëhet për ata që ndodhen në kushte pasigurie të tilla saqë thënia e Lutjes së Detyrueshme nuk është e mundur. Përjashtimi është i zbatueshëm qoftë gjatë udhëtimit ose në shtëpi dhe jep një mjet falë të cilit Lutjet e Detyrueshme që kanë mbetur pa thënë për shkak të këtyre rrethanave të pasigurta të mund të kompensohen.

Bahá’u’lláh·u e ka bërë të qartë se lutja e detyrueshme “nuk është pezulluar gjatë udhëtimeve” sakohë është e mundur të gjendet “një vend i sigurt” ku ajo të kryhet (Py&Pë 58).

Numrat Py&Pë 21, Py&Pë 58, Py&Pë 59, Py&Pë 60 dhe Py&Pë 61 në Pyetje dhe Përgjigje i zgjerojnë këto porosi.

22. Pasi t’i plotësoni përkuljet, uluni këmbëkryq ¶14

Shprehja arabisht “haykalu’t tawḥíd”, e përkthyer këtu “këmbëkryq”, do të thotë “poza e unitetit”. Tradicionalisht ka pasur gjithmonë kuptimin e një poze me këmbë të kryqëzuara.

23. Thuaj: Perëndia e ka bërë dashurinë Time të fshehur çelësin e Thesarit ¶15

Ka një hadith të mirënjohur islamik lidhur me Perëndinë e krijimin e Tij, që thotë:

Isha një Thesar i Fshehur. Desha të bëhesha i njohur, prandaj thirra në jetë krijimin, në mënyrë që të njihesha.

Në Shkrimet Bahá’í gjenden referenca e aluzione për këtë hadith. Për shembull, në një prej lutjeve të Tij, Bahá’u’lláh·u revelon:

Lëvduar qoftë Emri Yt, O Zot Perëndia im! Dëshmoj se Ti ishe një Thesar i fshehur, i mbështjellë në Qënien Tënde që kur s’mbahet mend, dhe një Mister i padepërtueshëm i mbyllur në vetë Thelbin Tënd. Duke dashur të revelohesh, Ti thirre në jetë Botën Më të Madhe dhe Botën Më të Vogël, dhe zgjodhe Njeriun mbi të gjitha krijesat e Tua, dhe e bëre Atë një shenjë të të dyja këtyre botëve. O Ti Që je Zoti ynë, Më Zemërdhembshuri!

Ti e ngrite Atë që të zërë fronin Tënd para gjithë popujve të krijimit Tënd. E bëre Atë të aftë të shpalosë misteret e Tua dhe të shkëlqejë me dritat e frymëzimit Tënd e të Revelacionit Tënd, dhe të shfaqë emrat e Tu e atributet e Tua. Përmes Tij stolise hyrjen e librit të krijimit Tënd, O Ti Që je Sundimtari i gjithësisë që ke artuar! (Lutje e Përsiatje të Bahá’u’lláh·ut, XXXVIII).

Po kështu, në Fjalët e Fshehura Ai thotë:

O Bir i Njeriut! Unë e doja krijimin tënd, pra të krijova ty. Prandaj të më duash Mua, që Unë të të jap emrin tënd dhe ta mbush shpirtin tënd me Frymën e jetës.

Në komentin e Tij për hadithin e lartpërmendur, ‘Abdu’l-Bahá·i shkruante:

O shtegtar në shtegun e të Shumëdashurit! Dije se synimi kryesor i këtij hadithi të shenjtë është të përmendë fazat e fshehjes e të shfaqjes së Perëndisë në Mishërimet e së Vërtetës, të Atyre që janë Vendagimet e Qenies së Tij Lavdiplote. Për shembull, para se flaka e zjarrit të pashuar të ndizet e të shfaqet, ajo ekziston vetvetiu brenda vetes së saj në identitetin e fshehur të Manifestimeve universale, dhe kjo është faza e “Thesarit të Fshehur”. Dhe kur Pema e bekuar merr flakë vetvetiu brenda vetvetes dhe ai zjarr Hyjnor digjet nga thelbi i vet brenda thelbit të vet, kjo është faza e “Desha të bëhesha i njohur”. Dhe kur ajo ndriçon nga Horizonti i gjithësisë mbi botët e rastësishme e që s’kanë vend me Emra e Atribute Hyjnore të panumërta, kjo përbën lindjen e një krijimi të ri e të mahnitshëm, i cili i korrespondon fazës “Prandaj thirra në jetë krijimin”. Dhe kur shpirtrat e shenjtëruar çajnë mëdysh perdet e të gjitha lidhjeve tokësore e të kushteve të kësaj bote dhe nxitojnë drejt fazës nga ku sodisin bukurinë e Pranisë Hyjnore, dhe nderohen duke njohur Manifestimin e janë në gjendje të shohin shkëlqimin e Shenjës Më të Madhe të Perëndisë në zemrat e tyre, atëherë synimi i krijimit, që është njohja e Atij Që është e Vërteta e Përjetshme, do të bëhet i dukshëm.

24. O Pendë e Më të Lartit! ¶16

“Penda e Më të Lartit”, “Penda Supreme” dhe “Penda Më e Lartësuar” janë referenca për Bahá’u’lláh·un, të cilat theksojnë funksionin e Tij si Revelues i Fjalës së Perëndisë.

25. Ne jua kemi bërë të detyrueshëm agjërimin për një periudhë të shkurtër ¶16

Agjërimi dhe lutja e detyrueshme përbëjnë dy shtyllat që mbajnë Ligjin e reveluar të Perëndisë. Në një prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh·u thotë se i ka reveluar ligjet e lutjes së detyrueshme e të agjërimit në mënyrë që përmes tyre besimtarët të mund të afrohen pranë Perëndisë.

Shoghi Effendi·u vë në dukje se periudha e agjërimit, që kërkon vetëpërmbajtjen e plotë nga ushqimi e pija që nga lindja deri në perëndim të diellit, është

...në thelb një periudhë përsiatjeje e lutjeje, riaftësimi shpirtëror, gjatë së cilës besimtari duhet të përpiqet të bëjë rregullimet e nevojshme në jetën e tij të brendshme dhe të përtërijë e fuqizojë forcat shpirtërore të fshehura në shpirtin e tij. Domethënia dhe qëllimi i saj janë, pra, në themel shpirtërore për nga karakteri. Agjërimi është simbolik dhe një kujtesë për t’u përmbajtur nga dëshirat egoiste e epshore.

Agjërimi është i detyrueshëm për të gjithë besimtarët kur kanë mbushur 15 vjeç e derisa arrijnë moshën 70 vjeç.

Një pasqyrë e përmbledhur e porosive që kanë të bëjnë me ligjin e agjërimit dhe me përjashtimet që janë lejuar për disa kategori personash përmbahen në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.B.- Për një diskutim të përjashtimeve nga agjërimi shih shënimin 14, shënimin 20, shënimin 30 e shënimin 3

Periudha nëntëmbëdhjetëditëshe e agjërimit përkon me muajin Bahá’í të ‘Alá’, zakonisht 2-20 mars, menjëherë pas përfundimit të Ditëve të Shtuara (shih shënimin 27 dhe shënimin 147), dhe pasohet nga festa e Novruzit (shih shënimin 26).

26. dhe në përfundim të tij ju kemi caktuar Novruzin si festë ¶16

Báb·i futi një kalendar të ri, të njohur edhe si kalendari Badí‘ ose Bahá’í (shih shënimin 27 dhe shënimin 147). Sipas këtij kalendari, një ditë është periudha midis një perëndimi dhe tjetrit. Në Bayán·in, Báb·i urdhëroi që muaji i ‘Alá’ të ishte muaji i agjërimit, dekretoi që dita e Novruzit duhej të shënonte përfundimin e asaj periudhe dhe e quajti Novruzin Ditën e Perëndisë. Bahá’u’lláh·u e mbështeti kalendarin Badí‘, në të cilin Novruzi është caktuar si festë.

Novruzi është dita e parë e vitit të ri. Ai përkon me sanataditën pranverore në Hemisferën Veriore, që zakonisht bie më 21 mars. Bahá’u’lláh·u shpjegon se kjo ditë feste duhet kremtuar në çdo ditë që dielli hyn në yjësinë e Dashit (dmth në sanataditën pranverore), edhe sikur kjo të ndodhë vetëm një minutë para perëndimit (Py&Pë 35). Pra, Novruzi mund të bjerë më 20, 21 ose 22 mars, në varësi nga koha e sanataditës.

Bahá’u’lláh·u ia ka lënë Shtëpisë Universale të Drejtësisë detyrën për të përcaktuar hollësitë e shumë ligjeve. Ndër to ka një numër çështjesh që kanë të bëjnë me kalendarin Bahá’í. Ruajtësi ka deklaruar se zbatimi mbarëbotëror i ligjit për llogaritjen e datës së Novruzit do të kërkojë zgjedhjen e një vendi të posaçëm mbi tokë që të shërbejë si pikë referimi për caktimin e kohës së sanataditës pranverore. Ai ka vënë gjithashtu në dukje se zgjedhja e këtij vendi i është lënë për vendim Shtëpisë Universale të Drejtësisë.

27. Le të vendosen ditët e tepërta të muajve para muajit të agjërimit. ¶16

Kalendari Badí‘ bazohet në vitin diellor prej 365 ditësh, 5 orësh e 50 minutash e pak. Viti përbëhet prej 19 muajsh nga 19 ditë secili (dmth 361 ditë), duke u shtuar katër ditë plotësuese (pesë në vitet e brishtë). Báb·i nuk ka përcaktuar në mënyrë të posaçme vendosjen e ditëve të shtuara në kalendarin e ri. Kitáb-i-Aqdas·i e zgjidh këtë çështje duke i vendosur ditët “e tepërta” në një kohë të caktuar në kalendar menjëherë para muajit të ‘Alá’, periudhës së agjërimit. Për hollësi të mëtejshme shih seksionin për kalendarin Bahá’í në The Bahá’í World [Bota Bahá’í], vëllimi XVIII.

28. Ne kemi urdhëruar që këto ... të jenë manifestimet e shkronjës Há ¶16

Të njohura si Ayyám-i-Há (Ditët e Há), Ditët e Shtuara kanë veçorinë që shoqërohen me “shkronjën Há”. Vlera numerike abjad e kësaj shkronje arabe është pesë, që i korrespondon numrit të mundshëm të ditëve të shtuara.

Në Shkrimet e Shenjta shkronjës “Há” i janë dhënë disa domethënie shpirtërore, ndër të cilat që ajo është një simbol i Thelbit të Perëndisë.

29. ditët e dhurimit që i paraprijnë stinës së kufizimit ¶16

Bahá’u’lláh·u i ka urdhëruar pasuesit e Tij që t’ua kushtojnë këto ditë festimeve, gëzimit e bamirësisë. Në një letër të shkruar në emër të Shoghi Effendi·ut shpjegohet se “ditët e shtuara janë ditë të caktuara posaçërisht për mikpritje, dhënie dhuratash etj.”.

30. Udhëtarët ... nuk e kanë të detyruar Agjërimin ¶16

Kohëzgjatja minimale e një udhëtimi që e përjashton besimtarin nga agjërimi është përcaktuar nga Bahá’u’lláh·u (Py&Pë 22 dhe Py&Pë 75). Hollësitë e kësaj porosie janë përmbledhur në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.B.a.i.-v.

Shoghi Effendi·u ka sqaruar që, edhe pse udhëtarët përjashtohen nga agjërimi, ata janë të lirë të agjërojnë në qoftë se dëshirojnë. Ai ka vënë në dukje gjithashtu se përjashtimi mbetet në fuqi gjatë gjithë periudhës së udhëtimit, e jo vetëm gjatë orëve që njeriu është në tren ose në automobil, etj.

31. Udhëtarët, të sëmurët, gratë shtatzëna ose me foshnje gjiri, nuk e kanë të detyruar Agjërimin; ata janë përjashtuar nga Perëndia, si shenjë e hirit të Tij. ¶16

Përjashtimi nga agjërimi bëhet për ata që janë të sëmurë ose në moshë të kaluar (shih shënimin 14), për gratë gjatë zakoneve të përmuajshme (shih shënimin 20), për udhëtarët (shih shënimin 30) dhe për gratë shtatzëna e me foshnje gjiri. Ky përjashtim shtrihet gjithashtu mbi personat që bëjnë punë të rëndë, të cilëve ndërkohë u këshillohet që “në shenjë respekti ndaj ligjit të Perëndisë dhe për arsye të karakterit të lartësuar të Agjërimit”, të hanë “me përkore dhe jo në sy të të tjerëve” (Py&Pë 76). Shoghi Effendi·u ka vënë në dukje se llojet e punës që i përjashtojnë njerëzit nga Agjërimi do të përcaktohen nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

32. Përmbahuni nga ushqimi e të pirët që nga lindja deri në perëndim të diellit ¶17

Kjo i referohet periudhës së agjërimit. Në një prej Tabelave të Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i, pasi thotë se agjërimi është të përmbajturit nga ushqimi e të pirët, vë në dukje se edhe tymi është një formë “pije”. Në gjuhën arabe folja “pi” përdoret edhe për duhanin.

33. Është urdhëruar që çdo besimtar në Perëndinë ... duhet çdo ditë ... të përsërisë nëntëdhjetë e pesë herë “Alláh-u-Abhá”. ¶18

“Alláh-u-Abhá” është një frazë arabisht që do të thotë “Perëndia Lavdiploti”. Është një formë e Emrit Më të Madh të Perëndisë (shih shënimin 137). Në Islamin ka një hadith sipas të cilit ndër emrat e shumtë të Perëndisë njëri ishte më i madhi; por identiteti i këtij Emri Më të Madh ishte i fshehur. Bahá’u’lláh·u ka pohuar se Emri Më i Madh është “Bahá”.

Edhe derivatet e ndryshme të fjalës “Bahá” konsiderohen si Emri Më i Madh. Sekretari i Shoghi Effendi·ut, duke shkruar në emër të tij, shpjegon se

Emri Më i Madh është Emri i Bahá’u’lláh·ut. “Já Bahá’u’l-Abhá” është një lutje që do të thotë “O Ti Lavdi e Lavdive!”. “Alláh-u-Abhá” është një përshëndetje që do të thotë “Perëndia Lavdiploti”. Që të dyja i referohen Bahá’u’lláh·ut. Duke thënë Emri Më i Madh, nënkuptohet që Bahá’u’lláh·u është shfaqur në Emrin Më të Madh të Perëndisë, me fjalë të tjera që Ai është Manifestimi suprem i Perëndisë.

Përshëndetja “Alláh-u-Abhá” është adoptuar gjatë periudhës së syrgjynosjes së Bahá’u’lláh·ut në Adrianopojë.

Përsëritja e “Alláh-u-Abhá” nëntëdhjetë e pesë herë duhet të paraprihet nga marrja avdes (shih shënimin 34).

34. Merrni ... avdes për Lutjen e Detyrueshme ¶18

Marrja avdes është e shoqëruar në mënyrë të posaçme me disa lutje. Ajo duhet të paraprijë thënien e të tria Lutjeve të Detyrueshme, përsëritjen nëntëdhjetë e pesë herë të “Alláh-u-Abhá” dhe recitimin e vargut që këshillohet për të zëvendësuar lutjen e detyrueshme dhe agjërimin për gratë që janë me zakonet e përmuajshme (shih shënimin 20).

Marrja avdes që këshillohet përfshin larjen e duarve e të fytyrës si parapërgatitje për lutjen. Në rastin e Lutjes së mesme të Detyrueshme, ajo shoqërohet me recitimin e disa vargjeve (shih Disa tekste të reveluara nga Bahá’u’lláh·u si Shtojcë e Kitáb-i-Aqdas·it).

Që marrja avdes ka një domethënie tej larjes, kjo mund të shihet nga fakti që edhe sikur njeriu të jetë larë menjëherë para recitimit të Lutjes së Detyrueshme, është e nevojshme që ai të marrë avdes (Py&Pë 18).

Kur nuk ka ujë për të marrë avdes, duhet përsëritur pesë herë një varg që këshillohet (shih shënimin 16), dhe kjo porosi shtrihet edhe mbi ata për të cilët përdorimi i ujit është fizikisht i dëmshëm (Py&Pë 51).

Porositë e hollësishme për ligjin që ka të bëjë me marrjen avdes janë shtjelluar në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.A.1a.-g., si edhe në Pyetje dhe Përgjigje numër 51, 62, 66, 77 dhe 8

35. Ju është ndaluar të kryeni vrasje ¶19

Ndalimi për të marrë jetën e tjetrit përsëritet nga Bahá’u’lláh·u në paragrafin 73 të Kitáb-i-Aqdas·it. Për vrasjen me paramendim urdhërohen disa ndëshkime (shih shënimin 86). Në rastin e vrasjes pa dashje nga pakujdesia, është e nevojshme t’i paguhet familjes së të ndjerit një dëmshpërblim (shih Kitáb-i-Aqdas, ¶188).

36. ose marrëdhënie intime jashtë kurore ¶19

Fjala arabe “ziná”, e përkthyer këtu si “marrëdhënie intime jashtë kurore”, ka kuptimin qoftë marrëdhënie intime para dhe jashtë kurorës dhe shkelje kurore. Ajo përdoret jo vetëm për marrëdhënie seksuale midis një personi të martuar dhe dikujt që nuk është bashkëshorti ose bashkëshortja e tij, por edhe për marrëdhëniet seksuale jashtë martese në përgjithësi. Një formë e “ziná” është përdhunimi. I vetmi ndëshkim që urdhëron Bahá’u’lláh·u është për ata që kryejnë marrëdhënie intime para dhe jashtë kurorës (shih shënimin 77); ndëshkimet për llojet e tjera të shkeljeve seksuale i janë lënë t’i përcaktojë Shtëpia Universale e Drejtësisë.

37. përgojim ose shpifje ¶19

Bahá’u’lláh·u ka dënuar në mënyrë të përsëritur përgojimin, shpifjen dhe marrjen me gabimet e të tjerëve. Në Fjalët e Fshehura, Ai e thotë qartë: “O Bir i Qenies! Si munde të harrosh gabimet e tua dhe u more me gabimet e të tjerëve? Kush e bën këtë, është i mallkuar prej Meje”. Dhe më tej: “O Bir i Njeriut! Mos pëshpërit për mëkatet e të tjerëve sakohë ti je vetë mëkatar. Po e shkele këtë porosi, do të jesh i mallkuar dhe Unë dëshmoj për këtë”. Ky qortim i ashpër përsëritet më pas në veprën e Tij të fundit “Libri i Besëlidhjes Sime”: “Me të vërtetë ju them, gjuha shërben për të përmendur atë që është e mirë, mos e përlyeni atë me fjalë të pahijshme. Perëndia e ka falur atë që ka kaluar. Tani e tutje të gjithë duhet të thoni atë që është e përshtatshme dhe e hijshme, dhe duhet të përmbaheni nga shpifjet e fyerjet dhe nga çdo gjë që shkakton hidhërim në njerëzit”.

38. Ne e kemi ndarë trashëgiminë në shtatë kategori ¶20

Ligjet Bahá’í të trashëgimit zbatohen vetëm në rastet kur nuk ka testament, dmth kur një person vdes pa lënë testament. Në Kitáb-i-Aqdas (¶109), Bahá’u’lláh·u udhëzon që çdo besimtar të shkruajë testament. Në vende të tjera Ai e thotë qartë se çdo person gëzon të drejta të plota mbi pasurinë e vet dhe është i lirë të vendosë se në ç’mënyrë do të ndahet trashëgimi që lë e cilët do të jenë ata që do të trashëgojnë, Bahá’í ose jo qofshin (Py&Pë 69). Lidhur me këtë, një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi·ut shpjegon që

...edhe pse Bahá’í lejohet që në testamentin e tij të disponojë për pasurinë e vet ashtu si dëshiron, megjithatë, kur shkruan testamentin, është moralisht e ndershmërisht i detyruar të mbajë gjithmonë parasysh nevojën për të mbështetur parimin e Bahá’u’lláh·ut lidhur me funksionin shoqëror të pasurisë dhe nevojën që rrjedh prej kësaj për të shmangur grumbullimin e tepruar të saj në pak persona ose grupe personash.

Ky varg i Aqdas·it i paraprin një pasazhi të gjatë, në të cilin Bahá’u’lláh·u shtjellon ligjin Bahá’í të trashëgimit. Duke lexuar këtë pasazh, duhet mbajtur parasysh që ligji është formuluar nisur nga supozimi se i ndjeri është burrë; porositë e tij janë të zbatueshme, mutatis mutandis, edhe kur e ndjera është grua.

Sistemi i trashëgimit që parashikon ndarjen e pasurisë së të ndjerit midis shtatë kategorive trashëgimtarësh (fëmijët, bashkëshortja, babai, nëna, vëllezërit, motrat dhe mësuesit) bazohet në porositë e shtjelluara nga Báb·i në Bayán. Elementet kryesore të ligjeve Bahá’í të trashëgimit në rast mungese të testamentet janë:

Në qoftë se i ndjeri është baba dhe pasuria e tij përfshin një banesë personale, kjo banesë i kalon djalit të madh (Py&Pë 34).

Në qoftë se i ndjeri nuk ka pasardhës meshkuj, dy të tretat e banesës i kalojnë pasardhëseve femra dhe një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 41, Py&Pë 72). Shih shënimin 42 lidhur me nivelet e institucionit të Shtëpisë së Drejtësisë të cilave u referohet ky ligj (shih gjithashtu shënimin 44).

Ajo që mbetet nga pasuria ndahet midis shtatë kategorive të trashëgimtarëve. Për hollësi lidhur me numrin e pjesëve që duhet të marrë çdo grup, shih Pyetje dhe Përgjigje, numër 5, dhe Pasqyra Përmbledhëse e Kodifikimi, seksioni IV.C.a.

Në rast se në një kategori ka më shumë se një trashë-gimtar, pjesa e caktuar kësaj klase duhet ndarë midis tyre në mënyrë të barabartë, meshkuj a femra qofshin.

Në rastet kur nuk ka pasardhës, pjesa e fëmijëve i kalon Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 7, Py&Pë 41).

Në qoftë se një person lë fëmijë, por kategoritë e tjera të trashëgimtarëve mungojnë tërësisht ose pjesërisht, dy të tretat e pjesëve të tyre u kalojnë fëmijëve dhe një e treta Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 7).

Në qoftë se nuk ekziston asnjë prej kategorive të specifikuara, dy të tretat e pasurisë u kalojnë nipave dhe mbesave të të ndjerit. Në qoftë se as këta nuk ekzistojnë, të njëjtat pjesë u kalojnë tetove e ungjërve; në mungesë të këtyre, u kalojnë bijve e bijave të tyre. Në çdo rast, një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë.

Në qoftë se një person nuk lë asnjë prej trashëgimtarëve të lartpërmendur, gjithë pasuria i kalon Shtëpisë së Drejtësisë.

Bahá’u’lláh·u thotë se jo-Bahá’í·të nuk kanë të drejtë të trashëgojnë nga prindërit ose të afërmit e tyre Bahá’í (Py&Pë 34). Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, vë në dukje se ky ngushtim është i vlefshëm “vetëm në rastet kur një Bahá’í vdes pa lënë testament dhe, pra, kur pasuria e tij duhet të ndahet në pajtim me rregullat e shtjelluara në Kitáb-i-Aqdas. Përndryshe, çdo Bahá’í është i lirë t’ia lerë pasurinë e vet çdo personi, pavarësisht nga feja, mjafton që ai të lerë një testament që përcakton dëshirat e tij”. Pra, çdo Bahá’í ka gjithmonë mundësinë të kujdeset për bashkëshorten ose bashkëshortin, fëmijët ose të afërmit e vet jo-Bahá’í, duke lënë testament.

Hollësi të mëtejshme për ligjet e trashëgimit janë përmbledhur në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.C.a-o.

39. vëllezërve pesë pjesë ... motrave katër pjesë ¶20

Pyetje dhe Përgjigje i zgjeron porositë e ligjit përsa u përket pjesëve të trashëgimit që u caktohen vëllezërve dhe motrave të të ndjerit. Në qoftë i vëllai ose e motra me të njëjtin baba si i ndjeri, ai ose ajo trashëgon pjesën e plotë që i është caktuar. Por në qoftë vëllai ose motra është me baba tjetër, trashëgon vetëm dy të tretat e pjesës së caktuar, kurse një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 6). Më tej, në rastin kur i ndjeri ka midis trashëgimtarëve të vet vëllezër e motra me të njëjtët baba e nënë, atëherë vëllezërit e motrat nga nëna nuk trashëgojnë (Py&Pë 53). Këta, sigurisht, kanë të drejtë të trashëgojnë nga pasuria e të atit të tyre.

40. mësuesve ¶20

Në një Tabelë, ‘Abdu’l-Bahá·i i krahason mësuesit që janë marrë me edukimin shpirtëror të fëmijës me “atin shpirtëror” që “i jep fëmijës së tij jetën e pasosur”. Ai shpjegon se kjo është arsyeja përse në “ligjin e Perëndisë mësuesit renditen midis trashëgimtarëve”.

Bahá’u’lláh·u specifikon kushtet në të cilat mësuesi trashëgon dhe pjesën që ai merr (Py&Pë 33).

41. Kur dëgjuam britmën e fëmijëve ende të palindur, Ne e dyfishuam pjesën e tyre dhe e pakësuam atë të të tjerëve. ¶20

Në ligjet e Báb·it për trashëgiminë, fëmijëve të të ndjerit u caktoheshin nëntë pjesë të përbëra prej 540 njësish. Kjo përfaqësonte më pak se një të katërtën e gjithë pasurisë. Bahá’u’lláh·u e dyfishoi pjesën e tyre në 080 njësi dhe pakësoi pjesët e caktuara gjashtë kategorive të tjera të trashëgimtarëve. Ai gjithashtu shtjellon qëllimin e saktë të kësaj porosie dhe rrjedhojat e saj për shpërndarjen e trashëgimit (Py&Pë 5).

42. Shtëpisë së Drejtësisë ¶21

Duke iu referuar në Kitáb-i-Aqdas Shtëpisë së Drejtësisë, Bahá’u’lláh·u jo gjithmonë bën shprehimisht dallimin midis Shtëpisë Universale të Drejtësisë dhe Shtëpisë Lokale të Drejtësisë, të vendosura që të dyja në atë Libër. Zakonisht Ai i referohet thjesht “Shtëpisë së Drejtësisë”, duke lënë hapësirë për sqarim të mëtejshëm lidhur me nivelin ose nivelet e institucionit, në të cilat duhet të zbatohet çdo ligj.

Në një Tabelë që numëron të ardhurat e arkës lokale, ‘Abdu’l-Bahá·i përfshin ato trashëgime për të cilat nuk ka trashëgimtarë, duke treguar kështu se Shtëpia e Drejtësisë së cilës i referohen këto pasazhe të Aqdas·it lidhur me trashëgiminë është ajo lokale.

43. Po qe se i ndjeri lë fëmijë, por nuk lë asnjë nga të kategorive të tjera të trashëgimtarëve ¶22

Bahá’u’lláh·u sqaron se “Ky rregull ka si zbatime të përgjithshme ashtu edhe të posaçme, domethënë se kurdoherë që ndonjë kategori e kësaj klase të fundit trashëgimtarësh mungon, dy të tretat e trashëgimit të tyre u kalojnë fëmijëve dhe një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë” (Py&Pë 7).

44. Ne ua kemi caktuar banesën dhe rrobat personale të të ndjerit trashëgimtarëve meshkuj, e jo femra, dhe as trashëgimtarëve të tjerë. ¶25

Në një Tabelë, ‘Abdu’l-Bahá·i vë në dukje se banesa dhe rrobat personale të të ndjerit mbeten në linjën mashkullore. Ato i kalojnë djalit të madh dhe në mungesë të djalit të madh i kalojnë djalit të dytë e kështu me radhë. Ai shpjegon se kjo porosi është një shprehje e ligjit të parëlindjes, që gjithmonë është mbështetur nga Ligji i Perëndisë. Në një Tabelë drejtuar një pasuesi të Besimit në Persi Ai ka shkruar: “Në të gjitha Dispensacionet Hyjnore djalit të madh i janë dhënë shquarsi të jashtzakonshme. Madje edhe pozita e profetësisë ka qenë e drejta e tij e parëlindjes”. Por shquarsive të dhëna djalit të madh i shtohen detyra bashkëshoqëruese. Për shembull, ai ka përgjegjësinë morale, për hir të Perëndisë, të kujdeset për nënën e tij dhe gjithashtu të shohë nevojat e trashëgimtarëve të tjerë.

Bahá’u’lláh·u shpjegon aspekte të ndryshme të kësaj pjese të ligjit të trashëgimit. Ai përcakton që në rast se ka më shumë se një banesë, ajo kryesorja e më e rëndësishmja u kalon fëmijëve meshkuj. Banesat që mbeten, bashkë me zotërimet e tjera të të ndjerit, duhet të ndahen midis trashëgimtarëve (Py&Pë 34). Ai, veç kësaj, vë në dukje që, në mungesë të fëmijëve meshkuj, dy të tretat e banesës kryesore dhe të rrobave personale të babait të ndjerë u kalojnë pasardhëseve femra dhe një e treta Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 72). Më tej, kur e ndjera është grua, Bahá’u’lláh·u thotë se të gjitha rrobat e saj të përdorura duhet të ndahen në mënyrë të barabartë midis vajzave të saj. Rrobat e reja, arturinat dhe pronat duhet të ndahen midis trashëgimtarëve të saj, si dhe rrobat e përdorura në rast se ajo nuk lë pas vajza (Py&Pë 37).

45. Në rast se i biri i të ndjerit ka ndërruar jetë gjatë kohës që i ati jetonte dhe ka lënë fëmijë, ata trashëgojnë pjesën e atit të tyre ¶26

Ky aspekt i ligjit zbatohet vetëm në rastin e një biri që ka vdekur para babait e nënës së tij. Në qoftë se e bija e të ndjerit ka vdekur e ka lënë fëmijë, pjesa e saj duhet të ndahet sipas shtatë kategorive të përcaktuar në Librin Më të Shenjtë (Py&Pë 54).

46. Në qoftë se i ndjeri lë fëmijë që janë të mitur, pjesa e tyre e trashëgimit duhet t’i lihet në kujdestari një personi të besueshëm ¶27

Fjala “amín”, e përkthyer në këtë paragraf si “person i besueshëm” dhe “i besuar”, përçon në arabisht një varg kuptimesh të lidhura kryesisht me idenë e besueshmërisë, por nënkupton gjithashtu edhe cilësi të tilla si besimi, besnikëria, besa, drejtësia, ndershmëria e kështu me radhë. E përdorur në kuptimin legal, fjala “emin” do të thotë, ndër të tjera, njeri i besuar, garant, ruajtës, mbikqyrës dhe kujdestar.

47. Ndarja e pronës duhet bërë vetëm pasi të jetë paguar Huqúqu’lláh·u, të jenë rregulluar borxhet, të jenë paguar shpenzimet e funeralit e të varrimit ¶28

Bahá’u’lláh·u përcakton që në renditjen e përparësisë së pagimit të këtyre shpenzimeve në vend të parë janë shpenzimet për funeralin e varrimin, pastaj vijnë borxhet e të ndjerit, pastaj Ḥuqúqu’lláh-u (shih shënimin 125) (Py&Pë 9). Ai përcakton gjithashtu se kur për këto përdoret prona, pagesa duhet bërë duke marrë në fillim nga ajo që mbetet prej pronës dhe pastaj, në qoftë se kjo është e pamjaftueshme, nga banesa e nga rrobat personale të të ndjerit (Py&Pë 80).

48. Kjo është ajo dije e fshehur e cila kurrë nuk do të ndryshojë, sepse fillon me nëntën ¶29

Në Bayán·in Arab Báb·i thotë se ligji i Tij i trashëgimit “është në përputhje me një dije të fshehur në Librin e Perëndisë, dije që kurrë nuk do të ndryshojë ose të zëvendësohet”. Ai thotë gjithashtu se numrat në bazë të të cilave bëhej ndarja e trashëgimit ishin të veshura me një domethënie që kishte për qëllim të ndihmonte për të njohur Atë Që Perëndia do Ta shfaqë.

“Nënta” që përmendet këtu përfaqësohet në tekstin arabisht nga shkronja “á”, e cila është barasvlera e saj në numërimin abxhad (shih Glosarin). Ajo është elementi i parë i ndarjes së trashëgimit që urdhëron Báb·i, i Cili përcakton se kuota e fëmijëve përbëhet prej “nëntë pjesësh”. Domethënia e shifrës nëntë qëndron në qenien barasvlera numerike e Emrit Më të Madh “Bahá”, për të cilin aludohet në pjesën tjetër të këtij vargu si “Emri i lartësuar i fshehur e i dukshëm, i pacenueshën e i paarritshëm”. (Shih gjithashtu shënimin 3)

49. Zoti ka urdhëruar që në çdo qytet të ngrihet një Shtëpi e Drejtësisë ¶30

Institucioni i Shtëpisë së Drejtësisë përbëhet prej këshillash të zgjedhura që veprojnë në nivelin lokal, kombëtar e ndërkombëtar të shoqërisë. Në Kitáb-i-Aqdas, Bahá’u’lláh·u parashikon si Shtëpinë Universale të Drejtësisë dhe Shtëpitë Lokale të Drejtësisë. ‘Abdu’l-Bahá·i, në Vullnetin e Testamentin e Tij, parashikon Shtëpitë Dytësore (Kombëtare ose Rajonale) të Drejtësisë dhe ravijëzon metodën që duhet ndjekur për zgjedhjen e Shtëpisë Universale të Drejtësisë.

Vargu i lartpërmendur i referohet Shtëpisë Lokale të Drejtësisë, një institucion që duhet zgjedhur në çdo lokalitet ku ka nëntë ose më shumë Bahá’í të rritur. Për këtë qëllim, përkufizimi i të rriturit është caktuar përkohësisht 21 vjeç nga Ruajtësi, i cili ka vënë në dukje se ai mund të ndryshohet në të ardhmen nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

Tani për tani Shtëpitë Lokale e Dytësore të Drejtësisë janë të njohura si Asamble Shpirtërore Lokale dhe Asamble Shpirtërore Kombëtare. Shoghi Effendi·u ka vënë në dukje se ky është një “emërtim i përkohshëm”, i cili,

...kur pozita dhe qëllimet e Besimit Bahá’í të kuptohen më mirë e të njihen në mënyrë më të plotë, do të zëvendësohet hap pas hapi nga emri i përhershëm e më i përshtatshëm Shtëpi e Drejtësisë. Në të ardhmen, Asambletë Shpirtërore të sotme jo vetëm do të quhen ndryshe, por gjithashtu do të jenë në gjendje t’u shtojnë funksioneve të tyre të sotme ato pushtete, detyra e prerogativa që do të bëhen të nevojshme nga njohja e Besimit të Bahá’u’lláh·ut jo thjesht si një prej sistemeve fetare të njohura të botës, por si Feja Shtetërore e një Fuqie të pavarur e Sovrane.

50. numrit të Bahá-it ¶30

Barasvlera numerike e “Bahá” është nëntë. Shtëpia Universale e Drejtësisë dhe Asambletë Shpirtërore Kombëtare e Lokale kanë aktualisht nga nëntë anëtarë secila, numrin minimal të urdhëruar nga Bahá’u’lláh·u.

51. Ata duhet të jenë të besuarit e të Mëshirshmit midis njerëzve ¶30

Pushtetet e detyrat e përgjithshme të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, të Asambleve Shpirtërore Kombëtare e të Asambleve Shpirtërore Lokale dhe cilësitë për të qenë anëtar i tyre janë shtjelluar në Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut e të ‘Abdu’l-Bahá·it, në letrat e Shoghi Effendi·ut dhe në sqarimet e Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Funksionet kryesore të këtyre institucioneve janë përvijuar në Kushtetutën e Shtëpisë Universale të Drejtësisë dhe në ato të Asambleve Shpirtërore Kombëtare e Lokale.

52. të këshillohen së bashku ¶30

Bahá’u’lláh·u ka vendosur konsultimin si njërin prej parimeve themelore të Besimit të Tij dhe i ka porositur besimtarët “të këshillohen së bashku për të gjitha çështjet”. Ai e ka cilësuar konsultimin si “llambën e udhërrëfimit që tregon rrugën” dhe si “dhurues të të kuptuarit”. Shoghi Effendi·u thotë se “parimi i konsultimit ... përbën një prej ligjeve bazë” të Rendit Administrativ Bahá’í.

Në Pyetje dhe Përgjigje, numër 99, Bahá’u’lláh·u shtjellon një mënyrë të përdorimit të konsultimit dhe thekson rëndësinë e arritjes së njëzëshmërisë në marrjen e vendimeve, e kur kjo nuk arrihet duhet të mbizotërojë vendimi i shumicës. Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar se këto udhëzime për konsultimin janë reveluar para se të krijoheshin Asambletë Shpirtërore dhe ishin përgjigje për një pyetje lidhur me mësimet Bahá’í për konsultimin. Shtëpia e Drejtësisë thotë se lindja e Asambleve Shpirtërore, të cilave miqtë kurdoherë mund t’u drejtohen për ndihmë, kurrsesi nuk u ndalon atyre që të ndjekin procedurën e shtjelluar në Pyetje dhe Përgjigje. Kjo metodë mund të përdoret nga miqtë, po qe se dëshirojnë, kur kanë ndërmend të konsultohen për problemet e tyre vetjake.

53. Ndërtoni shtëpi adhurimi në të gjitha vendet ¶31

Shtëpia e Adhurimit Bahá’í i kushtohet lëvdimit të Perëndisë. Shtëpia e Adhurimit përbën godinën qendrore të Mashriqu’l-Adhkár·it (Vendagimit të Lëvdimit të Perëndisë), një kompleks që, duke u zhvilluar në të ardhmen, do të përfshijë veç Shtëpisë së Adhurimit një numër aneksesh për qëllime shoqërore, humanitare, edukative e shkencore. ‘Abdu’l-Bahá·i e cilëson Mashrikul Azkar-in si “një prej institucioneve më jetësore të botës” dhe Shoghi Effendi·u vë në dukje se ai mishëron në një formë të prekshme integrimin e “adhurimit e të shërbimit Bahá’í”. Duke i dalë përpara zhvillimit të ardhshëm të këtij institucioni, Shoghi Effendi·u parashikon se Shtëpia e Adhurimit dhe anekset e saj “do t’u japin përkrahje atyre që vuajnë, ndihmë të varfërve, strehë shtegtarëve, ngushëllim nevojtarëve dhe arsim të paditurve”. Në të ardhmen, Shtëpi të Adhurimit Bahá’í do të ngrihen në çdo qytet e fshat.

54. Zoti ka porositur që ata ndër ju që janë në gjendje le të bëjnë haxhillëk në Shtëpinë e Shenjtë ¶32

Dy Shtëpi të shenjta janë objekt i këtij urdhëri, Shtëpia e Báb·it në Shiraz dhe ajo e Bahá’u’lláh·ut në Bagdad. Bahá’u’lláh·u e ka përcaktuar se haxhillëku në secilën prej këtyre dy Shtëpive i përmbush kërkesat e këtij pasazhi (Py&Pë 25, Py&Pë 29). Në dy Tabela të veçanta, të njohura si Sureja e Haxhiut (Py&Pë 10), Bahá’u’lláh·u ka dhënë porosi lidhur me ritet e posaçme për secilin prej këtyre haxhillëqeve. Nga kjo pikëpamje, kryerja e një haxhillëku është më tepër se një vizitë e thjeshtë në këto dy shtëpi.

Pas vdekjes së Bahá’u’lláh·ut, ‘Abdu’l-Bahá·i caktoi Mauzoleun e Bahá’u’lláh·ut në Bahxhi si vend haxhillëku. Në një Tabelë, Ai vë në dukje se “Mauzoleu Më i Shenjtë, Shtëpia e Bekuar në Bagdad dhe Shtëpia shumë e nderuar e Báb·it në Shiraz” “i kushtohen haxhillëkut” dhe se është “e detyrueshme” të vizitohen këto vende “në qoftë se njeriu mund ta përballojë e është në gjendje ta bëjë këtë dhe në qoftë se nuk ndesh pengesa në rrugën e tij”. Për haxhillëkun në Mauzoleun Më të Shenjtë nuk është urdhëruar ndonjë rit.

55. dhe nga kjo ka përjashtuar gratë si shenjë mëshire nga ana e Tij ¶32

Në Bayán, Báb·i pat dhënë porosinë për të kryer haxhillëk një herë gjatë jetës ata prej pasuesve të tij që ishin financiarisht në gjendje të ndërmerrnin këtë udhëtim. Ai vinte në dukje se kjo nuk ishte e detyrueshme për gratë, për t’i ruajtur kështu ato nga vështirësitë e udhëtimit.

Edhe Bahá’u’lláh·u i përjashton gratë nga kërkesat e Tij për haxhillëk. Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar se ky përjashtim nuk është ndalim dhe se gratë janë të lira të bëjnë haxhillëk.

56. të merret me ndonjë punë ¶33

Për gratë dhe burrat është e detyrueshme të merren me ndonjë tregti ose zanat. Bahá’u’lláh·u e lartëson “marrjen me një punë të tillë” në “rangun e adhurimit” të Perëndisë. Domethënia shpirtërore e praktike e këtij ligji dhe përgjegjësia e ndërsjellë e individit dhe e shoqërisë për zbatimin e tij shpjegohen në një letër të shkruar në emër të Shoghi Effendi·ut:

Lidhur me porosinë e Bahá’u’lláh·ut që besimtarët të merren me ndonjë zanat: Mësimet për këtë çështje janë shumë të sakta, sidomos thënia në Aqdas, e cila e bën fare të qartë se në Rendin e ri Botëror nuk ka vend për njerëzit përtacë që nuk kanë dëshirë të punojnë. Si pasojë e pashmangshme e këtij parimi, Bahá’u’lláh·u thotë më tej se lypësia jo vetëm duhet të shkurajohet, por edhe të zhduket krejtësisht nga faqja e shoqërisë. Ata që janë të ngarkuar me organizimin e shoqërisë e kanë për detyrë t’i japin çdo individi mundësinë për të fituar zotësi në ndonjë lloj zanati, si dhe mjetet për ta ushtruar këtë zotësi, qoftë në vetvete ashtu dhe për të fituar mjetet e jetesës. Çdo individ, sado i metë e i kufizuar që të jetë, ka për detyrë të merret me ndonjë punë a zanat, sepse puna, veçanërisht kur kryhet në frymën e shërbimit, është sipas Bahá’u’lláh·ut një formë e adhurimit. Ajo nuk ka vetëm qëllim utilitar, por ka edhe vlerë në vetvete, sepse na çon më pranë Perëndisë dhe na ndihmon të kapim më mirë qëllimin e Tij ndaj nesh në këtë botë. Është, pra, e qartë se trashëgimi i pasurive nuk përjashton askënd nga puna e përditshme.

Në një prej Tabelave të Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i thotë që “në qoftë se një person nuk është në gjendje të sigurojë jetesën, ndodhet në varfëri të thellë ose bëhet i paaftë për punë, atëherë është detyrë e të kamurve ose e Përfaqësuesve t’i sigurojnë atij një pagë mujore për të jetuar... Me “Përfaqësues” nënkuptohen përfaqësuesit e popullit, domethënë anëtarët e Shtëpisë së Drejtësisë”. (Shih gjithashtu shënimin 162 për lypësinë.)

Në përgjigje të një pyetjeje nëse urdhëri i Bahá’u’lláh·ut i detyron gratë ose nënat të punojnë si burrat për të siguruar jetesën, Shtëpia Universale e Drejtësisë ka shpjeguar se direktiva e Bahá’u’lláh·ut është që miqtë të merren me një punë të dobishme për ata vetë e për të tjerët dhe se punët e shtëpisë janë një punë shumë e nderuar e me përgjegjësi, që ka rëndësi të dorës së parë për shoqërinë.

Përsa i përket tërheqjes nga puna të njerëzve që kanë arritur një moshë të caktuar, Shoghi Effendi·u në një letër të shkruar në emër të tij thotë se “kjo është një çështje për të cilën Shtëpia Universale e Drejtësisë duhet të nxjerrë ligje përderisa në Kitáb-i-Aqdas nuk ka porosi lidhur me këtë”.

57. Puthja e dorës është e ndaluar në Librin. ¶34

Në një numër Dispensacionesh fetare të mëparshme e në disa kultura puthja e dorës së një figure fetare ose të një personaliteti të shquar shihej si shenjë nderimi e respekti dhe si dëshmi nënshtrimi ndaj autoritetit të tyre. Bahá’u’lláh·u e ndalon puthjen e dorës dhe, në Tabelat e Tij, dënon gjithashtu zakonin e për¬kuljes deri në tokë ndaj të tjerëve, si dhe forma të tjera sjelljeje që poshtërojnë njeriun kundrejt një tjetri. (Shih shënimin 5)

58. Askujt nuk i lejohet të kërkojë falje të mëkateve nga një shpirt tjetër ¶34

Bahá’u’lláh·u e ndalon rrëfimin dhe kërkimin e faljes së mëkateve të një personi nga një qenie njerëzore. Përkundrazi, njeriu duhet të kërkojë ndjesë nga Perëndia. Në Tabelën e Bishárát-it, Ai thotë se “rrëfimi para njerëzve shkakton poshtërim e turpërim të personit” dhe se Perëndia “nuk dëshiron poshtërimin e shërbëtorëve të Tij”.

Shoghi Effendi·u shpjegon kontekstin e këtij ndalimi. Sekretari i tij ka shkruar në emër të tij se

...është e ndaluar t’i rrëfehemi ndonjë personi për mëkatet e të metat tona, siç bëjnë katolikët me priftërinjtë e tyre, ose ta bësh këtë publikisht, siç bëjnë disa sekte fetare. Por në qoftë se ndiejmë spontanisht dëshirën për të pranuar se e kemi pasur gabim në diçka, ose se kemi ndonjë të metë në karakter, dhe t’i kërkojmë të falur ose ndjesë një personi tjetër, jemi krejt të lirë ta bëjmë këtë.

Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar gjithashtu se ndalimi i Bahá’u’lláh·ut lidhur me rrëfimin e mëkateve nuk e pengon personin të pranojë shkeljet gjatë një konsultimi që zhvillohet nën patronazhin e institucioneve Bahá’í. Po kështu, nuk përjashton as mundësinë e të kërkuarit këshillë një miku të ngushtë ose një këshilltari profesionist për çështje të kësaj natyre.

59. Midis njerëzve është ai që ulet midis sandaleve te dera, ndërsa në zemër fsheh zilinë për vendin e nderit. ¶36

Tradicionalisht në Lindje ka qenë praktika për të hequr sandalet e këpucët para se të hyhet në një mbledhje. Pjesa e një dhome që ndodhet më larg hyrjes konsiderohet si kryet e dhomës dhe si vend nderi ku rrinë personat më të shquar ndër të pranishmit. Të tjerët zenë vend në radhë gjithnjë e më të ulët në drejtim të portës, pranë së cilës janë lënë sandalet e këpucët dhe ku ulen personat më të thjeshtë.

60. Dhe midis njerëzve është ai që pretendon për dije të brendshme ¶36

Kjo u referohet njerëzve që pretendojnë se kanë rrugëhyrje për në dije të brendshme dhe të cilët lidhja me dije të tilla i ndan si me perde nga Revelacioni i Manifestimit të Perëndisë. Gjetkë Bahá’u’lláh·u thotë: “Ata që janë adhurues të idhullit që ka gdhendur imagjinata e tyre dhe që e quajnë atë Realitet të Brendshëm, këta në të vërtetë numërohen ndër të pabesët”.

61. Sa njerëz e kanë mbyllur veten në klimat e Indisë, i kanë mohuar vetes gjërat që Perëndia i ka dekretuar si të ligjshme, i kanë imponuar vetes një regjim të rreptë e mundime trupore ¶36

Këto vargje përbëjnë një ndalim të murgërisë e të asketizmit. Shih Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.D.y.iii.-iv. Në Fjalët e Parajsës Bahá’u’lláh·u i zgjeron këto porosi. Ai thotë: “Të jetosh i mbyllur ose të praktikosh asketizmin nuk është e pranueshme në praninë e Perëndisë” dhe i fton ata që kanë të bëjnë me këtë t’i “përmbahen asaj që sjell gëzim e rrëzëllim”. Ai i urdhëron ata që “e kanë bërë banesën e tyre në shpellat e maleve” ose që “strehohen natën në varreza” të heqin dorë nga këto praktika dhe i porosit të mos e privojnë veten nga “të mirat” e kësaj bote që janë krijuar nga Perëndia për gjininë njerëzore. Dhe në Tabelën e Bishárát-it, ndërsa njeh “bëmat e devotshme” të murgjve e të priftërinjve, Bahá’u’lláh·u i u bën thirrje atyre “të heqin dorë nga jeta e mbyllur, t’i drejtojnë hapat drejt botës së hapur dhe të merren me atë që do t’u sjellë dobi atyre e të tjerëve”. Ai gjithashtu u jep lejë atyre “të lidhin martesë, që të mund të lindin një që do të përmendë Perëndinë”.

62. Kushdo që del me pretendimin për një Revelacion të drejtpërdrejtë nga Perëndia para se të kenë kaluar plot njëmijë vjet ¶37

Dispensacioni i Bahá’u’lláh·ut do të vazhdojë deri në ardhjen e Manifestimit tjetër të Perëndisë, ardhja e të Cilit nuk do të ndodhë para se të kenë kaluar të paktën “plot njëmijë vjet”. Bahá’u’lláh·u paralajmëron që të mos i atribuohet “këtij vargu” asgjë veç “domethënies së qartë” të tij dhe, në një prej Tabelave të Veta, përcakton se “çdo vit” i kësaj periudhe njëmijëvjeçare përbëhet prej “dymbëdhjetë muajsh sipas Kuranit dhe prej nëntëmbëdhjetë muajsh nëntëmbëdhjetëditësh secili sipas Bayán·it”.

Njoftimi bërë Bahá’u’lláh·ut për Revelacionin e Tij në Síyáh-Chál·in e Ṭihrán·it, në tetor 1852, shënon lindjen e Misionit të Tij Profetik e, pra, fillimin e njëmijë vjetëve a më shumë që duhet të kalojnë para shfaqjes së Manifestimit tjetër të Perëndisë.

63. Për këtë ju kemi paralajmëruar kur ishim në Irak, dhe më pas, kur ndodheshim në Vendin e Misterit, dhe tani nga ky Vend i Shndritshëm. ¶37

“Vendi i Misterit” i referohet Adrianopojës dhe “ky Vend i Shndritshëm” është një referencë për ‘Akká-në.

64. Midis njerëzve është ai që dituria i ka rritur mendjen ... ai që kur dëgjon pas shpine hapin e sandaleve e ndien veten e tij më të madh ¶41

Në Lindje ka qenë zakon që pasuesit e një prijësi fetar ecnin një ose dy hapa prapa tij, në shenjë nderimi.

65. Nimrodi ¶41

Sipas traditës si hebraike dhe islamike, Nimrodi për të cilin bëhet referencë në këtë varg është një Mbret që ka përndjekur Abrahamin dhe emri i të cilit është bërë simboli i një krenarie të madhe.

66. Aghṣán ¶42

“Aghṣán” (shumësi i Ghuṣn) është një fjalë arabisht që do të thotë “Degët”. Ky term përdoret nga Bahá’u’lláh·u për të treguar pasardhësit e Tij meshkuj. Kjo ka të bëjë në mënyrë të posaçme jo vetëm me disponimin e dhurimeve, por edhe me trashëgiminë e autoritetit pas ndërrimit jetë të Bahá’u’lláh·ut (shih shënimin 145) dhe të ‘Abdu’l-Bahá·it. Në Librin e Besëlidhjes së Tij, Bahá’u’lláh·u caktoi ‘Abdu’l-Bahá·in, djalin e Vet të madh, si Qendrën e Besëlidhjes së Tij dhe Kryetar të Besimit. ‘Abdu’l-Bahá·i, në Vullnetin e Testamentin e Tij, caktoi Shoghi Effendi·un, nipin e Vet të madh, si Ruajtës e Kryetar të Besimit.

Pra, ky pasazh i Aqdas·it parashikon pasardhjen e Aghṣán-ëve dhe krijimin kështu të institucionit të Ruajtësisë, si dhe mundësinë e ndërprerjes në linjën e tyre. Vdekja e Shoghi Effendi·ut më 1957 solli pikërisht atë situatë që parashikohet në këtë pasazh, sepse linja e Aghṣán-ëve u ndërpre para se të ngrihej Shtëpia Universale e Drejtësisë (shih shënimin 67).

67. t’u takojnë njerëzve të Bahá-it ¶42

Bahá’u’lláh·u parashikon mundësinë që linja e Aghṣán-ëve të ndërpritet para se të krijohet Shtëpia Universale e Drejtësisë. Ai vendosi që në një situatë të tillë “dhurimet do t’u takojnë njerëzve të Bahá-it”. Në Shkrimet Bahá’í, termi “njerëzit e Bahá-it” përdoret në një numër kuptimesh të ndryshme. Në këtë rast me këtë term cilësohen ata “të cilët nuk flasin veçse me lejen e Tij dhe nuk gjykojnë veçse në pajtim me atë që Perëndia ka urdhëruar në këtë Tabelë”. Pas ndërrimit jetë të Shoghi Effendi·ut më 1957, Duart e Kauzës së Perëndisë drejtuan punët e Kauzës deri në zgjedhjen e Shtëpisë Universale të Drejtësisë në vitin 1963 (shih shënimin 183).

68. Mos e rruani kokën ¶44

Në disa tradita fetare konsiderohet e dëshirueshme të rruhet koka. Bahá’u’lláh·u e ndalon këtë dhe shpjegon se porosia që përmbahet në Surenë e Haxhiut, sipas së cilës haxhilerët që shkojnë në Shtëpinë e Shenjtë në Shiraz duhet të rruajnë kokën është zëvendësuar nga ky varg i Kitáb-i-Aqdas·it (Py&Pë 10).

69. nuk është e hijshme t’i lësh flokët të kalojnë kufirin e veshëve ¶44

Shoghi Effendi·u e ka bërë të qartë se, në ndryshim nga ndalimi për të rruar kokën, ky ligj që ndalon rritjen e flokëve tej bulës së veshit ka të bëjë vetëm me burrat. Zbatimi i këtij ligji kërkon sqarime nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

70. Për hajdutët janë dekretuar syrgjynosja e burgimi ¶45

Bahá’u’lláh·u thotë se përcaktimi i shkallës së ndëshkimit, sipas seriozitetit të fajit, i takon Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 49). Ndëshkimet për vjedhje janë të llogaritura për një gjendje të ardhshme të shoqërisë, kur ato do të trajtohen e vihen në zbatim nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

71. në shkeljen e tretë, i vini një shenjë në ballë, në mëyrë që, duke e njohur, të mos e pranojnë në qytetet e në vendet e Perëndisë ¶45

Shenja që duhet t’i vihet në ballë hajdutit shërben për të paralajmëruar njerëzit për prirjet e tij. Të gjitha hollësitë lidhur me karakterin e shenjës, si duhet vënë shenja, sa gjatë do të mbahet, në ç’kushte mund të hiqet, si dhe shkallët e ndryshme të seriozitetit të vjedhjes, i janë lënë nga Bahá’u’lláh·u Shtëpisë Universale të Drejtësisë që t’i përcaktojë në kohën që ligji do të vihet në zbatim.

72. Kush dëshiron të përdorë orendi argjendi e ari është i lirë ta bëjë. ¶46

Në Bayán·in, Báb·i lejon përdorimin e orendive të arta e të argjendta, duke shfuqizuar kështu dënimin islamik për përdorimin e tyre, që nuk rrjedh nga ndonjë porosi e dhënë shprehimisht në Kuran por nga hadithet myslimane. Bahá’u’lláh·u mbështet këtu vendimin e Báb·it.

73. Kini mendjen që kur hani të mos futni duart në tasa e tabaka. ¶46

Ky ndalim është përcaktuar nga Shoghi Effendi·u si “zhytje e dorës në ushqim”. Në shumë pjesë të botës ka qenë zakon të ngrënit me duar nga një enë e përbashkët.

74. Merrni zakone sa më të hijshme. ¶46

Ky është i pari prej pasazheve të shumta që përmendin rëndësinë e sqimës e të pastërtisë. Fjala origjinale arabe “latáfah”, e përkthyer këtu “sqimë”, ka një numër të madh kuptimesh të karakterit shpirtëror e fizik, si elegancë, hijeshi, pastërti, sjellje e qytetëruar, mirësjellje, delikatesë e mirësi, si dhe të qënit me shije të hollë, sqimatar, i dëlirë e i kulluar. Sipas kontekstit të pasazheve të ndryshme të Kitáb-i-Aqdas·it ku ndeshet kjo fjalë, ajo është përkthyer ose “sqimë” ose “pastërti”.

75. Ai që është Agimi i Kauzës së Perëndisë nuk ka shoq në Pagabueshmërinë Më të Madhe. ¶47

Në Tabelën e Ishrakatit, Bahá’u’lláh·u thotë se Pagabueshmëria Më e Madhe kufizohet vetëm me Manifestimet e Perëndisë.

Kreu 45 në Përgjigje për disa pyetje i kushtohet një shpjegimi të ‘Abdu’l-Bahá·it për këtë varg të Aqdas·it. Në këtë kapitull Ai thekson, ndër të tjera, pandashmërinë e “pagabueshmërisë” thelbësore nga Manifestimet e Perëndisë dhe pohon se “çdo gjë që del prej tyre është baras me të vërtetën e në përputhje me realitetin”, se “Ata nuk janë nën hijen e ligjeve të mëparshme” dhe se “Çdo gjë që thonë Ata është Fjalë e Perëndisë dhe çdo gjë që bëjnë është veprim i drejtë”.

76. Çdo ati i është urdhëruar mësimi i djalit e i vajzës së tij në artin e shkrim-leximit ¶48

‘Abdu’l-Bahá·i, në Tabelat e Tij, jo vetëm tërheq vëmendjen lidhur me përgjegjësinë e prindërve për të arsimuar fëmijët e tyre, por edhe përcakton qartë se “arsimi dhe kultura e vajzave janë më të nevojshme se ato të djemve”, sepse vajzat një ditë do të bëhen nëna, dhe nënat janë edukatoret e para të brezave të rinj. Por në qoftë se një familje nuk ka mundësi të arsimojë të gjithë fëmijët, u duhet dhënë përparësi vajzave, sepse përmes nënave të arsimuara të mirat e dijes mund të përhapen me shumë efektshmëri e shpejt në gjithë shoqërinë.

77. Perëndia ka ngarkuar çdo shkelës dhe çdo shkelëse të kurorës me një gjobë, e cila duhet t’i paguhet Shtëpisë së Drejtësisë ¶49

Megjithëse termi i përkthyer këtu si marrëdhënie intime jashtë kurore ka parasysh, në një kuptim të gjerë, marrëdhënie seksuale të paligjshme midis personash të martuar ose të pamartuar (për përkufizimin e këtij termi shih shënimin 36), ‘Abdu’l-Bahá·i e ka përcaktuar se ndëshkimi i parashikuar këtu është për marrëdhënie seksuale midis personash të pamartuar. Ai vë në dukje se i takon Shtëpisë Universale të Drejtësisë të përcaktojë ndëshkimin për marrëdhënie intime jashtë kurore të kryer nga një person i martuar. (shih gjithashtu Py&Pë 49).

Në një prej Tabelave të Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i përmend disa rrjedhoja shpirtërore të shkeljes së ligjeve të moralit dhe, lidhur me ndëshkimin e shtjelluar këtu, vë në dukje se synimi i këtij ligji është t’ua bëjë të qartë të gjithëve se një veprim i tillë është i turpshëm në sytë e Perëndisë dhe se, në rastet kur shkelja është provuar dhe gjoba është vënë, synimi kryesor është denoncimi i shkelësve, që ata të turpërohen e të humbasin nderin në sytë e shoqërisë. Ai thotë se një denoncim i tillë është në vetvete ndëshkimi më i madh.

Shtëpia e Drejtësisë që përmendet në këtë varg supozohet të jetë Shtëpia Lokale e Drejtësisë, e njohur tani për tani si Asamble Shpirtërore Lokale.

78. nëntë mithqálë ar, që dyfishohen në qoftë se faji përsëritet ¶49

Mithqáli është një masë peshe. Pesha e mithqálit tradicional të për¬dorur në Lindjen e Mesme është baras me 24 nakudë. Por mithqáli i përdorur nga Bahá’í·të është prej 19 nakudësh, “në pajtim me përcaktimin e Bayán·it” (Py&Pë 23). Pesha e nëntë prej këtyre mithqálëve është baras me 3775 gramë ose 05374 onsë troi.

Përsa i përket vënies së gjobës, Bahá’u’lláh·u e përcakton qartë se çdo gjobë e mëtejshme është dyfishi i së mëparshmes (Py&Pë 23); kështu, gjoba e vënë rritet në progresion gjeometrik. Vënia e kësaj gjobe është llogaritur për një gjendje të ardhshme të shoqërisë, kur ligji do të trajtohet e vihet në zbatim nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

79. Ne jua kemi bërë të ligjshme të dëgjoni muzikë e këngë. ¶51

‘Abdu’l-Bahá·i ka shkruar se “Ndër disa kombe të Lindjes muzika konsiderohej e qortueshme”. Megjithëse Kurani nuk përmban porosi të posaçme për këtë çështje, disa myslimanë e konsiderojnë të paligjshme të dëgjosh muzikë, ndërsa të tjerë e tolerojnë muzikën brenda disa kufijsh e me disa kushte të caktuara.

Në Shkrimet Bahá’í ka një numër pasazhesh që lëvdojnë muzikën. ‘Abdu’l-Bahá·i, për shembull, thotë se “muzika, e kënduar ose e luajtur, është ushqim shpirtëror për shpirtin dhe zemrën”.

80. O ju Njerëz të Drejtësisë! ¶52

Në shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá·it e të Shoghi Effendi·ut është sqaruar që, ndërsa anëtarësia e Shtëpisë Universale të Drejtësisë është e kufizuar vetëm me burra, si gratë dhe burrat mund të zgjidhen në Shtëpitë Dytësore e Lokale të Drejtësisë (të quajtura tani për tani Asamble Shpirtërore Kombëtare e Lokale).

81. Ndëshkimet për plagosje ose goditje të një personi varen nga shkalla e dëmtimit; për çdo shkallë Zoti i Gjykimit ka caktuar njëfarë zhdëmtimi. ¶56

Ndërsa Bahá’u’lláh·u ka përcaktuar se shkalla e ndëshkimit varet nga “serioziteti i dëmtimit”, nuk ka të dhëna që Ai të ketë përpunuar hollësitë për madhësinë e zhdëmtimit për shkallët e ndryshme të dëmit. Përgjegjësia për t’i përcaktuar këto i mbetet Shtëpisë Universale të Drejtësisë.

82. Me të vërtetë, juve ju është kërkuar të bëni një festë një herë në muaj ¶57

Ky urdhër është bërë baza për kremtimin e festave mujore Bahá’í dhe si i tillë përbën porosinë për Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Në Bayán·in Arab, Báb·i u bënte thirrje pasuesve të Tij të mblidhen së bashku një herë në nëntëmbëdhjetë ditë për të treguar mikpritje e miqësi. Këtu Bahá’u’lláh·u e mbështet këtë dhe vë në dukje rolin bashkues të rasteve të tilla.

Pas Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i dhe Shoghi Effendi·u kanë zbërthyer hap pas hapi domethënien institucionale të kësaj porosie. ‘Abdu’l-Bahá·i ka nënvizuar rëndësinë e karakterit shpirtëror e lutësor të këtyre grumbullimeve. Shoghi Effendi·u, veç që ka thelluar më tej aspektet lutësore e shoqërore të Festës, ka zhvilluar elementin administrativ të një mbledhjeje të tillë dhe, duke e ndërtuar sistematikisht Festën, ka parashikuar një kohë konsultimi për punët e komunitetit Bahá’í, e cila përfshin edhe shkëmbimin e të rejave e të mesazheve.

Në përgjigje të një pyetjeje nëse kjo porosi është e detyrueshme, Bahá’u’lláh·u ka thënë se jo (Py&Pë 48). Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, komenton më tej:

Pjesëmarrja në Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve nuk është e detyrueshme, por shumë e rëndësishme, dhe çdo besimtar duhet ta konsiderojë një detyrë e një privilegj të jetë i pranishëm në raste të tilla.

83. Në qoftë se gjuani me kafshë ose shpendë grabitqarë, përmendni Emrin e Perëndisë kur i lëshoni ato për të ndjekur gjahun; sepse atëherë çdo gjë që të kapin do të jetë e ligjshme për ju, edhe sikur ta gjeni të ngordhur. ¶60

Me këtë ligj Bahá’u’lláh·u i thjeshton shumë praktikat e rregullat fetare të së kaluarës lidhur me gjuetinë. Ai ka thënë gjithashtu se gjuetia me armë të tilla si harqe e shigjeta, pushkë e të tjera si këto, përfshihet në këtë rregull, por se ngrënia e gjahut që gjendet i ngordhur në një çark ose rrjetë është e ndaluar. (Py&Pë 24).

84. mos e teproni në gjueti ¶60

Bahá’u’lláh·u nuk e ndalon gjuetinë, por Ai këshillon që të mos teprohet në gjueti. Shtëpia Universale e Drejtësisë duhet ta shohë në kohën e duhur se ç’do të thotë ta teprosh në gjueti.

85. Ai nuk u ka dhënë atyre të drejta mbi pronën e të tjerëve. ¶61

Porosia për të treguar përzemërsi ndaj të afërmëve të Bahá’u’lláh·ut nuk u jep atyre pjesë në pronën e të tjerëve. Kjo është në kundërshtim me praktikën e myslimanizmit shiit, në të cilën pasardhësit e Muhametit kanë të drejtë të marrin një pjesë të njëfarë takse.

86. Në qoftë se dikush në mënyrë të qëllimtë shkatërron një shtëpi duke i vënë zjarrin, ju edhe atë do ta digjni; në qoftë se dikush në mënyrë të qëllimtë i merr jetën një tjetri, ju edhe atë do ta vrisni. ¶62

Ligji i Bahá’u’lláh·ut parashikon dënimin me vdekje për vrasje e zjarrvënie, me alternativën e burgimit të përjetshëm (shih shënimin 87).

Në Tabelat e Tij ‘Abdu’l-Bahá·i shpjegon dallimin midis hakmarrjes e dënimit. Ai thotë se individët nuk kanë të drejtë të hakmerren, se hakmarrja është e përbuzur në sytë e Perëndisë dhe se qëllimi i dënimit nuk është hakmarrja, por dhënia e një dënimi për fajin e kryer. Në Përgjigje për disa pyetje, Ai thotë se është e drejta e shoqërisë të dënojë kriminelët, me qëllim që të mbrojë pjesëtarët e saj dhe ekzistencën e tyre.

Lidhur me këtë porosi, Shoghi Effendi·u në një letër të shkruar në emër të tij jep shpjegimin që vijon:

Në Aqdas·in, Bahá’u’lláh·u ka vendosur vdekjen si dënim për vrasje. Por Ai ka lejuar burgimin e përjetshëm si alternativë. Të dyja këto praktika do të ishin në pajtim me Ligjet e Tij. Ndoshta disa prej nesh nuk janë në gjendje të kapin urtinë e kësaj, kur kjo nuk përputhet me shikimin tonë të kufizuar; por ne duhet ta pranojmë atë duke ditur se Urtia e Tij, Mëshira e Tij dhe Drejtësia e Tij janë të përsosura e për shpëtimin e mbarë botës. Po qe se një njeri do të dënohej me vdekje padrejtësisht, a nuk mund të besojmë ne se Perëndia Fuqiplotë do ta shpërblente atë njëmijë herë më shumë në botën tjetër për një padrejtësi të tillë njerëzore? Nuk mund të hiqet dorë nga një ligj i dobishëm vetëm për shkak se në raste të rralla mund të dënohet një i pafajshëm.

Hollësitë e ligjit Bahá’í të dënimit për vrasje e për zjarrvënie, një ligj i llogaritur për një gjendje të ardhshme të shoqërisë, nuk janë përcaktuar nga Bahá’u’lláh·u. Hollësitë e ndryshme të ligjit, si shkalla e fajit, nëse duhen mbajtur parasysh rrethana lehtësuese dhe se cili prej dy dënimeve të parashikuara duhet të jetë norma, i janë lënë Shtëpisë Universale të Drejtësisë që të vendosë në dritën e rrethanave mbizotëruese kur ligji të hyjë në veprim. Edhe mënyra sesi do të zbatohet dënimi i është lënë Shtëpisë Universale të Drejtësisë të vendosë.

Lidhur me zjarrvënien, kjo varet nga fakti se çfarë “shtëpie” është djegur. Është e qartë se ka një dallim shumë të madh në shkallën e fajit midis një personi që djeg një magazinë bosh dhe një njeriu që i vë zjarrin një shkolle plot me fëmijë.

87. Në qoftë se e dënoni zjarrvënësin e vrasësin me burgim të përjetshëm, kjo do të jetë e pranueshme sipas porosive të Librit. ¶62

Në përgjigje të një pyetjeje për këtë varg të Aqdas·it, Shoghi Effendi·u ka thënë se dënimi kapital është lejuar, por është parashikuar një alternativë, “burgimi i përjetshëm”, “që zbut në mënyrë të konsiderueshme ashpërsinë e një dënimi të tillë”. Ai vë në dukje se “Bahá’u’lláh·u na ka dhënë rrugëzgjidhjen dhe prandaj na ka lënë të lirë të përdorim gjykimin tonë brenda disa kufizimeve që imponon ligji i Tij”. Në mungesë të udhëzimeve të posaçme për zbatimin e këtij aspekti të ligjit Bahá’í, i takon Shtëpisë Universale të Drejtësisë të nxjerrë ligje për këtë çështje në të ardhmen.

88. Perëndia ju ka porositur të martoheni. ¶63

Bahá’u’lláh·u, në një prej Tabelave të Tij, thotë se Perëndia, duke vendosur këtë ligj, e ka bërë martesën “një fortesë mirëqenieje e shëlbimi”.

Pasqyra Përmbledhëse e Kodifikimi, seksioni IV.C.a.-o., përmbledh e sintetizon porositë e Kitáb-i-Aqdas·it e të Pyetje dhe Përgjigje lidhur me martesën dhe kushtet në të cilat ajo lejohet (Py&Pë 3, Py&Pë 13, Py&Pë 46, Py&Pë 50, Py&Pë 84 dhe Py&Pë 92), ligjin e fejesës (Py&Pë 43), pagimin e prikës (Py&Pë 12, Py&Pë 26, Py&Pë 39, Py&Pë 47, Py&Pë 87 dhe Py&Pë 88), procedurat që duhen zbatuar në rast mungese të gjatë të bashkëshortit (Py&Pë 4 dhe Py&Pë 27) dhe rrethana të tjera të ndryshme ((Py&Pë 12 dhe Py&Pë 47). (Shih gjithashtu shënimin 89, shënimin 90, shënimin 91, shënimin 92, shënimin 93, shënimin 94, shënimin 95, shënimin 96,shënimin 97, shënimin 98, shënimin 9)

89. Kini mendjen mos merrni më shumë se dy gra. Kush kënaqet me një shoqe të vetme ndër shërbëtoret e Perëndisë, ai dhe ajo që të dy do të jetojnë në paqe. ¶63

Edhe pse duket sikur teksti i Kitáb-i-Aqdas·it lejon bigaminë, Bahá’u’lláh·u këshillon që paqja e kënaqësia rrjedhin nga monogamia. Në një Tabelë tjetër, Ai nënvizon sesa e rëndësishme është që njeriu të veprojë në mënyrë të tillë që “t’i sjellë rehati vetes dhe shoqes së tij”. ‘Abdu’l-Bahá·i, Interpretuesi i autorizuar i Shkrimeve Bahá’í, thotë se në fakt në tekstin e Aqdas·it urdhërohet monogamia. Ai e ka përpunuar këtë temë në një numër tabelash, duke përfshirë këtë që vijon:

Dije se poligamia nuk është e lejuar në ligjin e Perëndisë, sepse është porositur në mënyrë të qartë që duhet kënaqur me një grua të vetme. Marrja e një gruaje të dytë është kushtëzuar nga ruajtja e paanësisë dhe e drejtësisë ndaj të dyja grave në të gjitha rrethanat. Por është absolutisht e pamundur të ruash paanësinë e drejtësinë ndaj dy grave. Fakti që bigamia është kushtëzuar me një kusht të pamundur është një provë e qartë e ndalimit absolut të saj. Pra, nuk lejohet që një burrë të ketë më shumë se një grua.

Poligamia është një zakon shumë i lashtë midis pjesës më të madhe të njerëzimit. Monogamia është futur vetëm gradualisht nga Manifestimet e Perëndisë. Jesui, për shembull, nuk e ndaloi poligaminë, por ndaloi shkurorëzimin me përjashtim të rasteve të marrëdhënieve intime jashtë kurorës; Muhameti e kufizoi numrin e grave në katër, por e kushtëzoi marrjen e shumë grave me drejtësinë dhe rifuti lejimin e shkurorëzimit; Bahá’u’lláh·u, i Cili i reveloi Mësimet e Tij në mjedisin e një shoqërie myslimane, e futi çështjen e monogamisë gradualisht, sipas parimeve të urtisë e të shpalosjes hap pas hapi të qëllimit të Tij. Fakti që Ai u la pasuesve të Vet një Interpretues të pagabueshëm të Shkrimeve të Tij, i dha mundësi Atij që në pamje të jashtme të lejonte dy gra në Kitáb-i-Aqdas, por duke vënë një kusht që i dha mundësi ‘Abdu’l-Bahá·it të sqaronte më pas se synimi i ligjit ishte të mbështeste monogaminë.

90. kush dëshiron të marrë në shërbim një shërbëtore, mund ta bëjë këtë në mënyrë të përshtatshme ¶63

Bahá’u’lláh·u thotë se një burrë mund të marrë një shërbëtore për punët e shtëpisë. Kjo nuk ishte e lejueshme sipas zakonit mysliman shiit, veç në qoftë se punëdhënësi bënte me të një kontratë martese. Bahá’u’lláh·u thekson se “shërbimet” për të cilat bëhet fjalë në këtë varg janë vetëm “të tilla që kryhen, për një pagë të caktuar, nga çdo kategori tjetër shërbyesish, të rinj a të vjetër qofshin” (Py&Pë 30). Punëdhënësi nuk ka të drejta seksuale mbi shërbëtoren e tij. Ajo është “e lirë të zgjedhë një bashkëshort kurdo që t’i pëlqejë”, sepse nuk është e lejuar që gratë të blihen (Py&Pë 30).

91. Ky është urdhëri Im për ju; përmbajuni fort atij që të ndihmoni vetveten. ¶63

Edhe pse Kitáb-i-Aqdas urdhëron martesën, Bahá’u’lláh·u e sqaron se kjo nuk është e detyrueshme (Py&Pë 46). Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, gjithashtu deklaron se “martesa nuk është kurrsesi një detyrim” dhe thotë se “në fund të fundit i takon individit të vendosë nëse dëshiron të bëjë jetë familjare apo të jetojë beqar”. Në qoftë se një personi i duhet të presë një periudhë të gjatë kohe për të gjetur një shok jete ose të mbetet përfundimisht i vetëm, kjo nuk do të thotë se ky individ nuk mund të realizojë për këtë arsye synimin e vet në jetë, që është thelbësisht shpirtëror.

92. Ne e kemi kushtëzuar martesën me lejën e prindërve të tyre ¶65

Në një letër të shkruar në emër të tij, Shoghi Effendi·u ka komentuar këtë parashikim të ligjit:

Bahá’u’lláh·u e ka thënë qartë se për martesën Bahá’í kërkohet pëlqimi i të gjithë prindërve që janë gjallë. Kjo vlen si kur prindërit janë Bahá’í ose jo, të ndarë prej vitesh ose jo. Ai e ka formuluar këtë ligj të madh për të forcuar strukturën e shoqërisë, për të bërë sa më të ngushta lidhjet familjare, për të futur në zemrat e fëmijëve mirënjohje e respekt për ata që u kanë dhënë jetën dhe i kanë nisur shpirtrat e tyre në udhëtimin e përjetshëm drejt Krijuesit të tyre.

93. Asnjë martesë nuk mund të lidhet pa pagimin e një prike ¶66

Pasqyra Përmbledhëse e Kodifikimi, seksioni IV.C.j.i.-v., përmbledh porositë kryesore lidhur me prikën. Këto porosi e kanë prejardhjen e tyre në Bayán.

Prika i duhet paguar nuses nga dhëndri. Ajo është caktuar 19 mithqálë ar i pastër për banorët e qyteteve dhe 19 mithqálë argjend për banorët e fshatrave (shih shënimin 94). Bahá’u’lláh·u vë në dukje që në qoftë se në çastin e martesës dhëndri nuk është në gjendje ta paguajë të plotë prikën, atij i lejohet t’i dorëzojë nuses një zotim të shkruar (Py&Pë 39).

Me Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut shumë koncepte, zakone e institute të njohura janë ripërcaktuar dhe kanë marrë një kuptim të ri. Një prej tyre është edhe prika. Instituti i prikës është një zakon shumë i lashtë i mjaft kulturave dhe merr forma të ndryshme. Në disa vende prika është një pagesë që i bëhet dhëndrit nga prindërit e nuses; në vende të tjera është një pagesë që dhëndri u bën prindërve të nuses dhe që quhet “çmimi i nuses”. Në të dy rastet shuma që paguhet është shpesh mjaft e madhe. Ligji i Bahá’u’lláh·ut i shfuqizon të gjitha këto variante dhe e shndërron prikën në një akt simbolik, me anën e të cilit dhëndri i jep nuses një dhuratë me vlerë të kufizuar.

94. në nëntëmbëdhjetë mithqálë ar të pastër për banorët e qyteteve dhe në të njëjtën sasi argjendi për banorët e fshatrave ¶66

Bahá’u’lláh·u e thotë qartë se kriteri për të caktuar pagesën e prikës është vendbanimi i përhershëm i dhëndrit, e jo ai i nuses (Py&Pë 87, Py&Pë 88).

95. Atij që dëshiron ta rrisë këtë shumë, i ndalohet të kapërcejë kufirin e nëntëdhjetë e pesë mithqálëve ... Por në qoftë se ai kënaqet me shifrën më të ulët, për të do të jetë më mirë t’i përmbahet asaj që thuhet në Librin. ¶66

Në përgjigje të një pyetjeje për prikën, Bahá’u’lláh·u ka thënë:

Çdo gjë që është reveluar në Bayán, për ata që banojnë në qytete e fshatra, është miratuar dhe duhet të zbatohet. Por në Kitáb-i-Aqdas përmendet shifra më e ulët. Me këtë nënkuptohet shifra nëntëmbëdhjetë mithqálë argjend, që në Bayán është caktuar për banorët e fshatrave. Kjo është më e pëlqyeshme për Perëndinë, me kusht që të dyja palët të bien në ujdi. Qëllimi është të mbështetet mirëqenia e të gjithëve dhe të krijohet harmoni e bashkim midis njerëzve. Prandaj, sa më e madhe të jetë konsiderata që tregohet në këto raste aq më mirë është... Njerëzit e Bahá-it duhet të shoqërohen e të sillen ndaj njëri-tjetrit me dashurinë e sinqeritetin më të madh. Ata duhet të mos harrojnë interesat e të gjithëve, veçanërisht të miqve të Perëndisë.

‘Abdu’l-Bahá·i, në një prej Tabelave të Tij, përmbledh disa prej porosive për përcaktimin e madhësisë së prikës. Njësia e pagesës që përmendet në ekstraktin që vijon është “váhid-i”. Një váhid është baras me nëntëmbëdhjetë mithqálë. Ai thotë:

Banorët e qyteteve duhet të paguajnë në ar dhe banorët e fshatrave në argjend. Kjo varet nga mjetet financiare që disponon dhëndri. Në qoftë se është i varfër, ai paguan një váhid; në qoftë se ka mjete modeste, paguan dy váhidë; në qoftë se është në gjendje të mirë, paguan tre váhidë; në qoftë se është i pasur, paguan katër váhidë; në qoftë se është shumë i pasur, jep pesë váhidë. Në të vërtetë, kjo është çështje ujdie midis dhëndrit, nuses dhe prindërve të tyre. Çfarëdo ujdie të arrihet, ajo duhet zbatuar.

Po në këtë Tabelë, ‘Abdu’l-Bahá·i i shtyn besimtarët t’ia referojnë çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji Shtëpisë Universale të Drejtësisë, e cila është “e autorizuar të nxjerrë ligje”. Ai thekson se “është ky organizëm që do të vërë në zbatim ligjet e do të hartojë legjislacion për çështje dytësore që nuk janë thënë shprehimisht në Tekstin e Shenjtë”.

96. në qoftë se dikush prej shërbëtorëve të Tij ka ndërmend të bëjë një udhëtim, ai duhet të caktojë për të shoqen kohën se kur do të kthehet në shtëpi ¶67

Në rastin kur një burrë largohet pa i njoftuar së shoqes datën e kthimit dhe ajo nuk merr lajme nga ai e humbet çdo gjurmë të tij, Bahá’u’lláh·u ka thënë që, po qe se burri ka qenë në dijeni të ligjit të shtjelluar në Kitáb-i-Aqdas, gruaja mund të martohet përsëri pasi të ketë pritur plot një vit. Por në qoftë se burri nuk ka qenë në dijeni të këtij ligji, gruaja duhet të presë derisa t’i vijnë lajme për të shoqin (Py&Pë 4).

97. asaj i takon të presë për një periudhë prej nëntë muajsh, pas së cilës nuk ka ndonjë pengesë që ajo të marrë burrë tjetër ¶67

Në rastin që burri nuk kthehet në fund të kohës së caktuar ose nuk njofton të shoqen për ndonjë vonesë, gruaja duhet të presë nëntë muaj dhe pas kësaj është e lirë të martohet përsëri, megjithëse është e pëlqyeshme që ajo të presë më gjatë (shih shënimin 147 për kalendarin Bahá’í).

Bahá’u’lláh·u thotë se në rrethana të tilla, në qoftë se gruas i vjen lajm për “vdekjen ose vrasjen e të shoqit”, para se të martohet përsëri ajo duhet gjithashtu të presë edhe nëntë muaj (Py&Pë 27). Në një prej Tabelave, ‘Abdu’l-Bahá·i e ka sqaruar më tej se periudha e pritjes prej nëntë muajsh pas marrjes së lajmit të vdekjes së të shoqit është e vlefshme vetëm në qoftë se i shoqi ka qenë larg në kohën që ka vdekur, dhe jo në qoftë se ai vdes në shtëpi.

98. ajo duhet të zgjedhë atë mënyrë veprimi që është e lavdërueshme ¶67

Bahá’u’lláh·u e përkufizon “mënyrën e veprimit që është e lavdërueshme” si “të pasurit durim” (Py&Pë 4).

99. dy dëshmitarëve të drejtë ¶67

Bahá’u’lláh·u e shpall “kriterin e drejtësisë” lidhur me dëshmitarët si “nami i mirë që gëzon midis njerëzve”. Ai thotë se nuk është e domosdoshme që dëshmitarët të jenë Bahá’í, përderisa “Dëshmia e të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë, të çdo besimi a bindjeje qoftë, është e pranueshme para Fronit të Tij” (Py&Pë 79).

100. Në qoftë se midis burrit e gruas lind mëri e antipati, ai nuk duhet ta ndajë atë, por të presë me durim plot një vit ¶68

Në Mësimet Bahá’í shkurorëzimi dënohet ashpër. Por në qoftë se midis bashkëshortëve lind mëri e antipati, shkurorëzimi lejohet pasi të ketë kaluar plot një vit. Gjatë këtij viti të durimit, burri është i detyruar të kujdeset për sigurimin e jetesës të gruas e të fëmijëve dhe çiftit i kërkohet të bëjë përpjekje për të sheshuar mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin. Shoghi Effendi·u thotë se si burri dhe gruaja “kanë njëlloj të drejtë të kërkojnë shkurorëzimin” sa herë që njëri prej tyre “e sheh absolutisht të nevojshme ta bëjë këtë”.

Në Pyetje dhe Përgjigje, Bahá’u’lláh·u shtjellon disa çështje që kanë të bëjnë me vitin e durimit, zbatimin e tij (Py&Pë 12), duke përcaktuar datën e fillimit të tij (Py&Pë 19 dhe Py&Pë 40), kushtet për pajtimin (Py&Pë 38) dhe rolin e dëshmitarëve e të Shtëpisë Lokale të Drejtësisë (Py&Pë 73 dhe Py&Pë 98). Lidhur me dëshmitarët, Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar se në kohën e tanishme detyrat e dëshmitarëve në rast shkurorëzimi kryhen nga Asambletë Shpirtërore.

Dispozitat e hollësishme të ligjeve Bahá’í për shkurorëzimin janë përmbledhur në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.C.a.-i.

101. Zoti ... e ka ndaluar praktikën që ju ndiqnit më parë kur e ndanit tri herë një grua. ¶68

Kjo i referohet një ligji islamik të shpallur në Kuran, i cili dekretonte që në rrethana të caktuara një burrë mund të rimartohej me gruan që kishte ndarë, vetëm në rast se ajo ishte martuar më parë me një tjetër e pastaj ishte ndarë prej tij. Bahá’u’lláh·u vë në dukje se ky është zakoni i ndaluar në Kitáb-i-Aqdas (Py&Pë 31).

102. Ai që ka ndarë gruan mund të vendosë, me kalimin e çdo muaji, të rimartohet me të kur ka dashuri e pëlqim të ndërsjellë, sakohë ajo nuk ka marrë një burrë tjetër ... veç po qe se gjendja e saj ndryshon në mënyrë të qartë. ¶68

Në një letër të shkruar në emër të tij, Shoghi Effendi·u thotë se qëllimi i frazës “me kalimin e çdo muaji” nuk është të verë ndonjë kufizim dhe se një çift i shkurorëzuar mund të rimartohet në çdo moment pas shkurorëzimit, sakohë asnjëra nga dy palët nuk është martuar deri atëherë me një tjetër.

103. fara nuk është e papastër ¶74

Në disa tradita fetare dhe në zakonin mysliman shiit fara ishte shpallur ritualisht e papastër. Këtu Bahá’u’lláh·u e flak këtë koncept. Shih gjithashtu shënimin 106 më poshtë.

104. Mbahuni pas litarit të sqimës ¶74

‘Abdu’l-Bahá·i i referohet ndikimit të “dëlirësisë e të shenjtërisë, të pastërtisë e të sqimës” në lartësimin e “gjendjes së njeriut” dhe në “zhvillimin e realitetit të brendshëm të njeriut”. Ai thotë: “Pasja e një trupi të dëlirë e të panjollë ushtron ndikim mbi shpirtin e njeriut”. (Shih gjithashtu shënimin 7)

105. Lajeni çdo gjë të ndotur me ujë që nuk ka pësuar ndryshime në asnjërin prej tre aspekteve ¶74

“Tre aspektet” që përmenden në këtë varg janë ndryshimet e ngjyrës, të shijës e të erës së ujit. Bahá’u’lláh·u jep udhëzime shtesë lidhur me ujin e kulluar dhe pikën në të cilën ai konsiderohet i papërshtatshëm për ta përdorur (Py&Pë 91).

106. Perëndia po kështu ka anuluar ... konceptin e “papastërtisë”, për shkak të të cilit shumë gjëra e njerëz janë konsideruar si të papastër. ¶75

Koncepti i “papastërtisë” rituale, siç e kuptojnë dhe e praktikojnë atë disa shoqëri fisnore e bashkësi fetare të disa Dispensacioneve të lashta, është anuluar nga Bahá’u’lláh·u. Ai thotë se përmes Revelacionit të Tij “të gjitha gjërat e krijuara u zhytën në detin e dëlirjes”. (Shih gjithashtu shënimin 12, shënimin 20 dhe shënimin 103).

107. atë ditë të parë të Riḍván·it ¶75

Kjo është një referencë për arritjen e Bahá’u’lláh·ut e të shokëve të Tij në Kopshtin e Najíbíyyih·ut jashtë qytetit të Baghdád Mírzá Yaḥyá it, që më vonë u quajt prej Bahá’í-ve Kopshti i Riḍvánit. Kjo ngjarje, që ndodhi tridhjetë e një ditë pas Novruzit, në prill 1863, shënoi fillimin e periudhës gjatë së cilës Bahá’u’lláh·u u shpalli shokëve të Vet Misionin e Tij. Në një Tabelë, Ai i referohet Deklarimit të Tij si “Dita e lumturisë supreme” dhe e ciëson Kopshtin e Riḍván·it si “Vendin nga i cili Ai përhapi mbi gjithë krijimin shkëlqimet e Emrit të Tij, Mëshirëplotit”. Bahá’u’lláh·u qëndroi dymbëdhjetë ditë në këtë Kopsht para se të nisej për në Stamboll, në vendin ku ishte syrgjynosur.

Deklarimi i Bahá’u’lláh·ut kremtohet çdo vit në dymbë-dhjetë ditët e Festës së Riḍvánit, të cilën Shoghi Effendi·u e cilëson si “festën më të shenjtë e më të rëndësishme midis të gjitha festave Bahá’í” (shih shënimin 138 dhe shënimin 140).

108. Bayán·i ¶77

Bayán·i, Libri Mëmë i Dispensacionit Bábí, është titulli që i ka dhënë Báb·i Librit të Tij të Ligjeve, por ky titull përdoret gjithashtu për tërësinë e Shkrimeve të Tij. Bayán·i Persian është vepra doktrinare madhore dhe bartësi kryesor i ligjeve të urdhëruara nga Báb·i. Bayán·i Arab shkon paralel me të për nga përmbajtja, por është më i vogël e me më pak peshë. Duke cilësuar Bayán·in Persian në Perëndia kalon pranë, Shoghi Effendi·u vë në dukje se Bayán·i duhet konsideruar “në radhë të parë si një panegjirik i të Premtuarit sesa si një kod ligjesh e porosish të destinuara të jenë një udhërrëfim i përhershëm për brezat e ardhshëm”.

‘Abdu’l-Bahá·i ka shkruar: “Bayán·i është zëvendësuar nga Kitáb-i-Aqdas·i, me përjashtim të atyre ligjeve që janë mbështetur e përmendur në Kitáb-i-Aqdas”.

109. zhdukja e librave ¶77

Në Tabelën e Ishraqat·it Bahá’u’lláh·u, duke iu referuar faktit që Báb·i i kishte vënë ligjet e Bayán·it në varësi nga miratimi i Tij, deklaron se i kishte futur në fuqi disa nga ligjet e Báb·it “duke i përfshirë ato në Kitáb-i-Aqdas me fjalë të tjera”, ndërsa disa të tjera i ka lënë mënjanë.

Lidhur me zhdukjen e librave, Bayán·i i urdhëronte pasuesit e Báb·it të zhduknin të gjithë librat, me përjashtim të atyre që ishin shkruar në mbrojtje të Kauzës e të Fesë së Perëndisë. Bahá’u’lláh·u e shfuqizon këtë ligj specifik të Bayán·it.

Përsa i përket natyrës dhe ashpërsisë së ligjeve të Bayán·it, Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, bën komentin që vijon:

Ligjet dhe urdhërat e ashpër të reveluar nga Báb·i mund të çmohen e të kuptohen drejt vetëm të interpretuar në dritën e vetë deklaratave të Tij për natyrën, synimin e karakterin e vetë Dispensacionit të Tij. Siç e zbulojnë qartë këto deklarata, Dispensacioni Bábí ishte thelbësisht i natyrës së një revolucioni fetar e me të vërtetë shoqëror, prandaj kohëzgjatja e tij do të ishte e shkurtër, por e mbushur plot ngjarje tragjike dhe reforma radikale e drastike. Báb·i dhe pasuesit e Tij i morën këto masa drastike me synimin që të minonin vetë themelet e ortodoksisë shiite, duke hapur kështu rrugën për ardhjen e Bahá’u’lláh·ut. Pra, për të shpallur pavarësinë e Dispensacionit të ri dhe për të përgatitur gjithashtu terrenin për afrimin e Revelacionit të Bahá’u’lláh·ut, Báb·i duhej të revelonte ligje tepër të ashpra, edhe pse shumë prej tyre kurrë nuk u zbatuan. Por vetë fakti që Ai i reveloi ato ishte në vetvete një provë e karakterit të pavarur të Dispensacionit të Tij dhe mjaftoi për të krijuar një tronditje aq të përhapur dhe për të nxitur një kundërvënie të tillë të klerikëve, që i shtyri ata të bëhen shkak i martirizimit të Tij.

110. Ne ju kemi lejuar të lexoni ato shkenca që janë të dobishme për ju, dhe jo të tilla që përfundojnë në polemika të kota ¶77

Shkrimet Bahá’í urdhërojnë fitimin e dijeve dhe studimin e arteve e të shkencave. Bahá’í·të ftohen të respektojnë njerëzit e kulturuar e me talent dhe paralajmërohen të mos ndjekin studime pa bukë, që shkaktojnë vetëm grindje boshe.

Në Tabelat e Tij Bahá’u’lláh·u i këshillon besimtarët të studiojnë shkenca e arte të tilla që janë “të dobishme” dhe i japin shtysë “përparimit e përmirësimit” të shoqërisë, ndërsa u tërheq vëmendjen kundër shkencave që “fillojnë me fjalë dhe mbarojnë me fjalë”, ndjekja e të cilave çon në “polemika të kota”. Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, i krahason shkencat që “fillojnë me fjalë dhe mbarojnë me fjalë” me “ekskursione të pafrytshme në kleçka metafizike”, ndërsa në një letër tjetër shpjegon se ajo që Bahá’u’lláh·u kishte në radhë të parë parasysh me “shkenca” të tilla janë “ato traktate e komente teologjike që rëndojnë mendjen njerëzore, në vend që ta ndihmojnë atë t’i përmbahet së vërtetës”.

111. Ai Që ka biseduar me Perëndinë ¶80

Ky është një titull tradicional hebraik e islamik i Moisiut. Bahá’u’lláh·u thotë se me ardhjen e Revelacionit të Tij “veshët njerëzorë kanë pasur privilegjin të dëgjojnë se çfarë dëgjoi mbi Sinain Ai Që bisedoi me Perëndinë”.

112. Sinai ¶80

Mali në të cilin Perëndia i reveloi Ligjin Moisiut.

113. Fryma e Perëndisë ¶80

Është një prej titujve të përdorur në Shkrimet islamike e Bahá’í për të treguar Jesu Krishtin.

114. Karmeli ... Sioni ¶80

Karmeli, “Vreshti i Perëndisë”, është mali në Tokën e Shenjtë ku janë të vendosura Mauzoleu i Báb·it dhe selia e qendrës administrative botërore të Besimit.

Sioni është një kodër në Jerusalem, vendi tradicional i varrit të Mbretit David dhe simbol i Jerusalemit si Qytet i Shenjtë.

115. Arka Kërmëz ¶84

“Arka Kërmëz” është një referencë për Kauzën e Bahá’u’lláh·ut. Pasuesit e Tij janë quajtur “shokët e Arkës Kërmëz”, të lëvduar nga Báb·i në Qayyúmu’l-Asmá.

116. O Perandor i Austrisë! Ai Që është Agimi i Dritës së Perëndisë ndodhej në burgun e ‘Akká-së në kohën që ti u nise për të vizituar Xhaminë Al-Aqsá. ¶85

Franc Jozef·i (Franz Josef, 1830-1916), Perandor i Austrisë e Mbret i Hungarisë, bëri haxhillëk në Jerusalem më 186 Ndërsa ndodhej në Tokën e Shenjtë, ai nuk shfrytëzoi mundësinë të hetonte për Bahá’u’lláh·un, i Cili në atë kohë ishte i burgosur në ‘Akká.

Xhamia Al-Aqsá, fjalë për fjalë Xhamia “Më e largët”, përmendet në Kuran dhe është njëjtësuar me Malin e Tempullit në Jerusalem.

117. O Mbret i Berlinit! ¶86

Kajzeri Wilhelm·i I (Wilhelm Friedrich Ludwig, 1797-1888), mbreti i shtatë i Prusisë, u shpall Perandor i parë i Gjermanisë në janar 1871 në Versaj të Francës, pas fitores së Gjermanisë mbi Francën në Luftën Franko-Prusiane.

118. ai, pushteti i të cilit ia kalonte pushtetit tënd dhe pozita e të cilit ishte më e lartë se jotja ¶86

Kjo është një referencë për Napoleonin III (1808-1873), Perandor i Francezëve, që nga shumë historianë konsiderohej si monarku më i shquar i kohës së tij në Perëndim.

Bahá’u’lláh·u i drejtoi Napoleonit III dy Tabela dhe në të dytën profetizonte qartë se mbretëria e Napoleonit do të “zhytej në pështjellim”, se “perandoria do t’i ikte” nga duart dhe se populli i tij do të përjetonte “turbullira” të mëdha.

Brenda një viti, Napoleoni III pësoi një disfatë të bujshme nga dora e Kajzerit Vilhelmi I në betejën e Sedanit më 187 Ai shkoi syrgjyn në Angli, ku vdiq pas tre vjetësh.

119. O popull i Kostantinopojës! ¶89

Fjala e përkthyer këtu “Kostantinopojë” është në origjinal “Ar-Rúm” ose “Romë”. Në Lindjen e Mesme ky term është përdorur përgjithësisht për të treguar Kostantinopojën dhe Perandorinë Romane të Lindjes, më pas qytetin e Bizantit, ndërsa më vonë Perandorinë Otomane.

120. O vend që ndodhesh në brigjet e dy deteve! ¶89

Kjo është referencë për Kostantinopojën, të quajtur tani Stamboll. E vendosur në Bosfor, një ngushticë rreth 31 kilometra e gjatë që lidh Detin e Zi dhe Detin e Marmarasë, ajo është qyteti dhe porti më i madh i Turqisë.

Kostantinopoja ka qenë kryeqyteti i Perandorisë Otomane nga viti 1453 deri në vitin 192 Gjatë qëndrimit të Bahá’u’lláh·ut në këtë qytet, në fron ishte sulltani tiran Abdyl Hazizi. Sulltanët otomanë ishin gjithashtu Kalifë, autoriteti më i lartë i Islamit Sunit. Bahá’u’lláh·u parashikoi rënien e Kalifatit, që u abrogua më 192

121. O brigje të Rinit! ¶90

Në një prej Tabelave të Tij të shkruar para Luftës së Parë Botërore (1914-1918), ‘Abdu’l-Bahá·i shpjegon se, kur thoshte që i ka parë brigjet e Rinit “të mbuluara me gjak”, Bahá’u’lláh·u i referohej Luftës Franko-Prusiane (1870-1871), dhe se vuajtje të tjera do të vinin.

Në Perëndia kalon pranë, Shoghi Effendi·u vë në dukje se “traktati tmerrësisht i rëndë “që iu imponua Gjermanisë pas disfatës së saj në Luftën e Parë Botërore “shkaktoi ‘vajtimin e Berlinit’, të profetizuar kobshëm një gjysmë shekulli më parë”.

122. O tokë e á-it ¶91

“á” është germa e parë e Ṭihránit, kryeqytetit të Iranit. Bahá’u’lláh·u shpesh herë ka parapëlqyer t’i paraqiste disa emra vendesh duke përmendur germën e tyre të parë. Sipas sistemit abxhad të llogaritjes, vlera numerike e á është nëntë, e barabartë me vlerën numerike të emrit Bahá.

123. brenda teje lindi Manifestimi i Lavdisë së Tij ¶92

Kjo është një referencë për lindjen e Bahá’u’lláh·ut në Ṭihrán më 12 nëntor 181

124. O tokë e Khá-së! ¶94

Referencë për provincën iraniane të Horasanit dhe zonat fqinjë, që përfshin qytetin e ‘Ishqábád (Ashkabad·it).

125. Po qe se dikush fiton njëqind mithqálë ar, nëntëmbë-dhjetë mithqálë prej tyre janë të Perëndisë dhe duhet t’i jepen Atij ¶97

Ky varg vendos Ḥuqúqu’lláh-un, të Drejtën e Perëndisë, dhënien e një pjese të caktuar të vlerës së zotërimeve të besimtarit. Kjo ofertë i bëhej Bahá’u’lláh·ut, si Manifestimi i Perëndisë, dhe pas Ngjitjes së Tij ‘Abdu’l-Bahá·it, si Qendra e Besëlidhjes. Në Vullnetin dhe Testamentin e Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i parashikoi që Ḥuqúqu’lláh-u duhej të jepej “përmes Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë”. Tani që nuk ka Ruajtës, ai jepet përmes Shtëpisë Universale të Drejtësisë, si Koka e Besimit. Ky fond përdoret për të mbështetur Besimin e Perëndisë, si dhe për qëllime të ndryshme filantropike. Dhënia e Ḥuqúqu’lláh-ut është një detyrim shpirtëror, plotësimi i të cilit është lënë në ndërgjegjen e çdo Bahá’í. Ndërsa është e lejuar t’i kujtohet komunitetit për kërkesat e ligjit të Hukuk-ut, asnjë besimtari nuk i duhet drejtuar për ta paguar atë.

Ky ligj është pëpunuar më tej në një numër zërash të Pyetje dhe Përgjigje. Pagimi i Ḥuqúqu’lláh-ut bazohet në llogaritjen e vlerës së zotërimeve individuale. Në qoftë se një person ka zotërime të një vlere të barabartë të paktën me nëntëmbëdhjetë mithqálë ar (Py&Pë 8), është një detyrim shpirtëror të paguhen si Ḥuqúqu’lláh, vetëm një herë, nëntëmbëdhjetë për qind të shumës së përgjithshme (Py&Pë 89). Më tej, sa herë që të ardhurat e personit, pasi janë paguar të gjitha shpenzimet, e rrisin vlerën e zotërimeve të tij të paktën me nëntëmbëdhjetë mithqálë ar, ai duhet të paguajë nëntëmbëdhjetë për qind të kësaj shtese, e kështu me radhë për çdo shtesë të mëtejshme (Py&Pë 8, Py&Pë 90).

Disa kategori zotërimesh, si banesa, përjashtohen nga pagimi i Ḥuqúqu’lláh-ut (Py&Pë 8, Py&Pë 42, Py&Pë 95), dhe janë formuluar zgjidhje të posaçme që parashikojnë rastin e humbjeve ekonomike (Py&Pë 44, Py&Pë 45), të investimeve të pafrytshme (Py&Pë 102) dhe të pagimit të Hukuk-ut kur personi vdes (Py&Pë 9, Py&Pë 69, Py&Pë 80). (Për këtë rast të fundit shih shënimin 4)

Pjesë të gjera nga Tabelat, nga Pyetje dhe Përgjigje e nga Shkrime të tjera që kanë të bëjnë me domethënien shpirtërore të Ḥuqúqu’lláh-ut, si dhe me hollësitë e zbatimit të tij, janë botuar në një përmbledhje me titull Ḥuqúqu’lláh-u.

126. Peticione të ndryshme kanë ardhur para fronit Tonë nga besimtarët lidhur me ligje të Perëndisë ... Ne, për rrjedhojë, kemi reveluar këtë Tabelë të Shenjtë dhe e kemi stolisur atë me rrobën e Ligjit të Tij, që ndoshta njerëzit t’u përmbahen porosive të Zotit të tyre. ¶98

“Për disa vite me radhë”, thotë Bahá’u’lláh·u në një prej Tabelave të Tij, “Pranisë Më të Shenjtë nga vende të ndryshme i kanë ardhur peticione që luteshin për ligjet e Perëndisë, por Ne e kemi përmbajtur Pendën derisa të vinte koha e caktuar”. Vetëm 25 vjet pas lindjes së Misionit të Tij Profetik në Síyáh-Chál·in e Ṭihránit, Bahá’u’lláh·u reveloi Kitáb-i-Aqdas·in, Thesarin e ligjeve të Dispensacionit të Tij. Edhe pasi e reveloi Aqdas·in, para se t’ua dërgonte atë miqve në Persi, Ai e mbajti me Vete për një kohë. Ky vonim me synim hyjnor në revelimin e ligjeve bazë të Perëndisë për këtë epokë dhe zbatimi i mëtejshëm gradual i përmbajtjes së tyre ilustrojnë parimin e revelacionit të shkallëzuar, i cili vlen edhe brenda për brenda misionit të çdo Profeti.

127. Vendi kërmëz ¶100

Kjo është një referencë për qytetin-burg të ‘Akká-së. Në Shkrimet Bahá’í fjala “kërmëz” përdoret në disa kuptime alegorike e simbolike. (Shih edhe shënimin 11)

128. Sadratu’l Muntahá ¶100

Fjalë për fjalë “Lulja më e largët e Lotusit”, e përkthyer nga Shoghi Effendi·u si “Pema tej së cilës nuk kalohet”. Në Islamin, për shembull, kjo përdoret në rrëfenjat për Udhëtimin Natën të Muhametit, si simbol për të treguar atë pikë në qiell tej së cilës as njerëz as engjëj nuk mund të kalojnë në afrimin pranë Perëndisë dhe për të përcaktuar kështu kufijt e dijes hyjnore që i revelohen njeriut. Kështu që në Shkrimet Bahá’í kjo përdoret shpesh herë për të treguar Vetë Manifestimin e Perëndisë. (Shih gjithashtu shënimin 16)

129. Libri Mëmë ¶103

Termi “Libri Mëmë” përdoret përgjithësisht për të treguar Librin qendror të një Dispensacioni fetar. Në Kuranin dhe në Hadithet islamike ky term përdoret për të cilësuar vetë Kuranin. Në Dispensacionin Bábí Libri Mëmë është Bayán·i, ndërsa në Dispensacionin e Bahá’u’lláh·ut Libri Mëmë është Kitáb-i-Aqdas·i. Për më tepër, Ruajtësi, në një letër të shkruar në emër të tij, ka vënë në dukje se ky koncept mund të përdoret edhe si “term kolektiv për të treguar kompleksin e Mësimeve të reveluara nga Bahá’u’lláh·u”. Ky term përdoret gjithashtu në një kuptim më të gjerë për të treguar Thesarin Hyjnor të Revelacionit.

130. Kush interpreton atë që është dërguar nga qielli i Revelacionit dhe ndryshon domethënien e qartë të saj ¶105

Në disa prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh·u vë në dukje dallimin midis vargjeve alegorike, të cilat i nënshtrohen interpretimit, dhe atyre vargjeve që kanë të bëjnë me çështje të tilla si ligjet e urdhërat, adhurimi e ritet fetare, domethënia e të cilave është e qartë dhe që kërkojnë bindje nga ana e besimtarëve.

Siç është shpjeguar në shënimin 145 dhe shënimin 184, Bahá’u’lláh·u caktoi Pasardhës dhe Interpretues të Mësimeve të Tij Djalin e Vet të madh ‘Abdu’l-Bahá·in. Nga ana e Vet, ‘Abdu’l-Bahá·i caktoi nipin e Tij më të madh, Shoghi Effendi·un, që Ta pasonte si interpretues i Shkrimeve të Shenjta dhe si Ruajtës i Kauzës. Interpretimet e ‘Abdu’l-Bahá·it e të Shoghi Effendi·ut konsidero¬hen si hyjnisht të frymëzuara dhe janë detyruese për Bahá’í·të.

Ekzistenca e interpretimeve të autoritetshme nuk përjashton që individë të ndryshëm t’i përkushtohen studimit të Mësimeve dhe të arrijnë në interpretime ose kuptime personale. Por në Shkrimet Bahá’í bëhet një dallim i qartë midis interpretimeve të autoritetshme dhe kuptimit që arrin çdo individ nga studimi i Mësimeve. Interpretimet personale të bazuara në kuptimin individual të Mësimeve janë fryt i aftësisë së arsyes së njeriut dhe, sigurisht, mund të ndihmojnë për një kuptim më të madh të Besimit. Megjithatë, pikëpamjeve të tilla u mungon autoriteti. Duke paraqitur idetë e veta personale, individët janë të ftuar të mos lënë mënjanë autoritetin e fjalëve të reveluara, të mos mohojnë ose kundërshtojnë interpretimet e autoritetshme dhe të mos hyjnë në polemika; përkundrazi, ata duhet të ofrojnë mendimet e tyre si një ndihmesë për dijen, duke e bërë të qartë se pikëpamjet e tyre janë thjesht personale.

131. mos u futni në hurdha publike të banjave persiane ¶106

Bahá’u’lláh·u ndalon përdorimin e hurdhave që gjenden në banjat publike tradicionale të Persisë. Në këto banja ishte zakon që shumë veta të laheshin bashkë në të njëjtën hurdhë dhe që uji të ndërrohej jo shpesh. Për rrjedhojë, uji ishte i turbullt, i pistë e i dëmshëm për shëndetin dhe binte erë shumë të keqe.

132. Shmangiuni gjithashtu hurdhave me erë të keqe në oborret e shtëpive persiane ¶106

Shumë shtëpi në Persi kishin në oborrin e tyre një hurdhë, e cila shërbente si rezervuar uji që përdorej për pastrim, për të larë e për qëllime të tjera shtëpiake. Meqenëse uji i hurdhave ishte i ndenjur dhe zakonisht nuk ndërrohej për javë të tëra, kishte prirjen të merrte një erë shumë të pakëndshme.

133. Ju ndalohet të martoheni me gratë e atit tuaj. ¶107

Martesa me njerkën ndalohet shprehimisht këtu. Ky ndalim vlen edhe për martesën me njerkun. Aty ku Bahá’u’lláh·u formulon një ligj midis një burri e një gruaje, ai zbatohet mutatis mutandis edhe midis një gruaje e një burri, veç rasteve kur konteksti e bën këtë të pamundur.

‘Abdu’l-Bahá·i dhe Shoghi Effendi·u konfirmojnë që edhe pse njerkat janë e vetmja kategori e familjarëve që përmendet në tekst, kjo nuk do të thotë se të gjitha bashkimet e tjera në gjirin e një familjeje janë të lejueshme. Bahá’u’lláh·u thotë se i takon Shtëpisë së Drejtësisë të nxjerrë ligje “lidhur me ligjshmërinë ose jo për t’u martuar me farefisin e vet” (Py&Pë 50). ‘Abdu’l-Bahá ka shkruar se sa më e largët të jetë lidhja e gjakut midis çiftit aq më mirë është, duke qenë se martesa të tilla janë baza e mirëqenies fizike të njerëzimit dhe sjellin miqësi midis njerëzve.

134. çështja e djemve ¶107

Në origjinalin arabisht, fjala e përkthyer këtu si “djem” në këtë kontekst nënkupton pederastinë. Shoghi Effendi·u e ka interpretuar këtë referencë si ndalim të të gjitha marrëdhënieve homoseksuale.

Mësimet Bahá’í për moralin seksual mbështeten mbi martesën dhe familjen, si themeli i shëndoshë i gjithë strukturës së shoqërisë njerëzore, dhe kanë për qëllim të mbrojnë e të forcojnë këtë institut hyjnor. Prandaj ligji Bahá’í i kufizon marrëdhëniet seksuale të lejuara në marrëdhëniet midis burrit dhe gruas me të cilën ai është martuar.

Në një letër të shkruar në emër të Shoghi Effendi·ut, thuhet:

Është gabim të lejohet që dashuria midis personave të të njëjtit seks, sado e thellë dhe e bukur që të jetë, të gjejë shprehje në akte seksuale. Të thuash se kjo është ideale, ky nuk është justifikim. Bahá’u’lláh·u ndalon me të vërtetë imoralitetin e çdo lloji, dhe si të tilla i shikon Ai marrë-dhëniet homoseksuale, që veç kësaj janë kundër natyrës. Të jesh i sëmurë nga kjo është një barrë e rëndë për një shpirt të ndërgjegjshëm. Por me këshillën e ndihmën e mjekëve, me një përpjekje të fuqishme e të vendosur dhe me anë të lutjes, një shpirt mund ta kapërcejë këtë gjymtim.

Bahá’u’lláh·u udhëzon që Shtëpia Universale e Drejtësisë të vendosë, sipas shkallës së fajit, ndëshkimet për marrëdhëniet intime jashtë kurore dhe për pederastinë (Py&Pë 49).

135. Askujt nuk i lejohet të mërmërisë vargje të shenjta para njerëzve duke ecur në rrugë ose në pazar ¶108

Kjo është një aluzion për zakonin e disa klerikëve e prijësve fetarë të Dispensacioneve të mëparshme, të cilët, për hipokrizi e për t’u shtirur dhe për të fituar lëvdatat e pasuesve të tyre, mërmërisnin sa për sy e faqe lutje në vende publike si shenjë të devotshmërisë së tyre. Bahá’u’lláh·u e ndalon një sjellje të tillë dhe thekson rëndësinë e përvuajtësisë e të devotshmërisë së vërtetë ndaj Perëndisë.

136. Secili e ka për detyrë të shkruajë një testament. ¶109

Sipas Mësimeve të Bahá’u’lláh·ut, çdo njeri ka për detyrë të shkruajë vullnetin e tij të fundit e një testament dhe është i lirë të disponojë pasurinë e vet ashtu si t’i pëlqejë (shih shënimin 38).

Bahá’u’lláh·u thotë që, duke bërë testamentin, “secili ka të drejta të plota mbi pasurinë e vet”, derisa Perëndia e ka lejuar individin “të bëjë çfarë të dojë me atë që i ka dhuruar atij” (Py&Pë 69). Në Kitáb-i-Aqdas janë shpallur udhëzimet për shpërndarjen e trashëgimit në rast se nuk ka testament. (Shih shënimin 38, shënimin 39, shënimin 40, shënimin 41, shënimin 42, shënimin 43, shënimin 44, shënimin 45, shënimin 46, shënimin 47, shënimin 4)

137. Emri Më i Madh ¶109

Siç është shpjeguar në shënimin 33, Emri Më i Madh i Perëndisë mund të marrë forma të ndryshme, të bazuara të gjitha në fjalën “Bahá”. Bahá’í·të në Lindje e kanë zbatuar këtë urdhër të Aqdas·it duke i filluar testamentet e veta me fraza të tilla si “O Ti Lavdi e Lavdiplotit”, “Në emër të Perëndisë, Lavdiplotit” ose “Ai është Lavdiploti” e të tjera si këto.

138. Të gjitha Festat kanë arritur përmbushjen e tyre në dy Festat Më të Mëdha, si dhe në dy Festa të tjera që bien në ditët binjake ¶110

Ky pasazh vendos katër festa të mëdha të vitit Bahá’í. Dy që janë caktuar nga Bahá’u’lláh·u si “dy Festat Më të Mëdha” janë, e para Festa e Riḍvánit, e cila përkujton Deklarimin e Misionit të Tij Profetik në Kopshtin e Riḍvánit në Bagdad gjatë dymbëdhjetë ditëve në prill-maj 1863, të cilësuar prej Tij si “Mbretëresha e Festave”, dhe e dyta Deklarimi i Báb·it, që ndodhi në Shiraz në maj 184 Dita e parë, e nëntë dhe e dymbëdhjetë e Festës së Riḍvánit janë Ditë të Shenjta (Py&Pë 1), si dhe dita e Deklarimit të Báb·it.

“Dy Festat e tjera” janë përvjetorët e lindjes të Bahá’u’lláh·ut e të Báb·it. Në kalendarin hënor mysliman këto bien në dy ditë njëra pas tjetrës, respektivisht ditëlindja e Bahá’u’lláh·ut në ditën e dytë të muajit të Muharremit 1233 A.H. (12 nëntor 1817) dhe ditëlindja e Báb·it në ditën e parë të po atij muaji 1235 A.H. (20 tetor 1819). Prandaj janë quajtur “Ditëlindje Binjake” dhe Bahá’u’lláh·u thotë se në sytë e Perëndisë këto dy ditë shihen si një e vetme (Py&Pë 2). Ai thotë që, në qoftë se ato bien gjatë muajit të agjërimit, porosia për të agjëruar nuk zbatohet në ato ditë (Py&Pë 36). Duke qenë se kalendari Bahá’í është kalendar diellor (shih shënimin 26 dhe shënimin 147), i takon Shtëpisë Universale të Drejtësisë të përcaktojë nëse Ditëlindjet e Shenjta Binjake duhen kremtuar mbi një bazë diellore apo hënore.

139. në ditën e parë të muajit të Bahá-it ¶111

Në kalendarin Bahá’í, muaji i parë i vitit dhe dita e parë e çdo muaji janë quajtur me emrin “Bahá”. Dita e Bahá-it e muajit të Bahá-it është kështu dita e Vitit të Ri Bahá’í, Novruzi, që është urdhëruar nga Báb·i si festë dhe këtu është konfirmuar nga Bahá’u’lláh·u (shih shënimin 26 dhe shënimin 147).

Veç shtatë Ditëve të Shenjta të urdhëruara në këto pasazhe të Kitáb-i-Aqdas·it, në kohën e Bahá’u’lláh·ut përkujtohej si Ditë e Shenjtë edhe përvjetori i Martirizimit të Báb·it dhe, si rrjedhojë e domosdoshme e kësaj, ‘Abdu’l-Bahá·i shtoi përkujtimin e Ngjitjes së Bahá’u’lláh·ut, duke u bërë gjithsej nëntë Ditë të Shenjta. Dy përvjetorë të tjerë që përkujtohen, por gjatë të cilëve puna nuk ndërpritet, janë Dita e Besëlidhjes dhe përvjetori i Vdekjes së ‘Abdu’l-Bahá·it. Shih seksionin për kalendarin Bahá’í në The Bahá’í World [Bota Bahá’í], vëllimi XVIII.

140. Festa Më e Madhe është, me të vërtetë, Mbretëresha e Festave ¶112

Kjo është një referencë për Festën e Riḍvánit (shih shënimin 107 dhe shënimin 138).

141. Më parë Perëndia i kishte ngarkuar secilit besimtar detyrën për të blatuar para fronit Tonë dhurata të paçmuara nga zotërimet e tij. Tani ... Ne i kemi liruar ata nga ky detyrim. ¶114

Ky pasazh shfuqizon një masë të Bayán·it që dekretonte se të gjitha objektet unikale të llojit të vet duhej t’i jepeshin Atij Që Perëndia do Ta shfaqë, kur Ai të shfaqej. Báb·i ka shpjeguar që, duke qenë se Manifestimi i Perëndisë është i pakrahasueshëm, çdo gjë e pashoqe në llojin e vet duhet me të drejtë t’i rezervohet Atij, në qoftë se Ai nuk dekreton ndryshe.

142. në agim ¶115

Përsa i përket pjesëmarrjes në lutjen e agimit në Mashrikul Azkar, Shtëpinë e Adhurimit Bahá’í, Bahá’u’lláh·u ka shpjeguar që, megjithëse koha e specifikuar në Librin e Perëndisë është “në agim”, është e pranueshme çdo kohë që nga “zbardhja e agimit, midis agimit dhe lindjes së diellit, ose edhe deri në dy orë pas lindjes së diellit” (Py&Pë 15).

143. Këto Tabela janë zbukuruar me vulën e Atij Që bën të agojë dita, Që ngre zërin midis qiejve dhe tokës. ¶117

Bahá’u’lláh·u pohon në mënyrë të përsëritur vërtetësinë absolute të Shkrimeve të Tij si Fjala e Perëndisë. Disa prej Tabelave të Tij gjithashtu kanë shenjën e njërës prej vulave të Tij. The Bahá’í World [Bota Bahá’í], vëllimi V, f. 4, ka një fotografi të disa prej vulave të Bahá’u’lláh·ut.

144. Është e papranueshme që njeriu, të cilit i është dhuruar arsyeja, të kryejë diçka që ia rrëmben atë. ¶119

Në Shkrimet Bahá’í ka shumë pasazhe që ndalojnë përdorimin e verës e të pijeve të tjera dehëse dhe që tregojnë efektin shkatërrimtar të tyre mbi njeriun. Në një prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh·u thotë:

Kini mendjen të mos e shkëmbeni Verën e Perëndisë me verën tuaj, sepse ajo trullos mendjen dhe e largon shikimin tuaj nga fytyra e Perëndisë, Lavdiplotit, të Pashoqit, të Paarritshmit. Mos iu avitni asaj, sepse ju është ndaluar me urdhër të Perëndisë, të Lartësuarit, Fuqiplotit.

‘Abdu’l-Bahá·i shpjegon se Aqdas·i ndalon “si pijet e lehta dhe të forta” dhe thotë se arsyeja e ndalimit të pijeve alkoolike është sepse “alkooli e çon mendjen në rrugë të gabuar dhe shkakton dobësimin e trupit”.

Shoghi Effendi·u, në disa letra të shkruara në emër të tij, thotë se ky ndalim përfshin jo vetëm konsumin e verës, por edhe të “çdo gjëje që turbullon mendjen”, dhe sqaron se përdorimi i alkoolit lejohet vetëm kur ai është pjesë e një trajtimi mjekësor që jepet “me këshillë të një mjeku kompetent e të ndërgjegjshëm, që mund të jetë i detyruar ta japë atë për kurimin e ndonjë sëmundjeje të veçantë”.

145. kthejeni fytyrën nga Ai që Perëndia ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë ¶121

Bahá’u’lláh·u bën aluzion këtu për ‘Abdu’l-Bahá·in si Pasardhësi i Tij dhe i fton besimtarët të kthehen drejt Tij. Në Librin e Besëlidhjes, Vullnetin e Testamentin e Tij, Bahá’u’lláh·u shpalos domethënien e këtij vargu. Ai thotë: “Objekti i këtij vargu të shenjtë s’është tjetër veçse Dega Më e Fuqishme”. “Dega Më e Fuqishme” është një prej titujve që Bahá’u’lláh·u i ka dhënë ‘Abdu’l-Bahá·it. (Shih gjithashtu shënimin 66 dhe shënimin 184).

146. Në Bayán ju është ndaluar të Na bëni pyetje. ¶126

Báb·i ua ndalonte pasuesve të Tij t’i bënin pyetje Atij Që Perëndia do Ta shfaqë (Bahá’u’lláh·un), veçse po t’i bënin ato me shkrim dhe për çështje të denja për pozitën e Tij të lartë. Shih Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb·it.

Bahá’u’lláh·u e heq këtë ndalim të Báb·it. Ai i fton besimtarët të bëjnë pyetje për ato që “kanë nevojë të pyesin” dhe i këshillon të mos bëjnë “pyetje të kota” si ato që preokuponin “njerëzit e kohëve të shkuara”.

147. Numri i muajve në një vit, i caktuar në Librin e Perëndisë, është nëntëmbëdhjetë. ¶127

Viti Bahá’í, sipas kalendarit Badí‘, përbëhet nga nëntëmbëdhjetë muaj prej nëntëmbëdhjetë ditësh secili, duke shtuar disa ditë plotësuese (katër në një vit të zakonshëm dhe pesë në një vit të brishtë) midis muajit të tetëmbëdhjetë e të nëntëmbëdhjetë, për t’ia përshtatur kalendarin vitit diellor. Báb·i u vuri muajve emra sipas disa atributeve të Perëndisë. Dita e Vitit të Ri Bahá’í, Novruzi, është e përcaktuar astronomikisht dhe përkon me sanataditën e marsit (shih shënimin 26). Për hollësi të mëtejshme, duke përfshirë emrat e ditëve të javës dhe të muajve, shih seksionin e kalendarit Bahá’í në The Bahá’í World [Bota Bahá’í], vëllimi XVIII.

148. i pari është stolisur me këtë Emër që ka mbuluar tërë krijimin ¶127

Në Bayán·in Persian, Báb·i i dha emrin “Bahá” muajit të parë të vitit (shih shënimin 139).

149. Zoti ka urdhëruar që të vdekurit të shtihen në dhe në arkivole ¶128

Në Bayán, Báb·i porosiste që të vdekurit të shtihen në dhe në arkivole prej kristali ose prej guri të lëmuar. Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, ka shpjeguar se domethënia e kësaj mase ishte të tregohej respekt për trupin njerëzor, i cili “një kohë ishte i fisnikëruar nga shpirti i pavdekshëm i njeriut”.

Me pak fjalë, ligji Bahá’í për varrimin e të vdekurve thotë se është e ndaluar të çohet trupi më larg se një orë rrugë nga vendi i vdekjes; se trupi duhet të mbështillet me një pëlhurë të hollë mëndafshi ose pambuku dhe në gisht t’i vihet një unazë me mbishkrimin “Kam ardhur nga Perëndia dhe tek Ai kthehem, i shkëputur nga gjithçka veç Tij, duke u mbajtur fort pas Emrit të Tij, të Mëshirshmit, Zemërdhembshurit”; dhe se arkivoli duhet të jetë prej kristali, prej guri ose prej druri të fortë të një cilësie të mirë. Është vendosur një Lutje e posaçme për të Vdekurit (shih shënimin 10), e cila duhet thënë para shtirjes në dhe. Siç vënë në dukje ‘Abdu’l-Bahá·i dhe Ruajtësi, lutja solemne dhe unaza duhen përdorur për ata që kanë arritur moshën e pjekurisë, dmth 15 vjeç (Py&Pë 70).

Përsa i përket materialit nga i cili duhet bërë arkivoli, thelbi i ligjit është se duhet bërë prej një materiali sa më rezistent. Kështu, Shtëpia Universale e Drejtësisë ka shpjeguar se, veç materialeve të specifikuara në Aqdas, nuk ka kundërshtim që për arkivolin të përdoret druri më i fortë që disponohet ose betoni. Tani për tani, Bahá’í·të janë lënë të lirë të zgjedhin vetë lidhur me këtë.

150. Pika e Bayán·it ¶129

“Pika e Bayán·it” është një prej titujve me të cilin Báb·i i referohej Vetvetes.

151. të vdekurit duhet të mbështillen me pesë copë pëlhura mëndafshi ose pambuku ¶130

Në Bayán·in, Báb·i e ka përcaktuar se trupi i të vdekurit duhet mbështjellë me pesë copë pëlhura mëndafshi ose pambuku. Bahá’u’lláh·u e mbështet këtë masë dhe shton kushtin se për “ata që kanë mjete të kufizuara është e mjaftueshme një copë e vetme e njërës prej këtyre pëlhurave”.

Kur e pyetën nëse “pesë copë pëlhura” që përmenden në ligj duan të thonë “pesë qefinë të plotë” apo “pesë copë pëlhura që janë përdorur zakonisht deri atëherë”, Bahá’u’lláh·u u përgjigj se me këtë nënkuptohej “përdorimi i pesë copë pëlhurave” (Py&Pë 56).

Përsa i përket mënyrës sesi duhet mbështjellë trupi, në Shkrimet Bahá’í nuk ka asgjë që të përcaktojë sesi duhet bërë mbështjellja e trupit dhe as kur përdoren “pesë copë pëlhura” ose “një pëlhurë e vetme”. Tani për tani, Bahá’í·të janë lënë të lirë të përdorin gjykimin e vet për këtë çështje.

152. Ju ndalohet ta transportoni trupin e të vdekurit në një largësi më të madhe se një orë rrugë nga qyteti ¶130

Qëllimi i kësaj porosie është të kufizohet kohëzgjatja e udhëtimit në një orë kohë, pavarësisht nga mjeti i transportit që është zgjedhur për ta çuar trupin në vendin e varrimit. Bahá’u’lláh·u thotë se sa më parë të bëhet varrimi “aq më e përshtatshme dhe e pranueshme është kjo” (Py&Pë 16).

Mund të kuptohet që vendi i vdekjes të përfshijë qytetin ose qytezën në të cilën personi ndërron jetë , prandaj një orë udhëtim mund të llogaritet nga kufiri i qytetit deri në vendin e varrimit. Thelbi i ligjit të Bahá’u’lláh·ut është që i ndjeri të varroset afër vendit ku ai ose ajo vdes.

153. Perëndia i ka hequr kufizimet për udhëtim që ishin vendosur në Bayán. ¶131

Báb·i kishte vendosur disa kufizime për udhëtimet, që mbetën në fuqi deri në ardhjen e të Premtuarit të Bayán·it, kohë në të cilën besimtarët inkurajoheshin të niseshin, qoftë edhe në këmbë, për Ta takuar, duke qenë se arritja e Pranisë së Tij ishte fryti dhe qëllimi i vetë ekzistencës së tyre.

154. Lartësoni e nderoni dy Shtëpitë në Vendet e Shenjta Binjake dhe vendndodhjet e tjera ku froni i Zotit tuaj ... është vendosur. ¶133

Bahá’u’lláh·u i njëjtëson “dy Shtëpitë” si Shtëpia e Tij në Bagdad, të quajtur prej Tij “Shtëpia Më e Madhe”, dhe Shtëpia e Báb·it në Shiraz, të caktuara që të dyja prej Tij si vende haxhillëku. (Shih Py&Pë 29, Py&Pë 32 dhe shënimin 54).

Shoghi Effendi·u ka shpjeguar se thënia “vendndodhjet e tjera ku froni i Zotit tuaj ... është vendosur” u referohet atyre vendeve ku Personi i Manifestimit të Perëndisë ka banuar. Bahá’u’lláh·u thotë se “njerëzit e zonës ku këto ndodhen mund të zgjedhin që të ruajnë çdo shtëpi” ku Ai ka banuar, ose “njërën prej tyre” (Py&Pë 32). Institucionet Bahá’í kanë gjetur, kanë dokumentuar dhe atje ku ka qenë e mundur kanë blerë e restauruar disa prej vendndodhjeve historike që lidhen me Manifestimet Binjake.

155. Kini mendjen që asgjë e shkruar në Librin të mos ju pengojë t’i vini veshin këtij që është Libri i Gjallë ¶134

“Libri” është regjistrimi i Fjalës së reveluar të Manifestimit të Perëndisë. “Libri i Gjallë” është një referencë për Personin e Manifestimit.

Këto fjalë përmbajnë një aluzion për një thënie të Báb·it në Bayán·in Persian lidhur me “Librin e Gjallë”, të cilin Ai e njëjtëson me Atë Që Perëndia do Ta shfaqë. Në një prej Tabelave të Tij Vetë Bahá’u’lláh·u thotë: “Libri i Perëndisë është dërguar në formën e këtij të Riu”.

Në këtë varg të Aqdas·it, dhe përsëri në paragrafin 168 të Aqdas·it, Bahá’u’lláh·u i referohet Vetes së Tij si “Libri i Gjallë”. Ai paralajmëron “pasuesit e çdo Besimi tjetër” të mos kërkojnë “në Librat e tyre të Shenjtë arsye” për të hedhur poshtë fjalët e “Librit të Gjallë”. Ai u tërheq vëmendjen njerëzve të mos lejojnë që ajo që është regjistruar në “Librin” t’i pengojë ata të njohin Pozitën e Tij dhe të mbahen fort pas asaj që gjendet në këtë Revelacion të ri.

156. nderim për këtë Revelacion, nga Penda e Atij Që qe Lajmëtari Im ¶135

“Nderimi” që Bahá’u’lláh·u citon në këtë pasazh është nga Bayán·i Arab.

157. “Kibla është me të vërtetë Ai Që Perëndia do Ta shfaqë; sa herë që Ai lëviz, ajo lëviz, derisa Ai të arrijë në prehje.” ¶137

Për një diskutim të këtij vargu shih shënimin 7 dhe shënimin

158. Është e paligjshme të lidhësh martesë, veçse me ndonjë që beson në Bayán·in. Po qe se vetëm njëra palë e martesës e përqafon këtë Kauzë, zotërimet e tij ose të saj bëhen të paligjshme për palën tjetër ¶139

Pasazhi i Bayán·it që Bahá’u’lláh·u citon këtu tërheq vëmendjen e besimtarëve se është e afërt ardhja e “Atij Që Perëndia do Ta shfaqë”. Ndalimi për t’u martuar me një jo-Bábí dhe porosia, në bazë të së cilës pasuria e një personi, e burrit ose e gruas, që ka përqafuar Besimin nuk mund t’i kalojë ligjërisht të shoqit ose të shoqes jo-Bábí, janë mbajtur pezull shprehimisht nga Báb·i dhe më pas u hoqën nga Bahá’u’lláh·u para se ato të hynin në fuqi. Kur citon këtë ligj, Bahá’u’lláh·u vë në dukje se, duke e reveluar atë, Báb·i kishte parashikuar qartë mundësinë që Kauza e Bahá’u’lláh·ut të fitonte emër para asaj të Vetë Báb·it.

Në Perëndia kalon pranë Shoghi Effendi·u vë në dukje se Bayán·i “duhet konsideruar parësisht si një hymnizim i të Premtuarit sesa si një kod ligjesh e porosish të destinuara të jenë një udhërrëfim i përhershëm për brezat e ardhshëm”. “I ashpër në mënyrë të qëllimtë në ligjet e rregullat që impononte”, vazhdon ai, “revolucionar në parimet që fuste, i llogaritur për të zgjuar nga letargjia mijëravjeçare klerin dhe popullin dhe për t’i dhënë një goditje vdekjeprurëse institucioneve të vjetëruara e të korruptuara, ai shpallte nëpërmjet masave të tij drastike ardhjen e Ditës së parashikuar, të Ditës kur ‘Thirrësi do të bëjë thirrje për një nevojë të rëndë’, kur Ai do të ‘shkatërrojë gjithçka ka qenë para Tij, ashtu si Apostulli i Perëndisë rrëzoi zakonet e atyre që e kanë paraprirë’” (shih gjithashtu shënimin 109).

159. Pika e Bayán·it ¶140
Njëri prej titujve të Báb·it.

160. Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje ¶143

Shkrimet Bahá’í përmbajnë shumë pasazhe që sqarojnë natyrën e Manifestimit dhe raportin e Tij me Perëndinë. Bahá’u’lláh·u nënvizon natyrën unike e të përkryer të Hyjnisë. Ai shpjegon se “derisa nuk mund të ketë asnjë lidhje komunikimi të drejtpërdrejtë që të bashkojë Perëndinë e vërtetë që është Një me krijimin e Tij”, Perëndia urdhëron që “në çdo epokë e dispensacion një Shpirt i kulluar e i panjollë të shfaqet në mbretërinë e tokës e të qiellit”. Kjo “Qenie misterioze e qiellore”, Manifestimi i Perëndisë, ka një natyrë njerëzore që i përket “botës së materies” dhe një natyrë shpirtërore “të lindur nga thelbi i Vetë Perëndisë”. Ai është gjithashtu i pajisur me një “pozitë të dyfishtë”:

Pozita e parë, e cila lidhet me realitetin e tij më të thellë, e paraqet atë si Një, zëri i të Cilit është zëri i Vetë Perëndisë ... Pozita e dytë është pozita njerëzore, që jepet në vargjet e mëposhtme: “Unë s’jam veçse një njeri si ju”. “Thuaj: lëvduar qoftë Zoti im! A jam Unë më tepër se një njeri, një apostull?”

Bahá’u’lláh·u thotë gjithashtu se në mbretërinë shpirtërore ka një “unitet thelbësor” midis të gjitha Manifestimeve të Perëndisë. Ato të gjitha revelojnë “Bukurinë e Perëndisë”, shfaqin emrat e atributet e Tij dhe i japin zë Revelacionit të Tij. Lidhur me këtë, Ai thotë:

Nëse ndonjëri prej Manifestimeve gjithpërfshirëse të Perëndisë do të deklaronte: “Unë jam Perëndia!”, në fakt Ai do të thoshte të vërtetën, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Sepse është provuar shumë herë që nëpërmjet Revelacionit të tyre, atributeve dhe emrave të tyre shfaqen në botë Revelacioni i Perëndisë, emri dhe atributet e Tij...

Ndërsa Manifestimet revelojnë emrat dhe atributet e Perëndisë dhe janë mjetet me anën e të cilave njerëzimi gjen rrugën për tek dija e Perëndisë dhe e Revelacionit të Tij, Shoghi Effendi·u thotë se Manifestimet “kurrë ... nuk duhen njëjtësuar me atë Realitet të padukshëm, me Thelbin e vetë Hyjnisë”. Lidhur me Bahá’u’lláh·un, Ruajtësi ka shkruar se “tempulli njerëzor që ka qenë bartësi i një Revelacioni kaq të fuqishëm” nuk duhet njëjtësuar me “Realitetin” e Perëndisë.

Përsa i përket karakterit unik të pozitës së Bahá’u’lláh·ut dhe madhështisë së Revelacionit të Tij, Shoghi Effendi·u thotë se thëniet profetike lidhur me “Ditën e Perëndisë” që gjenden në Shkrimet e Shenjta të Dispensacioneve të kaluara, janë përmbushur me ardhjen e Bahá’u’lláh·ut:

Për Izraelin Ai ishte as më shumë e as më pak se mishërimi i “Atit të Përjetshëm”, “Zoti i Ushtrive” zbritur “me dhjetë mijë shenjtorë”; për Krishtërimin ishte Krishti i kthyer “në lavdinë e Atit”; për Islamin shiit ishte kthimi i Imam Hysenit; për Islamin sunit ishte zbritja e “Frymës së Perëndisë” (Jesu Krishti); për zoroastrianët ishte Sháh-Bahrám·i i premtuar; për Hindutë ishte ritrupëzimi i Krishnës; për budistët ishte Buda i Pestë.

Bahá’u’lláh·u cilëson pozitën e “Hyjnisë”, që Ai e ndan me të gjitha Manifestimet e Perëndisë, si

...pozita në të cilën ai vdes në veten e tij dhe jeton në Perëndinë. Hyjni, sa herë që Unë e përmend atë, do të thotë vetëfshirja Ime e plotë e absolute. Kjo është pozita në të cilën unë nuk kam kontroll as mbi vetë lumturinë time, as mbi fatkeqësinë time dhe as mbi jetën time ose rilindjen time.

Dhe përsa i përket raportit të vet me Perëndinë, Ai dëshmon:

Kur sodis, O Zoti im, raportin që më lidh mua me Ty, shtyhem t’u shpall të gjitha gjërave të krijuara “me të vërtetë, Unë jam Perëndia”; dhe kur unë shikoj vetë qenien time, ja, e gjej atë më të papunuar se balta!

161. pagimi i Zeqatit ¶146

Zeqati përmendet në Kuran si një detyrim i rregullt bamirësie për myslimanët. Me kalimin e kohës, koncepti mori formën e një takse lëmoshe, e cila impononte detyrimin që të derdhej për të ndihmuar të varfërit, për qëllime të ndryshme bamirësie dhe për të mbështetur Besimin e Perëndisë, një pjesë e përcaktuar e disa lloje të ardhurash tej kufijsh të caktuar. Kufiri i përjashtimit ndryshonte për artikuj të ndryshëm, po ashtu si dhe përqindja që duhej paguar për pjesën e tatueshme.

Bahá’u’lláh·u thotë se ligji Bahá’í i Zeqatit ndjek “atë që është reveluar në Kuran” (Py&Pë 107). Duke qenë se çështje të tilla si kufijt për përjashtimet, llojet e të ardhurave që kanë të bëjnë me këtë, shpeshtësia e pagesave dhe shkalla e taksave për kategoritë e ndryshme të Zeqatit nuk përmenden në Kuran, këto çështje duhet të shtjellohen në të ardhmen nga Shtëpia Universale e Drejtësisë. Shoghi Effendi·u ka vënë në dukje se, në pritje të një legjislacioni të tillë, besimtarët duhet të kontribuojnë rregullisht, sipas mjeteve e mundësive të tyre, në Fondin Bahá’í.

162. Është e paligjshme të lypësh dhe është e ndaluar t’i japish atij që lyp. ¶147

Në një Tabelë ‘Abdu’l-Bahá·i shpjegon domethënien e këtij vargu. Ai thotë se “lypësia është e ndaluar dhe se t’i japish lëmoshë atyre që e kanë bërë zanat të lypurit gjithashtu është e ndaluar”. Po në atë Tabelë Ai më tej vë në dukje se: “Qëllimi është të çrrënjoset krejtësisht lypësia. Por në qoftë se një person nuk është në gjendje të sigurojë jetesën, ndodhet në varfëri të thellë ose bëhet i paaftë për punë, atëherë është detyrë e të kamurve ose e Përfaqësuesve t’i sigurojnë atij një pagë mujore për të jetuar ... Me “Përfaqësues” nënkuptohen përfaqësuesit e popullit, domethënë anëtarët e Shtëpisë së Drejtësisë”.

Ndalimi për t’u dhënë lëmoshë njerëzve që lypin nuk përjashton që individë të ndryshëm dhe Asamble Shpirtërore t’u japin ndihmë ekonomike të varfërve e nevojtarëve ose t’u krijojnë atyre mundësi të fitojnë zhdërvjelltësi të tilla që t’i lejojnë të fitojnë jetesën (shih shënimin 56).

163. Një gjobë ... ka qenë caktuar më parë ... për cilindo që i shkaktonte hidhërim tjetrit ¶148

Bahá’u’lláh·u shfuqizon ligjin e Bayán·it Persian lidhur me pagimin e një gjobe zhdëmtimi nga ai që i shkakton hidhërim të afërmit.

164. Pema e shenjtë e Lotusit ¶148

“Pema e Shenjtë e Lotusit” është një referencë për Sadratul Muntaha, “Pema tej së cilës nuk kalohet” (shih shënimin 128). Këtu përdoret simbolikisht për të treguar Bahá’u’lláh·un.

165. Thuajini vargjet e Perëndisë çdo mëngjes e mbrëmje. ¶149

Bahá’u’lláh·u thotë se “kërkesa” thelbësore për të recituar “vargjet e Perëndisë” është “etja dhe dashuria” e besimtarëve për të “lexuar Fjalën e Perëndisë” (Py&Pë 68).

Përsa i përket përkufizimit “vargje të Perëndisë”, Bahá’u’lláh·u thotë se ai nënkupton “gjithçka që është dërguar nga Qielli i Fjalës Hyjnore”. Shoghi Effendi·u, në një letër shkruar një besimtari në Lindje, e ka sqaruar se termi “vargje të Perëndisë” nuk përfshin shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá·it; po kështu ai ka vënë në dukje se ky term nuk ka të bëjë me shkrimet e atij vetë.

166. Jeni urdhëruar të përtërini orenditë e pajimet e shtëpive tuaja pas kalimit të nëntëmbëdhjetë viteve ¶151

Bahá’u’lláh·u konfirmon urdhërin e Bayán·it Arab lidhur me përtëritjen çdo nëntëmbëdhjetë vjet të orendive e pajimeve të shtëpisë, me kusht që njeriu të jetë në gjendje ta bëjë këtë. ‘Abdu’l-Bahá·i e lidh këtë porosi me mbështetjen e sqimës e të pastërtisë. Ai shpjegon se qëllimi i këtij ligji është që të ndryshohen ato orendi e pajime që janë vjetëruar, që kanë humbur lustrën dhe ngjallin neveri. Ligji nuk zbatohet për gjëra të tilla si sende të rralla e me vlerë, antika e arturina.

167. Lani këmbët ¶152

Në Kitáb-i-Aqdas besimtarët nxiten të bëjnë banjë rregullisht, të veshin rroba të pastra dhe në përgjithësi të jenë thelbi i pastërtisë e i sqimës. Pasqyra Përmbledhëse e Kodifikimi, seksioni IV.D. y.i.-vii., përmbledh porositë përkatëse. Lidhur me larjen e këmbëve, Bahá’u’lláh·u thotë se është e parapëlqyer të përdoret ujë i ngrohtë; por edhe larja me ujë të ftohtë është gjithashtu e lejuar (Py&Pë 97).

168. Ju është ndaluar të përdorni amvona. Ai që dëshiron t’ju recitojë vargjet e Zotit të tij, le të ulet në një karrige të vendosur mbi një podium ¶154

Këto porosi kanë praktikat e tyre pararendëset në Bayán·in Persian. Báb·i e ka ndaluar përdorimin e amvonave për të bërë predikime e për të lexuar Tekstin. Ai, përkundrazi, e ka thënë posaçërisht që, për t’u dhënë mundësi të gjithëve të dëgjojnë qartë Fjalën e Perëndisë, duhej vendosur karrigia e folësit mbi një podium.

Duke komentuar këtë ligj, ‘Abdu’l-Bahá·i dhe Shoghi Effendi·u e kanë bërë të qartë se në Mashrikul Azkar (ku predikimet janë të ndaluara dhe vetëm fjalët e Shkrimeve të Shenjta mund të lexohen) lexuesi mund të qëndrojë në këmbë ose i ulur, dhe po qe e nevojshme, që të dëgjohet më mirë, mund të përdorë një podium të ulët e të lëvizshëm, por se amvonat nuk lejohen. Në rast mbledhjesh në vende të ndryshme nga Mashrikul Azkar-i, lejohet gjithashtu që lexuesi ose folësi të qëndrojë ulur ose në këmbë dhe të përdorë një podium. Në një prej Tabelave të Tij, duke ripërsëritur ndalimin për të përdorur amvona, ‘Abdu’l-Bahá·i ka theksuar se kur Bahá’í·të mbajnë fjalime në mbledhje, ata duhet ta bëjnë këtë duke mbajtur një qëndrim sa më të përunjur e vetmohues.

169. Kumari ¶155

Veprimtaritë që përfshihen në këtë ndalim nuk janë shtjelluar në Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut. Siç e kanë vënë në dukje si ‘Abdu’l-Bahá·i dhe Shoghi Effendi·u, i është lënë Shtëpisë Universale të Drejtësisë të përcaktojë hollësitë e këtij ndalimi. Në përgjigje të pyetjeve nëse lotaritë, bastet për gjëra të tilla si garat e kuajve dhe lojrat e futbollit, bingot e të tjera si këto përfshihen në ndalimin për kumarin, Shtëpia Universale e Drejtësisë ka vënë në dukje se kjo është një çështje që do të shihet me hollësi në të ardhmen. Ndërkohë, Asambletë dhe individët këshillohen të mos e bëjnë problem këtë dhe të lihet në ndërgjegjen e besimtarëve individualë të vendosin.

Shtëpia e Drejtësisë ka udhëzuar se nuk është e përshtatshme të shtohen fondet për Besimin me anë lotarish, shortesh e lojrash të fatit.

170. përdorimi i opiumit ... lëndë që shkaktojnë plogështi e topitje ¶155

Ky ndalim i përdorimit të opiumit është ritheksuar nga Bahá’u’lláh·u në paragrafin e fundit të Kitáb-i-Aqdas·it. Lidhur me këtë, Shoghi Effendi·u thotë se një nga kërkesat për “një jetë të dëlirë e të shenjtë” është “mospërdorimi i plotë ... i opiumit dhe i drogave të ngjashme që bëhen ves”. Heroina, hashashi dhe nënproduktet e tjera të kanabis si marijuana, si dhe lëndët halucinogjene si LSD, pejoti e lëndë të tilla të ngjashme, konsiderohet se i nënshtrohen këtij ndalimi.

‘Abdu’l-Bahá·i ka shkruar:

Përsa i përket opiumit, ai është i neveritshëm e i nëmur. Perëndia na ruajtë nga ndëshkimi që Ai i jep atij që e përdor. Teksti i Librit Më të Shenjtë e thotë shprehimisht se ai është i ndaluar dhe se përdorimi i tij është kryekëput i dënueshëm. Arsyeja tregon se të pish opium është një lloj çmendurie dhe përvoja dëshmon se ata që e përdorin janë krejt të izoluar nga mbretëria njerëzore. I ruajtë Zoti të gjithë nga kryerja e një veprimi kaq të shëmtuar si ky, që rrënon vetë themelet e çdo gjëje njerëzore dhe që e përmbys përjetë atë që e kryen. Sepse opiumi kapet fort pas shpirtit dhe kështu ndërgjegja e atij që e përdor vdes, mendja e tij shkatërrohet, perceptimet e tij gërryhen. Ai e bën të gjallin të vdekur. Ai shuan zjarrin e natyrshëm. Nuk ka dëm më të madh se ai që shkakton opiumi. Të lumtur janë ata që kurrë nuk përmendin as emrin e tij; mendo, pra, sa fatkeq është ai që e përdor atë.

O ju që e doni Perëndinë! Në ciklin e Perëndisë Fuqiplotë dhuna dhe forca, shtrëngimi dhe shtypja të gjitha dënohen. Prandaj është e detyrueshme që përdorimi i opiumit të parandalohet me të gjitha mjetet, në mënyrë që gjinia njerëzore të shpëtojë ndoshta nga plaga më e tmerrshme. Përndryshe, mjerim e vuajtje atij që e lë mangut detyrimin e tij ndaj Zotit të vet.

Në një prej Tabelave të Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i ka thënë lidhur me opiumin: “të gjithëve, atij që e përdor, atij që e blen dhe atij që e shet, u mohohet bujaria e hiri i Perëndisë”.

Në një Tabelë tjetër, ‘Abdu’l-Bahá·i ka shkruar gjithashtu:

Përsa i përket hashashit, ti ke vënë në dukje se disa persë janë mësuar ta përdorin. Perëndi i Mëshirshëm! Ky është më i keqi ndër lëndët dehëse dhe ndalimi i tij është reveluar shprehimisht. Përdorimi i tij shkakton shpërbërjen e mendimit dhe topitjen e plotë të shpirtit. Si është e mundur që ndokush të kërkojë frytin e pemës djallëzore dhe, duke e ngrënë atë, të mishërojë vetitë e një përbindëshi? Si është e mundur që ndokush të përdorë këtë drogë të ndaluar dhe kështu t’i mohojë vetes bekimet e Mëshirëplotit?

Alkooli rraskapit mendjen dhe e shtyn njeriun të kryejë veprime të pakuptimta, por opiumi, ky fryt i neveritshëm i pemës djallëzore, dhe ky hashash i ndyrë shuajnë mendjen, ngurtësojnë shpirtin, shkatërrojnë trupin dhe e lënë njeriun të dështuar e të humbur.

Duhet vënë në dukje se ndalimi i mësipërm për të përdorur disa lloje drogash nuk ndalon përdorimin e tyre kur jepen nga mjekë të kualifikuar si pjesë e një kure mjekësore.

171. “misteri i Ndryshimit të Madh në shenjën e Sovranit” ¶157

Shaykh Aḥmad-i-Aḥsá’í (1753-1831), themeluesi i Shkollës së Shaykhí·ve dhe i pari prej “yjeve binjakë që paralajmëruan ardhjen e Besimit të Báb·it”, profetizoi se me shfaqjen e të Premtuarit të gjitha gjërat do të ndryshonin, të fundit do të ishin të parët, të parët do të ishin të fundit. Bahá’u’lláh·u, në një prej Tabelave të Tij, i referohet “simbolit e aluzionit” të “misterit të Ndryshimit të Madh në Shenjën e Sovranit”. Ai thotë: “Me këtë ndryshim Ai ka bërë që të lartësuarit të përulen dhe të përulurit të lartësohen”, dhe kujton se “në ditët e Jesuit ata që ishin të shquar për diturinë e tyre, njerëzit e letrave e të fesë, e mohuan Atë, ndërsa peshkatarët e përvuajtur nxituan të pranoheshin në Mbretërinë” (shih gjithashtu shënimin 172). Për informacion të mëtejshëm lidhur me Sheik Ahmet Ahsai-n shih Lajmëtarët e Agimit [The Dawn-Breakers], kreu 1 dhe 1

172. “Gjashtën” e ngritur falë këtij “Elifi të Drejtë” ¶157

Në shkrimet e tij, Sheik Ahmet Ahsai e vinte shumë theksin te shkronja arabe “Váv”. Në Lajmëtarët e Agimit, Nabili thotë se kjo shkronjë “simbolizonte për Báb·in ardhjen e një cikli të ri të Revelacionit Hyjnor dhe që nga ajo kohë është përmendur nga Bahá’u’lláh·u në Kitáb-i-Aqdas në pasazhe të tilla si ‘misteri i Ndryshimit të Madh’ dhe ‘Shenja e Sovranit’ “.

Emri i shkronjës “Váv” përbëhet prej tri shkronjash: Váv, Elif, Váv. Sipas llogaritjes abxhad, vlera numerike e secilës prej këtyre shkronjave është respektivisht 6, 1 dhe Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij për një besimtar në Lindje jep një interpretim të këtij vargu të Aqdas·it. Ai thotë se “Elifi i Drejtë” i referohet ardhjes së Báb·it. Shkronja e parë, me vlerën gjashtë, që i paraprin Elifit, është një simbol i Dispensacioneve dhe Manifestimeve të mëparshme që i kanë paraprirë Báb·it, ndërsa shkronja e tretë, e cila gjithashtu ka vlerën numerike 6, përfaqëson Revelacionin suprem të Bahá’u’lláh·ut, që u shfaq pas Elifit.

173. Ju ndalohet të mbani armë, veçse kur është e domosdoshme ¶159

Bahá’u’lláh·u mbështet urdhërin që përmbahet në Bayán, i cili shpall të paligjshme mbajtjen e armëve, veçse po qe e domosdoshme. Përsa u përket rrethanave se kur për një njeri mund të jetë “e domosdoshme” të mbajë armë, ‘Abdu’l-Bahá·i ua lejon këtë besimtarëve për mbrojtje personale në një mjedis të rrezikshëm. Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, gjithashtu vë në dukje se në rast emergjence, kur nuk ka një forcë legale së cilës t’i drejtohesh, një Bahá’í është i justifikuar të mbrojë jetën e vet. Ka edhe një numër situatash të tjera, në të cilat armët janë të nevojshme dhe mund të përdoren në mënyrë të ligjshme; për shembull, në ato vende ku njerëzit gjuajnë për të siguruar ushqimin e veshmbathjen, si dhe në disa sporte si gjuajtja me hark, qitja në shenjë dhe skerma.

Në nivelin shoqëror, parimi i sigurimit kolektiv, i shpallur nga Bahá’u’lláh·u (shih Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut, 117) dhe i përpunuar nga Shoghi Effendi·u (shih letrat e Ruajtësit te Rendi Botëror i Bahá’u’lláh·ut), nuk nënkupton shfuqizimin e përdorimit të forcës, por parashtron “një sistem ku forca të bëhet shërbëtore e Drejtësisë” e që parashikon ekzistencën e një force paqeruajtëse ndërkombëtare, e cila “të sigurojë unitetin organik të gjithë Konfederatës”. Në Tabelën e Bishárát-it, Bahá’u’lláh·u shpreh shpresën se “mjetet e luftës në gjithë botën do të kthehen në mjete rindërtimi dhe se grindjet e konfliktet midis njerëzve do të zhduken”.

Në një Tabelë tjetër, Bahá’u’lláh·u thekson rëndësinë e miqësisë me pasuesit e të gjitha feve; Ai thotë gjithashtu se “ligji i luftës së shenjtë është fshirë nga Libri”.

174. ju lejohet të visheni me mëndafsh ¶159

Sipas zakonit islamik, ishte përgjithësisht e ndaluar që burrat të visheshin me mëndafsh, veçse në kohë lufte të shenjtë. Ky ndalim, i cili nuk bazohej në vargjet e Kuranit, u shfuqizua nga Báb·i.

175. Zoti ju ka liruar ... nga kufizimet që zbatoheshin më parë për veshjen dhe për prerjen e mjekrës. ¶159

Shumë rregulla për veshjet e kanë prejardhjen në ligjet e zakonet tradicionale të feve botërore. Për shembull, kleri shiit adoptoi për vete përdorimin e mbulesave të kokës e të rrobave të posaçme dhe, ndërkohë, ua ndaloi njerëzve përdorimin e veshjeve evropiane. Zakoni mysliman, në dëshirën e tij për të ndjekur shembullin e rrobave të Profetit, futi gjithashtu një numër kufizimesh lidhur me rregullimin e mustaqeve dhe gjatësinë e mjekrës.

Bahá’u’lláh·u i hoqi këto kufizime për veshjen dhe mjekrën. Ai ua lë çështje të tilla “gjykimit” vetjak dhe, në të njëjtën kohë, i fton besimtarët të mos i kalojnë kufijt e së hijshmes dhe të tregojnë përmbajtje në çdo gjë që ka të bëjë me veshjen.

176. O Tokë e Káf-it dhe e Rá-së! ¶164

Káf dhe Rá janë dy bashkëtingëlloret e para të Kirmán, që është emri i një qyteti dhe i një province të Iranit.

177. dallojmë atë që përhapet prej teje fshehurazi e tinëzisht. ¶164

Ky pasazh është një referencë për intrigat e një grupi Azalísh, pasues të Mírzá Yaḥyá·it (shih shënimin 190), që kanë lidhje me qytetin e Kirmán-it. Midis tyre ishin Mullá Ja‘far, djali i tij Shaykh Aḥmad-i-Rúḥí e Mírzá Áqá Khán-i-Kirmání (që të dy dhëndurë të Mírzá Yaḥyá·it, si dhe Mírzá Aḥmad-i-Kirmání. Ata jo vetëm kërkonin të dobësonin Besimin, por edhe u përzien në intriga politike që arritën kulmin me vrasjen e Náṣiri’d-Dín Sháh·ut.

178. Sillni ndërmend sheikun që e kishte emrin Muḥammad-Ḥasan ¶166

Shaykh Muḥammad-Ḥasan, një prej eksponentëve kryesorë të Islamit Shiit, nuk e pranoi Báb·in. Autor i shkrimeve të vëllimshme të jurisprudencës shiite, thuhet se ka vdekur aty nga viti 185

Nabili, në Lajmëtarët e Agimit, përshkruan takimin që u bë në Najaf midis Mullá ‘Alíy-i-Basṭámí·t, një prej Shkronjave të të Gjallit, dhe Shaykh Muḥammad-Ḥasan·it. Gjatë takimit, Mullá ‘Alí·u shpalli shfaqjen e Báb·it dhe ngriti lart fuqinë e Revelacionit të Tij. Me nxitjen e sheikut, Mulla Aliu u deklarua menjëherë heretik dhe u dëbua nga mbledhja. Ai u gjykua, u çua në Stamboll dhe u dënua me punë të rëndë.

179. një sitës gruri e elbi ¶166

Ky është një aluzion për Mullá Muḥammad Ja‘far Gandum-Pák-Kun, personin e parë në Isfahan që pranoi Besimin e Báb·it. Ai përmendet në Bayán·in Persian dhe lëvdohet si një që “veshi rrobën e dishepulltarisë”. Në Lajmëtarët e Agimit, Nabili përshkruan pranimin pa kushte të Mesazhit nga “sitësi i grurit” dhe mbrojtjen e zjarrtë të Revelacionit të ri nga ana e tij. Ai u bashkua me njësitin e mbrojtësve të Fortesës Shaykh Ṭabarsí dhe u vra gjatë rrethimit të saj.

180. Kini mendjen që fjala “Profet” të mos ju largojë nga ky Lajm Më i Madh ¶167

Bahá’u’lláh·u u tërheq vëmendjen njerëzve “me intuitë” të mos lejojnë që interpretimet e tyre të Shkrimeve të Shenjta t’i pengojnë të njohin Manifestimin e Perëndisë. Pasuesit e çdo feje janë prirur të lejojnë që adhurimi i tyre për Themeluesin e saj t’i bëjë ta shohin Revelacionin e Tij si Fjalën e fundit të Perëndisë dhe të mohojnë mundësinë e shfaqjes së një Profeti të mëvonshëm. Kështu ka ndodhur me Hebraizmin, Krishtërimin dhe Islamin. Bahá’u’lláh·u e mohon vlerën e këtij koncepti të karakterit përfundimtar qoftë për Dispensacionet e së kaluarës qoftë për atë të Vetin. Përsa u përket myslimanëve, Ai ka shkruar në Kitáb-i-Íqán se “pasuesit e Kuranit ... kanë lejuar që fjalët ‘Vula e Profetëve’ t’u veshin sytë”, “të errësojnë të kuptuarit e tyre dhe t’i privojnë ata nga favori i të gjitha dhuntive të Tij të shumëfishta”. Ai thotë se “kjo çështje ka qenë një provë e vështirë për gjithë njerëzimin” dhe vajton fatin e “atyre që, duke u kapur nga këto fjalë, nuk kanë besuar tek Ai Që është Reveluesi i tyre i vërtetë”. Báb·i i referohet po kësaj çështjeje kur paralajmëron: “Mos lejoni që emrat t’ju ndajnë si me perde nga Ai Që është Zoti i tyre, qoftë edhe emri Profet, sepse ai emër s’është veçse një krijim i fjalës së Tij”.

181. çdo referim ndaj “Mëkëmbësisë” të mos ju ndalojë të njihni sovranitetin e Atij Që është Mëkëmbësi i Perëndisë ¶167

Fjala e përkthyer këtu “Mëkëmbësí” në origjinalin arab është “viláya”, e cila ka një varg kuptimesh, që përfshijnë “mëkëmbësí”, “ruajtësí”, “protektorat” dhe “pasardhësí”. Kjo fjalë përdoret në lidhje me Vetë Perëndinë, me Manifestimin e Tij ose lidhur me ata që janë Pasardhës të caktuar të një Manifestimi.

Në këtë varg të Aqdas·it, Bahá’u’lláh·u paralajmëron të mos lejohet që koncepte të tilla ta verbojnë njeriun ndaj “sovranitetit” të Manifestimit të ri Hyjnor, “Mëkëmbësit të vërtetë të Perëndisë”.

182. Sillni ndërmend Karímin ¶170

Ḥájí Mírzá Karím Khán-i-Kirmání (1810–rreth 1873) ishte kryetari i vetëquajtur i komunitetit të shaykhí·ve pas vdekjes së Siyyid Káẓim·it, i cili ishte pasardhësi i caktuar i Sheik Ahmet Ahsai-t (shih shënimin 171 dhe shënimin 172). Ai ia kushtoi veten përhapjes së mësimeve të Sheik Ahmetit. Mendimet e shprehura prej tij u bënë objekt mosmarrëveshjesh si midis përkrahësve dhe kundërshtarëve të tij.

I konsideruar si një prej dijetarëve kryesorë e një prej autorëve më prodhimtarë të kohës së tij, shkroi libra e letra të shumta në fusha të ndryshme të dijes që kultivoheshin në ato kohë. Ai iu kundërvu në mënyrë aktive si Báb·it dhe Bahá’u’lláh·ut dhe i përdori traktatet e veta për të sulmuar Báb·in e Mësimet e Tij. Në Kitáb-i-Íqán, Bahá’u’lláh·u dënon tonin dhe brendinë e shkrimeve të tij dhe, për ta kritikuar, veçon një prej veprave të tij që përmban aluzione negative për Báb·in. Shoghi Effendi·u e përshkruan atë si “jashtë mase ambicioz e hipokrit” dhe tregon sesi ai “me kërkesë të posaçme të Shahut, kishte sulmuar poshtërsisht në një traktat Besimin e ri dhe doktrinat e tij”.

183. o njerëz të ditur të Bahá-it ¶173

Bahá’u’lláh·u lavdëron të diturit midis pasuesve të Vet. Në Librin e Besëlidhjes së Tij, Ai ka shkruar: “Të bekuar janë drejtuesit dhe të diturit midis njerëzve të Bahá-it”. Duke iu referuar kësaj thënieje, Shoghi Effendi·u ka shkruar:

Në këtë cikël të shenjtë të “diturit” janë, nga njëra anë, Duart e Kauzës së Perëndisë dhe, nga ana tjetër, mësuesit e përhapësit e Mësimeve të Tij që nuk kanë rangun e Duarve, por që kanë arritur një pozitë të shquar në punën e mësimit. Përsa u përket “drejtuesve”, ata janë anëtarët e Shtëpive Lokale, Kombëtare e Universale të Drejtësisë. Detyrat e secilit prej këtyre shpirtrave do të përcaktohen në të ardhmen.

Duart e Kauzës së Perëndisë ishin persona të caktuar nga Bahá’u’lláh·u dhe të ngarkuar me detyra të ndryshme, veçanërisht me atë të mbrojtjes e të përhapjes së Besimit të Tij. Në Memorials of the Faithful [Kujtime për Besnikët], ‘Abdu’l-Bahá·i ka përmendur besimtarë të tjerë të shquar si Duar të Kauzës dhe në Vullnetin e Testamentin e Tij ka përfshirë një porosi që e fton Ruajtësin e Besimit të caktojë Duar të Kauzës sipas gjykimit të tij. Shoghi Effendi·u në fillim ngriti pas vdekjes një numër besimtarësh në rangun e Duarve të Kauzës dhe gjatë viteve të fundit të jetës së tij caktoi në këtë pozitë gjithsej 32 besimtarë nga të gjitha kontinentet. Në periudhën midis vdekjes së Shoghi Effendi·ut më 1957 dhe zgjedhjes së Shtëpisë Universale të Drejtësisë më 1963, Duart e Kauzës drejtuan punët e Besimit në cilësinë e Kryeadministratorëve të Konfederatës Botërore embrionale të Bahá’u’lláh·ut (shih shënimin 67). Në nëntor 1964, Shtëpia Universale e Drejtësisë vendosi që ajo nuk mund të hartonte legjislacion për të bërë të mundur të caktonte Duar të Kauzës. Në vend të kësaj, me vendim të Shtëpisë së Drejtësisë më 1968, funksionet e Duarve të Kauzës për mbrojtjen dhe përhapjen e Besimit u shtrinë në të ardhmen me krijimin e Trupave Kontinentale të Këshilltarëve dhe më 1973 përmes ngritje së Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit, e cila e ka selinë në Tokën e Shenjtë.

Shtëpia Universale e Drejtësisë cakton Këshilltarët anëtarë të Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit dhe Këshilltarët Kontinentalë. Këshilltarët Kontinentalë caktojnë anëtarë të Trupave Ndihmëse. Të gjithë këta përfshihen në përkufizimin e të “diturve” të dhënë nga Shoghi Effendi·u në thënien e cituar më sipër.

184. për çdo gjë që nuk kuptoni në Librin drejtojuni Atij Që është degëzuar nga ky Trung i fuqishëm ¶174

Bahá’u’lláh·u e vesh ‘Abdu’l-Bahá·in me të drejtën për të inter-pretuar Shkrimet e Tij të shenjta (shih gjithashtu shënimin 145).

185. Shkolla e Njëshmërisë Transhendente ¶175

Në këtë varg dhe në ata që vinë menjëherë pas tij, Bahá’u’lláh·u përball njërën nga arsyet për të cilën disa prej Bábí-ve hodhën poshtë deklaratën e Tij se Ai është i Premtuari i Bayán·it. Ky refuzim bazohej në një Tabelë që Báb·i i drejtonte “Atij Që do të shfaqej”, prapa së cilës Báb·i kishte shkruar: “Ndriçofshin këtë letër në shkollën fillore shikimet e Atij Që Perëndia do Ta shfaqë”. Kjo Tabelë është botuar në Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e Báb·it.

Këta Bábí thonin që, përderisa Bahá’u’lláh·u ishte dy vjet më i madhe se Báb·i, ishte e pamundur që Ai ta merrte këtë Tabelë “në shkollën fillore”.

Bahá’u’lláh·u shpjegon këtu se kjo referencë është për ngjarje që kanë ndodhur në botët shpirtërore tej këtij rrafshi të ekzistencës.

186. Ne i pranuam vargjet e Perëndisë ... që Ai Na para-shtroi ¶175

Në Tabelën e Tij drejtuar “Atij Që do të shfaqet”, Báb·i e karakterizon Bayán·in si një ofertë të Tij për Bahá’u’lláh·un. Shih Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb·it.

187. O njerëz të Bayán·it! ¶176
Kjo është një referencë për pasuesit e Báb·it.

188. shkronjat L, T dhe B të bashkoheshin e të gërsheto-heshin ¶177

Shoghi Effendi·u, në disa letra të shkruara në emër të tij, ka shpjeguar domethënien e “shkronjave L, T dhe B”. Ato janë shkronjat e para të frazës “Le të bëhet”, e cila, thotë ai, “shpreh Fuqinë krijuese të Perëndisë, Që me anë të urdhërit të Tij bën që të gjitha gjërat të vinë në ekzistencë” dhe “fuqinë e Manifestimit të Perëndisë, forcën e Tij të madhe krijuese shpirtërore”.

Në origjinalin arabisht urdhërorja “Le të bëhet” është fjala “kun”, që përbëhet prej dy shkronjave “káf” dhe “nún”. Ato janë përkthyer nga Shoghi Effendi·u në mënyrën e mësipërme. Kjo fjalë është përdorur në Kuran si urdhëri i Perëndisë që thërret në ekzistencë krijimin.

189. ky Rend i ri Botëror ¶181

Në Bayán·in Persian, Báb·i thotë : “Lum ai që e mbërthen shikimin mbi Rendin e Bahá’u’lláh·ut dhe falënderon Zotin e tij. Sepse Ai me siguri do të shfaqet. Perëndia me të vërtetë e ka urdhëruar këtë në mënyrë të pakundërshtueshme në Bayán·in”. Shoghi Effendi·u e njëjtëson këtë “Rend” me sistemin që Bahá’u’lláh·u parashikon në Aqdas, në të cilin Ai dëshmon ndikimin e tij revolucionarizues mbi jetën e njerëzimit dhe revelon ligjet e parimet që drejtojnë funksionimin e tij.

Tiparet e “Rendit të ri Botëror” janë përvijuar në Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut e të ‘Abdu’l-Bahá·it, si dhe në letrat e Shoghi Effendi·ut e të Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Institucionet e Rendit Administrativ Bahá’í të sotëm, të cilat përbëjnë “bazën strukturore” të Rendit Botëror të Bahá’u’lláh·ut, do të piqen dhe do të shndërrohen në Konfederatën Botërore Bahá’í. Lidhur me këtë, Shoghi Effendi·u thotë se Rendi Administrativ “kur pjesët e tij përbërëse, institucionet e tij organike, të fillojnë të funksio-nojnë me efektshmëri e energjikisht, do të shpallë të drejtën e tij dhe do të tregojë aftësinë e tij që të shihet jo vetëm si bërthama, por si vetë modeli i Rendit të Ri Botëror, të destinuar të përfshijë, kur të vijë koha, mbarë njerëzimin”.

Për informacion të mëtejshëm mbi evoluimin e këtij Rendi të ri Botëror shih, për shembull, letrat e Shoghi Effendi·ut të botuara në Rendi Botëror i Bahá’u’lláh·ut.

190. O burim zvetënimi! ¶184

Kjo është një referencë për Mírzá Yaḥjá-në, të njohur si Ṣubḥ-i-Azal (Mëngjesi i Përjetësisë), një gjysmëvëlla më i ri i Bahá’u’lláh·ut, që u ngrit kundër Tij dhe iu kundërvu Kauzës së Tij. Mírzá Yaḥjá-i ishte emëruar nga Báb·i të shërbente si kryetar nominal i komunitetit Bábí, në pritje të shfaqjes së shpejti të të Premtuarit. Me nxitjen e Siyyid Muḥammad-i-Iṣfahání·t (shih shënimin 192), Mírzá Yaḥyá-i e tradhtoi besimin e Báb·it, doli me pretendimin se është pasardhësi i Tij dhe intrigoi kundër Bahá’u’lláh·ut, duke u përpjekur madje edhe ta vriste. Kur Bahá’u’lláh·u i deklaroi atij shprehimisht Misionin e Tij në Adrianopojë, Mírzá Yaḥyá-i iu përgjigj duke arritur deri aty sa të dilte me pretendimin se ai vetë ishte bartësi i një Revelacioni të pavarur. Pretendimet e tij më në fund u hodhën poshtë nga të gjithë me përjashtim të pak vetave, që u bënë të njohur si Azalí (shih shënimin 177). Shoghi Effendi·u e quan atë “Kryeshkelësi i Besëlidhjes së Báb·it” (shih Perëndia kalon pranë, kreu X).

191. kujto sesi të kemi ushqyer ditë e natë për t’i shërbyer Kauzës ¶184

Në Perëndia kalon pranë, Shoghi Effendi·u i referohet faktit që Bahá’u’lláh·u, i Cili ishte trembëdhjetë vjet më i madh se Mírzá Yaḥjá-i, e kishte këshilluar dhe ishte kujdesur për të në periudhën e rinisë së hershme e të pjekurisë së këtij.

192. Perëndia e ka mbërthyer atë që të çoi ty në rrugë të shtrembër. ¶184

Kjo është një referencë për Siyyid Muḥammad-i-Iṣfáhání-n, të cilin Shoghi Effendi·u e ka quajtur “Antikrishti i Revelacionit Bahá’í”. Ai ishte njeri i korruptuar nga karakteri e me ambicje të madhe vetjake, që e nxiti Mírzá Yaḥjá-në t’i kundërvihej Bahá’u’lláh·ut dhe të pretendonte për veten e tij rangun e profetit (shih shënimin 190). Edhe pse ishte pasues i Mírzá Yaḥjá-it, Siyyid Muhamet Isfahani u syrgjynos bashkë me Bahá’u’lláh·un në ‘Akká. Ai vazhdoi të nxiste e të komplotonte kundër Bahá’u’lláh·ut. Duke përshkruar rrethanat e vdekjes së tij, Shoghi Effendi·u ka shkruar në Perëndia kalon pranë:

Një rrezik i ri kërcënonte tani jetën e Bahá’u’lláh·ut. Megjithëse Ai në mjaft raste ua kishte ndaluar rreptësisht pasuesve të Tij, si gojarisht dhe me shkrim, çdo akt hakmarrjeje kundër torturuesve të tyre dhe kishte kthyer në Bejrut një arab të pandërgjegjshëm të ardhur nga një fe tjetër, i cili bluante në kokë të kryente hakmarrje për paudhësitë që kishte pësuar Prijësi i tij i shumëdashur, shtatë prej shokëve u orvatën fshehurazi dhe vranë tre prej persekutuesve të tyre, ndër të cilët ishin edhe Siyyid Muḥamad e Aqá Ján.

Shtangia që përfshiu komunitetin edhe ashtu të shtypur ishte e papërshkrueshme. Zemërimi i Bahá’u’lláh·ut nuk kishte kufi. Ai i shpreh në këtë mënyrë, në një Tabelë të reveluar pak kohë pasi qe kryer ky akt, emocionet e Tij: “Sikur Ne të përmendnim atë që Na ndodhi, qiejt do të çaheshin më dysh dhe malet do të shembeshin”. Në një rast tjetër Ai shkruajti: “Burgimi Im nuk mund të Më dëmtojë. Ajo që mund të Më dëmtojë është sjellja e atyre që Më duan, që pretendojnë se janë të lidhur me Mua, e megjithatë kryejnë atë që i bën zemrën Time dhe Pendën Time të rënkojnë”.

193. Zgjidhni një gjuhë të vetme ... adoptoni ... një shkrim të përbashkët. ¶189

Bahá’u’lláh·u urdhëron të adoptohen një gjuhë e një shkrim botëror. Shkrimet e Tij parashikojnë dy faza në këtë proces. Faza e parë është zgjedhja e një gjuhe ekzistuese ose të shpikur, e cila duhet të mësohet pastaj në të gjitha shkollat e botës si gjuhë ndihmëse e gjuhëve amtare. Qeveritë e botës nëpërmjet parlamenteve të tyre ftohen ta vënë në jetë këtë vendim të rëndësishëm. Faza e dytë, në një të ardhme të largët, do të ishte adoptimi i një gjuhe të vetme dhe i një shkrimi të përbashkët për të gjithë mbi tokë.

194. Ne kemi caktuar dy shenja të arritjes së moshës së pjekurisë të gjinisë njerëzore ¶189

Shenja e parë e arritjes së moshës së pjekurisë të njerëzimit që përmendet në Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut është lindja e një shkence të cilësuar si ajo “filozofi hyjnore” që do të përfshijë zbulimin e një hapi rrënjësor drejt shndërrimit të elementeve. Ky është një tregues i shkëlqimeve të përhapjes së ardhshme të jashtë¬zakonshme të dijes.

Përsa i përket shenjës “së dytë” që Bahá’u’lláh·u tregon se është reveluar në Kitáb-i-Aqdas, Shoghi Effendi·u thotë se Bahá’u’lláh·u, “... në Librin e Tij Më të Shenjtë, ka urdhëruar zgjedhjen e një gjuhe të vetme dhe adpotimin e një shkrimi të përbashkët për të gjithë mbi tokë, urdhër që kur të vihet në zbatim do të ishte, siç thotë Ai Vetë në atë Libër, një prej shenjave të ‘arritjes së moshës së pjekurisë të gjinisë njerëzore’ “.

Një shpjegim i mëtejshëm i këtij procesi të arritjes së moshës së pjekurisë të gjinisë njerëzore dhe të përparimit drejt pjekurisë jepet në thënien e mëposhtme të Bahá’u’lláh·ut:

Një prej shenjave të pjekurisë së botës është se askush nuk do të pranojë peshën e kurorës mbretërore. Kurora mbretërore do të mbetet pa askënd që të dojë të mbajë i vetëm peshën e saj. Ajo do të jetë dita në të cilën urtia do të shfaqet në gjirin e njerëzimit.

Shoghi Effendi·u e shoqëron arritjen e moshës së pjekurisë të gjinisë njerëzore me bashkimin e mbarë njerëzimit, me vendosjen e një konfederate botërore dhe me një stimulim të pashembullt të “jetës intelektuale, morale e shpirtërore të mbarë gjinisë njerëzore”.


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :