TRUSTWORTHINESS: A Cardinal Bahá'í VIRTUE, compiled by the Research Department of the Universal House of Justice, January 1987, Revised June 1999
Text: AlbanianPërkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të Botimeve Bahá'í
(c) Asambleja Shpirtërore Kombëtare1. O njerëz! Veshja më e mirë në sytë e Perëndisë në ditën e sotme është besueshmëria. Çdo bujari e nder do të jetë pjesa që i takon shpirtit të stolisur me më të madhin e zbukurimeve.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [1]
Shihe fenë si një pemë. Frytet, gjethet, degëzat e degët e saj janë dhe gjithnjë kanë qenë, besueshmëria, vërtetësia, ndershmëria dhe vetëpërmbajtja.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [2]
Virtytet e atributet që i përkasin Perëndisë janë të gjitha të qarta e të dukshme, dhe janë përmendur e përshkruar në të gjithë Librat qiellorë. Ndër to janë besueshmëria, vërtetësia, zemërdëlirësia në komunikimn me Perëndinë, vetëpërmbajtja, nënshtrimi ndaj çdo gjëje që ka urdhëruar Fuqiploti, të kënaqurit me gjërat që ka dhënë Vullneti i Tij, durimi, madje falënderimi edhe në kulmin e mjerimit, dhe mbështetja e plotë, në të gjitha rrethanat, tek Ai. Këto renditen, sipas vlerësimit të Perëndisë, ndër veprimet më të larta e më të lavdërueshme. Të gjitha veprimet e tjera janë, dhe do të mbeten gjithmonë, të dorës së dytë e të nënshtruara ndaj këtyre...
("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", bot. shqip, Nr. 134, f. 193-94) [3]
Zbukurojini gjuhët tuaja, o njerëz, me vërtetësi dhe stolisini shpirtrat tuaj me ornamentin e ndershmërisë. Kini mendjen, o njerëz, të mos silleni pabesisht me cilindo qoftë. Jini të besuarit e Perëndisë midis krijesave të Tij dhe emblemat e bujarisë së Tij në mes njerëzve të Tij. Ata që jepen pas epsheve e prirjeve të shthurura kanë gabuar e i kanë humbur kot përpjekjet e tyre. Ata janë me të vërtetë ndër të humburit....
("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", bot. shqip, Nr. 136, f. 198) [4]
Qëllimi i të vetmit Perëndi të vërtetë është t'i bëjë thirrje gjithë njerëzimit për vërtetësi e sinqeritet, për përshpirtní e besueshmëri, për nënshtrim e përulje ndaj Vullnetit të Perëndisë, për vetëpërmbajtje e përzemërsi, për ndershmëri e urti. Synimi i Tij është të veshë çdo njeri me mantelin e një karakteri të padjallëzuar dhe ta stolisë atë me ornamentin e veprave të shenjta e të hijshme.
("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", bot. shqip, Nr. 137, f. 199) [5]
Thuaj: Le të jenë vërtetësia dhe mirësjellja stolia juaj. Mos i lejoni vetes të privoheni nga rroba e vetëpërmbajtjes dhe e drejtësisë, që shijet e ëmbla të shenjtërisë të përhapen nga zemrat tuaja në të gjitha gjërat e krijuara. Thuaj: Kini mendjen, o njerëz të Bahá-it, të mos ecni në rrugët e atyre që fjalët u ndryshojnë nga veprat. Përpiquni të bëheni të aftë për t' shfaqur popujve të tokës shenjat e Perëndisë dhe për të pasqyruar porositë e Tij...
("Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut", bot. shqip, Nr. 139, f. 203) [6]
Ne i lutemi Perëndisë, u lartësoftë lavdia e Tij, të mbështesë secilin prej miqve në atë vend, për të fituar të tilla veti të lavdërueshme që do të çojnë në përhapjen e drejtësisë e të paanësisë midis popujve të botës. Qëllimi i parë, themelor që përshkon krijimin gjithmonë ka qenë, dhe do të vazhdojë të jetë, jo gjë tjetër por shfaqja e besueshmërisë dhe e devotshmërisë, e sinqeritetit dhe e dashamirësisë në gjirin e njerëzimit, sepse këto cilësi sjellin paqen, sigurinë dhe qetësinë. Bekuar qofshin ata që zotërojnë virtyte të tilla.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [7]
Të lutem Ty, O Perëndia im, për të gjithë lavdinë e përkryer të Emrit Tënd, t'i veshësh të dashurit e Tu me rrobën e drejtësisë dhe t'i ndriçosh qeniet e tyre me dritën e besueshmërisë. Ti je Ai Që ka fuqi të bëjë ç'i pëlqen dhe Që mban në dorën e Tij frerët e të gjitha gjërave, të dukshme e të padukshme.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [8]
Thuaj: O njerëz të Perëndisë! Stoliseni ballin me ornamentin e besueshmërisë e të përshpirtnisë. Ndihmojeni, pra, Zotin tuaj me një mori veprash të hijshme e me një karakter të lavdërueshëm....
("Tabelat e Bahá'u'lláh-ut të reveluara pas Kitáb-i-Aqdas", (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1988), f. 120 [9]
Një ditë prej ditësh Ne shkuam në Ishullin Tonë të Blertë. Me të arritur, Ne pamë ujërat e tij që rridhnin, dhe pemët e tij të harlisura, dhe dritën e diellit që luante midis tyre. Duke kthyer kokën nga e djathta, Ne pamë atë që pena është e pafuqishjme ta përshkruajë; dhe as mundet ajo të paraqesë atë që syri i Zotit të Njerëzimit dëshmoi në atë Vend më të shenjtë, më sublim, më të bekuar e më të lartësuar. Duke u kthyer, pastaj, nga e majta, Ne vështruam një prej Bukurive të Parajsës Më Sublime, që qëndronte mbi një shtyllë drite dhe që thërriste me zë të lartë e thoshte: "O banorë të tokës e të qiellit! Soditni ju bukurinë Time, dhe rrezëllimin Tim, dhe revelacionin Tim, dhe shkëlqimin Tim. Për Perëndinë, Që është Një i Vetëm! Unë jam Besueshmëria dhe revelacioni i saj, dhe bukuria e saj. Unë do të shpërblej cilindo që kapet pas Meje, dhe njeh rangun e pozitën Time, dhe mbahet fort pas cepit të rrobës Sime. Unë jam stolia më e madhe e njerëzve të Bahá-it dhe rroba e lavdisë për të gjithë ata që janë në mbretërinë e krijimit. Unë jam mjeti suprem për lulëzimin e njerëzimit dhe horizonti i sigurisë për të gjitha qeniet'.Kështu Ne kemi dërguar për ty atë që do t'i afrojë njerëzit pranë Zotit të krijimit".
("Tabelat e Bahá'u'lláh-ut të reveluara pas Kitáb-i-Aqdas", f. 122) [10]
Tarazi i katërt ka të bëjë me besueshmërinë. Me të vërtetë ajo është porta e sigurisë për të gjithë ata që banojnë mbi tokë dhe një shenjë lavdie nga ana e Mëshirëplotit. Ai që merr pjesë nga kjo, me të vërtetë ka marrë pjesë nga thesaret e pasurisë e të mirëqenies. Besueshmëria është porta më e madhe që çon në qetësinë dhe sigurinë e njerëzve. Në të vërtetë qëndrueshmëria e çdo pune është varur e do të varet nga kjo. Të gjitha sferat e pushtetit, të madhështisë e të pasurisë ndriçohen nga drita e saj.
("Tabelat e Bahá'u'lláh-ut të reveluara pas Kitáb-i-Aqdas", f. 37) [11]
Sikur një njeri ta stoliste veten në këtë ditë me rrobën e besueshmërisë, kjo do të ishte më mirë për të në sytë e Perëndisë sesa po të udhëtonte ai në këmbë drejt oborrit të shenjtë dhe të kishte bekimin të takohej me të Adhuruarin e të qëndronte para Fronit të Tij të Lavdisë. Besueshmëria është si një fortesë për qytetin e njerëzimit dhe si sytë për tempullin njerëzor. Kushdo që mbetet i privuar prej saj llogaritet, para Fronit të Tij, si njeri pa shikim.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [12]
Ne sjellim ndërmend cilindo prej miqve dhe i porosisim ata t'i kushtojnë vëmendje besueshmërisë, e cila është një detyrë që Perëndia u ka besuar atyre shërbëtorëve të Tij që dinë ta ruajnë; të drejtëve, që Ai i ka bërë një kështjellë fuqie për më të favorizuarit e shërbëtorë të Tij besnikë e të përunjur; dhe të gjithë atyre që virtytet u japin dinjitet e nderim midis të gjithë popujve.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [13]
O ju miq të Perëndisë në qytetet e Tij dhe të dashur të Tij në tokat e Tij! Ky i Munduar ju ka urdhëruar juve ndershmërinë dhe përshpirtninë. Bekuar qoftë qyteti që ndriçon me dritën e tyre. Përmes tyre njeriu lartësohet dhe porta e sigurisë hapet para gjithë krijimit. Lum njeriu që kapet fort pas tyre, dhe njeh vlerën e tyre, dhe mjerë ai që mohon rangun e tyre.
("Letër për të Birin e Ujkut", bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1988), f. 23 [14]
Jini shfaqje besueshmërie të Perëndisë në çdo vend. Ju duhet ta pasqyroni këtë cilësi në mënyrë aq të përsosur, saqë edhe po të jeni duke udhëtuar përmes qytetesh të shtruara me flori, shikimi juaj të mos joshet për asnjë çast nga magjepsja e tij. Ky është standardi që kërkohet prej jush, o tubim besimtarësh të vërtetë. Ndihmojeni Zotin tuaj mëshirëplotë me pasurinë e kamjen tuaj, që në të gjitha botët e Perëndisë shërbëtorët e Tij të ndiejnë nga ju shijen e ëmbël të të vetmit Perëndi të vërtetë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [15]
Shërbëtor i vërtetë i Perëndisë në këtë ditë është ai, i cili, sikur të kalonte përmes qytetesh prej argjendi e ari, as do të denjonte t'u hidhte sytë atyre, dhe zemra e tij do të mbetej e pastër dhe e pandotur nga çfarëdo gjërash që mund të shihen në këtë botë, qofshin mallra apo thesare. Betohem për Diellin e së Vërtetës! Fryma e një njeriu të tillë është e pajisur me fuqi dhe fjalët e tij me forcë tërheqëse....
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e Drejtësisë Hyjnore", bot. shqip, f. 29) [16]
Thuaj: O mbajtës i Emrit Tim! Mbi ty qoftë lavdia Ime dhe dashamirësia Ime. Ti ke qenë gjithmonë i stolisur me rrobën e bukur të besueshmërisë e të përshpirtnisë. Këto cilësi binjake janë për ty dy shokë tek të cilët mund të gjesh ngushëllim. Ato janë dy roje që do të të ruajnë ty dhe dy rojtarë që, në dashtë Perëndia, do të të mbrojnë ty nga e keqja.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [17]
Kapuni pas cepit të rrobës së virtytit dhe mbahuni fort pas telit të përshpirtnisë e të besueshmërisë. Kushtojini vëmendje të mirës për botën dhe jo dëshirave tuaja egoiste. O njerëz të Perëndisë! Ju jeni barinjtë e botës. Mbajini grigjët tuaja të papërlyera nga bataku i pasioneve e i dëshirave të liga dhe stolisuni të gjithë me ornamentin e druajtjes së Perëndisë. Ky është urdhri i prerë që ka dalë në këtë ditë nga pena e të Përjetshmit. Betohem, për drejtësinë e Perëndisë! Shpata e sjelljes së ndershme dhe e një karakteri të hijshëm është më e mprehtë se shpatat prej çeliku.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [18]
Ne i lutemi Perëndisë të japë leje me dashamirësi që të gjithë të shfaqin një karakter të tillë të drejtë, të tilla vepra të hijshme e të tilla fjalë të njerëzishme që të kenë pëlqimin e Tij. Është urdhëruar që kështjellat e zemrave të njerëzve të nënshtrohen me anë të ushtrive të një karakteri fisnik e të veprave të lavdërueshme. Grindjet, mosmarrëveshjet, konfliktet dhe rebelimi janë ndaluar që të gjitha në Librin e Perëndisë. Lutjuni Zotit që të mos i lerë zotërimet e Tij pa dritën e shkëlqyeshme të diellit të besueshmërisë, as të mos u mohojë atyre rrezëllimin e Yllit të Ditës të vërtetësisë ose shkëlqimin e yllit të drejtësisë e të paanësisë.
Besueshmëria dhe devotshmëria janë si dy yje që shkëlqejnë ndritshëm mbi horizontin e qiellit të Tabelës në të cilën janë shkruar porositë e Perëndisë. Lum ata që i shohin këto, dhe mjerë të shkujdesurit!
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes dhe arabishtes) [19]
Ne i kemi këshilluar të gjithë njerëzit, me gjuhën më të qartë e më elokuente, të stolisin karakteret e tyre me besueshmëri e devotshmëri, dhe me të tilla cilësi që çojnë në lartësimin e pozitës së njeriut në botën e qenies. Ky i munduar dëshmon se qëllimi për të cilin njerëzit e vdekshëm nga një hiç i plotë kanë hyrë në mbretërinë e qenies, është që ata të punojnë për përmirësimin e botës dhe të jetojnë së bashku në marrëveshje e harmoni. Mosmarrëveshja e konflikti gjithmonë kanë qenë, dhe do të mbeten, të refuzuara nga Perëndia. Librat, Tekstet dhe Shkrimet e Shenjta të kohëve të shkuara kanë shpallur të gjitha lajmin e gëzuar se qëllimi që qëndron në themel të këtij Revelacioni kaq të madh s'është tjetër veçse riaftësimi i botës e i kombeve të saj; se ndoshta fuqia e fjalës mund të mbizotërojë mbi fuqinë e armëve dhe punët e botës të administrohen me forcën e dashurisë. Ne i lutemi Perëndisë, Që është Një i Vetëm, t'i veshë të gjithë me rrobën e besueshmërisë, sepse ajo është veshja më e hijshme e botës.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [20]
Kapu pas druajtjes së Perëndisë dhe pas çfarëdo që është reveluar në Librin e Tij: kështu të urdhëron Ai Që është Fjala e së Vërtetës dhe Njohësi i gjërave të padukshme. Thuaj: besueshmëria është dielli i qiellit të porosive të Mia, vërtetësia është hëna e tij dhe atributet e lavdërueshme janë yjet e tij. Por njerëzit, në pjesën më të madhe, nuk e kuptojnë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [21]
Ne u dërgojmë përshëndetjet Tona pasuesve besnikë të të vetmit Perëndi të vërtetë, të cilët kanë shijuar ujërat e ëmbla të dashamirësisë dhe e kanë drejtuar shikimin e tyre ndaj Mbretërisë së Lavdisë. Ne i urdhërojmë ata të sillen me besueshmëri e drejtësi dhe të bëjnë jetë të dëlirë e të virtytshme.
O miq të dashur! Kushdo që e stolis karakterin e tij me virtyte të tilla do të numërohet ndër shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë dhe emri i tij do të kujtohet nga Tubimi i Epërm; por ai që e privon veten prej tyre nuk do të llogaritet ndër ta. Përpiquni me zell të fitoni të tilla veti të hijshme e tipare të karakterit që do të sjellin shpëtimin e përjetshëm. Mos i bëni frytet e pemës së besueshmërisë tabela qitjeje për gurët e tradhtisë, as mos i copëtoni degët e tyre me instrumentet e tiranisë e të shtypjes. Vërtetësia dhe sinqeriteti kanë qenë kurdoherë stolia e karakterit të njeriut, dhe kështu do të jenë gjithmonë.
O miq! Le të mos ju shkëpusë joshja e rreme e kësaj bote kalimtare -- për përkohshmërinë e së cilës dëshmojnë të gjitha gjërat -- nga dhuratat e përhershme të Perëndisë, dhe as të mos ju lerë pa marrë pjesën tuaj nga ushqimi shpirtëror që Ai ka dërguar prej qiellit të bujarisë së Tij. Përqëndrojeni shikimin tuaj tek Ai Që është Fjala Sovrane e së Vërtetës: mbështeteni tërë besimin tek Ai dhe lutjuni Atij të caktojë për ju atë që duhet e që është e përshtatshme. Lërini punët tuaja në dorën e Perëndisë, Zotit të krijimit. Sillni ndërmend njerëzit e kohëve të shkuara: për ku nxitonin ata, kryelartët e mendjemëdhenjtë, ata që bënin ligësi e mbrapshti? Ku janë thesaret e tyre të vëna mënjanë, pallatet, kështjellat dhe fronet e tyre? Reflektoni për ato ditë të shkuara dhe për peripecitë që ato tregojnë, dhe të jini të paralajmëruar nga kjo. Lutja e këtij të Munduari është që Perëndia t'ju ndihmojë të gjithëve të bëni atë që do të ketë pëlqimin dhe pranimin e Tij.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [22]
Ti je shumë i dashur për Ne; dhe, ashtu si të duam ty, po kështu i duam të gjithë ata tek të cilët shquhen stolitë e hijshme të besueshmërisë e të një jete të drejtë, dhe të tilla cilësi të virtytit e të ndershmërisë që Ne u kemi urdhëruar njerëzve në Librin e Perëndisë, Zotit të Fronit të Madh. Fatlum është shpirti që ka ndier flladin erëmirë të fjalës hyjnore dhe i ka vënë veshin asaj që është reveluar nga Perëndia, i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari. Perëndia ka dashur, me të vërtetë, që Kauza e Tij të ndihmohet prej ushtrive të veprave të hijshme e të një karakteri të drejtë. Lum, pra, njeriu që e mëson këtë të vërtetë dhe vepron në përputhje me të; dhe mjerë ata që e shpërfillin ose e mohojnë atë!
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [23]
U dërgojmë përshëndetjet tona miqve dhe i porositim të sillen me drejtësi, besueshmëri, devotshmëri, virtyt e dashamirësi -- shkurt, me të gjitha ato veti që do të shërbejnë për të zbuluar pozitën e vërtetë të njeriut në botën e qenies. Ai Që është e Vërteta e Përjetshme, u lartësoftë lavdia e Tij, gjithnjë e ka dashur besnikërinë. Lum ai që e stolis ballin me zbukurimin e saj dhe nderohet me këtë shquarsi kaq të madhe.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [24]
Besueshmëria, urtia dhe ndershmëria janë, me të vërtetë, stolitë më të bukura të Perëndisë për krijesat e Tij. Këto veshje të hijshme janë një rrobë e përshtatshme për secilin. Lum ata që kuptojnë, dhe është mirë për ata që fitojnë virtyte të tilla.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes dhe arabishtes) [25]
Kapuni kurdoherë pas telit të besueshmërisë dhe mbahuni fort pas cepit të rrobës së vërtetësisë: kështu ju urdhëron Ai Që është i Vërteti, i Besuari. Perëndia më është dëshmitar, besueshmëria është një dritë që shkëlqen ndritshëm nga qiejt dhe çon në lartësimin e Kauzës së Perëndisë, Fuqiplotit, të Pakrahasueshmit, të Gjithëlëvduarit. Ai që i ka qëndruar besnik Besëlidhjes ka qenë i patundur në zbatimin e besueshmërisë, ndërsa ata që e kanë flakur atë kanë bërë gabim të rëndë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [26]
Të gjithë ju duhet të stolisni qenien tuaj të brendshme e të jashtme, që, të veshur me besueshmëri, të ngjeshur me drejtësi dhe të zbukuruar me vërtetësi e ndershmëri, të bëheni mjete për të lartësuar Kauzën dhe për edukimin e gjinisë njerëzore.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [27]
Bashkudhëtarët e Perëndisë janë, në këtë ditë, tharmi që duhet të fermentojë popujt e botës. Ata duhet të tregojnë besueshmëri të tillë, vëtetësi e këmbëngulje të tillë, vepra e karakter të tillë që gjithë njerëzimi të mund të përfitojë prej shembullit të tyre....
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e Drejtësisë Hyjnore", bot. shqip, f. 29) [28]
Ata që banojnë në faltoren e Perëndisë e janë vendosur në fronet e lavdisë së përjetshme, edhe po të jenë duke vdekur urie do të refuzojnë të zgjatin dorën e të rrëmbejnë në rrugë të paligjshme pronën e të afërmit të tyre, sado i ulët e pa vlerë të jetë ai. Duke manifestuar Veten e Tij, qëllimi i të vetmit Perëndi të vërtetë është t'i bëjë thirrje gjithë njerëzimit për vërtetësi e sinqeritet, për devotshmëri e besueshmëri, për nënshtrim e përulje ndaj Vullnetit të Perëndisë, për vetëpërmbajtje e dashamirësi, për ndershmëri e urti. Synimi i Tij është të veshë çdo njeri me mantelin e një karakteri të padjallëzuar dhe ta stolisë atë me ornamentin e veprave të shenjta e të hijshme....
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e Drejtësisë Hyjnore", bot. shqip, f. 29-30) [29]
O të dashurit e Mi! Ne ju ngarkojmë të silleni me besueshmëri e drejtësi, që përmes jush atributet e Zotit tuaj të shfaqen te shërbëtorët e Tij dhe provat e shenjtërisë së Tij të lartësuar të duken në çdo vend. Ai është, me të vërtetë, Urdhëruesi, i Lashti i Kohëve.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [30]
Unë ju këshilloj, o miq të Perëndisë, të silleni me besueshmërinë më të madhe në marrëdhëniet tuaja me shërbëtorët e njerëzit e Mi. Me ndihmën e saj Kauza e Perëndisë do të çohet përpara në mbarë botën dhe shenjtëria e saj e lartësuar do t'i shfaqet gjithë krijimit. Jini bartës të besimit të të gjithë njerëzve. Kështu i kemi urdhëruar Ne në Tabelat. Zoti është, me të vërtetë i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [31]
O miq të Perëndisë në çdo vend! Ky i munduar ju vë në be për të Shumëdashurin e botës, Që ju fton me zë të lartë në Mbretërinë e Fjalës, që të mos silleni pabesisht me pasurinë e njerëzve të tjerë. Jini të besuarit e Perëndisë në zotërimet e Tij dhe mishërime të vërtetësisë në të gjitha mbretëritë e Tij. Bekuar qoftë njeriu që u vë veshin këshillave të Perëndisë dhe zbaton porositë e Tij.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [32]
Ne u kemi urdhëruar të gjithëve të merren me ndonjë zeje ose profesion dhe ta shohin këtë punë si një akt adhurimi. Por, para çdo gjëje tjetër, ti duhet të marrësh, si shenjë e pranimit nga ana e Perëndisë, rrobën e besueshmërisë nga duart e miratimit hyjnor; sepse besueshmëria është mjeti kryesor për të tërhequr mbështetje e mirëqenie. Ne i lutemi Perëndisë ta bëjë këtë një re të ndritshme e fatmirë që lëshon shi, e cila do të sjellë sukses e bekime në punët e tua. Ai është me të vërtetë Bujariploti, i Hirshmi.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes e arabishtes) [33]
Tregtia është si qielli, dielli i të cilit është besueshmëria dhe hëna e të cilit është vërtetësia. Më e çmuara ndër të gjitha gjërat në vlerësimin e Atij Që është e Vërteta Sovrane është besueshmëria: kështu është shkruar në Pergamenën e Shenjtë të Perëndisë. Lutjuni të vetmit Perëndi të vërtetë ta bëjë gjithë njerëzimin të aftë të arrijë këtë pozitë kaq fisnike e të lartë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes e arabishtes) [34]
Lidhur me pyetjet për pagesën që ke shkruar në letrën tënde, duket fare qartë se kushdo që është në gjendje të shlyejë borxhet e tij, e megjithatë e lë këtë pasdore, nuk ka vepruar në përputhje me pëlqimin e të vetmit Perëndi të vërtetë. Ata që hyjnë në borxhe duhet të përpiqen me zell e këmbëngulje t'i shlyejnë ato. Porositë e detyrueshme të Perëndisë lidhur me besueshmërinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave janë shkruar me gjuhë të qartë e të kthjellët në të gjithë Librat e shenjtë, Tabelat dhe Shkrimet e Tekstet e shenjta. Lum ata që kotësitë jetëshkurtëra të kësaj bote nuk i kanë privuar nga një stoli e përhershme dhe që kopracia e shkujdesja nuk i kanë zënë dritën e diellit të besueshmërisë. Këto gjëra, sidoqoftë, varen nga ekzistenca e aftësisë, sepse bërja e një kërkese kushtëzohet nga aftësia për ta përballuar atë. Për Zotin e Librit, e para nuk është e lejueshme në mungesë të së dytës. Për këtë dëshmon vargu: Jepi afat borxhliut tënd derisa ai të gjejë mjetet për të paguar".1
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [35]
Në shumë prej Tabelave Tona i kemi këshilluar shërbëtorët e Perëndisë të jenë të besueshëm e të ndershëm, të drejtë e të paanshëm. I kemi urdhëruar ata të shmangin padrejtësinë e ligësinë dhe i kemi porositur të jenë të devotshëm e të rrinë në frikë të Perëndisë. Por të shkujdesurit kanë shkuar vetëm në humbje gjithnjë e më të madhe. Me të vërtetë, sikur krijesat e Perëndisë t'i konformonin veprimet e tyre me dëshirën e pëlqimin e Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, e gjithë toka do të shihej tani si një vend i vetëm, një tokë e bekuar plot bukuri e dritë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [36]
Thuaj: hiqni dorë nga ligësia e mëkati dhe kapuni pas besueshmërisë e devotshmërisë, çiltërsisë e sinqeritetit. Kjo është porosia e Perëndisë, Zotit të Ditës së Gjyqit. Ai Që bota e ka munduar nuk flet nën shtytjen e dëshirave tokësore, por në pajtim me atë që është reveluar në Librin e Perëndisë, Urdhëruesit, të Lashtit të Kohëve. Ndershmëria e karakterit është mjeti me anën e të cilit pozita e lartë e arritshme nga njeriu në botën e qenies mund të bëhet e qartë: për këtë dëshmojnë shërbëtorët e nderuar të Perëndisë, të cilët pëshpëritjet e liga të njerëzve nuk i kanë penguar të ngrihen për t'i shërbyer Zotit të tyre, Mbretit të Fronit të Madh.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej arabishtes) [37]
Ji nga njerëzit e zjarrit të skëterrës,Kështu ia merr melodive të saj Zamarja e Shenjtë, dhe Bilbili i Parajsës cicërron këngën e tij, që Ai të futë jetë të pasosur në trupat e vdekshëm të njerëzve, t'u japë tempujve prej pluhuri thelbin e Shpirtit të Shenjtë e Dritën qiellore dhe ta çojë botën kalimtare, përmes forcës së një fjale të vetme, në Mbretërinë e Përjetshme.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [38]
Fragmente nga thëniet e Báb-ít:Një ditë Báb-í kërkoi që t'i blinin ca mjaltë. Çmimi me të cilin e blenë iu duk Atij i tepruar. Ai e refuzoi dhe tha: "Padyshim, mjaltë i një cilësie më të lartë mund të blihej me një çmim më të ulët. Unë që jam shembulli juaj kam qenë me profesion tregtar. Ju duhet të ndiqni shembullin Tim në të gjitha transaksionet tuaja. Ju nuk duhet as të mashtroni të afërmin dhe as të lejoni që ai t'ju mashtrojë. Kjo ishte metoda e Mjeshtrit tuaj. Njerëzit më finokë e më të aftë nuk qenë në gjendje ta mashtronin Atë, dhe Ai nga ana e Vet kurrë nuk deshi të vepronte jofisnikërisht ndaj krijesave më të përvuajtura e më të pafuqishme". Ai nguli këmbë që shërbëtori që e kishte blerë ta kthente mjaltin dhe t'i sillte mjaltë të një cilësie më të lartë e me çmim më të lirë.
(Cituar në "Lajmëtarët e Agimit: Tregim i Nabil-it për Ditët e Hershme të Revelacionit Bahá'í", përkthyer e botuar në anglisht nga Shoghi Effendi, (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1974), f. 303) [39]
Fragmente nga shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it:Vërtetësia është themeli i të gjitha virtyteve njerëzore. Pa vërtetësi, përparimi dhe suksesi, në të gjitha botët e Perëndisë, do të ishte i pamundur për çdo shpirt. Kur ky atribut i shenjtë të jetë futur te njeriu, të gjitha cilësitë hyjnore do të fitohen gjithashtu.
(Cituar në Shoghi Effendi, "Ardhja e Drejtësisë Hyjnore", bot. shqip, f. 32) [40]
O Sadik [Sadiq]!2 Vërtetësia, drejtësia dhe ndershmëria janë atributet e të drejtit dhe vula e të pastrit. Vërtetësia është më e hijshmja e cilësive, sepse i përfshin të gjitha virtytet e tjera. Një njeri i çiltër është i mbrojtur prej të gjitha të këqijave morale, i shmanget çdo bëme të ligë dhe i ruhet çdo veprimi keqdashës, duke qenë se të gjitha veset e prapësitë janë vetë antiteza e vërtetësisë dhe një njeri i çiltër ka për to neverinë më të madhe.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [41]
O shpirt i pastër! Shko në gjurmët e të çiltërit dhe ec në rrugën e të drejtit, që nëpërmjet vërtetësisë të zësh një Vend të së Vërtetës3 dhe nëpërmjet drejtësisë të arrish nderim të përhershëm. Po të peshohej në peshore shuma e të gjitha mëkateve, vetëm pavërtetësia do të peshonte sa të gjitha ato së bashku; madje jo, të këqijat e saj do të peshonin më tepër se ato dhe dëmi i saj do të ishte më i madh. Do të ishte më mirë që ti të ishe një blasfemues dhe të thoje të vërtetën sesa goja jote të thoshte formulat e besimit dhe ti të ishe një gënjeshtar. Këto fjalë të qarta i drejtohen si paralajmërim njerëzve të botës. Falëndero Perëndinë që përmes teje kjo këshillë i është drejtuar gjithë njerëzimit.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [42]
O ushtri e Perëndisë! Nëpërmjet mbrojtjes dhe ndihmës së dhuruar nga Bukuria e Bekuar -- u bëftë fli jeta ime për të dashurit e Tij -- ju duhet të silleni në mënyrë të tillë që të shquheni e të shkëlqeni si dielli në mes shpirtrave të tjerë. Në qoftë se ndonjëri prej jush hyn në një qytet, ai, në saje të sinqeritetit, të çiltërsisë e të dashurisë, të ndershmërisë e të besnikërisë, të vërtetësisë e të dashamirësisë së tij ndaj të gjithë njerëzve të botës, duhet të bëhet një qendër tërheqëse, që njerëzit e atij qyteti të thonë: "Ky njeri është pa diskutim një Bahá'í, sepse figura e tij, sjellja e qëndrimi i tij, morali, natyra dhe prirjet e tij pasqyrojnë atributet e Bahá'í-ve". Para se të keni arritur këtë pozitë, ju nuk mund të thoni se i jeni përmbajtur me besnikëri Besëlidhjes dhe Testamentit të Perëndisë. Sepse Ai, përmes Tekstesh të pakundërshtueshme, ka hyrë në një Besëlidhje detyruese me të gjithë ne, që na kërkon të veprojmë në përputhje me udhëzimet e këshillat e Tij të shenjta.
("Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it" [bot. i rish.], (Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1982), seksioni 35, f. 70-71) [43]
...ne, dhe miqtë e Perëndisë, nuk duhet kurrsesi të ngadalësojmë përpjekjet tona për të qenë të besës, të sinqertë e njerëz të vullnetit të mirë. Ne kurdoherë duhet të shfaqim vërtetësinë dhe sinqeritetitn tonë, madje jo, ne duhet të jemi të pandryshueshëm në besnikërinë e besueshmërinë tonë dhe të lutemi për të mirën e të gjithëve.
("Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it", seksioni 225, f. 294) [44]
Karakteristika parësore e besimtarëve të vërtetë është besueshmëria, ndërsa karakteristika parësore e rebelëve është pabesia.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [45]
Sikur ndokush të bënte gjithfarë punësh të mira, por në mënyrë të paskrupullt të mos ishte tërësisht i besueshëm e i ndershëm, punët e tij të mira do të thaheshin si eshkë dhe mosqenia e tij si duhet do të ishte si një zjarr që djeg shpirtrat. Sikur, nga ana tjetër, ai të dështonte në të gjitha punët e tij, por të vepronte me besueshmëri e ndershmëri, të gjitha të metat e tij më në fund do të ndreqeshin, të gjitha dëmet do të rregulloheshin dhe të gjitha sëmundjet do të shëroheshin. Mendimi ynë është që, në sytë e Perëndisë, besueshmëria është rrënja e Besimit të Tij dhe themeli i të gjitha virtyteve e përsosurive. Një njeri të cilit i mungon kjo cilësi është skamës në çdo gjë. Ç'do të vlenin besimi dhe devotshmëria në qoftë se mungon besueshmëria? Çfarë pasoje mund të sjellin ato? Ç'përfitim ose avantazh mund të japin ato? Prandaj 'Abdu'l-Bahá-i i këshillon miqtë -- madje jo, u lutet me zjarr atyre -- të ruajnë aq syhapur shenjtërinë e Kauzës së Perëndisë dhe dinjitetin e tyre si individë, saqë të gjitha kombet t'i njohin e t'i nderojnë ata për besueshmërinë dhe ndershmërinë e tyre. Ata nuk mund të bëjnë sot shërbim më të madh se ky. Të veprosh ndryshe, do të thotë të qëllosh me sëpatë rrënjën e Kauzës së Perëndisë -- ne gjejmë strehim te Perëndia nga ky mëkat i urryer dhe lutemi që Ai t'i mbrojë të dashurit e Tij nga një gabim i tillë i rëndë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [46]
Ju keni shkruar për çështjen sesi duhet të veprojnë miqtë në punët e tyre të tregtisë me njëri-tjetrin. Kjo është një çështje tepër e rëndësishme dhe me interes të madh. Në këto lloj marrëdhëniesh, miqtë e Perëndisë duhet të veprojnë me besueshmërinë e ndershmërinë më të madhe. Të tregohesh i pakujdesshëm në këtë fushë do të thotë t'u kthesh shpinën këshillave të Bukurisë së Bekuar dhe porosive të shenjta të Perëndisë. Në qoftë se një njeri në vetë shtëpinë e tij nuk i trajton të afërmit e miqtë me besueshmëri e ndershmëri të plotë, marrëdhëniet e tij me botën e jashtme -- sado besueshmëri e ndershmëri t'u sjellë atyre -- do të jenë shterpë e të pafrytshme. Më parë njeriu duhet të rregullojë punët në shtëpinë e vet, pastaj të kujdeset për punët e tij me publikun. Askush, me siguri, nuk do të ngulë këmbë se miqtë nuk duhen trajtuar me kujdes të tepruar, ose se nuk është e nevojshme që ata t'i kushtojnë një rëndësi tepër të madhe praktikës së besueshmërisë në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, dhe se sjellja korrekte është thelbësore vetëm në marrëdhëniet me të huajt. Të flasësh kështu është krejt fantazi dhe të çon në dëm e në humbje. Bekuar qoftë ai shpirt që shkëlqen me dritën e besueshmërisë në mes njerëzve dhe bëhet një shenjë përsosurie midis të gjithëve.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [47]
Përderisa funksionimi i rregullt i shoqërisë suaj varet nga devotshmëria, ndershmëria, drejtësia dhe shenjtëria e qëllimit që shprehin miqtë e Perëndisë, ata në drejtimin e punëve të saj duhet të tregojnë një dëlirësi, fisnikëri e urti largpamëse të tillë saqë të bëhen model për shoqëri të tjera dhe që të gjithë njerëzit të mësojnë e të ndriçohen nga shembulli i tyre. Në këtë mënyrë Bahá'í-të do të bëhen të njohur për të gjithë njerëzit që janë të besueshëm e të ndershëm, të virtytshëm e të ditur, të dëlirë e të pastër; që janë të zellshëm e me parime të larta, me mendim të gjerë e përkrahës të lirisë; që kujdesen për t'i shërbyer të mirës së përbashkët, që nuk nxjerrin në plan të parë interesat e veta dhe që kanë për qëllim të çojnë përpara mirëqenien e mbarëvajtjen e popullit, e jo të kujdesen për mirëqenien e vet.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [48]
Kriteri juaj duhet të jetë t'i zhvilloni veprimtaritë tuaja tregtare me një ndershmëri e drejtësi të tillë që të jetë si udhërrëfim për të tjerët. Miqtë e Perëndisë duhet, me anën e punës së tyre, t'i çojnë njerëzit në rrugën e Perëndisë dhe të bëjnë që ata të mahniten aq shumë sa të thërrasin: "Sa e madhe është vërtetësia e tyre, sa e lartë është besueshmëria e tyre dhe sa e vërtetë është dashamirësia e tyre".
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [49]
Çdo shoqëri biznesi duhet vendosur mbi baza hyjnore. Themelet e saj duhet të jenë besueshmëria, devotshmëria dhe vërtetësia, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e njerëzve.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [50]
Tregtia, bujqësia dhe industria, në të vërtetë, nuk duhet të jenë pengesë për t'i shërbyer të vetmit Perëndi të vërtetë. Me të vërtetë, punë të tilla janë mjete tepër të fuqishme dhe prova të qarta që dëshmojnë për devotshmërinë e njeriut, për besueshmërinë e tij dhe për virtytet e Zotit Mëshirëplotë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [51]
Ju që jeni dashamirësit e shtetit, që jeni shtetasit e urtë e të bindur të qeverisë, duhet të jeni në shërbim të përhershëm. Kushdo që hyn në punë të qeverisë duhet të tregojë në të gjitha bëmat e veprimet e tij shkallën më të lartë të korrektesës e të ndershmërisë, të zotërimit të vetvets e të vetëdisiplinës, të dëlirësisë e të shenjtërisë, të drejtësisë e të paanësisë. Në qoftë se ai, mos e dhëntë Zoti, do të ishte fajtor për shkeljen më të vogël të besimit, ose për kryerjen e detyrave të tij në mënyrë të shkujdesur ose të çrregullt, ose do të xhvaste qoftë edhe një grosh nga populli, ose do të përpiqej të rendë pas interesave të veta egoiste e përfitimeve vetjake -- atëherë ai me siguri do të privohej nga vërshimi i hirit të Perëndisë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [52]
Në kryerjen e funksioneve të detyrës që të kanë caktuar, sjellja dhe veprimet e tua duhet të dëshmojnë për standardet më të larta të besueshmërisë e të ndershmërisë, për një shkallë sinqeriteti që është tërësisht mbi çdo dyshim, dhe për një pastërti që është e imunizuar ndaj tundimeve të egoizmit. Kështu të gjithë do ta dinë se Bahá'í-të janë mishërimi i korrektesës dhe vetë thelbi i virtytit të panjollë. Në qoftë se ata e pranojnë detyrën, motivi i tyre është t'i shërbejnë mbarë njerëzimit, dhe jo të shohin interesin e tyre egoist; dhe objektivi i tyre është të mbrojnë kauzën e së vërtetës, jo të jepen pas rehatisë për vete e të tregojnë mosmirënjohje të ulët.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [53]
Përsa u përket atyre që janë të angazhuar në shërbim qeveritar, ata duhet t'i kryejnë detyrat e tyre me besnikërinë, besueshmërinë, drejtësinë, ndershmërinë, pastërtinë dhe virtytësinë më të madhe. Le të mos e njollosin ata namin e tyre të mirë duke rendur pas interesave vetjake, dhe as, për hir të përfitimeve kalimtare të kësaj bote, ta bëjnë veten objekt të urrejtjes publike e të dëbohen nga Pragu i Madhështisë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [54]
Ata persona që janë zgjedhur për t'i shërbyer publikut, ose që janë caktuar në poste administrative, duhet t'i kryejnë detyrat e tyre në frymën e një shërbëtori të vërtetë e të një nënshtrimi të gatshëm. Domethënë ata duhet të shquhen për dispozicionin e tyre të mirë dhe karakterin e virtytshëm, të kënaqen me shpërblimin që i kanë caktuar dhe të veprojnë me besueshmëri në të gjitha punët e tyre. Ata duhet të qëndrojnë larg motiveve të padenja dhe shumë larg qëllimeve lakmitare; sepse drejtësia, korrektesa dhe ndershmëria janë ndër mjetet më të fuqishme për të tërhequr hirin e Perëndisë dhe për të siguruar si mbarësinë e vendit dhe mirëqenien e popullit. Lavdia dhe nderi i njeriut nuk gjenden në zotërimet e pasuritë, aq më pak në ato që janë grumbulluar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet zhvatjes, përvetësimit e korrupsionit në kurriz të popullit të shfrytëzuar. Nderimi më i lartë, fisnikëria dhe madhështia në botën njerëzore, dhe lumturia e vërtetë në këtë jetë dhe në jetën e ardhme -- të gjitha qëndrojnë në drejtësinë e ndershmërinë, në shenjtërinë e shkëputjen. Në qoftë se një njeri kërkon shquarsi, ai do të mjaftohet me një ushqim të thjeshtë, do të përpiqet të përmirësojë fatin e të varfërve të mbretërisë, do të zgjedhë rrugën e drejtësisë e të paanësisë dhe do të ecë në shtegun e shërbimit energjik. Një njeri i tillë, sado nevojtar që të jetë, do të fitojë pasuri të pavdekshme dhe do të arrijë nderim të pasosur.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [55]
Në qoftë se disa prej miqve do të hyjnë në shërbim të qeverisë, ata duhet ta bëjnë punën e tyre një mjet për t'u qasur pranë Pragut të shenjtë: ata duhet të veprojnë me ndershmëri e drejtësi, t'i mbyllin derën rreptësisht çdo forme të ryshfetmarrjes e të korrupsionit dhe të kënaqen me pagat që marrin, duke u krenuar, në të kundërtën, me shkallën e mendjemprehtësisë, të kompetencës e të gjykimit që mund të sjellin në punën e tyre. Në qoftë se një person kënaqet vetëm me një çyrek bukë dhe i kryen detyrat me aq drejtësi e paanësi sa varet prej tij, ai do të jetë princi i të vdekshmëve dhe më i lavdërueshmi i njerëzve. Fisnik e i shquar do të jetë ai, pavarësisht se qesen e ka bosh! Për njeriun, lavdërimi e lavdia qëndrojnë në vetitë e virtytshme e fisnike; nderimi e shquarsia në afërsinë pranë Pragut të shenjtë. Pasuria e botës është, në të kundërtën, përjetim mashtrues.4 Ata që digjen nga dëshira për këtë janë pasuesit e së ligës dhe, shpejt, do të zhyten në pështjellim e dëshpërim. Si është më mirë -- që njeriu të jetë kështu, apo që ai të sillet me përkushtim e qëllime të shenjta dhe të shquhet për pastërtinë, drejtësinë dhe ndershmërinë e tij? Jo, veti të tilla janë më të mira se pasuritë e Korah-ut5 dhe më të shtrenjta se të gjitha thesaret e ekzistencës.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [56]
Në qoftë se ndonjë prej miqve ... emërohet në një detyrë të lartë administrative, ai duhet të përpiqet me zell t'i kryejë detyrat që lidhen me postin e tij me ndershmëri, pastërti, sinqeritet, korrektesë e drejtësi të plotë. Po qe se ai, sidoqoftë, abuzon me pozitën e tij duke u sjellë në mënyrë të korruptuar e vetëm për para, atëherë do të shihet me neveri te Pragu i Madhështisë dhe do të shkaktojë zemërimin e thellë të Bukurisë Abha, madje jo, do të braktiset nga i vetmi Perëndi i vërtetë dhe nga të gjithë ata që e adhurojnë Atë. Larg nga një sjellje e tillë, ai duhet të kënaqet me pagën dhe racionin e tij, të ndjekë rrugën e ndershmërisë dhe t'ia kushtojë jetën e tij shërbimit ndaj shtetit dhe popullit. Të tilla duhet të jenë sjellja e qëndrimi i Bahá'í-ve. Kush i shkel këta kufij do të ketë më në fund humbje të dukshme.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [57]
Ata shpirtra që punojnë në zyra qeveritare duhet t'i kryejnë detyrat e tyre me shkëputje tërësore, ndershmëri e frymë të pavarur dhe me përkushtim të plotë e qëllime të pastra. Duke u kënaqur me pagat që marrin, ata duhet të bëjnë kujdes që të mos njollosin karakterin e tyre të drejtë me akte ryshfeti e mashtrimi. Sikur ndonjëri prej miqve në këtë ditë të përvetësonte qoftë edhe vetëm një qindarkë, rroba e shenjtë e Kauzës së Perëndisë do të njollosej nga veprimi i tij dhe turpi do t'i ngjitej tërë komunitetit. Mos e dhëntë Zoti! Përkundrazi, qeveria dhe populli duhet të kenë një besim të tillë te Bahá'í-të saqë të duan t'i kryejnë të gjitha punët e shtetit në të gjitha provincat me duart e pastra, të dëlira të të dashurve të Perëndisë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [58]
Të gjithë nëpunësit shtetërorë, të rangut të lartë ose të ulët, duhet që me ndershmëri, korrektesë e drejtësi të plotë, të kënaqen me pagën e racionin modest që u takon. Ata duhet t'i mbajnë duart e tyre të panjollosura dhe të ruajnë emrin e tyre të mirë nga përçudnimi.... Në qoftë se dikush vepron në mënyrë të pabesë ndaj një qeverie të drejtë, ai ka vepruar në mënyrë të pabesë ndaj Perëndisë; dhe në qoftë se shërben me besnikëri, ai atë shërbim ia ka bërë Perëndisë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [59]
Le t'i kryejnë ata shërbimet e tyre me shenjtëri e shkëputje të plotë, dhe kurrsesi të mos e ndotin veten duke marrë ryshfete, duke ushqyer motive të pahijshme, ose duke u angazhuar në praktika të degjeneruara. Le të kënaqen ata me pagat e tyre dhe ta kërkojnë shquarsinë në vërtetësinë, ndershmërinë dhe në ndjekjen e virtytit e të përsosurisë; sepse mburrja me pasuritë është e denjë vetëm për njerëzit e ulët dhe kryelartësia për zotërimet u shkon për shtat vetëm të marrëve. Për të arritur lavdinë e nderin e vërtetë, njeriu duhet të ushtrojë drejtësinë e paanësinë, të vetëpërmbahet nga të vepruarit në mënyrë shtypëse, t'i shërbejë qeverisë së tij dhe të punojë për të mirën e bashkëqytetarëve të tij. Po të kërkonte diçka tjetër e jo këtë, ai me të vërtetë do të ishte në humbje të dukshme.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [60]
Sa i marrë e injorant duhet të jetë njeriu, sa e ulët natyra e tij dhe sa e ndyrë balta nga e cila është artuar, në qoftë se ai e fëlliq veten me ndotjen e ryshfetit, të korrupsionit e të pabesisë ndaj shtetit! Me të vërtetë, llumi i tokës është më i pëlqyeshëm sesa njerëz të tillë!
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [61]
Në qoftë se do të ndodhte që ndonjëri prej miqve të thirrej për t'i shërbyer vendit dhe popullit të vet në ndonjë post, ai do të duhej t'i përvishej punës me mish e me shpirt dhe t'i kryente detyrat e tij me ndershmëri, besueshmëri e devotshmëri të plotë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes) [62]
Fragmente nga letra të shkruara prej Shoghi Effendiut:
Kjo është koha për t'i dhënë Kauzës së shenjtë një ndihmë fitimtare e të efektshme! Fitorja e Besimit të Perëndisë varet nga mësimi; dhe mësimi kushtëzohet nga veprimet e drejta dhe nga bëmat e sjellja e hijshme. Guri themeltar i një jete të jetuar në rrugën e Perëndisë është arritja e përsosurisë morale dhe fitimi i një karakteri të pajisur me cilësi të pëlqyeshme në sytë e Tij. Prandaj Bahá'í-të duhet ta stolisin veten me këtë rrobë të shenjtë; me këtë shpatë të fuqishme ata duhet të pushtojnë kështjellat e zemrave të njerëzve. Njerëzit janë lodhur e kanë humbur durimin nga retorika e ligjëratat, nga predikimet e moralizimet. Në kohën e tanishme e vetmja gjë që mund ta çlirojë botën nga rraskapitja dhe të tërheqë zemrat e popujve të saj janë bëmat, jo fjalët; shembulli, jo porositë; virtytet e shenjta, jo deklaratat e kartat që nxjerrin qeveritë e kombet për çështjet shoqërore-politike. Në çdo çështje, të madhe ose të vogël, fjala duhet të jetë plotësimi i bëmave, dhe bëmat shoqërueset e fjalëve: çdonjëra prej tyre duhet të plotësojë, të mbështesë e të përforcojë tjetrën. Pikërisht nga kjo pikëpamje Bahá'í-të duhet të kërkojnë shquarsi mbi popujt e kombet e tjera, të cilat Pena e Më të Lartit i ka tipizuar me këto fjalë: "Fjalët e tyre janë krenaria e botës dhe bëmat e tyre janë turpi i kombeve".
(8 dhjetor 1923, drejtuar një komuniteti Bahá'í, përkthyer nga persishtja) [63]
Nëpunësia që Bahá'í-të pranojnë, detyrat e detyrimet që ata kryejnë duhet të jenë të tilla që përfitimet t'i marrë kombi si një e tërë, e jo të tilla që shërbejnë si mjet përfitimi për një rreth të ngushtë zyrtarësh të lartë dhe për disa individë të zgjedhur. Më tej, miqtë e dashur dhe anëtarët e Asambleve duhet që, në rrethanat e shumëllojta të jetëve të tyre dhe në të gjitha punët e veprimtaritë e tyre shumëfarësh, me bëmat e tyre, me sjelljet e qëndrimin e tyre, të përpiqen t'u provojnë bashkatdhetarëve të vet përsosurinë e kësaj Kauze të shenjtë, të mbështesin të vërtetën e saj dhe të japin një dëshmi të gjallë të fuqisë e të karakterit sublim të frymës së saj. Ja kështu duhet të veprojnë miqtë, pa u kufizuar me dhënien e mesazhit, me shpjegimet, shtjellimet e sqarimet. 'Abdu'l-Bahá-i, Kryeinterpretuesi i Besimit të Bahá'u'lláh-ut, ka shkruar:
Prandaj është detyrë e të gjithë Bahá'í-ve ta peshojnë këtë çështje tepër delikate e jetësore në zemrat e tyre, që, ndryshe nga fetë e tjera, të mos kënaqen me zhurmën, me bujën, me zbrazëtinë e doktrinës fetare. Jo, përkundrazi, ata duhet që në çdo aspekt të jetëve të tyre të japin shembullin e atyre atributeve e virtyteve të lindura nga Perëndia dhe të ngrihen për t'u shquar për sjelljen e tyre të hijshme. Ata duhet ta justifikojnë pretendimin e tyre se janë Bahá'í me vepra e jo vetëm nga emri. Bahá'í i vërtetë është ai që përpiqet ditë e natë të përparojë e të ecë në shtegun e sjelljes njerëzore, ai dëshira më e madhe e të cilit është të jetojë e të veprojë për të pasuruar e ndriçuar botën, që ka si burim frymëzimi thelbin e virtytit hyjnor, që ka si qëllim në jetë të sillet në mënyrë të tillë që të sjellë përparim të pafund. Vetëm kur fiton dhuntri të tilla të përsosura, mund të thuhet se ai është një Bahá'í i vërtetë. Sepse në këtë Dispensacion të shenjtë, që është kurora e lavdisë e epokave dhe e cikleve të shkuara, besimi i vërtetë nuk është thjesht njohja e unitetit të Perëndisë, por të jetuarit e një jete që do të shfaqë të gjitha përsosuritë e virtytet që përmbahen në një besim të tillë.6
Shihni sa e vendosur e me fjalë të forta është kjo thënie e 'Abdu'l-Bahá-it dhe sa ekzigjente janë kërkesat e saj! Megjithatë, vetëm kur Bahá'í-të janë në gjendje të shquhen plotësisht e si duhet në karakterin e tyre nga stolisja me këto virtyte hyjnore, ata do të shfaqen para syve të botës në mënyrë të denjë e të përshtatshme dhe emri i Bahá'u'lláh-ut do të ndezë flakë gjithësinë.
(30 tetor 1924, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Lokale, përkthyer nga persishtja) [64]
Asgjë, veç morisë së veprave tona, asgjë veç dëlirësisë së shpirtrave tanë dhe ndershmërisë së karakterit tonë, nuk mund të mund të mbështesë në fund të fundit pretendimin tonë se në kohën e sotme fryma Bahá'í është i vetmi faktor që mund ta shndërrojë një ideal të ushqyer prej kohësh në një arritje të qëndrueshme.
(24 nëntor 1924, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shtetetve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932" [bot. i rish.], (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1980), f. 68) [65]
Kjo është koha që kërkon karakter e sjellje të përsosur. Të gjithë ne duhet ta stolisim veten me këto ornamente të Mbretërisë sakohë jemi ende në këtë botë të qenies, në mënyrë që t'i shërbejmë si duhet Pragut të Mëshirëplotit.
(Në dorëshkrim të Shoghi Effendiut, shtuar në një letër të datës 24 nëntor 1924 shkruar në emër të tij, drejtuar një besimtari individual, përkthyer nga persishtja) [66]
Përgjegjësitë e anëtarëve të Asambleve Shpirtërore të angazhuar në mësimin e Kauzës së Perëndisë në vendet Lindore janë shkruar qartë në Tekstet e shenjta.
Këto u urdhërojnë atyre të punojnë për përmirësimin e moralit dhe për përhapjen e diturisë; të përpiqen të çrrënjosin padijen e mosndriçimin e mendjes, të zhdukin paragjykimet dhe të forcojnë themelet e besimit të vërtetë në zemrat e mendjet e njerëzve; të përpiqen të zhvillojnë mbështetjen në forcat e veta dhe të shmangin imitimin e verbër; të synojnë të rritin drejtimin e efektshëm të punëve të tyre dhe të ruajnë dëlirësinë e përsosurinë në çdo rrethanë; të tregojnë angazhimin e tyre për vërtetësi e ndershmëri dhe aftësinë e tyre për t'u sjellur në mënyrë të sinqertë, me guxim e vendosmëri.
Po kështu ato u venë atyre për detyrë t'i japin mbështetje zhvillimit të bujqësisë e të industrisë, të konsolidojnë themelet e ndihmës së ndërsjelltë e të bashkëpunimit, të çojnë përpara emancipimin dhe përparimin e grave dhe të mbështesin arsimimin e detyrueshëm të të dy sekseve, të inkurajojnë zbatimin e parimeve të konsultimit ndërmjet të gjitha klasave dhe në të gjitha punët t'i përmbahen standardit të një ndershmërie skrupuloze.
Më tej ato u ngulitin atyre virtytin e besueshmërisë e të devotshmërisë, të qëllimeve të pastra, të përzemërsisë dhe të shkëputjes nga zinxhirët e kësaj bote materiale. Ato u bëjnë atyre thirrje të pastrojnë veten, për t'u ngritur mbi ndikimet korruptuese e të liga që ushtrojnë një ndikim aq të fuqishëm mbi botën perëndimore dhe i ngarkojnë t'i përmbahen këshillës për moderim në çdo kohë e në të gjitha rrethanat. Ato i nxitin të studiojnë me hollësi degët e ndryshme të diturisë së sotme -- si artet dhe shkencat -- dhe ta përqendrojnë vëmendjen për t'u shërbyer interesave të përgjithshme të popullit; të thellohen ata vetë përmes një studimi të vëmendshëm të Teksteve të shenjta dhe të venë në zbatim udhërrëfimin hyjnor që ato përmbajnë në rrethanat, për nevojat dhe kushtet e shoqërisë në kohën e sotme; të përmbahen nga përzierja në punët e ngatërruara të partive politike dhe as të mos interesohen për, as të mos përfshihen në, polemikat e politikanëve, në grindjet e teologëve, as në ndonjë prej teorive të sëmura sociale të përhapura midis njerëzve.
Ato më në fund i porositin ata të jenë sinqerisht të bindur, si në mendime dhe në fjalë, ndaj ligjeve të nxjerra në mënyrë të rregullt nga qeveria e mbretërisë dhe të distancohen nga metodat, konceptet dhe argumentat e pathemelta si të tradicionalistëve dhe të modernistëve të skajshëm; të tregojnë nderim, veneracion e respekt ndaj -- dhe të mbështesin përpjekjet e -- eksponentëve të arteve e të shkencave dhe të çmojnë e të vlerësojnë shumë ata që zotërojnë dituri të gjera e erudicion prej dijetari; të mbështesin të drejtën e lirisë së ndërgjegjes; dhe të përmbahen që të mos kritikojnë e të nënçmojnë sjelljet, zakonet e besimet e individëve, të popujve e të kombeve të tjerë.
Këto janë ndër kërkesat më të ngutshme për kombet e Lindjes. Këto janë përgjegjësitë themelore, të detyrueshme e të pashmangshme të të besuarve të të Mëshirshmit, të përfaqësuesve të komuniteteve Bahá'í, të anëtarëve të Asambleve Shpirtërore.
(30 janar 1926, drejtuar Asambleve Shpirtërore në mbarë Lindjen, përkthyer nga persishtja)
[67]Njerëzit e Bahá-it, nën juridiksionin e çfarëdo shteti ose qeverie që të jenë, duhet të sillen me ndershmëri e sinqeritet, besueshmëri e drejtësi. Ata duhet të interesohen për zemrat e njerëzve dhe të qëndrojnë larg luhatjeve e kufizimeve të kësaj bote të pasigurt. Ata nuk janë as të etur për t'u dukur, as përqendrues të pushtetit; ata nuk janë as mjeshtër për t'u shtirur e për hipokrizi, as prej atyre që rendin pas pasurisë e influencës; ata as digjen nga dëshira për salltanet e ofiqe të larta, dhe as dëshirohen për lavdi titujsh e rangjesh. Ata janë kundër të shtirit e mburrjes dhe i shmangen përdorimit të forcës shtypëse; ata i kanë mbyllur sytë ndaj gjithçkaje veç Perëndisë dhe i kanë vënë zemrat te premtimet e patundura e të pakundërshtueshme të Zotit të tyre; ata i kanë shkëputur lidhjet e synimeve e të ndjenjave tokësore dhe i kanë lidhur jetët e tyre me të Shumëdashurin e Pashoq. Duke harruar vetveten, ata ia kanë kushtuar energjitë e tyre punës për të mirën e shoqërisë; dhe duke qëndruar fort në parimet e shëndosha e të sakta të Besimit të Perëndisë, ata i kanë kthyer shpinën imagjinatave të sëmura, teorive inkoherente dhe ideve të rrezikshme të viktimave të trillit e të marrëzisë. Ndërsa refuzojnë me vigjilencë të pranojnë poste politike, ata duhet të përshëndesin me gjithë zemër shansin për të marrë pozita administrative; sepse qëllimi parësor i njerëzve të Bahá-it është të paraqesin interesat dhe të çojnë përpara mirëqenien e kombit, e jo të mbështesin qëllimet e synimet dinake të njerëzve të shthurur e të paturpshëm. E tillë është metoda e Bahá'í-ve; e tillë është sjellja e të gjithë njerëzve shpirtërisht të ndriçuar; dhe çdo gjë tjetër është një gabim i dukshëm.
(Shkurt 1927, drejtuar besimtarëve në mbarë Lindjen, përkthyer nga persishtja) [68]
Në shtëpitë e tyre, ... në transaksionet e punës së përditshme, ... komuniteti i pasuesve të Bahá'u'lláh-ut duhet të jetë i kënaqur që në sytë e gjithë botës dhe në sytë e Mjeshtrit të tyre vigjilent ata janë dëshmitë e gjalla të atyre të vërtetave që Ai i ushqente me aq dashuri dhe i mbrojti pa u lodhur deri në ditët e Tij të fundit....
(12 prill 1927, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shtetetve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të zgjedhura 1922-1932", f.130) [69]
Le t'i modelojnë ata jetët e tyre dhe ta rregullojnë sjelljen e tyre në mënyrë të tillë që asnjë akuzë për fshehtësi, mashtrim, ryshfet ose kërcënim, qoftë dhe e pabazuar, të mos mund të bëhet kundër tyre....
(21 mars 1932, drejtuar besimtarëve në mbarë Amerikën e Veriut, botuar në "Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut: Letra të zgjedhura", bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1982), f. 64)
[70]Ajo [ndershmëria në sjellje] duhet të pasqyrohet vazhdimisht në çështjet e biznesit të të gjithë pjesëtarëve të tij7, në jetën e tyre familjare, në të gjitha punët që bëjnë dhe në çdo shërbim që ata mund të kryejnë, në të ardhmen, për qeveverinë ose popullin e tyre ....
(25 dhjetor 1938, drejtuar besimtarëve në mbarë Amerikën e Veriut, botuar si "Ardhja e Drejtësisë Hyjnore"), bot. shqip, f. 32) [71]
Fragmente nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut
(Drejtuar besimtarëve individualë, veç rasteve kur thuhet ndryshe)
Vazhdimësia dhe qëndrueshmëria e arritur nga çdo shoqëri, grup ose komb është rezultat i -- dhe varet prej -- saktësisë dhe vlerës së parimeve mbi të cilat mbështetet organizimi i punëve dhe drejtimi i veprimtarive të tyre. Parimet udhëheqëse të Bahá'í-ve janë: ndershmëria, dashuria, bamirësia dhe besueshmëria; vënia e së mirës së përbashkët mbi interesin privat; dhe praktikimi i devotshmërisë, i virtytit e i moderimit. Atëherë ruajtja dhe lumturia e tyre janë të siguruara përfundimisht. Çfarëdo fatkeqësi që mund t'u bjerë mbi kokë, e kurdisur nga kurthet e intrigantëve e të keqdashësve, do të kalojë tutje si valët dhe pas vuajtjeve do të vijë gëzimi. Miqtë janë nën mbrojtjen e pushtetit të papërballueshëm e të provanisë së padepërtueshme të Perëndisë. Nuk ka dyshim se çdo shpirt i bekuar, që e vë jetën e tij në harmoni me këtë pushtet mbisundues, do t'u japë shkëlqim veprave të tij dhe do të fitojë një shpërblim të madh. Veprimet e atyre që vihen kundër tij nuk duhet të shkaktojnë antipati nga ana jonë, por lutje për t'u rrëfyer udhën. Kështu kanë vepruar Bahá'í-të në kohët e shkuara, dhe kështu duhet të veprojnë ata tani e përgjithmonë.
(18 dhjetor 1925, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare, përkthyer nga persishtja)
[72]Pena e Më të Lartit ka shkruar: "Frika e Perëndisë është komandanti më i madh që mund ta nxjerrë fitimtare Kauzën e Perëndisë, dhe ushtritë që i përshtaten më mirë këtij komandanti gjithmonë kanë qenë e janë një karakter i ndershëm dhe veprat e pastra e të hijshme"8
Njerëzit e Bahá-it duhet, pra, ta jetojnë jetën dhe t'i drejtojnë punët e tyre me shkallën më të lartë të shenjtërisë e të devotshmërisë, dhe të hedhin poshtë në mënyrë të paepur e të ndahen nga praktikat e pandershme, mënyrat e sjelljes e zakonet e vajtueshme që janë mbizotëruese midis njerëzve në Perëndim. Përshpirtnia e devotshmëria duhet të jenë objekt i cilitdo që e konsideron veten të dashuruar pas kësaj Kauze dhe stolia e çdo shpirti të drejtë; përndryshe, pak nga pak por me siguri, ndriçimi i dhënë realitetit më intim të zemrave të njerëzve nga virtytet e botës njerëzore do të dridhet, do të venitet e do të shuhet, për t'u mposhtur nga errësira gllabëruese e veseve dhe e korruptimit. Mirësjellja dhe dinjiteti janë ato që i sjellin fisnikëri e nam të mirë njeriut; kurse sjellja mendjelehtë dhe mosserioziteti, fjalët e turpshme dhe pafytyrësia çojnë në uljen, prishjen dhe poshtërimin e tij. Do të ishte e udhës, në të vërtetë duhet, që Bahá'í-të të kërkojnë ta shquajnë veten në të gjitha gjërat, sepse ç'dallim tjetër mund të ketë midis tyre dhe të tjerëve? Prandaj çdo veprim i llogaritur për të ulur dinjitetin e pozitës së njeriut duhet të shmanget e flaket me vendosmëri.
(21 janar 1928, përkthyer nga persishtja) [73]
Ju ngritët çështjen e të treguarit ndershmëri e besueshmëri kur je i angazhuar në shërbim të shtetit. Këto janë cilësi që duhet të shquajnë të gjitha veprimtaritë e miqve dhe fitimi i të cilave është një detyrë për çdo besimtar. Që disa prej drejtuesve nën të cilët ata shërbejnë mund të mos i vlerësojnë përpjekjet e tyre, ose të mos i vlerësojnë drejt shërbimet e tyre, kjo nuk duhet të na çuditë. Arsyeja e këtij qëndrimi është se njerëz të tillë janë larg Burimit të Vërtetë të drejtësisë, të paanësisë e të korrektësisë. Ne duhet ta ngulitim shikimin te Perëndia, e jo te bëmat e krijesave të Tij. Çdo veprim i panjollë, çdo qëllim i sinqertë i yni do të fitojë miratimin e të Vërtetit, do të lartësohet e madhërohet prej Tij dhe do të marrë një shpërblim bujar.
(8 mars 1948, përkthyer nga persishtja) [74]Ai mësoi me keqardhje të madhe për vështirësitë që ju keni hasur në tregtinë tuaj, dhe u hidhërua veçanërisht kur dëgjoi për konkurrencën e egër që po ju bëjnë juve në Nju Jork disa persë, që duket se janë të vendosur t'ju rrënojnë e t'ju dëbojnë nga tregtia, pavarësisht nga fakti që ju keni treguar ndaj tyre dashamirësi dhe keni refuzuar të silleni ashpër me ta. Edhe pse Ruajtësi do t'ju këshillonte të vazhdoni të mbani një qëndrim të tillë të vërtetë Bahá'í vetëpërmbajtjeje, ai dëshiron që ju në të njëjtën kohë të mos tërhiqeni dhe të mos lejoni që kërcënimet e tyre t'ju dekurajojnë e t'ju demoralizojnë. Sado të pamoralshme të jenë metodat që ata përdorin, ju duhet të keni bindjen e patundur se marifete të tilla dashakeqe nuk mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe se rruga më efektive për t'iu kundërvënë atyre është që ju të mbani pa rezerva të vetmin standard të vërtetë në punët e tregtisë që është skalitur në Mësimet.
(31 tetor 1938) [75]Duke përfunduar, më lejoni gjithashtu t'ju shpreh kënaqësinë e tij për përmirësimin në gjendjen e Z. ... në biznesin e tij. Ai do të vazhdojë të lutet që standardi i lartë i ndershmërisë që ai ka ruajtur në transaksionet e biznesit të tij jo vetëm t'i sjellë atij konfirmimet e bekimet e Perëndisë, por edhe që ato të jenë mjete të efektshme për tërheqjen e shumë shpirtrave në Besim.
(4 nëntor 1940) [76]Përsa i përket komentit tuaj se Besimit i nevojiten pasues vetëmohues, të rrëmbyer nga dashuria, njerëz me dhunti të shquara shpirtërore, oratorë të fuqishëm elokuentë dhe njerëz me burime materiale e talente për të mbrojtur të vërtetën e Kauzës sonë të shtrenjtë, Ruajtësi më udhëzoi t'ju shkruaj:
"Ajo që nevojitet është përsosuria e karakterit dhe e sjelljes, si dhe të qënit në pajtim me ligjet e reveluara nga Bahá'u'lláh-u -- këto janë magnetet që tërheqin konfirmimet hyjnore dhe mjetet për afirmimin e vlefshmërisë e të natyrës unike të Kauzës së Lavdiplotit".
Më tej ai më porositi të shkruaj:"Kapërcimi i papërsosurive është një proces gradual. Këshillat e qortimet e vazhdueshme janë të nevojshme, në mënyrë që, hap pas hapi, komuniteti të kompensojë të metat e ndryshme që e rrethojnë dhe t'i drejtojë punët e tij mbi një bazë të planifikuar e me rregull".
(12 janar 1946) [77]Ruajtësi mendon se qëndrimi juaj ndaj praktikës së korruptuar të pranimit të shpërblimeve nga mjekët e farmacistët është shumë i admirueshëm. Sa më të ndershëm e fisnikë të jenë Bahá'í-të në sjelljen e tyre, aq më shumë përshtypje lenë ata te njerëzit për vitalitetin shpirtëror të Besimit në të cilin ata besojnë.
(20 tetor 1953) [78]Ai mendon se ju duhet ta konsideroni drejtimin kompetent të biznesit tuaj jo vetëm një detyrim moral ndaj çfarëdo kreditorësh ende të pashlyer, por edhe si një gjë të mençur e të përshtatshme që duhet bërë.
(6 qershor 1954) [79]2 Emri "Sadiq" fjalë për fjalë do të thotë "i çiltër" ose "i sinqertë".
3 Kurani 54:55.5 Korah: emër sinonim i pasurisë së madhe, që përmendet (në formën e 'Karun') në Kuran, 28:76.
6 Përkthyer nga Shoghi Effendi dhe botuar në "Bota Bahá'í", vëll. 2, "1926-1928" (Nju Jork: Komiteti Botues Bahá'í, 1928), f. xvi.
7 Eshtë fjala për komunitetin Bahá'í. --Shën. i përkth.
8 Nga Kitáb-i-'Ahd, botuar në "Tabelat e Bahá'u'lláh-ut të Reveluara pas Kitáb-i-Aqdas" bot. i rish. (Haifa: Qendra Botërore Bahá'í, 1982), f. 222.
---------------------------------------------------------------------------
---------------------------------------------------------------------------