Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Përmbledhje

Asambletë Shpirtërore Lokale
Besueshmëria
Besëlidhja
Direktiva për mësimin
Edukimi Bahá'í
Fondet dhe kontributet Bahá'í
Fuqia e Ndihmës Hyjnore
Gratë
Hukukullahu, e Drejta e Perëndisë
Hukukullahu, Ligji social-ekonomik e shpirtëror i Kitáb-i-Aqdasit (Dr. A.-M. Varqá)
Hukukullahut, Ligji i (Cyrus Alá'í)
Hukukullahut, Një kodifikim i Ligjit të (Departamenti i Kërkimeve)
Jeta e familjës
Konsultimi
Krisa dhe fitorja
Lutje Bahá'í (i vogël)
Lutje Bahá'í
Muzikë
Mësimet për rendin e ri botëror
Mësimi i masave
Ndalimi i pijeve të dëmshme
Njerëzit e shquar
Një jetë e ndershme dhe e shenjtë
Opozitë
Paqe
Përmbledhja e përmbledhjeve
Përmbledhje e Trupës Kontinentale në Evropë
Përsosmëri në të gjitha gjerat
Radio
Rini
Ruajtja e Martesave Bahá'í
Rëndësia e arteve në përhapjen e Besimit
Rëndësia e lutjes, e përsiatjes, dhe e qëndrimit devocional
Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve
Takimet Bahá'í & Festa e 19 Ditëve
Tek Ai do të kthehemi
Thashetheme; Stimulimi dhe Zhvillimi e Komuniteteve Bahá'í
Transformimi shpirtëror
Të jetosh jetën
Të çojmë përpara hyrjen me trupa
Varrimi Bahá'í
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Përmbledhje : Besëlidhja
BESËLIDHJA
Dhjetor 1987
Materiale të mbledhura nga
Departamenti i Kërkimeve
i Shtëpisë Universale të Drejtësisë
Original:

The Covenant, Materials assembled by the Research Department of the Universal House of Justice, December 1987, revised June 1999

Text: Albanian

Përkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të Botimeve Bahá'í

(c) Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá'í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 2000 - 157 E.B.

...Besëlidhja në kuptimin fetar është një marrëveshje zotimi midis Perëndisë dhe njeriut, me anë të së cilës Perëndia kërkon nga njeriu një sjellje të caktuar e në shkëmbim garanton disa bekime, ose me anë të së cilës Ai i jep njeriut disa dhunti e në shkëmbim merr prej atyre që i pranojnë ato një zotim për t'u sjellë në një mënyrë të caktuar. Është, për shembull, Besëlidhja e Madhe që çdo Manifestim i Perëndisë bën me pasuesit e Tij, duke u premtuar atyre se në kohën e duhur një Manifestim i ri do të dërgohet dhe duke marrë prej tyre zotimin për ta pranuar atë kur kjo të ndodhë. Është, gjithashtu, Besëlidhja e Vogël që një Manifestim i Perëndisë bën me pasuesit e Tij se ata do të pranojnë pasardhësin që Ai ka caktuar pas Vetes. Në qoftë se ata veprojnë kështu, Besimi mund të mbetet i bashkuar e i pastër. Në qoftë se jo, Besimi përçahet dhe forca e tij shuhet. Pikërisht një Besëlidhje të tillë bëri Bahá'u'lláh-u me pasuesit e Tij lidhur me 'Abdu'l-Bahá-in dhe 'Abdu'l-Bahá-i e përjetësoi me anë të Rendit Administrativ...

(23 mars 1975, nga një letër e shkruar prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

I. Besëlidhja: "... një marrëveshje zotimi midis Perëndisë dhe njeriut ..."

1. Detyra e parë që Perëndia u ka caktuar shërbëtorëve të Vet është të njohin Atë Që është Agimi i Revelacionit të Tij dhe Burimi i ligjeve të Tij, që përfaqëson Hyjninë si në Mbretërinë e Kauzës së Tij dhe në botën e krijimit. Kushdo që e kryen këtë detyrë ka arritur gjithë të mirat.... I takon cilitdo që arrin këtë pozitë kaq sublime, këtë majë lavdie të për-kryer, të zbatojë çdo porosi të Atij Që është Dëshira e botës. Këto detyra binjake janë të pandara. Asnjëra nuk është e pranueshme pa tjetrën....

Ata që Perëndia i ka pajisur me intuitë do ta pranojnë me lehtësi se porositë e dhëna nga Perëndia përbëjnë mjetet supreme për ruajtjen e rendit në botë dhe për sigurinë e popujve të saj.... Nxitoni të pini plot kupën, o njerëz me mend! Ata që kanë shkelur Besëlidhjen e Perëndisë, duke dhunuar porositë e Tij, dhe janë kthyer mbrapsht, kanë gabuar rëndë në sytë e Perëndisë, Gjithëzotëruesit, Më të Lartit.

("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", bot. shqip, Nr. 155, f. 220)

2. ... Prandaj mos rendni pas dëshirave tuaja tokësore dhe mos shkelni Besëlidhjen e Perëndisë, e as zotimin tuaj ndaj Tij. Me vendosmëri të patundur, me gjithë dashurinë e zemrës suaj dhe me tërë forcën e fjalëve tuaja, kthejuni ndaj Tij dhe mos shkoni në rrugën e të marrëve. ... Mos e këputni lidhjen që ju bashkon me Krijuesin tuaj, dhe mos jini ndër ata që kanë gabuar e janë larguar nga rruga e Tij.

("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", bot. shqip, Nr. 153, f. 218)

3. I madh është bekimi yt përderisa ti ke qenë besnik ndaj Besëlidhjes së Perëndisë dhe Testamentit të Tij.... Përkushtoja veten shërbimit të Kauzës së Perëndisë tënd, mbaje të gjallë kujtimin e Tij në zemrën tënde dhe thuri lavde Atij në mënyrë të tillë që çdo shpirt kokëfortë e i shkujdesur të zgjohet nga gjumi.

("Tabelat e Bahá'u'lláh-ut të reveluara pas Kitáb-i-Aqdas" (Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1982),?? )

4. ...ju duhet të silleni në mënyrë të tillë që të shquheni e të shkëlqeni si dielli në mes shpirtrave të tjerë. Në qoftë se ndonjëri prej jush hyn në një qytet, ai, falë sinqeritetit, çiltërsisë e dashurisë, ndershmërisë e besnikërisë, vërtetësisë e dashamirësisë së tij ndaj të gjithë popujve të botës, duhet të bëhet një qendër tërheqëse, në mënyrë që njerëzit e atij qyteti të thonë: "Ky njeri është pa diskutim një Bahá'í, sepse figura e tij, sjellja e qëndrimi i tij, morali, natyra dhe prirjet e tij pasqyrojnë atributet e Bahá'í-ve." Pa arritur këtë pozitë,ju nuk mund të thoni se i jeni përmbajtur me besnikëri Besëlidhjes dhe Testamentit të Perëndisë. Sepse Ai, përmes Shkrimesh të pakundërshtueshme, ka hyrë në një Besëlidhje detyruese me të gjithë ne, e cila kërkon që të veprojmë në përputhje me porositë dhe këshillat e Tij të shenjta.

("Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Baháit" #35:5)

II. "... Besëlidhja e Madhe që çdo Manifestim i Perëndisë bën me pasuesit e Tij ..."

Modeli

5. Zoti i gjithësisë kurrë nuk ka ngritur një profet e as ka dërguar një Libër pa vendosur më parë Besëlidhjen e Tij me të gjithë njerëzit, që kërkon prej tyre të pranojnë Revelacionin e ri dhe Librin e ri; sepse vërshimet e bujarisë së Tij janë të pareshtura e pa kufi.

("Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it" (Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1976), f. 87)

6. Abrahami, paqa qoftë mbi Të, bëri një besëlidhje lidhur me Moisiun dhe dha lajmin e gëzuar për ardhjen e Tij. Moisiu bëri një besëlidhje lidhur me Krishtin e premtuar dhe njoftoi lajmin e mirë të ardhjes së Tij në botë. Krishti bëri një besëlidhje lidhur me Ngushëlluesin dhe dha lajmin e ardhjes së Tij. Profeti Muhamet bëri një besëlidhje lidhur me Báb-ín, dhe Báb-í ishte i Premtuari prej Muhametit, sepse Muhameti dha lajmin e ardhjes së Tij. Báb-í bëri një besëlidhje lidhur me Bukurinë e Bekuar, Bahá'u'lláh-un, dhe dha lajmin e gëzuar të ardhjes së Tij, sepse Bukuria e Bekuar ishte i Premtuari prej Báb-ít. Bahá'u'lláh-u bëri një besëlidhje lidhur me një të Premtuar Që do të shfaqet pas një mijë ose disa mijëra vjetësh. Ai Manifestim është i Premtuari prej Bahá'u'lláh-ut dhe do të shfaqet pas një mijë ose disa mijëra vjetësh. Ai, për më tepër, me Penën e Tij Supreme, hyri në një Besëlidhje e Testament të madh me të gjithë Bahá'í-të, përmes të cilit ata të gjithë porositeshin që pas ngjitjes së Tij në qiell të ndiqnin Qendrën e Besëlidhjes dhe të mos largoheshin as edhe një fije floku nga bindja ndaj Tij.

('Abdu'l-Bahá, shih "Besimi Botëror Bahá'í" (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1976), f. 358)

Ardhja e Bahá'u'lláh-ut

7. Kjo është Dita, O Zoti im, të cilën Ti ia njoftove gjithë njerëzimit si Dita që Ti do të revelosh Veten Tënde, dhe do të përhapësh rrëzëllimin Tënd, dhe që do të ndriçojë me shkëlqim mbi të gjitha krijesat e Tua. Ti, për më tepër, ke hyrë në një besëlidhje me ta në Librat e Tu, dhe në Shkrimet e Tua, dhe në Pergamenat e Tua, dhe në Tabelat e Tua, lidhur me Atë Që është Agimi i Revelacionit Tënd, dhe ke caktuar Bajanin për të qenë Lajmëtari i këtij Manifestimi Më të Madh e lavdiplotë, dhe i kësaj Shfaqjeje aq të ndritshme e aq sublime.

("Lutje e Përsiatje të Bahá'u'lláh-ut" (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1979), f. 275)

Besëlidhja e Bahá'u'lláh-ut lidhur me Manifestimin e ardhshëm

8. Me të vërtetë Perëndia do të ngrejëAtë Që Perëndia do ta shfaqë, dhe pas Tij Cilindo që Ai dëshiron, ashtu siç ka ngritur profetë para Pikës së Bajanit. Ai me të vërtetë ka pushtet mbi të gjitha gjërat.

("Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb-ít", f. 144)

9. Kushdo që del me pretendimin për një Revelacion të drejtpërdrejtë nga Perëndia ... para se të kenë kaluar plot një mijë vjet, një njeri i tillë është me siguri një mashtrues e gënjeshtar.... Sikur të dalë një njeri ... para se të kenë kaluar plot një mijë vjet-çdo vit i përbërë prej dymbëdhjetë muajsh sipas Kuranit, dhe prej nëntëmbëdhjetë muajshsh nga nëntëmbëdhjetë ditë secili sipas Bajanit-edhe sikur një njeri i tillë të shfaqë para syve tuaj të gjitha shenjat e Perëndisë, refuzojeni pa ngurrim atë!

(Bahá'u'lláh, cituar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut - Letra të zgjedhura", (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1974), f. 132)

10. Shekuj, ... madje epoka, duhet të kalojnë para se Ylli i Ditës i së Vërtetës të ndriçojë përsëri me Shkëlqimin e vet mesveror, ose të shfaqet edhe një herë me rrezatimin e lavdisë së tij pranverore ... Përsa u përket Manifestimeve që do të vijnë në të ardhmen "në hijen e reve", ... dijeni me të vërtetë se përsa i takon raportit me Burimin e frymëzimit të tyre, ata janë nën hijen e Bukurisë së Lashtë. Sidoqoftë, në raportin e tyre me epokën në të cilën shfaqen, secili prej tyre "bën çdo gjë që Ai dëshiron".

('Abdu'l-Bahá, cituar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut - Letra të zgjedhura", f. 167)

III. Besëlidhja e Vogël: "... që Bahá'u'lláh-u bëri me pasuesit e Tij lidhur me 'Abdu'l-Bahá-in ..."

Caktimi

11. U bie për detyrë Agsán-ëve, Afnán-ëve dhe farefisit Tim ta kthejnë, të gjithë pa përjashtim, fytyrën ndaj Degës Më të Fuqishme. Mbani parasysh atë që kemi reveluar në Librin Tonë Më të Shenjtë: "Kur Oqeani i pranisë Sime të jetë në zbaticë dhe Libri i Revelacionit Tim të ketë mbaruar, e ktheni shikimin tuaj ndaj Atij që Perëndia e ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë." Synimi i këtij vargu të shenjtë s'është askush tjetër veçse Dega Më e Fuqishme ('Abdu'l-Bahá-i). Kështu, Ne ju kemi reveluar me dashamirësi Vullnetin Tonë të fuqishëm, dhe Unë me të vërtetë jam i Hirshmi, Fuqiploti.

(Bahá'u'lláh, cituar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut - Letra të zgjedhura", f. 134)

12. Në pajtim me tekstin e qartë të Kitáb-i-Aqdas, Bahá'u'lláh-u ka bërë Interpretues të Fjalës së Tij Qendrën e Besëlidhjes-një Besëlidhje aq e patundur dhe e fuqishme, sa qysh nga fillimi i kohëve deri në ditën e sotme asnjë Dispensacion fetar nuk ka bërë asgjë tëngjashme me këtë.

('Abdu'l-Bahá, cituar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut - Letra të zgjedhura", f. 136)

13. Sot gjëja më e rëndësishme është qëndrueshmëria në Besë-lidhjen, sepse qëndrueshmëria në Besëlidhjen shmang divergjencat....

... Bahá'u'lláh-u bëri marrëveshje jo që Unë ('Abdu'l-Bahá-i) jam i Premtuari, por që 'Abdu'l-Bahá-i është Shpjeguesi i Librit dhe Qendra e Besëlidhjes së Tij, dhe se i Premtuari i Bahá'u'lláh-ut do të shfaqet pas një mijë ose disa mijëra vjetësh. Kjo është Besëlidhja që bëri Bahá'u'lláh-u. Në qoftë se një person i largohet kësaj, ai nuk është i pranueshëm në portën e Bahá'u'lláh-ut. Në rast divergjence, duhet pyetur 'Abdu'l-Bahá-i. Gjithçka duhet të sillet rreth pëlqimit të tij. Pas 'Abdu'l-Bahá-it, sapo të jetë organizuar Shtëpia Universale e Drejtësisë, ajo do të shmangë divergjencat.

('Abdu'l-Bahá, cituar në "Star of the West", vëll. IV, nr. 14, nëntor 1913, f. 237)

14. Duke qenë se dallime e divergjenca të mëdha besimi fetar kishin lindur gjatë tërë kohës së kaluar dhe çdo njeri që kishte një ide të re ia atribuonte atë Perëndisë, Bahá'u'lláh-u donte që të mos kishte asnjë bazë ose arsye për mosmarrëveshje midis Bahá'í-ve. Prandaj me vetë Penën e Tij Ai shkroi Librin e Besëlidhjes së Tij, që u drejtohej të afërmëve të Tij dhe gjithë njerëzve të botës me fjalët: "Me të vërtetë Unë kam caktuar Një Që është Qendra e Besëlidhjes Sime. Të gjithë duhet t'i binden Atij; Ai është Shpjeguesi i Librit Tim dhe është në dijeni të qëllimit Tim. Të gjithë duhet t'i drejtohen Atij. Çdo gjë që thotë Ai është e drejtë, sepse, me të vërtetë Ai i njeh tekstet e Librit Tim. Askush tjetër veç Tij nuk e njeh Librin Tim". Qëllimi i kësaj deklarate është që të mos ketë kurrë mosmarrëveshje e divergjenca midis Bahá'í-ve, përkundrazi ata duhet të jenë gjithmonë të bashkuar e të një mendjeje.... Prandaj kushdo që i bindet Qendrës së Besëlidhjes të caktuar nga Bahá'u'lláh-u i është bindur vetë Bahá'u'lláh-ut, dhe kushdo që nuk i bindet Atij nuk i është bindur Bahá'u'lláh-ut....

...Kini mendjen! Kini mendjen! Se mos ndonjëri flet me autoritetin e mendimeve të veta ose krijon vetë diçka të re. Kini mendjen! Kini mendjen! Sipas Besëlidhjes së qartë të Bahá'u'lláh-ut, ju nuk duhet t'i kushtoni kurrfarë vëmendjeje një personi të tillë. Bahá'u'lláh-u i shmang shpirtra të tillë.

("Shpallja e Paqes Universale: Biseda të mbajtura nga 'Abdu'l-Bahá-i gjatë vizitës së Tij në Shtetet e Bashkuara e në Kanada më 1912", bot. i dytë (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1982), f. 322-323)

15. Ai është, dhe duhet parë gjithmonë, para së gjithash e mbi të gjitha, si Qendra dhe Strumbullari i Besëlidhjes së pashoqe e gjithëpërfshirëse të Bahá'u'lláh-ut, si Punëdorja e Tij më e lavdëruar, Pasqyra e panjollë e dritës së Tij, Shembulli i përkryer i mësimeve të Tij, Interpretuesi i pagabueshëm i Fjalës së Tij, trupëzimi i çdo ideali Bahá'í, mishërimi i çdo virtyti Bahá'í, Dega Më e Fuqishme që ka mbirë nga Rrënja e Lashtë, Krahu i Ligjit të Perëndisë, Qenia "rreth së Cilës sillen të gjithë emrat", Forca Lëvizëse e Njëshmërisë së Njerëzimit, Flamuri i Paqes së Madhe, Hëna e Diellit Qendror të këtij Dispensacioni më të shenjtë-tregues e tituj këta që janë të saktë dhe gjejnë shprehjen e tyre më të vërtetë, më të lartë e më të bukur në emrin magjik 'Abdu'l-Bahá. Ai është, veç e tej këtyre emrave, "Misteri i Perëndisë"-shprehje të cilën Bahá'u'lláh-u pat zgjedhur për ta caktuar Atë dhe e cila, ndërsa nuk justifikon kurrsesi që ne t'i veshim Atij pozitën e Profetësisë, tregon sesi në personin e 'Abdu'l-Bahá-it janë shkrirë e harmonizuar tërësisht karakteristikat e papajtueshme të një natyre njerëzor dhe të dijes e përsosurisë mbinjerëzore.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 8 shkurt 1934, botuar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut - Letra të zgjedhura", f. 134)

16. Bahá'u'lláh-u, Reveluesi i Fjalës së Perëndisë për Ditën e sotme, Burimi i Autoritetit, Gurra e Drejtësisë, Krijuesi i një Rendi të ri Botëror, Ndërtuesi i Paqes së Madhe, Frymëzuesi dhe Themeluesi i një qytetërimi botëror, Gjykatësi, Ligjvënësi, Bashkuesi dhe Shpëtimtari i gjithë njerëzimit, ka shpallur ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë mbi tokë, ka formuluar ligjet e urdhërat e saj, ka njoftuar parimet e saj dhe ka paracaktuar institucionet e saj. Për të drejtuar e kanalizuar forcat e çliruara nga Revelacioni i Tij, Ai krijoi Besë-lidhjen e Tij, fuqia e së cilës ka ruajtur integritetin e Besimit të Tij, ka mbrojtur unitetin e tij dhe ka stimuluar përhapjen e tij mbarëbotërore përmes misioneve të 'Abdu'l-Bahá-it e të Shoghi Effendiut. Ai vazhdon të përmbushë qëllimet e tij jetëdhënëse nëpërmjet veprimit të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, objektivi themelor i së cilës, si një prej pasardhësve binjakë të Bahá'u'lláh-ut e të 'Abdu'l-Bahá-it, është të sigurojë vazhdimësinë e atij autoriteti të caktuar hyjnisht, që rrjedh nga Burimi i Besimit, të mbrojë unitetin e pasuesve të tij dhe të ruajë integritetin e lakueshmërinë e mësimeve të tij.

(Shtëpia Universale e Drejtësisë, "Krijimi i Shtëpisë Universale të Drejtësisë" (Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1972), f. 3-4)

Karakteri unik i Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut

17. Përsa i përket karakteristikës më të madhe të revelacionit të Bahá'u'lláh-ut, një mësim i posaçëm që nuk e ka dhënë asnjë prej Profetëve të së kaluarës: Ajo është urdhërimi dhe caktimi i Qendrës së Besëlidhjes. Me anë të këtij caktimi e të kësaj mase Ai ka ruajtur e mbrojtur fenë e Perëndisë kundër divergjencave e përçarjeve, duke bërë të pamundur për cilindo krijimin e një sekti ose fraksioni të ri të besimit.

("Shpallja e Paqes Universale: Biseda të mbajtura nga 'Abdu'l-Bahá-i gjatë vizitës së Tij në Shtetet e Bashkuara e në Kanada më 1912", bot. i dytë (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1982), f.455-456)

18. Për të drejtuar e kanalizuar këto forca të çliruara nga ky proces i dërguar prej Qielli dhe për të siguruar veprimin e tyre të harmonishëm e të vazhdueshëm pasi Ai të ndërronte jetë, ishte krejt i domosdoshëm një instrument i urdhëruar në mënyrë hyjnore, i veshur me autoritet të padiskutueshëm, i lidhur organikisht me Vetë Autorin e Revelacionit. Atë instrument Bahá'u'lláh-u e kishte siguruar drejtpërsëdrejti përmes institucionit të Besëlidhjes, një institucion që Ai e kishte vendosur në mënyrë të qëndrueshme para se të ndërronte jetë. Ishte kjo Besëlidhje, që Ai e kishte parashikuar në Kitáb-i-Aqdas-in e Tij, së cilës Ai i qe referuar kur u jepte lamtumirën e fundit anëtarëve të familjes së Vet, të mbledhur rreth shtratit të Tij në ditët e fundit para se të ndërronte jetë, dhe që e kishte përfshirë në një dokument të posaçëm që Ai e kishte quajtur "Libri i Besëlidhjes Sime", të cilin ia besoi, gjatë sëmundjes së Tij të fundit, djalit të Tij të madh 'Abdu'l-Bahá-it.

I shkruar krejtësisht me dorën e Tij ... ky Dokument unik e epokal, i quajtur nga Bahá'u'lláh-u si "Tabela Më e Madhe" e Tij dhe që përmendet prej Tij si "Libri Ngjyrë Kërmëz" në "Letrën për të Birin e Ujkut", nuk ka paralel në Shkrimet e ndonjë Dispensacioni të mëparshëm, duke përfshirë edhe atë të Vetë Báb-it. Sepse asgjëkundi në librat që i përkasin cilitdo prej sistemeve fetare të botës, madje as në shkrimet e Autorit të Revelacionit Bábí, nuk gjejmë as edhe një dokument që vendos një Besëlidhje të veshur me një autoritet të krahasueshëm me Besëlidhjen që krijoi Vetë Bahá'u'lláh-u.

(Shoghi Effendi, "Perëndia kalon pranë" (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1974), f. 237-238)

19. ... Ka, megjithatë, një dallim të madh midis këtij dhe Dispensacioneve të mëparshme, sepse Bahá'u'lláh-u ka shkruar se kjo është "Dita që nuk do të pasohet nga nata" ("Perëndia kalon pranë", f. 245). Ai na ka dhënë Besëlidhjen e Tij, e cila siguron një qendër vazhduese udhërrëfimi hyjnor në botë. Në Besimin Bahá'í nuk kanë munguar njerëz ambiciozë për të marrë frenat e autoritetit dhe për të shtrembëruar Besimin për qëllimet e veta, por në të gjitha rastet ata janë thyer e kanë copëtuar shpresat e tyre në shkëmbin e Besëlidhjes.

(14 janar 1979, nga një letër e shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

IV. Besëlidhja e Vogël: "... që 'Abdu'l-Bahá-i e përjetësoi me anë të Rendit Administrativ ..."

Pasardhësit Binjakë

20. O miqtë e mi të dashur! Pas ndarjes nga kjo jetë të këtij njeriu të vuajtur, Aghsán-ët (Degët) e Afnán-ët (Degëzat) e Pemës së Shenjtë të Lotosit, Duart (shtyllat) e Kauzës së Perëndisë dhe të dashurit e Bukurisë Abhá duhet të kthehen nga Shoghi Effendiu-dega e re që mbiu prej dy Pemëve të bekuara e të shenjta të Lotosit dhe fryti që u rrit nga bashkimi i dy lastarëve të Pemës së Shenjtërisë,-sepse ai është shenja e Perëndisë, dega e zgjedhur, Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë, ai ndaj të cilit duhet të kthehen të gjithë Aghsán-ët, Afnán-ët, Duart e Kauzës së Perëndisë dhe të dashurit e Tij. Ai është shpjeguesi i fjalëve të Perëndisë dhe pas tij do të pasojë fëmija i parë i pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë.

("Vullneti dhe Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it" (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1968), f. 11)

21. Dhe tani, përsa i përket Shtëpisë sëDrejtësisë, të cilën Perëndia e ka paracaktuar si burimin e çdo të mire dhe e ka çliruar nga çdo gabim, ajo duhet të zgjidhet me votë universale, domethënë nga besimtarët. Anëtarët e saj duhet të janë manifestime të druajtjes së Perëndisë dhe agime të dijes e të kuptimit, ata duhet të jenë të patundur në besimin e Perëndisë dhe dashamirës të gjithë njerëzimit.

("Vullneti dhe Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it", f. 14)

22. ... Secili duhet t'i drejtohet Librit Më të Shenjtë dhe për çdo gjë që nuk është përmendur atje në mënyrë të drejtëpërdrejtë i duhet referuar Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Ajo që ky organizëm do të vendosë, njëzëri ose me shumicë votash, është padyshim e Vërteta dhe Qëllimi i Vetë Perëndisë.

("Vullneti dhe Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it", f. 19)

23. ... Ata [Bahá'u'lláh-u dhe 'Abdu'l-Bahá-i] kanë caktuar gjithashtu, me një gjuhë pa dykuptime e të shprehur fort, dy institucionet binjake, Shtëpinë e Drejtësisë dhe Ruajtësinë, si Pasardhësit e zgjedhur të tyre, të destinuar për të zbatuar parimet, për të shpallur ligjet, për të mbrojtur institucionet, për t'ua përshtatur me besnikëri e zgjuarsi Besimin kërkesave të shoqërisë në zhvillim dhe për të përmbushur trashëgiminë e pashkatërrueshme që Themeluesit e Besimit i kanë lënë botës.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 21 mars 1930, botuar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut - Letra të zgjedhura", f. 19-20)

24. ... në Besëlidhjen e Perëndisë, Shoghi Effendiu, gjatë detyrës të tij si Ruajtësi i Kauzës, ishte qendra e autoritetit në Besimin, ndaj të cilit duhet të ktheheshin të gjithë.... E njëjta gjë ka të bëjë edhe me pozitën që zë Shtëpia Universale e Drejtësisë në marrëdhëniet e saj me miqtë.

(9 nëntor 1981, nga një letër e shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

Autoriteti

25. Dega e shenjtë e rinore, ruajtësi i Kauzës së Perëndisë, si dhe Shtëpia Universale e Drejtësisë, që duhet zgjedhur e vendosur në mënyrë universale, janë të dy nën kujdesin e mbrojtjen e Bukurisë Abhá, nën strehën e udhëheqjen e pagabueshme të Shenjtërisë së Tij, të të Lartësuarit (u flijoftë jeta ime për ata të dy). Çdo gjë që të vendosin ata është nga Perëndia. Kush nuk i bindet atij, nuk u bindet atyre, ai nuk i është bindur Perëndisë; kush ngren krye kundër tij, dhe kundër tyre, ka ngritur krye kundër Perëndisë; kush i kundërvihet atij, i është kundërvënë Perëndisë; kush lufton me ta, ka luftuar me Perëndinë; kush e mohon atë, ka mohuar Perëndinë; kush nuk beson në të, nuk ka besuar në Perëndinë; kush devijon, e ndan veten dhe largohet prej tij, në të vërtetë ka devijuar, e ka ndarë veten dhe është larguar prej Perëndisë.

("Vullneti dhe Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it", f. 11)

26. ... është bërë e qartë dhe e dukshme në mënyrë të padyshimtë se Ruajtësi i Besimit është bërë Interpretuesi i Fjalës dhe se Shtëpia Universale e Drejtësisë është veshur me funksionin e nxjerrjes së ligjeve për çështje që nuk janë reveluar drejtpërsëdrejti në mësimet. Interpretimi i Ruajtësit, që vepron brenda sferës së vet, është po aq me autoritet e i detyrueshëm sa dhe dekretimet e Shtëpisë Universale të Drejtësisë, e drejta dhe prerogative e së cilës është të shprehet e të japë gjykimin përfundimtar për të tilla ligje e porosi që Bahá'u'lláh-u nuk i ka reveluar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Asnjëri prej tyre nuk mund, dhe kurrë nuk do të mundë, të shkelë në fushën e paprekshme e të paracaktuar të tjetrit. Asnjeri nuk do të përpiqet të zvogëlojë autoritetin specifik e të padyshimtë me të cilin janë veshur në mënyrë hyjnore që të dy.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 8 shkurt 1934, botuar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut - Letra të zgjedhura", f. 149-150)

27. ... Në drejtimin e punëve administrative të Besimit, në dekretimin e legjislacionit të nevojshëm për të plotësuar ligjet e Kitáb-i-Aqdas-it, duhet mbajtur parasysh se anëtarët e Shtëpisë Universale të Drejtësisë, siç e nënkuptojnë thëniet e Bahá'u'lláh-ut, nuk përgjigjen para atyre që ata përfaqësojnë, dhe as nuk u lejohet t'u nënshtrohen ndjenjave, opinionit të përgjithshëm, madje as bindjeve të masave të besimtarëve ose të atyre që i zgjedhin ata drejtpërsëdrejti. Ata, në një qëndrim të devotshëm, duhet të ndjekin diktatin dhe nxitjet e ndërgjegjes së tyre. Ata mundet, në të vërtetë duhet, të njihen me kushtet që mbizotërojnë në gjirin e komunitetit, duhet të peshojnë pa pasion në mendjet e tyre vlerat e çdo rasti që u shtrohet për gjykim, por duhet ta rezervojnë për veten e tyre të drejtën e një vendimi të papenguar. "Me të vërtetë Perëndia do t'u frymëzojë atyre atë që dëshiron", është sigurimi i pakundërshtueshëm i Bahá'u'lláh-ut. Ata, dhe jo organi i atyre që drejtpërsëdrejti ose tërthorazi i zgjedhin ata, janë bërë kështu bartësit e udhërrëfimit hyjnor, që është njëkohësisht lëngu jetësor dhe mbrojtja supreme e këtij Revelacioni.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 8 shkurt 1934, botuar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut - Letra të zgjedhura", f. 153)

Vdekja e Shoghi Effendiut

28. Në kohën e vdekjes së Shoghi Effendiut të dashur ishte e qartë, nga rrethanat dhe nga kërkesat e drejtpërdrejta të Teksteve të Shenjta1, se për të ishte e pamundur të caktonte një pasardhës në përputhje me parashikimet e Vullnetit e të Testamentit të 'Abdu'l-Bahá-it.

(Shtëpia Universale e Drejtësisë, nga një letër e datës 9 mars 1965, botuar në "Burim Udhërrëfimi: Mesazhe 1963-1968" (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1976), f. 44)

29. Pas një studimi të devotshëm e të kujdesshëm të Teksteve të Shenjta lidhur me çështjen e caktimit të pasardhësit të Shoghi Effendiut si Ruajtësi i Kauzës së Perëndisë, dhe pas një konsultimi të gjatë që përfshinte marrjen parasysh të pikëpamjeve të Duarve të Kauzës së Perëndisë me qëndrim në Tokën e Shenjtë, Shtëpia Universale e Drejtësisë gjykon se nuk ka ndonjë mënyrë për të caktuar ose për të nxjerrë një ligj që të bënte të mundur caktimin e një Ruajtësi të dytë pas Shoghi Effendiut.

(Shtëpia Universale e Drejtësisë, nga një letër e datës 6 tetor 1963, botuar në "Burim Udhërrëfimi: Mesazhe 1963-1968", f. 11)

Shtëpia Universale e Drejtësisë

30. Besëlidhja e Bahá'u'lláh-ut është e paprekur dhe fuqia e saj gjithëpërfshirëse e padhunuar. Dy tiparet unike që e shquajnë atë nga të gjitha besëlidhjet fetare të së kaluarës janë të pandryshuara e vepruese. Fjala e reveluar, në pastërtinë e saj fillestare, e përforcuar nga interpretimet hyjnisht të frymëzuara të 'Abdu'l-Bahá-it e të Shoghi Effendiut, mbeten të pandryshueshme, të patrazuara prej çfarëdo besimesh ose dogmash, ndërhyrjesh të palejueshme ose interpretimesh të paautorizuara të sajuara nga njeriu. Kanali i udhërrëfimit hyjnor, që u jep lakueshmëri të gjitha punëve të njerëzimit, mbetet i hapur përmes Institucionit të krijuar prej Bahá'u'lláh-ut dhe të pajisur prej Tij me autoritet suprem e udhëheqje të përhershme, për të cilin Mjeshtri ka shkruar: "Këtij organi duhet t'i referohen të gjitha gjërat." Sa qartë shihet vërtetësia e thënies së Bahá'u'lláh-ut: "Dora e Gjithëfuqisë e ka vendosur Revelacionin e Vet mbi një themel t papushtueshëm e të qëndrueshëm. Stuhitë e konfliktit njerëzor janë të pafuqishme të minojnë bazën e tij, dhe as munden teoritë imagjinare të njerëzve të dëmtojnë strukturën e tij."

(Shtëpia Universale e Drejtësisë, nga një letër e tetorit 1963, botuar në "Burim Udhërrëfimi: Mesazhe 1963-1968" f. 13)

31. Shtëpia Universale e Drejtësisë, e cila, ka thënë Ruajtësi, duhet parë nga brezat e mëvonshëm si "streha e fundit e një qytetërimi të lëkundur", është tani, në mungesë të Ruajtësit, institucioni i vetëm në botë i udhëhequr në mënyrë të pagabueshme, ndaj të cilit duhet të kthehen të gjithë, dhe mbi të bie përgjegjësia për të siguruar unitetin e përparimin e Kauzës së Perëndisë në pajtim me Fjalën e reveluar.

(Shtëpia Universale e Drejtësisë, nga një letër e datës 27 maj 1966, botuar në "Burim Udhërrëfimi: Mesazhe 1963-1968" f. 90)

32. Pagabueshmëria e Shtëpisë Universale të Drejtësisë, që vepron brenda sferës së urdhëruar të saj, nuk është bërë e varur për shkak të pranisë së Ruajtësit të Kauzës si anëtar i saj. ...

Por, krejt pavarësisht nga funksioni i tij si anëtar dhe si drejtuesi i shenjtëruar përjetë i Shtëpisë Universale të Drejtësisë, Ruajtësi, që vepron brenda sferës së vet, ka të drejtën dhe detyrën "të përcaktojë sferën e veprimit ligjvënës" të Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Me fjalë të tjera, ai ka kompetencën të thotë nëse një çështje ishte trajtuar ose jo në Tekstet e Shenjta dhe, për rrjedhojë, nëse ishte në kompetencën e Shtëpisë Universale të Drejtësisë të nxirrte ligje për këtë çështje. ... Prandaj lind pyetja: Në mungesë të Ruajtësit, mos është Shtëpia Universale e Drejtësisë në rrezik të largohet nga sfera e saj e të bjerë kështu në gabim? Këtu duhet të kujtojmë tri gjëra: E para, Shoghi Effendiu, gjatë tridhjetë e gjashtë vjetëve të Ruajtësisë së tij, ka bërë tashmë përcaktime të tilla të panumërta, që plotësojnë ato të bëra prej 'Abdu'l-Bahá-it dhe prej Vetë Bahá'u'lláh-ut. Siç u është njoftuar tashmë miqve, një studim i kujdesshëm i Shkrimeve dhe i interpretimeve për çdo çështje për të cilën Shtëpia e Drejtësisë ka ndërmend të nxjerrë ligje i paraprin kurdoherë veprimit të saj ligjvënës. E dyta, Shtëpia Universale e Drejtësisë, e siguruar ajo vetë me udhërrëfim hyjnor, është fare e vetëdijshme për mungesën e Ruajtësit dhe do t'i trajtojë të gjitha çështjet e ligjvënies vetëm kur është e sigurt për sferën e vet të juridiksionit, një sferë që Ruajtësi e ka cilësuar me bindje si "të përcaktuar qartë". E treta, nuk duhet të harrojmë deklaratën e shkruar të Ruajtësit lidhur me këto dy institucione: "Asnjëri prej tyre nuk mund, dhe kurrë nuk do të mundë, të shkelë në fushën e paprekshme e të paracaktuar të tjetrit."

(Shtëpia Universale e Drejtësisë, nga një letër e datës 27 maj 1966, botuar në "Burim Udhërrëfimi: Mesazhe 1963-1968" f. 82-84)

33. Shtëpia Universale e Drejtësisë, tej funksionit të saj si ligjvënëse, është e veshur edhe me funksionet më të gjera të mbrojtjes e të administrimit të Kauzës, duke zgjidhur çështje të errëta dhe duke vendosur për gjëra që kanë shkaktuar mosmarrëveshje.

(Nga një letër e datës 7 dhjetor 1969, botuar në Mesazhe të Shtëpisë Universale të Drejtësisë: 1968-1073" (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1976), f. 38-39)

34. ... Shtëpisë Universale të Drejtësisë, sipas fjalëve të Ruajtësit, "i është dhënë e drejta ekskluzive e nxjerrjes së ligjeve për çështje që nuk janë reveluar drejtpërsëdrejti në shkrimet Bahá'í". Prononcimet e saj, të cilat i nënshtrohen ndryshimit ose abrogimit nga vetë Shtëpia Universale e Drejtësisë, shërbejnë për të plotësuar e për të zbatuar Ligjin e Perëndisë. Edhe pse nuk është e ngarkuar me funksionin e interpretimit, Shtëpia e Drejtësisë është në gjendje të bëjë gjithçka duhet për të vendosur Rendin Botëror të Bahá'u'lláh-ut mbi këtë tokë. Uniteti i doktrinës ruhet falë ekzistencës së teksteve autentike të Shkrimeve dhe interpretimeve të shumta të 'Abdu'l-Bahá-it e të Shoghi Effendiut, së bashku me ndalimin absolut kundër cilitdo që parashtron interpretime "kompetente" ose "të frymëzuara", ose që uzurpon funksionin e Ruajtësit. Uniteti i administrimit sigurohet nga autoriteti i Shtëpisë Universale të Drejtësisë.

(Shtëpia Universale e Drejtësisë, nga një letër e datës 9 mars 1965, botuar në "Burim Udhërrëfimi: Mesazhe 1963-1968" f. 52-53)

35. Në Besimin Bahá'í ka dy qendra të caktuara kompertente, ndaj të cilave duhet të kthehen besimtarët, sepse në të vërtetë Interpretuesi i Fjalës është një shtrirje e asaj qendre që është vetë Fjala. Libri është regjistrimi i thënieve të Bahá'u'lláh-ut, ndërsa Interpretuesi hyjnisht i frymëzuar është Goja e gjallë e atij Libri, vetëm ai mund të shpallë me kompetencë se çfarë do të thotë Libri. Kështu, njëra qendër është Libri me Interpretuesin e tij dhe tjetra është Shtëpia Universale e Drejtësisë e udhëhequr nga Perëndia për të vendosur për çdo gjë që nuk është reveluar drejtpërsëdrejti në Librin. Ky model qendrash dhe raporti i tyre është i dukshëm në çdo fazë të shpalosjes së Kauzës. Në Kitáb-i-Aqdas-in Bahá'u'lláh-u u thotë besimtarëve që pasi Ai të ketë ndërruar jetë t'i referohen Librit dhe "Atij Që Perëndia ka caktuar, Që ka mbirë nga kjo Rrënjë e Lashtë." Në Kitáb-i-'Ahdi (Libri i Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut) Ai e bën të qartë se kjo i referohet 'Abdu'l-Bahá-it. Në Aqdas-in Bahá'u'lláh-u urdhëron gjithashtu krijimin e Shtëpisë Universale të Drejtësisë dhe i jep asaj fuqitë e nevojshme që ajo të kryejë funksionet e urdhëruara. Mjeshtri në Vullnetin e Testamentin e Tij krijon në mënyrë të qartë Ruajtësinë, që Shoghi Effendiu thotë se ishte paracaktuar qartë në vargjet e Kitáb-i-Aqdas-it, riafirmon e sqaron kompetemcat e Shtëpisë Universale të Drejtësisë dhe përsëri i drejton besimtarët te Libri: " Secili duhet t'i drejtohet Librit Më të Shenjtë dhe për çdo gjë që nuk është përmendur atje në mënyrë të drejtëpërdrejtë i duhet referuar Shtëpisë Universale të Drejtësisë", dhe në fund të Vullnetit Ai thotë: "Të gjithë duhet të kërkojnë udhërrëfim e të kthehen ndaj Qendrës së Kauzës e Shtëpisë së Drejtësisë. Dhe kushdo që kthehet ndaj çdo gjëje tjetër bën me të vërtetë gabim të rëndë."

(Nga një letër e datës 7 dhjetor 1969, botuar në "Mesazhe të Shtëpisë Universale të Drejtësisë: 1968-1073", f. 42-43)

V. Në përgjigje të Besëlidhjes së Vogël "... Besimi mund të mbetet i bashkuar e i pastër"

36. ...fuqia e Besëlidhjes do ta mbrojë Kauzën e Bahá'u'lláh-ut nga dyshimet e njerëzve që gabojnë. Ajo është kështjella e fortifikuar e Kauzës së Perëndisë dhe shtylla e patundur e fesë së Perëndisë. Sot asnjë fuqi nuk mund të ruajë njëshmërinë e botës Bahá'í veç Besëlidhjes së Perëndisë; përndryshe mosmarrëveshjet, si një stuhi shumë e madhe, do të përfshijë botën Bahá'í. Është e qartë se boshti i njëshmërisë së botës së njerëzimit është fuqia e Besëlidhjes dhe asgjë tjetër.... Prandaj, në fillim besimtarët duhet të bëjnë hapa të vendosur në Besëlidhjen, në mënyrë që konfirmimet e Bahá'u'lláh-ut t'i rrethojnë ata nga të gjitha anët, aradhet e Tubimit Suprem t'i mbështesin e t'i ndihmojnë dhe porositë e këshillat e 'Abdu'l-Bahá-it, ashtu si pikturat e skalitura në gur, të mbeten të përhershme e të pashlyeshme në tabelat e të gjitha zemrave.

("Tabelat e Planit Hyjnor të reveluar nga 'Abdu'l-Bahá-i Bahá'í-ve të Amerikës Veriore", (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1877), f. 49.

Fjalia e fundit është një përkthim i autorizuar tani afër)

37. Ecni, pra, me hap të sigurt dhe angazhohuni me sigurinë e besimin më të madh në përhapjen e aromave hyjnore, në madhërimin e Fjalës së Perëndisë e në qëndrueshmërinë në Besëlidhje. Të jeni të sigurt që, në qoftë se një shpirt ngrihet me këmbënguljen më të madhe e lëshon Thirrjen e Mbretërisë dhe përhap me vendosmëri Besëlidhjen, qoftë ai edhe i parëndësishëm, do të bëhet i aftë të largojë nga fusha elefantin, e në qoftë edhe një flutur nate e dobët do të bëjë copë-copë hutën grabitqare.

("Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", #184:2)

38. Përparimi i Kauzës së Perëndisë po fiton gjithnjë e më shumë terren dhe ne mund të shikojmë me besim përpara drejt ditës kur ky Komunitet, në kohën e caktuar nga Perëndia, do të ketë përshkuar fazat e parashikuara për këtë prej Ruajtësit të tij dhe do të ketë ngritur në këtë planet të munduar pallatet e bukura të Mbretërisë së Vetë Perëndisë, ku njerëzimi mund të gjejë fundin e pështjellimit, të kaosit e të shkatërrimit që vetë i ka shkaktuar, dhe ku urrejtjet e dhuna e kësaj kohe do të shndërrohen në një ndjenjë të qëndrueshme vëllazërie e paqe botërore. Të gjitha këto do të kryhen brenda Besëlidhjes së Atit të përjetshëm, Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut.

(Shtëpia Universale e Drejtësisë, Ridvan 1973, drejtuar Bahá'í-ve të botës)

39. Bahá'í-të duhet të mbahen fort pas dijes se Kauza është e siguruar në duart e Perëndisë, se Besëlidhja e Bahá'u'lláh-ut është e pashkatërrueshme dhe se ata mund të kenë besim të plotë në aftësinë e Shtëpisë Universale të Drejtësisë që të veprojë "nën kujdesin e mbrojtjen e Bukurisë Abhá, nën strehën dhe udhëheqjen e pagabueshme të Shenjtërisë së Tij, të Lartësuarit".

(28 maj 1975, nga një letër e shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

VI. Fuqia e Besëlidhjes

40. Sot fuqia që rreh në dejet e trupit të botës është fryma e Besëlidhjes, fryma që është shkaku i jetës. Kushdo që merr gjallëri nga kjo frymë, freskia dhe bukuria e jetës bëhet e dukshme në të, ai pagëzohet me Shpirtin e Shenjtë, ai lind sërish, çlirohet nga shtypja e tirania, nga shkujdesja e vrazhdësia që mbytin shpirtin dhe arrin jetën e pasosur.

Lutju Perëndisë që të jesh i qëndrueshëm në Besëlidhjen e në Testamentin dhe që ta kthesh fytyrën ndaj Yllit Ndriçues të Botës, Lartësisë së Tij Bahá'u'lláh-ut.

('Abdu'l-Bahá, cituar në "Star of the West", vëll. 14, Nr. 7, tetor 1923, f. 225)

41. Është padyshim e qartë ... se boshti i njëshmërisë së njerëzimit është fuqia e Besëlidhjes dhe asgjë tjetër.

Fuqia e Besëlidhjes është si nxehtësia e diellit që gjallëron e nxit zhvillimin e të gjitha gjërave të krijuara mbi tokë. Drita e Besëlidhjes, po kështu, është edukatorja e mendjeve, e frymës, e zemrave dhe e shpirtrave të njerëzve.

('Abdu'l-Bahá, cituar në "Perëndia kalon pranë", f. 238-239)

42. Sot Zoti i Tubimeve është mbrojtësi i Besëlidhjes, forcat e Mbretërisë e mbrojnë atë, shpirtra qiellorë ofrojnë shërbimet e tyre dhe engjëj qiellorë shpallin e përhapin transmetimin e saj. Po të mendohet me mprehtësi, do të shihet se të gjitha forcat e universit, në analizë të fundit, i shërbejnë Besëlidhjes.

("Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", #192)

43. ... Asnjë fuqi nuk mund të eliminojë keqkuptimet veç asaj të Besëlidhjes. Fuqia e Besëlidhjes përfshin gjithçka dhe zgjidh të gjitha vështirësitë, sepse Pena e Lavdisë ka deklaruar qartë se çdo keqkuptim që mund të lindë duhet t'i referohet Qendrës së Besëlidhjes.

('Abdu'l-Bahá, nga një Tabelë e përkthyer kohët e fundit)

44. Po të mos ishte fuqia mbrojtëse e Besëlidhjes që ruan fortesën e papushtueshme të Kauzës së Perëndisë, midis Bahá'í-ve brenda një ditë do të lindnin një mijë sekte të ndryshme, siç ka ndodhur në kohët e shkuara. Por në këtë Dispensacion të Bekuar, për hir të vazhdimësisë së Kauzës së Perëndisë dhe për të shmangur përçarjen midis njerëzve të Perëndisë, Bukuria e Bekuar (u bëftë fli shpirti im për Të) me Penën Supreme ka shkruar Besëlidhjen dhe Testamentin....

('Abdu'l-Bahá, cituar në "Besimi Botëror Bahá'í", f. 357-358)

45. ...E lëshuar përmes këtyre veprimeve2 në detet e trazuara të vuajtjeve të pareshtura, e drejtuar nga dora e fuqishme e 'Abdu'l-Bahá-it dhe e shërbyer nga iniciativa e fuqishme dhe vitaliteti i madh i një grupi dishepujsh të stërmunduar, Arka e Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut është, qysh nga ato ditë, duke ndjekur me këmbëngulje kursin e saj, pa përfillur stuhitë e fatkeqësive më të rënda që kanë e kanë goditur dhe që do të vazhdojnë ta sulmojnë atë ndërsa çan përpara drejt limanit të premtuar të sigurisë e të paqes së patrazuar.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 21 prill 1933, botuar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut - Letra të zgjedhura", f. 84)

46. Besëlidhja është "boshti i njëshmërisë së botës së njerëzimit" sepse ajo ruan unitetin dhe integritetin e vetë Besimit dhe e mbron atë që të mos përçahet nga individë që janë të bindur se kuptimi i tyre i Mësimeve është ai i drejti, një fat ky që ka mposhtur të gjitha Revelacionet e mëparshme. Besëlidhja është, për më tepër, e fiksuar në Shkrimet e Vetë Bahá'u'lláh-ut. Pra, siç shihet qartë, të pranosh Bahá'u'lláh-un do të thotë të pranosh Besëlidhjen e Tij; të hedhësh poshtë Besëlidhjen e Tij do të thotë të hedhësh poshtë Atë.

(3 janar 1982, nga një letër e shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

Rishikuar Qershor 1999

1 Shoghi Effendiu nuk kishte fëmijë dhe të gjithë Aghsán-ët që ishin gjallë kishin shkelur Besëlidhjen.

2 Ngjarje të shoqëruara me futjen e Besimit në Perëndim.

---------------

------------------------------------------------------------

---------------

------------------------------------------------------------

20 Besëlidhja
21

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :