166. Qenia Madhore thotë: Qielli i mençurisë hyjnore është ndritur me dy yjet ndriçuese të konsultimit dhe të dhembshurisë. Këshillohuni ju së bashku për të gjitha çështjet, përderisa konsultimi është llamba e udhëheqjes që prin udhën dhe është dhuruesi i mirëkuptimit.
("Tabelat e Bahá'u'lláh-ut Reveluar pas Kitáb-i-Aqdas" [bot. i rev], (Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1982), fq. 168)
167. Thuaj: asnjeri nuk mund të arrijë pozitën e vet të vërtetë, veçse përmes drejtësisë së tij. Asnjë fuqi nuk ekziston, veçse përmes unitetit. Asnjë mirëqenie e begati s'mund të arrihet, veçse përmes konsultimit.
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Arabishtja)168. Konsultimi dhuron vetëdije më të madhe dhe e shndërron hamendjen në siguri. Ai është një dritë shkëlqyese e cila, në një botë të errët, prin udhën dhe udhëheq. Për çdo gjë ka dhe do vazhdojë të ketë një shkallë përsosmërie e pjekurie. Pjekuria e dhuntisë së mirëkuptimit manifestohet përmes konsultimit.
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)169. Të tilla çështje duhet të vendosen me anë të konsultimit dhe ajo që del prej konsultimit të atyre që janë zgjedhur, me të vërtetë është urdhri i Perëndisë, Ndihmësi në Rrezik, Vetëmbajtësi.
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)170. Në të gjitha gjërat është e nevojshme të konsultoheni. Kjo çështje duhet të theksohet me forcë prej teje, kështu që konsultimi të zbatohet prej të gjithëve. Qëllimi i asaj që është reveluar prej Pendës së Më të Lartit është që konsultimi të mund të zbatohet tërësisht midis miqve, përderisa ai është dhe do të jetë gjithmonë shkak vetëdijeje e zgjimi dhe burim mirësie e mirëqenieje.
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)171. Atyre u bie për detyrë të jenë të besuarit e të Mëshirshmit në mes të njerëzve dhe ta konsiderojnë vetveten si ruajtës të caktuar nga Perëndia për gjithçka që gjallon mbi tokë. Është detyrë për secilin prej tyre të këshillohen së bashku dhe të përkujdesen për interesat e shërbëtorëve të Perëndisë, për hatrin e Tij, ashtu siç përkujdesen për vetë interesat e tyre dhe të zgjedhin atë që është e duhur dhe e lavdërueshme. Kështu ju ka urdhëruar Zoti, Perëndia juaj, Zemërmiri, Falësi. Ruhuni se mos lini mënjanë atë që është reveluar qartësisht në Tabelën e Tij. Druajuni Perëndinë, O ju që shquani.
(Cituar në një letër të datës 5 Mars 1922 shkruar nga Shoghi Effendiu për Bahá'ít e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, botuar në "Administrata Bahá'í, Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", [bot. i rev.] (Wilmette: Trusti botues Bahá'í, 1977), fq. 21)
172. Nëse në grupin e parë të njerëzve që janë mbledhur, njëzëshmëria nuk arrihet, njerëz të rinj duhet të shtohen, mbas së cilës një grup i barabartë në numër me Emrin Më të Madh1 ose më pak ose më shumë do të zgjidhet nga mesi i tyre me short; prej këtej konsultimi do të rifillojë; cilido që të jetë rezultati duhet t'i bindeni. Nëse herën e dytë opinionet përsëri ndryshojnë, përsëriteni procesin për herë të tretë. Këtë herë bindjuni shumicës së votave. Me të vërtetë Ai drejton në Shtegun e drejtë atë që dëshiron.2
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Arabishtja dhe Persishtja)
Nga Shkrimet dhe Bisedat e 'Abdu'l-Bahá-it:174. Është detyrë për secilin që të mos ndërmarrë asnjë hap pa u konsultuar me Asamblenë Shpirtërore dhe ata pa asnjë dyshim duhet t'i binden me mish e me shpirt urdhrit të saj duke iu nënshtruar atij, që gjërat të mund të vihen në vend ashtu siç duhet dhe të rregullohen mirë. Përndryshe çdo person do të veprojë i pavarur dhe sipas kokës së tij, do të ndjekë dëshirat e veta dhe do ta dëmtojë Kauzën.
(Cituar në një letër të datës 5 Mars 1922 shkruar nga Shoghi Effendiu për Bahá'ít e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, botuar në "Administrata Bahá'í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932", fq. 21)
175. Kërkesat e para për ata që këshillohen së bashku janë dlirësia e motivit, rrezatimi i shpirtit, shkëputja nga gjithçka tjetër përveç Perëndisë, tërheqja ndaj Aromave të Tij Hyjnore, përulja e thjeshtësia midis të dashurve të Tij, durimi e vetëpërmbajtja në vështirësi dhe shërbimi ndaj Pragut të Tij të lartësuar. Nëse ata do të ndihmohen mirësisht për t'i fituar këto atribute, ngadhënjim prej Mbretërisë së paparë të Bahá do t'u dhurohet atyre... Anëtarët e saj duhet të këshillohen së bashku në mënyrë të tillë që të mos lindë shkak për prishje qejfi apo mosmarrëveshje. Kjo mund të arrihet kur çdo anëtar shpreh me liri absolute opinionin e vet dhe parashtron argumentin e tij. Nëse ndonjëri e kundërshton, ai në asnjë mënyrë nuk duhet të ndihet i lënduar, sepse udha e duhur nuk mund të zbulohet derisa çështjet të mos jenë diskutuar plotësisht. Shkëndija e ndritshme e së vërtetës del në dritë vetëm pas ndeshjes së pikëpamjeve të ndryshme. Nëse pas diskutimit merret njëzëshmërisht një vendim, mirë dhe shkëlqyeshëm; por në qoftë se, mos e dhëntë Zoti, ndryshmëri opinionesh dalin në pah, një shumicë zërash duhet të mbizotërojë.
(Cituar në një letër të datës 5 Mars 1922 shkruar nga Shoghi Effendiu për Bahá'ít e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, botuar në "Administrata Bahá'í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932," fq. 21-22)
176. ...Kushti i parë është dashuria dhe harmonia absolute midis anëtarëve të Asamblesë. Ata duhet të jenë krejtësisht të lirë prej ftohtësisë dhe duhet të manifestojnë në vetvete Unitetin e Perëndisë, pasi ata janë valët e një deti, pikëzat e një lumi, yjet e një qielli, rrezet e një dielli, pemët e një pemishteje, lulet e një kopshti. Nëse harmonia e mendimit dhe uniteti absolut nuk do të ekzistojnë, ai tubim do të shpërndahet dhe ajo Asamble do të kthehet në hiç. Kushti i dytë: Ata kur mblidhen së bashku duhet t'i kthejnë fytyrat e tyre drejt Mbretërisë në Lartësi dhe të kërkojnë ndihmë nga Mbretëria e Lavdisë. Më pas ata duhet të vazhdojnë të shprehin pikëpamjet e tyre me përkushtimin, kortezinë, dinjitetin, kujdesin dhe moderimin më të lartë. Ata për çdo çështje duhet të kërkojnë të vërtetën dhe të mos insistojnë në opinionin e tyre, pasi kokëfortësia dhe këmbëngulja në pikëpamjet e veta do të çojë përfundimisht në mosmarrëveshje e grindje dhe e vërteta do të mbetet e fshehur. Anëtarët e nderuar duhet t'i shprehin me liri të plotë mendimet e tyre dhe në asnjë mënyrë nuk është e lejueshme për njërin të nënvlerësojë mendimin e tjetrit, jo vetëm kaq, por ai duhet që me moderim të parashtrojë të vërtetën, e nëse dalin në pah ndryshmëri opinionesh, një shumicë zërash duhet të mbizotërojë dhe të gjithë duhet t'i binden e t'i nënshtrohen shumicës. Përsëri nuk lejohet që kushdoqoftë prej anëtarëve të nderuar të kundërshtojë ose të censurojë, qoftë brenda apo jashtë takimit, ndonjë vendim të arritur më parë, megjithëse ai vendim mund të mos jetë i drejtë, pasi një kritikim i tillë do të pengonte vënien në jetë të çdo vendimi. Shkurt, çfarëdolloj gjëje që është vendosur në harmoni dhe me dashuri e dlirësi motivi, rezultati i saj është dritë, dhe nëse gjurma më e vogël e ftohtësisë mbizotëron, rezultati do të jetë errësirë mbi errësirën... Në qoftë se kjo gjë konsiderohet kështu, ajo Asamble do të jetë e Perëndisë, përndryshe do të çojë në ftohtësi dhe armiqësim që vjen prej të Ligut... Nëse ata përpiqen me gjithë zemër t'i përmbushin këto kushte, Mirësia e Shpirtit të Shenjtë do t'u dhurohet atyre dhe ajo asamble do të bëhet qendra e bekimeve Hyjnore, ushtritë e konfirmimit Hyjnor do të vijnë në ndihmë të tyre dhe ata ditë për ditë do të marrin një vërshim të ri të Shpirtit."
(Cituar në një letër të datës 5 Mars 1922 shkruar nga Shoghi Effendiu për Bahá'ít e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, botuar në "Administrata Bahá'í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932", fq. 22-23)
177. Një shpirt i përkushtuar është më i preferuar ndaj njëmijë shpirtrave të tjerë. Nëse një numër i vogël njerëzish mblidhen me dashuri së bashku, me dlirësi dhe shenjtëri absolute, me zemrat e çliruara nga gjërat e kësaj bote, duke përjetuar emocionet e Mbretërisë dhe forcat e fuqishme magnetike të Hyjnorit dhe duke u bërë njësh në shoqërinë e tyre të lumtur, ky tubim do të ushtrojë ndikimin e tij mbi të gjithë botën. Natyra e atij grupi njerëzish, fjalët që ata flasin, veprat që ata bëjnë, do të kenë dhuntitë e Qiellit, duke dhënë një shije të lumturisë së përjetshme. Ushtritë e Kompanisë në lartësi do t'i mbrojnë ata dhe engjëjt e Parajsës Abhá, në vazhdimësi të pandalshme, do të zbresin poshtë për t'i ndihmuar.
("Përzgjedhje nga shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it" [bot. i rev.], (Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1982), sek. 39, fq. 81)
178. Nëse ata bien dakord për një çështje, edhe në qoftë se e kanë gabim, është më mirë sesa të mos bien dakord dhe të kenë të drejtë, pasi kjo ndryshmëri do të çojë në shkatërrimin e themelit hyjnor. Ndonëse njëri prej grupeve mund të ketë të drejtë dhe ata nuk bien në një mendje, kjo gjë do të bëhet shkaku i njëmijë gabimeve të tjera, por nëse ata bien dakord dhe që të dyja grupet e kanë gabim, meqë kjo është në unitet, e vërteta do të dalë në shesh dhe gabimi do të ndreqet.
("Besimi Botëror Bahá'í: Shkrime të zgjedhura të Bahá'u'lláh-ut dhe të 'Abdu'l-Bahá-it" (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1976), fq. 411)
179. Çështja e konsultimit është e një rëndësie të dorës së parë dhe një prej instrumentave më të fuqishëm që kontribojnë në qetësinë dhe lumturinë e njerëzve. Për shembull, kur një besimtar është në mëdyshje për punët e tij, ose kur ai kërkon t'i hyjë një projekti apo profesioni, miqtë duhet të mblidhen së bashku dhe të përvijojnë një zgjidhje për të. Ai, nga ana e tij, duhet të veprojë në përputhje me të. Në të njëjtën mënyrë për çështje më të mëdha, kur del në pah një problem, ose hasen vështirësi, të mençurit duhet të mblidhen, të konsultohen dhe të përvijojnë një zgjidhje. Ata më pas duhet të mbështeten mbi të Vetmin Perëndi të vërtetë dhe t'i dorëzohen Providencës së Tij, në çfarëdolloj mënyre që mund të shfaqet ajo, pasi padyshim konfirmimet hyjnore do t'i mbështesin ata. Pra konsultimi është një prej urdhëresave të shtjelluara të Zotit të njerëzimit.
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)180. Njeriu duhet të konsultohet për të gjitha çështjet, qofshin të mëdha apo të vogla, kështu që ai të mund të ketë dijeni për atë çka është e mirë. Konsultimi i jep atij aftësi shquese për gjërat dhe e mundëson atë që të gërmojë në çështje që janë të panjohura. Drita e së vërtetës shkëlqen prej fytyrave të atyre që angazhohen në konsultim. Një konsultim i tillë bën që ujërat jetësorë të rrjedhin në lëndinat e realitetit njerëzor, që rrezet e lavdisë së lashtë të shkëlqejnë mbi të, dhe që pema e qenies së tij të stoliset me frute të mrekullueshme. Megjithatë, anëtarët që konsultohen duhet të sillen me dashurinë, harmoninë dhe sinqeritetin më të madh kundrejt njëri-tjetrit. Parimi i konsultimit është një nga elementët më themelorë të ngrehinës hyjnore. Edhe në punët e tyre të rëndomta anëtarët individualë të shoqërisë duhet të konsultohen.
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)181. Çdonjëri prej miqve duhet ta ngrerë lart tjetrin dhe secili duhet ta konsiderojë vetveten si të parëndësishëm e si asgjë në praninë e të tjerëve. Në takim duhet të konsultohen të gjitha çështjet dhe çfarëdo qoftë vota e shumicës, ajo duhet zbatuar. Unë betohem për të Vetmin Perëndi të vërtetë, se është më mirë që të gjithë të bien dakord për një vendim të gabuar, sesa një votë e drejtë të veçohej nga të tjerat, përderisa votat e veçuara mund të bëhen burime grindjeje, të cilat çojnë në rrënim. Ndërsa, nëse në një rast ata marrin një vendim të gabuar, në njëqind raste të tjera ata do të miratojnë vendime të drejta, dhe harmonia e uniteti do të ruhen. Kjo do të kompensojë çdo mangësi dhe përfundimisht do të çojë në ndreqjen e gabimit.
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)182. Qëllimi i konsultimit është të tregojë se pikëpamjet e disa individëve janë sigurisht më të parapëlqyeshme ndaj atyre të një njeriu, ashtu si edhe fuqia e një numri njerëzish është më e madhe sesa fuqia e një njeriu. Në këtë mënyrë konsultimi është i pranueshëm në prezencën e të Gjithëfuqishmit dhe ju është urdhëruar besimtarëve, që ata të mund të rrahin mendimet për çështje të rëndomta dhe vetjake, si dhe për çështje që janë të përgjithshme në natyrë dhe universale.
Për shembull, kur një njeri ka një projekt për të zbatuar, nëse ai konsultohet me disa prej vëllezërve të tij, ajo që është e miratueshme, sigurisht, do të hetohet dhe do të shpaloset përpara syve të tij dhe e vërteta do të zbulohet. Po ashtu në një nivel më të lartë, nëse njerëzit e një fshati konsultohen me njëri-tjetrin për punët e tyre, zgjidhja e drejtë me siguri që do të zbulohet. Në të njëjtën mënyrë, anëtarët e secilit profesion, si psh. në industri, duhet të konsultohen dhe ata në tregti duhet që po ashtu të konsultohen për çështjet e biznesit. Shkurtimisht, konsultimi është i dëshirueshëm dhe i pranueshëm në të gjitha gjërat dhe për të gjitha çështjet.
(Cituar në letrën e datës 15 Shkurt 1922 shkruar nga Shoghi Effendiu për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Persisë )
183. Në lidhje me pyetjen tënde rreth konsultimit të Bábait me të birin, ose të birit me atin e tij në çështjet e zanatit dhe tregtisë, konsultimi është njëri prej elementëve bazë të themelit të Ligjit të Perëndisë. Një konsultim i tillë sigurisht që është i pranueshëm, qoftë në mes atit dhe birit, apo me të tjerë. Nuk ka asgjë më të mirë se kjo. Njeriu duhet të konsultohet për të gjitha gjërat, pasi kjo do ta udhëheqë atë në thellësitë e secilit problem dhe do ta aftësojë që të gjejë zgjidhjen e drejtë.
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)184. Anëtarët e nderuar të Asamblesë Shpirtërore duhet të bëjnë përpjekje me qëllim që të mos shfaqen ndryshmëri dhe nëse ndryshmëri të tilla shfaqen me të vërtetë, ato nuk duhet të arrijnë deri në atë pikë sa të shkaktojnë konflikt, urrejtje dhe antagonizëm, të cilët çojnë në kanosje. Kur vini re se është arritur në një fazë ku armiqësia dhe kërcënimet janë gati të shfaqen, ju menjëherë duhet ta shtyni diskutimin e subjektit, derisa grindjet, debatet dhe të thirrurat të zhduken dhe një atmosferë e favorshme të jetë pranë.
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)185. Vendosni për të gjitha gjërat, si të mëdha ashtu edhe të vogla, me konsultim. Pa konsultim paraprak, mos ndërmerrni asnjë hap të rëndësishëm për çështjet tuaja vetjake. Lidhuni me njëri-tjetrin. Ndihmoni projektet dhe planet e tjetrit. T'iu vijë keq për njëri-tjetrin. Asnjeri në të gjithë vendin le të mos mbetet në nevojë. Miqësohuni me njëri-tjetrin derisa të bëheni si një trup i vetëm, një dhe të gjithë...3
(Nga një Tabelë e përkthyer nga Persishtja)185/1. Çdo takim që organizohet duke patur si qëllim unitetin dhe harmoninë do të japë ndihmesën e vet në shndërrimin e të panjohurve në miq, të armiqve në të njohur dhe 'Abdu'l-Bahá do të jetë i pranishëm me zemrën dhe shpirtin e Tij në atë takim.
("Tabelat e Abdu'l-Bahá Abbas", vol. 2 (Çikago: Shoqëria Botuese Bahá'í, 1915), fq. 553)
186. Në këtë Kauzë konsultimi është i një rëndësie jetësore, por ajo çka nënkuptohet me këtë është një kuvendim shpirtëror dhe jo thjesht parashtrimi i pikëpamjeve vetjake. Në Francë isha i pranishëm në një sesion të senatit, por ajo që pashë nuk më bëri përshtypje. Procedura parlamentare duhet të ketë për objekt të vet arritjen e dritës së të vërtetës mbi çështjet e paraqitura dhe jo të krijojë një fushë beteje për kundërshtime dhe opinione vetjake. Antagonizmi dhe kontradiktat janë ndjellakeqe dhe gjithmonë shkatërruese për të vërtetën. Në takimin parlamentar që përmenda, sherri dhe grindjet e panevojshme për gjëra që s'ja vlente barra qiranë ishin të shpeshta; rezultati, më shumë pështjellim dhe trazirë; madje në një rast pati një përleshje fizike midis dy anëtarëve. Nuk ishte konsultim, por komedi.
Qëllimi është të theksojmë thënien se konsultimi duhet të ketë si objekt të vet kërkimin e së vërtetës. Ai që shpreh një opinion nuk duhet ta paraqesë atë si të saktë dhe të drejtë, por ta parashtrojë atë si një ndihmesë për konsensus të opinionit; pasi drita e realitetit bëhet e dukshme kur dy opinione përputhen. Një shkëndijë prodhohet kur stralli dhe çeliku përplasen së bashku. Njeriu duhet t'i peshojë opinionet e veta me kthjelltësinë, qetësinë dhe gjakftohtësinë më të madhe. Para se të shprehë pikëpamjet e veta, ai duhet të marrë në konsideratë me kujdes pikëpamjet e parashtruara tashmë prej të tjerëve. Nëse ai vë re se një opinion i shprehur më parë është më i vërtetë dhe më me vlera, ai duhet ta pranojë atë menjëherë dhe jo t'i përmbahet qëllimisht opinionit të tij. Nëpërmjet kësaj metode të shkëlqyer ai përpiqet të arrijë unitetin dhe të vërtetën. Kundërshtimi dhe ndarjet janë për të ardhur keq. Është më mirë atëhere të kemi opinionin e një njeriu të mençur dhe të urtë; përndryshe, kontradiktat dhe shamata, me të cilën paraqiten pikëpamje të ndryshme e të kundërta, do të bëjnë të nevojshme që për këtë çështje të vendosë një trup ligjvënës. Madje edhe një opinion i shumicës apo një konsensus mund të jetë i pasaktë. Një mijë njerëz mund t'i përmbahen një pikëpamjeje dhe ta kenë gabim, ndërsa një person i urtë mund të ketë të drejtë. Si rrjedhim, konsultimi i vërtetë është kuvendimi shpirtëror me një qëndrim dhe atmosferë dashurie. Anëtarët duhet ta duan njëri-tjetrin me shpirtin e miqësisë, në mënyrë që më pas të vijnë rezultate të mira. Dashuria dhe miqësia janë themeli bazë.
Rasti më i paharrueshëm i konsultimit shpirtëror ishte takimi i dishepujve të Jezu Krishtit në mal, pas ngjitjes së Tij në qiell. Ata thanë, "Jezu Krishti u kryqëzua dhe ne nuk kemi më shoqërim dhe marrdhënie me Të në trupin e Tij fizik; prandaj ne duhet t'i jemi besnikë dhe besimplotë Atij, t'i jemi mirënjohës dhe ta vlerësojmë Atë, sepse Ai na çoi ne prej të vdekurve, Ai na bëri të mençur, Ai na ka dhënë jetën e përjetshme. Çfarë duhet të bëjmë që t'i jemi besnikë Atij?" Dhe kështu ata u këshilluan. Njëri prej tyre tha, "Ne duhet ta shkëpusim veten nga prangat dhe zinxhirët e botës; përndryshe, ne nuk mund t'i mbetemi besnikë." Të tjerët u përgjigjën, "Po ashtu është." Një tjetër tha, "Ose ne duhet të martohemi dhe t'u qëndrojmë besnikë grave dhe fëmijëve tanë, ose t'i shërbejmë Zotit tonë, të lirë nga këto lidhje. Ne nuk mund të merremi me kujdesimin dhe sigurimin e ushqimit për familjet dhe në të njëjtën kohë të shpallim Mbretërinë nëpër vende të shkreta. Si rrjedhim, ata që janë të pamartuar le të mbesin të tillë, ndërsa ata që janë të martuar le të sigurojnë mjetet për mbajtjen dhe rehatimin e familjeve të tyre dhe pastaj të shkojnë për të përhapur mesazhin e lajmeve të gëzuara." Nuk kishte zëra kundërshtues; të gjithë ranë dakord, duke thënë, "Kjo është e drejtë." Një dishepull i tretë tha, "Që të kryejmë vepra të vlefshme në Mbretëri ne duhet të jemi edhe më vetësakrifikues. Që sot e tutje ne duhet të lemë mënjanë rehatinë dhe qetësinë trupore, të pranojmë çdo vështirësi, të harrojmë veten dhe të mësojmë Kauzën e Perëndisë." Kjo gjeti pranimin dhe aprovimin e gjithë të tjerëve. Përfundimisht një dishepull i katërt tha, "Ka edhe një aspekt tjetër të besimit dhe unitetit tonë. Për hatër të Jezusit ne do të rrihemi, burgosemi dhe syrgjynosemi. Ata mund të na vrasin. Le ta marrim këtë mësim tani. Le ta kuptojmë dhe të vendosim se megjithëse mund të rrihemi, të syrgjynosemi, të mallkohemi, të na pështyjnë dhe të na çojnë për të na vrarë, ne duhet t'i pranojmë të gjitha këto me gëzim, duke i dashur ata që na urrejnë e na plagosin." Të gjithë dishepujt u përgjigjën, "Sigurisht që kështu do bëjmë - jemi dakord; kjo është e drejtë." Pastaj ata zbritën nga maja e malit dhe secili shkoi në një drejtim të ndryshëm për të kryer misionin e tij hyjnor.
Ky ishte konsultim i vërtetë. Ky ishte konsultim shpirtëror dhe jo thjesht parashtrimi i pikëpamjeve vetjake në kundërshtimet dhe debatet parlamentare.
("Përhapja e Paqes Universale: Bisedat e bëra nga 'Abdu'l-Bahá gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada në 1912", bot. i dytë. (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1982), fq. 72-73
187. Detyra e parë e anëtarëve është të ndërtojnë unitetin dhe harmoninë e tyre, me qëllim që të përftojnë rezultate të mira. Nëse nuk ka unitet, apo Komiteti bëhet shkak për mungesë harmonie, pa dyshim, është më mirë që ai të mos ekzistojë fare...
Prandaj, kur uniteti i anëtarëve të Komitetit të jetë vendosur, detyra e tyre e dytë është të lexojnë vargjet dhe vendimet, të jenë në gjendje përkujtimi dhe vëmendjeje, që ata të mund ta shohin njëri-tjetrin tamam si të ishin në praninë e Perëndisë.
(Botuar në "Star of the West", vol. 8, nr. 9 (20 Gusht 1970), fq. 114)
Nga Shkrimet e Shoghi Effendi:188. Le të mbajmë parasysh gjithashtu se ideja qëndrore e Kauzës së Perëndisë nuk është autoriteti diktatorial, por miqësimi i përulur, jo pushteti arbitrar, por shpirti i sinqeritetit dhe konsultimi dashamirës. Asgjë që është mangët nga shpirti i një Bahá'í të vërtetë s'mund të shpresojë të pajtojë parimet e mëshirës dhe drejtësisë, të lirisë dhe nënshtrimit, të shenjtërisë së të drejtës së individit dhe vetëdorëzimit, të vigjilencës, pjekurisë dhe urtësisë nga njëra anë dhe të miqësimit, çiltërsisë dhe kurajos nga ana tjetër.
(23 Shkurt 1924 për Bahá'ít e Amerikës, botuar në "Administrata Bahá'í", fq. 63-64)
189. Detyrat e atyre që miqtë i kanë zgjedhur lirisht dhe me ndërgjegje si përfaqësuesit e tyre, janë jo më pak jetësore dhe detyruese sesa obligimet e atyre që i kanë zgjedhur ata. Funksioni i tyre nuk është të diktojnë, por të konsultohen, dhe të konsultohen jo vetëm në mes tyre, por sa më shumë që të jetë e mundur me miqtë që ata përfaqësojnë. Ata duhet ta shohin vetveten nën asnjë dritë tjetër, përveç asaj të të qenit instrumente të zgjedhura për një përfaqësim më efikas dhe dinjitoz të Kauzës së Perëndisë. Atyre kurrë nuk duhet t'iu shkojë ndër mend se janë ornamentet qendrore të trupit të Kauzës, qenësisht më superiorë se të tjerët përsa i përket kapacitetit apo meritave dhe të vetmit promotorë të mësimeve dhe parimeve të saj. Ata duhet ta kryejnë detyrën e tyre me përulësi të skajshme dhe të përpiqen përmes gjerësisë së mendimit të tyre, të ndjenjës së lartë të drejtësisë dhe të detyrës, të çiltërsisë, modestisë, të përkushtimit të tyre të plotë ndaj mirëqenies dhe interesave të miqve, të Kauzës dhe të njerëzimit, për të fituar jo vetëm mirëbesimin, mbështetjen dhe respektin e vërtetë të atyre që ata duhet t'u shërbejnë, por gjithashtu edhe nderimin e dashurinë e thellë të tyre. Ata në çdo kohë duhet të shmangin shpirtin e ekskluzivitetit, atmosferën e fshehtësisë, ta çlirojnë vetveten nga qëndrimet dominuese dhe të dëbojnë të gjitha format e paragjykimit dhe të pasionit në marrjen e vendimeve të tyre. Ata duhet që, përbrenda kufijve të gjykimit të matur e të mençur, të flasin kokë më kokë me miqtë, t'i venë ata në dijeni për planet e tyre, të ndajnë me ta problemet e shqetësimet që kanë dhe të kërkojnë mendimet e këshillat e tyre. Dhe kur atyre u bëhet thirrje për të marrë një vendim të caktuar, ata duhet që, pas një konsultimi të paanshëm, të etshëm dhe të përzemërt, t'i kthehen duke u lutur Perëndisë dhe me zell, bindje të patundur e kurajo të japin votën e tyre dhe t'i binden zërit të shumicës, i cili siç na është thënë nga Mjeshtri ynë, është zëri i së vërtetës, që kurrë s'duhet sfiduar dhe gjithmonë duhet të vihet në jetë me gjithë zemër. Këtij zëri miqtë duhet t'i përgjigjen nxehtësisht dhe ta konsiderojnë atë si mjetin e vetëm që mund të sigurojë mbrojtjen dhe përparimin e Kauzës.
(23 Shkurt 1924, për Bahá'ít e Amerikës, botuar në "Administrata Bahá'í", fq. 64)
190. Jo rrallë, madje shpesh, më i thjeshti, i pamësuari dhe i papërvoji midis miqve, përmes forcës së dlirë frymëzuese të përkushtimit të zjarrtë dhe vetëmohues, do të japë një kontribut të shquar e të paharruar në një diskutim tepër të ndërlikuar në cilëndo asamble.
(29 Janar 1925, për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, botuar në "Administrata Bahá'í", fq. 79)
191. Me të vërtetë dëshira më e çmuar e Mjeshtrit tonë 'Abdu'l-Bahá ka qenë gjithmonë që miqtë në këshillat e tyre, qofshin lokale apo kombëtare, duhet që përmes çiltërsisë së tyre, ndershmërisë së qëllimit, njëshmërisë së mendjes dhe tërësisë së diskutimeve të tyre të arrijnë njëzëshmëri për të gjitha gjërat.
(29 Janar 1925, për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, botuar në "Administrata Bahá'í", fq. 80)
192. Konsultimi, i sinqertë dhe i pandrydhur, është tabani i këtij Rendi unik.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut, bashkangjitur një letre të datës 18 Nëntor 1933, shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë)
Nga Letrat e shkruara në emër të Shoghi Effendiut4:
193. Në lidhje me pjesëmarrjen e individëve të caktuar në takimin e Asambleve me ftesën e këtij trupi: Këtë Shoghi Effendiu e konsideron si këshillë eksperti, e cila është absolutisht e nevojshme për një administrim të mirë. Anëtarët e Asamblesë nuk është e thënë të dinë gjithçka për çdo subjekt, kështu që ata mund të ftojnë një person, i cili ka përvojë në lidhje me atë çështje, të marrë pjesë në takimet e tyre dhe të shpjegojë pikëpamjet e tij. Por natyrisht ai nuk do të ketë të drejtë vote.
(23 Tetor 1926 për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë, botuar tek "Shpalosja e Fatit: Mesazhe nga Ruajtësi i Besimit Bahá'í për Komunitetin Bahá'í të Ishujve Britanike" (Londër: Trusti Botues Bahá'í, 1981), fq. 59 )
194. Shpesh na është thënë nga Mjeshtri se në rrethana të tilla ne duhet të konsultohemi me miqtë tanë, veçanërisht me Asambletë dhe të kërkojmë këshillën e tyre. Do të ishte mirë nëse ju do ta ndiqnit atë këshillë dhe bisedoni kokë më kokë me disa nga miqtë tuaj. Ndoshta vullneti i Perëndisë arrihet në mënyrën më të mirë nëpërmjet konsultimit.
(12 Nëntor 1930)195. Me konsultimin e duhur me siguri që do të gjendet ndonjë mënyrë. Nuk është nevoja të presim derisa të formohet një Asamble për të filluar konsultimin. Pikëpamja e dy shpirtrave të zellshëm është gjithmonë më e mirë se e njërit.
(16 Qershor 1932)196. Parimi i konsultimit, i cili përbën një nga ligjet bazë të Administrimit, duhet të zbatohet për të gjitha veprimtaritë Bahá'í që ndikojnë interesat kolektive të Besimit, sepse mënyra sesi Kauza mund t'i ruajë dhe t'i çojë më tej më së miri interesat e veta është përmes bashkëpunimit e këmbimit të vazhdueshëm të mendimeve dhe pikëpamjeve. Nisma individuale, aftësia vetjake dhe gjetja e rrugëdaljeve, megjithëse janë të domosdoshme, nëse nuk mbështeten e pasurohen nga përvojat kolektive dhe mençuria e grupit, mbeten krejtësisht të paafta për t'i dalë mbanë një detyre të tillë madhështore.
(30 Gusht 1933)197. Besimtarët duhet të kenë besim të plotë në udhëzimet dhe urdhrat e Asamblesë së tyre edhe në qoftë se ata s'janë të bindur për drejtësinë apo saktësinë e tyre. Sapo Asambleja, me anë të një shumice votash të anëtarëve të saj merr një vendim, miqtë duhet t'i binden atij me gatishmëri. Veçanërisht ata anëtarë përbrenda Asamblesë që s'janë dakort, opinioni i të cilëve është i kundërt me atë të shumicës së bashkanëtarëve të tyre, duhet të japin një shembull të mirë përpara komunitetit, duke sakrifikuar pikëpamjet e tyre vetjake për hatër të bindjes ndaj parimit të votës së shumicës, i cili përbën bazën e funksionimit të të gjitha Asambleve Bahá'í.
Por përpara se shumica e Asamblesë të marrë një vendim, nuk është vetëm e drejta, por edhe detyrimi i shenjtë i çdo anëtari që të shprehë lirisht dhe hapur pikëpamjet e tij, pa u trembur se mos Mirzasë apo ftohë ndonjë prej bashkanëtarëve të tij. Duke marrë në konsideratë këtë parim të rëndësishëm administrativ të konsultimit të hapur e të sinqertë, Ruajtësi do t'iu këshillonte që të hiqni dorë nga metoda ku anëtarëve të tjerë iu kërkohet të thonë opinionin dhe sugjerimet tuaja. Kjo mënyrë indirekte e shprehjes së pikëpamjeve tuaja ndaj Asamblesë jo vetëm që krijon një atmosferë fshehtësie e cila është tepër e huaj për shpirtin e Kauzës, por do të çonte gjithashtu në shumë keqkuptime e ndërlikime. Anëtarët e Asamblesë duhet të kenë kurajon e bindjeve të tyre, por duhet që gjithashtu të shprehin bindje të plotë e me gjithë zemër ndaj gjykimit të menduar mirë dhe udhëzimeve të shumicës së bashkanëtarëve të tyre.
(28 Tetor 1935)198. Përmes ndeshjes së opinioneve vetjake, siç është shprehur 'Abdu'l-Bahá, shkëndija e së vërtetës ka dalë shpesh në dritë, dhe udhëheqja Hyjnore është shfaqur. Miqtë si rrjedhim nuk duhet të ndihen të shkurajuar nga ndryshmëritë e opinioneve që mund të mbizotërojnë midis anëtarëve të një Asambleje, pasi këto, siç e ka treguar përvoja dhe siç e dëshmojnë fjalët e Mjeshtrit, plotësojnë një funksion të vlefshëm në të gjitha vendimet e Asamblesë. Por sapo opinioni i shumicës të jetë bërë i qartë, të gjithë anëtarët duhet që automatikisht dhe pa rezerva t'i binden dhe besnikërisht ta venë atë në jetë. Sidoqoftë durimi dhe përmbajtja duhet të karakterizojnë në çdo kohë diskutimet dhe vendimet e përfaqësuesve të zgjedhur të komunitetit lokal dhe në asnjë rrethanë të mos teprohet me diskutime të pafrutshme dhe për hiçmosgjë.
(18 Prill 1939)199. Në pyetjen tuaj të fundit, lidhur me rastet kur ata që nevojiten për konsultim nuk mund të gjenden dhe një person është në mëdyshje për rrugën që duhet ndjekur në një çështje të rëndësishme, ju pyesni nëse është e lejueshme për të t'i drejtohet për ndihmë praktikës së "istikhárih"5 duke përdorur Kitáb-i-Aqdas. Ruajtësi është shprehur se në raste të tilla ajo çka është e nevojshme dhe thelbësore është që personi të kthejë zemrën e tij tërësisht drejt Perëndisë dhe të përgjërojë ndihmë nga Burimi i Mirësisë dhe frymëzimit e asgjë më tepër. Nëse është e mundur të shtyhet vendimi, kjo do të ishte e parapëlqyer dhe do të ishte dhe më mirë po të veprohej kështu derisa të gjenden mjetet për konsultim.
(23 prill 1941 - përkthyer nga Persishtja)200. Mjeti i shërimit ndaj mungesës së harmonisë së Asamblesë nuk mund të jetë tek dorëheqja apo mënjanimi i ndonjërit prej anëtarëve të saj. Ajo duhet të mësojë të vazhdojë të funksionojë në tërësi, pavarësisht nga elementët shqetësues, përndryshe krejt sistemi do të diskreditohet nëpërmjet paraqitjes së përjashtimeve nga rregullat.
Besimtarët, që e duan Kauzën mbi gjithçka tjetër dhe venë interesat e saj të parat, duhet të jenë të gatshëm të durojnë vështirësitë që dalin përpara, të çfarëdolloj natyre qofshin ato. Vetëm përmes një këmbënguljeje dhe vetësakrifikimi të tillë, mund të shpresojmë të ruajmë nga njëra anë institucionet tona hyjnore të pacënuara dhe nga ana tjetër ta detyrojmë veten për t'u bërë më fisnikë, instrumenta më të mirë për t'i shërbyer këtij Besimi të lavdishëm.
(20 Nëntor 1941)201. Pyetjet që ju shtroni në letrën tuaj rreth udhëzimit individual kanë dy aspekte, po ta themi kështu. Është mirë që njerëzit të kthehen për nga Perëndia dhe t'i përgjërohen ndihmës së Tij në zgjidhjen e problemeve dhe drejtimin e veprimeve të tyre, madje për çdo ditë të jetëve të tyre, nëse ata kanë dëshirë për ta bërë këtë. Por ata s'mund t'ua imponojnë atë që ata ndiejnë të jetë udhëzimi i tyre ndonjë tjetri, aq më pak Asambleve apo Komiteteve, pasi Bahá'u'lláh-u e ka diktuar shprehimisht ligjin e konsultimit dhe kurrë nuk ka treguar se ndonjë gjë tjetër mund t'ia zerë vendin atij.
(25 Janar 1943)202. Ruajtësi këshillon që ju duhet t'i drejtoheni doktorëve të tjerë dhe të pasoni votën e shumicës.6
(14 Shkurt 1945 - përkthyer nga Arabishtja)203. Ju keni theksuar se në grupet konsultative nga një herë mund të ndodhë që në një rast të caktuar pikëpamja e njërit prej anëtarëve është më e mirë dhe ka merita më të mëdha se ajo e të tjerëve, por këta anëtarë nuk janë të përgatitur për ta pranuar një pikëpamje të tillë. Ruajtësi u shpreh se është e nevojshme dhe urgjente të konsultoheni sinqerisht dhe me motive të dlira para se të merrni një vendim. Sapo të merret vendimi, është detyrë për të gjithë që të pasojnë pikëpamjen e shumicës dhe ta zbatojnë e ta venë atë në veprim edhe nëse ky vendim është i gabuar.
(1 Shkurt 1946 - përkthyer nga Persishtja)204. Ne të gjithë kemi të drejtë për të pasur opinionet tona, ne jemi bërë të mendojmë në mënyrë të ndryshme; por një Bahá'í duhet të pranojë vendimin e shumicës së Asamblesë së tij, duke e kuptuar se pranimi dhe harmonia - edhe nëse është bërë ndonjë gabim - janë gjëra me të vërtetë të rëndësishme, dhe se kur ne i shërbejmë Kauzës si duhet, sipas mënyrës Bahá'í, Perëndia do t'i ndreqë gabimet tona në fund.
...Bahá'íve nuk u kërkohet të votojnë në një Asamble kundër ndërgjegjes së tyre. Është më mirë nëse ata i nënshtrohen pikëpamjes së shumicës, duke e bërë atë të njëzëshme. Por ata s'janë të detyruar ta bëjnë këtë gjë. Megjithatë, ajo çka ata duhet të bëjnë është t'i përmbahen vendimit të shumicës, pasi kështu ai bëhet efektiv. Ata nuk duhet të shkojnë poshtë e përpjetë duke dëmtuar Asamblenë me thëniet se ata nuk qenë dakord me shumicën. Me fjalë të tjera, ata duhet të vënë të parën Kauzën dhe jo opinionet e tyre vetjake. Ai (një anëtar i Asamblesë Shpirtërore) mund t'i kërkojë Asamblesë ta rishqyrtojë çështjen, por nuk ka të drejtë t'i detyrojë ata apo të krijojë mos'harmoni, ngaqë ata nuk ndryshojnë. Votat unanime janë të parapëlqyera, por sigurisht ato nuk mund t'u imponohen anëtarëve të Asamblesë me metoda artificiale të ngjashme me ato që përdoren nga shoqata të tjera.
(19 Tetor 1947)205. Bahá'ít duhet të mësojnë t'i harrojnë personalitetet dhe ta mposhtin dëshirën - kaq natyrale për njerëzit - të hidhen në një krah dhe të luftojnë për të. Ata duhet gjithashtu që të mësojnë të përdorin me të vërtetë parimin e madh të konsultimit.
(30 Qershor 1949 për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë dhe Austrisë botuar tek "Drita e Udhëheqjes Hyjnore: Mesazhe nga Ruajtësi i Besimit Bahá'í për Bahá'ít e Gjermanisë dhe Austrisë" [Vol. 1], (Hofheim-Langenhain: Bahá'í-Verlag, 1982) fq. 152)
206. Nuk ka vota kundër në Kauzë. Kur shumica e një Asambleje vendos për një çështje, pakica, na ka thënë Mjeshtri, duhet ta pranojë këtë. Të këmbëngulësh për regjistrimin e votës kundër të dikujt nuk është gjë e mirë dhe nuk u shërben qëllimeve konstruktive.
(19 Mars 1950)207. Ruajtësit i vjen keq që, në dritën e thënies së Mjeshtrit se vendimet e Asambleve duhet të jenë sekrete dhe konfidenciale, nuk është e mundur që një anëtar që s'është në Asamble të marrë pjesë në takimet e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare. Ju gjithmonë duhet të mbani mend se në çështje parimore nuk mund të ketë devijim; në Amerikë mund të jetë e mundur për ju të gjeni një besimtar krejtësisht të besueshëm; por nëse Asamblesë suaj i lejohet të ketë sekretarë që s'janë anëtarë të Asamblesë, atëhere të njëjtin privilegj duhet ta gëzojnë edhe Asambletë orientale e Latino Amerikane; dhe a munden këto vende të tjera të jenë të sigurta se do gjejnë njerëz të atij kalibri që keni gjetur ju? Tema tepër vetjake, dëmprurëse për nderin dhe lumturinë e të tjerëve, shtrohen shpesh prej Asambleve Kombëtare dhe rreziku që konfidenca të tradhëtohet është tashmë i madh edhe me nëntë përfaqësuesit e zgjedhur nga i gjithë Komunitetit, le më pastaj të prezantojmë anëtarë që nuk janë në Asamble. Juve do t'iu duhet t'i bëni procesverbalet tuaja pak më të ngjeshura dhe të sakrifikoni, nëse është e nevojshme, një sasi të caktuar efikasiteti me qëllim që t'i përmbaheni këtij parimi shumë të rëndësishëm.
(5 Korrik 1950 për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)
Nga letrat e shkruara prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë:
208. Megjithëse Asambletë Shpirtërore Lokale janë përgjegjëse parësore për t'u këshilluar me besimtarët në lidhje me probleme vetjake, mund të ketë raste, kur sipas gjykimit të Asamblesë Kombëtare apo Lokale do të jetë e parapëlqyeshme t'u caktohen detyra këshilluese apo sqaruese individëve ose komiteteve. Kjo gjë i takon Asamblesë të vendosë.
(27 Mars 1966 për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Bolivisë)
209. Është e rëndësishme të kuptojmë se shpirti i konsultimit Bahá'í është shumë i ndryshëm nga ai që përdoret në proçeset vendim marrëse të organizmave jo-Bahá'í.
Ideali i konsultimit Bahá'í është që të arrijë në një vendim të njëzëshëm. Kur kjo nuk është e mundur duhet të kryhet votimi. Sipas fjalëve të Ruajtësit të shumëdashur: "...kur atyre u bëhet thirrje për të marrë një vendim të caktuar, ata duhet që, pas një konsultimi të paanshëm, të etshëm dhe të përzemërt, t'i kthehen duke u lutur Perëndisë dhe me zell, bindje të patundur e kurajo të japin votën e tyre dhe t'i binden zërit të shumicës, i cili siç na është thënë nga Mjeshtri ynë është zëri i së vërtetës, që kurrë s'duhet sfiduar dhe gjithmonë duhet të vihet në jetë me gjithë zemër".
Sapo merret një vendim ai bëhet vendim i gjithë Asamblesë, jo vetëm thjesht i atyre anëtarëve që në këtë rast i përkisnin shumicës.
Kur propozohet që një çështje të hidhet në votë, një anëtar i Asamblesë mund të ndiejë se ka fakte apo pikëpamje shtesë të cilat duhen shqyrtuar para se ai ta ndajë mendjen dhe të votojë zgjuarsisht për propozimin. Këtë ndjenjë ai duhet t'ia shprehë Asamblesë dhe i përket kësaj të fundit të vendosë nëse nevojitet apo jo një konsultim i mëtejshëm përpara votimit.
Sa herë që vendoset për të votuar mbi një propozim, ajo çka kërkohet është që të merret vesh sesa anëtarë janë në favor të tij; nëse kjo është shumica e atyre që janë të pranishëm, mocioni zbatohet; nëse është pakica, mocioni hidhet poshtë. Kështu e gjithë çështja e "abstenimit" as që ngrihet në votimin Bahá'í. Një anëtar që nuk voton në favor të një propozimi, efektivisht voton kundër tij, edhe nëse për momentin ai vetë ndihet se nuk mund ta ndajë mendjen për këtë çështje.
(6 Mars 1970 për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Kanadasë)
210. Letra juaj e 14 Shkurtit 1973 që pyeste për përdorimin e konsultimit Bahá'í u mor.
Natyrisht, kjo është një çështje në të cilën ngurtësia duhet shmangur.
Kur një besimtar ka një problem në lidhje me të cilin ai duhet të marrë një vendim, ai ka disa rrugë të hapura para tij. Nëse kjo është një çështje që ndikon mbi interesat e Besimit, ai duhet të konsultohet me Asamblenë apo komitetin përkatës, por individët kanë shumë probleme të cilat janë krejt vetjake dhe nuk është e detyrueshme për ta që t'i ngrenë këto probleme në institucionet e Besimit; dhe vërtet, kur nevojat e punës mësimdhënëse janë të një urgjence kaq të madhe, është më mirë në qoftë se miqtë nuk i rëndojnë Asambletë e tyre me probleme vetjake të cilët ata mund t'i zgjidhin vetë.
Një Bahá'í që ka një problem mund të dëshirojë të vendosë vetë lidhur me të pas lutjes dhe pas peshimit të të gjitha aspekteve të tij në mendjen e vet; ai mund të parapëlqejë të kërkojë këshillën e miqve të tij apo të këshilltarëve profesionalë siç është mjeku apo avokati i tij, me qëllim që të mund ta ketë parasysh këtë këshillë kur të marrë vendimin e vet; ose në një rast ku përfshihen një numër njerëzish, si psh. në një situatë familjare, ai mund të dojë t'i mbledhë bashkë ata që kanë të bëjnë me atë problem, me qëllim që të marrin një vendim kolektiv. Gjithashtu nuk ka asnjëlloj pengese që një Bahá'í t'i kërkojë një grupi njerëzish të konsultohen së bashku për një problem që i ka dalë para.
Duhet patur parasysh se krejt konsultimi ka për qëllim të arrijë në gjetjen e një rrugëzgjidhjeje për problemin dhe ndryshon shumë nga lloji i grupit që zbraz krejt shpirtin e që është i përhapur në disa qarqe këto kohë dhe që i afrohet atij lloj rrëfimi që është i ndaluar në besim. Por subjektin e rrëfimit, sekretari i Ruajtësit i ka shkruar në emër të tij një besimtari individual: "Ne na ndalohet t'i rrëfejmë ndonjë personi mëkatet e mangësitë tona, siç bëjnë Katolikët me priftërinjtë e tyre, e as ta bëjmë këtë gjë publikisht, siç bëjnë disa sekte fetare. Megjithatë, nëse ne dëshirojmë spontanisht të pranojmë se kemi gabuar për diçka, apo se kemi ndonjë të metë në karakter duke kërkuar ndjesën apo faljen e një personi, ne jemi të lirë të veprojmë kështu. Sidoqoftë, Ruajtësi dëshiron të theksojë se ne s'jemi të obliguar për ta bërë këtë gjë. Kjo varet tërësisht nga individi."
(19 Mars 1973 për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Kanadasë)
Nga një letër e shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë:
211. Thënia që ti citon7 në paragrafin e dytë të letrës tënde është marrë nga një Tabelë e 'Abdu'l-Bahá-it e cila iu ishte adresuar prej Tij miqve në Þihrán në një kohë kur, pa dijeninë dhe lejen e Asamblesë Shpirtërore dhe në kundërshtim me rregullat e qeverisë, njëri nga miqtë mori përsipër shtypjen e Kitáb-i-Aqdasit. Udhezimet e 'Abdu'l-Bahá-it të cilat ju i citoni u botuan me atë rast dhe në atë konteks.
Shtëpia Universale e Drejtësisë ka theksuar se, kur Shoghi Effendiu rradhit funksionet e Asamblesë Shpirtërore Lokale tek "Administrata Bahá'í" faqe 37, ai tregon se çështjet lokale që duhen referuar në Asamblenë Shpirtërore lokale janë ato që "i përkasin Kauzës". Sigurisht, kjo nuk do të thotë se problemet vetjake s'mund t'i referohen Asambleve Bahá'í. Asambleja Shpirtërore Lokale, sidoqoftë, nuk është institucioni apo agjencia e vetme së cilës miqtë mund t'i drejtohen për konsultim në lidhje me çështjet vetjake. Konsultime të tilla mund të zhvillohen me anëtarët e një familjeje, me miqtë ose me ekspertët. Për shembull në një prej Tabelave të Tij, 'Abdu'l-Bahá parashikon mundësinë që ekspertë të të njëjtit profesion të bisedojnë së bashku.
(8 Prill 1975 për një besimtar individual)2 "Kjo thënie është reveluar në përgjigje të një pyetjeje rreth mësimit Bahá'í mbi konsultimin. Ajo gjendet në 'Pyetje dhe Përgjigje', e përshkruar nga Shoghi Effendiu si një shtojcë e 'Kitáb-i-Aqdas'. Është reveluar para themelimit të Asambleve Shpirtërore si përgjigje ndaj një pyetjeje rreth mësimit Bahá'í mbi konsultimin. Dalja në dritë e Asambleve Shpirtërore, tek të cilat miqtë mund të drejtohen gjithmonë, nuk i ndalon ata në asnjë mënyrë të ndjekin, nëse dëshirojnë, procedurën e skicuar në fragmentin e mësipërm kur ata dëshirojnë të konsultohen në lidhje me problemet e tyre personale. Citati shpreh qartë preferencën e Bahá'u'lláh-ut për njëzëshmëri."
(Nga një letër e datës 28 Shkurt 1978 shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë drejtuar të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare)
3 "Përzgjedhje nga shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it" [bot. i rev.], (Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1982), Sek. 102, fq. 128-129
4 Drejtuar besimtarëve të ndryshëm5 Ky është një proçes hyjnorizimi, kur një Libër i Shenjtë hapet aty ku vete dora dhe kërkohet udhëheqje për problemin e dikujt duke lexuar fragmente nga Libri në atë faqe që është hapur.
6 Kjo këshillë është dhënë nga Ruajtësi në një rast kur pyetësi kërkoi këshillën e Ruajtësit, meqenëse pikëpamja e një doktori qe se operacioni ishte i nevojshëm, ndërsa një doktor tjetër nuk e shihte të nevojshëm një operacion të tillë.
7 Shih ekstraktin numër 8------------------------------------------------------------
---------------------------------------------------------------------------
16